18.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Gusht, 2025

Tahiri, tender 137 milionë për kontrollin e mjeteve nga policia

Ministria e Brendshme ka hapur një tender për “blerjen dhe montimin e sistemit të kontrollit me GPS të mjeteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë”. Mësohet se fondi është 137 milionë lekë pa TVSH. Bold News ka siguruar dokumentet e këtij tenderi. Sipas Policisë së Shtetit, procesi po bëhet për përmirësimin e punës dhe rritjen e shpejtësisë së veprimit ndaj ngjarjeve kriminale. Sipas saj, policia po ndërton një infrastrukturë të gjerë në monitorime dhe raportime online nëpërmjet sistemeve informatike. Një prej këtyre është dhe sistemi i monitorimit GPS. Por hidhen dyshime se tenderi është paracaktuar se kujt do t’i jepet dhe dyshohet se pajisjet do të blihet më lirë nga sa është parashikuar në tender.
“Sistemi është mjaft fleksibël dhe ju krijon mundësinë për të zgjedhur pajisjet e preferuara për monitorim dhe është kompatibël me pjesën më të madhe të pajisjeve sot në treg. Në këtë mënyrë kemi avantazhin të ketë një gamë të gjerë pajisjesh të instaluara nga prodhues të ndryshëm, sipas kërkesave specifike dhe kostos për pajisje. Sistemi duhet të ofrojë të dy mënyrat e komunikimit, nëpërmjet GPRS dhe SMS, të jetë multigjuhësh dhe mund të përshtatet në ngjyra dhe logo sipas preferencave te përdoruesit. Integrimi me pajisje dhe aksesorë të tjerë është tjetër avantazh i specifikimeve për sistemin dhe pajisjet”, thuhet në dokumenta.
Sipas saj, salla operative e Drejtorisë Vendore Tiranë përbëhet nga 40 kompjuterë me sistem operativ. “Qëllimi i këtij prokurimi është për ngritjen e sistemit GPS me komponentët HW dhe SW përkatës për pajisjen e automjeteve të Policisë së Shtetit shqiptar”, thuhet në këto dokumente. Më tej shtohet se, objekti i këtij investimi është blerja e pajisjeve dhe programeve të gatshme për sistemin e monitorimit të automjeteve nëpërmjet GPS siç janë pajisjet GPS/GSM, ekrani i monitorimit etj.
Patrullimi i makinave të Policisë në Tiranë lë shumë për të dëshiruar. Shpesh kemi parë që në rrugica dytësore, apo në cepa pallatesh, qëndrojnë për një kohë të gjatë autopatrulla të policisë. Një gjë e tillë bëhet nga vetë efektivët, të cilët në këtë rast “përtojnë” që të lëvizin me automjete. Madje, ka pasur raste që shoferët shesin naftën e këtyre mjeteve, duke u justifikuar tek shefat më pas se kanë patrulluar për disa orë.
Pak kohë më parë, Ministria e Brendshëm u përfshi një tjetër skandal korruptiv për blerjen e kamerave të policisë. Fillimisht ministria publikoi se do të zhvillohej tenderi me vlerë 700.000 euro, por Tahiri ka shmangur tenderin duke e vlerësuar këtë projekt 5.7 milionë euro. Burimet nga Ministria e Brendshme bënë të ditur se ministri Tahiri kishte nënshkruar një urdhër për të kaluar pa asnjë procedurë prokurimi, nën siglën “kontratë sekrete”, për blerjen e pajisjeve që do të shërbejnë për monitorimin online të policisë. Nënshkrimi i këtij urdhri vjen më pak se një muaj, pasi Kryeministri Rama e prezantoi si një “projekt ambicioz”, pajisjen e çdo polici me kamer në trup për monitorimin e sjelljes së tyre.
Gjatë prezantimit, Tahiri deklaroi se ky projekt do të realizohet brenda një periudhe kohore prej 60 ditësh. Mësohet se ministri Saimir Tahiri ka urdhëruar dhe u ka bërë presion strukturave të policisë që të kryejnë procedurat për këtë shërbim si “kontratë sekrete” pa procedura prokurimi. Për këtë qëllim, ai ka ngritur një grup pune të orientuar politikisht, i cili ka dalë në konkluzionin se shërbimet e kërkuara janë të “karakterit sekret”, duke i propozuar ndjekjen e procedurave të negocimit, aspak konkurruese, për kontraktimin e 5.7 milionë eurove.
Shmangia nga procedurat e prokurimit të blerjes së kamerave të policisë mësohet se ka vënë në vështirësi të madhe një pjesë të specialistëve dhe drejtuesve të IT, të cilët e kanë pasur të pamundur të argumentojnë blerjen e kamerave të policisë, si rast të një “kontrate sekrete”.

Fier, ndalen punimet për By Pass-in, punonjësit pa paguar prej 6 muajsh

Në Fier është ndërprerë puna për ndërtimin e By Pass-it që lidh korridorin kryesor të Veriut me Jugun e vendit nëpërmjet lidhjes së autostradave Lushnjë-Fier me Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë. Banorët tregojnë se punëtorët janë larguar prej dy mujash kurse makineritë ditët e fundit. Puna për ndërtimin e By Pass-it të Fierit është ndalur prej dy muajsh. Ditët e fundit janë larguar edhe automjetet që zbatojnë punimet.
Në të tre kantierët përgjatë autostradës nga Mbrostari deri në Levan ka pllakosur heshtja. Por nëse kjo privon udhëtarët nga shkurtimi i distancës Mbrostar-Levan, banorëve të zonës u ka veshtirësuar jetesën. Përmbytja e shtëpive dhe tokave përreth autostradës është pasojë e mungesës së sistemeve të drenazhimit, pasi rruga ka mbetur gjysëm e ndërtuar. Në fshatin Dërmenas ku kalon By Pass-i po ndërtohet një nga katër mbikalimet e parashikuara në projekt. Banorët tregojnë se nuk kanë parë asnjë punëtor këtu prej 2 muajsh.
Nuk dihet nëse kjo është braktisje e punimeve apo një ndalesë e përkohshne. Por mësohet se midis kompanive asaj italiane Serenisima, e cila ka fituar tenderin dhe kompanise shqiptare nënkontraktore CAE ekziston një konflikt që ka hyrë në rrugë ligjore. By Pass-i i Fierit lidh korridorin kryesor të Veriut me Jugun e vendit nëpërmjet lidhjes së autostradave Lushnjë-Fier me Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë. Punimet nisën në mars 2013 me financimin e BERZh dhe Bankës Europiane të Investimeve. Afati i përfundimit u shty për shkak të motit të keq që shkaktoi edhe përmbytjet e Vjosës ku Serenisima përfitoi 2 milionë euro dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimeve. Afati i ri është fundi i vitit 2016. Serenisima fitoi tenderin me ofertën 40 milionë euro, duke e ulur me 20 milionë fondin limit të ofruar nga investitorët.

Revolta e qytetarëve në Gjirokastër për varfërinë dhe faturat e energjisë

Kryetari i PD, Basha ka prekur dje nga afër revoltën e qytetarëve të Gjirokastrës dhe zonave përreth saj me varfërinë, pasigurinë dhe faturat e tejfryra të energjisë elektrike. Në takimet e zhvilluara, Basha ka premtuar një paketë urgjente të masave për të nxjerrë ekonominë nga kriza menjëherë pas marrjes së votëbesimit në zgjedhje.
“Ne kemi një paketë të veçantë fiskale, 9 për qind taksë e sheshtë. Pra, nga 15 do të paguash 9, ke 6 për qind ulje në tatim fitim. 9 për qind kontributet shoqërore edhe për këta gjashtë të punësuar që ke, edhe për të vetëpunësuarit që ke këtu. Kemi uljen e TVSH-së nga 20 në 15 për qind. Ne do të fillojmë në vitin e parë me 100 milionë dollarë subvencionim të drejtpërdrejtë për sektorin e bujqësisë, agrobiznesin dhe sektorin ushqimor në tërësi dhe përfitues të kësaj do të jenë padyshim edhe rritësit e peshkut”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka diskutuar platformën ekonomike të Partisë Demokratike me biznesmenë dhe tregtarë të Gjirokastrës. Ai vizitoi një rezervat të kultivimit të peshkut në Cepo, ku u njoh me problemet që ndeshen në këtë sektor, si rezultat i taksave të larta, çmimeve të rritura të lëndës së parë dhe mungesës totale të subvencioneve.
Basha ka prekur nga afër zhgënjimin popullor me qeverisjen e majtë. “Kemi shumë vështirësi në tregje. TVSH-në e kemi shumë të lartë, është 20 për qind, nuk mund ta përballojmë dot. TVSH-ja duhet të ishte të paktën 10 për qind, të paktën 10 për qind. Çmimet e ushqimeve janë rritur nga koha që ne kemi filluar këtu e deri tani janë dyfishuar e gjysmë. Subvencionet ne nuk i kemi parë ndonjëherë”, u shpreh një tregtar.
Basha inspektoi edhe rrugën Kardhiq-Delvinë, një aks rrugor që i shërben jo vetëm banorëve të zonave, por është dhe një aks kombëtar që shkurton ndjeshëm distancën me Sarandën. Ky projekt i nisur nga qeverisja e Partisë Demokratike ka mbetur pa përfunduar sepse prej 3 vitesh nuk ëdhtë avancuar asnjë metër. Zoti Basha garantoi se do të jetë prioritet në mandatin e tij qeverisës të vendit.
“Por për këtë punë nuk ka lekë. Lekë ka për ‘Jaguar’, lekë ka për palma, lekë ka për 90 milionë dollarë për shpenzime, për orendi e për zyra. Por lekë për të bërë investime në infrastrukturë që ndihmojnë ekonominë lokale, ndihmojnë turizmin, ndihmojnë transportin kombëtar, për këto nuk ka lekë. Rrugën Kardhiq-Delvinë e kemi në krye të listës së prioriteteve të zhvillimit të infrastrukturës dhe ne do të investojmë për përfundimin e kësaj rruge”, u shpreh Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha vizitoi dhe familjet e Sokol Lukës, i cili ndonëse me probleme të mëdha shëndetësore (me këmbë të prerë) e pamundësisë ekonomike është lënë tërësisht jashtë vëmendjes së shtetit dhe në familjen e Arben Llavdonitit, familja e të cilit prej 3 muajsh nuk ka energji elektrike. Arben Llavdoniti tha se shteti nuk i paguan atij faturën që i ka borxh për punën e kryer si murator dhe bojaxhi në objekte publike. Si rezultat ai nuk ka qenë në gjendje të shlyejë faturat aforfe të energjisë që u dyfishuan, ndërkohë që shteti i vonon pagesat me të cilat duhet të ushqejë katër pjesëtarë të familjes. Edhe kërkesa e tij për t’i paguar pjesë-pjesë është refuzuar, duke e lënë në errësirë të plotë. Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se familjeve në nevojë ekonomike shteti do t’u vijë në ndihmë në mënyrë që të mos vuajnë nga mungesa e energjisë.

Basha: Çmimi i energjisë do të ulet për të gjithë ata që konsumojnë nën 300 kw

Për familjet në ndihmë ekonomike deri në 200 kw do të jetë pjesë e ndihmës që do të japë shteti. Për familjet që janë siç je ti, një familje punëtore, ne do të mundësojmë që çmimi i energjisë të jetë i përballueshëm dhe i pagueshëm.
Në tregun e Gjirokastrës, i cili për nga kushtet është primitiv, tregtarët thanë se me ditë të tëra nuk arrijnë të shesin asgjë. Papunësia e lartë dhe varfëria ka bërë që të bjerë konsumi dhe tregtarët të mos arrijnë të mbulojnë dot as shpenzimet minimale.
Kasap: Para tri viteve kam arritur deri në 75-80 kokë (krerë bagëti) në ditë tre ditët e Pashkës, në një ditë flas. Kurse sivjet 20 kokë (krerë bagëti), mezi. Fukarallëk i madh. Duke dhënë dhe mbush fletoren vetëm që ta shesim mallin, ta hiqnim.
Basha: Me listë?
Kasapi: Me listë. Lista është e madhe.
Tregtare: Unë s’kam bërë zero lekë, s’kemi të hamë bukë sot. Kam dy studentë, burrin pa punë, vetë pa punë.
Tregtare: Vajta tre ditë sot asnjë 100-she.
Basha: Tre ditë asnjë 100-she?
Tregtare: Po!
Basha: Sa fëmijë keni?
Tregtare: Tre fëmijë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vizituar dhe “Gjirofarmën”, një ndërmarrje prodhuese e nënprodukteve të qumështit me 60 të punësuar direkt dhe 300 indirekt. Drejtuesit e kësaj kompanie i kërkuan zotit Basha të shohë mundësinë e uljes së TVSH-së për këto produkte, pasi kjo mundëson rritjen e prodhimit, çka do të thotë rritje të të ardhurave për qindra familje të zonës së Gjirokastrës dhe Sarandës.
Zoti Basha u ndal dhe në një fabrikë fasonësh me 70  të punësuar. Ato i thanë zotit Basha se janë të vetmet të punësuar në familjet e tyre dhe me pagat që marrin mezi sigurojnë bukën e gojës për familjet e tyre.
Punonjëse: I kemi burrat pa punë, punojmë që të mbajmë burrat në shtëpi që të mbajnë fëmijët. Kjo është katastrofë. Ne na është mërzitur jeta. Imagjino që të ushqesh me 250 mijë lekë katër veta në shtëpi.
Punonjëse: Na mësojnë fëmijët dhe nuk mundemi ku t’i çojmë. Ne me këtë pagë të mbash fëmijë në shkollë të lartë është katastrofë.
Punonjëse: Këtu korrenti ikën, makineritë prishen dhe shteti as s’ka vënë dorë. Vetëm heq korrentin me dashje, pa dashje, pa logjikuar fare se këtu ka punëtorë. Punojnë dhe ne detyrimisht pagat tona kështu do të vejë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka theksuar se rritja e pagës minimale, ulja e çmimit të energjisë dhe ulja e moshës së pensionit janë pjesë e platformës së Partisë Demokratike. Duke shpalosur ofertën e demokratëve para sipërmarrësit të kësaj fasonerie, ky i fundit konfirmoi se me këtë platformë të demokratëve është e mundur që paga e punonjësve të rritet me afro 50 mijë lekë të vjetra, çka është dhe synimi i zotit Basha.
Basha: I them të të ul taksën nga 15 në 9 për qind, të të heqë taksën e dividentit, të të ul kontributin e sigurimeve shoqërore në 9 dhe unë do të kërkoj pagën minimale 300 mijë lekë në muaj.
Aleksandri (investitori i fasonerisë) thotë se është dakord.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se ulja e taksave sipas planit ekonomik të Partisë Demokratike do të përkthehet në rritje të pagave për punëtorët e sipërmarrjeve në Shqipëri, si dhe do të ndihmojë në hapjen e vendeve të reja të punës.

Myzyri, menaxheri i Sadriut i jep tenderat Abazit si zyrtar i komisionit

Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, Duma ka denoncuar dje me emër konfliktin e hapur të interesit në fitimin e tenderave nga kompania e deputetit të PS, Sadri Abazi. Jonaid Myzyri, i cili ka qenë menaxher në kompaninë e Abazit rezulton të jetë një nga njerëzit kyç në Komisionin e Prokurimit Publik, i cili i jep tenderat Abazit në shkelje të hapur të të gjitha ligjeve.
Abazi është kështu shkelës jo vetëm i konfliktit të interesit pasi përfiton tendera nga fondet publike duke qenë në të njëjtën kohë edhe deputet, por edhe i përfiton këto tendera nga njerëzit që ai i ka të dypunësuar në kompaninë e tij.
“Kemi bërë publike se si oligarku i Ramës, Sadri Abazi merr dhjetëra tendera, shpallet gjithnjë fitues, me ofertën më të lartë dhe merr pothuajse fondin limit. Tendera në OSHEE, tendera tek rrugët, tendera kudo. Madje së fundmi, u zbulua se miku dhe ndërmjetësi i tij Taulant Balla, i kishte siguruar dhe nja 780 milionë lekë në Bashkinë e Librazhdit.
Më e rënda është kapja që Sadriu i Ramës i ka bërë institucionit kyç të tenderave, që është Komisioni i Prokurimeve Publike, aty ku si rregull, duhet të shqyrtohen ankesat e operatorëve të tjerë.
Nëse je në garë me Sadriun dhe dihet se garën e ke të humbur para oligarkut të Ramës, atëherë duhet t’i drejtohesh KPP-së, me ankesë. Mirëpo KPP-ja, është kthyer në një zyrë të Sadriut.
Dje bëmë dy pyetje publike.
A është një ish-drejtues i kompanisë së Sadriut, ‘Alko IMPEX’, pjesë e KPP, pikërisht në zyrën e shqyrtimit të ankesave?
A ka lidhje përfaqësuesi ligjor i Sadriut, me përfaqësuesen ligjore të KPP?
Sigurisht, Sadriu heshti, Taulanti heshti, Rama heshti.
Sot po e bëjmë më konkrete pyetjen:
A është Jonaid Myzyri, më parë menaxher i Sadriut, në një post kyç sot në Komisionin e Prokurimeve Publike?
Po përfaqësuesi ligjor i Sadriut, Taulant Godroli, a ka lidhje me përfaqësuesen ligjore të KPP, e megjithatë ata përballen në gjykatë dhe gjithnjë fiton kompania e Sadriut?
Heshtja e oligarkut, e ndërmjetësit të tij Taulant, e Ramës konfirmojnë këtë formë tronditëse të korrupsionit e kapjes së institucionit kryesor të tenderimit.
Ky korrupsion është arsyeja pse Rama dhe oligarkët e tij pasurohen çdo ditë e më shumë, ndërsa populli zhytet në papunësi, varfëri e mjerim, çdo ditë e më shumë”, thuhet në deklaratën e Dumës.
Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013, periudhë kur Rama nisi drejtimin e pushtetit nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Pra, në total për këto periudha kohore, Abazi ka fituar rreth 27 tendera. Por kjo shifër është më e lartë se kaq, Abazi ka përfituar tendera nga institucionet publike edhe nga kompani të tjera, të cilat janë të tij, por të hapura në emra të familjarëve apo të afërmve të Abazit. Nga ana tjetër, Abazi krahas përfitimit të tenderave, vijon qetësisht të lartësojë ndërtimet e tij pa leje në mes të Tiranës. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij. Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh. Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Thirrja e dëshpëruar e guvernatorit

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi, dy ditë më parë, se bankat duhet të kenë më shumë guxim në dhënien e kredive, ndryshe rritja e pritshme prej 3.4 për qind nuk mund të arrihet. Kjo deklaratë u bë gjatë konferencës për shtyp ku guvernatori njoftoi uljen, për të pesëmbëdhjetën herë radhazi, të normës bazë të interesit. Kjo normë tashmë ka arritur minimumin historik prej 1.25 për qind.
Të jesh i guximshëm, në termat bankarë, do të thotë të pranosh të financosh klientë me plane biznesi me të ardhura të paqarta ose pak të mundshme, ose akoma më keq pa asnjë garanci financiare ose pasuri të patundshme të kërkuara nga ligjet në fuqi, gjëra të cilat e venë bankën përpara një risku të madh të mosshlyerjes së kredive.
Ndoshta, guximi është elementi, normalisht, më pak i këshilluar dhe më pak i pranishëm në manualet e ekonomisë, në veçanti për politikat e kreditimit, në të cilat “guximi” është plotësisht i shkëshilluar nga vetë ligjet e bankës kombëtare. Instrumenti i Mbikëqyrjes ka për detyrë të ndalojë bankat të japin kredi me risk të lartë ose jo mjaftueshmërisht të garantuara. Analiza e riskut të kredive dhe tentativa e vazhdueshme për të ulur nivelin e kredive të këqija nëpërmjet instrumentit të vlerësimit të besueshmërisë së klientit dhe llogaritjes së kërkesës së kapitalit rregullator, tregojnë që sistemi ndërkombëtar bankar e sheh guximin e bankave më shumë si një armik se sa si një instrument i dobishëm.
Guvernatori i bën apel guximit së bankave, ndërsa vë në dukje një rritje të ekonomisë më të ulët se sa ajo e planifikuar nga qeveria. Në fakt, kjo deklaratë do të thotë se Banka e Shqipërisë i ka mbaruar të gjitha instrumentet e saj për të ringjallur ekonominë dhe që sot e tutje përgjegjshmëria e mbarëvajtjes së ekonomisë është e qeverisë dhe bankat nuk mund të kenë guxim. Qeveria ka për detyrë të ndërmarrë politika që reduktojnë riskun e vendit dhe atë financiar. Vetëm këto politika do të nxisnin më pas bankat të kishin “guxim” për të dhënë më shumë kredi.
Praktikisht, ne kemi vetëm kompani të paafta për të konkurruar në një treg të lirë, shpesh të zhvilluara në një mënyrë anormale falë kurajos dhe injorancës. Tani këto kompani janë vetëm të interesuara të monopolizojnë tregun dhe të përfitojnë kontrata koncesionare, të cilat janë një kancer i vërtetë për ekonominë e vendit. Por, njëkohësisht kontrata koncesionare dhe monopolet janë e vetmja mënyrë për t’u mbrojtur nga paaftësia e vetë sipërmarrësve.
Koncesionet dhe monopolet nuk janë prodhim i kurajos së sipërmarrësve, por një pasojë e “kurajos” që bankat kanë pasur deri më tani.

“Exit.al”

Hetimi: Autoriteti i rrugëve me standarde të dyfishta në prokurime

Autoriteti i Konkurrencës ka mbyllur hetimin e thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”. Konkurrenca ka konstatuar se autoriteti kontraktor në hartimin e kritereve për kualifikim në zbatim të Ligjit për Prokurimin Publik (i ndryshuar) përdor “standard të dyfishtë”.
Kështu në përcaktimin e afatit kohor për dorëzimin e ofertës përdor afatin minimal të përcaktuar në nenin 43 (pika 5 dhe 8) të LPP, duke mos ju lënë mjaftueshëm kohë operatorëve ekonomikë ndërkombëtarë në përgatitjen e ofertave. Fondi limit shumë i lartë sjell vendosjen e kritereve ekonomiko-financiare dhe teknike të larta duke i vendosur operatorët ekonomik në vështirësi për t’i plotësuar si rezultat vendosjen e tyre në kushte të pafavorshme konkurrence. Kjo mënyrë e vendosjes së kritereve ka çuar në mungesë të konkurrencës (neni 73 i LPP), duke sjellë vazhdimin e procedurës vetëm me një ofertë të vlefshme, si dhe duke drejtuar ndërmarrjet të paraqesin oferta si “bashkim operatorësh”.
Në fund të hetimit, Autoriteti Konkurrencës i ka rekomanduar Autoritetit të Rrugëve hartimin e procesit të prokurimit në mënyrë të tillë që të nxitet pjesëmarrja e operatorëve të vegjël e të mesëm ekonomik dhe operatorëve të huaj, si psh të zvogëlohet madhësia e loteve për të rritur mundësinë e pjesëmarrjes së sa më shumë operatorëve në proceset e prokurimeve si dhe të shmanget sa më shumë të jetë e mundur bashkimi i operatorëve si një faktor që rrit mundësinë e bashkëpunimit afatgjatë në dëm të konkurrencës.

Hapja e hetimit

Autoriteti i Konkurrencës, nisur nga një artikull në media ku trajtohet një shqetësim mbi mungesën potenciale të konkurrencës në tregun e shërbimit të sinjalistikës rrugore, kërkoi informacion nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (këtu e vijim-ARRSH), lidhur me procedurat e prokurimit të realizuara me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës loti I dhe loti II. Nga shqyrtimi i dokumentacionit rezultoi se firmat fituese në të dy lotet kanë qenë shumë pranë fondit limit si dhe ka një mungesë të pjesëmarrjes së operatorëve aktivë në tregun përkatës në procedurat e prokurimit në të dy lotët, ku ndërmarrjet mund të kenë përdorur skemën e rrotacionit të ofertave, duke ndarë tregun.
Ndodhur para një situate, e cila mund të përmbajë shenja për kufizime të mundshme të konkurrencës në tregun e prokurimit të objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi” Loti I dhe Loti II, Komisioni i Konkurrencës, në zbatim të nenit 42, pika 1 të Ligjit, me propozim të Sekretariatit, me anë të Vendimit nr. 376, datë 15.10.2015, vendosi të miratojë hapjen e hetimit paraprak në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi” Loti I dhe Loti II”, për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.
Në bazë të raportit të hetimit paraprak Komisioni i Konkurrencës konkludoi se vihen re shenja të kufizimit të konkurrencës për rrjedhojë u shpreh me Vendimin Nr. 386, datë 14.12.2015, “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore” vendosi hapjen e kësaj procedure për të parë nëse ka ose jo, shenja të kufizimit të konkurrencës.
Për mbledhjen e fakteve dhe të dhënave të nevojshme në lidhje me hetimin, bazuar në nenet 33 dhe 34 të Ligjit, Sekretariati ka grumbulluar të dhëna dhe informacione nga autoriteti kontraktor për procedurën e prokurimit nën hetim.
Në bazë të neneve 35 dhe 36 të Ligjit si dhe Autorizimit të Komisionit të Konkurrencës, u kryen inspektimet e nevojshme pranë ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg.
Në ndërmarrjen “RS&M” Sh.p.k gjatë inspektimit u gjet shkresa Nr. 378 prot, datë 14.09.2015 e Autoritetit të Konkurrencës, drejtuar Autoritetit Rrugor Shqiptar me objekt: Kërkesë për Informacion, lidhur me procedurat e prokurimit të realizuara në datat 07.09.2015 dhe 09.09.2015 me objekt: “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore – vazhdimi, Loti 1 dhe Loti 2″.
Kontrolli i Lartë i Shtetit me shkresën Nr. 787/18 prot. datë 24.02.2016, i rekomandon Autoritetit të Konkurrencës hetimin për rrezikun e ekzistencës së një marrëveshje të ndaluar në oferta në prokurimet publike zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar për vitet 2014-2015, bazuar ne konstatimet e saja nga auditimi i ushtruar në ARRSH për objektet e sinjalistikës rrugore.
Për sa më sipër, Autoriteti i Konkurrencës me shkresën Nr. 100/1 prot, datë 03.03.2016 “Kthim përgjigje” ka kërkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH), që në vijim të procedurës së hetimit të thelluar të këtij tregu (bazuar në rekomandimet e KLSH) të vënë në dispozicion faktet dhe provat që disponojnë, në lidhje me skemat e rotacionit në të qenit fitues, si dhe elementë të tjerë të kontrollit të tregut, ekzistencës së marrëveshjeve të fshehta midis operatorëve dhe monopolizimit të tregut në procedurat e prokurimit të realizuara nga autoriteti kontraktor “Autoriteti Rrugor Shqiptar”.
Në përgjigje të kërkesës së Autoritetit të Konkurrencës, Kontrolli i Lartë i Shtetit, me shkresën Nr. 100/2 prot, datë 21.03.2016, ka vënë në dispozicion pjesë nga Raporti Përfundimtar i Auditimit të ushtruar në ARRSH, në lidhje me konstatimet e saj. Bazuar në këtë raport nuk rezultuan prova dhe fakte shtesë lidhur me mundësinë e një marrëveshje të ndaluar në oferta në prokurimet publike për objektet e sinjalistikës rrugore.
Në vazhdim të procedurës së hetimit thelluar në përgjigje të kërkesës për takim Nr.51 prot., datë 02.02.2016, u zhvillua takimi me përfaqësues të ARRSH-së mbi disa sqarime lidhur me problematikat e dala gjatë procedurave të hetimit në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi, i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”. Gjatë takimit u mbajt procesverbali i datës 09.02.2016 “Për marrje shpjegimesh për fakte dhe dokumente që lidhen me objektin dhe qëllimin e hetimit”.
Bazuar në përgjigjet e dhëna nga përfaqësuesit e ARRSH-së, sipas pyetjeve të procesverbalit, rezultoi se për shkak të natyrës së këtij tregu, i cili kërkon investime, kapacitete të konsiderueshme, makineri të kushtueshme etj., numri i operatorëve që operojnë në këtë treg është i vogël, si rrjedhojë janë të pakët operatorët që kanë kapacitetet e duhura për të marrë pjesë në këto procedura. Gjithashtu nuk ka pjesëmarrje të operatorëve ndërkombëtarë, preventivi i çmimeve bëhet sipas manualit teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe të analizave teknike të tyre, i cili përfshin shumicën e zërave mbi 90%, dhe është miratuar me VKM Nr. 629, datë 15.07.2015 “Për miratimin e manualit teknik të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analiza teknike e tyre”. Në këtë manual janë të përcaktuara çmimi, shpenzimet e përgjithshme max. 8% dhe fitimi max. 10%, për rrjedhojë sipas argumentimit të përfaqësuesve të ARRSH ofertat dalin afër fondit limit. Çmimet e zërave të punimeve të përcaktuara në manualet teknike janë orientuese dhe referuese për planifikimin e buxhetit vjetor (fondit limit).

4 ndërmarrjet nën hetim

Ndërmarrjet nën hetim, të cilave u është njoftuar Vendimi i Komisionit të Konkurrencës Nr. 386, datë 14.12. 2015 “Për hapjen e procedurës së hetimit të thelluar në tregun e prokurimit publik me objekt “Përmirësimi, rifreskimi i sinjalistikës vertikale/horizontale në akset kombëtare dhe përmirësimi i sigurisë rrugore”, si dhe janë të përcaktuara në këtë Vendim janë:
Ndërmarrja “R. S. & M” sh.p.k,
Ndërmarrja “I.D.K – KONSTRUKSION” sh.p.k,
Ndërmarrja “JUBICA” sh.p.k,
Ndërmarrja “RSM Company” është regjistruar si person juridik pranë QKR-së me datë 03.12.2010, si degë e shoqërisë së huaj.

Fondi i lartë limit kufizon konkurrencën

Afatet e përcaktuara në pikën 5, Neni 43, të Ligjit 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i referohen të gjitha prokurimeve me procedurë të hapur me një vlerë ndërmjet kufirit më të ulët dhe më të lartë monetar, përkatësisht 12,000,000 lekë deri në 1,200,000,000 lekë, duke treguar qartë se sa më e lartë të jetë vlera e fondit limit aq më i gjatë duhet të jetë afati i zhvillimit të procedurës konkurruese.
Për sa më sipër, konkurrenca ka konstatuar se Autoriteti Kontraktor në hartimin e kritereve për kualifikim në zbatim të Ligjit për prokurimin publik përdor “standard të dyfishtë”. Kështu në përcaktimin e afatit kohor për dorëzimin e ofertës përdor afatin minimal të përcaktuar në nenin 43 (pika 5 dhe 8) të LPP, duke mos ju lënë mjaftueshëm kohë operatorëve ekonomikë në përgatitjen e ofertave.
Nga ana tjetër, fondi limit shumë i lartë sjell vendosjen e kritereve ekonomike-financiare dhe teknike të larta, duke i vendosur operatorët ekonomik në vështirësi për t’i plotësuar, si rezultat vendosjen e tyre në kushte të pa favorshme konkurrence. Kjo mënyrë e vendosjes së kritereve ka çuar në mungesë të konkurrencës, duke sjellë vazhdimin e procedurës vetëm me një ofertë të vlefshme (neni 73 i LPP), si dhe duke drejtuar ndërmarrjet të paraqesin oferta si “bashkim operatorësh”.

Cili është dembeli, rrethi vicioz i punësimit

Ornela Liperi

Punonjësit e Digicom, një kompani e specializuar në fibrat optike, kanë mbetur të befasuar nga niveli i aplikantëve në Panairin e Punës 2016, që u zhvillua në datat 28-30 prill. Ndërsa kishin pasur aplikime nga persona me përvojë mbi 15-vjeçare dhe të arsimuar në informatikë e shkenca të tjera ekzakte, shprehën keqardhjen që nuk mund të plotësonin kërkesat e të gjithëve.
Një përfaqësuese italiane e kompanisë së konsulencës telefonike, “Consulcesi”, është e habitur nga aftësia e shqiptarëve për të folur gjuhë të huaja. “Kërkojmë 6 punonjës telefonikë dhe një IT”, thotë ajo.
Kompanitë e qendrave telefonike janë kthyer për momentin në burimin më të madh të punësimit në vend. “Teleperformace”, edhe ajo pjesëmarrëse në panair, kërkon 500 punonjës të rinj, pasi planifikon të hapë një qendër të re shërbimesh. Punonjës që nuk do t’i ketë shumë të vështirë t’i gjejë, madje edhe me arsim të lartë, teksa çdo vit i shtohen tregut të punës rreth 40 mijë të diplomuar, sipas të dhënave nga Ministria e Arsimit.
Shifrat e INSTAT-it flasin për gati 174 mijë studentë në total, që ndiqnin arsimin e lartë në vitin akademik 2013/2024, 80% e të cilëve në universitetet publike. Duke lënë mënjanë cilësinë e arsimit, të paktën në shifra, të rinjtë shqiptarë janë të etur për dije. Sipas krahasimeve ndërkombëtare, “grupmoshat përfshirë në arsim”, Shqipëria e ka këtë tregues për arsimin e lartë 67%, më mirë se Anglia, Rumania, Franca, Italia, Gjermania e Zvicra dhe më ulët se vendet skandinave si Norvegjia, Suedia etj.

Krahasime ndërkombëtare: Grupmoshat përfshirë në arsim/arsimi i lartë (%)

Por, kësaj prurjeje të madhe (ofertës) të studentëve të diplomuar i përgjigjet në kahun tjetër një kërkesë e cunguar dhe e parakorduar me dijet, që pjesa më e madhe e tyre kanë marrë në 3-5 vitet e shkollës. Ndaj është e pashmangshme që shumë studentë, ka të ngjarë të zhgënjehen kur të mbrojnë arsimin, teksa do të duhet të përballen me një të vërtetë të hidhur: sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune janë ata që kanë një vlerë të shtuar dhe produktivitet të ulët, si rrjedhojë dhe pagesa jo të larta, që nuk i justifikojnë vitet e shpenzuara për sigurimin e dijeve specifike. Dhe jo të gjithë arrijnë të gjejnë punë. Shkalla e papunësisë në fund të vitit 2015, sipas ankesës së forcave të punës së INSTAT, për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 33,2%, (32,3% për meshkujt dhe 34,7% për femrat). Krahasuar me vitin pararendës, shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi një rritje prej 0,7 pikë përqindje.
Në total, papunësia në fund të 2015-ës arriti në 17.7%, me një rritje të lehtë radhazi në tremujorin e tretë dhe të katërt.
Si për ironi, papunësia u rrit ndjeshëm në 2015-ën tek kategoria me arsim të lartë, që “konkurron” me të papunët me arsim të mesëm.
Të dhënat e 100 punëdhënësve më të mëdhenj për 2014-ën (të fundit të disponueshme) tregojnë se dy sektorët kryesorë që po gjenerojnë vende pune vitet e fundit janë fasoni dhe call center, të dy që kanë si avantazh shfrytëzimin e kostos së lirë të fuqisë punëtore, në raport me vendet e zhvilluara (shiko tabelën Tabela: Renditja e 100 kompanive më të mëdha, sipas numrit të të punësuarve).
Call center është ende në periudhë lulëzimi dhe do të ruajë avantazhin krahasues të kostos së lirë të fuqisë punëtore dhe njohurisë së gjuhëve të huaja edhe për një kohë të gjatë. Ndërsa e ardhmja e sektorit fason mbetet e paqartë, teksa avantazhi i punës së lirë po zbehet për shkak të shtimit të barrës fiskale dhe rritjes së vazhdueshme të pagës minimale.
Kompani të tjera të mëdha private, të fokusuara në industrinë e rëndë, si Albpetrol, Bankers Petroleum, Simmons Edeco Limited, që ishin punëdhënës të mëdhenj në 2014-ën, nuk pritet të jenë agresivë për shkak të konjunkturës së pafavorshme të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Sipërmarrje të tjera të industrisë së rëndë kanë falimentuar tashmë, si p.sh. Kurum, që kishte në 2014-ën rreth 700 punonjës, apo ARMO (praktikisht i pezulluar), që ishte punëdhënësi i shtatë më i madh në vend në 2014-ën dhe numëronte mbi 1200 të punësuar.
Bankat, që mbeten vendi më interesat dhe i lakmuar i punës, për këdo që ka mbaruar arsim të lartë, sidomos ekonomik, prej vitesh nuk po tregohen agresive në zgjerimin e aktivitetit e si rrjedhojë kanë një rritje minimale të numrit të të punësuarve, duke arritur në rreth 6900 në fund të vitit 2015.
Sipërmarrjet e telekomunikacionit janë gjithashtu në fazë stanjacioni, teksa rritja e të ardhurave është ngadalësuar ndjeshëm. Vodafone p.sh., kishte 414 të punësuar në 2014-ën, nga 410 një vit më parë. Albanian Mobile Communication e ka reduktuar numrin e punonjësve në 2014-ën, në 438, nga 471 në 2013-ën. Albtelecom, pasi është bashkuar me Eagle Mobile dhe ka optimizuar shpenzimet, i ka reduktuar punonjësit nga 1931 në vitin 2013, në 979 në vitin 2014.
Pozitivisht në punësimin e mjekëve vitet e fundit ka ndikuar zhvillimi i spitaleve private.
Nga 100 punëdhënësit më të mëdhenj në vend në 2014-ën, 51 prej tyre janë sipërmarrje private (dy prej të cilëve janë të falimentuar aktualisht). Pra, janë vetëm rreth 50 kompani private në vend, që kanë mbi 300 të punësuar. Sipërmarrjet e mëdha janë ato që kanë potencial më të lartë investues, janë më konkurrues për shkak të ekonomisë së shkallës dhe më rezistente ndaj goditjeve ciklike të krizës. Dhe të tilla tek ne numërohen me gishta.
Sot, ndërmarrjet më të mëdha për sa u përket të punësuarve janë ato shtetërore, si OSHEE, KESH, apo drejtoritë arsimore.

Vizioni për të ardhmen, i kujt është faji që oferta nuk përputhet me kërkesën

Një kërkesë e “Monitor”, drejtuar Ministrisë së Arsimit, pak javë më parë, se si ata po planifikonin të përshtasnin kurrikulat e universiteteve me sektorët që shiheshin me prioritet për të ardhmen, apo tërheqjen e investimeve të huaja potenciale, nuk mori përgjigje. Pyetja u konsiderua e vështirë dhe na adresuan te Ministria e Punës, që është angazhuar së fundmi në një fushatë për zhvillimin e arsimit profesional, por kryesisht atij të mesëm.
Ndërkohë, një sërë investitorësh të huaj kanë shfaqur interes për të hyrë në tregun shqiptar, por planet e tyre janë prishur edhe nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar. CapCon, Johnson Control dhe Lear kanë studiuar tre vitet e fundit tregun shqiptar për të hapur linjat e tyre të prodhimit, në kërkim të kostove më të lira të fuqisë punëtore. Tani të tre kompanitë në fjalë kanë hapur aktivitetet në Maqedoni, duke punësuar mijëra persona.
Andronaq Londo, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike, pohon se Shqipëria e ka humbur konkurrueshmërinë në burimet njerëzore, që duhen për të përballuar kërkesat e gjigantëve botërorë të industrisë. Londo pohoi se aktualisht, sistemi arsimor i lartë, konkretisht Inxhinieria Mekanike, i ka mundësitë e kufizuara për shkak të mungesës së theksuar të infrastrukturës dhe laboratorëve. Një inxhinier i mirë nuk mund të mjaftohet vetëm në aspektin teorik, tha Dekani. Ai pohoi se universiteti përpiqet t’u shkojë pas prioriteteve të qeverisë. Në këtë periudhë është parë se, ekonomia po orientohet drejt prodhimit dhe zgjerimit të tregut të energjisë, ndaj edhe studentët janë këshilluar të diplomohen në degë të Inxhinierisë Elektrike. Londo tha se qeveria duhet të ketë një prioritet të qartë dhe shumëvjeçar në mënyrë që edhe sistemi arsimor universitar t’u përgjigjet nevojave reale të tregut. Por profesori pohon se, është shumë e rëndësishme që qeveria të orientojë arsimin e mesëm profesional, si hallka kryesore për të formuar krahun e kualifikuar të punës për të cilin ekonomia në këto momente ka shumë nevojë.
Teknologjia e informacionit është një tjetër sektor që mund të tërhiqte investime me vlerë të shtuar në vend. Dekania e Fakultetit të Informacionit dhe të Teknologjisë, Rozeta Miho, tha se këto dy vitet e fundit, shumë kompani të huaja janë interesuar pranë fakultetit për të kontraktuar në punë programues. Dekania tha se në Shqipëri, tregu i punës nuk ofron rroga stimuluese për burimet njerëzore shumë të kualifikuara. Duke qenë se Europa është afër gjeografikisht me Shqipërinë, gjithnjë e më shumë studentët e mirë zgjedhin të punojnë jashtë Shqipërisë. Ajo tregoi se kapaciteti vjetor i diplomave është rreth 180 studentë në vit për të tre degët e TIK-ut.
Mungesa e infrastrukturës në universitete që nga sallat e mësimdhënies dhe laboratorët e kufizojnë fakultetin të prodhojë punonjës IT, nëse nga ana tjetër do të kishte një kërkesë gjithnjë e në rritje. Politikat qeveritare duhet të jenë stimuluese edhe në këtë drejtim pohoi ajo.
Miho tha se, modeli turk i universiteteve është për t’u marrë në konsideratë. Atje universitetet e IT kanë pronësi toka, ku ftojnë kompanitë të zhvillojnë aktivitetin. Në këtë mënyrë, edhe kompania merr shërbime me kosto të lirë dhe studentëve u mundësohet praktika më e mirë e mundshme.
Diana Leka, kryetarja e Sekretariatit të Këshillit të Investimeve, thotë se bizneset e call center, që janë zhvilluar shumë vitet e fundit, mund të shërbejnë shumë mirë si urë për të zhvilluar më tej ngritjen e bizneseve me bazë të IT-së në vend. “Infrastruktura dhe rrjeti në këtë drejtim tashmë është ngritur dhe mundësitë për të trajnuar të rinjtë, që do të jenë edhe forca e punës në këtë fushë, janë shumë të mira. Mendoj që Shqipëria e ka një shans në këtë drejtim çka garanton një rritje jo vetëm të investimeve të huaja, por edhe të të ardhurave për të punësuarit në këtë sektor. Qeveria mund të nxisë në këtë drejtim, duke ofruar incentiva të ndryshme në lehtësim fiskal apo mbështetje për punësimet e reja dhe trajnimet e stafit. Ndërkohë duhet të bëhet edhe lidhja me sistemin arsimor, i cili të përgatisë profesionistë cilësorë në sektorin e IT-së ku të mundësohet lidhja me bizneset dhe ofrimi i praktikave të punës”, rekomandon znj. Leka.
Dhe në fakt, një vizion i tillë i qeverisë për të orientuar arsimin drejt sektorëve me potencial për të tërhequr investime  dhe për të rritur vlerën e shtuar ka munguar në vite dhe po vazhdon të mungojë, teksa rruga më e thjeshtë është gjetur duke “fajësuar” shqiptarët, të etur për dije e për të mësuar gjuhë të huaja, si “dembelë”.

Hicfeld: Nuk ishte faji i arbitrit Chakir

Vazhdojnë polemikat për eliminimin e Bajernit nga Champions Liga. Për humbjen 0-1 në Madrid, Bajerni u justifikua duke nxjerrë në pah dy alibi: Nga njëra anë, ekspertët dhe tifozët ishin kundër rrotacionit, duke fajësuar Guardiolën për mosaktivizimin e Mylerit dhe nga ana tjetër, fajësuan ashpërsinë e fushës, e cila bëri që topi të mos shkiste siç duhej për “Tiki-taka”-n. Ndërsa në Mynih, bosi i Bajernit, Karl-Hainc Rumenige, është ndier i zhgënjyer nga cilësia e arbitrimit nga turku Xhynejt Shakir. “Sinqerisht, ndihemi disi të mashtruar nga gjykimi.
Goli i pësuar ishte i parregullt, pasi Griezman ndodhej në pozicion jashtë loje dhe faull i penalltisë u shkaktua jashtë zone”, sqaroi Rumenige për “Sport1” pas skualifikimit. Ndërkohë, mendimi i tij është kundërshtuar nga ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld. Gjatë një interviste në “Skype” për gazetën zvicerane “Blick”, Hicfeld analizon gjysmëfinalen në Mynih, qëndrimin e Rumeniges dhe rezultatet e Guardiolës.
“Nuk mund të thuash që gjyqtari mbajti krahun e njërit ekip. Bajerni luajti në mënyrë të shkëlqyer, por nuk shënoi golat vendimtarë”, nënvizoi Hicfeld, duke shtuar më tej, – “Goli i Atletikos nuk ishte i parregullt.
Griezman nuk ishte pozicion jashtë loje, por në një vijë me mbrojtësin. Ndërsa penalltia ishte jashtëzakonisht e vështirë për gjyqtarin. Megjithatë, nuk u shënua dhe nuk ndikoi më shumë në skualifikimin e Bajernit. Zhgënjimi ishte shumë i madh.
Rumenige do që të mbrojë ekipin e vet, prandaj përqendrohet te gjyqtari”, arsyetoi Otmar Hicfeld. Por, protesta e Rumeniges qëndroi edhe te fakti që Xhakir kishte gjykuar një javë më parë edhe gjysmëfinalen Mançester Siti kundër Realit të Madridit (0-0).
Pro Hicfeldit ka qenë edhe ish-gjyqtari Urs Maier. “Deri te penalltia për Atletikon, Xhakir gjykoi në mënyrë të shkëlqyer.
Ka treguar që është gjyqtari më i mirë në botë. Nëse një gjyqtar është në formë të mirë, atëherë është e drejtë të gjykojë më shpesh ndeshje të tilla”, sqaroi ish-arbitri zviceran Maier për gazetën gjermane “Focus”.

Zidane në dyshim!

Trajneri i Real Madridit, Zinedine Zidane ka thënë se nuk është i sigurt për të ardhmen e tij dhe se këtë do ta dijë pas finales së Milanos. Ai tha se, ai ende nuk ka fituar asgjë dhe po mendon vetëm si të përmbyllë sa më mirë këtë edicion. “Ne nuk kemi fituar asgjë dhe po mendojmë vetëm të japim maksimumin në ndeshjet e fundit. Ne kemi edhe tri ndeshje dhe duhet të koncentrohemi. Pas ndeshjes me Atleticon do të shihni se çfarë do të bëjmë”, tha Zidane gjatë konferencës për media. Ai po ashtu tregoi se, Cristiano Ronaldo do të luajë nesër kundër Valencias, ndërsa nuk është i sigurt për Casemiro dhe Benzeman.
Ndërsa ish-trajneri i Real madridit, hoze Mourinho thur lavde për Alvaro Arbeloan. Trajneri portugez ka lavdëruar mbrojtësin e Real Madridit, Alvaro Arbeloa, të cilin e ka vlerësuar, për punën, përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë që ka për skuadrën. Arbelo nesër do të luajë ndeshjen e tij të fundit në “Santiago Bernabeu”, skuadër të cilën e ka mbrojtur gjatë tërë karrierës brenda dhe jashtë fushës.
“Arbelo nuk është vetëm një lojtar për mua, ai është një shok. Ai është shembull pasion, profesionalizëm, për dashurinë ndaj skuadrës, dedikimin ndaj bashkëlojtarëve dhe për punë që bënë çdo ditë”, tha fillimisht Mourinho për “Marca”.
“Në histori të Realit ka dhe do të ketë lojtarë të mëdhenj. Arbeloa nuk është ndoshta njëri prej tyre, por ai padyshim që është njëri prej lojtarëve që ka dhënë gjithçka për skuadrën, bashkëlojtarët dhe tifozët”.
“Për Arbeloan, unë kam vetëm fjalë të mira. Për 16 vite si trajner, ai është njëri nga lojtarët më të rëndësishëm me të cilët kam punuar. Lojtar i mirë dhe person i jashtëzakonshëm”, tha në fund Mourinho.
Ndërkohë, trajneri i Barcelonës ka thënë se skuadra e tij qysh nesër mund të mbrojë titullin e La Ligas spanjolle. Barcelona është me pikë të barabarta me Atletico Madridin dhe një pikë më shumë se sa Real Madrid, por nëse këto dy skuadra mposhten nesër dhe Barcelona fiton kundër Espanyolit, atëherë ata do të bëheshin kampion edhe matematikisht. “Nesër (sot) është njëra prej mundësive për t’u shpallur kampionë. Të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Enrique gjatë konferencës për media. Kujtojmë se Barcelona do të ketë punë të vështirë nesër, kur në “Camp Nou” do të pres rivalin Espanyol.

Pjaniç do të jetë lojtar i Juventusit

Juventus duket se ka vendosur t’i bëjë trajnerit Massimiliano Alegri si dhuratë për rinovimin e kontratës, mefushorin Miralem Pjaniç. Drejtuesit e klubit torinez kanë vendosur boshnjakun e Romës në krye të listës së shpenzimeve në merkaton e kësaj vere dhe tashmë kanë hyrë në kontakt me Pjaniç për ta bindur atë që të transferohet në Torino.
Problemi qëndron në faktin se, Pjaniç ka në kontratën me Romën një klauzolë për zgjidhjen e saj prej 38 milionë eurosh, ndërkohë që ai vetë në shumë raste është shprehur se dëshiron që të qëndrojë te verdhekuqtë. Por klubi roman duhet të sistemojë bilancin financiar dhe për këtë arsye po merr në konsideratë ofertat që po vijnë për lojtarët më të rëndësishëm të saj prej saj siç është rasti i Nainggolan që kërkohet nga Chelsea, por që Spaletti kërkon ta mbajë në Itali.
Kështu që i sakrifikuari mund të bëhet Pjaniç. Një tjetër problem që mund të hasë Juventus në këtë pikë është edhe konkurrenca. Boshnjaku është vënë edhe në shënjestrën e Barcelonës e Bajernit dhe Roma sigurisht, në rast se do të vendosë ta shesë, do të preferojë ta transferojë atë në një klub jashtë Italisë.