35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Bashkia Kamëz, marrëveshje binjakëzimi me 5 bashki të vendeve të BE

Në Liberi të Italisë, në një ceremoni të shkëlqyer solemne, në prani të personalitetenve më të larta të të gjashtë bashkive nga vende të ndryshme evropiane, përkatësisht gjashtë kryebashkiakët, z. Xhelal Mziu (Kamëz, Shqipëri), z. Antonio Diana (Liberi, Itali), z. Carlo Montefusco (Roccamonfina, Itali), z. Andrea Maccarelli (Presenzano, Itali), z. Ilmārs Meluškāns (Riebini, Letoni) dhe znj. Ella Frīdvalde–Andersone (Vecpiebalga, Letoni), nënshkruan marrëveshjen e binjakëzimit në mes gjashtë bashkive, si fryt i përpjekjeve dhe angazhimeve të ndërsjella.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm në sallë tha se kjo marrëveshje e binjakëzimit shënon jo vetëm mbajtjen e marrëdhënieve të përhershme midis vendeve tona, por sidomos ndikon në realizimin dhe në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për shkëmbim të përvojave të të rinjve, një mundësi e shkëlqyer për pjesëmarrjen civile të të rinjve dhe vullnetarizmin, trajnimin e tyre, aplikimin për projekte të përbashkëta në Komisionin Evropian si dhe në aktivitete sociale, kulturore, artistike, sportive etj. Nënshkrimi i këtij akti binjakëzimi shënon një moment tjetër të rëndësishëm për Bashkinë Kamëz dhe për gjithë komunitetin e saj.

Reforma në drejtësi nuk do të dështojë

Donald LU

Kam një mesazh shumë të thjeshtë:
Nëse kjo reformë dështon, ju, anëtarët e këtij komisioni do të turpëroni njerëzit që ju kanë zgjedhur. Dhe, do të turpëroni marrëdhënien tuaj me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian.
Por fatmirësisht, ne nuk do ta lejojmë të dështojë. Vendi po shpreson që ju ta realizoni këtë reformë me sukses. Ne do t’ju ndihmojmë ta bëni këtë.
Dr. Smibert dhe Dr. DeVille janë ndër njerëzit më të mençur në profesionin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara. Ata, së bashku me kontributin tuaj dhe nën drejtimin e opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias, kanë përgatitur këtë draft përfundimtar të projektit të Reformës në Drejtësi.
Jam krenar të them se e mbështes atë, edhe pse nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara. Di gjithashtu, që askush nga ju nuk ka pasur mundësinë ta lexojë atë. E mbështes atë, sepse besoj në integritetin, njohurinë dhe paanshmërinë politike të këtyre dy ekspertëve ndërkombëtarë. Unë besoj në aftësitë e tyre dhe në dëshirën e tyre të sinqertë që Shqipëria të ketë sistemin gjyqësor më të mirë të mundshëm.
Ju bëj thirrje ta studioni këtë dokument. Ngrini pyetje dhe diskutoni mbi atë që do të gjeni këtu për t’u siguruar që t’i shërbejë më mirë popullit shqiptar. Në fund të ditës, ju kërkoj të gjithëve të votoni pro Reformës në Drejtësi.
Gjatë vitit të shkuar, kam parë znj. Merkel, znj. Mogherini, z. Hahn, z. Kerry dhe z. Obama t’i kërkojnë Shqipërisë ta miratojë këtë reformë.  Nuk kam parë kurrë mbështetje të tillë nga aleatët tuaj më të afërt për asnjë temë tjetër. Të gjithë e pranojmë sa e rëndësishme është kjo për të ardhmen e Shqipërisë.
Por më shumë se kaq, ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë. Nëntëdhjetë e një për qind e mbështesin këtë reformë. Mendojeni pak. Shqiptarët nuk bien dakord për shumë gjëra e megjithatë 91 për qind mund të bien dakord se vendi ka nevojë për këtë reformë.
E mëshiroj partinë e verbër politike apo udhëheqësin e shurdhët politik që e bllokon këtë reformë. E para, do të dështoni nëse kërkoni ta bllokoni këtë reformë. E dyta, do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare, nëse mendoni se mund të mbroni gjykatësit dhe prokurorët e korruptuar, duke e bllokuar këtë reformë.
Së fundmi, i kërkoj komisionit të mbështesë një kalendar, një kalendar të vërtetë për miratimin e kësaj reforme në këtë komision deri në fund të majit dhe në Parlament deri në fund të qershorit.
Ndaloni lojërat politike dhe filloni ta përfundoni këtë reformë. E keni për detyrë.

Kriza, 91 mijë biznese ulin qepenat, falimentime masive

Gati gjysma e bizneseve në vend kanë rezultuar me statusin pasiv sipas një selektimi që Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë në regjistrin e tatimpaguesve. Në kuadër të luftës ndaj informalitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar listën e tatimpaguesve me status pasiv, nga i cili rezulton se janë rreth 91 mijë biznese me këtë status.  Nga ky selektim i DPT rezulton që vetëm 50 e për qind e bizneseve të regjistruara  (rreth 180 mijë biznese) janë aktualisht aktive. Banka Botërore në kuadër të mbështetjes buxhetore për qeverinë shqiptare kishte rekomanduar disa masa kundër evazionit fiskal.
Sipas Bankës rast tipik është regjistri i tatimpaguesve, kur një përqindje e madhe e tyre janë joefektive. Nga një verifikim që ju bë regjistrit tatimor, Banka Botërore ka gjetur në fillim të vitit 2014 se, rreth 28 për qind e bizneseve janë joefektive. Por tani kur Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka nisur publikimin e regjistrit pasiv të bizneseve rezulton se, gjysma e tyre janë fiktive pasi kanë më shumë se tre vite që nuk kanë paguar detyrimet dhe kanë kaluar me status pasiv.
Pastrimi i regjistrit nga bizneset joefektive shihet si një masë e parë anti-evazion. Pas kësaj, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve duhet të krijojë një regjistër me bizneset që realisht janë tatimpagues. Më pas, institucionet financiare ndërkombëtare rekomandojnë që ky regjistër të administrohet në mënyrë rigoroze, duke i përjashtuar bizneset që nuk paguajnë për dy apo tre periudha tatimore rresht. Sipas rekomandimeve të Bankës, bizneset mund të futen sërish në regjistër vetëm, pasi të kenë shlyer detyrimet. Por, ndërkohë, askush nuk mund të verifikojë listën e pastër të bizneseve. Ndërsa lista tjetër e bizneseve jo korrekt mund të verifikohet fare lehtë, nëse spekulon me faturat e TVSH dhe kjo duhet t’i bëhet e ditur menjëherë publikut. Pjesa tjetër e bizneseve që janë në listën e “pastër” e marrin automatikisht rimbursimin e TVSH-së.
Ndërkohë, programi për kthimin e TVSH duhet për të kontrolluar, nëse furnizuesi nuk është në listë dhe do të paralajmërojnë tatimpaguesin se furnizuesi i tij nuk është i autorizuar të lëshojë fatura të TVSH-së. Ndërkohë dogana nuk duhet të përpunojë importet ose eksportet për tregtarët që nuk janë në regjistrin e pastër.

Halimi: Asnjë kompromis me mazhorancën lidhur me kompetencat e Presidentit

Pas përfundimit të mbledhjes së Komisionit të Reformës në Drejtësi, deputeti demokrat, Eduard Halimi pohoi se opozita është e gatshme që draftin final ta miratojë javën që vjen. Deputeti demokrat, Halimi theksoi se draftit duhet t’i bashkëngjitet dhe ligji për ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe ligji për hetimin e gjyqtarëve. “U bë paraqitja e drafti nga ana e dy ekspertëve. Draft, i cili synon të hedhë në letër draftin përfundimtar të ndryshimeve kushtetuese për diskutimet që janë bërë në këtë kohë. Dua të them në emër të opozitës se lidhur me komponentin 9 të korrupsioni që ka të bëjë me ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit, opozita ka dhënë dakordësinë e saj në parim, pasi drafti i fundit ndryshon nga drafti i shtatorit. Ne japim dakordësinë tonë në parim. Lidhur me ngritjen e institucioneve të reja për mënyrën e funksionimit dhe luftën ndaj korporatizmit, në draftin e shtatorit dhe të janarit mungon. Ne sot morëm draftin dhe deri ditën e hënë do të shqyrtojmë nëse drafti final i paraqitur sot respekton të gjithë vendimet. Jemi gati ta votojmë që javën tjetër, së bashku me Ligjin për Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ligjin e hetimit të gjyqtarëve”, theksoi Halimi. Nga ana tjetër ai tha se, Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë kompromis me mazhorancën lidhur me kompetencat e Presidentit. “PD s’do të pranojë asnjë rast që të preken kompetencat e Presidentit”. Kjo është çështje e panegociueshme. Ai tha se PD do të prezantojnë sot në Kuvend qëndrimin e saj për Reformën në Drejtësi. Në mbledhjen e grupit u përcaktuan dhe folësit për seancën plenare mbi këtë çështje.

Sadriu merr tenderin tjetër 780 milionësh

“Alko IMPEX” e Sadri Abazit, një prej firmave që merr para e tendera në çdo drejtim, ka goditur disa herë në shenjë edhe në Bashkinë Librazhd. Falë ndërhyrjes së Taulant Ballës, që është shumë i afërt me këtë firmë, “Alko IMPEX” fiton tenderin për punime infrastrukturore në Librazhd, edhe pse oferta e tij është 250 milionë lekë më e lartë se e konkurrentit tjetër.
“Alko IMPEX” është kompania që është në pronësi të Arbër Abazit, nipi i deputetit socialist Sadri Abazi. Ka marrë 27 tendera në periudhën kohore nga viti 2014-2016 me një vlerë totale 1.5 mld lekë.
Deputeti demokrat, Luçiano Boçi në një deklaratë për mediat solli fakte të reja dje në lidhje me faktin se si zhvaten paratë publike nga deputetët e Ramës.
Boçi bëri të ditur se fondi limit është 790 milionë lekë, ndërsa Sadri Abazi bën ofertë me 780 milionë lekë dhe menjëherë shpallet fitues. “Ju mund të shihni në këtë dokument, se një operator tjetër ka ofruar 250 milionë lekë më pak për të njëjtat punime, por është skualifikuar. Pse? Sepse nuk ka garë. Nuk ka konkurrencë. Fituesi është i paracaktuar. Merr gjithë fondin limit dhe këto para ndahen mes oligarkëve. Ky është korrupsioni i pranishëm në çdo degë të qeverisjes. Kudo ku ka një fond, në zyrat qendrore të shtetit apo dhe në Bashki jo të mëdha si ajo e Librazhdit, shfaqen oligarkët që zhvasin e plaçkisin”, tha Boçi, ndërsa demonstroi para mediave dokumentin e tenderit. Ai theksoi se kjo është arsyeja pse qeveritarët dhe oligarkët majmen çdo ditë, shtojnë pasurinë e tyre, ndërsa çdo ditë e më shumë populli zhytet në papunësi, mjerim e varfëri.
Sadri Abazi është një nga të favorizuarit e Ramës në dhënien e tenderave. Në periudhën shtator 2013-dhjetor 2013, periudhë kur Rama nisi drejtimin e pushtetit nuk ka fituar ndonjë kontratë, në periudhën janar 2014-dhjetor 2014 ka fituar 11 kontrata. Në periudhën janar 2015-dhjetor 2015 ka fituar 16 kontrata. Pra, në total për këto periudha kohore, Abazi ka fituar rreth 27 tendera. Por kjo shifër është më e lartë se kaq, Abazi ka përfituar tendera nga institucionet publike edhe nga kompani të tjera, të cilat janë të tij, por të hapura në emra të familjarëve apo të afërmve të Abazit. Nga ana tjetër, Abazi krahas përfitimit të tenderave, vijon qetësisht të lartësojë ndërtimet e tij pa leje në mes të Tiranës.

Tendera pafund e ndërtime pa leje për Sadri Abazin

Numri i tenderave të përfituara nga Sadri Abazi sa vjen dhe rritet ashtu si edhe ndërtimet pa leje të tij sa vijnë dhe lartësohen. Në harkun kohor të vetëm dy viteve, ndërtimet e paligjshme të Sadri Abazit, të cilat janë objekte shumëkatëshe kanë rritur ndjeshëm sipërfaqet e tyre të ndërtimit. Sadri Abazi kryeson në listën e ndërtuesve që po zaptojnë çdo sipërfaqe me ndërtime të paligjshme.
Një ndërtim 6-katësh i paligjshëm tek “Zogu i Zi” ka zaptuar pronën private të familjes tiranase dhe ka bllokuar diellin dhe ajrin e banorëve të pallatit mbrapa.
Pak muaj më parë, në vend që të prishej, Abazi i bëri edhe meremetimet sipas qejfit ndërtimit të paligjshëm, por shteti ishte i zënë dhe nuk pa asgjë. Por nga ana tjetër, një ndërtim i paligjshëm përgjatë autostradës që hodhi shtat menjëherë me qeverisjen e Edi Ramës dhe i mbrojtur në paligjshmëri nga ky i fundit vijon të lartësohet nga Abazi. Lista e ndërtimeve pa leje të Abazit është e gjatë, një ndërtim i paligjshëm (shtesë kati) në njërin nga 6 pallatet e paligjshme të ndërtuara në zonën e gjelbërt ish-Fidanishtja e Luleve të Tiranës.
Shtesa e katit filloi para një muaji dhe tani është në përfundim. Nuk dihet sa ka ndarë me Edi Ramën.
Ndërtimi pa leje i deputetit të PS, Sadri Abazi në zemër të Tiranës, nuk preket as nga Lame i ALUIZNI-t dhe as nga drejtoresha e INUK, Dallëndyshe Bici, ndërsa ruspat shembin shtëpitë e fukarenjve dhe të njerëzve pa përkrahje. Deputeti i PS, Sadri Abazi, ka kryer dhjetëra ndërtime pa leje dhe askush nuk guxon që të shembë qoftë edhe një ndërtim të jashtëligjshëm të tij.
Abazi ka 5 pallate të paligjshme tek ish-serrat e Stacionit të Trenit, për të cilat ka vendim prishjeje nga INUK-u, por nuk prishen. Ka një 6-katësh të paligjshëm në tokë të familjes Gjinali tek “Zogu i Zi”, veç 2 metra para pallatit 8-katësh.
Një 6-katësh në autostradë, veç 20 metra nga rruga. Po ashtu, Abazi ka ndërtuar një pallat pa leje në një nga zonat më të bukura të plazhit të Golemit.

Arben Shahini

A u manipuluan shenjat e gishtave të Frrokut për të bllokuar ekstradimin?

Të dhëna të reja tronditëse po dalin në lidhje me lehtësitë që Edi Rama i ka ofruar deri në fund aleatit politik, Arben Frroku, të dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj. Partia Demokratike drejtoi dje disa pyetje në lidhje me manipulimin nga ana e autoriteteve shqiptare të shenjave të gishtave të Arben Frrokut, lidhjen e kësaj ngjarjeje me vonesën e procedurës për ekstradimin e Frrokut nga Holanda drejt Shqipërisë, si dhe manipulimi i kartelës së Frrokut nga ana e policisë shqiptare.
“A janë manipuluar nga autoritetet shqiptare shenjat e gishtave të Arben Frrokut në kartelën që shoqërojnë kërkesën për shpalljen në kërkim ndërkombëtar? A është dëmtimi ose manipulimi i shenjave të gishtave një nga arsyet se përse u vonua procedura e ekstradimit nga Holanda, të Arben Frrokut? A është urdhëruar policia të dërgojë në Holandë kartelë të re për Frrokun me shenjat reale të gishtave, pas denoncimit të z. Berisha?”, tha Alibeaj në deklaratën e tij për shtyp.
Alibeaj bëri të ditur se në rastet kur shenjat e gishtave në kartelën e dërguar nga autoritetet e Interpolit janë të pavlefshme, atëherë Policia e Shtetit që ka kërkuar shenjat nuk mundet kurrsesi që të nisë procedurat e ekstradimit.
“Kur kartela me shenjat e gishtave që krerët e policisë dërgojnë në qendrën e Interpolit është e pavlefshme, atëherë policia e një vendi tjetër nuk mund të nisë procedurat e ekstradimit pasi konfirmimi i identitetit bëhet i pamundur. Edhe 1 javë kohë i duhej aleatit të Edi Ramës, t’i shpëtonte policisë holandeze e të fitonte sërish lirinë. Këto nuk janë thjesht dyshime për një rast të lidhjes së krimit me pushtetin, por janë pikëpyetje që vënë në dyshim Edi Ramën dhe qeverinë e tij”, tha Alibeaj.
Ai i bëri thirrje Prokurorisë të hetojë çdo detaj të këtij rasti, ndërsa tha se nëse vërtetohet manipulimi i gjurmëve të gishtave, Prokuroria duhet të nxjerrë autorët para ligjit. “Çfarë drejtësie mund të presim nga një Kryeministër që i shërben deri në fund krimit dhe krijon lehtësi për vrasësin e dënuar përjetë të një oficeri të lartë policie, që nga arratisja e tij e deri në rastin kur ndalohet nga një shtet europian. Është e qartë për çdo shqiptar se një Kryeministër që mbron krimin është garancia më e mirë se vendi nuk mund të njohë e të ketë drejtësi. Prokuroria duhet të reagojë menjëherë e të hetojë me imtësi këtë rast. Nëse vërtetohet manipulimi i gjurmëve të gishtave, Prokuroria duhet të nxjerrë para ligjit autorët dhe urdhëruesit”, tha Alibeaj.

Niset në Holandë kërkesa për ekstradimin e Frrokut

Niset në Holandë kërkesa për ekstradimin e Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e komisar Dritan Lamaj. Materiali voluminoz prej 120 faqesh dorëzuar nga Prokuroria e Përgjithshme është përgatitur brenda pak ditësh nga Drejtoria e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë pranë Ministrisë së Drejtësisë. Do të jenë autoritetet holandeze, të cilët do të vendosin për ekstradimin e Frrokut. Arrestimi i Arben Frrokut në Holandë, u mësua më 28 prill, ku qëndronte me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”. Frroku ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënonte atë me burgim të përjetshëm. Ai është akuzuar nga drejtësia shqiptare për vrasjen e ish-shefit të komisariatit të policisë Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të vitit 2013.

Basha: Pro reformës që jep drejtësi, dënon krimin e korrupsionin qeveritar

Partia Demokratike do të votojë një Reformë në Drejtësi që jep drejtësi dhe dënon krimin dhe korrupsionin e lidhur pandashmërisht me qeverinë. Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas deklaratës së Edi Ramës se PS-ja është gati për ta votuar Reformën në Drejtësi brenda javës. Me anë të një njoftimi për mediat, Basha thotë se “Rama ka 2 vite që gënjen ndërkombëtarët” duke zvarritur Reformën në Drejtësi.
“E ha turpin me bukë lideri global. Gati PS të votojë që këtë javë? Ka 2 vjet që gënjen. A nuk u tha të njëjtën gjë dhe Fules, Junckerit, Merkelit, Mogherinit, Kerryt, Hahnit?! Për 2 vite Edi Rama e vonoi, zvarriti dhe sabotoi me qëllim çdo përpjekje për një reformë të mirëfilltë në drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Mesa duket vazhdon vallen maskëçjerrë dorëpërdore me Koçon, Beqajn, Ahmetajn nga njëra anë, Shullazin, Tahirin, Ndokën, Prengën dhe Frrokët në anën tjetër. Partia Demokratike ka luftuar dhe do të luftojë, mbrojë dhe votojë një Reformë në Drejtësi që jep drejtësi dhe dënon krimin dhe korrupsionin e lidhur pandashmërisht me qeverinë e këtij që në 2 vjet iu vodhi 2.2 miliardë euro shqiptarëve”, shprehet Basha.
Në praninë e ambasadorëve të SHBA dhe BE, u mblodh dje Komisioni ad hoc për Reformën në Drejtësi. Drafti rreth 45 faqesh është propozuar nga ekspertët e EURALIUS e OPDAT, për të cilin ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu kërkoi miratimin sa më të shpejtë të tij.
Sipas ndryshimeve të propozuara, në nenin 125 të draftit, thuhet se Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, tre prej të cilëve emërohen nga Presidenti i Republikës, tre anëtarë emërohen nga Kuvendi dhe tre anëtarë emërohen nga mbledhja e përbashkët e Gjykatës së Lartë dhe e Gjykatës së Lartë Administrative, një institucion ky i ri. “Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese zgjidhen me tre të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kur në votimin e parë Kuvendi nuk siguron shumicën e kërkuar prej tre të pestave, brenda 30 ditëve nga paraqitja e listës së kandidatëve, kandidati i renditur më lart konsiderohet i emëruar”, thuhet në pikën 2, ku theksohet se ky propozim bazohet mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Sipas propozimeve, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese emërohen për 9 vite në këtë post pa të drejtë riemërimi.
Për sa i përket përzgjedhjes së kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, ekspertët ndërkombëtarë propozojnë që ai të zgjidhet me votim të fshehtë për një periudhë 3-vjeçare, pa të drejtë rizgjedhjeje. Në këtë pikë, parashikohet në mënyrë të detajuar mënyra se si zgjidhet. Neni 25, parashikon ndryshimet për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën e Lartë Administrative. Në këtë pikë, ekspertët theksojnë rastet kur mund të krijohen Gjykatat e posaçme dhe të Shkallës së Parë dhe të Apelit për veprat e korrupsionit kundër funksionarëve të lartë. Në këtë listë, përfshihet edhe Presidenti dhe ish-Presidenti, si dhe Kryeministri dhe ish-Kryeministri, si dhe kryetari i Kuvendit dhe ish-kryetari. Në draftin e paraqitur, parashikohet edhe mënyra se si zgjidhet prokurori i Përgjithshëm, i cili sipas propozimeve bëhet me 3/5-t e votave në Kuvend. Deri në miratimin nga Kuvendi, Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përzgjedh 3 kandidatura që shkojnë për t’u emëruar. Prokurori i Përgjithshëm, emërohet për një periudhë 7-vjeçare pa të drejtë riemërimi.

Paloka-Ramës: Trego dokumentet e koncesionit të stadiumit

Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i është drejtuar me një letër Kryeministrit Rama, si dhe Presidentit të FSHF Armando Duka, ku kërkohet transparencë në lidhje me projektin e stadiumit “Qemal Stafa”. Në letrën e tij, Paloka kërkon informacion dhe kopje të dokumentacionit të plotë zyrtar, duke përfshirë:
1- Projektin e miratuar nga KKT;
2- Kontratën e partneritetit publik-privat;
3- Kopje të procesverbalit të mbledhjes së shoqërisë anonime, ku pasqyrohet qëndrimi i mbajtur nga përfaqësuesit e shtetit;
4- Procedurat e ndjekura për përzgjedhjen e firmës fituese;
5- Dokumentacionin e plotë dhe procedurën e ndjekur nga KKT në miratimin e këtij projekti.
Partia Demokratike e ka denoncuar këtë rast si aferë korruptive, si një projekt që ka prioritet klientelën, qendrën tregtare, hapësirat e biznesit dhe jo sportin e qytetarët. Sipas planit të Edi Ramës, hapësirat për sportdashësit zvogëlohen, ndërsa zgjerohen hapësirat fitimprurëse të klientit. Në tenderin për projektimin dhe ndërtimin e stadiumit të ri kombëtar, i cili do të ngrihet në vend të stadiumit ekzistues “Qemal Stafa”, mori pjesë vetëm një kompani. Sipas njoftimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, kjo ofertë e vetme është bërë nga kompania shqiptare “Alb Star shpk” me qendër në Fier. Kompania nuk ka asnjë përvojë sadopak të ngjashme në fushën e ndërtimit të objekteve të këtij lloji. Ky fakt konfirmon dyshimet se ndërtimi i stadiumit të ri kombëtar është një aferë korruptive dhe klienteliste e Federatës Shqiptare të Futbollit me bekimin, në mos bashkëpunimin, e qeverisë Rama. Qëllimi i farsës së ndërtimit të stadiumit të ri kombëtar është në fakt të krijojë një qendër tregtare, e cila do t’i kalojë në pronësi private klientëve të qeverisë dhe drejtuesve të federatës.  Mënyra e organizimit të tenderit, termat antiligjore të referencës dhe mbi të gjitha formula e financimit të projektimit dhe ndërtimit të stadiumit përjashtonin, praktikisht, çdo lloj mundësie që në tender të merrnin pjesë kompani serioze e aq më pak kompani të huaja. Sipas formulës së tenderit, kompania që do të projektojë dhe ndërtojë stadiumin duhet ta financojë vetë të gjithë ndërtimin dhe për këtë nuk do të paguhet me para, por do t’i jepet në pronësi një pjesë e stadiumit e destinuar për përdorim tregtar. Për këtë qëllim, kompania duhet të projektojë e ndërtojë stadiumin si një vepër sportivo-tregtare, pa asnjë kufizim paraprak në sipërfaqen dhe destinacionin e pjesës tregtare.  Me fjalë të tjera, stadium i ri kombëtar do të jetë një godinë e kombinuar, mes një pjese sportive – fusha e futbollit, stendat për tifozët, dhomat e zhveshjes dhe disa dhoma të tjera për qëllime sportive – dhe një pjese tregtare që do të përfshijë dyqane, qendër biznesi, ndoshta hotel, etj., e cila do të jetë në pronësi private. Kjo lloj formule është, në fakt, e paligjshme pasi vendimi i qeverisë që ia kalon stadiumin Federatës Shqiptare të Futbollit e ndalon tjetërsimin e pronës për qëllime josportive. Stadiumi aktual “Qemal Stafa” dhe toka e tij është në pronësi të kompanisë “Qendra Spotive Kuq e Zi sha” (QSKZ), kompani e përbashkët mes Federatës Shqiptare të Futbollit (75 për qind) dhe qeverisë (25 për qind), e cila ka organizuar edhe procedurat e zhvillimit dhe tenderimit për ndërtimin e ri.

Maskat terror në Durrës, grabitet një pikë e transfertës së parave

Dy persona të armatosur dhe të maskuar grabitën pikën “Western Union” në Durrës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e djeshëm rreth orës 09:00 në lagjen nr.14 në Shkozet, ndërkohë që në dyqan në momentin e ngjarjes ndodhej vetëm një punonjës. Bëhet e ditur se dy persona me kokore në kokë dhe të armatosur janë futur nga dera e pasme në pikën e këmbimit valuator dhe nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin të gjithë shumën e parave që ndodhej aty.
Sipas burimeve, njëri nga maskat i ka vënë armën në kokë punonjësit të pikës së këmbimit valuator, duke e detyruar që të hapë kasafortën dhe të dorëzojë të gjitha paratë. Pasi kanë marrë paratë, dy grabitësit janë larguar me një motor në drejtim të paditur për policinë.
Punonjësi i pikës së këmbimit valuator ka njoftuar menjëherë policinë, e cila shkoi në vendngjarje, por pa mundur të identifikojë dhe arrestojë autorët. Policia bëri të ditur se, gjatë grabitjes nuk ka patur persona të lënduar, ndërsa nuk saktësoi shumën e parave të grabitura.
Kjo është grabitja e katërt në vetëm pak ditë. Të dielën, një grabitje ndodhi në një banesë në Vlorë dhe në Shkodër, ndërsa të martën një grabitje tjetër ndodhi në Kuçovë, ku mbeti i plagosur edhe pronari i shtëpisë.
Dy persona të maskuar dhe armatosur janë futur në një banesë në qytetin e Kuçovës për të grabitur. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes së martë, në lagjen “11 janari” në këtë qytet. Sipas të dhënave paraprake, dy autorët, kanë tentuar të grabisnin banesën në pronësi të shtetasit me iniciale F.SH, i cili për pasojë ka mbetur i plagosur, pasi është përleshur me një nga agresorët. Ka qenë kryefamiljari dhe djali i tij, ai që kanë parë grabitësit me maska, ndërsa i kanë bërë këtyre të fundit rezistencë.
Ndërkohë, në Vlorë tre persona të maskuar dhe të veshur me uniformë të ngjashme me ato të policëve, terrorizuan një familje në qytetin bregdetar. Denoncimi u bë nga familjarja Lida Beqiraj, e cila thotë se ata i dhunuan burrin te shkallët. Ajo ndodhej brenda në banesë bashkë me djalin e saj 8-vjeçar, kur autorët kërkonin me forcë të hapej dera. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Isa Boletini”. Sulmi u bë në shkallët e katit të gjashtë të pallatit ku banonte familja Beqiraj, pranë Teatrit “Petro Marko”. Policia është vënë në dijeni për rastin, por ende nuk ka një të arrestuar për ngjarjen. Sipas burime thuhet se qëllimi i personave të maskuar ka qenë grabitja.
Ndërsa të dielën në Shkodër katër grabitës u futën në banesën e një biznesmeni për të grabitur. Kanë qenë komshinjtë e biznesmmenit që kanë njoftuar policinë, por megjithëse forca të shumta policie kanë shkuar dhe kanë rrethuar banesën, grabitësit kanë arritur të dalin nga banesa dhe të largohen nën hundën e policisë.
Një ditë më parë, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj reagoi për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi. Alibeaj deklaroi dje se një valë e paprecedent krimi ka mbërthyer vendin, duke goditur qytetarët në gjënë më të shtrenjtë, sigurinë për jetën dhe për pronën. “Ekzekutim në mes të Tiranës, grabitje me armë në Shkodër, grabitje dhe plagosje të pronarit të shtëpisë në Kuçovë, të gjitha në harkun e disa orëve, janë dëshmitë tronditëse të fuqizimit të krimit dhe rënies së shtetit. Më shqetësuese është lehtësia me të cilën kryhen këto akte të rënda, çka tregon se krimi nuk parandalohet më dhe më keq akoma, reagimi i policisë pas ngjarjes nuk është eficent, kështu që kemi çdo ditë një vrasje më shumë pa autor, çdo ditë një grabitje më shumë pa autorë. Kjo situatë po i nxjerr qytetarët gjithnjë e më të pambrojtur, gjithnjë e me më pak besim tek policia. Por sigurisht nuk është faji i trupës së oficerëve, i burrave dhe grave në uniformë”, tha ai. Situata në vend vazhdon të jetë dramatike, ku krimi po ushtron pushtetin e tij, duke e bërë jetën e qytetarëve të pasigurtë ashtu si edhe pronën e tyre. Brenda kësaj jave kanë ndodhur katër grabitje dhe një vrasje në mes të Tiranës, ndërsa asnjë nga autorët nuk është ndaluar nga policia.

R.POLISI