13.5 C
Tirana
E shtunë, 26 Prill, 2025

Shqipëria e fundit në Ballkan për pensionet

Erion Veliaj e ka trumpetuar si një prej arritjeve të tij më të mëdha ligjin e ri të pensioneve. Ky ligji u miratua kur ai ishte Ministër i Mirëqënies Sociale. I gjithë drafti u përgatit dhe u mbrojt në parlament nga dikasteri i tij. Korrikun e vitit 2014, përpara deputetëve të Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Veliaj dha disa argumenta në mbrojtje të projet/ligjit që u miratua më vonë me votat e mazhorancës. Ai tha, veç të tjerash, se skema e mëparshme “karakterizohej nga element të theksuar padrejtëise, pasi disa grupe kontributesh përfitojnë pensione shumë të larta dhe kontribuojnë shumë më pak se të tjerët” dhe se “skema e pensioneve vuan nga një deficit i lartë që e bën financiarisht të papërballueshme në vitet që po vijnë”. A i ka rregulluar ligji i ri këto probleme apo ka dështuar në adresimin e tyre? Naim Hasa, një ekspert i kësaj fushe dhe administrator i një prej shoqërive që operojnë në tregun e pensioneve vullnetare, duke folur për revistën Monitor shprehet se Shqipëria renditet e fundit në rajon përsa i përket vlerës mesatare të pensionit. Kjo vlerë përllogaritet në rreth 98 euro, ndërsa në Maqedoni ajo është 191 euro dhe në Bosnje rreht 179 Euro. “Ligji i ri nuk u ka dhënë zgjidhje një sërë problemesh që kanë të bëjnë me deficitin e lartë (rreth 1.7 % të PBB), shkallës së ulët të mbulimit apo faktit se gjenerohen kryesisht probleme minimale (65 % të numrit total”, shkruan Monitor, teksa thekson se “Shqipëria ka diferenca të mëdha sa i përket sistemit të pensioneve, si në vlerë mesatare ashtu edhe në shkallën e mbulimit”. E fundit, renditet edhe sa i përket shkallës së mbulimit që tregon vartësinë kontribues-përfitues e që është 1.2  me  1. Revista Monitor thekson se “probleme ka edhe me ritmet e rritjes së vlerës së pensionit ( mesatarisht 7-8%) çdo vit dhe numrit të kontribuesve ( 2-3%).” Nga viti 2005 deri në vitin 2013 deficiti mes të ardhurave nga kontributet dhe përfitimet është rritur me 160%. Ekspertët thonë se deficit vë në rrezik qëndrueshmërinë financiare të pensioneve dhe se këtij problemi, ligji i ri nuk i ka dhënë zgjidhje.

Skema për sistemin privat të detyruar në skemën e pensionit
Shqipëria po diskuton mundësinë për futjen e sistemit privat të detyruar në skemën e pensionit, për ta bazuar atë në tre kolona. Instituti i Sigurimeve Shoqërore, në mbledhjen e fundit të Këshillit Administrativ hodhi idenë e realizimit të një studimi që do të mund të hidhte dritë mbi mundësitë për të zbatuar sistemin e kursimit individual (privat), që mbështetet në konributet që paguan edhe vlerën e shtuar nga investimi i tyre. Kjo do të thotë që një pjesë e kontributit të sigurimeve shoqërore që në total sot llogaritet në 21.6% të mund të shkojë për këtë skemë. Vlera mund të jetë në rreth 3% sipas ndarjes rreth 1.6% të paguhet nga punëdhënësi dhe 1.4% për punëmarrësin. Këto mbeten ende hipoteza, megjithatë burime pranë Këshillit Administrativ thonë se, po shikohen mundësitë që në Shqipëri sistemi i pensioneve të bazohet në tri kolona (i detyruar shtetëror, i detyruar privat dhe vullnetar privat). Aktualisht vetëm në Shqipëri, Bosnje dhe Serbi, zbatohet sistemi shtetëror dhe ai vullnetar.
Ekspertët i bënë të ditura këto gjatë një trajnimi që Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi me përfaqësues të mediave për funksionimin e sistemit të pensioneve vullnetare. Sipas specialistëve të AMF-së, Këshilli i Ministrave ka aktualisht në dorë draftin e ri të amendimeve që pritet t’i bëhen projektligjit “Për fondet e pensioneve vullnetare” i miratuar në vitin 2009.
Ndryshimet (miratimi i të cilave është i vonuar) do të qartësojnë më shumë incentivat fiskale që kanë të bëjnë me taksimin e kontributit të paguar në sigurimet e pensioneve vullnetare. Shoqëritë që operojnë në këtë treg, që llogaritet në rreth 6 milionë euro, shprehen se ka pasur paqartësi në zbatimin e lehtësive fiskale. Sipas tyre, ka qenë një lapsus ajo që ka ndodhur deri tani me tatimin e përfitimeve. Me ndryshimet ligjore do të sanksionohet që të tatohet vetëm kontributi i derdhur dhe jo pjesa e përfitimit.
Ligji aktual njeh gjithashtu një vlerë tavan për lehtësitë fiskale që është 250,000 lekë dhe 25% të ardhura vjetore. Sipas shoqërive që operojnë në këtë segment është e nevojshme që të rishikohet ky nivel. Ndryshimet do të zbatohen edhe për një sërë elementësh të tjerë që do të synojnë nxitjen e zhvillimit të këtij tregu që konsiderohet modest, në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Për ekspertët e Bankës Botërore që udhëhoqën këtë trajnim shprehen se vendet e rajonit po konsolidojnë sistemet e pensioneve, duke qenë se janë përballë sfidës së plakjes së popullsisë. Gjithnjë e më shumë thonë ekspertët e Bankës Botërore, po ngushtohet hendeku gjinor sa i përket pensioneve. Ndërsa drejtuesi e e shoqërive shqiptare te pensioneve private vullnetare thonë se këto skema kanë një sërë avantazhesh, si: zbatojnë moshën më të hershme për daljen në pension, ofrojnë përfitime më të mëdha, pasi të kthehet edhe investimi i bërë në masën 2-5 herë më i lartë se kontributi i derdhur; nga ana tjetër ky kontribut është i trashëgueshëm. Në lidhje me sistemin aktual të pensioneve në Shqipëri, ata rendisin disa probleme si: deficitin e lartë të financimit që llogaritet në mbi 1.67% të PBB-së; shkallën e lartë të kontribues/përfitues në raportin 1.2-1; shkallën e ulët të zëvendësimit (pension –pagë) 32-35% kundrejt 75% që është norma ligjore; mosfunksionimi për një kohë të gjatë të sistemit privat të pensioneve; sistemi gjeneron kryesisht pensione minimale (65% e numrit total).

FMN zbardh borxhet e reja, huatë e prapambetura të bashkive sa 0.6% e PBB-së

Teksa qeveria shqiptare në fund të vitit që shkoi pastroi mbi 60 miliardë lekë detyrime të prapambetura, borxhe të reja po duken në sfond. Fondi Monetar Ndërkombëtar gjatë Deklaratës në mbyllje të Misionit për Konsultimet për Nenin IV dhe shqyrtimin e shtatë të Marrëveshjes së Zgjeruar, vuri në dukje se, borxhet e prapambetura të pushtetit lokal tashmë janë një rrezik i ri fiskal. FMN duke ju referuar të dhënave të Ministrisë së Çështjeve Vendore ka zbuluar disa detyrime që mund të jenë të prapambetura, prej rreth 0,6 për qind të PBB-së, sipas të dhënave deri në mes të vitit 2015.
Sipas të dhënave të qeverisë shqiptare borxhi i prapambetur i zbuluar nga një proces auditi në njësitë e reja vendore kap shumën e 65 milionë eurove.
“Rekomandohet që autoritetet t’u kërkojnë njësive të qeverisjes vendore të kryejnë auditime dhe të hartojnë plane veprimi për t’i zgjidhur këto detyrime të prapambetura, duke siguruar integritetin e procesit përmes audituesve të jashtëm. Për të zbutur risqet fiskale nga decentralizimi fiskal në proces dhe për të përmirësuar raportimin dhe monitorimin, është mirë të përshpejtohet shqyrtimi i ligjit për financat publike vendore” sugjeron FMN.
Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka këshilluar qeverinë se, për të parandaluar rikrijimin e detyrimeve të reja të prapambetura, është mirë të vihen sa më shpejt në zbatim tavanet e angazhimeve shumëvjeçare dhe zgjerimi i institucioneve përdoruese të sistemit të ri informatik të thesarit. Prioritet është miratimi i ligjit organik për buxhetin.
Fondi vlerëson si një rrezik fiskal edhe administrimin tatimor, duke këshilluar që fokusi të jetë në zbatimin në kohë i strategjisë organizative të Administratës tatimore, ku përfshihet ristrukturimi tërësor i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, si edhe miratimi i instrumenteve bashkëkohore të menaxhimit të riskut.
Fondi sugjeron se Administrata Tatimore dhe ajo Doganore duhet të bashkërendojnë më nga afër për vlerësimin e risqeve dhe ruajnë angazhimin në fushatën kundër informalitetit, që ka filluar tashmë të japë rezultatin me një rritje të lartë të numrit të bizneseve të vogla dhe punëmarrësve të regjistruar.
Një tjetër shqetësim për stabilitetin fiskal mbetet edhe Menaxhimi i Investimeve Publike dhe Partneritetet Publike-Private.
Fuqizimi i Menaxhimit të Investimeve Publike dhe rritja e besueshmërisë së kuadrit buxhetor afatmesëm të autoriteteve ka rëndësi tejet të madhe për të ulur riskun e angazhimeve të pambuluara me fonde dhe detyrimeve të prapambetura.
Në veçanti, autoritetet duhet të shqyrtojnë të gjitha projektet e papërfunduara të investimeve që nuk janë të mbuluara me buxhet dhe të identifikojnë projektet që do të anulohen, në bazë të kritereve transparente, sugjeron Fondi.
Të gjitha propozimet për partneritet publik privat (PPP) t’i nënshtrohen studimit të hollësishëm të fizibilitetit dhe analizës kosto-përfitim, studim i cili duhet të vlerësohet nga Ministria e Financave përpara se të jepet aprovimi. Ndikimi që ka çdo PPP i ri në llogaritë fiskale të reflektohet me transparencë dhe në përputhje me normat ndërkombëtare, thuhet në deklaratën e FMN.

Konsolidimi fiskal të fokusohet të informaliteti

Pas vizitës së misionit të FMN-së në Shqipëri, FMN publikoi deklaratën përmbyllëse për vëzhgimin e ekonomisë në artikullin 4.
Ekspertët e Fondit pasi analizuan situatën buxhetore rekomanduan që duke pasur parasysh nivelin relativisht të ulët të shpenzimeve publike, rregullimi fiskal duhet të fokusohet kryesisht në anën e të ardhurave. Duke pasur parasysh nevojën për shpenzime më të mëdha në fusha të tilla si infrastruktura dhe arsimi, si dhe efikasitetit relativisht të ulët të taksave në Shqipëri, strategjia e konsolidimit duhet të fokusohet në zgjerimin e bazës tatimore dhe në forcimin e pajtueshmërisë dhe administrimit të të ardhurave, keshillon FMN.
Fondi kërkon që autoritetet shqiptare të përshpejtojnë punën për kadastrën fiskale, me qëllim të aplikimit të tatimit nbi pronën në deri në fund të vitit 2017. Fondi vuri në dukje gjithashtu se qeveria duhet të pezullojë përjashtimet e tjera tatimore apo trajtimet preferenciale të taksave dhe duhet të përpiqet për të hequr përjashtimet ekzistuese.
Stafi i FMN vuri në dukje se, Shqipëria gradualisht po shërohet nga një ngadalësim i zgjatur rritjes ekonomike. Rritja e Iinvestimeve të Huaja Direkte në projekte të mëdha që kanë të bëjnë me energjinë pritet gjithashtu nxisë rritjen në afat të shkurtër. Rritja e GDP parashikohet të përshpejtohet në 3.4 për qind në vitin 2016, nga 2.6 për qind në vitin 2015. Deficiti i llogarisë korente pritet të zgjerohet. Inflacioni është i ulët dhe ka të ngjarë të jetë i tillë edhe në të ardhmen e afërt.
Ekspertët e Fondit kërkuan që konsolidimi fiskal të vazhdojë për të ulur dobësitë fiskale dhe për të siguruar qëndrueshmërinë e borxhit. Bilanci primar pritet të përmirësojë me rreth 2¼ për qind të PBB-së në vitet 2014-2016, duke arritur një suficit primar këtë vit. “Pas kësaj, autoritetet duhet të vazhdojnë me objektivin e tyre të uljes së borxhit publik nën 60 për qind të PBB-së nga 2019, e cila kërkon ulje me rreth 1 për qind të PBB-së çdo vit”. Për të ankoruar pritjet afatgjata, autoritetet duhet të miratojnë një rregull fiskal mbështetur nga një këshilli fiskal i pavarur. Për më tepër, menaxhimi i borxhit duhet të zgjasë më tej pjekurinë e borxhit publik dhe të diversifikuar bazën e investitorëve, duke ulur rreziqet që dalin për financimin e nevojave, të cilat mbeten të larta.
Pikëpamjet e shprehura në këtë deklaratë janë ato të personelit të FMN-së dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Bordit Ekzekutiv të FMN-së, thuhet ne deklarate.

Rama jep me koncesion edhe “Luadhin e Çelos”, banorët bllokojnë rrugën në Pogradec

Rreth 200 banorë të fshatit Zagorcan të Pogradecit u ngritën në protest sot duke bllokuar rrugën nacionale Korçë – Pogradec. Bëhet e ditur se banorët janë ngritur në protestë kundër dhënies me koncesion nga qeveria të një sipërfaqje toke prej 200 hektarësh, një qytetari nga Tepelena.

Toka gjendet në zonën e quajtur “Luadhi i Çelos”. Për 30 minuta ata e bllokuan qarkullimin e automjeteve në rrugë. Banorët thanë se protesta e sotme ishte vetëm paralajmërim dhe se ata do t’i përshkallëzojnë veprimet e tyre. Edhe njësia administrative Buçimas i ka mbështetur ata.

Basha bashkëbisedim me gazetarët: Mbështetje nga SHBA për “fatin” e Al Kaponëve shqiptarë

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar sot një bashkëbisedim me gazetarët. Basha ka folur vizitën e suksesshme ën SHBA dhe për disa nga çështjet që ka biseduar me zyrtarët amerikanë, të cilët sipas tij kanë shprehur mbështetjen e plotë për Shqipërinë në sfidat me të cilat përballet. “Po e filloj për t’ju informuar për vizitat në SHBA, ndonëse ajo ka pasur jehonë në mediat sepse është një vizitë e rëndësishme për Shqipërinë”, e nisi fjalën kreu i opozitës Lulzim Basha.
“Të ndërtojmë një vektor kontribuimi që në këto 25 vjet të ekzistencës së shtetit shqiptar ka qënë vetem përfitimi. Vizita ime është e para si kryetar i opozitës dhe vjen në një kohë sfidash të mëdha globale dhe të brendshme të SHBA-së. Janë në valën e primareve presidenciale dhe bota përballet me sfidat e terrorizmit, krizat në Ukrainë etj, të reflektuara në partnerët kryesorë të SHBA, si BE. Megjithatë, zyrtarët amerikanë ndanë kohë dhe vëmendje duke më rezervuar mua jo vetëm kohën dhe vëmendjen, por edhe garancinë për Shqipërinë në sfidat me të cilat ajo përballet.
Dhe ky është në fakt një inkurajim i madh jo vetëm për ne, por të gjithë shqiptarët dhe më sjell para jush me një arsyetim të mbështetur se sfidat kryesore të Shqipërisë do të mbështeten dhe ligji për dekriminalizimin nuk do të mbeten në sirtar, se personat me rekorde kriminale do të nxirren nga institucionet dhe kjo është e papranueshme e theksoj e papranueshme për SHBA dhe nuk do të tolerohen. Ato do të jenë në krah të opozitës për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe garancinë e votës së lirë.
Së treti, vij me inkurajimin se BKH dhe reforma në drejtësi do të kryhen sipas rekomandimeve të Venecias, sipas standartit europian, sepse askush nuk do të mund të ndalë këtë vullnet që në fakt buron nga qytetarët shqiptarë për të pasur një drejtësi të pakorruptuar për të vënë në presionin e politikë shd en gjendje të hetojë dhe politikën e ta vërë para përgjegjësisë. Ky është thelbi i reformës në drejtësi. Ajo nuk është abstrakte po konkrete. Reforma nuk është krekosje dhe arrogancë. Al kapones së ulur në karrigen e Kryeministrit që natyrisht përkthehet dhe përkthyer në dhjetra Al Kapone të tjerë”, u shpreh Basha.

Plagoset me pistoletë biznesmeni në Shkodër, autorët largohen me motor

Një biznesmen është plagosur me armë mëngjesin e sotëm në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Stadiumit “Loro Boriçi”. Viktimë e të shtënave me armë zjarri ka mbetur një biznesmen 52-vjeçar. Ai është dërguar në spital ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Pas atentatit, autorët janë larguar nga vendngjarja. Mësohet se kanë qenë dy autrë, me skafandra të cilët lëviznin me një motor.
Sipas policisë Vendore të Shkodrës, plagosja ka ndodhur rreth orës 06:30 në lagjen “Kongresi Përmetit”, të qytetit. Policia bëri të ditur se është qëlluar në rrugë me armë zjarri Berhan Vishnja rreth 52 vjeç, i cili është dërguar në Spitalin Rajonal Shkodër momentalisht jashtë rrezikut për jetën.
Kambistit ju zu pritë pranë kryqëzimit të Zdrales, në afërsi të Stadiumit “Loro Borici”. Sapo 52- vjeçari Vishnja ka mbërritur në zonë dhe është ndaluar për të parkuar, pranë tij ka kaluar një motoçikletë me 2 persona, të cilët pasi iu afruan automjetit qëlluan disa herë në drejtim të tij. Për pasoje Vishnja ka mbetur i plagosur dhe u dergua me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës. Autorët janë larguar menjëherë nga vendngjarja, ndersa dëshmitarët okular i kanë ardhur në ndihmë Vishnjes.
Pas ndërhyrjes kirurgjikale ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe sipas bluzave të bardha 3 plumba e kane prekur atë, 2 në krah dhe një 1 në pjesën e barkut. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat policore dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Sipas dëshmive të para, 2 autorët që kanë qenë në motoçikletë kanë pasur në kokë skafandra çka e bën më të vështirë identifikimin e tyre.
Si prove materiale policia ka sekuestruar pamjet filmike të disa bizneseve aty pranë, për të mundësuar zbardhjen e ngjarjes. Ende nuk dihet nëse Vishnja ka pasur konflikte të mëparshme me shtetasit në fjalë apo ka qenë tentative grabitje. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Pushohen 70 mjekë nga puna, Shëndetësia e Shkodrës në protestë

Punonjësit e Shëndetësisë në Shkodër janë hedhur në protest sot pas pushimt nga puna të 70 mjekëve e infermierëve. Pushimet nga puna janë bërë me urdhër të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për motive politike dhe punonjësit kërkojnë rikthimin në punë. Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe kryetari i degës së PD të Shkodrës, Ramiz Çobaj.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Çobaj shkruan se, ministri Beqaj godet përsëri Shkodren pabesisht. “Mbi 70 punonjës të sistemit shëndetësor nxirren në rrugë pa asnjë kriter.
Më falni për pasaktësinë, por i vetmi kriter i pseudoreformës është kriteri politik. Të gjithë këta që shihni hiqen nga puna vetëm e vetëm se mendojnë ndryshe nga Iliri dhe Edi. Ata po zevëndësohen me militantë”, shkruan kreu i PD të Shkodrës.

Vrasja në Gjirokastër, PD: Autori levë e Tahirit, nuk arrestohet se ka të atin polic

 

Partia Demokratike akuzoi Policinë e Shtetit se nuk ka gjetur ende vrasësin e e ngjarjes së ndodhur në Gjirokastër pak ditë e më parë, ku humbi jetën një 29-vjeçar si dhe u plagos një 31-vjeçar, dy vëllezër. Kryetari i Departamentit të Sigurisë në PD, Enkelejd Alibeaj, në një dalje para mediave tha se, autori i dyshuar i vrasjes, Enerik Lluka po lëviz i lirë dhe me lehtësi, pasi ‘mbrohet’ nga kreu i policisë, para dhe pas aktit kriminal.
“Vrasja dy ditë më parë në Gjirokastër, është një ngjarje e rëndë, një ngjarje e paralajmëruar madje e lejuar të ndodhë nga policia atje, nga drejtori i Policisë, pasi autori kishte të gjitha lehtësitë, para dhe pas aktit kriminal. Autori i vrasjes, Endri Lluka, një person me precedent penal, bridhte lirshëm me pistoletë në qytet dhe kërcënonte fshatarët e zonës ku dyshohet se kishte parcelat e tij me kanabis.
Ndaj tij kishte dhe kallëzim për kërcënimet dhe shqetësimet që krijonte, por policia nuk ka marrë asnjë herë masa. Lehtësitë ndaj vrasësit vinin jo vetëm prej të atit polic, por sidomos prej lidhjeve të këtij personi me drejtorin e Policisë së Gjirokastrës. Pas ngjarjes së rëndë ku mbeti një i ri i vrarë dhe vëllai i tij i plagosur, policia nuk ngrit asnjë postbllok. Sipas njohësve të zonës dhe specialistëve, vendi ku ndodhi ngjarje është i atillë, sa me dy postblloqe autori duhej të ishte kapur brenda orës. Mirëpo ai është i lirë dhe sot që flasim”, thuhet në reagimin Alibeajt.
“Edhe kur drejtuesit e PD në Gjirokastër i kërkuan sqarime drejtorit të Policisë së Qarkut përse nuk janë ngritur postblloqet, ky i fundit nuk u përgjigj si njeri i ligjit, por si levë e bindur e Tahirit, se ai nuk i jepte kujt llogari. Kjo ngjarje, tregon inkriminimin e pikave kyçe të policisë, lidhjet e tyre me personat me rrezikshmëri të lartë, me trafikantë dhe me vrasës, dhe dëshmon animin e shtetit në krah të banditëve, dhe kundër qytetarëve. Partia Demokratike i kërkon prokurorisë të hetojë menjëherë për të gjitha lehtësitë që i janë krijuar vrasësit dhe mosveprimet që sollën ngjarjen e rëndë kriminale, dhe mosveprimet që pasuan më tej ngjarjen duke ia bërë të mundur autorit largimin dhe arratinë. Ne i sigurojmë qytetarët se drejtuesit e policisë që bashkëpunojnë me krimin do të mbajnë llogari para ligjit deri në fund”, përfundoi Alibeaj.

 

Skandal, ministri presion Kushtetueses për pronat, Presidenti: E paprecedentë

Përmes një akti të paprecedent, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani bëri publikisht presion dje ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin e pronave. Ky ligj i miratuar së fundmi nga qeveria synon grabitjen e pronave të pronarëve të vërtetë, ndërsa është kundërshtuar nga Presidenti i Republikës, si dhe opozita. Edhe Presidenti, edhe opozita kanë ankimuar këtë ligj arbitrar në Gjykatën Kushtetuese. E kur pritet që gjykata të shqyrtojë ankimimet e të japë opinionin e saj, ministri i Drejtësisë dje i bëri thirrje asaj që të rrëzojë ankimimet e bëra ndaj ligjit.
Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani nën pretekstin e “pasojave katastrofike” ka “këshilluar” dje Gjykatën Kushtetuese për vendimin që (s’)duhet të marrë për Ligjin e Pronave. Duke paragjykuar, Manjani është shprehur kundër çdo vendimi të Gjykatës Kushtetuese që do të çonte në pezullimin e Ligjit të Pronave. Sipas tij, një vendim i tillë do të kishte pasoja katastrofike për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare.
“Pezullimi i ligjit të pronave do të kishte pasoja katastrofike jo vetëm për pronarët, por edhe për shoqërinë shqiptare”, u shpreh Manjani, duke e cilësuar pezullimin e ligjit si të palegjitimuar nga ana kushtetuese. “Nuk ka asnjë rresht që të legjitimojë pezullimin e akteve nga Gjykata Kushtetuese. Kjo është Kushtetuta e Shqipërisë nga A-ja te Zh-ja”, ka vijuar më tej Manjani, “duke i dhënë mend” Kushtetueses. Sipas tij, pezullimi do të digjte 25 milionë dollarë fond për kompensimin e pronarëve, si dhe do të bllokoheshin 20 mijë hektarë tokë bujqësore.
“Gjykimi kushtetues për këtë ligj është një gjë e shtuar, sikurse është kompleks dhe i vështirë e sigurisht që do të kërkojë kohën e vet. Masa e përkohshme e pezullimit të ligjit do të ishte një çështje e pajustifikuar. Sepse pengimi për ta zbatuar këtë ligj do të thotë djegie e 25 milionë dollarëve, bllokohen 20 mijë hektarë tokë për kompensim fizik, bllokohen 11 mijë dosje dhe 26 mijë vendime.
Nëse interesi është bllokimi i kompensimit dhe pronës për pronarët, është e pakuptueshme. S’është as në interesin e pronarëve, as të shtetit shqiptar. Është një çështje e shoqërisë shqiptare, është një çështje e pronarëve”, u shpreh Manjani. Ai theksoi se ligji do të vijojë nga zbatimi, pavarësisht shqyrtimit në Gjykatën Kushtetuese. “Le të fillojmë zbatimin dhe paralelisht të shqyrtohet edhe kushtetutshmërisht”, ka sfiduar më tej Gjykatën Kushtetuese, ministri i Drejtësisë. Gjykata Kushtetuese pritet të marrë në shqyrtim 3 kërkesat ankimuese të ligjit, atë të Presidentit Nishani, Partisë Demokratike dhe asaj Republikane.
Në fakt, ligji është kundërtuar fuqimisht nga vetë pronarët, të cilët kanë refuzuar zbatimin dhe njohjen e tij ndërsa kanë paralajmëruar protesta.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i Presidentit Nishani, i cili në një njoftim për mediat shprehu shqetësimin për presionin e Manjanit ndaj Gjykatës Kushtetuese, ndërsa paralajmëroi se ligji aktual i pronave i miratuar nga qeveria do të nxisë edhe më tej penalizimet ndaj shtetit shqiptar nga Gjykata e Strasburgut. “Presidenti i Republikës shpreh shqetësimin e thellë për presionin publik adresuar pasdite nga ana e qeverisë shqiptare ndaj Gjykatës Kushtetuese të Republikës në lidhje me shqyrtimin e ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave. Presioni politik i një qeverie ndaj Gjykatës Kushtetuese të vendit është një akt i paprecedent në historinë e pluralizmit shqiptar. Presidenti i Republikës si palë ankimuese, i kërkon Gjykatës Kushtetuese të mbrojë Kushtetutën e vendit dhe standardet e shtetit të së drejtës. Ligji aktual dëmton rëndë të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, do ta thellojë konfliktin midis individit dhe shtetit e për rrjedhojë do të vijojnë penalizimet nga ana e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut”.

Grusht shteti i mazhorancës, kundër zbatimit të Kushtetueses, nuk dorëzon dy deputetët

Mazhoranca nuk ka lejuar dje dorëzimin në Gjykatën Kushtetuese të mandatit të dy deputetëve, të cilët në shkelje të hapur të ligjit të konfliktit të interesit kanë përfituar fonde publike. PS dhe LSI edhe dje kanë bllokuar dorëzimin e deputetit Suli në Gjykatën Kushtetuese dhe kjo ka sjellë një reagim të ashpër të opozitës, e cila ka bllokuar foltoren e Kuvendit duke mos lejuar zhvillimin e seancës.
E gjithë seanca parlamentare ka vijuar përmes tensionit dhe bllokimit dhe nuk ka zgjatur më shumë se 60 minuta. Deputetët e opozitës kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e seancës deri në zbatimin e ligjit dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Deputeti Halimi e konsideroi si fund të parlamentarizmit dhe grusht shteti, bllokimin e kërkesës legjitime të opozitës për deputetë në konflikt interesi që ata të mos dorëzohen në Gjykatën Kushtetuese. Halimi tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i lë asnjë hapësirë për interpretim Parlamentit, por kërkon dorëzimin në atë gjykatë të kërkesës së opozitës.
“Në seancën e kaluar ku mazhoranca në abuzim të plotë të pushtetit, rrëzoi kërkesën e PD për të çuar para drejtësisë dy deputetë, të cilët dyshohen se kanë përfituar fonde publike, është akti më i rëndë, pas mbajtjes dhe futjes në Parlament të deputetëve me rekorde të tmerrshme kriminale. Injorimi me arrogancë i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që nuk i lë asnjë hapësirë Parlamentit, por kërkon që të gjithë deputetët që dyshohen se kanë përfituar fonde publike të shkojnë para drejtësisë, është padyshim grusht shteti ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe është një fund i parlamentarizmit dhe funksionimit të një demokracie parlamentare”, tha Halimi.
“Abuzimi me pushtetin duke mbrojtur një vit më parë deputetin Kokëdhima na detyroi që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese duke e pyetur, në interpretim të Kushtetutës. Se çfarë ndodh kur Kryeministri mbron deputetët kur akuzohen për marrje fondesh me leje të tij? Çfarë ndodh me deputetët që marrin para me leje të Kryeministrit? A bëhen të paprekshëm për drejtësinë se Kryeministri nuk i lëshon, nuk ia dërgon drejtësisë? Pa as më të voglin dyshim mburoja kryeministrore për deputetët për t’i bërë të paprekshëm është abuzive, është vrastare për Kushtetutën, është vrastare për shtetin ligjor, është vrastare për demokracinë, për Parlamentin dhe pa dyshim për Gjykatën Kushtetuese.
Qeveria që qeveris jashtë normave dhe kornizave ligjore dhe kushtetuese është tirani. Shkruhet kështu në muret e Kongresit amerikan. Një qeveri që e bën zero Gjykatën Kushtetuese e injoron me arrogancë atë, nuk ka asnjë sjellje tjetër përveçse një sjellje prej grushti shteti. Prania e opozitës brenda Parlamentit është elementi më i rëndësishëm për një demokraci funksionale. Detyra e opozitës është të sigurojë transparencën në vendimmarrjen politike. Ndaj pyetëm Gjykatën Kushtetuese. Çfarë ndodh kur Kryeministri me arrogancë kërkon t’i mbrojë e t’i bëjë të paprekshëm deputetët e tij kur ata dyshohen se kanë abuzuar me fonde publike? Gjykata Kushtetuese, një vit më vonë, pak muaj më parë, foli dhe nxori këtë vendim. Vendimi nr. 7, dt. 24.02.2006, që flet për z. Kokëdhima, por bën edhe interpretimin e Kushtetutës, gjë që sipas Kushtetutës është e njëjtë me normën kushtetuese. Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese është kthyer në normë kushtetuese. Dhe ky vendim i Gjykatës Kushtetuese thotë se Kryeministri, mazhoranca nuk mund të bëhet mburojë. Nuk mund t’i kthejë deputetët në të paprekshëm ndaj sistemit të drejtësisë. Detyra e opozitës, thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, në paragrafin 13 të tij është të bëjë transparencë për procesin e qeverisë. Detyra e opozitës është të kërkojë llogari. Detyra e opozitës është të bëjë denoncime. Për denoncimet e opozitës nuk është mazhoranca që vendos, është drejtësia. Këtë thotë Gjykata Kushtetuese.
Në vendimet e Gjykatës Kushtetuese ishte një nga tre pikat për të cilat u bë marrëveshja e 24 dhjetorit. Dhe ja ku është vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili u injorua dhe u shkel me arrogancë vetëm e vetëm për të mbrojtur nga drejtësia të paprekshmit, ata që kanë përfituar fonde publike me leje personale të Kryeministrit dhe duke ushtruar pushtetin e shumicës”.

Laboratori i drogës në Xibrakë dhe langoi Balla

Partia Demokratike reagoi dje ndaj shpifjeve dhe trillimeve të Edi Ramës të fabrikuara përmes deputetit të tij Taulant Balla. Në një reagim për mediat, PD deklaroi se Balla sot duhet të ishte përballë drejtësisë për shkak të lidhjeve të tij me trafikun e drogës si dhe laboratorin e kokainës të zbuluar në Xibrakë.
“Shpifësi i çertifikuar zyrtarisht, T. Balla, kreu dhe sot shërbimin e langoit për shefin e tij, duke sulmuar opozitën me trillime e gënjeshtra siç di ai. Ky abuzues me pushtetin, ky bastun i Edi Ramës që e ka emrin pas qindra emërimeve në administratë e poste kyçe, në tatime e dogana, në burgje e në komisione, që e ka emrin pas dhjetëra tenderave, pas dhjetëra licencimeve, që ka emrin pas shumë vjedhjeve që i bëhen sot parave të shqiptarëve, lehu dhe sot aty ku mbllaçit çdo ditë llokmat e korrupsionit.
Një drejtësi larg kontrollit të Edi Ramës do ta kishte vënë atë para ligjit, për shumë afera, për lidhjet e tij kriminale, për trafikun e laboratorit të drogës, si ai i Xibrakës. Kakaris ky shpifës sot, pikërisht se padroni i tij ka në dorë drejtësinë. Partia Demokratike dhe qytetarët e vendit do të luftojnë dhe po luftojnë për të sjellë në vend pikërisht drejtësinë që bën drejtësi, që çon aty ku e kanë vendin të korruptuarit si T. Balla”, thuhet në reagimin e PD.