28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Liberalizimi i vizave, lehtësim për bizneset

Nadie AHMETI

Liberalizimi i vizave për Kosovën, përveç realizimit të mundësisë për lëvizje të lirë të qytetarëve, do të ketë rëndësi të madhe edhe për komunitetin e biznesit, thonë përfaqësues të këtij komuniteti.
Ata theksojnë se procesi i liberalizmit të vizave do të rrisë më tepër edhe rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim (MSA) me Bashkimin Evropian, marrëveshje kjo që ka hyrë në fuqi më 1 prill të këtij viti.
Komisioni Evropian, pritet që të mërkurën të jap rekomandimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, thotë se ky proces do të ndikojë që prodhuesit nga Kosova të zgjerojnë veprimtarinë e tyre afariste në tregun evropian dhe njëherësh mundësia është më e madhe për promovimin e produkteve “Made in Kosova“ në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
“Pas vendimit përfundimtar për liberalizim, bizneseve do t’u mundësohet të lëvizin lirshëm, të takohen me kompani jashtë Kosovës, të takohen me kompani tregtare të Bashkimit Evropian. Nëse flasim për një prodhues vendor një lëvizje e tillë, do t’i mundësonte atij që lehtë të zgjeronte rrjetin e bashkëpunimit të tij afarist dhe të plasonte më lehtë produktet e tij në vendet e BE-së”.
“Pjesëmarrja në simpoziume dhe panaire të tjera brenda shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, do t’i mundësonte bizneseve kosovare që të zgjerojnë veprimtarinë edhe në aspektin e inovacionit dhe zhvillimeve teknologjike në mënyrë që të reflektonte në punën e bizneseve tona”, ka thënë Zeka.
Ndikimi i liberalizimit të vizave do të lehtësonte qarkullimin njëherësh edhe rritjen e tregut evropian, thonë edhe përfaqësues të kompanive private.
Fabrika për Prodhimin e Këpucëve, “Solid” nga Suhareka, me gjithë barrierat, produktet e saj i eksporton në disa vende të Bashkimit Evropian.
Shpëtim Kuqi, administrator në këtë kompani, tregon për Radion Evropa e Lirë se ka pasur raste kur i është refuzuar viza, pavarësisht faktit se arsyeja e udhëtimit ka qenë për punë biznesi.
Ndërkaq, në rastet kur është pajisur me vizë, pritja ka qenë deri në 60 ditë. Me viza thotë ai, janë pajisur vetëm udhëheqësit e kompanisë, por jo edhe punëtorët tjerë, për të cilët shkuarja për trajnime në vendet e BE-së, në raste ka qenë e nevojshme.
“Përveç procedurave të gjata kohore për aplikacionet për viza, ka pasur edhe kosto financiare. Kurse zakonisht për punëtorë kemi pasur probleme për të udhëtuar në vendet e Bashkimit Evropian. Kurse kjo është lehtësi, sepse ne mund t’i dërgojmë lirshëm në trajnime edhe punëtorët”, thekson Kuqi për Radion Evropa e Lirë.
Në anën tjetër, Arian Zeka nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, ka thënë se produktet e prodhuara në Kosovë janë cilësore për eksport, por që u mbetet autoriteteve kompetente që të përkrahin më tepër sektorin privat në mënyrë që të rrisin kapacitet e tyre prodhuese.
“Kapaciteti është çështje problematike që duhet të punohet më tepër. Institucionet e vendit duhet të vazhdojnë të mbështesin prodhuesit në Kosovë, në mënyrë që ata të mund të zgjerojnë kapacitetet e tyre, meqenëse kjo është një çështje tjetër që unë do të ndaja nga çështja e cilësisë”, ka thënë Zeka.
Liberalizimi i vizave për Kosovën dhe zbatimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, bizneseve të vendit i hap dyer për pjesëmarrje në tregun prej 500 milionë banorësh, njëherësh do t’i rrisë marrëdhëniet tregtare në mes të Kosovës dhe vendeve të BE-së.

Eleminuesi Trump duhet të vërë rregull

Miodrag SORIC

Në fund, fitorja erdhi edhe për Donald Trumpin çuditërisht shpejt. Pasi 69 vjeçari pati fituar edhe Parapraket në Indiana, kandidati i tjetër i mundur, Ted Cruz hoqi dorë. Ai shpalli tërheqjen, por nuk e përmendi me asnjë fjalë Trumpin. Cruzi është i lënduar, i hidhëruar, i vrerosur. Në fund të fundit, Trumpi e sulmoi atë në fushatën elektorale jo vetëm personalisht, por sulmoi edhe familjen e tij. Nuk është hera e parë që Trumpi e ka kthyer një konkurent politik në armik. Në muajt e ardhshëm ai duhet të ketë frikë nga hakmarrja e tyre, të ketë mendjen që ata të mos flasin keq për të, të mos jenë hakmarrës.

Kërkohet Trumpi diplomat
Sepse thuajse është e sigurtë që Trumpi do të jetë në nëntor kandidati i Partisë Republikane për zgjedhjet presidenciale. Detyra e tij e parë tani është: të bashkojë partinë republikane në grindje. Këtë është më e lehtë ta thuash se ta bësh. Gjithsesi, në fjalën e tij të fitores Trumpi tregoi një fillim, u përpoq të tregonte se qenë harruar sulmet e muajve të fundit. Tri herë e lëvdoi ai Cruzin e mundur, lëvdoi disa herë establishmentin e partisë, të cilin e ka baltosur deri tani në të gjitha fjalimet e tij. Dhe sulmoi Hillary Clintonin. Para së gjithash kundërshtimi për të, për kandidaten me shumë gjasa presidenciale të demokratëve, i bashkon republikanët.
Fushata elektorale ka rreth dhjetë muaj që po zhvillohet. Dhe të paktën tek republikanët ajo po ecën krejt ndryshe nga ç’e kishin parashikuar edhe ekspertët më të mëdhenj. Askush nuk llogariste verën e kaluar një fitore të Donald Trumpit. Gjithsesi, kandidatët e republikanëve qenë emra të mëdhenj. Midis tyre kishte guvernatorë dhe senatorë të suksesshëm, me përvojë. Politikanë me një arkë të mbushur mirë, me mbështetje në udhëheqjen e partisë dhe në elitën politike të vendit.

Ai që ka sukses është jo-politikani Trump
Por te zgjedhësit, ai që pati sukses qe Trumpi. Një person i ndryshëm nga të tjerët. Dikush që nuk ka mbajtur kurrë një post publik. Një miliarder pasurish të paluajtshme dhe një yll i TV-Reality. Zgjedhësit donin gjithçka – vetëm jo një politikan. Mesazhi i Trumpit për elitat e korruptuara zuri vend. Kritika e tij se Uashingtoni mban faj për disfatën ekonomike të shtresës së mesme, ka sukses. Trumpi flet gjuhën e njeriut të thjeshtë. Ai formulon lirisht. Ithtarët e tij i besojnë, ose më mirë: duan t’i besojnë. Hillary nga ana tjetër mund ta ketë kokën plot me fakte dhe shifra për politikën e madhe: por asaj i duhet teleprompteri edhe për një fjalim të shkurtër. Thuajse askush tjetër nuk është i përgatitur profesionalisht më mirë për punën në Shtëpinë e Bardhë siç është ajo. Por Hillary ka një problem besueshmërie. Amerikanët nuk e duan. Ajo nuk është talent natyror politik – ndryshe nga bashkëshorti i saj.
A mund të jetë Trumpi edhe burrë shteti?
Që prej këtij momenti, Trumpi dhe partia republikane janë të lidhur pazgjidhshmërisht me njëri-tjetrin. Do të jetë interesante të vërehet se si do të kthehet zhurmaxhiu Trump në burrë shteti; si do t’u drejtohet zgjedhëseve femra, 70 përqind e të cilave deri tani e kundërshtojnë. Çfarë do t’u premtojë Trumpi amerikanolatinëve dhe afroamerikanëve, në mënyrë që ata të paktën ta refuzojnë më pak se deri tani? Vende pune? Më shumë para për arsimin? Fushata elektorale amerikane mbetet interesante.

Dy kryeministra; në fakt veç i dyti

Frrok ÇUPI

I dyti është Sali Berisha. Ky është zgjedhur kryeministër i Republikës që nga vjeshta e vitit 2005 deri në vjeshtën e vitit 2013, në dy legjislatura të Kuvendit të Shqipërisë. Tani nuk është më kryeministër i zgjedhur; prandaj po them se është kryeministër “i dytë”. “I pari”, i bie të jetë Edi Rama… Renditjen kryeministrore “i parë” dhe “i dytë”, po e formuloj në respekt të principit demokratik të zgjedhjes së kryeministrit në një Republikë Parlamentare, si në Republikën e Shqipërisë. Por në fakt, kryeministër i parë, edhe pse i pazgjedhur, mbetet Sali Berisha.
Edhe pse Sali Berisha, i larguar me votë nga qeverisja e vendit dhe i dorëhequr nga kryesimi i Partisë Demokratike, mbetet ai që e thotë fjalën e fundit në politikën e Kuvendit të Shqipërisë. Madje, po shtoj edhe një tjetër “edhe pse…”. Sali Berisha, edhe pse shumë njerëz e mallkojnë e nuk e duan (sidomos nga radhët e të majtëve ekstremë dhe të rilindasve), prapë se prapë këtë “përgjojnë” çfarë po iu thotë, këtë besojnë për çfarë thotë. Një militant i majtë në një qytet të Veriut, që kishte besuar në Rilindje, një nga këto ditë, para kryetarit të Partisë Demokratike, Basha, deklaroi kështu: “Kur isha kundër Berishës, isha një shitës mishi; tani kam kaluar roje mishi!”. Tashmë në atë qytet të vogël verior, askush nuk hyn në dyqanin e tij për të blerë, shitësit i duhet veç të bëjë roje…
Ka shumë kohë që njerëzit, demokratë a socialistë, i drejtohen “ish-kryeministrit” dhe i kërkojnë “çfarë po ndodh me ne kështu?!”; i tregojnë ku mbjell drogë qeveria dhe devoted e saj të afërt; i tregojnë sapo të niset avioni nga Italia për t’u ngarkuar me drogë në Divjakë; i tregojnë kush e vrau cilin; i tregojnë cili kriminel fshihet nën petkun shtetëror; edhe që nga Holanda i tregojnë se “u arrestua një i dënuar përjetë”, por që këta po e fshehin…. I zbrazin gjithë “thesin e shtetit”. Dhe ky e zbraz thesin në organin që ka zgjedhur populli dhe që quhet Kuvend i Shqipërisë. Gjithçka “ish-kryeministri” ka dëshmuar ose denoncuar në emër të popullit, ka dalë e vërtetë.. Kaq e thjeshtë.
Atëherë shtrohet pyetja: Vallë cili qënka kryeministri, ky që ka në dorë thesin e shtetit, apo ai tjetri?!
Dje në Kuvend ishte momenti më i fundit, kur “ai tjetri” dhe ky që ka gjithë barrën e shtetit dhe që po e quajmë “thesi”, u përplasën në foltoren e Kuvendit.
I pari, domethënë kryeministri i zgjedhur, u ngjit në foltore dhe tha disa fjalë, ose shumë fjalë, por asgjë nuk u mbajt mend. Tha diçka si në zënkën e fëmijëve në lagje, alias “hë mo, firmose Reformën e Drejtësisë, hë mo Sali, o Sali, firmose o Sali”… Tha edhe një absurd tjetër, sikur ndërtimi i rrugëve në vend “nuk ka ndonjë vlerë kushedi, veç sa një betoniere!”. Mbaroi këto fjalë dhe iku nga salla. U pa me një fytyrë shumë të prishur, qeskat e syve që thonë se i ka operuar për t’u dukur bukur, i ishin lëshuar përsëri; bebëzat i rrotulloheshin fort… Por iku menjëherë. Kryeministri i zgjedhur e ka gjithnjë favorin që mund të ikë sa herë të dojë nga salla ose edhe nga Shqipëria, ose edhe nga Europa…
Ndërsa “ish-kryeministri” nuk mund ta lërë sallën. Këtu është një nga ndryshimet mes tyre. Sepse njëri ndjehet i ngarkuar me barrë shteti dhe nuk lëviz kollaj; tjetri, dmth “i pari”, lëviz sa herë të dojë; si flutur, pa asnjë peshë. Ngrihet e ikën “puf!”.
“Ish-kryeministri” qëndroi dhe foli me kryeministrin që nuk ishte më. Domethënë nuk ndodhej më në sallën e Kuvendit.
“Ish-kryeministri” i tregoi për rrugët kryeministrit “të parë”. E këshilloi të mos e quajë rrugën veç para, përfitim a buldozer. “Rruga është vizion”, i tha. Kur Berisha ishte kryeministër i parë, u hapën rrugët në gjithë vendin, madje edhe në fshatra. Me aq mbetën rrugët. “Rruga është interes kombëtar!”, i tha ky kryeministrit tjetër. I tregoi se kur u largua nga posti i kryeministrit të parë, shtator 2013, i la këtij 100 rrugë në proces. “Rilindja” është ankuar pse “Saliu la 100 rrugë pa mbaruar”. “Po!”, tha dje Berisha. “I lashë njëqind rrugë, sepse ishin nisur, po të mos niseshin nuk do të mbeteshin. 100 rrugë të nisura janë pasuri, pa mendoni sikur të ishte një rrugë e panisur!”…. Kryeministri që u zgjodh në vitin 2013, në vend që të përfundonte rrugët, i fshiu dhe u ankua para popullit se, “na i ka lënë rrugët Saliu!”. Siç e thonë shpesh “devoted” e Ramës, “pse na e le gotën gjysmë-plot?”.
Berisha qeshi dhe i tha tjetrit: “Shko thuaji popullit se nuk duhen më ato rrugë!”.
… Kjo ishte përplasja e fundit publike mes dy kryeministrave dje në Kuvend. Edhe pse kryeministri “i parë” e kishte lënë sallën, përsëri aty shfaqeshin dy, njëri që ishte, tjetri që nuk ishte.
Në gjithë aktualitetin tonë po mësohemi të ndodhemi përballë dy kryeministrave njëkohësisht. “Ish-kryeministri” përzgjidhet si bashkëbisedues nga ambasadorët e aleatëve të mëdhenj, duke u nisur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian. “Ish-kryeministrit”, kryeministri “i parë” i lutet që të firmosë Reformën në Drejtësi. “Ish-kryeministri” flet me qytetarët në formë dixhitale, një formë që ky e ka zgjedhur për të shmagur censurën e qeverisë. “Ish-kryeministri” denoncon korrupsion e krime, paralajmëron të keqen, jep sinjale ku po shkon vendi në një qeverisje të mbrapshtë.

“Ish-kryeministri”, ose i dyti, shfaqet në tribuna si i ngarkuar, pa pyetur si po duket, pak i kërrusur, i sigurt në atë që thotë, një njeri ngjashëm me tipikun e shoqërisë sonë. Ndërsa kryeministri “i parë” shfaqet veç “spic”; i veshur si lordët kur shkojnë në ballo; i bukur, i bukur!; i kuruar, i kuruar!; i pushuar në plazhet më të kushtueshme; me një jetë luksoze pasanikësh. Ngjan si askush nga këta të popullit që ky qeveris.
… Tjetri e mban thesin e shtetit!

Berisha: Neobllokmenëve, i rezervojmë fatin e etërve

Sot (dje), në ditën e të rënëve të kombit, jemi këtu për të nderuar njeriun, që pas gjysmë shekulli shtypje të egër dhe errësire, tjetërsimi, poshtërimi dhe mjerimi, solli tek shqiptarët ditën e gjenezës të lirive të tyre të dënuara me Kushtetutë. Nderojmë Azem Hajdarin, që në dhjetor të vitit ‘90, do të ngrihej si anteu për t’i bërë shqiptarët të lirë e së bashku me shoqet dhe shokët e tij studentë do të zhvillonin ato ditë dhjetori betejën më të fuqishme, më legjendare, më paqësore të shqiptarëve për liri.
Azemi dhe Besim Cerja ranë si dy vëllezër këtu para selisë së PD, të ekzekutuar nga pushteti që Azemi përmbysi me revolucionin e tij demokratik, por vepra e Azem Hajdarit bëhet gjithnjë e më madhështore. Vepra e tij dhe e bashkëpunëtorëve e studentëve të tjerë, nga të gjitha ngjarjet që shqiptarët përjetuan në 25 vitet e fundit, ajo është dita ku e kanë origjinën arritjet e kombit shqiptar këto 25 vite. Edvin Kristaq Rama, pikërisht në këtë moment historik, në këtë 25-vjetor ka filluar flirtin me vrasësit që dergjen në burgje apo që ai nxori me dokumente falso jashtë tyre. Dhe unë dua t’i them këtu se kjo tregon se ti edhe në gjumë dhe në ëndërr ke frikë dhe tmerr nga Azem Hajdari dhe e vërteta është që ke një mijë arsye për të patur frikë, pasi Azemi është burim i pashtershëm frymëzimi për të të rezervuar ty neobllokmen, nga rinia shqiptare, fatin që ai iu rezervoi me rininë shqiptare etërve tuaj barbarë e mizorë.
I përjetshëm kujtimi i Azem Hajdarit, i përjetshëm kujtimi i të rënëve të kombit tonë, i përjetshëm kujtimi i Besim Ceres që ra si vëlla me Azem Hajdarin këtu në këtë vend.

Betejë për çlirimin e vendit nga krimi e korrupsioni

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ish-Kryeministri Sali Berisha, deputetë, drejtues të FRPD, drejtues të pushtetit vendor e personalitete të tjera të kësaj partie janë përkulur dje në nderim të Dëshmorëve të Kombit.
Kurora me lule u vendosën në monumentin “Nënë Shqipëri” për të përkujtuar sakrificën që bijtë dhe bijat e kombit shqiptar dhanë për lirinë për demokracinë, për rendin dhe sigurinë.
“Sot, kujtojmë dhe nderojmë sakrificën më të lartë për atdheun, për lirinë, për kombin, flijimin në altarin e lirisë të Dëshmorëve të Kombit në luftërat çlirimtare, luftërat për pavarësi dhe liri që shqiptarët kanë zhvilluar në shekuj e dekada për lirinë e Shqipërisë, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për të drejtat e tyre në Maqedoni, Luginën e Preshevës.
Nderojmë heronjtë pra, bijtë dhe bijat e këtij kombi që dhanë jetën për liri. Përkulemi me nderim të thellë para atyre që u flijuan edhe për vlera të tjera pa të cilat jeta e njeriut nuk ka kuptim siç është demokracia, siç është liria nga tirania e krimit, liria nga terrorizmi. Pra, përkulemi dhe para bijve dhe bijave të kombit shqiptar që kanë dhënë jetën nën uniformën e Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe atyre që bënë të mundur përmes sakrificës së tyre sublime ardhjen dhe konsolidimin e demokracisë shqiptare.
E sotmja është edhe një ditë reflektimi. Reflektimi i Partisë Demokratike para gjakut të Dëshmorëve të Kombit është vendosmëria për të vazhduar deri në fitore betejën tonë për një Shqipëri të lirë, të njerëzve të lirë, për një Shqipëri demokratike, për një Shqipëri të çliruar nga krimi dhe korrupsioni.
Lavdi përjetë Dëshmorëve të Kombit!”.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtues të PD kanë përkujtuar dje dhe heronjtë e demokracisë, Azem Hajdarin dhe Besim Çerën.
“Në ditën e 5 Majit, përkujtimit të sakrificës të Dëshmorëve të Kombit nuk kishte si të mungonte nderimi për tribunin e lirisë dhe demokracisë, frymëzimin e përditshëm dhe të përnatshëm të çdo demokrati dhe të çdo shqiptari të lirë, Azem Hajdarit dhe mikun e tij Besim Cerës.
Ne vijmë sot këtu në këtë monument të ri të Azem Hajdarit dhe Besim Cerës, për heroin tonë, për simbolin tonë, por edhe me përkushtimin dhe bekimin tonë se përsëri do ta mundim krimin e veshur me uniformën e shtetit dhe shtetin e veshur me veshjet e krimit. Për t’i dhënë shqiptarëve një Shqipëri demokratike, të lirë dhe europiane siç e ëndërruan studentët e dhjetorit dhe kryedëshmori i demokracisë Azem Hajdari. Nderim përjetë dëshmorëve të demokracisë! Lavdi përjetë Azem Hajdarit!”.
Zoti Basha kreu vizita edhe në familjet e dëshmorëve Mehmed Deda, Altin Dizdarit dhe Azem Hajdarit.

Rrezikohet marrëveshja BE-Turqi për migrantët

Shtetasit turq së shpejti mund të përfitojnë nga udhëtimet pa viza në Evropë si pjesë e një marrëveshjeje të kohëve të fundit mes Bashkimit Evropian dhe Ankarasë, për të frenuar valën e refugjatëve. Nga ana e saj, Turqia ka premtuar t’i mbajë migrantët në territorin e saj dhe të godasë trafikantët. Brukseli do të publikojë sot raport-progresin, por siç njofton korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Henry Ridgwell nga Londra, shumë ligjvënës evropianë po kërcënojnë për t’i vënë veton marrëveshjes si rezultat i shqetësimeve për të drejtat e njeriut:
Të dhënat e Bashkimit Evropian tregojnë se rreth 26 mijë migrantë arritën në ishujt grek gjatë marsit, më pask se gjysma gjatë muajit shkurt. BE thotë se, marrëveshja me Ankaranë po funksionon. Frans Timmermans është nënpresident i Komisionit Evropian:
“Po të mos bënim gjë, Greqia do të kthehej në një kamp gjigant refugjatësh të ngecur aty. Kjo është e nevojshme për t’u zgjidhur”. Turqia thotë se është në rrugën e duhur për të përmbushur kriteret e kërkuara nga Evropa, duke këmbëngulur se heqja e vizave është pjesë e panegociueshme e marrëveshjes.
Por në Gjermani, analistët thonë se frika mbi një valë azilkërkuesish kurdë nga Turqia po e nxit mbështetjen për protestat kundër imigracionit. Ndezja e konfliktit mes rebelëve kurdë dhe qeverisë turke po i rëndon këto shqetësime, por janë të gabuara, thotë Ibrahim Sirkeci me Universitetin Regents:
“Çdo qytetar kurd i Turqisë që aplikon për azil në Evropë do të refuzohet. Do të jetë refuzim i menjëhershëm dhe ka kohë që kjo metodë po përdoret”.
Ndërsa partitë e djathta mund të përfitojnë nga droja e migrantëve, disa ligjvënës në Bruksel kanë kërcënuar se do ta bllokojnë marrëveshjen me Turqinë mbi shqetësimet për të drejtat e njeriut.
Amnesty International e akuzon Ankaranë se po kthen në Siri me dhunë qindra refugjatë të paregjistruar. John Dalhuisen me Amnesty International foli për “Zërin e Amerikës”:
“Sikurse është e paligjshme për Turqinë për të kthyer mbapsht refugjatët në zonën e konfliktit nga ku po largohen, nuk është më pak e paligjshme që BE të kthejë refugjatët nga këto zona mbrapsht tek vendi që po i dërgon ata”.
Por nuk janë vetëm të drejat e refugjatëve në qendër të vëmendjes. Kritikët thonë se të drejat themelore po shkelen.
Prokurorët kanë hapur mbi 1 mijë çështje kundër njerëzve për fyerje ndaj Presidentit Recep Tayyip Edogan që nga 2014. Fituesi i Çmimit Nobel, Orhan Pamuk foli të martën:
“Kjo është vetëm për t’i mbyllur gojën opozitës. Është për të frikësuar njerëzit dhe mbjellë frikë në vend që asnjë qytetar të mos e kritikojë qeverinë”.
Profesori Ibrahim Sirkeci thotë se veprimet e Evropës bien ndesh me parimet e Brukselit:
“Braktiset një popullatë e madhe që ka nevojë për mbrojtje humanitare. Dhe u thuhet, në vend që të ju ndihmojmë ju, po ju lëmë të rrini ku jeni dhe po e paguajmë Turqinë 6 miliardë euro për mbajtur kufijtë të mbyllur. Kjo është ajo që po humbet Evropa”.
Edhe pse Evropa po përpiqet të mbyllë një rrugë, një tjetër po zgjerohet me shpejtësi. Dhjetëra mijëra migrantë kanë kaluar nga Libia për në Itali gjatë javëve të fundit, ndërsa priten më shumë me ardhjen e verës dhe detërave më të qetë.

Vodhi 24 milionë lekë, kërkohen dy vite burg për vëllain e kreut të PS

Prokuroria e Korçës kërkon dënimin me 2 vjet burgim për ish-drejtorin e Shëndetit Publik Devoll, Valent Nallbati, si edhe 1 vit e 6 muaj burgim për inxhinierin Panajot Pilani, të dy të akuzuar se kanë kryer procedura fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit të drejtuar nga Nallbati. Procesi ndaj tyre është zhvilluar me gjykim të shkurtuar dhe ata do të përfitojnë uljen me 1/3 e dënimit, nëse shpallen fajtorë nga Gjykata.
Ish-zyrtari dhe inxhinieri akuzohen për ‘falsifikim dokumentesh” dhe “shpërdorim detyre” pasi, në vitin 2015, kanë realizuar procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit, për punime, të cilat ishin kryer në vitin 2011. Hetimi ndaj të pandehurve është zhvilluar fillimisht me masën e sigurimit “arrest në burg”, e cila u ndryshua nga Gjykata e Apelit në “detyrim për paraqitje”.
Prokuroria e Korçës ka nisur hetimin pas një letre anonime të mbërritur në zyrën e saj, në të cilën kallëzohej fakti se nga ana e drejtorit Rajonal po zhvillohej një procedurë fiktive për rikonstruksionin e godinës së institucionit që ai drejton. Po ashtu, letërshkruesi anonim vinte në dijeni se drejtori kishte kryer disa pune “dekorative” me shpenzimet e tij dhe për këtë arsye po zhvillonte një tender fiktiv, për të marrë pas paratë që kishte shpenzuar. Gjithnjë sipas kallëzimit, ishte paracaktuar edhe një kompani me qendër në Tiranë, e cila do të fitonte tenderin.
Në kuadër të veprimeve verifikuese, Prokuroria e Korçës konstatoi se godina e Drejtorisë së Shëndetit Publik ishte rikonstruktuar në vitin 2011 dhe ndërkohë nuk po kryhej asnjë punim në të. Në vijim, u konsultua buletini i Prokurimit Publik, në të cilën u konstatua se ishte bërë procedura e tenderit për rikonstruksionin e godinës dhe ishte shpallur fitues kompania “E….” shpk, me seli dytësore në Kamëz, Tiranë.
Vlera e tenderit për rikonstruksionin e godinës së Drejtorisë së Shëndetit Publik Devoll ishte parashikuar rreth 2.4 milionë lekë. Nga buletini i Prokurimit Publik rezulton se, kompania “E….” shpk ishte shpallur fitues me ofertën 1.7 milionë lekë, dukshëm nën koston e asaj që ishte parashikuar në dosjen e tenderit. Në bazë të ligjit të “Prokurorimit Publik”, kompania fituese e tenderit duhej të ishte skualifikuar për “ofertë anomalisht të ulët”. Por, nga ana e entit kontraktues kompania është shpallur fituese fillimisht. Gjithsesi, pas ankesave ndaj kësaj procedure prokurimi, enti prokurues, Drejtoria e Shëndetit Publik, ka anuluar procedurën.
Por, pavarësisht se është anuluar procedura, Prokuroria e Korçës vlerëson se nga ana e drejtorit Rajonal, Valent Nallbati, janë konsumuar elementët e veprave penale të “Falsifikimit të dokumentave” dhe “Shpërdorimit të detyrës”. Kjo, për faktin se nga ana e zyrtarit janë kryer të gjitha procedurat fiktive për realizimin e prokurimit publik.

Trupat ruse do patrullojnë kufijtë pranë NATO-s

Rusia thotë se do të dislokojë tre divizione trupash përgjatë kufijve të saj, si kundërpërgjigje ndaj rritjes së pranisë ushtarake të NATO-s në Evropën Lindore.
Ministri i Mbrojtjes, Sergei Shoigu tha të mërkurën pas një takimi në Moskë se, divizionet e reja do të vendosen përgjatë kufijve perëndimore dhe jugorë të Rusisë.
“Ministria e Mbrojtjes, po merr një sërë masash me synimin për t’iu kundërpërgjigjur konsolidimit të forcave të NATO-s në afërsi të kufijve me Rusinë. Deri në fund të vitit, dy divizione të reja ushtarake do të formohen në distriktin ushtarak perëndimor dhe një në distriktin jugor. Në këtë moment, po bëhet ndërtimi i objekteve ku do të dislokohen këto njësi”, tha ministri Shoigu.
Ai nuk dha detaje për përmasat dhe kohën e dislokimit të ri rus, ose ku do të stacionoheshin trupat. Ai fillimisht e kishte përmendur planin për tre divizione të reja në janar dhe njoftimet e medias ruse në atë kohë kishin njoftuar se bëhej fjalë për rreth 30 mijë trupa.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ash Carter tha këtë javë se NATO-ja po shqyrton mundësinë për stacionimin e rreth 4 mijë trupave në Poloni, si edhe në Lituani, Letoni dhe Estoni, të gjitha vende anëtare të NATO-s. Kjo do të ishte një shtesë për një dislokim që është autorizuar tashmë, të një brigade amerikane prej 4 mijë e 200 trupash, që do të dërgohet në Evropën Lindore në shkurt.

Komandanti i ri i NATO-s: Gati të luftojmë me Rusinë

NATO-ja ka komandant të ri suprem, puna e të cilit është ta forcojë atë si aleancë mbrojtëse, pas viteve të reduktimit të trupave amerikane në Evropë.
“Përballemi me një Rusi të rigjallëruar dhe me sjelljen e saj agresive, e cila sfidon normat ndërkombëtare”, ka thënë gjenerali i ushtrisë amerikane, Curtis Scaparrotti, pasi ka marrë komandën e forcave të SHBA-së në Evropë.
Ai ka shtuar se, forcat e aleancës atlantike duhet të jenë “gati për të luftuar nëse përmbajtja dështon”.
Scaparrotti është bërë komandant suprem për Evropën më 4 maj. Emërimi i tij është bërë në kohën kur aleanca e konsideron Moskën si kërcënim për stabilitetin, për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë.
Scaparrotti ka thënë se do të kërkojë nga Uashingtoni që të stacionojë brigadën e tretë të përhershme të trupave amerikane në Evropë. Dy brigada aktualisht ndodhen në Gjermani dhe Itali.
Gjatë katër vjetëve të kaluar, Uashingtoni ka çaktivizuar dy brigada në Evropë për shkak të presioneve të buxhetit dhe kërcënimeve të reja në Lindjen e Mesme dhe Azi.
Sot, janë më pak se 65,000 ushtarë amerikanë të stacionuar përgjithmonë në Evropë, nga afro 300,000 sa kanë qenë gjatë Luftës së Ftohtë. Dëshira e Scaparrottit për më shumë trupa në Evropë i bën jehonë edhe qëndrimit të komandantit në largim të NATO-s, gjeneralit amerikan, Philip Breedlove.
Uashingtoni synon të sigurojë aleatët e NATO-s që janë të shqetësuar prejse Rusia ka aneksuar Krimenë e Ukrainës në vitin 2014 dhe vazhdon të mbështesë separatistët pro-rusë në lindje të Ukrainës. Ankthi nga Rusia mbetet veçanërisht i lartë në vendet baltike dhe në Poloni.
Dhe, sfidë e menjëhershme e Scaparrottit do të jetë përcaktimi i vijave të kuqe, përtej të cilave NATO nuk do të tolerojë ngacmimet nga forcat ruse.
Avionët luftarakë rusë, në mënyrë rutinore, fluturojnë pranë vendeve baltike dhe mbi Detin e Zi. Fluturimet e tilla kanë rritur shqetësimet se mund të vijë deri te konfrontimi i drejtpërdrejtë.
Scaparrotti, qysh në seancat dëgjimore të muajit të kaluar, u ka thënë senatorëve amerikanë se këto fluturime të Rusisë janë provokuese dhe të rrezikshme.
Ai ka thënë se Rusia duhet ta dijë se Shtetet e Bashkuara do të ndërmarrin masa, nëse amerikanët rrezikohen.
Scaparrotti ka thënë se një nga detyrat e tij të para si komandant suprem i NATO-s do të jetë të rishikojë rregullat e angazhimit të SHBA-së dhe të forcave aleate në lidhje me atë se kur duhet të përgjigjen me forcë për të mbrojtur sigurinë e tyre.
Scaparrotti vjen në postin e lartë ushtarak të NATO-s, pasi ka shërbyer si shef i forcave amerikane në Korenë e Jugut.
Para kësaj, ai ka shërbyer në Irak dhe në Afganistan.