8.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Jo dialogut për të mos u marrë vesh!

– Le të flasim për letrën me të cilën i jeni përgjigjur zotit Rama. Është një përgjigje pozitive ndaj dialogut?
Në fakt është letra e zotit Rama që është një përgjigje ndaj kërkesës sime për të nxjerrë vendin nga kriza politike dhe hapat që duhen ndërmarrë. Kemi humbur dy vite kohë që nga hera e parë që e kam bërë këtë kërkesë. Ka qenë qëllimi im për të bërë një politikë të re, ku kundërshtari politik mbetet, por dialogu politik ekziston pa zig-zage, pa prekur shtyllat e parlamentarizmit dhe institucioneve të pavarura në vend, që do të thotë proces i menaxhuar për qytetarët dhe i kontrolluar nga qytetarët. Nga ajo ditë kemi pasur përdorim të pushtetit politik për një revansh kundër Kushtetutës dhe shtetit ligjor, që e ka sjellë Shqipërinë në gjendjen ku jemi sot, kur çdo ditë del një lajm edhe më i zi. Kemi humbur 2 vite kohë dhe kjo ka patur një faturë jo për mua, por për qytetarët shqiptarë. Dialogu është dhe mbetet një vegël e patjetërsueshme, ndaj më mirë vonë se sa kurrë. Dialogu që kam propozuar unë nuk është fasadë, por dialog që të trajtojë problemet që hasin shqiptarët: varfërinë, krimin dhe korrupsionin, themelet e të cilëve gjenden në shkeljen e Kushtetutës, të rregullave të shtetit ligjor dhe abuzimit me pushtetin. Pikërisht sepse janë shkelur garancitë kushtetuese. Dhe këtu kemi shumë probleme për të zgjidhur, dekriminalizimin, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, pasi qeveria nuk mund t’i blejë votat ose t’i fitojë përmes kontigjentit kriminal, kemi Reformën në Drejtësi, që duhet t’i garantojë qytetarët shqiptarë se sistemi gjyqësor do të vendosë drejtësi për çështjet e tyre. Për zgjidhjen e këtyre problemeve ishte dhe kërkesa e opozitës. Kërkesa e Ramës është një përgjigje ndaj saj.

– Por, më mirë vonë se kurrë…
Problemi i vetëm i letrës së zotit Rama, që shpresoj të ketë qenë një lapsus…

– Për emrin…
Jo. Zoti Rama propozonte një dialog pa ndërkombëtarët për të mbajtur një dialog që të mos merremi vesh. Shqiptarët nuk kanë nevojë për këtë, që ne t’u themi ja ku jemi, por nuk merremi vesh. Kjo është shpërdorim i dialogut sepse delegjitimon një pjesë të avancimit të shoqërisë. Uroj që kjo të jetë një lapsus. Po të mos ishte lapsus do të ishte një tendencë e zotit Rama që nuk do t’u shërbente qytetarëve.

– Duket se ju nuk keni lapsus në letrën tuaj, ku pas Reformës në Drejtësi i referoheni çështjeve të tjera, si ndryshimet kushtetuese, çfarë doni të thoni me këtë?
Do të thotë që pushtetet e dhëna me Kushtetutë nga sovrani nuk po ushtrohen ashtu siç duhet. Pushteti ka zaptuar Gjykatën Kushtetuese dhe nuk po përfill vendimet e saj. Kemi një vullnet të mbrapshtë politik. Vendimet e Kushtetueses nuk janë diskutuar. Opozita “dy dele ka për të ruajtur”, Kushtetutën dhe shtetin ligjor dhe këtë duhet ta bëjë duke treguar vjedhjen e votave në Korçë, që u tregua nga “Top Channel”, vjedhja nga serveri i tatimeve dhe shkarkimeve të paligjshme në administratë, duke sjellë persona të inkriminuar. Për këto ne kërkuam komisione parlamentare dhe Kushtetuta shprehet qartë për këtë. Por për të mbuluar këto skandale të mëdha, Edi Rama urdhëroi mazhorancën që të votonte kundër, duke e rrëzuar. Gjykata tha se ishte një vendim antikushtetues i mazhorancës, të cilës ne i kërkuam të kthehej në binarët e Kushtetutës, por u refuzua. U desh të vinin zyrtarët europianë në Shqipëri që të arrihej marrëveshja e 24 dhjetorit. Mazhoranca e vuri veten në pozitën e një kaçaku i kapur me plaçkë në dorë dhe që duhet të vinin Uashingtoni dhe Brukseli, që të thoshin zbato Kushtetutën. Veç kësaj janë dhe mandatet e 2 deputetëve.

– Zonja Leskaj e çoi mandatin e saj në Kushtetuese…
Kjo nuk varet nga zonja Leskaj. Të gjitha krizat këtu i bashkon një parim, që Rama e sheh veten mbi Kushtetutën. Edi Rama e ka vënë veten e tij dy herë mbi parimet e Kushtetutës, që janë të shenjta. Pse është e rëndësishme për shoqërinë tonë…

– Për mua Kushtetuesja ka funksionuar gjithmonë shumë mirë. Ju e çoni çështjen, ajo merr vendimin…
Por nuk zbatohet. Është në kushtet e një krimi kushtetues. Republika është e rënë. Kushtetuta është trau i shoqërisë demokratike.

– Pa harruar që vendimet e Kushtetueses janë interpretime dhe ajo mund të lërë shtigje për interpretime. Zoti Rama e interpreton sipas tij vendimin.
Jo, asnjëherë. E ke gabim. Nuk bëhet kështu sepse në këtë mënyrë mazhoranca mund ta zvarrisë vendimin interpretim pas interpretimi për 4 vjet sa ka mandatin. Zvarritjet vijnë pasi ata nuk dinë të dalin nga bataku ku kanë futur veten e tyre. Koço Kokëdhima ka bërë 350 transferta financiare, Rakip Suli mbledh qiratë e ndërtesave, djali i Leskaj merr një të tretën e hekurudhës. Kushtetuta dhe ligji flasin qartë për këtë.

– Atëherë sot në Prokurori duhet të ishin tri veta. Të tre e kanë fituar gjyqin në Gjykatën Kushtetuese.
Nuk është e njëjta gjë. Parlamenti është i paligjshëm, sepse nuk po bën atë që i kërkon populli, por mbron deputetët e saj. Ne kërkuam zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese si më 2014 dhe tani dhe në të dyja rastet Rama ka refuzuar vendimet.

– Më 2009 mazhoranca rrëzoi kërkesën e opozitës për të hetuar procesin zgjedhor…
Më vjen shumë keq. Kushtetuta, Kodi Zgjedhor, Kolegji Zgjedhor dhe Gjykata Kushtetuese u shprehën qartë, që nuk ke të drejtë të bësh diçka që të ndalon ligji dhe vendimi i gjykatës, të pranuara këto nga vetë zoti Rama. Ligjet po shkelen ditën për diell, natën për hënë nga ata që janë betuar para shqiptarëve për të mbrojtur ligjin. Prandaj Shqipëria numëron sot 300 mijë të larguar, ekonomi në recesion dhe një pushtet që bashkëqeveris me krimin.

– Keni pak faktorin apokaliptik këtu…
Le të pyesim në sallë se kush ishte më mirë se vjet, se kush ka gjetur vende pune, se kush paguan taksa më pak apo faturat më të ulëta. T’i pyesim dhe të shohim, jam i bindur se do të thonë të vërtetën. Opozita nuk fërkon duart nga kjo situatë.

– Ta mbyllim pak çështjen e dialogut me zotin Rama. Ju thoni, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dekriminalizimin, Reformën në Drejtësi…
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është parakusht…

– Pra, nëse Suli dhe Leskaj nuk shkojnë në gjykatë nuk ka…
Është një parakusht. Ne mund të diskutojmë për të gjitha reformat, por nuk mund të diskutojmë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

– Atëherë zoti Suli dhe zonja Leskaj mbajnë peng reformën…
Jo, ky është interpretimi që ofron zoti Rama.

– Ju te një paragraf tjetër flisni për Reformën në Drejtësi, zgjedhore dhe probleme të tjera, mes të cilave reformën kushtetuese. Është Reforma në Drejtësi, që është tek kilometri i fundit dhe ju flisni për reformën kushtetuese. Kur e radhisni këtë thoni që të zhvillohen paralelisht apo që të mbarojë një herë njëra dhe pastaj tjetra?
Reforma në Drejtësi është në vetvete reformë kushtetuese. Çfarë provon aktualiteti politik, që ne jemi edhe në krizë kushtetuese, sepse Parlamenti refuzon të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe jo për hiç gjë, por për akuza korrupsioni ndaj deputetëve. Nëse palët ulen në dialog nuk mund t’u shpjegohet qytetarëve se si në të nuk diskutohet kriza kushtetuese. Nëse nesër ne biem dakord për Reformën në Drejtësi dhe kjo mazhorancë i hedh në koshin e mbeturinave dhe refuzon t’i zbatojë… Motivi ynë është të kemi një demokraci të re ku kontrollin ta kenë qytetarët, ku institucionet i zgjedhin qytetarët, që të kenë fuqi të plotë mbi ekzekutivin, legjislativin dhe gjyqësorin. Rishikimi kushtetues nuk mund të bëhet pa Reformën në Drejtësi, ato duhet të ecin paralelisht.

– Dikush mund të thotë se ju kështu po vononi reformën… Ishin në Uashington, shpallët një marrëveshje, erdhët në Tiranë, palët u ulën, 90 për qind e çështjeve u zgjidhën dhe u tha që do të takoheshit këtë të martë. Por të hënën ndodhi çfarë ndodhi dhe tani thoni, të lëmë Reformën në Drejtësi dhe të bëjmë këtë. Le të bëhet Reforma në Drejtësi dhe më pas ajo kushtetuese.
Nuk ka njeri të pranojë të ulet në tryezë me njeriun që ka vënë koburen në tavolinë…

– Ai në tavolinë, ju në brez…
Në brez e mban Armando Prenga.

– Mos më thoni që dhe ju besoni se ishte këllëf…
Unë të tregoj ujkun, ti thua ku janë gjurmët. Nuk i vë veshin fotoshopeve. Ne duam që refuzimi i zbatimit të Gjykatës Kushtetuese të mos ndodhë më. Kjo është pjesë e marrëveshjes së 24 dhjetorit, të cilën ai po e shkel. Rama nuk do ta bëjë një reformë të tillë sepse do të vazhdojë të shkelë Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ç’kuptim ka të bëhen rregulla të reja loje kur ky nuk zbaton ato ekzistuese. Ne duhet të krijojmë garanci tek qytetarët që çdo ligj që miratohet zbatohet. Prandaj zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe i ligjeve që do të miratojmë bën më të nevojshme se kurrë reformimin kushtetues.

– Para Reformës në Drejtësi, zoti Basha?
Bashkërisht. Duhet të ecin paralel.

– Hahn u duk sikur dha një shkëndijë ekstra për këtë dialog, por nga shpjegimi juaj që i bëni çështjes paralele të Reformës kushtetuese dhe asaj në Drejtësi, janë sfiduese me afatet e vendosura nga komisioneri për Zgjerim, në mënyrë që të kemi hapjen e negociatave për anëtarësim. A e rrezikon këtë që tha zoti Hahn, që përpara verës të kemi një vendim? Kjo reformë e plotë kushtetuese, a mund të vërë në rrezik afatet e asaj që është rënë dakord, Reformës në Drejtësi?
Kjo nuk do të thotë që nuk duhet të ecim edhe me Reformën në Drejtësi. Më lejoni të flas për pjesën e opozitës, kemi dy vite që i kërkojmë shumicës konsensus për këtë reformë. Reforma në Drejtësi me dokumente zyrtare ka qenë prioritet i qeverisjes së kaluar, sepse Rama refuzoi të bashkëpunonte, siç refuzoi për ligjin e punonjësit civil dhe dy ligjeve të tjera.

– Le ta nisim me ato që ka nisur opozita…
Vetingu i gjyqtarëve është nisur nga opozita. Ne e kemi dashur Reformën në Drejtësi dhe e duam dyfish sot, sepse në mungesë të një drejtësie që nuk varet nga qeveria jemi në mes të këtyre havarave. Po të funksiononte gjyqësori, Prenga dhe Ndoka do të merrnin përgjigjen e duhur, vjedhjet e korrupsioni në dogana dhe në OSHEE do të ishin më të minimizuara, për të mos thënë të zhdukura fare. Ata paralizojnë gjyqësorin vetëm me një telefonatë të Ramës. Nuk ka palë më të gatshme sesa ne që të kemi një drejtësi të pavarur, një Prokurori jashtë ndikimit politik. Të dyja janë nën thundrat e Edi Ramës. Këtë e kanë theksuar edhe Komisioni i Venecias, për të shmangur kapjen politike të drejtësisë. PD ka qenë dhe është më e interesuara për këtë Reformë në Drejtësi. U desh që unë të shkoja në Uashington, që ky të hapte dialogun politik, por menjëherë e çimentoi dhe e bllokoi. Nuk ka palë politike në botë që ndërkohë që është në tryezën e dialogut politik, pala tjetër të shkelë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Të vetmit që nuk e duan janë Edi Rama dhe Ilir Meta, ata janë para testit nëse e duan apo jo Reformën në Drejtësi. Në vetëm një ditë dialog, ne ramë dakord për shumë çështje, përfshi edhe Byronë Kombëtare të Hetimit dhe kjo sepse unë kam mentalitet demokratik.

– Dëgjuam zotin Hahn, mendoni se do të respektohen afatet e vendosura?
Unë si qytetar besoj që Edi Rama nuk e do dhe nuk e ka guximin t’ua thotë ndërkombëtarëve që nuk e do. Prandaj PD është e angazhuar fuqimisht për të çmontuar alibinë e Edi Ramës, se është opozita që nuk e do këtë reformë. Në këto 6 muaj do të kishim ecur shumë përpara, madje edhe me trajnimin e policisë dhe ekspertëve të tjerë. Po të ishte bërë vitin e kaluar, sot do të kishim hetimet e para të Byrosë.

– Afatet që pret zoti Hahn dhe Komisioni Europian, a mund të plotësohen?
Janë plotësisht të mundshme, nëse Rama nuk do të përpiqet ta pengojë. Jam këtu t’u them të gjithëve, edhe teleshikuesve, që Reforma në Drejtësi do të bëhet. Nuk do të shmanget dot nga interesat e korruptuara dhe kriminale. Reforma do të bëhet.

– Të flasim për Kushtetutën. Kam një koment nga Kosova: Kur u mor vendimi nga Kushtetuesja për marrëveshjen e detit me Greqinë, pse nuk e zbatuan vendimin e gjykatës?
Marrëveshja e detit u anulua pikërisht prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese, qytetari është i keqinformuar.

– Pse ky qëndrim kaq refraktar ndaj një projekti të qeverisë që mban përgjegjësi elektorale për Parkun te Liqeni.
Ai projekt ka lënë përshtypje vetëm në selinë e PS-së. Parku nuk ka të bëjë me Reformën në Drejtësi, por me sundimin e ligjit. Kjo qeveri, para 4 javësh ka futur në burg qytetarë që lyenin fasadën e shtëpisë, riparime gardhi apo çatie pa leje. Ndërkohë që pa leje, qeveria rrethon një pjesë të mirë të Parkut të Liqenit të Tiranës. Po të hetoni, rrethimi dhe futja e makinerive është bërë kur s’ka pasur absolutisht asnjë dokumentacion. Vetëm pasi janë nisur punimet, është pretenduar se ekzistonte një leje. Ai nuk ka as leje mjedisore, sepse Ministria e Mjedisit ka refuzuar të firmosë një leje, edhe pse nuk e di si i kanë punët mes koalicionit. Këta që arrestojnë njerëz të pafajshëm futen në mes të parkut për një tender 700 mijë euro. Çështja këtu është që në pabesi totale dhe në kundërshtim me ligjin, në falsifikim të procedurave të KKT-së dhe mungesë të lejes mjedisore, këtu preket interesi qytetar, Parku i Liqenit. Në 11 vite janë reduktuar metrat katrorë që janë dhënë për ndërtime, problem që nuk e ka ngritur vetëm opozita. Sot ka një aleancë qytetare dhe një revoltë ndaj këtij shteti, ku e para që duhet të veprojë është policia, ndaj atyre që shkojnë për të mbrojtur parkun. Një polici që merr përpara gra e fëmijë, si dhe ushtron dhunë ndaj opozitës.

– Ju vetë si kryetar bashkie çfarë keni bërë për të shpëtuar këtë park nga ndërtimet?
Kam vendosur kufirin në Këshillin Kombëtar të Rregullim Territorit, duke e cilësuar parkun si një pjesë të pacenueshme. Kam mbjellë në atë park, si kryebashkiak, me paratë e taksapaguesve dhe donacione italiane, mijëra rrënjë pemë në atë park.

– Po lejen te diga kush e dha?
Edi Rama dhe Fatos Nano, që aty duhej ndërtuar diçka tjetër. Unë nuk kam lejuar në Tiranë ndërtime mbi koeficentin 3,7. Pavarësisht interesave korruptive të tyre që duan të sheshin pjesë jashtë parkut dhe jashtë liqenit si tokë private, kjo nuk do të thotë që kam prekur ndonjë centimetër katror.

– Po rrethimi që është bërë përpara Filologjikut në pjesën e hyrjes së parkut?
Me qëllim që të mos cenohej Parku i Liqenit, Lulzim Basha ka qëndruar fort dhe nuk ka lejuar cenimin e interesit publik. Nuk ka pasur leje nga Bashkia për atë pjesë të rrethuar, aq më pak leje të firmosur nga unë si kryebashkiak. Për të mbrojtur interesin publik, Basha nuk është përkulur as përpara presionit më joparimor nga persona më me influencë, duke mos e zhvendosur atë as në drejtim të rrugës dhe as në drejtim të parkut.

– Të shohim një foto, kur Strazimiri është shfaqur me një objekt në brez. Duket mirë si qytë e një arme. Ai nuk është përfshirë në debatin e lindur, por jo më larg se dje ai e ka dorëzuar armën që e mbante pa leje. Ristani, sipas interpretimit të tij thotë që është këllëf celulari.
Ne do t’i përmbahemi ligjit për çdo rast. Në qoftë se Strazimiri ka pasur një armë me leje dhe është kërcënuar nga njerëz të dënuar për rrëmbim personi, për trafik prostitucioni dhe leja ka skaduar e ai e ka dorëzuar sapo e ka marrë vesh, kjo do të thotë që duam të respektojmë ligjin. Kjo është vetëm sa për të humbur gjurmët dhe vëmendjen. Mbulimi i kësaj ngjarjeje nga mediat është një gjë, por duhet të ishte edhe më e rëndësishme të mbulohej ngjarja e ndodhur në ambientet e Parlamentit dhe personat kanë dalë të paprekur nga drejtësia. Edhe pse njëri prej tyre ka plagosur disa qytetarë, e që rikthehet në Parlament për të votuar një ligj të rëndësishëm. Mediat, që janë në vdekje klinike për shkak të presionit qeveritar, nuk raportojnë protestën dhe çadrat e qytetarëve të shoqërisë civile.

– Kjo nuk është e vërtetë, sepse “Top Channel” ka shkuar një ditë më pas dhe ka parë çfarë po ndodh. Aty ka çadra të shoqërisë civile, ka edhe njerëz që punojnë. Ndërsa shoë juaj përfundoi vetëm me një ditë.
Jo, për ne është në qendër interesi publik dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

– Qëndrimi juaj ndaj ligjit të dekriminalizimit… Taulant Balla ju ka akuzuar se nuk po zbatoni ligjin që e votuat të gjithë bashkë me konsensus.
Çfarë nderi të akuzohesh në këtë mënyrë nga Balla, sepse ai është akuzuar disa herë dhe dënuar edhe me vendim gjykate për shpifje. Sa i përket dekriminalizimit, një tjetër nismë me sukses e opozitës, themi sërish se nuk po zbatohet tërësisht sepse gjithçka e kanë në dorë këta. Po vonojnë zbatimin e plotë të këtij ligji. Qëllimi final është që përmes një Shqipërie të çliruar nga krimi e korrupsioni, të kthejmë shpresën dhe mirëqenien ekonomike në vend. Të humbasësh kohë me broçkullat e Ballës, Veliajt dhe të tjerëve, është diçka e kotë.

– Edhe ata janë të zgjedhur…
Po, ata janë zgjedhur më 2013-n dhe 2015-n, sot jemi më 2016-n dhe irritimi popullor është shtuar ndjeshëm. Ndërkohë që ne si opozitë jemi të gatshëm të ofrojmë alternativën e duhur për qytetarët. Megjithatë, mes të tjerave kemi denoncuar edhe vilat e ndërtuesit të sarajeve të Kryeministrit, sërish në një park.

– Kemi edhe një reagim të Shteteve të Bashkuara, të bërë publik përmes ambasadës amerikane në Tiranë, për refuzimin e vizave ndaj disa gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar.
Refuzimi i vizave nga SHBA për funksionarët e lartë është një taktikë e hershme e Amerikës për vendet që janë mes korrupsionit dhe krimit. Kjo gjë është sinjal që vendi të bëjë ç’të mundet për të shpëtuar nga ky ambient dhe të luftojë për të mos lundruar më në të tilla rrethana.

– Apokalipsi erdhi, thoni ju, por prej 2 ditësh keni përgatitur programin tuaj.
Nuk them unë që është apokalipsi. Dëshira ime është që shqiptarët të shohin shpresë tek fëmijët e tyre dhe opozita në këto 2 vite e gjysmë është përballur me të keqen, madje e vetme. Dhe kjo pa dyshim ka dhënë shpresë, sepse kur dikush ngrihet për të drejtën dhe kundër së keqes, kjo çon një valë optimizmi tek njerëzit se e nesërmja mund të jetë më mirë. Por kam qenë i ndërgjegjshëm se përveç denoncimit, opozita duhet të bëjë edhe propozime, si amendamentet që i kemi çuar për buxhetin, për lehtësimin e taksave, uljen e faturës së energjisë… Por me pushtetin e saj mazhoranca i hodhi poshtë. Kush do të kishte përfituar nga kjo? Sigurisht që jo opozita, por qytetarët. Rritja e çmimit të energjisë dhe naftës rrënuan qytetarët dhe të ardhurat përfunduan në xhepat e oligarkëve dhe kontrabandistëve të naftës. Pra, ne kishim të drejtë. Nuk u mjaftuam me propozime vetëm në Kuvend, por organizuam edhe protesta qytetare. Vetëm vitin e kaluar, kur ia doli të fuste ekonominë shqiptare në krizë, mori në mënyrë mekanike propozimin tonë për zerimin e taksës së biznesit. Në këndvështrimin e tij të cekët për ekonominë, që as e njeh e as e respekton, këtej zeroi taksën për biznesin e vogël, duke u mbështetur pjesërisht tek platforma jonë dhe nga ana tjetër rriti gjobat në stratosferë dhe i merr biznesit taksën e 10 viteve. Kam provuar fillimin e një kulture të re politike, që shpresoj se në të ardhmen nuk do të mbetet tek PD, që opozita jo vetëm të denoncojë, por të propozojë. Unë kam qenë në jug e veri dhe qytetarët e dinë që PD qëndron për taksat e ulëta. Uljen e taksave me 9 për qind, uljen e TVSH-së me 15 për qind. Do ta përmirësojmë ekonominë përmes taksave të ulëta, investimeve publike dhe një politike të konsoliduar për arsimin, sepse do ta anulojmë ligjin për arsimin e lartë, do ta bëjmë që në qendër të jetë studenti dhe familja e tij dhe jo pronarët e universiteteve. Pra, shtyllat tona do të jenë nxitja për ekonominë, investimet në infrastrukturë, ujë, rrugë, energji, si dhe për kujdesin social, që kjo qeveri e ka braktisur. Programi ynë parashikon rritje të pagës minimale, mbështetje të familjeve në nevojë dhe grave kryefamiljare. Programi ka qenë gati para 3 muajsh dhe tani kemi kohë që të nisim konsultimin me qytetarët, për të kolauduar vizionin tonë e për t’u thënë: ja sa taksa do të marrim, ja sa është buxheti dhe ja sa do të shpenzojmë. Pra, kthimin e ekonomisë shqiptare në ekonomi kompetitive në Ballkan, duke hapur vende pune jo për kotheren e bukës. T’iu japim shqiptarëve një të ardhme të sigurtë.

– Meqë thatë se vendi është në krizë, në programin tuaj disa herë iu referuat shifrave zyrtare, që thonë se rritja ekonomike do të jetë 13.4 për qind. Ju sa do ta çoni këtë shifër?
Këto shifra janë një mashtrim. Më qartë flasin shifrat e FMN dhe Bankës Botërore, flasin shifrat e emigrimit, mbylljes së bizneseve, 72 mijë njësi dhe më mirë flasin qytetarët shqiptarë.

– Zoti Basha, ju thatë se një opozitë jo vetëm kritikon, por edhe propozon. Zakonisht politikanët shqiptarë premtojnë, por nuk i mbajnë premtimet. Nesër do të jetë 1 prilli dhe unë po ju tregoj SMS-në e një qytetari për tramin. Pse nuk u bë trami?
Nuk bëhet trami me lekët e bashkisë. Ai shkoi në Francë, takoi Francois Hollande, takoi autoritetet që i dhanë kredinë për tramin, por tha jo sepse ishte projekti i Lulzim Bashës. Mashtrimet janë e sotmja, por nuk do të jenë e nesërmja. Trami do të bëhet, natyrisht duke marrë parasysh qëndrimet e qytetarëve. Unë nuk i harroj premtimet e mia dhe do t’i mbaj siç kam mbajtur premtimet e mëparshme si Rrugën e Kombit, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave. Unë atë që them e bëj dhe atë që bëj e them. Kjo është forca dhe kultura ime, që shpresoj se do të infektojë edhe kundërshtarin politik, të rinjtë e vërtetë socialistë. Lulzim Basha do të jetë në ballë të projektit për Shqipërinë europiane.

Marrë me shkurtime nga Top Story

Bylykbashi: Rama e ka hallin tek fasada dhe jo tek “mosdakordësia”

Letra e Kryeministrit Edi Rama për Kreun e PD, Lulzim Basha për dialog politik, përveç të qeshurave duket se nuk ka dhënë asnjë rezultat tjetër. Këtë e ka deklaruar vetë deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, i cili në një postim në fb shprehet: “Si rregull, në fund të një raundi të pasuksesshëm negociate, thuhet: ramë dakord që të mos biem dakord. Kjo është shprehje e shpikur për të krijuar pozitivitet edhe kur nuk bihet dakord me shpresë për të vazhduar në raundin tjetër, ndërsa ne shqiptarët i themi: të mbajmë veten me gajret.Por letra e Ramës për liderin e opozitës ishte për të qeshur me lot por edhe për të shkulur flokët”. Sipas Bylykbashit, Rama me letrën drejtuar Bashës shkroi një kapitull të ri. Dhe manuali i ri i negociimit sipas Bylykbashit është “si të negociojmë që të mos biem dakord?” Bylykbashi: “Rama fton Bashën që “mosdakordësive” t’u jepet një “përmasë e munguar civilizimi” nëpërmjet një tryezë dialogu dhe kështu t’u mbushet mendja ndërkombetarëve se jemi të civilizuar! Pra, që në ftesë Rama e ka të mbledhur mendjen për mosdakordësinë, por hallin e ka te fasada”.

Hahn: Reforma në Drejtësi sipas rekomandimeve të Venecias

Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn kërkoi dje që Reforma në Drejtësi të realizohet në përputhje të plotë me rekomandimet e Komisionit të Venecias.  I pyetur nga mediat, për reformën në drejtësi Komisioneri Hahn e konsideroi problem kyç, që duhet të zgjidhet para  pushimeve të verës. “Bëmë një inventar të realizimit të 5 prioriteteve dhe drejtësia është në zemër të përparësive. Është element kyç dhe na duhet një vendim përpara pushimit të verës. Të respektohen mendimet e Komisionit të Venecias, të respektohet marrëveshja në parim që është arritur dhe të miratohet reforma në drejtësi. Miratimi është hapi i parë, ndërsa i dyti është zbatimi i saj. Duhet zbatimi i mirë që të mund të shohim në tetor rezultatet, që shpresojmë të jenë në drejtimin e duhur. Nëse është kështu, jam optimist” u shpreh komisioneri Hahn. Ai i kërkoi qeverisë shqiptare forcimin e masave në luftën antikorrupsion, realizimin me urgjencë të Reformës në Drejtësi dhe të kritereve të tjera kyçe të vendosura si kushte nga Bashkimi Europian. “Të vazhdohet përpara me rekomandimet që kemi dhënë që të arrihet gjithçka kemi kërkuar. Institucionet evropiane po bashkëpunojnë ngushtë me ato shqiptare sidomos në disa fusha kyçe. Ne jemi mjaft të interesuar edhe për Komisionin e Venecias, të vazhdojë puna, të ecë përpara. E rëndësishme të luftohet korrupsioni, të arrihet transparenca. Duhet një sistem gjyqësor transparent. E rëndësishme edhe ekonomia. Të përmirësohen investimet. Zbatimi i këtyre reformave është mjaft i rëndësishëm. Theksohet zbatimi i 5 prioriteteve që janë shumë të lidhura me njëra-tjetrën. Shoh një vendosmëri nga ana e Shqipërisë për të ecur para. Çelja e negociatave, pjesë e procesit, por e rëndësishme se çfarë do të bëhet pas hapjes së negociatave”, deklaroi Hahn

Investimet e huaja ranë 25% në tremujorin e fundit të 2015

Pas një rritjeje në dy tremujorët e parë të vitit 2015, investimet e huaja kanë shënuar rënie në gjysmën e dytë të vitit, duke reflektuar reduktimin e investimeve nga kompanitë e mëdha të naftës. Sipas të dhënave nga Bilanci i Pagesave të Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja në tremujorin e fundit ranë me 25% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke zbritur në shifrën e 169 milionë euro, niveli më i ulët që nga tremujori i dytë i vitit 2014.
Edhe në tremujorin e tretë investimet kishin rënë me 3.3%. Për gjithë vitin 2015, investimet e huaja arritën në 871 milionë euro duke u rritur me vetëm 7.1% në raport me 2014-n dhe duke qenë 5.7% më të ulëta në raport me 2013-n.
Ecuria e investimeve në vitin 2015 reflekton paqëndrueshmërinë e tyre dhe varësinë e lartë nga industria e naftës. Në gjashtëmujorin e parë, ato u rritën ndjeshëm me 30%, si rrjedhojë e investimeve në hapjen e puseve të naftës, por edhe rritjen e kapitalit të bankave. Në tremujorin e tretë stafeta i kaloi energjisë, me projektet e hidrocentraleve.
Tremujori i katërt ishte më negativi, teksa Bankers Petroleum, investitori më i madh në vend, pothuajse pezulloi prodhimin për shkak të konfikteve me qeverinë shqiptare dhe rënies së ndjeshme të çmimeve të naftës.
Sipas Bankës së Shqipërisë, “Prurjet në formën e investimeve direkte gjatë kësaj periudhe kanë ardhur kryesisht nga sektori i hidrokarbureve me rreth 44%, ai i energjetikës me rreth 10%, të ndjekur nga sektori i bankar dhe ai i telekomunikacionit, që kanë tërhequr përkatësisht 10% dhe 7% të flukseve hyrëse të investimeve të huaja direkte”.
Sipas burimeve nga Bankers, në 2015-n investimet e kompanisë ishin rreth 130 milionë euro, ndërsa këtë vit ato pritet të përgjysmohen, teksa nuk parashikohen hapje pusesh të reja.
Me hyrjet e kompanive të reja që po mungojnë dhe pritshmëritë negative të kompanive të naftës, shpresa e vetme për investimet e huaja për këtë vit mbetet te energjia.

Parlamenti ka hipur në “lokomotivën e Leskajt”

Ish Kryeministri Berisha deklaroi dje se mazhoranca ka asgjëruar Kushtetutën e vendit ashtu si edhe shtetin ligjor. Në një prononcim për mediat, Berisha theksoi se sot në Parlament vendosin interesat e krimit dhe kusarëve në pushtet.
“Në këtë Parlament, çdo gjë e vendosin interesat e krimit, dëshira e kusarëve të shtetit dhe krimit në pushtet. Edi Rama, si kreu i meduzës dhe në ndihmë të sivllaut Kokëdhima, krijon këtë situatë absurde të turpshme në Parlament, ku de fakto ai ka asgjësuar ligjin e konfliktit të interesit.
U desh që të vijë këtu komisioneri Hahn, që Edvin Kristaq Rama të bëjë zbulimin e madh se Shqipëria paska opozitë dhe se kryetari i opozitës u dashka ftuar në dialog paçka se kryetari i opozitës e ka ftuar më parë të paktën 36 herë për takim e debat
Siç e konstatoni, Parlamenti ka hipur në lokomotivën Leskaj. Në këtë Parlament, çdo gjë e vendosin interesat e krimit, dëshira e kusarëve të shtetit dhe krimit në pushtet. Edi Rama, si kreu i meduzës dhe në ndihmë të sivllaut Kokëdhima, krijon këtë situatë absurde të turpshme në Parlament, ku de fakto ai ka asgjësuar ligjin e konfliktit të interesit” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se nëse shteti ligjor funksionon mbi bazën e vullnetit të shkelësve të ligjit, ai pastaj nuk është më shtet ligjor, por përkundrazi, ai është zëvendësimi i shtetit ligjor me vullnetin dhe dëshirat e krimit dhe kusarëve. “Dënimi, në njëfarë mënyre, ka ekzistuar dhe në kodet e procedurës dhe kështu që nuk duhet ta marrim kështu. Kjo është katandisja më e mjerë, diskreditimi më i madh i shtetit ligjor dhe Kushtetutës. Unë ju them se kjo mazhorancë, me përqendrimin kaq të lartë të krimit të organizuar, me praninë kaq të gjerë të kusarëve të shtetit ka asgjësuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në një seri ligjesh” vijoi ish kryeministri.

– Sot zonja Leskaj i është drejtuar Kuvendit me kërkesën për të dërguar mandatin e saj në Gjykatën Kushtetuese…
Kjo është njëlloj si një vrasës të shkojë e t’i thotë shtetit “më dëno se vrava”. Këtu s’kemi të bëjmë me vrasje, por me kusari shtetërore dhe një kusar shtetëror shkon e i thotë shtetit tani, meqë opozita po proteston kaq shumë dhe u bë çështje europiane dhe botërore, po shkoj, ndërkohë që deri tani thoshte se nuk do të shkonte.
Nëse shteti ligjor funksionon mbi bazën e vullnetit të shkelësve të ligjit, ai pastaj nuk është më shtet ligjor, por përkundrazi, ai është zëvendësimi i shtetit ligjor me vullnetin dhe dëshirat e krimit dhe kusarëve. A mundet një vend të pranojë një zhvillim të tillë? Që kur t’ju teket vrasësve të shkojnë të dënohen, ndërsa kur mos t’ju teket të rrinë të lirë pastaj. Kushtetuta, qoftë penale e qoftë civile, janë jo Kodet Penal apo Civil, janë Kodet e Procedurës Penale dhe Civile. Janë Kodet e Procedurës ato, të cilat garantojnë mirëfunksionimin e shtetit ligjior. Dënimi, në njëfarë mënyre, ka ekzistuar dhe në kodet e procedurës dhe kështu që nuk duhet ta marrim kështu. Kjo është katandisja më e mjerë, diskreditimi më i madh i shtetit ligjor dhe Kushtetutës. Unë ju them se kjo mazhorancë, me përqendrimin kaq të lartë të krimit të organizuar, me praninë kaq të gjerë të kusarëve të shtetit ka asgjësuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut në një seri ligjesh.
Pra, u desh që të vijë këtu komisioneri Hahn, që Edvin Kristaq Rama të bëjë zbulimin e madh se Shqipëria paska opozitë dhe se kryetari i opozitës u dashka ftuar në dialog paçka se kryetari i opozitës e ka ftuar më parë të paktën 36 herë për takim e debat dhe dialog kreun e mafias shtetërore dhe krimit të organizuar Edvin Kristaq Ramën. Duhej pra, t’i thoshte komisioneri Hahn që pa dialog me opozitën nuk ka përparim në asnjë mënyrë drejt integrimit, sepse proceset integruese e kanë jetike dialogun, që ky pastaj të dilte dhe të gajaste shqiptarët me ftesën e tij për liderin e PD.

– Keni një ftesë përpara, ju do ta pranoni?
Unë mendoj se vendimin për këtë e merr zoti Basha. Ftesa e tij vjen pas 37 ftesave, çka tregon atë që thashë. Mendoj se dialogu është i domosdoshëm, mendoj se pa dialog Shqipëria nuk ka ecur dhe nuk ecën në proceset integruese europiane. Për këtë duhet dialogu, sepse Europa e ka një kusht, jo vetëm për këtë, por për të gjitha problemet madhore të vendit duhet dialogu. Se si do të zhvillohet, se kush do e ndërmjetësojë, se kush do ta thërrasë këto pastaj janë çështje që do të vendosen. Të mos bëjmë këtu luftë gjelash.
Problemi është këtu: ne këtu të gjithë, edhe ju, dhe çdo qytetar shqiptar nuk është i interesuar për dialogun si të tillë, por është i interesuar për dialogun e frytshëm dhe rëndësi ka që të kemi dialog të frytshëm, atëherë ky qëndim i zotit Basha dhe ky qëndrim i zotit Rama që shprehu në prani të komisionerit Hahn le të shqyrtohen, por natyrisht duhet të jetë një gjë e përgatitur dhe jo një gjë për show mediatik që nuk shërben. Pra, edhe mund të ketë facilitatorë, pra lehtësues, mundet dhe më shumë se lehtësues po e rëndësishme për vendin është që të vendoset dialogu.
Se nga do të shkojë kjo mazhorancë, a do të shkojë pas Kushtetutës apo në lokomotivën e Vali Leskajt, për këtë shkoni pyesni ata sepse unë nuk e di. Ajo që mund t’u them unë ju është se ky zotëri është i sëmurë pa shpresë. Me atë që ka bërë mbrëmë në “Tonight” me gazetaren Ilva Tare ai ka folur jo si një shtetar, jo si një intelektual, jo si një qytetar, por ka folur në mënyrë absolute dhe e dënoj me indinjatën më të thellë, si një halabak i vërtetë sepse të mendosh se mund të turpërosh një zonjë, një gazetare me faktin se ajo është nënë dhe rrit një vajzë atëherë duhet të kesh psikologjinë e një halabaku të rëndomtë dhe kurrë të një njeriu. Dhe unë i bëj thirrje sidomos vajzave dhe grave të mediave shqiptare që të mbani një qëndrim sepse kjo është një fyerje për çdo grua, për çdo vajzë, për çdo burrë apo djalë të këtij vendi. Duhet të jesh i sëmurë i pashpresë të mendosh se mund të fyesh një zonjë sepse rrit një vajzë të vogël, që ajo në fakt është krenaria më e madhe e saj.

Pa zbatim të kushtetueses, vendi zhytet në anormalitet

Kryetari i PD, Lulzim Basha kërkoi dje nga Rama zbatimin e menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatet e dy deputetëve socialistë të cilët kanë përfituar fonde publike në mënyrë të jashtëligjshme.
“Themeli është Kushtetuta. Në këtë aspekt jemi të hapur për t’u angazhuar që të gjejmë instrumentet e duhura për të shmangur në të ardhmen përsëritjen e këtij krimi kushtetues dhe parandalimin e krizave kushtetuese. Mbështes çdo hap që do të ndihmojë në parandalimin e kësaj gjendjeje në të ardhmen dhe ndërtimin e instrumenteve të duhur kushtetues që mos të kemi më asnjë qeveri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe në këtë mënyrë dhunon të drejtat e qytetarëve, dhunon garancitë që qytetarët kanë përmes ligjit, dhunon pronën e qytetarëve, dhunon punën e qytetarëve, dhunon shëndetin e qytetarëve, dhunon liritë e qytetarëve”tha Basha.
Kreu i PD doli dje në deklaratë për mediat, i shoqëruar nga protestuesit që pak ditë më parë ishin arrestuar në mënyrë të dhunshme nga policia në protestën e së hënës kundër betonizimit të liqenit.
“Këta janë djemtë heronj që përfaqësojnë vullnetin e çdo qytetari të Tiranës për një qytet ku hapësira urbane, fizike dhe jo fizike e parkut, këndet e lojërave për fëmijë, kopshtet, çerdhet, aktiviteti kulturor të mos jenë pre e një qeverisje arbitrare, arrogante dhe të paligjshme apo e lakmisë së oligarkëve, por të jenë subjekt i vendimmarrjes së qytetarëve.
Këta janë heronjtë, të cilët i dhanë fytyrë, emër, zë dhe shpresë aspiratës të të gjithë banorëve të Tiranës po edhe gjithë qytetarëve shqiptarë për një qeverisje llogaridhënëse dhe jo të pabesë, që respekton dhe nuk dhunon pasurinë e përbashkët dhe ata që ngrihen në mbrojtje të pasurisë së përbashkët.
Këta janë ligji, këta janë Kushtetuta në betejë me antiligjin, i cili vazhdon të derdhë betonin e korrupsionit dhe të babëzisë në zemër të Parkut të Liqenit. Këta janë prova se edhe kur qeveria degjeneron në një oligarki të lidhur me krimin, se edhe kur policia apo Prokuroria nuk e bëjnë punën e tyre shqiptarët e kanë forcën për të mbetur europianë dhe për të kërkuar demokraci të standardit europian, shtet ligjor të standardit europian e për ta fituar atë, sepse kjo është e vetmja e ardhme për vendin tonë.
Kjo është e ardhmja e vendit tonë dhe jo banditët e veshur me uniformë që i dhunuan dhe të cilët do të përgjigjen herët a vonë para ligjit, për këtë i garantoj. I drejtohem çdokujt nga forcat e rendit të heqin dorë nga zbatimi i urdhrave të paligjshëm sepse asnjë alibi nuk do të kenë, do të përgjigjen me emër e mbiemër”, u shpreh kreu i PD.
Berisha konfirmoi se protesta do të vazhdojë, qëndresa do të vazhdojë ashtu si edhe përballja qytetare. “Mbrojtja e ligjit dhe e Kushtetutës do të vazhdojë. Mbrojtja e mushkërive të qytetit, mbrojtja e qytetit do të vazhdojë dhe për këtë ne jemi më të vendosur se kurrë. I bëjmë thirrje çdo qytetari, çdo qytetareje, çdo të riu, çdo të reje të na bashkohet sepse kjo është beteja për të nesërmen. Ata që kemi përballë nuk janë e sotmja, janë e djeshmja e Shqipërisë. E djeshmja satrape orientale përballë të nesërmes europiane, individëve të lirë, qytetarëve të lirë, të cilët pavarësisht prej bindjeve politike duan një qytet të pakafshuar nga korrupsioni dhe janë gati të luftojnë për këtë” tha Basha.
Kreu i PD tha se kjo Republikë është në krizë kushtetuese. “Koha ka ardhur të rishqyrtojmë edhe një herë themelet e kësaj Republike në mënyrë që të shmangim përsëritjen e këtyre krizave në të ardhmen.
Sigurisht që kjo kërkon vullnet politik, por të mos harrojmë që ishte vullneti politik i mbrapshtë që na solli këtu. Kërkon vullnet politik, kërkon dialog për të cilin Partia Demokratike dhe unë kemi qenë jo thjesht të hapur, por kemi qenë ftues për këto dy vite dhe kemi marrë nënqeshjen, fyerjen dhe gjuhën vulgare edhe të letërdërguesit të sotëm.
Por unë jam njeri me një masë durimi dhe largpamësie të thellësisë shqiptare dhe cilësisë europiane, kështu që në këtë pikëpamje nuk ia mbyll kurrë derën dialogut dhe i jap gjithmonë një shans konsensusit. Sigurisht nuk mund të jetë siç ishte para dy vitesh ku u firmos, u ra dakord, nuk zbatohet dhe sot përqeshet”, u shpreh kreu i PD.

Parlamenti është në pozita antikushtetuese

– Zoti Basha, jeni gati të uleni në tryezën e dialogut politik për Reformën në Drejtësi ashtu siç ju pyet në fund të letrës së tij, z. Rama drejtuar ju sot?
Së pari, dua t’ju them që duhet ta lexoj këtë letër sepse zakoni i keq i letrave publike para se t’i shkojnë atij që i adresohen vazhdon në Shqipëri. Sigurisht kur ka letër publike edhe përgjigjja do të jetë publike, por do të më lejoni në radhë të parë ta lexoj letrën.

– Kishte një thirrje dje?
Ne këtu jemi 50 metra larg ndërtesës së Parlamentit, ku Parlamenti ka kryer një krim kushtetues. Parlamenti sot vazhdon të jetë siç ka qenë gjatë këtyre javëve në shkelje të rendit kushtetues të Shqipërisë.
Një hajdut që vjedh një bukë merret dhe rraset brenda, një qytetar që lyen pa leje merret dhe rraset brenda. Parlamenti shkel Kushtetutën e dalin e krekosen, e zgërdhihen para kamerave. Parlamenti është në këto momente një kriminel kushtetues me urdhër të Edi Ramës. Pra, ne jemi në një udhëkryq kushtetues dhe në këtë udhëkryq kushtetues një orë e më parë duhet të përfundojë kjo gjendje.
Ka dy rrugë ose Parlamenti të rikthehet në pozitat që i ka caktuar sovrani me Kushtetutë dhe i ka thënë nuk je ti mbi Gjykatën Kushtetuese është Gjykata Kushtetuese mbi ty; Parlamenti është vendosur në pozita antikushtetuese për të mbrojtur 2 raste flagrante korrupsioni. Duhet të marrë fund kjo situatë ose përndryshe beteja jonë do të vazhdojë dhe do të shtrihet dhe dimensionohet edhe me aspektin publik.

– Sot është hedhur një hap nga zonja Leskaj…
Nuk ka asnjë mundësi zonja Leskaj të hedhë hapa. Hapin duhet ta hedhë Parlamenti, i cili është i detyruar dhe çdo minutë më shumë që vazhdon të mbajë diçka që nuk i takon me Kushtetutë e damkos veten si një hajdut të ndërgjegjshëm të së drejtës kushtetuese, të Gjykatës Kushtetuese, të së drejtës që sovranët i kanë dhënë Gjykatës Kushtetuese. Dhe sovranët janë qytetarët dhe nuk është as Leskaj, as Suli, as Kokëdhima.

– Por një tërheqje duhet ta shikoni besoj tek ky hap. Një tërheqje të mazhorancës…
Nuk ka dyshim sepse nuk ka mundësi mazhoranca të mos plotësojë detyrimin e vet kushtetues e të vazhdojë vendi si normalisht. Dy gjëra ka këtu. O do të plotësojë detyrimet kushtetuese ose vendi zhytet në anormalitet edhe më të thellë.
Sot jemi në krizë kushtetuese dhe kjo krizë kushtetuese është e përsëritur. Sepse para dy vitesh ne gjendeshim në të njëjtën krizë kushtetuese kur këta refuzonin të zbatonin vendimet për komisionet hetimore.
Fakti që ndodhemi në një krizë kushtetuese të përsëritur do të thotë që nuk mjafton vetëm dhënia fund e kësaj situate, por duhet që vendit t’i hapet perspektiva e një instrumenti që krizat kushtetuese të mos përsëriten më.
Duket qartë dhe besoj se nuk është vetëm mendimi im dhe as vetëm mendimi i demokratëve që institucionet e Republikës shqiptare po dështojnë herë pas here në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese. Dhe kur dështon Parlamenti, themeli i Republikës tonë, imagjinoni se çfarë efekti ka kjo në institucionet e tjera të vendit.
Ndaj në këtë kuptim, sigurisht që letrën do ta lexoj dhe do i përgjigjem me shkrim. Por gjëja e parë që duhet të ndodhë është ndalimi i kësaj situate paligjshmërie, antikushtetutshmërie dhe së dyti, padyshim mbështes çdo hap që do të ndihmojë në parandalimin e kësaj gjendje në të ardhmen dhe ndërtimin e instrumenteve të duhur kushtetues që mos të kemi më asnjë qeveri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe në këtë mënyrë dhunon të drejtat e qytetarëve, dhunon garancitë që qytetarët kanë përmes ligjit, dhunon pronën e qytetarëve, dhunon punën e qytetarëve, dhunon shëndetin e qytetarëve, dhunon liritë e qytetarëve.
Themeli është Kushtetuta. Padyshim në këtë aspekt jemi të hapur për t’u angazhuar që të gjejmë instrumentet e duhura për të shmangur në të ardhmen përsëritjen e këtij fenomeni të shëmtuar, të këtij krimi kushtetues dhe parandalimin e krizave kushtetuese.
Kjo Republikë është në krizë kushtetuese dhe gjatë kësaj mazhorance dy herë tashmë. Koha ka ardhur të rishqyrtojmë edhe një herë themelet e kësaj Republike në mënyrë që të shmangim përsëritjen e këtyre krizave në të ardhmen.
Sigurisht që kjo kërkon vullnet politik, por të mos harrojmë që ishte vullneti politik i mbrapshtë që na solli këtu. Kërkon vullnet politik, kërkon dialog për të cilin Partia Demokratike dhe unë kemi qenë jo thjesht të hapur, por kemi qenë ftues për këto dy vite dhe kemi marrë nënqeshjen, fyerjen dhe gjuhën vulgare edhe të letërdërguesit të sotëm.
Por unë jam njeri me një masë durimi dhe largpamësie të thellësisë shqiptare dhe cilësisë europiane, kështu që në këtë pikëpamje nuk ia mbyll kurrë derën dialogut dhe i jap gjithmonë një shans konsensusit. Sigurisht nuk mund të jetë siç ishte para dy vitesh ku u firmos, u ra dakord, nuk zbatohet dhe sot përqeshet.

– Pra, do t’i propozoni një format z. Rama? Keni kushte për të vënë për tryezën e dialogut?
Për kaq sa më thatë, këto po u them. Kini durim të lexoj letrën e t’i kthej përgjigje.

 

Tre kushtet e opozitës që janë të panegociueshme

Edi PALOKA

Përpara se të fillojë seanca si kryetar i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, dua të bëj të qartë dhe një herë pozicionin e opozitës dhe të paraqes, jo vetëm para Parlamentit, por para të gjithë shqiptarëve, arsyet se pse ky Parlamentet vazhdon të mos funksionojë normalisht.
Ne, por dhe shqiptarët, tashmë jemi mësuar me dy pamjet e Kryeministrit Rama, atë të lëpirësit me të huajt dhe të arrogantit me opozitën dhe qytetarët e thjeshtë. Ky është tipari kryesor i Ramës, siç është dhe paturpësia, përpara mashtrimit apo cinizmi sy më sy. Dje kërkoi të mashtrojë dhe komisionerin Hahn, duke i thënë se vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta dërgojë për interpretim tek Gjykata Kushtetuese.
Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që vjen me kërkesë të opozitës për shqyrtimin e çështjes të konfliktit të interesit të dy deputetëve të mazhorancës.
Komisioneri Hahn dje në fakt foli qartë dhe prerë për çështjet e që sot janë në rend të ditës dhe në interes të shqiptarëve. “Zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese, zbatoni ligjin e dekriminalizimit, krijoni kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kryeni reformën zgjedhore, dialog politik dhe konsensus për Reformën në Drejtësi”.
Këto ishin katër pikat kryesore që komisioneri Hahn i theksoi dhe i ritheksoi dhe me gjithë përpjekjet që Rama dhe oligarkia që ka vënë mediat nën thundër u përpoqën t’i shtrembërojnë këto fjalë, këto kërkesa të qarta të komisionerit Hahn, prapë shqiptarët i dëgjuan qartë dhe një herë po e theksoj, i dëgjuan qartë se “mazhoranca që drejton këtë vend, të zbatojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të krijojë mundësitë për dialog politik dhe konsensus për Reformën në Drejtësi”.
Po çfarë bën ndërkohë kjo mazhorancë, e cila për të disatën herë e ka çuar vendin në krizë kushtetuese, sepse ne sot realisht jemi në një krizë kushtetuese dhe jo për herë të parë.
A ka cinizëm më të madh? Prapë të akuzosh opozitën për krizën që shkakton mazhoranca dhe në media që ka vënë nën thundër, Rama përhap fjalën se qenka opozita që vendos kushte, mandatet e dy deputetëve, një mashtrim kokë e këmbë.
Ne nuk kemi vënë asnjë kusht, nuk vemë kushte e aq më tepër mandatet e deputetëve. Ishte Rama ai që dikur vinte kushte të tilla, dua Qarkun e Fierit që t’ju jap këtë. Kushte nuk i vëmë ne, kushtet i vë Kushtetuta. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, ato janë kushte për ne dhe për këdo tjetër, por sidomos për mazhorancën.
Nuk jemi ne që kërkojmë mandatet, ne kërkojmë zbatimin e ligjit dhe të Kushtetutës. Ata që ruajnë mandatet, që mbrojnë mandatet janë këta, është Edi Rama. Atyre u interesojnë mandatet, ata janë të shqetësuar për mandatet, ne jemi të shqetësuar për Kushtetutën, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Dhe ka hipokrizi dhe cinizëm më të madh se këto kushte, e theksoj në kushtet e një krize kushtetuese, të flasësh për Reformën në Drejtësi, ndërkohë që Rama i urdhëron deputetët e tij të shkelin vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me kartonat të bllokojnë e të mos lejojë drejtësinë të veprojë ndaj deputetëve të tij që kanë shkelur ligjin.
Ky që u përpoq që të mashtrojë dhe komisionerin Hahn duke i thënë se do të dërgojë për interpretim vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është ky që është.
Si mund t’i kërkosh Gjykatës Kushtetuese interpretimin e interpretimit të Kushtetutës, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është pikërisht interpretim i Kushtetutës për çështjen e ngritur nga opozita për çështjen e konfliktit të interesit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tashmë është i qartë për këdo, megjithatë unë e kam prapë këtu për ta lexuar për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Është vetë Gjykata Kushtetuese që pyet: “Nëse vërtetohet që deputeti ka përfituar fonde publike, a mundet shumica parlamentare të ndalojë me vendim dërgimin e çështjes përpara Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet analizimit të deformuar të fakteve dhe provave? Cili është roli i Kuvendit dhe i Gjykatës Kushtetuese në këtë proces? Në vendim është kjo pyetje që e ngre vetë Gjykata Kushtetuese, e cila jep dhe përgjigjen, në pikën 30 të këtij vendimi: “Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare, gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Kuvendi në këto raste nuk mund t’i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese.

Neni 70 i Kushtetutës, gjykata konstatoi papajtueshmërinë e mandatit

Pika 31, nëse do të pranohej një pushtet i tillë i pakufizuar i Kuvendit, atëherë parashikimi kushtetues do të zhvishej nga qëllimi i tij. Çka do të përbënte një abuzim me pushtetin e shumicës dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve.
Pika 32, për sa më sipër gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 8, të nenit 70 të Kushtetutës ku kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, edhe pyetja e gjykatës bëhet për deputetin dhe vendimi merret për deputetët, jo për deputetin Kokëdhima siç përpiqen ta paraqesin, por për deputetët. Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, i cili është organi i vetëm që ka në kompetencë të gjykojë në themel çështjen.
Mendimi i Gjykatës Kushtetuese është mëse e qartë për ata që duan ta lexojnë dhe të kërkosh interpretim për interpretimin është vetëm një tentativë e dështuar për të fshehur qëllimin e vërtetë të të gjithë kësaj që ndodhi. Ai zotëria kërkon të mbrojë jo vetëm të mandatuarit e tij këtu, por të gjithë oligarkinë që sot po e pasuron përditë në kurriz të shqiptarëve.
Ne jemi ulur edhe herë tjetër për të realizuar marrëveshje me këtë mazhorancë sepse në mënyrë analogjike, në mënyrën më absurde jemi detyruar t’u kërkojmë ndërkombëtarëve që t’i nxjerrin nga kriza kushtetuese. Këta e kishin futur Shqipërinë edhe më 2014-ën. U ulëm atëherë dhe realizuam një marrëveshje që mazhoranca të zbatojë ligjin, marrëveshje që mazhoranca të mos shkelë Kushtetutën, marrëveshje që mazhoranca t’i japë të drejtën kushtetuese opozitës, marrëveshje që të bëhet një ligj që të mos lejojë që të inkriminohet Parlamenti dhe e gjithë administrata shtetërore siç bëri Edi Rama.
Jemi detyruar edhe herë tjetër të ulemi që të kërkojmë zbatimin e ligjit me marrëveshje dhe sado absurde që të duket, kështu është e vërteta. Por çfarë ndodh? Edhe këtë marrëveshje përsëri Edi Rama e shkel dhe na vë prapë kushte të një krize kushtetuese, duke mos lejuar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vesh Parlamentin, i lejon Parlamentit, por kartonat e mazhorancës që nuk përbëjnë Parlamentin, vesh kartonat e mazhorancës mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe është pak të thuhet se e çon vendin drejt një krize kushtetuese.
Për të gjitha këto arsye që ju thashë më lart, por dhe shumë të tjera, në shkelje të hapur të ligjit për të cilët jemi dëshmitarë përditë. Shkelin ligjin që vetë u detyruan ta miratojnë, atë të dekriminalizimit dhe që menjëherë pas miratimit u përpoq ta hedhë poshtë me aktet e tij publike, duke dalë hapur në krahë të kriminelëve, duke dalë hapur në krahë të të inkriminuarve.
Për këto arsye dhe duke pritur për aktet që kemi sjellë në Parlament, 2 amandamentet tona janë në përputhje me marrëveshjen e 2014-ës, janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, janë në përputhje me ato që ne kërkojmë se jemi marrë vesh të paktën formalisht t’i realizojmë, dekriminalizimin, dhënien e së drejtës opozitës që nëpërmjet komisioneve hetimore të kryejë funksionet e saj si opozitë. Kemi paraqitur edhe 2 amandamentet tona, të cilat janë shtyrë dhe janë shtyrë dhe megjithëse kemi më tepër se një muaj që i kemi paraqitur ende nuk kanë kaluar nëpër komisione. Për këto arsye grupi ynë parlamentar, opozita shqiptare, nuk mundet të qëndrojë në këtë Parlament si në një Parlament normal ndaj ne do të vazhdojmë të protestojmë, do të vazhdojmë të rrimë në këmbë në këtë seancë derisa këtij Parlamenti, kjo mazhorancë, t’i kthejë legjitimitetin, derisa t’i kthejë legjitimitetin edhe vetë Kushtetutës përndryshe ne do të vazhdojmë të jemi nga kriza në krizë, dhe fundi i krizave dihet. Shqiptarët, qytetarët e këtij vendi që vazhdojnë të varfërohen çdo ditë si pasojë e sjelljes arrogante të kësaj mazhorance, e dhunës jo vetëm policore, siç pamë para pak ditësh, por dhunës së gjithanshme ndaj qytetarëve, nuk mund të vazhdojë të presë pafundësisht.
Edhe sot do të jemi në këmbë për të kundërshtuar, që ky Parlament të vazhdojë punën normalisht.

Salah Abdeslam do të ekstradohet në Francë

Gjykata belge vendosi se Salah Abdeslam duhet të ekstradohet në Francë. Më herët avokati i terroristit të Parisit kishte deklaruar se klienti i tij nuk do ta pengonte ekstradimin në Francë.

Salah Abdeslam u arrestua dy javë më parë në Bruksel, në një operacion të forcave speciale belge.

26 – vjeçari ishte fshehur prej 4 muajsh në kryeqytetin belg. Arrestimi i tij u bë 4 ditë para masakrës së Brukselit, që shkaktoi 32 të vdekur dhe qindra të plagosur.