20.5 C
Tirana
E premte, 25 Prill, 2025

Parlamenti i kartonëve dhe shitësi ambulant

Silvi Bardhi

As 100 metra larg selisë së Parlamentit, shoh çdo ditë të njëjtin shitës ambulant, rreth të 50-ve. Shumë prej banorëve të zonës u ka rënë në sy, ai burrë i cili rri heshtur në pritje të klientëve të rrallë. Sigurisht, nuk mund të ketë shitje të kënaqshme, pasi në tezgën e tij modeste, nuk ka asgjë tjetër përveç se duhanit dhe disa varëseve hajmali. Të vetmet ditë që e shoh plotë shpresë, janë ato me shi, pasi nxjerr të shesë disa çadra për gra e burra. I zgjedh me kujdes, pasi ka mësuar se imazhi është shumë i rëndësishëm ditëve të sotme. Mendoj se këto janë ditët e tij me fat.
Qëndron në po të njëjtin vend, prej se kaloj më këmbë në këtë rrugë prej 2 vitesh. Nuk e shqetëson as qarkullimi kaotik i automjeteve, as lëvizja e pakontrolluar e kalimtarëve, as edhe “konkurrenca”, një tjetër kioskë që ka pak metra më tutje.
Qëndron aty, i qetë me punën me të cilën fiton bukën për të mbajtur shpirtin gjallë.
Ah, buka e tij!
Paraditen e së shtunës ishte po aty. Kaosi i makinave ishte disi më i zbehtë, kalimtarët më të pakët. Ishte kërrusur në stolin e kauçuktë dhe diç po gërmonte.
Më mirë vështrimi im mos ishte kthyer sot nga ai. Më mirë vëmendjen ta kisha gjetkë, por jo tek mëngjesi i tij, i cili më skanoi vetëtimthi varfërinë në Shqipëri.
Ishte një vakt trishtues.
Ashtu kërrusur ai shijonte diçka të hedhur në një kavanoz të zakonshëm, bashkë me një fije qepe të njomë. Kishte humbur krejtësisht vëmendjen ndaj kalimtarëve, madje hollë-hollë, nuk i bënte përshtypje, pasi uria nuk e linte të ngrinte kokën.
Kjo ishte një pamje trishtuese, vajtuese deri në ngashërim.
Pasi iu prezantova, iu afrova dhe e pyeta se prej sa kohësh shiste në këtë zonë. Prej 3 vjetësh më tha. Kam 5 fëmijë. Pa punë. Rri 12 orë, çdo ditë.
Emrin nuk donte të ma thoshte, kishte frikën e policisë. Përse i thash? – “Të lutem, sepse policia mund të më marrë tezgën. E kam të vetmen punë ku nxjerr bukën. Ja tani është ora 2 (14:00), më beson kam bërë vetëm 2 mijë lekë? Dal që në 7 të mëngjesit, iki në 7 të darkës”.
Sa të tillë ka në Shqipëri? Me mijëra.
Sa të tillë punojnë me nder, vetëm për atë pjatë supë, e në fund sërish bien të flenë të uritur.
Sa mijëra familje përjetojnë këtë dramë, pasi shteti krekoset se ka arritur reforma të thella.
Sa mijëra të gënjyer e të zhgënjyer po përpëliten e në fund të fundit gënjeshtrat as nuk hahen e as nuk pihen.
Sa mijëra kryefamiljarë kthehen në shtëpi kokëulur se nuk kanë t’u plotësojnë dëshirat më minimale fëmijëve të tyre.
Sa mijëra nëna ka që vajtojnë përkrah fëmijëve të sëmurë, sepse nuk kanë as edhe kacidhen për t’i blerë një frut të përditshëm.
Sa mijëra fëmijë detyrohen me hir e me pahir të kërkojnë lëmoshë rrugëve?
Është ky pra realiteti sot, jo krekosja e pushtetit. Janë ata njerëz, me të cilët je tallur në fushatë, i ke gënjyer, i ke shfrytëzuar, e sot i ke braktisur.
Janë ata, të cilët i ke blerë, u ke ulur dinjitetin e sot i ke harruar.
Janë ata, të cilët ty të mbajnë mend kur u puthje dorën e sot u gjuan me thupër kokës.
Janë ata pra, të cilët i ke lënë të hanë edhe dheun, përse të besuan ty.
Janë këta njerëz, të cilët dje të panë ty të zhgërryer mbi një pjatë makarona, e sot u del e u thua se ti je shpëtimi i këtij vendi.
Ku është ky shpëtim?
Vendi është i sëmurë rëndë, nga gëlltitja e çorbës së prishur. Sado makineria e propagandës të funksionojë me gjashtë pistona, e vërteta është aty, e gjallë.
Shqiptarët po lëngojnë, ndaj po luftojnë çdo ditë e më shumë, sepse kanë humbur shpresën nga gënjeshtarët.
E gënjeshtra më e madhe po jetohet sot, tek mjerimi i barabartë që po shtrin e majta, siç ka thënë Churchill, pasi kjo është filozofia e tyre.

 

Kur të vdes

Nga Havzi Nela

Kur te mesoni se kam vdeke,
Kur te thoni: “Ndjese paste!”
A e dini se cfare kam hjeke
Une, poeti zemerzjarrte?

Kur te pyesni: “Ku e ka vorrin?”
Kur t’kerkoni me ma gjete.
Thoni: ” Ai urreu mizorin”.
Thoni: “Dheu s’ka me e trete”.

Thoni: “Ai e deshi jeten,
Jeta n’vuetje e dermoi”.
Thoni se ka mbrojte te drejten,
Grusht tiranesh nuk duroi.

Thoni: “Desh, kerkoi lirine,
Si skifter ne fluturim,
Provoi prangat, t’errte qeline,
Per te mjeret leshoi kushtrim”.

Thoni: “Drite ai kerkoi,
E vete drite nuk pa me sy”
Thoni: “Per njerzine kendoi,
E per vete mbajti zi”.

Thoni se e qerroi terri
Thoni: “Dielli nuk u ngrohu”.
Thoni se e trishtoi tmerri
E te shtypunit i tha: “Cohu!”

Kur te vije, te cele pranvera,
Kur bilbili nis me kendue.
Mbi vorr tim me gur’e ferra,
Nji tufe luleme ma leshue.

Prekni vorrin,mos ngurroni,
Kush ka linde, ai ka me vdeke,
Veten ju kur t’a ngushelloni,
Thoni:”Gjalle kurkush s’ka mbete!”

Shqipëria 35 vite “prapa” Maqedonisë për liqenin e Ohrit

Në Pogradec u zhvillua takimi i tretë mbrojtjen e liqenit të Ohrit. Takimi u zhvillua midis përfaqësuesve të Shqipërisë dhe Maqedonisë, ndërsa synimi është koordinimi i masave dhe veprimet për menaxhim të përbashkët. Liqeni i Ohrit është ndër më të vjetrit dhe më të thellët në Evropë.
Pjesa maqedonase e liqenit të Ohrit, (2/3) është futur si pjesë e trashëgimisë kulturore dhe natyrore botërore në listën e UNESCO-s që në vitin 1979. Tashmë po punohet përmes një projekti të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNESCO që të përfshihet dhe pjesa shqiptare (1/3) në këtë trashëgimi të mbrojtur nga UNESCO.
Por që të arrihet ky objektiv, Shqipëria duhet të plotësojë disa kritere që kanë të bëjnë me cilësinë e ujit të liqenit të Ohrit, me ndalimin e ndërtimeve të paligjshme rreth zonës së mbrojtur, ndalimin e prerjes së pyjeve në zonat që rrethojnë liqenin, me zhvillimin e një turizmi të kontrolluar etj.
Bashkia e Pogradecit ka paraqitur një studim të thelluar nga profesorë të Institutit Shqiptar të Arkeologjisë për vlerat historike në fshatin Lin.
Projekti është 3-vjeçar me një buxhet 1.87 milion euro, nga te cilat 1.7 mln euro kontribut i Bashkimit Evropian, ndërsa qeveria shqiptare ka dhënë 170 mijë euro.

Taksa e tabelës, bizneset e Tiranës do paguajnë 6 milionë euro më shumë në 2016-n

Veliaj tjetër gjobë bizneseve
“Taksa e tabelës për tabelat identifikuese deri në 2 m2 kjo taksë do të jetë zero, pra do të shfuqizohet. Cilido që ka një biznes dhe dëshiron ta identifikojë atë nuk do duhet t’i paguajë Bashkisë as edhe një qindarkë. Për tabelat mbi 2 m2, pra për tabelat reklamuese kjo taksë nuk do të ndryshojë, por do të mbetet në nivelin e mëparshëm prej 45.000 Lek/në vit”. Ky është konstatimi i bashkisë Tiranë në relacionin e projektbuxhetit 2016.
Në kundërshtim me këtë konstatim, vetë bashkia ka planifikuar në projektbuxhet që të ardhurat, vetëm nga tabelat identifikuese të dhjetëfshohen, nga rreth 3.6 milionë lekë në 360 milionë lekë.
Ndërsa të ardhurat nga tabelat reklamuese planifikohen të rriten nga 238 milionë lekë në 700 milionë lekë.
Në total të ardhurat nga taksa e tabelës pritet të rriten nga 241 milionë lekë në 2015 (planifikim), në mbi 1 miliard lekë në 2016-n, pra 819 milionë lekë (rreth 6 milionë euro) më shumë, ose gati 4 herë më shumë se niveli i pritshëm për 2015-n.
Sipas tabelave të vetë bashkisë, kjo nuk do të vijë nga rritja e ndjeshme e numrit të bizneseve që do jenë subjekt tabele, pasi ato parashikohet të jenë vetëm 2% më shumë se i pritshmi 2015 (nga 46 mijë do rriten në 47 mijë-shiko tabelën në fund).
Me paketën e re fiskale të bashkisë Tiranë, taksa e tabelës për qëllimi identifikuese deri në 2 metra është zero dhe mbi 2 metra bëhet 45 mijë lekë për metër katror në vit. Më parë, tabela për qëllime identifikuese kishte një tarifë vjetore simbolike prej 120 lekësh në vit, pavarësisht sipërfaqes. Pikërisht nga vendosja e kufirit mbi 2 metra rezulton se do të vijnë të ardhurat shtesë.
Taksa e tabelës për reklama mbetet 45 mijë lekë për metër katror në vit, ndërsa ajo e tabelës elektronike dyfishohet nga 45 mijë lekë në 90 mijë lekë për metër katror.
47 mijë biznese, subjekt i taksës së tabelës
Sipas projektbuxhetit të bashkisë “Për periudhën e vitit 2015, sipas informacionit të programit të taksave vendore janë aktive rreth 47,000 subjektë të taksës së tabelës dhe 1.390 subjekte të taksës së reklameë. Por me zgjerimin e teritorit të bashkisë, shtohen dhe tabelat e vendosura në territorin e njësive adminitrative, kryesisht në hapësirat dhe objektet përrreth qytetit ku dhe është numri më i madh i subjekteve me sipërfaqe të mëdha reklamuese, pjesë ekategorise se bizneseve BM dhe VIP.
Nga një llogaritje e përafert na rezulton se nga 10.000 m2 sipërfaqe reklama, kjo sipërfaqe rritet në 15.000 m2, shkak i rritjes edhe të numrit të subjekteve, që dukshëm kanë dhe sipërfaqe të mëdha për tabelën e reklamës”./Monitor

Euro 2016, De Biasi: Na mjafton kalimi i grupeve

Mes duartrokitjeve të trajnerëve më të mirë në Itali, Gianni De Biasi tërhoqi në Coverciano çmimin special “Pankina e Artë”. Një vlerësim për punën e bërë në krye të Kombëtares shqiptare, për kualifikimin historik në Euro 2016 dhe ngritjen e emrit të shkollës italiane në arenën ndërkombëtare. Pas çmimit të fituar me meritë, tekniku kuqezi foli në 360 gradë. Nga dedikimi special. “Këtë çmim të rëndësishëm ia dedikoj djemve. Është vërtetë një nder për mua”, tha ai.
Më tej, De Biasi foli për ambiciet në evenimentin më të rëndësishëm kontinental, ku Shqipëria do të jetë në Grupin A me Francën, Zvicrën dhe Rumaninë. “Në Europian luajmë pa presion. Nuk duhet të përmbushim ndonjë pritshmëri specifike dhe gjithçka që do të bëjmë do të jetë një plus. Gjithsesi, mendoj se do të provojmë shanset tona, ashtu si kemi bërë gjithmonë, edhe pse renditja tregon se jemi më mbrapa rivalëve. Mendoj se kalimi i grupit do të ishte një arritje e jashtëzakonshme. Përsa i takon Italisë, mendoj se mund të klasifikohet mes katër të parave në Europian”, u shpreh De Biazi.
Tekniku foli edhe për lojtarët specifikë. Nga Elseid Hysaj, që në këtë sezon po shkëlqen me Napolin. “Hysaj duhet të vazhdojë të stërvitet mirë dhe të paraqitet në Francë në formë optimale. Duhet të jetë i kujdesshëm, pasi Kampionati Europian është një vitrinë për t’u afirmuar në nivel ndërkombëtar. Gëzon cilësi teknike e fizike dhe ka një personalitet të madh. E promovova që 18 vjeç, ndërsa te Napoli vazhdon rritjen si lojtar, edhe sepse luan pa presion”, tha trajneri i kombëtares tonë.
Në fund edhe një këshillë për talentin kuqezi të Interit, Rey Manaj. “Mund të parashikohet që do të largohet nga Interi. Nëse do të qëndrojë, duhet të bëjë pjesë në projektin e klubit, pa dashur të hyj në programet e zikaltërve. Është një lojtar i ri, që duhet të luajë çdo javë. Ky është një aspekt thelbësor për rritjen e Manaj-t, të cilit natyra i ka dhuruar gjithçka: e njeh portën dhe është i fortë fizikisht. Në debutim me Kombëtaren shënoi pas 10 sekondave, duke vendosur rekord. E ardhmja është e gjitha për të”, përfundoi De Biazi.

Mesatarja e pikëve, Juventus si Barça

Juventus rekordesh në vitin 2016. Pas problemeve të fillimit të sezonit, bardhezinjtë e morën veten në mënyrë të jashtëzakonshme, duke i kaluar edhe pritshmëritë. Zonja e Vjetër u kthye në krye të Serisë A sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Paraqitjet në pjesën e parë të vitit 2016 janë të pabesueshme. Në Europë, vetëm Barcelona ka mesatare të njëjtë pikësh si Juventusi. Skuadra e Luis Enrique po marshon drejt titullit në Spanjë me një mesatare prej 2,83 pikësh në ndeshje, ndërsa të besuarit e Alegrit janë në kuotën e 2,82 pikëve. Praktikisht e njëjta ecuri, edhe kur analizohet raporti i ndeshjeve të luajtura dhe fitoreve të regjistruara. Katalanët kanë fituar 11 nga 12 ndeshjet e zhvilluara në La Liga, të cilave u shtohet një barazim. Në total, Barça ka grumbulluar 34 pikë.

Juventusi në anën tjetër ka fituar 10 nga 11 ndeshjet e luajtura, duke barazuar vetëm me Bologna-n, për një total prej 31 pikësh. Blaugranat dhe bardhezinjtë pozicionohen në majën e Europës në mënyra krejt të ndryshme. Ecuria e Barcelonës lidhet me forcën e jashtëzakonshme në fazën sulmuese, me 38 gola të realizuar prej fillimit të vitit, përballë 22 të Juventusit. Nga ana e tyre italianët kanë një mbrojtje hermetike, me vetëm një gol të pësuar, përballë 7 të spanjollëve. Në vendin e tretë të renditjes speciale, pozicionohet Borussia Dortmund që mesatarisht ka grumbulluar 2,50 pikë për ndeshje, ndërsa në vendin e katërt ndodhet Napoli me 2,36 pikë.

Leicester pret titullin

Mbijetoi edhe në fundjavë me golin e vetëm të ndeshjes të shënuar nga Mahrez, por pak rëndësi ka nëse fiton 1-0 apo 5-1, Leicester City është surpriza më e madhe e futbollit europian këtë sezon. Skuadra “low cost” që nisi të luftojë për mbijetesë, nga java në javë është kthyer në favoriten numër 1 për titullin, sidomos pas ekuacionit të fundjavës që solli barazim në derbin e Londrës. Pesë pikë është diferenca me ndjekësin më të afërt që “dhelprat” kanë në renditjen e Premier Leagues, ndërsa 9 janë ndeshjet e mbetura për të ruajtur këtë hendek. Tottenham, Arsenal dhe Manchester City mendojnë se, Leicester do të përkulet nga presioni si dhe mungesa e eksperiencës, por tani edhe kompanitë e basteve besojnë fort të skuadra e Ranierit.

Më 14 mars në stadiumin “King Power” vjen Newcastle, një ekip në krizë identiteti që vështirë se do të forcojë rezistencën. Më pas janë përballjet jo shumë të forta si Crystal Palace, Southempton, Sunderland, West Ham dhe Swansea. Deri në fundin e këtyre sfidave, Leicester shpreson që të ketë një avantazh më komod. Tre finalet e ekipit surprizë në Premier League janë ndaj Manchester United, Everton dhe më pas më 15 maj ndaj Chelseat, ditë kur do të vendoset edhe titulli. Por, tashmë edhe statistikat po i japin të drejtë Leicester Cityt që në fazën e dytë ka marrë 23 pikë nga 27 të mundshme dhe kampionati tani nuk është më një utopi.

Chelsi-PSG, parisienët do kërkojnë të përsërisin suksesin e një viti më parë

PSG do të përpiqet të përsërisë suksesin e një viti më parë, kur arriti të eliminojë Chelsean në UEFA Champions League teksa do të udhëtojë këtë të mërkurë në Londër. Blutë e drejtuar nga Hiddink kanë gjithçka të hapur sa i përket kualifikimit, pasi goli i shënuar në “Parc de Prince” i jep atyre shpresë për të vazhduar rrugëtimin europian. Në fakt, përballja e sivjetshme është e treta radhazi për të dyja klubet mes tyre, pasi janë ndeshur dhe dy sezone më parë në fazën çerekfinale të kompeticionit.
Një plus më shumë për ekipin e Chelsea-t do të jetë fakti se vijnë pas tetë rezultate pozitive radhazi në Premier League, ndërsa ndaj klubeve franceze londinezët nuk kanë humbur asnjëherë në shtëpi në ballafaqime. Në këtë sfidë, vendasit do të kenë të gatshëm dhe Nemanja Matic, që ishte i skualifikuar në sfidën e parë, ndërsa do të mungojnë Pedro Rodriguez dhe Terry. Te PSG ndërkohë e vetmja mungesë mund të jetë Marco Verrati, ndërsa Di Maria është riaftësuar dhe u aktivizua dhe në sfidën e fundjavës ndaj Montpellier.
Në 8 nga 12 rastet që ka humbur sfidën e parë, Chelsea ka mundur të sigurojë kalimin më tej dhe ky është një tjetër fakt që i bënë tifozët londinez të shohin me optimizëm një kualifikim të mundshëm. Në sfidën tjetër, Zeniti nuk do të ketë një detyrë të thjeshtë për të përmbysur humbjen 0-1 të sfidës së parë me Benficën. Rusët kryesojnë 3-2 në sfidat direkte mes tyre dhe rusët nuk do të kenë të gatshëm për këtë përballje Javi Garcian dhe Crisciton, por dhe Andre Almeida dhe Jardel gjithashtu janë të skualifikuar për portugezët. Fakti që Zeniti ka në skuadër, shumë lojtarë që kanë luajtur në Portugali dhe Villas Boas është nga ky vend, bën që rusët të kenë njohuri jo të pakta për kundërshtarin.
Trajneri Laurent Blanc nuk e fshehu presionin që ka skuadra e tij në turneun elitar europian dhe që mund t’i sjellë transalpinëve avancimin e shumëdëshiruar. “Kjo është ndeshja më e rëndësishme e sezonit dhe mund të ndodhë gjithçka në këtë përballje. Nëse e nisim ashtu si duhet, atëherë nuk do të na ndryshojnë planet rrugës, por ne jemi gati për këtë”, tha Blanc për ndeshjen ndaj Chelsea-t.

Kthesa e fshehtë e Merkel

Kancelarja po përfiton tani nga një politikë, kundër së cilës ajo gjithnjë ka luftuar në nivel evropian. Por kjo do ta ndihmojë pak partinë e saj në zgjedhjet për parlamentet e landeve, mendon Christoph Hasselbach.
Në fakt, Angela Merkeli duhet të bënte gjithçka që kufiri midis Maqedonisë dhe Greqisë të hapej sërish për refugjatët. Dhe po të mos arrihej kjo, ajo duhej t’i merrte refugjatët direkt nga Greqia në Gjermani. Sepse situata e sotme është mjaft e krahasueshme me atë të shtatorit, kur mijëra vetë mbetën të bllokuar në Hungari dhe të cilët Merkeli i pranoi në Gjermani, duke i anashkaluar rregullat e BE.
Kancelarja i ka projektuar me këmbëngulje në opinionin publik parimet e saj:

– Në rastin e kërkesave për azil nuk ka kufi maksimal

– Gardhet nuk ndihmojnë

– Duhet një zgjidhje evropiane me një shpërndarje të refugjatëve

Ata që vepruan ishin të tjerë
Në Bruksel ajo e izoloi veten me këtë qëndrim, në një kohë kur vërshimi i refugjatëve vazhdoi. Por dikur, disa qeveri evropiane konstatuan se u teprua. “Më mirë është që të veprojmë të veçuar, se të rrimë së bashku duarkryq”, tha kryeministri hungarez, Viktor Orban. Austria shpalli kufirin e saj maksimal të pranimit të refugjatëve. Pastaj, disa anëtarë të BE dhe disa shtete ballkanike u mblodhën bashkë dhe sollën mbylljen e kufirit midis Maqedonisë dhe Greqisë.
Ky hap përfaqëson të kundërtën e gjithçkaje që ka mbrojtur gjithmonë Merkeli. Por që atëherë kanë rënë edhe shifrat e refugjatëve, që duan të vijnë në Gjermani. Pikërisht kjo është që donte të arrinte Merkeli me zgjidhjen e saj “evropiane”, por suksesi nuk u duk gjëkundi.
Në vend të fotografive selfie me refugjatët, tani ka këshilla të Kancelares për njerëzit në kufi, që hë për hë të qendrojnë në Greqi. Askush nuk ka të drejtë që ta zgjedhë vetë vendin se ku duhet të paraqesë kërkesën për azil, tha Merkeli. Para pak javësh, ajo tha papritur edhe se pret prej refugjatëve sirianë në Gjermani, që të kthehen në atdhe, kur atje të ketë sërish paqe. Po pse nevojitet atëherë integrimi?- pyesin që prej atëherë ata që angazhohen për integrimin duke bërë sakrifica të mëdha.
Ajo nuk do që ta kapin
Zëvendëkancelari Sigmar Gabriel tashmë e ka deklaruar se kthesa ka kohë që ka ardhur. Kjo në një kohë kur në rastin e tij nuk e di kurrë, si i duket atij kjo, e mirë apo e keqe dhe se cili do të jetë pozicioni i tij një javë më vonë. Një kthesë konstaton edhe Horst Seehofer, i cili ka kohë që përpiqet për të. Kurse në rastin e vetë Merkelit ke përshtypjen se ajo bën të gjitha përpjekjet që të mos e kapin, duke e ndryshuar kursin. Por pavarësisht, nëse ajo e pranon apo jo: është pikërisht politika, të cilën ajo e ka refuzuar si jo morale, të pazbatueshme dhe të dëmshme për Evropën, e cila tani po sjell një lloj shtensionimi të gjendjes. Nëse kthesa e fshehtë e Merkelit do t’i hyjë në punë CDU në tri zgjedhjet në lande të dielën e ardhshme, për këtë mund të dyshohet. Çdo zgjedhje që bëhet është për momentin krejtësisht një votim për politikën ndaj refugjatëve të qeverisë gjermane. Kështu ishte edhe në zgjedhjet e djeshme komunale në Hessen: CDU dhe SPD, pra partitë që qeverisin së bashku në nivel federal, humbën mjaft, kurse AfD populiste e djathtë u bë që herën e parë, kur mori pjesë në zgjedhje partia e tretë për nga votat. Vendimi i zgjedhësve pra mund të interpretohet edhe kështu: po të kishte pasur Merkeli sukses në BE me politikën e saj, shifrat e refugjatëve do të qenë po kaq të larta sa në vjeshtë.

“The Guardian”: Nga kush duhet të ketë më shumë frikë Turqia?

Mëngjesin e të shtunës, gazeta “Zaman” në numrin e fundit të shtypur përpara ekzekutimit të vendimit të Gjykatës, kundërshtoi hapur vendimin për sekuestrimin dhe caktimin e një administratori shtetëror për menaxhimin e gazetës. Ndërkohë numri i të dielës, i pari nën kontrollin e administratorëve të deleguar, ishte i mbushur me artikuj pro-qeveritarë
Nëse çështja “Zaman” do të ishte një rast i izoluar i abuzimit ndaj mediave në Turqi, padyshim që mund të shihej si pjesë e luftës së ashpër ndërmjet Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] dhe lëvizjes “Hizmet”
Gazetarë të mediave dhe bindjeve të ndryshme vazhdimisht janë frikësuar përmes veprimeve ligjore dhe në disa raste janë arrestuar
Që nga gushti i vitit 2014, janë regjistruar rreth 1845 raste të proceseve gjyqësore ndaj qytetarëve turq me pretendimin se ata kanë fyer presidentin e tyre. Shumë pak prej tyre kanë marrë dënime të rënda, por duket qartë se qëllimi kryesor i këtyre proceseve është frikësimi i tyre
Turqia tashmë është nën mëshirën e një njeriu me një temperament të keq. Përgjigja e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan ndaj çdo sfide apo kritike që i bëhet atij, prej kohësh ka qenë shumë e ashpër, por tashmë është shndërruar në një reagim të papërmbajtshëm dhe mbi të gjitha hakmarrës.
Viktima e fundit e zemërimit të tij është gazeta me tirazhin më të madh në vend, “Zaman”, e cila javën e kaluar u sekuestrua dhe kaloi nën administrimin e autoriteteve turke, qartazi nën kërcënimin e armëve.
Ndaj protestuesve që përpiqeshin të parandalonin hyrjen e policisë në ambientet e gazetës, u përdor gaz lotsjellës dhe dhunë, kryeredaktori dhe shumë gazetarë me përvojë u pushuan nga puna nga “administratorët” e caktuar nga Gjykata dhe sipas stafit shkrimet editoriale janë bllokuar dhe më pas mund të jenë fshirë plotësisht.
Mëngjesin e të shtunës, gazeta “Zaman” në numrin e fundit të shtypur përpara ekzekutimit të vendimit të Gjykatës, kundërshtoi hapur vendimin për sekuestrimin dhe caktimin e një administratori shtetëror për menaxhimin e gazetës. Ndërkohë numri i të dielës, i pari nën kontrollin e administratorëve të deleguar, ishte i mbushur me artikuj pro-qeveritarë, të cilët i bënin jehonë punës së qeverisë.
Është ende e paqartë specifikisht se çfarë shkeljeje apo veprimi antiligjor mund të ketë kryer gazeta “Zaman”, ndërkohë që është shumë e qartë se përse z. Erdogan e konsideronte atë përgjithësisht si të dënueshme. Me kalimin e kohës, gazeta “Zaman” mori një pozicion të moderuar islamik, i cili në fakt nuk ishte shumë i ndryshëm nga ai i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] të zotit Erdogan dhe punësoi analistë dhe gazetarë me pikëpamje të ndryshme politike, megjithëse asnjëri prej tyre nuk ishin në listën e të preferuarve të qeverisë. Por ajo mbështet lëvizjen me ndikim “Hizmet”, një lëvizje e frymëzuar nga Fethullah Gulen, një klerik dhe mendimtar në moshë të thyer, i cili prej vitesh jeton në ekzil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Hizmeti” i është shmangur një roli dhe ndikimi të drejtpërdrejtë politik, duke preferuar të veprojë nëpërmjet mbështetësve të përkushtuar me profesione të ndryshme, si policë dhe arsimtarë dhe për vite të tëra ishte në një aleancë të ngushtë, por të matur me Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP]. Por kjo marrëdhënie mori fund në vitin 2013, pasi dolën në pah dallimet mes tyre kryesisht për politikat e qeverisë ndaj kurdëve, Izraelit dhe Iranit dhe propozimeve për mbylljen e shkollave të kontrolluara nga lëvizja “Gylen”. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka punuar për largimin e mbështetësve të Gylenit nga pozitat vendimmarrëse pranë pushtetit dhe ka nisur një proces gjyqësor në mungesë ndaj z. Gylen, duke e akuzuar atë për komplot për përmbysjen e qeverisë.
Sekuestrimi dhe marrja nën kontroll e gazetës “Zaman”, e shoqëruar dhe me arrestimin e katër anëtarëve të Bordit Drejtues të “Boydak”, një korporatë e njohur si mbështetëse e lëvizjes “Hizmet”, mund të shihet dhe si faza e fundit e kësaj fushate. Rasti në fjalë nuk është thjesht një përplasje mes demokratëve të pagabueshëm kundrejt forcave të errëta anti-demokratike. Të dyja palët, lëvizja “Hizmet” dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, në të kaluarën kanë bashkëvepruar në mënyra jo dhe aq demokratike, sidomos në rastin kur të dyja palët bashkëpunuan për të diskredituar forcat e armatosura të Turqisë. Gjeneralët janë akuzuar, me prova të cilat mund të kenë qenë të fabrikuara, për komplot për rrënimin e shtetit. Ushtarakët kërkuan rigjykim të çështjes dhe Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e cila dikur publikonte materiale mbi mënyrën se si ushtria ishte zhveshur nga kopetencat e saj shumë të gjera, më vonë deri në një farë mase ofroi një mbështetje ndaj tyre.
Nëse çështja “Zaman” do të ishte një rast i izoluar i abuzimit ndaj mediave në Turqi, padyshim që mund të shihej si pjesë e luftës së ashpër ndërmjet Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim [AKP] dhe lëvizjes “Hizmet”. Në fakt, situata aktuale është shumë larg këtij realiteti. Gazetarë të mediave dhe bindjeve të ndryshme vazhdimisht janë frikësuar përmes veprimeve ligjore dhe në disa raste janë arrestuar. Botuesit dhe pronarët e mediave vazhdimisht kanë qenë nën kërcënimin dhe presionin ekstrem të autoriteteve për largimin nga puna të gazetarëve dhe opinionistë të padashirueshëm nga qeveria. Disa prej mediave kanë blerë biznesmenë të afërt me qeverinë. Kryeredaktori i të përditshmes opozitare “Cumhuriyet” dhe përgjegjësi i redaksisë së kësaj gazete në Ankara u akuzuan për spiunazh, pasi gazeta botoi një artikull, sipas të cilit qeveria kishte mbështetur me armatime rebelët ekstremistë në Siri. Kur Gjykata Kushtetuese urdhëroi lirimin dhe gjykimin e tyre në gjendje të lirë, zoti Edogan me një mospërfillje tipike ndaj sistemit ligjor deklaroi: “Unë nuk pajtohem më këtë vendim dhe nuk e respektoj atë”.
Në të vërtetë, i vetmi vendim që zoti Erdogan respekton dhe që në fakt pajtohet me të është qëndrimi i tij. Është e vërtetë që problemet me të cilat përballet sot Turqia janë të shumtë. Turqia po përballet me një numër të madh refugjatësh për shkak të luftës në Siri, situata dhe rritja ekonomike nuk është më në nivelet e dëshiruara dhe tensionet e një politike të jashtme kontradiktore që kanë për qëllim rrëzimin e qeverisë së Asadit në Damask, pa fuqizuar kurdët e Sirisë, tashmë janë mëse evidente.
Por personaliteti i zotit Erdogan nuk është i përshtatshëm për situata të tilla vështirësish dhe fatkeqësish. Përdorimi gjithnjë e më i shpeshtë i ligjit për të shndërruar në një vepër penale kritikat dhe fyerjet ndaj Presidentit, në fakt e ka bërë atë më të ndjeshëm ndaj këtyre kritikave. Që nga gushti i vitit 2014, janë regjistruar rreth 1845 raste të proceseve gjyqësore ndaj qytetarëve turq me pretendimin se ata kanë fyer presidentin e tyre. Shumë pak prej tyre kanë marrë dënime të rënda, por duket qartë se qëllimi kryesor i këtyre proceseve është frikësimi i tyre. Pavarësisht qëndrimeve të tij ndaj mediave dhe gjykatave, apo dhe ndaj publikut, mesazhi i z. Erdogan është i qartë dhe i njëjti: Do të ketë pasoja për këdo që më kritikon mua. Kjo nuk është aspak politikë e matur dhe sigurisht aspak demokratike.