24.5 C
Tirana
E premte, 2 Maj, 2025

Zgjedhjet, dekriminalizimi e drejtësia, tre zotimet e Bashës nga Shkodra

Lulzim BASHA

25 vite më parë regjimi komunist në grahmat e fundit vrau pabesisht këtu në Shkodër katër djem të rinj plot me ideale dhe ëndrra të mëdha për Shqipërinë si gjithë Europa. Nderim përjetë Arben Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës, Nazmi Kryeziut. Emrat e tyre kumbuan sot e kumbojnë përherë me jehonë të madhe në këtë shesh të tragjedisë. Ata i kujtojnë Shkodrës masakrën e 2 Prillit. Ata na kujtojnë të gjithëve çmimin e lartë që ka paguar deri në fund ky qytet për të qenë, përveçse djep i kulturës dhe krenarisë kombëtare, edhe pararojë e bastion i demokracisë shqiptare. Shkodra është frymëzimi ynë, është guximi ynë, është vendosmëria jonë! 4 heronjtë e 2 Prillit dhe qindra qytetarë të plagosur e të dhunuar egërsisht atë ditë të kobshme nga shteti policor janë prova monumentale se demokracia në Shqipëri erdhi me përballje të guximshme, me trimëri qytetare të nivelit më të lartë, me mençuri, me sakrifica, me flijim. Nderim dhe mirënjohje të gjithë atyre që luftuan dhe luftojnë, punuan dhe punojnë, sakrifikuan dhe sakrifikojnë pa u kursyer, për lirinë, për demokracinë, për integrimin në familjen e kombeve të lira, për ligjin dhe Kushtetutën, për zhvillimin dhe përparimin.

Nderim dhe mirënjohje
përjetë dëshmorëve
të demokracisë
Nderim dhe mirënjohje përjetë martirëve, heronjve, dëshmorëve të demokracisë. Sot e dimë mirë se vrasja e Arbenit Brocit, Bujar Bishanakut, Besnik Cekës dhe Nazmi Kryeziut nuk ishte një aksident, por një shfrim hakmarrës i partisë-shtet dhe instrumenteve të saj të dhunës- Sigurimit famëkeq dhe policisë së politizuar deri në palcë – për humbjen e thellë këtu në Shkodër të zgjedhjeve të para shumëpartiake më 31 mars 1991.
Ishte një shpërthim i vetvetishëm dhe njëkohësisht i programuar i dhunës kriminale që buron nga vetë natyra e regjimeve shtypëse, nga shpirti i prishur në gjen i drejtuesve me mendësi sundimtari. Pushteti i çon tek dhuna, i çon tek hakmarrja, i çon tek krimi. Kjo ka ndodhur në Shkodër më 2 Prill 1991. I përzgjodhën më të mirët, më të vendosurit, më të guximshmit mes nesh sepse sundimtarët e dinin mirë se fundi do t’u vinte prej tyre. Por i bënë hesapet gabim. Gjaku i tyre ngriti një popull të tërë, sakrifica i tyre është frymëzimi i lirisë dhe krenarisë sonë sot. Furia e plumbave që u derdh pamëshirshëm nga selia e krimit dhe e çmendurisë 45-vjeçare i ndërpreu në lulen e moshës jetët e katër dëshmorëve, por nuk i vrau dot idealet e tyre të pastra, nuk e ndali dot fluturimin e ëndrrave të tyre rinore.
Këto ideale dhe ëndrra kanë udhëtuar dhe udhëtojnë sot e përherë me Partinë Demokratike, me rininë shqiptare, me Shkodrën e lirë të njerëzve të lirë, me Shqipërinë euroatlantike, me synimet dhe vendosmërinë tonë për të hapur kapitullin e demokracisë së re në jetën e Shqipërisë dhe qytetarëve të saj. Asnjëherë më parë Arben Broci, studenti i dhjetorit, themelues i Partisë Demokratike dhe tre shokët e tij të përjetësisë nuk kanë mbledhur këtu në Shkodër kaq shumë vajza dhe djem të rinj. Ky i sotmi është pelegrinazh i vërtetë bekimi dhe frymëzimi për gjithë rininë në këtë panteon të demokracisë tonë. Prania masive e të rinjve në këtë pelegrinazh është përgjigjja e tyre, përgjigjja juaj miqtë e mi të brezit të ri, ndaj kumteve dhe mësimeve që na vijnë nga historia, nga plagët, nga dhembjet, nga libri i sakrificave dhe i lavdisë.
Kjo prani kaq domethënëse është shprehja e një zgjimi dhe ndërgjegjësimi të ri të rinisë shqiptare për detyrat dhe përgjegjësitë e saj në udhëkryqin e sotëm të demokracisë. 4 dëshmorët 20-vjeçarë na kanë lënë ne të gjithëve e në veçanti rinisë një sprovë të përjetshme. Sprovën e kurajos dhe guximit të tyre për t’i dhënë vendit një drejtim tjetër, për të bërë një kthesë të madhe. Sprovën për të thyer brenda vetes pajtimin me të keqen. Sprovën për t’i dalë përpara të keqes që njësoj si 25 vite më parë i ka zënë rrugën vendit, kanë bllokuar aspiratën për liri dhe mirëqenie.
2 prilli i vitit 1991 na mori të gjithëve 4 jetë të pakthyeshme, por na la ndërkohë një dëshmi të pashlyeshme të shkruar me gjakun e tyre të kulluar: Për pushtetin e tyre, trashëgimtarët politikë të diktaturës heqin çdo maskë dhe kthehen në fis, kthehen tek dhuna, kthehen tek urrejtja, kthehen tek krimi, tek shtypja, tek korrupsioni, kthehen tek luksi për vete, tek pashpirtësia ndaj të tjerëve, kthehen tek diskriminimi politik dhe ekonomik, kthehen tek sundimi. Kjo dëshmi është sot më aktuale se kurrë. Është realiteti trevjeçar i qeverisjes Rama-Meta. Ata duan pushtet me çdo kusht e me çdo çmim. Dhe ashtu si 25 vite më parë vjedhin votën, shkelmojnë ligjin, dhunojnë qytetarët e pasurohen për vete.
Modeli i tyre është e shkuara, është krimi që vrau në mes të Shkodrës katër djem të rinj, janë antivlerat, trafikantët, kriminelët që kanë futur deri në Parlament. Modeli i tyre është pasurimi i qeveritarëve dhe varfërimi i qytetarëve. Një miliard e dyqind milion euro është shuma e abuzimeve dhe vjedhjeve vetëm në harkun kohor të një viti me tendera e koncesione korruptivë që nuk i ka parë as Europa e as bota.

Protestat ndaj krimit
në pushtet nuk
do ndalen
Janë vjedhje, abuzime dhe dështime qeveritare të shkruara si plagë në lëkurën e qytetarëve shqiptarë, në vështrimin e tyre të mbushur me dramë dhe revoltë. Qindra herë i kemi denoncuar e s’do të pushojmë së denoncuari, kemi protestuar e s’do të pushojmë së protestuari, për krimin e ngritur në pushtet dhe pushtetin e ngritur në krim, për aleancën e pashembullt të qeverisë me kriminelë me damkë që sot terrorizojnë qytetarët dhe kanë marrë peng pushtetin e shtetin kudo, si ortakë dhe mëkëmbës të Edi Ramës.
Ky është regjimi i sundimit të një grushti njerëzish që punojnë vetëm për një qëllim: të pasurohen për vete, të sundojnë përmes dhunës, demagogjisë, trushpëlarjes propagandistike, gënjeshtrave dhe mashtrimeve pa doganë. Sot është më e qartë se dje dhe jam i bindur se nesër do të bëhet e qartë për të gjithë:
Shqiptarët nuk kanë, shqiptarët varfërohen sepse abuzon, shpërdoron dhe vjedh banda në krye të qeverisë.
Shqiptarët ikin sepse abuzon, shpërdoron, vjedh, diskriminon dhe nuk jep më asnjë shpresë banda në krye të qeverisë.
Regjimi i Edi Ramës mbjell ndasi, urrejtje, diskriminim. Shkodra e ka provuar dhe po e provon hakmarrjen primitive të Edi Ramës, i cili edhe fondet e shtetit i ndan në bazë të ngjyrës që përfaqëson kryetari i bashkisë. A thua se nuk janë njësoj shqiptarë si ata që votuan për Partinë Demokratike e ata që votuan për Partinë Socialiste?
Ky është vetëm një shembull në morinë e shembujve të arbitraritetit, arrogancës, urrejtjes politike, shpirtvogëlsisë dhe paligjshmërisë që manifeston ditë për ditë dyshja Rama-Meta.
Këtë mendje kanë patur paraardhësit e tyre politikë. Këtë mendje kanë dhe këta sot:
Se pushteti është mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi liritë e të drejtat, mbi vetë individin e lirë.
Se pushteti është dhuna dhe dajaku, shtypja dhe poshtërimi, shfrytëzimi dhe lëmosha për të tjerët, luksi dhe pasurimi për vete.
Se nuk janë për të shërbyer, por për t’u shërbyer, për të sunduar.
Janë jashtë sistemit demokratik që Shkodra dhe mbarë Shqipëria përqafoi 25 vite më parë.

Oligarkia kriminale
s’do mund të ndalë
ëndrrën e 4 heronjve
Por ne, jemi gati e të vendosur të mos e lëmë ëndrrën dhe projektin e 4 heronjve tanë të ndryshket nga një oligarki kriminale, me ADN të njëjtë si ajo e para 25 viteve.
Ne, Partia Demokratike, opozita demokratike, rinia demokratike, Shqipëria demokratike jemi në këmbë përballë tyre, më të bashkuar se dje, më të shumtë se dje, më të mbështetur se kurrë në përpjekjen dhe misionin tonë për të çliruar Shqipërinë një orë e më parë nga kthetrat e oligarkisë Rama-Meta.
Për të rivendosur një orë e më parë sundimin e ligjit demokratik dhe standardet e demokracisë normale në vend, për të zbatuar një orë e më parë ligjin e dekriminalizimit si një arritje madhore për Shqipërinë, Reformën në Drejtësi që jep drejtësi dhe nuk mbron kriminelë e të korruptuar. Për të përfunduar një orë e më parë reformën zgjedhore dhe për të garantuar me mbështetjen e miqve tanë amerikanë dhe europianë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për t’i hapur rrugë dhe për të sjellë në pushtet me votë të lirë projektin tonë të demokracisë së re pjesëmarrëse, projektin tonë të zhvillimit të sigurt, për më shumë punë dhe punësim, për rroga dhe pensione më të larta, për standarde dinjitoze jetese, për siguri të nivelit të lartë për të gjithë qytetarët shqiptarë.
Ky është modeli ynë. Modeli i vlerave, modeli i punës, modeli i qëndresës dhe vendosmërisë. Frymëzimi ynë është Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka, Nazmi Kryeziu, është Pjetër Arbnori, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, është Sali Berisha, janë studentët e dhjetorit, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë që me guximin e tyre sollën lirinë dhe demokracinë.
Për këto vlera qëndrojmë, për këto qëllime ekzistojmë, luftojmë dhe do të fitojmë. Ashtu si 25 vite më parë, Shkodra është besimi dhe optimizmi, profecia dhe paralajmërimi, pararoja dhe siguria se dita e re e lirisë dhe demokracisë është më afër se dje dhe po ndriçon tashmë horizontin e shpresës për mbarë Shqipërinë tonë nga Jugu në Veri, nga Lindja në Perëndim. Dëshmorët e 2 Prillit janë bekimi dhe frymëzimi ynë!

Edmond Trako: Si vdiq në duart e mia Bujar Bishanku që ishte plagosur

Paraditen e 2 prillit të vitit 1991, në selinë e Partisë Demokratike në rrugën e “Kavajës” erdhi një lajm i keq. Në protestë në Shkodër ishte vrarë Arben Broci, themelues i Partisë Demokratike një prej studentëve më aktiv në lëvizjen e dhjetorit 90. Bashkë me të u vranë edhe tre të rinjë të tjerë, Besnik Ceka, Bujar Bishanaku dhe Nazmi Kryeziu.
Mëngjesin e asaj dite, në zyrën e PD-së në Tiranë ishte Sali Berisha dhe disa drejtues të tjerë të PD-së. Berisha vendosi të dërgojë në Shkodër një grup nga kryesia e PD-së për të ndjekur nga afër situatën. Aty për aty ai zgjodhi të dërgojë Edmond Trakon e Blerim Çelën. Rrugës ata do të bashkoheshin edhe me Azem Hajdarin për të shkuar në Shkodër. Sheshi qëndror i qytetit ishte kthyer në një betejë lufte. Palët nga kushedi se ku, protestuesit po qëlloheshin me armë në një protestë ku të gjithë ata që protestonin ishin pa armë. Katër të vrarë dhe dhjetëra të plagosur do të ishte bilanci tragjik i asaj dite. Një prej protagonistëve të asaj kohe e rrëfen kështu ditën e 2 prillit. Edmond Trako, një prej themeluesve të PD-së rrëfen se si dha frymën e fundit në prehrin e tij, Bujar Bishanaku, një prej katër të vrarëve në protestën e 2 prillit në Shkodër.
Një gjerdan me fishekë, një kapele e grisur polici dhe disa plumba të mbledhur në fushë betejën para Komitetit të Partisë në Shkodër ishte dëshmia që sillte nga qyteti antikomunist, dërgata demokrate e Sali Berishës. Ja si e rrëfen Edmond Trako atë ditë, si mjek që u gjend pranë njërit prej viktimave në çastet e fundit të jetës së tij.

-Zoti Trako, ju keni qenë një ndër të deleguarit e Partisë Demokratike në Shkodër, ditën kur në 2 prill u vra Arben Broci bashkë me tre djem të tjerë. Si e mbani mend atë ditë?
2 prilli i vitit 1991 është një nga ngjarjet më të bujshme qoftë të periudhës në të cilën u zhvillua si ngjarje, qoftë edhe në kujtesat që i janë bërë asaj dite ndër vite. Kjo për faktin se, mjaft persona që u përfshinë qoftë atë ditë, para ose pas 2 prillit, vazhdojnë të jenë ende aktivë në politikën shqiptare. Arben Broci dhe tre të tjerë dhanë jetën atë ditë për aspiratat e një Shqipërie demokratike, por ato mbeten vetëm aspirata. Kjo bën që 2 prilli të kujtohet si ngjarje e dhimbshme sot e kësaj dite.

-Si u gjendët atje dhe çfarë mbani mend nga ajo ngjarje?
Ishte mëngjesi i asaj date dhe ishim në selinë e PD, ku sot është Poliklinika “Zonja e Këshillit të Mirë”. Ishte ora 9:30 në mëngjes, ishim 7 apo 8 vetë në seli. Një telefonatë nga Shkodra njoftojnë kryetarin e partisë, Sali Berisha, që në Shkodër ishte një situatë shumë e ndërlikuar, ishte sulmuar Komiteti i Partisë dhe ishte vrarë Arben Broci. Ai ishte një ndër themeluesit e PD-së, student i Dhjetorit, anëtar i Krysisë së PD Shkodër, një ndër 30 studentët që shkuan te Ramiz Alia. Ishte një ndër figurat kryesore të PD jo vetëm në Shkodër, por edhe në qendër. Në atë moment u kërkua që dikush të shkonte si përfaqësi në Shkodër për të ndjekur nga afër ngjarjen në Shkodër. Dikush u hodh dhe i tha Berishës: Ju si kryetar duhet të shkoni. Berisha refuzoi dhe m’u drejtua mua: Shko ti Edmond. Unë i thashë po shkojmë, por bashkë. Me tha nuk mund të vi se unë duhem këtu. Atëherë unë i thashë meqenëse duheni këtu në rregull po shkoj dhe bashkë me mua erdhi edhe Blerim Çela. Jemi nisur për në Shkodër dhe rrugës na është bashkuar edhe Azem Hajdari m’u te shkallët e selisë së PD, sapo ishim nisur. Kur kemi arritur në Shkodër qysh në hyrje pamë që vërtet situata ishte jashtë mase e tensionuar. Ishin përhapur gjithëfar lloj lajmesh. Se ishte vrarë Xhelil Gjoni, se ishte sulmuar Komiteti Qendror etj., etj., dhe ne na thanë pse kishim ardhur në Shkodër. Në hyrje të Shkodrës kishte përqendim forcash policore dhe ushtarake. Sa më shumë i afroheshim zonës ku ishte Komiteti i Partisë dhe selia e PD, përqendroheshin më shumë forcat policore e ushtarake. Kur mbërritëm në seli gjetëm Ali Spahinë dhe Pjetër Abrnorin, duke dhënë një intervistë për disa media të huaja. Atje ishte edhe Shenasi Rama. Prej andej, jemi larguar drejt Radio “Shkodrës”. Para Komitetit të Partisë ishte një situatë lufte. Më kujtohen si tani disa makina policie dhe një autoblind që kishte marrë zjarr.
Nga ai autoblind arrita të marrë një gjerdan me disa fishekë që i kishin mbetur, si relike dhe një plumb të atij gjerdani e kam akoma dhe po jua jap ta shihni. Kam mbledhur edhe disa plumba te Komiteti i Partisë, pasi kishte me shumicë në tokë. Mora edhe një kapele polici të shqyer, të cilën e gjeta në tokë.

-Ndërkohë ishin katër të vrarë dhe disa të plagosur?
Po, një prej personave që u vranë atë ditë Bujar Bishanaku. E mbaj mend të plagosur rëndë dhe e shoqërova në spital meqenëse isha mjek. Ka vdekur në dorën time. Mbaj mend që një pjesë e të plagosurve sepse ishin dhjetëra të tillë, kishin plagë të thella. Unë u lejova të hyja në spital meqenëse isha mjek. Situata në spital ishte shumë e rëndë.

-Ndërkohë autoblindët dhe forcat policore e ushtarake ishin në shesh…?
Pasi dola nga spitali, moment tjetër që kam fiksuar te Radio “Shkodra”, mos gaboj është filmuar, shikoj të hipur në verandën e Radio “Shkodrës” Azem Hajdarin. Po fliste dhe po mundohej të qetësonte turmën. Ai bënte thirrje për qetësi, i bënte thirrje njerëzve që të largoheshin që të mos derdhej më gjak. Situata ishte e pakontrollueshme. Megjithëse kishte forca të shumta policore dhe ushtarake. Kishte disa makina tip “Ifa” të ushtrisë që mbanin mbi kabinë nga një mitroloz. Të lëvizje rrugëve të Shkodrës me mitroloz mbi makina ishte kaq e vështirë. Shoferi që kishim na lutej vazhdimisht të iknim, sepse situata ishte kaq e rrezikshme. Nuk di se sa herë kemi shpëtuar rastësisht, pasi plumbat vazhdonin e vinin majtas e djathtas. Mbaj mend që u organizua një mbledhje me autoritete lokale, përfaqësues nga forcat politike, përfaqësues të fesë etj., ishin mbledhur për t’u angazhuar për të qetësuar situatën. Mbaj mend që në atë mbledhje ishte edhe Gjek Çela dhe shefi i tij i policisë. Më vonë, ata u morën të pandehur si përgjegjës për ngjarjet në Shkodër. Ajo mbledhje zgjati rreth 2 apo 3 orë. Në darkë vonë jemi kthyer të tre bashkë, unë, Azemi e Blerim Çela në selinë e PD. Atje gjetëm drejtues të partisë dhe disa të huaj. Mbaja në dorë gjerdanin me fishekë dhe m’u sulën sidomos të huajt, ishin pjesë e Institutit demokratik Amerikan, mi morën të gjithë fishekët që mbante gjerdani dhe unë arrita të mbaja vetëm një prej tyre. Më morën edhe kapelën e policit.. i donin për relike. Mbaja në dorë edhe fotografitë e viktimave, të cilat u botuan në numrin e “RD”-së. Fotografinë e Arben Brocit ma ka dhënë nëna e tij, fotografinë që e disponoj akoma. Në përfundim, mendoj se është një nga ngjarjet më të rënda të asaj periudhe. Ata u qëlluan sipas gojdhënave nga snajper plumba qorr etj., por ne si pamë se nga vinin plumbat dhe nuk morëm vesh kurrë nga erdhën ato plumba që vranë ata katër djem të Shkodrës. Të nesermen është nisur një delegacion nga selia e PD për të marrë pjesë në varrimin e viktimave. Mbaj mend që nuk më morën dhe më ka mbetur merak, sepse doja të shkoja të ngushëlloja nënat e atyre katër djemve. Unë e kujtoj gjithmonë 2 prillin, sepse e përjetova nga afër. E kujtoj, sespe u ndanë nga jeta ata të rinj dhe unë mendoj se duhet të kujtohet si ngjarje për rëndësinë që pati qoftë ato ditë qoftë për arsyen tjetër madhore se mbeti e pazbardhur.

Veliaj bllokon rrugët , Tirana përfshihet nga kaosi

Bashkia e Tiranës ka bllokuar pa paralajmërim ditën e djeshme qendrën e Tiranës dhe bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe atë “Zogu i I”. Dhe kjo ka bërë që kryeqyteti të përfshihet nga kaosi dhe trafiku i rënduar. Qytetarët kanë gjetur mënyra të ndryshme që t’i përgjigjen tekave të kreut të Bashkisë, Erion Veliaj. Ata kanë vendosur që me makinat e tyre të kalojnë nëpër urat e këmbësorëve, një gjë e ndaluar për shkak të faktit se urat mund të shemben dhe të rrezikohet edhe jeta e njerëzve.
Bashkia i ka bllokuar rrugët për shkak se kreu i Bashkisë, Erion Veliaj ka marrë pjesë në një maratonë-kros të zhvilluar në qendrën e Tiranës, aktivitet që vitet e tjera është zhvilluar në Parkun e Liqenit. Por Parku i Liqenit është i rrethuar me forca të shumta policore për shkak të punimeve që kryhen atje. Bllokimi i rrugëve në qendër të kryeqytetit në pikun e lëvizjes, ka irrituar qytetarët, të cilët kanë shpërthyer në revoltë kundër Veliajt. Ata që e kanë përjetuar më shumë kaosin kanë qenë të moshuarit dhe fëmijët, të cilët kishin dalë në shëtitje këtë fundjavë.
Prej dy javësh, Bashkia e Tiranës ka bllokuar për qarkullimin e automjeteve shumë rrugë kryesore në kryeqytet. Bashkia ka nisur punimet pa asnjë plan në dhjetëra rrugë në qendër të Tiranës, duke krijuar trafik të rënduar të automjeteve. Të lëvizësh me makinë këto ditë në Tiranë të duhen nerva dhe kohë e gjatë qarkullimi. Me fillimin e punimeve për unazën e vogël shumë segmente lidhëse me qendrën e kryeqytetit janë mbyllur për qarkullimin e automjeteve dhe lëvizja është devijuar në të tjera akse. Kur vjen nga rruga e “Durrësit” e vetmja mundësi është kthimi djathtas në drejtim të Bankës së Shqipërisë për t’u ngjitur më pas tek selia e Partisë Socialiste, por fillimisht duhet të presësh gjatë në radhë për të kaluar, pasi rruga është kthyer me një kalim.
Ndërsa për të zbritur në këtë rrugë nga Sheshi “Skënderbej” është e pamundur, pasi Bashkia ka bllokuar segmentin përpara Muzeut Historik Kombëtar. Trafikun e krijuar në qendër si pasojë e kësaj lëvizjeje e kanë të vështirë ta çajnë edhe autoambulancat apo vetë automjetet e policisë. Drejt rrugës së “Durrësit” nuk mund të kalosh as nëse tenton të përdorësh segmentin pas Muzeut Historik Kombëtar. Edhe këtu po punohet. Ndalim-kalimi këtu ka vështirësuar qarkullimin edhe në Bulevardin “Zogu i Parë”.
Tjetër arterie ku po punohet është edhe ajo nga rruga e “Barrikadave” në drejtim të rrugës së “Dibrës” dhe “Luigj Gurakuqit”. Por nuk duhet të shmangësh vetëm këtë rrugë, për të dalë në qendër, pasi nuk lejohet të përdoret as segmenti ndërmjet Teatrit të Operas dhe Baletit e Hotel “Tiranës”.
Ditët në vijim do të ketë edhe devijime të tjera të lëvizjes për shkak të punës në terren për ndërtimin e unazës së vogël. Gjurma e unazës së vogël pritet të mbyllet pas shembjes së disa shtëpive private, ndonëse pronarët e shtëpive kanë protestuar për vlerësimin qesharak të shtëpive nga qeveria.

R.POLISI

Karteli i kokainës, zbardhen përgjimet nga Gjermania

Prokuroria për Krime të Rënda ka siguruar 24 dëshmitarë, 54 ekspertime të ndryshme dhe 12 raporte vëzhgimi të Policisë së Shtetit për të provuar akuzat ndaj grupit të laboratorit të kokainës në Xibrakë. ABC News ka mësuar se dy prokurorët e çështjes, krahas përgjimeve telefonike nga Gjermania dhe renditjes së detajeve të rrjetit të trafikut të drogës, ka pyetur 24 persona për dosjen e Xibrakës. Në mesin e dëshmitarëve janë familjarë të të arrestuarve, të njohur apo edhe banorë të ndryshëm, të Elbasanit dhe Tiranës që kanë pas kontakt me dy kolumbianët e arrestuar. Përveç dëshmitarëve, për të provuar akuzat, prokurorët kanë siguruar edhe 54 akt-ekspertime të ndryshme që faktojnë se lënda e gjetur në laborator ka tretësira kokaine. Por, ajo që i rëndon më shumë të 10 të pandehurit e kësaj dosje, janë raportet e vëzhgimit të kryera nga Policia e Shtetit. Sipas kërkesës për gjykim, thuhet se në dosje ndodhen 12 raporte vëzhgimi të shoqëruara me pamjet filmike të regjistruara në distancë.
Ky vëzhgim ka nisur më 19 dhjetor të 2014, pas sinjalizimeve nga autoritetet gjermane dhe ka vazhduar për disa ditë, me ndërprerje deri më datë 14 janar kur edhe policia ka ndërhyrë për arrestimin e tyre. Por ajo që bie në sy nga studimi i dosjes, krijohet bindja se operacioni është dekonspiruar pak minuta para arrestimit të tyre. Sipas raportit të vëzhgimit të datës 14 janar 2015 të mbajtur nga dy agjentë të policisë, përshkruajnë momentin kur Genc Xhixha ishte nisur drejt Elbasanit. Por një mesazh telefonik i dërguar në telefonin e tij, në ora 10:35 min ka bërë që ai të rrotullohet dy herë te rreth rrotullimi i “TEG”-ut dhe më pas është larguar me shpejtësi drejt Tiranës.
Ai moment ka qenë i fundit kur është parë Xhixha nga agjentët e policisë, pasi ka arritur të largohet i pashqetësuar. Vetëm pak orë më pas, në raportin e vëzhgimit në laboratorin e Xibrakës, agjentët kanë konstatuar se tre nga të dyshuarit po derdhnin fuçitë e mbushura me një solucion ngjyrë blu nga mbrapa magazinës. Në këtë kohë është ndërhyrë, duke i arrestuar ku edhe është konstatuar se ata po derdhnin solucionet, ku brenda kishte tretësira kokaine. Sipas akuzës, dyshohej se mes të arrestuarve është përdorur aparatet celular, të llojit “Balcberry” që ende edhe sot nuk është arritur të hapen nga ekspertë e Policisë Shkencore për të parë se kush ka qenë personi që i ka njoftuar të dyshuarit që po ndiqeshin.
Nga ana tjetër nga 9 të arrestuarit, në dosje thuhet se 6 prej tyre kanë rezultuar pozitiv në testin e përdorimit të lëndëve narkotike, mes tyre dy kolumbianët që ishin sjellë në Shqipëri me cilësinë e ekspertëve të përpunimit kimik të solucioneve të ndryshme për të nxjerrë kokainën e shkrirë.
Nga aktet e këtij hetimi rezulton se, në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike, të dyshuar si kokainë, nga Shqipëria drejt Gjermanisë. Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni përveç kontakteve me Kastriotin kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën, përdorues i celularit 069 64 xxx 949. Në këto kushte, Policia Gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, derisa në datën 13 janar 2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e Rezervave Shtetërore në Xibrakë të Elbasanit. Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se, përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Klemend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Saimir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se, personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.
Gentian Gjonaj rezultoi të ishte përdorues i numrave celularë 069 20 xx 189 dhe 067 20 xx 189, Arjan Dalipi përdorues i numrit 069 57 xx 975, Klemend Dalipi përdorues i numrit 068 40 xx 645 dhe Saimir Batku përdorues i celularit 067 46 xx 365. Personat e mësipërm komunikonin për vajtjet në Elbasan dhe lëvizjet e tyre. Nga vëzhgimet u konstatuara si dhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan se ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, kishin akses tek ambientet.

Nis rikonstruksioni i një qendre sociale për fëmijët autikë në Kukës

Në Ditën Ndërkombëtare të Ndërgjegjësimit mbi Autizmin u shpall projekti për rikonstruksionin e Qendrës Sociale të Bashkisë Kukës, bashkëfinancim i Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal financuar nga Zyra e Bashkëpunimit Zviceran në funksion të fëmijëve me çrregullim të spektrit Autik.
Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” mbështetës në kompletimim e qendrës dhe trajnimit të stafit. Kukësi foli sot për Autizmin. Për herë të parë, shtrirja e shërbimeve për fëmijët me çrregullim të spektrit autik do të jetë edhe verii i Shqipërisë, duke e kthyer kështu Kukësin në të parin qytet që përqafon politikat sociale për këtë kategori jo vetëm në dimensionin human, por edhe atë institucional.
Kryetari i Bashkisë Kukës, Bashkim Shehu, gjatë shpalljes së projektit për rikonstruksionin e kësaj qendre sociale tha se, në qytetin e tij fenomeni i çrregullimit të spektrit autik është shtuar ndjeshëm vitet e fundit dhe numri i familjeve që kërkojnë ndihmë për trajtimin e fëmijëve të tyre me shërbime terapeutike të specializuara është rritur.
Sipas Shehut, Bashkia e Kukësit, Fondacioni “Fëmijët Shqiptarë” dhe Zyra e Bashkëpunimit Zviceran do të sjellin në parametra modernë këtë qendër për shërbime të standardizuara në programe akademike të çertifikuara ndërkombëtarisht.
Dr. Liri Berisha në emër të Fondacionit “Fëmijët Shqiptarë” përgëzoi Bashkinë Kukës për këtë nisëm dhe u shpreh e pakursyer në kontributin e Fondacionit për identifikimin e shërbimeve sociale që do të ofrohen, pajisjen me libra dhe metoda si dhe trajnimin e stafit që do të shërbejë aty.
Në një mesash drejtuar profesionistëve lokalë dhe prindërve të ardhur në aktivitet, Dr. Liri Berisha e vuri theksin në gjithëpërfshirjen e këtyre fëmijëve në strukturat publike arsimore dhe në ofrimin e shërbimeve shëndetësore terapeutike pa pagesë. Integrimi i këtyre fëmijëve është investim për të ardhmen. Le t’u japim dorën sot, që të nesër ata të jenë të pavarur, përfundoi znj.Berisha.

Përfaqësues të OSBE-së në Bashkinë Kamëz për rehabilitimin e lumit Ishëm

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti në një takim përfaqësues të OSBE-së në Shqipëri, këshilltarin e lartë për qeverisjen në Departamentin e Mirëqeverisjes në Çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Paolo Fraccaro si dhe Silvana Malaj, përfaqësuese zyrtare për çështjet vendore në Prezencën e OSBE-së në Shqipëri. Në këtë takim, kryebashkiaku Mziu përcolli mesazhin e rëndësisë së këtij takimi, i cili kishte të bënte me mirëmbajtjen dhe rehabilitimin e lumit të Ishmit.
“Prania e përfaqësuesve të OSBE-së në këtë kohë paraqet për institucionin tonë një vlerësim për çështjen për të cilën ne jemi mbledhur së bashku për të diskutuar”, u shpreh ai, duke dhënë më pas një panoramë të përgjithshme se si është trajtuar qyteti në lidhje me mjedisin. Kreu i Bashkisë vlerësoi bashkëpunimin e vazhdueshëm me OSBE-së që nga viti 2007, duke ruajtur raportet e bashkëpunimit serioz në të gjitha fushat në të cilat institucioni ka qenë përfitues i projekteve të ndryshme si dhe përvojën e fituar në aplikimin për projekte të ndryshme me interes publik që janë kryer në Bashkinë Kamëz përgjatë kësaj periudhe.
Në fillim të takimit, Mziu theksoi gjithashtu rëndësinë që merr në këtë kohë si dhe në perspektivë trajtimi i mbetjeve urbane. “Për këtë qëllim, Bashkia operon me një strukturë funksionale, që është Ndërmarrja e Pastrim-Gjelbërimit, me stafin dhe pajisjet e ndryshme, makineri dhe mjete mbështetëse. Kjo strukturë kryen të gjitha shërbimet që janë funksionale për një shërbim cilësor për jetën e qytetarëve që jetojnë në territorin e Bashkisë Kamëz”, theksoi Mziu, duke shtuar se, për sa i përket trajtimit të mbetjeve urbane, Bashkia ka qenë e hapur për bashkëpunim, si brenda dhe jashtë vendit, për ngritjen e një landfildi që do të shërbente për përpunimin e mbetjeve urbane. “Duke e konsideruar këtë hap mjaft të rëndësishëm kemi arritur që nëpërmjet Drejtorisë së Koordinim-Zhvillimit të aplikojmë në projekte mjaft konkurruese për të përfituar fonde nga institucione prestigjioze të BE-së në përfitimin e projekteve, siç është IPA Adriatik, në përfitimin e mjeteve të pastrimit të standardeve evropiane si dhe të konteinerëve që shërbejnë për grumbullimin e mbetjeve organike dhe inorganike”, theksoi kryebashkiaku Mziu.
Ndërkaq, kreu i Bashkisë bëri me dije se reforma territoriale solli përpara institucionit që drejton sfida të reja, përballjen me situata të vështira, pasi Njësia Administrative e Paskuqanit, përpara reformës, e kishte dhënë me sipërmarrje shërbimin e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve deri në periudhën janar 2016. Duke qenë përpara realiteteve transfomuese, Bashkia Kamëz njësoi shërbimin duke ia kaluar funksionin dhe përgjegjësinë e këtij shërbimi Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit.
Duke folur për lumenjtë që kalojnë nëpër territorin e Kamzës, Mziu tha se, ky territor laget nga tre lumenj: lumi i Tiranës, lumi i Tërkuzës dhe lumi i Lanës. “Deri në këto momente nuk kemi realisht asnjë investim për të bërë të mundur uljen e ndotjes së tyre nga ana e autoriteteve përgjegjëse për të minimizuar sadopak ndotjen e këtyre lumenjve, gjë që ka sjellë vështirësi të jashtëzakonshme, duke përjashtuar vetëm një pjesë të lumit Tirana, e cila e mori vëmendjen në kohën e përmbytjeve të banesave që ishin vendosur në të dyja anët e këtij segmenti”, bëri me dije Mziu.

Prokuroria u bllokon depozitat 500 mijë euro dy shtetasve suedezë

Prokuroria e Tiranës ka sekuestrur 500 mijë euro të dy shtetasve suedezë, shumë e dyshuar se buron nga aktivitet kriminal. Referimi në Prokurori është bërë nga Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila ka dyshime se Ove Oskar Johansen dhe Joo Borge Nilsen po pastrojnë para në vendin tonë. Vendimi për sekuestron është marrë javën e shkuar pas dyshimeve për pastrim parash nga dy shtetasit suedez në vendin tonë.
Paratë janë bllokuar në dy llogari bankare, njëra 300 mijë euro dhe tjera 200 mijë euro. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se paratë silleshin në Shqipëri nga Finlanda, përmes transaksioneve në Kosovë dhe Serbi. Për këtë arsye Prokuroria e Tiranës ka nisur disa lëtër porosi në këto vende, për të parë nëse dy suedezët i justifikojnë këto shuma parash.
Prokuroria ka dyshime se këto para do të riktheheshin në Suedi, pasi do të justifikoheshin me ngritjen e bizneseve fiktive në vendin tonë. Deri në mbërritjen e këtyre informacioneve, shuma prej 500 mijë eurosh do të qëndrojë e bllokuar.
Ndërkohë, dy suedezët mësohet se kanë dorëzuar në Gjykatën e Tiranës një kërkesë, ku kërkojnë zhbllokimin e llogarive bankare. Ata argumetojnë se paratë janë të ligjshme dhe do t’i investojnë në Shqipëri. Para hetuesve, dy suedezët kanë deklaruar se paratë i kanë transferuar në Shqipëri në dy llogari të ndryshme bankare me vlerën e 200 dhe 300 mijë eurove për të hapur biznes. Ky deklarim nuk ka bindur hetuesit dhe deri në verifikimin e burimit financiar, këto para do të qëndrojnë nën sekuestro preventive.

S’ka kthim prone, por shitje me ankand

Në ligjin e saj të ri për pronat, qeveria ka zhdukur termin kthim dhe kompensim fizik të pronave të ish-pronarëve, por ka vendosur mekanizmin e ankandit për të nxjerrë pronat legjitime të ish-pronarëve në shitje. Përfaqësuesi i Shoqatës Pronësi me Drejtësi, Myshit Vorpsi thotë se nuk bëhet fjalë për kthim të pronës, pasi qeveria e ka hequr këtë fjalë nga ligji i ri, por për shitje në ankand të tyre.

“Në 26 mijë vendime, fjala kompensim fizik i tokës së pronarëve nuk ekziston ashtu siç nuk ekziston fjala kthim i pronës. Kemi të bëjmë me një shitje në ankand të të gjitha pronave që bëjnë pjesë në fondin e kompensimit fizik. Pra, edhe 23 mijë hektarë që xhirojnë lart e poshtë nëpër media është një fond toke, 23 mijë hektarë tokë bujqësore, i cili sipas ligjit, merrni lexoni nenin 13 dhe 14 të ligjit, do të shitet i gjithi në ankand. Dhe vetëm nëse do të dështojnë ankandet, vetëm atëherë Agjencia e Kthimit të Pronave do ja ngecë me vendim një pronari, kushdo që t’i dalë përpara”, shprehet Vorpsi.

Nxitimi i qeverisë për të vijuar me kompensimin për ish-pronarët vjen në një kohë kur buxheti i shtetit po rëndohet nga vendimet e njëpasnjëshme të Gjykatës së Strasburgut e njëkohësisht pritet të shprehet Gjykata Kushtetuese, ku pesë subjekte ndër to edhe Presidenti i Republikës kanë ankimuar ligjin për pronat. Ndërkohë që një ditë para se qeveria të vendoste kreu i shtetit, Bujar Nishani shqetësimin për këtë çështje ia kishte shprehur edhe Presidentit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, Guido Raimondi.

“Na duket pak si shumë e pakuptimtë për momentin, ky nivel presioni që po bëhet haptazi, ka një javë që ky presion po i bëhet jo vetëm Presidentit, por edhe opinionit publik dhe gjithë palëve të tjera”, shprehet Vorpsi.

Për Vorpsin ligji i ri për pronat fut ujë në shumë shtigje. Një ndër to shpjegon ai është edhe zerimi i një detyrimi prej rreth 7 miliardë lekësh që shteti ka ndaj pronarëve duke vendosur për t’ja kompensuar atyre tokën truall me tokë bujqësore. Ligjin e ri për pronat ish-pronarët e ciësojnë antikushtetues dhe mohim të të drejtave të arritura.

“Nëse në shkallë vendi sot një metër katror tokë truall kompensohet apo shpronësohet sipas listës së hartës së çmimeve që ka miratuar kjo qeveri me rreth 100 euro për metër katrorë, që i thonë rreth 1 milion euro hektari. 1 metër katrorë tokë bujqësore kompensohet mesatarisht me 2 euro për metër katrorë ose 20 mijë euro hektari. E gjithë kjo lëvizje e qeverisë, konsiston në këtë element. Që të gjitha këto vendime, që janë të shprehura për tokë truall, që janë në nivelin e 7 mijë hektarëve, t’i reduktojnë në zero si kompensime që do të bëhen për tokë bujqësore”.

Qeveria po synon konfiskimin e pronave

Ligji ka parashikuar mundësinë për rikonfiskim apo rishpronësim të subjektit. Konkretisht, pasi këtij të fundit i është njohur e drejta e pronës dhe i është njohur edhe e drejta e kthimit të pronës (për shkak se ajo rezulton e lirë), ATP do të bëjë një vlerësim të pronës së kthyer, për të konstatuar nëse subjekti përfiton një pronë që ka vlerë më të lartë sesa prona që ka pasur në momentin e shpronësimit. Është evident fakti që sot prona ka një vlerë më të madhe sesa kishte në momentin e shpronësimit gjatë periudhës komuniste. Për pasojë, në mënyrë antikushtetuese dhe në kundërshtim me nenin 41 të Kushtetutës, ATP i kompenson fizikisht subjektit vetëm sipërfaqen që i korrespondon vlerës që ka patur prona në momentin e shpronësimit. Ndërkohë që pjesa e mbetur merret nga shteti dhe kalon në fondin e tokës me vendim të ATP-së (që përdoret për të kompensuar subjektet e tjera apo për t’u shitur në ankand). Ky akt, përbën de juro shpronësim nga një autoritet administrativ apo konfiskim të pasurisë pa një vendim gjyqësor.

Heqja e nocionit të kthimit të pronës në objektin e ligjit është i lidhur me metodologjinë e re të propozuar për vlerësimin e pronës. Për ne është e papranueshme, që ndërkohë që shteti e konsideron shpronësimin apo konfiskimin e kryer nga regjimi komunist si të padrejtë dhe të paligjshëm, për rastet kur prona rezulton e lirë dhe nuk i shërben interesit publik, subjekti të mos të kthehet përsëri në gjendjen e mëparshme, pra t’i kthehet e gjithë prona në gjendjen që ajo është sot. Vetëm në rastet, kur për shkaqe sociale dhe ekonomike, kthimi në gjendjen e mëparshme dhe zhbërja e paligjshmërisë do të ishte e pamundur, mund të aplikohen mekanizmat e kompensimit.

Shkelja e parimit të sigurisë juridike dhe të drejtës së pronës

Ligji cenon parimin e sigurisë juridike, për shkak se nuk përmbush kërkesat e qartësisë së tekstit normativ dhe kuptueshmërisë së ligjit. Konkretisht: Së pari, nuk del e qartë nëse rregullimi i ekzekutimit të vendimeve përfundimtare të kompensimit i nënshtrohen vetëm vendimet e kompensimit, që nuk kanë të përcaktuar vlerën e dëmshpërblimit apo që nuk janë ekzekutuar ende. Nëse shqyrton përmbajtjen e ligjit, rezulton se objekt shqyrtimi dhe riekzekutimi do të jenë edhe vendimet e kthimit të pronave. Ky fakt i paspecifikuar në objektin e ligjit, gjen trajtim në nenin 6/1/b të ligjit, i cili specifikon se prona e kthyer vlerësohet duke përcaktuar atë nga diferenca që do të rezultojë midis vlerës së saj, sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone, sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Mirëpo, nëse prona është kthyer me vendim përfundimtar, atëherë ekzekutimi ka përfunduar dhe pavarësisht nëse është regjistruar në ZRPP nga pronari, ajo është pronë e tij, që nuk mund të vlerësohet financiarisht nga Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Së dyti, skema e kompensimit e parashikuar nga ligji shfaq shumë paqartësi, ashtu siç edhe vetë dispozitat mbi shtrirjen e efekteve të ligjit. Edhe pse ligji duhet t’i jepte fund pasigurive dhe vështirësive të krijuara si rezultat i ndryshimeve të herëpashershme në legjislacion, ai në vetvete e shton së tepërmi këtë pasiguri. Paqartësi ka në aspektet ligjore dhe financiare të skemës së kompensimit, përsa kohë do të vazhdojnë të depozitohen kërkesa të reja dhe fatura financiare do të vijë në rritje. Një fakt i tillë vë në dyshim vlerën e parashikuar nga ligji për kompensim financiar dhe aq më shumë përfundimin e saj brenda 10 viteve.

Së treti, paqartësia ekziston edhe në drejtim të procedurave që do të ndjekin aplikantët. Në këtë rast, standardet e elaboruara nga GJEDNJ-ja kërkojnë që procedura e ekzekutimit të mos ketë kosto shtesë apo burokraci të tepruara. Për më tepër, procesi nuk rezulton të jetë transparent dhe efektiv, përsa kohë nuk ekziston një database hartografike e të gjitha vendimeve dhe regjistrimi i pronës akoma nuk ka përfunduar.

Rama, ligj të ri për të mos kompensuar pronarët

Qeveria shqiptare po përpiqet të ndalojë valën e kompensimeve të shtrenjta nga Strasburgu në favor të pronarëve të tokave, asetet e të cilëve u sekuestruan nga regjimi komunist. Qeveria shqiptare shpreson se legjislacioni i ri do të ndalojë vendimet e mëtejshme nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në favor të ish-pronarëve, që e kanë detyruar atë t’i paguajë atyre sasi të mëdha kompensimi financiar. Në vitin 2006, gjykata e Strasburgut lëshoi vendimin e parë në favor të pronarëve që kërkonin kompensim për pronat e marra nga regjimi komunist – dhe të cilëve u njohën të drejtat nga një komision shtetëror. Zyra e Avokaturës së Shtetit që funksionon brenda ministrisë së drejtësisë dhe përfaqëson shtetin shqiptar në gjykatë të Strasburgut i tha BIRN se shuma totale e kompensimit që u desh të paguhej në 2014 ishte 2,462,015 euro dhe 10,751,416 euro në 2015. Fatura për 2016 pritet të jetë gjithashtu e lartë. Më 17 mars, gjykata e Strasburgut e urdhëroi Shqipërinë të paguajë 11 milionë euro të tjera në një vendim në lidhje me gjashtë ish-familje pronare. Qeveria ka tre muaj kohë të gjejë fondet për këtë rast të ri kompensimi. Burime nga Zyra e Avokaturës së Shtetit dhe shoqata e pronarëve i thanë BIRN se një vendim tjetër multi-milionë euro nga Strasburgu mbi të njëjtën çështje do të jepet së shpejti. “Norma e çmimit të tokës që gjykata përdor për të kompensuar ish-pronarët është më e lartë sesa ajo e qeverisë. Kjo krijon një barrë financiare për shtetin, që është arsyeja përse po përpiqemi të ndalojmë praktikën e vendimmarrjes së Strasburgut për pronarët shqiptarë të tokave,” tha për BIRN Alma Hiçka, kreu i Zyrës së Avokaturës së Shtetit. Me shpresën për t’i dhënë fund vendimeve të kripura për nga çmimi i kompensimit, qeveria miratoi një ligj të ri për kompensimin e pronarëve për pronat dhe asetet në dhjetor 2015. Ky synon të mbledhë rreth 438 milionë euro dhe 23,000 hektarë tokë bujqësore për 10 vite në mënyrë që të kompensohen rreth 26,000 raste. “Do ta prezantojmë këtë ligj të ri në fillim të prillit në gjykatën e Strasburgut ngaqë e kemi hartuar sipas sugjerimeve të tyre,” tha Hiçka. “Ne shpresojmë që gjykata do ta vlerësojë si një zgjidhje të qëndrueshme për ish-pronarët dhe do t’i japë fund vendimmarrjes së tyre për pronat,” shtoi Hiçka. Megjithatë, në një shenjë se ligji i ri nuk do t’i japë fund mosmarrëveshjes së kompensimit mbi asetet e sekuestruara, shtatë padi të ndara janë drejtuar në Gjykatën Kushtetuese kundër ligjit të ri, përfshirë mocione nga Presidenti i Shqipërisë, Avokati i Popullit dhe shoqatat e ish-pronarëve. Gjykata Kushtetuese pritet të lëshojë një vendim për ligjin në javën e parë të prillit. Ish-pronarët thonë se ata kanë pritur vite për të rimarrë pronat – ose të marrin kompensim financiar për to – që është arsyeja përse shumë prej tyre i janë drejtuar Strasburgut.

Rama, studio personale pa leje tek ish Poligrafiku

Fotografi dixhital denoncon Edi Ramën që po ndërton studio dykatëshe për vete, pa lekë dhe pa leje. Ish kryeministri Berisha postoi dje denoncimin e një qytetari, sipas të cilit Rama po ndërton pa leje një studio personale për të pikturuar. “Përshëndetje Doktor, Po ju dërgoj këto foto bashkëngjitur. Janë bërë te ish-Poligrafiku. Janë ambiente të privatizuara nga Kryegjyshata e Bektashinjve, por të marra me qira nga Adi Muho (ose Murraj – s’jam shumë i sigurt për mbiemrin) me nja dy artistë të tjerë. Pothuajse çdo fundjavë Rama përdor ambientet e këtij Adit për të bërë pikturat e tij. Ndërsa në këto foto tregohen punimet që po bën Rama (me sa kam unë informacion pa leje ndërtimi) për studion e tij dykatëshe. Ndërtimi dhe ambientet ruhen tërë kohën me roje të Gardës. Po ju informoj gjithashtu se Rama ka qenë aty që nga ora 10.30 deri në 17.00 duke pikturuar ndërkohë që zhvillohej protesta dhe arrestoheshin qytetarët tek Parku i Liqenit, me respekt”.