24.5 C
Tirana
E shtunë, 3 Maj, 2025

Trump dhe Klinton humbasin në Uiskons

Republikani Ted Cruz dhe demokrati Bernie Sanders fituan zgjedhjet e djeshme paraprake në Uiskonsin. Senatori Cruz mundi me lehtësi kryesuesin e garës republikane, miliarderin Donald Trump dhe rriti shanset që republikanët të kenë një kuvend të kontestuar. Kjo mund të shkaktojë përçarjen e partisë gjatë procesit të emërimit të kandidatit të saj presidencial në muajin korrik.
Për senatorin Ted Cruz Texas, kjo ishte fitorja e tij më e madhe në zgjedhjet paraprake, dhe një pengesë e madhe për kryesuesin e garës republikane, miliarderin Donald Trump:
“Sonte është një pikë kthese, është një thirrje nga elektorati i Uiskonsinit për mbarë popullin e Amerikës. Ne kemi një zgjedhje. Unë jam gjithnjë e më shumë i bindur se fushata jonë do të fitojë 1,237 delegatët e nevojshme për të fituar emërimin e partisë republikane!”
Trump pësoi ndoshta humbjen e tij më të rëndë, një humbje që ngadalësoi hovin e tij dhe ka shtuar shanset që republikanët të kenë një kuvend të kontestuar të emërimit të kandidatit të tyre në Klivëlend të Ohajos në muajin në korrik.
Donald Trump lëshoi një deklaratë pas humbjes, duke e quajtur senatorin Cruz si “Kali i Trojës” që po punon me udhëheqjen republikane në përpjekjet për t’i vjedhur atij emërimin.
Zoti Trump nuk ka mbajtur asnjë fjalim publik pas humbjes në Uiskonsin, por foli me gazetarët më parë gjatë ditës në një qendër votimi.
Donald Trump, kandidat presidencial:
“Ne në fakt kemi një fushatë shumë të mirë, dhe unë kam një epërsi tepër të madhe. Askush nuk po flet për nunrin e votave. Unë udhëheq me miliona vota më shumë se kushdo tjetër”.
Guvernatori i Ohajos, John Kasich doli i treti me një hendek të madh mes tij dhe dy kandidatëve të tjerë.
Në garën e demokratëve, Bernie Sanders pati një natë të mirë në përpjekjen e tij për të kapur kryesuesen e garës demokrate, zonjën Hillary Clinton:
“Nëse zgjojmë popullin amerikan dhe në qoftë se njerëzit e klasës punëtore, klasës së mesme, të moshuarit dhe të rinjtë fillojnë të ngrihen, të luftojnë përsëri dhe të votojnë në numër të madh, nuk ka asgjë që ne nuk mund të arrijmë!”
Sanders tani ka fituar gjashtë nga shtatë garat e fundit ndaj ish-sekretares Clinton, e cila dje bëri fushatë në Nju Jork, ku më 19 prill zhvillohen zgjedhjet paraprake të demokratëve.
Përveç zotit Sanders, zonja Clinton është duke u përqendruar edhe kundër Donald Trump-it.
Hillary Clinton, kandidate presidenciale:
“Shumë njerëz janë duke u përpjekur të përçajnë amerikanët. Do të dëshiroja që ata të vijnë në Nju Jork dhe të shpenzojnë pak kohë këtu. Dhe unë do të dëshiroja që kandidati nga Nju Jorku, Donald Trump, të dalë nga gradaçelat e tij, dhe në fakt të eci rrugëve dhe të shpenzojë kohë me njerëzit e këtij qyteti!”
Pavarësisht hovit që po merr fushata e zotit Sanders, zonja Clinton vazhdon të mbajë një avantazh të madh në numërimin e përgjithshëm të delegatëve në kampin e demokratëve.

Komisioni Europian rishikon skemën e emigrantëve

Komisioni Europian do të rishikojë skemën aktuale të krizës së emigrantëve dhe së shpejti do të paraqesë disa opsione të reja për zgjidhjen e saj.

Kjo lëvizje ka ardhur si pasojë e vështirësive që po has Greqia dhe Italia me emigrantët që vijnë nga Lindja e Mesme dhe Afrika.

Sistemi aktual i Bashkimit Europian ka dështuar për shkak të fluksit të madh të refugjatëve.

Sipas rregullave, emigrantët duhet të kërkojnë azil në vendin e parë të Unionit ku mbërrijnë.

Por e ashtuquajtura “Karta e Dublinit” dështoi kur kancelarja Angela Merkel i hapi dyert refugjatëve sirianë vitin e kaluar.

Greqia dhe Italia tashmë kanë hequr dorë nga regjsitrimi i çdo emigranti që prek tokën e tyre dhe  kjo bëri që një pjesë e klandestinëve të cilët udhëtonin nga Turqia në brigjet greke e më pas përmes Ballkanit të mos ishin të regjistruar, ç’ka solli ndërtimin e gardheve në kufi nga disa vende si Maqedonia e Sllovenia.

Komisioni Europian pritet të paraqesë dy opsione, i pari është të vazhdohet me modelin aktual, por duke ndihmuar vendet që po përballen me fluksin më të madh.

Ndërsa i dyti është më radikal, i cili parashikon zhdukjen e  rregullave aktuale dhe shpërndarjen e emigrantëve në vende të ndryshme të Europës.

Megjithatë shumë shtete nuk e dëshirojnë këtë ndryshim të plotë të rregullave.

Britania e Madhe dhe disa vende të Europës Lindore e kanë bërë të qartë se duan të vazhdojnë me të njëjtin sistem , ç’ka i jep të drejtën që të kthejnë çdo emigrant në vendin ku ka zbritur për herë të parë në Europë.

Ndërkohë që aktualisht sipas marrëveshjes mes Bashkimit Europian dhe Qeverisë turke, të gjithë refugjatët që po mbërrijnë në ishujt grek, po dërgohen sërish në Turqi.

Cavani: Jam i PSG, por të ardhmes nuk i dihet

Edinson Cavani flet për të ardhmen e tij dhe nuk e përjashton mundësinë e largimit nga Paris Saint Germain në fund të sezonit. Në një intervistë të fundit, “El Matador” shpjegon favoret dhe disfavoret e të qenit në qendër të vëmendjes. “Gjithmonë është folur për këtë argument. Nga njëra ana është diçka pozitive, sepse tregon që shumë skuadra më duan, por ana tjerër nuk më vjen mirë që flitet kaq shumë për mua, sepse duket sikur nuk jam i lumtur në Paris”, u shpreh Kavani.
Por a ka patur oferta konkrete për kartonin e uruguaianit? “Mund të them se kam edhe dy vite kontratë me Paris Saint Germain dhe dua ta respektoj, por në futboll nuk i dihet kurrë se çfarë ndodh. Shumë gjëra nuk varen nga unë, por nga mënyra se si do të mbyllet sezoni dhe nga idetë e klubit”, tha ai.

Sulmet terroriste në Bruksel, një nga kamikazët ka punuar në Parlamentin Evropian

Detaje të reja zbardhen në lidhje me sulmet terroriste në aeroportin e Brukselit, më 22 mars, ku humbën jetën 35 persona dhe u plagosën me dhjetëra të tjerë.

Një nga kamikazët që shpërtheu në aeroportin e Zaventem ka punuar për dy muaj në Parlamentin Evropian. Një muaj në verën e vitit 2009 dhe një muaj në vitin 2010, i punësuar nga një kompani e jashtme pastrimi me një kontratë studenti.

Lajmi u bë i ditur nga Ansa dhe pak orë më vonë u konfirmua dhe nga vetë Parlamentit Evropian, me anë të një deklarate për shtypin.

Identiteti i terroristit që punonte në Parlamentin Evropian mbahet sekret, por mediat shkruajnë se nuk është asnjë nga dy terroristët që shpërthyen në aeroport, por është Najim Laachraoui, prodhuesi i bombave dhe një prej organizatorëve të sulmeve kamikaze në Paris më 13 nëntor.

Najim Laachraoui i cili ishte bashkë me dy vëllëzërit që e hodhën vetën në erë, u arratis nga aeroporti pas sulmit.

Ai dyshohet se ka prodhuar bomba që janë shpërthyer në Paris më 13 nëntor dhe besohet se ka krijuar bomba tjera që vranë 35 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë gjatë shpërthimit në aeroportin e Brukselit më 22 mars.
Najim momentalisht është personi më i kërkuar në Evropë pasi vitin e kaluar i shpëtoi kapjes së policisë kur u kthye nga Siria.

Stevan Jovetiç drejt largimit nga Interi

Me vendin e tretë që tashmë duket si një mirazh në sfidat e mbetura të këtij sezoni trajnerit të Interit, Roberto Mançini do t’i duhet të bëjë një rivlerësim të disa prej lojtarëve që ka në dispozicion. I pari në këtë listë është Stevan Jovetiç, i cili është transferuar te klubi zikaltër në formë huazimi nga skuadra e Man.City-t me detyrim blerjeje në verën e vitit 2017. Për malazezin fillimi i 2016 nuk ka qenë aspak pozitiv. Goli i fundit në kampionat i shënuar nga Jovetiç i takon datës 12 dhjetor në takimin kundër Udineses, ndërsa në Kupën e Italisë sulmuesi ballkanas e ka gjetur rrugën e rrjetës në sfidën ndaj Napolit të zhvilluar më 19 janar. Pengesë për sulmuesin zikaltër janë bërë dhe dëmtimet e shpeshta që e kanë detyruar atë të qëndrojë larg fushës së blertë për një kohë të gjatë.
Pritet që sezonin e ardhshëm Jovetiç të mos jetë pjesë e Interit. Për shërbimet e 26-vjeçarit janë të interesuara disa klube nga Premier League. Nga Interi në verë mund të largohet edhe mbrojtësi Joao Miranda. Për brazilianin interesohen Bayern Munchen dhe Man.United. Pavarësisht paraqitjeve jo të mira me asnjë gol të shënuar deri tani për sulmuesin Eder, i cili u transferua nga Sampdoria gjatë merkatos së janarit me të drejtë blerjeje për 11 milionë euro, situata duket më favorizuese. Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për dyshen Ljajiç-Telles. Të dy lojtarët nëse duan të qëndrojnë tek zikaltërit do t’u duhet të bindin trajnerin Roberto Mançini në 7 ndeshjet e mbetura të këtij sezoni.
Ndërkohë, Javier Zanetti mbështet Roberto Mançinin. Zëvendëspresidenti i Interit ka dalë në mbështetje të teknikut të zikaltërve Roberto Mançini, pavarësisht rezultateve jo të mira që ka arritur skuadra në fazën e dytë të kampionatit. Gjithçka nisi mirë për zikaltërit, duke arritur një sërë rezultatesh pozitive gjatë fazës së parë, por tanimë Interi e sheh veten 18 pikë pas Juventusit kryesues dhe misioni për një biletë për në Champions League duket se është një kapitull i mbyllur. Humbja ndaj Torinos e ka thelluar akoma dhe më shumë diferencën mes Interit dhe Romës të vendit të tretë. Sidoqoftë ish-kapiteni i zikaltërve, Javier Zanneti del në mbështetje të Roberto Mançinit dhe shprehet se nuk duhen humbur shpresat për një biletë në Champions League:
“Ne kemi besim të plotë tek Mançini. Është vërtetë që në fazën e parë të kampionatit skuadra ishte më solide, por gjithashtu ne e dinim se rrugës do të hasnim shumë vështirësi. Të gjithë janë shumë të zemëruar me ne pas humbjes kundër Torinos, por unë besoj se arritja e vendit të tretë është ende e mundur edhe pse misioni është bërë shumë më i komplikuar. Do të duhet të japin maksimumin në çdo takim që na ka mbetur”, u shpreh Zanetti.

Simeone te Interi, te Atletico as që e mendojnë diçka të tillë

Ëndrra e tifozëve të Interit është të shohin një ditë Diego Simeonen në stolin e skuadrës zikaltër. Në fakt edhe vetë tekniku argjentinas e dëshiron diçka të tillë, por për momentin ai nuk ka ndërmend të largohet nga Atletico e Madridit. Në një intervistë për mediat italiane, El Cholo deklaroi se në të ardhmen do të ulet në bankinën e Interit, pasi zikaltërit vazhdojnë të mbeten në zemrën e tij pas përvojës që pati në Milano si futbollist. 45-vjeçari nga Buenos Airesi ndodhet prej 5 vitesh në drejtimin e Los Colchoneros dhe gjatë kësaj periudhe, Diego Simeone falë grintës që e karakterizon ka arritur ta shndërrojë Atleticon në një skuadër të frikshme edhe për dy gjigantët e futbollit spanjoll siç janë Reali i Madridit dhe Barcelona.
Falë punës së tij me formacionin bardhekuq, El Cholo tashmë konsiderohet si nga nga trajnerët më të mirë në botë dhe me të drejtë drejtuesit e Interit shikojnë te argjentinasi njeriun ideal për stolin. Gjasat janë që Simeone të qëndrojë deri më 2017-tën te Atletico për të marrë më pas drejtimin e 18 herë kampionëve të Italisë, edhe pse në shtëpinë e Los Colchoneros as që e mendojnë diçka të tillë. Drejtori sportiv i klubit bardhekuq, Jose Luis Perez Caminero në një intervistë u shpreh se zërat që kanë dalë në media për një largim të mundshëm të Simeones janë thjesht thashetheme. “Nuk e mendojmë lamtumirën e argjentinasit, pasi jemi të bindur që ai nuk ka ndërmend të largohet nga Altetico as në të ardhmen”, shtoi në përfundim Caminero.

Barcelona në kërkim të Coutinho

Philippe Coutinho përfundon në radarët e Barcelonës. Mesfushori brazilian mund të konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm që kanë aktualisht në dispozicion “The Reds”. Por, pavarësisht paraqitjeve të mira të Coutinhos ato nuk kanë qenë të mjaftueshme që skuadra e Klopp të pozicionohet në vendet e para të klasifikimit të Premier League. Braziliani Coutinho u transferua tek Liverpool në vitin 2013 për shumën e 11 milionë eurove. Këtë sezon 23-vjeçari numëron 33 paraqitje dhe 10 gola të realizuar dhe forma e mirë që po kalon lojtari ka zgjuar vëmendjen e drejtuesve të klubit të Barcelonës.
Blerja e kartonit të mesfushorit duket se do të jetë një mision i vështirë, pasi futbollisti ka një kontratë me Liverpool që skadon në qershor të 2020. Nga ana tjetër dhe drejtuesit e “The Reds” duket se janë të vendosur për të bërë gjithçka është e mundur për të mos lejuar largimin e tij. Tratativat për transferimin e futbollistit ende nuk kanë nisur. Ndërkohë që brenda kampit të Barcelonës, portieri Ter Shtegen, deklaron se nuk ka firmosur për Man. City, por gjithsesi lë gjithçka të hapur, duke shtuar se për momentin është i fokusuar tek skuadra dhe se në verë do të shohë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e tij.

Si furnizohet Europa me heroinë nga kartelet shqiptare të drogës

Bashkimi Europian shprehu dje alarmin e saj mbi rreziqet që paraqesin për BE fuqizimi i organizatave kriminale të trafikut të drogave që përfitojnë çdo vit më shumë se 24 miliardë euro nga shitja e tyre.

Dy agjencitë më të mëdha të Europës në luftën kundër krimit të organizuar kërkuan që Shqipëria, krahas Afganistanit të vihen nën monitorim të rreptë të Bashkimit Europian për prodhimin dhe trafikimin e drogave.

Shqipëria, në raport mbetet një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit, si edhe një nga rrugët kryesore të trafikut të kanabisit, vajit të kanabisit dhe heroinës të prodhuara në Afganistan. Ndërkaq organizatat kriminale shqiptare vazhdojnë të luajnë një rol kryesor në furnizimin e Europës me kanabis dhe heroinë. Qendra e Monitorimit Europian të Drogave dhe Varësisë së Drogave së bashku me Europol publikuan dje raportin e tregjeve të drogës në BE, ku organizatat kriminale shqipfolëse mbeten nga më aktivet në trafikimin, shpërndarjen dhe shitjen e drogave në tregjet europiane.

Shqipëria cilësohet si një nga prodhuesit kryesorë të kanabisit në Europë dhe furnizuesit kryesorë të tregjeve në Europën Qendrore, Lindore dhe Juglindore. Në raport thuhet se shqiptarët përmes bashkëpunimit me organizatat kriminale të Holandës, kanë arritur të transportojnë sasi të mëdha droge edhe në Britaninë e Madhe. Ndërsa bashkëpunimi me organizatat kriminale marokene dhe lokale i ka fuqizuar ata në kontrollin dhe fitimet që sigurojnë nga tregjet e drogës në Francë dhe Gjermani. Shqipëria, së bashku me Holandën është kanali kryesor i trafikut të vajit të hashashit afgan në Holandë.

Heroina është një nga drogat e tjera ku shqiptarët rezultojnë ndër grupet kriminale të fuqishme në furnizimin e tregut europian. Shqiptarët janë aktorët kryesorë në realizimin e fitimeve nga trafikimi, shpërndarja dhe shitja me pakicë për përdoruesit europianë, pasi turqit mbështeten shumë në fuqinë e mafias shqiptare. Raporti thotë se këto organizata kriminale janë aktive edhe në trafiqe të tjera kriminale, sikurse është ai i armëve dhe i emigrantëve.

BE tha se në analizë të këtij raporti vëren një lidhje më të madhe mes trafikut të drogës dhe krimeve të tjera, që përfshijnë terrorizmin, duke bërë që krimi i organizuar të krijojë aleanca përtej kufijve dhe ndarjeve etnike, duke e vështirësuar ekspertizën, si edhe vërehet koncentrimi gjeografik i grupeve të specializuara në droga të veçanta, përmes konsolidimit të trendeve të shkuara dhe krijimit të zonave të reja.