19.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Dhuna ndaj protestuesve, PD padi penale ndaj dy drejtuesve të policisë

Partia Demokratike depozitoi në Prokurorinë e Tiranës kallëzimin penal për drejtorin e Policisë Bashkiake të Tiranës dhe drejtorin e Policisë së Tiranës, për dhunën e ushtruar dje në protestën për mbrojtjen e Parkut të Liqenit. Partia Demokratike e konsideron të paligjshme dhunën brutale të ushtruar dje me urdhër politik ndaj protestuesve dhe mbështetësve të PD, dhe kërkon vendosjen e drejtësisë. Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, dhe Ivi Kaso u prononcuan për mediat.
“Partia Demokratike paraqiti në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj kryeinspektorit të Policisë Bashkiake dhe drejtuesit të Qarkut të Policisë të Tiranës për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe veprës penale të pengimit me dhunë të të drejtës si dhe lirive për tubime dhe manifestime. Të dy këto vepra penale janë konsumuar nga këta dy njerëz dhe nga të urdhëruarit prej tyre dje gjatë protestës së PD tek Parku i Liqenit. Ne shprehim dhe një herë para publikut konsideratën tonë, përpjekjen tonë për të respektuar shtetin ligjor, atë pak gjë që ka ngelur nga shteti ligjor, sepse pjesa tjetër po përdhoset çdo ditë nga kjo oligarki e dhunshme në pushtet. Ajo që unë dua të përcjell dhe një herë është se dhuna nuk të çon askund, dhuna nuk ka çuar askund edhe burra më të mirë dhe në shtete të tjera në botës, përkundrazi i ka njollosur me damkën e antikombëtarizmit dhe antivlerave” u shpreh Ristani.
Ai u shpreh se ndalimi dhe arrestimi i protestuesve paqësorë të PD, për më tepër me dhunë, me maska sikurse dhe i patë nga pamjet, është e gjitha në kundërshtim me ligjin, në tubime të tilla policia nuk shkon me armë pa numra identifikimi. Nga ana tjetër, Ristani theksoi se Policia Bashkiake nuk është e detyruar nga ligji dhe nuk ka tagrin ligjor të merret me tubimet që zhvillohen. “Përsa i përket deputetit Strazimiri, unë jua thashë dhe herë tjetër, është një lojë që zhvillohet për të tërhequr vëmendjen nga gjërat kryesore, nga beteja kryesore që ne kemi me paligjshmërinë që ka kapur këtë klasë politike në mazhorancë, e cila ka mbushur jo vetëm Parlamentin me kriminelë, jo vetëm administratën publike me kriminelë, por deputetët e tyre vrasin publikisht qëllojnë me armë, duke lënduar njerëz të pafajshëm. Pra e gjithë kjo bëhet për të shpërqendruar vëmendjen. Ai nuk ka pasur armë dhe nuk kishte pse të kishte armë” sqaroi ndër të tjera Ristani.

– Prokuroria dihet që ka më shumë se tri muaj çështjen e protestës të 8 Dhjetorit lidhur me gjobën e falsifikuar, çfarë besimi keni?

Ristani: Ne vazhdojmë të kemi besimin tonë dhe konsideratën tonë për atë pjesë që ka ngelur te shtetit ligjor. Besojmë që në ndërgjegjen e njerëzve të ligjit duhet të ketë ngelur detyrimi i tyre ndaj këtij vendi për të zbatuar ligjin. Ne besojmë tek njerëzit e përgjegjshëm, që me siguri kanë ngelur në këto institucione, vazhdojnë të punojnë në këto institucione dhe nuk i binden urdhërit të oligarkëve.

– Si do ta komentoni arrestimin e 13 personave dhe çfarë qëndrimi keni për pretendimin e Policisë, se deputeti Gent Strazimiri kishte armë dje në protestë?

Ristani: -Ndalimi dhe arrestimi i protestuesve paqësorë të PD, për më tepër me dhunë, me maska sikurse dhe i patë nga pamjet, është e gjitha në kundërshtim me ligjin, në tubime të tilla policia nuk shkon me armë pa numra identifikimi. Për më tepër, Policia Bashkiake nuk është e detyruar nga ligji dhe nuk ka tagrin ligjor të merret me tubimet që zhvillohen. Përsa i përket deputetit Strazimiri, unë jua thashë dhe herë tjetër, është një lojë që zhvillohet për të tërhequr vëmendjen nga gjërat kryesore, nga beteja kryesore që ne kemi me paligjshmërinë që ka kapur këtë klasë politike në mazhorancë, e cila ka mbushur jo vetëm Parlamentin me kriminelë, jo vetëm administratën publike me kriminelë, por deputetët e tyre vrasin publikisht qëllojnë me armë, duke lënduar njerëz të pafajshëm. Pra e gjithë kjo bëhet për të shpërqendruar vëmendjen. Ai nuk ka pasur armë dhe nuk kishte pse të kishte armë.

– Keni bërë kallzim ndaj punimeve tek Parku i Liqenit. Keni besim tek Prokuroria, duke qenë se nuk ka asnjë të re nga hetimet?

Ivi kaso: -Mbetet të përsëris vetëm se besimi i PD është se në këto institucione kanë mbetur njerëz profesionistë dhe të përgjegjshëm.

Ristani: -Kauza jonë nuk është vetëm për Liqenin. Kauza jonë është në tërësi për paligjshmërinë që ka zënë këtë vend. Kauza jonë është kudo për shtetin ligjor që nuk funksionon, për betonizimin e Parkut “Rinia”, për betonizimin e Sheshit “Skënderbej”. Kauza jonë është për vendimet e Gjykatës Kushtetuese që nuk zbatohen. Kauza jonë është për dekriminalizimin, për Reformën në Drejtësi. Kauza jonë është për çdo gjë që ka të bëjë me shtetin ligjor.

Gati programi i PD, oferta për punësim, zhvillim ekonomik, ulje taksash e antikorrupsion

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mblodhi mbrëmjen e djeshme departamentet e PD, në një takim ku u konkludua mbi platformat në çdo sektor, që përbëjnë programin dhe ofertën për shqiptarët, për zhvillimin ekonomik, daljen nga varfëria, uljen e taksave, luftën ndaj korrupsionit, nxitjen e punësimit, zhvillimin e degëve më të rëndësishme dhe përmirësimin e arritjen e standardeve në fushën e shëndetësisë, rendit dhe sigurisë.
Programi i Partisë Demokratike është gati dhe në javët në vazhdim ai do të publikohet. 23 departamentet kanë finalizuar kështu punën disa mujore. Pas mbledhjes, nënkryetari i Partisë Demokratike, Edmond Spaho, dha një prononcim për mediat.
“Siç ju njoftuam, patëm një mbledhje me drejtuesit e të gjithë departamenteve të Partisë Demokratike në lidhje me finalizimin e hartimit të programit elektoral të Partisë Demokratike. Tashmë mund të themi që pas një pune disa mujore dhe diskutimeve brenda grupeve që ishin ngritur për këtë qëllim dhe diskutimeve me ekspertë të fushës, programi i Partisë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare është i përfunduar në linjat kryesore.
Objektivat e tij do të jenë që të nxisë ekonominë e vendit në mënyrë që të gjenerojmë vende pune, të mund t’i jepet një impuls sa më i madh ekonomisë me synimin e tërheqjes së investimeve të huaja, uljen e taksave, krijimin e hapësirave sa më të mëdha për punësim dhe zhvillimin e degëve të tilla të rëndësishme si bujqësia, turizmi, mjedisi. Programi synon reduktimin e varfërisë, rritjen e pagave dhe pensioneve, në mënyrë që vendi të futet në rrugën e zhvillimit dhe rritjes së mirëqënies për të gjithë qytetarët shqiptarë. Në javët e ardhshme ne do të vazhdojmë me fazën e dytë për prezantimin e të gjithë pjesëve të programit, tek grupet e interesit, tek qytetarët, për të marrë ide dhe sugjerime të tjera finale, të cilat do të bëjnë të mundur paraqitjen e një varianti përfundimtar për zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Spaho.

Skandal, Bashkia e Durrësit jep dy herë fonde për të njëjtën rrugë

Bashkia e Durrësit ka dhënë dy herë fonde brenda vitit për rrugën “Pavarësia” në Plazhin e Durrësit. Partia Demokratike në Durrës ka denoncuar këtë rast duke u shprehur se kjo rrugë u ndërtua me nxitim të madh në kohën e fushatës, ndërsa sot, pa kaluar ende një vit po rikualifikohet nënkalimi tek “Ura e Dajlanit”.
“Investimi i vitit 2015 për rrugën ‘Pavarësia’ në plazhin e Durrësit, synonte të sillte realizimin e korsive të biçikletave, gjelbërimit dhe ndriçimin. Rrugë, e cila iu dha për ndërtim me fondet e bashkisë, pra nga taksapaguesit firmës me çmimin më të lartë të ofertës me një fond prej 168 milionë lekësh pa TVSH. E gjithë kjo rrugë u ndërtua në një nxitim të madh në kohën e fushatës zgjedhore lokale, ku dhe u quajt një ndër projektet vizionare të Bashkisë së Durrësit. Sot, gjendemi përpara faktit ku pa kaluar ende viti, po rikualifikohet nënkalimi, rotondo tek Ura e Dajlanit, rikualifikim i cili vjen në një kohë kur sapo është mbyllur një investim”, thuhet në deklaratën e PD-së.
Më tej, në deklaratë thuhet se: “Të realizosh një investim me fondet e buxhetit të shtetit më 2016 do të thotë që minimalisht ky investim duhet të ishte në listën e prioriteteve të Bashkisë për vitin 2015-2016 dhe për më tepër duhet të jetë pjesë e listës së parashikimeve 4-vjeçare për investimet prioritare ku duhej të kalohej dhe në Këshillin Bashkiak. Ky projekt përveçse nuk është një investim prioritar nuk është diskutuar në Këshill Bashkiak dhe me grupet e interesit, kjo sepse nuk mund të jetë kurrsesi prioritet një investim i ri, i cili zhbën atë ekzistues të sapopërfunduar pa e vënë ende në eficiencë. Tabela e punimeve, e cila është një nga elementet e transparencës, paraqet Bashkinë Durrës si investitor, ndërkohë që investitor është buxheti i shtetit dhe Bashkia Durrës është përfituesi. Nuk ka qytetar taksapagues të Durrësit dhe banor apo vizitor të plazhit që të mos revoltohet kur sheh në rrugën e sapopërfunduar një tabelë punimesh për ‘Rikualifikimin e saj’ në një hark kohor që nuk kalon vitin duke prekur ndjeshëm sezonin turistik të vitit 2016 dhe duke u ndërhyrë në një ndërtim të sapopërfunduar. Rikualifikimi i këtij projekti synon të ndërhyjë tek ndriçimi dhe gjelbërimi dy pikat kyçe të projektit të 2015 dhe që ndodhet ende brenda garancisë dhe afateve ligjore”.
Partia Demokratike në Durrës shprehet se do t’i drejtohet drejtësisë për këtë rast, ndërsa i ka bërë thirrje Prokurorisë të verifikojë këtë investim të Bashkisë Durrës.
“Ekzistojnë fakte dhe argumente, të cilat ngarkojnë Bashkinë Durrës me përgjegjësi institucionale, por dhe morale për keqmenaxhimin e territorit nën juridiksionin e saj. Fakte, të cilat Partia Demokratike Durrës do i drejtohet drejtësisë. Kjo Bashki demonstron qartë se nuk ka një vizion për qytetin, pasi projektet ndryshojnë në varësi të klientelës dhe jo interesave të taksapaguesve. Partia Demokratike, Dega Durrës denoncon faktin se kryebashkiaku, nuk po i shërben qytetarëve, të cilët e votuan dhe nuk po punon për interesat afatgjata të qytetit të Durrësit, por synon vetëm të grabisë fondet publike apo dhe buxhetin e shtetit. I bëjmë thirrje Prokurorisë të marrë të gjitha masat për verifikimet e këtij investimi të Bashkisë Durrës”, përfundon deklarata e PD.

Babëzia Beqja nuk ndalet, tjetër pazar me dy tendera 3 milionë dollarë

Ministri i Shendetesise Ilir Beqaj, duke hyre ne nje seance parlamentare, ku pritet te votohet deputeti i PDIU, Shpetim Idrizit, ne postin e zv/kryetarit te Kuvendit./r/n/r/nHealth Minister, Ilir Beqaj, during a parliamentary session.

Ministria e Shëndetësisë ka realizuar në datën 9 mars dy tendera me vlerë të konsiderueshme, fondi limit i të cilëve arrinte në 339 milionë lekë ose mbi gati 3 milionë dollarë. Sipas Syri.net objekti ka qenë “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e parë dhe “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore” në tenderin e dytë. Por në të dy tenderat ka patur një koinçidencë të çuditshme.
Në tenderin e parë, atë për “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevojat e institucioneve spitalore” kanë marrë pjesë 6 kompani. Por vetëm njëra prej tyre ka paraqitur ofertë financiare, ndërsa 5 kompanitë e tjera nuk kanë paraqitur fare ofertë. Si rezultat tenderi, me fond limit 168 milionë lekë, është fituar nga ofertuesi i vetëm bashkimi i shoqërive Montal sh.p.k dhe Biometrics Albania, për vlerën 164.4 milionë lekë ose vetëm 2 për qind poshtë fondit limit.
Dyshimet shtohen për faktin se e njëjta skemë është përsëritur edhe në tenderin e dytë atë të, “Blerje materiale mjekimi konsumabël dhe kirurgjikale për nevojat e institucioneve spitalore”, i zhvilluar në po të njëjtën ditë, pra më 9 mars. Edhe në këtë tender kanë marrë pjesë 7 kompani, por çuditërisht vetëm njëra ka paraqitur ofertë, ndërsa 6 të tjerat nuk kanë dhënë asnjë ofertë financiare.
Si rezultat tenderi me fond limit 171.7 milionë lekë është fituar nga ofertuesi i vetëm, bashkimi i operatoreve ekonomik O.E.S Distrimed dhe Euromed. Edhe ky tender është fituar me një çmim vetëm 1.2 për qind nën fondin limit. Në të dy rastet Ministria e Shëndetësisë ka shpallur fitues ofertuesit e vetëm.

Kryqëzim konkurrentësh
Por një tjetër fakt i çuditshëm është se dy kompanitë që kanë marrë tenderin e parë kanë marrë pjesë në tenderin e dytë, por pa paraqitur ofertë. Po kështu një nga fituesit e tenderit të dytë OES Distrimed ka marrë pjesë në tenderin e parë, por pa paraqitur ofertë. Sipas dokumentave rezulton se kompanitë pjesëmarrëse janë kryqëzuar me njëra-tjetrën, por pa garuar, një skemë që hedh dyshime për marrëveshje paraprake mes kompanive dhe paracaktim të fituesve, një skemë që funksionon vetëm nëse përfshihet edhe autoriteti kontraktor, pra, në këtë rast ministria që drejtohet nga Ilir Beqja. Ministria e Shëndetësisë ka qenë shpesh në qendër të akuzave për korrupsion si me konçesionet ashtu dhe tenderat publik.

Beqaj centralizoi tenderat
Më 28 dhjetor 2015, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ka nxjerrë një urdhër që u heq të drejtën të gjitha spitaleve rajonale anembanë vendit për të realizuar procedura tenderimi mbi shumën e 800 mijë lekëve për blerjen e barnave ose të materialeve mjekësore.
Urdhri është përqendrim dhe monopolizim i paprecedentë i kompetencave të spitaleve rajonale, të cilat jo shumë vite më parë fituan disa të drejta për vetë-menaxhimin e tyre në kuadër të procesit të decentralizimit dhe rritjes së efiçencës, raporton Hashtag.al.
Beqaj ka ngritur një Grup-Pune që do të shërbejë si njësi prokuruese për të gjitha spitalet, do të jetë kjo njësi që do të marrë kërkesat e spitaleve mbi nevojat që ato kanë për barna dhe mjete spitalore dhe më pas i njëjti Grup-Pune do të zhvillojë dhe procedurat e tenderimit për të gjitha ato blerje që janë mbi 800 mijë lekë.
Në grupin e punës prej 4 personash spikat dhe prezenca e zonjës Shpresa Bello, e cila është dhe kunata e Drejtoreshës së Përgjithshme të Tatimeve, Briseida Shehaj.

Pronarët e shpronësuar të komunizmit zvarriten në procesin e rikthimit të pronave

Orhan Jegeni, 80 vjeç, inxhinier mekanik në pension, është një nga zërat kryesorë mes ish-familjeve të pasura të Shqipërisë, pronat e të cilëve u sekuestruan nga komunistët pas Luftës së Dytë Botërore dhe që sot janë duke luftuar për të rifituar asetet e tyre të humbura.
Ai është një nga trashëgimtarët e fundit të familjes Frashëri, e cila nxori një numër patriotësh dhe shkrimtarësh të famshëm, përfshirë vëllezërit Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të cilët krijuan një pjesë të lëvizjes për rilindje kombëtare në fund të shekullit të 19, lëvizje që udhëhoqi përpjekjet për pavarësinë e Shqipërisë nga Perandoria Osmane në vitin 1912.
Para ardhjes së komunistëve, gjyshërit e tij, Mehmet Frashëri dhe Vesime Toptani Frashëri, kishin 100 hektarë tokë në pronësi në periferi të Tiranës si dhe disa shtëpi në qytetin e Tiranës.
Orhani qe vetëm 10 vjeç kur Lufta e Dytë Botërore përfundoi dhe regjimi komunist i Enver Hoxhës mori kontrollin, duke sekuestruar pasuritë e të pasurve.
“Mbaj mend dëshpërimin tonë si fëmijë, kur ata sekuestruan edhe lojërat tona në oborr”, rikujton ai.
Gjatë viteve që pasuan, të gjitha pronat e familjes u sekuestruan me përjashtim të një shtëpie në Tiranë, ku ai dhe familja e tij e numërt jetoi në kushte të vështira për shumë dekada.
Në të njëjtën kohë, emrat e paraardhësve të tij iu vunë shkollave, rrugëve dhe monumenteve në të gjithë vendin.
Ata vuajtën vështirësitë e asaj kohe si të gjithë shqiptarët e tjerë, duke ëndërruar rënien e regjimit një ditë dhe duke shpresuar se do të merrnin pronat e trashëguara.
Ndryshimet politike më në fund erdhën në vitet 1990, por qeveria e re që mori pushtetin nuk e lejoi familjen Jegeni dhe gjashtë familjet e tjera trashëgimtare të merrnin pronat që dikur qenë nën pronësinë e Frashërllinjve dhe Toptanëve.
“Pata jetë të vështirë, duke kërkuar pronat e familjes dhe ajo që vijon të më mbajë duke i kërkuar është thjeshtë nostalgji”, tha ai për BIRN.
“Nuk pata menduar kurrë që çështja jonë do të zvarritej në këtë mënyrë. Kjo qe përtej imagjinatës”, shtoi ai.
Familja e tij dhe shumë familje të tjera janë ende duke vuajtur në përpjekje për të rimarrë pronat e tyre, apo së paku, të marrin kompensimin financiar.
Orhani u bë një nga zërat në këtë betejë që kur ai kërkoi të drejtat ligjore për veten dhe familjen e tij në vitin 1994.
Ndërkohë, që nga fillimi i viteve 1990, dhjetëra mijëra njerëz zbritën në Tiranë nga pjesa tjetër e vendit ku zaptuan toka dhe ndërtuan shtëpi pa të drejta pronësie dhe pa leje ndërtimi.
Në vitet që pasuan, qeveria miratoi ligje që mundësuan legalizimin e pronave të zaptuara dhe të shtëpive pa leje. Politikanët shpresuan se këto ligje do t’i sillnin atyre popullaritet dhe do t’i mundësonin të rizgjidheshin.
“Rreth 70 për qind e pronave tona në periferi të Tiranës tashmë janë të zëna nga të ardhurit që u sollën nga politikanë që deshën të fitonin politikisht”, tha Orhan për BIRN.
Në shtator 1996, Komisioni për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave e njohu të drejtën e tyre të pronësisë për 208,696 metra katrorë tokë.
Por deri tani familja e tij ka arritur të rimarrë efektivisht pas shumë vitesh betejash ligjore vetëm 7,452 metra katrore në periferinë e largët të Tiranës.
Pasi pritën për shumë vite për të marrë pjesën tjetër të tokës, apo kompensim financiar, në korrik 2010 familja e dërgoi çështjen e tyre në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Dy javë më parë, më 17 mars, vendimi erdhi më në fund, duke e detyruar qeverinë shqiptare të paguajë 3.3 milionë euro për trashëgimtarët e familjes Frashëri si kompensim për pjesën e mbetur prej 201,244 metrash katrorë, pronë që qe njohur nga qeveria shqiptare si e tyrja, por që nuk qe kompensuar financiarisht.
Jegeni i tha BIRN se, familjet janë rraskapitur nga zgjatja e proceseve gjyqësore dhe ka gjasa do ta pranojnë vendimin e Strasburgut pa e ankimuar, megjithëse disa prej tyre mendojnë se kompensimi i dhënë është tepër i ulët.
“Unë duhet të pranoj këtë shumë kundër arsyes për shkak se trashëgimtarët e tjerë janë lodhur dhe nuk duan ta apelojnë”, tha ai.
“Unë do t’ia jap shumicën e këtyre parave që do të marr nga vendimi i Strasburgut dy djemve të mi që jetojnë me familjet e tyre jashtë vendit dhe që do të bëjnë pas kësaj një jetë më të mirë”, shtoi ai.
“Por unë do të vijoj betejat e tjera për pronat e familjes, për shkak se paratë që do të marr do të më ndihmojnë të mbuloj shumë më tepër shpenzimet që kam akumuluar gjatë këtyre viteve, duke luftuar për të drejtat tona”, tha ai.

“Euro 2016”, Presidenti Hollande: 3.000 persona ekstra për sigurinë

French President Francois Hollande speaks during a press conference at the Arctic Circle Assembly in Reykjavik, Iceland, 16 October 2015. Hollande on Monday arrived in China, where he was expected to seek China's support for a new climate change deal in Paris in December. EPA/ANTON BRINK

Presidenti francez, Francois Hollande ka bërë të ditur gjatë kësaj të marte se, firmat private të sigurisë kanë punësuar 3.000 persona shtesë, enkas për të siguruar mbarëvajtjen e kampionatit europian të futbollit.

Pas sulmeve të javës së kaluar në Bruksel, ku mbetën të vrarë të paktën 35 persona, autoritetet franceze vendosën të vazhdojnë më tej planet për “Euro 2016” nga 10 qershori në 10 korrik, siç ishte parashikuar, përfshi këtu edhe zonat e dedikuara ndaj tifozëve, që nuk do të mund të sigurojnë bileta për ndjekjen e ndeshjeve brenda stadiumeve, por përmes ekraneve gjigante nëpër sheshe.

Hollande tha se 2,5 milionë njerëz priten të ndjekin ndeshjet, që do të zhvillohen në 10 qytete franceze, ndërsa rreth 5 milionë priten të vizitojnë zonat nëpër ambiente të hapura.

Duke iu referuar rreziqeve të larta për sulme, Hollande, gjatë fjalimit përpara profesionistëve të sportit në Paris, tha se “ne duhet të tregojmë që sporti, ashtu sikurse kultura dhe stili ynë i jetës, nuk do të nënshtrohen përpara këtij presioni dhe këtij kërcënimi”.

Arrestohet menaxheri i fushatës së Trump për sulm ndaj reporteres

Arrestohet  menaxheri i fushatës elektorale të kandidatit republikan për Shtëpinë e Bardhë, Donald Trump.
Corey Lewandowski akuzohet se ka sulmuar fizikisht ish-reporteren, Mishel Filds.
Bëhet fjalë për një tubim politik të datës 8 mars, ndërsa gazetarja ka bërë padi në polici me 11 mars.
Filds ka dëshmuar në polici se është kapur me forcë për krahu nga Lewandowski i cili dhe e ka shtyrë në momentin që reporterja kërkoi t’i bënte një pyetje, Donald Trampit.
Policia në Florida ka publikuar dhe videon me pamjet e sulmit të pretenduar, ndërsa vetë gazetarja ka publikuar një foto me shenja të nxirash në krah si pasojë e kapjes me forcë nga Corey Lewandowski.
Tramp ka dërguar një deklaratë mbështetjeje për menaxherin e tij të fushatës menjëherë pas arrestimit.
“Zoti. Lewandowski është absolutisht i pafajshëm për këtë akuzë, do të lirohet”.
Lewandowski do të dalë para gjykatës më 4 maj.

Gjyqi ndaj gazetarëve, Erdogan kundër diplomatëve

Në një fjalim të mbajtur në Stamboll, Presidenti i Turqisë sulmoi veçanërisht Konsullin e Përgjithshëm të Britanisë së Madhe, Leigh Turner. Pa e përmendur Turnerin me emër, Recep Tayip Erdogani kritikoi që ai angazhohet për një gazetar, i cili ka dalë para gjyqit për shkak të akuzave për spiunazh. “Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, ai bën edhe një fotografi faqe më faqe me të dhe e nxjerr në internet”, tha Recep Tayip Erdogan sipas agjencisë së lajmeve “Anadolu”.
Turneri pati ndjekur të premten me disa diplomatë të huaj, midis tyre edhe me ambasadorin gjerman, Martin Erdmann, hapjen e procesit gjyqësor shumë të diskutueshëm kundër dy gazetarëve kritikë ndaj qeverisë, Can Dündar dhe Erdem Gül. Kryeredaktorin e gazetës “Cumhuriyet”, Dündar dhe shefin e zyrës së gazetës për kryeqytetin i akuzojnë ndër të tjera për spiunazh, tradhti të sekreteve shtetërore dhe mbështetje të një organizate terroriste. Në rast dënimi, të dy i pret burgim i përjetshëm.
Para se të shkonte për të ndjekur procesin gjyqësor, Turner publikoi disa fotografi në rrjetin e Tëitterit, midis tyre një selfie me Dündarin dhe e komentoi seancën me fjalët: “Turqia vendos vetë se çfarë vendi dëshiron të jetë”. Erdogani deklaroi se me këtë qe kapërcyer një kufi. “Nëse ky person mund ta kryejë edhe më tej shërbimin e tij në Turqi, kjo ka të bëjë me fisnikërinë dhe me mikpritjen tonë”, tha Erdogani sipas agjencisë “Anadolu”. Sipas tij, në vende të tjera, diplomatët që manifestojnë sjellje të tilla nuk durohen për asnjë ditë.

Ministri i Drejtësisë: sjellja e diplomatëve është e papajtueshme
Anadolu raporton duke iu referuar qarqeve diplomatike se Ministria e Jashtme turke është ankuar zyrtarisht në disa përfaqësi të huaja diplomatike, për shkak të pjesëmarrjes së diplomatëve të tyre në proces. Se në ç’formë konkrete është bërë ankesa, kjo është e paqartë. Edhe një konfirmim të Ministrisë së Jashtme gjermane për momentin nuk ka. Qeveria në Ankara zemërohet para së gjithash për shkak të publikimeve të diplomatëve në Twitter, siç u shpreh një diplomat turk. Kjo mund të vlerësohet si përzierje në punën e pavarur të Gjykatës dhe shkel “paanshmërinë” e diplomatëve, u tha.
Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdag e quajti sjelljen e diplomatëve sipas mediave turke si “të papranueshme”. Edhe Kryeministri Ahmet Davotuglou e dënoi pjesëmarrjen në procesin gjyqësor të diplomatëve. Erdogani vetë u dërgoi që të shtunën një shpërthim zemërimi vëzhguesve të paftuar të procesit gjyqësor: “Ky nuk është vendi juaj, kjo është Turqia”, u shpreh ai i revoltuar në vendin e tij. Diplomatët mund të kryejnë aktivitet në kuadër të përfaqësive të tyre, përndryshe nevojitet leje, tha Presidenti turk.

Kritika ndërkombëtare ndaj procesit gjyqësor
Shkak për procesin është raportimi i gazetës “Cumhyriet” vitin e kaluar, se Turqia ka furnizuar me armë ekstremistët islamikë në Siri. Erdogani, që i paditi vetë gazetarët në gjyq dhe Shërbimi i Fshehtë turk, MIT janë bashkuar si palë me akuzën e Prokurorisë.
Kundër këtij procesi gjyqësor protestuan në një letër të hapur Këshilli i Evropës, organizata ndërkombëtare gazetarësh si dhe midis të tjerash më shumë se njëqind autorë në një letër të hapur, midis tyre edhe nobelisti i Letërsisë, Mario Vargas Llossa. Organizata Reporterë pa Kufij dhe organizata të të drejtave të njeriut kërkojnë ndalimin e procesit gjyqësor, që për mendimin e tyre është i motivuar politikisht. Procesi gjyqësor zhvillohet me dyer të mbyllura. Gjykatësit miratuan në fillim të procesit një kërkesë përkatëse të Prokurorisë. Mbështetësit e të dy të akuzuarve në sallën e gjyqit reaguan me zemërim për përjashtimin e opinionit publik.

Nxorën sekretin!

Dy gazetarë dolën në gjyq nën akuzat se kanë nxjerrë sekrete shtetërore dhe kanë ndihmuar një organizatë terroriste me raportimet e tyre për kontrabandën e dyshuar të armëve në Siri.
Xhan Dundar dhe Erdem Gyl të gazetës “Xhumhuriyet” mund të dënohen me burgim të përjetshëm nëse shpallen fajtorë. Ata janë akuzuar për publikimin e imazheve që datojnë në janar të vitit 2014 të kamionëve me destinacion Sirinë, për të cilat gazeta thotë se provojnë që Turqia ka kontrabanduar armë në Siri.
Turqia thotë se, gazetarët kanë ndihmuar një lëvizje islamike të kryesuar nga kleriku që jeton në SHBA, Fethullah Gulen. Turqia ka një rekord të dobët të të drejtave të njeriut dhe një histori akuzash ndaj gazetarëve.
Organizatat për lirinë e medias i kanë bërë presion Ankarasë të tërheqë akuzat kundër gazetarëve Dundar dhe Gyl.

Të ardhurat sërish në gropë, janari me 26% “fsheh” shkurtin me vetëm 6%

Rritja e lartë dyshifrore me rreth 16% e të ardhurave në buxhet për 2- mujorin ishte një sinjal pozitiv se, financat i lanë pas problemet e vjetshme, kur zgjerimi real ishte afër zeros dhe plani nuk u realizua për asnjë muaj, duke detyruar rishikimin e buxhetit në mes të vitit dhe duke e mbyllur vitin me 35 miliardë lekë mangut nga plani fillestar.
Megjithatë, të dhënat e detajuara tregojnë se, performanca e mirë e financave ka ardhur nga janari, ndërsa shkurti ka qenë një muaj tepër i dobët.
Në muajin shkurt, të ardhurat buxhetore u rritën me 6 për qind në krahasim me faktin e një viti më parë, por ritmet e rritjes u ngadalësuan ndjeshëm ne krahasim me janarin.
Në muajin janar të ardhurat u rritën me 26 për qind krahasuar me janarin e vitit 2015. Rritja e fortë e janarit i dedikohet në fakt problemeve që kaluan arkëtimet e taksave në fillim të vitit që shkoi për shkak të problemeve që solli instalimi i sistemit të ri online. Niveli i ulët i të ardhurave në janar 2015 (baza më e vogël) “ndihmoi” në një rritje të lartë të të ardhurave në janarin e këtij viti, por duket se ritmet e rritjes janë ngadalësuar ndjeshëm në shkurt.
Sipas të dhënave nga Ministria e Financave gjatë shkurtit 2016 janë arkëtuar 27.7 miliardë lekë nga 32.5 miliardë lekë në janar 2016, pra me një rënie prej 15% në raport me muajin e mëparshëm. Shkurti ka qenë nën mesataren e të gjithë muajve në 2015-ën (shih grafikun mujor), përveç janarit dhe shkurtit, që siç u përmend ishin të dobët, për shkak të sistemit të ri online, por edhe tkurrjes së importeve të akcizës (në pritje të rritjes së akcizës së cigareve dhe të tjerave në janar 2015, bizneset kishin krijuar rezerva në muajt e mëparshëm).
Financat duket se do ta kenë të vështirë të ruajnë ritmin e lartë të rritjes së të ardhurave të konstatuara në dy muajt e parë të vitit. Niveli  ulët i të ardhurave në dy muajt e parë të vitit të kaluar dhe rritja e fortë e mallrave të akcizës, dy faktorët që ndikuan në rendimentin e mirë të janar-shkurtit, nuk pritet të “ndihmojnë” më në muajt në vijim.
Në janar dhe shkurt 2015 u mblodhën më pak se 30 mld lekë në muaj (25.7 mld në janar dhe 26 mld lekë në shkurt), më pas, ritmi u përmirësua ndjeshëm dhe mesatarja mujore ishte gati 33 miliardë lekë në muaj (as shkurti as janari 2016 nuk e kapën këtë mesatare të mars-dhjetorit 2015).
Si importet e karburanteve dhe ato të cigareve u dyfishuan në janar 2016 në raport me janarin e një viti më parë, sipas statistikave fiskale, duke iu rikthyer në fakt normalitetit mujor (në janar 2015 psh importet e cigareve ishin vetëm 118 ton, nga mbi 200 ton që ishte mesatarja mujore në muajt në vijim, ndërsa në janar 2016 ishin 217 ton-shiko grafikun). Edhe për karburantet ishte e njëjta prirje-shiko grafikun.

Të ardhurat e pritshme në buxhet në 2016-ën
Të ardhurat buxhetore pritet të arrijnë këtë vit në 418.8 miliardë lekë, me një rritje mbi 8% me faktin e 2015.
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat për vitin 2016, vlerësohen në rreth 283 miliardë lekë ose rreth 20,8 miliardë lekë (8%) më shumë se parashikimi i vitit 2015.
Të ardhurat nga lufta ndaj informalitetit pritet të gjenerojnë rreth 8.9 miliardë lekë. Vlerësohet se për vitin 2016 do të importohen 3,000 ton cigare në krahasim me rreth 2,600 ton që priten për vitin 2015.
Të ardhurat në total nga rritja ekonomike pritet të jenë rreth 5,9 miliardë lekë. Për efekt të kujdesit në parashikimin e të ardhurave, në vlerësim është përdorur vetëm indikatori i rritjes ekonomike prej 3,4%, sqaron Ministria e Financave.
Të ardhurat nga politika fiskale janë llogaritur me 1,4 miliardë lekë shtesë në buxhetin e 2016. Të ardhurat nga faktorë të tjerë vlerësohen rreth 2 miliard lekë, nga Ministria e Financave.