Edi Rama gënjeu dje Europën dhe përfaqësuesin e saj të lartë sy për sy, kur tha se do të kërkojë interpretim në Gjykatën Kushtetuese, në lidhje me mandatet e deputetëve të tij, të kapur në shkelje të ligjit themelor.
Deputeti demokrat, Eduard Halimi në një reagim për mediat e cilësoi të turpshëm mashtrimin publik të Ramës në një kohë kur ai ka bllokuar mandatet e deputetëve që kanë përfituar para publike në kundërshtim me ligjin e nuk lejon dërgimin e tyre në gjaktën Kushtetuese.
“Ky është një mashtrim i turpshëm sepse vetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese që ai refuzon ta zbatojë është interpretimi i qartë dhe detyrues i Kushtetutës. Të kërkosh interpretimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese është përqeshje, tallje dhe dhunim i hapur i detyrimit kushtetues për ta zbatuar atë”, tha Halimi.
Më pas, Halimi citoi konkretisht se si është shprehur Gjykata Kushtetuese në rastin e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. Ja çfarë thotë Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj që Rama refuzon ta zbatojë: “30. Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t`ia nënshtrojë atë debatit parlamentar… Kuvendi në këto raste nuk mund t`i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutëbërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese… Vlerësimi i meritës së çështjes, pra nëse me veprimet e tij deputeti ka shkelur ndalimin kushtetues të pikës 3, të nenit 70 të Kushtetutës, me pasojë konstatimin e papajtueshmërisë në ushtrimin e mandatit, është një çështje që i përket ekskluzivisht Gjykatës Kushtetuese.
31. …Nëse do të pranohej një pushtet i tillë i Kuvendit, (pra KM të refuzonte dorëzimin e deputetëve të vet para drejtësisë), atëherë parashikimi i Kushtetutës do të zhvishej nga qëllimi i tij, çka do të përbënte abuzim me pushtetin e shumicës dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
32. Për sa më sipër, gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 3, të nenit 70 të Kushtetutës, kur kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën ta shqyrtojë në themel çështjen”.
“Dispozitivi: Në rast se Kuvendi i Shqipërisë vihet në lëvizje me mocion të kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, në kuptim të pikës 3, të nenit 70 të Kushtetutës, ai duhet të vendosë dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila është organi i vetëm që ka kompetencën të shqyrtojë në themel çështjen dhe të vendosë mbi papajtueshmërinë e mandatit të deputetit”.
“Gjykata Kushtetuese ka vendosur qartë. Me vendimin e saj, ajo thotë se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë dhe jo Parlamenti.
Ky vendim detyron Parlamentin që t’i dërgojë rastet e oligarkëve-deputetë të Ramës, të kapur në shkelje të Kushtetutës, duke përfituar fonde publike e koncesione, në Gjykatën Kushtetuese dhe vetëm ajo vendos më pas për mandatet e tyre.
Por Edi Rama zgjodhi edhe sot të mbrojë oligarkët e tij, të mbrojë abuzimin, vjedhjen e parave të shqiptarëve dhe të dhunojë Kushtetutën, gjykatën, shtetin ligjor.
Me mashtrimin para Europës e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Europian, Edi Rama thelloi paligjshmërinë e tij, duke pohuar publikisht se ai qëndron mbi ligjin, mbi Kushtetutën, mbi gjykatat. Ai thelloi edhe më tej hendekun mes një populli të tërë në varfëri, papunësi, arrati dhe një grushti plaçkitësish të babëzitur që po pasurohen duke dhunuar Kushtetutën dhe ligjin.
Partia Demokratike është e vendosur në betejën e saj për zbatimin e Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese si themele të stabilitetit dhe shtetit ligjor në Shqipëri”.
Si Rama gënjeu Hahn për deputetët kusarë
Reforma në drejtësi, të garantohen zgjedhje të lira e të ndershme
Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Majlinda Bregu u shpreh se, “duhet të jemi sa të mirëkuptueshëm me njëri-tjetrin mes nesh po e po, por edhe me qeverinë pasi ky proces transparencën e gjithpërfshirjen i ka elementët garantues të suksesit”.
Bregu tha se, “Evropa siç e dimë të gjithë është e përfshirë sot nga kriza më të mëdha se sa mungesa e mirëkuptimit tonë të vazhdueshëm politik dhe sigurisht që zgjerimi nuk është halli më i madh i evropianëve”, por ajo shprehu bindjen se, “anëtarësimi në Bashkimin Evropian edhe pse nuk është një garanci për një botë perfekte, do të nënkuptonte garanci më të mëdha për nivelin tonë të demokracisë, duke filluar nga zgjedhjet e lira e të ndershme, sundimi i ligjit dhe deri tek standardet e përgjithshme, të cilat sot janë të kërcënuara fatkeqësisht edhe nga terrorizmi në Evropë”. “Nuk është çështja se sa të suksesshëm kemi qenë ne gjatë këtij viti për mbikëqyrjen e procesit të integrimit, shtoi Bregu, por besoj se për të gjithë ne, me rëndësi është që ky Këshill të konsolidojë të kuptuarit njësoj të detyrimeve të procesit”. “Dhe që puna jonë të jetë më rezultative duhet sigurisht që të gjithë dokumentet e rëndësishme që qeveria harton edhe për procesin e integrimit të konsultohen bashkë me ne në fazën e tyre fillestare”, tha ajo. Bregu kërkoi nisjen në mënyrë urgjente të përgatitjes së kuadrit strategjik për çeljen e negociatave, pavarësisht se kur do të ndodhë ajo. Kjo është mbledhja e 5 e Këshillit Kombëtar të Integrimit, i cili është ngritur vetëm një vit më parë me 44 anëtarë, të cilët janë përfaqësues jo vetëm nga Parlamenti, por edhe nga shoqëria civile, institucione të pavarura, bota akademike dhe media.
Basha-Hahn: Stabiliteti i vendit i rrezikuar
Kryetari i PD, Lulzim Basha njohur dje komisionerin për Zgjerim, Johannes Hahn me situatën daramatike që po kalon vendi
si dhe me kërkesat e opozitës dhe qendrimin e saj për nxjerrjen e vendin nga kriza e thellë.
“Javët e ardhshme do të jenë vendimtare për të parë nëse ky ligj do të zbatohet në germë, ndërkohë që për zbatimin e “shpirtit” të ligjit nuk ka asnjë shans sepse Edi Rama i ka marrë këta kriminelë dhe i ka transferuar si koordinatorë në Partinë Socialiste. Po i përdor aktualisht për të fituar referendumin e tij brenda partisë dhe ka ndërmend t’i përdorë sigurisht edhe në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Po kështu kërkojmë që ligji për dekriminalizimin të veprojë edhe në ato raste të paparashikuara më parë ku deputetët si Armando Prenga përgjakin me armë të paligjshme qytetarët në dyert e komisariateve dhe pastaj vijnë në Parlament serbes-serbes sikur nuk ka ndodhur asgjë” tha Basha në një prononcim për mediat pas takimit me komisionerin Hahn.
“Për çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese e shikoni që është një recidivist sepse ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese që e detyron Parlamentin që të zbatojë Kushtetutën dhe të dërgojë për gjykim të gjitha rastet kur deputetë të mazhorancës supozohen se kanë shkelur Kushtetutën duke marrë e përfituar fonde apo pasuri publike, siç është rasti Kokëdhima që u desh një vit për ta çuar, apo siç janë rastet e Sulit dhe Valentina Leskajt ku mazhoranca refuzon zbatimin e vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pra përsëri e ka sjellë shtetin ligjor në “vdekje klinike”. Ky nuk është rast i vetëm, pasi kemi rastin e parkut të Tiranës njësoj si rasti i bunkerit apo rasti i strehës që ka vënë tek Kryeministria, secili me efekte të ndryshme sigurisht. Ky i parkut është më i dhunshmi sepse në mënyrë arbitrare privon qytetarët nga mijëra metra katrorë gjelbërim” u shpreh kreu i PD.
Ai tha se të tria këto raste nxjerrin në pah natyrën tiranike të një regjimi banditesk, i cili nga njëra anë merr dhe rras në burg njerëzit sepse lyejnë shtëpinë pa leje apo vendosin tjegulla në çatinë që po u bie dhe nga ana tjetër pa leje dhe kundër ligjit ndërton mes parkut pa leje mjedisore, me leje të falsifikuar të Këshillit Kombëtar të Territorit. Pa leje dhe kundër ligjit ndërton bunker në mes të Tiranës.
“Së treti, vijoi Basha, çështja e komisioneve hetimore ku ndonëse u detyruan pas marrëveshjes të pranojnë dy komisionet tona hetimore, kanë bërë gjithçka për t’i sabotuar ato, për të shkurajuar hetimin parlamentar si një instrument të transparencës para qytetarëve shqiptarë: se si vjedh kjo qeveri, se si dhunon kjo qeveri ligjet dhe Kushtetutën, se kush merr paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe pse nuk vë para përgjegjësisë hajdutët në pushtet – duke e tërhequr mazhorancën nga kuorumi nga çdo komisioni hetimor sa herë që ka dëshmi që inkriminojnë Kryeministrin apo ministrat e kësaj qeverie. Dhe duke dhunuar edhe një kusht tjetër të marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014, që është aprovimi i rregullave për funksionimin eficient të komisioneve hetimore dhe këtë po kërkojmë ne”.
Basha tha se PD po kërkon që komisionet hetimore të mos mund të bllokohen në mënyrë arbitrare nga mazhoranca.
“Kjo pra, është Shqipëria dy vite më vonë, nuk është asnjë hap përpara në raport me integrimin europian të vendit, është shumë hapa prapa, është në drejtim të një autokracie, një regjimi që shtyp dhe dhunon Kushtetutën, ligjin, të drejtat e qytetarëve.
Që shtyp dhe ushtron dhunë ndaj opozitës parlamentare në Parlament dhe jashtë Parlamentit dhe që përgatitet të prishë zgjedhjet e ardhshme parlamentare si e vetmja rrugë për të mbajtur pushtetin, me anë të të cilit po pasurohen pushtetarët e po varfërohen qytetarët.
Këto janë shqetësimet, të cilat kam patur rastin t’i diskutoj si në takimin kokë më kokë me komisionerin Hahn, por po kështu edhe në takimet me delegacionin dhe që do të ngrihen edhe në dy takimet nga përfaqësuesit tanë në Këshillin Kombëtar të Integrimit dhe në të ashtuquajturin dialog politik për pesë prioritetet.
Kam kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më parë dhe sot të Bashkimit Europian për të qëndruar fuqimisht për shtetin ligjor, për zbatimin e Kushtetutës, për implementimin pa asnjë ekuivok, pa asnjë negociatë të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si parakusht i rikthimit të çdo premise për dialog politik” tha kreu i PD.
Sa i përket Reformës në Drejtësi, Basha tha se ka garantuar se pala më e interesuar për Reformën në Drejtësi është dhe mbetet opozita dhe që ata që i tremben Reformës në Drejtësi janë ata që duhet të japin llogari për miliona, miliarda euro zhvatje të qytetarëve shqiptarë dhe për lidhjet e tyre me krimin që janë bërë sot për fat të keq skandale famëkeqe jo vetëm në Shqipëri, por anembanë Europës. “Dihet që pushtetarët e Tiranës e kanë të pamundur ta kalojnë ditën pa u shtruar në dreka, darka dhe përfitime me Shullazët, me bandat, me Xibrakët dhe me figura të tjera të krimit, të cilat i konsiderojnë dhe i trajtojnë dhe në fakt janë bashkëqeverisësit e Shqipërisë sot” vijoi Basha.
“Dy vite më parë Parlamenti Europian u investua për të përfunduar një krizë parlamentare që nisi si rezultat i
1. Inkriminimit të Parlamentit, i dhunës në Parlament kundër deputetëve të opozitës nga persona me rekorde kriminale që Edi Rama kishte sjellë aty;
2. Për shkak të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese që është shenja kulmore e degradimit dhe e “vdekjes klinike” të shtetit ligjor;
3. Për shkak të mohimit të së drejtës kushtetuese, e vetmja e drejtë e opozitës për të mbikëqyrur qeverisjen që është ajo e komisioneve hetimore parlamentare, dhe;
4. Për shkak të shkeljes së konsensusit mbi çështje politike siç ishte ligji për nëpunësin civil dhe mosofrimit të mundësisë për konsensus për asnjë çështje të interesit kombëtar nga mazhoranca Rama-Meta.
Sot, dy vite më vonë Shqipëria gjendet në të njëjtën situatë sepse nga njëra anë ligji për dekriminalizimin, i cili u miratua vetëm pas një presioni në minutat e fundit dhe nuk arriti të shmangë kandidimin dhe instalimin e kryetarëve të bashkive me rekorde kriminale si në rastet e Krujës, Kavajës, Kurbinit, Tepelenës apo Këlcyrës përsëri ka mbetur peng i vullnetit politik të Edi Ramës” tha Basha për mediat.
Mazhoranca ka shpallur një gjendje rënie të Republikës
– Z. Basha, cili është qëndrimi i Bashkimit Europian?
Qëndrimin e Bashkimit Europian flet Bashkimi Europian. Qëndrimi i opozitës shqiptare që është po kaq europian, është se pa dekriminalizimin e politikës shqiptare, pa zbatimin jo vetëm në germë, por në shpirt të ligjit të dekriminalizimit, demokracia shqiptare është seriozisht e rrezikuar e bashkë me të edhe stabiliteti i Shqipërisë.
– Z. Basha, a ka bisedime mes palëve lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, për rrjedhojë hyrjen tuaj në komisionet parlamentare?
Po, ne kemi qenë të hapur që në qoftë se ka ndonjë keqkuptim, se përse duhet zbatuar Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që t’i sqarojmë, ndonëse normalisht keqkuptime të tilla nuk ka dhe nuk mund të ketë. Kushtetuta nuk negociohet, vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk negociohen, por zbatohen.
Lojërat e Edi Ramës me Kushtetutën nuk janë të reja. Dy vite më parë ata u detyruan nën presionin e Parlamentit Europian t’i jepnin fund lojës së moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për komisionet hetimore parlamentare. Tani një orë e më parë duhet t’i japin fund edhe kësaj loje. Por jo vetëm kaq, duhet që sistematikisht të parandalojmë çdo aspiranti për tiran që të luajë me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese në të ardhmen. Qoftë ky Kryeministri aktual, sado t’i ketë ditët në atë karrige dhe çdokush që do të jetë në të ardhmen.
Pra, në mënyrë absolute duhet të zbatohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për dërgimin në Gjykatë Kushtetuese të dy deputetëve, të cilët kanë përfituar njëri 150 milionë lekë të KESH-it, tjetra 1/3 e hekurudhës shqiptare nga Ballshi deri në Vlorë. Po kështu, t’i pritet rruga njëherë e përgjithmonë çdo tentative të mazhorancës për t’i shkuar në mendje moszbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
– Në gjykimin tuaj 45 minutat që i kaluat kokë me kokë me komisionerin Hahn besoni që do t’u shërbejnë për rifillimin e dialogut për Reformën në Drejtësi?
Dialogun për Reformën në Drejtësi e ka ndaluar mazhoranca. Mazhoranca ka shpallur një gjendje rënie të Republikës, asgjësimit të shtetit ligjor. Pra, nuk është çështje dialogu, nuk është as çështje negociate as me Ëashingtonin, as me Brukselin. Kjo është një çështje “vdekje klinike” e shtetit ligjor në Shqipëri, është një dramë, e cila shpaloset ditë për ditë në çdo fshat e çdo qytet të Shqipërisë, ku nga njëra anë polici, inspektori, krimineli i bërë deputet apo drejtor, vetë Kryeministri i vendit apo ministrat shkelin dhe dhunojnë ligjin duke dhunuar qytetarët. Dhe nga ana tjetër po këta njerëz përfitojnë në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën pasuri marramendëse, koncesione, tendera, emërime të paligjshme në dogana, në polici. Pra, kjo është një çështje e një aparteidi ku nga njëra anë qëndrojnë jo thjesht vetëm demokratët, por të gjithë qytetarët shqiptarë dhe nga ana tjetër një grusht njerëzish. Pra, është një oligarki “de facto” dhe kjo nuk mundet me asnjë negociatë, as me 45 minuta kokë më kokë as me komisionerin Hahn dhe as me këdo autoritet tjetër.
Por sot mendoj se komisioneri Hahn ka marrë një pasqyrë të plotë dhe të qartë të gjendjes. Sigurisht ai ka përgjegjësitë e tij para Unionit, para Bashkimit Europian, ka vizionin e tij për të ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, për të cilën unë i jam jashtëzakonisht mirënjohës si kryetar i opozitës, si kryetar i alternativës që e do Shqipërinë në Europë.
Ndërsa roli im është që të përcaktoj qartë piketat ku PD kërkon të ecë në mënyrë që Shqipëria t’i afrohet dhe jo t’i largohet anëtarësimit në Europë. Dhe këto piketa janë zbatimi i ligjit, zbatimi i Kushtetutës, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe padyshim një Reformë në Drejtësi që krijon mekanizmat për të vënë para përgjegjësisë korrupsionin dhe të korruptuarit në nivele të larta.
– Pra, nuk bëhet fjalë për një dialog të ri, rikthim të dialogut për Reformën në Drejtësi. Pra, nuk keni asnjë lloj sinjali që mund të negociohet?
Kjo nuk është çështje sinjali dhe sinjalistike. Nuk ka gjë më elementare për një vend se Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nga ato fillon ligji, nga këto buron gjithçka tjetër. Ndaj zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është i panegociueshëm dhe pa këto e vetmja gjë që zbulohet, del haptazi para çdokujt dhe para atyre që janë shumë të zënë me krizën në Ukrainë, në Siri apo për problemet e brendshme të Bashkimit Europian është fakti se në Tiranë është instaluar një regjim, i cili është gati të përdorë gjithçka për t’i ikur një llogaridhënie para një drejtësie të pavarur, është gati t’i vërë edhe shkelmin e fundit shtetit ligjor duke moszbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
– Z. Basha, kjo do të thotë që ditën e nesërme opozitën do ta shikojmë përsëri të protestojë sërish në Kuvend?
Vendimet e grupit parlamentar janë akoma në fuqi sepse asgjë nuk ka ndryshuar në raport me dhunimet flagrante të demokracisë dhe shtetit ligjor që janë burimi i çdo të keqe në Shqipëri, janë burimi i krizës ekonomike, janë burimi i eksodit të shqiptarëve, janë burimi i papunësisë dhe varfërisë.
E gjitha kjo vjen sepse Edi Rama i ka vënë tritolin shtetit ligjor, demokracisë, zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, drejtësisë së pavarur. Ne qëndrojmë pikërisht për këto vlera, Kushtetutën, zgjedhje të lira dhe të ndershme, drejtësi e pavarur dhe e pakapur për t’i vënë para përgjegjësisë politikanët dhe pushtetarët e korruptuar në Shqipëri.
Rritet kostoja e komunikimit në celular për konsumatorët
Ditët e fundit, tre nga katër kompanitë celulare në vend, Vodafone, Telekom Albania dhe Albtelecom kanë shkurtuar afatin e vlefshmërisë për pjesën më të madhe të paketave mujore për klientët e tyre, duke i bërë ato 28 ditë, nga mujore (30 ditë) që ishin më parë. Burime nga kompanitë pohuan se këto ndryshime janë bërë pasi ofertat janë përshtatur në bazë javore, pra 4 javë (28 ditë) dhe ata i kanë njoftuar klientët për këtë veprim. Siç është edhe praktikë në këto raste, njoftimi bëhet pa bujën e reklamave ekstravagante, të cilat promovojnë produktet e këtyre kompanive dhe në hapësira publicitare minimale, por që përmbushin detyrimin ligjor të njoftimit të klientelës.
Ajo që ndodh tashmë është se në momentin që aktivizon ofertën, klienti njoftohet që oferta zgjat 28 ditë. Ndërsa, në faqet e internetit përkatëse të kompanive, ku gjenden dhe ofertat e reja, është e vështirë të gjesh se për çfarë periudhe është e vlefshme oferta. Në rrjetet sociale, konsumatorët kanë shprehur pakënaqësi lidhur me këtë ndryshim të ofertave nga 30 në 28 ditë, që sipas tyre nënkupton shtrenjtim të çmimit, pasi hiqen dy ditë nga oferta.
Për shembull, për paketën standarde prej 1000 lekësh, vetëm nga shkurtimi i saj me dy ditë, çmimi është shtrenjtuar me 7% (35.7 lekë në ditë nga 33.3 lekë në ditë që ishte më parë). Për paketën 1500 lekë, nga 50 lekë në ditë, shkon në 53.6 lekë. Në vit, një klient që blen rregullisht karta 1,000 lekëshe, duhet të shpenzojë rreth 900 lekë më shumë për të njëjtën kohë bisede (19,554 lekë për 365 ditë), apo pothuajse një kartë tjetër, duke e çuar numrin e kartave nga 12 në vit në gati 13 në vit.
Motra e Taulant Ballës reagon për dhunën te Liqeni: Më vjen turp që votova këta njerëz
Alba Balla, motra e deputetit socialist dhe një prej drejtuesve më të rëndësishëm të PS-së, ka reaguar ashpër në rrjetet sociale në lidhje me ndalimin e një prej aktivistëve të opozitës.
Bashkëshortja e Grigels Muçollarit, i cili u arrestua nga policia gjatë protestës së opozitës kundër betonizimit të Parkut të Liqenit, ka postuar në faqen e saj në Facebook shkrimin e citynews “Protestuesi në pranga, banditi në Parlament”.
Komentuesi i parë në postimin e Erinda Alija (bashkëshortja e Grigels Muçollarit) është motra e deputetit socialist Taulant Balla, Alba, e cila shkruan se i vjen turp për këta njerëz që ka votuar.
Motra e Taulant Ballës, shkruan nga profili me emrin Paris Alba, i cili është përdorimi i dy emrave, vajzës së saj të vogël Paris dhe emri i saj Alba.
Në komentin e saj, drejtuar bashkëshortes së Grigels Muçollarit, motra e deputetit socialist Taulant Balla, i cili është edhe kryetari i grupit parlamentar të kësaj partie, thekson se i vjen turp për ata që ka votuar. Alba është tepër e sinqertë dhe duket tepër e prekur nga akti kriminal i arrestimit të Grigels Muçollarit, duke e dënuar veprimin e policisë.
Komentin e saj Alba e fillon duke shkruar se ndoshta ishte personi i fundit që i takonte të komentonte tek bashkëshortja e Grigelsit, i cili në fakt është kundërshtar politik i Taulant Ballës. Ndryshe nga shumë politikanë apo aktivistë politikë, Grigels Muçollari është një qytetar shembullor dhe ndalimi i tij gjatë protestës së opozitës duket të jetë më shumë se një akt kriminal dhe hakmarrje banditeske e klientëve apo ushtarëve të qeverisë që në fakt ka fyer edhe motrën e deputetit socialist.
Alba duket në këtë rast se është sjellë si një nënë, si një zonjë, si një qytetare, duke u ndjerë e turpëruar për qeverinë e vëllait të saj, e cila ka prangosur padrejtësisht një prind dhe qytetar si Grigels Muçollari.
Alba komenton se i vjen turp nga këta që ka votuar dhe ajo është mjaft e sinqertë dhe e vërtetë në atë që shkruan.
Turp ndoshta iu vjen të gjithë shqiptarëve për Edi Ramën dhe qeverinë e tij, për qeverinë që ka zhgënjyer edhe Albën, e cila në një koment të saj të shkurtër na tregoi se, politika mund t’i ndajë njerëzit shumë, por hakmarrja politike, dhuna, prangat dhe burgosja nuk mund të ndalin solidaritetin qytetar dhe të vërtetën.
Komenti i Albës flet shumë, por shpresojmë që të njëjtën gjë ta kuptojnë edhe shokët dhe qeveritarët e vëllait të saj, të cilët janë edhe shkaktarët kryesorë të një situate të dhimbshme në familjen e Grigels Muçollarit.
Arkitekti i Ramës: Kulla 17 katëshe edhe në Qytetin “Studenti”
Exit.al
Peter Wilson, arkitekti i “oborrit” të Kryeministrit Rama nuk e fsheh moton e tij “më interesojnë jo planet, por projektet konkrete me klientë që paguajnë”. Këtë moto e ka bërë të qartë edhe në diskutimet për planet rregullatore të qyteteve, në të cilën ai është i përfshirë . Kjo thënie e zotit Wilson shpjegon qasjen novative mashtruese, me arkitektë të huaj, të përdorur nga Edi Rama e të tjerë nga viti 2000 e këtej për t’i shitur si zhvillim modern projektet e tyre klienteliste dhe shkatërruese të qyteteve tona. Arkitekti “i jashtëm” Wilson projektoi në mes të sheshit qendror të Korçës-ndoshta qytetit të vetëm që i kishte shpëtuar betonit të tranzicionit-një kullë betoni që i ngjan aq shumë kullave të vrojtimit të burgjeve apo atyre përgjatë ish-murit të Berlinit. Ai projektoi në mes të Parkut të Liqenit të Tiranës një park lojërash me platforma e mure betoni që nuk do guxonte ta imagjinonte në asnjë vend tjetër të botës. Madje në Parkun e Liqenit, ai kishte planifikuar edhe një kafene disa katëshe edhe një kullë vrojtimi si ajo e Korçës, të cilat u hoqën nga frika e reagimit të publikut. Arkitekti “i jashtëm” Wilson ka propozuar edhe një urë-dashtë zoti jo prej betoni-në mes të Liqenit të Tiranës, për të krijuar lehtësi lëvizjeje midis anës veriore të parkut dhe anës jugore të tij, mbase për VIP-at apo holandezët që jetojnë tek vilat në park. Zotëria “i jashtëm” ka propozuar edhe që Qyteti “Studenti” të mbushet me kulla 10-17 kate-në disa kate të të cilave do të jetojnë studentë, ndërsa në pjesën tjetër do të lulëzojë partneri publik-privat e do ketë apartamente private për shitje, si në çdo pjesë tjetër të Tiranës. Mbase ai do të projektojë e ndërtojë-përgjatë Liqenit të Pogradecit, hartimin e planit rregullues të të cilit e “fitoi” para pak kohësh-struktura të lehta betoni, të cilat do t’i japin jetë liqenit: shtëpiza betoni e, mbase, varka betoni apo ndonjë pulëbardhë betoni. Në fund të fundit, aftësitë krijuese prej betoni të arkitektit të “jashtëm” Wilson duket se nuk shterojnë!
Pazaret e Wilson me Ramën
Arkitekti Peter Wilson, i firmës Bolles+Wilson, i cili ka projektuar këndin e lojrave të Parkut të Liqenit, praktikisht “jeton” me projektet e qeverisë shqiptare. Ardhja në pushtet e Kryeministrit Rama duket se i ka siguruar kontrata të shumta firmës së tij. Të dhënat publike të vetë firmës, dëshmojnë se, gjatë dy viteve të fundit, pothuajse të gjitha projektet e saj kanë qenë projekte të qeverisë shqiptare. Vetëm në vitin 2015, firma ka përfituar kontrata me vlerë rreth gjysëm milionë dollarë nga qeveria shqiptare. Në shumicën e rasteve, Bolles+Wilson është kontraktuar në konsorcium me firmën Atelier 4—firmë e njohur për lidhjet e ngushta me Kryeministrin Rama që nga koha kur ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Lista e projekteve kryesore të firmës gjatë vitit 2014-2015 përfshin:
• Stadiumin Loro Boriçi në Shkodër
• Kullën në qendër të qytetit të Korçës
• Planni rregullues të qytetit të Korçës
• Katër sheshe publike në qytetin e Korcës
• Mastër planin e Parkut Rinia, Korçë
• Qëndër sportive stërvitore kombëtare, Korçë
• Planin rregullues të qytetit të Pogradecit
• Mastër planin e Parkut të Liqenit, Tiranë
• Pesë projekte pilote në Parkun e Liqenit, Tiranë
Bolles+Wilson është, gjithashtu, firma projektuese e godinës 13 katëshe, që ka filluar të ndërtohet në hyrje të parkut të liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik, në Tiranë. Leja shumë e debatuar për këtë ndërtim u dha nga zotërinjtë Rama dhe Veliaj, në shtator 2015, menjëherë pas zgjedhjes së Zotit Veliaj në krye të Bashkisë Tiranë. Zoti Veliaj kishte premtuar në fushatë se nuk do të kishte ndërtime në atë zonë. Është interesant fakti që në këtë projekt arkitekti Wilson nuk ka respektuar asnjë kriter urbanistik, duke zaptuar me ndërtim 100 për qind hapësirën në hyrjen e parkut, pa lënë asnjë cm katror hapësirë të gjelbër anash ndërtimit. Lidhja e Bolles+Wilson me Zotin Rama duket se është e hershme. Bolles+Wilson ka kontribuar në dizenjimin e lyerjes së fasadave të pallateve në kohën kur Rama ishte kryebashkiak. Kjo firmë ka krijuar, në vitin 2004, dizenjimin e motivit të lyerjes së pallatit me kuadrate vishnje e të bardha në kryqëzimin kryesor të bllokut, godina ish-Manhatanit
Revolucion te PSG
Bilanci i sezonit të fundit u mbyll me një plus prej 10,6 milionë eurosh dhe tashmë Paris Saint Germain me një arkëtim që kap shifrën e 540 milionë eurove shikon me ambicie të mëdha nga e ardhmja. Me ose pa Zlatan Ibrahimoviç edhe pse klubi parizien është i gatshëm të hyjë në bisedime me bomberin suedezin për rinovimin e kontratës. Thelbësor do të jetë muaji prill me Paris Saint Germain-in që gjatë kësaj periudhe do të sfidojë në çerekfinalet e Champions League, Manchester City-in.
Për Ibrahimoviç në fakt misioni sapo ka nisur, sipas lajmeve që vinë nga Franca drejtuesit e Parisit i kanë ofruar suedezit rinovimin e kontratës edhe për 1 sezon, me një pagë disi më të ulët. Megjithatë, përpara duhet të kuptohet se çfarë do të bëjë Paris Saint Germain në Champions League me gjysmëfinalet e këtij kompeticioni që janë një objektiv parësor edhe për trajnerin Blanc, i cili gjithsesi ka mbështetjen e presidentit Al Khelaifi dhe më shumë gjasa do të jetë tekniku francez ai që do të planifikojë merkaton e ardhshme. Nëse Ibrahimoviç nuk rinovon, drejtuesit do të kërkojnë një profil të ngjashëm me suedezin për nga cilësitë dhe jo vetëm, emri më i pëlqyer është Cristiano Ronaldo. Ndërkohë mund të largohet nga skuadra pariziene edhe bomberi uruguain Edinson Cavani.
Tirana Airport në negociata për t’u shitur, kinezët të interesuar?
Tirana International Airport (TIA), kompania që ka një kontratë koncesionare për menaxhimin e Aeroportit të Rinasit është në negociata për t’u shitur, sipas burimeve nga institucionet shtetërore vendase. Burime zyrtare nga TIA, të kontaktuar nga Monitor, thanë se nuk kanë koment lidhur me këto negociata, ndërkohë që pohuan se janë shumë afër mbylljes së negociatave me qeverinë shqiptare për rishikimin e kontratës koncesionare.
Monitor ka mësuar se një kompani kineze, emri i të cilës mbetet i pakonfirmuar, është e interesuar për të blerë TIA, dhe negociatat po vijojnë prej disa kohësh.
Aktualisht, pronarët e Tirana International Airport janë:
– DEG-Deutsche investitions-und Entwicklungsgesellschaft mbH-31.7%
– Albanian-American Enterprise Fund “AAEF”-21.3%
– AviAlliance GmbH-47%
Së fundmi, kompanitë kineze po shfaqin interes për tregun shqiptar. Jeo Jade, një nga grupet më të mëdha të pavarura të energjisë kineze, njoftoi se ka hyrë në një marrëveshje për të blerë kompaninë e prodhimit të naftës Bankers Petroleum, për një shumë prej 407 milionë dollarë.
Rishikimi i kontratës
Qeveria shqiptare në vitin 2004 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana International Airport”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licensohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se, do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.
Prej disa vitesh, qeveria është në negociata me koncesionarin për ndryshimin e kontratës dhe disa herë ka deklaruar zyrtarisht se negociatat janë mbyllur.
Ky eskluzivitet ka penguar hyrjen e kompanive me kosto të ulët në Shqipëri dhe ka bërë që vendi të ketë tarifat më të shtrenjta të biletave në rajon, duke bërë që shumë shqiptarë të zgjedhin aeroportet e Prishtinës, Podgoricës apo Shkupit drejt destinacioneve europiane.
Nga 1 janari 2017, “çertifikata e energjisë” e detyrueshme për të gjitha ndërtesat
Duke filluar nga data 1 janar 2017, çertifikimi i performancës së energjisë në ndërtesa duhet të jetë i detyrueshëm, sipas përcaktimeve në projektligjin për “Për Performancën e Energjisë të Ndërtesave.
Çertifikata është një dokument i lëshuar nga audituesi energjetik, ku përcaktohet performanca e energjisë së një ndërtese ose të njësisë së një ndërtese e përcaktuar dhe e lëshuar sipas kërkesave të këtij ligji.
Sipas përcaktimeve në projektligj me çertifikatë duhet të pajisen të gjitha ndërtesat ose njësitë e ndërtesave, të cilat do të shiten ose do të jepen me qira, të gjithë ndërtesat e reja, të cilat do të parashikohen të ndërtohen, ose do t’i nënshtrohen rinovimit të rëndësishëm dhe të gjitha ndërtesat në fazën e projektimit, për të cilat lëshohet çertifikata e përkohshme e performancës së energjisë.
Me përfundimin e punimeve të ndërtimit, këto ndërtesa, pajisen me çertifikatën e performancës së energjisë për qëllime të lejes së përdorimit.
Kur ndërtesat ose njësitë e ndërtesave ndërtohen, shiten ose jepen me qira, çertifikata e performancës. Sipas përcaktimeve të reja ligjore, çertifikata e energjisë duhet t’i dorëzohet çdo blerësi ose qiramarrësi dhe duhet të jetë e vlefshme për një periudhë maksimale prej 10 vitesh nga momenti i lëshimit, nëse nuk do të ketë ndryshime që do të ndikojnë në vlefshmërinë e saj.
Çertifikata e performancës së energjisë lëshohet nga Audituesit e Energjisë, në bazë të të dhënave teknike të performancës së energjisë dhe raportit të verifikimit.
Procedurat dhe kushtet e çertifikimit të performancës së energjisë të ndërtesave si dhe modeli, përmbajtja, kushtet e regjistrimit të çertifikatës së performancës së energjisë të ndërtesave përkatëse përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave, sipas propozimit të ministrisë përgjegjëse për energjinë dhe ministrisë përgjegjëse për ndërtimin.
Çertifikata e performancës së energjisë të një ndërtese ose njësie të një ndërtese duhet të përfshijë:
(a) Llogaritjen vjetore të performancës së integruar të energjisë të ndërtesës ose të njësisë të ndërtesës;
(b) Treguesin e llogaritur për performancën e energjisë të ndërtesës ose të njësisë të ndërtesës;
(c) Treguesin numerik të konsumit të energjisë primare të ndërtesës ose të njësisë të ndërtesës;
(d) Karakteristikat e përgjithshme të ndërtesës ose njësisë të ndërtesës, duke përfshirë këtu dhe periudhën datën e ndërtimit;
(e) informacion mbi vlerësuesin e performancës së energjisë për ndërtesën ose njësinë e ndërtesës, si dhe autoritetin e miratuar që e ka lëshuar çertifikatën;
(f) Vlerat krahasuese, të tilla si kërkesat minimale të efiçencës së energjisë për të njëjtën kategori ndërtesash dhe të atyre që janë tipike për stokun referent të ndërtesave, në mënyrë që pronarët apo qiramarrësit e ndërtesës apo njësisë së ndërtesës të krahasojnë performancën e energjisë për ndërtesën e tyre që po vlerësohet;
(g) Rekomandime për përmirësimin e kostove optimale ose kostove efektive të: i. Sistemeve teknike të ndërtesës; ii. Elementëve të mbështjelljes të ndërtesës dhe njësisë të ndërtesës etj.
Çertifikata e performancës së energjisë mund të përfshijë informacione shtesë të tilla si konsumi vjetor i energjisë për ndërtesat jo-banimi dhe përqindja e energjisë prej burimeve të:
Projektligji përcakton se, përpara çertifikimit të performancës së energjisë së ndërtesave audituesit energjetik mund të kryejnë një verifikim të gjendjes së performanancës së energjisë në ndërtesa edhe sistemeve teknike dhe në përfundim, lëshojnë një raport verifikimi, i cili ndër të tjera duhet të përmbajë rezultate të vlerësimit të performancës së energjisë së ndërtesave dhe sistemeve teknike të instaluara në ndërtesë si: sistemet e ngrohjes, ajrit të kondicionuar, ventilimit, ndriçimit dhe ujit të ngrohtë sanitar, duke përfshirë kaldajën, pompat e nxehtësisë, akumulatorët e energjisë, sistemin e kontrollit, si dhe pompat e qarkullimit të ujit, etj;
Penalitetet
Mos zbatimi i detyrimeve për çertifikimin e banesave dënohet me gjobë. Kështu projektimi i ndërtesave dhe njësive të tyre pa kushtet e performances se energjisë dënohet me gjobe në masën 300,000 lekë për projektuesin dhe në masën 1,000,000 për zbatuesin e punimeve.
Mosdhënia e çertifikatës së performancës dënohet me gjobë në masën 500,000 lekë.
Lëshimi i raporteve të pasakta të verifikimit, dënohet me gjobë në masën 500,000 lekë.
Mospërmbushja e detyrimeve të parashikuara në nenin 14 nga subjekti që ka në pronësi apo në përgjegjësi administrimi ndërtesën, dënohet me gjobë në vlerën nga 0,5 për qind deri në 2 për qind të vlerës së vlerësuar të ndërtesës që ai ka në pronësi apo në përgjegjësi administrimi.