23.5 C
Tirana
E diel, 3 Gusht, 2025

Kapet me 1.3 ton drogë në Spanjë shqiptari

Një shqiptar i dyshuar për trafik droge është arrestuar në ishullin Ibiza të Spanjës, dy ditë më parë. Ai u ndalua lidhur me një ngjarje të ndodhur më 30 dhjetor 2014, kur në Barcelonë u ndalua një kamion me 1.360 kilogramë hashash, i nisur nga Ibiza.
Gjatë këtij operacioni u arrestua shoferi i kamionit, me kombësi spanjolle.
Hetimet çuan në identifikimin e një shqiptari, si organizatori i një grupi të trafikimit të drogës, i cili u vendos në verë në ishullin Ibiza, me identitet italian falso.
Ai bënte një jetë luksoze edhe pse nuk kishte punuar kurrë punë të ligjshme, raportojnë mediat spanjolle.
U zbulua gjithashtu se shqiptari përdorte edhe katër karta identiteti false dhe i përkiste një bande të njohur shqiptare për grabitjen e shtëpive luksoze në Kosta del Sol.
Shqiptari, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, u arrestua të mërkurën në aeroportin e Ibizas pas fluturimit nga Barcelona, i akuzuar si përgjegjës për dërgimin e sasisë së lartpërmendur të hashashit, që ka kaluar dje në dispozicion të Gjykatës së Torremolinos.

Në pikëpyetje zgjedhjet në Maqedoni

Të enjten në mesnatë ishte afati i fundit për dorëzimin e propozimeve me emrat e kandidatëve për këshillat zgjedhorë lidhur me zgjedhjet e planifikuara për më 5 qershor në Maqedoni. Por këtë e ka bërë vetëm partia qeveritare VMRO-DPMNE dhe jo tri partitë tjera më të mëdha. Kjo situatë pritet edhe një herë të shtyjë datën e zgjedhjeve të parakohshme. Ndërkohë, opozita maqedonase ka qëndrim të prerë, se pa reformat e nevojshme nuk do të marrë pjesë në zgjedhje.
Data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare e caktuar për më 5 qershor ka mbetur pezull, meqë tre nga katër partitë kryesore, nënshkruese të marrëveshjes, e cila parasheh zgjedhjet e parakohshme, nuk kanë dorëzuar listat me emrat e kandidatëve për në këshillat zgjedhorë. Këtë e ka bërë vetëm VMRO-DPMNE, partia e ish-Kryeministrit Nikolla Gruevski.
Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim edhe pse ditëve të fundit nuk kishte një qëndrim të prerë mbi 5 qershorin, me mosparaqitjen e propozimeve për në këshillat zgjedhorë, lë të kupohet se data e planifikuar e zgjedhjeve do të dështojë. BDI-ja megjithatë nuk komenton vendimin, por zyrtarë të saj shprehen se data e zgjedhjeve duhet të mbështetet me konsensus nga të gjitha partitë kryesore në vend. BDI, ndërkohë bën të ditur se po zhvillohen bisedime me përfaqësuesit e partive për të gjetur një zgjidhje të pranueshme.
LSD opozitare mbetet e palëkundur lidhur me qëndimin për bojkotin e zgjedhjeve të planifikuara nëse nuk plotësohen kushtet dhe se nuk mbështet asnjë datë tjetër pa reformat e duhura. Këto reforma parashikojnë mes tjerash, pastrimin e plotë të listës zgjedhore dhe lirinë e medias, përkatësisht tërheqjen e kontrollit qeveritar ndaj tyre.
Opozita maqedonase lidhur me spekulimet që janë dëgjuar se Nikolla Gruevski mund të ndërrojë mendje për datën e zgjedhjeve nëse nuk preket vendimi i presidentit Ivanov për faljen, bën të ditur se një opsion i tillë nuk vjen parasysh.
Partia Demokratike Shqiptare, e cila publikisht nuk ka shpalsur qëndrimet e saj, duket se është në një vijë me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar lidhur me standardet e zgjedhjeve në Maqedoni.
Diplomatët perëndimorë kanë lënë të kuptohet se po vazhdojnë komunikimin me drejtuesit e partive, por pa dhënë ndonjë hollësi se për çka bëhet fjalë konkretisht.
Sipas afateve të KSHZ partitë duhet t’i dorëzojnë listat me emrat e kandidatëve për deputetë më së voni deri më 11 maj, ndërsa fushata të fillojë më 16 maj dhe të zgjasë deri më 3 qershor.

Qeveria, përgjim masiv telefonave e rrjeteve sociale

Ministria e Brendshme ka kërkuar dje nga operatorët e telefonisë celulare të lejojnë përgjimin nga policia të gjithë qytetarët, duke përbërë kështu një skandal të ri të qeverisë dhe cenuar direkt privatësinë e qytetarëve shqiptarë.
Brenda 5 ditëve nga marrja e kërkesës nga ana agjencive ligjzbatuese, kompanitë celulare duhet të vënë në dispozicion të dhënat për komunikimet zanore, të mesazheve apo të komunikimeve në internet, si Facebook, Viber, WhatsApp, etj. Ky është thelbi i një projektligji të propozuar nga Ministria e Brendshme për ruajtjen e sigurisë publike parandalimin e akteve terroriste.
Sipas këtij projektligji sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve publike detyrohen të vënë në dispozicion menjëherë, në formë elektronike për Prokurorinë, Shërbimet Informative dhe Policinë e Shtetit, të dhënat që ruhen në skedarë. “Sot, patëm një konsultë me operatorët telefonikë përsa i takon disa ndryshimeve në ligjin “Për Komunikimet Elektronike”, të cilat do të mundësonin një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese. Por mbi të gjitha dhe një marrëdhënie shumë më të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë për çështje të caktuara që prekin komunikimet elektronike”, tha Tahiri në një komunikim me mediat.
Dje është zhvilluar një takim konsultativ me drejtuesit e telefonisë mobile në vend me praninë e ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe drejtorit të Policisë së Shtetit, Haki Çako.
“Kemi konstatuar domosdoshmërinë për të ndryshuar disa ligje, të cilat do të mundësonin Policinë, Prokurorinë dhe të gjitha agjencitë ligjzbatuese të bënin hetime më të shpejta dhe më efektive në kohë”, ka thënë ministri i Brendshëm gjatë takimit, duke sjellë në vëmendje ndryshimet e pritshme në ligjin për komunikimet elektronike.
Më e keqja është se operatorët telefonikë kanë rënë dakord për këtë lloj përgjimi, duke vënë në dorë të policisë në mënyrë të kundërligjshme biseda private telefonike.
Në takimin me operatorët telefonikë, u ra dakord që do të mundësojnë një akses më të drejtpërdrejt të Prokurorisë, të Policisë dhe agjencive të tjera ligjzbatuese.
“Gjithashtu, përtej kësaj do vazhdojmë edhe me konsulta të tjera, lidhur me disa ndryshime që ne i shohim të domosdoshme në Kodin Penal. Për t’iu propozuar më pas edhe Ministrisë së Drejtësisë, agjencive të tjera operatore ligjzbatuese pra Prokurorisë, Shërbimit Informativ Shtetëror përse jo. Dhe të gjithë atyre që mund të kontribuojnë për të ndryshuar në përmasën që duhet legjislacionin penal, për të bërë ç’është e mundur që hetimet proaktive kundër krimit të organizuar, korrupsionit në veçanti dhe terrorizmit të zhvillohen në kohë, me rezultate të qëndrueshme dhe pa pengesa burokratike të cilitdo lloji”, ka thënë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Përgjimi me ligj është një ekskluzivitet i Prokurorisë dhe ky kryhet, pasi është marrë edhe vendimi i Gjykatës. Dy vitet e fundit gati është dyfishuar numri i përgjimeve të kërkuara dhe të miratuara nga Gjykata.
i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Shoqërisë Civilie për nismën skandaloze të Tahirit. Përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, avokati Altin Goxhaj shprehet në një postim në rrjetin social Facebook se, nisma e Tahirit për të kontrolluar telefonat dhe sms-të e qytetarëve është në kundërshtim me ligjin. “Saimir Tahiri ka bërë një projektligj të ri, ku kërkon të kontrollojë telefonatat dhe sms-të tona pa Urdhër Prokurorie. Kjo është shkelje e Kushtetutës, pasi askush s’mund të kontrollojë privatësinë tonë pa urdhër prokurori apo vendim Gjykate”, shkruan përfaqësuesi i Shoqërisë Civile, avokati Altin Goxhaj.

Pollo: Përgjimi parandalues mund të bëhet vetëm nga SHISH, të ndalim Tahirin

Opozita deklarohet kundër ndryshimeve në ligjin e komunikimeve elektronike, të cilat do të lejojnë policinë të kryejë përgjimet përmes operatorëve të telefonisë celulare në vend jo vetëm të telefonatave, por edhe aplikacioneve si whats up, viber etj. Deputeti i PD, Genc Pollo deklaroi nëpërmjet një njoftimi për shtyp se, përgjimi parandalues mund të bëhet vetëm nga SHISH. “Saimir Tahiri, ende ministër i Brendshëm, deklaroi sot se do të amendojë legjislacionin që t’i mundësojë Policisë përgjimin. Për këtë, ai do të nismojë ndryshimin e Ligjit për Komunikimet Elektronike dhe sidomos të Kodit të Procedurës Penale. Përgjimi telefonik dhe internetik procedural (përdoret si provë e akuzës në gjyq) bëhet ekskluzivisht me autorizim të Prokurorit dhe në disa raste edhe të Gjykatës.
Përgjimi telefonik dhe internetik parandalues (nuk vlen në gjyq) mund të bëhet vetëm nga Shërbimi Informativ.
Por asnjëherë këto 25 vjet nuk i ka shkuar kujt në mendje që këtë tagër t’ja ngarkojë me ligj Policisë së Shtetit.
Kjo nismë Tahiri-Rama duhet ndalur! Eshtë e papranueshme, madje komprometon edhe Reformën në Drejtësi”, deklaroi deputeti i PD-së, Genc Pollo.
Çfarë parashikon projektligji?
Prokuroria, Policia e Shtetit dhe SHISH do të kenë akses direkt në bazën e të dhënave të kompanive që ofrojnë shërbime komunikimi, kompanitë e telefonisë apo internetit.
Ministria e Brendshme hartoi projektin që i detyron këto kompani, publike apo private, që brenda 24 orëve, ose 5 ditëve në raste specifike, t’i japin të dhënat e klientëve të tyre Prokurorisë, Policisë apo SHISH.
Sipas hartuesve, qëllimi është për të evituar praktikën negative të deritanishme, kur përgjigjja për të dhëna që lidheshin me çështje hetimore vonohej deri në 6 muaj.
Në jo pak raste, kjo vonesë ka sjellë edhe dështimin e hetimit të ngjarjeve të ndryshme, për shkak të tejkalimit të afateve të hetimit.
Për 24 orë jepen të dhënat që lidhen me identifikimin e pajtimtarit, kur dihet numri apo adresa e kompjuterit në rrjet, apo siç njihet ndryshe IP-ja; identifikimin e pajisjeve apo adresave të IP-së për një pajtimtar të dhënë; identifikimin e vendndodhjes së një pajisjeje fundore.
Ky afat bëhet 5 ditor, kur kërkesa përmban të dhëna më specifike. Në ligjin e mëparshëm nuk lihej një afat i përcaktuar, por thuhej pa vonesa, por Prokuroria priste edhe 6 muaj.
Ky projektligj shton dhe një nen tjetër, i cili parashikon se, me qëllim ruajtjen e sigurisë publike dhe kombëtare, parandalimin e krimeve të rënda dhe akteve terroriste, sipërmarrësit e rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve publike, detyrohen të vënë në dispozicion menjëherë, në formë elektronike dhe nëpërmjet dhënies së aksesit të drejtpërdrejtë në skedarë apo pjesë të tyre, ose ngritjes së platformave elektronike të disa institucioneve.

R.POLISI

Vrasja e Çiços, pamjet filmike “fundosin” oficerin e policisë

Prokuroria paraqet provat ndaj shefit të Antidrogës në Komisariatin Nr.5 të Tiranës, Alban Trimi, për fshehjen e armës dhe celularit të viktimës, Elton Çiço pas vrasjes në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ndaj Trimit, dje u dha masa e sigurisë “arrest me burg”, ndërsa Prokuroria ka ngritur akuzë penale ndaj tij në bazë të provave të grumbulluara në vendngjarje. Masa e arrestit ndaj tij u mor 48 orë pas ngjarjes me urdhër të Prokurorisë. Sipas Prokurorisë, menjëherë pasi Çiço u qëllua me armë, oficeri i policisë, Alban Trimi, sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, rezulton se ka lëvizur viktimën dhe më pas i ka marrë armën dhe celularin, duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Sipas Prokurorisë, polici Trimi që punonte pranë Komisariatit Nr.5, në Tiranë është larguar nga lokali për të mos u kthyer më. Megjithëse, i akuzuari ka mohuar akuzat e ngritura nga Prokuroria, por pamjet filmike e “fundosin” policin.
Çfarë zbuloi Prokuroria nga pamjet filmike?
Sipas Prokurorisë, nga këqyrja e videos rezulton se, “një nga personat e ulur në tavolinë me të quajturin Alban Trimi dhe personin mbi të cilin u qëllua me armë zjarri pistoletë, kthehet tek tavolina ku ishin ulur para se të qëllohej me armë dhe nga çanta që është në krah të djathtë të personit që u qëllua merr një send në formën e pistoletës dhe del nga dera sipër së cilës duket se është vënë kamera regjistruese ku më parë doli edhe shtetasi Alban Trimi.
Pastaj kthehet sërish tek vendi ku ka mbetur gjysmë i shtrirë mbi divan shoku i tyre i qëlluar me armë zjarri, ulet në anën e tij të majtë, ku më parë ishte ulur shtetasi Alban Trimi dhe ndërkohë duket se në duar para, mbi prehër, mban ende sendin si pistoletë të cilin më pas e lë diku në krahun e tij të majtë në një vend, ku këndi i fokusimit të kamerës nuk regjistron. Pastaj e kap me të dy duart shokun e tij të qëlluar me armë zjarri dhe mundohet ta ulë në dysheme, por nuk ja arrin dot i vetëm dhe në ndihmë i shkon shtetasi Alban Trimi.
Të dy së bashku e ulin të qëlluarin me armë zjarri në dyshemenë e lokalit me shpinë mbi pllaka  dhe kokë nga banaku i lokalit. Ndërkohë, shtetasi Alban Trimi shkon tek tavolina ku ishin ulur, merr disa sende nga aty dhe i vendos në xhepin e majtë të pantallonave të tij dhe del nga dera në krah të majtë të banakut e kthehet serish në lokal dhe në këtë moment dallohet se në xhepin e djathtë të pantallonave të tij ka një celular ngjyrë të zezë.
Pastaj shkon tek vendi ku pak më parë personi tjetër la sendin si pistoletë e merr atë e kalon në pjesën para brezit nga përpara dhe me dorën e djathtë e fut në pjesën e pasme të brezit nga e djathta, duke përdorur edhe dorën e majtë për ta sistemuar në brezin e pantallonave nga pas. Pas kësaj del nga fokusimi i pamjeve filmike dhe nuk kthehet më në këtë vend ku për pak kohë vijnë punonjës policie…”.
Nga hetimet e Prokurorisë bëhet me dije se më pas në vendngjarje nuk është gjetur pistoleta dhe aparati celular i përdorur nga viktima. Fillimisht, dy sendet i ka marrë shtetasi Redi Renja, dhe më pas ato i ka marrë polici Alban Trimi, punonjës policie, i cili është larguar më pas nga lokali.
Nga verifikimet paraprake rezultoi gjithashtu se, Alban Trimi nuk gjendej në territorin e DVP Tiranë, por ishte larguar për në Tepelenë prej nga ku do të kthehej pas varrimit të viktimës. Kjo tregon se prania e policit me Çiçon nuk ka qenë rastësore, por kishin miqësi me njëri-tjetrin.

Gjykata lë në burg pa afat oficerin e policisë

Ish-shefi i Antidrogës në kryeqytet Alban Trimi do të qëndrojë në qeli me masën e sigurisë “arrest me burg” dhënë nga Gjykata e Tiranës. Gjyqtari Asim Vokshi, zhvilloi seancën gjyqësore me dyer të mbyllura, duke pranuar kërkesën e Prokurorisë, për vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës shtrënguese, atë të “arrestit me burg”.
Para gjyqtarit të masave, mësohet se oficeri Trimi ka mohuar fshehjen e sendeve personale të Elton Çiços dhe ndërhyrjen apo prishjen e provave në vendin e ngjarjes. Edhe avokati mbrojtës mbajti të njëjtin qëndrim, duke pretenduar se oficeri Alban Trimi dhe dentisti Redi Renja kanë tentuar t’i japin ndihmën e parë mjekësore shokut të tyre, Elton Çiço. Avokati i kujtoi Gjykatës, punën e lavdërueshme që oficeri Alban Trimi ka bërë gjatë ushtrimit të detyrës, ku mes tjerash ishte edhe operacioni i arresimit të rreth 30 personave në Tiranë, për shpërndarje e shitje të lëndëve narkotike.
Ish-shefi i Antidrogës në kryeqytet me ndihmën e avokatit, kërkoi të lirohet nga Gjykata me pretendimin se është i pafajshëm. Por ky pretendim, mësohet se u kundërshtua nga prokurori Enklid Gjini. Ai lexoi para gjyqtarit Vokshi, përshkrimin e veprimeve të oficerit Alban Trimi dhe dentistit Redi Renja të fiksuara nga kamera e sigurisë së lokalit, pas vrasjes së shokut të tyre Elton Çiço. Sipas Prokurorisë, fillimisht ka qenë dentisti Renja që ka hequr pistoletën e Elton Çiços nga çanta, duke vendosur në një cep të lokalit. Ku pak sekonda më pas, pasi kanë lëvizur viktimën nga vendi i vrasjes në dysheme, prokurorët thonë se oficeri Trimi e ka marrë atë bashkë me aparatin celular dhe është larguar nga lokali. Pak minuta më pas, ai është marrë në pyetje për disa orë dhe më pas është lënë i lirë për t’u arrestuar dy ditë pas ngjarjes.

Tri pistat e Prokurorisë për vrasjen e Elton Çiços

Tri janë pistat hetimore, që Prokuroria e kryeqytetit është përqendruar për të gjetur shkakun dhe autorin e ekzekutimit të Elton Çiços, mbrëmjen e së dielës në një lokal në zonën e ish-bllokut. Sipas Prokurorisë, hetimet janë fokusuar në mbledhjen dhe sigurimin e provave materiale dhe informacioneve operative, në lidhje me konfliktet që Çiço mund të ketë patur me individë të caktuar. Burimet pranë grupit hetimor, i thanë ABC Neës, se pista kryesore për të cilën dyshohet se është ekzekutuar Elton Çiço, ka të bëjë me dyshimet për përfshirjen e tij në vrasjen e Robert Ramës në Durrës dhe vendosjen e tritolit ndaj vëllezërve Ervis dhe Elton Imerit.
Kjo pasi dyshohet se tre këta të fundit, kanë marrë pjesë në dhunimin dhe grabitjen e prindërve të Çiços në Tepelenë. Hetuesit, thonë burimet, kanë ngritur dyshime edhe për pistën e vrasjes për shkak të prishjes së pazareve të trafikut të drogës si brenda ashtu edhe jashtë Shqipërisë, pasi Çiço rezulton i dënuar në Greqi. Ndërkohë, grupi hetimor nuk ka përjashtuar edhe pistën e vrasjes për shkak të fajdeve dhe borxheve që Çiço mund të kishte me pronar të ndryshëm të kazinove dhe lojërave të fatit.
Të tre këto pista, sipas Prokurorisë, po verifikohen dhe po punohet edhe me marrjen e dëshmisë së familjarëve dhe personave të afërm të Çiços për të mësuar për konfliktet që kishte ai. Ndërkohë, hetuesit thonë se një ndihmë për hetuesit do të ishte gjetja e aparatit celular të Çiços, i cili mendohet se është fshehur nga shokët e tij, dentisti Redi Renja dhe oficeri i policisë Alban Trimi.
Nga ana tjetër, pavarësisht se kanë kaluar gati një javë nga ngjarja, Policia e Shtetit ende nuk ka një të arrestuar si të dyshuar për ekzekutimin e Çiços mbrëmjen e 1 majit në një lokal në kryeqytet. Ku nga fiksimi i kamerave të sigurisë, autori afrohet i qetë pranë lokalit, hyn brenda pranë tavolinës ku ndodhej Elton Çiço e 3 miqtë e tij dhe e qëllon me dy plumba, një në kokë dhe një në gjoks dhe largohet, duke i shpëtuar prangave të policisë.

Shefi i Antidrogës, në varrimin e viktimës Elton Çiço në Tepelenë

Shefi i Antidrogës, Alban Trimi ka deklaruar për hetuesit se, pas vrasjes së Çiços ndodhej në Tepelenë në varrimin e Eltonit. Kjo tregon se prania e policit me Çiçon nuk ka qenë rastësore, por kishin miqësi me njëri-tjetrin. Mësohet se Prokuroria ka nxjerrë urdhër ndalimi për efektivin Trimi që natën e ngjarjes, por është arrestuar 48 orë me vonesë nga policia.
Efektivi i policisë, që akuzohet se mori armën dhe telefonin e viktimës Elton Çiço, në vrasjen e ndodhur mbrëmjen e të dielës do të qëndrojë në burg. Gjykata e Tiranës është bindur nga provat e sjella nga Prokuroria dhe ka caktuar si masë sigurie për të arrestin me burg pa afat.
Trimi nuk ka pranuar akuzën e ngritur se ka penguar zbardhjen e të vërtetës, shpërdorimit të detyrës dhe armëmbajtje pa leje, duke deklaruar se, nuk ka marrë armë nga vendi i krimit. Por Prokuroria ka paraqitur si provë videon e kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi vrasja. Në to, sipas prokurorit Enklid Gjini, shihet qartë momenti kur qëllohet viktima dhe çanta e tij e krahut është në tavolinë.
Mjeku Redjan Rraja merr nga çanta e viktimës pistoletën të cilën e lë në vendin ku ishin ulur. Në këto kohë, nga filmimet shihet që Alban Trimi merr disa sende personale të viktimës dhe celularin dhe largohet nga aty. Rikthehet përsëri dhe pasi ndihmon mjekun që të sistemojnë trupin e viktimës, merr pistoletën e tij e fut në brez dhe largohet nga lokali, për të mos u kthyer më.
Por duke qenë se nuk është gjetur në territorin e kryeqytetit nga Policia e Tiranës, ndalimi i tij është bërë ditën e enjte. Nga verifikimet ka rezultuar se Alban Trimi ka qenë në Tepelenë në varrimin e Elton Çiços.
Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, Gjykata ka caktuar masën e sigurimit “arrest në burg” për shtetasin Alban Trimi, me funksion oficer policie në Komisariatin Nr.5, në Tiranë, i dyshuar për veprat penale të “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”, “Shpërdorim i detyrës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”.
Nga veprimet e deritanishme hetimore të Prokurorisë së Tiranë, rezulton se i dyshuari, i cili ka qenë i pranishëm në atentatin e ndodhur në datën 01.05.2016 në lokalin “D..N…” në Tiranë, ku mbeti i vdekur shtetasi Elton Çiça, ka fshehur armën e zjarrit dhe telefonin celular që mbante me vete viktima.
Pas këqyrjes së pamjeve të kamerave të sigurisë së lokalit ku ndodhi ngjarja, Prokuroria e Tiranës ka nxjerrë urdhërin e ndalimit ndaj tij, si i dyshuar për veprat e mësipërme. Urdhëri i ndalimit është ekzekutuar nga ana e Policisë së Shtetit pas dy ditësh. Nga verifikimet rezultoi se i dyshuari ka qenë në Tepelenë, në varrimin e viktimës Elton Çiço dhe më pas është kthyer në Tiranë, ku është bërë i mundur edhe ndalimi i tij.

R.POLISI

Skandali/ Tjetër tender 137 milionë lekë pa TVSH nga Policia e Shtetit

Patrullimi i makinave të Policisë në Tiranë lë shumë për të dëshiruar. Shpesh kemi parë që në rrugica dytësore, apo në cepa pallatesh, qëndrojnë për një kohë të gjatë autopatrulla të policisë. Një gjë e tillë bëhet nga vetë efektivët, të cilët në këtë rast “përtojnë” që të lëvizin me automjete. Madje, ka pasur raste që shoferët shesin naftën e këtyre mjeteve, duke u justifikuar tek shefat më pas se kanë patrulluar për disa orë.
Tashmë, për të evituar këto probleme, Ministria e Brendshme, ka hapur një tender për “blerjen dhe montimin e sistemit të kontrollit me GPS të mjeteve të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë”. Mësohet se fondi është 137 milionë lekë pa TVSH.
Bold News ka siguruar dokumentet e këtij tenderi, ku rezulton se procesi po bëhet për përmirësimin e punës dhe rritjen e shpejtësisë së veprimit ndaj ngjarjeve kriminale. Sipas saj, policia po ndërton një infrastrukturë të gjerë në monitorime dhe raportime online nëpërmjet sistemeve informatike. Një prej ktyre është dhe sistemi i monitorimit GPS.
“Sistemi është mjaft fleksibël dhe ju krijon mundësinë për të zgjedhur pajisjet e preferuara për monitorim dhe është kompatibël me pjesën më të madhe të pajisjeve sot në treg. Në këtë mënyrë kemi avantazhin të ketë një gamë të gjerë pajisjesh të instaluara nga prodhues të ndryshëm, sipas kërkesave specifike dhe kostos për pajisje. Sistemi duhet të ofrojë të dy mënyrat e komunikimit, nëpërmjet GPRS dhe SMS, të jetë multigjuhësh dhe mund të përshtatet në ngjyra dhe logo sipas preferencave te përdoruesit. Integrimi me pajisje dhe aksesorë të tjerë është tjetër avantazh i specifikimeve për sistemin dhe pajisjet”, thuhet në dokumentet e siguruara nga Bold News.
Sipas saj, salla operative e Drejtorisë Vendore Tiranë përbëhet nga 40 kompjuterë me sistem operative. “Qëllimi i këtij prokurimi është për ngritjen e sistemit GPS me komponentët HW dhe SW përkatës për pajisjen e automjeteve të Policisë së Shtetit shqiptar”, thuhet në këto dokumente. Më tej shtohet se, objekti i këtij investimi është blerja e pajisjeve dhe programeve të gatshme për sistemin e monitorimit të automjeteve nëpërmjet GPS siç janë pajisjet GPS/GSM, ekrani i monitorimit etj.

Policia masakron dy të arrestuar në Berat, njëri në gjendje të rëndë

Dy të arrestuar nga Policia e Beratit janë dhunuar nga policia në dhomat e paraburgimit. Njëri prej tyre ka përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Ata janë Artur Polovina dhe Ismet Kumria, të cilët u arrestuan teksa tentuan të grabisnin një banesë në Kuçovë. Por ndërkohë, policia pretendon se grabitësit u rrahën nga një prej familjarëve në banesën që u tentua të grabitej.
Për dhunën e ushtruar ndaj tyre ka reaguar edhe Ministria e Drjejtësisë. Ministri Ylli Manjani ka urdhëruar Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve që të evidentojë ngjarjen dhe ta referojë menjëherë rastin në Prokurori, ndërsa sjell në vëmendje se ushtrimi i dhunës ndaj personave të ndaluar përbën vepër penale.
Zyra e shtypit pranë Ministrisë së Drejtësisë njoftoi mesditën e së premtes, se Policia e Shtetit ka dorëzuar në paraburgim shtetasit me inicialet A.P dhe I.K. Këta shtetas, thotë Ministria e Drejtësisë, janë dorëzuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe me dëmtime të dukshme fizike për shkak të dhunës së ushtruar. Ndërsa njëri nga të arrestuarit ka dëmtime më të rënda dhe gjendet në spital.
Aktualisht, personave të dëmtuar po ju merren dëshmitë paraprake dhe çështja do t’i referohet Prokurorisë. Nga ana tjetër, Policia e Shtetit ende nuk ka reaguar për të dhënë sqarimet e duhura se ku janë dhunuar këta dy shtetas, në cilin Komisariat apo rajon policie.

Sala të bën Selam

Edison YPI

Pavarësisht si e ke emrin, Hysen apo Hasan, Skuth apo Morr, Turiqen apo Turimut, po ta kesh hak, buldozeri Salë njësoj të rrafshon, njësoj të bën Selam.
Në të bërët Selam Sala është gjenial. Por nuk është vetën Sala që të bën Selam. Po u hodhe ickla të gjithë burrat e shtetit të bëjnë atë që të bën Sala, Selam.
Sala Selamllëkun nuk e ka qëllim, e ka mjet.
Leshkos mund t’i duket se Sala nuk e ka bërë Selam, por, ta zemë, Alekum, pra diçka të shenjtë dhe vazhdon e ngrifet, por Sala nuk e ka bërë asgjë më të keqe dhe asgjë më të mirë, asgjë më tepër dhe asgjë më pak se Selam.
Nuk janë budallenj apo frikacakë ata që Salën e adhurojnë, por Salës nuk i afrohen më tepër se duhet. E kanë nga droja se mes selamllarëve të shumtë Sala mund t’i bëjë Selam aksidentalisht, duke i shndërruar në Haxhinj fatkeqë që kanë qenë në Mekë për pelegrinazh, por kanë ngecur në kthim në mes të shkretëtirës, janë sëmurur udhës mes rërave të moskuptimit dhe budallallëkut ku u bëjnë hyzmet ca beduinë të lodhur brenda ca çadrave të rreckosura me rrotull ca deve kockëdala.
Po të bëri Sala Selam, harroje se mund të bëhesh gjë tjetër, Selam je, Selam do ngordhësh. Sepse Sala Selamllëkun e arkitekton në atë mënyrë që edhe vetë Salës po t’i kthehet mendja, nga tragjizmi dhe qesharakizmi i selamalekumit nuk të shpëton dot.
Rastet kur Sala të bën Selam janë nga më të larmishmet.
Ke ndejtur një kohë të gjatë pranë Salës, të është rritur mendja, ka shpeshtuar icklat. Ky është rasti kur Sala, ngaqë i je dashur si vegël, Selam të ka bërë që në çastin e parë që të ka njohur.
Veglat e vogla janë të rëndësishme për Salën e madh.
Sala të ka bërë nëpunës të lartë, deputet, ministër. Mirëpo je i paaftë, i ngathët, pa rendiment, pa bilanc. Pasi të duron për një farë kohe, një ditë të bukur Sala të bën Selam. Nuk ta thotë. Të lë ta kuptosh. Po e kuptove, mirë, vuan pak. Po s’e kuptove, shumë keq, vuan deri sa të vdesësh. Por edhe po e kuptove edhe po s’e kuptove, nga selamllëku i Salës nuk shpëton dot kurrën e kurrës.
Sala nuk është prift që të të pagëzojë, nun që të presi flokët porsa ke lindur, magjistar që të mallkojë. Sala është Sala. Kjo është arsyeja që kur Sala të bën Selam nuk duhet ta marrësh si nofkë, por si diçka më të thellë. Diçka që nuk e kupton dot menjëherë, por të lë gjithë kohën, duke dyshuar nëse të vrau apo të plagosi, të rrahu apo të bëri masazh.
Sala nuk ka nge të japi spjegime nëse të ka bërë a s’të ka bërë Selam. Duhet ta kuptosh vetë.
Pasi edukatori gjenial Salë të bën Selam, nuk do të thotë se të ka bërë harram. Përkundrazi, të bërët Selam është një e mirë e madhe që të vish në vete sa më shpejt, të zësh ment, të mos përsërisësh gabimet kur të bësh ndonjë punë tjetër, se me Salën nuk puth më kurrën e kurrës.
Po t’i kesh rënë më qafë kot, Sala të gjen dhe të bën Selam edhe në brim të satome po të jesh futur.
Bërtit e ulërit sa të duash, pasi ta kuptosh se Sala të ka bërë Selam. Salës nuk do t’i vijë zëri. Është bërë shurdh. Ke mbetur vetëm në mes të udhës, është natë, kalimtarët flenë, makinat janë prishur, qerret kanë ngecur, trenat kanë ikur, aeroplanët janë rrëxuar, vaporrat janë mbytur, furgonat i ka bllokuar Bashkia, biçikletave u janë çpuar gomat, bëji derman vetes, mbathja nga të mundesh.
Pasi Sala të ka bërë Selam, pra, pasi Sala të ka shtypur si morr, të ka larguar si një mizë që e bezdis, bashkë me Salën edhe të gjithë të tjerët Selam do të bëjnë. Dhe Selam pas Selami, harrim pas harrimi, pendim pas pendimi, dyshim pas dyshimi, Selam i Salës do mbetesh derisa të ngordhësh.

Dekriminalizimi i medias

Dr.Enver BYTYÇI

Shqipëria po kalon një proces unik në histori. Sapo ka filluar ajo që quhet proces i dekriminalizimit. Ka nisur me Parlamentin, sepse nuk mund të bëhet shteti kur kriminelët bëjnë ligjet e tij. Ky Parlament ka humbur funksionin, qëllimin dhe misionin e tij. Prandaj nuk është më Parlament. Reforma Gjyqësore po bëhet me dhunën e ndërkombëtarëve për të dekriminalizuar gjykatat, Prokurorinë dhe Policinë Gjyqësore, me qëllim vendosjen e drejtësisë në këtë vend.
Po media si pushtet i katërt a është e inkriminuar dhe a duhet dekriminalizuar? A mund të ketë sukses ky proces, nëse media qendron jashtë tij? Unë besoj se pa dekriminalizimin e medias nuk mund të ketë dekriminalizim të shoqërisë e të institucioneve të shtetit. Media shqiptare, me përjashtime të pakta, është produkt i të njëjtës mendësie kriminale e mafioze si edhe të pushteteve të tjera.
Nëse politika kriminale synon pushtetin e dhunës dhe paranë, të njëjtën bën media në Shqipëri, të kapë paranë përmes korrupsionit, presionit mediatik dhe daljes nga misioni i saj për t’i shërbyer opinionit publik. Politika, legjislativi, ekzekutivi dhe gjyqësori i korruptuar dhe inkriminuar ka nevojë për aleatë. Aleati më i vlefsheëm për ta është media, sepse ajo është i vetmi instrument që shtrembëron dhe manipulon realitetin, të vërtetën. Nëse ndjekim gjendjen ekzistuese të medias, vëmë re lehtësisht se media dhe pushtetet e tjera janë njësoj të kompromentuar në korrupsion, paligjshmëri dhe kriminalitet.
Vetëm në Shqipëri ndodh që media të vendosë para kameras kriminelët vrasës gjakftohtë të dënuar në burg për jetë dhe të fyejë e nëpërkëmbë viktimat e tyre. E gjitha në funksion të parasë, politikës dhe krimit. Një botë humane nuk evokon vrasës e kriminelë. Bota mediatike shqiptare bashkëpunon çdo ditë me kriminelë të dënuar e në kërkim, thjesht për të mbrojtur botën e krimit sipas skemës “Bëji pis mediatikisht të gjithë, me qëllim që publiku të mos marrë vesh kurrë kush është e kush nuk është kriminel, i korruptuar, hajdut, mashtrues, trafikant”. Këtë skemë e mundëson media, sepse vetëm ajo ka atributin e përçimit të mesazhit politik kriminal ose jo te publiku. Në një vend në gjendjen tonë të mjerueshme mediat do të kishin specializuar moderatorët më të mirë për të mobilizuar njerëzit në protesta.
Në Shqipëri nuk ndodh kjo, edhe pse salla e Parlamentit është mbushur me kasapë, edhe pse kryeministri e përcjell me garanci vrasësin kriminel në kufi pa i vënë vulë në pasaportë, edhe pse deputeti pranon krimet e tij të mohuara sistematikisht nga kryeministri. Skandale si këto janë të paprecedenta në historinë e shteteve. Nuk ndodh diku tjetër që shteti të çojë në polici 38 mijë qytetarë, për mospagesë energjie e nga ana tjetër të armatosë dhe të mbështesë me logjistikë e polici bandën më të famshme të krimit, shullazët. Ndërsa mediat, akademikët e shantazhuar bëjnë të paditurin. Mediat tona ende vlerësojnë si shtetbërëse aksionin e dhunës kundër varfanjakëve dhe nuk denoncojnë lidhjet e shtetit me bandat e krimin. Mark Frroku pranoi më në fund se është një politikan kriminal.
Mediat prej kohe kanë mobilizuar opinionistë që të mbrojnë krimet e Mark Frrokut. Këta opinionistë kanë bërë me fanatizëm avokatinë e krimit me porosi e recetat e kryeministrit. Po tani që krimineli deputet pranoi se është i tillë, a ndjehen sado pak bashkëpunëtorë të tij?! A do të marrin përsëri këta pjesë në mbrojtjen e kriminelit politik të radhës, apo do të kërkojnë ndjesëe?! Nëse i numërojmë raste të tilla të inkriminimit të medias dhe emisioneve opininiste të tyre, do të duhej një studim gjithëpërfshirës. Por ajo që mbetet ka të bëjë me moralin e saj. Misioni i medias është e vërteta për publikun. Ndërkohë për fatkeqësinë tonë, ky mision është shqetësimi i fundit për pronarët mediatikë. Shqetësimi kryesor i tyre janë paratë e paligjshme, janë tenderët dhe lejet e ndërtimit. Në vend informacioni, emisionet televizive janë shndërruar në emisione afariste biznesi. Biznes për pronarin, biznes për drejtuesin e stafin e emisionit.
Kështu mënjanohen vlerat, se ato nuk kanë lidhje me biznesin. Vendin e tyre e zënë antivlerat. Kjo është tragjedia mediatike e jona. Nuk po shkruaj për raste konkrete, kur pronarët mediatikë urdhërojnë linçimin e njerëzve deri në lëndime, fyerje e në shkelje të të drejtave të njeriut. Pse? Sepse personi në fjalë e ndau në dy pjesë fondin e reklamës, pra njerën pjesë ia dha televizionit rival. Një analizë e një studim i thelluar do të nxirrte në pah pse televizionet tona i mbyllën 13 emisione investigative, të cilat funksiononin para qershorit 2013.
Por mediat tona duhen vënë në lupën e investigimit dhe hetimit ligjor në çdo pikëpamje, deri te respektimi i të drejtës njerëzore e profesionale të gazetarëve, deri te ballafaqimi i informacionit me faktet e shtrembëruara. Nga tenderët e deri te lejet e ndërtimit. Procesit të verifikimit të veprimtarisë mediatike në përputhje me ligjin i duhet shkuar deri në fund, si kusht për dekriminalizimin e medias. Media dhe hetimi i saj duhet të jetë objekt specifik i Reformës Gjyqësore në Shqipëri. Pa dekriminalizimin e medias nuk do mund të arrihet jeta normale si në një vend e në një shtet normal të së drejtës.

Pse e merr Papa Françesk Çmimin e Karlit këtë vit?

Bernd RIEGERT

Çmimi i Karlit, çmim ndërkombëtar i qytetit të Ahenit jepet që në vitin 1950, për të nderuar punë në shërbim të Bashkimit Evropian dhe të Paqes. Persona që e kanë marrë deri tani Çmimin e Karlit janë politikanë kryesorë evropianë, kancelarë, një President i SHBA, populli i Luksemburgut, monedha e Euros dhe një Papë. Në vitin 2004, Papa Gjon Pali i Dytë, i sëmurë tashmë rëndë, mori të vetmin “Çmimin e Karlit të Jashtëzakonshëm”, për rolin e tij në kolapsin e regjimeve komuniste të Evropës Lindore. Ky është çmimi më i vjetër që ka Gjermania për politikat evropiane dhe gëzon prestigj të lartë. Ceremonia e dhënies së Çmimit mbledh çdo vit personalitete shumë të shquara udhëheqësish politikë dhe dinjitarësh.

Krijuesi
Ideja për të krijuar një çmim për unitetin evropian ka lidhje me Kurt Pfeifferin, një tregtar tekstilesh nga Aheni dhe njëri prej kryetarëve të parë të bashkisë së qytetit pas Luftës së Dytë Botërore. Pfeifferi themeloi një shoqatë dhe arriti të bindë disa politikanë të Ahenit që ta mbështesin. Autoritetet britanike të pushtimit nuk qenë kaq entuziaste, sepse Pfeifferi dhe disa nga shokët e tij kishin qenë më parë anëtarë të partisë naziste, NSDAP. Por në fund Pfeifferi i bindi dhe grupi i shquar i laureatëve të Çmimit tërhoqi shpejt vëmendjen.
Çmimi ka marrë emrin e Karlit të Madh, Perandorit mesjetar të nderuar si “baba të Evropës”. Karli i Madh krijoi një perandori me administratë efikase në territorin e Evropës Perëndimore të sotme – edhe nëse e arriti këtë me dhunën e armëve dhe me luftëra të përgjakshme si ajo kundër saksonëve paganë. Ai ndërtoi bazamentin për identitetin evropian. Aacheni ishte qyteti ku ai kishte rezidencën kryesore; deri në shekullin e 16-të ky qytet mbeti vendi ku kurorëzoheshin mbretërit e Gjermanisë. Kështu që për tregtarin e tekstileve të Ahenit ishte afërmendsh dhënia e emrit të Karlit Çmimin: ai donte të krijonte një urë nga e kaluara, në të ardhmen.
Papa Françesk është zgjedhur për ta marrë Çmimin e Karlit për vitin 2016. Në kohën kur BE po përballon sfidën më të madhe të shekullit të 21-të, “është Papa “nga fundi i botës”, që orienton miliona evropianë në atë që e bashkon BE në thelbin e tij: një sistem i vlefshëm vlerash, respekti për dinjitetin e njeriut dhe për liritë civile, unikaliteti i qenieve njerëzore, pavarësisht nga origjina e tyre etnike, fetare ose kulturore dhe respekti për krijesën”, thuhet në deklaratën e komitetit të Çmimit.
Papa i bëri thirrje Evropës që të qendrojë e bashkuar, ai mbajti një fjalim për t’u mos u harruar në Parlamentin Evropian, e u tha evropianëve t’u përmbaheshin vlerave të tyre dhe të shmangnin kthimin pas në nacionalizëm i tha DW, Armin Laschet, që bën pjesë në Komisionin e Çmimit.

Pelegrinazhi në Romë, 2016
Papa është i lumtur për Çmimin, por ai nuk kishte mundësi të shkonte në Ahen për ceremoninë, kështu që komiteti dhe një numër politikanësh kanë vajtur për ceremoninë në Romë. Një element tjetër i ri: Çmimi jepet si traditë në Ditën e Ngjitjes së Krishtit në Qiell, por meqenëse Papa është shumë i zënë në këtë festë katolike, ceremonia e dhënies së Çmimit do të zhvillohet në Sala Regia në Pallatin Apostolik një ditë më vonë, të premten. Tri mbajtës të Çmimit, që përfaqësojnë institucionet evropiane do të mbajnë fjalët e rastit: Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe Presidenti i Komisionit Evropian, Donald Tusk.

Pelegrinazhi në Romë, viti 800 pas Krishtit
Karli i Madh kishte lidhje të ngushta, të përfitimit reciprok me Selinë e Shenjtë. Në Romë, ditën e Krishtlindjeve në vitin 800, Papa Leo III e kurorëzoi Karlin e Madh si Perandorin e parë Evropian perëndimor. Një vit më parë, Karli e kishte shpëtuar Papën që të mos e rrëzonin nga froni kundërshtarët politikë. Ndërvarësia e Perandorisë dhe Papatit do të ushtronte ndikimin e saj në politikën evropiane në shekujt e ardhshëm. Sot, Papa është shkëputur nga pushteti jokishtar; i vetmi vend ku qeveris ai është metri katror i Vatikanit, i cili nuk është anëtar i BE, por që ka kufi të hapur me Italinë dhe përdor si mjet pagese euron.

Londra së shpejti me kryebashkiak mysliman?

Tetë vite me radhë konservatori, Boris Johnson ka drejtuar si kryetar bashkie kryeqytetin britanik. Tani sipas sondazheve të fundit pritet ndërrim kursi: Kandidati me origjinë pakistaneze, laburisti liberal, Sadiq Khan, e ka lënë dukshëm pas konservatorin, Zac Goldsmith. Sipas përllogaritjeve, Khan merr 57% të votave, ndërsa rivali Goldsmith vetëm 43% të tyre. Rezutati përfundimtar pritet të premten në mbrëmje. Khan konsiderohej me më shumë shanse në garën elektorale, por së fundmi kundërshtarët e tij e përmendnin shpesh sfondin fetar të Khanit. Edhe kryeministri konservator, David Cameron, ka pretenduar se myslimani Khan ka kontakte me ekstremistët.
Laburisti Khan vjen nga familje emigrantësh, është djali i një shoferi autobusi, dhe është rritur në një apartament të fondit social. Për Londrën kandidatura e Khan nuk është e habitshme. Kryeqyteti i kolonisë botërore prej kohësh është zhvilluar në metropol multikulturor. Rivali i Khan, konservatori Goldsmith vjen nga një familje miliarderësh të një dinastie hebreje, ai është djali i një investitori bankar me famë, James Goldsmith.
Megjithatë suksesi i kandidatit laburist në zgjedhjet për Londrën nuk e mbulon dot dështimin e laburistëve në shkallë vendi. Partia shënon rezultate të dobëta në të gjithë Anglinë. Pas numërimit të votave në zgjedhjet komunale, laburistët humbën një duzinë mandatesh në parlamentet vendore. Sipas sondazeve, shumë votues kanë kaluar në anën e partisë euroskeptike, Ukip. Ndërsa në Wales pritet që nacionalistët të hyjnë për herë të parë në parlamentin vendor.

Votuesit në Skoci
Edhe në Skoci vihet re një rënie e partisë së punëtorëve, këtu në favor të konservatorëve dhe partisë së majtë nacionale, SNP. Nacionalistët fitojnë terren. Kryeministrja e qeverisë skoceze, Nicola Sturgeon, ka bërë fjalë për një “fitore historike” të partisë së saj. Por surpriza kryesore pritet të vijë nga shpërndarja e roleve mes konservatorëve dhe laburistëve. Konservatorët shënojnë rritje të konsiderueshme në elektorat në disa pjesë të Skocisë, dhe bëhen ndoshta forca e dytë politike në vend. 40 milionë britanikë votuan të enjten (05.05) për parlamentet rajonalë dhe komunalë. Krahas Londrës ka pasur zgjedhje për kryetarë bashkie edhe në qytete të tjerë të mëdha britanike.