Me atë pamje gënjyese prej njeriu të druajtur e të arsyeshëm, si dhe pakëz të përhumbur, Kryeministri turk Davutoglu erdhi në Bruksel për t’u hedhur një kamerdare shpëtimi evropianëve, për t’i shpëtuar nga një fundosje politike në ujërat e Egjeut. Por, ashtu si çdo shpëtim, edhe ky e ka një çmim. Të kripur. Dhe çmimin e vendos Presidenti Erdogan, i cili sapo ka “pushtuar” një prej të paktave gazeta turke që vazhdonin të guxonin ta kritikonin.
Nuk ka qenë një spektakël i bukur, ai që ofruan dje udhëheqësit e BE-së, të përçarë dhe të pavendosur për gjithçka, përballë këtij turku në Europë që, ashtu si turku në Italinë e Rossinit, shfaqet autoritar në të gjithë fushën, i sigurtë për pandëshkueshmërinë e tij.
Goditja e fortë kishte nisur mbrëmjen e të hënës, gjatë gjashtë orëve bisedime të rezervuara, mes Davutoglusë, Merkelit dhe kryeministrit holandez, Rutte, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së. Duke hedhur në det marrëveshjet e arritura në nivele të larta pak orë më herët, gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk në Ankara, Davutoglu ka rritur stekën dhe ka vendosur mbi tryezë një propozim shumë më radikal. Turqia angazhohet në të ardhmen që të mbajë të gjithë imigrantët e paligjshëm që zbarkojnë në brigjet greke, si sirianët dhe irakenët që kanë të drejtë azili, ashtu edhe ata që nuk mund të aspirojnë për këtë kusht. Në këmbim, Evropa duhet të pranojë që të presë një refugjat sirian të përzgjedhur në kampet e refugjatëve, për çdo refugjat sirian që ka hyrë parregullsisht në BE dhe që kthehet mbrapsht në Siri. Veç kësaj, Ankaraja kërkon që financimi europian të dyfishohet: nga 3 në 6 miliardë euro deri në vitin 2018. Kërkohet edhe hapja dhe përshpejtimi i të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësimin, që kanë mbetur pezull. Dhe dëshiron të afrojë për në qershor heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët turq në vendet e Bashkimit Europian.
Përtej lëvizjeve dhe kundërlëvizjeve që janë normale në negociata, propozimi turk ka meritën se e zhvendos krejtësisht logjikën me të cilën është përballuar deri tani emergjenca e refugjatëve, duke goditur që në rrënjë trafikun e qenieve njerëzore. Rregulli i ri është që nuk mund të hysh në mënyrë klandestine në BE, por mund të shkosh vetëm përmes një procedure të rregullt kërkese për strehim. Kush zbarkon në mënyrë të paligjshme, kthehet në Turqi. Dhe në vendin e tij do të hyjë një refugjat që ka ndjekur procedurën e parashikuar dhe dakordësuar. Por ky sistem ka edhe avantazhin se është i zbatueshëm vetëm falë një skeme shpërndarjeje të refugjatëve të dakordësuar në nivel europian, duke hedhur në det marrëveshjet e Dublinit dhe duke rivendosur rregulla të reja për dhënien e të drejtës për strehim. Dhe pikërisht, kjo ka qenë pika që ndezi dje zemërimin dhe shkaktoi veton e kryeministrit hungarez, Orban, zëdhënës i Frontit të Lindjes, që nuk dëshiron të dëgjojë për kuota të detyrueshme të pranimit të refugjatëve.
Italisë, e cila prej kohësh këmbëngul për një ribërje të rregullave të Dublinit, do i shkonte fort për shtat. Edhe pse ekziston risku shumë real, që trafiku i imigrantëve të paligjshëm, i bllokuar në rrugën Turqi-Ballkan, do të zhvendosej sërish në Itali, duke kërkuar rrugë të tjera.
Pastaj është çmimi i shpëtimit që ka ofruar Davutoglu. Një çmim i lartë, edhe financiarisht, edhe politikisht. Dyfishimi i 3 miliardëve që BE ka akorduar tashmë, por që ende nuk i janë derdhur Akarasë, do të sillte një tjetër barrë mbi buxhetet e shteteve, duke qenë se buxheti europian tashmë është shtrydhur si limon. Përveç këtyre, kërkesa për të rihapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, e bërë të nesërmen e ditës së ndalimit me forcë dhe në mënyrë arbitrare të gazetës opozitare “Zaman”, tingëllon si sfidë e hapur ndaj parimeve demokratike që Europa i ka paraqitur gjithmonë si kusht të padiskutueshëm për të hapur dyert e saj. Nuk është rastësi që nga pak të gjithë, nga Renzi tek Hollande, nga presidenti i Parlamentit Europian, Schulz deri tek Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, dje u janë referuar pikërisht këtyre parimeve. Me sa duket, Erdogani nuk kënaqet, duke sulmuar liritë themelore në shtëpinë e tij, por synon të dobësojë edhe mbikëqyrjen demokratike edhe në Europë, ku dëshiron të futet pothuaj me forcë.
Në fund, europianët tregohen shumë të matur edhe për një tjetër arsye: luftën në Siri. Edhe pse nuk thuhet asnjëherë hapur, lidhja me Ankaranë me një pakt strategjik mbi çështjen e refugjatëve, nënkupton lidhje me një prej protagonistëve të tragjedisë siriane, që ka një strategji dhe një agjendë të vetën, e cila nuk përkon domosdoshmërisht me atë europiane.
Edhe kjo është diçka që krerët e qeverive duhet ta marrin në konsideratë. Por përballë ushtrisë së refugjatëve që shtyn në kufij, hapësirat e tyre të negociimit janë pothuaj joekzistuese.
Turqia përballë Europës dhe kriza e emigrantëve
Banorët e ish-Stacionit të Trenit përleshen me policinë, tre gra humbasin ndjenjat
Gratë u dërguan me ambulancë në spital, ndërsa tani gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Banorët u përleshën me policinë duke mos lejuar shembjen e banesave të tyre dhe kanë bllokuar rrugën tek stacioni i trenit.
Situata është tensionuar mes banorëve të stacionit të trenit në Tiranë dhe forcave të policisë. Ata kanë qëlluar me gurë e sende të forta uniformat blu duke mos i lejuar të ndërhyjnë. Banorët hodhën edhe kapsolla ndaj policisë dhe kanë formuar një gardh, duke bllokuar hyrjen e makinerive të IKMT që do të shembë banesat e tyre.
Banorët e kësaj zone protestojnë kundër punimeve për bulevardin e ri të Tiranës, pasi nuk janë dakort me vlerën e caktuar për shpronësimin e banesave të tyre. Dje ata paralajmëruan se do të kalojnë në mosbindje civile.
Dibër, banorët e Hoteshit kundër HEC-it të Skavicës
Banorët e fshatit Hotesh në Dibër, zona që preket më shumë nga HEC-i i Skavicës dhe Katundit të Ri, thonë se nëse konkretizohet projekti, dëmi social dhe mjedisor do të jetë i pakthyeshëm. Banorët thonë se projekti ka qenë që në kohën e monizmit, por pikërisht për shkak të impaktit që do kishte nuk u realizua kurrë.
Banorët e fshatit Hotesh në Dibër kundërshtojnë projektin për HEC-et e Skavicës dhe Katundit të Ri. Sipas tyre, projektet kanë qenë prej gjysmë shekulli, por për shkak të dëmeve dhe pasojave në mjedis nuk janë konkretizuar asnjëherë.
“Ne nuk na kanë informuar vetëm thotë ta bëjmë. Ne jemi shqiptarë dhe të drejtat tona duhet të shihen”, shprehet një banor. “Përmbyt toka dhe përmbyt shtëpia. Nuk ka ardhur askush për të thënë sa vlerësohet toka. Të parët tanë e kanë blerë me florinj. Ata japin një çmim qesharak për 1500 lekë metri katror”, thotë një banor tjetër.
Banorët e Hoteshit, fshat me rreth 2 mijë banorë, kërkojnë që projekte të tilla që kanë impakt social dhe mjedisor duhet të shqyrtohen me detaje nga ekspertët.
Arrestohet në Itali falsifikatori shqiptar
Policia italiane, e cila ka rritur kontrollet në Brindizi e Bari për të mos lejuar refugjatë apo emigrantë të ndryshëm të hyjnë në këtë vend në rrugë ilegale, arrestoi një 30-vjeçar nga Vlora, i dënuar më parë për falsifikim dokumentesh udhëtimi.Dorjan Zejno është gjetur nga karabinierët në një hotel në Brindizi. Sipas policisë italiane, ai ishte dëbuar nga Italia, por sërish kishte arritur të hynte në shtetin fqinj. Mediat italiane aludojnë se falsifikatori është pjesë e një organizate që kontrollon trafikun e emigrantëve në Kanalin e Otrantos.
Gjykata e Apelit njeh të drejtën e të verbërve
Gjykata e Apelit ka rrëzuar vendimin e Gjykatës së Tiranës për mosnjohjen e firmave të personave që vuajnë mungesën e shikimit për të ngritur padi ndaj çështjeve të ndryshme që prek të drejtat e kësaj kategorie. Kryetari i Shoqatës së të Verbërve, Sinan Tafaj tha se, me këtë vendim, personat me aftësi të kufizuar mund t’i drejtohen gjykatës me padi kur ka raste të shkeljes së të drejtave të njeriut si humbja e të drejtës prindërore, pronësisë apo largimet nga puna. Ai vlerësoi vendimin e Gjykatës.
Grabitet Poliklinika e Specialiteteve në Durrës
Një grabitje ka ndodhur natën në qytetin e Durrësit. Shënjestër e autorëve ka qenë Poliklinika e Specialiteteve e cila sot nuk u afroi shërbim qytetarëve. Laboratorët janë dëmtuar. Materiale me vlerëe janë marrë. Për këtë shkak është pezulluar puna në këtë poliklinikë. Policia nuk ka gjetur akoma autorët e kësaj ngjarjeje. Dyshohet se kjo është vetëm e grabitesëve, por megjithatë mbetet enigma fakti i një shkatërrimi të tillë. Stafi mjekësor po punon për një bilnac të materialeve të dëemtuara dhe të vjedhuara.
Vjosa rrezikon disa fshatra nga përmbytjet
Disa dhjetëra shtëpi përgjatë shtratit të lumit Vjosë, në fshatin Kashisht të Fierit rrezikojnë shembjen. Gërryerjet e lumit arritën themelet e shtëpive, duke i rrezikuar seriozisht banesat. Banorët thonë se në situatat e vërshimit të lumit, lagjja është dyfish e rrezikuar nga përmbytja dhe nga gërryerjet. Sipas tyre, shtrati i lumit u devijua nga shfrytëzimi pa kriter për përfitimin e materialeve inerte.
“Vajti disa vjet që këtu është shfrytëzuar pa kriter dhe nga kjo, pasi ka qenë në një gjerësi prej 150 metra, tani është bërë 500 metra. Fshati ynë pothuajse ka humbur mbi 70 hektarë tokë. Ne kërkojmë nga shteti që të ndërhyjë”, u shpreh Ramadan Kapaj, kryeplak i fshatit Kashisht. “Lumi na ka dëmtuar tokën dhe kërkojmë ndihmën e shtetit që të punohet në këtë drejtim. Këtu dikur ka qenë fushë e sportit ku loznin fëmijët, por tani është bërë lum”, tha Abas Sitaj, banor.
Argjinatura mungon tërësisht. Sipas banorëve, edhe 10 penelët e vendosura në një gjatësi rreth 300 metra janë shkatërruar vetëm pak kohë pas ndërtimit të tyre në 2005-n. Banorët ndihen të kërcënuar dhe kërkojnë ndihmë nga organet shtetërore.
Ndërkohë, rrëshqitje masive dheu në kodrën e Currilave në Durrës, në zonën pas Universitetit dhe përgjatë gjithë aksit. Shkak janë bërë reshjet e dendura të shiut të ditëve të fundit. Në pjesën perëndimore të kodrës, masive të mëdha dheu kanë rënë deri në rrugën e vetme që lidh qytetin me plazhin e Currilave.
Qytetarët shprehen se kodra është shumë e vështirë që të rehabilitohet. “Këtu kemi qenë, e kemi parë dhe thamë se do bjerë prapë. Çfarë zgjidhje ka ajo, ku mbahet argjilja. Nuk mban, duhet ta kishin hequr nga lart, ta pastronin mirë dhe pastaj të vihej rrjeta. Të nguleshin hekurat, të bëhej një mur betoni më i lartë që të mos binte”, shprehen banorët.
Hasia
Edison YPI
Hasia, nëna ime, nuk ishte ndonjë amvisë a nikoqire kushedi se çë.
Hasia ishte tjetërlloj. Hasia, në gjak, në lëkurë, në thua, në ind, në qelizë, ishte Bejlereshë.
Hasia pinte kafe, tymoste cigare, rrëfente meselera të vjetra e të reja me të ikë mendja.
Hasia nuk kishte bërë shkollë të madhe. Ama Hasia linte me gojë hapur të madh e të vogël tek llafosej; nga Homeri tek Tolstoi, nga Çezari tek Çurçilli, nga Naim Frashëri tek Pushkini. Hasia ishte një magji e gjallë.
Hasien mahnitëse të gjithë e donin. Hasies së urtë të gjithë i faleshin. Fëmijët, të rriturit, ngatërrestarët, sherrxhinjtë, të pashkollët, të arsimuarit, të gjithë i kërkonin orientime, këshilla, zgjidhje.
Hasia nuk lexonte shumë apo pak. Hasia lexonte jo vetëm librat që i sillnim ne fëmijët, por gjithçka të shkruar që i shihnin sytë, i kapte dora, deri edhe copat e letrave në dysheme që ja kapte fshesa.
Hasia flise vetëm mirë.
Hasia nuk fliste kurrë keq për askënd.
Ata për të cilët Hasia duhej të fliste keq, për shembull për diktatorin që i burgosi djalin, Hasia nuk fliste fare. Vrasësit Hasia i injoronte me një heshtje dhe një përbuzje të barazvlefshme me pushkatimin.
Se si ja arrinte Hasia ta komunikonte tek bashkëbiseduesit përbuzjen asgjësuese për vrasësit pa ua përmendur emrat, është një sekret që s’ka për tu zbuluar kurrë. Atë sekret Hasia e mori në varr.
Të gjithë, nga më i madhi i fëmijëve e, deri tek më i vogli i nipave, Hasien e kemi dëgjuar gojëhapur dhe frymëndalur në gjunjë para saj si para Perëndisë.
Hasia ishte një Univers i pashterrshme vetpërmbajtjeje, mirsjelljeje, morali, urtësie, diturie.
Hasia ishte një katedrale madhështore përuljeje dhe respekti; për të diturin, të aftin, të talentuarin, të moshuarin, të sëmurin, hallexhiun.
Hasia ishte dhe një rrëfimtare e pashoqe.
Nga përrallat tek faktet e përditshmërisë, asgjë që rrëfente Hasija nuk mund të vihej në dyshim prej askujt.
E bija e Beut, Hasia, lindi e u rrit në Pacomit, një fshat i vogël në Luginën e Vjosës pranë Përmetit.
Kohështrirja e rrëfimeve të Hasies ishte “Ab aeterno”, e gjithë koha që nga fillimi i fillimeve, që kur koha ka nisur.
Gjeografia e rrëfimeve të Hasies ishte i gjithë planeti rrethepërqark nga Shqipëria në Shqipëri.
Për çfarë nuk rrëfente Hasia o Zot.
Për luftra, mbretër, perandorë, princër, ushtri të huaja, udhëtime, ndërlikime, fejesa, martesa, trashëgimtarë, gjithçka-gjithçka.
Por shumica e rrëfimeve të Hasies lidhej me Bektashizmin, Gjuhën Shqipe, Rilindjen, rilindasit, Naimin, Çajupin, Kristoforidhin etj.
Hasija nuk bëri universitet në Europë si mikeshat e saj bejleresha. Deshte, por nuk mundi. Ja si ndodhi;
Rushan Beu, pasi mbushi brezin me florinj, mori dy çupat e tij, Hasien dhe Shefikatin, nënën dhe tezen time, i hipi mbi kalë. Mbi një tjetër kalë hipi vetë, dhe u nis.
-Ku po i shpie çupat o Rushan Bej ? e pyeti një i njohur afër Këlcyrës.
-Në Europë, në Austri, në Vjenë, në Universitet, u përgjigj Rushan Beu.
-Mos e bëj atë gabim.
-Pse ?!
-Se do të bëhen kurva.
Rushan Beu u kthye.
Pikat kryesore të referimit në rrëfimet e Hasies ishin Teqetë. Kryesisht Teqeja e Alipostivanit pak mbi Pacomit, por edhe teqetë e tjera në Skrapar dhe Kolonjë.
Në rrëfimet e Hasies, Babai i Teqesë ishte njëkohësisht; Mbret, Sulltan, Vezir, Pasha’, Parlament, Kryeministër, President, Gjykatës suprem. Babai i Teqesë me vetëm pak fjalë zgjidhte problemet më të ndërlikuara që nuk mund t’i zgjidhte dot as shpata as jatagani, asnjë shtet, asnjë gjykatë, madje asnjë ushtri. Babai i teqesë i urdhëronte Bejlerët. Bejlerët s’kishin asnjë pushtet mbi Babain e Teqesë.
Hasia rrëfeu pa u ndalur me dhjetra vite deri ditën kur kaloi matanë.
Rama diskriminon Veriun
Voltana ADEMI
Zoti Kryeministër, shfrytëzoj mundësinë për t’ju bërë prezent disa shqetësime që lidhen me Shkodrën dhe zhvillimin e saj.
I. Zona e Shkodrës, më saktë e nënShkodrës është zona më e prekur dhe më e rrezikuar nga përmbytjet në Ballkan. Prej më shumë se dy vitesh në këtë zonë janë realizuar investime të papërfillshme në vepra kulluese apo pritëse. Nënvizoj se nuk është realizuar dëmshpërblimi i të përmbyturve me pagesat e detyrueshme referuar VKM për dëmshpërblimin nga përmbytjet, gjë që do të duhej të ishte kryer tashmë, si një e drejtë ligjore e secilit dhe përtej saj do të duhej që zona të përfitonte vazhdimin e investimeve në kuadër të studimeve dhe projekteve të parashikuara për minimizimin e pasojave të përmbytjeve, gjë që është harruar.
II. Sot, aktualisht në vitin 2016, Këshilli i Ministrave me VKM nr. 90, datë 04.02.2016 për shpërndarjen e fondit të investimeve për ujitje dhe kullim, përsëri Shkodra është diskriminuar duke marrë vetëm 2% të fondit total të investimeve për ujitje dhe kullim, më pak se të gjitha bashkitë. Ndërsa bashkitë Fieri (26%), Korçë (12%), Vlorë (11%).
III. Gjatë viteve 2014-2015, Shkodra është diskriminuar duke marrë përsëri vetëm 1% të fondit total të investimeve nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve krahasuar me bashki të ngjashme si Fieri (11%), Durrësi (10%), Vlora (18%), Korça (9%). II. Kemi aplikuar në fondet IADSA të konvertimit të borxhit të qeverisë italiane. I pashembullt është rasti i Shkodrës. Vetëm përfaqësuesi i qeverisë shqiptare në mënyrë të pashembullt insiston dhe insiston në kundërshtim me kriteret e vetëpërcaktuara për të skualifikuar projektin e Bashkisë së Shkodrës, me arsye fiktive, jo ligjore, diskriminuese, për çështje “vula shtrembër apo drejt”. Nuk kanë patur as durimin të verifikojnë dokumentet e aq më pak të lexojnë projektin!
IV. III. Duke u kthyer tek buxheti i këtij viti, dua të theksoj se procesi i transferimit të funksioneve të reja: ujitje dhe kullim, shërbimi zjarrfikës dhe sidomos shërbimi ujësjellës po zvarritet. Procesi nuk monitorohet dhe ka ecejake, tërheqje mbrapsht të procedurave, rezistencë për të kryer transferimin/detyrën e përcaktuar me ligj nga ministritë dhe drejtoritë përkatëse. Sigurisht kjo dëmton punën, dëmton shërbimin, shpenzon energji e kohë e mund të panevojshëm, pamundësi për ofrimin e shërbimeve.
V. Zoti Kryeministër, unë, ne, dëshirojmë që stadiumi i ri, vepër e rëndësishme për qytetin tonë, të realizohet në mënyrën më të mirë të mundshme, duke plotësuar të gjitha standardet e nevojshme, të kërkuara nga shteti shqiptar dhe nga UEFA, por në të njëjtën kohë, si kryetare e Bashkisë Shkodër, insistoj që interesat e qytetarëve të mi të mos cenohen, prandaj, do ju lutesha që të rishikojmë një tjetër mundësi, një tjetër opsion real, për të zhvendosur parkimin e kërkuar në fazën e dytë, në mënyrë që të shpëtojmë shtëpitë respektive, ku nënvizoj faktin që, kemi të bëjmë me vila disa katëshe, të ndërtuara dhe të restauruara kohët e fundit, po ashtu dhe me biznese që kanë punësuar mbi 20 persona. Duke u bazuar në standardet e kërkuara nga UEFA për klasifikimin e stadiumeve, stadiumi i ri, edhe nëse nuk i shtojmë parkimet e kërkuara në fazën e dytë, klasifikohet në kategorinë 4 të stadiumeve, duke u nisur për nga numri i parkimeve aktualisht të planifikuara dhe projektuara.
Në fq. 13, Artikulli 74, thuhet: Një minimum prej 150 vende parkimi për personat Vip, duhet të jetë i mundshëm në një zonë të sigurtë. – Në relacionin e Arkitekturës, (fq. 6) së projektit të parë të dorëzuar, specifikohet që numri i parkimeve të parashikuara në projekt është 210 dhe nga të cilat, parkimet Vip janë 150 (në projekt). Projekti fillestar i stadiumit, (pra, para se të shtoheshin këto parkime), ishte përgatitur duke respektuar rregullat e nevojshme për këtë kategori stadiumi. – Respektohen dhe distancat e kërkuara nga UEFA, respektivisht, fq. 2, artikulli 4, pika 6, thuhet, nuk duhet të ekzistojë asnjë objekt, më pak se 21 m, afër fushës së lojës. Në rastin tonë, objektet fillojnë në një largësi mbi 65 m nga fusha e lojës.
VI. 3. Dëmshpërblimi i parashikuar referuar VKM për çmimet e referencës së truallit dhe ndërtesës nuk përmbushin kurrsesi shpërblimin për llojin dhe cilësinë e objekteve në fjalë. Alternativa të mundshme të zhvillimit dhe mbështetjes së ndërtimeve dhe funksionimeve të parkingjeve me pagesë dhe krijimit të ambienteve të shërbimit në funksion të stadiumit me qëllimin për të siguruar vende të tjera shtesë për parkim mund të jetë një opsion që mund të mbështetet në të ardhmen.
VII. Në Qarkun e Shkodrës shkalla e korrupsionit në institucionet shtetërore vazhdon të jetë e lartë: Nënvizoj këtu, Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme apo institucione të tjera, në shëndetësi dhe arsim, që abuzojnë me të drejtat e njeriut dhe punësimin e tyre, duke marrë ryshfet.
VIII. Sot në Shkodër kemi heqje diskriminuese të njerëzve nga puna apo presion për shkak të vendit të punës. Trajtim i diferencuar i bëhet biznesit, duke e klasifikuar atë në të majtë e në të djathtë. Dikush paguan taksat e gjobën e dikush nuk i paguan taksat. Bashkia Shkodër mbetet e angazhuar të punojë për zgjidhjen e një mori problemesh dhe sfidash krijuar së fundmi dhe nga reforma territoriale, për të siguruar shërbime për qytetarët në një nivel më dinjitoz dhe në çdo pjesë të territorit të bashkisë. Për këtë kërkojmë një trajtim pa paragjykim nga qeveria shqiptare si pjesë e përgjegjësisë së përbashkët ndaj qytetarëve.
Blushi dhunohet edhe në mbledhjet e Grupit të PS
Eduart NDOCAJ
Jam shumë i shqetësuar për gjendjen në PS. Ajo është e trishtueshme, e dhunshme, e pamëshirshme dhe egër.
Vazhdon sulmi i pamëshirshëm kundër Blushit. Të gjithë kundër tij, sikur ai na qenka fatkeqësia e socialistëve, sikur të gjithë të këqijat na paskan ardhur nga Blushi. Madje, edhe dështimet në qeveri dhe problemet në parti i paskemi nga Blushi!!!
Sa e turpshme! Edhe sot, në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS të gjithë të pranishmit sulmuan pa mëshirë Blushin!
Përse e sulmuan??? Sepse, ato që thotë Blushi janë të vërteta e të pakontestueshme!
Asnjëri prej anëtarëve të grupit nuk mori guximin të shtrojë për analizë shpërthimin e Blushit!
Ndërhyrjet e sotme në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS ishin të gjitha militanteske kundrejt kryetarit, servilizëm kundrejt kryetarit dhe ushtarë të betuar të kryetarit.
Blushi ka një kontribut shumë të rëndësishëm në PS.
Ai s’e bën këtë për egoizëm personal, por edhe nëse e bën është krejt legjitime dëshira e tij për të bërë karrierë.
Blushi po kërkon të bëjë karrierë përmes konkurrimit, debatit, platformës dhe eksperiencës së tij si një senator i vjetër i PS.
Ndjehem i trishtuar se si Blushi sulmohet nga anëtarët e grupit parlamentar, pse ai ka guxim të thotë të vërtetat e mëdha në sy.
Sa keq!!! Shokët e tij, kolegët e tij, miqtë e tij për servilizëm dhe interesa qorre po e tradhtojnë atë në momentin më kritik të PS.
Askush nuk del e të marrë guximin të thotë se: Blushi duhet dëgjuar! Kaq e vështirë është të dëgjojmë një figurë si Blushi!
Blushi ndjehet i dhunuar politikisht, moralisht dhe mbi të gjitha edhe fizikisht.
Ai dhunohet në sallë dhe në mbledhjen e Grupit parlamentar të PS. Askush nga anëtarët e saj nuk del në mbrojtje të tij qoftë edhe në planin njerëzor.
Ky sulm e forcon edhe më shumë Blushin, sepse i vetëm po reagon e lufton kundër të gjithëve.
Madje, po sponsorizojnë mediatikisht për ta përjashtuar Blushin.
A thua problemi i të gjithëve na qenka pse e kemi akoma Blushin në mesin tonë?!
Pra, jemi të gatshëm të kemi një vlerë më pak! A thua sikur kemi vlera me shumicë?! A thua sikur PS në këto momente ka privilegjin të zgjedhë e të përzgjedhë! Ja e përjashtuam Blushin! Çfarë ndodh? A marrin fund kritikat?
Jo!!! PS po kalon një moment të vështirë dhe problemi nuk është Blushi!
Problemi jemi të gjithë ne që po e tolerojmë degjerimin e situatës në një skenë prej Koresë së Veriut.
A thua partia ka vendosur ta fusë Blushin në një kafaz me qenë të uritur?
Apo mos vallë partia ka vendosur t’i bëjë një proces të madh për ta ndëshkuar se e ka mendjen dhe penën shumë të avancuar!
Në këto momente të vështira që po kalon PS u bëj thirrje të gjithë figurave të rëndësishme që ka pasur PS që nga viti ’90 e deri më sot të përfshihen në këtë proces qoftë edhe përmes mendimeve dhe opinioneve.
Në këto momente të shterura me opinione, kemi shumë nevojë për ta! Shpresoj e ftoj të gjithë kolegët e Grupit parlamentar të reflektojmë e t’i marrim më shtruar dhe me qetësi proceset dhe problematikat.