14.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Kosovë, kushtëzimet në ligj frenojnë zbatimet e faljes së borxheve

Falja e borxheve publike për personat juridik dhe fizik në Kosovë, të akumuluara deri më datën 31 dhjetor 2008, ka hasur në vështirësi për shkak të disa kushtëzimeve që paraqet ligji që rregullon këtë çështje, thonë përfaqësues të cilët mbrojnë interesat e bizneseve në Kosovë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave në Qeverinë e Kosovës, shuma e borxhit të raportuar për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, është afër 730 milionë euro. Prej këtyre borxheve ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, personat fizik dhe juridik, deri më tani kanë shlyer vetëm 27 milionë euro. Përfaqësuesit e bizneseve, thonë se afaristët apo edhe qytetarët, nuk po aplikojnë për shlyerje të borxheve për periudhën 2000 deri në 2008, pasi që të njëjtit, nuk po kanë mundësi që të shlyejnë borxhet pas kësaj periudhe. Sipas Ligjit për faljen e borxheve për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, përfitojnë të gjithë personat të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj institucioneve shtetërore dhe ndërmarrjeve publike, me kusht që të njëjtit të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se Ligji për faljen e borxheve ka qenë hap i mirë për të ndihmuar bizneset, por kushtëzimet kanë qenë të panevojshme. “E kemi kundërshtuar kushtëzimin që bën Ligji për faljen e borxheve, pasi që sikur bizneset të ishin në gjendje të mirë financiare nuk do të lejonin t’ju grumbulloheshin borxhet. Ka mungesë të aplikimit për falje të borxheve nga bizneset po ashtu edhe nga qytetarët, pasi që nuk po arrijnë t’i mbledhin paratë për të paguar borxhet që i kanë në periudhën 2009 – 2014”, thotë Shahini. Ndërkohë, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, bëjnë të ditur se të gjitha ndërmarrjet publike dhe mekanizmat tjerë janë duke zbatuar procedurat për faljen e borxheve. Agim Dibrani, këshilltar i ministrit të Financave, Avdullah Hoti, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se shuma e shlyerjes së borxheve është e ulët krahasuar me vlerën e përgjithshme të borxheve. “Për këtë periudhë kohore deri më tani kemi afër 27 milionë euro borxhe që janë shlyer. Nuk janë rezultatet e pritura ashtu siç kemi llogaritur. Kemi pasur probleme me ndërmarrjet publike në veçanti me Korporatën Energjetike të Kosovës ku vetëm kësaj kompanie qytetarët dhe bizneset i kanë borxhe afër 360 milionë euro. Është premtuar se kjo kompani e cila përmban afër 50 për qind të borxhit kryesor do ta intensifikojë procesin e faljes së borxheve”, sqaron Dibrani. Personat fizik dhe juridik, tregon Dibrani, afatin e fundit për shlyerjen e borxheve e kanë deri më 2 shtator të këtij viti. “Personat të cilët nuk aplikojnë për shlyerje të borxheve deri në këtë datë, do t’i përfshijë Ligji për inkasimin e detyrueshëm të këtyre borxheve“, ka bërë të ditur Dibrani. Për faljen e borxheve, Qeveria e Kosovës kishte marrë vendim në muajin shkurt të vitit të kaluar, kurse në muajin shtator ishte miratuar Ligji për Faljen e Borxheve Publike. Iniciativa e faljes së borxheve, nga shoqëria civile ishte konsideruar e padrejtë për konsumatorët e disiplinuar të cilët kanë paguar të gjitha detyrimet gjatë asaj periudhe. Falja e borxheve, nuk ishte pëlqyer edhe nga partitë opozitare të cilat patën vlerësuar se me këtë masë janë shpërblyer qytetarët dhe bizneset që nuk kanë respektuar pagesat dhe borxhet, duke shmangur tatimet dhe duke mos paguar për shërbimet publike, kurse janë dënuar të gjithë qytetarët e ndërgjegjshëm të cilët i kanë shlyer vet dhe me kohë këto borxhe

Tallja e ambasadorit Lu me Ramën: Koshi në zyrë të bën Kryeministër më të mirë?

Ambasadori amerikan nuk i ka kursyer talljet me Ramën në një takim në Shtetet e Bashkuara. Ambasadori Lu ka diskretituar Ramën para të pranishmëve të huaj duke i treguar atyre se cfarë Kryeministri ka sot Shqipëria, që në zyrë ka një kosh basketbolli, ndërsa para Kryeministrisë një fushë basketbolli.

Donald Lu: Amerikanët dashurojnë basketbollin zoti Kryeministër. A ka diçka për të cilin basketbolli ju ndihmon që të jeni një Kryeministër më i mirë? Për të gjithë ata që nuk e dinë, Kryeministri Rama jo vetëm që ka ndërtuar një fushë basketbolli në ambientet e Kryeministrisë, por ai ka vendosur një kosh basketbolli edhe në zyrën e tij, ndaj edhe mund të gjesh në të ndonjë send të thyer.

Kësaj pyetje të diplomatit amerikan, kryeministri shqiptar i ktheu përgjigjen: “Kjo nuk është një çështje për të cilën do të flas nesër me Presidentin Obama; për fusha basketbolli në institucione apo për mënyrën se si basketbolli të ndihmon të jesh më i mirë se të tjerë”

Pak ditë më parë në media u publikuan foto nga fusha e basketbollit që Rama ka ndërtuar në oborrin e brendshëm të Kryeministrisë.

Ronaldo “kërcënon” Leo Messin

Lionel Messi është i paralajmëruar. Forma e dobët e argjentinasit që nuk arrin të shënojë në kampionat që prej 4 ndeshjesh, përkon me shpërthimin e Cristiano Ronaldos që me tregolëshin ndaj Wolfsburgut u rikthye sërish në qendër të vëmendjes. Statistika të pabesueshme po regjistron portugezi gjatë muajve të fundit, duke hedhur sërish kandidaturën për një tjetër Top të Artë. Me tre rrjetat ndaj gjermanëve ai e çon në 16 numrin e golave sezonalë në Europë dhe 94 në total në këtë kompeticion. Messi në krahun tjetër mbetet në kuotën 83. Asnjëherë më parë ai nuk ka dështuar në çerekfinale pasi ishte hera e 9 nga 9 në total që siguron një biletë mes 4 më të mirave, ndërsa në 36 sfidat e luajtura me eliminim direkt në Champions League, portugezi ka shënuar plot 34 herë. Rilindja e Ronaldos vjen në momentin më delikat për të, pasi vetëm pak javë më parë përflitej një lamtumirë e mundshme nga Madridi, por ai rikonfirmohet sërish jetik për Realin e Madridit dhe shifrat i japin të drejtë.
Një tjetër gol me peshë ishte edhe ai i shënuar në El Clasico, ku “luzitani” i dha një shuplakë të rëndë Barcelonës që nuk arrin të shikojë dritë në fund të tunelit në kampionat. Ajo disfatë peshoi në moralin e katalanasve që humbën madje edhe në San Sebastian, duke ndjerë frymëmarrjen e rivalëve madrilenë në klasifikim edhe pse përpara El Clasicos, çështja titull konsiderohej e mbyllur. Një lojtar që edhe pse tashmë e ka kaluar kufirin e 30 viteve e gjen me një lehtësi të pabesueshme rrugën e rrjetës. 42 ndeshje të luajtura në La Liga dhe Champions me 46 realizime. Zidane nuk është aspak diplomatik, ai e pranon se Ronaldo arrin të bëjë diferencën në fushën e lojës. Lionel Messi është i paralajmëruar sepse Cristiano Ronaldo nuk njeh limite, Topi i 4 i Artë nuk është thjesht një iluzion, “luzitani” është rikthyer më në formë se kurrë.
Cristiano Ronaldo arriti kuotën e 30 golave në La Liga për të 6-tin sezon radhazi, një rekord më vete, që tregon se çfarë lojtari është portugezi. Me përjashtim të sezonit të tij të parë kur u ndal në kuotën e 26 golave në 29 ndeshje të zhvilluara gjithsej, Cristiano gjithmonë ka arritur ta kalojë shifrën 30. Në këtë sezon 31-vjeçari ka një mesatare prej 0,93 finalizimesh për ndeshje dhe po lufton me argjentinasin Higuain dhe brazilianin Jonas për të fituar Këpucën e Artë europiane. Falë aftësive fantastike që zotëron përpara portës portugezi e ka fituar në 4 raste këtë trofe, 3 herë me Realin dhe 1 herë me Manchester United.
Vetëm Lionel Messi i afrohet disi luzitanit me argjentinasin e Barçës që ia ka dalë ta arrijë shifrën 30 në La Liga në 5 sezone gjithsej. Sulmuesit e tjerë që e kanë kaluar këtë shifër në Primera Division janë Diego Forlan që shënoi 32 gola me Atleticon e Madridit në sezonin 2008-2009 dhe Samuel Eto’o që me fanellën e Barçës arriti shifrën 30 në të njëjtin edicion.

Inter mban Icardin, sakrifikon Brozoviç

Interi e ka ngushtuar në 6 pikë diferencën nga Roma e vendit të tretë, në garën për biletën e fundit në Champions League. Në rast të mos arritjes së objektivit, te zikaltërit nuk ka dyshime: një emër i madh i skuadrës do të sakrifikohet, për të mbajtur në ekuilibrat e kërkuar bilancin financiar të klubit.
Sipas përllogaritjeve, bilanci i klubit për vitin 2017 pritet të mbyllet me 50 milionë euro minus, por shifra që duhet marrë si bazë për fair play-n financiar është që humbje në nivelin e 30 milionë eurove. Kjo e bën të detyrueshëm shitjen e një emri të rëndësishëm. Por, me Mauro Icardin që cilësohet ikona e klubit, shitja e sulmuesit argjentinas do të përkthehej në një autogol në sytë e tifozëve. Kjo është arsyeja, përse te Interi nuk duan të heqin dorë nga kapiteni i skuadrës.
E vështirë duket edhe shitja e portierit Samir Handanoviç. Ashtu siç ndodhi edhe gjatë merkatos së kaluar, për aq kohë sa Thohir pretendon të fitojë nga 12 deri në 15 milionë euro për gardianin, largimi i sllovenit duket thuajse i pamundur.
Në këtë rast, lojtari më i lehtë për t’u sakrifikuar që financat e klubit të jenë brenda rregullave të vendosura nga UEFA është Brozoviç. Edhe pse trajneri Mançini dhe drejtori sportiv, Ausilio shpresonin që nuk do të ishin të detyruar të hiqnin dorë nga asnjë prej titullarëve, shitja e kroatit duket e paevitueshme.
Për më tepër që për shërbimet e Brozoviç interesohet Arsenali dhe nga kjo lëvizje, zikaltërit do të përfitonin një shifër që varion në 20 deri në 25 milionë euro. Edhe pse Mançini e cilëson 23-vjeçarin si mesfushorin më të mirë të skuadrës, kroati është ai që mund të sakrifikohej më lehtësisht në merkato.

Tusk: Kriza me migrantë prek të gjitha vendet

Ditëve të fundit ka pasur tensione të shtuara në kampin e migrantëve në afërsi të qytetit Idomeni në Greqi, ku më shumë se 10 mijë migrantë dhe refugjatë kanë mbetur të ngujuar që nga muaji shkurt, kur vendet e Ballkanit mbyllën kufijtë për të gjithë ata që synonin Perëndimin.

Për krizën me migrantë sot ka folur para anëtarëve të Parlamentit Evropian në Strasburg, Donald Tusk, kryetar i Këshillit të BE-së.

“Ne duhet ta kujtojmë se ‘rruga ballkanike’ nuk është e vetmja dhe se shtetet e tjera gjithashtu presin bashkëpunimin dhe solidaritetin tonë, jo vetëm Greqia dhe Bullgaria”. Kur flas, e kam në mendje edhe rrugën e Mesdheut. Numri i migrantëve të mundshëm nga Libia është alarmues. Kjo nënkupton se ne duhet të jemi të gatshëm për të ndihmuar dhe treguar solidaritet me Maltën dhe Italinë, nëse ato e kërkojnë një gjë të tillë”, ka thënë Tusk.

E ashtuquajtura “Rrugë e Ballkanit” ishte e preferuara për migrantët që synonin Perëndimin. Përmes saj, vitin e kaluar, rreth 1 milion migrantë arritën në Evropën Perëndimore, kryesisht nga Lindja e Mesme, por edhe nga vendet e tjera.

Bizneset në bllok shesin aktivitetin pas presionit të Tatimeve

Një ndër pikat e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore në zonën e ish-Bllokut tregon për Monitor se, deklarata e ministrit Ahmetaj që të gjithë bizneset në bllok janë biznese të mëdhenj, i duket tërësisht absurde. Si në të gjitha zonat e Tiranës, edhe në ish-Bllok nuk ka vetëm bare dhe restorante VIP, por në rrugicat e lagjes, ka plot njësi të vogla në ambiente edhe me 10 metër katror që shesin që nga byreqet dhe kinkaleritë e vogla deri tek veshjet kineze e turke. Ka bare dhe restorante në rrugica që e shesin një kafe 60 lekë njësoj si në lagjet e tjera të Tiranës.
Teksa nisma e ministrit Ahmetaj pritet të jetësohen, bizneset e vogla të bllokut janë mes frikës dhe dëshpërimit për të ardhmen e aktivitetit. Madje edhe ato që njihen si njësi pak më të mëdha dhe më serioze janë vënë në tratativa për shitjen e aktivitetit. Nuk kanë vënë shpallje të dukshme për këtë qëllim, pasi sipas tyre kjo mund të çonte në uljen e vlerës së shitjes, por sipas tyre  trajtimi fiskalisht si biznesi i madh nuk përballohet me xhirot aktuale.
Tre bare në afërsi të shkollës “11 Janari” janë duke kërkuar blerës për aktivitetin e tyre.  Ambienti është me qira, por administratori që e shfrytëzon prej dhjetë vitesh pohon se riklasifikimi si i madh e mbyll automatikisht aktivitetin. Por kur e pyet se, kush mund ta blejë një aktivitet që nuk do të sjellë fitim, ai pohon se ka plot kërkesa, porse të interesuarit duket se janë njerëz që investojnë para të paligjshme (të ardhurat nga tregtia e hashashit dhe aktivite të tjera të paligjshme), shtoi ai.
Pak ditë më parë, ministri Financave Arben Ahmetaj kërkoi nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës të zhvillojë vizita fiskale në bizneset e zonës së ish-Bllokut, të cilat sistemi i riskut në tatime i ka klasifikuar me risk të mesëm dhe të lartë:
“Nesër blloku nuk njeh biznes të vogël, janë të gjithë biznes i madh, sepse e vërteta kjo është, dhe unë në fund të javës, dua t’i tregoj publikut shqiptar që ne e dimë shumë mirë se çfarë ndodh”, theksoi ministri ndërsa shtoi se sot kemi dalë nga kriza dhe ne jemi përgjegjës që t’u kthejmë shqiptarëve atë që përjetuan në dy vite, ku ne bëmë reformat. Ministri kërkoi nga Drejtoria e Tatimeve të Tiranës të zhvillojë vizita fiskale në bizneset e zonës së ish-Bllokut, të cilat sistemi i riskut në tatime i ka klasifikuar me risk të mesëm dhe të lartë.

Bizneset në ish-Bllok: Të verifikohet nëse jemi biznes i madh

Një ndër pikat e tregtimit me pakicë të produkteve ushqimore në zonën e ish-Bllokut tregon për Monitor se, deklarata e ministrit Ahmetaj që të gjithë bizneset në bllok janë biznese të mëdhenj, i duket tërësisht absurde. “Mjafton të shikoni njëherë dyqanin tim që të kuptohet se çfarë biznesi jam. Le të vijnë kontrollorët tatimorë, janë brenda rregullave, por punoj për pikë të hallit”, tregon ai. “Nuk mund të klasifikohemi të gjithë si biznese të mëdhenj, shikoni sa pak produkte kam dhe nuk marr dot shumë furnizim, pasi nuk më shiten”, ka vijuar të tregojë pronari i një marketi në rrugën “Ismail Qemali”. Ai shton se është i detyruar që të rrisë me 10 ose 20 lekë çmimet e produkteve, konsumatorët le të zgjedhin, kjo është forma që gjen për të mbijetuar.
“Ne vetëm mbijetojmë, që të themi se bëjmë një punë dhe hamë diçka”, përfundon ai, duke shprehur sërish absurditetin e tij rreth çështjes së klasifikimit si biznes i madh të të gjithë bizneseve në zonën e ish-Bllokut. Një tjetër market pranë Shkollës “Edith Durhan” ka deklaruar se, kurrsesi nuk bëjmë aq xhiro sa të konsiderohemi si biznes i madh. Pronarja e këtij biznesi tregoi për Monitor se, në nisje të aksionit antiinformalitet vitin e shkuar, një gabim njerëzor në prerjen e një fature fiskale me shpejtësi, e klasifikoi atë menjëherë në biznes të madh.
“Në vend që të prisja 1800 lekë, kam prerë një kupon me vlerë 180 mijë lekë. Pas disa ditësh më vjen tatimorja që më njofton që kam kaluar biznes i madh. Në të vërtetë, ata mund ta verifikonin shumë mirë ecurinë e xhirove të mia. Kaluan disa javë dhe pas ankesave të depozituara, e zgjidha këtë gjë. Megjithatë, uroj që kësaj here, tatimorët të verifikojnë vërtet se cilët janë bizneset e mëdha dhe cilët të vegjël”, përfundoi ajo.

Bizneset, ankesa pa fund për tatimet në Gjykatën Administrative

Rastet që kanë si objekt padie ankimimet ndaj vendimeve të Administratës së Tatimeve janë ato që kryesojnë proceset gjyqësore në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë. Sipas të dhënave zyrtare të kësaj gjykate, në total për vitin 2015 këto çështje u llogaritën në 611, nga të cilat 534 tatimet janë paditur nga biznesi, ndërsa vetëm në 67 raste ky institucion ka qenë në rolin e paditësit. Natyra e çështjeve ka të bëjë kryesisht me gjobat e vëna nga Administrata Tatimore (moslëshim kupona tatimore, mospajisje me kasë fiskale, evazion etj)., për të cilat biznesi pas apelimit i është drejtuar për vendim togave të zeza.
Më të pakta në numër kanë qenë rastet e mbërritura në këtë shkallë nga/dhe për doganat. Në total për vitin 2015 janë arkivuar 120 raste, nga të cilat 180 biznesi ka paditur doganat dhe vetëm 2 raste këta të fundit kanë qenë paditës.
Për vitin e kaluar shifër të lartë ankesash janë regjistruar edhe për vendimet e Inspektoriateve të ndryshme që veprojnë në vend, kryesisht për atë Qendror Teknik, etj. Në total kjo shifër u llogarit në 243 çështje, ku vetëm në një inspektoriatet ishin në rolin e paditësit.
Sipas të dhënave zyrtare të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë edhe ndaj Komisionit të Prokurimeve Publike janë arkivuar raste ankimimi dhe për vitin 2015 ishin 105 të tilla. Po gjatë kësaj periudhe nuk u regjistrua asnjë me palë paditëse këtë institucion. Në fillim të muajit mars ishte Këshilli i Investimeve që raportonte se Gjykatat Administrative e kanë të pamundur shqyrtimin e çështjeve brenda afateve ligjore. Për vitin 2016 në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje, që pritet të gjykohen nga 7 gjyqtarë.

Sërish gaz lotsjellës në kufirin greko-maqedonas

Policia maqedonase ka përdorur sërish gaz-lotsjellës për të penguar disa qindra emigrantë të cilët janë përpjekur të kalojnë ilegalisht kufirin. Refugjatët fillimisht u munduan që të krijojnë një hapësirë për të kaluar, por në vendin e ngjarjes mbërritën menjëherë forca të shumta sigurie të cilët përsëritën veprimet e disa ditëve më parë.

Gjatë protestave nuk pati incidente madhore, por disa prej azil-kërkuesve patën komplikacione për shkak të gazit lotsjellës. Ata u ndihmuan fillimisht nga refugjatët që ndodheshin pranë, e më pas janë trajtuar nga mjekët e organizatave humanitare që ndodhen në kampin e Idmenit.

Nga ana tjetër, ashtu sikurse kishin paralajmëruar, autoritetet greke kanë zhvendosur 700 azil-kërkues nga që ndodheshin në portin e Pireut drejt qendrave të posaçme të qëndrimit që janë ngritur së fundmi nga qeveria e Athinës.

Në këtë mënyrë, numri i emigrantëve që ndodhen të bllokuar në këtë zonë ka rënë nga 4.500 persona në 3.800. Megjithatë, zyrtarët kanë komunikuar se kjo shifër është ende mjaft e lartë dhe se procesi i zhvendosjes së refugjatëve do të vijojë edhe përgjatë ditëve të ardhshme. Greqia po përgatitet për sezonin turistik të verës ndaj po merr masa për të sjellë drejt normalizimit portin e Pireut.

Më herët, autoritetet komunikuan se do t’u japin dy javë kohë emigrantëve që të largohen në mënyrë vullnetare drejt qendrave të tjera të strehimit, duke theksuar se nëse ky afat nuk do të respektohet, ata do të detyrohen që të përdorin forcën. Shumica e azil-kërkuesve refuzojnë që të largohen pasi i druhen një depërtimi të mundshëm në Turqi.

Mbi 2200 biznese kanë bërë kërkesë për t’u çregjistruar 4 muajt e fundit

Janë mbi 2200 biznese që kanë bërë kërkesë për t’u çregjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (sot QKB) në 4 muajt e parë të këtij viti, nga mbi 1500 që ishte kjo shifër në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rreth 40% u rrit numri i bizneseve që u çregjistruan pranë Qendrës Kombëtare të Regjistrimit ( sot QKB). Sipas të dhënave zyrtare në total numri i çregjistrimeve arriti në 2,217 nga 1,578 të tilla që u llogaritën në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Më herët Monitor nga një vëzhgim që realizoi në disa nga rrugët kryesore të Tiranës konstatoi mbylljen e një sërë bizneseve. Rritja e numri të çregjistrimeve i referohet një sërë shkaqeve, duke përfshirë këtu, siç thonë edhe vetë tregtarët edhe rënies së shitjeve e shtimit të barrës së taksave vendore.
Të dhënat e QKR-së tregojnë se gjatë periudhës janar – 10 prill 2016 u ul ritmi i rritjes së bizneve të reja. Në total numri i bizneseve të regjistruara u llogarit në 7,091 ose 3.3 % më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Referuar të dhënave kjo shifër rritjeje (3.3%) është më e ulët se ajo e shënuar në janar dhe shkurt të këtij viti, përkatësisht 13% dhe 9.1%.
Efekti neto i regjistrimeve si katër mujor ishte plus 4,874 biznese. Në total, në rang vendi numri i bizneseve akive llogaritet në 193,028.

Shifra

7,091 numri i bizneseve të reja të regjistruara janar-prill
193,028 numri total i bizneseve aktive
4,874 efekti neto i regjistrimeve
2,217 numri i çregjistrimeve 4-mujori

BB: Shqipëria, probleme me aftësinë e punonjësve

Banka Botërore vijon të vërë theksin tek problemi që ka tregu shqiptar sa i përket burimeve njerëzore që ofron. Kjo ndoshta shihet edhe si një dështim që ka arsimi dhe pika ku është vënë fokusi. Ndaj në përmbledhjen e saj të fundit për Shqipërinë dhe projektet që ndjek Banka, publikuar këto ditë, theksohet se sfidë mbetet rritja e cilësisë por edhe rëndësisë që i vihet arsimimit dhe sistemeve të trajnimit. Kjo për të përmirësuar rezultatet për punonjësit aktualë në treg duke siguruar që rezultatet e këtij edukimi të përkthehen në aftësi të nevojshme në tregun punës. “Të dhënat nga anketat e mbajtura në kompani por edhe të lidhura me punësimin tregojnë se afërsisht 3 në 10 biznese raportojnë aftësitë si një kufizimin më të madh dhe të rëndë që pason infrastrukturën dhe korrupsionin” thuhet në raportin e Bankës Botërore. Në këto kushte propozohet se një qasje gjithëpërfshirëse multi¬sektoriale do të jetë e nevojshme për të identifikuar si kufizimet tek kërkesa ashtu edhe oferta. “Banka është e angazhuar në një program analitik për të identifikuar zvillimet dhe punësimin në Shqipëri”, thuhet në dokument.