Roshi, 85 milionë lekë për kondicionerë në bashki
Abuzimi i pushtetarëve shqiptarë nuk ka të sosur. Gjatë stinës së dimrit, por edhe në verë, çerdhet, kopshtet apo shkollat kanë pasur ankesa se nuk kanë pasur kaldajë, me qëllim ngrohjen e nxënësve. Problematika është kudo, sidomos në disa zona të Kavajës. Megjithatë, kjo se ka penguar kreun e Bashkisë së Kavajës, Elvis Roshin, që të instalojë një kaldajë të madhe në godinën ku qëndron edhe vetë.
Sipas dokumenteve që disponon Bold Neës, rezulton se Roshi ka hapur tenderin për “instalimin e sistemit të ngrohje ftohjes në godinën e Bashkisë Kavajë”. Fondi limit është 7.551.354 lekë. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është 20 ditë.
Sipas dokumenteve, kërkohet rrjeti i ngrohjes me Furnizim Vendosje Tubacione multistrato i termoizoluar 20 i përbërë nga 3 shtresa plastik -alumin-plastik për shtrimin e linjave të sistemit të ngrohje-ftohjes nga njësitë e brendshme fankoil në kutitë shpërndarëse.
Kërkohet gjithashtu kasetë kolektori e kompletuar me të gjitha rakorderitë e duhura, e cila bën të mundur ndarjen e çdo pajisjeje me linjë më vete në mënyrë që të mos kenë varësi nga njëra-tjetra. Gjithashtu kërkohet njësi e brendshme që shërben për ngrohjen dhe ftohjen e ambientit në mënyrë natyrale, duke evituar tharjen e ajrit. Duhet edhe njësi e brendshme që shërben për ngrohjen dhe ftohjen e ambientit në mënyrë natyrale, duke evituar tharjen e ajrit.
Lidhjet e Nëndrejtorit të Doganave me vrasësit e trafikantët e drogës
Denoncohen lidhjet e kupulës së policisë me vrasjen e Elton Çiços para pak ditësh në zonën e ish-Blloklut në Tiranë për pazaret e drogës. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar dy mesazhe të qytetarëve dixhitalë, të cilët e informojnë për lidhjet e krerëve të Policisë së Tiranës me vrasjen e Elton Çiços dhe se si nëndrejtori i Doganave, Besmir Qebini ka pajisur me pasaprtë falco shumë të kërkuarin Domart Konjari, me urdhër të Shullazit. “Kupola e çunave të krimit e implikuar në arratinë e Domart Konjarit, vrasjen e Elton Çiços, trafiqet e drogës dhe gjobat me Milin e Partisë. Për më shumë lexojini vetë mesazhet! Sb”, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar mesazhet e dy qytetarëve.
“Informacion. Domart Konjari, super i kërkuar për trafik ndëkombëtar droge, pasaportën e tij me identitet tjetër Arben Lazri në tetor 2015 ia ka bërë shefi i Komisariatit Nr.3 Elton Allushi me porosi të Besmir Qebinit, i cili e mori praktikën dorazi vetë me porosi të Emiljano Shullazit. Qebini dhe Elton Allushi janë të dy nga Tepelena dhe shokë të ngushtë.
2). Alban Trimi që ka qenë prezent kur u vra Elton Çiço është oficer policie shok me Besmir Qebinin, ky i fundit ka prezantuar Alban Trimin me Elton Çiçon. Elton Çiço (viktima) ka bërë trafik droge me kushërinjtë e Besmirit me Klejdi dhe Silver Qebini pjesëtar të grupit të Eltonit (viktimës). Besmir Qebini ka prezantuar Elton Çiçon me Emiljano Shullazin nëpërmjet oficerit Alban Trimi dhe i mbante në kontakt. Sajme Qorri çdo kontakt me bandat i mbante me Besmir Qebinin dhe ky i fundit i mbante nëpërmjet oficerit Alban Trimi, me këtë linje mbaroheshin punët dhe ndaheshin lekët”, shkruan një qytetar.
Besmir Qebini është larguar nga Komisariati i Kavajës për shkelje të rënda dhe dyshime të forta për lidhje me trafikun e drogës. Tani ai është zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Doganave.
“Përshëndetje Doktor.
Lexova shkrimin tuaj për hjeksin e Elton Çiços. Çdo gjë që shkruani është mëse e drejtë. Alban Trimi ish-shef i Antidrogës është njeriu më i poshtër që mund të ekzistojë. E ç’mund të presësh nga një mashkull që ka braktisur fëmijën e vet. Është një mashkull që është pasuruar me lekë të pista për shkak të detyrës. Ku i gjeti Alban Trimi lekët për blerjen e apartamentit te “Komuna e Parisit” vetëm në muajt, kur ushtronte detyrën e shefit të Antidrogës. Po makinën luksoze pse vetëm tani.
Kjo tregon qartazi besoj. Por fajin e ka ministri ynë i Brendshëm, që e solli përsëri në Tiranë vetëm sepse Albani është shoku i ngushtë i Besmir Qëbinit. Gjynaf i zotit kush na përfaqëson”, përfundon mesazhi i qytetarit dërguar ish-Kryeministrit Berisha.
Prokuroria paraqiti provat gjatë seancës gjyqësore ndaj shefit të Antidrogës në Komisariatin Nr.5 të Tiranës, Alban Trimi, për fshehjen e armës dhe celularit të viktimës, Elton Çiço pas vrasjes në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndaj Trimit, du dha masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa Prokuroria ka ngritur akuzë penale ndaj tij në bazë të provave të grumbulluara në vendngjarje. Masa e arrestit ndaj tij u mor 48 orë pas ngjarjes me urdhër të Prokurorisë. Sipas Prokurorisë, menjëherë pasi Çiço u qëllua me armë, oficeri i policisë, Alban Trimi, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se ka lëvizur viktimën dhe më pas i ka marrë armën dhe celularin, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas Prokurorisë, polici Trimi që punonte pranë Komisariatit Nr.5, në Tiranë është larguar nga lokali për të mos u kthyer më.
Prokuroria kishte lëshuar urdhër arresti për oficerin e policisë, Alban Trimi menjëherë pas vrasjes së Çiços, por ai u arrestua pas 48 orësh. Pas zbardhjes së filmimeve të kamerave të lokalit ku ndodhi vrasja, Prokuroria zbuloi se Trimi mori armën dhe telefonin e viktimës Elton Çiço dhe u zhduk. Alban Trimi ka deklaruar për hetuesit se, pas vrasjes së Çiços ndodhej në Tepelenë në varrimin e Eltonit. Kjo tregon se prania e policit me Çiçon nuk ka qenë rastësore, por kishin miqësi me njëri-tjetrin. Gjykata e Tiranës është bindur nga provat e sjella nga Prokuroria dhe ka caktuar si masë sigurie për të arrestin me burg pa afat.
Enton DOÇI
Dule: Rama, njeriu që vrau shpresën e shqiptarëve
Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule deklaron se qeveria Rama është në kursin e një dështimi total gjatë këtyre tre viteve. Nga Saranda, Dule theksoi se qeveritë e mëparshme në këto 25 vite dështuan, por nuk u humbi shpresa qytetarëve. Ndërsa kryeministri Edi Rama bën përjashtim, tha Dule. Sipas tij, ai e vrau shpresën për qytetarët para fundit.
“Marrëdhëniet tona me qeverinë, më konkretisht me Ramën: Rrugët tona janë ndarë, me keqardhje dhe përgjegjësinë tonë, se kemi kontribuar për ardhjen në pushtet të kësaj mazhorance, them që është në kursin e një dështimi total të qeverisjes gjatë këtyre 3 viteve. Në ndryshim nga qeveritë e mëparshme që kanë qeverisur këto 25 vite, të cilat kanë pasur pak a shumë fund të ngjashëm, kanë pasur arritje dhe dështime, por ato të paktën kanë lënë pas për qytetarët shpresë. Rama është një përjashtim, në vend të hopit pozitiv, po sjell një hop negativ. Rama nuk lë pas as shpresë. Një proverb popullor thotë: “Shpresa vdes e fundit”, por Rama e vrau shpresën për qytetarët para fundit”, tha Dule.
Pas takimit me strukturat e partisë në Sarandë, Dule foli edhe për sfidat e kongresit. “Partia shkon në një kongres që përbën një sfidë, mbushim 25 vjet parti politike dhe parlamentare. Jemi partia e tretë pas PS-PD që kemi 25 vjet parlamentare. Më e rëndësishme është që kemi qëndruar në konceptin tonë si një qiri ndoshta modeste e përqendruar në ndriçimin e vlerave dhe parimeve të të drejtave të njeriut dhe minoriteteve. Pas kongresit, sfidë për ne është që krahas mbrojtjes të këtyre vlerave, të nisim një përpjekje më të madhe, të jemi një zë, i cili do të shprehë shqetësimet dhe ambiciet e shoqërisë shqiptare për një kohezion social. Por kryekapitulli i këtij kongresi do të jetë mbyllja e një cikli tranzitor politikë post komunist, dhe e para PBDNJ-ja dhe programi i saj, organizimi i saj do të çelë ciklin europianist”, tha Dule.
Pak ditë më parë, kreu i PBDNJ ka lëshuar akuza të forta kundër Koço Kokëdhimës dhe terrorin që ai po ushtron në qytetin e Himarës përmes IKMT, duke prishur objektet e bizneset e qytetarëve të ndershëm me qëllim ndërtimin e bizneseve të tij.
Përmes një deklarate për mediat, PBDNJ dega Himarë bën të ditur se, “në mënyrë të përsëritur, me veprime selektive nga ana e qeverisë, shkatërrohen objekte të ligjshme në Himarë, ku dora e ekzekutimit IKMT vepron në mënyrë të kundraligjshme, të cilat kanë vetëm një qëllim: të dëmtojnë në mënyrë të përsëritur dhe të pakorrigjueshme veprimtarinë ekonomike dhe demografinë e komunitetit helen në Himarë”.
Aksident në Kavajë, humbin jetën dy fëmijë, shpëton foshnja 1 vjeç
Një aksident tragjik ka ndodhur dje pasdite në Kavajë. Bëhet e ditur se dy fëmijë 3 dhe 5 vjeç kanë humbur jetën, pasi makina me të cilën ata udhëtonin është përplasur me trafikndarësen. Ngjarja ka ndodhur në Qerret, rreth orës 17:20 të ditës së djeshme, në rrugën dytësore Golem-Kavajë. Dy fëmijët ishin duke lëvizur me makinë bashkë me nënën e tyre dhe një fëmijë tjetër.
Drejtuesja e mjetit ka mbetur e plagosur, dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin e Durrësit për të marrë trajtim mjekësor, bashkë me një fëmijë 1 vjeç, ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas policisë, makina ka kaluar nga njëri sens i rrugës në tjetrin, ndërsa dyshohet se shkak për vdekjen e dy fëmijëve është bëri hekuri i trafikndarëses.
Bëhet e ditur se nëna e fëmijëve, e cila ndodhej në timonin e makinës ishte nisur nga Pogradeci në drejtim të Rrogozhinës, ku do të takonte burrin e saj, i cili po vuante prej disa muajsh dënimin në burgun e këtij qyteti.
Policia bëri të ditur se, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit. “Më datë 07.05.2016, rreth orës 17:20, në rrugën dytësore Golem-Kavajë, mjeti tip “Mercedes Benz”, me targë AA 372 JG, me drejtuese shtetasen S.N., 24 vjeç, banuese në Durrës, duke drejtuar mjetin, në të cilën ndodheshin 3 fëmijë, është përplasur me trafikndarësen, ku si pasojë kanë humbur jetën 2 fëmijë ende të paidentifikuar. Drejtuesja e mjetit me fëmijën E. N., 1 vjeç, janë dërguar në Spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën. Policia dhe grupi hetimor në vendin e ngjarjes po kryen hetimet për zbardhjen e plotë të aksidentit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Përgjaken ndeshjet e futbollit në Peshkopi dhe Pogradec
Dhunë e përgjakshme ka shpërthyer dje në ndeshjet e futbollit në Peshkopi dhe Pogradec. Në Peshkopi tifozët dhunuan barbarisht lojtarët e Kastriotit gjatë ndeshjes së futbollit Korabi-Kastrioti. Lojtari i Kastriotit, Erlind Koreshi ka marrë plagë të rënda në fytyrë dhe është dërguar në spital. Nga raportimet që vijnë nga qyteti i Peshkopisë bëhet me dije se janë dhunuar fizikisht lojtarët e skuadrës së Kastriotit të Krujës në përfundim të ndeshjes.
Bëhet e ditur se, futbollistët e Kastrotit kanë qëndruar 2 orë të ngujuar. 4 lojtarë kanë përfunduar me plagë të rënda. Lajmin e bëri të ditur klubi krutan në postimin që ka bërë në profilin zyrtar të klubit në FB. Sipas statusit të shpërndarë 4 lojtarë të Kastriotit rezultojnë me plagë në trup.
Sipas burimeve, futbollistët krutanë janë dhunuar nga tifozët vendas pas përfundimit të ndeshjes që u fitua nga Korabi me rezultatin 1-0. Sipas burimeve, ndaj lojtarëve të Kastriotit është ushtruar dhunë me sende të forta, ku disa lojtarë kanë marrë edhe plagë dhe lëndime në trup. Pas kësaj ngjarjeje është Komisioni i Disiplinës që do të vendosë pas shqyrtimeve të pamjeve për dënimet që do të jepen.
Dhunë ka pasur edhe në ndeshjen tjetër në Pogradec, ku janë dhunuar lojtarët e Luftëtarit të Gjirokastrës. Një përleshje e dhunshme mes lojtarëve të ekipeve të Pogradecit e Luftëtarit ka ndodhur në fushën e gjelbërt, në stadiumin “Gjorgj Kyçyku” të Pogradecit, ku pas përfundimit të ndeshjes ata kanë gjuajtur me grushte njëri-tjetrin. Situatë e rëndë në Pogradec fill pas përfundimit të ndeshjes së futbollit mes Pogradecit dhe Luftëtarit. Rezultati ka përfunduar 1 me 1 ndërkohë që përgjatë pjesës më të madhe të ndeshjes Pogradeci ka qenë në avantazh. Disa dhjetëra tifozë të Pogradecit janë futur në fushë, ndërkohë që kanë sulmuar lojtarët e skuadrës së Luftëtarit. Brenda fushës ka filluar rrahje masive mes tifozerisë së dy skuadrave. Policia ka bërë përpjekje për të ruajtur sigurinë e lojtarëve, ndërkohë që situata është rënduar shumë.
Prej disa kohësh është krijuar një fenomen në Shqipëri ku pas çdo ndeshjeje ka konflikte fizike. Kjo e fundit ka shoqëruar në polici disa tifozë, ndërkohë që kanë nisur hetimet rreth shkaqeve që çuan në këtë incident.
Të pashpresët e dekriminalizimit
Dekriminalizimi i politikës shqiptare ka hyrë në fazën më të rëndësishme, që është pastrimi përfundimtar i Parlamentit, qeverisë, pushtetit lokal, administratës dhe policisë nga kriminelët. Beteja disavjeçare e shqiptarëve për të rimarrë institucionet e pushtuara nga bandat kriminale është në fazën finale. Mijëra të zgjedhur apo të emëruar në institucionet shqiptare kanë patur detyrimin që të vetëdeklarohen mbi të shkuarën e tyre, duke dëshmuar problemet që kanë patur me drejtësinë dhe ligjin në Shqipëri dhe kudo tjetër ku ata kanë jetuar.
Mazhoranca aktuale, pavarësisht se bëri gjithçka mundte ta sabotonte dekriminalizimin, pas miratimit të detyruar në Parlament duhet të qëndrojë larg korruptimit të këtij procesi. Shqiptarët, opozita, ndërkombëtarët janë sy e veshë tek mënyra se si po zbatohet ky ligj. Asnjë praktikë e zakonshme e kësaj mazhorance në korruptimin dhe komprometimin e ligjit, Kushtetutës dhe institucioneve nuk do të mbetet pa përgjigje, kur vjen çështja tek dekriminalizimi.
Mazhoranca dhe Kryeministri Edi Rama kanë vetëm një detyrë dhe ajo është që të mos guxojnë të fusin duart e tyre të pista, sikurse bëjnë me kutitë e votimit, sikurse bëjnë me dokumentet e tenderave, koncesioneve dhe aferat e tjera të përditshme. Në çdo përpjekje për të manipuluar dokumentacionin apo vënë nën presion organet ligjzbatuese, Rama dhe banda e tij janë nën fokusin e publikut dhe nuk ka shpëtim për të dhe kriminelët që mban rreth vetes nëse populli vendos ta implementojë vetë këtë ligj.
Rama nuk ka alternativë kur vjen çështja tek zbatimi i dekriminalizimit. Nëse Elvis Roshi nuk është dorëhequr si kryebashkiak, historitë e tij kriminale me emrin Ervis do ta largojnë nga karrigia dhe qytetarët e Kavajës do të jenë më së fundi të lirë të zgjedhin një jo kriminel, një jo të arrestuar, një jo të dënuar, një jo të dëbuar për të drejtuar qytetin e tyre. Po kështu do të ndodhë në Krujë dhe në çdo njësi tjetër administrative, po kështu do të ndodhë në Parlament, polici, Prokurori, gjykata dhe çdo qelizë të shtetit që është subjekt i ligjit, ku banditët, vrasësit, trafikantët guxojnë të ushtrojnë funksione publike, duke i blerë me para dhe militantizëm tek Kryeministri dhe të dërguarit e tij në çdo cep të vendit.
Dekriminalizimi është diçka që nuk ka nevojë as për ndërhyrjet dhe shpjegimet e Kryeministrit apo të kriminelëve me të cilët ai po qeveris sot. Qytetarët i njohin monstrat që kontrollojnë sot pushtetin në Shqipëri, pasi i kanë parë kur kanë vrarë, kur kanë trafikuar vajzat shqiptare, kur kanë trafikuar drogë, kur kanë vënë gjoba, kur kanë derdhur milionat e tyre të pista në biznese dhe në blerjen e posteve. Qytetarët i njohin fare mirë këta pushtetarë, pasi i kanë parë kur kanë hyrë dhe dalë nga burgjet e Gjermanisë, Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore, kur janë hetuar dhe dënuar nga gjykatat perëndimore për krime të rënda, kur kanë ardhur me pranga në duar në Aeroportin e Rinasit, kur kanë ndryshuar emrat në bashki, kur janë anëtarësuar në partitë e pushtetit, kur kanë blerë votat dhe frikësuar zgjedhësit për t’u bërë deputetë dhe kryebashkiakë, kur kanë paguar Ramën dhe Koçon për t’u bërë drejtues lokalë të administratës, policisë, tatimeve dhe doganave.
Dekriminalizimi kërkon t’i presë njëherë e mirë hovin krimit për të kontrolluar dhe bërë ligjin në këtë vend. Sigurisht, pushteti i Ramës do të tkurret ndjeshëm, klanet e fuqishme të krimit të organizuar do të humbasin kontrollin në Parlament, qeveri, polici dhe institucione. Ky është një moment që qytetarët besojnë dhe duan që ligji të veprojë për të rikthyer shtetin në shërbimin e tyre, duke e çliruar nga ndikimi i krimit. Nëse Rama bën të kundërtën, i ka bërë hesapet gabim, pasi reagimi popullor nuk do ta mëshirojë as atë dhe asnjë nga trimat e tij. Është totalisht i pashpresë!
Rroftë Gjermania!
Me 45 dhjeta në dëftesën e Fakultetit të Mjekësisë nuk gjen punë
Miranda HAXHIA
Një studente që ka më shumë se 45 dhjeta në dëftesën e saj të Fakultetit të Mjekësisë, nuk gjeti dot punë, siç bën estradë Kryeministri me rastin që publikon në video.
Për historinë që do t’ju tregoj, duhen kapërcyer shtatë vullkane, shtatë qytete të rrafshuar nga tërmeti, shtatë pellgje kënetash me gropa thithëse… dhe ndoshta nuk ia mbërrin kurrë.
Sepse që kur e nisi këtë rrugë, e dinte se do të ishte e vështirë. Do të ishte e vështirë të merrte notën më të mirë, por ia doli; do të ishte e vështirë të përballonte shkollimin e gjatë, specializimin e gjatë, por ia doli. Dhe në fund, gati i thyet kocka e dorës nga pesha e dhjetave që ka marrë në diplomën e Fakultetit të Mjekësisë.
Mund të ishin të gjithë dhjeta, edhe ato nota të pakta që janë nëntë apo tetë, do të qenë padyshim dhjeta, sikur ta kishte babain ndonjë shef klinike, ndonjë dekan apo rektor, ndonjë deputet apo mik ministrash. Ndërsa, ajo e mban mend të atin, që prej tridhjetë vjetësh, bën çdo ditë tridhjetë kilometra rrugë për të shëruar fshatarët e një fshati të largët. Dhe pastaj, tridhjetë të tjera për t’i qenë pranë familjes e për të marrë gëzimin e vetëm: notat e shkëlqyera të fëmijës, që ditën kur u ul për herë të parë në bankë dhe deri kur përfundoi universitetin.
Mund të kishte shkuar për specializim jashtë vendit, por, asnjëherë nuk e vërejti kush atë shkëlqim perlash që kishin notat e saj, të cilat i mblodhi me mundim dhe djersë, me orë të gjata studimi, sa, vullnetin e saj do t’ia kishin zili afrikanët e Jugut që gërmojnë vite të tëra diamante në miniera. Mund të zgjonte zilinë e çdo spitali të huaj me aftësinë dhe pritshmërinë që ata do të kuptonin sa hap e mbyll sytë te diploma e studentes së mjekësisë. Por, fjala mund… është e bukur për të çliruar njeriun nga ëndrrat dhe për ta bërë të ecë me këmbë në tokë, aq sa i jep shoqëria këtu, si ekuivalencë të çka ajo i premtoi shoqërisë.
Justifikoj çdo profesion tjetër që të shtyhet me pesa, gjashta apo shtata, sepse një inxhinier i keq, e shumta, do të bëjë të shembet një pallat i ndërtuar keq; por kurrsesi një mjek të dobët, me pesa, gjashta apo shtata nuk duhet të marrë në dorë jetët e njeriut. Sepse nuk vlen eksperimenti. Vlen vetëm suksesi te njeriu.
Por të kesh nota të shkëlqyera, të premtosh të jesh një mjeke a mjek i shkëlqyer, nuk është talent në Shqipëri; këtu talent është të dish të kuptosh kush e shet fatin e punës tënde dhe sa e shet, e a ke mundësi ta blesh. E këtë notë, nuk do ta shikoni kurrë në dëftesa të këtij lloji që po ju tregoj.
Se ndryshe, do të prishte atë rrugë prej tridhjetë kilometrash që ka bërë babai i saj tërë jetën për të shëruar ca fshatarë të varfër të një fshati të humbur, por që i ka dhënë diplomën më të çmuar në botë, qoftë edhe më të çmuar se ai diamanti blu që gjetën afrikanët e minierave të Jugut- diplomën njeri.
Ti, ministër Shëndetësie që kur flet në intervista, na mallëngjen me historinë tënde të shkollimit; ti rektor i Fakultetit të Mjekësisë që habitesh që të kanë sjellë tërë Shqipërinë e sëmurë mbi ca mobilie të shtrenjta zyre; ti Kryeministër që ke premtuar cilësi në shëndetësi, përtej kontrollit të pastërtisë dhe a kanë apo jo shami dore punonjësit e perandorisë tënde; që ke nisur kryqëzatën në botë të kërkosh mjekë të zotë; të gjithë ju që keni në dorë fatin e diplomave të tilla që të rrëqethin mendjen:
Pse ia refuzoni një vend pune shteti? Po të kishte ndodhur, do të fitonit ju, do të fitonin njerëzit e zakonshëm që mund të fillojnë të besojnë se kur sëmuren shkojnë te mjeku dhe jo në dyqan bakalli; do të shpresojnë se mjeku i mirë matet jo nga tarafi, por nga vullneti dhe dija.
A gjeti një vend si mjeke mes ushtrisë së fëmijëve të shefave, ministrave, deputetëve, parellinjve? Kurrsesi nuk mund të ndodhte. Ajo ka gjasë të ndjekë të atin në atë rrugë të mundimshme 30-vjeçare në ndonjë fshat ku ka më shumë male sesa banorë.
Dhe nuk është as fotozhenike për video kryeministrore!!!!
Llamba e alkoolit në dhomën dëshmi të Dr. Sali Berishës
Mal BERISHA
Në fundverën e vitit 1990, im atë pësoi një sulm në zemër. E shtruam urgjent në klinikën e kardiologjisë në Tiranë, aty ku kujdesi për këta të sëmurë ofrohej nga emra të mëdhenj të mjekësisë shqiptare si Dr. Sali Berisha, Dr. Ylli Popa, Dr. Nesti Kondili, Dr. Adnan Kastrati, etj. Në duar të tilla të sëmurët e asaj kohe ndjeheshin të sigurtë se do t’i kalonin vështirësitë që iu shkaktonte sëmundja.
Në një nga ato ditë, pasi e vizituam babain tim në pavijon, zonja ime dhe unë patëm rastin të dëgjojmë nga goja e Dr. Sali Berishës shpjegimet për gjendjen e tij dhe ndjekjen e mëtejshme terapeutike. Ai na shpjegoi me një durim të admirueshëm, por jo pa nxitim, çfarë kishte ngjarë me zemrën e tim eti.
Tëra këto i mësuam në dhomën e tij të mjekut, e cila u dhunua sot, tek po na piqte kafenë në një xhezve krejt të zakonshme. Ai e vloi ujin mbi një shuk pambuku të ngjyer në alkoolin dezifektues të ndezur me një flakë jeshile. E hodhi në tre filxhanë dhe e pimë të tre me tre të rrufitura.
Zyra ishte e mbushur me revista shkencore, libra për kardiologjinë, vademekume, fjalorë gjuhësh të ndryshme, ndër të cilët dallova atë anglisht, frëngjisht dhe rusisht. Po aty gjendeshin fletë pafund punimesh shkencore, shirita të EKG, receta mjekësore, etj. Gjendej një bluzë e bardhë e varur pas derës dhe e vetmja karrige pranë një tavoline të stërmbushur me blloqe shënimesh, fletë të shkruara me dorë dhe libra mjekësorë dhe artistikë.
Duke e lënë bisedën për babain e sëmurë mënjanë, ne u përfshimë në një bisedë edhe për politikën. Të etur për të ditur diçka nga goja e një njeriu që po bënte emër jo vetëm si kardiologu më i mirë i Shqipërisë, anëtari i Bordit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, si i vetmi mjek shqiptar, punimet shkencore të të cilit botoheshin në Perëndim, por dhe si personifikimi i guximit politik të ndryshimit të Shqipërisë, guxova dhe e pyeta:
Doktor, çfarë mendoni, a thua do të ketë ndryshime demokratike edhe tek ne në Shqipëri?
Ai pa as më të voglin hezitim ose vonesë në të menduar m’u përgjigj:
Patjetër që do të ketë. Nuk mund të vijohet më kështu. Edhe ne do të bëhemi si Europa dhe ndryshime do të ketë. Natyrisht që nuk do të jetë e lehtë, pasi kjo e jona është diktatura më e egër që ka përjetuar ndonjë popull në Europë dhe këta nuk e lëshojnë aq lehtë. Por do të ketë ndryshime se nuk bën.
Pas asaj bisede lehtësuese rreth masave që do të merreshin për shërimin e babait ne u larguam të lumtur për lajmin e mirë se ai do të shpëtonte, por dhe se kishim zhvilluar një bisedë me njeriun që në atë kohë kishte guxuar t’i dilte përballë Ramiz Alisë e që përflitej se ishte njeriu i “së djathtës” shqiptare që po ngrihej në atë vakuum të tmerrshëm ngecje të shoqërisë tonë.
Ime shoqe, fjalëpak dhe e qetë, më tha kur zbritëm shkallët e spitalit:
Sa mirë, babi do të bëhet mirë! Dr. Saliu e di se çfarë thotë. Por më bëri përshtypje një gjë: “Një njeri kaq i madh nuk ka as kushtet më minimale për të bërë një kafe siç ia do qejfi atij”.
Epo i thashë, njerëzit e mëdhenj nuk i venë re gjërat e vogla. Edhe Volta kishte hapur dy vrima për macet tek dera e studios së tij ku eksperimentonte, një të madhe dhe një të vogël, pasi nuk i shkonte mendja se macja e vogël mund të hynte e të dilte nëpërmjet vrimës së madhe, andaj i bëri edhe asaj një të vogël. Edhe doktori nuk ka vajtur të blejë një furnelë për kafe.
Pas dy ditësh shkuam përsëri në spital. Kësaj radhe kishim sjellë për doktorin një kamineto të bukur – të cilën e quanim në atë kohë “llambë alkooli”, e cila vendosej poshtë një sanxhaku dhe ky i fundit e mbante xhezvenë sipër duke e nxehur kafenë deri në vlim nga flaka e llambës. Bashkë me të sollëm edhe një shishe njëlitërshe me alkool në vend të “karburantit”. Pak muaj më vonë Dr. Sali Berisha mori drejtimin e lëvizjes demokratike në Shqipëri. Llamba e alkoolit mbeti si pjesë e rekuizitës së asaj zyre që sot është dhunuar, pikërisht nga ata që në atë kohë ishin kundër asaj lëvizje. Është prekur bash historia më e re e Shqipërisë sonë. Por nëse kardiologu i famshëm dhe udhëheqësi i Shqipërisë demokratike, Dr. Sali Berisha ka hyrë në historinë tonë si flakadan, dhunuesit e kësaj zyre – dëshmi do të mbeten në histori jo për punët shkencore, as veprat e shquara për Shqipërinë, por thjesht për rezistencën që i bënë asaj lëvizje, për varfërinë shpirtërore dhe materiale që i patën imponuar atëherë dhe po ia imponojnë edhe sot popullit shqiptar, anonimitetin që iu rezervon historia dhe numrin e llogarive të mbushura me paratë e vjedhura të shqiptarëve.
Dëshmia e veprës së “Dr. Berishës” nuk ishte vetëm ajo zyrë. Ajo dëshmi është demokracia shqiptare, tregu i lirë, fjala e lirë, lëvizja e lirë, liritë dhe të drejtat e njeriut. Është Shqipëria anëtare e shumë e shumë organizatave ndërkombëtare deri tek ajo e NATO-s. Është Rruga e Kombit, një Shqipëri e tëra e transformuar. Për fat të keq, njësoj si ne që luftuam për ta bërë Shqipërinë të tillë bashkë me Dr. Berishën, gëzojnë edhe ata me të cilët ne luftuam dhëmb për dhëmb. Ata ishin në anën tjetër të barrikadës së përpjekjeve për demokraci. Ishin dhe janë ata që sot e zhdukën zyrën e tij. Janë ata që e gëzojnë dhe e pështyjnë këtë Shqipëri çdo ditë. Edhe sot këtë bënë – shkatërruan objektin e radhës – atë zyrë.