Shqiptarët që pretendojnë azilin në Holandë, tashmë kryesojnë listën e azilkërkuesve në këtë shtet, duke zhvendosur të dytët edhe të ardhurit nga zona të konflitkit si sirianët. Mediat holandeze e kanë komentuar me habi fluksin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë në këtë vend. Edhe pse shifrat zyrtare nuk qarkullojnë ende, vetë Ministria për Drejtësi dhe siguri, ka konfirmuar se shqiptarët janë të parët për kërkesa azili. Numri i kërkesave për azil nga shtetasit shqiptarë, ka mbetur në rritje që nga vera. Në 2014, figuronin një numër i pakonsiderueshëm i shqiptarëve azilkërkues, në 2015 numri arriti në 1010 kërkesa, ndërkohë që në muajt e parë të këtij, e sidomos në mars, kërkesat për azil, kaluan çdo pritshmëri. Ajo që vihet re, është se të ardhurit me shtetësi shqiptare kërkojnë azil, kryesisht për arsye ekonomike. Muajt e fundit, rritje e ndjeshme e numrit të azilkërkuesve shqiptarë është evidentuar edhe në Gjermani. Sipas të dhënave të Eurostat, numri i kërkesave për azil të shqiptarëve në vendet e Bashkimit Europian ka shënuar një rritje të frikshme në vitin 2015. Sipas Eurostat, numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur me 439%, duke arritur në gati 66 mijë në vitin 2015, nga 12.2 mijë që ishin një vit më parë. Këtu janë të përfshirë vetëm individët që janë regjistruar si azil kërkues në vendet e BE-së, ndërsa numri total i të larguarve (jo vetëm në BE, por dhe në SHBA) është vështirë të matet, por gjithsesi ai është më i lartë se 66 mijë. Në pjesën më të madhe janë të rinjtë ata që po ikin. Sipas të dhënave të detajuara të Eurostat, po për vitin 2014 (për 2015 nuk janë publikuar akoma), për Shqipërinë, grupmosha nga 18 deri në 34 vjeç përbënte gati 45% të totalit të azilkërkuesve për Shqipërinë. Shqipëria e ka shumë të lartë dhe përqindjen e fëmijëve që ikin me prindërit e tyre, teksa grupmosha 0-13 vjeç zinte 26% të totalit të azilkërkuesve. Rritja e numrit të të ikurve në 2015-ën pritet të japë ndikim të ndjeshëm në ekonomi, duke u bërë jo vetëm një element për uljen e potencialit të rritjes ekonomike të vendit dhe konsumit, por dhe një mungese direkte në ofertën e krahut të punës në Shqipëri. Bizneset, në fakt kanë filluar të ndjejnë pasojat e largimit të fuqisë punëtore, që në një pjesë të konsiderueshme ka qenë e kualifikuar.
Si u shtrembërua skema e kompensimit të TVSH-së prej 20% në bujqësi
Skemat e subvencionit në bujqësi të orientuara në mbulimin e kostos dhe jo në rritjen e zinxhirit të vlerës, i kanë nxjerrë nga shinat fondet publike që shkojnë në mbështetje të Bujqësisë. Të papërfshira në monitorim dhe pa marrë në konsideratë elementë të eficiencës subvencionet për bujqësinë, në vend që të rrisin produktivitetin në sektor, po shkojnë si fonde të falura për mbulimin e kostos. Kjo praktikë tashmë e dështuar edhe në Bashkimin Europian nuk i shkon më për shtat nevojave të zhvillimit të bujqësisë shqiptare. Ish-zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi, thotë se subvencioni duhet të orientohet nga rritja e vlerës. Fondet nuk duhet të falen, sipas skemës aktuale, por të kthehen në investime dhe përfituesit pas një periudhe 5-vjeçare të japin “llogari” se sa këto fonde i janë kthyer mbrapsht shtetit përmes pagimit të taksave, apo sa ato kanë ndikuar në punësimin dhe shtimin e të ardhurave. Për të realizuar këtë, Ministria e Bujqësisë duhet të ngrejë një sistem monitorimi për subvencionet dhe të vërë disa kushte. Psh, duhet të financohet një aktivitet që ka mundësi të shlyejë subvencionin në pesë vitet e para nëpërmjet taksave. Përfshirja në proces monitorimi i elementëve të eficencës mund të bëjë më të dobishme skemën sugjeron Zusi. Ismail Beka, nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), i cili ka koordinuar edhe fondet e IPA për subvencionet në bujqësi, mendon se skema aktuale e trajton bujqësinë si biznes dhe jo si nxitje e prodhimit. Skema e kompensimit në pikat e grumbullimit po rezulton spekulative thotë Beka, ku përfituesit më të mëdhenj janë bizneset që merren me bujqësinë dhe jo prodhimin në ferma. Po krijohet ideja e bujqësisë së industrializuar, ndërkohë që bujqësia shqiptare është e bazuar te fermat shumë të vogla, thotë Beka, një ekspert i njohur i bujqësisë. Shpeshherë përdoret argumenti: ne do të mbështesim bujqësinë e tregut dhe jo bujqësinë sociale. Por nuk ka një instrument tjetër se kush do ta mbështesë bujqësinë e vogël, tha Beka. Ilir Mile, zv/presidenti i Shoqatës së Fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Përgjithësisht, tarifat e korrupsionit për të përfituar nga skemat mbështetëse kanë qenë të larta dhe zënë deri në 30% të vlerës së grantit – pohojnë fermerët në zonat e Lushnjës.
Si u deformua skema e kompensimit të TVSH-së
Në kuadër të Paketës së Bujqësisë është parashikuar si një ndër masat më të rëndësishme njohja e TVSH-së të produkteve bujqësore 20% (në rritje nga 6% që ishte më parë) për grumbulluesit, përpunuesit dhe tregtuesit. Kjo masë, përveçse e bazuar, ishte e imponuar për shkak se produktet bujqësore vendase efektivisht ishin të përjashtuara nga tregtimi formal në vend, krahasimisht me ato të importit, pasi në tregun formal dilnin me një kosto shtesë prej 14% krahasimisht me ato të importit, sepse TVSH e rimbursueshme iu njihej vetëm 6%. Por në një korrespodencë ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Financave gjatë vitit që shkoi del në pah se, zbatimi i kësaj mase në terren duhej shoqëruar me një proçes monitorimi të vazhdueshëm për të mbrojtur skemën nga abuzivizmi me fatura të fryra apo transferimi i kostove të formalizimit tek fermeri fundor. Ministria e Bujqësisë në një letër dërguar Ministrisë së Financave lajmëron se, eksportuesit po abuzojnë në masë, pasi do iu kreditohet TVSH e autofaturuar, tashmë në masën prej 20%, pra iu lind e drejta dhe kanë kërkuar që t’iu rimbursohet nga organi tatimor. Vlera totale e këtij pretendimi është disa miliona euro. Ministria e Bujqësisë vë në dukje se në paketën e Bujqësisë për 2016 nuk kishin parashikuar rimbursim të TVSH-së për produktet e eksportuara, pasi këto produkte janë të përjashtuara nga TVSH-ja në shitje dhe rrjedhimisht nuk paraqesin problematikën që kanë produktet shqiptare për t’u tregtuar brenda vendit në tregje formale. Por, Ministria e Financave nuk e ka pranuar këtë propozim me argumentin se “e drejta e rimbursimit të TVSH në eksport është parim i pandryshueshëm i funksionimit të tatimit mbi vlerën e shtuar, për këtë arsye nuk shprehemi dakort me propozimin”. Në propozimin e Ministrisë së Bujqësisë thuhej se, masa e njohjes së TVSH së autofaturuar në 20% kishte të vetmin qëllim që të hiqte barrierat për shitjet e produkteve bujqësore brenda vendit. Eksporti i produkteve bujqësore, në rastin konkret fruta perime, po ndodh suksesshëm jashtë dhe pavarësisht këtij rimbursimi, që në fakt është subvencion, dhe është tashmë një trend i konsoliduar e në rritje i filluar 5–6 vite më parë. Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se rimbursimi i TVSH së autofaturuar nuk është kryer as më parë dhe as nuk ka qenë ndonjëherë pjesë e kërkesave të eksportuesve (pra, plan biznesi i tyre nuk bazohej në asnjë pritshmëri për këtë rimbursim). Dikasteri i i Bujqësisë nuk ka vënë në diskutim nëse duhet apo jo të rimbursohet TVSH për eksportet, por çështja në diskutim është pikërisht për TVSH virtuale të ashtuquajtur të “autofaturuar”, që në fakt është e dhuruar nga qeveria për të hapur tregun vendas për fermerët shqiptarë!
Shembulli, subvencioni si nxitje për tregun vendas
1 kg domate, shitet nga fermeri 50 lekë. Kostoja e prodhimit për fermerin është 25 lekë, nga e cila vlera e inputeve është 15 lekë, kurse pjesa tjetër shërbime dhe punëtori pra TVSH e mbledhur del 20% e 15 lekë = 3 lekë, ndërsa tregtari blen me vlerën 50 lekë dhe e kontabilizon me vlerën 60 lekë, nga të cilat 10 lekë llogaritet TVSH 20% e vlerës së plotë prej 50 lekë kg i domates. Në rastet kur produkti shitet brenda vendit diferenca prej 7 lekësh e TVSH reale me atë të autofaturuar do të duhej të paguhej nga fermeri. Pikërisht këtu qëndron mbështetja e masës së ndërmarrë që në kushtet e informalitetit të plotë, qeveria heq dorë nga mbledhja e kësaj TVSH për të realizuar tre objektiva të rëndësishëm: hapjen e tregut vendas (supermarkete, tendera publik, industri përpunuese etj.) për prodhimin e fermerëve, heqjen e barrierave për formalizim (tashmë tregtari paguan vetëm tatim mbi vlerën e shtuar prej tij e jo edhe mbi vlerën e krijuar nga fermeri), mbledhjen e TVSH dhe detyrimeve të tjera në segmentin “qendër grumbullimi–konsumator vendas”.
Shembulli, subvencioni si spekulim me eksportin
Krejt ndryshe sillet kjo skemë në rastin e eksporteve, ku kemi të bëjmë me një treg 100% formal. Mbi bazën e interpretimit të Ministrisë së Financave, sipas shembullit të mësipërm eksportuesit duhet t’i rimbursohet 10 lekë TVSH, kur në fakt nga proçesi i prodhimit realisht janë paguar vetëm 3 lekë TVSH! Kjo qasje (e rimbursimit të 10 lekëve kur për prodhimin janë kredituar/paguar vetëm 3 lekë TVSH) është e panevojshme, e paarsyeshme, deformuese për tregun, në kundërshtim me marrëveshjet e tregtisë së lirë, tepër rënduese për buxhetin e shtetit, sqaron Ministria e Bujqësisë në shkresën dërguar Ministrisë së Financave.
Interpretimi se duhet rimbursuar TVSH e autofaturuar për eksportet, përveçse një deformim i pastër i parimeve është një gur i madh pengues dhe frenues për formalizimin e prodhimit bujqësor, argumenton Ministria e Bujqësisë. Pas analizës, Ministria e Bujqësisë vlerësoi se është e domosdoshme që ekspertët e Ministrisë së Financave të realizojnë ndërhyrjet e nevojshme për të eliminuar pagesat e padrejta që buxheti i shtetit jep në këtë formë.
Qeveria e dyzuar
Abuzimet në pikat e grumbullimit, duke faturuar vlera më të larta te fermerët për të përfituar nga kompensimi i fondeve qeveritare e kanë dyzuar Ministrinë e Financave për të mbajtur apo jo të njëjtën skemë edhe për vitet në vijim. Në momentet e fundit, pasi është hartuar Paketa Fiskale 2016, qeveria ka hequr dorë nga një nismë për reduktimin e kompensimit të TVSH nga 20 në 6%. Vendimi për të mbajtur ende skemën ka qenë i minutës së fundit, saqë qeveria nuk ka arritur të korrigjojë relacionin që ka shoqëruar buxhetin 2016 në Kuvend, ku propozohej që kompensimi i TVSH të ulej në nivelin 6%. Zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, ka pranuar se skema aktuale ka pasur elementë spekulimi, por sipas saj nuk ka një zgjidhje më të mirë se kjo për të gjeneruar tregje të reja për prodhimet bujqësore. Financimi i drejtpërdrejtë i fermerit, pa i garantuar atij një treg, nuk krijon zhvillimin e qëndrueshëm të zinxhirit bujqësor, shpjegoi Beqiraj. Zv/ministrja pohoi se, qeveria ka qenë në dilemë që të mbajë skemën e kompensimit të TVSH-së në mënyrën se si është, por pas shumë debatesh është lënë në fuqi varianti aktual, pasi me gjithë spekulimet që mund të ketë, është e vetmja që krijon një zhvillim të qëndrueshëm të sektorit.
Skema
Qysh me ardhjen në pushtet, të majtët rikonceptuan politikat për bujqësinë, në themel të të cilave është përfshirja e sektorit në sistemin fiskal, duke kushtëzuar edhe subvencionet vetëm kundrejt pagesave me faturë. Kështu politika e subvencionit ndryshoi kryekëput, duke kaluar nga mbështetja me fonde e prodhimit në subvencionimin e çmimit në momentin e shitjes së prodhimeve në pikat e grumbullimit. Por duke qenë se kjo lloj skeme u manipulua për një vit, Ministria e Financave vendosi të kreditojë TVSH për tregtarët që kryejnë blerje te fermerët, nëse këto i kishin kryer blerjet nëpërmjet bankave. Me këtë skemë, tregtarët autofaturojnë çmimin e blerjes plus 20% TVSH, e cila u është paguar fermerëve shtesë mbi çmimin. Këtë vlerë, tregtarët më pas e marrin nga buxheti i shtetit kundrejt paraqitjes së faturave. Por duket se kjo skemë e komplikuar për fermerët dhe e pakonsultuar paraprakisht nuk ka ngjitur. Pasi sektori punon gjerësisht në cash, bankat nuk kanë degë në zonat rurale dhe për më tepër kultura financiare e fermerëve shqiptarë nuk është në atë pikë sa të aplikojë pagesën me bankë, bie fjala për 5 arka domate. Ilir Mile, zv/presidenti i Shoqatës së Fermerëve “Rrupaj”, pohoi se skema e subvencionit nuk po funksionon. Realiteti tregon se, fondet me pikatore të hallakatura në më shumë se 20 skema duket se e vështirësojnë zbritjen e fondeve nga donatorët në terren, atje poshtë te bujqit.
Barra e taksave më e larta në Tiranë, punojnë gati 4 muaj për shtetin
Dje ishte dita e lirisë fiskale, raporton “Al-Tax”. Nga raporti midis detyrimeve tatimore të paguara në vitin 2015 me prodhimin e brendshëm të qarkut të vitit 2015, barra tatimore më e ulët është në Qarkun e Beratit me një tregues të barrës në nivelin 12,4%. Në vend të dytë është Qarku i Fierit me treguesin e barrës në nivelin 15,9%. Në vend të tretë është Qarku i Shkodrës me treguesin e barrës në nivelin 19,2%. Në këto qarqe edhe pse nuk ka patur politika tatimore specifike, shihet se administrimi i tatimeve nevojitet të mbajë një vëmendje të veçantë, duke marrë në analizë si elemntët e bazës për secilin nga tatimet, por edhe cilësinë e vlerësimeve tatimore dhe nivelin e kontrollit ndaj evazionit tatimor. Barra tatimore më e lartë është në Qarkun e Tiranës me 27,4%. Pas këtij qarku barrën më të lartë e mban Qarku i Elbasanit me 27,3% dhe më pas Qarku i Durrësit me nivelin e barrës tatimore në 27,2%. Ndërsa, qarqet e Gjirokastrës, Dibrës dhe Korçës mbajnë një barrë tatimore që lëviz me 0,1 pikë për qind midis njëri-tjetrit. Nga llogaritja e ditëve që konsumohen për të paguar barrën tatimore, rezulton se në varësi të nivelit të saj ndaj PBB-së, Dita e Lirisë Fiskale në 2016 në Ballkan vjen më shpejt në Kosovë dhe më vonë në Greqi. Dita e Lirisë Fiskale, ashtu si edhe në Ballkan edhe në Shqipëri është indeksi i lehtësimit të individit dhe biznesit nga barra e tatimeve dhe taksave. Dita e Lirisë Fiskale për vitin 2016 ishte dje në ditën e 28-të të muajit mars. Kjo datë na tregon ne shqiptarëve se na duhet të punojnë për buxhetin e shtetit të tyre deri afër fundit të dhjetëditëshit të tretë të muajit të tretë të vitit. Pas kësaj periudhe, puna dhe fitimet i përkasin individëve dhe pronarëve të biznesit, pasi konsiderohet se llogaritë e detyrimeve me buxhetin janë mbyllur pas afër tre muaj pune që janë konsumuar për t’i derdhur për shtetin si kontribut i produktit prej punës apo kapitalit. Liria Fiskale vjen fillimisht në Qarkun e Beratit. Banorët e kësaj zone e festojnë këtë ditë në mes të shkurtit 2016. Pas tyre janë banorët e Qarkut të Fierit, të cilët e festojnë Ditën e Lirisë Fiskale në fundin e muajit shkurt 2016. Banorët e Qarkut të Tiranës janë të fundit që mbyllin periudhën 4-mujore të festimit të lirisë fiskale. Data që u përket për ta festuar është 9 prill 2016, sipas “Al-Tax”.
Trump: Europa nuk është më një vend i sigurtë
Kandidati republikan në garën presidenciale, Donald Trump, është shprehur se Europa nuk është më një vend i sigurt.
Miliarderi i cili është karakterizuar nga deklaratat e tij kontroverse, theksoi se fajtorët kryesore për gjendjen në të cilën janë autoritetet ligjzbatuese të cilat sipas tij, nuk e kanë bërë sic duhet punën e tyre.
Ky prononcim i tij vjen vetëm pak ditë pas sulmeve që tronditën Brukselin dhe mbarë Europën për të dytën herë brenda pesë muajve.
Më tej, Trump ka hedhur sërisht akuza ndaj besimtarëve myslimanë që jetojnë në Europë.
Ai tha se qytetarët të cilët i përkasin këtij besimi po ndihmojnë terroristët dhe se nuk po bashkëpunojnë me autoritetet europiane për të bërë të mundur kapjen e ekstremistëve që janë pjesë e organizatave terroriste.
Një deklaratë e tillë nuk është pritur mirë nga opinioni vendas por edhe ai botëror. Donlad Trump është zotuar se në rast se do të jetë ai Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të bllokojë hyrjen e besimtarëve myslimanë në vend si dhe do të deportojë një pjesë prej tyre.
Një deklaratë e ngjashme me atë të Trump, ndonëse me një ton më të zbutur ka ardhur nga Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry. Zyrtari i Washingtonit ka kërkuar që qytetarët amerikanë që jetojnë ose ndodhen përkohësisht në Europë, të shmangin vendet ku grumbullohen një numër i madh njerëzit, pasi sipas tij, nuk mund t’a dish asnjëherë se kush mund të ndodhet në brendësi të turmës. Në këtë mënyrë, edhe sekretari amerikan i Shtetit konfirmon se Shtëpia e Bardhë ka dyshime mbi ruajtjen e rendit dhe të sigurisë në kontinentin e vjetër.
Belgjikë, terroristi me kapele ende në kërkim, lirohet Faycal Cheffou
Lirohet i arrestuari nga autoritetet belge, Faycal Cheffou, i akuzuar për përfshirje në sulmet terroriste të Brukselit.
Cheffou, të cilin mediat belge e lidhën identiktin e tij me njeriun me kapele dhe pardesy të bardhë, që shfaqej në aeroport përkrah dy terroristëve të tjerë që hodhën veten në erë në aeroport, u la i lirë për mungesë provash në ngarkim të tij.
Ndërkohë policia ka publikuar pamje të reja të filmuara nga rrjeti televiziv CCTV në përpjekje për të identifikuar të dyshuarin e tretë në sulmet me bomba së martës së kaluar në aeroportin e Brukselit.
Sulmet në aeroportin “Zaventem” në Bruksel dhe stacionin e metrosë vranë 35 persona dhe plagosën më shumë se 300 të tjerë.
Përgjegjësinë për sulmet terroriste e morën menjëherë pas ngjarjes militantët e të ashtëquajturit Shteti Islamik.
Nis evakuimi i refugjatëve në qendra, tension në kampin e Idomenisë në Greqi
Tensioni ka mbizotëruar orët e fundit në kampin e Idomenisë në Greqi, ku ka nisur me ritme të ngadalta zbatimi i planit të evakuimit të refugjatëve në qendra të tjera pritjeje në vend. Mediat greke shkruajnë se gjatë ditës djeshme qarkulluan fjalë se kufiri me Maqedoninë do të hapet, duke krijuar tek refugjatët shpresën se ata mund të vazhdonin udhëtimin e tyre në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Qindra refugjatë u mblodhën nëpër linjat hekurudhore, duke pritur me vendosmëri për të kaluar kufirin.
“Përballë” tyre ishin refugjatë të tjerë që nuk besojnë se kufiri do të hapet. Ndërkaq forca të shumta policie janë të pranishme në zonë dhe pasdite shumë refugjatë hipën nëpër autobusë për t’u transportuar nga zona e Idomenisë drejt kampeve të tjera. Autoritetet mbeten të shqetësuar se dëshpërimi i mbi 11 000 njerëzve në Idomeni, shumë lehtë mund të kthehet në zemërim dhe mund të marrë përmasa të paparashikueshme.
Gazeta gjermane Die Welt, duke cituar një raport konfidencial nga Policia Federale Gjermane, paralajmëroi shpërthimin e dhunës në Idomeni me kufij të mbyllur. “Refugjatë të dëshpëruar do të përpiqen të kalojnë kufirin përsëri për të vazhduar udhëtimin e tyre në Evropë dhe ka të ngjarë që të ketë konflikte serioze”, shkruan gazeta.
Ndërkaq Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoni ka shtuar masat e sigurisë për shkak të krizës së refugjatëve.
Alarmi për bombë pak orë përpara mbërritjes së kombëtares
Si për ironi të fatit, disa orë përpara se Kombëtarja shqiptare të mbërrinte dje në aeroportin e Vjenës pati një alarm për bombë. Mëngjesin e djeshëm aeroporti ka bllokuar fluturimet.
Një nga pasagjeret mendoi se në krah kishte një person që ka lidhje me organizatën terroriste ISIS. Pasagjerja ka pikasur në telefonin e personit që ka pasur në krah një mesazh që e ka konsideruar se kishte të bënte me organizatën terroriste.
Në këtë moment, të gjithë pasagjerët kanë zbritur nga avioni dhe autoritetet kanë bërë rikontroll të pasagjerëve dhe të bagazheve. Kjo procedurë ka bërë që avioni të vonohej për rreth tri orë. Në momentin që është marrë siguria e plotë se asnjë prej pasagjerëve nuk ka rrezik, atëherë është kryer edhe udhëtimi i rregullt i avionit drejt Londrës.
Si gruaja që ngriti alarmin edhe personi i dyshuar nuk kanë udhëtuar me atë avion që duhet të niseshin për në Londër. Autoritetet në aeroport kanë hetuar mbi ngjarjen dhe ka rezultuar që personi i dyshuar ka qenë një student irakian që kryen studimet në Londër. Kjo ngjarje ka shkaktuar jo pak probleme për oraret e fluturimeve të ndryshme.
Snajperistë përreth stadiumit gjatë ndeshjes Francë-Rusi
Autoritetet franceze do të ndërmarrin masa shtesë të sigurisë për ndeshjen ndërmjet Francës dhe Rusisë që zhvillohet të martën në “Stade de France”.
Ndeshja miqësore do të ndiqet edhe nga snajperistë, të cilët do të ofrojnë siguri maksimale për të parandaluar ndonjë sulm eventual. Konfirmimin për praninë e snajperëve e ka bërë zyrtari i lartë në kryeqytetin francez, Laurent Simonin. “Snajperistët do të vendosen përreth stadiumit”, ka thënë ai për BFM-TV, shkruan tg.
Në nëntorin e kaluar, Parisi ishte shënjestër e sulmeve terroriste, ndërsa në afërsi të stadiumit ku asokohe u zhvillua ndeshja ndemjet Les Bleus dhe Gjermanisë, pati shpërthime. Nga sulmet terroriste humbën jetën 130 njerëz.
Eriksson: Anglia mund të fitojë Euro 2016
Falë asaj përmbysjeje të çmendur nga 2-0 në 2-3 që realizoi ndaj Gjermanisë kampione të Botës në Berlin, Anglia e Roy Hodgson tregoi se është një skuadër me potencial të madh dhe një rival i frikshëm për të gjitha kombëtaret që marrin pjesë në Euro 2016. Pasi zhvilloi një fazë eliminatore fantastike me 10 fitore në 10 ndeshje përfaqësuesja e Tre Luanëve vijoi ecurinë pozitive dhe me golin e Kane, perlën së Vardy-it dhe finalizimin e Dier, arriti të merrte një fitore të madhe përballë Die Manschaft. Anglia nuk e ka fituar asnjëherë në të shkuarën kampionatin Europian, dhe ndoshta ka ardhur momenti që ta bëjë diçka të tillë në Francë, të paktën kështu mendon ish-trajneri i kombëtares së tre luanëve suedezi, Sven Goran Eriksson aktualisht në drejtimin e klubit kinez, Shanghai Sipg.
“Presioni në kombëtaren angleze përpara evenimenteve të mëdha siç janë Kupa e Botës dhe Kampionati Europian ka qenë gjithmonë shumë i madh. Në periudhën që unë isha trajner i përfaqësues së “Tre Luanëve”, ky presion nuk na ka lejuar të shfaqim më të mirën tonë në fushë. Gjithsesi mendoj se gjatë 2 viteve të fundit situata ka ndryshuar, pasi tashmë Anglia përbëhet nga shumë djem të rinj në moshë, dhe mbi ta nuk është ushtruar asnjë lloj presioni. Ata zhvilluan një fazë kualifikuese të mrekullueshme dhe unë mendoj se, kjo Angli i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar në Euro 2016″.
Sven Goran Eriksson ka qenë në drejtimin e Anglisë nga viti 2001 deri në 2006-ën, duke mos mundur t’i kualifikojë “Tre Luanët”, përtej fazës çerekfinale në një kompeticion të madh, pasi në Botërorët e viteve 2002 dhe 2006 Anglia u eliminua në këtë ruand respektivisht nga Brazili dhe Portugalia, me përfaqësuesen luzitane që e nxori jashtë edhe nga Euro 2004 sërish në çerekfinale.
Rumania kundërshtare e Shqipërisë në finalet e Euro 2016, barazoi pa gola me Spanjën, në miqësoren e luajtur në Cluj. Rivalët e kuqezinjve në Grupin A të evenimentit në Francë befasuan prej fillimit të sfidës, ku në fanella kishin zëvendësuar numrat me probleme matematikore. E, në fakt, përballja e kampionëve të Europës në fuqi me ekipin e Anghel Iordanescu-t ishte një ekuacion i vështirë për t’u zgjidhur, me Furinë e Kuqe, që u kënaq me barazimin e dytë në ndeshjet testuese, pas atij me Italinë.
Rumania tregoi si zakonisht se ka mbrojtje hermetike dhe lojë të organizuar deri në detaje. Për ta rritur ecurinë rekord në 17 ndeshjeve pa humbje, Rumania u ndihmua edhe nga fati, si në tentativën e sulmuesit të Juventusit, Morata. Në një ndeshje ku të dyja skuadrat vuajtën të krijonin shanse të mira për shënim, Rumania u ndihmua edhe nga gjyqtari që nuk akordoi dy penallti, fillimisht pas inkursionit të Morata-s, ndërsa në sekondat e fundit të sfidës i mohoi një 11-metërsh të pastër të shkaktuar ndaj Fabregas.
Islami tjetër i Kazakistanit

Alex Walters, BBC
Trajtat e mësimeve, praktikës dhe tolerancës islamike mes popullit të Kazakistanit janë ruajtur me fanatizëm që kur feja është predikuar për herë të parë në stepat e Azisë Qendore në shekullin VIII. Islami në atë kohë u përhap nëpërmjet zhvillimit të tregtisë ndërmjet popullit të lindjes dhe atij të perëndimit të Rrugës së Mëndafshit, linja më e madhe e tregtisë në botën antike.
“Trubutë e Kazakistani kanë qenë popuj nomadë, të cilët endeshin vazhdimisht rrugëve. Për këtë arsye, ata i kushtonin një rëndësi të veçantë vlerave si mikëpritja, bujaria dhe mirënjohja”, thotë Alina Khamatdinova, drejtuese e Aleancës Civile të Kazakistanit për “Edge Magazine”. “Ashpërsia e motit në stepa e bënte jetën tepër të vështirë. Askush nuk mund të mbijetonte i vetëm. Ata mund të jetonin vetëm si pjesë e një komuniteti dhe komunitetet duhet t’i besonin njëri-tjetrit dhe të bashkëpunonin”.
Islami është feja më e përhapur në Kazakistan kurse e dyta është feja krishtere ortodokse ruse. Pas shumë dekadave të shtypjes nga Bashkimi Sovjetik, pavarësia ka sjellë nevojën për ripërtëritjen e kulturës kazake pjesërisht edhe përmes fesë. Njohja e plotë e lirisë fetare ka çuar në rritje të madhe të besimtarëve aktiv. Në vitet e fundit janë ndërtuar qindra xhami, kisha, sinagoga dhe ndërtesa të tjera fetare, duke e rritur numrin e tyre nga 670 në 4170.
Kazakët etnik, të cilët përbëjnë më shumë se dy të tretat e popullsisë, së bashku me uzbekët, ujgurët dhe tatarët, janë myslimanë sunit të medh’hebit (fraksionit) hanefi. Më pak se 1% e tyre janë të medh’hebit shafi (kryesisht çeçenët). Në pjesën jugore të vendit është përqendrimi më i lartë i besimtarëve myslimanë. Këtu ka rreth 2 300 xhami dhe ato janë të gjitha të lidhura me “bashkësinë shpirtërore të myslimanëve të Kazakistanit”, i kryesuar nga një myfti suprem. Festa e Bajramit është e pranuar si festë kombëtare. Për dy dekada të fundit popullsia e Kazakistanit është rritur nga 8,5 në 16,3 milionë banorë. Këto ndryshime janë pasojë e një biodinamike të theksuar të popullsisë. Përveç lindshmërisë së lartë (16%) e karakterizon edhe vdekshmëria e lartë (10,4%) me shtim natyror prej 5,6%. Me 6 banorë në një kilometër katrorë është shteti më i pabanuar në Azinë Qendrore
Gati një e treta e popullsisë janë të krishterë ortodoksë, kryesisht rusët etnik, ukrainasit dhe bjellorusët. Grupet e tjera të krishtera përfshijnë katolikët, katolikët grek, baptistët dhe protestantët. Ka 258 kisha ortodokse, 93 katolike dhe 50 protestante. Fetë e tjera të pranishme në Kazakistan janë edhe Jehudizmi, Hare Krishna dhe Budizmi.
Me pak fjalë, vendi ka një larmishmëri të jashtëzakonshme të feve dhe kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në harmoni. Sot, Kazakistani është epiqendra e një rrjeti komunikimi dhe tregtie që zhvillohet me shpejtësi në zonën euroazitike. Ashtu sikur Islami ishte gjithëpërfshirës, tolerant dhe i suksesshëm në kohën antike në zonat e stepave, praktika moderne e Islamit në Kazakistan vazhdon të jetë e tillë edhe në ditët e sotme.
Traditat e Islamit në tokën e Kazakistanit janë formuar në epokën, kur populli u vendos në këtë zonë. Islami mbërriti në stepa shumë herët, pak më shumë se një shekull pas ardhjes në jetë dhe mësimeve të vetë profetit. Ishte epoka e kalifateve të mëdha të Damaskusit, Bagdatit dhe Kordobës, të cilat ishin edhe qëndrat më të mëdha të edukimit, shkencës, kulturës dhe tolerancës për një gjysëm mijëvjeçari.
Nëpërmjet aktiviteteve paqërore të misionarëve, Islami u përhap gradualisht dhe u kthye në besimin fetar kryesor për Kazakistanin. Jetesa dhe kultura e këtij populli si nomad, bari dhe tregtar, e përhapi këtë fe edhe më gjerë, në cepat më të humbura të stepave. Sot, rivendosja e këtyre institucioneve të besimit fetar, është duke u nxitur dhe inkurajuar pas një epoke të gjatë dhe të errët të shtypjes fetare gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik.
Edhe përpara se Kazakistani të fitonte pavarësinë e plotë nga Bashkimi Sovjetik, themelet për ringjalljen e fesë së Islamit kishin filluar të hidheshin. Në vitin 1990, Presidenti Nursultan Nazarbayev, i cili e drejtonte vendin si sekretari i parë i Partisë Komuniste në Kazakistan, e sfidoi Kremlinin, duke e nxjerrë vendin jashtë Bordit Mysliman të Azisë Qendore. Bordi atëherë ishte institucioni kryesor nëpërmjet të cilit Moska kontrollonte dhe kufizonte përhapjen e Islamit në rajon. Nazarbayev e zëvendësoi atë me një myftini të re të pavarur, ose një autoritet fetar, në të cilin bënin pjesë të gjithë praktikantët myslimanë të Kazakistanit. Nëpërmjet kësaj strategjie, Kazakistani u çlirua nga kufizimet fetare të imponuara nga Bashkimi Sovjetik dhe sinjalizoi se ringjallja e Islamit do të mbështetej dhe inkurajohej nga nivelet më të larta të vendeve të pavarura në zhvillim.
Nazarbayev dhe kolegët e tij janë kujdesur që në ditët e para të pavarësisë, që të mbroheshin dhe kultivoheshin traditat e matura dhe tolerante të Islamit në Kazakistan. Në vitin 1993, Kushtetuta e re e Kazakistanit ndaloi me ligj ekzistencën e partive politike fetare. Nëpërmjet këtij akti të ri legjislativ, u sigurua një ndarje e qartë ndërmjet fesë dhe politikës.
Dy vite më pas, nëpërmjet rishikimit të Kushtetutës në vitin 1995, u ndalua me ligj ekzistenca e çdo lloj grupi që përpiqej të nxiste konflikte raciale, etnike dhe fetare në vend. Akti ligjor i njohu gjithashtu qeverisë pushtetin për të monitoruar nga afër dhe për të kufizuar aktivitetet e organizatave fetare të Kazakistanit jashtë vendit. Në këtë mënyrë, qeveria arriti me sukses të izolonte dhe të distanconte vendin nga të gjitha konfliktet fetare ekstremiste, që kanë pllakosur një pjesë të mirë të vendeve aziatike.
Në Kushtetutën e vitit 1995, ashtu si në atë paraprijëse, përcaktohet ligjërisht se, Kazakistani është dhe do të jetë gjithmonë një shtet laik. Kur Nazarbayev themeloi Myftninë e Kazakistanit, ai zgjodhi Ratbek Nisanbayev, si liderin e parë të institucionit. Nisanbayev ishte i bindur se, përfshirja e Islamit në politikë do të ishte tepër e dëmshme si për vendin ashtu edhe për vetë praktikën dhe kulturën e fesë Islame. Ai deklaroi vazhdimisht dhe publikisht se ekzistenca e çdo partie politike islamike në Kazakistan do të përbënte një kërcënim të madh ndaj paqes në vend.
Qeveria e Kazakistanit, megjithatë, nuk është përpjekur kurrë të kufizojë përhapjen e fesë Islame, madje e ka inkurajuar atë. Rezultati i kësaj nisme ka qenë i jashtëzakonshëm. Besimi fetar, dhe jo vetëm ai Islam, është zhvilluar në kushtet e tolerancës, mirëbesimit dhe lirisë gjatë dy dekadave të pavarësisë së vendit. Deri në vitin 2010, 65 për qind e 16,4 milionë njerëzve në Kazakistan, ishin bërë myslimanë. Xhamia Blu në kryeqytetin e ri Astana, u ndërtua për të pritur 7 mijë besimtarë në brendësi, por mbi 14 mijë njerëz mblidhen për t’u faluar aty çdo ditë të premte.
Gjatë verës së vitit 2011, Kazakistani krijoi gjithashtu Agjensinë e Çështjeve Fetare, një institucion qeveritar, i cili koordinon aktivitetet shtetërore në lidhje me fenë për të parandaluar çdo lloj abuzimi nga organizatat fetare në vend dhe për të mbrojtur traditat e tolerancës dhe lirisë së besimit fetar. Ishte pikërisht kjo agjensi, ajo që krijoi një draft të ri ligjor lidhur me aktivitetet fetare në vjeshtën e vitit 2011 dhe më pas u miratua nga Parlamenti dhe u dekretua si ligj nga Presidenti Nazarbayev në tetor të vitit 2011. Ky ligj, i cili ruan lirinë fetare dhe tolerancën ndërmjet besimeve të ndryshme, për herë të parë në historinë e Kazakistanit, ka nënvijëzuar gjithashtu rolin tradicional të Islamit dhe të Krishtërimit Ortodoks, si dy besimet fetare më të përhapura në vend.
Qeveria pranoi se, që Islami të zhvillohej edhe më tej, Kazakistani do të duhet të rianëtarësohej në “Ummah”, komuniteti global me 1,3 bilion myslimanë, nga i cili ishte ndarë me forcë gjatë 74 viteve të sundimit sovjetik. Ky ka qenë hapi më i rëndësishëm i vendit, që pas shpalljes së pavarësisë. Ndihmat ekonomike dhe mbështetjet e tjera për ndërtimin e xhamive dhe institucioneve edukuese në Kazakistan kanë ardhur kryesisht nga Turqia, Egjipti dhe mbi të gjitha nga Arabia Saudite. Kazakistani ka krijuar marrëdhënie tepër të mira me këto vende si edhe me shtetet e tjera të vogla të rajonit. Çdo vit, mijëra e mijëra myslimanë të Kazakistanit, kryejnë lirisht dhe me kënaqësi haxhin, pelegrinazhi fetar i përvitshëm më i madh në botë.
Presidenti Nazarbayev ka dhënë shembullin më të mirë, duke drejtuar këtë proces. Ai ka bërë vizita të rangut të lartë shtetëror në vendet kryesore të Ummahut si Turqia, Irani dhe Arabia Saudite, teksa përpiqej të krijonte ura lidhëse me vendet e Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Në vitin 1994, ai vizitoi vendin më të shenjtë mysliman, Mekën.
Për shkak të rregullave Islame, në lidhje me pastërtinë e ushqimit, veçanërisht mishit, qeveria ka krijuar institucione të rrepta të monitorimit të cilësisë së ushqimit të tregtohet në vend. Kazakistani është kthyer në një qendër të madhe të prodhimit dhe tregtimit të mishit Hallall, megjithatë zgjedhja e çdolloj ushqimi është tërësisht vullnetare në vend. Kultura e Islamit në Kazakistan bazohet në tolerancë dhe mirëkuptim. Prezenca dhe rëndësia e këtij besimi fetar bëhet menjëherë e qartë për turistët që vizitojnë vendin për herë të parë, por nuk bëhet kurrë imponuese apo mbytëse. Femrat që zgjedhin lirisht të vishen me xhihab, veshja tradicionale myslimane e mbulimit të kokës me shami, përzihen më së miri dhe qetësisht me ato të veshura me minifunde moderne apo që shijojnë kokteile alkoolike në lokalet e shumta të natës dhe restorantet e vendit. Bukuria e ringjalljes së vlerave të vërteta dhe themelore të Islamit, si toleranca dhe bashkëjetesa në paqe, qëndron në faktin se po lulëzojnë në botën moderne, pa u bërë imponuese për popullin e Kazakiastanit dhe këdo që kërkon ta vizitojë.