17.5 C
Tirana
E mërkurë, 7 Maj, 2025

Ja kush janë dhjetë futbollistët më të paguar në botë

Lionel Messi është futbollisti më i paguar në planet. Kjo është ajo që publikohet nga gazeta franceze “France Football” sipas së cilës, sulmuesi argjentinas i Barcelonës është dominues në këtë klasifikim të veçantë.

“France Football” e përpiloi këtë renditje duke u bazuar te paga bruto, bonuset, kontratat publicitare dhe shpërblimet për firmat e tyre.

Sipas revistës franceze, Messi kryeson me 74 milionë euro të fituara në vit.

Menjëherë pasi tij në vendin e dytë qëndron Cristiano Ronaldo me 67.4 milionë, ndërsa i treti është Neymar me 43.5 milionë euro në vit.

Bruksel, policia arreston tre persona të tjerë për dosjen e sulmeve terroriste

Tre persona u arrestuan në vijim të operacionit të sotëm në komunën Uccle pranë Brukselit në kuadër të dosjes hetimore belge për sulmet e 13 nëntorit në Paris, njoftoi Prokuroria federale belge.

“Në kuadër të hetimit të nisur nga Prokuroria federale pas sulmeve terroriste në Paris më 13 nëntor 2015, u kryen kontrolle të shumta në disa qendra banimi në rrugën Stalle në Uccle. Tre persona u arrestuan për t’u marrë më pas në pyetje”, bëri të ditur në një deklaratë të shkurtër Prokuroria e ngarkuar për hetimin e dosjeve për terrorizëm në Belgjikë.

Policia merr në mbrojtje komedianin gjerman, thuri poezi kundër Erdoganit

Komediani gjerman, Jan Boehmermann ka marrë mbrojtjen e policisë pasi më parë ka lexuar një poezi të turpshme për presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Poezia e tij ngjalli zemërim të madh të autoriteteve turke, ndërsa një makinë policie është parkuar para shtëpisë së tij.

Më parë Erdogan ka paraqitur një ankesë penale kundër satiristit i cili ka nxitur një debat në Gjermani mbi lirinë e fjalës.

Prokurorët gjermanë po hetojnë nëse ai ka thyer ndonjë ligj që cenon apo ofendon udhëheqësit e huaj.

FMN, parashikim jo pozitiv për Shqipërinë

Vendet në zhvillim dhe veçanërisht eksportuesit e naftës e produkteve të tjera që po preken nga çmimet e ulëta do të kenë më shumë probleme për të rikthyer rritjen, derisa të kenë diversifikuar bazën e tyre të eksporteve, një proces ky që pritet të marrë kohë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në rishikimin e prillit të ecurisë ekonomike globale e ka mbajtur të pandryshuar parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2016 në 3.4%. Në 2017-n rritja pritet të përshpejtohet në 3.8%.  Nga shtetet e rajonit, për vitin 2016 rritjen më të lartë pritet ta ketë Mal i Zi me 4.7%, i ndjekur nga Maqedonia me 3.6%, më pas vijnë Shqipëria dhe Kosova me nga 3.4% dhe Bosnja me 3%. Serbia pritet të vijojë më zgjerimin më të ulët, prej 1.8%. Sipas tabelave të raportit, për 2015-n rritja për Shqipërinë pritet 2.6%, nga 2.7% që ishte në parashikimin e tetorit dhe në linjë me publikimin e fundit të INSTAT për një zgjerim prej 2.62%. Edhe në afatin e gjatë, rritja e Shqipërisë pritet të jetë e ngadaltë, duke u ulur lehtë parashikimi nga 4.2% në 4.1% (periudha 2020-2021). I gjithë rajoni në fakt pritet të zgjerohet edhe në afatin e gjatë me 3-4%, duke shënuar kështu një normalitet të ri, me rritje shumë më të ulët se 8-10% që u panë përpara vitit 2008.  Për Shqipërinë, inflacioni pritet të vijojë i ulët, nën 3% për periudhën 2016-2017, përkatësisht me 2.2% dhe 2.7%, duke qenë poshtë objektivit të shënjestruar prej 3% të Bankës së Shqipërisë. Shqipëria dhe Mali i Zi kanë bilancin e llogarisë korente më të lartin në rajon, përkatësisht me -12.7% dhe -16.5% të prodhimit të brendshëm bruto. Vendet e varura nga eksportet e naftës do rimëkëmben më ngadalë. Raporti thekson se vendet në zhvillim dhe veçanërisht eksportuesit e naftës e produkteve të tjera që po preken nga çmimet e ulëta do të kenë më shumë probleme për të rikthyer rritjen, derisa të kenë diversifikuar bazën e tyre të eksporteve, një proces ky që pritet të marrë kohë. Shqipëria është një shembull tipik i këtij rasti, ku nga shitja e naftës e mineraleve janë siguruar deri në një të tretën e eksporteve (shënim i Monitor). FMN paralajmëron që tregjet në zhvillim mund të shohin një rritje të mëtejshme të stresit, duke reflektuar gjithashtu dobësitë e brendshme. Për shembull, një valë tjetër zhvlerësimi kursi këmbimi mund të përkeqësojë më tej bilancet e koorporatave, dhe një rënie e fortë në flukset hyrëse të kapitalit mund të çojë në një ndrydhje të shpejtë të kërkesës. Rritja globale në 2016 pritet 3.2% Parashikimi bazë për rritjen globale në 2016-n është për një zgjerim modest prej 3.2%, përgjithëssht në linjë me vitin e kaluar dhe me një rishikim në ulje prej 0.2 pikë përqindjeje në raport me rishikimin e janarit 2016. Rimëkëmbja pritet të forcohet në 2017 dhe më tej, teksa kushtet në ekonomitë e stresuara do të fillojnë të normalizohen gradualisht. Por, pasiguritë janë rritur dhe rreziqet e skenarreve për rritje më të dobët po bëhen më të prekshme. FMN rekomandon që konjuktura e brishtë rritur urgjencën për një reagim të gjerë të politikave për të nxitur rritjen dhe për të menaxhuar dobësitë.

Presidentja e Brazilit në gjyq, akuzohet se manipuloi shifrat e buxhetit

Presidentja e Brazilit do të gjykohet për manipulim të defiçitit në rritje në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2014. Vendimi u mor nga dhoma e ulët e kongresit me 38 vota pro dhe 27 kundër. Votimi final do të merret me 17 dhe 18 prill nga dhoma e lartë e parlamentit, dhe nëse ajo voton pro Dilma Roussef pezullohet nga detyra.

Presidentja e Brazilit Dilma Rousseff ka marrë një goditje të rëndë pasi Komiteti i Dhomës së Ulët i Kongresit të vendit votoi pro gjykimit të saj mbi akuzat se ka manipuluar shifrat e buxhetit të shtetit gjatë vitit 2014.

Nga 65 anëtarë gjithsej, 38 prej tyre votuan pro dhe 27 kundër rekomnadimeve për shkarkim të saj me argumentin se Rousseff ka fshehur defiçitin në rritje të vendit në atë periudhë. Tashmë e gjithë vëmendja do të përqendrohet në 17 dhe 18 prill, kur do të mbahet edhe votimi i plotë në dhomën e ulët të parlamentit. Kjo çështje ka ndarë shoqërinë braziliane, teksa kryeqyteti po përgatitet për protesta të mëdha.

Gjithashtu edhe votimi në komision u shoqerua me debate dhe skena kaotike mes mbështetësve të saj dhe atyre që kërkojnë largimin. Këta të fundit me pankarta në duar bërtisnin Dilma largohu. Votimi i komitetit është kryesisht simbolik, por shihet gjerësisht si masë paraprake për votimin final  në dhomën e ulët të kongresit.

Nëse 2/3 e dhomës  së Ulët të Parlamentit votojnë në favor të largimit të saj gjatë votimit të 17 prillit, kërkesa për largim pastaj do të dërgohet në Senat. Nëse edhe dhoma  e Lartë e Parlamentit do të pajtohet me shumicën e thjeshtë për ta dërguar Rousseff në gjykim, ajo pastaj do të pezullohet nga pozita e saj.

Alegri, te Juventusi deri në vitin 2018

Rinovimi i kontratës së Massimiliano Alegrit me Juventusin është më pranë se kurrë. Sipas “Tutto Sport”, zyrtarizimi i marrëveshjes së re do të vijë javën e ardhshme. Në këtë mënyrë trajneri nga Livorno do të ketë mundësi të vijojë me projektin e nisur në verë të 2014, me kontratë të re që do të jetë e vlefshme deri në vitin 2018, që do të thotë se kontrata aktuale është shtyrë me një vit.
Alegri, pas largimit të Contes gjeti një skuadër me mentalitet fitues, por merita e tij është se jo vetëm e fitoi titullin kampion, por arriti deri në finale të Championsit, ku u mposht nga Barcelona.
Në sezonin e dytë Alegri hasi më shumë vështirësi, pasi i është dashur të rindërtojë skuadrën pas disa largimeve të rëndësishme. Falë mbështetjes së skuadrës ishte në gjendje të ngjitej në vendin e parë pas një starti të dobët të Serisë A.
Alegri nuk u josh nga propozimet për të marrë drejtimin e kombëtares italiane, por edhe të skuadrave angleze dhe spanjolle, të cilat i ka refuzuar të gjitha për të qëndruar te Juventusi.

Rooney rikthehet në fushë pas dy muajsh

Dy muaj pas dëmtimit në gju, Wayne Rooney është rikthyer në fushë, me skuadrën e të rinjve të Manchester United, që në “Old Trafford” u përball me Middlesbrough. Sulmuesi anglez u aktivizua si titullar, ndërsa mungonte prej 13 shkurtit. Në këtë mënyrë, 30-vjeçari, që është edhe kapiten i përfaqësueses së Anglisë, ka nisur fazën e fundit të rehabilitimit, me shpresën se do të rikuperohet në kohë, për të qenë pjesë e Tri Luanëve në finalet e Kampionatit Europian, “Francë 2016”. Nën sytë e trajnerit Louis van Gaal, sulmuesi luajti 61 minuta me ekipin e të rinjve, duke u larguar më pas nga fusha. Paraqitja e tij përpara më tepër se 6 mijë tifozëve kaloi pa lënë gjurmë dhe rreziku i vetëm u krijua nga një goditje standarde, që përfundoi mbi traversë. Goli i fitores së vendasve u shënua nga Paddy McNair, vetëm pak momente pasi Rooney ishte zëvendësuar.
Sipas drejtuesve të klubit të Manchester United, me progresin e shfaqur në aspektin fizik, Rooney mund të luajë edhe në ndeshjen e përsëritur me West Ham, që “Djajtë e Kuq” do të luajnë në çerekfinalet e FA Cup. Prej dëmtimit në gju, në sfidën ku United u mposht në fushën e Sunderland-it, lojtari ka humbur 12 ndeshje të skuadrës.

Shkarkohet Mihajloviç, vjen Brocchi

Tashmë është zyrtare. Aventura e Sinisa Mihajloviç në stolin e Milanit përfundoi. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, klubi kuqezi njoftoi shkarkimin nga detyra të trajnerit serb, duke ia besuar drejtimin e skuadrës deri në fund të sezonit Cristian Brocchi-t.
Fatale për Mihajloviç humbja e pësuar në “San Siro” me Juventusin. Një disfatë që edhe pse e pamerituar për atë që skuadra tregoi në fushë, u shoqërua me vendimin e presidentit Berlusconi që ta largonte trajnerin, me të cilin shkëndija e afeksionit nuk u ndez asnjëherë.
“Milan njofton shkarkimin nga detyra të Sinisa Mihajloviç nga detyra e trajnerit. Klubi e falënderon për punën e kryer me impenjim dhe korrektësi”, lexohej në deklaratën për shtyp të kuqezinjve. Aty theksohej se, “drejtimi i skuadrës i besohet Cristian Brocchi-t deri në fund të sezonit”, të cilit Milani i uroi punë të mbarë.
Lajmi për largimin e Mihajloviç ishte konkret prej disa orësh, por zyrtarizimi erdhi në orët e para të mëngjesit të së martës. Ishte vetë administratori Adriano Galliani ai që e telefonoi ish-trajnerin, për t’i komunikuar vendimin e klubit.
Ndryshimi i drejtimit në stol, duket se ishte vendosur prej mbrëmjes së të hënës, gjatë një darke në Arcore të konsumuar ndërmjet presidentit Berlusconi, trajnerit të ri Brocchi dhe vetë Gallianit. Një darkë ku trajneri i ri mori votëbesimin e drejtuesve më të lartë të “Djallit” për të drejtuar ekipin e parë, pasi deri më tani kishte punuar me skuadrën e të rinjve të Milanit.
Në bazë të rezultateve që ekipi do të arrijë deri në fund të sezonit, do të vendoset nëse Brocchi do të vazhdojë punën edhe gjatë edicionit të ardhshëm. Me synimin për të siguruar një vend në Europa League dhe me finalen e Kupës së Italisë për t’u luajtur, gjithçka është për t’u vendosur.

Katër burime nafte dhe gazi për një kompani fantazmë “offshore”

Kur dalja e letrave të Panamasë solli në vëmendje skemat se si dhe pse kanë funksionuar kompanitë offshore, duke fshehur aksionerët e vërtetë dhe burimin e të ardhurave, një transaksion i dyshimtë po ndodh aktualisht në Shqipëri. Continental Oil & Gas (mëma) dhe GBC Oil Company Ltd (bija) kanë deklaruar blerjen e Transatlantic Petroloeum Ltd, kompanisë që shfrytëzon 4 vendburime të njohura nafte dhe gazi në Shqipëri, atë të Ballsh-Hekalit, Gorisht-Koculit dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës. Pas Bankers Petroleum, ky koncesion është prodhuesi i dytë më i madh i naftës në vend.
Të dyja kompanisë, si mëma dhe bija rezultojnë pa eksperiencë në aktivitetet e naftës dhe gazit, ndërkohë që përmes parajsave fiskale (mëma është e regjistruar në Delaware, SHBA) janë fshehur më së miri gjurmët, aq sa autoritetet po e kanë të pamundur që të verifikojnë se cilët janë aksionerët aktualë të pronarit të ri të katër burimeve të rëndësishme natyrore në vend.
Në një situatë të tillë, teksa dhe detyrimet e koncesionarit sa vijnë e rriten, Albpetrol, shoqëria shtetërore e nxjerrjes së naftës, që menaxhon kontratën koncesionare në fjalë, ka filluar procedurën e prishjes së kontratës me Transatlantic, për shkak se nuk janë përmbushur detryrimet kontraktuale. Burimet zyrtare nga Albpetrol kanë pohuar për Monitor se, “Ne jemi detyruar që të nxjerrim aktin, pasi kompania ka dështuar në mënyrë të përsëritur që të shlyeje detyrimet”. Transatlantic i ka mbi 10 milionë euro detyrime Albpetrol.

Historia e kalimit dorë më dorë, përmes skemave offshore

Në vitin 2007, Stream Oil & Gas, një kompani offshore, me origjinë nga Ishujt Cayman fitoi një kontratë 25-vjeçare me qeverinë shqiptare për të shfrytëzuar me koncesion 4 vendburime nafte dhe gazi në Shqipëri, Ballsh-Hekal, Gorisht-Kocul dhe Cakran-Mollajt në naftë, si dhe fushën gazmbajtëse të Delvinës.
Në fund të vitit 2014, kompania u ble nga Transatlantic Petroleum, me seli në Bermuda (destinacion i njohur offshore), që pas një viti e ka nxjerrë sërish në shitje.
Në fillim të marsit 2016, Transatlantik Petroleum Ltd njoftoi shitjen e operacioneve në Shqipëri tek GBC Oil Company Ltd. Më herët një tjetër kompani Continental Oil & Gas kishte njoftuar Autoritetin e Konkurrencës se kishte realizuar një transaksion për blerjen e  Transatlantic Petroleum Ltd. (Shitësi).
Sipas njoftimit të Konkurrencës:
“Në datën 4 shkurt 2016, Autoriteti i Konkurrencës ka marrë njoftimin e transaksionit të realizuar në bazë të “Memorandumit të Mirëkuptimit” i nënshkruar midis Continental Oil & Gas (Blerësi) dhe Transatlantic Petrloium Ltd. (Shitësi), më datë 14 janar 2016, me objekt përftimin të kontrollit e plotë dhe të vetëm, nga Continental Oil & Gas të Stream Oil & Gas Ltd. (Targeti), me anë të përftimit të të gjithë kapitalit aksionar në këtë të fundit.
Veprimtaria e palëve pjesëmarrëse:
– Continental Oil & Gas: një shoqëri e aksionare e Delaware, me seli në 16192 CoastalHighway, Lewes, Delaware, USA;
– Stream Oil & Gas Ltd.: një shoqëri e themeluar sipas ligjeve të British Columbia, ajo është e angazhuar në aktivitetet e eksplorimit, zhvillimit dhe prodhimit të naftës dhe gazit në Shqipëri;
– Transatlantic Petrlium Ltd.: është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar me ofertë publike me seli në Bermuda. Ajo zotëron në Shqipëri degën e saj Transatlantic Albania Ltd.
Nga shqyrtimi i dokumentacionit, rezulton se transaksioni i njoftuar është në përputhje me nenet 2, 10, pika 1, shkronja b), 12, pika 1) të Ligjit. Autoriteti fton palët e interesuara të shprehin opinionet e tyre për transaksionin e njoftuar. Opinionet duhet të paraqiten jo më vonë se 15 ditë nga publikimi i këtij njoftimi”, përfundon njoftimin zyrtar Autoriteti i Konkurrencës.
Nga korrespondenca rezulton që Continental Oil & Gas është kompania mëmë e GBC Oil.

Detyrimet

Në njoftimin zyrtar të shitjes së operacioneve nga Transatlantik Petroleum Ltd te GBC Oil Company Ltd. Në 4 mars 2016, bëhet e ditur se shitja tek GBC Oil është bërë në këmbim të pagimit të një huaje prej 2.3 milionë dollarë tek Banka Raiffeisen dhe marrjes përsipër të 29.2 milionë dollarë detyrime të kompanisë, që përbëhen nga 23.1 milionë dollarë llogari të pagueshme dhe 6.1 milionë dollarë borxh. Për gazin e Delvinës, Transatlantic njofton se ia ka kaluar asetet dhe detyrimet prej 12.9 milionë dollarë të lidhura me të tek Delvina Gas Company Ltd. (“DelvinaCo”), një kompani e re, në pronësi po të Transatlantic.
Që në momentin e deklarimit të shitjes, Albpetrol bëri të ditur se nuk e miratonte transaksionin në rast se kompania nuk shlyente borxhet (rreth 10 milionë dollarë vetëm ndaj Albpetrol) dhe së dyti, blerësi duhet të ishte një kompani me eksperiencë.

Rreziku i monopolizimit të gazit dhe marrja e 80% të burimeve të naftës

Pas GBC Oil (që mësohet se janë inicialet e Gorish-Ballsh-Cakran) është konstatuar nga autoritetet se qëndrojnë të njëjtën aksionerë të shoqërisë Phoenix Petroleum, që në vitin 2013 ka marrë 9 burime nafte me koncesion. Tashmë, kompania po synon të marrë dhe 4 të tjera, duke zotëruar 13 vendburime, nga 16, që ka gjithsej Albpetrol, (kompania shtetërore, që menaxhon këto burime) dhe duke u bërë monopol i burimeve të gazit.

Skemat offshore të ligjëruara

Ministria e Industrisë dhe Ekonomisë ka sqaruar se në bazë të parashikimeve të legjislacionit në fuqi, konkretisht Ligjit Nr. 7746, datë 28.7.1993 “Për hidrokarburet”, të ndryshuar,  në bazë të së cilit rregullohen procedurat e përzgjedhjes dhe nënshkrimit të Marrëveshjeve Hidrokarbure, lidhur me kryerjen e operacioneve të kërkimit dhe zbulimit të hidrokarbure si dhe Ligjit Nr. 9901, datë 14.4.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, nuk parashikohet asnjë kufizim përsa i përket vendndodhjes së aksionarëve të shoqërive me të cilat nënshkruhen Marrëveshje Hidrokarbure apo transferimit të kuotave të aksioneve nga një subjekt tek tjetri.
Në këtë kuptim, në bazë të legjislacionit në fuqi, MEI nuk ka anjë të drejtë ligjore, që të vendosë kushte që kufizojnë vendndodhjen e aksionarëve të këtyre shoqërive apo të drejtën e disponimit lirshëm të aksioneve.
Është fakt i ditur që pjesa më e madhe e kontratave hidrokarbure në Shqipëri, por edhe jashtë saj janë nënshkruar me shoqëri, aksionerët e të cilave janë të regjistruar në vendet e njohura si “offshore”, ka pohuar Ministria e Industrisë dhe Energjisë.