14.5 C
Tirana
E enjte, 8 Maj, 2025

Benzema zyrtarisht jashtë Europianit

Karim Benzema i thotë lamtumirë europianit që do të zhvillohet pikërisht në vendlindjen e tij, Francë. Ishte vetë sulmuesi i Realit të Madridit që e konfirmoi i pari mungesën e tij në këtë event nëpërmjet një postimi në Twitter, duke i paraprirë zyrtarizimit të këtij vendimi nga Federata franceze e Futbollit.

“Fatkeqësisht për mua dhe për të gjithë ata që më kanë mbështetur, nuk do të grumbullohem për Europianin tonë në Francë”, shkruante në profilin e tij 28-vjeçari, i përfshirë në shantazhin që iu bë shokut të tij në kombëtare, Mathieu Valbuena.

Kohët e fundit ishte folur për pranimin e tij te skuadra e Dechamps, por menjëherë u shtuan zërat që i kërkonin trajnerit të “Bluve” për të mos e grumbulluar në Europian. Madje edhe Kryeministri i Francës, Manuel Valls, ishte shprehur kundër. Ndërsa Federata franceze nëpërmjet një komunikate zyrtare, sqaroi vendimin e saj për të mos pranuar rikthimin e Benzema në kombëtare.

“Nga pikëpamja juridike, nuk ekzistojnë pengesa për grumbullimin e lojtarit në kombëtare. Por paraqitja sportive nuk është i vetmi faktor që duhet marrë në konsideratë. Vlen edhe uniteti, ruajtja e grupit dhe sjelljet korrekte. Për këtë arsye Presidenti i Federatës, Noël le Graët dhe trajneri Didier Deschamps, kanë vendosur në unitet të plotë që Benzema të mos përfshihet në listën e lojtarëve që do të luajnë në “Euro 2016””.

Broki nis aventurën

Kristian Broki, trajneri i ri i Milanit, u prezantua në Milanello nga administratori i deleguar i kuqezinjve, Adriano Galliani, i cili theksoi se kjo zgjedhje është bërë për të mirën e klubit dhe se do të jenë rezultatet ato që do të mund ta konfirmojnë 40-vjeçarin edhe për sezonin e ardhshëm. Ndërsa vetë Broki në fjalën e tij premtoi se do të bëjë më të mirën në drejtim të Milanit, duke i mëshuar fort kulturës së punës, e cila më pas do të sjellë rezultatet.

“Nuk kam frikë se do të digjem. Me shumë përulësi dua që t’ia përçoj idetë e mia të lojës kësaj skuadre. Nuk iu premtoj se do t’i fitojmë shtatë ndeshjet e ardhshme, por thjesht dua që futbollistët e mi të japin 110%. Sigurisht që nuk është e lehtë të bësh gjithçka brenda pak ditësh, por po mundohem që lojtarët t’i kuptojnë idetë e mia”, u shpreh Broki.

Praktikisht, Broki ka vetëm dy muaj kontratë, por ky fakt nuk e vë aspak nën presion. “Në karrierën time si futbollist, aspektin ekonomik dhe kontraktual e kam vendosur në plan të dytë. Nuk më intereson t’i kem shpatullat e ngrohta nga një kontratë, por e mira e Milanit. Nëse gjërat do të shkojnë keq, do të di ta nis nga e para me përulësi, por unë dua të jem trajner i Milanit edhe për sezonin e ardhshëm”, tha trajneri i ri i Milanit.

Por cili është modeli i trajnerit të cilin kërkon të ndjekë Broki? “Në karrierën time kam patur fatin të punoj me trajnerë shumë të mirë. Ata nga të cilët kam mësuar më shumë janë Prandelli dhe Ancelotti. Tani është momenti të shfrytëzoj mësimet që kam marrë prej tyre”, tha Broki.

Trajneri i ri italian e fitoi simpatinë e presidentit Silvio Berlusconi falë stilit të lojës që aplikoi te të rinjtë. Objektivi i Brokit është kualifikimi në Europa League, nëpërmjet kampionatit, që skuadra të jetë me mentalitetin e duhur në finalen e Kupës së Italisë ndaj Juventusit.

Me ndryshimin e trajnerit, Milani i Silvio Berlusconi-t po ndjek një kurs të ri, diçka që nuk ishte regjistruar për afro tri dekada. Nga Allegri, për të vazhduar me Seedorf dhe Inzaghi-n, e së fundmi Mihajloviç. Nga janari i vitit 2014, kuqezinjtë kanë shkarkuar nga detyra plot katër trajnerë. Një ndryshim tendence me kuptimin e plotë të fjalës. Kjo edhe duke u nisur nga fakti që deri në largimin e Allegrit, presidenti Berlusconi kishte shkarkuar vetëm katër trajnerë në 28 vjet në krye të klubit.

Ata ishin Liedholm, Tabarez, Zaccheroni dhe Terim. Për momentin, trajnerët nën kontratë me “Djallin” janë po katër: Seedorf, Inzaghi, Mihajloviç dhe i fundit është Broki, i cili bëhet edhe trajneri i tretë debutues te kuqezinjtë. Gjithçka nisi më 25 janar 2014, kur i ndikuar edhe nga e bija, Barbara, Silvio Berlusconi shkarkoi Allegrin pas humbjes 4-3 në fushën e Sassuolo-s. Prej aty erdhi zgjedhja e Seedorf, që edhe pse e mbylli sezonin me mjaft pikë të fituara, kishte debate me disa lojtarë dhe klubin.

City për herë të parë në gjysmëfinale

Manchester City për herë të parë arriti gjysmëfinalet e Champions, pasi mundi 1-0 në ndeshjen e kthimit PSG, dhe me rezultat të përgjithshëm 3-2 arriti të kalojë më tej. Në pjesën e parë, Aguero humbi një 11-metërsh, por gjithsesi nuk ndikoi në kualifikim, pasi në të 76-ën De Bruyne shënoi golin e fitores. PSG pa t’i anulohej një gol me Zlatan Ibrahimoviç në minutën e 85-të për pozicion jashtë loje. Për parizienët ky ishte sezoni i katërt radhazi që eliminohet në çerekfinale.

Manchester Cty ka mposhtur 1:0 PSG për të kaluar për herë të parë në histori të skuadrës në gjysmëfinale të Ligë së kampionëve. Kevind de Bruyne shënoi golin e fitores në minutën e 76’, gol ky i historisë. City në gjysmëfinale kualifikohet me rezultat të përgjithshëm 3:2, pasi ndeshja e parë në Paris kishte përfunduar baraz 2:2.

Trajneri i Manchester Cityt, Manuel Pellegrini ka thënë se ata ishin skuadër më e mirë se PSG dhe merituan të kualifikohen në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. “Ne luajtëm më mirë se PSG dhe kemi shumë besim se mund të luajmë kështu edhe kundër cilitdo kundërshtarë tjetër në gjysmëfinale”, tha Pellegrini pas ndeshjes.  “Në dy edicionet e fundit ishim të pafat, pasi luajtëm kundër Barcelonës, por këtë edicion jemi përmirësuar kundër Dynamos dhe PSG”.

Reali i Madridit dhe Man.City janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të UEFA Champions League. Los Blancos përmbysën humbjen 2-0 të ndeshjes së parë ndaj Wolfsburg duke konfirmuar se në “Santiago Bernabeu” janë një makineri golash. Skuadra e Zidane fitoi 3-0 në sfidën e kthimit me Cristiano Ronaldon që ishte protagonisti i madh i takimit me 3 gola, që e konfirmojnë dhe si kryegolashënues të këtij kompeticioni me 16 finalizime. Goli i parë ishte mjaft i thjeshtë me portugezin që thjesht shtyu topin në rrjetë, ndërsa në të dytin goditi saktë me kokë pas një harkimi të Kroos nga këndi. Ndërsa goli i kualifikimit ishte i tëri i tiji duke i dhënë dhe përmbysjen që në kohën e rregullt Los Blancos, duke barazuar dhe rekordin e Mesit me 5 tregolësha në këtë kompeticion.

Ronaldo, numri 1

Real Madridi ka arritur të kualifikohet në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve fal het-trickut të Cristiano Ronaldos. Ky i fundit i shënoi tre gola në ndeshjen ndaj Wolfsburgut për t’i mundësuar Los Blancos të ëndërrojë triumfin në Champions këtë sezon. Kjo është hera e gjashtë me radhë që Real Madrid kualifikohet në gjysmëfinale, rekord ky në Ligën e Kampionëve.

Cristiano Ronaldo ishte heroi i Real Madridit në ndeshjen ndaj Wolfsburgut, në takimin e kthimit të çerekfinale së Ligës së Kampionëve. Portugezi, me hat-trickut ndaj ekipit gjerman i dhuroi Los Blancos kualifikimin në gjysmëfinale të garës më prestigjioze evropiane. Ai ka arritur që të realizoi 46 gola në 42 ndeshje të zhvilluara deri më tani këtë sezon.

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane, ka thënë se Cristiano Roanldo është lojtari më i mirë në botë. Portugezi shënoi het trik në fitoren 3:0 të Realit kundër Wolfsburgut. “Kjo është dita për të festuar. Ronaldo është një lojtar special, i cili bën diferencën. Ronaldo tregoi se kush është, ai është lojtari numër 1 në botë”, tha Zidane. Në fund ka vend dhe një krahasim ndërmjet Ronaldo portugezit dhe atij brazilian: “Janë të dy lojtarë shumë të fortë, dy fenomenë”, u shpreh Zidane në përfundim të ndeshjes.

Kapiteni i Real Madridit, Cristiano Ronaldo është shumë i lumtur që skuadra e tij është kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve. Ai tha se, këtë e kanë dhuratë nga Ronaldo, i cili e meritoi një natë si kjo. “Ronaldo e ka merituar një natë kaq magjike. Na ka shpëtuar nga eliminimi”, tha Ramos pas ndeshjes.

Mbrojtësi i Real Madridit, Marcelo ka thënë se askush nuk mund të dyshoi në Cristiano Ronaldo.

Portugezi shënoi tre gola në fitoren 3:0 të Realit kundër Wolfsburgut, duke kualifikuar skuadrën e tij në gjysmëfinale. “Ka qenë një natë fantastike. Nuk mund të ia arrinim këtij rezultati pa ndihmën e tifozëve. Në net të tilla vuan, por tashmë askush nuk mund të dyshoi në Cristiano Ronaldon”, tha Marcelo.

I entuziazmuar është shfaqur edhe Karim Benzemea. “Real Madridi nga asgjë mund të fitojë dy trofe këtë sezon: Ligën e Kampionëve dhe La Ligën. Kështu mendon sulmuesi i Los Blancos, Karim Benzema. Real Madridi është vetëm katër pikë larg Barcelonës në La Liga, derisa mbrëmë ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve. “Jam shumë i lumtur jemi kualifikuar në gjysmëfinale. Ishte një natë e madhe”, ka thënë Benzema pas ndeshjes ndaj Wolfsburgut. “Ne jemi shumë të lumtur, pasi ajo ishte një lojë e vështirë. Ne jemi një ekip me shumë lojtarë të mirë dhe ne do të luftojmë deri në fund. Ne do të mundohemi ta fitojmë Ligën e Kampionëve dhe La Liga”, ka deklaruar francezi.

Tritoli tek farmacia u vendos nga vetë Tahiri?

Ish-Kryeministri Berisha ka komentuar lirimin nga burgu të Vladimir Gjutës dhe Baftjar Brukës, të akuzuar si personat kryesorë të vendosjes së tritolit te farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Në një postim në Facebook, Berisha thotë ndër të tjera se, arrestimi i tyre ishte një hakmarrje e Saimir Tahirit, pasi Gjutajt e kishin rrahur dikur bashkë me një shokun e tij. Berisha i bën thirrje prokurorit të Përgjithshëm të bëjë transparent qëndrimin e vartësve të tij ndaj kësaj çështje. “Të dashur miq, sot prokurorët e dosjes Gjuta, që deri tani kanë bërë lojën e Saje qorrit, pasi nën presionin e vetë Sajes dhe falsifikimit të provave, arrestuan 7 pjesëtarë të familjes Gjuta për vendosje tritoli tek farmacia dhe përballë shtëpisë të kontrabandistit Bashkim Tahiri, urdhëruan lirimin e më kryesorëve prej tyre, Vladimirit dhe Brukës! Duhet thënë se, që në fillim, tingëllonte qesharak pretendimi se në vendosjen e eksplozivit kishin marrë pjesë 7 vetë, pasi për një akt të tillë nuk mund të marrin pjesë, pa qenë idiotër, 7 pjesëmarrës”, shprehet Berisha.
Ish-Kryeministri Berisha shkruan më tej në reagimin e tij se, “pavarësisht se Bashkim Tahiri është një kontrabandist i çertifikuar i ilaçeve, kam dënuar dhe dënoj si akt terrorist vendosjen e çdo eksplozivi, në farmacinë e tij apo karshi banesës së tij”. “Personalisht nuk i njoh Gjutët dhe nuk di asgjë për veprimtarinë e tyre dhe nuk bëj aspak mbrojtjen e tyre sepse kanë avoketërit e vet, por të akuzosh 7 vetë nga një familje për këtë akt, ndërkohë që thuhet gjerësisht se Gjutët, që u arrestuan me mace dhe minj përveç gjyshes 90-vjeçare, kohë më parë e kishin zhdëpur në dru Saje qorrin, shtrirë përdhe së bashku me një mikun e tij, pasi ishte sjellë ndaj tyre si rrugaç. Ndaj dhe kur Saje u bë ministër do u kthente restin jo vetëm me çunat e krimit në polici, por dhe në Prokurori, gjë që është një shkelje shumë e rëndë e të drejtave të njeriut, një vepër kriminale”, shprehet Berisha.
“Pikërisht për këtë motiv, i kërkoj prokurorit të Përgjithshëm të bëjë transparent qëndrimin e vartësve të tij dhe t’i vendosë para ligjit për mashtrimin e tyre kriminal ndaj publikut shqiptar, në rast se vërtetohet, së bashku me Saje qorrin dhe çunat e tij të krimit, si dhe për arrestimin dhe mbajtjen në burg të Gjutëve me prova të porositura apo të falsifikuara me qëllim akuzën e tyre.
I bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisë urgjent hetimin direkt për kontrabandistin Bashkim Tahiri, djalin e tij Saje qorri, për rolin e tyre në vendosjen e tritolit në farmacinë e Bashkimit dhe karshi shtëpisë së tij nëse janë të implikuar në këtë akt, me qëllim që të lajnë hesapet e tyre me Gjutët që kishin zhdëpur më parë Saje qorrin!”, përfundon Berisha.
Ngjarja ndodhi më 10 shkurt të vitit të kaluar, ku ju vendos një sasi eksplozivi farmacisë së babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Që prej asaj dite, policia ka bërë disa arrestime në Shqipëri dhe jashtë vendit, por të arrestuarit u liruan një nga një nga Gjykata për mungesë provash.

Tritoli në farmacinë e Tahirit, lirohen të gjithë të arrestuarit

Lirohen të gjithë të arrestuarit e akuzuar për vendosjen e tritolit tek farmacia e babait të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Prokuroria për Krimet e Rënda ka pushuar çështjen edhe ndaj dy të akuzuarve të tjerë, Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka dhe ka urdhëruar lirimin e tyre nga burgu. Shkak është mungesa e provave për të akuzuarit që sipas akuzës nuk mundën të siguroheshin as shkencërisht. Gjithashtu, Prokuroria thotë se gjatë hetimeve nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin.
“Gjatë zhvillimit të hetimeve janë kryer një sërë veprimesh proceduriale, përfshirë edhe ekspertiza të specializuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, në përfundim të të cilave nuk u provua shkencërisht dhe nuk u siguruan fakte që të provonin përtej çdo dyshimi të arsyeshëm se të arrestuarit ishin organizatorë dhe ekzekutorë të akteve të mësipërme. Krahas faktit që nuk janë arritur të grumbullohen të dhëna konkrete mbi veprimet e të hetuarve për kryerjen e veprave penale, Prokuroria për Krime të Rënda nuk zbuloi motiv se përse këta shtetas mund të kryenin veprat penale për të cilat dyshoheshin”, thuhet në referencën e Prokurorisë.
Por pavarësisht pushimit të hetimeve, Vladimir Gjuta dhe Baftjar Bruka nuk kanë fituar lirinë pasi ndaj tyre vijon të jetë në fuqi masa e sigurimit “Arrest në burg” vendosur nga Gjykata e Kukësit, për vepra të tjera penale, si falsifikim dokumentesh dhe armëmbajtje pa leje, të cilat janë nën hetim nga Prokuroria e Kukësit.
Ngjarja ku u hodh në erë farmacia e babait të ministrit Tahiri ka ndodhur më 10 shkurt 2015. Ndërkohë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka refuzuar fletëthirrjet e Prokurorisë për Krime të Rënda. “ABCNews” ka mësuar se ministri Tahiri nuk i është përgjigjur dy ftesave të Prokurorisë për të dhënë shpjegime, me cilësinë e të dëmtuarit në dosjen ndaj të dyshuarve për vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të tij.
Burimet thanë se ministri Tahiri, përveç mosparaqitjes, nuk ka kthyer edhe përgjigje për arsyen e refuzimit për të dhënë shpjegime. Ndërsa në një prononcim në media, në lidhje me autorësinë e vendosjes së tritolit, ministri Tahiri pati deklaruar se autorët janë në burg, duke iu referuar arrestimit të pjesëtarëve të familjes Gjuta.
Nga ana tjetër, babai i tij, Bashkim Tahiri është marrë në pyetje që pas ngjarjes, duke ngritur dyshime se tritolin ia kishin vendosur në farmaci për shkak të detyrës së djalit, si ministër i Brendshëm pasi ka mohuar në mënyrë kategorike se ai është i përfshirë në ndonjë konflikt që mund të ketë sjellë vendosjen e eksplozivit në biznesin e tij.
Ndërkohë Policia e Shtetit ishte angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj ngjarje, duke kryer edhe një sërë ekspertizash shkencore për të provuar autorësinë e tritolvënies. Ndërsa shefi i tyre, ministri i Brendshëm nuk pranon të japë dëshminë, për të sqaruar hetuesit se cili ka qenë konflikti apo arsyeja që të dyshuarit e arrestuar, pjesëtarë të familjes Gjuta, i kanë vendosur eksplozivin mëngjesin e datës 10 shkurt të vitit 2015 në farmacinë e babait të tij.
Burimet thonë se refuzimi i ministrit për të dhënë shpjegime dhe motivin e konfliktit të mundshëm me pjesëtarët e familjes Gjuta, ka zbehur edhe provat e pakta që hetuesit kanë siguruar për ngjarjen.
Në fillim të muajit shkurt u lirua Emirjon Gjuta, ndërsa një javë më pas edhe Lumjan Matmuja. Vendimi është dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Ata janë lënë me detyrim paraqitje. Gjuta, Matmuja i liruar me kërkesë të Prokurorisë, ndërsa gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Por ditën e djeshme gjykata ka vendosur të heqë edhe këtë masë sigurie duke i lënë të lirë.

R.POLISI

Kush është China Everbright që po blen Aeroportin e Rinasit?

China Everbright është kompania që po negocion për të blerë Tirana International Airport (TIA), që menaxhon me koncesion Aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit. Emri i kompanisë është konfirmuar për Monitor nga drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i TIA, Z. Rolf Castro-Vasquez. Ai pohon se është kompania mëmë e TIA që po zhvillon negociatat dhe në shitje është vetëm biznesi në Shqipëri. Ishte një moment i mirë për të shitur dhe kishte kërkesa, ndaj kompania mëmë vendosi të hyjë në negociata për shitje. Pak ditë më parë u bë publik lajmi se një sipërmarrje kineze është e interesuar për të blerë TIA-n.
China Everbright Limited është një kompani e shërbimeve financiare në menaxhimin e aseteve, investimeve direkte, ndërmjetësimit dhe bankingut investues në rajonin e Kinës, përfshirë dhe Hong Kongun. Kompania e saj mëmë është China Everbright Group, me pronësi shtetërore. Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë: DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%; Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%; AviAlliance GmbH-47%. Konsorciumi Tirana International Airport (dikur Tirana Airport Partners), në vitin 2004 nënshkroi një marrëveshje koncesionare 20-vjeçare me qeverinë shqiptare për projektimin, financimin, ndërtimin, kryerjen, funksionimin, menaxhimin dhe zhvillimin e Aeroportit Ndërkombetar “Nënë Tereza”, Tiranë.
Pak javë më parë, qeveria shqiptare arriti marrëveshje me Tirana International Airport për heqjen e eksluzivitetit të kësaj të fundit. Sipas marrëveshjes së përbashkët, kompanisë Tirana International Airport i është dhënë menjëherë një zgjatje e Afatit të Koncensionit prej dy vitesh, duke mundësuar kështu hapjen e Aeroportit të Kukësit për fluturimet ndërkombëtare. Kjo do të thotë se, Afati i Koncensionit do të shtyhet deri më datë 2027. Më tej, në rast të vënies në përdorim të një aeroporti tjetër apo aeroporteve të tjera, si Vlora ose Saranda. Afati i Koncensionit do të shtyhet me 0.5 vite të tjera për çdo vit operimi të këtyre aeroporteve jugore, siç thuhet në Ndryshimin e Marrëveshjes së Koncesionit.
Tirana International Airport (TIA), kompania që ka një kontratë koncesionare për menaxhimin e aeroportit të Rinasit është në negociata për tu shitur, sipas burimeve nga institucionet shtetërore vendase. Burime zyrtare nga TIA, të kontaktuar nga Monitor, thanë se nuk kanë koment lidhur me këto negociata, ndërkohë që pohuan se janë shumë afër mbylljes së negociatave me qeverinë shqiptare për rishikimin e kontratës koncesionare.
Monitor ka mesuar se një kompani kineze, emri i të cilës mbetet i pakonfirmuar, është e interesuar për të blerë TIA, dhe negociatat po vijojnë prej disa kohësh.
Aktualisht pronarët e Tirana International Airport janë:
– DEG-Deutsche investitions-und Entëicklungsgesellschaft mbH-31.7%
– Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%
– AviAlliance GmbH-47%
Së fundmi, kompanitë kineze po shfaqin interes për tregun shqiptar. Jeo Jade, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers petroleum, për një shumë prej 407 milionë dollar.

Rishikimi i kontratës

Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana International Airport”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash. Prej disa vitesh, qeveria ëhstë ne negociata me koncesionarin për ndryshimin e kontratës dhe disa herë ka deklaruar zyrtarisht se negociatat janë mbyllur. Ky eskluzivitet ka penguar hyrjen e kompanive me kosto të ulët në Shqipëri dhe ka bërë që vendi të ketë tarifat më të shtrenjta të biletave në rajon, duke bërë që shumë shqiptarë të zgjedhin aeroportet e Prishtinës, Podgoricës apo Shkupit drejt destinacioneve europiane.

Berisha në listën e largimeve

Pakënaqësitë e krijuara për hapësirat e pakta, kanë bërë që Etrit Berisha të mendojë seriozisht largimin nga Lazio në fund të sezonit. Tani vijnë edhe konfirmime rreth faktit që portieri i Kombëtares shqiptare pritet ta vazhdojë karrierën në një tjetër klub. Sipas mediave italiane, presidenti i klubit roman, Claudio Lotito ka përgatitur një listë me shitjet e mundshme, që do të realizohen gjatë merkatos së verës.

Aty figuron edhe emri i Etrit Berishës, së bashku me lojtarë si Gentiletti, Onazi, Parolo e për të vazhduar edhe me Antonio Candreva-n, që është edhe lojtari më i shtrenjtë në radhët e Lazios, e për të cilin klubi pretendon të paktën 35 milionë euro. Sipas përllogaritjeve, nga shitja e futbollistëve, klubi bardhekaltër pretendon të përfitojë rreth 80 milionë euro nga shitjet, të ardhura që më pas do të investohen në merkato, për të krijuar një skuadër konkurruese.

Etrit Berisha, kontrata e të cilit përfundon në vitin 2017, ndodhet në listën e shitjeve, me vlerën e kartonit në merkato që përllogaritet në 4 milionë euro. Kuqeziu pritet të shitet, pavarësisht faktit se, “gardiani” është paraqitur në mënyrë të shkëlqyer në pjesën më të madhe të ndeshjeve ku është aktivizuar, me performanca, që në shumë raste janë vlerësuar më të mira se ato të Marçhetti-t.

E megjithatë, portieri italian vazhdon të shihet me prioritet te Lazio, me klubin që këmbëngul t’ia besojë atij portën edhe për sezonin e ardhshëm. Etrit Berisha ka luajtur në 11 ndeshje të Serisë A gjatë këtij sezoni, të cilave u shtohen edhe 2 në Kupën e Italisë dhe 5 ndeshje në Europa League. Interesi për gardianin shqiptar nuk ka munguar, me 26-vjeçarin që ka qenë në radarin e disa skuadrave në Itali, por edhe të turqve të Besiktas, grekëve të Panathinaikos dhe belgëve të Bruges.

Euro 2016, Cana dhe Lenjani vlerësojnë Rumaninë

Nga Franca, ku praktikisht e kanë mbyllur sezonin me Nantes, me skuadrën që arriti objektivat në Ligue 1, Lorik Cana dhe Ermir Lenjani kanë nisur të mendojnë për finalet e Euro 2016. Në një intervistë për televizionin rumun, “Digi Sport”, dy kuqezinjtë u shprehën me besim se Shqipëria mund ta kalojë grupin në evenimentin në Francë.
“Natyrisht që kalimi përtej grupit është i mundur. Kjo edhe duke marrë parasysh formatin e aktivitetit, ku në fazën tjetër të Euro 2016 kualifikohen edhe katër ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë”, u shpreh Cana.
“Nuk shoh ndonjë arsye përse Shqipëria dhe Rumania të mos kualifikohen së bashku nga faza e grupeve. Do të kualifikohen skuadrat që vrapojnë dhe luftojnë më tepër”, tha Lenjani.
Shqipëria do të përballet me Rumaninë më 19 qershor në Lyon, në ndeshjen e fundit të Grupit A. Kapiteni Cana, që së fundmi vuan një dëmtim në muskujt e kofshës, vlerësoi potencialin e rivalëve, që përveçse një skuadër me traditë, aktualisht ka në skuadër lojtarë cilësorë dhe teknikë, që i mbyllën kualifikueset pa pësuar asnjë humbje.
“Te Rumania peshon shumë brezi i artë, me lojtarë si Hagi, Popesku e të tjerë. Kjo përfaqësuese nuk e ka të lehtë të përsëritë arritjen e tyre në vitin 1994. Megjithatë, brezi i tanishëm te Rumania bazohet te lojtarë mjaft cilësorë, që zotërojnë teknikë të mirë dhe kanë shumë eksperiencë. Ata kanë bërë punë të jashtëzakonshme në drejtim të mbrojtjes dhe mendoj se ata do të jenë një kundërshtar shumë i vështirë për të gjithë ekipet në Kampionatin Europian”, tha Cana.

De Biasi: Jam gati për stolin e Italisë

Gianni de Biasi i hap derën kombëtares së Italisë. Madje, trajneri shprehet jo vetëm tejet i tërhequr nga ideja për të drejtuar stolin e të kaltërve, por edhe gati për një detyrë kaq të rëndësishme. Pasi është cilësuar si një prej kandidatëve më të fortë, trajneri i Shqipërisë u shpreh edhe personalisht rreth mundësisë për të zëvendësuar Antonio Conte-n, pas përfundimit të Euro 2016. Me deklaratën e dhënë për “Quotidiano Sportivo” e më pas të publikuar me bujë në të gjitha mediat më të rëndësishme italiane, De Biasi e tha qartë se pret një telefonatë të mundshme nga kreu i federatës, Tavecchio. “Të qenurit trajner i kombëtares së kaltër përbën një eksperiencë shumë tërheqëse, megjithatë për momentin nuk ka asgjë konkrete. Ndihem gati për këtë aventurë, e cili nuk do të ishte?”, tha De Biasi.
Në fjalët e tij, tekniku që udhëhoqi Shqipërinë drejt kualifikimit historik në një eveniment madhor, zbuloi edhe një detaj, që deri më tani ishte mbajtur konfidencial. “Kontrata ime me Federatën Shqiptare përfundon në vitin 2017, por kam edhe një marrëveshje me presidentin, që në rast të një oferte shumë të rëndësishme për karrierën time, ai do të më linte të largohesha”, tha ai.
Fjalët e De Biasit erdhën pak pak ditë pasi Marcello Lippi e cilësoi trajnerin italo-shqiptar si alternativën më logjike për stolin e Italisë. Ndërkohë, sipas mediave, 59-vjeçari do të emërohej në krye të përfaqësueses së kaltër, në rast se Fabio Capello nuk do ta marrë detyrën.

Parashikimi, FMN pesimizëm për eurozonën

Ekonomia e eurozonës do të rritet më ngadalë se sa mendohej dhe inflacioni ‘do e marrë veten’ shumë gradualisht, duke e vendosur barrën mbi Bankën Qendrore Evropiane për të ruajtur një politikë monetare ultra-të lirshme për të ardhmen e parashikueshme, tha FMN. Në Perspektivën e saj Ekonomike Botërore, në të cilën ajo i bëri gjithashtu thirrje qeverive të ecin përpara me reformat e përqëndruara tek rritja, Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon se ekonomia e 19-vendeve do të zgjerohet 1.5 për qind këtë vit dhe 1.6 për qind në vitin 2017. Në perspektivën e saj të janarit ajo parashikoi 1.7 përqind për të dy vitet. Inflacioni i eurozonës do të arrijë në 1.1 për qind në vitin 2017, teksa normat tepër të ulëta të interesit të BQE-së dhe blerjes së obligacioneve u tërhoqën, por do të rritet vetëm gradualisht në vitet e ardhshme. BQE e parashikon inflacionin këtë vit në 0.1 për qind dhe 1.3 për qind në vitin 2017, ende larg objektivit të saj prej vetëm pak nën 2 për qind. Për të ndihmuar normat tepër të ulëta që të ndikojnë në ekonominë reale, Fondi tha se duhet të focohen bilancet e bankave, ndërsa qeveritë e eurozonës duhet të luajnë gjithashtu rolin e tyre. Gjithashtu kërkohen reforma në përmirësimin e produktivitetit të firmave, konkurrueshmërisë, dhe mundësitë e investimeve, ndërsa Bashkimi Evropian duhet të përdorë fleksibilitet të plotë në rregullat e tij buxhetore. Berlin drejton një suficit buxhetor, ndërsa nivelet e investimeve në vend janë ende relativisht të ulëta.