24.5 C
Tirana
E martë, 29 Prill, 2025

Guri i fundit i dominosë

– Mbi librin e Ilir Demalisë-
Ilir Demalia është një emër i njohur që prej fundit të viteve ‘90 si një zë rebel kundër diktaturës komuniste. Intervistat e tij në radion “Zëri i Amerikës” kanë qenë shpërthimi i urrejtjes për regjimin komunist dhe sot janë një dëshmi autentike e një të riu të bindur që atëherë se atij regjimi i kishte ardhur fundi dhe duhej bërë gjithçka të rrëzohej. Sot, pas njëzetepesë vjetësh, Demalia, i sjell publikut librin e tij me atmosferën e asaj kohe. E sjell si një dëshmitar serioz, e sjell si një veprimtar i shquar, e sjell si një atdhetar i madh, të cilit edhe gjendja aktuale e Shqipërisë nuk i duket hiç më e mirë se ajo e Shqipërisë së viteve ‘90 kur miu thyente kokën edhe te dyqani i bukës.
Gjatë këtyre viteve janë shkruar shumë libra memuare për rënien e komunizmit, një pjesë jo e vogël e të cilëve janë të mbushur me mashtrime faktesh, me prirjen e disa autorëve për t’u shfaqur disidentë. Ka nga ato libra që madje, pohojnë se regjimin komunist e tranformoi në demokraci ish-diktatori Alia.
Përkundër gjithë kësaj butaforie dhe maskarade morale shkarrashkruesish, Ilir Demalia na ka dhënë në dorë një dëshmi autentike me një saktësi gati-gati matematike dhe me një humanizëm që buron prej një zëri antikomunist të vërtetë. Libri i tij është si një dokumentar i filmuar nga kamera e syve të tij, pa lajle, thjesht ashtu siç ishte Shqipëria e atyre ditëve, kur si një kështjellë në rërë, po binte si thotë në mënyrë metaforike autori, si guri i fundit i dominosë i perandorisë komuniste.
I zhytur në faktet reale Demalia sjell dëshmitë e kaosit që po përjetonte nomenklatura, e cila e tronditur nga ngjarjet e Rumanisë dhe nga ekzekutimi i Çausheskut bëri çfarë ishte e mundur të shpëtonte kokën e vet duke evituar të njëjtin fat me atë të Çausheskut. Demalia ka të drejtë plotësisht mendoj në konkluzionin e tij, sipas të cilit klasa e intelektualëve shqiptarë u gjend totalisht e papërgatitur për të kontribuar për demokracinë pas rënies së Murit të Berlinit.
Këtë klasë e inkurajoi faktori ndërkombëtar në mënyrë të jashtëzakonshme, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, sikurse e vë në dukje edhe Demalia, elita shqiptare ishte ose e shkatërruar nëpër burgjet politike ose peng i favoreve që kishte marrë prej regjimit. Prandaj, nuk është e rastit që pas 25 vjetëve të vetmet dëshmi reale mbi rënien e diktaturës janë librat e At Zef Pllumit, Dom Simon Jubanit, të poetit Visar Zhiti dhe tash së fundi “Guri i fundit i dominosë” i Ilir Demalisë.
Demalia ka meritën që me fakte dhe dëshmi të ballafaqojë se gjithçka dukej në horizontin politik shqiptar deri në fillim të korrikut 1990 ishte një farsë e kurdisur në mënyrën më të ndyrë nga regjimi për gjoja të ashtuquajturin ndryshim gradual, çka në fakt ishte një grusht manovrash krejt të pashpresë për ruajtjen e status quo-së politike dhe ekonominë. Por, ngjarjet do të rrokulliseshin shumë shpejt, shumë më shpejt se ç’e kishte menduar Ramiz Alia në skutat e mykura të perandorisë së privilegjeve të Bllokut dhe do të vinte një moment fatal për regjimin, ngjarja e ambasadave në fillim të korrikut 1990.
Mbushja e ambasadave në Tiranë me mbi 5 mijë të rinj, (mbi tre mijë hynë në ambasadën gjermane) ishte grushti i parë vdekjesjellës për diktaturën në Tiranë. Ilir Demalia, duke qenë vetë njëri prej atyre pesë mijë të rinjve që me trimëri i vunë kazmën Murit të Berlinit në Tiranë, na e ka dëshmuar këtë ngjarje kulmore në historinë moderne të Shqipërisë si askush tjetër dhe për këtë do të ketë, mendoj, përjetë mirënjohjen e brezave të sotëm dhe të atyre që do të vijnë në të ardhmen. Nuk është vetëm përshkrimi i mijëra detajeve me një mjeshtëri si në romanet e Markezit, të fateve njerëzore në një ambasadë ku njerëzit shtypeshin si sardelet.
Është mbi të gjitha impakti shkatërrues që pati ngjarja e ambasadave në rrënimin përfundimtar të diktaturës komuniste. Kjo është edhe merita kryesore që ka libri i Demalisë. Sikur të lexosh qoftë edhe vetëm dëshminë e Demalisë për ato pesë ditë të ferrit në ambasadën gjermane do të kuptosh jo vetëm natyrën gjakatare të pushtetit komunist që po jepte shpirt, por edhe humanizmin e madh të diplomacisë gjermane dhe asaj perëndimore në përgjithësi që bëri gjithçka qe e mundur që Shqipëria të fitonte lirinë e merituar dhe të fillonte udhën e mundimshme drejt Perëndimit.
Po çfarë ndodhi pasi regjimi u detyrua, më në fund të lëshonte pe dhe t’i lejonte të rinjtë e ambasadave të emigronin. Pothuajse asgjë serioze. Kjo është edhe arsyeja që e bën autorin Demalia të konkludojë se “Një valë e shpërthimit revoltash në gjithë Shqipërinë në përkrahje të refugjatëve në kohën kur ne ishim të strehuar në ambasada do të kishte bërë që regjimi të ishte rrëzuar në mënyrë të menjëhershme brenda disa ditësh”.
Por kjo nuk ndodhi dhe sipas Demalisë nuk ndodhi sepse në Shqipëri ende nuk kishte kurajo dhe formim politik për akte të tilla civilizimi, siç në fakt u shfaqën pothuajse në të gjitha ish-vendet e Lindjes komuniste.
25 vjet më pas, kur së paku formalisht, thuhet se regjimi komunist ka rënë, gjendja e shtetit shqiptar dhe e demokracisë në Shqipëri është përsëri e mjerueshme. Këtë e pohon me të drejtë edhe Demalia. Vetëm vitin e kaluar u larguan nga vendi dhe aplikuan për azil në Gjermani mbi 50 mijë shqiptarë. 200 mijë të tjerë aplikuan të fitojnë Lotarinë Amerikane. Është një përsëritje e korrikut të vitit 1990 në dyndjen e refugjatëve në ambasada. Pse? Sepse bijtë e ish-komunistëve, tashmë kanë formuar oligarkinë financiare dhe janë në gjendje ta blejnë pushtetin me paret e drogës së trafikuar. Demalia ka gjithashtu meritën se e ka zbuluar dhe stigmatizuar këtë fenomen në librin e tij. Prandaj, unë mendoj, se libri i tij, qëndron si një margaritar dëshmie autentike përkrah librit “Rrno për me tregue” të Zef Pllumit.
Si përfundim do të thosha se, libri i Ilir Demalisë është një kontribut i pastër në publicistikën politike i një autori që ka jo vetëm të drejtën morale si dëshmitar dhe aktivist i klasit të parë, por edhe për faktin se me konkluzionet e tij ia çel sytë shqiptarëve se si të luftojnë për demokracinë e vërtetë dhe se si të hedhin në koshin e plehrave të historisë oligarkinë që e ka marrë peng Shqipërinë.

Simbolet, nga konkretja, tek abstraktja dhe përsëri tek konkretja

Edmond TUPJA

Fjala “Një” (një libër) ose (një fletore për barazi gjinore). Pra fjala një është një symbol, një symbol aritmetikor. Megjithatë sot ky symbol ka marrë kuptimin e të plotfuqishmit, ose e të parit – dikur thuhej I madhi për Evnver Hoxhën – por, tani përdoret njësh-i. Pra zonja dhe zotërinj, “njëshi” ka hyrë një komunikimin e përditshëm (ti je njësh, ajo është njësh,…), pra nocioni I njëshit vazhdon të mbetet, majtajs dhe djathtas të jemi objektiv. Ose të jësh bota (ti je bota) por sidomos njëshi, është shumë I bezdisshëm për mua – qoftë majtas ashtu dhe djathtas – pasi njeriu është një krijesë e dehshme, sidomos kur “drogohet” nga pushteti . Prandaj kanë rëndësi simbolet , si kanë qënë dhe çfarë ndryshimi kanë pësuar (mutacioni), nga koha e diktaturës në kohën e sotme të cilën do ta përcaktoja “të demokraturës”. Pra ne jëtojmë në demokraturë. Në Afrikë nga 54 shtete përbërëse, 37 apo 38 janë demokratura.
Atëhere një tjetër fjalë, symbol ka devijuar, pra për fjalën “Sherif”, por në Amerikë me atë yllin e bardhë – doli sërisht ylli, më falni për koinçidencën – por “sherifi” ishte ai që ruante rendin, “rendin”. Por ky sherif nga erdhi?
Shpesh, por jo gjithmonë, ky personazh ishte i forti ndër kaubojsave, pra ata që “shpronësuan” me dhunë indianët autoktonë të Amerikës, vranë e përdhunuan, dhe më pas u bënë sherifa, pra ata që do të vendosnin “drejtësinë”. Pork y është një fenomen shumë actual në Shqipëri. Pra vendoset drejtësia nga një grup individësh bandit, hajdut, përvetësues, të korruptuar, I pamëshirshëm. Pra me këtë rast një “e mirë” bëhët – ish-banditi, sherifi sot – “pastron” veten, bën atë që quhet në terma fetare të krishtera – shërebimi – që merr një konotacion nga frengjishtja e riblej veten.
Pra shohin se si simboli kalon nga konkretja tek abstraktja dhe pastaj sërisht në konkrete- bën këtë mutacion – duke u hedhur ‘hi syve’ njerëzve, sidomos ato që harrojnë dhe fatkeqsisht ne shqipëtarët harrojmë. Ndërkohë unë e kuptoj kur Remarku e thotë diku tek Harku I Triumfit , “kujtesa kërkon të mbijetoj, por mbijetesa është e mbundur vetëm nëpërmjet harresës” – çka do të duhet të merret me shumë kujdes në kontekstin tonë.
Në fakt mund të duket njerzore që të harrosh por, kujdesa mbetet një fushë, “një arë” që duhet punuar. Përse në botën anembanë, përfundimi I luftës së dytë botërore, apo çdo përvjetor të çlirimit të burgosurve nga kampet e përqëndrimit – Aushvic etj? Sepse duhet të punohet me kujtesën, pasi po u harrua – dikush një burrë I zgjuar ka thënë [nuk e kujtoj] : “në qoftë se harrojmë të kaluarën, jemi ndodshta të ridënuar ta ripërjetojmë atë” – çka pro provohet deri diku dhe në realitetin e sotëm shqiptar.
Kështu duke iu rikthyer shëmbujve të tjerë, Sarkozy gjatë presidencës së tij – duke patur parasysh “vrasjen e ndërgjegjes që qytetarët francez kanë me vrasjet e hebrenjve që jetonin në Francë – propozoi një iniciativë, ku çdo nxënëns shkollë në Francë do të duhej të merrte në “patronozh” emrin ose personalitetin e një fëmije hebre të vrarë gjatë Holokaustit dhe të dorëzuar nga autoritet frënge filo-naziste të asaj kohe. Pra është shumë e rëndësishme të mbahet gjallë kujtimi I së kaluarës, në mënyrë që ajo mos të përsëeritet.
Duke ardhur në realitetin shqiptar, “SpaçI” – për të cilin jam vërtetë I skandalizuar, për mungesën e vëmendjes për këtë burg” siç mund të ishte një Spaç-fest [duke iu referuar kumtesës së z. Lela më herët], apo burgu I Tepelenës, në kënetën e Maliqit ku janë vrarë edhe deputetë, të cilët janë dërguar enkas për tu eliminuar fi-zi-kisht. Pra do të duhej nëj vëmendje e saj, e djathta kur ishte në pushtet do të duhet ta bënte.
Atëhere, së fundmi e jo më së paku besoj, është edukimi në shkollë. Unë e kuptoj që artistët ta reflektojnë një episode nga e kaluar, por jo thjesht duke futur elemente përjetimi nga një episode I së kaluarës. Megjithatë kjo varet sa nga ngacmon, [obsedon] “e kaluara”, pasi ne shkrimtarët e moshës time I kemi të regjistruara në mëndjet tona. Duhet të kujtojmë që kemi kaluar shumë kohë të vështira, pavarësisht se unë nuk kam qënë në burg, por vetë Shqipëria ishte një burg I madh, ishte një bunker I madh – “burg-bunker”, tingëllon me rimë. Pra do të duhet të punohet kjo fusha, ara e kujtesës.
Tani edukimi I të rinjve në shkollë. Unë mëndoj që njerzit më të kualifikuar, duhet të jenë në arsim parashkollor dhe në shkollën fillore – pra deri në moshën 12-13 vjeçare. Sepse siç thotë një psikolog amerikan I moshës së hershme, në një libër me titull “ Gjithçka vendoset para moshës gjashtë vjeçare”(1972) ku vihet theksi se personaliteti I njeriut formohet deri ne moshën 6 vjeçare. Pr deri në moshën 6 vjeçe formësohet ku personalitet dhe duke u zgjeruar deri në moshën 13vjeç -pjekurisë seksuale – dhe më pas është thjesht “mbushje” e këtij personaliteti të formësuar. Ndaj ëshë e rëndësishme që në këtë nivel nevojiten kuadro dhe staf mjaft I përgatitur dhe I shpërblyer financiarisht, sepse pikërisht në këtë fazë farkëtohet ose formohet “demokratët” e vërtetë.
Me këtë drejtim për shembull, do t’iu përmend dhe dy fabula të La Fontein dhe interpretimit që I bën Jean Jacques Rousseau në shek 18 mbi të ashtuquajturën fabul “Gjingkalla dhe Milingona” me nëntekstin e thjeshtëzuar “kush nuk punon nuk ushqehet”. Po mirë nëse dikush thotë se ai që nuk punon mbase nuk ka punë, a nuk duhet ta ndihmojmë duke I ofruar “lëmoshë”, pra e mësojmë tjetrin të jetë egoist – ky është paradoksi. Ndërsa një fabul shumë aktuale do të ishte “ Korbi dhe Dhelpra” ku dhelpra lajkatare e bën korbin që ti japë asaj nga ajo çka ai ka në sqepin e tij. Në këtë kontekst pyet Rousseau, se kush më bind mua se fëmija do të mësojë që të mos e lërë veten të mashtrohet nga lajkatarët. Kështu në të njëjtën kohë çdokush mund të bëjë si dhelpra që të kem përfitime.
Pra në këtë aspekt, duhet ti rimarrim simbolet por vetëm për ti edukuar dhe jo në mjete çedukimi, në mënyrë mbajte “princi” në pushtet, siç ndodh dhe sot në Shqipëri.

Në fund të 2015 borxhi publik arriti në 1 trilion lekë

Në fund të vitit 2015, stoku i borxhit publik arriti në 1,043.1 miliard lekë, me një rritje 6.66% krahasuar me fundin e vitit 2014, ose 72.2% e PBB, kundrejt 69.83% në dhjetor 2014, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave. Në strukturën e stokut të borxhit publik, borxhi i qeverisë qëndrore përfaqëson 99.91% të stokut, ndërsa borxhi i pushtetit lokal 0.09% të tij, duke ruajtur të njëjtat nivele me fundin e vitit 2014. Sipas afatit origjinal të maturimit, struktura e stokut të borxhit përbëhet nga borxhi afatshkurtër 24.4%, kundrejt 29.3% në fund të vitit 2014 dhe borxhi afatgjatë 75.6% kundrejt 70.7% në fund të vitit 2014. Kjo ka ardhur si rezultat i faktit se, politika e ndjekur gjatë vitit 2015 për emetim-maturimet e borxhit të brendshëm ka qenë e tillë që ka synuar dhe arritur një zhvendosje të portofolit drejt instrumentave afatgjatë, sipas strategjisë afatmesme të borxhit. Gjithashtu edhe huamarrja e huaj është e gjitha afatgjatë. Sipas instrumentave të borxhit, 55.9% e stokut përbëhet nga instrumenta të emetuara në tregun e brendshëm dhe të jashtëm (Bono Thesari, obligacione, Eurobond), ndërsa kreditë e marra apo të garantuara në tregun e huaj dhe atë vendas përfaqësojnë 44.1% të stokut të borxhit, kundrejt 59.4% dhe 40.6% që ishte ky raport në fund të vitit 2014. Huamarrja e huaj në formën e kredive si edhe maturimet e realizuara në tregun e brendshëm gjatë vitit 2015, kanë ndikuar në rritjen e peshës specifike të kredive. Në krahasim me fundin e vitit 2014, stoku i borxhit të brendshëm të qeverisë është ulur me 2.36% ose -13.3 miliardë lekë. Për financimin e defiçitit stoku është ulur me -17.7 miliardë lekë, ndërsa nga garancitë është rritur me 4.4 miliardë lekë. Sipas afatit të maturimit, 57% e stokut të borxhit të brendshëm të qeverisë është borxh afatgjatë, kundrejt 51.6% në fund të vitit 2014. Treguesi i ditëve mesatare në maturim arriti në 706 ditë, vlera më e lartë historike, kundrejt 630 ditë në fund të vitit 2014, si rezultat i fokusimit të huamarrjes në instrumentat afatgjatë. Struktura e mbajtësve të borxhit të brendshëm ka pësuar ndryshime pozitive drejt diversifikimit të mëtejshëm gjatë vitit 2015. Borxhi i jashtëm përfaqëson 47.1% të stokut të borxhit të qeverisë qëndrore ose 33.97% të PBB. Në krahasim me fundin e vitit 2014 stoku i borxhit të jashtëm është rritur me 78.4 miliardë lekë, ose 19%. Kjo rritje vjen kryesisht si rezultat i shtesës së borxhit në stok me 73.5 miliardë lekë, ndërsa zhvlerësimi i lekut kundrejt monedhave përbërëse të stokut (me përjashtim të EUR), e ka rritur stokun me 4.9 miliardë lekë. Gjatë vitit 2015, ka vazhduar tendenca e uljes së yield-it mesatar të ponderuar të letrave me vlerë të qeverisë, i cili në fund të vitit 2015 arriti vlerën më të ulët historike prej 5.31%, kundrejt 5.386% në fund të vitit 2014. Ky tregues reflekton uljen e yieldeve të letrave me vlerë të qeverisë në tregun primar gjatë vitit si edhe uljen e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Shpenzimet për interesat e borxhit arritën në 38.6 miliardë lekë ose 2.67% e PBB.

Mesazhi i Donald Trump

Joseph S. Nye, Jr.
Avantazhi i Donald Trump në garën për nominimin nga Partia Republikane si kandidat për president në nëntor ka shkaktuar lemerisje. Estabilishmenti republikan ka frikë se ai nuk do të jetë në gjendje të mposhtë Hillary Clinton, e cila ka gjasa do të jetë kandidatja demokrate. Por disa vëzhgues shqetësohen më shumë nga rreziku që Trump të bëhet me të vërtetë president. Disa madje e shohin Trump edhe si një lloj Mussolini amerikan.
Gjithsesi, pavarësisht problemeve që ka, Shtetet e Bashkuara nuk janë sot siç qe Italia më 1922. Kontrollet dhe balancimet institucionale të Kushtetutës, bashkë me një sistem ligjor të pavarur, ka gjasa që do ta përmbajnë një figurë spektaklesh televizive. Rreziku i vërtetë nuk është që Trump të bëjë atë që thotë se do të bëjë nëse mbërrin te Shtëpia e Bardhë, por dëmi që ai do të shkaktojë me atë që thotë në përpjekje për të mbërritur atje.
Udhëheqësit gjykohen jo vetëm për efikasitetin e vendimeve të tyre, por edhe të kuptuarit që ata krijojnë dhe ia mësojnë ndjekësve të tyre. Shumica e udhëheqësve fitojnë mbështetje, duke joshur identitetin dhe solidaritetin ekzistues të grupeve që përfaqësojnë. Por udhëheqësit e mëdhenj i edukojnë ndjekësit e tyre mbi botën përtej grupit të vogël.
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës Gjermania pati pushtuar Francën për herë të tretë brenda 70 vjetësh, udhëheqësi francez Jean Monnet vendosi që hakmarrja mbi Gjermaninë e mposhtur do të prodhonte edhe një tragjedi më tepër. Në vend të kësaj, ai shpiku një plan për zhvillimin gradual të institucioneve që më pas evoluan në atë që sot e njohim si Bashkimi Europian, gjë që ndihmoi për ta bërë një luftë tjetër mes dy vendeve efektivisht të paimagjinueshme.
Ose, që të marrim një shembull tjetër të udhëheqësisë së lavdishme, Nelson Mandela lehtësisht mund të kishte zgjedhur të përcaktonte grupin e tij si afrikanojugorët me ngjyrë që kërkonin hakmarrje për padrejtësitë e Apartejdit që patën zgjatur për shumë dekada si dhe për vetë burgosjen e tij. Në vend të kësaj, ai punoi në mënyrë të palodhur për ta zgjeruar identitetin e ndjekësve të tij, si përmes fjalimeve që mbante ashtu edhe përmes veprave që bëri.
Në një veprim të famshëm simbolik, ai u shfaq në një ndeshje regbi, duke veshur bluzë të South African Springboks, një skuadër që më herët qe bërë simbol i supermacisë së bardhë të Afrikës së Jugut. Krahaso përpjekjet e Mandelës për t’i mësuar ndjekësve të tyre një identitet më të gjerë, me atë përqasjen e ngushtë të Robert Mugabe në Zimbabven fqinje. Ndryshe nga Mandela, Mugabe përdori armiqësitë e epokës koloniale për të krijuar mbështetje dhe tashmë po bazohet te dhuna për të mbetur në pushtet.
Në SHBA sot, ndërsa ekonomia po rritet dhe norma e papunësisë është në pikën e ulët prej 4.9 për qind, shumë ndjehen të përjashtuar nga mirëqenia e vendit. Shumë akuzojnë pabarazinë në rritje përgjatë dekadave të fundit, akuzojnë të huajt, më shumë se sa teknologjinë dhe rrjedhimisht është e lehtë të gruposh kundërshti si ndaj migrimit ashtu edhe ndaj globalizimit. Përveç populizmit ekonomik, një minoritet domethënës i popullsisë ndjehet gjithashtu e kërcënuar nga ndryshimet kulturore të lidhura me racën, kulturën, etninë, megjithëse shumica e këtyre gjërave nuk janë ekzaktësisht fenomene të reja.
Presidenti i ardhshëm do të duhet të edukojë amerikanët për mënyrën se si duhet të trajtojnë procesin e globalizimit, të cilin shumë e konsiderojnë si kërcënues. Identitetet kombëtare janë bashkësi imagjinare në kuptimin që shumë pak njerëz kanë eksperienca të drejtpërdrejta me anëtarët e tjerë. Përgjatë një apo dy shekujve të fundit, shteti-komb ka qenë bashkësia imagjinare për të cilën njerëzit janë të gatshëm të vdesin, ndërsa shumica e udhëheqësve e kanë parë si detyrim primar të jenë nacionalë. Kjo është e pashmangshme, por penguese në një botë që po globalizohet.
Në një botë globalizimi, shumë njerëz i përkasin një numri më të madh bashkësish imagjinare – vendore, rajonale, kombëtare, kozmopolitane, – bashkësi që janë rrethe të mbivendosura dhe që ushqehen nga interneti dhe udhëtimet e pakushtueshme. Diasporat janë tashmë të lidhur përtej kufijve kombëtarë. Grupimet e profesionistëve si avokatët kanë standarde transnacionale. Grupimet e aktivistëve nga mjedisorët te terroristët kanë gjithashtu lidhje përtej kufijve. Sovraniteti nuk është më aq absolut sa qe dikur.
Ish-Presidenti Bill Clinton tha se, ai kishte brerje ndërgjegjeje për faktin, që nuk iu përgjigj siç duhet gjenocidit në Ruanda më 1994, megjithëse ai nuk qe i vetmi. Nëse Clinton do të përpiqej të dërgonte trupa amerikane, ai do të qe përballur me rezistencë të ashpër nga Kongresi. Udhëheqësit e mirë sot shpesh kapen mes prirjeve kozmopolitane dhe detyrimeve të tyre më tradicionale ndaj njerëzve që i zgjedhin ata – siç zbuloi Kancelarja e Gjermanisë
Angela Merkel në veprimet e saj prej udhëheqëseje të guximshme përballë krizës së refugjatëve verën e kaluar.
Në një botë ku popujt janë organizuar para së gjithash në bashkësi kombëtare, një ideal i pastër kozmopolitan është jorealist. Ne e shohim këtë në rezistencën e gjithëpërhapur ndaj pranimit të migrimit. Që një udhëheqës të thotë se është e detyrueshme që të ardhurat të barazohen në të gjithë botën, ky nuk është një detyrim i besueshëm, por që të thuash se duhet të bëhet më shumë për të reduktuar varfërinë dhe sëmundjet, duke ndihmuar ata që janë në nevojë, kjo mund të ndihmojë në edukimin e ndjekësve të tyre.
Fjalët kanë rëndësi. Siç e tha filozofi Kwame Anthony Appiah, “Të mos vrasësh është një urdhëresë hyjnore e bardhë mbi të zezë. Ndërsa të ‘respektosh babain dhe nënën’, pranon edhe shkallë”. E njëjta gjë është e vërtetë për çështjen e kozmopolitanizmit përballë izolimit.
Ndërsa bota sheh kandidatin për president të SHBA-së, duke luftuar me çështje të proteksionizmit, migrimit, shëndetit botërore publik, ndryshimet klimaterike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ne duhet të shtrojmë pyetjen se cilave prej identiteteve amerikane po i drejtohet ai dhe nëse ai po i edukon ndjekësit për çështje më të gjera se kaq. A po e zgjerojnë ato ndjenjën amerikane për identitet sa më shumë të jetë e mundshme apo thjeshtë po joshin interesat e tyre më të ngushta?
Propozimi i Trump për të ndaluar myslimanët nga hyrja në SHBA dhe kërkesat e tij që Meksika të paguajë për ndërtimin e një muri për ndalimin e migrimit ka pak gjasa që të kalojnë kufizimet kushtetuse apo limitet e pushtetit që ka një president i zgjedhur. Gjithsesi, shumë nga propozimet e tij nuk janë politika të dizenjuara për t’u zbatuar, por slogane të farkëtuara për të joshur një ndjesi populiste vetëizoluese mes disa segmenteve të popullsisë.
Duke parë këtë mungesë të një thelbi të fuqishëm ideologjik dhe aftësinë e tij në ushtrimin e “artit të pazarit”, Trump mund të kthehet edhe në një president pragmatik, pavarësisht narcizizmit të tij të famshëm. Por udhëheqësit e mirë janë ata që na ndihmojnë ne të mësojmë se cilët jemi. Në këtë drejtim, Trump sakaq ka dështuar.

Gara është vetëm në gjysmën e saj

Megjithëse zgjedhjet e fundit presidenciale brenda partive janë në qershor, gara për kandidim është tashmë pothuajse në gjysmën e saj. Pas votimeve të martën në Miçigan, Misisipi, Ajdaho dhe Havai, 23 nga 50 shtetet e kanë bërë zgjedhjen e tyre për kandidatin republikan dhe 21 për atë demokrat.
Një grup me peshë prej pesë shtetesh i mbajnë votimet të martën e ardhshme, me 15 mars. Fituesi republikan në Florida atë ditë, siguron të 99 delegatët e këtij shteti për në konventën e partisë, fituesi i Ohajos siguron të 66 delegatët e saj dhe shumica e 69 delegatëve në Ilinoi shkojnë gjithashtu në favor të fituesit.
Fushata e Senatorit nga Florida Marco Rubio, i ka varur pothuajse të gjitha shpresat tek perspektiva e fitores në shtetin e tij, por duke pasur parasysh paraqitjen e tij të dobët në disa gara radhaz, edhe një fitore e tillë mund të jetë e pamjaftueshme. E njëjta situatë është edhe për guvernatoriin e Ohajos, John Kasich në shtetin e tij.
Pas votimeve të së martës, biznesmeni Donald Trump kishte siguruar rreth 450 delegatë, krahasuar me 350 që ka siguruar senatori i Teksasit Ted Cruz. Objektivi i tyre është të arrijnë 1,237 që të sigurojnë shumicën dhe kandidimin republikan.
Demokratët që prej më shumë se një muaji kanë vetëm dy kandidatë dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kryeson përsa i takon numrit të delegatëve ndaj Senatorit Bernie Sanders. Ajo ka siguruar mbi gjysmën e 2,383 delegatëve të nevojshëm për t’u bërë kandidatja , ndërsa senatori Sanders ka rreth një të katërten e asaj shifre.
Sipas një sondazhi të bërë publik sot, zonja Clinton kryeson ndaj zotit Sanders mes votuesve të mundshëm të Floridës 62-32 për qind. Epërisa e saj është veçanërisht e theksuar mes votueseve femra, mes së cilave 69 për qind thonë se do ta mbështesin atë, në krahasim me 24 për qind që thonë se do të votojnë për Sanders.

Historia e drogës që turpëroi Sharapovën

Droga e pazakontë, e zbuluar në organizimin e tenistes së njohur ruse, Maria Sharapova, gjatë një testimi anti-doping, dikur është promovuar nga prodhuesi letonez i saj si element i përdorshëm farmaceutik nga lojtarët rusë dhe letonezë të hokejit.
Kirovs Lipmans, pronar dhe kryetar i fabrikës letoneze të ilaçeve, Grindeks, i ka thënë portalit letonz Delfi.lv në vitin 2011 se meldoniumi, një substancë e ndaluar, por që Sharapova ka pranuar se e ka marrë, “ka qenë shumë i famshëm në mesin e atletëve”.
“E di se ekipi kombëtar i Rusisë në hokej as që vjen në kampe të trajnimit pa meldonium, e mos të flas për ekipin kombëtar të Letonisë”, ka thënë Lipmans, i cili ka shërbyer si president i Federatës letoneze të Hokejit në Akull, qysh në vitin 1998.
Në intervistën dhënë në prill të vitit 2011, ai po ashtu ka thënë se “atletët janë duke folur për mundësinë e përdorimit të meldoniumit në të gjitha llojet e sporteve” dhe se një testim i bërë në Gjermani ka përcaktuar se ai “padyshim” nuk është një substancë që rrit performancën.
“Mendoj se në vitet e ardhshme, do të bëhet një drogë shumë e popullarizuar në mesin e atletëve”, ka thënë Lipmans.
Këto komente duken profetike, pasi disa atletë, përfshirë së paku katër nga Rusia dhe dy nga Ukraina, kanë dalë pozitivë ndaj meldoniumit, i cili është ndaluar nga Agjencia Botërore Anti-Doping, më 1 janar.
Asnjëri prej tyre nuk ka tërhequr vëmendjen ashtu si Sharapova, e cila, më 7 mars, ka bërë të ditur se ka rënë në testin e drogës. Njoftimi ka bërë që tre sponsorë të saj të mëdhenj: gjiganti i veshjeve sportive Nike, kompania zvicerane e orëve Tag Heuer dhe kompania gjermane e makinave Porsche, të ndërpresin marrëdhëniet me tenisten numër 7 në botë.
Sharapova, e cila mund të ndalohet të luajë tenis për katër vjet, ka thënë se mjeku i saj i ka përshkruar meldonium për më shumë se dhjetë vjet, sepse ajo “është sëmurë shumë shpesh”, ka pasur “mungesë të magneziumit” si dhe histori familjare me diabet.
Kompania farmaceutike Grindeks thotë se, meldoniumi është bërë për të trajtuar njerëzit me sëmundje kronike të zemrës dhe qarkullimit të gjakut dhe njerëzit që vuajnë nga kapacitete të reduktuara të punës dhe nga mbingarkesa fizike dhe psiko-emocionale.
Droga, e cila nuk është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në Shtetet e Bashkuara, është zhvilluar fillimisht në ish-Bashkimin Sovjetik për të ndihmuar ushtarët gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit, ka shkruar një gazetë letoneze në vitin 2009.
Kompania farmaceutrike Grindeks i ka thënë agjencisë “Associated Press” këtë javë se meldoniumi mund të ofrojë “përmirësim të kapacitetetit të punës së njerëzve të shëndoshë, me mbingarkesa fizike dhe mendore, si dhe gjatë periudhës së rehabilitimit”. Por, kompania ka thënë se beson se substanca nuk rrit dhe nuk pengon performancën sportive.
“Do të ishte e arsyeshme të rekomandohet si mbrojtës i qelizave, për të shmangur dështimin e zemrës ose dëmtimet e muskujve në rast të mbingarkesës së padëshiruar”, ka cituar “AP” kompaninë farmaceutike Grindeks.

Deputetja Hafizi: Ndjehem e rrezikuar nga dhuna e Ramës

Incidenti me Ben Blushin në Elbasan e ka frikësuar deputeten Mimoza Hafizi, aq sa thotë se do ta mendojë pjesëmarrjen e saj në aktivitetet publike të Partisë Socialiste, nëse kryetari Rama nuk kërkon ndjesë për skenat e dhunës ndaj deputetit Blushi. Deputetja Hafizi, e radhitur si një mbështetëse e fortë e Ben Blushit, veçanërisht në kauzën e tij për t’u mbajtur zgjedhje për kryetarin në PS, ka qenë mjaft kritike në fjalën që ka mbajtur këtë të mërkurë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Unë miqtë e mi, pas incidentit të Elbasanit dhe skenave të ditës së hënë në Tiranë, ju them sinqerisht se ndjehem e rrezikuar, për veten apo kolegët e mi që po ndjekin këtë kauzë. Dhe kjo më trishton pa masë. Këtë nuk ia fal mikut tim, kryetarit të Partisë Socialiste. Pas mbi një dekade që bashkëpunojmë, pas viteve të tëra që e kam ndjekur me shpresë se do të sjellim bashkë në këtë vend më shumë begati, siguri e liri, nuk ia fal që erdhi dita të kem frikë se unë apo njëri nga kolegët e mi do të cenohet fizikisht për arsyen e thjeshtë se nuk jemi dakord me të. Unë prita prej tij ndjesë për skenat e dhunës së ditëve të fundit. Do të vazhdoj të pres. Përndryshe, unë e kam të pamundur të jem pjesë e aktiviteteve të tij publike”, është shprehur Hafizi. Deputetja ka vënë më tej në dukje se statuti i partisë është shkelur prej vitesh dhe se kolegët e saj si Arta Dade, Ben Blushi e “kritikë” të tjerë të Ramës, i kanë shprehur këto shqetësime edhe më parë. “Më vjen keq që kryetari sot e mohoi këtë fakt në fjalën e tij”, tha Hafizi.

Skandali/Ahmetaj, filmohet në Ohër me kinezët, duan 360 milionë euro për Koçon me Rrugën e Arbrit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj, duke folur gjate nje konference te perbashket shtypi, ku eshte arritur marreveshja me FMN dhe Banken Boterore, per nje marreveshje prej rreth 1 miliard dollaresh per tre vjet, e ndare ne 300-350 milione dollare cdo vit.

Projekti i “Rrugës së Arbërit” është bërë nga një studio shqiptare mbi 10 vite më parë.

Deri më tani janë ndërtuar gjatë qeverisë Berisha 37 km. Ka mbetur pa ndërtuar segmenti më i vështirë i saj 26,8 km, me gjerësi 7,5 m, një tunel 2,6 km në Murriz (i ngjashëm me një nga tunelet e Krrabës), një tunel 560 m në Gurin e Bardhë dhe disa ura. Kostoja e këtij segmenti sipas ekspertëve duhet të jetë nga 80 deri 100 milionë euro. “Bechtel” ka ofruar ta ndërtojë këtë segment për 120 milionë euro, por Edi Rama i ka dhënë urdhër Edmond Haxhinastos, që të mos e lejojë në asnjë mënyrë më në Shqipëri “Bechtel”-in.
Pa hyrë në vlerësime për cilësinë shumë të diskutueshme të vetë projektit, pa asnjë studim gjeologjik dhe socio-ekonomik, po ju bëjmë me dije përpjekjet e Edi Ramës, se përse i përfshiu kinezët në këtë projekt, që shumë mirë mund të vazhdonte ta bënte edhe 26 km e mbetura me fondet e buxhetit të shtetit, si dhe segmentet e ndërtuara deri më tani.
Me ardhjen në pushtet në takimin e parë që Edi Rama pati me kompaninë kineze “CSCEC” (http://english.cscec.com/) dhe në prezencë të diplomatëve kinezë, ju prezantoi deputetin Koço Kokëdhima dhe ju tha shprehimisht kinezëve: “Ky jam unë”. Natyrisht “socialisti” Koço nuk e pati fare problem që të bënte një ujdi të shpejtë nënkontraktimi me kinezët, duke bërë nënkontraktor të tyre biznesmenin D.T. Qëllimi i dhënies “me koncesion” dhe paraqitja si një ofertë e pakërkuar u bë thjesht që të mos bënin transparent koston e ndërtimit.
Pasi Koço ra në ujdi me kinezët e “CSCEC” (me dorëzani të Ramës) i vuri pa vështirësi në rreshtore ministrat e Transportit e të Ekonomisë dhe u mundua të neutralizojë ish-ministrin Cani me kërcënime “shkarkimi” në gazetën e tij “Shekulli”.
Po ku qëndron problemi më serioz me “Rrugën e Arbërit”?
Qëndron tek formula “inovative” e financimit (e vjedhjes) “Koncesion me garanci trafiku”. Që do të thotë që “nëse në ‘Rrugën e Arbërit’ nuk kalojnë X numër makinash në vit, qeveria shqiptare do të paguajë diferencën e trafikut të munguar”. Sipas standardeve europiane, në një rrugë me 2 korsi prej 27 km (ndërtuar me kosto mesatare) do të duhen të kalojnë 7’000 makina në ditë, që ajo të jetë rentabël. Sa makina mendoni që mund të kalojnë në “Rrugën e Arbërit”? Në “Rrugën e Kombit” kalojnë rreth 4’000 makina në ditë. Pra, nuk do shumë përllogaritje të kuptohet që “Garancia e Trafikut”, që do të garantojë të paguajë qeveria shqiptare është thjesht një “Këst kredie i fshehtë”.
Atëherë përse qeveria shqiptare vazhdon të zbatojë një skemë vjedhjeje?
Pse nuk ndiqet procedurë tenderimi për ndërtimin e 2 segmenteve të “Rrugës së Arbërit”, derisa kjo është një kredi e pastër, që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë?
Nëse thonë që është një propozim kinez i pakërkuar, gënjejnë. Ky është projekt i qeverisë shqiptare.
Nëse thonë se firma “CSCEC” e financon vetë, gënjejnë. Gjithë investimet kineze me kredi të buta në 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore i financon China Exim Bank (http://english.eximbank.gov.cn/en/), që jua jep qeverive me kusht që përfitues të jenë firma kineze. Në çdo vend që kjo bankë ka financuar të tilla projekte, ato kanë kaluar në procese tenderimi nga qeveritë respektive. Evitimi nga qeveria shqiptare i procedurave të tenderimit bëhet me të vetmin qëllim, që të mos ketë transparencë për koston e fryrë të ndërtimit të rrugës, që sipas ofertës së firmës kineze (që përfshin kostot e larta të nënkontraktorit të Kokëdhimës) është 360 milionë euro për një distancë rruge 26 km, aq sa nga Tirana në Dajt!!! Kjo rrugë s’mund të kushtojë kurrsesi më shumë se 100 milionë euro (përfshi bakshishet standarde).
Të gjitha veprimet e deritanishme të qeverisë shqiptare kanë kulmuar me ligjin për një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e “Rrugës së Arbërit”, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.
Kjo nuk është aspak transparente
Me këtë ligj qeveria do të mbulojnë një kredi të fshehtë, që po merr nga Exim Bank, që sipas gjithë gjasave do të përfundojë në pjesën më të madhe në xhepat e Kokëdhimës dhe në dëmin tonë si shtetas. Kjo do të rrënojë edhe më tepër krizën ekonomike të Shqipërisë. Prandaj ne si qytetarë kemi të drejtë të informohemi dhe të bëhet çdo gjë transparente dhe sipas Ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe të mos stisen ligje për të përligjur veprime të paligjshme.
Pra, sipas gjithë gjasave ky është prologu i një vjedhjeje tjetër “në emër të kombit”, vjedhje e financimeve kineze të “Rrugës së Arbërit” me ekzekutor primar tutorin e Edi Ramës – Koço Kokëdhimën.
Nga veprimtaria e deritanishme e kësaj qeverie, ku nuk ka asnjë investim serioz në ekonomi, bile nuk ka asnjë projekt serioz ose vizion ekonomik (përveç palmave 6’000 euroshe), po shohim vetëm skema vjedhje të llojeve të ndryshme me ekzekutorë të ndryshëm, që kanë emër dhe mbiemër:
Vjedhja klasike, për ditën me diell, e naftës dhe e rentave minerare nëpërmjet “Albpetrol”-it, drejtuar de facto nga kryeekzekutori socialist i vjedhjeve Koço Kokëdhima (me lejen e Edi Ramës);
Vjedhja me tenderin e “check up”, që de facto përfitues pas figurantes Vilma Nushi është ish-ortaku i saj, Arben Ahmetaj (ekzekutori numër 2 socialist i vjedhjeve);
Vjedhjet konstante në shëndetësi nga Ilir Beqaj (ekzekutori numër 3 socialist i vjedhjeve);
Tentativa e vjedhjes se 500 ha në Spitallë dhe e koncesionit të TVSH-së nga Olsi Rama;
Tentativa e vjedhjes me “Rrugën e Arbërit” me kryeekzekutor Koço Kokëdhima, etj.
Kina heton Ramën për aferën korruptive të Rrugës së Arbrit
Në shtator 2015 China Exim Bank e refuzoi përfundimisht financimin e “Rrugës së Arbërit”, pasi e klasifikoi si një projekt superkorruptiv dhe me kosto shumë të fryra. Këtë vendim të Exim Bank e amplifikoi edhe takimi sekret i ministrit Arben Ahmetaj (ekzekutorit të punëve të pista të qeverisë Rama), biznesmenit D.T. (ortaku i Koço Kokëdhimës) dhe përfaqësuesve të “CSCEC” dhe Exim Bank në Ohër të Maqedonisë, ku shërbime të specializuara i filmuan me zë e figurë në tentativë për të korruptuar zyrtarët kinezë. Koço nuk vajti se nuk di asnjë gjuhë të huaj, megjithëse e shoqja tani ka filluar kinezçen me qëllim që Koço të flasë direkt pa ndërmjetësa me kinezët.
Duke humbur mbështetjen e bankave kineze, “CSCEC” dorëzoi në fund të tetorit një propozim me kosto edhe më të fryrë se më parë, pasi mendon ta vetëfinancojë. Në këtë rast sipas rregullave të shtetit kinez, ndërmarrjet shtetërore kineze nuk lejohet të bëjnë asnjë financim me paratë e tyre, nëse nuk sigurojnë një IRR mbi 13%. Që domethënë se “CSCEC” duhet ta vetëshlyejë (plus fitimin) “Rrugën e Arbërit” brenda 8 vitesh. Kjo e ka bërë të papërballueshme këtë ofertë për qeverinë shqiptare.
Për zgjidhjen e këtij ngërçi, në mesin e janarit 2016, kumbari dhe nënkontraktori kryesor i “Rrugës së Arbërit”, ai që i ka fryrë realisht kostot e saj, Koço Kokëdhima vizitoi kompaninë kineze në Pekin, por nuk arriti dot kompromis me kinezët. Të dy palët: qeveria shqiptare dhe “CSCEC” po bëjnë lojë nervash dhe pazare me njëri-tjetrin, të cilat sigurisht mund t’i paguajnë shumë shtrenjtë shqiptarët.
Këto tregojnë që qeveria Rama nuk është një qeveri ndryshe dhe nuk ka asnjë program ekonomik, por është një “qeveri e vjedhjeve publike”. Natyrisht Rama është i mirënjohur për korrupsionin 10-vjeçar në Bashkinë e Tiranës dhe përfitimet nga lejet e ndërtimit, betonizimin e Tiranës, etj. Por sa më sipër janë fakte të forta që tregojnë që Edi Rama nuk ka ndryshuar. Ai ende nuk është ngopur së vjedhuri, por po vazhdon të vjedhë në një nivel edhe më të lartë me anën e ekzekutorëve të tij të vjedhjeve. Dhe fotografia më e saktë e vjedhjeve të tij janë vetë kostumet e tij “Brioni su misura”, nga 20 mijë euro, që i ndërron çdo ditë.
Pra, kultura politike në Shqipëri mbetet ajo e plaçkitjes së çdo gjëje dhe e vazhdimit të rrënimit ekonomik dhe moral të vendit. Shembulli i radhës – “Rruga e Arbërit” po dështon prej tamaqarllëkut të Koço Kokëdhimës dhe metodologjisë korruptive të Edi Ramës.
Nga burime diplomatike mësojmë se diplomatë të lartë kinezë kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, se Kina ka nisur një hetim për korrupsion për “Rrugën e Arbërit”. Që në realitet do të thotë, që Shqipëria është në listën e zezë të Kinës për nivelin e lartë të korrupsionit. Ajo është kapur në tentativë për të vjedhur fondet kineze dhe vështirë se mund të përfitojë financime nga Kina, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë përfituar me qindra milionë euro investime kineze. Qeveria shqiptare po e fsheh këtë fakt.

Rama-ambasadorit: Do e heq Ndokën, por thuaj Berishës të mos e shajë

Çmenduria.
Ish-Kryeministri Berisha ka bërë publike një takim me një ambassador të cilit nuk i ka përmendur emrin. Ai tha në Parlament se ambasadori pasi kishte takuar Ramën I kishte kërkuar që të mos ia përmendte emrin deputetit trafikant, Arben Ndoka. Ambasadori kishte sqaruar në takimin me Berishën se kjo ishte kërkesa e Ramës për largimin e Arben Ndokës nga Parlamenti. “Do ta heq Arben Ndokën nga Parlamenti, por thuaj Berishës të mos e shajë” I kishte thënë Rama ambasadorit në rolin e avokatit mbrojtës të deputetëve me të shkuar kriminale.

Bizneset në mosmarrëveshje me tatimet dhe doganat

Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit mbartin kosto të konsiderueshme për palët dhe njëkohësisht sjellin pasiguri dhe mosbesim për investime të mëtejshme si tek bizneset vendase ashtu edhe ato të huaja. Për këtë arsye, zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e këtyre mosmarrëveshjeve mbetet domosdoshmëri për nxitjen e investimeve në vend sugjeron Këshilli i investimeve në raportin për Përmirësimin e mekanizmave të zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis biznesit dhe Administratës Publike. Nga anketimet e Këshillit të investimeve ka rezultuar se biznesi është i shqetësuar se “institucionet buxhetore dhe stafi i punësuar në to, shpesh injoron apo nuk njeh ligjet e funksionimit te tyre, rregullat dhe ndërmerr vendime arbitrare dhe jokoherente me ligjet në fuqi”. Nga të dhënat rezultoi se mbi 75% e numrit total të regjistruar të ankimimeve administrative të biznesit në Gjykatat Administrative, lidhen me tatimet, doganat, inspektimet dhe prokurimet publike. Nisur nga këto rezultate, Sekretariati ka trajtuar në veçanti funksionimin e sistemeve të ankimimit/apelimit kryesisht në institucionet e mësipërme. Referuar të dhënave institucionale, rezulton se vetëm në pak raste organet e administratës i japin të drejtë bizneseve pas shqyrtimit të ankimimeve administrative të tyre. Konkretisht, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) vetëm në 4% të rasteve, në Dogana nërreth 2% të rasteve, inspektoriatet Shtetërore në një masë nga 0% deri në 40% të rasteve. Ndërsa, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ofron një tjetër panoramë, vendimet në favor të bizneseve në raport me numrin e çështjeve të shqyrtuara janë rreth 40% gjatë vitit 2014 dhe 50% gjatë vitit 2015. Në shumicën e rasteve, pas shqyrtimit të brendshëm administrativ, palët i drejtohen Gjykatave Administrative për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve. Nga ana tjetër, Ajykatat Administrative janë në pamundësi objektive për të shqyrtuar çështjet brenda afateve ligjore, po të konsiderohet numri i lartë i çëshjeve të regjistruara përpara tyre dhe numri i kufizuar i gjyqtarëve. Vetëm në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje që pritet të gjykohen nga 7 gjyqtarë. Vonesat shkaktohen nga objekti i gjerë i mosmarrëveshjeve administrative që shqyrtohen përpara këtyre gjykatave, ku rreth 50% e çështjeve administrative nuk kanë lidhje direkt me bizneset, thuhet në raport. Për pasojë, këto gjykata nuk po i përgjigjen në kohë kërkesave të biznesit dhe dinamikës së problematikave të këtij të fundit.

Rënie historike e nivelit të kredisë, 2.6 miliardë më pak

Huaja për ekonominë ka shënuar një tjetër rënie në dhjetor të 2015-ës, duke zbritur në 546.5 miliardë lekë, rreth 2.6 miliardë lekë më pak në raport me muajin e mëparshëm. Tkurrja ka vijuar dhe në janar, me minus 3.7 miliardë lekë (Banka e Shqipërisë ka raportuar të dy muajt bashkë janar-dhjetor) .
2015-ta ka qenë një vit tepër i dobët për kreditimin e bizneseve dhe individëve. Huaja ka rënë me bazë mujore për 8 muaj të vitit, si rrjedhojë e disa faktorëve:
-Së pari, si rrjedhojë e mungesës së kërkesës nga biznesi, që ka shtyrë planet për investime nga konsumi i ulët si dhe pasiguria e krijuar nga ndryshimet e shpeshta ligjore e presionit të aksionit anti-informalitet.
-Së dyti, edhe vetë bankat kanë qenë të kujdesshme, pas rritjes së lartë të kredive të pakthyera në afat dhe nuk kanë lehtësuar standardet e kredisë, sidomos për bizneset, ndërsa kanë qenë më të prirura të kreditojnë indivitët, që kanë dhe nivel më të ulët huash të këqija.
-Së treti, sistemi bankar është përfshirë në 2015-ën në një proces ristrukturimi dhe fshirjesh të huave, që kanë ndikuar në stokun total. Huatë e humbura ranë nga 66 miliardë lekë në fund të 2014-ën në rreth 52 miliardë lekë në dhjetor 2015.
Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-ën. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Pas ritmeve të larta të rritjes deri në 2008-ën, huaja për ekonominë filloi të reduktohej ndjeshëm pas krizës globale të atij viti, teksa bankat filluan të përballen me pasojat e kredive të pakthyera në afat. Rritja negative vjetore, që pas 2008-ës është shënuar në 2013-ën me -1.2%