14.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Bruksel, anulohet “Marshimi kundër frikës” për arsye sigurie

Organizatorët kanë anuluar “Marshimin kundër frikës”, të planifikuar për të dielën në Bruksel, pasi autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos mblidhen për arsye sigurie.

“Siguria e qytetarëve është një prioritet absolut. Për këtë arsye, ne i bashkohemi plotësisht autoriteteve në propozimin e tyre për shtyrjen në një ditë tjerët. Ne i kërkojmë, nga ana jonë, qytetarëve që të mos mblidhen këtë të dielë në Bruksel”- bënë të ditur organizatorët përmes një deklarate.

Kryebashkiaku i Brukselit dhe ministri i Punëve të Brendshme i kërkuan popullsisë të mos marrë pjesë në këtë manifestim, për arsye të numrit të limituar të forcave të rendit, për shkak të prioritetit që i është dhënë hetimit të atentateve

Organizatorët kanë thënë se marshimi synon të tregojë se Brukseli dhe shteti refuzojnë të frikësohen nga terrorizmi, pas sulmeve të 22 marsit në këtë vend, të cilat kanë lënë të vrarë 31 persona dhe të plagosur rreth 270.

SHBA, Clinton dhe Sanders përballen në tre shtete

Bernie Sanders do të përpiqet të zvogëlojë epërsinë e Hillary Clintonit në garën për nominimin e Partisë Demokratike për president të Shteteve të Bashkuara.
Zgjedhjet paraprake mbahen të shtunën në tre shtete: Uashington, Havaje dhe Alaska.
Sanders mbetet një ndjekës i vendosur, edhe pse Clinton ka 1,691 nga 2,383 delegatët e nevojshëm për të fituar.
Ai vazhdon të tërheqë dhjetëra-mijëra njerëz në tubimet e tij dhe të premten ka bërë thirrje për “revolucion politik”.
Clinton ka thënë se ka “2.6 milionë vota më shumë se Sanders”. Votimet e së shtunës janë vetëm për nominimin demokratik.
Uashingtoni ka çmimin më të madh me 101 delegatë, Havajet kanë 25 dhe Alaska 16.
Te Partia Republikane favorit është miliarderi Donald Trump. Zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen më 8 nëntor.

Nishani: Kapja politike po minon Reformën në Drejtësi

– Zoti President, keni bërë një vizitë zyrtare në Strasburg ku keni takuar shumë personalitete dhe autoritete të Bashkimit Evropian. Cilat kanë qenë çështjet kryesore që keni diskutuar? Cilët kanë qenë shqetësimet e tyre që ju kanë paraqitur?
Vizita në Strasburg pranë Këshillit të Evropës ishte e një rëndësie të veçantë, pasi Këshilli i Evropës është një nga organizatat më të rëndësishme jo vetëm të familjes evropiane, por edhe të vendeve të cilat nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por që janë të angazhuara në Konventën Evropiane. Janë të angazhuara në parimet kryesore që vetë Këshilli i Evropës si organizatë i mbron dhe i promovon, të cilat janë demokracia, shteti ligjor dhe të drejtat e njeriut. Të tria këto kolona, të cilat janë kolonat e Këshillit të Evropës dhe të vetë frymës evropiane në tërësi përbëjnë sfida të rëndësishme edhe për shtetin shqiptar, qoftë në aspektin e demokracisë shqiptare, qoftë në aspektin e ndërtimit dhe të funksionimit të shtetit ligjor në Shqipëri, ashtu edhe në respektimin dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Takimi i rëndësishëm ishte ai me sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, me të cilin së pari ndamë vlerësime të përbashkëta për bashkëpunimin e derimëtanishëm mes Shqipërisë dhe Këshillit të Evropës në të gjitha fushat dhe aspektet që unë përmenda; angazhimet që ka marrë Shqipëria që pas anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës; angazhimet që ka marrë Shqipëria duke u përfshirë në konventat e ndryshme evropiane që përfaqësojnë ruajtjen dhe mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, të shtetit ligjor dhe të demokracisë si shtyllat kryesore të veprimtarisë së Këshillit të Evropës. Takimi shumë i veçantë ishte me Presidentin e Kongresit të Autoriteteve Lokale, i cili ndau njëkohësisht me mua jo vetëm angazhimet, por edhe disa shqetësime dhe një vëmendje të veçantë që Kongresi i Autoriteteve Lokale po i kushton reformës së decentralizimit dhe reformës së pushtetit vendor dhe administratës vendore në Shqipëri. Tashmë jemi njohur me disa shqetësime konkrete pas ndërtimit dhe bërjes së një harte të re të ndarjes territoriale administrative në Shqipëri, e cila për fatin e keq nuk është pasuar me akte ligjore dhe me hapa të tjera që do të fillonin procesin e demokratizimit, decentralizimit dhe dhënies së kompetencave reale pushtetit vendor me qëllim ofrimin e shërbimeve më cilësore, më të afta dhe të drejtpërdrejta të administratës vendore për qytetarët. Autoritetet e Kongresit u angazhuan për të vijuar bashkëpunimin dhe monitorimin e Shqipërisë në këtë proces në bashkëpunim kuptohet në radhë të parë, me përfaqësuesit e pushtetit vendor dhe pastaj me të gjitha institucionet dhe instrumentet e tjera të shtetit në Shqipëri.
Takimi me Presidentin e ri të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut kishte një veçori dhe një dimension shumë të rëndësishëm përsa u takon proceseve të shumta që gjykata evropiane po shqyrton në zgjidhje të konflikteve midis qytetarëve shqiptarë dhe shtetit shqiptar dhe agjencive dhe institucioneve të ndryshme të shtetit shqiptar. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut është mekanizmi kryesor i garancisë së ruajtjes së dimensionit të të drejtave dhe lirive themelore, ndaj unë vlerësova, përshëndeta dhe falënderova edhe në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe shoqërisë shqiptare, të popullit shqiptar, punën e jashtëzakonshme që ka bërë Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në këto vite duke garantuar liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve shqiptarë, të cilat kanë rezultuar të shkelura në një formë apo në një formë tjetër nga institucione apo instrumente dhe mekanizma të shtetit shqiptar. Ashtu siç garantova që qytetarët shqiptarë, unë personalisht për institucionin që përfaqësoj, do të vazhdojmë të mbetemi një vokal i lartë përsa i takon rëndësisë që ka mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në Shqipëri.

– Besoj një çështje e rëndësishme pikërisht për Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut është edhe ajo e pronave. Keni diskutuar për këto?
Çështja e njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronës së sekuestruar nga regjimi i kaluar komunist në Shqipëri është një çështje shumëdimensionale jo vetëm në Shqipëri, por është në radhë të parë në shpirtin, standardin dhe frymën evropiane. Padyshim që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut një nga çështjet më të shpeshta që ka shqyrtuar ka qenë pikërisht mbrojtja e të drejtave dhe lirive të individit në Shqipëri në raport me pronën. Ndava me të shqetësime shumë serioze pasi jo vetëm që nga pikëpamja administrative gjatë këtyre tri viteve të fundit, agjencia përkatëse ka bllokuar tërësisht procesin e njohjes dhe kthimit të pronës te pronari i ligjshëm duke refuzuar zbatimin e Kushtetutës, duke refuzuar zbatimin e ligjeve çka përbën një abuzim të pastër dhe të rëndë me detyrën.
Por ajo që është më shqetësuese ka të bëjë me faktin e ligjit të ri, të miratuar nga qeveria shqiptare, i cili është një ligj ku për herë të parë, zyrtarisht dhe publikisht, përfaqësohet dhe shprehet një qëndrim antievropian të një qeverie në Shqipëri. Pse e them “një qëndrim antievropian”? Për këdo ka qenë e pabesueshme që sot ne të prodhojmë e të kemi një ligj, i cili parashikon dhe kërkon që një trupë dhe një agjenci administrative qeveritare të rishikojë dhe të ndryshojë vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Besoj se çdo njeri normal që do të marrë në konsideratë këtë lloj realiteti jo vetëm që do të tronditet, por do ta ketë të vështirë që të reagojë pa e konsideruar këtë si një qëndrim antievropianist. Praktikisht duke vendosur që një agjenci administrative rishikon dhe ndryshon vendimet e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut do të thotë që Shqipëria, qeveria shqiptare praktikisht ka abroguar dhe nuk njeh më Konventën Evropiane.
Për më tepër që çështja e njohjes dhe kthimit të së drejtës së pronës te pronari është një nga pesë përparësitë kyçe të procesit të integrimit të Shqipërisë. Është një nga pesë detyrat, një nga pesë detyrimet që Bashkimi Evropian i ka vënë Shqipërisë për të plotësuar në procesin e integrimit evropian për hapjen e negociatave. Refuzimi që bëhet përmes ligjit aktual për të njohur dhe për të kthyer të drejtën e pronës te pronari automatikisht ka refuzuar zbatimin e njërës prej këtyre pesë përparësive dhe pesë kërkesave kryesore që Bashkimi Evropian i ka adresuar Shqipërisë si kushte për hapjen e negociatave dhe vazhdimin e procesit të integrimit të Shqipërisë. Që do të thotë aktualisht me këtë ligj është një shprehje e refuzimit të ecurisë së mëtejshme të Shqipërisë në rrugën e integrimit evropian. Kjo për mua është shumë e rëndë. Ky është një shqetësim shumë i madh, sepse është një vullnet dhe një shprehje politike e një qeverie të caktuar. Natyrisht kjo bëhet përmes një akti ligjor, por në fund të fundit janë aktet ligjore ato, të cilat përcjellin frymën politike, përcjellin qëndrimin politik. Është padyshim një çështje, e cila kërkon një reflektim shumë të thellë, shumë të rëndësishëm nga të gjithë aktorët e shoqërisë. Presidenti i Republikës do të vazhdojë të mbrojë frymën evropianiste të Shqipërisë. Presidenti i Republikës do të vazhdojë të këmbëngulë dhe t’u bëjë thirrje qytetarëve të Shqipërisë se vetëm rruga e integrimit evropian është rruga dhe alternativa e vetme për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për shqiptarët dhe Shqipërinë nuk ka alternativë tjetër përveçse procesit të integrimit në Bashkimin Evropian. Kushdo që do të mendojë ta pengojë Shqipërinë, të ndryshojë rrugëtimin e saj evropian, jam i bindur se do të dështojë në radhë të parë për shkak të vullnetit dhe orientimit perëndimor dhe evropian të popullit në tërësi.

– Zoti President, ju e keni dërguar ligjin e pronave pikërisht në Gjykatën Kushtetuese dhe pritet që kjo gjykatë të marrë një vendim, por ndërkohë qeveria me anë të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani thotë që ligji është vënë në zbatim dhe Gjykata Kushtetuese nuk duhet ta pezullojë këtë ligj. Ju e keni konsideruar këtë si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.
Nuk ka asnjë diskutim dhe argument që e hedh poshtë faktin se ky është një presion i hapur jo vetëm politik, por në këtë rast është një presion publik përderisa kurajoja e presionit ndaj Gjykatës Kushtetuese, e cila deri më tash ishte konsideruar si një gjykatë që kishte ruajtur një standard pavarësie dhe integriteti, e cila aktualisht po refuzon të marrë një vendim për pezullimin e këtij ligji që përcjell përveç të tjerash, edhe frymën antievropiane të atyre që e kanë prodhuar dhe paraqitur këtë ligj, tregon që kapja politike e gjykatës po kthehet në një shqetësim serioz dhe mbërritja deri te kapja politike e Gjykatës Kushtetuese komprometon shumë rëndë procesin e Reformës në Drejtësi. E minon realisht procesin e Reformës në Drejtësi. E bën tërësisht të pabesueshëm çdo angazhim dhe çdo deklamim për të reformuar sistemin e drejtësisë. Pra, ndodhemi në një situatë shumë serioze. Ndodhemi në një situatë shumë shqetësuese në mënyrë të tillë që kjo kërkon një qëndrim të drejtpërdrejtë të aktorëve shqiptarë, por natyrisht të gjithë aktorët e përgjegjshëm të shoqërisë shqiptare duhet të bashkëpunojnë ngushtësisht me instrumentet ndërkombëtare dhe evropiane veçanërisht, të cilët janë garantët e demokracisë, janë garantët e standardeve të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut që janë garantët e rrugës evropianiste të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

– Megjithatë duket se ditët e fundit palët politike, mazhoranca dhe opozita për Reformën në Drejtësi, duket sikur u ndanë përsëri. Prapë nuk po gjejnë konsensusin për Reformën në Drejtësi. Ditët e fundit, atëherë kur u duk se pikërisht këto po shkonin drejt miratimit të reformës, nuk po ndodh kështu. Ka çështje ku ndahen me njëra-tjetrën. Ju keni cytur shpeshherë që konsensusi, bashkëpunimi duhet të mbizotërojë mbi ndarjet politike le të themi?
Politikisht dhe publikisht është shprehur nga të gjithë aktorët politikë në Shqipëri domosdoshmëria, nevoja dhe gatishmëria për t’u përfshirë në procesin e reformës së sistemit të drejtësisë, i cili ka nevojë të reformohet, por reforma nis te depolitizimi. Reforma nis te largimi i ndikimit tërësisht politik të grupit politik, të klasës politike mbi sistemin e drejtësisë. Rekomandimet që erdhën nga Komisioni i Venecias ishin padyshim një pikë shumë e mirë orientuese, e cila duhet të vazhdojë të mbetet si pikë orientimi për Parlamentin shqiptar, për partitë politike në Parlamentin shqiptar për të qasur parimet e eficencës, të pavarësisë dhe të përgjegjësisë dhe të përgjegjshmërisë të sistemit të drejtësisë në raport me qytetarin dhe në raport me ligjin. Por kur shohim që kapja politike shkon deri te Gjykata Kushtetuese, atëherë kjo e minon besimin që mund të ketë një proces kaq i rëndësishëm dhe kaq jetik. E komprometon rëndë jo vetëm qëllimin, por edhe vetë përfshirjen e aktorëve të veçantë e të caktuar në atë që ne kërkojmë si reformë në sistemin e drejtësisë.

– Ju thoni që duhet depolitizimi i sistemit, por një faktor që do të mundësonte depolitizimin është Byroja Kombëtare e Hetimit, e cila do të hetonte korrupsionin në nivele të larta, por gjithashtu edhe do të ndikonte pikërisht tek depolitizimi. A jeni edhe ju dakord që ky organizëm duhet të jetë i pavarur?
Padyshim që në radhë të parë duhet menduar që mekanizma të tillë realisht të jenë të pavarur. Byroja Kombëtare e Hetimit është një mekanizëm dhe një gjetje e një propozimi pozitiv në gjykimin tim që qoftë grupimet dhe partitë politike, qoftë edhe partnerët tanë e kanë rekomanduar dhe e kanë fokusuar si një zgjidhje, e cila do të japë. Dhe unë besoj se një instrument i tillë profesional, tërësisht i pavarur dhe jashtë influencave dhe ndikimeve politike do të japë vërtet rezultate pozitive në luftën kundër krimit të organizuar, që është bërë shqetësues, shumë serioz gjatë kohëve të fundit në Shqipëri, por edhe korrupsionit në nivelet më të larta, të administrimit të pasurive vlerësuese, ekonomike dhe financiare të vendit. Natyrisht që ndërtimi i një mekanizmi të tillë duhet të garantojë në radhë të parë profesionalizmin. Duhet të garantojë së dyti paanshmërinë dhe duhet të garantojë patjetër edhe integritetin e atyre anëtarëve, të cilët do të jenë pjesë e funksionimit të këtij mekanizmi. Unë besoj se janë të gjitha mundësitë për të ndërtuar një mekanizëm të tillë. Tashmë padyshim që i mbetet një lloj përgjegjshmërie dhe përgjegjësie në angazhim vendimmarrjes së Parlamentit shqiptar, të grupeve parlamentare, të cilët në frymën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias duhet të gjejnë edhe zgjidhjen përfundimtare të kësaj çështjeje. Dhe unë besoj se do të kenë mbështetjen e plotë të Presidentit të Republikës në këtë rrugëtim.

Benzema te Interi?

Karim Benzema te Interi në rast largimi të Mauro Icardit. Është ky lajmi i bujshëm që raportojnë mediat italiane dhe më konkretisht gazeta “Corriero Dello Sport”. Për momentin, ngjason më shumë me diçka të pamundur sesa me një operacion merkatoje, por sipas të përditshmes në fjalë presidenti i zikaltërve Eric Thohir për të kënaqur tifozët e Interit me një goditje në stilin Moratti në merkato po mendon seriozisht për sulmuesin francez të Realit të Madridit. 28-vjeçari me shumë gjasa do të largohet nga Los Blancos verën e ardhshme, pasi Reali ka planifikuar të bëjë një revolucion të vërtetë në skuadër, dhe Interi mund të ishte një opsion i mirë për të vijuar karrierën. Por sa kushton aktualisht Karim Benzema dhe a ka realisht financa klubi nga Milano për të bërë të mundur transferimin e tij në stadiumin “Giusseppe Meazza”.
Një sulmues që ka shënuar 24 gola në 26 ndeshje mes La Ligas dhe Championsit mund të vlejë nga 50 deri në 60 milionë euro, megjithatë duke parë problematikat që ka patur ish-lojtari i Lyonit jashtë fushës së blertë, drejtuesit e Los Blancos mund të bëjnë një skonto dhe ta shesin atë për jo më shumë se 40 milionë euro. Shifër të cilën Interi mund ta arkëtojë nga largimi i Mauro Icardit që pëlqehet nga Manchester United, Atletico Madrid e Paris Saint Germain. Objektivi i parë i drejtuesve të Interit për sulmin është bomberi polak i Ajaxit, Arkadiuz Milik, tek i cili mund të arrihet shumë më lehtë se te Benzema, megjithatë nuk është çudi që të jetë francezi goditja e madhe e klubit zikaltër në merkaton e ardhshme.
Ndërkohë, Interi është hedhur në sulm edhe për sulmuesin e Lacios, Antonio Candreva. Sulmuesi i Lazios po zhvillon një tjetër sezon pozitiv, çka ka bërë që presidenti i Interit, Eric Thohir të planifikojë blerjen e tij në merkaton e verës. Lojtari bardhekaltër ka shprehur dëshirën për të nisur një aventurë të re larg Lazios dhe presidenti Claudio Lotito synon t’ia plotësojë dëshirën, por me kushtin e një oferte joshëse për klubin roman.
Sipas “Corriere Dello Sport”, paraqitjet e javëve të fundit nga ana e sulmuesit e kanë bindur Interin të vihet në lëvizje për të marrë miratimin e Lazios dhe lojtarit. Zikaltërit nuk arritën ta finalizonin blerjen e lojtarit italian në merkaton e dimrit, pasi Lazio kërkoi plot 28 milionë euro për kartonin e tij. Gjithsesi, kohët kanë kaluar dhe klubi bardhekaltër mendon të pranojë një ofertë jo më të ulët se 22 milionë euro, kjo për shkak edhe të moshës së lojtarit, i cili ka mbushur 29 vjeç. Në krahun tjetër, Thohir ka shprehur gadishmërinë për të paguar shumën e kërkuar nga Lotito, por më parë duhet të shesë një emër të madh për të mbushur arkën. “Corriere Dello Sport” thekson se, pagesa do të bëhet në dy këste për të ulur sa më shumë shpenzimet vjetore, pasi Interi është në telashe me UEFA-n për fair play financiar.

UEFA befason Shqipërinë, kontrolle antidoping 10 lojtarëve

UEFA ka befasuar Kombëtaren Shqiptare në grumbullimin e saj në Vienë, teksa skuadra ishte duke zhvilluar seancën stërvitore për miqësoren me Austrinë, më datë 26 Mars. 10 prej futbollistëve iu nënshtruan në mënyrë të befasishme kontrolleve anti-doping. Lajmin e konfirmoi gazetari i Supersport, Dritan Shakohoxha, në një lidhje telefonike për “SportNews”. Disa nga futbollistët e përzgjedhur për t’iu nënshtruar testit anti-doping ishin Abrashi, Cana, Hysaj, Gashi, Xhaka, Memushaj, Berisha, Balaj apo dhe Shala.
Kombëtarja ka zhvilluar dy faza stërvitjesh, pasi De Biasi pjesën më të madhe të kohës nuk kishte në dispozicion lojtarët e sipër përmendur. Gjithashtu trajneri nuk bëri ndonjë provë të madhe për formacionin që do të hedhe në fushë që nga minuta e parë ndaj Austrisë. Kontrolleve nuk do t’i nënshtrohet vetëm Kombëtarja Kuqezi, pasi siç mësohet, UEFA të njëjtin veprim do të ndëmarrë me të gjitha skuadrat që do të marrin pjesë në Kampionati Europian “Francë 2016”.

Holanda homazhe për Cruyff

Homazhe emocionuese në Hollandë-Francë për Johan Cruyff, legjendën e futbollit holandez dhe botëror që u nda nga jeta të enjten në moshën 68-vjeçare. Në minutën e 14 të takimit, i njëjti numër me atë që Cruyff mbajti mbi shpinë, stadiumi ndali në një minutë heshtje për të kujtuar holandezin fluturues.
Më pas duartrokitjet e gjata, të shoqëruara nga një banderolë gjigante e Cruyff, për të kujtuar një nga lojtarët më të rëndësishëm në historinë e futbollit. Momente vërtet emocionuese. Ndeshja miqësore në “Amsterdam Arena” ku Franca, rivale e Shqipërisë në Grupin A të Europianit, mposhti 2-3 Holandën nisi që në fillim me një minutë heshtje në  kujtim të viktimave të Brukselit.
Franca kaloi na avantazh shumë shpejt, që në minutën e 6 me Griezman, që shënoi me një të majtë potente dhe precize. Në të 13, një minutë para se tërë stadiumi të ndalej për Cruyff, skuadra e Deschamps, dyfishoi me Giroud që pas një goditje këndi bëri një rrotullim të bukur në zonë. 2-0 në një pjesë të parë që kujtoi të gjitha motivet se pse Franca synon ta fitojë Europianin e shtëpisë dhe se pse Holanda nuk arriti të kualifikohej. Në pjesën e dytë gjithsesi tulipanët reaguan të ndihmuar dhe nga arbitri gjerman Zwayer që nuk pa prekjen me dorë që njollos golin e De Jong. Barazimi erdhi 4 minuta nga fundi me Afellay që shfrytëzoi pasivitetin e mbrojtjes mike në një korne. Por vetëm 2 minuta më pas, Matuidi gjeti golin që vendosi fitoren e Francës me Holandën që nuk mundi ta përshëndesë me një sukses legjendën e saj Cruyff.
Në takimet e tjera miqësore, Zvicra, një tjetër rivale e Shqipërisë në Grupin A, humbi 1-0 në Dublin përballë Irlandës së Martin O’Neill. Në “Aviva Stadium” ndeshja u vendos nga goli pas vetëm dy minutash i Clark. Goditje këndi për të zotët e shtëpisë dhe goditje me kokë e Duffy që zgjati për Clark i cili shënoi.
Kundërshtari i Shqipërisë në miqësoren e 29 Marsit, Luksemburgu u mund 3-0 nga Bosnje Hercegovina në Josy Barthel. Në minutën e 73-të, Susiç krosoi nga e djathta për Dzekon me Chanot që në tentativë për t’i paraprirë dërgoi topin në portën e tij. Pas dy minutash, Bosnja dyfishoi, me goditjen e sigurt të Dzekos që u përplas në këmbën e Duriç dhe shkoi në rrjetë. Në finale erdhi dhe goditja perfekte e Miralem Pjaniç që kaloi barrierën mbrojtëse për të vulosur rezultatin përfundimtar 3-0.
Humbet në shtëpi Portugalia, që u mposht 1-0 nga Bullgaria me një gol të Marcelinhos në minutën e 19. Për të shënuar Ronaldo që këtë herë imiton Mesin duke humbur një penallti, pasi u mposht në duelin nga pika e bardhë në minutën e 67 nga portieri Stoyanov. Bullgaria bëri atë që Shqipëria e kishte bërë prej kohësh, mposhti në transfertë Portugalinë e Cristiano Ronaldos. Goli i Marcelinhos mjaftoi që kombëtarja ballkanase të arrijë një fitore, ndërsa ylli i Realit humbi mundësinë më të mirë për të barazuar në minutën e 67, kur dështoi nga pika e bardhë.
Bosnja Hercegovina fitoi 3-0 në transfertë ndaj Luksemburgut. Të gjitha golat u shënuan në 20 minutat e fundit të ndeshjes. Fillimisht Chanot shënoi në portën e gabuar, ndërsa më pas Djuriç e Pjaniç vulosën fitoren e boshnjakëve.
Përfunduan pa gola, ndërkohë dhe dy sfidat e tjera europiane, ajo mes Sllovakisë dhe Letonisë, ashtu si dhe ajo mes Armenisë dhe Bjellorusisë.

Shkresa zyrtare, Ahmetaj bllokon të gjitha investimet

Kur nuk kanë mbushur ende tre muaj nga hyrja në fuqi e buxhetit të vitit 2016, qeveria ka nxjerrë një vendim përmes të cilit ngurtëson dhjetëra projekte investimesh në të gjithë sektorët e ekonomisë. Syri.net ka mësuar se Ministria e Financave u ka drejtuar të gjitha ministrive të linjës një shkresë zyrtare, përmes të cilës i vë në dijeni në dijeni për pezullimin e projekteve.Në shkresën, e cila është lexuar nga Syri.net Ministria e Financave e justifikon vendimin e pezullimit të investimeve si një hap i diktuar nga marrëveshja me Fondin Monetar Ndërkombëtar. Në buxhetin e vitit 2016 qeveria ka programuar rreth 60 miliardë lekë për investimet publike. Por gati 9 për qind e kësaj shume ose 5 miliardë lekë janë të kushtëzuara me ecurinë e të ardhurave nga dividenti. Sipas kushtit të rënë dakord me FMN këto 5 miliardë lekë do të kryheshin vetëm nëse administrate fiskale do të mblidhte 5 miliardë lekë nga tatimi i dividentit, çka ishte praktikisht e pamundur.
Kaos me investimet
Në Ministrinë e Transportit janë pezulluar 7 projekte. Ekspertët e kësaj ministrie janë shprehur të habitur kur janë njohur me urdhërin e ministrisë së Financave. Sipas tyre kjo është hera e parë, që qeveria pezullon realizimin e investimeve publike në këtë mënyrë. “Fondi për projektet e cituara në listë është zeruar, çka do të thotë se këto projekte praktikisht janë anulluar,” tha një ekspert i ministrisë së Transporteve, i cili nuk deshi të identifikohej. Në shumë Ministri urdhëri ka krijuar pakënaqësi, pasi procesi i përzgjedhjes së projekteve të anulluar është kryer nga ministria e financave dhe ka qenë jo transparent
Investimet në minimumin historik
Në buxhetin e këtij viti qeveria ka programuar rreth 60 miliardë lekë për investimet publike ose 3.9 për qind e Prodhimit Kombëtar. Ky është niveli më i ulët i investimeve publike që nga viti 1997, ku shteti praktikisht kishte pushuar së ekzistuari.Por pavarësisht kësaj qeveria është duke e ulur më tej atë. Pezullimi i projekteve me vlerë 5 miliardë lekë e zbret shifrën e investimeve në 3.6 për qind të Prodhimit Kombëtar, çka do të frenojë edhe më shumë ekonominë. Pas vitit 1997 investimet publike kanë qenë gjithmonë mbi 5 për qind të Prodhimit Kombëtar. Por nga viti 2012 ato janë ulur në mënyrë të vazhdueshme për të cekur një nga nivelet më të ulëta historike gjatë këtij viti.

Vritet roja i Centralit Bbërthamor në Belgjikë, terroristët marrin kartën e hyrjes

Persona të paidentifikuar vranë mbrëmë një roje të sigurisë së një centrali bërthamor belg. Roja u qëllua në Cahrleroi, në zonë jo fort larg nga Brukseli. Vrasësit kanë vjedhur kartën që bën të mundur hyrjen në centralin bërthamor, bën të ditur e përditshmja belge Derniere Heure. Nga ana tjetër, mediat greke zbulojnë se si janë gjetur harta të aeroportit të Brukselit në kompjuterin e sekuestruar në Athinë, ku ka jetuar Abdelhamid Abaaoud, një nga autorët e ngjarjes së Parisit.

Gjithashtu nga një operacion blic në lagjen Schaerbeek në Bruksel është arrestuar një i dyshuar që mendohet se është plagosur në këmbë nga policia teksa tentonte të largohej. Hetimet e para të personave të arrestuar në Bruksel bënë të ditur se terroristët kishinndërmend të sulmonin edhe centralin bërthamor në Liezh të Belgjikës.

Hetimet për koncesionet e Shëndetësisë, edhe Ikonomi ka firmosur me Beqajn

Hetimet e Prokurorisë për koncesionet e Ministrisë së Shëndetësisë do të nisin me pyetjet e zyrtarëve që janë të përfshirë drejtëpërdrejtë në proces. Gjatë hetimeve, është zbuluar se firma e ministrit Ilir Beqaj nuk është në kontratat e koncesioneve. Dy zëvëndësministrat e Shëndetësisë do të thirren në prokurori lidhur me hetimin që ka nisur për koncesionet që ministria ka dhënë dy vitet e fundit.
Milva Ikonomi që tashmë është ministre e Financave dhe Klodjan Rrjepaj kanë firmosur koncesionet ndërkohë që ministri Ilir Beqaj nuk ka firmë në dosje. Për këtë arsye, Ikonomi dhe Rrjepaj do të merren në pyetje ditët në vijim. Gjithashtu, akuza për korrupsion është rrëzuar dhe kanë mbetur vetëm dy akuzat shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.