28.5 C
Tirana
E shtunë, 2 Gusht, 2025

Kush është mafiozi që armatosi Serbët në luftën e Kosovës?

Varësia e Kryeministrit Edi Rama ndaj krimit nuk njeh kufij dhe kombësi. Faktet tronditëse të publikuara nga “BIRN” tregojnë se Kombinati i Armëve në Poliçan i është kaluar për vlerën 1 euro një prej organizatave mafioze më të rrezikshme në Europë, konkretisht bosit të krimit të organizuar në Bullgari, Bojan Borisov, i mirënjohur me emrin Baroni. Kombinati i Poliçanit është vendosur t’i kalohet “Algans LTD”, pasi Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Ekonomisë ka rënë dakord me planet që kanë mafiozët bullgarë për të zhvilluar biznesin e armëve në Shqipëri.
Marrëveshja e qeverisë tonë me mafian bullgare është mbyllur muaj më parë, por shqetësimi i shfaqur prej disa vendeve perëndimore, i ka ngadalësuar gjërat, pavarësisht se drejtori i këtij kombinati, Altin Lamçe është besimplotë se planet e ringjalljes së kësaj kompanie do të vihen në jetë së shpejti. Se çfarë do të prodhohet në këtë kombinat prej bullgarëve e thotë një prej inxhinerëve, kur pohon se do të prodhohen fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Kompania “Algans LTD” me pronar Aleksandër Dimitrov është shfaqur vitet e fundit në tregun ndërkombëtar të armëve. Një vit më parë mediat bullgare dhe ndërkombëtare shkruan rreth një tragjedie që ndodhi në një prej poligonëve të përdorur prej kësaj kompanie, ku mbeti i vrarë një ekspert privat amerikan i përdorimit të armëve dhe u plagosën disa të tjerë. Ata po testonin disa granata sovjetike të prodhuara rreth 30 vite më parë. Në vitin 2008 një tragjedi e ngjashme kishte ndodhur nga shpërthimi i një depo armësh ku zhvillonte aktivitetet e saj kompania tjetër nën emrin e Dimitrov, “ALMA D”.
Që në momentin e parë, mediat bullgare raportuan se pronari i vërtetë i “Algans” është kryemafiozi Borisov ose Baroni, i cili është nën një sërë procesesh gjyqësore në Bullgari i akuzuar për krime të rënda, si grabitje, trafiqe, kontrabandë. Në intervista, Baroni thotë me krenari se është nga të paktët kriminelë bullgarë ende i gjallë që e kanë filluar aktivitetin e tyre më 1977, gjatë komunizmit.
Baroni ka përfituar miliona me kontrabandën e armëve dhe karburanteve gjatë kohës që Serbia sulmonte popullsinë e pambrojtur shqiptare të Kosovës. Në një përplasje me organizatat e tjera kriminale, Baroni u gjet fajtor për pengmarrje dhe u dënua nga gjykatat. Aktualisht, Baroni ka planifikuar të zgjerojë bizneset e tij në Afrikë, kryesisht në kazino dhe lojërat e fatit, nëse del i palagur nga akuzat për bashkëpunim në pengmarrje të djalit të një bosi tjetër të mafias pak muaj më parë.
Një tjetër media amerikane, “Buzzfeed Neës” publikoi pak muaj më vonë një raport të plotë se si kjo kompani ishte e përfshirë në transportin e paligjshëm të armëve që dërgoheshin në Siri. Bullgaria nuk i lejon kompanitë e saj të tregtojnë armë në Siri. Marrëveshja e ekspozuar në media përfshinte një kontratë për blerje armatimesh në vlerën e 26.7 milionë dollarëve, e nënshkruar në dhjetor 2014.
Dimitrov është nga një fshat me Baronin e krimit të organizuar, ndaj prezantimi i tij si president i një sërë kompanish është thjesht një mënyrë e Baronit për të ruajtur aktivitetet dhe paratë e tij, ndërsa ai është vazhdimisht në probleme me drejtësinë dhe ligjin. Gjithsesi edhe Dimitrov paguhet mirë për shërbimet e tij dhe duket se ka pjesë në këto biznese, të paktën zyrtarisht qysh nga viti 2004, kur ai dhe Baroni patën regjistruar një kompani që shiste skrap.
Dimitrov jeton në një shtëpi të madhe dykatëshe në një kompleks të rrethuar dhe të ruajtur në periferi të Sofjes, kryeqytetit të Bullgarisë. Ai nuk e fsheh jetën e tij luksoze me makina të shtrenjta, sikurse ka dështuar të mbajë fshehur edhe lidhjet e tij me krimin e organizuar dhe konkretisht me Baronin e krimit. Mediat bullgare kanë publikuar ndërkohë kopjen e regjistrit të biznesit, ku Dimitrov dhe Baroni figurojnë ortakë dhe adresa e biznesit është një prej apartamenteve të Baronit në Sofje.

Shqipëria e Ramës, parajsa e krimit

Preferenca e Kryeministrit Rama për baronët e krimit është diçka tepër e njohur. Fakti që Kryeministri refuzon interesin e shprehur nga dy kompani amerikane për të vënë në punë Kombinatin e Poliçanit, që janë nderuar për rolin e paçmuar që kanë luajtur vitet e fundit për modernizimin e ushtrisë shqiptare, tregon se në këtë marrëveshje për 1 euro (?) ka interesa të mëdha financiare.
Shqetësuese në të gjithë këtë histori është se Shqipëria, një vend anëtar i NATO-s po vihet jo vetëm nën thundrën e krimit dhe korrupsionit, por edhe terrorizmit. Janë një sërë indikacionesh se mafia bullgare është prapa shitjeve të municioneve për shumë organizata terroriste në botë, përfshi ISIS. Demokracitë e dështuara me liderë të korruptuar dhe inkriminuar janë lehtësisht të aksesueshëm dhe të shantazhueshëm nga terroristët. A është rasti i Kryeministrit tonë një demonstrim i qartë i këtij rregulli, e tregon investimi i tij drejtpërdrejt në një marrëveshje që mban erë krimi. T’i vësh në dispozicion pasuri kombëtare një organizate kriminale ndërkombëtare dhe të pranosh të punësosh qytetarët e tu për të prodhuar municione për kriminelët dhe terroristët është një njollë, që shpjegon shumë gjëra edhe në realitetin tonë të përditshëm.
Mënyra se si Rama po e shndërron Shqipërinë në një parajsë të krimit të organizuar duket nga plantacionet e panumërta të drogës që sponsorizohen nga qeveria dhe ruhen nga policia. Shqipëria, parajsë e krimit dëshmohet nga fakti se vrasës dhe trafikantë janë emëruar deputetë, drejtorë dhe kontrollojnë pikat kyçe të policisë dhe administratës.

Arben SHAHINI

Rama, presion Kushtetueses për mandatin e Kokëdhimës

Ish-Kryeministri Berisha ka denoncuar presionin banditesk që Rama po ushtron ndaj Gjykatës Kushtetuese për të shpëtuar Kokëdhimën nga heqja e mandatit të deputetit.
“Burime pranë Edi Ramës bëjnë me dije se e tërë Kryeministria, me në krye Edvin Kokëdhimën është përqendruar me të gjitha mjetet e joshjet e shumta, por edhe kërcënimet më të egra direkte personale të Edvin Ramës ndaj gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese për të shpëtuar mandatin e hajdutit të shtetit, sivlla Kokëdhimës.
Gjykatësve ju është bërë lista e të gjithë njerëzve të punësuar nga kushërirë Koleka dhe thërriten një nga një nga bosët e tyre duke u thënë ‘vendimin ose vendin e punës’. Sekretari i Përgjithshëm i mafies qeveritare, Agaçi, po rrëmon në dosje pronësie dhe dosje të tjera dhe vrapon për të korruptuar gjyqtarë.
Situata në Gjykatën Kushtetuese nuk ka qenë kurrë e tillë. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe këtë qëndrim stalinist të Edvin Kristaq Ramës ndaj gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese kërkoj ndalimin e menjëhershëm të këtij presioni kriminal mbi gjykatën që është dhe garante e Kushtetutës së vendit”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.

Degradimi i Radiotelevizionit, Kryeredaktori i ZP bëhet Drejtor

Ligji i ndryshuar për radiotelevizion ka bërë që ky institucion të degradojë deri në atë pika sa në krye të tij të vendoset ish-Kryeredaktori i “ZP”. RTSH është kthyer 26 vite pas, kur partia dërgonte emisarët e vet për propagandë në këtë institucion. RTSH nuk ka qenë ndonjëherë i pavarur, por standardi i vendosur dje është ai i partisë-shtet, i kontrollit të të gjitha mediave.
Ish-Kryeministri Berisha e ka denoncuar këtë emërim.  “Gëllçi i zi, anëtar i bandës së punëve të pista të Olsi Ramës në Boston, ish kryredaktor i famëzezës “Zëri i Popullit”, vendoset në krye të RTSH!
“Sot, pas ndryshimit të ligjit për RTSH, neo-bllokmeni Edvin Kristaq Rama vendosi në krye të RTSH Gëllçin e zi, anëtar aktiv i bandës se punëve të pista të Olsi Ramës në Boston, ish kryeredaktor i famëzezes “Zëri i Popullit” në kohën e PPSH.
Gëllçi i zi u emerua aty vetëm e vetëm që të shndërrojë RTSH në një megafon të shpifjes, trillimit dhe urrejtjes kombëtare të Edi dhe Olsi Ramës, padrinove të krimit dhe trafiqeve në Shqipëri!” shkruan Berisha në facebook.

Cilin Shullaz i dërgove Mitrojorgjit?

Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka denoncuar presionin që i është bërë kryetarit të Shoqatës së Arkitektëve, Maks Mitrojorgjit.
“Cilin Shullaz dërgoi Edi Rama tek kryetari i Shoqatës së Arkitektëve, për ta detyruar të ndryshonte mendje, të mbështeste projektin e stadiumit?
Ndryshimi i qëndrimit të Mitrojorgjit, i cili fillimisht e kundërshtoi qendrën tregtare ‘Qemal Stafa’ me kullën brenda, ishte rezultat i kodit mafioz, i presionit të tmerrshëm që iu bë arkitektit të njohur.
Njësoj siç iu bë Konit e Kules. Po meqë Shullazi është në burg, kësaj radhe vetë Rama me gojën e me dorën e tij i ka vënë gjobë Mitrojorgjit. Me presion i zhvati një ‘pendesë’ atij dhe e nxori me vrap në publik.
Dhe këtë e bëri sepse projekti i kullës me stadium është klientelist, korruptiv, është me llogari të bëra e me hesape të ndara, s’mund të pengohet.
Ndaj iu mbyll goja Mitrojorgjit. Ndaj Mitrojorgji ndryshoi mendim. Mitrojorgji e pagoi gjobën e Ramës. Ku ndryshon ky i fundit nga Shullazi, kush mund ta thotë diferencën?”, shkruan Basha në Facebook.

Kulla me stadium, dorëhiqet kreu i arkitektëve pas presioneve

Kreu i Shoqatës së Arkitektëve, Maks Mitrojorgji ka vendosur të japë dorëheqjen nga funksioni që mbante pas përdorimit që i ka bërë Kryeministri Rama lidhur me ndërtimin e stadiumit “Arena Kombëtare”. Mitrojorgji, 68 vjeç, është tërhequr nga drejtimi i shoqatës, pasi ai nuk e ka duruar dot presionin e madh.
Fillimisht, ai u deklarua së bashku me anëtarët e tjerë të Shoqatës së Arkitektëve kundër ndërtimit të stadiumit të ri, mbi veprën historike të Gerardio Bosios. Por, për habinë e të gjithëve, kur u ndodh përballë Ramës në mbledhjen e KKT, ai ndryshoi mendim radikalisht. Ai tha se nuk e njihte më parë projektin, por tani që u njoh me të ishte dakord.
Kjo deklaratë krijoi një furtunë të vërtetë mediatike. Profesionistët dhe mediat hodhën dyshimin se Rama nën presionin e madh të publikut e kishte shantazhuar Mitrojorgjin me humbjen e punës së njerëzve të tij më të dashur që ishin rrogëtarë në shtet.
Këto dyshime i nxiti edhe më tepër një deklaratë e vetë Kryeministrit ku dukej qartë se ai po e përdorte kreun e shoqatës: “Edhe Shoqata e Arkitektëve ndryshoi mendim pasi u njoh me projektin”, shkroi Rama në Facebook-un e tij.
Ndryshimi i mendimit i kushtoi Mitrojorgjit edhe kritikat e ashpra të kolegëve të vet. I pari reagoi zëvendësi i tij në Shoqatën e Arkitektëve, Arben Biçoku. “Distancohem nga qëndrimi i arkitektit Maksim Mitrojiorgji në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit të ditës së sotme, 29.04.2016, ku u shqyrtua projekti i stadiumit të ri të Tiranës, duke deklaruar se ai ishte qëndrim personal dhe jo rezultantja e mendimit të Shoqatës së Arkitektëve. Pozicionet hyra me mendjen time, po po dal me mendjen e shefit janë të papranueshme për mua dhe tregojnë mungesë karakteriale të theksuar”, u prononcua ai.
Pikërisht nën këtë presion, mes ndërgjegjes së vet profesionale, trysnisë së kolegëve dhe shantazhit apo miklimit nga pushteti u gjend Mitrojorgji kur pranoi të jepte një intervistë të gjatë për çështjen e stadiumit në emisionin “Të paekspozuarit” të Ylli Rakipit. Dhe aty, gjatë këtij bashkëbisedimi, ai u kthye në qëndrimet e para. “Stadiumi mund të mos ndërtohej me kullë, mund të mos ishte aq i lartë, mund të mos ishte me ato ngjyra të ndezura”, tha Maks Mitrojorgji gjatë intervistës. “Pra, me një të rënë të lapsit ju po hidhni poshtë gjithë projektin pa e pranuar publikisht”, ja ktheu Rakipi.
Pikërisht, këto luhatje, kuptimi i përdorimit brutal që i bëri Rama, detyrimi për të “tradhtuar” kolegët e tij, vështirësia për të shpërfillur bindjet si pasojë e trysnisë së pushtetit, e kanë bërë Mitrojorgjin që dje të shpallë dorëheqjen. Pas diskreditimit publik që i bëri Rama, pas pamundësisë për të mbrojtur mediatikisht pozicionin e tij, një ditë pas intervistës te “Të Paekspozuarit” kreu i Shoqatës së Arkitektëve dha dorëheqjen. Duke u bërë një shembull i mirë se si përfundon pas shërbimit njëpërdorimsh nga Edi Rama. Duke treguar gjithashtu se pavarësisht luhatjes ka njerëz tek të cilët ndërgjegjja s’ka vdekur ende plotësisht dhe opinioni publik ndikon ende.

“Lapsi.al”

Afera e armëve, Rama largoi amerikanët për Baronin e krimit

Lindita ÇELA

Një kompani bullgare me lidhje me figura të krimit të organizuar është në proces për të marrë me qira Kombinatin e Poliçanit, një ndërmarrje e industrisë ushtarake e trashëguar nga koha e komunizmit, ku vlerësohet se aktualisht gjendet një sasi e konsiderueshme metalesh me vlerë skrapi.
“BIRN” mësoi në shtator 2015 se, kompania bullgare “All Guns Ltd” ka bërë një kërkesë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes për të marrë me qira kombinatin e Poliçanit, duke deklaruar se ka ndërmend ta rigjallërojë atë. Ministria e Ekonomisë mësohet se ka pyetur për këtë qëllim Ministrinë e Mbrojtjes, e cila është pronare e Kombinatit të Poliçanit.
Pas një kërkese për të drejtë informimi nga ana e “BIRN”, Ministria e Mbrojtjes tha se i është përgjigjur kërkesës së Ministrisë së Ekonomisë duke deklaruar se ajo është dakord me dhënien me qira. “BIRN” mësoi gjithashtu se plani është që kombinati të jepet me qira me vlerën simbolike prej 1 euro, si pjesë e deklaratave të qeverisë për nxitjen e investimeve në ekonominë shqiptare.
Por të dhëna të siguruara nga “BIRN” tregojnë se kjo kompani është e lidhur me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari.
“BIRN” ka mësuar gjithashtu se përveç kompanisë bullgare, dy kompani të mirënjohura amerikane që operojnë në fushën ushtarake ishin të interesuara për marrjen në shfrytëzim të Kombinatit së Poliçanit, por kërkesat e tyre janë hedhur poshtë.
Propozimi i bullgarëve konfirmohet edhe nga drejtori aktual i kombinatit – rivitalizimi i së cilit shihet me shpresë nga drejtuesit dhe ish-punëtorët e tij.
E pyetur nëpërmjet një kërkese me shkrim në lidhje me procedurën e ndjekur për dhënien me qira të kombinatit dhe hijet në të shkuarën e kompanisë “All Guns Ltd”, zyra e Kryeministrit Edi Rama premtoi nëpërmjet një zëdhënësi që akuzat kundër kompanisë bullgare do të verifikohen.
“Aktualisht, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit, si ministria përgjegjëse për gjallërimin e jetës ekonomike të vendit dhe përdorimin me efikasitet të pronës shtetërore, është duke kryer të gjitha verifikimet e nevojshme për rastin në fjalë përpara se të marrë vendimin përfundimtar”, tha nëpërmjet postës elektronike Endri Fuga, këshilltar i Kryeministrit për median.
Ndërkohë, “All Guns Ltd” nuk iu përgjigj disa kërkesave për koment në lidhje me projektet e saj për Kombinatin e Poliçanit dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Marrëveshja me bullgarët

Kombinati Mekanik Poliçan është një ndërmarrje shtetërore e themeluar në vitin 1962, me qëllim përmbushjen e kërkesave të Forcave të Armatosura shqiptare për armatim.
I vendosur në luginën poshtë qytezës së Poliçanit, rreth 20 kilometra nga Berati, kombinati është një nga tre uzinat ushtarake nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
Dikur ky kombinat konsiderohej si një vepër e rëndësisë së veçantë nga regjimi komunist, por sot ish-fabrika e armëve është në degradim të plotë. Linjat e saj të prodhimit janë mbyllur dhe vetëm një grusht njerëzish në rang drejtues vazhdojnë të marrin rrogën.
Interesimi i kompanisë bullgare për marrjen në shfrytëzim të Kombinatit të Poliçanit daton që nga shtatori 2015. Që nga kjo periudhë, përfaqësuesit e “All Guns Ltd” kanë vizituar disa herë uzinën dhe kanë përpiluar një plan biznesi që është dorëzuar në Ministrinë e Mbrojtjes.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes propozimi i “All Guns Ltd” në fillim është çuar në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Turizmit, MZHETTS, e cila ia ka përcjellë për vlerësim Ministrisë së Mbrojtjes.
“Sa më sipër, Ministria e Mbrojtjes, pas shqyrtimit dhe vlerësimit të kërkesës nga strukturat përgjegjëse, sipas VKM nr. 54, datë 05.02.2014, ka përcjellë praktikën pranë MZHETTS, për vazhdimin e procedurave të mëtejshme”, i tha “BIRN” në një përgjigje me shkrim Artur Meçollari, drejtor i Drejtorisë së Inspektimit dhe Antikorrupsionit në Ministrinë e Mbrojtjes.
Edhe pse kërkesa e kompanisë bullgare është miratuar nga një nga institucionet më të rëndësishme të sigurisë në vend, e kaluara e saj ngre pikëpyetje për procesin e ndërmarrë për ta verifikuar të kaluarën e saj.
Dokumentet e siguruara nga “BIRN” tregojnë që “All Guns Ltd” [emri i së cilës përkthehet nga alfabeti cirilik dhe si Alguns Ltd] është krijuar në vitin 2004 në Sofje nga një ish-tregtar skrapi i quajtur Alexander Dimitrov. Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie ka qenë tregtia e armëve.
Dimitrov ka qenë në të njëjtën kohë partner në biznes në kompaninë “SIB Metal”, me një prej figurave më famëkeqe të krimit të organizuar në Bullgari, Bojan Petrakiev Borisov, shpesh i thërritur me nofkën e tij “Barona”.
Sipas shefit të Departamentit të Krimit të Organizuar Ndërkufitar të Ministrisë së Brendshme bullgare Javor Kolev, Petrakiev është një kriminel karriere me një rekord kriminal që nga viti 1977.
“Petrakiev është një kriminel i njohur, me rekorde të rënda penale. Ai konsiderohet të jetë një përfaqësues i njohur i krimit të organizuar në Bullgari”, Kolev i tha portalit amerikan “Buzzfeed”, në dhjetor 2015.
Në një intervistë për “Buzzfeed”, Petrakiev tha që e njihte pronarin e “All Guns Ltd”, Alexander Dimitrev që nga vitet 1990, sepse të dy e kishin origjinën nga qyteti i Slivnitsa.
Sipas Petrakiev në vitin 2004, Dimitrov i kërkoi të bëheshin partnerë në “SIB Metal” dhe ai e prezantoi me “njerëz të fuqishëm”.
“Përpara se ta ndihmoja unë ai ishte askushi”, i tha Petrakiev “Buzzfeed”.
Ministria e Mbrojtjes i tha “BIRN” se, përveç kompanisë bullgare, “All Guns Ltd” “ka pasur disa vizita nga kompani të ndryshme”, për marrjen me qira ose koncesion të Kombinatit Mekanik Poliçan.
“Gjatë takimeve me këto kompani Ministria e Mbrojtjes është shprehur e gatshme për bashkëpunim dhe i ka ftuar kompanitë e interesuara të sjellin plan bizneset e tyre për të mundësuar rivalizimin e ndërmarrjeve ushtarake”, tha ministria.
“BIRN” ka mësuar se mes kompanive të interesuara janë dy kompani të mirënjohura amerikane në fushën ushtarake, “CUBIC” dhe “Howell Machine Technology”.
“CUBIC” ka punuar nga viti 2007 deri në vitin 2013 me Ministrinë e Mbrojtjes.
Përfaqësuesit e kësaj kompanie në Tiranë janë dekoruar në vitin 2013 me medaljen “Për shërbime të shquara” me motivacion: “Për kontributin e dhënë nëpërmjet ekspertizës dhe këshillimit për reformimin e mbrojtjes dhe zhvillimin e FA shqiptare”.
Por megjithatë tri burime të pavarura, të cilët folën në kushtet e anonimatit, i thanë “BIRN” që dy kompanitë amerikane ishin tërhequr pasi kishin mësuar se “All Guns Ltd” ishte paracaktuar si fitues.
Të kontaktuar nga “BIRN”, përfaqësuesit e “CUBIC” në Shqipëri nuk komentuan mbi procedurën e dhënies me qira te Kombinatit të Poliçanit.

Ëndrra për punë në Poliçan

Dy ushtarë të paarmatosur ruajnë vetëm derën kryesore të Kombinatit Mekanik Ushtarak të Poliçanit.
Nga  sipërfaqja prej 75 hektarësh, me rreth 52,000 m2 të hapësirës së ndërtimit ku në mes të viteve ‘60-të u ndërtuan objektet e prodhimit të municioneve dhe depot e armatimit thuajse nuk ka mbetur asgjë. Shumica prej godinave janë të rrënuara.
Uzina në të cilën fillimisht u prodhuan fishekë të kalibrit 7.62 mm dhe më pas me radhë linjat e prodhimit të granatave të dorës ofensive dhe difensive, minave kundërtank e kundër këmbësorisë, predha të mortajave 82 mm, kapsolla detonatore, predha, djegore e deri fishekzjarrë, ngjan me një grumbull hekurishtesh. të cilat të zotët duan t’ia falin kërkuesit më të parë.
Rrënimi i kombinatit ka shkaktuar pasoja të rënda dhe në qytezën e Poliçanit, e krijuar me të ardhura nga zonat për rreth në funksion të nevojave të linjave të prodhimit të municioneve.
Deri në fund të viteve ‘80-të, mbi 3,500 banorë të zonës rezultonin si të punësuar në uzinën e municioneve, ndërsa aktualisht ajo është e vetmja shpresë për hapjen e vendeve të reja të punës në qytezë.
Në Poliçan, interesimi i treguar nga “All Guns Ltd” për ta rivënë në punë fabrikën është një “sekret” që dihet nga të gjithë.
Drejtori i kombinatit, Altin Lamçe i tha “BIRN” se ai e sheh këtë kompani si mundësinë e vetme të shpëtimit të ndërmarrjes, ku ai tashmë menaxhon vetëm një grusht njerëzish.
“Është e vërtetë që kompania bullgare ‘All Guns’ ka paraqitur propozimin për të marrë me qira kombinatin, por unë nuk mund të them më shumë detaje, deri në miratimin e plotë nga strukturat përkatëse të këtij propozimi”, tha Lamçe.
“Mund të them së projekti është një mundësi e mirë për vendosjen në punë të kombinatit dhe hapjen e shumë vendeve të punës, që për Poliçanin është mëse jetike”, shtoi ai.
Optimist për projektin është dhe Altin Mema, ish-inxhinier në kombinat dhe tani i papunë.
“Fabrikën e prodhimit të municioneve mund ta vësh në punë, me ato asete që ka kombinati”, tha Mema. “Ato janë [dhe] thjesht duhet t’u ngrihet paneli dhe vendosen në punë”, shtoi Mema, duke shpjeguar gjendjen teknike të kombinatit.
Sipas Memës “All Guns Ltd” ka plane të prodhojë fishekë të kalibrave të ndryshëm në Poliçan dhe do të hapë 300 deri në 800 vende pune.
“Kërkesat për armatim, qoftë dhe në Shqipëri janë rritur. Janë hapur tri poligone qitjeje dhe uzina mund t’i përmbushte shumë mirë nevojat e tregut vendas”, tha ai.
Jo të gjithë ish-punonjësit e kombinatit janë të entuziazmuar për projektet e bullgarëve. Disa prej tyre i thanë “BIRN” që kanë frikë se shumica e premtimeve të bullgarëve janë boshe dhe se dyshojnë se uzina do të shitet për skrap.
“Kompania që flitet që do të marrë kombinatin tonë është e specializuar me shitje të armëve dhe jo të prodhimit të tyre, ndaj dhe kemi dyshime se do e sheshin për skrap si Cërriku”, tha njëri prej ekspertëve të prodhimit të municioneve në Poliçan, i cili refuzoi të citohet me emër, duke iu referuar ish-Rafinerisë së Naftës në Cërrik, e cila u mor me koncesion për rindërtim nga kompania “Kurum”, por u shkri për skrap menjëherë pasi u firmos kontrata e koncesionit.
Një dokument vlerësimi i përgatitur nga kompania amerikane “CUBIC” mbi gjendjen e kombinatit, flet gjithashtu për vlerën e skrapit në Kombinatin e Poliçanit. Në dokument, tregohet se në kombinat ka ende rreth 2,200 pajisje prodhimi të panevojshme, të cilat mund të shiten për skrap duke siguruar rreth 1 milion euro.
Skeptik për të ardhmen e kombinatit është dhe kryetari i sindikatës së kombinatit Abedin Çela, i cili është larguar nga puna në gusht 2014. Ai ankohet që qysh në vitet ‘90 kombinati është drejtuar sipas orekseve politike.
“Drejtuesit janë marrë me anë partie ndaj ka shkuar keq uzina”, tha Çela. “Derisa emërimet janë bërë me anë partie, sigurisht që puna nuk do të shkojë mirë sepse ata kanë parë interesat e partisë së tyre”, shtoi ai.

Pakti me Tahirin për drogën dhe refuzimi i Ramës për monitorim nga ajri

SEANCE PARLAMENTARE - Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshem Saimir Tahiri, gjate nje seance parlamentare, ku Gentian Salaj eshte zgjedhur krytari i ri Autoritetit te Medias Audiovizive, AMA./r/n/r/nPARLIAMENTARY SESSION - Prime Minister, Edi Rama and Saimir Tahiri, Minister of Interior, during a parliamentary session.

Zv.kryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, Ndoka denoncoi dje mbjelljen në të gjithë vendin të parcelave me drogë, duke akuzuar direkt për këtë situatë interesat e Ramës dhe Tahirit, të cilët sikurse u shpreh ai qëndrojnë pas këtij trafikimi të drogës.
Ndoka tha se i ka kërkuar zyrtarisht Ramës që të nisë procesi i monitorimit nga ajri me avionë italianë të plantacioneve të mbjella me drogë, gjë e cila nuk është bërë deri tani për shkak të lidhjeve direkte që ka me këtë trafik kreu i qeverisë.
“Nisur nga kanabizimi i Shqipërisë, prej më shumë se dy javësh, në cilësinë e zv.kryetarit të Komisionit parlamentar të Sigurisë, i kam dërguar një letër zyrtare Edi Ramës, ku i kërkoj monitorimin urgjent të territorit nga ajri, përmes avionëve italianë dhe publikimin e këtyre pamjeve.
Shqetësimi jonë vjen nga informacioni se mbjellja e drogës është pesëfishuar, madje për herë të parë janë hapur toka të reja për kanabisin. Nuk ka pasur asnjë përgjigje, asnjë masë të marrë në këtë drejtim. Nuk ka përgjigje, sepse droga është tashmë zyrtarisht një biznes qeveritar.
Fakti më i freskët se, më 24 prill, dhjetëra kamionë të ngarkuar me pleh organik për drogën e Habilajve jo vetëm nuk u ndaluan nga policia, por me urdhër nga lart, u shoqëruan deri në destinacion, tregon se kanabisi jo vetëm ka pushtuar vendin, por që rrënjët i ka në zyrën e Tahirit dhe Ramës.
Nuk ka asnjë dyshim se ky biznes kriminal drejtohet nga Edi Rama dhe Tahiri. Të gjitha faktet dhe kanabizimi i përditshëm e tregojnë këtë. Është kjo arsyeja pse Shqipëria u rendit në vendin e parë si prodhuesi më i madh i drogës në Europë, në raportin e Bashkimit Europian.
Është kjo arsyeja pse çdo kodër e vendit, nga veriu në jug është mbjellur me drogë, biznes që kontrollohet nga grupe kriminale në bashkëpunim me drejtuesit e policisë, të cilët kanë shkuar deri atje sa ruajnë dhe kujdesen vetë për parcelat me hashash. Shkëlqejnë në këtë angazhim, krerët e policisë në Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër.
Edi Rama nxjerr në ekran disa bimë të kapura diku, në një përpjekje për të mashtruar shqiptarët e për të mbuluar të vërtetën që e dinë të gjithë. E vërteta është se pakti i trafikantëve me Tahirin është ky: bandat qeveritare japin 30 për qind të parave, në këmbim të garancisë për të mbjellur, korrur e transportuar drogën.
Është kjo arsyeja pse z. Rama nuk i përgjigjet letrës zyrtare që Partia Demokratike i ka dërguar, ndërkohë që droga vazhdon të pushtojë vendin.
Nuk përgjigjet Edi Rama sepse droga është biznesi i tij. Me drogën mban bandat e tij. Me drogën shpreson të blejë votat nesër.
Partia Demokratike nuk do të lejojë fundosjen e vendit në këtë projekt droge e krimi. Bashkë me qytetarët dhe me partnerët ndërkombëtarë ne do ta ndalim dhe do ta shkulim drogën bashkë me rrënjët e saj qeveritare”, tha Noka.

80 oficerë policie në trafikun e drogës

Kryetari i opozitës, Basha ka denoncuar se 80 oficerë policie rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogës në një dosje me të dhëna sensitive që disponohet nga opozita. Ai denoncoi publikisht me emra kupolën e policisë të lidhur me bandën e kryekriminelit, Shullazi.
Shefi i Operacioneve Speciale, Alban Ahmeti është një tjetër emër i denoncuar për lidhjet me bandën e Shullazit, i cili ka ngjitur shkallët e karrierës në polici. “Kanë krijuar një shtet brenda shtetit me këtë bandë”, u shpreh Basha.
Gëzim Zhupa, një tjetër shef komisariati në Tiranë është pjesë e bandës së Shullazit, i cili po ashtu është emëruar në atë post për shkak të lidhjes me bandën kriminale.
Ermal Muça, i cili mban edhe postin më të lartë të zëvendësdrejtorit për Krimet në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë është një tjetër emër i lidhur me këtë bandë kriminale dhe i denoncuar mbrëmë nga kryetari i opozitës, Basha.
Banda e Shullazit sipas denoncimit rezulton të ketë emërimet e saj në të gjitha komisariatet e Tiranës. Engjëllush Abdyli një tjetër emër i kësaj bande rezulton të jetë drejtues i Komisariatit Nr. 2 në Tiranë.
Këta janë disa nga emrat e drejtuesve në polici, të cilët rezultojnë me lidhje dhe të katapultuar në ato poste vetëm se janë pjesë e bandës së Shullazit.
Kjo nuk mund të konsiderohet më një polici, por një bandë kriminale që ka veshur uniformën e policisë, ndërsa shteti mund të konsiderohet tërësisht i rënë në gjunjë përballë kësaj bande.

Projekti i Ramës hedh në rrugë prokurorët që godasin krimet e rënda

Një pjesë e draftit për ndryshimet kushtetuese për Reformën në Drejtësi është kritikuar nga prokurorët e Krimeve të Rënda. Burime zyrtare bëjnë të ditur për “Top Channel” se një përfaqësi e këtyre prokurorëve kanë dorëzuar në Komisionin e Reformës në Drejtësi sugjerimet e tyre sesi duhet të trajtohen ata në draftin kushtetues.
Projekti parashikon shkrirjen e Prokurorisë së Krimeve të Rënda pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, pjesë e të cilës do të jetë edhe ajo që njihet si Byroja Kombëtare e Hetimit.
Por, siç thonë prokurorët, në projekt nuk parashikohet se çfarë do të ndodhë me ta dhe se këta prokurorë nuk trajtohen njësoj me gjyqtarët e Krimeve të Rënda.
Drafti përfundimtar, i hartuar nga ekspertët ndërkombëtarë i mbron këta gjyqtarë, madje edhe në rastin kur ata nuk kalojnë me sukses provën e verifikimit të pasurisë. Kjo kategori gjyqtarësh transferohet në gjykatat e tjera, ndërsa për prokurorët e Krimeve të Rënda drafti nuk parashikon asgjë.
Aktualisht pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda funksionojnë 20 prokurorë, të cilët i kërkojnë komisionit të reformës që të paktën të trajtohen njësoj si gjyqtarët.
Prokurorët i kujtojnë Komisionit të Reformës se gjatë 10 viteve të fundit, ata kanë çuar para drejtësisë me dhjetëra persona të rrezikshëm, pjesë të krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe të grupeve terroriste, që vuajnë aktualisht dënimin me shumë vite burgim.

Plantacion droge me 20 mijë rrënjë në Fushë-Krujë

Efektivët e Komisariatit të Policisë Krujë kanë gjetur dhe shkatërruar një serrë me 20 mijë bimë narkotike të llojit kanabis sativa. Në pranga është vënë pronari i saj dhe në kërkim është shpallur një i ri. I arrestuari është identifikuar si Vesel Sala, 65 vjeç, banues në Krujë. Arrestimi i tij u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në serrat e tij, në fshatin Aramera, Krujë, iu gjetën dhe iu asgjësuan me anë të djegies: rreth 20 000 bimë narkotike të dyshuara të llojit kanabis sativa. Gjithashtu, u shpall në kërkim dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit A. Sala, 40 vjeç, banues në Arameras. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Kultivim të bimëve narkotike”.