21.5 C
Tirana
E hënë, 28 Prill, 2025

Bizneset në mosmarrëveshje me tatimet dhe doganat

Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit mbartin kosto të konsiderueshme për palët dhe njëkohësisht sjellin pasiguri dhe mosbesim për investime të mëtejshme si tek bizneset vendase ashtu edhe ato të huaja. Për këtë arsye, zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e këtyre mosmarrëveshjeve mbetet domosdoshmëri për nxitjen e investimeve në vend sugjeron Këshilli i investimeve në raportin për Përmirësimin e mekanizmave të zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis biznesit dhe Administratës Publike. Nga anketimet e Këshillit të investimeve ka rezultuar se biznesi është i shqetësuar se “institucionet buxhetore dhe stafi i punësuar në to, shpesh injoron apo nuk njeh ligjet e funksionimit te tyre, rregullat dhe ndërmerr vendime arbitrare dhe jokoherente me ligjet në fuqi”. Nga të dhënat rezultoi se mbi 75% e numrit total të regjistruar të ankimimeve administrative të biznesit në Gjykatat Administrative, lidhen me tatimet, doganat, inspektimet dhe prokurimet publike. Nisur nga këto rezultate, Sekretariati ka trajtuar në veçanti funksionimin e sistemeve të ankimimit/apelimit kryesisht në institucionet e mësipërme. Referuar të dhënave institucionale, rezulton se vetëm në pak raste organet e administratës i japin të drejtë bizneseve pas shqyrtimit të ankimimeve administrative të tyre. Konkretisht, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) vetëm në 4% të rasteve, në Dogana nërreth 2% të rasteve, inspektoriatet Shtetërore në një masë nga 0% deri në 40% të rasteve. Ndërsa, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ofron një tjetër panoramë, vendimet në favor të bizneseve në raport me numrin e çështjeve të shqyrtuara janë rreth 40% gjatë vitit 2014 dhe 50% gjatë vitit 2015. Në shumicën e rasteve, pas shqyrtimit të brendshëm administrativ, palët i drejtohen Gjykatave Administrative për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve. Nga ana tjetër, Ajykatat Administrative janë në pamundësi objektive për të shqyrtuar çështjet brenda afateve ligjore, po të konsiderohet numri i lartë i çëshjeve të regjistruara përpara tyre dhe numri i kufizuar i gjyqtarëve. Vetëm në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje që pritet të gjykohen nga 7 gjyqtarë. Vonesat shkaktohen nga objekti i gjerë i mosmarrëveshjeve administrative që shqyrtohen përpara këtyre gjykatave, ku rreth 50% e çështjeve administrative nuk kanë lidhje direkt me bizneset, thuhet në raport. Për pasojë, këto gjykata nuk po i përgjigjen në kohë kërkesave të biznesit dhe dinamikës së problematikave të këtij të fundit.

Rënie historike e nivelit të kredisë, 2.6 miliardë më pak

Huaja për ekonominë ka shënuar një tjetër rënie në dhjetor të 2015-ës, duke zbritur në 546.5 miliardë lekë, rreth 2.6 miliardë lekë më pak në raport me muajin e mëparshëm. Tkurrja ka vijuar dhe në janar, me minus 3.7 miliardë lekë (Banka e Shqipërisë ka raportuar të dy muajt bashkë janar-dhjetor) .
2015-ta ka qenë një vit tepër i dobët për kreditimin e bizneseve dhe individëve. Huaja ka rënë me bazë mujore për 8 muaj të vitit, si rrjedhojë e disa faktorëve:
-Së pari, si rrjedhojë e mungesës së kërkesës nga biznesi, që ka shtyrë planet për investime nga konsumi i ulët si dhe pasiguria e krijuar nga ndryshimet e shpeshta ligjore e presionit të aksionit anti-informalitet.
-Së dyti, edhe vetë bankat kanë qenë të kujdesshme, pas rritjes së lartë të kredive të pakthyera në afat dhe nuk kanë lehtësuar standardet e kredisë, sidomos për bizneset, ndërsa kanë qenë më të prirura të kreditojnë indivitët, që kanë dhe nivel më të ulët huash të këqija.
-Së treti, sistemi bankar është përfshirë në 2015-ën në një proces ristrukturimi dhe fshirjesh të huave, që kanë ndikuar në stokun total. Huatë e humbura ranë nga 66 miliardë lekë në fund të 2014-ën në rreth 52 miliardë lekë në dhjetor 2015.
Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-ën. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Pas ritmeve të larta të rritjes deri në 2008-ën, huaja për ekonominë filloi të reduktohej ndjeshëm pas krizës globale të atij viti, teksa bankat filluan të përballen me pasojat e kredive të pakthyera në afat. Rritja negative vjetore, që pas 2008-ës është shënuar në 2013-ën me -1.2%

Turqia përballë Europës dhe kriza e emigrantëve

Me atë pamje gënjyese prej njeriu të druajtur e të arsyeshëm, si dhe pakëz të përhumbur, Kryeministri turk Davutoglu erdhi në Bruksel për t’u hedhur një kamerdare shpëtimi evropianëve, për t’i shpëtuar nga një fundosje politike në ujërat e Egjeut. Por, ashtu si çdo shpëtim, edhe ky e ka një çmim. Të kripur. Dhe çmimin e vendos Presidenti Erdogan, i cili sapo ka “pushtuar” një prej të paktave gazeta turke që vazhdonin të guxonin ta kritikonin.
Nuk ka qenë një spektakël i bukur, ai që ofruan dje udhëheqësit e BE-së, të përçarë dhe të pavendosur për gjithçka, përballë këtij turku në Europë që, ashtu si turku në Italinë e Rossinit, shfaqet autoritar në të gjithë fushën, i sigurtë për pandëshkueshmërinë e tij.
Goditja e fortë kishte nisur mbrëmjen e të hënës, gjatë gjashtë orëve bisedime të rezervuara, mes Davutoglusë, Merkelit dhe kryeministrit holandez, Rutte, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së. Duke hedhur në det marrëveshjet e arritura në nivele të larta pak orë më herët, gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk në Ankara, Davutoglu ka rritur stekën dhe ka vendosur mbi tryezë një propozim shumë më radikal. Turqia angazhohet në të ardhmen që të mbajë të gjithë imigrantët e paligjshëm që zbarkojnë në brigjet greke, si sirianët dhe irakenët që kanë të drejtë azili, ashtu edhe ata që nuk mund të aspirojnë për këtë kusht. Në këmbim, Evropa duhet të pranojë që të presë një refugjat sirian të përzgjedhur në kampet e refugjatëve, për çdo refugjat sirian që ka hyrë parregullsisht në BE dhe që kthehet mbrapsht në Siri. Veç kësaj, Ankaraja kërkon që financimi europian të dyfishohet: nga 3 në 6 miliardë euro deri në vitin 2018. Kërkohet edhe hapja dhe përshpejtimi i të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësimin, që kanë mbetur pezull. Dhe dëshiron të afrojë për në qershor heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët turq në vendet e Bashkimit Europian.
Përtej lëvizjeve dhe kundërlëvizjeve që janë normale në negociata, propozimi turk ka meritën se e zhvendos krejtësisht logjikën me të cilën është përballuar deri tani emergjenca e refugjatëve, duke goditur që në rrënjë trafikun e qenieve njerëzore. Rregulli i ri është që nuk mund të hysh në mënyrë klandestine në BE, por mund të shkosh vetëm përmes një procedure të rregullt kërkese për strehim. Kush zbarkon në mënyrë të paligjshme, kthehet në Turqi. Dhe në vendin e tij do të hyjë një refugjat që ka ndjekur procedurën e parashikuar dhe dakordësuar. Por ky sistem ka edhe avantazhin se është i zbatueshëm vetëm falë një skeme shpërndarjeje të refugjatëve të dakordësuar në nivel europian, duke hedhur në det marrëveshjet e Dublinit dhe duke rivendosur rregulla të reja për dhënien e të drejtës për strehim. Dhe pikërisht, kjo ka qenë pika që ndezi dje zemërimin dhe shkaktoi veton e kryeministrit hungarez, Orban, zëdhënës i Frontit të Lindjes, që nuk dëshiron të dëgjojë për kuota të detyrueshme të pranimit të refugjatëve.
Italisë, e cila prej kohësh këmbëngul për një ribërje të rregullave të Dublinit, do i shkonte fort për shtat. Edhe pse ekziston risku shumë real, që trafiku i imigrantëve të paligjshëm, i bllokuar në rrugën Turqi-Ballkan, do të zhvendosej sërish në Itali, duke kërkuar rrugë të tjera.
Pastaj është çmimi i shpëtimit që ka ofruar Davutoglu. Një çmim i lartë, edhe financiarisht, edhe politikisht. Dyfishimi i 3 miliardëve që BE ka akorduar tashmë, por që ende nuk i janë derdhur Akarasë, do të sillte një tjetër barrë mbi buxhetet e shteteve, duke qenë se buxheti europian tashmë është shtrydhur si limon. Përveç këtyre, kërkesa për të rihapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, e bërë të nesërmen e ditës së ndalimit me forcë dhe në mënyrë arbitrare të gazetës opozitare “Zaman”, tingëllon si sfidë e hapur ndaj parimeve demokratike që Europa i ka paraqitur gjithmonë si kusht të padiskutueshëm për të hapur dyert e saj. Nuk është rastësi që nga pak të gjithë, nga Renzi tek Hollande, nga presidenti i Parlamentit Europian, Schulz deri tek Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, dje u janë referuar pikërisht këtyre parimeve. Me sa duket, Erdogani nuk kënaqet, duke sulmuar liritë themelore në shtëpinë e tij, por synon të dobësojë edhe mbikëqyrjen demokratike edhe në Europë, ku dëshiron të futet pothuaj me forcë.
Në fund, europianët tregohen shumë të matur edhe për një tjetër arsye: luftën në Siri. Edhe pse nuk thuhet asnjëherë hapur, lidhja me Ankaranë me një pakt strategjik mbi çështjen e refugjatëve, nënkupton lidhje me një prej protagonistëve të tragjedisë siriane, që ka një strategji dhe një agjendë të vetën, e cila nuk përkon domosdoshmërisht me atë europiane.
Edhe kjo është diçka që krerët e qeverive duhet ta marrin në konsideratë. Por përballë ushtrisë së refugjatëve që shtyn në kufij, hapësirat e tyre të negociimit janë pothuaj joekzistuese.

Banorët e ish-Stacionit të Trenit përleshen me policinë, tre gra humbasin ndjenjat

Tre gra kanë humbur ndjenjat nga përleshjet mes policisë dhe protestuesve.
Banorët te stacioni i Trenit në Tiranë janë hedhur në protest sot kundër shembjes së banesave për shkak të punimeve për bulevardin e ri. Tre gratë ishin në vijën e parë, pasi banorët kanë krijuar një rrethim ku nuk lejojnë policinë që të ndërhyjë.

Gratë u dërguan me ambulancë në spital, ndërsa tani gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Banorët u përleshën me policinë duke mos lejuar shembjen e banesave të tyre dhe kanë bllokuar rrugën tek stacioni i trenit.
Situata është tensionuar mes banorëve të stacionit të trenit në Tiranë dhe forcave të policisë. Ata kanë qëlluar me gurë e sende të forta uniformat blu duke mos i lejuar të ndërhyjnë. Banorët hodhën edhe kapsolla ndaj policisë dhe kanë formuar një gardh, duke bllokuar hyrjen e makinerive të IKMT që do të shembë banesat e tyre.
Banorët e kësaj zone protestojnë kundër punimeve për bulevardin e ri të Tiranës, pasi nuk janë dakort me vlerën e caktuar për shpronësimin e banesave të tyre. Dje ata paralajmëruan se do të kalojnë në mosbindje civile.

Dibër, banorët e Hoteshit kundër HEC-it të Skavicës

Banorët e fshatit Hotesh në Dibër, zona që preket më shumë nga HEC-i i Skavicës dhe Katundit të Ri, thonë se nëse konkretizohet projekti, dëmi social dhe mjedisor do të jetë i pakthyeshëm. Banorët thonë se projekti ka qenë që në kohën e monizmit, por pikërisht për shkak të impaktit që do kishte nuk u realizua kurrë.
Banorët e fshatit Hotesh në Dibër kundërshtojnë projektin për HEC-et e Skavicës dhe Katundit të Ri. Sipas tyre, projektet kanë qenë prej gjysmë shekulli, por për shkak të dëmeve dhe pasojave në mjedis nuk janë konkretizuar asnjëherë.
“Ne nuk na kanë informuar vetëm thotë ta bëjmë. Ne jemi shqiptarë dhe të drejtat tona duhet të shihen”, shprehet një banor. “Përmbyt toka dhe përmbyt shtëpia. Nuk ka ardhur askush për të thënë sa vlerësohet toka. Të parët tanë e kanë blerë me florinj. Ata japin një çmim qesharak për 1500 lekë metri katror”, thotë një banor tjetër.
Banorët e Hoteshit, fshat me rreth 2 mijë banorë, kërkojnë që projekte të tilla që kanë impakt social dhe mjedisor duhet të shqyrtohen me detaje nga ekspertët.

Arrestohet në Itali falsifikatori shqiptar

Policia italiane, e cila ka rritur kontrollet në Brindizi e Bari për të mos lejuar refugjatë apo emigrantë të ndryshëm të hyjnë në këtë vend në rrugë ilegale, arrestoi një 30-vjeçar nga Vlora, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh udhëtimi.Dorjan Zejno është gjetur nga karabinierët në një hotel në Brindizi. Sipas policisë italiane, ai ishte dëbuar nga Italia, por sërish kishte arritur të hynte në shtetin fqinj. Mediat italiane aludojnë se falsifikatori është pjesë e një organizate që kontrollon trafikun e emigrantëve në Kanalin e Otrantos.

Gjykata e Apelit njeh të drejtën e të verbërve

Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për mosnjohjen e firmave të personave që vuajnë mungesën e shikimit për të ngritur padi ndaj çështjeve të ndryshme që prek të drejtat e kësaj kategorie. Kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj tha se, me këtë vendim, personat me aftësi të kufizuar mund t’i drejtohen gjykatës me padi kur ka raste të shkeljes së të drejtave të njeriut si humbja e të drejtës prindërore, pronësisë apo largimet nga puna. Ai vlerësoi vendimin e Gjykatës.

Grabitet Poliklinika e Specialiteteve në Durrës

Një grabitje ka ndodhur natën në qytetin e Durrësit. Shënjestër e autorëve ka qenë Poliklinika e Specialiteteve e cila sot nuk u afroi shërbim qytetarëve. Laboratorët janë dëmtuar. Materiale me vlerëe janë marrë. Për këtë shkak është pezulluar puna në këtë poliklinikë. Policia nuk ka gjetur akoma autorët e kësaj ngjarjeje. Dyshohet se kjo është vetëm e grabitesëve, por megjithatë mbetet enigma fakti i një shkatërrimi të tillë. Stafi mjekësor po punon për një bilnac të materialeve të dëemtuara dhe të vjedhuara.

Vjosa rrezikon disa fshatra nga përmbytjet

Disa dhjetëra shtëpi përgjatë shtratit të lumit Vjosë, në fshatin Kashisht të Fierit rrezikojnë shembjen. Gërryerjet e lumit arritën themelet e shtëpive, duke i rrezikuar seriozisht banesat. Banorët thonë se në situatat e vërshimit të lumit, lagjja është dyfish e rrezikuar nga përmbytja dhe nga gërryerjet. Sipas tyre, shtrati i lumit u devijua nga shfrytëzimi pa kriter për përfitimin e materialeve inerte.

“Vajti disa vjet që këtu është shfrytëzuar pa kriter dhe nga kjo, pasi ka qenë në një gjerësi prej 150 metra, tani është bërë 500 metra. Fshati ynë pothuajse ka humbur mbi 70 hektarë tokë. Ne kërkojmë nga shteti që të ndërhyjë”, u shpreh Ramadan Kapaj, kryeplak i fshatit Kashisht. “Lumi na ka dëmtuar tokën dhe kërkojmë ndihmën e shtetit që të punohet në këtë drejtim. Këtu dikur ka qenë fushë e sportit ku loznin fëmijët, por tani është bërë lum”, tha Abas Sitaj, banor.

Argjinatura mungon tërësisht. Sipas banorëve, edhe 10 penelët e vendosura në një gjatësi rreth 300 metra janë shkatërruar vetëm pak kohë pas ndërtimit të tyre në 2005-n. Banorët ndihen të kërcënuar dhe kërkojnë ndihmë nga organet shtetërore.

Ndërkohë, rrëshqitje masive dheu në kodrën e Currilave në Durrës, në zonën pas Universitetit dhe përgjatë gjithë aksit. Shkak janë bërë reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit. Në pjesën perëndimore të kodrës, masive të mëdha dheu kanë rënë deri në rrugën e vetme që lidh qytetin me plazhin e Currilave.

Qytetarët shprehen se kodra është shumë e vështirë që të rehabilitohet. “Këtu kemi qenë, e kemi parë dhe thamë se do bjerë prapë. Çfarë zgjidhje ka ajo, ku mbahet argjilja. Nuk mban, duhet ta kishin hequr nga lart, ta pastronin mirë dhe pastaj të vihej rrjeta. Të nguleshin hekurat, të bëhej një mur betoni më i lartë që të mos binte”, shprehen banorët.

Hasia

Edison YPI

Hasia, nëna ime, nuk ishte ndonjë amvisë a nikoqire kushedi se çë.
Hasia ishte tjetërlloj. Hasia, në gjak, në lëkurë, në thua, në ind, në qelizë, ishte Bejlereshë.
Hasia pinte kafe, tymoste cigare, rrëfente meselera të vjetra e të reja me të ikë mendja.
Hasia nuk kishte bërë shkollë të madhe. Ama Hasia linte me gojë hapur të madh e të vogël tek llafosej; nga Homeri tek Tolstoi, nga Çezari tek Çurçilli, nga Naim Frashëri tek Pushkini. Hasia ishte një magji e gjallë.
Hasien mahnitëse të gjithë e donin. Hasies së urtë të gjithë i faleshin. Fëmijët, të rriturit, ngatërrestarët, sherrxhinjtë, të pashkollët, të arsimuarit, të gjithë i kërkonin orientime, këshilla, zgjidhje.
Hasia nuk lexonte shumë apo pak. Hasia lexonte jo vetëm librat që i sillnim ne fëmijët, por gjithçka të shkruar që i shihnin sytë, i kapte dora, deri edhe copat e letrave në dysheme që ja kapte fshesa.
Hasia flise vetëm mirë.
Hasia nuk fliste kurrë keq për askënd.
Ata për të cilët Hasia duhej të fliste keq, për shembull për diktatorin që i burgosi djalin, Hasia nuk fliste fare. Vrasësit Hasia i injoronte me një heshtje dhe një përbuzje të barazvlefshme me pushkatimin.
Se si ja arrinte Hasia ta komunikonte tek bashkëbiseduesit përbuzjen asgjësuese për vrasësit pa ua përmendur emrat, është një sekret që s’ka për tu zbuluar kurrë. Atë sekret Hasia e mori në varr.
Të gjithë, nga më i madhi i fëmijëve e, deri tek më i vogli i nipave, Hasien e kemi dëgjuar gojëhapur dhe frymëndalur në gjunjë para saj si para Perëndisë.
Hasia ishte një Univers i pashterrshme vetpërmbajtjeje, mirsjelljeje, morali, urtësie, diturie.
Hasia ishte një katedrale madhështore përuljeje dhe respekti; për të diturin, të aftin, të talentuarin, të moshuarin, të sëmurin, hallexhiun.
Hasia ishte dhe një rrëfimtare e pashoqe.
Nga përrallat tek faktet e përditshmërisë, asgjë që rrëfente Hasija nuk mund të vihej në dyshim prej askujt.
E bija e Beut, Hasia, lindi e u rrit në Pacomit, një fshat i vogël në Luginën e Vjosës pranë Përmetit.
Kohështrirja e rrëfimeve të Hasies ishte “Ab aeterno”, e gjithë koha që nga fillimi i fillimeve, që kur koha ka nisur.
Gjeografia e rrëfimeve të Hasies ishte i gjithë planeti rrethepërqark nga Shqipëria në Shqipëri.
Për çfarë nuk rrëfente Hasia o Zot.
Për luftra, mbretër, perandorë, princër, ushtri të huaja, udhëtime, ndërlikime, fejesa, martesa, trashëgimtarë, gjithçka-gjithçka.
Por shumica e rrëfimeve të Hasies lidhej me Bektashizmin, Gjuhën Shqipe, Rilindjen, rilindasit, Naimin, Çajupin, Kristoforidhin etj.
Hasija nuk bëri universitet në Europë si mikeshat e saj bejleresha. Deshte, por nuk mundi. Ja si ndodhi;
Rushan Beu, pasi mbushi brezin me florinj, mori dy çupat e tij, Hasien dhe Shefikatin, nënën dhe tezen time, i hipi mbi kalë. Mbi një tjetër kalë hipi vetë, dhe u nis.
-Ku po i shpie çupat o Rushan Bej ? e pyeti një i njohur afër Këlcyrës.
-Në Europë, në Austri, në Vjenë, në Universitet, u përgjigj Rushan Beu.
-Mos e bëj atë gabim.
-Pse ?!
-Se do të bëhen kurva.
Rushan Beu u kthye.
Pikat kryesore të referimit në rrëfimet e Hasies ishin Teqetë. Kryesisht Teqeja e Alipostivanit pak mbi Pacomit, por edhe teqetë e tjera në Skrapar dhe Kolonjë.
Në rrëfimet e Hasies, Babai i Teqesë ishte njëkohësisht; Mbret, Sulltan, Vezir, Pasha’, Parlament, Kryeministër, President, Gjykatës suprem. Babai i Teqesë me vetëm pak fjalë zgjidhte problemet më të ndërlikuara që nuk mund t’i zgjidhte dot as shpata as jatagani, asnjë shtet, asnjë gjykatë, madje asnjë ushtri. Babai i teqesë i urdhëronte Bejlerët. Bejlerët s’kishin asnjë pushtet mbi Babain e Teqesë.
Hasia rrëfeu pa u ndalur me dhjetra vite deri ditën kur kaloi matanë.