14.5 C
Tirana
E enjte, 1 Maj, 2025

Rekordi, qytetarët tërheqin 32 milionë euro nga bankat në shkurt

Stoku i depozitave në sistemin bankar ka shënuar rënien më të madhe që prej qershorit të vitit 2015, kur sistemi vuajti nga një rrjedhje kursimesh për shkak të frikës së krijuar nga kriza e borxheve në Greqi. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, depozitat arritën në fund të shkurtit në 982 miliardë lekë, 3.9 miliardë lekë më pak se muaji i mëparshëm. Efekti rënës ka ardhur i gjithi nga tkurrja e depozitave me afat të individëve, që u reduktuan me 4.5 miliardë lekë apo rreth 1.2% me bazë mujore. Që prej shtatorit të vitit 2013, kjo kategori ka shënuar rënie të pandalshme. Vetëm gjatë vitit të kaluar, rënia e depozitave me afat të individëve në lekë ishte rreth 220 milionë euro.
Arsyeja kryesore e kësaj tendence lidhet me rënien e ndjeshme të interesave, që depozituesit marrin për kursimet e tyre. Në shkurt, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar i depozitave të reja me afat maturimi 12-mujor ishte 1.15%, në një nivel minimal rekord. Kursimtarët po zgjedhin alternativa më fitimprurëse, si fondet e investimeve apo depozitat afatgjata. Një tjetër investim me risk të lartë është ai në bursa, përmes fondeve të licencuara e atyre të palicencuara, për të cilat Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka ngritur shpesh shqetësimin. Depozitat me afat të individëve në lekë përbënin 34% të totalit në fund të shkurtit, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë.

Kredia mbetet në krizë. BSH: Rënia më e madhe vjen nga huat për biznesin

Kredia për ekonominë mbetet në krizë pavarësisht masave të Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë për rigjallërimin e saj. Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka Qendrore tregojnë se në fund të muajit shkurt stoku i kredisë për ekonominë ishte 12.4 miliardë lekë më i ulët se shkurti i vitit të kaluar.
Rënia është 2.2 për qind dhe ka ardhur e gjitha nga kredia për biznesin, i cili duket se nuk po preferon të marrë përsipër zgjerimin e aktivitetit përmes huave bankare. Të dhënat tregojnë se kredia për ndërmarrjet private ishte në shkurt 14 miliardë lekë ose mbi 120 milionë dollar më e ulët se një vit më parë, ndërsa kredia për individët u rrit më 1 miliardë lekë.
Vetë qeveria ka pranuar se ngërçi e kredive rrezikon ta mbajë ekonominë në një krizë të gjatë duke frenuar ringritjen e saj. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Ministria e Zhvillimit Ekonomik vëren se ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion, duke u shndërruar në një kërcënim për perspektivën e ekonomisë.
“Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” thuhet në dokumentin strategjik të miratuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave.
Sipas Bankës së Shqipërisë kriza e kredive pasqyron politikën e shtrënguar të bankave, por edhe kërkesën e dobët të biznesit dhe individëve për borxh. Kërkesat nga autoritetet rregullative të Bashkimit Evropian dhe Eurozonës, persistenca e rëndësishme e stokut të huave me probleme në bilancet e bankave dhe struktura afatshkurtër e burimeve të financimit zbehin gatishmërinë e bankave për të financuar sektorin privat me kredi afatgjatë.
Në krahun e kërkesës, ngërçi i kredisë është i lidhur me praninë e vazhduar të hendekut negativ të prodhimit si edhe të pritshmërive ende të paqëndrueshme të biznesit dhe të konsumatorëve për rritjen ekonomike të vendit.

Infantino vazhdon turin latin

Erdhi si një imazh i ri për të nxjerrë FIFA-n nga skandalet korruptive dhe akuzat për manipulime votimesh e pastrime parash, por të paktën në publik, Gianni Infantino nuk heq dorë nga luksi që i ofron detyra.

Presidenti i qeverisë së futbollit botëror zbarkoi me çarterin e tij në ndalesën e tretë të marsit në Amerikën e Jugut, duke qëndruar në qytetin Kokocamba në Bolivi për nëj vizitë zyrtare.

Infantino u vendos disi në siklet nga zakonet e imponuara të vendasve me një dush lulesh në aeroport dhe simbolet tradicionale të Bolivisë, por presidenti i FIFA-s ia doli të qëndronte i qeshur në takimet zyrtare.

Zvicerani u nderua me dekoratën më të lartë që jep Bolivia, duke marrë në duar “Urdhrin e Kondorit të Andeve”.

“Është një kënaqësi e madhe të jem këtu me miqtë e mi bolivianë, presidentin dhe federatën. Ju falënderoj për afeksionin që më shfaqni pasi ndjehem në shtëpi”, tha Infantino.

Kreu i FIFA-s do të marrë pjesë në një miqësore simbolike ku do të luajnë dhe emra të njohur të tërhequr nga futbolli, si braziliani Cafu apo spanjolli Fernando Hierro.

Ibra? Si Brad Pitt në rolin e Benjamin Button

Ibrahimoviç, Donnarumma, Baloteli, Pogba, Lukaku… këta janë vetëm disa prej “xhevahirëve” që menaxhohen nga Mino Raiola. Agjenti i njohur italian foli për të ardhmen e klientëve të tij në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. “Zlatan Ibrahimoviç? Zlatan është sikur Brad Pitt që luan rolin e Benjamin Button, djali që rinohet me kalimin e ditëve. Gjendja e tij mendore dhe fizike garantojnë se ai do të jetë në fushë edhe për pesë vitet e ardhshme. E ardhmja e tij? Do të jetë një zgjedhje e veçantë. PSG po bën gjithçka për të rinovuar. Ndërkohë të gjitha skuadrat në Itali e duan atë, përfshirë edhe Napolin. Inter është i interesuar të firmos, por planet e Erick Thohir nuk janë shumë të qarta. Milan më duket se e ka me tepër për publicitet. Ata kanë nevojë për 3 ose 4 lojtarë të tjerë që të jenë sërish një skuadër kompetitive. Ka pasur oferta nga të gjitha kontinentet. Nuk mund të flas për shifra të sakta, por bëhet fjalë për shuma të mëdha kur flasim për Kinën. Gjërat do të qartësohen më tepër pas tre javësh, kur unë do të jem kthyer nga pushimet”, u shpreh Raiola. Ai tha se edhe skuadrat në Angli janë të interesuara për shërbimet e sulmuesit, përveç Manchester Cityt, i cili nga sezoni i ardhshëm pritet të drejtohet nga Pep Guardiola, trajneri me të cilin nuk ka marrëdhënie shumë të mira Ibra.
“Baloteli? Për herë të parë nuk mund të flasim për sjellje jashtë fushës të Marios, pasi ka qenë i shkëlqyer, ndërsa presim që të rikuperohet dhe të gëzojë më shumë minuta në fushë. Donnarumma? Mendoj se Conte duhet ta marrë me vete në Europianin e Francës, jo të luajë sigurisht, por të mësohet me atmosferën dhe të përgatitet për Botërorin. Gianluigi është duke bërë gjithçka mirë me Milanin dhe ai është shumë mirënjohës për kujdesin, duke filluar nga Abbiati që është si një vëlla i madh. Rinovimi? Nuk do të ketë asnjë problem. Nëse Donnarumma dëshiron që një ditë të largohet nga Milani, atëherë do ta bëjë për një skuadër jo italiane për respekt të skuadrës kuqezi”, shtoi Raiola.
“Pogba? Paul më ka surprizuar për mirë këto vitet e fundit. Ishte një talent, ndërsa tani është një kampion. Asgjë nuk ka ndryshuar nga një vit më parë. Marrëveshja me klubin është shumë e rëndësishme. Juve do 100 milionë? Dua të shtoj se jemi në të njëjtën linjë dhe nëse nuk ka ndonjë projekt më serioz, atëherë më mirë të qëndrojë te Juve. Jemi gati që të rinovojmë”, tha Raiola.

Bale beson te fitorja

Gareth Bale shpreson që të konfirmojë pritshmërinë e madhe të krijuar rreth tij pas rikthimit në fushë në El Clasicon e kësaj të shtune. Uellsiani është një armë më shumë për Realin, tashmë më i adaptuar me jetën në Spanjë dhe me ambientin në dhomat e zhveshjes. Për sa i përket Barcelonës, Bale nuk ka dyshim, Reali sipas tij ka një plan dhe mund të fitojë, por ndërkohë refuzon të ngrejë flamurin e bardhë edhe për sa i përket luftës për titullin në La Liga. “Gjithçka është e mundur në futboll, jemi dhjetë pikë pas, por do të luftojmë deri në fund. Fitimi i La Ligas është diçka e mundur. Nëse fitojmë do të reduktojmë distancën në 7 pikë, dhe ne shkojmë për të fituar”, u shpreh Bale.
Pasi u shpreh se në krahasim me sezonin e kaluar ku nuk shfaqi gjithë potencialin e tij për shkak të ambientimit tani ndihet më mirë dhe merr pjesë më shumë në lojë, Gareth Bale foli dhe për preferencën e tij për sa i përket pozicionimit në fushë. “Të gjithë e dinë që më pëlqen të luaj në qendër dhe të lëviz, por po ashtu edhe në të djathtë ku mund të godas portën në diagonale. Gjtihsesi nuk e kam bezdi të luaj dhe në të majtë nëse është e nevojshme. Besoj se po rritem, po përmirësohem dhe jam në formë të mirë, por kam ende shumë për të bërë”, tha ai.
Pasi vlerësoi Johan Cruyff si një legjendë që e respekton gjithë bota, Bale shprehu optimizmin e tij për ndeshjen e së shtunës. “Ne ecim ndeshje pas ndeshje dhe fitorja në El Claisco do të na japë besim. Ecim ndeshje pas ndeshje, kemi gjëra për të përmirësuar dhe duhet të luajmë gjithmonë e më mirë. Duhet të shënojmë atje, do të jetë një ndeshje e komplikuar pasi ata po luajnë shumë mirë, por kemi një plan loje dhe nnjë taktikë që do të ndjekim, dhe besoj se do të fitojmë nëse i bëjmë gjërat mirë”, tha Bale.
Në fund edhe çelesi i suksesit për të fituar në El Clasico. “Të mbrojmë dhe të sulmojmë si skuadër, ndoshta në të kaluarën nuk kemi që shumë të bashkuar, por tani ecim të gjithë në të njëjtin drejtim”, tha Bale.
Ndërkohë, Kaka kërkon Kasiajsin në skuadrën e tij ën Amerikë. Pas marrjes së Julio Baptista, “Orlando City” duket se ka hedhur sytë nga portieri i Portos, Iker Casillas. Kaka tha se do t’i pëlqente ta kishte sërish shok skuadre spanjollin, edhe pse vet lojtari i ka komunikuar se dëshiron të qëndrojë edhe një vit tjetë te klubi portugez. Megjithatë 33-vjeçari theksoi faktin se Casillas tundohet nga ideja për të luajtur në Major League Soccer. Në përfundim Kaka deklaroi se brenda 5 ose 10 viteve të ardhshme, MLS do të jetë një nga kampionatet më të fortë në Botë.

Valencia, 19 milionë euro në sezon për Mourinhon

Valencia ka nisur të mendojë për zëvendësuain e Gary Neville, që do të marrë drejtimin e skuadrës sezonin e ardhshëm. Aktalisht drejtuesit e klubit spanjoll ia kanë besuar panikën Pako Ayestaran, që do ta mbajë këtë detyrë deri më 30 qershor, para se të nisë një projekt i ri. Në këtë situatë kanë nisur të qarkullojnë emra të ndryshëm për këtë rol të rëndësishëm, por më sugjestionuesi mbetet Jose Mourinho. Sipas “The Sun”, përfaqësues të Valencias kanë nisur kontaktet me portugezin, madje raportohet se oferta që i është bërë 53-vjeçarit mbetet në kufijtë e të pabesueshmes, plor 19 milionë euro në sezon, ndërsa 120  milionë euro do t’i ketë në dispozicion për t’i shpenzuar në merkato.
Bisedimet mund të përparojnë falë marrëdhënieve të shkëlqyera që ka pronari i Valencias, Peter Lim me vetë Jose Mourinhon dhe menaxherin e tij Jorge Mendez. Muajt e fundit është folur shumë për një marrëveshje mes Mourinhos dhe Manchester United, për të marrë vendin e holandezit Van Gaal, por më të vërtetë nuk ka asgjë zyrtare. Madje në “Old Trafford” po fiton gjithnjë e më shumë terren kandidatura e Rayan Gigs. Në fakt Mourinho nuk është emri i vetëm që ka dalë në skenë për postin e trajnerit të Valencias. Manuel Pellegrini, i cili do ta mbyllë në maj aventurën e tij te Manchester City shihet si alternativë e besueshme, por deri tani palët nuk kanë dakord për shumë që duhet të përfitojë kiliani gjatë një sezoni.

Berisha: Kërkesa e Leskajt? Njësoj sikur vrasësi t’i thotë shtetit më dëno se vrava

Ish-Kryeministri Berisha e ka quajtur kusari veprimin e mazhorancës për të mos dërguar në Gjykatën Kushtetuese mandatet e deputetëve të PS, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Duke folur për gazetarët pas përfundimit të Parlamentit, Berisha komentoi kërkesën e Leskajt drejtuar Metës që mandati i saj të shkojë në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë rast, ish-Kryeministri u shpreh se është njësoj sikur vrasësi t’i thotë shtetit ta dënojë se ka kryer vepër penale.
“Parlamenti ka hipur në lokomotivën Leskaj. Kjo është njëlloj si jë vrasës të vejë t’i thotë shtetit më dëno se vrava. Këtu s’kemi të bëjmë me vrasje, por me kusari shtetërore. Nëse shteti ligjor funskionon mbi bazën e vullnetit të shkelësve të ligjit, nuk është më shtet ligjor por është zëvendësimi i shtetit ligjor me vullnetin dhe dëshirat e krimit dhe kusarëve”, tha ndër të tjera ish-Kryeministri Berisha.

Berisha: Rama i sëmurë psiqik, tentoi të turpërojë një gazetare

Ish-Kryeministri Berisha u shpreh se Rama është i sëmurë psiqik dhe i pashpresë, pasi ka tentuar të turpërojë një gazetare për faktin se është nënë. “Ky zotëri i sëmurë, pa shpresë me atë që ka bërë me gazetaren Ilva Tare ka folur jo si shtetar por si një halabak i vërtetë. Të mendosh se mund të turpërosh një zonjë, një gazetare me faktin se është nënë dhe rrit një vajzë duhet të kesh psikologjinë e një halabaku. Duhet të jesh i sëmurë, i pashpresë, të ofendosh një nënë se rriska një vajzë të vogël…”, u shpreh Berisha.

Skandali/ Rama pranon: 128 milionë lekë shpenzime për mobilim zyrash

Qeveria ka reaguar për një lajm të publikuar në disa media për mobilimin e zyrës së Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Sipas këtij lajmi, Ministria ka çelur një tender me vlerë 128 milionë lekë të reja (1.28 miliardë të vjetra) për të mobiluar zyrën e Tahirit. Por qeveria, me anë të portalit transparenca.al thotë se ky fond nuk do të përdoret vetëm për zyrën e Ministrit. Sipas saj, paratë do të shkojnë për mobilje për 11 institucione, përfshirë edhe Ministrinë e Brendshme.
Reagimi i qeverisë me anë të transparenca.al:
“Pretendimi i disa portaleve se Ministria e Brendshme ka çelur një tender prej 128 milionë lekë, vetëm për mobilimin e zyrës së ministrit, është një lajm spekulativ. Tenderi i mobilimit me pajisje, i cili është shpallur para pak ditësh dhe hapet në datën 19 prill 2016, përfshin në këtë procedurë 11 institucione që do të prokurojnë sipas nevojave të tyre, mobilie dhe pajisje. Fondi total i kësaj procedure është 128.113.807 lekë (pa TVSH) dhe përfshin jo vetëm mobilimin e godinës në rikonstruksion të MPB-së, por edhe blerjen e pajisjeve dhe mobilieve për 10 autoritete të tjera”.

Tahiri, 1.2 miliardë lekë për zyra luksoze

Një tender prej 1.2 miliardë lekësh është shpallur këto ditë nga Ministria e Brendshme me qëllim blerjen e orendive dhe mobilimin luksoz të zyrave. Tenderi është publikuar në Agjencinë e Prokurimeve Publike, ndërsa specifikimi është ai i blerjeve të pajisjeve të zyrave. Në llojet e mallrave që do të blihen bien në sy: banakë, kasaforta, krevate tek, rafte druri e metalike, tavolina të ndryshme, 36 frigoriferë, 29 televizorë plazma 50 inç, 8 televizorë të përmasave të tjera, etj., etj. Ajo çka bie në sy është shuma marramendëse e këtij tenderi prej 1.2 miliardë lekësh.
Ndërkohë që Tahiri shpenzoi nga paratë e buxhetit të shtetit rreth 2 milionë dollarë për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Brendshme, tashmë kësaj fature të kripur i shtohet edhe një tjetër shifër marramendëse që do të “përdoret” për mobilimin e zyrave dhe orendive.
Në lidhje me këtë tender abuziv ka reaguar ashpër dje ish-Kryeministri Berisha, i cili përmes një komenti në Facebook dënon vjedhjet e parave publike nga pushteti.
“Hajdutët e shtetit lajnë menderen me paratë që u vjedhin shqiptarëve! Për orendi dhe mobilim të zyrës së Saje qorrit shpallet tenderi me 1 miliard e 228 milionë lekë!!! Dje u botua dokumenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Drejtoria e Prokurimeve të Përqendruara, me të cilin shpallet tenderi për ‘blerje orendish dhe pajisje për mobilim zyrash’, me një fond limit 128 113 807 lekë shifër kjo stratosferike e padëgjuar deri më sot në shpenzimet e kolltukofagëve. Me këtë shumë mund të ndërtohen së paku 3 shkolla 9-vjeçare apo 4 qendra moderne shëndetësore.
Një shumë e tillë nuk është shpenzuar për pajisje dhe mobilim zyrash në 8 vite të qeverisë së PD të marra së bashku. Kësaj i thonë se, hajdutët e shtetit lajnë menderen me paratë që u vjedhin taksapaguesve shqiptarë, përfshi atyre që nuk kanë tri vakte ushqim, por që për çdo kafshatë paguajnë TVSH njëlloj sa Kryeministri, ministrat dhe Koçot e tij. Ju bëj thirrje qytetarëve shqiptarë që të ngrihemi dhe t’i shkulim sa më parë nga kolltuqet e krimit Edi Ramën dhe hajdutët e tij të shtetit!”, shprehet Berisha në reagimin e tij.
Tenderi në fjalë i shtohet listës së abuzimeve të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri me fondet publike. Pas skandalit me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit, rezulton se Tahiri ka abuzuar edhe me një tjetër, atë të blerjes së motorave po për Policinë e Shtetit. Sipas tenderit të shpallur nga Ministria e Brendshme, në garë ftoheshin kompanitë që ofronin motorat e tipit “Aprila” me një fond limit prej 1 miliard e 39 milionë lekësh, i cili është fituar nga një kompani e paracaktuar dhe pa asnjë garë, pra duke eliminuar mundësinë e ofertuesve të tjerë. Krahas kësaj, skandali thellohet edhe më tej, kur ministria ka përcaktuar blerjen e një motori disa miliona lekë më shumë, e verifikuar kjo lehtësisht edhe në faqen e kompanisë së motorave “Aprila”.