26.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Pollo: Kthimi i ligjit për RTSH-në, thirrje për konsensus

Kryetari i Komisionit Parlamentar të Medias, Genc Pollo e cilësoi dje kthimin e ligjit për RTSH nga ana e Presidentit Nishani si një apel ndaj mazhorancës për konsensus me opozitën. Në një reagim për mediat, Pollo kujton se ka qenë vet Rama gjatë kohës kur ishte në opozitë që kërkonte një ligj konsensual për RTSH. “Do do doja të falenderoja Presidentin e Republikës i cili, duke dëgjuar zërin e opinionit publik, zërin e Unionit të Gazetarëve, zërin e 156 firmëtarëve të peticionit, zërin e Opozitës, si dhe së fundmi por jo për nga rëndësia, zërin e Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian në ushtrimin e duhur të kompetencës kushtetuese e ktheu në Kuvend për rishqyrtim  amendimin e njeanshëm të ligjit të Medias për Radio Televizionin Shqiptar. Do të përgëzoja Unionin e Gazetarëve dhe 156 reporterë e njerëz të penës që apeluan e nënshkruan peticionin ku kërkohej kthimi i ligjit në Kuvend dhe rivendosja e procedurës konsensuale për Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH. Do të falennderoja edhe Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian i cili të martën e javës së shkuar në rezolutën që miratoi për Shqipërinë shprehte shqetësim për amendimin e njeanshëm e apelonte për mënyrë konsensuale në emërimin e Drejtorin e Përgjithshëm të RTSH.  Të mos harrojmë se ishte PS e Ramës në opozitë që në vitin 2012 vuri si kusht për konsensusin ndaj këtij ligji shumicën e cilësuar në Këshill Drejtues të RTSH për emërimin e Drejtorit të Përgjithshëm. Mazhoranza e PD asokohe e pranoi kushtin e opozitës dhe e votoi kështu ligjin. Sot  mes dy kandidatëve të përzgjedhur nga Këshilli Drejtues, që të dy me jetë aktive politike në PS prej 25 vjetësh, si shenjë kompromisi e bashkëpunimi, anëtarët nga opozita përkrahin njërin prej tyre. Por jo detyrimisht mikun familjar të Edi Ramës. Ndryshimi i ligjit ad hominem, ishte veprim shumë i  gabuar i mazhorancës PS-LSI. Uroj që mazhoranca të reflektojë  e të mos votojë me nxitim e me inat për ligjin e RTSH” thekson Pollo në reagimin e tij.

Shpërthim në Paris, arsyet ende të paditura

Kryeqyteti i Francës, Parisi, është tronditur gjatë ditës së sotme nga një shpërthimi i ardhur si pasojë e një rrjedhje gazi.

Incidenti ka ndodhur në afërsi të qendrës së Parisit, teksa në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë autoambulanca dhe forca sigurie.

Ende nuk dihet nëse ka viktima apo të plagosur, por njoftohet se trupat zjarrfikëse kanë evakuuar banorët e zonës.

Incidenti për një moment riktheu edhe njëherë ethet e sulmeve terroriste, por ishin zyrtarët francezë të cilët komunikuan menjëherë se bëhej fjalë për një shpërthim të ardhur si pasojë e gazit natyror.

Autoritetet pritet që të dalin edhe më një komunikatë zyrtare për të dhënë më shumë detaje rreth shpërthimit.

Obama: Iranit do t’i duhet kohë që të integrohet në ekonominë botërore

Presidenti amerikan Barack Obama paralajmëroi sot se Iranit do t’i duhet kohë që të integrohet në ekonominë botërore ndërkohë që Teherani ankohet për procedurat e ngadalta të heqjes konkrete të sanksioneve ndërkombëtare pas marrëveshjes bërthamore.

“Do të duhet kohë që Irani të integrohet në ekonominë botërore, por Teherani ka filluar që tani të nxjerrë përfitime nga kjo marrëveshje historike me fuqitë e mëdha mbi programin e tij bërthamor”, deklaroi Obama gjatë një mbledhje me krerët e grupit “5+1”.

Në kuadër të një marrëveshje historike të nënshkruar në korrik 2015 mes fuqive të mëdha dhe Iranit mbi programin bërthamor, pjesa më e madhe e sanksionet ndërkombëtare duhej të ishte hequr me hyrjen në fuqi të kësaj marrëveshje në mes të janarit.

Borxhi i jashtëm bruto rritet me 9.2% në 2015

I gjithë borxhi i jashtëm i ekonomisë së vendit (publik dhe privat) u rrit gjatë vitit 2015 me 702 milionë euro ose 9.2 për qind. Banka e Shqipërisë, duke raportuar për zhvillimin e borxhin të jashtëm bruto, njoftoi se në fund të tremujorit të katërt të vitit 2015 vlera e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë ishte 7,630 milionë euro.
Vetëm gjatë tremujorit të fundit, stoku i borxhit u rrit me rreth 238 milionë euro, ndërsa në krahasim me fundin e tremujorit të katërt të vitit 2014, stoku është rritur me 702 milionë euro. Autoriteti Qendror Bankar raporton se, rreth 79% e stokut të borxhit të jashtëm është borxh afatgjatë kryesisht në formën e huave, ndërsa pjesa tjetër është borxh afatshkurtër kryesisht i marrë nga sektori bankar.
Sektori i qeverisë së përgjithshme zotëron pjesën kryesore të borxhit të jashtëm me rreth 43% të vlerës së përgjithshme. Pjesa tjetër është e shpërndarë midis bankave (17%), sektorëve të tjerë (17%), autoritetit monetar (1%) dhe si hua midis kompanive (22%).
Sektori me peshën më të madhe në stokun e borxhit të jashtëm mbetet sektori i qeverisë së përgjithshme. Në fund të periudhës, borxhi i jashtëm i këtij sektori ishte rreth 3,293 milionë euro ose rreth 24% më i lartë ndaj një viti më parë.
Rritja i dedikohet rritjes së stokut të huave afatgjata me rreth 504 milionë euro dhe emetimit të eurobondit, i cili solli një zgjerim të stokut me rreth 141 milionë euro. Borxhi i qeverisë së përgjithshme përbëhet nga huatë afatgjata, obligacionet dhe dëftesat. Huatë përfaqësohen nga huatë e tërhequra pas viteve ’90 dhe ato të riskeduluara, të cilat vazhdojnë të jenë të negociueshme midis palëve. Në fund të periudhës, huatë e riskeduluara përfaqësonin 1% të stokut të huave afatgjata të qeverisë së përgjithshme.
Stoku i borxhit të “Autoritetit Monetar” ose Bankës së Shqipërisë përbëhet nga huatë afatgjata të akorduara nga FMN-ja (10%), huatë afatgjata të garantuara nga qeveria e përgjithshme (12%) dhe alokimet e SDR-së (78%). Ky stok, në fund të periudhës shënoi rreth 76 milionë euro ose një zvogëlim me rreth 1% krahasuar me një vit më parë.
Në fund të periudhës, stoku i borxhit të jashtëm bruto të sistemit bankar shënoi rreth 1,281 milionë euro duke qenë 31 milionë euro më i lartë sesa një vit më parë. Rritja e stokut të borxhit të bankave ka ardhur kryesisht nga rritja e zërit “monedha dhe depozita” me 39 milionë euro. Përbërësit kryesorë të borxhit të bankave ishin “monedhat dhe depozitat” dhe “huatë”, të cilat përfaqësonin përkatësisht rreth 82% dhe 12% të borxhit total të bankave.
Stoku i borxhit të sektorëve të tjerë ishte 1,269 milionë euro, duke shënuar një zvogëlim prej 4% në krahasim me një vit më parë. Përbërësi i borxhit të jashtëm në formën e investime direkte – huave ndërkompani arriti nivelin prej 1,711 milionë euro, duke u rritur me 84 milionë euro në krahasim me një vit më parë.
Instrumenti me peshën më të lartë në stokun e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë është zëri “investime të tjera”, që përfaqësonte rreth 69% të stokut të borxhit në fund të periudhës. Brenda zërit të “investimeve të tjera” peshën kryesore me rreth 72% (ose 3,803 milionë euro) e zë borxhi në formën e huasë, i cili është rritur me 503 milionë euro krahasuar me një vit më parë. Po brenda këtij grupi, borxhi në formën e monedhave dhe depozitave ka shënuar rritje me 39 milionë euro, borxhi në formën e kredive tregtare është rritur me 3 milionë euro dhe zëri “të tjera” është rritur me 21 milionë euro, krahasuar me një vit më parë. Investimet e huaja direkte në formën e huave midis kompanive dhe investimet e portofolit, së bashku, përfaqësojnë rreth 31% të totalit të borxhit të jashtëm.
Borxhi në monedhën euro zë vendin kryesor në strukturën e borxhit të jashtëm bruto të Shqipërisë, me rreth 68% e vlerës së tij në fund të periudhës. Kjo përbërje ka lidhje me faktin se shumë prej huave të sektorëve të ndryshëm janë të denominuara në euro. Po në këtë monedhë janë edhe një pjesë e konsiderueshme e llogarive dhe depozitave të jorezidentëve në sistemin bankar si dhe e letrave me vlerë në formën e obligacioneve dhe dëftesave. Në borxhin e jashtëm bruto, stoku i borxhit në SDR zë rreth 13% të borxhit të jashtëm bruto, ai në dollar amerikan (USD) zë rreth 8% dhe ai në dollar kanadez (CAD) zë rreth 2%.
Nga vlera gjithsej e shërbimit të borxhit gjatë periudhës rreth 90% ka shkuar për shlyerje të kryegjësë (principalit) dhe rreth 10% ka shkuar për shlyerjen e interesave.
Në pagesat e principalit, pesha kryesore është mbajtur nga sektorët e tjerë, i cili ka paguar 40 milionë euro ose 37% të vlerës së përgjithshme të principalit të paguar nga ekonomia gjatë kësaj periudhe. Pagesat e interesit janë kryer në pjesën më të madhe nga qeveria e përgjithshme me rreth 10 milionë euro ose 78% të vlerës së përgjithshme të interesave të paguara.

Kriza, rritet numri i bizneseve që nuk paguajnë dot detyrimet

Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore ka ardhur në rritje. Duket se, mungesa e likuiditetit duket se është një ndër faktorët kryesorë, çka vihet re dhe në të dhënat më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë numri i madh i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet. Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore është 15502, nga 13 778 biznese që ishin në fund të muajit dhjetor. Sipas këtyre statistikave, kësaj “liste të zezë” gjatë muajve të fundit i janë shtuar mbi 1700 subjekte. Ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë, që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar. Që në fund të vitit 2013, ka ndryshuar rrënjësisht mënyra e administrimit tatimor, duke sjellë një forcim të procesit monitorues të të gjitha funksioneve të Administratës Tatimore si dhe procesi i administrimit të mbledhjes së borxhit tatimor. Kështu është pastruar regjistri i tatimpaguesve me mosdeklaruesit, duke ulur efektin e prodhimit të gjobave fiktive dhe të pambledhshme. Nga ky proces janë kaluar në regjistrin pasiv më shumë se 8.000 tatimpagues, kryesisht subjekte të biznesit të vogël, të cilët kishin mbi 10 vjet që nuk deklaronin. Evidentimi i tatimpaguesve, të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik.

Tregu i sigurimeve rënie me 14% në janar

Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për muajin janar 2016 kapën vlerën mbi 1,021 milionë lekë, ose 13.85% më pak se në muajin janar 2015. Gjatë muajit janar 2016, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 72,134 me një ulje prej 3.05% krahasuar me muajin janar 2015. Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.94% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 9.06%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.31% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.69% të totalit të tregut. Gjatë muajit janar 2016, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 260 milionë lekë, ose 18.72% më shumë se në muajin janar 2015. Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë muajit janar 2016, arritën rreth 610 milionë lekë, ose 7.50% më pak se në muajin janar 2015. Produkti MTPL e brendshme, në muajin janar 2016, pati një ulje prej 10.10% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një ulje të numrit të kontratave prej 9.36% krahasuar me muajin janar 2015. Produkti Sigurim Kufitar në muajin janar 2016 pati një ulje prej 24.04% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje e numrit të kontratave prej 12.95% krahasuar me muajin janar 2015. Produkti Karton Jeshil, në muajin janar 2016, pati një rritje me 10.41% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me muajin janar 2015. Po kështu edhe numri i kontratave u rrit me 15.93%. Primet e sigurimit vullnetar, gjatë muajit janar 2016 arritën mbi 412 milionë lekë, 20.43% më pak se në muajin janar 2015. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u rrit me 0.14% krahasuar me muajin janar 2015. Sigurimet vullnetare të Jo-Jetës gjatë muajit janar 2016, patën ulje me 25.23% kundrejt muajit janar 2015. Në portofolet e pronës, përgjegjësive, garancive, të cilat gjatë muajit janar 2016 siguruan mbi 153 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 57.48%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësive të përgjithshme civile me 30.81% të totalit. Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë muajit janar 2016, vihet re një ulje prej 64.23% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një ulje me 2.42% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me muajin janar 2015. Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë muajit janar 2016, arritën në rreth 106 milionë lekë, duke shënuar rritje prej 6.09% në krahasim me muajin janar 2015. Primet nga sigurimet e Jetës gjatë muajit janar 2016, arritën rreth 93 milionë lekë, ose 2.13% më shumë se në muajin janar 2015. Pagesat e dëmeve gjatë muajit janar 2016 u rritën me 18.72% krahasuar me muajin janar 2015. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 157 milionë lekë, apo 60.51% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Kuvendi: Menaxhimi i ujësjellësve i përkeqësuar, rritja e tarifave pa ndikim

Kuvendi i Shqipërisë konstaton se në vitin 2015 të treguesit kryesorë të performancës në sektorin Ujësjellës kanalizime nuk kanë shënuar progres dhe shoqëritë nuk kanë bërë përpjekjet e duhura për të arritur objektivat. Vlerësimi negativ i Kuvendit për menaxhimin e ndërmarrjeve të ujësjellësve ka ardhur pas shqyrtimit të veprimtarisë së Entit Rregullator të Ujit për vitin që kaloi.

Kuvendi ka vënë në dukje se shoqëritë të cilave ju është miratuar ndryshimi i tarifave, përgjithësisht nuk kanë arritur objektivat e përcaktuara për Treguesit Kryesorë të Performancës (TKP). Megjithë marrëveshjen e mirëkuptimit te nënshkruar në 2014 mes ERRU-së, Ministrisë së Shëndetësisë dhe institutit të Shëndetit Publik, mbi cilësinë e ujit të pijshëm, monitorimi dhe raportimi i cilësisë së ujit të pijshëm nuk është arritur, referon Kuvendi në projektrezoluten drejtuar Entit Rregullator të Ujit.

Shlyerja e detyrimeve të operatorëve UK ndaj ERRU-së është përkeqësuar krahasuar me një vit ë parë, ndërsa niveli i mbulimit të kostove dhe tendenca e këtij treguesi, krahasuar me një vit më parë, nuk është pozitive, vlerëson Kuvendi. Më tej konstatohet se, mbulimi i kostove vetëm përmes rritjes së tarifave dhe pa një përmirësim të perfomancës ka sjellë efekte negative me ndikim të drejtpërdrejtë tek konsumatorët

Mungesa e furnizimit të vazhdueshëm vijon të mbetet problem shqetësues, duke ndikuar edhe në cilësinë e ujit. Për të përmirësuar situatë Kuvendi i sugjeron ERU-së që për vitin 2016 të tregohet më efikase dhe më e kujdesshme në politikën e miratimit të rritjes së tarifave duke e parë atë të lidhur ngushtë me rritjen e performacës së operatorëve, uljes së shpenzimeve, rritjen e efikasitetit menaxhues dhe përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorit.

Në veprimtarinë e saj të synojë një analizё individuale të operatorëve në lidhje me objektivat e vënë, duke u fokusuar në elementët problematike të tyre dhe sugjeruar zgjidhje të mundshme. “Duke patur parasysh qe humbjet menaxheriale te ujit janë nё nivele pothuajse tё njëjta me ato teknike, nëpërmjet instrumenteve dhe strategjive rregulluese ERU duhet të kërkoje nga shoqëritë UK një menaxhim më të mirë të shërbimit të furnizimit me ujë” sugjeron Kuvendi. Përmes politikave të licencimit e atyre tarifore, Kuvendi i sugjeron ERU, të kërkoje nga shoqëritë UK hartimin e planeve të biznesit ku në fokus të veçantë të jenë investimet në zonat e pambuluara me shërbime UK, në mënyrë që në të gjithë territorin të ofrohet shërbim i rregulluar e me standarde të njëjta.

Rinasi, miliona euro shtesë për klauzolën e monopolit

“BIRN”

 

Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës deklaroi dje se ka arritur një marrëveshje në parim me kompaninë që disponon koncesionin monopolistik të aeroportit ndërkombëtar të Tiranës për të hequr klauzolën e “ekskluzivitetit” në shkëmbim të zgjatjes së afatit të kontratës aktuale të koncesionit.

Ministri Edmond Haxhinasto deklaroi se kompania ka pranuar të heqë dorë nga monopoli me kushtin që kontrata e saj të zgjatet për dy vjet menjëherë si kompensim për uljen e mundshme të të ardhurave nga fillimi i punës në Aeroportin e Kukësit, si dhe me shtimin e afatit të kontratës me 0.5 vite për çdo vit pune që do të kryejë një aeroport i ri i mundshëm në jug të Shqipërisë.

“Është ditë e rëndësishme për aviacionin shqiptar, po hapim një faqe e re të zhvillimit të infrastrukturës. Besoj që qytetarët do të përfitojnë nga kjo marrëveshje e re”, deklaroi Haxhinasto, i cili theksoi se marrëveshja nuk do të ketë “kosto shtesë për shtetin shqiptar”.

Gjithsesi, zgjatja e kontratës së koncesionit më tej nënkupton njëkohësisht zgjatjen e kostove për konsumatorët shqiptarë, kosto që në një situatë normale nuk do të ekzistonin.

Qeveria socialiste shqiptare nënshkroi një kontratë koncesioni të pakërkuar në vitin 2004 me një kompani gjermane për zhvillimin dhe menaxhimin e Aeroportit të Rinasit për një afat 20-vjeçar, kontratë që u kritikua që gjatë kohës së shqyrtimit në Kuvendin e Shqipërisë si e pafavorshme për vendin, pasi i lejonte kompanisë koncesionare fitime të stërmëdha në kurriz të konsumatorëve më të varfër të Europës dhe që përcaktonte një monopol ligjor 20-vjeçar në tregun shqiptar të fluturimeve ndërkombëtare. Kontrata skadon në vitin 2025 sipas afatit aktual dhe mund të shtyhet deri pas vitit 2027 në rast se marrëveshja e arritur miratohet në Kuvendin e Shqipërisë.

Por pavarësisht kritikave, qeveria e kohës përdori shumicën që kishte në Parlament për ta miratuar kontratën dhe nuk mori parasysh kritikat që thoshin se një aeroport tjetër që në atë kohë qe duke përfunduar me kosto ndërtimi mbi 12 milionë dollarë, Aeroporti i Kukësit, po dënohej me vdekje që pa lindur për shkak të klauzolës së ekskluzivitetit.

Qeveria shqiptare e kuptoi shpejt problemin dhe tentoi disa herë që nga viti 2006 e pas që të negocionte heqjen e klauzolës së ekskluzivitetit, por pa sukses. Aeroporti i Rinasit përfitoi nga rritja e shpejtë e numrit të udhëtarëve, si dhe nga tarifat e majme që pati përfituar gjatë negocimit të kontratës duke realizuar fitime marramendëse në vendin më të varfër të Europës. Një investigim i mëparshëm i “BIRN” zbuloi se Rinasi kishte fitime neto prej 8 deri në 10 milionë euro në vit dhe normë fitimi neto mbi të ardhurat prej 20-30 për qind, norma fitimi të lakmueshme këto për çfarëdolloj biznesi. Shtyrja e afatit me dy vjet ia rrit automatikisht faturën e koncesionit qeverisë shqiptare me 16-20 milionë euro të tjera. Ndërkohë, nëse qeveria shqiptare krijon një aeroport të ri në jug të vendit, aeroport që rezulton i domosdoshëm dhe financiarisht i përballueshëm për një vend që synon të zhvillojë turizmin, shtimi i afatit të koncesionit me 0.5 vite për çdo vit ekzistence të aeroportit të ri mund të kushtojë miliona euro të tjera.

 

Kukësi, në vend të gabuar

Aeroporti i Kukësit u ndërtua në vitin 2004 me synimin për të shërbyer pjesërisht për tregun e Kosovës, në një kohë kur Aeroporti i Prishtinës kishte një kapacitet përpunues të ulët. Aeroporti, i cili kushtoi 12 milionë dollarë, mbeti i ngrirë për më shumë se një dekadë. Qeveri të ndryshme u përpoqën ta përdorin për reklama elektorale aeroportin e ri në prag zgjedhjesh, duke premtuar vende pune në zonën e Kukësit, rajoni më i varfër në Shqipëri. Në vitin 2009, mazhoranca e kohës menaxhoi edhe uljen e një avioni në formë prove në Kukës si pjesë e fushatës elektorale. Në zgjedhjet e fundit për pushtetin vendor në vitin 2015, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë deklaroi në Kukës se aeroporti i ri mund të “punësojë 500-700 vetë”, një deklaratë që u përqesh nga ekspertët, të cilët thanë se Aeroporti i Rinasit punëson aktualisht po kaq njerëz. Ministri Haxhinasto deklaroi dje se aeroporti i ri mund të hapë “rreth 200 vende të reja pune”.

Gjithsesi, ekspertët mendojnë se ndryshimet e ndodhura përgjatë këtyre 10 vjetëve e bëjnë Aeroportin e Kukësit “të ndërtuar në vend të gabuar” dhe me pak gjasa për t’u zhvilluar, pavarësisht se kostot e shërbimit për avionët mund të jenë shumë më të ulëta se sa ato të Rinasit. Që nga koha kur Kukësi është ndërtuar si aeroport, një autostradë e re lidh Tiranën me Kukësin me një udhëtim prej dy orësh, nga tetë orë që qe koha e udhëtimit në kohën kur aeroporti u ndërtua. Gjithashtu, tregu i Kosovës ka pësuar ndryshime pasi Aeroporti i Prishtinës është zhvilluar duke rritur kapacitetet.

Përgjatë viteve, ekspertë të ndryshëm kanë sugjeruar që ekskluziviteti i Aeroportit të Rinasit të hiqej duke e sulmuar këtë klauzolë në kontratën e koncesionit në bazë të ligjit për konkurrencën. Në të gjitha vendet e zhvilluara, posedimi i një monopoli ligjor është i paligjshëm dhe qeveria mund të luftonte ekskluzivitetin në bazë të ligjit kundër monopoleve. Por në vend të kësaj, qeveria hyri në bisedime dhe pranoi zgjatjen e kontratës së koncesionit.

Monopoli aktual konsiderohet si shkaku i një pjese jo të vogël të çmimeve të larta të biletave të fluturimeve ajrore në Shqipëri, të cilat janë krahasimisht shumë më të larta se sa fluturimet drejt vendeve fqinje, duke u bërë një ankesë permanente e operatorëve turistikë.

UEFA analizon Shqipërinë

Faqja zyrtare e UEFA-s i kushton Shqipërisë një shkrim të detajuar, të bazuar në dy ndeshjet miqësore të kuqezinjve kundër Austrisë dhe Luksemburgut. Në fillim të shkrimit, UEFA i kushton një hapësirë të madhe ndeshjes me Austrinë në “Ernst Happel Stadium” dhe më pas përqendrohet te transferta e Luksemburgut ku Shqipëria triumfoi 2-0. UEFA veçon faktin që stadiumi “Josy Barthel” u pushtua nga rreth 3 mijë tifozë kuqezi, të cilët mbështetën Shqipërinë gjatë gjithë 90 minutëshit.

Në vijim, analiza përqendrohet te fakti që në të dyja miqësoret, Shqipëria u zhbllokua në pjesën e tretë të dy ndeshjeve, ndërsa shton se formacioni që De Biasi ka në kokë për Europianin nuk është ende i qartë. Sipas UEFA-s, përveç Etrit Berishës që e ka vendin të sigurt në katërkëndësh, pjesa tjetër janë në pikëpyetje dhe këtë e treguan 2 miqësoret, ku trajneri italian zgjodhi dy formacione të ndryshme, duke mos dhënë pika referimi.

“Në të dyja takimet, Shqipëria e përmirësoi lojën në pjesën e dytë me 3 gola të shënuar në total”. Një nga pikëpyetjet më të mëdha që UEFA ngre është edhe ajo që lidhet me Milot Rashicën. “Pas debutimit që playmeakeri i Vitesses bëri të martën, a do të jetë ai një emër i së ardhmes rreth të cilit do të ndërtohet ekipi?

Nëse një gjë e tillë nuk ndodh gjatë kësaj vere, është e sigurt se do të ndodhë në të ardhmen”, nënvizon UEFA që shton se në repartin e avancuar, Cikalleshi duket se është preferenca kryesore pas 90 minutave të luajtura në Luksemburg. Një pyetje UEFA e ngre edhe për repartin e mbrojtjes, duke u bazuar në dy golat e pësuar në Austri. “Shqipëria duket e brishtë, kur skuadra kundërshtare e vendos nën presion. Kontrolli i topit është një problem për këtë skuadër që mesatarisht gjatë eliminatoreve e ka pasur kontrollin e lojës në masën 45%. Pasimet në total janë 1886, më pak se çdo finalist, por kjo edhe për faktin se, Shqipëria bënte pjesë në një grup me 5 skuadra”, vë në dukje UEFA.

 

De Biasi drejt Italisë

Gianni de Biasi braktis Shqipërinë në prag të Europianit të “Francë 2016”. Mediat italiane kanë publikuar disa foto të një takimi sekret të trajnerit me drejtues të Federatës Italiane të Futbollit, pranë zyrave të institucionit. Në fakt emri i De Biasit prej kohësh përflitej si pasuesi i Antonio Contes te të Kaltërit, por tashmë gjithçka është konfirmuar dhe pritet vetëm zyrtarizimi, që po sipas mediave të vendit fqinj, do të ndodhë në pasditen e sotme.

Ky lajm është një goditje e madhe për Kombëtaren Shqiptare, që pas kualifikimit historik në Europian, tashmë duhet të mendojë urgjentisht për pasuesin e 59-vjeçarit. Emrat që mendon Federata Shqiptare janë ato të Besnik Hasit, i cili është drejt largimit nga Anderlecht si dhe ai i Igli Tares, Drejtor Sportiv te Lazio. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i disa prej lojëtarëve të Kombëtares Kuqezi, të cilët janë shokuar nga ky lajm, duke mos e kuptuar arsyen e këtij vendimi nga ana e De Biasit.

Fitore ndaj Empolit

Duhet një fitore ndaj Empolit, për të shkuar, për të paktën një natë me një diferencë prej 6 pikësh nga Napoli. Juventusi kryesues riniset pas pauzës së ndeshjeve kombëtare me një objektiv të qartë, me trajneri Massimiliano Alegri që dha informacione të rëndësishme edhe për sa i përket gjendjes së grupit në prag të sfidës me skuadrën toskane.

“Dybala me siguri nuk do të jetë në ndeshje. Chiellini është rikuperuar dhe të tjerët janë mjaft mirë. Do të vlerësoj gjendjen e secilit para se të vendos. Marchisio është goxha mirë, po fillon të punojë me skuadrën dhe mund të jetë në dispozicion. Që sot fillon një mini kampionat prej 8 ndeshjesh, kemi 3 pikë avantazh dhe duhet ta ruajmë këtë avantazh, e ndoshta edhe ta rrisim”, u shpreh Alegri.

Alegri nuk i zë besë kundërshtarit të radhës, ndërsa për rivalitetin me Napolin e di se nuk mund të gabojë me të kaltërit të gatshëm për të përfituar. “Me Empolin do të jetë një ndeshje e komplikuar, ata nuk kanë asgjë për të humbur. Tani e tutje kemi 5 ndeshje në shtëpi, dhe Napoli nuk do të dorëzohet. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të fitojmë. Këtë të shtunë nuk duhet të gabojmë për sa i përket frymës me të cilën do të futemi në fushë. Motivimi ka shumë rëndësi. Kampionatin e luajmë në shtëpi”, tha ai. Në fund dy fjalë edhe për të ardhmen me tij, me Alegrin që ndërsa u pyet për kontratën u përgjigj, “Mos kini frikë, unë nuk arratisem kurrë”.

Në moshën 38-vjeçare, Gianluigi Buffon po përjeton një rini të dytë. Një garanci për Juventusin dhe për përfaqësuesen italiane. Megjithatë, i vetëdijshëm se koha nuk është më në krahun e tij, portieri e ka të qartë projektin për të ardhmen. Edhe dy vjet në fushat e lojës, për t’u tërhequr më pas nga futbolli i luajtur. Numri 1 bardhezi zbuloi gjithçka rreth planeve të tij. “Pas këtij viti do të luaj edhe për dy sezone të tjerë dhe më pas do të tërhiqem. Nuk dua të luaj pas të 40-ve. Por, synoj që edhe në moshën 40-vjeçare, të paraqitem në fushë njësoj si tani”, tha Bufon.

Në momentin kur do të vendosë të varë dorezat në gozhdë, Buffon e ka të qartë se çfarë do të bëjë dhe futbolli pritet të mbetet një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. “Kam fituar shumë eksperiencë nga karriera ime, por nuk dëshiroj që të bëhem trajner. Më pëlqen më tepër roli i seleksionuesit, një detyrë si trajner i një ekipi Kombëtar. Jam ambicioz. Nëse e nis një punë, qëllimi është të arrij gjithmonë lart. Pa këtë karakteristikë nuk do të isha më i gjallë”, tha ai.

Gardiani duket se i ka përcaktuar destinacionet e ardhshme, ndërsa pranon se për aq kohë sa do të luajë, do të mbrojë vetëm ngjyrat e Juventusit. “Do të shkoja në vende si Shtetet e Bashkuara apo Kina, që kanë popullsi të madhe dhe shumë potencial. Pas një dekade këto shtete mund të realizojnë gjëra të rëndësishme. Por, për aq kohë sa do të luaj, do të qëndroj te Juventusi, edhe nëse dikush tjetër më ofron dyfishin e rrogës. Krenohem që jam pjesë e këtij klubi dhe ajo që ka më tepër rëndësi janë vlerat, të cilat sot duken disi jashtë mode”, tha portieri i Juves.