21.5 C
Tirana
E hënë, 28 Prill, 2025

UEFA analizon Shqipërinë

Faqja zyrtare e UEFA-s i kushton Shqipërisë një shkrim të detajuar, të bazuar në dy ndeshjet miqësore të kuqezinjve kundër Austrisë dhe Luksemburgut. Në fillim të shkrimit, UEFA i kushton një hapësirë të madhe ndeshjes me Austrinë në “Ernst Happel Stadium” dhe më pas përqendrohet te transferta e Luksemburgut ku Shqipëria triumfoi 2-0. UEFA veçon faktin që stadiumi “Josy Barthel” u pushtua nga rreth 3 mijë tifozë kuqezi, të cilët mbështetën Shqipërinë gjatë gjithë 90 minutëshit.

Në vijim, analiza përqendrohet te fakti që në të dyja miqësoret, Shqipëria u zhbllokua në pjesën e tretë të dy ndeshjeve, ndërsa shton se formacioni që De Biasi ka në kokë për Europianin nuk është ende i qartë. Sipas UEFA-s, përveç Etrit Berishës që e ka vendin të sigurt në katërkëndësh, pjesa tjetër janë në pikëpyetje dhe këtë e treguan 2 miqësoret, ku trajneri italian zgjodhi dy formacione të ndryshme, duke mos dhënë pika referimi.

“Në të dyja takimet, Shqipëria e përmirësoi lojën në pjesën e dytë me 3 gola të shënuar në total”. Një nga pikëpyetjet më të mëdha që UEFA ngre është edhe ajo që lidhet me Milot Rashicën. “Pas debutimit që playmeakeri i Vitesses bëri të martën, a do të jetë ai një emër i së ardhmes rreth të cilit do të ndërtohet ekipi?

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh gjatë kësaj vere, është e sigurt se do të ndodhë në të ardhmen”, nënvizon UEFA që shton se në repartin e avancuar, Cikalleshi duket se është preferenca kryesore pas 90 minutave të luajtura në Luksemburg. Një pyetje UEFA e ngre edhe për repartin e mbrojtjes, duke u bazuar në dy golat e pësuar në Austri. “Shqipëria duket e brishtë, kur skuadra kundërshtare e vendos nën presion. Kontrolli i topit është një problem për këtë skuadër që mesatarisht gjatë eliminatoreve e ka pasur kontrollin e lojës në masën 45%. Pasimet në total janë 1886, më pak se çdo finalist, por kjo edhe për faktin se, Shqipëria bënte pjesë në një grup me 5 skuadra”, vë në dukje UEFA.

 

De Biasi drejt Italisë

Gianni de Biasi braktis Shqipërinë në prag të Europianit të “Francë 2016”. Mediat italiane kanë publikuar disa foto të një takimi sekret të trajnerit me drejtues të Federatës Italiane të Futbollit, pranë zyrave të institucionit. Në fakt emri i De Biasit prej kohësh përflitej si pasuesi i Antonio Contes te të Kaltërit, por tashmë gjithçka është konfirmuar dhe pritet vetëm zyrtarizimi, që po sipas mediave të vendit fqinj, do të ndodhë në pasditen e sotme.

Ky lajm është një goditje e madhe për Kombëtaren Shqiptare, që pas kualifikimit historik në Europian, tashmë duhet të mendojë urgjentisht për pasuesin e 59-vjeçarit. Emrat që mendon Federata Shqiptare janë ato të Besnik Hasit, i cili është drejt largimit nga Anderlecht si dhe ai i Igli Tares, Drejtor Sportiv te Lazio. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i disa prej lojëtarëve të Kombëtares Kuqezi, të cilët janë shokuar nga ky lajm, duke mos e kuptuar arsyen e këtij vendimi nga ana e De Biasit.

Fitore ndaj Empolit

Duhet një fitore ndaj Empolit, për të shkuar, për të paktën një natë me një diferencë prej 6 pikësh nga Napoli. Juventusi kryesues riniset pas pauzës së ndeshjeve kombëtare me një objektiv të qartë, me trajneri Massimiliano Alegri që dha informacione të rëndësishme edhe për sa i përket gjendjes së grupit në prag të sfidës me skuadrën toskane.

“Dybala me siguri nuk do të jetë në ndeshje. Chiellini është rikuperuar dhe të tjerët janë mjaft mirë. Do të vlerësoj gjendjen e secilit para se të vendos. Marchisio është goxha mirë, po fillon të punojë me skuadrën dhe mund të jetë në dispozicion. Që sot fillon një mini kampionat prej 8 ndeshjesh, kemi 3 pikë avantazh dhe duhet ta ruajmë këtë avantazh, e ndoshta edhe ta rrisim”, u shpreh Alegri.

Alegri nuk i zë besë kundërshtarit të radhës, ndërsa për rivalitetin me Napolin e di se nuk mund të gabojë me të kaltërit të gatshëm për të përfituar. “Me Empolin do të jetë një ndeshje e komplikuar, ata nuk kanë asgjë për të humbur. Tani e tutje kemi 5 ndeshje në shtëpi, dhe Napoli nuk do të dorëzohet. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fitojmë. Këtë të shtunë nuk duhet të gabojmë për sa i përket frymës me të cilën do të futemi në fushë. Motivimi ka shumë rëndësi. Kampionatin e luajmë në shtëpi”, tha ai. Në fund dy fjalë edhe për të ardhmen me tij, me Alegrin që ndërsa u pyet për kontratën u përgjigj, “Mos kini frikë, unë nuk arratisem kurrë”.

Në moshën 38-vjeçare, Gianluigi Buffon po përjeton një rini të dytë. Një garanci për Juventusin dhe për përfaqësuesen italiane. Megjithatë, i vetëdijshëm se koha nuk është më në krahun e tij, portieri e ka të qartë projektin për të ardhmen. Edhe dy vjet në fushat e lojës, për t’u tërhequr më pas nga futbolli i luajtur. Numri 1 bardhezi zbuloi gjithçka rreth planeve të tij. “Pas këtij viti do të luaj edhe për dy sezone të tjerë dhe më pas do të tërhiqem. Nuk dua të luaj pas të 40-ve. Por, synoj që edhe në moshën 40-vjeçare, të paraqitem në fushë njësoj si tani”, tha Bufon.

Në momentin kur do të vendosë të varë dorezat në gozhdë, Buffon e ka të qartë se çfarë do të bëjë dhe futbolli pritet të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. “Kam fituar shumë eksperiencë nga karriera ime, por nuk dëshiroj që të bëhem trajner. Më pëlqen më tepër roli i seleksionuesit, një detyrë si trajner i një ekipi Kombëtar. Jam ambicioz. Nëse e nis një punë, qëllimi është të arrij gjithmonë lart. Pa këtë karakteristikë nuk do të isha më i gjallë”, tha ai.

Gardiani duket se i ka përcaktuar destinacionet e ardhshme, ndërsa pranon se për aq kohë sa do të luajë, do të mbrojë vetëm ngjyrat e Juventusit. “Do të shkoja në vende si Shtetet e Bashkuara apo Kina, që kanë popullsi të madhe dhe shumë potencial. Pas një dekade këto shtete mund të realizojnë gjëra të rëndësishme. Por, për aq kohë sa do të luaj, do të qëndroj te Juventusi, edhe nëse dikush tjetër më ofron dyfishin e rrogës. Krenohem që jam pjesë e këtij klubi dhe ajo që ka më tepër rëndësi janë vlerat, të cilat sot duken disi jashtë mode”, tha portieri i Juves.

Më ka çu nëna me la gojën

Fatmir GUDA

“Më ka çu nëna me la gojën”, është të paktën në dukje fabula e letrës publike që kryetari i qeverisë i adreson kryetarit të opozitës për bashkëpunim në Reformën në Drejtësi. Letra publike që në fakt në stilin e Edi Ramës është një hile e vjetër e tij për të kaluar lumin e radhës, kësaj here mbyllet edhe me një fund provokativ: “ne jemi gati, ju a jeni gati?” Nëpërmjet të cilit më shumë sesa ofron duket qartë që sfidon.
Në mënyrë diplomatike e aspak refuzuese, zoti Basha në lidhje me këtë letër që i është shpërndarë më parë publikut, konstatoi vetëm brenda pak orësh gatishmërinë e tij për t’ju përgjigjur pozitivisht ftesës për takim, duke mos u treguar aspak paragjykues ndaj saj. Njëkohësisht shefi i opozitës në përgjigje të letrës së Edi Ramës u paraqit i vendosur për të mos hequr dorë nga kërkesa e vet për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme si dhe zbatimin prej mazhorancës të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për heqje mandati të dy deputetëve socialistë Valentina Leskaj dhe Rakip Suli, të cilët akuzohen se janë kapur, duke përfituar fonde dhe pasuri publike në shkelje të Kushtetutës.
Ndërkohë, ndaj kësaj kthese të papritur të Edi Ramës jashtë ngacmimit nuk kanë mbetur as zyrtarë të lartë të BE. Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn më shumë i entuziazmuar, por ndoshta aspak i mësuar nga ky avaz i Ramës për të maskuar mosdakortësinë dhe mosgatishmërinë për dialog politik gjoja me letra publike dakortësie e gatishmërie, padjallëzisht ka reaguar në Twitter se “mbështeste të gjitha iniciativat për dialog politik në interes të vendit dhe qytetarëve”.
Por më shumë të njohura janë bërë tashmë edhe piruetat e Edi Ramës të tipit “Po provokoj, që t’ja fus kundërshtarit dhe po s’e hëngri, po e haj vetë”, megjithëse kjo taktikë e rënon si të paqëndueshëm karakterin e lidershipit, paçka se për momentin nëpërmjet saj ai zgjedh të mbahet në lojën.
Po le t’i rikthehemi argumentit të ditës, letrës publike të Edi Ramës për ta ftuar opozitën në dialog politik për Reformën në Drejtësi dhe për një moment të kalojnë para syve kanosjet me tone të larta të zërit dhe arroganca e Kryeministrit, sipas të cilit “donte, s’donte opozita, Reformën në Drejtësi AI do e bënte edhe pa të, brenda muajit mars”. Madje, përjashtimi i opozitës nga ky proces i leverdisi aq shumë zotit Rama, saqë me gojë të tellallëve të tij Majko e Balla, arriti të kërcënonte me zgjedhje të parakohshme megjithëse jo drejtpërdrejt aleatin e vet LSI, në rast se nuk do i jepte votbesim për variantin socialist të Reformës në Drejtësi. Por tashmë shantazhet mbi këtë çështje mesa duket do t’i përkasin arkeologjisë dhe nga halli apo nga malli po kalon në planin B, atë të “dashurisë” ndaj opozitës. Pa u marrë me aktorët dhe faktorët që e bënë Edi Ramën të lëpijë atë që pështyu, pra konsensusin e munguar me opozitën, tashmë kemi një klimë krejt tjetër “dashamirësie” ndaj PD. Se sa hipokrizi apo sinqeritet do ketë letra publike e Edi Ramës, si dhe sa do zgjasë hipokrizia apo sinqeriteti i tij, ngelet të shihet nga reflektimi i tij ndaj kërkesave të opozitës për Reformën Zgjedhore, krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese prej shumicës parlamentare. Pavarësisht se edhe në këtë drejtim duket se ka një gjysëm lëvizje, teksa deputetët Leskaj e Suli i kanë drejtuar kryetarit të Kuvendit një letër të stilit “Arben Ndoka”, nga ku shprehin dakortësinë e tyre për t’u gjykuar nga Kushtetuesja, ndonëse që të ndodhë kjo duhet ajo që kërkon opozita, miratimi nga Kuvendi i një vendimi të tillë. Pra, bëri si bëri deri tani Edi Rama “e mprehu shpatën, dhe një herë për situatën”, pa menduar se brenda ditës do t’i vinte pozitive përgjigjja rrufe prej opozitës. Atij i ka mbetur tashmë të dëshmojë se letra që i nisi më parë publikut se opozitës për Reformën në Drejtësi, nuk do të rezultojë sërisht një marifet për të mos e bërë kurrë këtë Reformë në letër!

Ibra kërkon 750 mijë euro në javë nga anglezët

Edhe pse në moshën 34-vjeçare, Zlatan Ibrahimovic nuk i ul pretendimet e tij. Sipas asaj që publikiohet tek tabloidi britanik “Daily Mail”, sulmuesi suedez u ka kërkuar klubeve angleze të interesuara për të një kontratë me pagë prej 750 mijë euro në javë.

Nëse kërkesa e tij e çmendur do të aprovohej, atëherë suedezi do të përfitone 36 milionë euro në sezon, shifër kjo që është 2 herë më e lartë se ajo që ai përfiton aktualisht te PSG.

Ky pretendim i Ibrahimovic erdhi menjëherë pasi ai mësoi për ofertën që po përgatitet në Kinë për një kontratë 3-vjeçare me 25 milionë euro në sezon.

Sipas “Daily Mail”, skuadrat që janë të interesuara për të siguruar shërbimet e Ibrahimovic janë Arsenali, Manchester United, Chelsea dhe West Ham, por që tani duket se janë frenuar në pretendimet e tyre pasi tashmë te drejtuesit e tyre ka lindur pyetja nëse ia vlen të bësh një shpenzim të tillë për një lojtar që po shkon drejt moshës 35-vjeçare.

Plani i Contes, ja kush qëndron te Chelsea

Antonio Conte pritet të marrë drejtimin e skuadrës londineze të Chelseat sezonin e ardhshëm, por trajneri italian dëshiron që të mbyll disa punë para se të fillojë Europiani.

Besohet se Conte ka dorëzuar dosjen e tij te drejtuesit e skuadrës londineze ku parashikohet edhe fati i disa prej lojtarëve kyç të kampionëve anglez. Çfarë do të thotë emërimi i Contes për Diego Costan, Eden Hazard e John Terry? Ja plani i italianit.

Sulmuesit
Ateltico Madrid nuk e ka fshehur faktin që dëshiron të rikthejë Diego Costan, sulmuesin të cilën e shiti pë 32 milionë paund në vitin 2014. Madje, “Sky Sports” raportoi se braziliani me pasaportë spanjolle i ka t hënë “po” rikthimit në Madrid.

Ai ka edhe tre vite kontratë me Chelsean, por duket shumë i palumtur me mënyrën si po trajtohet nga mediat ne ishull por edhe nga federata, e cila të premten e pezulloi edhe për një tjetër ndeshje.

Por, Conte ka plane të tjera për Conten, pasi italiani kërkon ai të qëndrojë në Londër. Ndërkohë Alexandre Pato dhe Radamel Falcao pritet të largohen në fund të sezonit, duke mbyllur marrëveshjet e huazimit. Po ashtu, pritet edhe largimi i Loic Remy.

Eden Hazard
Real Madrid dhe PSG do të tentojnë të joshin belgun Eden Hazard në merkaton e verës, pas një sezoni për t’u harruar për anësorin e londinezëve. 25-vjeçari është larg formës së një sezoni më parë ku udhëhoqi Chelsean drejt dy trofeve, ndërsa vet u shpall “Lojtari më i mirë”.

Mirëpo, Conte dëshiron që të takojë Hazardin përpara ndonjë vendimi për ta lënë të lirë. Trajneri italian kërkon ta dëgjojë nga goja e 25-vjeçarit kërkesën për t’u larguar.

Conte mund ta bind për një “fillim të ri” belgun, por gjithçka do varet nga vendimi i lojtarit.

Kapiteni
John Terry pritet të largohet në fund të këtij sezoni, atëherë edhe kur kontrata e tij me klubin do të skadojë. Mirëpo, Conte duket se ka urdhëruar klubin q të përgatisë rinovimin për kapitenin.

34-vjeçarit mund t’i ofrohet një tjetër kontratë 1-vjeçare, por trajneri italian po mendon ta bëjë pjesë edhe të stafit teknikut.

Thibaut Courtois
Thibaut Courtois refuzoi t’i premtonte besnikëri Chelseat gjatë kohës sa ishte i angazhuar me kombëtaren belge, me Realin i cili synon ta rikthejë në kryeqytetin spanjoll këtë verë.

Real nuk arriti të bind Manchester United për David de Gean, prandaj vëmendja është përqendruar te Courtois.

Në rast largimi, Conte ka “planin B” dhe ai quhet Gianluigi Donnarumma. Trajneri i ardhshëm i Chelseat është një adhurues i madh i adoleshentit të talentuar të Milanit, ndërsa ka miqësi edhe me agjentin, Mino Raiola.

Të rinjtë
Gjatë bisedimeve mes Chelseat dhe Conte, klubi ia ka bërë të qartë italianit se duhet me patjetër të mbajë një sy nga ekipet zinxhirë. Mediat britanike raportojnë se londinezët janë njohur me planin e Contes për të rinjtë dhe janë shumë optimistë.

Conte është pajtuar që t’i apë mundësinë të rinjve të Chelseat, edhe pse do të ketë në dispozicion që këtë verë 150 milionë euro për transferime.

Hajdutëria e Al-Capone-ve në pushtet, Qeveria, 9.5 mln USD për 950 metra rrugë

Kryeministri Rama është përfshirë në një tjetër aferë korruptive në ndërtimin e rrugës së Linit që ka kushuar 9.5 mln dollarë. Sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në PD, Grida Duma i ka kërkuar kryeministrit Rama përgjigje se cila është pjesa e tij në këtë aferë. “Një aferë skandaloze zbulon mekanizmin se si Edi Rama dhe qeveria e tij ndajnë paratë e shqiptarëve me miqtë e tyre.
Mbi 9 milionë e gjysëm dollarë, ose 9 miliardë e 720 milionë lekë i ka dhënë Edi Rama një firme ndërtuese për të bërë më pak se një kilometër, saktësisht 950 metra rrugë në Lin të Pogradecit. Nuk është një shaka e 1 prillit, por kjo është në praktikë marrëveshja e 1 prillit. Një shifër rekord abuzimi dhe korrupsioni”, tha Duma.
Përveç kësaj, sipas PD-së, ky tender ka dhe paligjshmëri të tjera, si fakti që mungon mbikqyrësi i këtyre punimeve. “Një kërkesë kjo e ligjit, dhe ende nuk ka një mbikqyrës të shpallur zyrtarisht nga autoriteti rrugor, të dhëna këto që mungojnë edhe në tabelën e objektit, siç mund ta dalloni edhe në foton në ekran. Qeveria me kontratën e lidhur me 2 shkurt ka favorizuar firmën PE-VLA-KU, pasi siç shihet qartë nga dokumentacioni, ky ndërtues ka marrë 99 përqind të fondit limit. Eshtë e dukshme se nuk ka pasur garë”, tha sekretarja për marrëdhëniet me Publikun në PD.
Ajo theksoi se 9 milionë e gjysëm dollarë për 950 metra rrugë kanë shkuar drejt e tek miku i qeverisë. “Cila është pjesa e Edi Ramës në këtë aferë, i cili jo më kot cilësohet edhe nga mediat ndërkombëtare si politikani më i pasur në Europë? Kjo është pra oligarkia në veprim, ku 9 milionë e gjysëm dollarë jepen pa garë, me fitues të përcaktuar, për vetëm 950 metra rrugë. Ky është korrupsioni galopant dhe alarmant i Edi Ramës me paratë e shqiptarëve. Kjo është hajdutëria e Al-kaponeve në pushtet”, deklaroi Duma.

Bllokimi pa plan i qendrës së Tiranës sjell kaos dhe irritim

Nisja e punimeve në dhjetëra rrugë në qendër të Tiranës nga Bashkia ka krijuar kaos tek qytetarët dhe trafik të rënduar të automjeteve. Shkak janë bërë punimet për ndërtimin e unazës së vogël, ku janë hapur dhjetëra rrugë. Bashkia e Tiranës ka bllokuar për qarkullimin e automjeteve shumë rrugë kryesore në kryeqytet.
Të lëvizësh me makinë këto ditë në Tiranë të duhen nerva dhe kohë e gjatë qarkullimi. Me fillimin e punimeve për unazën e vogël shumë segmente lidhëse me qendrën e kryeqytetit janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizja është devijuar në të tjera akse. Kur vjen nga rruga e “Durrësit” e vetmja mundësi është kthimi djathtas në drejtim të Bankës së Shqipërisë për t’u ngjitur më pas tek selia e Partisë Socialiste, por fillimisht duhet të presësh gjatë në radhë për të kaluar, pasi rruga është kthyer me një kalim.

romet_22728
Ndërsa për të zbritur në këtë rrugë nga Sheshi “Skënderbej” është e pamundur, pasi Bashkia ka bllokuar segmentin përpara Muzeut Historik Kombëtar. Trafikun e krijuar në qendër si pasojë e kësaj lëvizjeje e kanë të vështirë ta çajnë edhe autoambulancat apo vetë automjetet e policisë. Drejt rrugës së “Durrësit” nuk mund të kalosh as nëse tenton të përdorësh segmentin pas Muzeut Historik Kombëtar. Edhe këtu po punohet. Ndalim-kalimi këtu ka vështirësuar qarkullimin edhe në Bulevardin “Zogu i Parë”.
Tjetër arterie ku po punohet është edhe ajo nga rruga e “Barrikadave” në drejtim të rrugës së “Dibrës” dhe “Luigj Gurakuqit”. Por nuk duhet të shmangësh vetëm këtë rrugë, për të dalë në qendër, pasi nuk lejohet të perdoret as segmenti ndërmjet Teatrit të Operas dhe Baletit e Hotel “Tiranës”.
Ditët në vijim do të ketë edhe devijime të tjera të lëvizjes për shkak të punës në terren. Bashkia u ka bërë apel qytetarëve ta shmangin qarkullimin në qendër deri në përfundim të punimeve. Gjurma e unazës së vogël pritet të mbyllet pas shembjes së godinës së INSIGU-t dhe disa shtëpive private aty pranë ndonëse pronarët e shtëpive kanë protestuar për vlerësimin qesharak të shtëpive nga qeveria. Megjithatë, pasi të përfundojë unaza e vogël të tjera punime janë njoftuar të nisin, ato për ta kthyer Sheshin “Skënderbej” në një zonë pedonale. Të gjitha pasojat i vuajnë qytetarët, të cilët janë shprehur se Bashkia nuk mund të nisë punimet në dhjetëra rrugë njëkohësisht.

Zyrtarë të policisë pas trafikut të drogës në Elbasan

Zbulohen detaje të reja për masakrën e 3 shkurtit në lokalin e familjes Çapja në Elbasan, ku u vranë tre persona dhe u plagosën 8 të tjerë. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se, 7 minuta para ngjarjes ishin fikur qëllimisht kamerat e lokalit. Po ashtu, patrulla e policisë që rrinte aty ishte larguar 10 minuta para masakrës. Policia bëri të ditur pas ngjarjes se, masakra ku mbetën të vrarë shtetasit Agron Çapja, Ardit Sinakolli dhe Eno Bedalli ka ndodhur për hakmarrje, por kjo akuzë u rrëzua nga Prokuroria.
Grupi hetimor i Prokurorisë bëri të ditur se pista kryesore e hetimit është ajo e trafikut të drogës. Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se ka dyshime se kemi të bëjmë me një trafik në përmasa të mëdha të trafikut të drogës, ku përfshihen edhe zyrtarë të policisë. Sipas të njëjtave burime, në këtë trafik përfshihen interesa të mëdha pas zbulimit të laboratorit të kokainës në Xibrakë.
Po ashtu akuza e hakmarrjes u rrëzua edhe nga familjarët e Fadil Memës. Familja Mema, një nga dy fiset që aludohet se janë përfshirë në konfliktin e Elbasanit, ka reaguar për këtë ngjarje, duke deklaruar se nuk kanë asnjë lidhje me masakrën. Anëtarë të familjes Mema, duke reaguar nga Torino, në Itali, u distancuan nga konflikti, duke thënë se, janë strukturat shtetërore ato që duhet të bëjnë punën për zbardhjen e kësaj ngjarjeje. Sipas familjes Mema, aludohet për lidhje që nuk ekzistojnë. “Mbiemri ynë është keqpërdorur nga media, veçanërisht nga shtypi i shkruar. Ne jemi larg kësaj ngjarjeje dhe këtij konflikti. Qyteti i Elbasanit na njeh mirë, cilët jemi ne. Mediat t’u referohen burimeve zyrtare për ngjarjen”, thanë pjesëtarët e familjes Mema.
Masakra e Elbasanit ndodhi mbrëmjen e 3 shkurtit të këtij viti në lokalin e familjes Çapja. Ndonëse u mbushën tre muaj nga kjo masakër, ku u vranë 3 persona dhe u plagosën 8 të tjerë, policia nuk ka arritur ende të zbulojë dhe arrestojë autorët. Katër personat që qëlluan me breshëri automatiku ishin të veshur me uniforma policie. Të maskuar si Forcat Speciale, ekzekutuesit kaluan lehtësisht perimetrin e sigurisë të familjes Çapja, mendohet se e kanë bërë vëzhgime me dylbi termikë për të lajmëruar më parë ekzekutorët që të vinin me makinën e tyre për të kryer masakrën. Agron Çapja besohet se ishte shënjestra e atentatit. Tre persona kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të lokalit, ku ndodheshin familjarët Çapja dhe të afërmit e tyre, ndërsa personi i katërt qëndronte në makinë si shofer, duke qëndruar në gatishmëri për t’u larguar me shpejtësi.
Një makinë ngjyrë gri u ndalua para lokalit të tyre, në afërsi të kryqëzimit të Krastës, përbri autostradës Elbasan-Librazhd. Me shpejtësi të befasishme tre nga autorët zbritën nga makina dhe hapën zjarr me breshëri automatiku. Agron Çapja, 50 vjeç, Ardit Sinakoli, 27 vjeç dhe Eno Bedalli, 38 vjeç, vdiqën në vend nga breshëritë e plumbave. 11 persona ishin në lokal, jashtë dhe brenda. Tavolina ku ishte ulur Çapja që besohet se ishte dhe shënjestra e atentatit, ndodhej jashtë. Bashkë me të edhe dy viktimat. Pas kryerjes së masakrës, ata janë larguar me shpejtësi, me makinën që i priste ndezur e që drejtohej nga një tjetër person.
Hetuesit besojnë se vrasësit ose bashkëpunëtorët e tyre, kanë vëzhguar viktimat dhe kanë mbajtur nën monitorim të gjitha lëvizjet e tyre, derisa kanë arritur të qëllojnë në mënyrë të studiuar. Sipas hetuesve, njëri nga vrasësit është futur të lokal për të qëlluar sërish mbi të plagosurit, por dyshohet se arma nuk ka shkrepur, duke shmangur një masakër edhe më të madhe. “Mënyra se si ishte qëlluar lë të dyshosh se autorët i kanë dashur të vdekur të gjithë personat që ndodheshin në lokal. Madje, ata kanë menduar se i kanë vrarë të gjithë, pasi pranë vendit të ngjarjes kanë hedhur edhe dy nga armët e përdorura, të cilat kanë qenë të mbushura”, bënë të ditur pas ngjarjes burime nga grupi hetimor.
Prokuroria e Elbasanit ka bërë të ditur se është në pritje të ekspertizës balistike të tre armëve të gjetura në vendin e ngjarjes nga Policia Shkencore. Është faktuar tashmë se është qëlluar me të tre armët. 65 plumba u derdhën mbi 11 personat që gjendeshin në këtë lokal nga tre atentatorë.
Prokuroria e Elbasanit bëri të ditur para disa ditësh, se i kishte vënë si detyrë policisë dhe agjentëve të SHISH për të zbuluar makinën që autorët kanë përdorur ditën e ngjarjes. Burimet thonë se, makina është identifikuar dhe po kërkohet për llojet e njëjta që të bëhet edhe identifikimi i personave që kishin në përdorim. Ndërkohë, të tre armët e masakrës mendohet se kanë qenë automatik “Kallashnikov”, dy prej të cilave janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.

Enton DOÇI

Basha i përgjigjet Ramës: Zbato vendimin e Kushtetueses

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha iu përgjigj dje ftesës së Ramës për dialog duke kërkuar zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatet e dy deputetëve socialistë. Basha ka qenë i prerë se është pro frymës së dialogut, por jo nëse bëhet fjalë për të diskutuar çështje që bien në kundërshtim me Kushtetutën. “Nuk mund të takohemi assesi për të diskutuar opsione antikushtetuese me vetëdijen se mund të mos biem dakord dhe antikushtetutshmëria të vazhdojë si normalitet. Një forum i këtillë nuk është asfare përmasë civilizimi, por e kundërta e tij”, shkruan Basha.  Kryetari i PD është shprehur i gatshëm për dialog për çështje të rëndësishme siç janë dekriminalizimi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, vijimin e Reformës në Drejtësi etj.
Përgjigjja e kreut të PD, Basha

Zoti Rama,

Për më shumë se dy vite, kërkesës dhe gatishmërisë së opozitës për dialog të mirëfilltë e civil, ju i jeni përgjigjur me veprime ose mosveprime që kanë cenuar Kushtetutën, shtetin ligjor dhe/ose marrëveshjet politike të dakordësuara me konsensus – ligjet për Nëpunësin Civil, Reformën Territoriale, KLD, Gjykatën e Lartë, atë Administrative, për Mediat Audiovizuale (RTSH), etj.
Gjithashtu, pala juaj vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014 për dekriminalizimin, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për komisionet hetimore.
Ftesa juaj e sotme është një hap i vonuar. Prej kohësh e në vijimësi opozita ka kërkuar dialog të nivelit më të lartë politik për Reformën në Drejtësi, e jo vetëm, ndërsa keni qenë ju dhe vetëm ju kundër.
Sot, ju më ftoni që mosdakordësive politike mes palëve t’i japim një tjetër forum mes qeverisë dhe opozitës si përmasë të munguar të civilizimit.
Si gjithmonë, jam i gatshëm të takohemi për çështjet më të rëndësishme: zbatimi pa pengesa i dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, vijimi i duhur i Reformës në Drejtësi dhe çështje të tjera të rëndësishme përfshirë një reformë të plotë kushtetuese.
Në demokraci palët bien dakord edhe të mos bien dakord. Por kjo vlen vetëm dhe vetëm brenda parimeve kushtetuese ku mund të dialogojmë me vetëdijen se edhe mund të mos biem dakord. Ndërsa nuk mund të takohemi assesi për të diskutuar opsione antikushtetuese me vetëdijen se mund të mos biem dakord dhe antikushtetutshmëria të vazhdojë si normalitet. Një forum i këtillë nuk është asfare përmasë civilizimi, por e kundërta e tij.
Ndaj ftesa juaj merr kuptim vetëm nëse pala juaj e pranon këtë parim ashtu si opozita, siç e pranon çdokush me mendje të shëndoshë dhe për këtë jepni paraprakisht provën e domosdoshme – atë të zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës.
Vetëm kështu bëhet e besueshme se jeni gati.