20.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Korrik, 2025

“Dështim i Realit”

Lionel Mesi kërkon dopietë trofesh këtë edicion, si “basti” i fundit që ka vënë. Ylli argjentinas ka komentuar mbi shanset e Barcelonës, faktin që nuk ka arritur të shënojë shumë gola dhe mbi të gjitha shpreh hapur dëshirën që Reali të dështojë. “Pleshti” i thur elozhe punës së Simeones tek Atletiko, ndërkohë që refuzon të ketë pasur probleme brenda ekipit të tij.
Ai eliminim në fazën çerekfinale të UEFA Champions League nga Atletico e Madridit dhemb ende në shtëpinë e Barcelonës, edhe pse tashmë blaugranat e kanë hedhur pas krahëve atë moment negativ dhe kanë shanse shumë të mira ta mbyllin sezonin me dy trofe, La Ligan dhe Kupën e Mbretit. Nëse Barça ja del të fitojë ndaj Granadas dhe Sevillas ky sezon do të konsiderohej jashtëzakonisht pozitiv për skuadrën e Luis Enriques. Është i bindur për këtë ylli argjentinas i klubit katalanas Lionel Mesi.
“La Liga është një kompeticion shumë i vështirë për t’u fituar. Për këtë arsye duhet të triumfojmë, dhe ta vlerësojmë Primera Division-in. Na mbeten edhe dy finale për të luajtur një në kampionat dhe një tjetër në Kupën e Mbretit. Do të ishte diçka shumë e bukur ta mbyllnim sezonin me dy trofe”, u shpreh Mesi.
Më pas Mesi e pranoi se eliminimi në Champions nga Atletico e Madridit ishte i dhimbshëm për Barcelonën, ndërkohë që argjentinasi shigjetoi edhe rivalët e Realit, teksa  nënvizoi se në finalen e Milanos, në kampin blaugrana do të bëjnë tifo për Los Colochoneros.
“Ishte një goditje e rëndë për ne të eliminoheshim nga Championsi. Atletico është një rival jo komod dhe i vështirë për t’u përballur, për këtë ka merita të mëdha Diego Simeone. Për të gjithë fansat e Barcës mendoj se do të ishte diçka shumë e këndshme që Championsin ta fitonte Atletico. Këtu te Barcelona duan që Reali i Madridit të mos fitojë asgjë”, tha ai. Ndodhi pas ndeshjeve me Atletikon dhe grumbullimeve me Kombëtaren. Gjithsesi, patëm më shumë hapa falsë sesa duhej. Për fat, arritëm të bëjmë kthesën në momentin e duhur dhe tashmë jemi ende në garë në dy kompeticione. Varet e gjitha se si do t’i kalojmë dy pengesat e mbetura”, tha Mesi.
“Pleshti” tha më tej se, njerëzit në Barcelonë duan që Reali gjithnjë ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe. “Është e qartë që njerëzit në Barcelonë duan që Reali gjithnjë ta mbyllë sezonin pa asnjë trofe. Gjithnjë, ashtu si ata mund të dëshirojnë për ne. U takoi atyre që të jenë në finale të Ligës së Kampioneve këtë vit. Është diçka pozitive për futbollin spanjoll që do përballen dy klube të La Ligës. Por, unë mendoj se nëse ne fitojmë dy kompeticione, kemi bërë diçka më të vështirë. Për t’ia dalë në kampionat apo Kupën e Mbretit, duhet të rivalizosh me kundërshtarë si Reali, Atletiko, Sevilja, Vilareali e shumë të tjera. Duhet një ecuri konstante në rezultate pozitive, një motivim maksimal dhe përkushtim pa limite. Ndonjëherë, nuk ka rëndësi nëse arrin në një finale, por a e fiton dot trofeun”, u shpreh Mesi.

Etrit Berisha, objektiv i Torinos në Serinë A

E ardhmja e Etrit Berishës pritet të jetë larg Lazios, por portieri i Kombëtares Shqiptare me shumë mundësi do të qëndrojë në Serinë A. Fakti që drejtuesit lacialë po konsiderojnë Federico Marcchetin si zgjedhje të parë, por e detyron 27-vjecarin kuqezi të kërkojë një tjetër destinacion gjatë merkatos së verës. Orët e fundit mediat italiane raportojnë për interesimin e Torinos për kartonin e portierit shqiptar, pasi drejtuesit “Granata” nuk kanë shumë besim te Padelli, që pritet të largohet nga kryqendra e Piemontit në përfundim të sezonit.
Berisha mbetet një nga alternativat e mundshme për të marrë vendin e Padellit, por në Torino pëlqehet edhe Skorupski. Portieri polak ka rënë në sy tek Empoli, ku është dhënë në formë huazimi nga Roma. Si Berisha ashtu edhe Skorupksi ofrojnë profilin e portierit që pëlqehet shumë nga stafi teknik i Torinos, që do të kërkojë rrugën më të thjeshtë për të zëvendësuar Padellin. Javët e ardhshme priten të tjera zhvillime përsa i përket të ardhmes së Berishës, i cili është pjesë e Lazios që nga shtatori i 2013-ës.

Valdet Rama drejt largimit nga Munchen 1860

Bundesliga 2 ka dhënë verdiktet klryesore edhe pse mbetet ende edhe një javë për t’u luajtur. Munchen 1860 ishte një prej skuadrave që gjatë gjithë sezonit luftoi për mbijetesën, duke arritur të marrë konfirmimin zyrtar të qëndrimit vetëm në javën e 33-të. Skuadra bavareze ka hasur shumë vështirësi ekonomike gjatë viteve të fundit, duke mos gjetur stabilitet, madje drejtuesit janë ende të paqartë edhe për të ardhmen.
Në klubin gjerman aktivizohet edhe ish-sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Valdet Rama. 28-vjeçari i lindur në Mitrovicë është aktivizuar në 15 takime, por nuk ka mundur të shënojë asnjë gol, duke zhvilluar një sezon zhgënjyes. Pavarësisht nivelit të lartë teknik që zotëron, trajneri Bierofka ka preferuar ta aktivizojë shumë pak shqiptarin, i cili nuk po gjen hapësira në këtë skuadër. I transferuar në vitin 2014 nga Real Valadollid, Rama u cilësua fillimisht si një nga goditjet më të mëdha të klubit bavarez, por tashmë pas 2 sezoneve në Mynih, ai po bën gati valixhet për t’u larguar.
Në një shkrim të gjatë, faqja e specializuar gjermane tz.de përforcon këtë ide, duke theksuar se Rama është shumë pranë largimit. Drejtori sportiv, Oliver Kreuzer bën me dije se do të ketë ndryshime të mëdha për sezonin e ri dhe në listën e emrave që pritet t’i japin lamtumirën skuadrës është edhe Rama. “Do të jetë shumë e vështirë ta mbajmë Ramën edhe për një sezon tjetër”, thekson drejtori sportiv.

Hyka në formacionin e javës në Zvicër

Jahmir Hyka sërish në formacionin më të mirë të javës në Zvicër. Mesfushori shqiptar po përjeton një moment të shkëlqyer në Superligën zvicerane. Pasi u përzgjodh nga lexuesit e gazetës prestigjioze “Blick” si futbollisti më i mirë i muajt mars në kampionatin helvet, Hyka është përfshirë nga kjo edhe përditshme edhe në 11-shen më të mirë të javës së 32-të. 28-vjeçari kryeqytetas ishte padiskutim lojtari më aktiv në fushë për Lucernën në sfidën që skuadra e tij zhvilloi ndaj Vaduzit të Armando Sadikut dhe Albion Avdijajt.
Falë Hykës formacioni i trajnerit Markus Babbel arriti të përmbyste disavantazhin 1-0 të pjesës së parë, duke triumfuar me shifrat 1-2, një fitore kjo që mbajti gjallë shpresat e Lucernës për t’u kualifikuar në Europa League për sezonin e ardhshëm. Hyka në pjesën e parë pati një mundësi të mirë për t’i dhënë avantazhin të tijëve, por me një parabol të ulët nuk gjeti dot kuadratin e portës. Një gabim i portierit të miqëve në largimin e topit u shfrytëzua në maksimum nga vendasit me Janjatoviç që kaloi në avantazh Vaduzin në minutën e 35-ën.
Sadiku nga ana tjetër pati shansin e artë për të dyfishuar avantazhin e skuadrës nga Lihtenshtejni, por tentativa e tij në fillimin e pjesës së dytë u ndal nga portieri Zibung. Kaq mjaftoi që Hyka të merrte për dore të tijët dhe të udhëhiqte Lucernën drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në derbin e shqiptarëve. Në minutën e 62-të, 28-vjeçari, pasi kombinoi shumë bukur me një shok të ekipit u pengua brenda zone. Arbitri nuk kishte dyshime penallti për Lucernën dhe kartoni i kuq për futbollistin e Vaduzit Von Niederhausen, i cili ndali Hykën në rrugën e tij drejt golit. Jantscher realizoi 11-metërshin, ndërkohë që me një lojtar më shumë në fushë Lucerna e kishte më të thjeshtë dhe arriti të gjente edhe golin e epërsisë me Schneuwly në të 86-ën. Falë paraqitjeve të tij në muajt e fundit Jahmir Hyka është duke i dhënë sinjale të rëndësishme trajnerit të Shqipërisë, Gianni De Biasi për ta grumbulluar në Euro 2016.

Reforma në Drejtësi, Rama kërkoi amnisti për trafikantët e prostitutave në Parlament

Drafti për Reformën në Drejtësi u miratua edhe nen për nen nga Komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi.
Konfirmimi erdhi nga nënkryetari i këtij komisioni, deputeti demokrat Eduard Halimi.
Sipas tij, vetëm për një nen pati një debat të fortë. Halimi tha se neni në fjalë bënte nul atë nen që ishte miratuar pak muaj më parë për ndalimin të atyre personave që kanë kryer krimet e rënda. Neni është hedhur në votim ndërsa 5 deputete të mazhorancës  kane votuar pro dhe 5 të opozitës  kunder dhe në këtë  moment ka ndërhyrë  me lëvizjen e tij të votës së dyfishtë  kryetari i komisionit Fatmir Xhafaj, duke sjellë miratimin e dispozitës së debatueshme.
Për të shmangur një ngërç që mund të vinte nga qëndrimi  i opozitës, për këtë çështje ndërhynë ekpertët që tërhoqën propozimin fillestar  për nenin 3 duke lënë të pandryshuar kushtetutën aktuale pra përjshatimin  përjetësisht të  funksionarëve publik me të shkuar kriminale. Ky nen u tërhoq nga ekspertët.
Halimi, akuzoi mazhorancën se  përdori një truk kushtetues për të goditur ligjin e dekriminalzimit.
“Pati debat të fortë për nenin që ka të bëjë me amendamentet për dekriminalizimin”, konfirmoi Eduard Halimi. Ai tha se qëllimi i opozitës është ndëshkimi i kriminelëve që kanë hyrë në politikë, ndërsa ky nen i ndëshkonte ata vetëm për pak kohë dhe synonte përjashtimin e tyre nga jeta politike të trafikantëve të drogës dhe të prostitutave vetëm për pak. “Futja e këtij neni ishte një provokim, një atentat ndaj Reformës në Drejtësi”, tha Halimi, i cili shtoi se sipas këtij neni ndalimi i kriminelëve bëhet për një kohë të caktuar dhe jo përjetë. Halimi tha se pas debateve të ashpra, ekspertët e tërhoqën këtë nen.
“Në qoftë se do të sillet sërish me ndonjë formë tjetër qëndrimi do jetë sërish i njëjti i opozitës: I papranueshëm. Kush nuk është dakort me ligjin e dekriminalizimit, me ndryshimet për ligjin për dekriminalizmin, siç ka deklaruar edhe Rama në parlament ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, të bëjë një shoqatë me të gjithë personat me rekorde të tmerrshme kriminale që pretendojnë se i janë prekur të drejtat dhe të shkojnë deri në hënë” vijoi Halimi.
“Nenet e tjera u miratuan me redaktime të vogla”, tha Halimi. PS ka ndryshuar mendim në lidhje me këtë amnistim të trafikantëve dhe kriminelëve nga Parlamenti dhe institucionet vetëm pas një debati dhe kundërshtimi të fortë të opozitës. Kur kanë parë këmbënguljen e deputetëve të opozitës, Xhafa është detyruar që të përdorë dopiovotën e tij dhe të anojë nga qëndrimi i mbajtur nga deputetët e opozitës, e gjitha kjo pasi i është bërë e qartë për pasojat që do të kishin diskutimet e mëtejme të Reformës në Drejtësi.

Votimi elektronik, kusht i opozitës për zgjedhjet

PD ka vendosur si një kusht për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm votimin elektronik. Bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi tha se pa plotësimin e tij nuk ka zgjedhje me standarde. Po ashtu, demokratët paralajmërojnë se nuk do të ketë Reformë në Drejtësi pa atë zgjedhore.
Si për dekriminalizimin, shenjat e gishtërinjve janë për demokratët pika gravitacionale për reformë të suksesshme zgjedhore dhe për zgjedhje të lira.
Oerd Bylykbashi, autor i platformës së opozitës dhe bashkëkryetar i Komisionit të posaçëm për Reformën Zgjedhore pohon se votimi elektronik është kusht për realizimin e saj.
“Vërtet është kusht. Abosultisht pa të është e pamundur që të kemi ndryshim thelbësor të procesit zgjedhor… voton dhe del rezultati menjëherë”.
Dhe kjo, jo për ta bërë më interesant apo thjesht për një rezultat në kohë reale. Janë një sërë problemesh që do të merrnin zgjidhje sipas tij.
Por gjuha e kushteve, e përdorur dy ditë më parë edhe nga Lulzim Basha, shkon deri tek Reforma në Drejtësi. Demokratët shpresojnë se do të jetë, jo ky, por Parlamenti i ri, produkt i zgjedhjeve me standarde, ai që do të bëjë emërimet në institucionet e reja të drejtësisë. Ndaj të dy reformat Bylykbashi i cilëson të pandara me njëra-tjetrën.
“Votimi elektronik është thelbësor për suksesin e reformës zgjedhore, reforma zgjedhore është e lidhur ngushtësisht me Reformën në Drejtësi. Sa më shpejt të ecim në dy krahët aq më shpejt i mbyllim të gjitha dhe i japim mundësi edhe KQZ-së që në kohën e duhur të realizojë një proces të vështirë, por absolutisht të mundshëm siç është votimi elektronik”.
Ai pohon se mazhoranca ka interes për votimin elektronik, por vetëm si projekt pilot, por për demokratët ky nuk është zgjidhje.
Në platformën e demokratëve ngrihen edhe disa çështje me të cilat ka punë qeveria, jo komisioni parlamentar, siç është sistemi i saktë i adresave. Kërkohet edhe ashpërsim i politikës penale nga Prokuroria për të goditur krimin zgjedhor, të cilin ligji për dekriminalizimin e kategorizon tek veprat e rënda për ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike. PD kërkon gjithashtu që reforma zgjedhore të shmangë paranë kriminale në zgjedhje dhe të garantojë një mbulim të balancuar mediatik të fushatës.

Eurodeputeti: Reforma për të luftuar krimin e korrupsionin

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein do të vizitojë sërish Shqipërinë javën e ardhshme për të nxitur finalizimin e Reformës në Drejtësi pas aprovimit në parim të draftit të kësaj reforme nga forcat politike. Për Fleckenstein, nëse reforma nuk aprovohet para pushimeve verore, Shqipëria rrezikon që të presë gjatë për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE.
– Muajin e shkuar, përveçse me politikanë shqiptarë, ju u takuat edhe me të rinj shqiptarë gjatë vizitës në Shqipëri. Qëllimi juaj kryesor është nxitja për arritjen e Reformës në Drejtësi, për të cilën do të shkoni sërish në Tiranë. A janë pjekur tërësisht rrethanat për finalizimin e Reformës në Drejtësi pas hapit që u hodh së fundmi?
Ka një mbështetje shumë të madhe nga të rinjtë për Reformën në Drejtësi, por edhe nga personat e moshuar në Shqipëri. Ata e kuptojnë gjithnjë e më shumë që kjo reformë është baza e ndryshimeve për të cilat ata kanë nevojë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe pabarazitë në vend. Nëse nuk ndryshohet sistemi dhe gjërat vazhdojnë të funksionojnë në bazë të sistemit të vjetër, atëherë është shumë e vështirë që të arrihen qëllimet e tjera që përmenda. Kjo reformë ka një mbështetje shumë të madhe dhe politikanët shqiptarë pas hapit që u hodh duhet të tregojnë, se dinë që të shfrytëzojnë momentin për finalizimin e reformës. Dhe nëse ky moment nuk shfrytëzohet, atëherë do të ketë një pauzë të madhe para hapjes së negociatave të anëtarësimit.
– Gjermania ka vazhdimisht një impakt të madh te politika shqiptare. Duke qenë politikan gjerman dhe më aktivi në këtë periudhë për Shqipërinë,  a mendoni që do ia arrini qëllimit tuaj për finalizimin e Reformës në Drejtësi para sezonit veror?
Shpresoj vërtet. Sigurisht që kjo që do të them nuk është politika zyrtare e Bashkimit Europian. Por ne e dimë, që pas sezonit veror do të vijojnë një sërë procesesh zgjedhore në Bashkimin Europian. Do të ketë zgjedhje në Francë, më pas në Gjermani dhe siç e dimë edhe në Shqipëri. Pra, nëse Reforma në Drejtësi nuk finalizohet para pushimeve verore, atëherë do të kemi humbur vërtet një shans të mirë.

INSTAT-i i Ramës rikonfirmon Krizën Rama

Fuqia blerëse e shqiptarëve dhe konsumi vazhdojnë të bien në rënie të lirë.
Sipas INSTAT-it nën kontrollin qeveritar norma vjetore e inflacionit prill 2016 rezultoi 0.3% tregues i kërkesës së dobët, ndërkohë që edhe dy muajt e mëparshëm kanë rezultuar përkatësisht 0.2% dhe 0.3%.
Por edhe pse inflacioni është shumë i ulët, çmimet që prekin çdo shqiptar janë rritur: për grupin “shërbimi arsimor” me 4.8%, për “fruta” me 22.3%, për “zarzavate përfshirë patatet” me 6.1%.
Shifrat qeveritare edhe pse të kuruara rikonfirmojnë atë që çdo shqiptar e ndjen në lëkurë dhe e ka të shkruar në sy: krizën e thellë ekonomike, papunësinë, varfërinë që janë pasoja të drejtpërdrejta të korrupsionit dhe vjedhjes qeveritare në tatime, dogana dhe prokurime, taksave të larta dhe arbitraritetit të pafre ndaj biznesit dhe fermerëve.
Zgjidhja është Shqipëria e taksave të ulëta, që lufton korrupsionin në dogana dhe tatime dhe do t’i kthejë frymëmarrje financiare konsumatorit dhe biznesit, zgjidhja është Shqipëria që investon buxhetin për rroga dhe pensione më të larta, subvencione për bujqësinë dhe vende të reja pune përmes investimeve publike dobiprurëse dhe jo luks qeveritar e palma korrupsioni. ‪Shqipëria më mirë pa Edi Ramën.

Taksa e arsimit e faturuar për çdo NIPT sekondar makth për bizneset

Taksa e arsimit e faturuar për çdo NIPT sekondar është kthyer në një makth dhe kosto shtesë për bizneset, sidomos ato të shpërndarjes e tregtimit, që për vetë natyrën e aktivitetit janë të detyruar të pajisen me shumë NIPT sekondare. Disa prej tyre po e kalojnë atë në çmim, siç ishte rasti i shtrenjtimit të naftës së fundmi. (Lexo: Rritet çmimi i naftës, nga taksa e rilicencimit, arsimit dhe shtrenjtimi në bursa).
Në një takim të fundit me biznese të Dhomës Amerikane, përfaqësues të Bashkisë premtuan se do e merrnin në konsideratë rishikimin e pagesës për çdo NIPT, por vetëm vitin e ardhshëm, këtë vit nuk mund të bëhej gjë.
“Drejtoria e Taksave dhe Tarifave është e njohur me këtë problematikë, pasi janë të shumta rastet që na janë referuar dhe ne e kuptojmë shqetësimin e biznesit. Ky taksim në bazë NIPT-i argumentohet në bazë të Ligjit 9723 “Për regjistrimin fiskal të biznesit” dhe si Taksa e Pastrimit, ashtu edhe ajo e Infrastrukturës në Arsim duhet të paguhen për çdo NIPT, çdo përjashtim duhet të bëhet me vendim Këshilli Bashkiak. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë edhe me ju që kjo situatë të rregullohet, por deri në atë moment, këto taksa do të bëhen mbi këtë bazë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i Taksave dhe Tarifave Vendore, Arli Naska.

Ankesat

Sipas bizneseve është e pakuptimtë që të paguhen këto detyrime për çdo NIPT, duke qenë se një subjekt mund të ketë më shumë se dy të tillë, (veçanërisht nëse kryen aktivitet distribucioni, shitje në shumë pika shërbimi etj.) shpërndarjeje. “Kompania jonë ka një sërë makinash në flotën e saj që realizojnë disbursime dhe për secilën prej tyre na duhet të paguajmë këto taksa. Kjo është diçka e papranueshme, pasi ka një kosto tepër të lartë”, tha përfaqësuesja e një kompanie shërbimesh në fushën e teknologjisë.
Vendosja e taksës së përkohshme për 7 vjet për arsimin ka ngjallur shumë debate, pasi cenon parimin kushtetues që arsimi fillor dhe i mesëm është falas.
Taksa do të jetë 1,800 lekë në vit për familjet dhe do të mblidhet në faturën e ujit, ndërsa për bizneset varion deri në 4,000 lekë në 37,000 lekë në vit për VIP-at.
Për nënkryetarin e Bashkisë, Arbjan Mazniku, vendosja e një takse të përkohshme është një e drejtë e sanksionuar me ligj që i jepet bashkisë, në rast se ajo çmon se të ardhurat që do të mblidhen do të shkojnë në të mirën publike.
Sipas përfaqësuesve të Bashkisë, të ardhurat nga taksat e përkohshme e infrastrukturës në arsim do të përdoren për të shtuar kapacitetet arsimore. “Kostoja për ndërtimin e një shkolle në qendër të kryeqytetit me atë në periferi nuk është e njëjtë. Zhvendosja e popullsisë dhe ndërtimet pa kriter kanë sjellë mbipopullime në shkolla dhe ne duhet të ofrojmë shërbime pa bërë dallime. Këto të ardhura do të shkojnë për këtë qëllim”, sqaroi numri dy i bashkisë kryeqytetase.
Në buxhetin e vitit 2016 të Bashkisë së Tiranës, nga 650 milionë lekë që planifikohen të mblidhen, 320 milionë lekë do t’i paguajnë familjarët dhe 330 milionë lekë subjektet tregtare. Në vitin 2017, planifikohen të mblidhen 690 milionë lekë dhe në 2018-ën rreth 720 milionë lekë.
Në total, për periudhën 2016-2018 pritet të derdhen në arkën e bashkisë rreth 2 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë euro, të ndara pothuajse përgjysmë nga familjarët dhe bizneset.
Biznesi gjithashtu i propozoi Bashkisë që të ndërhyjë pranë QKB-së për të bërë të mundur që në NIPT të qartësohet nëse biznesi realizon shitje me shumicë dhe/ose me pakicë, pasi kjo do të lehtësonte procedurat e verifikimit dhe nuk do të ngarkonte me barrë të tepërt sipërmarrjet. Nga ana e përfaqësuesve të Bashkisë, ky u konsiderua si një propozim i vlefshëm, por që duhet të ndiqet nga QKB-ja

Kreditë e këqija rriten pa u ndalur më

Të dhënat statistikore të Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të 2016-ës tregojnë se një nga të dhënat që ngjall frikë për sistemin bankar dhe ekonominë në përgjithësi, volumi i kredive të këqija, ka filluar të rritet.
Në gjysmën e dytë të 2015-ës, Banka e Shqipërisë (BSH) autorizoi bankat e nivelit të dytë të fshijnë nga bilancet e tyre kreditë e këqija, të cilat ishin krejtësisht të pambledhshme ose kishin vonesë në pagesë për më shumë se tre vjet.
Ky vendim i Bankës u shit nga qeveria në mënyrë mashtruese si përmirësim i gjendjes ekonomike të vendit. Në një artikull të mëparshëm tonin ne sqaruam se, “përmirësimi” i pretenduar i ecurisë së kredive të këqija ishte prodhuar në mënyrë artificiale nga një ndryshim i rregullave kontabile dhe nuk ishte tregues i përmirësimit të ekonomisë.
Statistikat e tanishme të BSH-së tregojnë se vëzhgimet tona të mëparshme ishin të drejta. Kriza ekonomike, e dëshmuar më së miri nga ecuria e volumit të kredive të këqija, ka vazhduar të shënojë viktima të tjera. Vetëm në tre mujorin e parë të vitit 2016, kreditë e këqija u rritën me 1,2 pikë përqindjeje, duke arritur përsëri nivelin 19 për qind të volumit totale të huave të dhëna.
Për më tepër, rritja e kredive të këqija ka ndodhur në mënyrë të barabartë proporcionalisht në të gjitha grupet e huamarrësve me vonesa në pagesat e huasë, gjë që çon në hamendësimin se kjo prirje negative mund të vazhdojë të paktën në pak vitet e ardhshme. Nëse ajo vazhdon e pandryshuar, në fund të vitit 2016 volumi i kredive të këqija mund të kalojë nivelin e 22 për qind.

Largimi nga Shqipëria nuk ndalet: FMN: kjo po sjell ndikim negativ

Vendet e Ballkanit Perëndimor po përballen me rënie të madhe të popullsisë në moshë pune, e për pasojë veç të tjerash efektet në zhvillimin ekonomik të vendeve do të jenë negative. Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të fundit për zhvillimet rajonale ka vënë re se tendenca e emigrimit pritet të vazhdojë ose të përkeqësohet në disa vende. Kështu që forca e punës pritet të cenohet edhe prej faktit se jetëgjatësia në rajon është më e ulët se në vendet e BE-së.
Fondi referon se, emigrimi ekonomik i nxitur nga zgjedhjet individuale ka të ngjarë të ngadalësojë dhe konvergjencën e vendeve të Rajonit (ku bën pjesë edhe Shqipëria) me vendet e Bashkimit Europian.
Ikja e konsiderueshme e fuqisë punëtore të kualifikuar mund të krijojë mungesë të aftësive dhe të pengojë rritjen e produktivitetit.
Gjatë 25 viteve të fundit, afër 20 milionë njerëz kanë emigruar nga vendet e Ballkanit Perëndimor ose 6.2 për qind e popullsisë në moshë pune.
Disa nga vendet ku përfshihet edhe Shqipëria vijojnë të përjetojnë rritje emigracionit neto, duke përkeqësuar trendët negative demografike.
Fondi thotë se, remitancat kanë qenë si një bekim dhe një mallkim. Analiza tregon se remitancat kanë penguar stimujt për tregun e punës dhe kanë kontribuar në mbiçmimin real të kursit të këmbimit.
Por nga tjetër prurjet e emigrantëve kanë qenë mbështetësi kryesor i konsumit dhe investimeve private.
Analiza FMN tregon se në vitin 2012, rritja kumulative e PBB-së reale ka qenë 7 pikë përqindjeje më e lartë mesatarisht në BE në mungesë të migrimit gjatë 1995-2012.
Emigrimi mund të ketë krijuar edhe presionin në sistemet e sigurisë sociale, duke penguar rritjen përmes shtimit të taksave punës.

1328 shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani në prill

Gjermania vazhdon të jetë një magnet për emigrantët. Raporti i emigracionit për muajin prill, që lidhet me kërkesat për azil, i publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Gjermanisë, tregon se janë pranuar rreth 61 mijë aplikime.
Kjo është një rritje prej 125 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por vetëm 1.6 për qind më e lartë se ajo e muajit mars. Rreth 1.1 milionë emigrantë arritën në Gjermani vitin e kaluar dhe ndonjëherë kalojnë muaj të tërë përpara se ata të aplikojnë zyrtarisht për azil.
Numri i atyre që u është dhënë azili në muajin prill ka mbetur rreth 50 për qind. Numrin më të lartë të azilkërkuesve e mbajnë sirianët, ndjekur nga irakenët dhe afganët. Për muajin prill 1328 shqiptarë kanë kërkuar azil në Gjermani.