29.5 C
Tirana
E mërkurë, 30 Korrik, 2025

Rritje e nivelit të papunësisë në Kosovë

Papunësia është një nga problemet më të mëdha që ka përcjellë qytetarët e Kosovës që nga paslufta. Të dhënat zyrtare, të cilat flasin për vitin 2014, tregojnë se papunësia në Kosovë është mbi 35 për qind. Papunësia kryesisht ka prekur të rinjtë e Kosovës. Niveli i papunësisë mes të rinjve, sipas një raporti të Bankës Botërore, mbetet i lartë – mbi 61 për qind. Të shtyrë nga papunësia, shumë qytetarë të Kosovës patën imigruar ilegalisht në Evropën Perëndimore gjatë nëntorit 2014deri në qershor të 2015-s.
Autoritetet në Kosovë thanë të jenë të vetëdijshëm për nivelin e lartë të papunësisë që është në vend dhe se për këtë prioritet i Qeverisë së Kosovës është vënë zhvillimi ekonomik. Zëvendësministrja e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Rita Hajzeraj, thotë për Radion Evropa e Lirë se papunësisë në Kosovë është një problem i madh, por niveli i saj është dukshëm më i ulët sesa që paraqitet në statistikat zyrtare. “Përgjithësisht, nëse e konstatojmë gjendjen e papunësisë në Kosovë, është e madhe. Por, edhe kemi punëtorë që punojnë, por nuk janë të regjistruar, pasi që ata punësohen në punë sezonale për tre, gjashtë apo nëntë muaj, siç e kemi edhe ne, një masë aktive të punësimit në ministri, është praktikë që i njihet stazhi i punës, por nuk regjistrohen askund vetëm në ministrinë tonë, që janë persona të punësuar”, thotë Hajzeraj.
Nivelin e shkallës së papunësisë, shton zëvendësministrja Hajzeraj, e rrisin edhe një numër i qytetarëve, të cilët nuk janë shumë të interesuar të punojnë. Ajo tregon se ata, të cilët nuk shprehin interesim për t’u punësuar, janë personat që tani e sa kohë marrin asistencë sociale nga Qeveria e Kosovës. “Kemi raste të njerëzve që janë në skemat sociale, marrin social, por janë të aftë për punë. Ne kemi bërë programe që ata persona nga tre muaj deri në nëntë muaj të punësohen në punë sezonale, pastaj të kenë mundësinë të kthehen prapë në asistencë sociale, por ata nuk pranojnë, më shumë preferojnë të marrin social rreth 85 euro sa është asistenca sociale, sesa të punojnë punë sezonale”, thekson Hajzeraj. Në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë të regjistruara 25 mijë familje me mbi 100 mijë anëtarë, që marrin asistencë sociale.
Megjithëkëtë, ka të rinj të cilët janë mjaft të interesuar të punojnë, por nuk arrijnë në gjejnë punë. Arianiti, një i ri nga Prishtina, tregon se ka aplikuar për punë si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, por nuk ka arritur të punësohet. “Për një vend pune ka konkurrencë të madhe, ka shumë të papunë. Kam qenë në disa intervista pune, por jam dëshpëruar se nuk kam arritur të punësohem”, thotë ai. Edhe Njomza, studente në Universitetin e Prishtinës tregon se pavarësisht interesimit të saj për t’u punësuar, ajo nuk ka arritur ta gjejë punë. “Derisa po studioj, kam shikuar të punësohem diku që së paku t’i financoj vetë studimet, por ka qenë e pamundur ta gjej një punë. Tani vetëm po studioj dhe me shpresë që pas studimeve të arrij të punësohem”, thotë Njomza.
Niveli i lartë i papunësisë në Kosovë nga përfaqësuesit e bizneseve dhe ekspertë të kësaj fushe, thuhet të jetë nga niveli i dobët i zhvillimit ekonomik. Gjatë gjashtë vjetëve të fundit Kosova nuk ka shënuar rritje ekonomike më shumë se 3.8 për qind. Kjo rritje ekonomike është konsideruar e pamjaftueshme për të zbutur problemet ekonomike dhe sociale që ka vendi. Ndërkohë, rritja ekonomike edhe për këtë vit, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, pritet të arrijë jo më shumë se deri në 3.7 për qind.

Vendi ku pagat e larta tatohen më shumë se kudo

Nëse je i talentuar, i mirëarsimuar dhe si rrjedhojë arrin të gjesh një punë me një pagë të mirë, në Shqipëri taksohesh dyfishi në krahasim me të gjithë vendet e rajonit.
Ndërsa Banka Botërore ka vënë në dukje se bizneset në Shqipëri kanë normat e taksave më të larta në rajon, së bashku me ato të Serbisë (Lexo:http://ëëë.monitor.al/tabela-e-taksave-krahasuese-ne-rajon-shqiperia-kryeson-ne-tvsh-tatim-fitim-kontribute/Tabela e taksave krahasuese në rajon: Shqipëria kryeson në TVSH, tatim fitim, kontribute), një matricë e Këshillit të Investimeve “zbulon” se Shqipëria mban rekord dhe për taksimin e individëve, sidomos atyre me paga të larta.
Norma progresive prej 23%, për pagat mbi 130 mijë lekë (rreth 930 euro) është unike në gjithë rajonin, që i taton të ardhurat nga paga mesatarisht me 9-11%. Për krahasim, Mali i Zi, që paga të larta kategorizon ato mbi 720 euro neto, i taton me 11%, nga 9% që tatohen pagat nën këtë nivel.
Edhe Serbia, që i ka taksat mbi biznesin të larta dhe të krahasueshme me ne, të ardhurat nga punësimi dhe të ardhurat nga biznesi i taton me 10%. Serbia taton të ardhurat nga copyright dhe të ardhurat nga qiraja 20%; të ardhurat nga kapitali 15%, duke përjashtuar nga taksimi shitjen e aseteve që ishin në pronësi të shitësit për më shumë se 10 vjet.
Në Maqedoni, tatimi mbi të ardhurat personale është i sheshtë prej 10%.
Në Mal të Zi, tatimi mbi të ardhurat është 9% dhe rritet në 11% për të ardhurat prej më shumë se 720 euro neto/muaj nga punësimi. Në këtë shtet, pagat për punonjësit Start up (përveç për sektorët e bujqësisë, peshkimit, transportit, ndërtimit të anijeve) janë subjekt i përjashtimit nga taksimi për 8 vjet, deri në një shumë totale prej 200,000 euro.
Kosova ka tatimin mbi pagën më të ulëtin në rajon, progresiv nga zero në 10 (0%/4%, 8%, /10%).
Në Bosnjë Hercegovinë, tatimi mbi të ardhurat është fiks, 10%.

Cameron: Përse duhet të qëndrojmë në BE

Kryeministri britanik David Cameron paralajmëroi në një fjalim sot se Britania do të shtonte rrezikun e luftës nëse zgjedh të largohet nga Bashkimi Evropian përmes votës së një referendumi të planifikuar për këtë vit.
Zoti Cameron mbajti një fjalim sot mbi sigurinë kombëtare, ndërsa fushata për të ashtuquajturën “Brexit” po arrin fundin para votimit të 23 qershorit, nëse vendi do të vazhdojë të mbetet anëtari i aleancës me 28 vende.
“A mund të themi se paqja dhe stabiliteti në kontinentin tonë janë të sigurta përtej çdo hije dyshimi? A është ky një rrezik që ja vlen ta marrim? Kurrë nuk do të nxitohesha ta bëja këtë supozim”, tha Cameron.
Ai vazhdoi të argumentojë më tej se BE-ja ka ndihmuar për të qetësuar dhunën në të kaluarën kur vendet kanë qenë “në grykë të njëra tjetrës” për dekada.
“Izolacionizmi nuk i ka vlejtur asnjëherë këtij vendi”, tha kryeministri britanik.
Cameron paralajmëroi gjithashtu për pasojat e mundshme shkatërruese ekonomike nëse Britania zgjedh t’i kthej kurrizin BE-së. Sipas kryeministrit, kjo do t’i kushtonte secilës familje në Britani 6,200 dollarë deri në vitin 2030 nëse vendi largohet nga BE-ja.
“Prova është e qartë – do të jemi më mirë në BE dhe më të varfër jashtë saj”, tha Cameron.
Sot më vonë, ish-kryetari i Bashkisë së Londrës, Boris Johnson do të mbaj një fjalim në përpjekje për të argumentuar përse vendi duhet të shkëputet nga BE-ja.
Britanikët janë të ndarë për çështjen nëse duhet të qëndrojnë apo të largohen nga BE-ja. Gjashtë sondazhet e fundit të opinionit publik tregojnë se votuesit janë të ndarë me 50 për qind që thonë se do të donin të shkëputen nga BE-ja dhe 50 për qind të tjerë që thonë se duan të qëndrojnë.

Pikëpyetjet e Britanisë

Martin Wolf

Nëse Britania do të votojë për të braktisur Bashkimin Evropian në qershor, a do të rifitojë ajo sovranitetin të cilin ata që janë në favor të largimit, argumentojnë se e ka humbur? Përgjigja është jo. Vetë fakti që Londra po mban këto zgjedhje, dëshmon se mbetet sovrane. Por referendumi nuk ka të bëjë me sovranitetin. Por se si ushtrohet më mirë pushteti i vendit.
Në pamfletin e tij “Kuptimi mbi sovranitetin”, të botuar në vitin 1991, Swr Noel Malkolm shpjegoi se pika e fillimit të çdo debati mbi sovranitetin, duhet të jetë dallimi midis pushtetit dhe autoritetit. Një shtet sovran ka autoritetin për të hartuar dhe zbatuar ligje të vlefshme. Fuqia e një shteti mund të jetë e dobët, por ajo nuk është subjekt i asnjë autoriteti më të lartë. Sot, fakti që institucionet ligjvënëse janë demokratikisht të përgjegjshme, krijon legjitimitet. Një qeveri e paligjshme, është një despotizëm.
Shtetet ekzistojnë për t’iu shërbyer interesave të qytetarëve të tyre. Ato mund ta arrijnë këtë objektiv vetëm përmes bashkëpunimit me shtetet e tjera. Për këtë arsye, Britania e Madhe ka nënshkruar 14.000 traktate. Ligjërisht, Londra mund të tërhiqet nga të gjitha ato. Përderisa nuk dëshiron të bëhet si Koreja e Veriut, ajo s’do ta hedhë një hap të tillë.
Traktatet nuk minojnë sovranitetin, por e shprehin atë. Ato kufizojnë ushtrimin e sovranitetit, me synimin për ta bërë atë më të efektshëm. Ato e bëjnë këtë duke deleguar kompetencat. Disa prej këtyre fuqive janë çështje të jetës dhe vdekjes. Për shembull, Mbretëria e Bashkuar është një anëtare e NATO-s, për shkak se beson, me të drejtë, se kjo rrit sigurinë e qytetarëve të saj. A është BE-ja ndryshe nga traktatet e tjera? Përgjigjet janë: “jo” dhe “po”.
Përgjigja është jo, për shkak se Britania e Madhe qartazi mund të tërhiqet. Ky do të ishte një proces kompleks dhe i dhimbshëm, që mund të çojë në shpërbërjen e Mbretërisë së Bashkuar, me Skocinë që do të vendosë të shkëputet më vete. Por askush s’do të kërkojë ta ndalë. Prandaj anëtarësimi i Mbretërisë së Bashkuar të BE-së, nuk e kufizon sovranitetin e saj. Ai u takon përfaqësuesve të zgjedhur të popullit britanik në Parlament.
Përgjigja është po, për shkak se si anëtare e unionit, Mbretëria e Bashkuar është e lidhur me traktatet, vendimet e Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, me vendimet e marra nga ana e Parlamenti Evropian, dhe votimet me shumicë të cilësuar në Këshillin Evropian. Çështja politike në referendum nuk ka të bëjë me sovranitetin, por me delegimin e kompetencave brenda një sistemi të qeverisur nga traktate dhe detyrimeve të veçanta me ndikim të gjerë.
Ndryshimet e ardhshme në marrëdhëniet midis Britanisë së Madhe dhe BE-së, mund ta bëjnë anëtarësimin efektivisht të pakthyeshëm: anulimi i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar do të jetë hapi i pari, dhe transferimi i kompetencave të plota mbi tatimin ose të sigurisë mund të jetë i dyti. Edhe anëtarësimi në eurozonë mund të shihet në të njëjtën mënyrë. Por, edhe pa arritur ndryshime të gjera, Britania e Madhe mbetet sovrane.
Çështja për Mbretërinë e Bashkuar është nëse anëtarësimi në BE, godet një ekuilibër të ndjeshëm ndërmjet llogaridhënies dhe efektivitetit në ushtrimin e këtyre kompetencave të deleguara.
Po, Mbretëria e Bashkuar është e angazhuar për gjëra që shumëkush do t’i shmangë – për shembull lëvizjen e lirë të njerëzve. Por si do të duket bilanci në përgjithësi? Defektet e BE-së sa i përket llogaridhënies janë reale. Monedha e përbashkët është shembulli më i mirë: hendeku që ekziston në këtë rast ndërmjet llogaridhënies, ende në masë të madhe kombëtare, dhe vendimmarrjes, tanimë kryesisht mbikombëtare, është i dukshëm.
E megjithatë Britania e Madhe nuk është pjesë e kësaj. Defektet e BE-së mbi llogaridhënien demokratike, s’mund të zgjidhen pa një politikë realisht mbikombëtare. Por kjo nuk ka gjasa të ndodhë. Dhe do të ishte shumë e padëshiruar në Britaninë e Madhe, pasi do t’i jepte fund sovranitetin kombëtar. Megjithatë, problemi i BE-së qëndron edhe tek efektiviteti.
Akuzat se Presidenti Barack Obama ka qenë hipokrit kur argumentoi në favor të anëtarësimit të Britanisë së Madhe në BE, nuk qëndrojnë. Shtetet e Bashkuara janë një superfuqi: ato nuk kanë nevojë për një marrëveshje të tillë për të ndikuar botën; Britania e Madhe nuk është një superfuqi: asaj i duhet anëtarësimi në BE. Theçëri e pranoi dikur argumentin për votimin me shumicë të cilësuar, për të krijuar një treg të vetëm, për një arsye të fortë: pa të, projekti ndoshta do të ishte i pamundur.
Një çështje e spikatur është nëse kompetencat e deleguara tek BE-ja, shkojnë përtej asaj që është e përshtatshme për qëllimet e pretenduara nga Mbretëria e Bashkuar. Përgjigja, vëren një raport nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane, është jo. Shqyrtimi i “balancës së kompetencave” në Mbretërinë e Bashkuar, arriti në përfundimin se fuqitë e deleguara ishin të përshtatshme me qëllimet që Londra kërkon të arrijë. Riatdhesimi i kompetencave u zhduk nga qëllimet negociuese të qeverisë.
Çështja është nëse anëtarësimi në BE, mbetet edhe një ushtrim i duhur i sovranitetit në Mbretërinë e Bashkuar. Po, ne mund të identifikojmë vështirësitë gjatë llogaridhënies. Por ne gjithashtu shohim përfitime të mëdha në ushtrimin efektiv të pushtetit. Anëtarësimi i jep Mbretërisë së Bashkuar një rol mbi të ardhmen e kontinentit evropian. E pajis me një zë të fuqishëm tek qëndrimet mbi çështjet globale, të njërit prej aktorëve më të fuqishëm të botës.
Qenia në BE, e zmadhon aftësinë e Londrës për të ndikuar mbi zhvillimet globale që janë me interes jetik për mirëqenien e qytetarëve të saj, sikurse janë ndryshimet klimatike. Ajo i jep jo pak kushte të favorshme qasjes në tregun e saj të madh. A duhet të kërkojmë një delegim të mëtejshëm të kompetencave drejt BE-së? Përfundimisht jo. Por përfitimet e asaj që Britania e Madhe ka tashmë – shumica avantazhe, vetëm pak disavantazhe – nuk janë thjesht të qarta, por realisht të konsiderueshme.
Kritika e fortë ndaj deklaratave të zotit Obama gjatë vizitës në Londër, qe se ai foli për interesat e SHBA-së dhe jo të Mbretërisë së Bashkuar. Kjo është dyfish e gabuar. Së pari, perceptimet amerikane mbi interesat e veta janë në vetevete të rëndësishme në përcaktimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar. Së dyti, miqtë e sinqertë shohin më shpesh interesin vetiak të dikujt se sa të vetin.
Sovraniteti i Britanisë nuk është në rrezik në referendumin e qershorit. Përkundrazi përmes këtij të fundit provohet ekzistenca e tij. Referendumi ka të bëjë me atë nëse Britania e Madhe i ka deleguar kompetenca të tepërta BE-së. Arritja e madhe e bisedimeve të Dejvid Kameronit, është vendimi që Britania e Madhe nuk do të shkojë më tej në rrugën e një integrimi më të ngushtë. Partnerët tanë duket se e pranojnë këtë.
Duke qenë kështu, bilanci më i mirë ndërmjet llogaridhënies dhe efektivitetit qëndron tek statuskuoja. Kostoja e Brexit do të jetë zvogëlimi i efektivitetit, dhe në rastin më të mirë rritja në mënyrë të moderuar e llogaridhënies. Një çmim ky tepër i lartë.

Titulli, Bajerni feston në Mynih

Bajerni i Mynihut fitoi zyrtarisht titullin në Ingolshtad, por ndryshe nga herët e tjera u mungoi festa e birrës. Kjo për arsye se partneri i Ingolshtadit, birra “Herrnbräu”, nuk lejoi as të shitej dhe as të konsumohej birrën e bavarezëve “Paulaner”. Megjithatë, kampionët nuk i ndali ky rregull, pasi në dhomat e zhveshjes sponsori i Bajernit kishte rezervuar disa shishe për ata. Dushi me birra dhe ngritja e trofeut do organizohet në javën e fundit në “Allianz Arena” kundër Hanoverit.
Pas fitores 2-1 dhe festës së vogël me 1400 tifozët e pranishëm në stadium, autobusi i Bajernit u prit nga mijëra tifozë në Mynih. Sipas protokollit, Bajerni kishte planifikuar festën e vogël të fitores në restorantin e njohur “Südtiroler Stuben” të kuzhinierit bavarez, Alfon Shuhbek, i cili u përgatiti edhe darkën. Menuja e kuzhinierit të famshëm ishte: sallatë, mish viçi, makarona dhe akullore. Para restorantit kampionët e Gjermanisë u pritën nga afro 500 fansa.
Pep Guardiola ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Kristina. Gjithashtu festës iu bashkuan si Matias Zamer dhe ish-presidenti Uli Hënes.
Drejtori sportiv nuk ishte i pranishëm për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore, ndërsa Uli Hënes qëndroi në Mynih teksa pa nga afër fitoren 97-80 të ekipit të basketbollit kundër Ludvigsburgut. “Shpresoj që në festën e madhe të jetë edhe legjenda Jup Hajnkes. Dua ta takoj patjetër para se të nis punën në Angli. Dua ta falënderoj për gjithçka dhe ia them nga afër dedikimin që i bëra pas ndeshjes. Erdhi koha për të festuar dhe deri në finalen e kupës do të kemi kohë për t’u stërvitur, përgatitur dhe dalë me një triumf tjetër. Ka për të qenë shumë e vështirë, por ne do provojmë shanset tona”, tha Guardiola. Në festë mungoi vetëm Arturo Vidal, i cili udhëtoi në Itali për të parë nga afër djalin e tij. Ndërsa njeriu i surprizave të vona ka qenë Mario Gëce.
Dy orë pas festës (22:00) Gëce, nëpërmjet një videoje në “Instagram” me të dashurën e tij, AnaKatrin Brëmel, tregon se stërvitet ende për… kupën. Kjo është lexuar më shumë si ironi ndaj Bajernit dhe Guardiolës, pasi trajneri e aktivizoi vetëm në 13 takime.

Përralla e Leiçester

Leiçester Siti, kampionia surprizë e Anglisë do të hyjë në listën e 15 klubeve të futbollit më të pasura të botës sezonin e ardhshëm, duke lënë pas edhe emra gjigantë përfshirë Milanin. “Dhelprat” renditeshin në vendin e 24-ët në listën e klubeve më të pasura të planetit gjatë sezonit 2014/15, me një xhiro vjetore prej 104 milionë paundësh. Por ata do të zbresin mes 20 klubeve para me një xhiro prej 125 milionë paundësh këtë sezon. Kjo rritje e të ardhurave të kampionëve të Anglisë do të vijë kryesisht për shkak të rritjes së përfitimeve financiare nga e drejta televizive, por edhe pjesëmarrja e tyre në Ligën e Kampioneve.
“Mail On Sunday” parashikon se edhe nëse do të renditen mes 8 vendeve të para dhe do të eliminohen që në grup nga Champions-i, të ardhurat e tyre do t’i kalojnë 210 milionë paundët sezonin e ardhshëm. Ndërkohë që nëse do të bëjnë një tjetër sezon të suksesshëm dhe të sigurojnë një tjetër vend në Champions gjatë 2016/17, atëherë ata do ta dërgojnë këtë shifër në 260 milionë paund. Dhe, në një kontekst të tillë, Milani kishte vetëm 151.5 milionë të ardhura sezonin e shkuar dhe në listën e klubeve më të pasura mbajti vendin e 14-të. Duke qenë se këtë sezon ata rrezikojnë të mos përfaqësohen përsëri në Europë, të ardhurat e tyre do të vazhdojnë të qëndrojnë në të njëjtat nivele. Pavarësisht kohëve të vështira që po kalon, Milani është 18 herë kampion i Italisë dhe 7 herë kampion Europe dhe ata mbeten një markë e njohur.
Por Leiçesteri, sado të xhirojë mes 160-260 mln paund, do t’i vendosë italianët në hije dhe parashikohet të renditet në vend të 12-të ose të 13-të në botë. Duke parë popullaritetin e Premier Ligës, ata synojnë të hyjnë edhe në listën e 10 klubeve sportive më të ndjekura në botë, duke lënë pas edhe gjigantët e bejsbollit, Nju Jork Jankis.
Klaudio Ranieri nuk e ka metabolizuar ende triumfin në Premier Ligë me Leiçesterin e tij. “Këto janë gjëra që treten ngadalë. E kupton më vonë. Gjëja më e rëndësishme është se e kemi bërë”, tregon trajneri për programin “90° Minuto Zona Mista”, përpara se të përjashtojë për të disatën herë mundësinë e pasimit të Kontes në kombëtaren italiane pas Europianit:
“Unë qëndroj këtu, për momentin nuk jam një njeri për kombëtaren. E kam bërë një gabim (i referohet Greqisë). Isha shumë kurioz për të kuptuar se çfarë provohet të bësh trajnerin e një kombëtareje. E njoha dhe më mjaftoi. Përpara ndeshjes me Evertonin u thashë lojtarëve se ne jemi kampionët dhe luani si kampionë. Bënë një ndeshje të madhe”. Dhe pyetjes nëse e ka kërkuar vërtet Totin te drejtuesit e “dhelprave”, ai i përgjigjet kështu: “Toti është perandori i vërtetë, por unë nuk do t’jua them kurrë”.

KAS përjashton Platininë, francezi tërhiqet nga UEFA

Gjykata e Arbitrazhit Sportiv i redukton skualifikimin Michel Platini nga 6 në 4 vjet në lidhje me çështjen për pagesën prej 2 milionë eurosh që i ishte bërë nga FIFA e Blatter, siç pretendoi Platini për një konsulemcë nga ana e tij. Mjaft i rëndsishëm është fakti se avokatët e Michel Platini bënë të ditur zyrtarisht lajmin se francezi do të japë dorëheqjen nga presidenca e UEFA-s me rastin kongresit të ardhshëm të organizmit europian të futbollit.
21 dhjetorin e kaluar Platini u pezullua për 8 vjet, bashkë me ish-presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, pas hetimit në lidhje me pagesën prej 2 milionë frangash zvicerane që ju krye në vitin 2011 francezit nga ana e FIFA-s për një shërbim të kryer një dekadë më parë. Vendimi më pas u reduktua në 6 vjet pezullim në Komisionin e Apelit të FIFA-s në shkurtin e kaluar.
Mishel Platini do të japë dorëheqjen nga drejtimi i UEFA-s. Presidenti i shtëpisë më të madhe të futbollit në Evropë deklaroi se do të lërë postin e tij pas vendimit të dalë nga KAS. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ka vendosur ditën e sotme përjashtimin e tij për katër vitet e ardhshme nga UEFA, pas  skandalit të  2 milionë frangave zvicerane që Blater i kishte dhënë atij.
Menjëherë, pasi është mësuar me vendimin, zyra e avokatisë së francezit ka njoftuar që Mishel Platini do të japë dorëheqjen si president i UEFA në kongresin e ardhshëm të organizatës.

Mahrez e Kante i premtojnë besnikëri Leicester

Ryiad Mahrez dhe N’Golo Kante do të qëndrojnë tek Leicester. Ky është vendimi i futbollistëve, që u shndërruan në protagonistë absolut në suksesin drejt titullit kampion në Premier League. Francezi Kante shprehet se nuk ka dyshime për të ardhmen e tij, pasi ndihet shumë mirë tek “Dhelprat” dhe nuk nguroi të thurte elozhe për trajnerin Claudio Ranieri.
“E ardhmja? Do të qëndroj këtu. Jemi një skuadër e madhe dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë të bëjmë gjëra të rëndësishme. Për sa i përket trajnerit, mund të them se jam shumë i lumtur që po punoj me Ranierin. Nën drejtimin e tij, unë dhe shokët e skuadrës kemi mësuar shumë gjëra”, u shpreh N’Golo Kante.
Në të njëjtën linjë ishte edhe algjeriani Mahrez. “Nuk mund të përshkruaj dot me fjalë momentin e jashtëzakonshëm që po kalojmë. Ranieri është një trajner fantastik dhe një njeri shumë i mirë. Ngritja e trofeut është një moment që do të mbetet gjatë në memorien time”, tha Ryiad Mahrez.

Ranieri u bë trajner vetëm prej shokëve

Futbolli për pak sa nuk e humbi Klaudio Ranierin përpara se ai të niste karrierën e tij si trajner. Gjeniu italian, që tallej nga Murinjo si një humbës serial, ndau shampanjë në fundjavë me gazetarët, të cilëve u ka vendosur nofkën “peshkaqenë”. Por kur ishte pjesë e futbollit amator në jug të Italisë dhe ishte vetëm 38 vjeç, ai për pak sa nuk hoqi dorë i lodhur nga politika, shkarkimet dhe cinizmi i këtij profesioni.
Madje, ai nuk donte as që të bëhej trajner. Ai kishte luajtur në Serinë A te Katanzaro, pasi dështoi të shkëlqente me klubin e zemrës, Roma. “Kur isha te Katanzaro, të gjithë shokët e mi, më të vjetrit, shkuan të ndiqnin kursin e parë të trajnerit dhe më kërkuan edhe mua të shkoja me ta. U thashë që jo, pasi nuk doja të bëhesha trajner. Mirëpo, pas 2-3 vitesh u mendova dhe thashë: ‘Përse jo?’.
Doja të mësoja nëse e kuptoja futbollin. Të gjithë që shohin futboll kujtojnë se e kuptojnë këtë lojë. Por ky është krejtësisht një tjetër profesion. I thashë vetes se, nëse nuk mbërrij në Serinë A brenda 5 viteve, do heq dorë”, tregon Ranieri. Dhe e nisi nga fundi, në kuptimin gjeografik. Lamecia është një qytet me një klub amator në jug të Italisë, pranë lidhëseve të çizmes. Ranieri pati ndikim të menjëhershëm.
Skuadra u rendit e para dhe aty ai u përball me dozën e parë të cinizmit: “Isha në krye pa humbur asnjë ndeshje, por kishte diçka të çuditshme që nuk më pëlqente. Nuk dua t’ua them juve çfarë, kështu që vendosa të largohem”. Një vit më pas shkoi në Serinë C te Puteolana, në periferi të Napolit.
“Viti i dytë nisi pak a shumë njëlloj. Mora një ekip të vogël pa lojtarë. Në një ndeshje nuk kisha as 11 lojtarë dhe startuam me 10. Por diçka e çuditshme ndodhi dhe më shkarkuan. Aty mendova se ky profesion nuk është për mua. Më pëlqen të stërvis, por në futboll ka shumë politikë dhe politika nuk është për mua. Por ata shkarkuan edhe dy trajnerë pas meje, ndryshuan pronarët dhe ata më telefonuan që ta mbyllja unë sezonin.
Skuadra kishte rënë, por lojtarët kishin kërkuar: ‘Duam përsëri Ranierin’. Dhe nga ai moment telefonoi Kaljari nga Seria C, në B dhe në A. Ndodhi ajo që ndodhi dhe unë jam këtu sot”.
Klaudio tregon edhe një episod në aventurën e tij me Çelsin: “Kur Trevor Birç, drejtori im sportiv, më tha se një pronar i pasur po vinte, i thashë: ‘Trevor, ti dhe unë jemi të parët që do shkarkohemi’. Unë e njoh futbollin shumë mirë. Kështu ndodh sa herë ndërrohet pronari. Ai vendos stafin e tij. Dhe Roman donte njerëzit e tij dhe unë nuk isha trajneri i tij”. Humbësi serial sot quhet “Supermeni” dhe “Mbreti Klaudio”.

Fabregas i thotë “Jo” milionave nga Kina

Kinezët i rikthehen sërish merkatos. Sipas asaj që raporton e përditshmja britanike “The Sun”, mesfushori i skuadrës së Chelsea, Cesc Fabregas ka marrë një ofertë nga kampionati kinez. Shuma që i është paraqitur spanjollit kap shifrat e 250.000 euro në javë dhe në total ajo arrin në 13.1 milionë euro në sezon. Emri i ekipit nuk bëhet i ditur, gjithsesi  29-vjeçari e ka refuzuar ofertën, pasi kërkon të vazhdojë karrierën e tij në Europë si dhe të luajë në Champions League.
Më parë dhe shoku i tij i skuadrës Oscar refuzoi të largohej nga “Stamford Bridge”. Për brazilianin shuma e ofruar për kartonin e tij arrinte në 72 milionë euro. Ndërkohë deri më tani i vetmi që është larguar në drejtim të kampionatit aziatik nga Chelsea është mesfushori Ramires, për të cilin skuadra Jiangsu pagoi 28 milionë euro. Me afrimin e merkatos verore, një emër i madh i futbollit pritet t’i bashkohet “Super Leagues” kineze. Bëhet fjalë për mesfushorin e Man. City Yaya Toure, i cili me transferimin e Pep Guardiolës në krye të stolit të Citizens, hapësirat për futbollistin nga Bregu i Fildishtë do të jenë të pakta. Pjesë e objektivave të kinezeve është edhe sulmuesi i skuadrës Swansea, Bafetimbi Gomis.