Nga sot, çdo qytetar mund të denoncojë online përmes një portali të hapur posaçërisht nga Partia Demokratike nëse kanë apo disponojnë informacione konkrete mbi zyrtarë apo drejtorë të inkriminuar. Kryetari i PD, Basha pasi prezantoi këtë nismë ftoi të gjithë qytetarët të përfshihen në zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. “Partia Demokratike fton të gjithë qytetarët shqiptarë të bëhen pjesë e zbatimit të këtij ligji, duke denoncuar pranë një portali të posaçëm që do të hapim që prej ditës së nesërme (sotme) me informacione konkrete çfarë dinë ata për zyrtarët e inkriminuar në fshatin, qytetin, rrethin, qarkun e tyre, në çdo nivel nga drejtorë e zyrtarë ujësjellësash e deri tek anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë apo ministrat e kabinetit ‘Rama-Meta’. I ftoj pra qytetarët që duke filluar nga dita e nesërme të bëhen pjesë e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit. Së bashku ta bëjmë këtë ligj efektiv duke i larguar siç e meritojnë nga politika dhe nga vendimmarrja njerëzit me rekorde të tmerrshme kriminale. Le të jetë ligji për dekriminalizimin vendi ku bashkohen demokratë dhe socialistë për një Shqipëri të pastër nga krimi politik, për një Shqipëri europiane”, tha Basha. Në deklaratën për mediat, kreu i PD renditi tre si lajme kryesore për shqiptarët dje, heqjen e mandatit të Kokëdhimës, nisjen e zbatimit të dekriminalizimit, si dhe nismën e PD për t’i dhënë fund mekanizmit të blerjes së votave. “Sot është një ditë shumë e bukur, jo thjesht për nga moti, jo vetëm sepse është Dita e Europës, por sepse është dita kur simboli i oligarkisë Koço Kokëdhima mori nga drejtësia shqiptare atë që shpresonte dhe dëshironte çdo qytetar i këtij vendi, demokrat, socialist apo i paparti, heqjen e mandatit. Heqjen e mandatit për abuzimin me Kushtetutën, heqjen e mandatit për korrupsionin, heqjen e mandatit sepse ishte përfitues i parave të taksapaguesve shqiptarë, ndërkohë që ishte betuar se do t’i mbronte paratë e taksapaguesve shqiptarë. Paratë që në vend që të kthehen në rroga më të larta, pensione më të larta, shkolla, ujësjellës, subvencione për bujqësinë, përfundojnë në xhepat e oligarkëve shqiptarë dhe kryeoligarkut të jugut Koço Kokëdhimës. Sot janë një kafshatë e ngelur në fytin e tij me këtë hap të parë që është heqja e mandatit të tij si deputet. Kjo është jo vetëm një fitore e Partisë Demokratike që ka mbrojtur që prej fillimit drejtësinë e kauzës tonë në raport me Koço Kokëdhimën, por është një fitore e të gjithë atyre që duan një politikë të pastër nga konflikti i interesit, një politikë të pastër nga ata që janë futur vetëm për të përfituar dhe fryrë xhepat e tyre, një politikë të pastër nga krimi. Pra, një politikë europiane Ditën e Europës. Është po kështu një ditë e mirë sepse po fillojnë të kërcasin ingranazhet e krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim nga pesha e ligjit të dekriminalizimit”, tha Basha.
Basha: Edhe Ramës si Roshit nuk i kujtohet e kaluara
Kryetari i PD, Lulzim Basha ironizoi dje shfaqjen e Ramës në Ditën e Europës ndërsa e cilësoi atë si personin kryesor përgjegjës që po mban Shqipërinë larg Europës dhe procesit të integrimit europian.
Përmes një reagimi në Facebook, Basha shprehet se “inkriminimi i politikës dhe zyrave publike, shkatërrimi i zgjedhjeve dhe goditja e votës së lirë, krimi i organizuar, Shqipëria e para në listën e drogës, korrupsioni në çdo degë të qeverisjes, ekonomia në humnerë, vrasja e shpresës dhe eksodi masiv, të gjitha këto janë jo vetëm akte të Edi Ramës”.
“Liar, është një fjalë që në Europë përdoret për të përshkruar njerëz si Edi Rama. Në Europë, gënjeshtari është dikush me të cilin të gjithë lajnë duart, sepse është i papranueshëm.
Sot në Ditën e Europës, Edi Rama u shfaq me tërë përmasat e tij si gënjeshtar. Rrena e parë ishte se qeveria e mëparshme paska bllokuar afrimin e vendit me BE-në.
Po aplikimi për statusin e vendit kandidat, kur ndodhi? Po heqja e kufirit me vendet Schengen, lëvizja e lirë pa viza, kur ndodhi? Po rekomandimi për statusin kur ndodhi? Po bllokimi i marrjes së statusit të vendit kandidat, për shkak se Edi Rama refuzoi të votonte 3 ligjet, kur ndodhi? Edhe Ramës si Roshit nuk i kujtohet e kaluara…
Kur ishte në opozitë bëri gjithçka që kishte në dorë për ta mbajtur vendin larg Europës. Sot në pushtet, më keq akoma, e ka kthyer vendin pas.
Inkriminimi i politikës dhe zyrave publike, shkatërrimi i zgjedhjeve dhe goditja e votës së lirë, krimi i organizuar, Shqipëria e para në listën e drogës, korrupsioni në çdo degë të qeverisjes, ekonomia në humnerë, vrasja e shpresës dhe eksodi masiv, të gjitha këto janë jo vetëm akte të Edi Ramës kundër popullit të tij, por sidomos akte antiEuropë. Kush nuk e di se ky përzgjodhi pikërisht ata që kishin kryer krime dhe vrasje në Europë, Roshët, Bushët, Prengët, Ndokët, Frrokët, për të përfaqësuar shqiptarët në Parlament, pushtet vendor etj.
Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë shpesh në udhëkryq. Ka pasur ky vend në historinë e tij pengesa e armiq në rrugëtimin drejt Europës, që kanë dashur ta mbajnë larg aspiratës shekullore. Dje Haxhi Qamili e më pas regjimi komunist, dhe sot Edi Rama. Por nuk ia kanë dalë asnjëherë. Shqiptarët dinë të zgjedhin, dhe zgjedhja është e qartë. Vetëm një Shqipëri pa Edi Ramën është Shqipëri europiane” shkruan Basha nw reagimin e tij.
Lu kritika qeverisë për mosbashkëpunim me Avokatin e Popullit
Në prezantimin e raportit vjetor të të drejtave të njeriut gjatë vitit 2015, Avokati i Popullit Igli Totozani bazuar në verifikime dhe monitorime bëri me dije se për shkak të kushteve ekonomike të vendit varfëria është rritur dhe shifra e personave që jetojnë në kushte të vështira ka arritur ne 14.3%, dhe se 2% e tyre jetojnë në varfëri ekstreme. Në kuadër të Ditës së Europës, Totozani kërkoi më shumë bashkëpunim në mbrotjen e të drejtave të njeriut.
Ambasadori i SHBA, Donald Lu, i pranishëm në këtë aktivitet ku u fol për të drejtat e njeriut theksoi se konsensusi për reformën në drejtësi është në shërbim të popullit dhe se çdo zhvillim të saj po ndiqet me kujdes. “Konsesusi për reformën në drejtësi do të demonstrojë unitetin kombëtar që kërkohet nga populli shqiptar. Po e monitorojmë nga afër këtë proces” u shpreh Lu. Ambasadori amerikan rezervoi kritika të ashpra për qeverinë shqiptare që sipas tij ka mungesë të gatishmërisë për të pasur dialog me Avokatin e Popullit.
Ky largohet me mot të mirë
(Skicë për një analizë të gjërë)
Frrok ÇUPI
Tani ka ardhur koha që njerëzit pyesin kudo: “Kur do të ikë ky, more?”. Pyesin në rrugë, pyesin kur hyn në dyqan, të pyesin në kafe, pyeten me njëri-tjetrin njerëzit e afërm në ceremoni… Ndërsa ky që “do të ikë, kur?…”, është Edi Rama, kryeministër.
Edi Rama është zgjedhur kryeministër i Republikës para tre vjetësh. Tani ka ardhur koha që njerëzit të pyesin papushim se “kur do të ikë?”. Nën këtë qeverisje njerëzit janë lodhur, janë varfëruar dhe frikësuar. Duan shpëtim. Porta e parë e shpëtimit për njerëzit, duket se çmohet largimi sa më parë i kryeministrit.
A do të largohet? Kjo është frika e parë.
E dyta: A do të largohet pa “luftë”?
Njerëzit, tek kanë parë gjithë sjelljen poshtëruese ndaj të tjerëve dhe njëkohësisht narciziste për vete, kanë frikë se “ky nuk e lëshon kollaj”. Ka ndërtuar një perandori luksi për vete, dhe kjo është arsyeja kryesore pse nuk e lëshon lehtë. Perandoria e luksit e ndërtuar nga një emigrant i ardhur direkt në qeveri, (siç është Edi Rama), kuptohet se është një faj kriminal, perandori dhe faj që mbrohet me të gjitha armët… E dyta, është mania e tij për pushtet, e manifestuar egër në gjithë jetën, që nga marrëdhënia me një bebe të tij dikur, te prindërit, te miqtë dhe te njerëzit e qeverisur prej tij. Edi Rama është dalluar për një dëshirë dominimi çnjerëzor mbi njerëzit.
E treta, se ky vjen direkt nga gjaku komunist i Politbyrosë, ku në portën e ferrit kishte shënuar “pushteti merret me armë dhe mbrohet me armë”.
Këto arsye, thjesht, i shtyjnë njerëzit të mendojnë se “ky nuk ikën kollaj”.
Por tani që ndodhemi afër ditës kur ky duhet të largohet, më e mira është të mendosh pozitivisht. Të paktën të mendosh se ky do të largohet “me mot të mirë”, siç thotë populli. Unë për vete, si një njohës i afërt i psikozës së tij në kohë të vështira (siç ishte edhe momenti kur dikush e gjakosi para pallatit ku banonte), jam me shpresë se ky ikën me mot të mirë. Nuk bën pjesë në aradhën e njerëzve burrëror e trima.
Pse është koha për të ikur dhe pse është momenti për të shpresuar se ikën pa të keqe për vendin!?
Koha për të ikur, pse?
Sepse, (po mendoj si naiv), çfarë pati për t’i marrë ky dhe ministrat e tij, këtij vendi të varfër, por që prodhon shumë para për qeveritë hajdute, ky e mori. Ndoshta ky nuk mendon kështu… Por edhe frika nga zhurma botërore se do të hapet kapaku i “kutisë së Pandorës” ku rrinë paratë e fshehura nga mafiozë dhe qeveritarë të vendeve të varfëra, sigurisht që e shoqëron. “Panama Papers” është veç një sinjal. Është hera e parë kur bota po dëshmon angazhim publik për të gjetur paratë e fshehura. Por edhe ligji i ri (sipas Reformës në Drejtësi) për të hetuar qeveritarët e niveleve të larta, me siguri e bën të mendojë se “mjaft më!”.
Koha për të ikur, pse?
Sepse njerëzit kanë kuptuar se ku po i zhyt qeveria e tyre. Janë varfëruar deri në pikën e fundit. Mbi 400 mijë familje janë regjistruar në tabelën e varfërisë ekstreme, që do të thotë tre mijë lekë të vjetra në ditë për një familje me pesë anëtarë. Po shikojnë se nuk ka asnjë shpresë që qeveria të sigurojë as dy lekë për popull, anjë investim, asnjë shpërndarje humane për pasurinë e popullit. Të gjitha shkojnë o për tenderat qeveritar, o për luksin qeveritar. Qeveria ka shtuar borxhin aq sa sot mund të thuash se çdo individ ka një borxh prej 30 mijë dollarë. Ky është i vetmi vend në botë ku qeveria plaçkit sipas ligjit.
Po të ikë ky më vonë se tani afër, atëherë e keqja bëhet ferr.
Pse ka shpresë se do të ikë “me mot të mirë”!?
Arsyeja e parë:
Ka ardhur një moment kur njerëzit e kanë mbushur mendjen se kjo është një qeveri e keqe dhe antinjerëzore. Një njeri normal nuk mund të dalë në mbrojtje të antinjerëzores. Nuk mund të përfytyrohet më që populli të dalë në rrugë për të mbrojtur Edi Ramën në një kërkesë të tij për të rezistuar alias revolucion. Madje edhe votën nuk e shesin më “si dele”. Njerëzit mund t’i marrin lekët për votën kësaj here, por votën nuk e japin. E kanë shpirtin te hunda.
Arsyeja e dytë:
Edhe pse ky shpreson se Bashkimi Europian “po shpërbëhet”, të gjitha gjasat janë se Qytetaria Perëndimore është fitimtare mbi glob. Dje, ky tha plot gëzim se, “ky 9 maj, si festë e Europës, mund të jetë i fundit për Anglinë si anëtare e BE”, por nuk ka shenja se BE do të shpërbëhet. Edhe sikur të ndodhë “Brexit”, nuk ndodh shembja e Perëndimit demokratik… Ky i ka rrënuar edhe marrëdhëniet me Amerikën, e cila e ka syrin papushim në favor të lirisë së popujve dhe kundër qeverive autoritariste. Dje, ambasadori i SHBA në Tiranë lëshoi një frazë diplomatike dëshmuese. Ai tha se “edhe qeveria gabon”, pasi ky i Tiranës kishte provokuar se “aleatët gabojnë”. Edhe sikur ky të bëjë ndonjë veprim “lufte” ditën e fundit, aleatët ndodhen në krah të paqes për njerëzimin.
Por me siguri ky do të zgjedhë “mot të mirë”.
Arsyeja e tretë:
Edi Rama, si kryeministër, bie menjëherë kur Ilir Meta të lëvizë një gisht; veç kaq. Ilir Meta është kryetar i Kuvendit dhe aleat i kryeministrit në qeverisje. Mirëpo është një aleat përcaktues. Më shumë përcakton Meta ndaj Ramës se sa Rama ndaj Metës. Në marrëdhënien e egër mes tyre, kur Rama ka lëshuar sinjale underground se “me Amerikën do të burgos Metën!”, në fakt tani është Meta fitimtar. Meta nuk është ngatërruar hapur në urrejtjen kundër njeriut, është tërhequr prej modës së çorapeve të kuqe dhe xhaketës alias Mao në festën e Europës, është tërhequr edhe nga krahu i Ramës. Tani është e qartë se në çastin kur vendit do t’i duhet sekonda e ikjes së Ramës, këtë kartë e luan Ilir Meta.
Nuk shikoj shanse të tjera, megjithëse gropa që ky lë pas është e madhe dhe thellohet çdo orë, derisa të largohet.
100 Shkodra
Edison YPI
Nuk ka shi e breshër, ngricë e dimër, verë e vapë, me të ndal me shku n’Shkodër.
“Udhëtar i vërtetë është ai që niset dhe nuk e di për ku, udhëtar i përsosur është ai që niset dhe ka harru prej ku është nisur” – e provon vajtja në Shkodër.
Torrovica ish-kënetë, ish-burg, aty duket gjithmonë e premte.
E shtuna s’dihet ku ndodhet.
Në Zadrimën që nuk çfaqet por shpërthen, është gjithmonë e dielë.
Pas Zadrimës Shkodra jep vibracionet e para.
Me hy n’Shkodër, nuk mundesh dosido. Ka rregulla, ka kushte. Duhesh me kalu mbi një lumë që zbret nga larg e lart, i cili të paralajmëron; Prit or Beg, se s’është lehtë me hy n’Shkodër.
Prej aty, kurgjë s’shihet, as dëgjohet, gjithçka ndjehet. Pas urës, një “Zoj’ e Mir’ ’” në heshtje dhe solemnitet të urdhnon mirëseardhjen për tek “Zoja e Madhe Shkodër”. Brenda Liqerit dimërak, shelgje që duken si peshkatarë të kërrusur me çizme që rrinë në mes të ujit pa lëvizur.
Rozafa hijerëndë, pa moshë, pa stinë, pa naze, pa lëvizje, “Pa zemër pa ndjenja, syt’ e saj rrufena, qarkullojn’ rreth Shkodrës, tue synue vranshëm”.
Kalojnë tre Zonja shkodrane me të ikë menia e kres,
-A asht e bukur Shkodra?
-Sigurisht.
Pa hyrë në qytet, ndaj një dyqani një djalë dhe një mesoburrë,
-Po, përgjigjen energjikisht të dy.
Bëj sikur nuk dëgjoj.
-Poooooooooooo klithin të dy sa tundet Rozafa.
Ndal makinën diku dhe sillem nëpër qytet. Plot njerëz nëpër rrugë. Shumë biçikleta.
Diku një “Lavazh me ujë të bollshëm”. Nëpër lokale shkodranë dhe shkodrane elegante nazelie nga ato që flasin e shkruajnë me apostrofa; t’ana t’mirat, t’marsha t’ligat, ato që për “Këtë” dhe “Kokë” thonë aq bukur; “Kyt” dhe “Kryt”.
Pyes-pyes-pyes,
Po-po-po përgjigjen të gjithë, Shkodra është e bukur.
Dikush shton; “Shkodra asht e bukur, por duhen edhe pare”.
Ish-i burgosuri politik thotë; Po, Shkodra asht e bukur, por…dhe bën plotësime, sqarime, spjegime.
“Heronjtë e Vigut” janë katandisur në “Heronjtë e VI U” sikur të ishin nxënësa të klasës së VI U.
“Kafja e Madhe” me dyer të kyçura duket si gjymtyrë e mpirë, ka mbajtur frymën, pret.
Pjesa më e bukur e Shkodrës, ajo me rrugica, kthesa, kalldrëme, harqe, portale, ka shumë shtëpi dhe dyqane të cilat, ndryshe nga pjesa e shëmtuar soc-realiste që zjen, shumica janë të mbyllura me qepena të ulura, me sy përdhe, hijshëm, sikur thonë; Ngutuni ju, ne presim, durojmë”.
Pyes a ka këtu shkodranë të vjeter, nga ata të thelbit, të kockës, të palcës, të bërthamës së qelizës prej nga dalin quant-et e dritës. Ka, por vështirë t’i gjesh.
Një shkodran sqaron me krenari se; “La lana scutariana” dmth leshi i bagëtive shkodrane, ka qenë ndër më të famshmit në Europë.
-A asht e bukur Shkodra moj goca?
-Pooooooo përgjigjen njëzëri të njëzeta.
Punëtori, fshatari, malësori, dukagjinsi, tregtari, kioskaxhiu, sudentja, studenti, demokrati, socialisti, komunisti, sigurimisi me kapele kineze, një “Drago” shkodran, mysilmani, katoliku, ortodoksi, fëmijë, gra, burra – plot 100, kur i pyeta;
-A asht e bukur Shkodra?
Të gjithë thanë;
-Po!
Kaq desha. Për kaq erdha. Nis kthimin. Gjunjët më dridhen, koka më zjen, truri më shpërthen. Gjaqet, hakmarrjet, ka edhe të tilla, por janë provizore. Shkodra është e përjetshme, dhe llaftarisht e bukur.
Gjithçka mund të vdesi e të lindi në Shkodër, të zbukurohet a shëmtohet, të fukarallepset, të vritet e të pritet, por shpirti i saj, fryma e saj, hijeshia e saj, s’kanë për të vdekur kurrë.
Si me qenë njeri Shkodra mor’ burr’ i dheut, si me qenë femër. Mundesh a s’mundesh me e dash, është diçka, e Shkodra me t’dash a mos me t’dash është diçka tjetër. Mundesh me j’u lut, me i kërku prehje nën hijeshinë e saj, me i kërku dashuri, me i hy n’zemër, ehe, kjo ësht’ e vështirë, Zoja e di vet çfarë ban, është pun’ e saj, ka kushte nuk munesh me j’u afru dosido, por veçse me kujdes, me përunjësi, me respekt, me delikatesë, mos e shqetësosh, mos e pengosh, mos ja prekësh përhumbjen mendimtare që e rrethon, hijeshinë, misterin.
Tash Zoja po pushon pak, është largu pak, jo larg, n’ato malet me borë me majat në re’. Kur të zgjohet e t’vij, do ndriçoheni, do lindni. Kush n’Shkodër priton me shku, nuk ka dek, nuk ka le kurrë.
PD, forca në të cilën mund të besosh
Silvi BARDHI
Ora 13:00 e datës 9 maj, ditës simbol të themelimit të Bashkimit Europian do të shënonte fitoren e një beteje, në luftën e demokratëve nisur 3 vite më parë, kundër oligarkisë në pushtet.
Gjykata Kushtetuese i heq mandatin Koço Kokëdhimës, ishte lajmi i fundit në televizionet e vendit.
Ky lajm forcoi besimin se argumentet e PD-së, mbi të gjitha faktet që Kokëdhima pretendonte se nuk ekzistonin, hodhën dritë për çdo denoncim të bërë publik.
Bazuar mbi fakte e dokumenta, pas një pune disa mujore hulumtimi e hetimi, të bërë nga Departamenti anti-korrupsion në PD, deputetë të PD dhe kryetarit Basha, Koço Kokëdhima u akuzua se në vetëm 6 muaj, kishte shkelur 150 herë Kushtetutën, duke mbajtur të gjitha aksionet e ndërmarrjes së tij e duke përfituar 150 herë fonde publike.
Ai duhej të hiqte dorë nga aksionet e tij që në ditën e parë të marrjes së mandatit, por këtë ai nuk e bëri asnjëherë, as në ditën për diell të 9 Majit, kur ndoshta, nuk u besonte as cilësisë së syzeve të tij, në titrat e lajmeve.
Madje 3 muaj, pasi ishte bërë deputet, ai rriti aksionet në kompani, duke u bërë aksioner i vetëm me 100 për qind.
Ndërkohë Pika 3 e Nenit 70 të Kushtetutës thotë: “Deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri prej tyre”.
Por, për çfarë do të mbahet mend Kokëdhima në Parlament?
Ai ishte ideatori i legalizimit të kanabisit, lëndës narkotike, e cila ka “gjelbëruar” territorin e Shqipërisë, ide tashmë e dështuar.
Do të mbahet mend për sharje nga vendi, jo aq me fjalë sa me gjeste duarsh.
Do të mbahet mend për fjalime, të cilat i ngjasonin aq shumë tonit dhe zhargonit enverian, se sa një përfaqësuesi serioz të halleve të qytetarëve.
Do të mbahet mend edhe për një emër, kryefjalë të çdo fjalie në Parlament.
Emri i tij solli sërish një të vërtetë, nëse do e citojmë Kokëdhimën në emisionin “Opinion”: “Unë do respektoj Gjykatën në mënyrë të plotë dhe nuk bëj komente as pro dhe as kundër. Le të marrin vendim, por më parë Saliu duhet të gjejë ndonjë provë”.
Dhe ja figura historike e opozitës, të cilit historia i jep gjithmonë të drejtë… Sali Berisha dhe lidershipi i PD Lulzim Basha në një sintoni historike për të rrëzuar simbolin e oligarkisë në Parlament Koçon. Dhe ja ku historia i jep gjithmonë të drejtë sovranit dhe forcës së djathtë politike në Shqipëri.
Bylykbashi: Votim elektronik për ti dhënë fund krimit zgjedhor
Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi e cilëson votimin elektronik si mjetin për ti dhënë fund njëherë e përgjithmonë fenomenit të shitblerjes së votës. Ai vlerëson se një mekanizëm i tillë do të garantojë eliminimine vjedhjes së votës, nxjerrjen e shpejtë të rezultatit si dhe fundin e kriminelëve zgjedhorë. Ai foli dje në lidhje me kërkesat e PD-së për reformën zgjedhore. I ftuar në rubrikën “Opinion”, Bylykbashi tha se demokratët kërkojnë futjen e teknologjisë në votim, në mënyrë që siç tha ai, tu hiqet çdo mundësi kriminelëve zgjedhorë.
“Ne kërkojmë futjen e teknologjisë në votim, identifikimin biometrik të zgjedhësve. Nuk do ketë njerëz që të votojnë për të tjerë. Votimi do të jetë absolutisht i pandikueshëm në aspektin e rezultatit dhe mbi të gjitha për të nxjerrë një rezultat na duhen një javë -10 ditë, kështu rezultati del brenda ditës. Votimi elektronik do të jetë një ndryshues loje aq i madh sa do tu heqë çdo mundësi kriminelëve zgjedhore”- deklaroi Bylykbashi. Sipas deputetit demokrat, reforma zgjedhore duhet të prodhojë një parlament që të përfaqësojë denjësisht shqiptarët. Një pjesë e sistemit të drejtësisë në të ardhmen vjen nga parlamenti. Parlamenti duhet të jetë i pahapur nga krimi siç është sot për fat të keq. A do të ishte më mirë që një reformë zgjedhore të na prodhonte një parlament që të përfaqësonte denjësisht shqiptarët. Zgjedhjet janë për pak më shumë se një vit.
Nuk është çështje e ndryshimit të kodit zgjedhor. Eshtë çështje veprimi që duhet të bëjnë institucionet e tjera. Ministria e Brendshme nuk bën regjistrin e adresave, që është themelor për saktësinë e listave të zgjedhësve” tha Bylykbashi. Lidhur me vendimin e Kushtetueses për heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima, Bylykbashi tha: “E rëndësishme është që sot në Ditën e Europës dhamë një model të fitores së kushtetueses mbi kusarinë e kësaj maxhorance”. Votimi elektronik u cilësua nga kreu i PD si një propozimet që opozita do ti parashtrojë komisionit për Reformën Zgjedhore. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë prioritet mbi prioritetet për Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën.
Në këtë kuadër, Partia Demokratike ka hartuar një platformë mbështetur mbi parime dhe mbi zgjidhje europiane të cilat do të mundësojnë që vota e shqiptarëve të mos preket, që shqiptarët të votojnë të lirë, të paintimiduar. Kjo platformë, tha zoti Basha në një takim me anëtarë të FRPD-së në Gjirokastër, do të mundësojë sprapsjen dhe çmontimin e një prej problemeve kryesore në zgjedhjet shqiptare nën qeverisjen Rama-Meta që është shitblerja masive e votës. “Çfarë do të bëjmë për zgjedhjet e ardhshme?! Votimi elektronik, pra me gishtërinj që të mos mbledhin kartat një natë para, të mos kërkojnë fotografi të votës. Çështjen e financimit: kemi një model i cili po të vihet në funksion ligjërisht gjurmon në çdo bankë të Shqipërisë lëvizjen e “cash”-it. Se ju e dini që tre-katër ditë përpara shkojnë e nxjerrin “cash”-in për të blerë vota” është shprehur Basha.
700 kg drogë me vlerë 1.5 milionë euro nga Shqipëria kapen në Greqi
700 kg drogë me vlerë 1.5 milionë euro e nisur me skaf nga Shqipëria është sekuestruar dje në Patra të Greqisë. Bëhet e ditur se droga e llojit kanabis sativa, u kap në brigjet ishulli Zakynthos, në Greqi. Operacioni i vlerësuar si ndër më të mëdhenjtë në Patra, u finalizua pas gjurmimit që efektivët bënë, pas informacioneve të mbledhura. Policia greke bëri të ditur se droga vinte nga Shqipëria.
Sipas policisë, 15 persona u arrestuan, shtatë prej të cilëve shqiptarë si pjesë e një rrjeti të mirëorganizuar të trafikut të drogës. “Ata dyshohet se i përkasin një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës”,¬ njofton policia greke, por pa dhënë identitetin e të ndaluarve.
5 prej tyre ishin në skaf, duke bërë transportin e drogës nga Patra në Zakyntho, kurse dy personat e tjerë u kapën në vendngjarje, duke pritur me kamion kanabisin për ta transportuar. Mediat greke raportojnë se, autoritetet greke ishin në dijeni dhe kishin informacion për këtë ngarkesë të madhe droge nga Shqipëria dhe me destinacion ishullin në shtetin fqinj. Pesë prej tyre dyshohet se ishin si “shoqërues” të mallit nga Patras në Zakynthos.
Departamenti grek i Antidrogës ka shkatërruar një nga grupet më të mëdha të trafikimit të lëndëve narkotike në Europë, pjesë e të cilit janë edhe shtetas shqiptarë. Operacioni është zhvilluar në Greqinë e Veriut, në ishujt e detit Jon, veçanërisht në Zakyntho. Sipas informacioneve të deritanishme, kreu i grupit ishte një shtetas grek, por shumë anëtarë të këtij grupi janë shtetas shqiptarë dhe, siç theksojnë burimet policore, ata i merrnin lëndët narkotike, kryesisht hashash dhe kokainë nga Shqipëria, i sillnin në Greqi, e më pas me anë të pjesëtarëve të tjerë të grupit i çonin në vendet e Europës Perëndimore.
Fitimet e grupit përllogariten në miliona euro. Dje u sekuesterua 700 kg hashash, me vlerë mbi 1.5 milionë euro, dhe janë arrestuar të paktën 15 persona, të cilët janë çuar në Athinë për t’u marrë në pyetje nga prokurori. Shumicën e lëndëve narkotike, siç transmeton edhe televizioni shtetëror i Greqisë, grupi e transportonte me motoskafe të shpejta ose me kamionë të transportit ndërkombëtar.
Prokurorët grekë, sipas mediave helene, kanë thënë se ngarkesa e drogës ishte nisur nga Shqipëria me një gomone dhe fillimisht u shkarkua nga trafikantët në Portin e Patras. Policia greke thotë se gjatë lundrimit në det, gomonia me rreth 700 kilogram u shoqërua nga 5 persona, 3 prej të cilëve emra të njohur të botës së trafikut. Më pas, ata e transportuan lëndën narkotike në rrugë detare drejt Zakynthos. Autoritetet e vendit fqinj kishin marrë sinjalizime për këtë grup trafikantësh dhe që prej së shtunës në mbrëmje kishte dërguar përforcime në ishullin e Zakynthos. Gjatë operacionit ndërkombëtar nga policia greke në ishullin Zakynthos, janë bllokuar 700 kg kanabis që vinte nga Shqipëria. Destinacioni përfundimtar i drogës ishte Italia.
Avionët me drogë fluturojnë mbi Vlorë dhe Kavajë
Një tjetër avion me drogë është parë të fluturojë mbi zonën e Poros, në Vlorë. Denoncimin e ka bërë një qytetar nga Vlora, i cili i ka dërguar një mesazh të dielën ish-Kryeministrit Berisha. Berisha ka publikuar mesazhin e “qytetar dixhital” në rrjetin social Facebook. “Qytetari dixhital denoncon: Avionët e drogës që fluturojnë nga zona e Poros me ngarkesë droge! Sb”, shkruan Berisha. “Përshëndetje zoti Sali! Jam një çun nga Vlora, sapo pashë tani një avion fuga 8 vendësh që u ngrit nga ana e detit të Delisufit ishin dy foristrada Rand Rover një furgon blu i nbyllur ikën në drejtim të Poros, ju lutem mos më publikoni për informacionin mos më trathtoni kam familje, kam frikë nga këta rilindasit mafioza”, shkruan qytetari nga Vlora.
Një avion me drogë ka fluturuar dje edhe mbi qiellin e Kavajës. Ky është denoncimi që vjen nga një qytetar, raporton portali “Jeta Osh Qef”, teksa përcjell edhe një video ku duket një avion i vogël mbi qiellin e Kavajës.
“Përshëndetje Jeta Osh Qef! Kjo “mushkonjë” ka pothuajse gjithë pasditen që qarkullon mbi fshatrat e Kavajas”, është mesazhi që ka dërguar qytetari, sipas portalit. “Sipas raportuesit, ka mundësi që avioni të jetë i përfshirë në trafikun e drogës. Nuk është hera e parë që në vendin tonë shihen të tillë avionë të dyshimtë, prandaj dhe qytetarët janë bërë mosbesues kur Kryeministri deklaron se avionët përdoren për të eliminuar mushkonjat”, shkruan portali.
Para pak kohësh policia italiane zbuloi një avion me drogë që ishte nisur nga Vlora. Një avion i vogël ishte nisur nga fshati Akërni i Vlorës dhe ka fluturuar drejt Pulias. Lajmi u bë i ditur nga mediat italiane dhe ato shqiptare dhe më pas u konfirmua edhe nga Policia e Shtetit. Mediat e shtetit fqinj bënë të ditur se, autoritetet italiane janë vënë sërish në alarm të rikthimit të trafikut të drogës me avion nga Shqipëria në Itali.
Nga baza ushtarake ajrore e Gioia del Colle, në jug të Italisë janë ngritur menjëherë dy avionë Eurofighter, të cilët e kanë ndjekur avionin e vogël, duke e shoqëruar deri jashtë kufirit ajor italian. Më pas, janë humbur gjurmët e destinacionit të tij. Sistemi i sigurimit ajror italian dyshon se në bordin e këtij avioni udhëtonin trafikantë droge me ngarkesë lëndë narkotike.
Arrestohet në Zvicër për mashtrim biznesmeni Rezart Taçi
Biznesmeni Rezart Taçi është arrestuar dje në Zvicër. Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga shkresat, që avokati mbrojtës ka dorëzuar në Gjykatën e Tiranës, në procesin penal ndaj Taçit për akuzën e “mospagimit të taksave dhe tatimeve”. Burimet thonë se avokati, ka dorëzuar në Gjykatë aktin e përfaqësimit, që Rezart Taçi i ka dhënë noterit nga ambientet e një paraburgimi në Gjenevë të Zvicrës.
Nga ky akt-përfaqësimi, ish-manjati i naftës kërkon të përfaqësohet dhe mbrohet në Shqipëri nga avokati Fatmir Brraka. Nuk jepen shumë detaje për shkakun e arrestimit apo kohën e prangosjes.
Por burimet nga Interpol Tirana i thanë ABC News se ndalimi i Taçit është bërë me urdhër të Prokurorisë Publike të kantonit të Gjenevës në Zvicër, për akuzën e “mashtrimit”, “Falsifikimit të dokumenteve” dhe “Falsifikimi i vulave dhe i stampave ose i formularëve”. Ky hetim, ka nisur thonë burimet pas kallëzimit të dy kompanive, një e regjistruar në shtetin Panamez me emrin “Wallis Trading INC” dhe ajo holandeze me emrin “Trafigura Beheer Bv”. Të cilët me kompaninë e Rezart Taçit kishin një marrëveshje tregtare të nënshkruar që në vitin 2009.
Për llogari të këtij hetimi, burimet thonë, se më 5 maj 2014 në Shqipëri, autoritet e zviceriane kanë kërkuar ndihmë nga Prokuroria e Përgjithshme, për kryerjen e disa veprimeve hetimore. Mes tyre sekuestrimin e kontratave të kompanisë së Rezart Taçit, verifikimin e llogarive bankare të kompanive dhe personalet, disa veprime të tjera bankare dhe pyetjen me cilësinë e dëshmitarëve të 4 personave, mes tyre motrën e Rezart Taçit dhe nipin e tij.
Të gjitha këto veprimet hetimore, thonë burimet kanë përfunduar në Shqipëri dhe i janë dërguar autoriteteve të drejtësisë zviceriane, të cilët kanë arrestuar Taçin në një nga aeroportet e vendit.
Nga ana tjetër, në procesin gjyqësor në Tiranë, që treshja gjykuese e zhvilloi pa praninë e mediave, avokati i Rezart Taçit kërkoi që klienti i tij të gjykohet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar, por duke mos pranuar akuzën e “mospagimit të taksave dhe detyrimeve tatimore”. Kërkesë kjo që u pranua nga Gjykata, duke i dhënë fjalën prokurorit të lexojë kërkesën për gjykim. Më pas, seanca u shty për t’i lënë kohë prokurorit të çështjes të përgatisë konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurit Rezart Taçi, i cili nga mospagimi i taksave dhe detyrimeve tatimore me cilësinë e administratorit të ARMO-s për 4 vite, që dyshohet se i ka sjellë shtetit shqiptar një dëm prej rreth 6 milionë euro.