25.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Gusht, 2025

Alegri rinovon me Juven deri në vitin 2018

Massimiliano Alegri ka rinovuar kontratën e tij me Juventusin deri në vitin 2018. Nga 3.5 milionë euro që fitonte, tashmë paga e tij do të jetë 5 milionë euro në sezon. Në këtë mënyrë, Alegri do të bëhet trajneri më i paguar në Serinë A, duke kaluar në renditje Roberto Mançinin e Interit (4 milionë). “Zonja e Vjetër” e dha lajmin nëpërmjet një komunikate zyrtare ku lexohej: “Alegri plotësoi 5-vjeçarin tonë të triumfeve me dy kampionate radhazi, një Kupë Italie, një Superkupë Italie dhe duke rikthyer klubin tonë mes më të mirëve të Europës”.
Ndërsa vetë trajneri tha se, ndihet krenar që punon në një klub si ai bardhezi. “Është një sfidë e madhe të stërvisësh Juventusin dhe një përgjegjësi e madhe gjithashtu. Viti i ardhshëm do të jetë edhe më stimulues. Skuadra duhet të përmirësohet në ndërtimin e lojës dhe në të pasurit e një ambicieje të madhe, përtej pritshmërive. Kemi detyrën të luajmë si të barabartë në Champions me më të mëdhenjtë”, tha Alegri.

Bayern kampion për të 4-tin vit radhazi

Në Gjermani ka vetëm një skuadër dhe ajo është Bayern Munich. Për të 4-tin vit radhazi dhe si asnjëherë më parë në historinë Bundesligës, Meisterschale është sërish e bavarezëve që në “AudiSport Park” të Ingolstadit zyrtarizuan fitimin e titullit kampion pas suksesit 1-2 ndaj skuadrës vendase. Një triumf mëse i merituar ky për Bayernin që në këtë sezon dominoi kampionatin gjerman nga fillimi në fund. Për të arritur te titulli i 26-të kampion në historinë e tij, Bayerni i Guardiolës grumbulloi 85 pikë në 33 javë. 27 fitore, 4 barazime dhe 2 humbje me një goleavarazh 77-16, ishin këto statistikat e frikshme të bavarezëve në Bundesligë. Fitorja e Bayernit në derbin ndaj Ingolstadit u shoqërua edhe me humbjen e Dortmundit në Frankfurt, por kjo pak rëndësi kishte, sepse skuadrës së Guardiolës i mjafonte të fitonte ndeshjen e saj për t’u shpallur edhe matematikisht kampione e Gjermanisë.
Në fund të një sfide në të cilën Bayerni, hasi shumë vështirësi festa ishte e gjitha për baverezët që festuan me tifozët e tyre fitimin e titullit të 4-t radhazi në Bundesligë. Me bluza me mbishkrimin “ForEver”, që tregonin se 4 titujt radhazi të fituar nga Bayerni do të mbahen gjithmonë mend në historinë e futbollit gjerman, Thomas Muller me shokë festuan një tjetër kampionat me këtë të fundit që me thirrjet e tij u mundua të ekzaltonte në maksimum tifozët e Bayernit që ishin të pranishëm në stadiumin e Ingolstadit.
Ky ishte titulli i tretë për trajnerin Pep Guardiola që në fund të këtij sezoni do të largohet nga Bayerni, ndërsa i pari për Arturo Vidal, Douglas Costën dhe Kingsley Coman. 29 gola ka realizuar Robert Lewandowski në këtë kampionat me sulmuesin polak që është njëkohësisht edhe golashënuesi më i mirë i Bundesligës, ndërkohë që vlerë të jashtëzakonshme për Bayernin kanë patur edhe 20 finalizimet e Thomas Muller. Ndaj Ingolstadit, mjaftuan dy finalizimet e Lewandowskit për t’i dhënë fitoren e radhës Bayern-it, ndërsa për vendasit shënoi Hartmann nga pika e bardhë e penalltisë.

Gundogan humbet Europianin e Francës

Përfundon Bundesliga, por mbi të gjitha humbet edhe Europianin e Francës. Mesfushori i Borussia Dortmund, Ilkay Gundogan, ka pësuar një dëmtim në gju gjatë seancës stërvitore dhe do t’i duhet të qëndrojë disa kohë jashtë fushës së lojës, sipas të dhënave nga analizat mjekësore. Për lojtarin gjerman me origjinë turke, bëhet fjalë për një tjetër dëmtim të rëndë, pas atij të pësuar 2 vite më parë, ku nuk arriti të marrë pjesë në Botërorin e Brazilit.

Verratti, lamtumirë Euro 2016, mesfushori do të operohet

Brenda pak ditësh, Kombëtarja e Italisë merr goditjen e dytë të madhe në prag të europianit. Pas Claudio Marchisios, evenimentin e Francës do ta humbasë edhe mesfushori tjetër, Marco Verrati. Lojtari i Paris Saint Germain do të operohet në 16 maj në Doha për të zgjidhur përfundimisht problemet muskulare. Lajmin e konfirmon vetë lojtari i tij në profilin e rrjetit social, Instagram. “Deri në fund shpresova që të isha pjesë e një kompeticioni të tillë kaq të rëndësishëm për të ndihmuar shokët e mi që të arrinim objektivat e vendosur, por për fat të keq nuk ia dola. Pas pak ditësh do t’i nënshtrohem ndërhyrjes kirurgjikale.
U uroj shumë fat shokëve të skuadrës që do të jetojnë një eksperiencë fantastike dhe një verë magjike ashtu si të gjithë italianët”, thekson Verrati në postimin e tij. Në këtë pikë, Conte duhet të zgjedhë mes listës së emrave ku renditen Soriano, Montolivo, De Rossi, Bernardeschi dhe Jorginho, por nuk ka lënë jashtë vëmendjes as Pirlon dhe të rinjtë Baselli e Sturaro. Momentalisht, lojtarët që e kanë të sigurt vendin në Kombëtaren e Kaltër janë Parolo, Candreva, Thiago Motta, Florenzi dhe Giaccherini.

Khedira rrezikon finalen e Kupës së Italisë

Lajme aspak të mira nga infermieria për Juventusin dhe Massimiliano Alegrin. Mesfushori Sami Khedira nuk është stërvitur me skuadrën për shkak të një problemi në pulpën me këmbës së majtë. 29-vjeçari iu nënshtrua testeve mjekësore, të cilat evidentuan dëmtimin e shkallës së parë. Gjermani nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit për ndeshjet e mbetura në kampionat, por gjithashtu rrezikon edhe pjesëmarrjen në finalen e Kupës së Italisë. Megjithatë Khedira do t’i nënshtrohet të tjerave analizave ditët në vijim për të parë ecurinë e riaftësimit.

Milani në udhëkryq

Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, ka zgjedhur një videomesazh për t’i folur miliona tifozëve kuqezi në mbarë botën. Italiani, gjatë fjalës së tij, në profilin zyrtar në “Facebook” tha: “Një përshëndetje e ngrohtë për të gjithë tifozët e Milanit. Unë e kam Milanin në zemër si ju të gjithë, ndoshta edhe pak më shumë, duke konsideruar faktin se kam shpenzuar 1 miliard gjatë presidencës sime për të përforcuar skuadrën. Vetëm në sezonin e fundit investova 152 milionë euro”, tha “Kavalieri” fillimisht.
Më tej ai shtoi: “Mirëpo, të gjithë duhet të pajtohemi me faktin se, Milani ka luajtur keq gjatë sezonit dhe kjo është arsyeja pse mora guximin për të ndryshuar gjatë vitit drejtimin teknik, me objektivin që të shkojmë në finalen e Kupës së Italisë kundër Juventusit me më shumë shpresë për të fituar. Në fakt, më duket se diçka ka ndryshuar nga pikëpamja e lojës. Në shtëpi kishim një trajner si Broki, i cili bëri një punë të shkëlqyer me të rinjtë. I kërkova që të bënte diçka të guximshme dhe me guxim më tha ‘po’. Ai është njeri serioz dhe e njeh shumë mirë stilin Milan, pasi bën pjesë në këtë klub qysh në moshë të vogël”.
Berluskoni është rreshtuar në krah të trajnerit të ri: “Broki kishte shumë pak kohë në dispozicion për të ndërhyrë te lojtarët dhe skemat e lojës. Kemi qenë edhe të pafat në ndeshjet e fundit, si për shembull kundër Veronës, ku u mundëm nga një penallti dhe një goditje dënimi që nuk ishin. Ta lëmë Brokin të qetë të punojë deri më 21 maj, më pas do të vendosim se çfarë do të bëjmë. Sakaq, dua të them se pas 30 vitesh shampanjë dhe haviar mund edhe të durojmë me elegancë një moment të tillë, i cili është vetëm kalimtar”.
Në fund, presidenti foli edhe për të ardhmen e klubit: “Atyre që më ftojnë që të shes Milanin i përgjigjem: Kam një vit që po mundohem, mirëpo dua që klubin ta lë në duar të sigurta në mënyrë që ata që do të vijnë t’i garantojnë një të ardhme prej protagonisti. Preferoj në duar të italianëve. Pres çdo sugjerim. Një përqafim nga presidenti më fitues i historisë së futbollit të klubeve”.
Ndërkohë, administratori i Milanit, Adriano Galiani, është vënë në kërkim të një trajneri të ri. Galiani ka qenë në Madrid për të parë nga afër trajnerin kilian i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini. Në fund të sezonit, strategu kilian do të lërë stolin e britanikëve, teksa siç është bërë e ditur më herët do të zëvendësohet nga Pep Guardiola. Pelegrini ka deklaruar dy ditë më parë se preferon të drejtojë një ekip të Serisë A, duke lëshuar kështu sinjalet e para. Sinjale që kanë mbërritur në veshin e Galianit, i cili ka fluturuar drejt Madridit për të takuar trajnerin e skuadrës së Sitit që pas 30 qershorit do të jetë pa skuadër.

Copa America, Dunga lë yjet jashtë Brazilit

Do të jetë një Brazil, pa shumë yje ai që do të marrë pjesë në Copa America Centenario, kompeticion, i cili do të zhvillohet muajin e ardhshëm  në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Trajneri i Selecaos Carlos Dunga bëri publike listën përfundimtare të 23 futbollistëve që do të përfaqësojnë 5-herë kampionët e Botës në këtë edicion special të Kupës së Amerikës që zhvillohet me rastin e 100-vjetorit të këtij turneu. Në përzgjedhjet e Dungës bien në sy mungesat e emrave të mëdhenj si Neymar Jr, Thiago Silva, David Luiz, Marcelo apo edhe Kaka.
Nëse për sulmuesin e Barcelonës dihej mungesa e tij, pasi Neymar do të jetë pjesë e Brazilit në Olimpiadën e Rios, duken me të vërtetë të çuditshme zgjedhjet e Dungës për të lënë jashtë dy mbrojtësit e Paris Saint Germain, si dhe anësorit e Realit të Madridit. Thiago Silva në fakt nuk grumbullohet prej kohësh në kombëtare, pasi Dunga fajëson ende për atë eliminimin ndaj Paraguait në edicionin e kaluar të Copa America që u zhvillua në Kili, me ish-kapitenin që në atë sfidë preku topin me dorë brenda zone, duke shkaktuar penalltinë që solli barazimin e Paraguait, me këta të fundit që e fituan më pas ndeshjen pas goditjes së 11-metërshave.
Në portë emri më i rëndësishëm i grumbulluar nga Dunga është ai i Diego Alves të Valencias, ndërkohë që prapavija e Selecaos në këtë kompeticion do të udhëhiqet nga Joao Miranda i Interit, por edhe Dani Alves e Filipe Luis. Në mesfushë futbollistët me më shumë peshë janë Luiz Gustavo, Coutinho, Casemiro, Douglas Costa dhe Willian, ndërsa në sulm Hulk dhe Ricardo Oliveira. Në këtë edicion të Copa America, Brazili bën pjesë në të njëjtin grup me Ecuardorin, Perunë dhe Haitin.

Arteta te City, mundësi reale

Mikel Arteta sezonin e ardhshëm mund të veshë fanellen e Manchester City. Trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger deklaroi se transferimi i mesfushorit te Citizens gjatë merkatos së verës është një mundësi reale. Francezi pohoi se kontrata e 34-vjeçarit skadon në fund të sezonit dhe nuk i mbetet gjë tjetër veçse ta falenderojë si lojtar, por edhe si lider. Wenger tha se Arteta është i lirë të bëjë çfarë të dojë edhe pse ndoshta do t’i duhet pak më shumë kohë për të marrë vendimin përfundimtar.

Tare, lamtumirë Lazio!

Revolucioni në radhët e Lazios pas një sezoni të dështuar mund të prekë edhe nivelet më të larta drejtuese. Drejtori Sportiv, Igli Tare mund t’i japë lamtumirën klubit bardhekaltër pas disa viteve bashkëpunim me presidentin Claudio Lotito. Lajmin e bën të ditur e gazeta italiane “Il Messaggero”, sipas së cilës, ish-sulmuesi shqiptar nuk është më në planet e presidencës. Emri që mund ta zëvendësojë Taren në këtë detyrë është ai i ish-lojtarit të Lazios, Pasqualino Foggia.
“Gazzetta Dello Sport” i cilëson një hapësirë të veçantë këtij zhvillimi, por ky mbetet një lajm ende i pakonfirmuar nga klubi kryeqytetas. Foggia pritet të marrë detyrën e drejtorit sportiv të Salernitanës brenda ditëve të ardhshme dhe më pas kjo eksperiencë mund t’i shërbejë për të rivalizuar drejtuesin shqiptar të Lazios. Gjatë viteve të fundit, 42-vjeçari shqiptar ka arritur të bëhet një nga figurat kryesore të klubit italian, pasi ka drejtuar merkaton, duke afruar në Romë shumë lojtarë të njohur të arenës botërore.

Meha do të bashkohet me Al Nasr

Alban Meha e ka vendosur të ardhmen e tij. Mesfushori shqiptar i Konyasporit do të largohet nga skuadra turke në fund të sezonit, për të nisur një aventurë të re me ASl Nasr në Arabinë Saudite. Me 5 gola dhe 5 asiste gjatë këtij sezoni, Meha konsiderohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës turke, por ai ka vendosur të nisë një eksperiencë të re, duke mos pranuar kontratën e re edhe pse drejtuesit e Konyaspor i premtuan rritje të ndjeshme page. Sipas gazetës turke “Milliyet”, ekipi nga Gadishulli Arabik e ka bindur mesfushorin shqiptar të nënshkruajë në fund të këtij sezoni.
Sipas mediave turke, Meha do të përfitojë një pagë tre herë më të madhe se ajo që arkëton aktualisht te Konyaspor. 30-vjeçari i lindur në Mitrovicë do ta hedhë firmën pas disa javësh. Ai e ka nisur karrierën si profesionist në radhët e skuadrës së dytë të Stuttgartit. Ai u transferua në Turqi gjatë vitit 2015 pas 4 sezoneve në radhët e Paderbornit. Al Nasr është një nga klubet më të njohur në Arabinë Saudite me 8 tituj të fituar, i fundit në vitin 2015.