26.5 C
Tirana
E martë, 29 Korrik, 2025

Papunësia sfidë, arsye e largimit të të rinjve nga Shqipëria

Arben MUKA

Elona, është një 24-vjeçare që jeton prej 5 viteve bashkë me familjen e saj në Tiranë. Ka mbaruar shkollën e lartë për gjuhën angleze dhe ende nuk ka nisur një punë stabël. Ka punuar për tre muaj në një call-center, është angazhuar më herët me kohë të pjesshme me përkthime në një projekt të huaj mbi kreditimin e bujqësisë, ndërkohë që prej rreth 6 muajsh është në kërkim të një vendi pune. “Kam kryer kursin e plotë të kompjuterit, kam njohuri shumë të mira në frëngjisht dhe italisht dhe nuk po arrij të gjej dot punë. Kam bërë 14 aplikime deri më tani dhe vetëm 2 prej tyre më kanë treguar se jam në listë pritjeje, por të them të drejtën mendoj se ma kanë thënë për kortezi dhe nuk kam shpresë. Kurse të tjerat as që më dhanë një përgjigje”.
Elona nuk është e vetme me problemet e saj të punësimit. Jo vetëm në Tiranë, por në çdo zonë të vendit papunësia në radhët e të rinjve mbetet ende shqetësuese. Kjo bie dhe më shumë në sy dhe jep një impakt shumë negativ në një vend si Shqipëria me një moshë të re mesatare, krahasuar me shumicën e shteteve të tjera të kontinentit. Këtë e ka konstatuar dhe një studim i publikuar këto ditë nga Komisioni Europian, ku evidentohet se niveli i papunësisë në grupmoshën 15-29 vjeç është 32.2%. Kuptohet që sa më shumë të lëvizësh nga zonat urbane në ato rurale të Shqipërisë kjo kuotë është edhe më e madhe.

Punëkërkues pa profesion dhe vetëm me arsim 9-vjeçar

Para disa ditësh në Tiranë u hap një panair pune, një akord i përsëritur prej dy vitesh mes Ministrisë së Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Bashkisë së kryeqytetit dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë. Kjo hapësirë interaktive për shpalljen e vendeve të lira të punës nga rreth 130 sipërmarrje në disa sektorë, u shfrytëzua nga qeveria për ta përshkruar rozë aspektin e zbutjes së papunësisë në vend. Organizatorët e panairit artikuluan, se në dispozicion të punëkërkuesve ishin rreth 8 mijë vende pune të orientuara në telekomunikacion e shërbime, industrinë përpunuese, sektorin e ndërtimit, sektorin bankar, sektorin e sigurimeve etj.

Krijimi i papunësisë ciklike

Prof. Kosta Barjaba, autor i dy botimeve studimore “Kurthet e papunësisë” dhe “Migrimi i varfërisë”, mendon se në Shqipëri hendeku midis papunësisë së popullsisë së rritur dhe papunësisë rinore është i thellë për shkak të disa rrethanave. Ai pëmend faktin se hapja e vendeve të punës gjatë 25 viteve të fundit ka qenë minimale, ndërkohë që dhe në periudhat me rritje ekonomike të vrullshme, kjo rritje nuk ka prodhuar vende të reja pune. Kjo rrethanë ka prodhuar papunësinë ciklike, thotë për “Deutsche Welle”-n Prof. Kosta Barjaba.
“Sipërmarrjet shqiptare kanë pasur një stepje për të pranuar punëtorë në moshë të re, për shkak të mungesës së përvojës dhe kostove të shtuara që kërkon formimi i tyre. Gjithashtu është konstatuar edhe një asimetri mes nevojave të tregut për punëtorë të rinj dhe sektorëve ku formohej rinia. Pra, nuk është përputhur kërkesa për punëtorë me ofertën që prodhonte sistemi i formimit dhe arsimit në Shqipëri. Ne i kemi ofruar rinisë kryesisht një ofertë universitare, e cila thjesht e ka maskuar dhe spostuar papunësinë rinore disa vite. Por edhe kur kemi pasur oferta formimi, ato kanë qenë të vjetëruara dhe të pakërkuara nga tregu. Kjo ka prodhuar papunësinë strukturore. Por vajzat dhe djemtë e rinj i ka mbajtur jashtë tregut edhe dëshira për t’u punësuar në sektorin publik dhe më pak në atë privat”.
Në arsyetimin e Prof. Barjabës, reduktimi i papunësisë rinore ciklike arrihet përmes orientimit të ekonomisë drejt modelit që hap vende të reja pune, sidomos ndaj shfrytëzimit të pasurive natyrore dhe avantazheve të vendit. Ndërsa për të reduktuar papunësinë strukturore, duhet të thellohet kthesa që ka nisur në modernizimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional, duke tërhequr në këtë “betejë” edhe sipërmarrjen.
“Sektori privat duhet të ndërgjegjësohet se investimi për formimin dhe arsimin nuk është barrë, por investim. Kjo duhet të synojë afrimin e rinisë me teknologjitë e reja, por edhe do të zgjerojë kapacitetet e tregut për të thithur fuqi punëtore të re. Ndërsa papunësia friksionale, e cila karakterizon të rinjtë me arsim modest, mund të reduktohet nëpërmjet rritjes së fuqisë së tregut të shërbimeve publike e private të punësimit”.

Partneritet ende i dobët biznes-shkollë-universitet

Edhe Vladimir Thano, sekretar i përgjithshëm i organizatës “PRO~YOUTH” përmend si një nga problemet më të dukshme orientimin e të rinjve më shumë për punësim në sektorin publik, duke e konsideruar punën në administratë si koncept i sigurisë maksimale. Kjo sipas tij, i ka orientuar ata të aftësohen më shumë në fushën e shkencave shoqërore apo ekonomiko-juridike. Me këtë mendësi janë dhe familjet e tyre, thotë për “Deutsche Welle”-n Thano.
“Orientimi prindëror është shumë i rëndësishëm dhe i lidhur ngushtësisht me perspektivën e punësimit nesër. Shkolla gjithashtu, ato të sistemit parauniversitar duhet të forcojnë më tej jo vetëm në nivel këshillues, por edhe stimules pjesëmarrjen e të rinjve në prekjen e biznesve në komunitet, orientim më të mirë të të rinjve në lidhje me pozitën gjeografike dhe ekonomike të fshatit apo qytetit, e lidhur kjo në funksion të punësimit ose vetëpunësimit. Institucionet shtetërore, organizatat e shoqërisë civile, partitë politike, por dhe mediat duhet të jenë më të sinqerta në orientimin e punësimit të sigurtë, pasi shumë të rinj sot ndodhen jo në vendin e punës së diplomuar, por në ‘call center’. Një pjesë e madhe disponojnë diploma, por puna që bëjnë në realitet është diçka tjetër e nëse ky është realiteti që pranojmë të gjithë, por nuk e themi, atëherë duhet të ndryshojmë orientim”.
Për Vladimir Thanon, lidhja biznes-shkollë-universitet është një partneritet ende i dobët dhe nuk ka programe në nivel kombëtar se si mund të sinkronohen dhe integrohen me njëri-tjeterin. “Dhomat e Tregtisë gjithashtu mendoj se, mund të ndihmonin në këtë proces sëbashku me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Mirëqënies Sociale dhe Rinisë për të pasur një program shkëmbimi biznes-shkollë ose biznes-universitet”.
Irena Topalli është menaxhere e programeve edukative pranë organizatës “Përtej Barrierave”, e fokusuar në gjithëpërfshirjen sociale të të rinjve, duke promovuar vlerat dhe praktikat e punës vullnetare të strukturuar dhe edukimit jo-formal si metodologji alternative për të rritur aftësitë kyçe tek të rinjtë. Ajo vlerëson se niveli i lartë i papunësisë në radhët e të rinjve mbetet edhe shqetësues, por dhe një çështje pak e investiguar dhe e raportuar. Të pasurit e një apo disa diplomave, sot është kthyer në një lloj “statusi” mes të rinjve, shprehet ajo për “Deutsche Welle”-n.
“Por në realitet këto diploma universitare nuk u sigurojnë atyre aftësitë përkatëse që kërkon tregu i punës, përkundrazi rrisin presionin mes bashkëmoshatarëve. Po ashtu të rinjtë e diplomuar kryesisht shpresojnë të punojnë të profilin e tyre të studimit dhe tregohen selektiv ndaj alternativave të tjera. Në vendin tonë tashmë është kthyer në mit, fenomeni i të punuarit në shtet, ndërkohë që ky është një aparat i mbylluar ndaj shumicës së të rinjve dhe nuk përbën as zgjidhjen e problematikës. Arsimi profesional, ndërkohë është i lënë pas dore dhe nga vetë të rinjtë, të cilët nuk preferojnë të bëjnë “punë të dorës së dytë” apo ato me aktivitet fizik më të lartë”.
Irena Topalli nga organizata “Përtej Barrierave” nxjerr në pah dhe një fenomen, të cilin e konsideron si shqetësues në aspektin social: ndryshimin e sistemit të vlerave të punës, të edukuara që në familje në moshë të hershme e më pas në sistemin arsimor. Për ta zbutur sadopak këtë fenomen, sipas saj duhet stimuluar angazhim edhe më i madh në punë vullnetare, praktika apo internshipe për të rinjtë, që do të ishin një reduktues i numrit të lartë të të papunëve dhe do t’i jepte vlerën e merituar punës dhe çdo lloj profesioni.
“Gjithashtu arsimi profesional dhe nxitja e biznesit social si dhe aftësive të sipërmarrjes së të rinjve do të zhvillonin terrenin alternativ për të zbutur shifrat e larta të papunësisë. Në aspektin social, papunësia mes të rinjve nuk është vetëm problemi i të papunëve përkatës, por ajo është edhe problemi i familjeve të tyre dhe të shoqërisë, në përgjithësi. Dështimin për të gjetur punë çon në mos vlerësimin e kapitalit njerëzor, por edhe në rritjen e rrezikut të disa problemeve si: stresi, depresioni, dhe ulja e vetëbesimit.
Derisa problemet në tregun e punës në Shqipëri të mund të kapërcehen dhe konceptet e parashtruara në teori të bëhen realitete, kjo është shumë vonë për rininë e sotme, që kërkon zgjidhjen me largimin nga vendi. 24-vjeçarja Elona tregon për “Deutsche Welle”-n se bashkë me të dashurin e saj, edhe ai pa një punë të rregullt, po planifikojnë të ikin jashtë vendit, në një nga vendet e BE-së. “Duhet të kishim ikur më parë, por i dashuri im ka njërin prej prindërve shumë të sëmurë dhe kjo na ka frenuar. Ndryshe këtu në Shqipëri nuk kemi shpresë se mund të punojmë dhe të jetojmë normalisht. Kështu do të mund të ndihmoj dhe familjen time me 6 vetë, që jeton me shumë vështirësi këtu në Tiranë në një banesë të vogël me qira”.

Mziu pret drejtuesin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”

Drejtuesi i Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”Frank Hantke: Kamza përcaktohet si sinonim i Shkollës Profesionale, vazhdon të frekuentohet e nga e gjithë Shqipëria

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti në një takim drejtuesin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z. Frank Hantke. Ky takim u zhvillua pas veprimtarisë me temë “Evropian për së mbari – Aktivizmi rinor si vlerë evropiane” zhvilluar në Pallatin e Kulturës Kamëz, në të cilin pjesë morën pjesë z. Mziu dhe Hantke. Pasi falënderoi drejtuesin e fondacionit “Friedrish-Ebert-Stiftung” për këtë vizitë, Mziu tha se Kamza ka nevojë për shumë gjëra, ka nevojë për imazh, për një tullë të vendosur nga çdo aktor i rëndësishëm i përfaqësisë evropiane.
“Kamza ka nevojë për shumë gjëra, ka nevojë për imazh, për një tullë të vendosur nga çdo aktor i rëndësishëm i përfaqësisë evropiane dhe në këtë kontekst ju jeni ambasador i qytetit për kontributin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me institucione prestigjioze. Kamza ka nevojë për infrastrukturë të gjerë, përfshirë çdo lloj investimi”, u shpreh kreu i Bashkisë, duke shtuar: “Dua të theksoj se para disa ditësh festuam 20-vjetorin e Bashkisë dhe ne kujtojmë që kjo zonë deri në vitin 1990 ka qenë një zonë bujqësore, ndërsa tani 90% kjo zonë është kthyer në zonë urbane dhe për këtë arsye zona ka nevojë për investime, theksoi kryebashkiaku Mziu në këtë takim.
Edhe pse janë bërë investime në Kamëz, nga më të rëndësishmet, përsëri në Kamëz duhen ndërhyrje, pasi ritmi i investimeve është qëllimi në vetvete që ka institucioni për të përmirësuar, qoftë infrastrukturën, por edhe cilësinë e jetës së qytetarëve”. Kryebashkiaku Mziu theksoi gjatë takimit se mbetet i hapur për bashkëpunim çdo ditë për të përfituar institucionalisht projekte dhe investime për nevojat e qytetarëve. Mziu theksoi gjithashtu se zhvillimi i Kamzës do të impulsojë pozitivisht edhe zhvillimin e Tiranës. Zhvillimi i bizneseve të vendosura përgjatë kufirit ndarës me Tiranën do të ndikojë pozitivisht dhe në anën e kryeqytetit për shumë e shumë arsye.
Ndërkaq, drejtori i fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, Frank Hantke, u shpreh: “E kam bërë në njëfarë mënyre detyrën e ambasadorit në Kamëz, pasi unë kam vizituar qytetin e Kamzës edhe herë të tjera. Kamza përcaktohet si sinonim i Shkollës Profesionale. Ndërsa sot po bëhet një politikë e gjerë për shkollat profesionale, në Kamëz vazhdon të frekuentohet Shkolla Profesionale nga e gjithë Shqipëria”.
Hantke foli edhe për kalimin e kompetencave nga pushteti qendror drejt atij vendor. “Problem mbetet kalimi i kompetencave nga niveli qendror në atë vendor. Për sa kjo vazhdon të ndodhë, ky do të jetë një problem mjaft madhor për qeverisjen vendore dhe aq më tepër për qytetarët, pasi pushteti vendor është qeverisja më pranë qytetarëve. Të drejtat dhe shërbimet janë aktet themelore ku duhet përqendrohet qeverisja vendore”, u shpreh Hantke, duke vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme të z. Mziu për komunitetin e Kamzës. Në fund të dyja palët u shprehën se mbeten të hapur për bashkëpunim të gjerë në të ardhmen, si në organizimin e takimeve me në qendër rininë ashtu edhe për tema të tjera dhe çështje me interes të ndërsjellë.
Mziu ne takimin “Evropian për së mbari – Aktivizmi rinor si vlerë evropiane” mbajtur ne pallatin e Kultures Kamëz
Para takimit me drejtuesin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z. Frank Hantke së bashku me të, kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ishte i pranishëm në një veprimtari zhvilluar në Pallatin e Kulturës Kamëz, organizuar nga grupi i aktivistëve “ATA”, nga EU Policy Hub në bashkëpunim me projektin “Lëviz Albania”, fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung”. Ky aktivitet i ideuar në formën e një takimi kishte temën “Evropian për së mbari – Aktivizmi rinor si vlerë evropiane”. Takimi, i cili përkonte edhe me 9 Majin, Ditën e Evropës, kishte si për qëllim nxitjen e debatit për rritjen e angazhimit rinor dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në forcimin dhe promovimin e bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe pushtetit vendor.
Po ashtu takimi synonte krijimin dhe lehtësimin e mënyrave të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrësve gjatë hartimit të politikave rinore në nivel vendor. Në panelin e sesionit të parë të takimit, i cili moderohej nga z. Admir Malaj, anëtar i Forumit të Politikave të Integrimit / EU Policy Hub, merrnin pjesë kryebashkiaku i Kamzës, z. Xhelal Mziu; drejtuesi i fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung” në Tiranë, z. Frank Hantke; si dhe z. Nebi Bardhoshi, antropolog. Drejtuesi i fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z. Hantke, foli për rolin e grupeve rinore në qeverisjen vendore, si vlerë e shtuar për përmirësimin e qeverisjes vendore, ndërsa z. Bardhoshi pati një kumtesë interesante me titull “A mund të jesh evropian nëse jeton në Kamëz?”
Ndërkaq, kryebashkiaku Mziu foli për përfshirjen e grupeve rinore në qeverisjen vendore. “Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe për organizimin e këtij takimi te Pallati i Kulturës. Kjo pjesë e këtij paneli, me këtë përbërje, më sjell ndërmend grupimet e vogla që bënim në vitin ‘90 për përmbysjen e regjimit të asaj kohe dhe kuptohet rinia është jo vetëm për mua, por për këdo forca kryesore e cila promovon të renë”, u shpreh ndër të tjera Mziu, duke shtuar: “Kamza para 10 ditësh festoi 20-vjetorin e formimit si një qytet, qyteti më i ri i Shqipërisë, por edhe qyteti më i ri i Evropës.
Besoj se kjo është produkt i ndryshimeve që ndodhën në vitin ‘90 dhe produkt i pluralizmit e i përparimtares dhe sot Kamza jo vetëm që feston 20-vjetorin e saj, por është qyteti më i ri i Shqipërisë për nga mosha, ku dominojnë të rinjtë dhe unë, duke qenë edhe pjesë e viteve ‘90, vazhdimisht jam i interesuar për të qenë bashkë me të rinjtë për ta ndryshuar Kamzën, jo vetëm për shkak të moshës, por edhe për shkak të diversitetit, ashtu siç është edhe veprimtaria e sotme, të cilën e konsideroj një vlerë të shtuar për rininë, por edhe për qytetin”.
Më tej z. Mziu tha: “Duke qenë një pjesë e rëndësishme e Kamzës, rinia ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm këto vite që kanë kaluar, por jam i sigurt që kontributi i saj do të jetë edhe më i madh në vitet që do të vijnë. Prandaj unë e kam konsideruar një partner, pasi Kamza ka nevojë për të rinjtë”. Ndër të tjera, z. Mziu tha se mbetet i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me të rinjtë e qytetit për të gjitha problemet, shqetësimet apo organizimet dhe pjesëmarrjet e tyre si në veprimtari të ndryshme, ashtu edhe për përfshirjen e tyre në vendimmarrjen vendore.

Nuk votoj asnjë reformë pa e lexuar

Jozefina TOPALLI

Kur një kryeministër e konsideron popullin e vet dele, natyrisht që të tjerët, nuk kanë pse të kenë respekt për të. Po ndodh ajo që nuk ka ndodhur asnjëherë, shkohet në komisionet parlamentare dhe i kërkohet që të bëhet reformë dhe kërkohet që të shkojnë te grupet parlamentare diplomatë të huaj dhe t’i tregojnë se duhet të bëjnë reformë. A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet që ambasadorë të huaj të shkojnë në komisionet parlamentare dhe të marrin fjalën? A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet apo në 125 vjet që ambasadorë të huaj të kërkojnë të marrin pjesë në grupet parlamentare? Kurrë! Kurrë!
Nga viti 1912, kur është bërë ky shtet shqiptar, me të gjitha peripecitë e tij, uljet dhe ngritjet, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pse ndodh tani? Sepse jemi këta që jemi. Sepse kryeministri i vendit tim na thotë neve barbarë, gënjeshtarë pse themi që në grupin e tij apo te mazhoranca ka kriminelë.
Çfarë ndodhi dje? A nuk tha vetë Mark Frroku që për shkak të uljes së dënimit, po, unë kam vrarë? Ne jemi barbarë, ai që futi në listë vrasësit, jo, ai ka të drejtën të na thotë ne barbarë. Po pse të mos kërkojnë ata të vijnë në komisionet dhe grupet parlamentare? Të vijnë këtu te unë, ku jam unë sot, apo ku jeni ju e t’ju kërkojnë se çfarë duhet bërë.
Problemin e kemi me veten. Shqiptarët nuk janë dele, por natyrisht e kanë një shqetësim: sa më të varfër dhe të intimiduar, aq më të vështirë e kanë për të gjetur rrugën e tyre.
Ka një shprehje tjetër: “Heshtja është mafia”. Këto janë tri fjalë të thëna shumë vite më parë dhe ishte 19 korrik 1992. Një burrë, një shërbëtor i madh i shtetit, edhe pse e dinte që ishte një i vdekur që ecte, zgjodhi për të qëndruar në vendin e tij, në Palermon e tij për të vazhduar deri në fund betejën që ai dhe kolegu i tij, Giovani Falcone, kishin nisur pa u ndalur. Ky quhej Paolo Borselino.
E them sot, e kam thënë dje, do ta them nesër dhe pasnesër, ne nuk kemi nxjerrë ndonjë Paolo Borselino, as Giovani Falcone, por ne kemi njerëz me kurajë që thyejnë heshtjen, heshtjen e mazhorancës në këtë Parlament për të përmendur me emër dhe me mbiemër ata që vrasin, ata që u çojnë gjoba biznesmenëve, ata që kërcënojnë rektorët, ata që kërcënojnë fëmijët e rektorëve, ata që ju marrin gjoba ju biznesmenëve, që s’keni kurajë për të folur, e ju rektorëve që nuk keni kurajë për të folur.
Ende ka ndonjë deputet këtu, që ka kurajën për të thënë: qeveria, ministri apo Kryeministri kërkojnë të fshehin gjurmët apo të deformojnë gjurmët e atyre që Europoli i kërkon në vende të tjera, që janë dënuar me vdekje, por që ikën me ndihmën e mbylljes së syrit të ministrit, Kryeministrit, policisë e të tjerëve.
Nuk kanë të drejtë ambasadorët që të kërkojnë të flasin grupet tona parlamentare? Po, more zotëri, kanë të drejtë, sepse ky nuk është një Parlament përfaqësues, sepse nuk mund të jetë kurrë përfaqësues një njeri që ka vrarë; nuk mund të jetë kurrë përfaqësues i shqiptarëve një njeri që merret me trafikun e qenieve njerëzore; nuk mund të jenë kurrë përfaqësues të shqiptarëve, njerëz të cilët kanë probleme të thella morale.
Është e vërtetë që ekziston dhe po jetojmë një epope imoraliteti, krize identiteti, krize përfaqësimi, por brenda partive, forcave të ndryshme politike, dhe pastaj e gjitha përfaqësohet këtu.
Prandaj nuk është koha për të heshtur, nuk është koha për të bërë konformistin dhe as nuk është koha për t’u kërrusur. Është koha për t’i thënë ca gjëra ashtu siç janë, me thjeshtësinë e tyre, përballë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky vend nuk mund të ecë më kështu përpara.
Ky vend nuk ka nevojë vetëm për reformën e drejtësisë, jo, do të isha e pandershme dhe e padrejtë. Unë, sigurisht, që jam për Reformën në Drejtësi, por s’jam kurrë për reformën e drejtësisë për ta lexuar e votuar, pa e parë dhe pa e studiuar. Unë mendoj se ky vend, mbi të gjitha, ka nevojë për lehtësim për biznesin, ka nevojë për punësim, ka nevojë për t’i dhënë shpresë brezit të ri për të gjetur një vend pune, për të punuar me djersë e me mund e për të ndërtuar jetën. Ky vend ka nevojë për njerëz që e duan dhe jo për njerëz që përdorin të fortët, paranë dhe mafien për të konsoliduar pushtetin e tyre, dje në 2013-ën apo nesër në 2017-ën.
Është momenti që secili prej nesh të bëjë zgjidhjen përfundimtare, në mënyrë që të mos shkojmë tek 2013-a, të mos shkojmë tek ‘44-a dhe të mos qëndrojmë tek 2016-a”.

Vdekja e dy fëmijëve, një vrasje e paralajmëruar e Ramës

Babai i dy fëmijëve që humbën jetën në aksident pasditen e të shtunës në Kavajë ishte arrestuar nga policia për ndërtim të paligjshëm dhe ndodhej në burg prej 3 muajsh. Policia e Ramës dhe Tahirit arreston njerëz hallexhinj pse ndërtojnë një oxhak pa leje apo riparojnë çatitë e shtëpive dhe le të lirë miqtë e zyrtarëve të lartë që ndërtojnë pa leje në mes të Tiranës dhe qyteteve të tjera të vendit. Arrestojnë hallexhinjtë pse ndërtojnë një nevojtore në fshat dhe lënë të lirë banditët dhe kriminelët që vrasin në mes të ditës. Vitin e kaluar një qytetar nga Lushnja u vetëvar në burg pasi ishte arrestuar vetëm për 30 mijë lekë të vjetra për energjinë elektrike. Ky është shteti që po ndërton Rama dhe “Rilindja” e tij. Arresto hallexhinjtë dhe mbështet banditët dhe kriminelët për të vrarë dhe për të mbajtur nën terror qytetarët.
Një nga këta njerëz hallexhinj që u burgos sikur të ishte bandit vetëm pse po riparonte shtëpinë e tij në fshat, ishte edhe Sokol Negollari. Sokol Negollari, banues në fshatin Gërmenjë Kavajë rezulton se është prangosur më 5 shkurt të këtij viti, ndërsa hetimet ndaj tij kishin nisur në janar. Ai ndodhej prej tre muajsh në burgun e Rrogozhinës.
Bashkëshortja po shkonte në Burgun e Rrogozhinës për të takuar të shoqin së bashku me tre fëmijët. Mirëpo pësoi aksident me makinën e saj dhe si pasojë, dy fëmijë humbën jetën. Dy fëmijët që humbën jetën ishin të moshave 3 dhe 5 vjeç, ndërsa fëmija 1 vjeç fatmirësisht mundi të mbijetojë së bashku me të ëmën Silva Negollari.
Të dielën në shoqërinë e eskortës së sigurisë së burgjeve Sokol Negollari është dërguar në banesën e tij për të kryer ceremoninë mortore dhe pas përfundimit të mortit, ai do të kthehet për procedurë në paraburgim, ku do të ekzekutohet masa e re e sigurisë ajo e detyrim paraqitjeje. Pas aksidentit tragjik, Prokuroria ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të tij. Bëhet e ditur se Gjykata i ndryshoi atij masën e sigurisë në detyrim paraqitje.
Ndërkohë, pas aksidentit të së shtunës Prokuroria e Kavajës ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit. Nëse barrierat anësore të rrugës Plepa-Kavajë nuk do të ishin të shkëputura për një pikë karburanti, aksidenti i të shtunës në Qerret të Kavajës nuk do të kishte bilanc tragjik për familjen Negollari që humbi dy fëmijë. Prokuroria e Kavajës po heton këtë rast, pasi dyshon se siguria e rrugës Plepa-Golem u cënua për një karburant. Ndërsa drejtuesit e mjeteve e quajnë ngjarjen, një vrasje me paramendim. Vdekja e dy të vegjëlve që udhëtonin me nënën e tyre, i ka tronditur udhëtarët në rrugën Plepa-Kavajë. Shkaqet e aksidentit ata i gjejnë tek ndërprerja e barrierave anësore. E gjitha ka ndodhur që kjo hapësirë t’i shërbejë pikës së karburantit. Dhe për këtë fakt, Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve përgjegjëse për kontrollin e sigurisë rrugore ka heshtur.
Anësorja mbrojtëse prej metali i hyri në mes makinës ku udhëtonte 24-vjeçarja me 3 fëmijët duke shkaktuar vdekjen e dy prej tyre. Investimi në segmentin Plepa-Kavajë ka përfunduar prej kohësh, por elementët e sigurisë mungojnë. Për këtë arsye referuar situatës, Prokuroria e Kavajës nisi një hetim për aksidentin. Hetuesit  dyshojnë se shkak për humbjen e dy jetëve është bërë mosplotësimi i rrugës me elementë të sigurisë. Pjesë e hetimit do të jetë jo vetëm mospërmbushja e detyrës nga autoritetet shtetërore, por edhe arsyeja e lënies së kësaj pjese pa mbrojtëse. Sikurse pakujdesia e nënës së dy fëmijëve viktima, Silva Negollari 24 vjeçe është një nga shkaqet e aksidentit horror.

Hetimet e Prokurorisë: Aksidenti në Kavajë u shkaktua për një karburant

Prokuroria e Kavajës dyshon se shkak i aksidentit në Kavajë ku humbën jetën dy fëmijë është shkaktuar për shkak të mos vendosjes së mbrojtëseve metalike anës së rrugës. Prokuroria e Kavajës po heton për këtë rast. Dy kalime nga autostrada Plepa-Golem në rrugën dytësore në krah të djathtë janë lënë qëllimisht për të favorizuar këtë pikë karburanti. Prokurorët që po mbledhin të gjitha provat dhe shkresat zyrtare mbi sigurinë e kësaj rruge, dyshojnë se kjo ka qenë arsyeja që Autoriteti Rrugor Shqiptar e ka marrë në dorëzim rrugën edhe pse ishte cënuar një element i rëndësishem i sigurisë rrugore.
Për këtë arsye, Autoriteti Rrugor Shqiptar është institucioni që po hetohet për këtë rast. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se, është regjistruar procedimi penal për akuzën e shpërdorimit të detyrës, pasi ka dyshime se ky institucion nuk ka zbatuar rregulloren në aksin rrugor ku ndodhi aksidenti. Burimet sqarojnë se ka mungesë të thesuar të sinjalistikës rrugore çka ka sjellë dhe aksidentin fatal.
Mbrojtësja metalike, sipas Prokurorisë së Kavajës, nuk duhet të ishte e ndërprerë në asnjë rast, në një rrugë ku shpejtësia maksimale e lejuar është 100 kilometër në orë. Por edhe sinjalistika në lidhje me shpejtësinë po hetohet. Vetëm në vendin ku mbrojtësja nuk është vendosur, shpejtësia është 60 kilometër në orë.
Dhe ky nuk është rasti i vetëm mbi të cilin Prokuroria po heton drejtuesit e Autoritetit Rrugor. Drejtori i saj Dashamir Xhika është kallëzuar nga KLSH për akuzën e shpërdorimit të detyrës, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm pre 5 milionë eurosh. Dëmi ka ardhur kryesisht nga mungesa e supervizimit në zbatimin e projekteve të infrastrukturës rrugore.
Në sitën e hetuesve për aksidentin e të shtunës do të kalojnë dhe veprimet e kompanisë që ka ndërtuar këtë pjesë të rrugës, nëse ajo nuk e ka vendosur me iniciativë të saj mbrojtesën anësore pranë këtij karburanti, apo i është kërkuar nga drejtuesit e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Transporteve.

Shkelja e standardeve të sigurisë, Ministria hesht përballë skandalit

Edhe pse i vënë në qendër të akuzave si shkaktar i aksidentit të rëndë të së shtunës me pasojë vdekjen e dy fëmijëve, Autoriteti Rrugor Shqiptar refuzon të shpjegojë se përse nuk është vendosur mbrojtësja metalike në autostradën Plepa-Golem, pranë këtij karburanti. “Shqetësimit të ngritur nga Televizioni “Klan” për sigurinë rrugore drejtuesit e Autoritetit iu përgjigjen, duke cituar ligjin, i cili kërkon dorëzimin me shkrim të kërkesës për informim. Ne e dorëzuam kërkesën, sipas ligjit. Po ky institucion, a e ka zbatuar ligjin, kur ka menduar të lërë pa mbrojtëse anësore një autostradë, duke cenuar sigurinë rrugore, vetëm për të favorizuar dy karburante, siç dyshon Prokurori”?
Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, në nenin 14 dhe 37 përcakton qartë përgjegjësitë e Autoritetit Rrugor. Neni 37 thotë që vendosja dhe mirëmbajtja e sinjalizimit rrugor është në ngarkim të enteve pronare të rrugës. Ndërsa neni 14 thotë se, entet pronare të rrugëve kanë për detyrë garantimin e sigurisë dhe rrjedhshmërisë së qarkullimit.
Pas refuzimit të autoritetit rrugor ne iu drejtuam Ministrisë së Transporteve, dikasterit që e ka në vartësi. Por edhe këtu nuk morëm përgjigje. “Edhe Ministria e Transporteve hesht për shkeljen e standardeve të sigurisë në autostradën Plepa-Golem. Zyrtarisht ky dikaster thotë se do të presë përcaktimin e shkaqeve nga Policia Rrugore, pasi dyshon se aksidenti ka ardhur si pasojë e shpejtësisë. Por pyetja që i drejtohet Ministrisë së Transporteve është: A do kishin humbur jetën dy fëmijë nga hekuri i mbrojtëseve nëse mbrojtëset nuk do të ishin ndërprere?”, shprehet gazetarja e Tv “Klan”. Ekspertë rrugorë thonë se është detyrim ligjor pajisja e autostradave me barriera mbrojtëse.
Lënia e një shtegu të tillë, si ky ku ndodhi aksidenti i së shtunës, sipas ekspertëve kërkon, kufizimin e shpejtësisë në 40 km, një sinjalistikë të fortë paralajmëruese për rrezikun që paraqet dhe pajisje të veçantë të hekurave anësore që mundësojnë zbutjen e efektit fatal prerës në rast aksidentesh, siç rezultoi me dy fëmijët dy ditë më parë.

R.POLISI

Vendi nën terror, vrasja e biznesmenit pa autorë!

Vrasja e biznesmenit të ndërtimit të dielën në Durrës tregoi edhe një herë se vendi ndodhet nën terrorin e krimit. Vrasja në Durrës u krye vetëm 5 ditë pas ekzekutimit të ndodhur në mes të Tiranës tek ish-Blloku, në një zonë ku forcat e policisë janë të shumta në numër. Banditët veprojnë në mes të ditës dhe në mes të qytetit pa iu trembur policisë, ndërsa pasiguria e qytetarëve për jetën shtohet çdo ditë e më tepër.
Ndonëse kanë kaluar 48 orë nga ekzekutimi i tipit mafioz në qytetin bregdetar, ende nuk ka asnjë të arrestuar nga policia. Menjëherë pas vrasjes, Policia e Durrësit deklaroi se viktima ka qenë me precedentë penalë, pa dhënë asnjë detaj se si u krye vrasja në zonën e plazhit, një zonë mjaft e populluar dhe pse nuk u zbuluan autorët.
39-vjeçari Shpëtim Shala u gjet i ekzekutuar në lagjen 13 në Durrës të dielën brenda makinës së tij nga kalimtarë të rastit. Ngjarja ka ndodhur në një zonë të populluar të plazhit të Durrësit. Viktima u qëllua nga afër me 15 plumba, nga të cilat 6 e kapën vetëm në kokë. Autori kishte përdorur një armë ‘Scorpions’ me silenciator, pasi nuk u dëgjuan të shtëna arme.
Sipas burimeve, biznesmeni ishte ndjekur dhe vëzhguar nga vrasësi, i cili priti momentin që Shpëtim Shala të ishte vetëm. Policia deklaroi pas vrasjes se, viktima ka qenë njeri problematik, ndërsa banorë të ndryshëm e përshkruajnë si një njeri të qeshur dhe që nuk njihej si person problematik në Durrës.
Ndërkohë policia bëri të ditur dje se, Shpëtim Shala 39-vjeçari nga Durrësi mund të jetë vrarë për shkak të një konflikti 6 ditë më parë si pasojë e një borxhi të pashlyer me një tjetër person. Burime nga policia bëjnë me dije se është grumbulluar informacion se 5 ditë para vrasjes, Shala është konfliktuar fizikisht me një shtetas tjetër, i cili sipas të dhënave pretendonte se 39-vjeçari i kishte një shumë prej 10 mijë euro borxh, të marra disa kohë më parë në një prej vendeve të Bashkimit Europian.
Kjo është pista kryesore e hetimit, ndërsa nuk janë lënë jashtë vëmendjes dhe pista të tjera siç është ajo e prishjes së pazareve të drogës, por për institucionet ligjzbatuese, Shala nuk ishte person problematik, apo me tendenca kriminale.
Në 17 mars në vitit 2011 Policia e Durrësit gjeti në bilardon në pronësi të Shalës një sasi kanabis sativa, ngjarje për të cilën Gjykata e Lartë e shpalli të pafajshëm  me arsyetimin e mungesës së dijenisë nga ana e Shalës se kush mund ta ketë futur drogën brenda. Për këtë rast u dënua me gjobë punonjësi i tij.
Në polici janë shoqëruar 15 persona lidhur me vrasjen e biznesmenit, mes të shoqëruarve është dhe shtetas i përfshirë në konflikt me Shalën para ngjarjes, por nuk është gjetur asnjë provë implikuese. Në vendin e ngjarjes u gjetën 15 copë gëzhoja pistolete automatike Scorpions ose sharc me silenciator.
Ekspertiza mjeko-ligjore ka zbuluar plagë në kokë e trup, me armë zjarri, të cilat i shkaktuan vdekje të menjëhershme. Mendohet që vetëm njëri vrasës ka qëlluar me armë mbi Shalën, kurse personi i dytë e ka mbështetur me sigurinë dhe drejtimin e mjetit me të cilin u larguan. Ekspertët, referuar ndërtimit të skenës së krimit dyshon për vrasës profesionist.
Bëhet e ditur se, Shpëtim Shala kohët e fundit nuk kishte ndonjë aktivitet tregtar por në mënyrë të vazhdueshme, Shala merrte objekte me qira, si bilardo, lokale, por edhe plazhe private.
Megjithatë, arsyeja e ekzekutimit të 39-vjeçarit me breshëri automatiku në zonën e plazhit në Durrës mbeten ende të paqarta. Pavarësisht se ka shoqëruar 15 persona, policia ende nuk e ka të qartë se përse u ekzekutua babai i tre fëmijëve, Shpëtim Shala. Atentati ka qenë i mirëmenduar. Viktima ka qenë duke lëvizur me makinën e tij, tip Volfswagen “Golf 5” me targa AA 086 HJ, kur u qëllua me breshëri automatiku. Vrasësi përdori një scorpions me silenciator.
Shpëtim Shala ishte banor i qytetit të Durrësit, por jetonte me qira. Atentati është i paramenduar, pasi dyshohet se viktima është ndjekur prej kohësh nga vrasësit dhe i është bërë pritë vetëm ditën e dielë. Bëhet e ditur se, pak para se të qëllohej për vdekje, Shpëtim Shala ka qenë duke luajtur futboll me shokët e tij në zonën e plazhit.

R.POLISI

Kunati i Fatmir Xhafës i vetmi që mbrojti tenderat e Kokëdhimës

Kur të shkruhet historia e drejtësisë shqiptare apo biografitë e mamuthit të korrupsionit Koço Kokëdhimës, emri i Sokol Berberit do të shkruhet me shkronja të arta në analet e Partisë Socialiste. Është i vetmi kunat që bëhet copash dhe e ha turpin me bukë kur vjen puna tek porositë që i jep Fatmir Xhafa, ylli i familjes dhe i partisë. E paprecedentë, por me një shërbim prej berberi të pushtetit, Sokoli i Gjykatës Kushtetuese ishte i vetmi që doli kundër kolegëve të tij, kundër provave të pakundërshtueshme që implikonin Koçon në përfitimin e milionave të fondeve publike, duke shkelur statusin e deputetit. Berberi është i vetmi gjykatës që e gjen Koçon të pafajshëm.
Ky rast justifikon plotësisht shqetësimin e Partisë Demokratike dhe të publikut për mënyrën se si Partia Socialiste i është qasur Reformës në Drejtësi. Në draftet e Xhafës, në të gjitha rastet ishin hartuar një sërë kriteresh që klasifikonin si drejtues të institucioneve të drejtësisë kunatin e Fatmir Xhafës dhe një sërë juristësh, militantë të Partisë Socialiste dhe më e keqja ata që kanë hetuar, gjykuar dhe dënuar gjatë kohës së komunizmit.
Në draftin e Xhafës, sipas disa neneve të kundërshtuara me forcë nga PD dhe Komisioni i Venecias, kryetari i ardhshëm i Gjykatës së Kushtetuese ishte projektuar të vihej kunati i tij, Sokol Berberi. Berberët e pushtetit kërkohen të mbahen dhe të vihen në krye të institucioneve të reja të drejtësisë për të bërë avokatin e kriminelëve dhe të korruptuarve të pushtetit, sa herë që ligji i drejton në dyert e drejtësisë.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të ishte e mbushur me berberë të pushtetit, sot Koço Kokëdhima do të ishte ende deputet. Po kështu, shpresa do të kishte edhe për lokomotivën e qeverisë, Valentina Leskajn, Rakip Sulin, Sadri Abazin, Pjerin Ndreun. Njësoj të mbrojtur do të ishin të gjithë anëtarët e tjerë të bandës së Edi Ramës, që mbajnë në kurriz një mal me krime dhe afera korruptive.

Mbrojtja e Berberit për Koçon

Vendimi i gjykatës ka pasur vetëm një votë kundër, atë të gjyqtarit Sokol Berberi. Ai është i vetmi anëtar që iu kundërvu tetë kolegëve të tij të trupës së Gjykatës Kushtetuese në vendimin lidhur me vlefshmërinë e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Sokol Berberi në vlerësimin e tij shprehet dakord me shumicën e anëtarëve të gjykatës vetëm në lidhje me legjitimimin e Partisë Demokratike për të kërkuar interpretimin e nenit 70 të Kushtetutës. Por, nga ana tjetër, Berberi thekson se argumentet që ka përdorur shumica për të arritur në konkluzionin e shprehur në vendim niset nga një premisë e gabuar, duke e konsideruar vendimmarrjen e Kuvendit, sipas pikës 4, të nenit 70 të Kushtetutës, me natyrë politike. Sipas Berberit, Kuvendi, ndryshe nga premisa mbi të cilën bazohet shumica e anëtarëve të gjykatës, ngarkohet nga Kushtetuta për të ushtruar disa funksione. “Është e qartë se, funksioni ligjvënës dhe funksioni kontrollues ndaj qeverisë janë me natyrë politike dhe Kuvendi i ushtron ato si organ përfaqësues i sovranitetit të popullit. Përveç funksioneve klasike, ky institucion ushtron edhe disa funksione, të cilat nuk konsiderohen me natyrë politike”, argumenton Berberi. Duke vijuar më tej mendimin e tij të pakicës, Berberi thekson se në rastin konkret, Kuvendi, gjatë ushtrimit të kompetencave të tij të parashikuara në pikën 4, të nenit 70 të Kushtetutës, ka marrë një vendim, duke u mbështetur në interpretimin që vetë ai i ka bërë normës kushtetuese. “Papajtueshmëria me mandatin e deputetit është një çështje që hyn në sferën parlamentare dhe është një element i natyrshëm i së drejtës parlamentare, çka mbështetet edhe nga doktrina juridike kushtetuese. Rrjedhimisht, Kuvendi si organ kushtetues që përfaqëson një pushtet të caktuar, në frymën e parimit të autonomisë dhe vetërregullimit, brenda kufijve kushtetues, ka një rol vendimmarrës në procedurën e konstatimit të papajtueshmërisë me mandatin e anëtarëve të vet, siç është përcaktuar nga Kushtetuta në pikën 4, të nenit 70 të saj”, shprehet ai. Sipas Berberit, shumica e anëtarëve, me qëndrimin e tyre, është përpjekur të evidentojë ekskluzivitetin vendimmarrës që Gjykata Kushtetuese ka në proces, duke e reduktuar rolin e Kuvendit në një rol krejtësisht formal. “Gjykata, si rregull, është një organ që ka funksion rishikues, si dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Ajo nuk bën vlerësimin fillestar të çështjes në themel, por kontrollon, në aspektin kushtetues, vendimmarrjen e institucioneve kushtetuese, pasi këto janë shprehur. Në këtë kuptim, edhe në rastin konkret ajo rishikon vendimmarrjen e Kuvendit, sipas pikës 4, të nenit 70 të Kushtetutës, pasi Kuvendi ka marrë vendimin t’ia dërgojë çështjen për konstatim të papajtueshmërisë”, shprehet anëtari i vetëm që është shprehur kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me mandatin e deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.

Terrori i Lefterisë në KQZ: Kush tregoi për Elvisin

Lefteria është prekur shumë nga zbardhja e një pjese të formularit të dekriminalizimit të Elvis Roshit. Që në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, Lefteria ka urdhëruar një hetim të brendshëm për të gjetur njerëzit që kanë dekonspiruar përgjigjet e baronit të krimit që drejton Bashkinë e Kavajës.
Pasi ka urdhëruar hetimin, Lefteria ka ushtruar personalisht presion ndaj punonjësve të administratës, duke u deklaruar se do t’i shkarkojë nga puna dhe se do të mbajnë përgjegjësi për formularin e botuar në “RD”. Ligji në fakt e detyron Lefterinë që të bëjë transparencë për të gjithë formularët e depozituar në KQZ. Deri tani, ajo nuk ka pranuar që të zbardhë asnjë nga përgjigjet që kanë dhënë politikanët, duke refuzuar edhe ato pak kërkesa që kanë mbërritur në komision.
Shërbimet e fundit të Lefterisë për të inkriminuarit lidhen me disa probleme të rënda që Lefteria ka dhe që gazeta do t’i botojë gjatë ditëve të ardhshme. Ajo po kërkon t’i shërbejë pushtetit të krimit për të mbyllur një vrimë të zezë korruptive në atë institucion.
Asnjë formular i vetëdeklarimit nga zyrtarë dhe punonjës të administratës, nuk është dorëzuar në Prokurori për verifikim.
Edhe pse kanë kaluar 5 ditë nga hyrja në fuqi, asnjë titullar institucioni nuk ka dërguar në Prokurori ndonjë formular për të verifikuar, nga grupi i prokurorëve i ngritur enkas për këtë detyrë. Zyrtarisht, thuhet se Prokuroria nuk ka marrë ndonjë kërkesë nga institucionet përkatëse për të verifikuar gjendjen gjyqësore të zyrtarëve të lartë apo punonjësve të administratës.
Burimet thonë se më datë 4 maj, të gjithë zyrtarët dhe punonjësit e administratës duhet t’i dorëzonin formularët pranë titullarëve të institucionit. Pas dorëzimit të këtyre formularëve, mbetet në dëshirën e titullarit të institucionit për të dërguar formularin e vetëdeklarimit të ndonjërit prej punonjësve të tij Prokurorisë.
Me urdhër të kryeprokurorit, është ngritur grupi që kryen këto verifikime dhe drejtohet nga dy prokurorët Madrid Kullolli dhe Alfred Progonati si dhe tre hetuesve të Prokurorisë. Ky grup, sipas Prokurorisë, ka të drejtën e verifikimit të emrave konkretë për të kaluarën kriminale të subjekteve të ndryshëm, në rrugë zyrtare në institucionet ligjzbatuese shqiptare, si polici, prokurori dhe gjykata. Ku mund të kërkoi ndihmë edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror, zyra qendrore e Interpolit apo institucioneve të tjera ligjzbatuese në vendet e ndryshme me anë të letër-porosisë.
Mësohet se vetë prokurorët i kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit në Prokurori të Përgjithshme, e cila i ka dërguar në Presidencë, ndërsa gjyqtarët pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e deputetët pranë Komisionit Qendror Zgjedhor.
Në formularin e vetëdeklarimit, çdo i zgjedhur apo emëruar në funksione publike duhet të plotësojë të dhënat personale dhe më pas t’i përgjigjet pyetjeve të renditura në këtë formular, ku mes tyre edhe nëse subjekti i plotësimit të këtij formulari ka qenë i dënuar ndonjëherë brenda dhe jashtë territorit shqiptar.

Votim elektronik me shenjat e gishtërinjve

Partia Demokratike ka finalizuar diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku ka vendosur t’i propozojë Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e tyre janë dhe do të mbeten kusht absolut i PD.
“Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimit, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend. Natyrisht ne jemi edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një Reformë në Drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar, por me seriozitetin që meriton Reforma në Drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi. Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve. Ua kam thënë dhjetëra herë këtu dhe në të tjera forume dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend”, u shpreh Basha.
Basha parashtroi para medias propozimet që PD do të bëjë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ndërsa citoi votimin biometrik, numërimin elektronik, kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Ai citoi gjithashtu kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit, hapësirë e barabartë të partive politike në media.
“Kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale, të parave që nuk i ‘pjell’ gjeli i artë i ndonjë partie politike, por janë para korrupsioni të kryer apo që pritet të kryhet apo paraprihet. Lirinë e medias dhe hapësirën e barabartë –‘par condicio’ të faktorëve politikë, të partive politike në hapësirën mediatike, në funksion të informimit të publikut dhe të tjerë parametra europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht parametri i parametrave mbetet një qeveri teknike sepse Edi Rama tashmë është faktuar botërisht një person jo në gjendje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.
Ai bëri të ditur se së shpejti PD do të finalizojë qëndrimin për procesin zgjedhor bashkë me aleatët e saj, ndërsa tha se “pret që brenda kësaj jave apo fillimi i javës së ardhshme Komisioni Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, mazhoranca të ketë të parashtruar në mënyrë profesionale standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, votimin biometrik, numërimin elektronik dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit”.
I pyetur mbi debate në Grupin e PD, Basha u përgjigj: “Sigurisht ka patur dhe do të ketë gjithmonë e më shumë. Ky është standardi im si kryetar i Partisë Demokratike, parti e debatit, parti e rrahjes së mendimeve, parti e çdo demokrati, sigurisht edhe e çdo deputeti. Kjo ishte mbledhje e Grupit parlamentar dhe deputetët do të japin mendimet e tyre dhe në fund fare do të vendosim të gjithë së bashku si një parti e bashkuar dhe e vlerave. Dhe sot kemi arsye bashkë me shqiptarët të jemi edhe më me shumë besim se bashkimi rreth Partisë Demokratike, rreth vlerave, rreth vlerave e jo sloganeve po fillon të japë rezultat”.

Arben Shahini

Skandal, qeveria vendos: Të gjitha rrugët me pagesë

Një tjetër kosto shtesë pritet të rëndojë në xhepat e qytetarëve shqiptarë. Së shpejti, qeveria do të tarifojë edhe qarkullimin e automjeteve në disa nga rrugët kryesore nacionale në vend. të gjithë qytetarët që do të kalojnë nga këto rrugë do të duhet që të  tarifohen. Këshilltarët ndërkombëtarë të pajtuar nga qeveria për të hartuar strategjinë kombëtare të taksimit rrugor kanë propozuar bërjen me pagesë të akseve më të rëndësishme të vendit. “Top Channel” zbardh dokumentin konfidencial, i cili është përgatitur nga “Euro Consultants” për llogari të qeverisë shqiptare. Dokumenti rekomandon 9 akse si më të përshtatshme për t’u bërë me pagesë, përmes një procesi gradual me katër faza. Sipas tij, në fazën e parë, e cila do të jetë e menjëhershme, propozohet të bëhen me tarifë kalimi katër rrugët kryesore të vendit, autostrada Tiranë-Durrës, ajo Tiranë-Elbasan, rruga Durrës-Kukës dhe rruga e Arbërit pasi të jetë përfunduar. Pas instalimit të pagesës në këto segmente, propozohet të vendosen në sistem tarifimi rruga Levan-Vlorë dhe ajo Durrës-Fier, edhe këto dy akse të ndërtuara rishtaz. Në fazën e tretë do të vendoset pagesa për rrugën Levan-Tepelenë dhe rrugët e fundit që do të përfshihen në skemën e tarifimit janë Elbasan-Kapshticë dhe Tiranë-Hani i Hotit.  Sipas dokumentit, tarifa e propozuar që duhet të paguajnë qytetarët varion nga 0.5 deri në 3.5 cent të euros për çdo kilometër. Kjo do të thotë se në një rrugë me gjatësi 100 kilometër çdo automjet duhet të paguajë deri në 3.5 euro për të kaluar. Sipas strategjisë, këto para do të përdoren për mirëmbajtjen e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e atyre të reja.  Banka Botërore parashikon se Shqipërisë i duhen 400 milionë dollarë për mirëmbajtjen e fondit rrugor në katër vitet e ardhshme dhe një pjesë e kësaj kostoje mund t’u ngarkohet qytetarëve duke e bërë kalimin me pagesë.