Irani ka ndaluar importin e makinave nga Shtetet e Bashkuara për shkak të një fjalimi të udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili i ka kritikuar ato.
Edhe pse prodhuesit amerikanë janë ndaluar të shesin makina direkt në Iran, për dekada të tëra, Irani më herët ka lejuar që 24 modele të Chevrolet-it një sektor i General Motors – të importohen përmes vendeve të tjera.
Ndalesa e re e Iranit për importet e tilla është vendosur më 1 maj, pas një fjalimi të Khameneit, më 27 prill, i cili ka pyetur se përse iranianët duhet të ngasin makina amerikane.
“Vetë amerikanët nuk i përdorin makinat e prodhuara në SHBA. Ata thonë se konsumi i karburantit është i madh dhe makinat janë të rënda”, ka thënë Khamenei.
General Motors, që ka shitur 259,557 makina në SHBA muajin e kaluar, i ka thënë agjencisë AP se nuk ka plane të hyjë në tregun iranian, edhe pse Republika Islamike është një treg i madh që kryesisht nuk është shfrytëzuar nga kompanitë perëndimore.
Në janar, shumica e shteteve perëndimore kanë hequr sanksionet ekonomike që kanë ndaluar shitjen e makinave në Iran, por Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mos hapin shumicën e lidhjeve tregtare me Teheranin.
Një zëdhënës i General Motors ka thënë se, kompania do të vazhdojë t’i respektojë sanksionet e tilla.
Irani do të ndalojë importin e makinave nga SHBA
Davotuglu largohet pas përplasjeve me Erdogan
Ajo që ishte paralajmëruar prej mediave për një tensionim të situatës mes Ahmet Davutoglus dhe Presidentit Rexhep Taip Erdogan, duket më se e qartë tani. Kryeministri turk sapo dha dorëheqjen e tij, shkruan BotaSot.info.
Davutoglu ka dhënë dorëheqje nga partia AKP, ku për një kohë ishte edhe udhëheqës i saj. Sipas statusit të partisë ai duhet të japë dorëheqje edhe nga detyra si kryeministër. Pasardhësi i tij, pritet të vendoset në 22 maj në Kongresin e Partisë AKP.
Të mërkurën ishin takuar Davutoglu (57) dhe Erdogan (62), ku kishin biseduar me dyer të mbyllura për më shumë se një orë. Dy miqtë e vjetër kishin përkeqësuar marrëdhëniet për debatet rreth kryesisë së partisë.
Prej 2014, Davutoglu ishte kryeministër i Turqisë, pasi Erdogani nuk mund të ushtronte detyrën tre herë radhazi.
Ata u përpoqën të ndryshojnë sistemin turk në presidencial, për t’i dhënë më shumë fuqi ekzekutive Erdoganit, megjithatë nuk arritën të bindin partitë e tjera. Si pasardhësi i mundshëm shikohet ish-Presidenti Abdulla Gyl.
Në këto momente, Turqia ka nënshkruar një sërë paktesh me BE rreth krizës së refugjatëve, ku u arrit edhe liberalizimi i vizave për popullin turk.
Fushata elektorale në SHBA, a ngjan Amerika me Europën?
Ivan Krastev
Këto kohë, për shumë europianë të shkojnë në Shtetet e Bashkuara është si të zbresin në Mars. As edhe analistët më të rafinuar nuk ia dalin të krijojnë një ide se çfarë po ndodh në vend. Janë të shqetësuar nga ngjitja e Donald Trumpit, të bllokuar nga magjepsja që ushtron socializmi i Bernie Sandersit mbi zgjedhësit e rinj në moshë, dhe të cilët janë konfuzë nga politika e jashtme e matur e (pak) idealistit Barack Obama.
Personalisht nuk e ndaj këtë alarm. Duke vërejtur zemërimin e klasës së mesme, arrogancën dhe mungesën e popullaritetit të elitave, skepticizmin e përhapur mbi efikasitetin e forcës ushtarake dhe frikën e madhe nga e ardhmja, ndoshta për herë të parë ndiej se kuptoj plotësisht atë që ndodh në SHBA.
Merrni fushatën elektorale të Trumpit, që konsiston mbi të gjitha në ulëritjen e gjërave më të marra e të liga. Suksesi i tij, që ia del madje të paraqesë edhe Ted Cruzin si një politikan normal, është shqetësues për shumë njerëz, si në SHBA edhe jashtë vendit, të mësuar që të shohin politikanët amerikanë në ekuilibër, mes populizmit të vrazhdë dhe një normaliteti të respektueshëm. Deri tani qendra kishte mbajtur gjithmonë.
Por Trumpi do të ndihej në shtëpinë e tij në Europë. Këtu partitë tradicionale të bëra bashkë kanë vështirë të sigurojnë 50% të votave në zgjedhje. Zgjedhësit tërhiqen prej shpalljeve dhe thirrjeve që bazohen në pakënaqësitë politike. Kur hyj në një kafene në Sofje, në Varshavë apo në Amsterdam, dëgjoj gra dhe burra që flasin për dëbim të të huajve, moslejim të hyrjes së myslimanëve apo ndërtime muresh për të mbrojtur kufijtë.
Këto mendime ndahen prej të gjithë atyre që ndihen të rrezikuar nga humbja e pushtetit politik dhe nga gërryerja e shpejtë e pasurisë së tyre. Ndihen të tradhëtuar nga revolucioni demografik që po ndodh në të gjithë botën, që rrezikon t’i shndërrojë në pakica në vendet e tyre. Sinqeriteti i supozuar i Trumpit dhe aftësia e tij e paarritshme për të manipuluar mjetet e informimit të kujtojnë deri në një farë pike stilin e Berluskonit, aq sa ndonjëherë pyes veten mos vallë është duke e këshilluar Kavalieri.
Edhe Bernie Sandersi do të ishte i njohur në Europë. Shumica e të rinjve europianë që unë njoh, e konsiderojnë kapitalizmin një sistem plot të meta dhe të padrejtë. Për ta socializmi, dhe jo vetëm socialdemokracia liberale, nuk është një fjalë e pistë. Konsiderohen të penalizuar nga status quo-ja, dhe shumë prej tyre bëjnë thirrje haptazi për një revolucion (edhe pse, fatmirësisht, jo të dhunshëm). Për ta, konflikti mes brezave është versioni i ri i luftës së klasave të prindërve dhe gjyshërve të tyre.
Në Greqi, Spanjë dhe Portugali, pothuaj gjysma e të rinjve janë të papunë. Këta të rinj e konsiderojnë globalizimin një fatkeqësi dhe nuk e durojnë idenë e shkëmbimit të lirë. Dhe ndonëse Sandersi nuk është as Jean Jaures dhe as Lev Trocki, për këtë të majtë të re radikale, amerikane dhe europiane, mungesa e karizmës së tij është një shenjë e mëtejshme e integritetit dhe vërtetësisë.
As edhe kthesa realiste e Obamës në politikën e jashtme nuk më habit. Presidenti amerikan thotë se ka hedhur tutje “librin e rregullave të Uashingtonit”, dhe kjo ka befasuar dhe trembur aleatët europianë të SHBA. Maksima e famshme e Obamës, “mos bëj budallallëqe”, në realitet është parimi themelor i politikës së jashtme të vendeve europiane, tashmë prej shumë vitesh. Obama po shpreh qartë diçka, për të cilën kemi qenë të vetëdijshëm prej kohësh: politika e jashtme e SHBA po bëhet gjithnjë e më e matur, gjithnjë e më europiane. Amerikanët nuk vijnë më nga Marsi dhe europianët nuk vijnë më nga Venusi, siç thoshte Robert Kagani. Ndoshta jemi të gjithë bashkë mbi Saturn, në përpjekje për të shmangur që ky konfuzion të mbushë me pluhur unazat tona të shkëlqyeshme.
Nëse është dikush që sot nuk arrin t’i kuptojë Shtetet e Bashkuara, këta janë vetë amerikanët. Nuk e kuptojnë që vendi i tyre po shndërrohet me shpejtësi në “normal” dhe nuk arrijnë të kënaqen me mirëqenien ekonomike dhe një izolim të shkëlqyer politik. “Fati ynë si komb ka qenë ai që nuk kemi patur ideologji, por kemi qenë vetë një ideologji”, ka thënë një herë historiani amerikan Richard Hofstadter.
Duke u krahasuar me europianët, amerikanët mburren me faktin që “disa gjëra këtu nuk mund të ndodhin”. Ndiheshin imunë nga patologjitë e demokracisë. Por pas vitesh polarizim politik dhe bllokim qeverisjeje, a janë ende të bindur amerikanët, se demokracia e tyre nuk mund të përmbyset?
Tani që shohin me sytë e tyre “normalizimin” e Shteteve të Bashkuara, shumë europianë fillojnë të kenë nostalgji për atë Amerikë që nuk e kishin kuptuar asnjëherë. Një vend me papërsosmëritë e tij, por edhe me premtimet e tij, më ambicioz dhe më pak ambivalent. Që tani po fillojmë të ndjejmë mungesën.
“Topi i Artë”, Mesi-Ronaldo apo…?
Ronaldo apo Mesi ndoshta asnjëri prej tyre, sepse ka ardhur koha që Topi i Artë, çmimi më i rëndësishëm në aspektin individual, në vitin 2016-të të fitohet nga një tjetër futbollist. Hegjemonia e vendosur nga argjentinasi dhe portugezi zgjat që prej vitit 2008, me Mesin që e ka fituar në 5 raste Topin e Artë gjatë kësaj periudhe, ndërsa Cristiano, tre herë. Është shumë shpejtë për të thënë se kush do ta fitojë gjatë këtij viti edhe pse favorit mbeten CR7-ta dhe Leo me Ronaldon që qëndron në pole position ndaj yllit të Barcës, pasi është në finalen e Champions League dhe ka shënuar 16 gola në këtë kompeticion. Hera e fundit që nuk e kanë fituar Ronaldo e Mesi ka qenë viti 2007, kur triumfonte Ricardo Kaka, që në atë kohë luante për Milanin. Edhe këtë edicion siç ka ndodhur gjithmonë gjatë viteve të fundit gjithçka do të përcaktohet nga votat e trajnerëve e kapitenëve të skuadrave kombëtare si dhe gazetarëve nga e gjithë Bota. Të thuash që do ta fitojë sërish njëri mes Ronaldos e Mesit ndoshta është diçka e parakohshme, kjo për vetë faktin se përveç finales së Champions League, përpara është Kampionati Europian, Kupa e Amerikës, por edhe Olimpiada dhe shumë gjëra mund të ndryshojnë.
Këtë vit në ndryshim nga sezonet e kaluara, Topi i Artë mund të shkojë edhe në duart e një outsideri që në shqip do të thotë jo favorit. Nuk hynë te të ashtuquajturit outsider, Luis Suarez dhe Neymar, pasi dy sulmuesit e Barcelonës në vitin 2015-të u pozicionuan në vendin e 3-të dhe të 4-t. Por një i tillë mund të konsiderohet padiskutim Antoine Griezmann. Sulmuesi francez është lideri i Atleticos së Madridit, që eliminoi Bayernin në gjysmëfinalet e Championsit, dhe ka shanset e tij për të fituar Topin e Artë, gjithmonë nëse Los Colchoneros fitojnë ndaj Realit. Një plus në garën për trofeun më të rëndësishëm individual, Griezmann-it mund tia japë edhe kombëtarja franceze që në Europianin e shtëpisë është favoritja kryesore për të fituar Euro 2016-të. Në këtë listë është edhe Jamie Vardy, njeriu që bëri realitet një ëndërr me Leicester City-in, duke fituar titullin kampion në Premier League. Për të udhëhequr Dhelpërat drejt këtij misioni të pabesueshëm, Vardy ka realizuar 22 gola në kampionatin anglez dhe ndoshta, nëse bën mrekullinë edhe me përfaqësuesen e Tre Luanëve në Euro 2016, mund ta fitojë vërtetë Topin e Artë.
Lev Jashin është portieri i fundit që e ka fituar trofeun më të rëndësishëm individual, por ndoshta ka ardhur koha që Topin e Artë, ta fitojë edhe një tjetër portier, dhe ai është padiskutim Gianluiggi Buffon. 38-vjeçari është simboli i këtij Juventusi që falë pritjeve të Giggit bëri një përmbysje të jashtëzakonshme për të fituar titullin e 5-të radhazi në Itali. Buffon gjatë këtij sezoni theu edhe rekordin e Sebasttiano Rossit, duke e mbajtur portën të paprekur në Serinë A për plot 973 minuta. Nëse shkëlqen edhe me Italinë në Europian, Topi i Artë mund t’i përkasë pikërisht atij. Griezmann, Vardy e Buffon, por edhe Neymar e Suarez në janar të 2017-ës në Zurich mund të jetë momenti i tyre.
Galiani në Madrid
Në shkallët e stadiumit “Santiago Bernabeu”, i pranishëm në tribunën “VIP” të impiantit për të parë takimin e dytë gjysmëfinal të Ligës së Kampioneve mes Real Madridit dhe Mançester Sitit ishte edhe administratori i Milanit, Adriano Galiani. Ai udhëtoi jo vetëm për të parë ndeshjen, por edhe për të kryer një takim të programuar që më parë.
Kush do të jetë bashkëbiseduesi? Trajneri kilian i Mançester Sitit, Manuel Pelegrini. Në fund të sezonit, strategu kilian do të lërë stolin e britanikëve, teksa siç është bërë e ditur më herët do të zëvendësohet nga Pep Guardiola. Pelegrini ka deklaruar dy ditë më parë se preferon të drejtojë një ekip të Serisë A, duke lëshuar kështu sinjalet e para. Sinjale që kanë mbërritur në veshin e Galianit, i cili ka fluturuar drejt Madridit për të takuar trajnerin e skuadrës së Sitit që pas 30 qershorit do të jetë pa skuadër. “Milano më pëlqen, por aty dua të shkoj për të luajtur finalen e Ligës së Kampionëve. Më pas të shohim, pasi nuk dua ta zbuloj që tani të ardhmen time.
Sigurisht, mund të them se çdo trajner ëndërron të drejtojë një skuadër në Serinë A. Jam në kërkim të një projekti ambicioz që të punoj i qetë”, ka thënë Pelegrini para ndeshjes. Nuk dihet nëse takimi është zhvilluar para apo pas sfidës së djeshme, por duket se kjo “martesë” është në rrugën e duhur. Sakaq, trajneri aktual i Milanit, Kristian Broki, me të gjitha gjasat do të largohet në fund të sezonit nga drejtimi i kuqezinjve.
Presidenti i Milanit, Silvio Berluskoni, ishte i qartë qysh në fillim, teksa i dha kohë teknikut të zëvendësojë Sinisha Mihajloviçin gjashtë ndeshje për të fituar besimin e klubit. Mirëpo, Broki deri më tani numëron vetëm një fitore, atë kundër Sampdorias, teksa ka barazuar me Karpin dhe Frozinonen në “San Siro” dhe është mundur nga Verona, ekipi që renditet në vendin e fundit në Itali.
Ndërkohë, menaxheri i Ibrahimoviç ka lëshuar sinjale për një rikthim të suedezit te Milani. Edhe pse merkato është ende larg, një nga menaxherët më të rëndësishëm në botën e futbollit Mino Raiola, ka trazuar ujërat e transferimeve. Sigurisht kur përmendet Mino, kryefjala e tij është sulmuesi Zlantan Ibrahimovich, të cilit në fund të këtij sezoni i përfundon kontrata me skuadrën e Paris Saint Germmain dhe siç e ka njoftuar dhe vetë suedezi nuk do ta rinovojë atë. Nisur nga kjo bomberi 34-vjeçar është në kërkim të një aventure të re. Emri i tij është shumë i lakuar në Premier League-n angleze, Major League Soccer dhe së fundmi ka dalë Kina, që është e gatshme të bëjë çmendurira ekonomike për të pasur në dispozicion shërbimet e Ibrahimovich. Por, ai që i jep një përgjigje të ardhmes së Suedezit, është menaxheri i tij, i cili deklaron se ndoshta lojtari mund të rikthehet tek Milani.
Për të parë nëse ky transferim do të mund të realizohet apo jo, duhet pritur muaji korrik. Ndërkohe që përveç Zlatan, Mino Raiola është dhe menaxher i një tjetër futbollisti shumë të kërkuar sikurse është Paul Pogba. Francezi, i cili falë formës së tij ka zgjuar interesin e shumë klubeve. Por, për këtë të fundit 48-vjeçari e ka gjithashtu një përgjigje, që ndoshta i jep pak siguri tifozëve te Juventusit. Sipas tij, Pogba do të qëndrojë në Torino. Gjithashtu ai flet dhe për Mario Balotelin një tjetër sulmues që menaxhohet nga e ana e Raiolas, për të cilin shprehet se nëse “SuperMario” do të kishte trurin e Zlatan, ndoshta Lionel Mesi do të kishte një “Top të Artë” më pak në karrierën e tij.
Italia me dilema për Euro 2016
Afrimi i europianit “Euro 2016”, që do të zhvillohet në Francë, sjell dhe dilemat në lidhje me formacionet që do të vendosen në fushën e blertë, ose dëmtimet e lojtarëve ndikojnë në listën përfundimtare. Kështu Kombëtarja e Italisë, është një ndër skuadrat, që ka dilema në lidhje me këtë fakt. Mesfushori i Juventusit Claudio Marchisio do të mungojë për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju, gjithashtu në dilemë është dhe dyshja e PSG Marco Verrati-Thiago Motta. Alternativë për trajnerin e të kaltërve Antonio Conte mbetet mesfushori i Romës, Daniele De Rossi. Në vëzhgim është edhe Andrea Pirlo. Ndërkohë jashtë planeve të Conte duket se është portieri Milanit, Donnarumma.
Pikëpyetja më e madhe qëndron në mesfushë, me dy veteranët De Rossi dhe Pirlo që janë alternativa, por që duket se nuk e bindin Conten. Në balotazh për një vend në mesfushë janë Montolivio, Soriano, Bernadeschi, Sturaro dhe Jorginho. Mungesa e Claudio Marchisio, ka bërë që formacioni i Italisë të ndryshojë nga 4-2-4 në 3-5-2. Prapavija pritet të jetë e gjitha Juventine me katërshen Barzagli-Bonuccit-Ruggani-Chiellini si zgjedhje të para të Contes. Në vëzhgim janë dhe Astori, De Silvestre dhe Zappacosta. Sulmi do të udhëhiqet nga Giovinco dhe Belloti, ndërsa sulmuesi i Napolit Insigne po mbahet në vëzhgim.
Pogba: Modelet që ndjek, Bufon dhe Pirlo
“Puno fort dhe mos u dorëzo kurrë”. Një sjellje e përulur dhe për t’u admiruar ajo e francezit, i cili, edhe pse vetëm 23-vjeçar, numëron disa arritje të rëndësishme në karrierë. Nga të qenit i votuar i riu më i mirë i Kupës së Botës 2014, te trofetë në Itali me Juventusin, e deri të qenit finalist i Ligës së Kampioneve në vitin e kaluar. Rritja e Pogbasë ka qenë shumë e shpejtë, por ai ka ditur gjithmonë që t’i mbajë këmbët fort në tokë dhe të mendojë vetëm për t’u përmirësuar.
“Është e vërtetë, jam përmirësuar shumë në vitet e fundit, falë edhe ndihmës së madhe që më kanë dhënë te Juventusi, vazhdon mesfushori i bardhezinjve. Dhe mendoj se kjo ka ardhur edhe si rrjedhojë e faktit se jam i rrethuar nga kampionë të mëdhenj, shumë të përulur, punëtorë për t’u marrë shembull, por edhe nga njerëz që të bëjnë të punosh fort në mënyrën e duhur. Futbollistë si Xhixhi Bufon apo Andrea Pirlo, të cilët janë modelet e mi.
Dhe unë po mësoj që të kem një karrierë si të tyren”. Mentaliteti që i kanë injektuar familja dhe trajnerët e tij në këto vite kanë bërë diferencën në rrugën e tij të profesionalizmit. Impenjim, zemër, vullnet për të mësuar dhe njëkohësisht për t’u përmirësuar. Cilësi këto me të cilat është njohur që në moshë të re, të cilat janë përforcuar edhe më shumë, kur përfaqësoi Francën në Kampionatin Europian U-17, në vitin 2010, në Lihtenshtein.
“Ai është një kujtim i madh. Në atë Europian, luajta kundër disa prej kombëtareve më të mëdha për brezin tonë, si Anglia dhe Spanja. Ishte një eksperiencë fantastike për një futbollist të ri si unë. Humbëm, por edhe nga kjo mësova shumë. Pikërisht disfatat janë ato që të ndihmojnë të rritesh. Pastaj, për mua ka qenë gjithmonë një ëndërr që të vishja fanellën e vendit tim dhe ia kam arritur që ta ruaj ende sot, duke u ngjitur në radhët e kombëtares së parë”. Pol Pogba shënoi dy gola në atë kompeticion, kundër Portugalisë në fazën e grupeve dhe më pas ne humbjen 2-1 kundër kampionëve të ardhshëm, Anglisë. Ajo humbje i djeg ende sot, ndonëse kanë kaluar shumë vite.
“Ishim shumë të zhgënjyer, por shokëve u thashë: “Duhet të fitojmë tjetrin, do ta fitojmë madje!’”. Pikërisht ky është leksioni i jetës për Pogbanë, të cilin numri 10 i Juventusit kërkon t’ua transmetojë futbollistëve që do të ndjekin hapat e tij në kombëtaret e moshave: “Mos u dorëzoni dhe jepni gjithmonë maksimumin tuaj. Realizoni ëndrrat tuaja dhe mbi të gjitha besoni te realizimi i tyre deri në fund”.
Tohir, merkato dhe gjoba për lojtarët
Vizita e radhës e Erik Tohirit në Itali pritet të jetë decizive sa i përket së ardhmes së klubit zikaltër. Axhenda e indonezianit është e mbushur me takime edhe pse mbi të tjerat spikasin dy. Presidenti i Interit është i tërbuar me lojtarët, pasi ashtu si Mançini mendon se disa prej tyre nuk impenjohen në ndeshjet e fundit.
Deri më tani zikaltrit kanë pësuar 34 gola. 6 prej tyre i kanë marrë në 15′ e para të lojës, ndërsa 14 në 15′ të fundit. Prej 14 golave të pësuar në minutat e fundit, plot shtatë kanë ndikuar në rezultatin e takimit, duke “prodhuar” 5 humbje (Lacio, Sasuolo, Fiorentina, Torino e Xhenoa) dhe 2 barazime (Karpi dhe Roma).
Nëse do të konvertonim këto gola me pikë të humbura mund të themi se Ikardi me shokë kanë hedhur tutje plot 9 pikë. Neglizhenca e lojtarëve ka lodhur Tohirin, i cili të premten pritet të takohet me lojtarët për t’i komunikuar se në raste të tilla shoqëria do të marrë masa, duke iu vendosur gjoba.
Gjatë vizitës së radhës, Erik Tohir do të takohet edhe me Roberto Mançinin. Mësohet se tema kryesore do të jetë merkato. Sipas mediave italiane, Roberto Mançini i ka kërkuar presidentit dy mbrojtës krahu dhe një mesfushor qendre. Indoneziani është treguar i gatshëm që t’i plotësojë trajnerit një pjesë të mirë të dëshirave që ka për merkaton e verës.
Finalet, Madridi “parakalon” Milanon
Milano do të jetë arena e përballjes mes Realit e Atletikos së Madridit në finalen e Ligës së Kampioneve. Ky ishte verdikti i dalë nga ndeshjet gjysmëfinale të kësaj mesjave, duke bërë që Madridi të bëhet kryeqyteti i Evropës përsa i përket këtij evenimenti. Ndeshja e 28 majit do të jetë finalja e 17 për kryeqytetin spanjoll (14 për Realin e 3 për Atletikon), që në këtë pikë parakalon pikërisht Milanon, që është ndalur në 16 të tilla (11 finale të Milanit e 5 të Interit).
Sfida e “San Siros” do të jetë një përsëritje e finales së 2 viteve më parë në Lisbonë, kur Reali i Madridit fitoi titullin e tij të 10 evropian për klube, duke mundur Atletikon në një ndeshje dramatike pas kohës shtesë. Fati deshi t’i japë këtë vit skuadrës së Simeones mundësinë e hakmarrjes ndaj “Los Blancos” dhe për të bërë realitet ëndrrën e madhe evropiane.
Nuk është hera e parë në historinë e Ligës së Kampioneve që një skuadre i jepet mundësia që të marrë revanshin ndaj një tjetre, si në rastin e Atletikos. Në këtë rast ajo që të vjen në mendje është historia e Milanit, që në vitin 2005 humbi ndaj Liverpulit në mënyrë dramatike me penallti. Pas 2 sezonesh, në Athinë, kuqezinjtë fituan titullin e tyre të 7 në kontinent, pasi mposhtën “The Reds” 2-0.
Kjo është hera e tretë që në finalen e Ligës së Kampioneve janë 2 skuadra spanjolle dhe në të treja rastet Reali ka qenë prezent. Në dy herët e mëparshme (2000 dhe 2014, ndaj Valencias e Atletikos), skuadra merenges ka dalë e fituar. Në të njëjtën kohë, Spanja barazon Italinë përsa i përket numrit të finaleve të Champions të luajtura, 27 të tilla.
Një finale e tëra spanjolle në UEFA Champions League. Reali i Madridit do të përballet me Atletikon në finalen e Milanos, pasi mundi 1-0 në ndeshjen e kthimit Manchester City-n. Një sukses i merituar për ekipin e Zidane që vazhdon rrugën drejt trofeut të 11-të falë një goli të Bale, që u ndihmua dhe nga një devijim i Fernandos. Reali kishte në këtë sfidë dhe shërbimet e Ronaldos që arriti të riaftësohet për sfidën e kthimit dhe pse në fakt nuk mundi dot të shënojë për të thyer rekordin e golave, që mbahet po nga vetë ai në këtë kompeticion.
Kalimi në finale ishte i merituar për Realin që dominoi ndeshjen në pjesën më të madhe të saj përballë një City pragmatist. Gjithsesi dhe anglezët patën një mundësi të mirë për të barazuar me Fernandinho në minutën e 44-të, me topin që u përplas në shtyllë. Te traversa u ndal dhe Bale në minutën e 66-të. Megjithatë mungesa e fatit në këtë rast nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar, pasi në finale shkoi Reali, duke përsëritur sfidën e Lisbonës së dy vjetëve më parë, kur në “Da Luz” luajtën përballë njëri-tjetrit, pikërisht Real dhe Atletiko.
Renditja e FIFA-s, Shqipëria mbetet e 45-ta
Shqipëria nuk ndryshon pozicion në renditjen e përgjithshme të FIFA-s për muajin maj. Kuqezinjtë mbeten në vendin e 45-të, pozicion ku rrëshkitën në muajin prill pas humbjes me Austrinë dhe fitores me Luksemburgun në muajin mars.
Në fakt klasifikimi i muajit aktual sjellë pak për të mos thënë aspak ndryshime për sa u përket përfaqësuesve europiane, pasi gjatë muajit prill nuk janë zhvilluar takime qoftë miqësore që do të mund të kishin efekt në renditje.
Për sa u pëket kundërshtarëve të Shqipërisë në Grupin A të finaleve të Europianit, Zvicra mban pozicionin më të mirë, të 14-in, Rumania e 19-tam, ndërsa Franca mbetet e 21-ta. Rekordi historik i Shqipërisë në renditjen e përgjithshme të FIFA-s, është shënuar në gusht të 2015-ës, me vendin e 22-të.