23.5 C
Tirana
E diel, 3 Gusht, 2025

Çfarë po ndodh mes Erdoganit dhe Davutoglusë?

Hilal Koylu

Gjatë 20 muajve të qëndrimit të Ahmet Davutoglusë në postin e kryeministrit turk dhe drejtuesit të partisë për “Drejtësi dhe Zhvillim”, AKP ka pasur shpesh zëra për një krisje në marrëdhënien mes kryeministrit dhe presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan. Por presidenti i hidhte poshtë ato në mënyrë të përsëritur. Njoftimi i tanishëm i kryeministrit turk se do të largohet nga posti, jep sinjale të tjera për marrëdhënien mes dy pushtetarëve.
Shenjat e mospajtimit mes dy udhëheqësve turq filluan të dukeshin në muajin e fundit, kur Davutoglusë iu hoq kompetenca e emërimit të drejtuesve partiakë lokalë dhe në distrikte, në një takim të Bordit Vendimmarrës Ekzekutiv të partisë. Pak ditë më vonë u shfaq online një blog “Dosjet e Pelikanit”, në të cilin një autor anonim trajtonte në shkrime marrëdhënien mes kryeministrit Davutoglu dhe presidentit Erdogan. Ka zëra se ky blog është bërë nga mbështetës të Erdoganit, ndërkohë që të tjerë besojnë, se ai është shkruar nga njerëz jashtë partisë, AKP.
Njoftimi i Davutoglusë për dorëheqje u shoqërua nga theksimi i luajalitetit për presidentin Erdogan sigurisht edhe për të shuar zërat, se brenda AKP-së po zien. Davutoglu i qetësoi shqetësimet lidhur me dorëheqjen e tij, me deklaratën se do të qëndrojë kryeministër deri në kongresin e partisë, më 22 maj. Por largimi i tij ngre pyetjen, se si do ta përdorë tani presidenti Erdogan pushtetin e tij dhe se çfarë ndryshimesh politike e presin si qeverinë ashtu edhe opozitën.

“Film horror”
Në Ankara si efektet e dorëheqjes së Davutoglusë ashtu edhe se çfarë mund të ketë ndodhur vërtet mes Erdoganit dhe kryeministrit janë objekt interpretimesh nga më të ndryshmet. Sipas Ayse Ayata, profesore e shkencave politike në Turqi, ajo që po ndodh në Turqi i ngjason “një filmi horror” dhe po del si një “puç presidencial” i Erdoganit. “Ne flasim këtu për një kryeministër, i cili përjetoi rënien e votës në votimet e 7 qershorit dhe punoi për të rritur elektoratin në zgjedhjet e 1 nëntorit. Davutoglu është një kryeministër që arriti të marrë 50% të votës në shkallë kombëtare”, thotë për “Deutsche Wellen”, Ayse Ayta, profesore në Universitetin Teknik të Lindjes së Mesme.
Erdogani do të nxjerrë jashtë Parlamentit opozitën e HDP-së dhe të shpallë zgjedhje të reja parlamentare, duke e çuar vendin në një situatë që do të dëmtojë demokracinë, shoqërinë dhe në fund të fundit “ka për të përfunduar keq”. Sipas Aytas “është e qartë se, Erdogani nuk sheh asgjë që ta pengojë drejt rrugës për një sistem presidencial. Ai është po ashtu i përfshirë me mbrojtjen e vetes dhe familjes së tij. Kjo është e qartë”.

“Konflikti do të shkallëzohet”
Studiuesi i shkencave politike në Universitetin e Ankarasë, Baskin Oran thekson se, Turqia po shkon drejt zgjedhjeve të reja. “Erdogani bëri hapin e fundit në drejtim të instalimit të një sistemi presidencial, duke bërë një puç e nxjerrë jashtë qeverisë, Davutoglunë, sepse kryeministri Davutoglu nuk bëri çdo gjë, siç e kërkonte ai”, thotë Oran për “Deutsche Wellen”. Sipas studiuesit, Erdogan do të ndjekë një strategji të provokimit të kurdëve dhe duke mbajtur në koalicionin e tij të AKP-së, neonacionalistët dhe ushtarakët. “Erdogan do të shkallëzojë deri në fund konfliktet në vend. Me qëllim që të fitojë zgjedhjet, ai do të përfitojë nga një atmosferë e frikës dhe kaosit”. Por çështja kryesore është se sa kohë do të përfitojë Erdogan nga kjo strategji-dhe nëse ajo në fund të fundit mund të çojë në vetë rrëzimin e tij.

Grizman-Torres: Atletiko fiton Champions

Antua Grizman dhe Fernando Torres janë dy protagonistët “e veçantë” të Atletikos së Madridit. Sulmuesit e ekipit që ka përparësi të shkatërrojë lojën e rivalëve, pas kalimit të pengesës së quajtur Bajern, tani janë gati për hapin e madh. Në finalen e 28 majit, duke mundur Realin e Madridit, ata do të hakmerren për disfatën që pësuan në Lisbonë dy vite më parë përballë po të njëjtit ekip, me të cilin, për fat të keq, “ndajnë” edhe qytetin. “Ne nuk keni nisur ende që të mendojmë për finalen në Milano, pasi kemi ende dy ndeshje mjaft të rëndësishme në La Liga.
Së pari, duhet të mbyllim sfidat me Levanten dhe Seltën pastaj të shikojmë për më tutje”, pranoi Antua Grizman, autori i golit që i dha Atletikos të drejtën për të luajtur në finalen e madhe të Ligës së Kampioneve.
Në fjalën e tij, sulmuesi francez zbuloi sekretin që e ka ndihmuar të kthehet në një goleador të vërtetë. “Kur dal përpara portierëve, them me vete: “Më në fund vetëm”. Sa i përket golit që shënova në Gjermani, duhet t’ia di për faleminderit Torresit, pasi më dha një pasim shumë të zgjuar. Në ato çaste bëra sikur doja të dërgoja topin në anën e kundërt dhe më pas e dërgova drejt. Sekreti? Them se jam bërë një goleador i mirë falë Simeones.
Ai më ka kërkuar që të bëj ushtrime ekstra dhe prandaj jam përmirësuar kaq shumë. Përveç të tjerash, më jep shumë besim”, tha francezi që iu bashkua Atletikos vetëm dy vite më parë. Ndryshe nga shokët e ekipit, Grizman nuk ka lënë të kuptohet se do të futet në “San Siro” me dëshirën për të marrë hak për humbjen që i shkaktoi Reali dy vite më parë Atletikos.
“Tifozët tanë janë të lumtur, pasi ne do t’i dhurojmë edhe një herë emocionet që të jep një finale. Kjo ka më shumë rëndësi për mua. Nuk do të futem në fushë, duke menduar atë që ndodhi në Lisbonë.
Do të luaj për kurorën”, pranoi 25-vjeçari (që u transferua tek Atletiko disa ditë pas finales).
Ditën e djeshme mediat spanjolle publikuan një filmim të festës madrilene në Mynih. Fernando Torres, teksa po dilte nga “Allianz Arena”, iu drejtua Saulit: “E humba me dashje penalltinë, pasi doja që të vuanim deri në fund. Tani nuk do të gaboj më. E kam ruajtur një gol për finalen e madhe”.

Çek i bardhë për Zidan

Zinedin Zidan po përjeton një moment të jashtëzakonshëm si trajner, edhe pse është vetëm në muajt e parë të karrierës së re. Francezi e mori skuadrën në një situatë kritike, pasi ishte eliminuar nga Kupa e Mbretit, kishte dalë nga gara për titullin kampion në Spanjë dhe i vetmi objektiv kishte mbetur Champions-i.
Edhe pse me një grup lojtarësh të përçarë, ai arriti të rikthejë harmoninë dhe të ketë një ecuri të shkëlqyer. Aktualisht, merengesit shpresojnë ende te titulli kampion, me një diferencë prej vetëm një pike nga kryesuesit e Barcelonës dhe kanë siguruar finalen e Champions- it. “Bileta” për në ndeshjen e fundit të Ligës së Kampioneve ka qenë vendimtarja për të ardhmen e Zizusë. Media spanjolle bën me dije se, presidenti Florentino Perez ka pasur një takimin me kreun e pankinës, duke i dhënë besimin për edicionin e ardhshëm.
Ai do të vazhdojë të drejtojë skuadrën dhe do të ketë dorë të lirë për merkaton e verës. Zinedin do të bëjë listën e lojtarëve që dëshiron të afrohen dhe, mbi të gjitha, të gjithë ata që nuk i ka në plane.
Me konfirmimin e tij për edicionin e ardhshëm, një pjesë e lojtarëve kanë nisur të bëjnë gati valixhet për t’u larguar. I pari është Hames Rodrigez, që nuk preferohet aspak nga Zidan. Madje, ai është shndërruar në alternativën e tretë si zëvendësues. Isko dhe Kovaçiç janë dy mesfushorë të tjerë që gjithashtu nuk kanë pasur hapësira në dispozicion, për shkak se francezi nuk i pëlqen.
Me paratë që do të përfitohet prej tyre, do të investohen edhe për realizimin e objektivave. Për qendrën e mesfushës kërkon Pol Pogbanë, por listën e kryeson Eden Hazard, që ka dhënë sinjale të qarta për t’u larguar nga Çelsi. Përveç tyre, synohet edhe një goditje cilësore për krahun e djathtë të mbrojtjes. Ndryshe nga çfarë ishte përfolur kohët e fundit, asnjë prej yjeve të repartit të avancuar nuk do të shitet, pavarësisht interesit të madh që ka pasur.
Trajneri i Realit, Zinedin Zidan, është padyshim i kënaqur për arritjen në finalen e Champions-it ku i presin “kushërinjtë” e Atletikos, por predikon qetësi dhe përqendrim, në pritje të 28 majit: “Shkojmë në finale dhe jemi të lumtur, por ndërkohë nuk duhet të shpërqendrohemi nga kampionati.
Finalja e ‘San Siro’-s është ende larg, prandaj mos harrojmë se jemi në garë për kampionatin. Finalja me Atletikon, një stimul më shumë? Unë jam i lumtur që jemi në finale, por në të njëjtën kohë, kundër Atletikos do të kemi një stimul më shumë për të luftuar dhe kërkuar fitoren. Mos harrojmë se na mundën në kampionat, prandaj ky është rasti më i mirë për t’u hakmarrë. Rikthimi në Itali? Kam jetuar momente të bukura me Juventusin në Milano. Shpresoj t’i përsëris me Realin si trajner”.

Alban Meha do të jetë lojtar i Al Nasrit

Mediat turke kanë shkruar prej ditësh për Alban Mehën dhe të ardhmen e tij, mirëpo dje e kanë bërë fakt të kryer. Sipas tyre, “Snajperi” nga sezoni i ardhshëm do të jetë lojtar i Al Nasrit. Skuadra e Arabisë Saudite ka bindur mesfushorin shqiptar, duke fituar edhe konkurrencën me shumë skuadra nga i njëjti kampionat që kanë pasur interesim për shërbimet e tij.
Klauzola për shkak se, Meha ka luajtur më shumë se 20 ndeshje në Ligën e parë turke, mesfushorit i rinovohej automatikisht kontrata në përfundim të sezonit dhe kjo gjë është plotësuar.
Futbollisti shqiptar kishte nënshkruar kontratë 1+1 me Koniaspor dhe pas 20 ndeshjeve të luajtura, ai duhet të jetë edhe për një tjetër sezon pjesë e skuadrës turke, sipas kontratës. Kjo ka bërë që Al Nasri të paguajë 1 milion euro për kartonin e mesfushorit shqiptar. Koniaspor ka refuzuar oferta edhe më të mëdha në merkaton e muajit janar, por tashmë që lojtari ka gjetur akordin me klubin është e detyruar që ta përmbushë dëshirën e tij. Nga Paderborni, shqiptari u transferua si lojtar i lirë.
Mediat turke bëjnë me dije se, Al Nasri i ofron shqiptarit trefish të pagës aktuale, që e kanë bërë Mehën të heqë dorë edhe nga pjesëmarrja në Europa Ligë me ekipin turk. Kupa Alban Meha ka munguar në takimet e fundit me Koniasporin. Edhe në ndeshjen e djeshme që kjo skuadër ka zhvilluar përballë Fenerbahçes, shqiptari nuk ka qenë as në stol. Skuadra e tij është mundur edhe në takimin e dytë gjysmëfinal të Kupës së Turqisë 2-0, ndërkohë që në takimin e parë është mundur 0- 3. Në këtë mënyrë, skuadra e tij ka humbur mundësinë për të synuar trofe këtë sezon.

Lazio, Tare “kërcënohet” nga Foggia

Revolucioni në radhët e Lazios pas një sezoni të dështuar mund të prekë edhe nivelet më të larta drejtuese. Drejtori Sportiv, Igli Tare mund t’i japë lamtumirën klubit bardhekaltër pas disa viteve bashkëpunim me presidentin Claudio Lotito. Lajmin e bën të ditur gazeta italiane “Il Messaggero”, sipas së cilës, ish-sulmuesi shqiptar nuk është më në planet e presidencës. Emri që mund ta zëvendësojë Taren në këtë detyrë është ai i ish-lojtarit të Lazios, Pasqualino Foggia.
“Gazzetta Dello Sport” i cilëson një hapësirë të veçantë këtij zhvillimi, por ky mbetet një lajm ende i pakonfirmuar nga klubi kryeqytetas. Foggia pritet të marrë detyrën e drejtorit sportiv të Salernitanës brenda ditëve të ardhshme dhe më pas kjo eksperiencë mund t’i shërbejë për të rivalizuar drejtuesin shqiptar të Lazios. Gjatë viteve të fundit, 42-vjeçari shqiptar ka arritur të bëhet një nga figurat kryesore të klubit italian, pasi ka drejtuar merkaton, duke afruar në Romë shumë lojtarë të njohur të arenës botërore.

“Kicker”: Këlni kërkon rinovimin e Mavrajt

Mërgim Mavraj do të rinovojë kontratën me Këlnin. Lajmin e bën të ditur gazeta gjermane “Kicker”, sipas së cilës, mbrojtësi shqiptar ka bindur me paraqitjet e këtij sezoni edhe pse humbi një pjesë të madhe të ndeshjeve për shkak të dëmtimit të rëndë. Trajneri i skuadrës Peter Stoger i ka dhënë besim mbrojtësit shqiptar dhe dëshiron që ai të jetë pjesë e Këlnit edhe gjatë sezonit të ardhshëm. Drejtori Sportiv, Jorg Schmadtke thekson në një intervistë dhënë për “Kicker” se vendimi i klubit për të mos e shitur lojtarin në merkaton e dimrit, rezultoi i drejtë.
“Mërgimi tregoi se është një profesionist dhe u impenjua maksimalisht për t’u rikthyer sa më shpejt në formë pas dëmtimit të rëndë. Ai ka pasur gjithmonë një vend në planet e trajnerit, sepse konsiderohet si një pjesë shumë e rëndësishme e skuadrës”, thekson Schmadtke, sipas të cilit, Mavraj është një siguri më shumë në repartin mbrojtës të Këlnit. “Ai është gjithashtu shumë i rëndësishëm, pasi mban mbi supe një eksperiencë të madhe”, thekson zyrtari i klubit. Në fund “Kicker” shton se, paraqitjet e Mavrajt në Euro 2016 do të jenë një tregues i qartë për rolin që do të marrë Mavraj te skuadra e Këlnit, ku trajneri mund t’i rezervojë edhe rolin e liderit.

Gashi i lumtur për Kosovën

Futbollisti i Kombëtares shqiptare Shkëlzen Gashi, i cili luan në SHBA për Kolorado Rapids, e ka vlerësuar si një moment historik pranimin e Kosovës në UEFA. Duke folur për “MLSsoccer.com”, Gashi ka thënë se lojtarët e Kosovës i kanë treguar me kohë botës se çfarë është në gjendje të bëjë futbolli kosovar.
Portali amerikan shkruan se Shaqiri, Xhaka, Berhami dhe Gashi u rritën me të rinjtë e Zvicrës. Ndërsa Gashi zgjodhi të luajë për Kombëtaren shqiptare përkrah Canës, ekip i cili është kualifikuar për në finalet e Europianit do të luhet në Francë. “Shumë futbollistë të mirë vijnë nga Kosova”, ka thënë Gashi, duke shtuar se, “ne jemi krenarë për këtë dhe mundohemi të bëjmë më të mirën tonë”.
Portali amerikan pasqyron diferencën e ngushtë të votave 28 pro dhe 24 kundër me të cilat Kosova u bë pjesë e UEFA-s tri ditë më parë, ndërsa ndalet shkurtimisht edhe te qëndrimet kundër që mbajti Serbia.
Pas përfshirjes zyrtarisht në “qeverinë e futbollit europian”, Gashi ka shprehur dëshirën që Kosova të bëhet pjesë edhe e FIFA-s, si dhe ka lënë paqartësi më pas për sa i përket të ardhmes së tij. “Unë shpresoj që FIFA ta pranojë Kosovën në mënyrë që ata mund të jenë pjesë e kualifikimeve për Kupën e Botës. Kjo do të ishte një ditë shumë e bukur për futbollistët dhe për vendin. Çfarë do të ndodhë rrugës më pas, këtë nuk e di”.

Oxlade-Chamberlain humbet Euro 2016 me Anglinë

Kur duhen edhe disa javë nga nisja e europianit “Euro 2016” që do të zhvillohet në Francë, një lajm i hidhur ka ardhur për Kombëtaren angleze. Një nga talentët më të mëdhenj të futbollit botëror ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju. Bëhet fjalë për sulmuesin e Arsenalit, Oxlade Chamberlain, i cili me shumë mundësi nuk do t’i bashkohet kombëtares së Tre Luanëve. Lajmin e konfirmon trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, i cili shprehet se është shumë i trishtuar për këtë fakt.
“Fatkeqësisht Chamberlain ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju. Duhet pritur një përgjigje përfundimtare nga ana e stafit mjekësor, por duke parë shkallën e dëmtimit besoj se ai do të qëndroj larg fushave të blerta për të paktën 2 muaj”, u shpreh ai. Wenger gjithashtu deklaroi se për  mbrojtësin gjerman Per Mertesacker sezoni është i mbyllur. Ndërsa është rikuperuar nga demtimi mesfushori me tipare sulmuese Santi Cazorla, i cili mund të aktivizohet në fundjavë në takimin kundër Man.City.

Hazard bën prapaktheu: Qëndroj te Chelsi

Eden Hazard bën prapaktheu dhe i thotë skuadrës së Chelseat se nuk do të largohet këtë verë. Pas shumë thashethemeve për të ardhmen e tij, duket se belgu ka vendosur të qëndrojë në Londër. Mediat britanike, duke cituar burime të brendshme të “bluve”, raportojnë se Hazard i ka premtuar besnikëri skuadrës se Abramovich, pasi dëshiron të punojë me trajnerin italian Antonio Conte.
Numri 10 i Chelseat ka gjetur rrjetën 3 herë në 2 ndeshjet e fundit, ndërsa me golin ndaj Tottenham, përpos se nuk lejoi që të tijtë të mposhtën nga rivalët në “Stamford Bridge”, ai i dhuroi edhe titullin Leicesterit. Hazard firmosi një kontratë të re 5-vjeçare në shkurt të vitit të kaluar, por forma e dobët e këtij sezoni dhe pakënaqësitë brenda skuadrës, bëri që PSG dhe Real të bëjnë tratativa të joshin belgun.

Klop i entuziazmuar

9 vjet pas asaj humbjeje në finalen e Championsit ndaj Milanit, Liverpooli është sërish në finalen e një kompeticioni europian. Suksesi 3-0 ndaj Villarealit në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale, kualifikoi The Reds në finalen e këtij edicioni të Europa League me Liverpoolin që në 18 maj do të masë forcat në St Jakob Park të Baselit me kampionët në fuqi të Sevillas. Një meritë të madhe për këtë kualifikim deri në finale të skuadrës angleze e ka padiskutim trajneri Jurgen Klopp, i cili falë karizmës dhe grintës së tij ka bërë që tifozët në “Anfield Road” të dashurohen menjëherë me të. E ligjshme festa e trajnerit gjerman në fund të sfidës ndaj Villarealit, me Klopp-in që nuk  e fshehu gëzimin për kualifikimin në finalen e Europa League as në konferencën për shtyp.
“Ishte një ndeshje e madhe, një ndeshje me të vërtetë e madhe nga ana jonë. Gjithçka u bë më e lehtë për ne edhe për meritë të Daniel Sturridge. Tashmë, që ai është riaftësuar plotësisht po tregon sesa vlen, sepse Sturridge është një sulmues i jashtëzakonshëm. Ai është një lojtar i shkëlqyer dhe unë jam i lumtur që e kam në skuadër”, u shpreh Klop.
Por, nëse Liverpooli u rikthye në finalen e këtij kompeticioni pas 15 vjetësh, Sevilla kundërshtari i të Kuqëve në Basel, realizoi diçka akoma më të jashtëzakonshme, pasi u bë skuadra e parë në historinë e ish-Kupës UEFA, tashmë Europa League që siguroi për herë të tretë radhazi praninë në finale. Shumë i kënaqur me paraqitjen e djemve të tij në sfidën e fituar me shifrat 3-1 ndaj ukrainasve të Shakthar Donetsk u shfaq trajneri i skuadrës andaluziane Unay Emery. Ky i fundit theksoi se, Europa League është një kompeticion special për Sevillan dhe ekipi i tij do të bëjë gjithçka për ta fituar. “Do të jetë një finale e madhe, ajo që do të zhvillohet në Basel.
Liverpool dhe Sevilla janë dy skuadrat që do të ndeshen në finalen e Baselit në 18 maj. Europa League mbyll fazën e parafundit, duke hapur portën e madhe të finales, ku skuadra e Jurgen Klopp do të sfidojë Sevillan që për të tretin sezon rresht do të kërkojë suksesin europian. “Anfield Road” madhështor ngriu këmbët e Villarreal që u dorëzua në fushën e britanikëve legjendarë, të cilët triumfuan 3-0 duke shuar shpresat e “Nëndetëses së Verdhë” edhe pse iberikët kishin fituar 1-0 sfidën e parë. Ishte Bruno Soriano, ai që i dha një goditje të rëndë skuadrës së tij që në minutën e 7, pasi devijoi në rrjetë topin, duke e nisur menjëherë në malore.
Në sfidën tjetër, Sevilla e frymëzuar nga francezi Kevin Gameiro nuk zhgënjeu, duke fituar 3-1 në një ndeshje me pak histori. Ishte Gameiro që në minutën e 10 hapi serinë e golave, ndërsa Eduardo barazoi llogaritë në minutën e fundit të pjesës së parë. “Sanchez Pizjuan” shpërtheu në të 47-ën pas një tjetër realizimi të Gameiro, ndërsa Mariano vulosi kualifikimin. Në “St. Jakob Park” të Baselit do të zbresin në fushë dy prej skuadrave më të titulluara të këtij kompeticioni. Sevilla e ka fituar këtë trofe plot 4 herë, ndërsa Liverpooli numëron 3 Kupa UEFA. Finalja e këtij sezoni premton spektakël.