20.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Korrik, 2025

Vizita historike e Obamës

Presidenti amerikan Barack Obama tha sot se do të vizitojë Hiroshimën këtë muaj, duke u bërë udhëheqësi i parë amerikan që shkon në qytetin japonez ku një avion luftarak amerikan hodhi bombën e parë atomike në vitin 1945, në fund të Luftës së Dytë Botërore, duke shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra njerëzve.
Për shtatë dekada, presidentët amerikane kanë shmangur një vizitë në Hiroshima, mesa duket për të mos krijuar përshtypjen se një vizitë e tillë do të shihej si një ndjesë për shkatërrimin e shkaktuar nga shpërthimi atomik atje dhe në Nagasaki, ku një bombë e dytë atomike u lëshua tri ditë më pas.
Zoti Obama shkon në Japoni nga 21-28 maj për një takim të udhëheqësve të Grupit të Shtatë ekonomive më të mëdha të botës. Shtëpia e Bardhë tha se ai do ta vizitojë Hiroshimën së bashku me kryeministrin Shinzo Abe.

Largimi i Davutoglu dhe prishja e balancës

Marc Champion

Në fillim, rreth 14 vjet më parë, Rexhep Taip Erdogan zgjodhi një ekip njerëzish të zgjuar dhe të kualifikuar, për të drejtuar Turqinë së bashku me të. Tashmë, ai ka detyruar të largohet një nga të bësuarit e atij grupi – kryeministrin Ahmet Davutoglu – për ta zëvendësuar me dikë më të përpunueshëm. Kjo është shkatërruese për Turqinë, sikurse e kanë treguar edhe orët e fundit tregjet financiare.
Për të kuptuar arsyen e këtij zhvillimi, shihni çështjet mbi të cilat Erdogan dhe Davutoglu, – i cili nuk është rebel apo ndonjë hero i demokracisë laike të Turqisë – kanë debatuar, duke e shthurr një raport dikur të fortë deri në pikën e divorcit të plotë mes tyre. Ndarja e hershme erdhi menjëherë pas emërimit të Davutoglusë si kryeministër, kur ky i fundit propozoi një paketë anti-korrupsion në përgjigje të akuzave për korrupsion të bëra nga mediat dhe opozita kundër familjes së Erdoganit dhe aleatëve më të ngushtë politikë.
Erdogan tha se, ideja ishte e parakohshme, ndaj dhe paketa u hoq. Davutoglu ishte i etur për të ruajtur një shkallë besimi të tregut ndaj pavarësisë së Bankës Qendrore të Turqisë, duke e mbrojtur atë nga bindjet e gabuara të Erdoganit mbi politikën monetare (ai ka thënë se normat e larta të interesit nxisin inflacionin, një teori hedhur poshtë nga disa shekuj të teorisë ekonomike dhe të dhënave empirike).
Kur do të emërohej Guvernatori i ri i Bankës Qëndrore muajin e kaluar, Erdogan donte dikë më të gatshëm ndaj kërkesave të tij për norma të ulëta. Davutoglu ka qenë ndërkaq më pak agresiv në luftën shkatërruese me militantët e minoritetit të madh kurd të Turqisë, që mori një hov të veçantë vitin e kaluar. Ai foli në mbështetje të qindra akademikëve, të cilët janë arrestuar në bazë të ligjeve të anti-terrorizmit, vetëm pse patën shkruar një letër publike kritike ndaj politikave kurde të Erdoganit.
Dhe ndonëse shfaqej si një mbështetës publik i planeve të Erdoganit për të rishkruar Kushtetutën e vendit, me qëllim transferimin e thuajse të gjitha kompetencave qeveritare në presidencë, veprimet e Davutoglusë në përpjekje për të konsoliduar bazën e vet të pushtetit, i dhanë Erdoganit arsye të forta për ta cilësuar bashkëpunëtorin e tij pasinqertë.
Në fakt, nuk ka asnjë argument intelektualisht të ndershëm për ndërtimin e një sistemi presidencial, që do të vendoste në duart e një personi të vetëm një pushtet praktikisht të pakontrolluar ndaj institucioneve turke, nga gjyqësori tek media, do të qe diçka e mirë për demokracinë turke. Për këtë arsye, shumica e turqve – çka do të thotë edhe shumë prej votuesve të Erdoganit – e kundërshtojnë ndryshimin.
Krisja e fundit duket se erdhi me përpjekjet e Davutoglusë në negocimin e një marrëveshje me Bashkimin Evropian, për të pranuar refugjatët e kthyer nga Greqia, në këmbim të një ndihme financiare prej 6 miliardë dollarësh dhe një regjimi të udhëtimit pa viza për turqit. Erdogan u shfaq përgjithësisht aprovues drejt marrëveshjes, e cila ende përballet me pengesa në BE. Ajo kërkon nga Ankaraja të miratojë një numër ndryshimesh në politikat e saj, duke përfshirë kufizimin e abuzimeve të shfrenuara me legjislacionin anti-terror, në këmbim të udhëtimit pa viza në BE – një lëvizje që do të jetë jashtëzakonisht popullore në mesin e turqve. Me fjalë të tjera, ajo do të kufizojnë lirinë e veprimit të Erdoganit, dhe t’i sigurojë BE-së më shumë mekanizma ndikimi.
Ç’është më e keqja, BE-ja ishte qartazi e lumtur për t’u marrë vesh me Davutoglunë sesa me Erdoganin (lexoni transkriptin e rrjedhur të një takimi mes turqve dhe presidentëve të Komisionit Evropian për të kuptuar arsyen). Nga ana e tij Davutoglu, siguroi që turqit ta cilësonin këtë marrëveshje si sukses të tijin personal. Biseda në të cilën Erdogan dhe Davutoglu diskutuan mbi të ardhmen e këtij të fundit ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, disa orë pasi Komisioni Evropian çeli dritën jeshile miratimit të vendimit për t’u dhënë turqve të drejtën e udhëtimit pa viza në hapësirën Shengen.
Kjo na çon sërish në fillim, kur kryeministri i atëhershëm Erdogan dhe partia e tij në pushtet qenë nga çdo lloj vlerësimi objektiv diçka e mirë për Turqinë. Ai kishte Abdullah Gylin si partner, i cili më vonë do të bëhej president. Ali Babacan dhe Mehmet Shimshek, të dy të mirë-kualifikuar dhe të besueshëm tek investitorët e huaj, drejtonin ekonominë.
Ertugrul Gunaj, një liberal dhe ish-anëtar i Partisë laike Republikane Popullore, drejtonte ministrinë e ndjeshme të Kulturës dhe Turizmit. Në Parlament, deputetët e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim përfshinin një numër të konsiderueshëm të liberalëve laikë. Kur Gyli u bë president, Erdogan zgjodhi akademikun Davutoglu për të drejtuar politikën e jashtme.
Nga ai ekip, vetëm Shimshek mund të mbetet në detyrë, tanimë që Davutoglu është larguar. Në Parlament, të gjithë deputetët e AKP-së janë zgjedhur personalisht nga Erdogani.  Me një lake të Erdoganit si kryeministër, liria e Shimshekut për të mbrojtur ekonominë 720 miliardë dollarëshe të Turqisë nga dëmtimi politik, do të ngushtohet edhe më tej. Guvernatori i ri i Bankës Qendrore do të jetë i ekspozuar ndaj një presioni edhe më të madh politik.
Davutoglu vuajti nga arroganca dhe teprimi me ideologjinë si ministër i Jashtëm. Por ideja e tij themelore – për të ribalancim të politikës së jashtme turke nga një fokus i veçantë dhe varësia nga Perëndimi, në drejtim të ish-zotërimeve osmane të Turqisë në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe në Ballkan – rezultoi e drejtë. Gjithashtu edhe si kryeministër, Davutoglu ka ofruar një kundërpeshë të kujdesshme ndaj një presidenti gjithnjë e më radikal, i cili përherë e më tepër e përcakton veten kundër vlerave dhe synimeve perëndimore.
Me zëvendësimin e kryeministrit të zgjedhur nga vetë ai me dikë tjetër edhe më të nënshtruar, Erdogan do të përftojë de fakto efektet e një Kushtetute presidenciale, edhe në rast se nuk mund të ketë sukses në rishkrimin zyrtar të saj. Dhe një nga elementët e fundit që garantonte balancën në jetën politike të Turqisë, do të zhduket së paku në të ardhmen e parashikueshme.

Italia, Mançini në “pole” me Montellen

Telenovela për pasardhësin e Antonio Contes në stolin e Kombëtares Italiane ka nisur javë përpara se trajneri të zyrtarizonte marrëveshjen me Chelsea-n. Sipas Presidentit të Federatës Italiane, Taveçhio, trajneri i ardhshëm i të kaltërve nuk do të ketë një profil luksi, edhe sepse financat e federatës nuk janë të larta. Megjithatë, nuk përjashtohet që të ketë një surprizë.
E papritura lidhet me emrin e Roberto Mançinit, i cili prej kohësh diskutohet për stolin e Italisë. Trajneri i Interit duket se është i preferuari i Federatës. Shqetësimi i vetëm lidhet me rrogën e lartë të teknikut, që në të njëjtën kohë pret të mësojë edhe më tepër rreth së ardhmes te zikaltërit, pas ftohjes së marrëdhënieve me drejtuesit e klubit, prej mos-përmbushjes së objektivit Champions.
Nëse Mançini do të largohej nga Interi, kjo do t’i hapte rrugën bisedimeve me Taveçhio-n. Në të kundërt, presidenti i federatës do të nisë negociatat me të preferuarin tjetër, Vincenzo Montella. Ky i fundit duket drejt largimit nga Sampdoria, por puna e tij po studiohet me kujdes edhe nga Milani.
Në garën për stolin e Italisë, që gjithmonë e më tepër po i ngjason një maratone, vazhdon të jetë edhe trajneri i Kombëtares shqiptare, Gianni De Biasi, por edhe tekniku i Torinos, Giampiero Ventura, Gian Piero Gasperini i Genoa-s dhe Walter Mazzarri, që aktualisht është i papunë.

Low përkrah transferimin e Hummels te Bayerni

Joachim Low është i lumtur nga fakti që Mats Hummels do ta vijojë karrierën në Bundesligë. Transferimi i 27-vjeçarit te Bayerni i Minihut, në një kohë kur kishte oferta edhe nga Premier League, veçanërisht nga United apo Chelsea, për trajnerin e kombëtares gjermane është diçka pozitive. “Nëse lojtarët e kombëtares vendosin të luajnë në Bundesligë, kjo do të thotë se kampionati gjerman i futbollit, në mos më shumë, të paktën është po aq cilësor sa Premier League”, tha Low.
Një deklaratë e kuptueshme e trajnerit, të cilit i intereson një Bundesligë e fortë, pasi pjesa më e madhe e lojtarëve të kombëtares gjermane, luajnë në vendin e tyre. Hummels me këtë vendim tijin ndjek gjurmët e Mario Gotzes dhe Robert Lewandowskit, që bratkatisën verdhezinjtë për t’iu bashkuar skuadrës që po dominon në futbollin gjerman këto katër vitet e fundit. Low hedh poshtë fjalët se ai ka ndikuar te mbrojtësi për të hedhur këtë hap në karrierë.

Goditje e dyfishtë!

Bajern Mynih ka zyrtarizuar dje dy afrimet e para të merkatos së verës. Pas Renato Sançesit i ardhur nga klubi i Benfikës, bavarezët kanë zyrtarizuar dhe transferimin e mbrojtësit të Dortmundit, Mats Hummels. Hummels ka nënshkruar kontratë me kampionët deri në 2021, ndërsa mediat gjermane shkruajnë  që kalimi i tij ka vlerën e 35-38 milionë eurove.
Vetëm pak ditë pas fitimit të titullit të 4-t kampion radhazi në Bundesligë, klubi bavarez zyrtarizoi afrimet në skuadër për sezonin e ardhshëm të mbrojtësit Mats Hummels dhe mesfushorit Renato Sanches. Për të shmangur konkurencën nga klubet e tjera drejtuesit e Bayern-it i mbyllën këto dy marrëveshje në kohë rekord. Por nëse për Hummels-in, ishte pothuajse i sigurtë kalimi i tij te kampionët e Gjermanisë, Bayerni suprizoi me transferimin në Mynih të talentit portugez Renato Sanches, duke mposhtur kështu konkurencën e Realit të Madridit, Barcelonës dhe Manchester United, tre klubeve të tjera të mëdha që interesoheshin për ish-lojtarin e Benficës.
Siç bën të ditur vetëm klubi gjerman në faqen zyrtare, Mats Hummels do të jetë pjesë e Bayernit deri në 30 qershor të vitit 2021, të njëjtën datë skadence ka edhe kontrata e firmosur nga 18-vjeçari Sanches. Nuk bëhet e ditur shuma që Bayerni ka derdhur në arkat e Dortmundit për të marrë shërbimet e mbrojtësit 27-vjeçar, por sipas asaj që bëjnë të ditur mediat gjermane, klubi bavarez ka paguar klauzolën e largimit të lojtarit që varion nga 35 deri në 38 milionë euro. Menjëherë pas firmës me Hummels, foli për mediat shefi ekzekutiv i Bayernit, Karl Heniz Rummenigge i cili e cilësoi 27-vjeçarin si nga një mbrojtësit e qëndrës më të mirë në Botë.
Me afrimin e Hummels, trajneri i ri i Bayernit italiani Carlo Ançeloti sezonin e ardhshëm mund të formojë një dyshe të gjithën gjermane në qendër të prapavijës të përbërë nga ish-lojtari i Dortmundit dhe Jerome Boateng. Përsa i përket Renato Sanches kartoni i këtij të fundit i kushtoi Bayernit, 35 milionë euro plus bonuset me 18-vjeçarin që, pasi kaloi me sukses vizitat mjekësore hodhi edhe firmën në kontratë për 5 vitet e ardhshme.

Klop nuk kursen lojtarët për finalen e Bazelit

Rrugëtimi i Liverpool drejt finales së Europa League nuk ka qenë i lehtë për skuadrën angleze. Që prej fazës çerekfinale, trajneri Jurgen Klopp është detyruar të bëjë disa herë rotacion në skuadër për të rikuperuar energji. 27 është numri i lojtarëve të përdorur nga trajneri gjerman që prej fillimit të muajit prill, pasi një numër i madh lojtarësh janë përballur edhe me dëmtime të ndryshme. Gjithsesi deri në finalen e 18 majit, Liverpool duhet të luajë edhe dy ndeshje në kampionat dhe Klopp beson se lojtarët kanë ende mundësi të përmirësohen.
“Nuk e kam idenë se cilët lojtarë do të përzgjedh për të mërkurën, por për fat të mirë na janë rikthyer disa të dëmtuar dhe do ta kem shumë të vështirë që të zgjedh. Nuk kam menduar asgjë për formacionin kundër Sevillas, por nga ana tjetër unë mendoj se nuk duhet të kursejmë asnjë lojtar për finalen. Të gjithë dëshirojnë të luajnë çdo ndeshje dhe ky është një sinjal shumë pozitiv. Nuk dua të krijoj asnjë presion mbi lojtarët, duke i bërë të mendojnë për finalen, thjesht duhet të presim atë ndeshje dhe të shikojmë se si do të paraqitemi. Vendimet do të merren me radhë, fillimisht për ndeshjen kundër Chelseat, pasataj për West Bromwich dhe më pas për finalen”, u shpreh Klop. Pas 36 ndeshjeve sezonale në kampionat, Liverpooli mban vendin e 8 me 58 pikë dhe ka shpresa të vogla për një biletë në Europa League, ndërsa në finalen e Baselit ka mundësinë për të siguruar kualifikimin direkt në Champions League nëse arrin të kalojë Sevillan.

Atletico, klauzolë 100 milionë euro për Griezmann

Klubet angleze kanë nisur një garë të ethshme për të siguruar shërbimet e Antoine. Sipas “The Telegraph”, sulmuesi i Atletico Madrid është në shënjestrën e Chelsea, Manchester United dhe Manchester City. Por, interesi më i madh për francezin është nga blutë e Londrës, që e ndjekin prej kohësh dhe synojnë t’i garantojnë trajnerit të ri, Antonio Conte një lojtar klasi dhe me mesatare të lartë golash.
Por, Griezmann duket se ka vendosur që t’i refuzojë të gjitha ofertat të cilat do t’i paraqiten dhe të vazhdojë karrierën në “Vicente Calderon”. Dëshira e lojtarit pritet të ndikojë te drejtuesit e klubit “colchonero” që të ngrenë nga 63 në 100 milionë euro, klauzolën për prishjen e kontratës së lojtarit. Sipas asaj që sulmuesi i ka thënë miqve të afërt, refuzimi i ofertave nga skuadrat më të mëdha të Premier League-s lidhet me vendimin e trajneri Simeone, për të qendruar në krye të stolit të Atletico-s.

Indonezia, 16 milionë euro për Mourinhon

Indonezia kërkon José Mourinho-n për stolin e përfaqësueses. Konfirmimi u dha nga ministri i Sportit në vend, Imam Nahrawi, duke shpjeguar se ka diskutuar për rreth idesë me presidentin e vendit Joko Widodo, i cili kërkon të ringrejë futbollin, pas rezultateve nën pritshmëritë. “E kemi diskutuar këtë ide, pavarësisht se nuk do të jetë e lehtë”, ishin fjalët e ministrit indonezian për agjencinë shtetërore të lajmeve, “Antara”.
Bëhet fjalë për një ofertë me vlerë rreth 16 milionë euro. Ndërkohë, qeveria e Indonezisë vlerësoi edhe pagën e trajnerit të përkohëshëm te Chelsea-t, holandezit Guus Hiddink. Pengesa e parë për emërimin e Mourinho-s te përfaqësuesja indoneziane është fakti se prej një viti, ky vend nuk merr pjesë në aktivitetet ndërkombëtare, pas dënimit të FIFA-s për ndërhyrjet e qeverisë në çështjet e futbollit.
Një tjetër problem është edhe fakti se Jose Mourinho pretendon emra prestigjiozë për rikthimin e tij. Aktualisht tekniku portugez është në pritje të Manchester United, ku cilësohet pasardhësi më i mundshëm i Louis van Gaal. Megjithatë, Mourinho është shprehur “i hapur për çdo klub apo ekip përfaqësues”, edhe pse pranoi se preferon punën me një klub, të cilën e vlerëson si më të mirë për karrierën e tij.

Berlusconi, “ok” për shitjen e Milanit

Silvio Berluskoni ka dhënë bekimin e tij për të nisur një tratativë ekskluzive me grupin kinez që është i interesuar për të blerë 70% të Milanit. Lajmi u bë i ditur fillimisht nga agjensia italiane e lajmeve ANSA. Për këtë arsye është mbledhur në një asamble të jashtëzakonshme dhe Këshilli Administrativ i FinInvest, kompanisë që kontrollon Milanin. Gjatë mbledhjes u formalizua dhënia e mandatit për administratorin e deleguar të FinInvest, Pasquale Cannatelli, të firmosë akordin për tratativën ekskluzive për një muaj me grupin kinez që përfaqësohet nga ndërmjetësi italo/amerikan Sal Galatiotto. Akordi gjithsesi nuk ka karakter detyrues, çka do të thotë se Berlusconi mund të ndryshojë mendje dhe të mbajë skuadrën pa u penalizuar nga ky hap proceduriual.
Natyrisht që bëhet fjalë vetëm për hapin e parë të një negociate fundi i së cilës ende nuk mund të thuhet me saktësi. Këshilli Administrativ i Milanit u mblodh në orën 12:00 në një takim që zgjati rreth 40 minuta. Akti i fundit konfirmon që Milani është në merkato dhe praktikisht me hedhjen e kësaj firme ngrihen për një muaj të gjitha operacionet si për shembull blerje apo shitje, zgjedhje e trajnerit, apo rinovime kontratash. Ka nisur në këtë mënyrë një tratativë e gjatë dhe komplekse që mund të sjellë shitjen e Milanit.

Marota: Nuk po kërkojmë Pjaniç

Nga Pjaniç te Montolivo për të vazhduar me Kovaçiç e Ibrahimoviç. Drejtori i Përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta në një intervistë zbuloi disa detaje mbi merkaton e ardhshme, ndërkohë që preku edhe një sërë temash të tjera. Në ditët e fundit është folur për një interesim të mundshëm të Juventusit për mefushorin boshnjak të Romës, Miralem Pjaniç, por sipas Marottës asgjë nuk është e vërtetë. Drejtuesi bardhezi u shpreh se Pjaniç është një lojtar i klubit kryeqytetas dhe kampionët e Italisë në asnjë moment nuk kanë hyrë në bisedime me të. Edhe Ricardo Montolivo po përflitet si përforcim i Juventusit për sezonin e ardhshëm, por Marotta i siguroi të gjithë se mes kapitenit të Milanit dhe Zonjës së Vjetër nuk ka patur asnjë kontakt gjatë kësaj periudhe. I pyetur nga gazetarët për një afrim të mundshëm të Mateo Kovaçiç te kampionët e Italisë, drejtori i përgjithshëm i Juventusit bëri të ditur se, objektivi primar i klubit bardhezi është të ruajë grupin aktual të futbollistëve, dhe vetëm nëse largohet ndonjë lojtar me peshë do të ketë afrime të rëndësishme. Përsa i përket Zlatan Ibrahimoviç e ardhmja e të cilit sëfundmi është lidhur shpesh me skuadra të tilla si Milani, Napoli e Interi, Marotta nënvizoi se Seria A, ka nevojë për kampionë të mëdhenj si Ibra, për t’u shndërruar në një kampionat akoma edhe më të fortë.
Rikthehen zërat për një interesim të mundshëm të Juventusit për Alexis Sanchez. Nga Spanja sigurojnë se, sulmuesi kilian nuk ndihet komod në radhët e Arsenalit, situatë që i ka shtyrë bardhezinjtë të studiojnë mundësinë e transferimit të tij në Torino. Një skenar mëse i pranueshëm edhe për faktin se, Alvaro Morata është i destinuar të kthehet te Reali i Madridit.
Sanchez ka qenë i parapëlyeri i drejtuesve të Juventusit që në kohën e Antonio Contes, por Arsenali u tregua më konkret, duke e shkëputur nga Barcelona. Pavarësisht se ka shënuar 13 gola në Premier League këtë sezon, rendimenti i tij nuk ka qenë ai i pritshmi, i ndikuar edhe nga dëmtimet e shpeshta.
Mirëpo për Sanchez nuk interesohet vetëm Juventusi. Bayerni i Mynihut dhe Manchester City i ofrojnë stimuj të rinj dhe një pagë të majme. Gjatë merkatos së verës pritet të ketë një ankand për 27-vjeçarin, ku sigurisht bardhezinjtë mbeten favoritë.