Shqipëria ka një yll të klasit botëror. Bëhet fjalë për Elseid Hysajn, që pas sezonit fantastik me Napolin, ka tërhequr vëmendjen e klubeve më të mëdha europiane. Së fundmi për shërbimet e 22-vjeçarit të lindur në Shkodër është interesuar edhe Bayern Munchen. Lajmi u bë i ditur nga gazeta italiane, “TuttoSport”, e cila theksonte se drejtori teknik i bavarezëve, Michael Reschke ishte i pranishëm gjatë fundjavës në San Paolo, për ta ndjekur në aksion në ndeshjen me Atalantën.
Paraqitjet në nivele të jashtëzakonshme të Hysajt me Napolin nuk kanë kaluar pa u vënë re nga Bayerni. Skuadra që pret edhe formalisht të rikonfirmohet si kampione e Bundesligës ka ofruar menjëherë 18 milionë euro. Shifra është e konsiderueshme dhe duket e parefuzueshme nga Napoli, që vetëm një vit më parë shpenzoi 5 milionë euro, që ta afronte kuqeziun nga Empoli.
Hysaj vlerësohet si lojtari perfekt për krahun e djathtë të mbrojtjes së bavarezëve dhe me moshën që ka garanton siguri për të ardhmen, duke qenë se Lahm është 32-vjeçar, Rafinha 30, ndërsa Benatia pritet të largohet në fund të sezonit.
Por, Bayern-i nuk është emri i vetëm i madh i futbollit kontinental që interesohet për Elseid Hysajn. Pak ditë më parë, mediat spanjolle folën edhe për një vëzhgim nga Barcelona, ndërsa lojtari cilësohet si alternativë edhe nga Antonio Conte te Chelsea.
Bayerni do Hysajn
Pelegrini: Nuk krijuam por 0-0 do të ishte më i drejtë
Zhgënjimi është i madh në radhët e Mançester Sitit dhe këtë e konfirmon edhe trajneri kilian, Manuel Pelegrini, sipas të cilit, ndeshja e djeshme nuk meritonte një fitues, ndoshta barazimi pa gola do të kishte qenë më i drejti. “Pengjet janë të mëdha nga kjo sfidë, sepse kurrsesi nuk meritonim të humbnim. Është gjithashtu e vërtetë se nuk krijuam shumë, por në të njëjtën kohë edhe Reali i Madridit nuk bëri shumë për të shënuar, nëse nga ana e tyre nuk do të kishte pasur fatin, i cili bëri që ai krosim i Bejlit të devijohej nga lojtari ynë dhe të përfundonte në rrjetë.
Çfarë na mungoi?
Kthjelltësia sidomos në anën ofensive, kur nuk arritëm që të shtrinim lojën tonë dhe të ishim të rrezikshëm, ndonëse e ritheksoj, barazimi pa gola do të kishte qenë më i drejti. Rikthim negativ në Madrid? Jo, tifozët më pritën mirë, si gjithmonë, por nuk mendoja se do largohesha me këtë rezultat, të paktën jo në këtë mënyrë”, u shpreh “inxhinieri” 62-vjeçar.
Zidan: Arritëm çfarë deshëm, por nuk kemi fituar asgjë
“Sigurisht që kjo është nata ime më e rëndësishme në karrierën si trajner. Bëmë gjithçka duhej të bënim, ndonëse duke vuajtur, por akoma nuk kemi fituar asgjë”. Trajneri i Realit, Zinedin Zidan, është padyshim i kënaqur për arritjen në finalen e Champions-it, ku i presin “kushërinjtë” e Atletikos, por predikon qetësi dhe përqendrim, në pritje të 28 majit: “Shkojmë në finale dhe jemi të lumtur, por ndërkohë nuk duhet të shpërqendrohemi nga kampionati.
Finalja e “San Siro”-s është ende larg, prandaj mos harrojmë se jemi në garë për kampionatin. Finalja me Atletikon, një stimul më shumë? Unë jam i lumtur që jemi në finale, por në të njëjtën kohë, kundër Atletikos do të kemi një stimul më shumë për të luftuar dhe kërkuar fitoren. Mos harrojmë se na mundën në kampionat, prandaj ky është rasti më i mirë për t’u hakmarrë. Rikthimi në Itali? Kam jetuar momente të bukura me Juventusin në Milano. Shpresoj t’i përsëris me Realin si trajner”.
Bejl: Gati për të ngritur trofeun
Nëse Kristiano Ronaldo nuk është në një ditë të mirë, këtë vit Reali i Madridit ka Garet Bejlin në versionin e bomberit dhe liderit të ekipit, sepse ashtu siç ka ndodhur së fundmi në kampionat, është uellsiani ai që i vendos ndeshjet për “galaktikët”. Sulmuesi pranon se gjysmëfinalja e djeshme ishte shumë e komplikuar, por në sfidën e “San Siro”-s do të shihet një tjetër Real.
“Prisnim një goleadë? Gjysmë-finalet janë gjithmonë kështu. Po flasim për nivele shumë të larta, prandaj është shumë e vështirë që të mundësh kundërshtarët që ke përballë me një diferencë të madhe golash. Mançester Siti, edhe pse nuk bëri shumë për të na vënë në vështirësi, ishte gjithmonë në pritje të një gabimi nga ne, por në fund ia dolëm që të kalojmë në finale dhe jemi të gjithë shumë të lumtur, shpjegon Bejl.
Sekreti i formës sime? Përveçse po përmirësohem, tashmë jam ambientuar, e njoh më mirë spanjishten dhe kuptohem më mirë me trajnerin dhe mbi të gjitha me shokët e skuadrës.
Finalja me Atletikon? Në Milano na pret një finale më 28 maj dhe rivalët që gjen në finale janë gjithmonë shumë të komplikuara. Atletiko është një ekip tepër i komplikuar për t’u përballuar, shumë i fortë fizikisht dhe mjaft i rrezikshëm, me lojtarë cilësorë. Por, gjithsesi, Reali i Madridit është në një moment të mirë, sepse po përmirësohemi me kalimin e ndeshjeve dhe jam i sigurt se në finale do të jetë një Real edhe më i fortë dhe gati për të ngritur trofeun e Champions-it”, tha britaniku 26-vjeçar.
Edhe ylli i skuadrës, portugezi Ronaldo, është i bindur se finalja me Atletikon e Madridit do të jetë speciale, por në fund do të fitojë Reali i Madridit. “Nëse llogarisim të 180 minutat e luajtura me Mançester Sitin, besoj se ne ishim ata që e meritonim. Nëse në Angli meritonim të dilnim të paktën me një gol të shënuar, sot meritonim të shënonim më shumë, por fatkeqësisht nuk arritëm ta ‘vrasim’ ndeshjen. Ishte e komplikuar, por arritëm objektivin që donim dhe finalja me Atletikon e Madridit do të jetë sërish një ndeshje speciale. Ky takim, kjo finale që përsëritet dy herë brenda dy vitesh tregon edhe një herë nivelin e kampionatit spanjoll, por ashtu si dy vite më parë, në fund duam që të jemi ne ata që do të festojnë sërish”, tha Ronaldo.
Zidan frymëzues? “Zizu po bën një punë fantastike, sepse na frymëzon teknikisht e psikologjikisht. Dhe, mbi të gjitha, unë shpresoj që ai të jetë sërish me ne, sepse e vlerësoj maksimalisht si trajner dhe si person”, përfundoi “CR7”.
Depresioni kap edhe Guvernatorin e Bankës: S’ka rritje ekonomike
Banka e Shqipërisë ka suprizuar dje, duke ulur normën bazë për të dytën herë radhazi, për ta çuar atë në një tjetër minimum historik prej 1.25%. Në mbledhjen e mëparshme, rreth një muaj më parë, banka e uli normën në 1.5%.
Kjo është hera e 15 që institucioni monetar qendror ul normën bazë, që nga shtatori 2011 kur filloi politikën lehtësuese monetare. Por, një ulje e tillë dy herë është parë vetëm në nëntor- dhjetor 2013. Përgjithësisht Banka e Shqipërisë lë një periudhë disa mujore që lehtësimi i politikës të japë efekt.
Vendimi i Bankës së Shqipërisë vjen në një kohë, që konsumi ka rezultuar me rënie për herë të parë që nga viti 1998 dhe kur inflacioni ka qenë afër zero për muajt e parë të 2016-ës. Përmes uljes së normës bazë, Banka e Shqipërisë i jep sinjal tregun për lehtësimin e kostos së kredisë dhe rritjes së shpenzimeve nga individët e bizneset.
Pavarësisht se interesat e kredive në lekë në mars zbritën në minimum historik prej 7.4%, kredia vijoi të jetë e dobët, duke shënuar një rënie me 2% me bazë vjetore, ndërsa rritja ka qenë minimale në shkurt e mars.
Gjithashtu, në mbledhjen e sotme Këshilli Mbikëqyrës vendosi që norma e interesit të depozitës njëditore në Bankën e Shqipërisë të jetë në nivelin 0.25%, dhe norma e interesit të kredisë njëditore në Bankën e Shqipërisë të jetë në nivelin 2.25%.
Sejko: Rritja ekonomike nën parashikim
Gjatë fjalës së tij, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko pojoi se, “Informacioni i ri ekonomik dhe monetar i muajve të fundit ka qenë përgjithësisht në kahun e poshtëm të pritjeve tona. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt të vitit 2015 rezultoi disi më e ulët se parashikimi, ndërsa inflacioni i tremujorit të parë të vitit 2016 shënoi një rënie të fortë dhe të papritur si pasojë e goditjeve të ofertës”.
“Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë gjykon se, ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. Në një horizont afatmesëm, ne presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv. Megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari. Në veçanti, ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar – si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij, ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme. Këto zhvillime tentojnë të ngadalësojnë shpejtësinë e kthimit të ekonomisë në ekuilibër dhe të inflacionit në objektiv.
Në përgjigje të tyre, në vazhdim të analizave dhe parashikimeve të Raportit Tremujor të Politikës Monetare, të miratuar sot nga Këshilli Mbikëqyrës, si dhe në linjë me qëndrimin e mëparshëm të politikës monetare, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë me 0.25 pikë përqindje normën bazë të interesit. Kjo ulje e normës bazë të interesit synon rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Nëpërmjet reduktimit të normave të interesit në tregun financiar, politika jonë monetare synon të mbështesë rritjen e mëtejshme të kredisë, të konsumit dhe të investimeve private. Kjo lëvizje sinjalizon gjithashtu vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në përputhje me objektivin e saj të inflacionit.
Deflacioni në kufij të frikshëm, ulet akoma më tej inflacioni
Inflacioni mesatar i tremujorit të parë rezultoi në nivelin 0.7%. Brenda këtij tremujori, inflacioni shënoi një rënie të fortë gjatë dy muajve të parë dhe u stabilizua në nivele të ulëta – prej 0.3% – në muajin mars. Rënia e inflacionit ka ardhur nga goditje të ofertës, në formën e niveleve të ulëta të inflacionit të artikujve ushqimorë dhe të rënies së çmimit të naftës, si dhe nga faktorë teknikë të bazës së lartë krahasuese të së njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Këto goditje origjinojnë në masën më të madhe në tregun ndërkombëtar dhe janë reflektuar në rënie të shpejtë të inflacionit në të gjitha vendet e rajonit. Ndikimi i tyre në inflacion pritet të jetë kalimtar. Megjithatë, ky ndikim do të jetë i dukshëm edhe gjatë tremujorit të dytë të vitit, por do të shkojë gradualisht drejt shuarjes në tremujorin e tretë dhe të katërt. Në përgjigje edhe të rritjes ekonomike, niveli i inflacionit në fund të vitit 2016 pritet të luhatet rreth vlerës 1.9%, një ulje kjo kundrejt parashikimit prej 2.3% të Raportit tonë Tremujor paraardhës.
Ndonëse rënia e inflacionit në tremujorin e parë u ndikua nga goditje të ofertës, presionet e përgjithshme inflacioniste në vend vazhdojnë të mbeten të ulëta. Kërkesa agregate, ekspansioni monetar dhe pritjet inflacioniste, nuk sinjalizojnë rikuperim të shpejtë të inflacionit drejt objektivit.
Edhe pse në rritje, kërkesa agregate nuk është ende e aftë të gjenerojë një shfrytëzim të plotë të kapaciteteve prodhuese, si në tregun e punës dhe në atë të kapitalit. Për rrjedhojë, presionet për rritje të pagave dhe të kostove të prodhimit mbeten të dobëta, çka reflektohet në vlerat e ulëta të inflacionit bazë.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 2.2% gjatë tremujorit të katërt të vitit 2015. Balanca e informacionit të disponuar sugjeron se ajo ka shënuar norma të ngjashme rritjeje edhe gjatë tremujorit të parë të këtij viti. Nga këndvështrimi sektorial, rritja ekonomike është udhëhequr nga zgjerimi i aktivitetit në sektorin e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që aktiviteti industrial shfaq dobësi si pasojë e konjunkturës së pafavorshme në tregjet botërore dhe në partnerët tanë tregtarë. Nga këndvështrimi i kërkesës agregate, rritja ekonomike është udhëhequr kryesisht nga zgjerimi i konsumit familjar dhe i investimeve private.
Këto tendenca pritet të shoqërojnë rritjen ekonomike edhe gjatë vitit 2016. Rritja ekonomike e këtij viti pritet të jetë disi më e lartë se norma prej 2.6% e regjistruar në vitin 2015, por disi më e ulët në krahasim me vlerësimet tona paraardhëse. Zgjerimi i aktivitetit ekonomik do të ndihmohet nga vazhdimi i trendit pozitiv të konsumit dhe të investimeve private. Rritja e tyre pritet të financohet në masën më të madhe nga kursimet e sektorit privat dhe nga projektet e investimeve të huaja direkte, por ajo do të përfitojë edhe nga kushtet më të favorshme financiare që priten të ekzistojnë gjatë vitit 2016.
Kreditë në pikën më të ulët sepse nuk ka investime
Në përgjigje të politikës monetare stimuluese dhe të reduktimit të huamarrjes publike në tregjet e brendshme, ambienti financiar karakterizohet nga likuiditet i bollshëm dhe nga norma të ulëta interesi. Po kështu, kursi i këmbimit është i qëndrueshëm, bilancet financiare të bizneseve, të familjeve dhe të sektorit bankar shfaqen në përmirësim, ndërsa standardet e kreditimit janë lehtësuar. Megjithatë, këto kushte financiare stimuluese nuk janë përkthyer ende në rritje të qëndrueshme të kredisë, si pasojë e hezitimit të pranishëm në sjelljen e agjentëve ekonomikë dhe financiarë. Duke përjashtuar efektin e çregjistrimit të kredive nga bilancet e bankave, portofoli i kredisë për sektorin privat shënoi një rritje mesatare vjetore prej 2.4% gjatë dy muajve të parë të vitit.
Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar duhet të tregohet më realist dhe i guximshëm në vendimet e tij të kreditimit. Transmetimi i plotë i efekteve të politikës monetare në tregjet financiare do të shoqërohet me rritjen e interesimit të bankave ndaj kreditimit. Gjithashtu, suksesi i planit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në uljen e rrezikut të perceptuar të kreditit. Të dy këta faktorë krijojnë premisa për një ecuri më të mirë të kredisë në të ardhmen.
Në terma afatmesëm, rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim gjatë viteve 2017 e 2018. Në këtë horizont kohor, ajo pritet të reflektojë më mirë efektet e politikës monetare stimuluese dhe të gjejë një mbështetje më të madhe nga përmirësimi i mjedisit botëror. Ekonomia shqiptare parashikohet të kthehet gradualisht në ekuilibër gjatë vitit 2017, duke ndihmuar në kthimin e inflacionit në objektiv rreth fundit të vitit 2018. Të dy këto projeksione shfaqin një shmangie të lehtë nga parashikimi paraardhës, ndërkohë që balanca e rreziqeve vazhdon të qëndrojë në kahun e poshtëm.
Duke synuar të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e objektivit të inflacionit, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ulë normën bazë të interesit, në nivelin 1.25%. Gjithashtu, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të ruajë normën e interesit të depozitës njëditore në nivelin 0.25% dhe të zbresë normën e interesit të kredisë njëditore në nivelin 2.25%.
Duke gjykuar mbi informacionin e disponuar, Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se stimuli monetar mund të rritet më tej gjatë vitit 2016, ndërkohë që cikli rritës i normave të interesit nuk do të fillojë para vitit 2017.
Në mbyllje, Këshilli Mbikëqyrës gjen me vend të theksojë se politika monetare lehtësuese është një parakusht i nevojshëm, por jo i mjaftueshëm për gjenerimin e një rritjeje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme ekonomike. Kjo politikë duhet të shoqërohet me forcimin e ritmit të reformave strukturore në ekonomi, si dhe me përpjekje të vazhdueshme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe reduktimin e primeve – aktuale apo të perceptuara – të rrezikut në ekonomi”, tha Sejko.
68 mijë të tjerë të larguar brenda vitit
Jorida TABAKU
Indro Montanelli shprehej dikur se, problemi i socializmit është vetë socializmi, pra, ai shteti autoritar që do të fusë hundët në punët e gjithkujt. Për ta aktualizuar pak më tej këtë citim mund të them që problemi i rilindjes është vetë rilindja, apo më saktë është dëshira e saj për të varfëruar të varfërit, duke rilindur bizneset e oborrit.
Dhe kjo nuk është më një opinion, por është një fakt, 90 milionë dollarë para të nxjerra nga arka e qeverisë për të shkuar në luksin e qeverisë në rregullime zyrash, ndërsa gjysma e gjithë shqiptarëve marrin frymë me nën 5 USD në ditë. Ku shqiptarëve borxhi publik u është rritur dhe shpenzimet për shërbime dhe infrastrukturë bien përditë e më shumë.
Investimet bien e ndërkohë taksat rriten në mënyrë progresive sa më i varfër aq më shumë taksa, në tre vjet taksat janë rritur me 450 milionë USD dhe çdo ngritje është trumbetuar si arritje e madhe, si lehtësi ndaj biznesit të huaj dhe në fund sigurisht si diçka që ndodh për herë të parë në këto 25 vite.
Rezultati është i qartë, çmime më të shtrenjta, shqiptarë më të varfër, biznese që mbyllen dhe në fund investime të huaja 5.7% më të ulëta se sa vitin 2013. Po ndërkohë jo të gjithë shqiptarët janë varfëruar, çdo të hënë që del buletini i prokurimeve publike lexon të bardhë mbi të zezë 11 kompani që fitojnë përherë tenderat.
11 persona që janë vula, flamuri dhe stema e një ekipi të korruptuar qeveritar që po zhyt përditë e më shumë shqiptarët jo vetëm në varfëri, por dhe në terror. Por sikur të ishin veç kaq mëkatet tuaja. Shqiptarët kanë 25 vjet që largohen nga Shqipëria, në përpjekje për të krijuar një jetë më të mirë, por edhe si reagim i asaj çfarë qeveritë e ndryshme nuk kanë mundur të plotësojnë.
Nuk ka ndodhur, aq më tepër në këtë 10-vjeçar, që qytetarët e këtij vendi të largohen në këto përmasa si këto tre vjet.
Nuk ka ndodhur që ato të jenë kaq të bindur në korruptimin që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë i ka bërë jo vetëm institucioneve shtetërore por edhe vetë shoqërisë.
Rilindja është qeveria që në këto tre vjet ka shpenzuar energjitë e saj për të korruptuar shoqërinë e këtij vendi, duke blerë mediat, duke blerë zërat opozitarë dhe mbi të gjitha, duke sulmuar me ushtarët e bandave ato që i dalin jashtë rreshtit.
Prandaj sot jemi ne të parët e Ballkanit sa i takon emigrimit në dyert e Europës, të zhgënjyer nga një gënjeshtër e ndërtuar bukur. Të demoralizuar nga një qeveri që ka korruptuar jo vetëm institucionet, por që dëshiron të shkatërrojë edhe vetë shoqërinë.
E me gjithë këto, duket se nuk kemi parë asgjë akoma.
Gjatë gjithë këtij tre vjeçari në qeverisje hija e juaj ka qenë krimi dhe kriminaliteti, të cilin e keni shtrirë në çdo degë të shoqërisë.
Nuk ka pasur ndonjëherë në kujtesën time kaq shumë vrasje kriminale, nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë panik, shqiptarët i kanë harruar kohët kur ndodhnin grabitje rrugëve siç ndodh sot.
Nuk ka ndodhur kurrë që deputeti të qëllojë me armë në komisariat e të vijë të votojë në Kuvend, e nuk ka ndodhur kurrë si me këtë qeveri në dy raste, t’i fshihet edhe Interpolit të dhënat për sponsorizuesit e kësaj qeverie.
Dhe e gjitha kjo ndodh, sepse tashmë Shqipëria është peng i karteleve të mafias, që kanë uzurpuar edhe karrige të këtij Kuvendi.
Të cilët nuk kanë frikë, se me shumë gjasë janë edhe ministrat hije të kësaj qeverie, që kanë autoritet dhe pushtet jo vetëm mbi shpirtërat dhe trupat e kësaj mazhorance, por edhe mbi jetët e shqiptarëve.
Ky është krimi më i madh! Pikërisht ky krim, që është instaluar brenda katër mureve të këtij Parlamenti, për të cilin kjo opozitë ka luftuar dhe për shkak të kësaj beteje, ajo është sulmuar, luftuar si e si që kjo qeveri të vrasë brenda shqiptarëve KURAJON, GUXIMIN dhe SHPRESËN.
Vetëm kështu kjo qeveri mund të jetë e lumtur!
Prandaj nuk është habi që jemi të fundit në listën e gjermanëve, amerikanëve madje edhe kinezëve të EXIM Bank për të investuar.
Në një vend ku krimineli të vjedh pronën, ku mafia kërcënon akademikun apo akoma më keq, kur jeta e një biznesmeni është në rrezik. Nuk ka më vend jo për biznese, por as për qytetarë.
Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende!
Prandaj nuk i bëjnë më përshtypje qeverisë as 68 mijë shqiptarët që largohen brenda vitit, as 2530 biznese që ulin qepenat e tyre, sepse nuk e përballojnë dot çmendurinë fiskale të rilindjes dhe as 200 mijë shqiptarë që aplikojnë për të ikur nga ky vend.
Kanë dështuar në çdo reformë të ndërmarrë dhe kanë përkeqësuar raportet ndërkombëtare, duke filluar nga Doing Bussiness, Freedom House, Raporti i DASH e kështu me radhë.
Dhe fatkeqësia është se, justifikimi i tyre për të gjitha dështimet mbetet gjithmonë qytetari, opozita, tjetri.
A është faji i opozitës që eksportet kanë kurbë rënëse për vitin 2015? Apo është faji i opozitës që Shqipëria ka renditjen më negative në rajon sa i takon investimeve të huaja?
A është faji i qytetarëve që papunësia ndër të rinjtë është rritur? Që BSH vazhdon të ulë normën e interesit (ditën e djeshme e uli në 1.25%) ndërkohë që ekonomia nuk prodhon dhe nuk konsumon, ndërsa qeveria flet për rritje punësimi?
Të gjitha këto nuk janë prej gabimeve tona…jo! Përkundrazi, ata që këndojnë si gjeli mbi pleh për reformën fiskale rilindase duhet të kuptojnë që janë fajtorë për atë që sot shohim.
Madje, ato të cilët të mbytur në këtë pisllëk që kanë ndërtuar këto 3 vjet përpiqen të kapen pas fijeve të barit, duke sulmuar opozitën dhe atë alternativë çfarë ajo ofron, duhet më parë të përgjigjen për këtë shkatërrim që kanë sjellë.
Duhet të përgjigjen për shkretimin, varfërimin progresiv dhe mbi të gjitha, tentativës për të zhdukur çdo institucion në këto 3 vjet.
Ne nuk besojmë se shqiptarët janë qorra apo dembela, prandaj edhe do t’i japim atyre pushtetin, i cili nuk do të jetë një e drejtë e një pakice që hiqet si shumicë.
Do të jemi garantues jo vetëm të lirisë së tregut, duke garantuar konkurrencën e ndershme në treg, por mbi të gjitha garantues të lirisë së qytetarëve nga banditët që sot kanë bekimin e qeverisë.
Dhe këtë do t’ua ofrojmë përmes forcimit të institucioneve kushtetuese, duke i rikthyer edhe këtij Parlamenti integritetin që një qeveri e etur për pushtet ia poshtëroi.
Ndryshe nga pushtetmbajtësit e sotëm, ne besojmë se liria edhe mundësia reale e individit për të zgjedhur është më e rëndësishme se sa dëshira për pushtet e një personi apo një klike.
Sepse ne besojmë se, institucionet jetojnë më gjatë se sa njeriu apo se një parti politike dhe kjo është frika e kësaj qeverie, që një ditë këto institucione do të funksionojnë dhe do të ndëshkojnë këdo që ka gabuar.
Por, frika e kësaj qeverie është shqetësimi më i pakët i joni dhe i 2.8 milionë shqiptarëve!
46% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë
Raportin e Bankës Botërore ku 46% e shqiptarëve jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë, nuk e kemi shkruar ne, por Banka Botërore. Kur investitorët gjermanë thonë se, niveli i korrupsionit është i lartë, taksat janë të larta, legjislacioni është i paparashikueshëm e thonë ata nuk e kemi thënë ne.
Ashtu sikurse deklarata e djeshme e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë ku thuhet se, rritja ekonomike nuk do të jetë aq sa planifikon qeveria, por do të jetë afër 2,6%, nuk e themi ne, por e ka thënë përsëri Guvernatori.
Ashtu sikurse dhe Agjencia e Sigurimit të Depozitave tha që, nëqoftëse në vitin 2013 ju deklaronit me të madhe se 50% e depozitave zotërohen nga 5% e individëve, në 2015 kjo shifër është 58% e depozitave zotërohen nga 4% e individëve.
Këto shifra janë të gjitha mbi raportet tuaja dhe ka një diferencë të madhe dje me sot.
Ne nuk po sajojmë shifra një milion të papunëve në zyrat tona të INSTAT. Çdo gjë që po e themi e themi mbi shifrat që prodhon qeveria juaj.
Në qoftë se themi se, Shqipëria është e fundit për eksportet në rajon dhe është e vetmja në rajon sipas raportit të fundit të publikuar nga Komisioni Evropian me 17% rënie eksportesh në krahasim me gjithë vendet e tjera të rajonit, prapë e thonë ata, nuk e themi ne dhe për këtë nuk ndjejmë absolutisht fare kënaqësi.
Ashtu sikurse nuk ndjejmë kënaqësi që shqiptarët largohen, ashtu sikurse nuk ndjejmë kënaqësi që bizneset mbyllen.
Për këtë arsye, ju kemi ofruar dhe alternativë, ju kemi ofruar dhe zgjidhje.
Mua më vjen keq që çdo gjë duhet të baltoset, që çdo gjë duhet sharë, që çdo gjë duhet anatemuar.
Unë nuk e kam bërë këtë ashtu, sikurse kam përshëndetur dhe sikurse përshëndeta dhe këtë marrëveshje, apo edhe nisma që mund të kenë qenë pozitive. Por treguesit e ekonomisë në rënie, rënie e konsumit, rënie e investimeve të huaja, rënie të eksporteve, nuk i them unë, por i thonë të gjitha këto raporte që unë i përsërita dhe i citova.
Janë 700 mijë metra kub lëndë drusore e masakruar nga pyjet
Mimoza Hajdarmata
Babëzia e qeverisë së betonit, i ka shpallur luftë natyrës, gjelbërimit, pyjeve dhe mjedisit.
Kriza e shkatërrimit me rruspa dhe tritol të shtëpive dhe bizneseve të shqiptarëve në një drejtim dhe betonieret në mal e në bregdet për të ngritur sarajet e deputetëve dhe ministrave, në drejtimin tjetër, janë dy anët e medaljes së qeverisë së krizës.
“Moratorium” apo legalizim i katastrofës mbi pyjet dhe pylltarinë shqiptare? Kjo është një nga dilemat e ekspertëve, por dhe një nga hallet e shumë banorëve në fshatra që jetojnë me burimet e pyjeve.
Falë paaftësisë dhe abuzimit të qeverisjes suaj, në më pak se tre vjet ia dolët që ta ktheni inekzistent shërbimin pyjor shqiptar.
Dëshmi e programit të Rilindjes së pyjeve është dhe bilanci dëshpërues i burimeve njerëzore në këtë sektor.
Në fund të vitit 2015 u pezullua nga puna i gjithë personeli pyjor në drejtoritë e shërbimit pyjor të qarqeve me pretekstin që pritet të miratohet ligji i ri dhe pyjet do të kalojnë në pronësi të bashkive, ndërkohë që në të gjithë vendin vazhduan ankandet për shitjen e lëndës drusore.
Masakra me pyjet dhe abuzimi ditën për diell ka nxjerrë edhe më në pah dy tiparet kryesore të kësaj qeverie:
Korrupsioni masiv dhe terrori ndaj individit apo komuniteteve të pambrojtura.
Kemi tani për shqyrtim dhe miratim këtë arnë ligjore pas Moratoriumit të Pyjeve, i cili po rezulton një demagogji dhe manipulim i shkruar vetëm në letër, sepse realiteti është gri, i djegur dhe aspak me ngjyrë shprese.
Flasim për mbrojtje mjedisi dhe shtim të gjelbërimit e pyllëzim, kur në fakt mendësia e qeverisjes suaj është shkatërrimi dhe betoni.
Po shohim këto ditë me një trishtim makineritë shkatërruese të INUK, të cilat qëllimisht me shpërfillje të imazhit apo marketingut, në nisje të sezonit turistik kanë rifilluar aksionin e shembjes së pronave të shqiptarëve në zonat turistike të bregut për të spastruar territorin dhe konkurrencën në favor të hotelerive dhe bizneseve të deputetëve socialistë në Jug.
“Aty ku shikon të ngrihen kulla kështjella, pallate shumëkatëshe, është e oligarkëve, ndërsa aty ku shkatërrohet dhe prishet është e hallexhinjve, po thoshte një ditë një kalimtar tek shikonte rruspat e Rilindjes.
Rilindja e mjerimit dhe dëshpërimit që është ulur këmbëkryq në mendjet dhe shpirtrat e pashpresë të shqiptarëve, e skamjes së 400 mijë shqiptarëve pa ushqim e vakte normale, e dhjetëra mijëra biznesve të mbyllura që kanë shkaktuar papunësinë në nivelin zyrtar të të rinjve afro 30% apo të grave dhe vajzave mbi nivelin 40%.
Dhe dalim te lidhja mes rruspave dhe pyjeve, që ka të bëjë me mendësinë që keni ju, për këtë territor të vendit me natyrë të mrekullueshme e resurse të mëdha, por që politika antikombëtare, antisociale e juaja po e gllabëron nga dita në ditë me koncesione qindra miliona euro dhe në kurriz të shqiptarëve që thellohen në borxhe dhe pamundësi për një jetë normale.
Për t’u kthyer tek demagogjia që sillni ju për mbrojtjen dhe shtimin e pyllëzimit, me të drejtë mund të ngrihet pyetja:
A mund t’i besohet kësaj mazhorance dhe qeverie mbrojtja e pyjeve me ligje farse dhe praktika antiligjore kur shteti i së drejtës nuk funksionon në asnjë sektor publik e privat dhe u dashka ta besojmë në mjedis?
Ndërtimi i cilësuar “park për fëmijët”, po ndodh pa lejet mjedisore përkatëse, në një frymë konfliktualiteti brenda vetë qeverisë dhe në një rezistencë të ashpër nga qytetarët e Tiranës e aktivistët civilë.
Pra, situata ndodh në një realitet absurd dhe dëshpërues njëkohësisht, pasi në njërën anë Parlamenti gjoja miraton ligje në mbrojtje të mjedisit dhe qeveria i zhbën ato me leje betonimi apo edhe më keq nuk pyet fare për ligjin, duke anashkaluar firmat dhe procedurat e përcaktuara në këtë rast.
E gjithë kjo maskaradë mbështillet me heshtje, errësirë transparence, shkëmbime batutash konfliktuale, mpirje e opinionit, ndërkohë që nga ana tjetër betonieret hedhin zhavorrin, kompanitë kopsitin letrat e korrupsionit në zyrat qeveritare, ndërsa qytetarëve, u thuhet se më 1 qershor do të kenë gati parkun e lodrave për fëmijët.
Kur po mbushen tri vite qeverisje, mjedisi, gjelbërimi rezulton çdo ditë e më shumë një shaka e madhe, një tallje, një supermashtrim i qeverisë Rama dhe i kësaj mazhorance.
Kur në fillim të fjalës thashë se ky projekt dëshmon dy tiparet kryesore, korrupsionin dhe terrorin e kisha fjalën se me pyjet njerëzit afër qeverisë, nëpërmjet abuzimit me to po pasurohen dita-ditës, ndërkohë nga ana tjetër, në emër të të bërit shtet mbillet frika deri në palcë, kur gjobit dhe arreston fshatarin që pret ndonjë copë dru për t’u ngrohur në mungesë të energjisë elektrike për shkak të ndërprerjeve, në pamundësi të të paguarit të saj.
E meqenëse jemi në fushën tuaj të parapëlqyer që është dhuna shtetërore, më lejoni t’ju sjell në vëmendje se OSHEE është kthyer në një përbindësh si në kohët e legjendave që grabit e djeg njerëzit dhe fatet e tyre.
Po, po, sepse shtëpia e katandia është i gjithë fati i njerëzve në zonat e varfëra e të braktisura verilindore. 29 anëtarë dhe në këto momente që flasim janë në qiell të hapur në Bujan të Tropojës, sepse OSHEE u merr frymën e fundit me faturat që i paguajnë me borxhe, por nuk u jep asnjë lek kur u digjen shtëpitë me çdo gjë brenda, në 4 të mëngjesit nga luhatjet e tensionit, sepse mentaliteti i shefit të OSHEE sikurse dhe i kryeshefit të tij në qeveri është grabit sa të mundesh dhe mbrapa lër shkretë e djeg çdo gjë.
Unë besoj fort tek drejtësia e Zotit.
Lidhur me korrupsionin i referohem dëmtimit masiv që po pësojnë pyjet dhe mjedisi në tërë shtrirjen gjeografike të vendit për të pasuruar njerëz të qeverisë, klaneve pranë tyre dhe deputetë të mazhorancës.
Gërryhen pa fund lumenjtë, malet e vargmalet për mermer, gurë, zhavorr, masive pyjore për t’u pasuruar e shtuar oreksin pa fre qeveritar.
Flitet për moratorium, por sharra e kompanive pranë qeverisë, që eksportojnë stiva pa fund, nuk ndalon ditë e natë dhe trau i kalimit të lëndëve drusore nuk njeh refuzim, nuk njeh JO, kur bëhet fjalë për telefonat apo urdhrat nga Tirana dhe oborri qeveritar.
Denoncimi më i fundit që ne si opozitë i kemi bërë dëmtimit masiv të mjedisit, është prerja e ullishteve në rivierën e Jugut për t’i hapur terren zgjerimit të sarajeve në Qeparo.
Sepse ky është morali i Rilindjes, ligji me disa standarde, i ashpër dhe goditës për të varfërit dhe për shqiptarët e pambrojtur, i verbër e i shurdhët për qeveritarët dhe klanet e mazhorancës së ngritur me vota të trafikuara.
Projektligji i pyjeve i hap rrugë korrupsionit pasi strategjia e mbrojtjes së tyre është evazive, është e centralizuar nga ministria dhe pazaret në Tiranë dhe zbatimi i moratoriumit apo legjislacionit përkatës është i deleguar tek militantët e punësuar nga Rilindja, pasi reforma e të bërit shtet nxori në rrugë mbi 900 inxhinierë dhe ekspertë të pyjeve dhe mjedisit.
Ligji i ri i pyjeve u vonua, për shkak pikërisht të mangësive. Grupet e interesit, ekspertët e terrenit dhe profesorët e universiteteve e kanë kundërshtuar gjatë këtë projekt.
Aktualisht në pyjet e vendit ka mbi 700 mijë m3 material drusor të prerë e të shpërndarë nëpër pyje apo pikat e grumbullimit, sepse nuk lejohet të transportohen. Ligjërisht nuk ka specialistë që të monitorojnë moratoriumin.
Moskordinimi i qartë i kompetencave dhe influencave të pushtetit lokal mbi pyjet në reformën e re teritoriale dhe ligjeve që sjell kjo qeveri, ka sjellë kostot e veta të amullisë dhe tek pyjet.
Në veri e jug, fshatarët që presin ndonjë copë dru për ngrohje apo nevoja të vogla, dënohet me gjoba marramendëse, futen në burg ndërkohë që nga Devolli e pyjet e zonave juglindore vijnë dëshmi me foto e figura të kamionëve që transportojnë dru, mes tyre dhe lloje të rralla të florës kombëtare.
Kamionët i përkasin kompanive me imunitet qeveritar dhe sigurisht që ata nuk duhen prekur.
Gjithashtu pyjet në zonat e veriut të Kukësit, Hasit, Tropojës, janë lënë në mëshirë të fatit. Tymit dhe flakëve të zjarreve të qëllimshme apo jo, askush nuk u del për zot, askush nuk i mbron.
“Bjeshkëve të namuna”, dashamirësit e huaj të shumtë të Shqipërisë, por dhe vetë ne, me krenari i quajmë, bekimi ynë!
Por ne dhe shqiptarët nuk do të lejojmë që prej varfërisë, korrupsionit, kriminalitetit dhe babëzisë tuaj, të na e ktheni Shqipërinë tonë të bekuar në një vend të namun.
Sigurimet, emigrantët në pozitë të vështirë
Shumë prej emigrantëve shqiptarë në Greqi që nuk kanë mundur të ripërtërijnë Lejen e Qëndrimit, kryesisht për shkak të mungesës së sigurimeve, sipas Kodit grek të Emigracionit, mund të përfitojnë Leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme.
Por, për një kategori të gjerë emigrantësh, që kanë humbur vendet e punës, është vështirë të sigurohet blerja e ditëve të siguracionit. Njoftimet nga Athina flasin se së fundi Ministria e Brendshme greke ka shtyrë afatin për blerjen e ditëve të siguracionit për gjithë ata emigrantë që kanë paraqitur dokumentet për marrjen e Lejeve të Qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme. Autoritetet greke e kanë lidhur shtyrjen e afatit me mospërcaktimin ende të praktikave që do të ndiqen prej Entit Grek të Sigurimeve, IKA për blerjen e ditëve të sigurimit. Ministria e Brendshme greke ka përcaktuar se deri në nxjerrjen e një qarkoreje për këtë çështje të mos refuzohen aplikimet e emigrantëve për lejet e reja të qëndrimit. Ndërkaq, siaps njoftimeve të shtypit që del në gjuhën shqipe në Athinë, Enti i Siguracioneve të Bujqësisë është një tjetër alternativë ku emigrantët shqiptarë mund të blejnë ditët e sigurimeve që kërkohen në kriteret e marrjes së lejeve të qëndrimit. Gazeta “Tribuna shqiptare” që del në Athinë shkruan se, ky Ent e ka nxjerrë tashmë qarkoren me gjithë praktikat e blerjes së ditëve të sigurimit. Por tarifa vlerësohet nga emigrantët tepër e lartë, rreth 1.865 euro, për 150 ditë siguracioni. Kjo tarifë është vetëm për vitin aktual, pasi në vitet e ardhshme tarifa ndryshon në rritje, pas reformës së sigurimeve shoqërore që pritet të hyjë në fuqi, megjithë protestat e mëdha të fermerëve në mbarë Greqinë.
Sipas ndryshimeve që u bënë në Ligjin grek për Emigraionin, Lejet e Qëndrimit për arsye të jashtëzakonshme lëshohen nga Administrata e Decentralizuar greke (ish-Periferia) dhe jo nga Drejtoria e Emigracionit në Ministrinë e Brendshme, në Athinë. Përfitues të këtyre lejeve të qëndrimit janë emigrantët, të cilët kanë patur qoftë edhe një leje qëndrimi përfundimtare, e cila ka skaduar brenda 10-vjeçarit të fundit dhe vërtetojnë me dokumente të ndryshme se kanë krijuar lidhje të forta me vendin, duke bërë të domosdoshëm qëndrimin e tyre në Greqi. Një kategori tjetër janë emigrantët që kanë patur të paktën 5 vjet qëndrim të ligjshëm në 10 vitet e fundit në Greqi. Kushtet që parashikohen për përfitimin e kësaj leje janë: Së pari, çdo emigrant që aplikon duhet të ketë një libër shëndeti personal ose familjar. Në rast mungese të librit të shëndetit jepet mundësia për blerjen e ditëve të punës me qëllim ripërtëritjen e tij. Praktika e blerjes së ditëve të punës nga IKA mbetet ende pezull. Së dyti, çdo emigrant duhet të paguajë një taksë prej 300 euro. Sipas Kodit të Emigracionit kjo Leje Qëndrimi është 2-vjeçare, por e lehtëson çdo emigrant në praktikat e mëtejshme të statusit të qëndrimit në Greqi.
Fundi i izolimit
Arton KONUSHEVCI
Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës si dhe qytetarët, kanë mirëpritur propozimin e Komisionit Evropian drejtuar Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës. Me këtë propozim, Kosova do të vendoset në listën e vendeve që mund të lëvizin të lirshëm në zonën Shengen.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një postimi në profilin e tij në Facebook ka përshëndetur propozimin e Komisionit Evropian, duke shkruar “lamtumirë viza”.
“Pas dekadave të izolimit, nuk do të ketë më pritje para ambasadave, nuk do të ketë refuzime. Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi.
Ndërkaq kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se, rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian.
Kryeministri Mustafa, menjëherë pas lajmit për rekomandimin pozitiv për heqjen e vizave për kosovarët, ka pritur në një takim Samuel Zhbogar, Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian në Kosovë me ç’rast kryeministri ka pranuar dokumentin e Komisionit Evropian.
Mustafa, Zhbogar dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku më pas kanë dalë në një konference për mediat, ku kanë theksuar se kjo ditë është e veçantë dhe historike për Kosovën.
Realizimi i lëvizjes së lirë, sipas kryeministrit Mustafa, erdhi si rezultat i bashkëpunimit të drejtpërdrejt ndërmjet qytetarëve, institucioneve dhe partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës.
“Për ne kjo është një ditë e madhe. Ditë e madhe për Kosovën për qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse rekomandimi i Komisionit evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën është një vendim me rëndësi shumëdimensionale për vendin tonë. Sot, kosovarët e dinë edhe ditën e afërt se kur ata mund të lëvizin pa viza në vendet e Bashkimit Evropian. Kosova ka bërë një hap shumë të rëndësishme në procesin e integrimit evropian”, ka thënë mes të tjerash Mustafa.
Përderisa ministri i Integrimit Evropian, ka thënë se me vendimin që ka marrë Komisioni Evropian për Kosovën lidhur me liberalizimin e vizave, ka vendosur hapin tjetër që ndërton përpjekjet e Kosovës për më shumë se katër vite.
“Vendimi i Komisionit Evropian është fillimi i hapjes së dyerve të Bashkimit Evropian për popullin e shtetit më pro-evropian. Ky veprim sinjalizon përfundimin e izolimit të evropianëve të rinj dhe trajtimin e tyre të barabartë me të gjithë popujt e rajonit. Rekomandimi i sotëm është vendimtar në mundësimin e udhëtimit pa viza në vendet e zonës Shengen për qytetarët e Kosovës. Procedura e vendimmarrjes ka nisur dhe ne do të dinamizojmë edhe më shumë punën me Parlamentin Evropian dhe vendet anëtare”, ka thënë Çollaku.
Kurse, përfaqësuesi special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar ka vlerësuar se kjo ditë do të jetë e veçantë, pasi që do të kujtohet përgjithmonë. Ai ka përgëzuar institucionet e Kosovës partitë politike, Shoqërinë Civile për punën e bërë sa i takon çështjes së liberalizimit.
“Të gjithë duhet të jeni krenarë për punën e bërë. Nuk ka qenë një punë e lehtë. Ka qenë një rrugëtim, të cilin e kemi bërë së bashku për ta bërë Kosovën një vend më të mirë. Vendimi i tregon se Bashkimi Evropian interesohet për Kosovës dhe do t’i mbështesë qytetarët e saj në perspektivën e tyre. Izolimit të Kosovës po i vjen fundi dhe shpresojmë që do të ketë një Kosovës ku mund të jetohet në paqe dhe prospertitet”, ka thënë Zhbogar.
Edhe qytetarët e kanë mirëpritur lajmin nga Komisioni Evropian për rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave.
Lulëzimi, një student nga Prishtina thotë se, pas suksesit të djeshëm të Kosovës që u bë pjesë e UEFA-s, lajmi për rekomandimin për viza është shumë i mirëseardhur.
“UEFA pa viza nuk ka pasur kuptim, kështu që ka ardhur edhe lajmi tjetër pozitiv për Kosovën. Tash shpresojmë edhe në anëtarësime të tjera sikurse në FIFA dhe në institucione të tjera. Besoj se do të kemi mundësinë të paktën të lëvizim më lirë sesa që kemi lëvizur deri tani, duke pritur shumë proceduara para ambasadave për viza”, ka thënë Lulëzimi.
Basha në PPE: Oligarkia po kërkon të asgjësojë votën e lirë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në Samitin e Partisë Popullore Europiane për Ballkanin Perëndimor në Bruksel. Në këtë takim drejtues të PPE dhe grupit të saj parlamentar në Parlamentin Europian kanë vënë theksin në garantimin e shtetit ligjor, luftës kundër korrupsionit, zbatimin e dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si kusht për avancimin e vendit drejt Bashkimit Europian.
Në fjalën e tij, zoti Basha ka vlerësuar si historike për demokracinë shqiptare 4 majin, ditë në të cilën nis zbatimi i ligjit të dekriminalizimit për pastrimin e politikës shqiptare dhe administratës nga të inkriminuarit. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit është shumë i rëndësishëm për të sotmen dhe të ardhmen e një vendi që beson në vlerat demokratike e që i ndan këto vlera me vendet e BE dhe promovon njerëz me integritet dhe jo trafikantë, kriminelë e të korruptuar.
Zoti Basha u ndal në korrupsionin galopant të përhapur kudo në Shqipëri. 2.2 miliardë euro të vjedhura në dy vjet, tendera që jepen vetëm për miqtë e Kryeministrit, 90 milionë euro që shpenzohen për luks qeveritar, ndërsa qytetarët shqiptarë shohin eksodin si të vetmen shpresë.
“Ne jemi në familjen tonë politike dhe nga kjo familje kemi kërkuar gjithmonë mbështetje maksimale për qytetarët shqiptarë. Kam marrë dhe një mbështetje shumë të madhe për monitorimin e zbatimit të ligjit të dekriminalizimit që hyn sot në fuqi, për largimin e parlamentarëve dhe kryebashkiakëve me rekorde kriminale dhe çdo zyrtari publik me rekorde kriminale siç e parashikon ligji. Për një Reformë në Drejtësi që nuk mbron, por lufton krimin dhe korrupsionin. Por jo një reformë në letër për të cilën ka kaluar koha, ka dy vjet e gjysmë kjo qeveri që është angazhuar dhe nuk prodhon, madje nuk jep asnjë mundësi të prodhojë një dokument, sigurisht konsensual bazuar mbi parimet europiane, mbi normat e aprovuara nga Venecia.
Më e rëndësishmja është implementimi i Reformës në Drejtësi. Sepse vetëm një reformë që implementohet, vetëm një BKH dhe një SPAK që krijohen do të jenë në gjendje të hetojnë ministrat e korruptuar, zyrtarët e korruptuar shqiptarë, t’i çojnë para drejtësisë. Dhe natyrisht për reformën zgjedhore dhe për të cilën koha tashmë ka ardhur. Shqipëria nuk do të mund të hapë negociatat pa treguar se është në gjendje të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme e në veçanti me një qeveri që u kap dy herë në flagrancë duke shkatërruar zgjedhjet, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe zgjedhjet parciale në Korçë në vitin 2013”.
Një vend të veçantë kanë zënë dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Zoti Basha ka kërkuar dhe marrë mbështetjen e Partisë Popullore Europiane, drejtuesve të grupit të saj parlamentar në Parlamentin Europian për të garantuar një proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor, pa shitblerje votash, intimidim votuesish dhe garantim të leximit të drejtë të vullnetit të zgjedhësve.
“Ne duam që shqiptarët me votë të vendosin lirisht fatin e tyre dhe vota është ajo që do të përcaktojë ndarjen me këtë oligarki. Por beteja me oligarkinë nuk është kaq e thjeshtë sepse oligarkia tenton ta asgjësojë votën e lirë, median e lirë, mendimin e lirë, shoqërinë civile, opozitën politike. Prandaj ndihma e institucioneve të Bashkimit Europian, e Parlamentit Europian ka qenë shumë e rëndësishme, jetike, si në rastin e dekriminalizimit dhe do të jetë jetike edhe për hapat e tjerë që do të hedhim e në veçanti tani për reformën zgjedhore për të cilën koha ka ardhur, si dhe për një Reformë në Drejtësi që nuk e mbron, por e lufton korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e lidhur me qeveritarët”.