30.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Arrestohet në Greqi për grabitje shoferi i Ramës

Zbulohet emri i shoferit të Ramës që u arrestua në Greqi. Ai është Kamber Ferati, 34 vjeç, i cili është arrestuar më 20 prill të këtij viti në Greqi me akuzën e grabitjes. Lajmi u mësua nga mediat shqiptare vetëm gjatë ditës së djeshme, për shkak të një deklarate të fortë që i arrestuari kishte dhënë për policinë: Jam shofer i kryeministrit të Shqipërisë.
Por Transparenca.al ka reaguar në lidhje me lajmin e publikuar një ditë më parë në mediat greke ku një person i arrestuar ka deklaruar se është shoferi i kryeministrit shqiptar Edi Rama. Personi në fjalë po hetohet në shtetin fqinj për grabitje.
Nga një vëzhgim në internet, por edhe në rrjetin social Facebook, Kamberi rezulton të jetë mjeshtër i karatesë. Ai ka ndjekur trajnime artesh marciale, dhe në Facebook shkruan se është drejtor i përgjithshëm i “WTKA Albania Karate”, komiteti i forcave të sigurisë dhe truprojave.
Talenti i tij është bërë edhe objekt i kronikave në mediat shqiptare në vitin 2014. Nuk dihet përse shqiptari i arrestuar tashmë për grabitje, të ketë bërë deklaratën se është shofer dhe truprojë i kryeministrit Edi Rama. Vetë zyra e shtypit pranë Kryeministrisë e ka mohuar këtë fakt.
Fillimisht lajmi u publikua në një media lokale në Kallamata të Greqisë, “Tharros News”. Kjo media raportoi për arrestimin e një shqiptari për tentativë vjedhjeje, i cili kishte deklaruar se kishte shërbyer si shofer në grupin e truprojave të kryeministrit të Shqipërisë. Fillimisht vëmendjen e medias e ka tërhequr prania në Gjykatën e qytetit e avokatit të njohur grek Aleksis Kougias, që është paraqitur si avokat mbrojtës i shtetasit shqiptar. Në fakt, gjyqi nuk është zhvilluar për shkak të grevës së tejzgjatur të avokatëve grekë.
“Sipas deklaratës së vetë të pandehurit, ai ka qenë shofer në truprojën e sigurisë të kryeministrit shqiptar”, citon “Tharros News”. Burime pranë Policisë së Kallamatës që u pyetën nga ABC News nuk pranuan të jepnin të dhëna për identitetin e shtetasit shqiptar që po mbahet në paraburgim. Gjithsesi, diçka më shumë do të mësohet nga muaji korrik, kur është caktuar të gjykohet çështja në fjalë, siç bën të ditur media e qytetit të Kallamatas.
“Lajmi nuk ishte më tentativa e grabitjes, as edhe fakti që i burgosuri kishte për avokat, mbrojtësin e njohur Aleksi Kougia, por fakti që i burgosuri ka deklaruar se është shofer dhe truprojë i kryeministrit të Shqipërisë”, citojnë mediat greke. Ato shtojnë se, “detaje të mëtejshme do të dalin në korrik 2016, kur edhe të nisë procesi gjyqësor.
Ndërkohë, Kryeministria u mundua ta fshehë arrestimin e shoferit të Ramës në Greqi. Portali informativ pranë Kryeministrisë Transparenca.al përgënjeshtroi lajmin e publikuar në mediat greke dhe më pas edhe në ato shqiptare. “Në përgjigje të artikullit të publikuar në disa portale sqarojmë, se deklarata e personit të arrestuar në Greqi se ai është shoferi dhe truproja i Kryeministrit Edi Rama është e pavërtetë dhe e pabazë”, shkruan Transparenca.al. “Personi në fjalë jo vetëm nuk është shofer apo truprojë i Kryeministrit Edi Rama, por as nuk ka qenë ndonjëherë në ndonjë detyrë apo i njohur i qytetarit Edi Rama”, thuhet në reagimin e portalit informativ pranë Kryeministrisë Transparenca.al.

Çfarë shkruajnë mediat greke

Fillimisht lajmi u publikua nga media lokale “Tharros News”. Kjo media shkruante se, Kamber Ferati 34 vjeç, shofer dhe truprojë i kryeministrit shqiptar, oficer i Gardës është arrestuar për grabitje në qytetin e Kallamatës, Greqi. Sipas medias greke, në momentin e arrestimit në flagrancë 34-vjeçari shqiptar u ka treguar autoriteteve greke dokumentin e Gardës si ushtarak dhe shofer i kryeministrit shqiptar. Lajmi bëri bujë në shtypin grek dhe më pas u shndërruan në burim informacioni për mediat shqiptare. “Avokati më i shtrenjtë grek në mbrojtje të shoferit të kryeministrit shqiptar i arrestuar për grabitje”, shkruante një nga mediat greke.
Fillimisht vëmendjen e medias e ka tërhequr prania në Gjykatën e qytetit e avokatit të njohur grek Aleksis Kougias, që është paraqitur si avokat mbrojtës i shtetasit shqiptar. Në fakt, gjyqi nuk është zhvilluar për shkak të grevës së tejzgjatur të avokatëve grekë. “Sipas deklaratës së vetë të pandehurit, ai ka qenë shofer në truprojën e sigurisë të kryeministrit shqiptar”, citon “Tharros News”.

Taulant Balla liron nga burgu bandën e prerjes së pyjeve

Deputeti i PS, Taulant Balla liron nga burgu bandën e prerjes së pyjeve në Librazhd. Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një mesazh në Facebook si një qytetar denoncon deputetin e PS. Taulant Balla për lirimin nga burgu një njeriun e tij, i cili ishte ndaluar disa herë nga policia për prerje të pyjeve. Berisha shkruan në Facebook se, qytetarët dixhital denoncojnë prerjen masive të pyjeve në Librazd nga banda që mbrohet direkt nga Taulant Balla, i cili me sa duket ndan fitimet me këto banditë! “Kurse fotografi dixhital dërgon foto ku provon batërdinë në pyje pas moratoriumit, nën kujdesin direkt të Ballës, që lë në bixhoz pothuaj çdo ditë mijëra e mijëra euro. Mesazhi dhe fotot flasin vetë. sb”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit nga Librazhdi.
“Mirëmbrëma zoti Berisha. Po të dërgoj të dhëna të reja për Flamur Veizin, Rrushin. Djali i tij bashkë me bandën që na sulmoi 11 muaj më parë, e kapi policia me lëndë drusore dhe me ndërhyrjen e deputetit Balla e lëshoi. “Prrenjas, vijon operacioni “Roja e Gjelbër”, sekuestrohen 13 metër kub lëndë drusore, kapen dhe ndalohen nga policia dy shtetas. Pas 11 muajsh Dorian Rrushi (Veizi) rishfaqet me lëndë drusore, por që më pas lihet i lirë. 20 prill 2016 Prrenjas, vijon operacioni “Roja e Gjelbër”, sekuestrohen 13 metër kub lëndë drusore, kapen dhe ndalohen nga policia dy shtetas. Në zbatim të moratoriumit për pyjet dhe në bazë të masave të marra, me institucionet e tjera, specialistët e sektorit Kundër Krimit Ekonomik dhe Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Specialistët e Stacionit Policor Prrenjas, bënë ndalimin e shtetasve: Leonard Hoxha 38 vjeç, banues në fshatin Dritaj Prrenjas. Dorian Rrushi, 25 vjeç, banues në fshatin Stravaj Librazhd.
Këta shtetas, u ndaluan nga efektivat e policisë, gjatë ditës së djeshme, pasi në afërsi të fshatit Dritaj Librazhd, me kamion, transportonin rreth 13 metër kub lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. Lënda drusore, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprime të mëtejshme për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Prerja e paligjshme e pyjeve” parashikuar nga nenet 180 dhe 205 të Kodit Penal. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan”, shkruanin gazetat. Por është lënë përsëri i lirë nga policia, ku po ndiqet në gjendje të lirë detyrim paraqitje, kur ndërkohë është dhe moratoriumi i pyjeve. Kush është Dorian Rrushi, që policia e jep emrin me iniciale D.Rr? Dorian Rrushi është i biri i Flamur Rrushit (Veizit), që më 19 maj 2015 në fshatin Stranik të Librazhdit, i cili sëbashku me bandën sulmoi gazetarët dhe dy inxhinierët.
Dorian Rrushi është përmendur dhe në sulmin e organizuar më 19 maj të vitit 2015 në Stranik të Librazhdit, ndaj gazetarëve Agim Blloshmi i ABC News, Kristaq Binjaku “Agon Channel” dhe inxhinierëve pyjorë, Ahmet Mehmeti dhe Petrit Kuka, të cilëve ju kërcënua jeta në një sulm banditesk, pasi ishin duke realizuar një reportazh për prerjen e pyjeve në Stravaj të Librazhdit. Ngjarje, e cila vazhdon të ndiqet nga Prokuroria e Elbasanit, por që duket se po venitet. Në faqen e Policisë së Shtetit është dhënë me iniciale, ndërsa gazetat e kanë dhënë me emër”, përfundon mesazhi i qytetarit nga Librazhdi.

Enton DOÇI

Mark Frroku pranon vrasjen në Bruksel

Ish-deputeti Mark Frroku, përmes avokatit të tij, ka kërkuar gjykim të shkurtuar. Avokati i Frrokut ka bërë me dije se përmes këtij vendimi pranojnë aktet e Prokurorisë. Ish-Kryeministri Berisha e cilësoi dje këtë kërkesë si pranimin e krimit për të cilin akuzohet Mark Frroku. “Edvin Frroku u dorëzua, pranoi vrasjen, dëshmoi se Edi Rama është kryekriminel! Deputeti i Edi Ramës, Mark Frroku, që kishte mohuar me dhjetëra herë para mediave në Parlament dhe gjykatë krimin e tij të shëmtuar të ekzekutimit të të riut Aleksandër Kurti dhe implikimin e tij në trafik droge dhe prostitucioni, pranoi krimin e tij të shëmtuar dhe kërkoi gjykim të shkurtuar. Kjo ndodhi pasi kreu i krimit të organizuar në Shqipëri, Edi Rama u damkos dhe dështoi në mashtrimin e tij të pafytyrë për të mbuluar vrasjen e Frrokut. Rama, edhe pasi opozita lexoi në Parlament vendimin e dënimit të Frrokut për vrasje, deklaroi me dhjetëra herë se në grupin parlamentar të Partisë Siçiliste nuk ka vrasës. Kjo ndodhi pasi Edvin Frroku fshehu për muaj të tërë dokumentet e Interpolit belg që kërkonin Mark Frrokun të dënuar për vrasje në Bruksel. Kjo ndodhi pasi Holanda arrestoi mikun tjetër të Edvin Ramës, vëllain e Mark Frrokut, Arben Frrokun, të cilin Edi Rama e nisi jashtë dhe nuk e shpalli në kërkim ndonëse i dënuar përjetë me vendim të formës së prerë nga gjykata! Vëllezërit Mark dhe Arben Frroku janë vrasës, pra kriminelë, por Edi Rama, që bëri gjithçka të mbulojë vrasjet dhe krimet e tyre të shëmtuara e t’i shpëtojë nga zbatimi i dënimeve të dhëna nga drejtësia, është kryekriminel”, shprehet Berisha në një reagim në profilin e tij në rrjetin social Facebook.

IREX: Gazetarët nën presion nga grupet kriminale dhe policia

Organizata IREX arrin në përfundimin se gjendja e medias në Evropë dhe Euroazi, nuk ka ndryshuar në krahasim me vitin e kaluar.
Sipas Indeksit për Aftësinë e Medias që të luajë rolin e saj jetik si pushteti i katërt në një vend, përmbajtja e njëanshme, autocensura, ndikimi i Kremlinit dhe rënia e të ardhurave, kërcënojnë lirinë e medias në 21 vende në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, sipas analizës së IREX-it.
Në një sistem që i ndan vendet në katër kategori, Shqipëria dhe Kosova janë në grupin e tretë që i ka arritur pothuajse të gjitha objektivat për të pasur një media të lirë, por mund t’u duhet më shumë kohë që të arrijnë një ndryshim të qëndrueshëm.
Ndërsa Maqedonia është në një grup më poshtë, mes vendeve që i arrijnë objektivat vetëm minimalisht dhe ka pësuar rënie nga një vit më parë. Indeksi i saj është 1.62. Kategoritë që merren në shqyrtim në raportin që IREX e bën në bashkëpunim me USAID-in, janë liria e fjalës, shkalla e profesionalizmit, larmia e burimeve të lajmeve, menaxhimi i biznesit dhe mbështetja e institucioneve.
Indeksi mesatar për Shqipërinë është 2.55, i pandryshuar nga vjet, ndërkohë që për të arritur të gjitha objektivat duhet të ketë një indeks prej të paktën 3.01.

Liria e fjalës

Në raport thuhet se në vitin 2015, media në Shqipëri arriti me sukses të shmangte disa përpjekje për të ndryshuar kuadrin ligjor në dizavantazh të lirisë së shprehjes. Raporti përmend si shembull nismën e qeverisë për të ndryshuar Kodin Penal duke shtuar si shkelje të Ligjit “Shpifjen kundër një zyrtari të lartë ose të zgjedhur shtetëror”, që parashikonte një dënim deri në tre vjet burg.
Në raport thuhet se ky lloj legjislacioni do të ishte një hap prapa përsa i takon kuadrit të lirisë së shprehjes. Nga ana tjetër konsiderohet si pozitiv, reagimi i fuqishëm i medias dhe shoqërisë civile që e detyruan qeverinë ta tërheqë nismën.
Një tjetër çështje që shkaktoi debat ishte nisma parlamentare për t’iu imponuar ligjërisht administratorëve të portaleve elektronike, përfshirë faqet elektronike të gazetave, që të mos botojnë komente të lexuesve që prekin reputacionin e dikujt. Projektligji synonte të paraqiste amendamente për Kodin Civil. Megjithëse ka mendime që kjo çështje mund të zgjidhet përmes rregullave të brendshme të organeve të medias, ekziston shqetësimi se kjo është e vështirë të realizohet kur mungon një organizëm për të monitoruar zbatimin e Kodit të Etikës së Gazetarit.
Raporti vlerëson si hap pozitiv miratimin e Ligjit për “Njoftimin publik dhe konsultimin”, që detyron ata që hartojnë ligjet që të fillojnë procesin e njoftimit dhe konsultimit me publikun, para se të dërgohet variant përfundimtar në Parlament.
Megjithatë, sipas IREX-it, kuadri i përgjithshëm kushtetues dhe ligjor që mbron lirinë e shprehjes, mbetet një nga tiparet themelore në median e Shqipërisë.
Duke analizuar, procesin e licencimit, një nga problemet është kriza politike që ka paralizuar Autoritetin e Medias Audiovizuale, për shkak të konfliktit politik mes dy palëve politike, duke pasur parasysh strukturën dypartiake, që në vend që të sigurojë pavarësinë e ka bërë këtë institucion viktimë të presioneve politike.
Paneli arriti në përfundimin se hyrja në treg për organet e medias mbetet e lirë. Krimet kundër gazetarëve janë të rralla, por ndodhin ndonjëherë, shpesh në formën e presioneve dhe kërcënimeve nga grupe kriminale, keqtrajtim nga policia dhe fyerje nga ana e zyrtarëve të qeverisë ose politikanëve. Në raport përmendet mes të tjerash rasti i deklaratës së protestës së Unionit të Gazetarëve Shqiptarë për sjelljen ofenduese të Kryeministrit Edi Rama ndaj gazetares së “TV Klanit”, Erisa Zyka.
Në raport përmenden edhe kërcënimet ndaj gazetarit investigativ, Artan Hoxha.  Raste të tjera ishin sjelljet kërcënuese dhe agresive të dy deputetëve kundër një gazetari të “Top Channel”-it dhe një kameramani të televizionit “ABC”, si edhe kërcënimi ndaj gazetares së “Gazetës Shqiptare”, Aurora Koromani. Unioni ka denoncuar edhe raste të tjera kërcënimi dhe dhune ndaj gazetarëve lokalë.
Raporti arrin në përfundimin se Radio Televizioni Shqiptar mbetet krejtësisht i pareformuar, pasi Këshilli Drejtues i RTSH-së për më shumë se një vit nuk arriti të zgjidhte drejtorin e Përgjithshëm, për shkak të ndërhyrjeve të partive politike. RTSH-ja vazhdon, sipas pjesëtarëve të panelit, të funksionojë si televizion i çdo qeverie që është në pushtet.
Më 2015-ën, numri i çështjeve gjyqësore kundër medias dhe gazetarëve vazhdoi të ishte i ulët.
Në vitin 2015, organet e medias njoftuan për keqësimin e qasjes tek informacioni nga institucionet publike. Qasja ndaj informacionit është gjithashtu e vështirë në zonat që iu nënshtruan reformës administrative. Sipas ligjit për qasje në infomacion dhe institucione publike, rreth 80 për qind e informacionit duhet të jetë në dispozicion të gazetarëve dhe qytetarëve, pa pasur nevojë që ta kërkojnë. Megjithatë zyrat e informacionit nuk përgjigjen në mënyrë të përshtatshme, pasi dhënia e informacionit konsiderohet si privilegj dhe jo si detyrim ligjor.
Një nga problemet e tjera është zbatimi i standardeve për paprekshmërinë e pasurisë intelektuale.

Profesionalizmi në gazetari

Raporti kritikon ashpër standardet profesionale dhe arrin në përfundimin se gazetaria në Shqipëri i plotëson vetëm pjesërisht normat e pranueshme. Gjendja është edhe më e keqe në median lokale. Një tjetër problem sipas panelistëve është se gjithnjë e më shumë po hiqet dorë nga parimi i verifikimit të lajmeve me dy burime.
Hyrja në treg e Rrjetit për Gazetari Investigative në Ballkan (BIRN) në mars 2014, shihet si një zhvillim pozitiv.
Konkurrenca për të nxjerrë të parët lajmin, konsiderohet si një nga rreziqet për standardet pasi shihet shpejtësia dhe jo saktësia e lajmit. Media nuk vuan pasoja nga raportimi i pasaktë.
Po ashtu, presioni politik ul standardet e gazetarisë dhe çka e keqëson gjendjen është se disa pronarë mediash kanë lidhje të forta politike, çka ka sjellë si rezultat shfaqjen e gazetarëve partiakë, duke paraqitur një nivel tjetër të raportimit të njëanshëm. Megjithëse ekziston Kodi i Etikës, standardet nuk zbatohen mjaftueshëm. Problemi keqësohet sepse nuk ka një institucion që do të kërkonte zbatimin e standardeve etike dhe pasoja për ata që i shkelin vazhdimisht.
Panelistët bien dakord gjerësisht se autocensura është një praktikë shumë e përhapur tek gazetarët, kryesisht e drejtuar nga interesat e pronarëve të medias. Përndryshe gazetarët druhen se humbin vendin e punës.
Ky përfundim përputhet edhe me përfundimet e një ankete të BIRN-it.
Përveç autocensurës. Gazetarët dhe media janë të lirë të mbulojnë çdo lajm, sidomos në Tiranë.
Rrogat e gazetarëve janë të pamjaftueshme për standardet e jetesës. Nga ana tjetër mospagimi i gazetarëve për periudha të gjata kohore është tani një sëmundje kronike.
Media private duket më e përparuar sesa ajo publike, përsa i takon gazetarisë investigative, por investigimet mbeten sipërfaqësore, veçanërisht përsa i takon mbulimit të ekonomisë, arsimit dhe shëndetësisë.
Si përjashtime përmenden emisionet “Fiks Fare” dhe “Stop”.

Larmia e mediave

Përsa i takon larmisë së medias, raporti thotë se organet e medias janë të shumta dhe të larmishme, duke mbuluar gjithë spektrin politik.
Pas një dominimi prej vitesh të televizioneve që e dobësoi shtypin e shkruar, në dekadën e tretë shtypi përballet me konkurrencën e rrjeteve sociale, ku mbizotëron Facebook.
Nuk ka pengesa të natyrës politike në këtë drejtim, por sfida e vazhdueshme është ana ekonomike dhe mungesa e infrastrukturës. Ka grupe sociale që nuk i përballojnë shërbimet e medias private përmes platformave me kabëll dhe dixhitale.

Menaxhimi i medias dhe institucionet mbështetëse

Vështirësitë ekonomike e kanë detyruar median të përforcojë përpjekjet për të përmirësuar menaxhimin e brendshëm, si për shembull planifikimi i shpenzimeve për stafin, teknologjinë ose programet e bazuara tek burimet specifike financiare. Këto përpjekje kanë bërë të mundur që ato të përmirësojnë gjendjen financiare.
Ndërsa gjendja e medias së shkruar përshkruhet me terma fataliste, ndërsa televizionet kombëtare dhe ato lokale po investojnë shumë në teknologji moderne. Një shembull që përmendet është “Top Channel” me studiot e reja moderne.
Shpërndarja e reklamave nga institucionet publike vazhdon të bëhet në përgjithësi në bazë të klientelizmit politik.
Shoqatat e botuesve dhe pronarëve të medias ekzistojnë prej kohësh, por aftësia e tyre për të lobuar qeverinë ose Parlamentin është pothuajse joekzistente. Mungesa e ndikimit të tyre i detyrohet faktit që nuk funksionojnë si biznese të mirëfillta, por janë në shumicën e rasteve nisma individuale të pronarëve dhe jo misionerë të shtypit të lirë dhe janë të lidhur me median për shkak të fitimeve që mund të nxjerrin.

Ministrit nuk ka kush t’i shkruajë

Secretary of State for Education Michael Gove speaks to delegates during the third day of the annual Conservative Party Conference at the ICC in Birmingham, central England on October 9, 2012. AFP PHOTO/ANDREW YATES. (Photo credit should read ANDREW YATES/AFP/GettyImages)

Petrit KUÇANA

Nuk ishte aq i papritur ky sulmi i radhës (që nuk duket i fundit) i ministrit të Drejtësisë, Majkëll Gove ndaj Shqipërisë që duket nuk i ka “dëgjuar” (ose nuk ka dashur t’i dëgjojë) prononcimet e kryeministrit shqiptar në të paktën dy media.
Mbetet brenda çdo ngjyrimi stilistik edhe mos-harresa e ministrit Gove që të përmendë personazhe të filmave të Pitkinit, dhe nënvizimi i një fakti të dhimbshëm se, “Nga tërë të burgosurit në burgjet tona që vijnë në vendet e BE, dhjetë për qind janë nga Shqipëria”.
Ky “sulm” ndaj Shqipërisë duket si përmbushje tërësore e shabllonit shqiptar deri-diku të frikshëm se: “S’keni parë gjë akoma”. Nëse gazetari Ian Birrell gjeti gomarshitësin që në dy fjalitë e tij “dëshmoi” fukarallëkun në Shqipëri, prononcimi i biznesmenit për “pamundësinë” e investimit në Shqipëri duket se ka qenë vetëm fillimi i përmbysjes së çdo perceptimi (sadopak) romantik të britanikëve për Shqipërinë, si vendi i “dashuruar” me Pitkinin, ku tifozët pa problem mund të shijojnë birrat edhe në shishe qelqi…
Gjetjet “angleze” të kryeministrit Rama, për turizmin, futbollin apo përfshirja e rajonit, nuk i “bënë derman” ministrit Gove  që “mprehu edhe njëherë shpatën…
Nuk ka asnjë dyshim se hyrja e debatit në korridoret serioze, tashmë të thëna qartësisht nga ministri i Drejtësisë, ka thyer çdo iluzion sado “shqiptaro-dashës” të ndonjë britaniku dhe nuk lë asnjë hapësirë për të gjetur ndonjë dritëhije humori anglez. Nuk besohet që ka britanik që nuk shqetësohet, kur ministri i tyre i Drejtësisë, (pra jo një gazetar apo opinionist etj., etj) i mëshon rëndshëm faktit se, “një e dhjeta e të dënuarve në burgjet britanike janë shqiptarë”.
Natyrshëm më shumë se të gjithë, janë shqiptarët e Britanisë që e “mbajnë” këtë barrë, që ka ndikim të padiskutueshëm në çdo minutë të përditshmërisë së tyre. Që në momentet e para kur u shfaqën “Billbordat në makinat lëvizëse me flamurin shqiptar në majë të Backingham Palace” filluan reagimet ashtu spontane që nuk i kaluan caqet e ndonjë emaili shqetësues dërguar gazetës apo deputetëve të zonave të tyre. Duhet theksuar se, komuniteti shqiptar i Britanisë është ndër më të rinjtë dhe përgjithësisht të integruar (duke përjashtur të rinjtë e ardhur rishtaz që fatkeqësisht në një pjesë të madhe të tyre, janë bërë pjesë apo pre e krimit. Mbase duhet një studim tepër serioz dhe i gjithanshëm për këtë kategori që ndryshon tërësisht nga të ardhurit më të hershëm). Fatkeqësisht këtu në Londër nuk ka një “Lob” dhe gjithsecili nga ne e mban barrën e fajit. Shoqata më e vjetër e themeluar nga Edit Durham dhe Aubrey Herbert mbetet e kufizuar në aktivitetin e saj kryesisht artistiko-kulturor dhe një grusht deputetësh (All-Party Parliamentary Group for Albania) që së paku deri tani nuk kanë prodhuar ndonjë lajm sidomos për këtë situatë…
Por a mund t’i kërkohet një britaniku që të na “ndihmojë”, kur kemi dështuar të ndihmojmë veten tonë?
Thua do të shkruajë ndonjë rrjesht Ambasadori? Të konsultohet me përfaqësuesin e seksionit shqiptar, në Ministrinë e Punëve të Jashtme Britanike?
“The Ambassador is missing”
Edhe sot e kësaj dite, askush nuk flet se pse dreqin në Britaninë e Madhe, që nga tetori i vitit të kaluar nuk jemi të përfaqësuar me ambasador. Kaq e parëndësishme duket Londra? Thua qeveritarët u “mjaftuakërkan” me këshillimet e zotit Blair, falas ose jo… Të paktën formalisht një ambasador, (nuk do të prishte shumë punë po të ishte), qoftë edhe nga ata që i sjellin si shpërblim për punën…qoftë edhe ata që duan të shkollojnë fëmijët, apo për t’i shpëtuar shndërrimit të “Ambasadë-konvikte-ve”. Vërtet pse nuk kemi ambasador? A duhet t’i besojmë “gojëve të liga” se nuk kanë rënë dakord nga forcat politike udhëheqëse të Tiranës për “të zgjedhurin” ambasador në Londër, për shkak të shumë interesave (më e pakta që mund të thuhet) që paskërkan në Londër? Një precedent i tillë nuk ndodh as në vendet e botës së tretë…
Po sa është punuar për lobing-un? Nga një përllogaritje e thjeshtë kryeministri Rama ka qenë mbi dhjetë herë në Londër si kryeministër. (Pa përfshirë ministrat e tij, që ka raste që vijnë edhe për punë, se shopingjet e Londrës janë të famshme, se patjetër duhen vizituar edhe fëmijët e tyre që studiojnë në Universitetet më të mira britanike). Pra mbi dhjetë herë kryeministri ka ardhur në Londër dhe asnjëherë të vetme nuk ka takuar as shqiptarët e këtushëm, ose ata që presupozohen si përfaqësues, që nga pedagogët shqiptarë të universiteteve britanike apo profesionistët e tjerë që shkëlqejnë në fusha të ndryshme në Britani. I mblodhi ndonjë herë ata deputetët shqiptaro-dashës që të pinte qoftë edhe një çaj anglez me ta? I takoi avokatët më të shkëlqyer të çështjes shqiptare, që luajtën një rol historik para, gjatë, apo pas luftës së Kosovës, thjesht sa për t’u thënë faleminderit, apo të shkëmbente ndonjë batutë me ta? Se për lobe të biznesit etj., etj., duket nuk “është këshilluar” kaq gjatë.
Shkëlqimi i diplomacisë ka qenë “mosnjohja e disa ish-ambasadorëve duke përfshirë edhe atë të Londrës, që e lanë edhe pa shofer… që shënoi rastin e paprecedent në historinë e diplomacisë shqiptarë që nga themelimi i shtetit shqiptar më 1912.
Është më shumë se e frikshme, kur mendon se shteti shqiptar nuk jep fonde për ta festuar ditën kombëtare të Shqipërisë që festohet më 28 Nëntor, ku zakonisht ftohen të gjithë dhe siç ndodhi herën e fundit u organizua me sponsorizimin e disa biznesmenëve të këtushëm shqiptarë. Është tejet e neveritshme kur mendon se, një organizim i tillë kushton më pak se bileta dhe qëndrimi i një “shoqëruesi/je të Kryeministrit gjatë një vizite rutinë në Londër. E mbase do të jetë një leksion për diplomacinë shqiptare se lobingjet, (jo domosdoshmërisht kompani lobingu…falas ose jo) mbeten alfa e çdo diplomacie dhe se të paktën me Londrën nuk mund të bëhet shaka.

Rasti i stadiumit dhe 2 komente jo pa rëndësi!

Besnik ALIAJ

Çështja e stadiumit nuk është thjesht çështje historie apo fasade. Ajo është shumë më komplekse nga sa thuhet! Eshtë çështje qeverisje, ligjore, transparence, trashëgimie, urbanistike, garë e interesit publik, etj., etj … Unë s’kam ndërmend të merrem me këtë temë, pasi vendimi tashmë është marrë e le t’i dalin për zot ata që e morën. Fundja kush jam unë? Ndaj sot vetëm u uroj mbarësi atyre që e konceptuan dhe ligjëruan këtë ide!
Natyrisht Kombëtarja e meriton një stadium olimpik dinjitoz, por ky që u miratua qartësisht nuk është i tillë! Shkatërrimi i aneksave dhe i pistës atletike, janë oguri minimal për një zgjidhje gjysmake! Ndaj sot ndjej realisht keqardhje për atletikën shqiptare! Për fat të keq ata si pyeti askush! I ekzekutuan si sport dhe si federatë! Edhe Tirana si bashki e kryeqytet kish nevojë për një stadium dinjitoz që e përfaqëson në Europë. Por Bashkia për çudi vetëm hesht! Dhe titullari i saj duket se po vepron më shumë si nënkryetar.
Por përtej kësaj sot me njohuritë e mia modeste dua të nënvizoj diçka jo pa rëndësi: të shpallësh Sheshin “Nënë Tereza” hapësirë këmbësore dhe pastaj t’i fusësh stadiumin 30,000 vendesh + kullë e qendër tregtare, është si ta vësh dikë në gjumë me valium e qetësues, e pastaj t’i futësh trefazorin apo elektroshokun! Kjo do të ishte jo vetëm inkonsistencë në vendimmarrje, por më shumë ngjan me ekzekutim të qytetit edhe pse në kushte klinike! Eshtë thjesht një gabim i madh urbanistik që në koncept. Koha për fat të keq do ta provojë këtë që po them (uroj sinqerisht të jem unë gabim) në se ai stadium do ndërtohet një ditë! Aq më tepër kjo në një qytet pa transport publik e pa hapësirë publike dhe pa parkime!
Për stadiumin i ri olimpik, Tirana meritonte një vend më të mirë me sa shumë hapësirë, me akses e transport të mirë e të shpejtë! Ai duhet ta hapte zhvillimin e Tiranës me vizion si investim strategjik publik në një drejtim të ri alternativ, duke u bërë imazhi i ri estetik dhe brandi i ri arkitektonik i një kryeqyteti të ri europian të balancuar dhe integruar mes vetes më parë! Po kush dëgjon këtu? Ok atëherë ja lëmë kohës! Por do jetë me siguri një kosto e panevojshme për të gjithë! Madje mjerë ata që banojnë rrotull stadiumit, dhe jo vetëm ata! Mjerë Tirana për bllokimet që do ketë sa herë të ketë ndeshje e sherre! Imagjino pastaj të ketë ndonjë emergjencë largqoftë (se në kohë aktesh terroriste jetojmë)?! A ka vallë shans për plan B në atë hapësirëe tashmë pa ajër? Dyshoj sinqerisht! Uroj të jem vetëm gabim!
***
Pas incidentit në KKT dhe talljes me të drejtë në kor nga mediat dhe njerëzit, sot ndjej keqardhje të madhe për komunitetin e kolegëve arkitektë në Tiranë e Shqipëri. Heshtje totale dhe frikë për të thënë një mendim të lirë e të pavarur personal ashtu siç e ndjejnë! Jam i tronditur nga kjo heshtje shurdhuese 26-vjeçare! Dhe këtu se kam fare për zgjedhjet personale se si votojmë! Por e kam për heshtjen kur rriten taksat e profesionit, për deformimin e tregut, heshtje për garat e paracaktuara, heshtje për parkun, heshtje për qendrën, për parkimet, për stadiumin, licencat, etj, etj. Memeceri kolektive vetëvrasëse! Madje edhe kur dikush guxon të mendojë diçka ndryshe nga pushteti, tjetri ndërhyn me vrap e thotë të na fali pushteti se nuk ishim informuar!
Ehhhh mor vëlla e mik … Pse, Pse??? … Profesioni i nderuar i ARKITEKTIT kurrë s’ka qenë më shumë në krizë në këtë vend se sa sot! Dhimbje e madhe! Dinjiteti profesional dhe intelektual është rrënuar! Pasi mbeten anonimë nën dhunën e ndërtuesve për 2 dekada, sot arkitektët përfunduan edhe në fshirëse këpucë për të legjitimuar pushtetin e radhës! Nuk kam fjalë të shpreh trishtimin! Më vjen shumë keq për kolegët, edhe pse e di mirë që mes tyre ka shumë njerëz të mirë e të ndershëm! E di edhe që në këto kohëra që jetojmë nuk është e lehtë të mbahet familja me bukë e punë! Por po ju them se vjen një ditë që as puna e tillë, s’ka vlerë pa dinjitet! Nuk i hyn në punë as dreqit! Mungesa e dinjitetit dhe braktisja e interesit publik janë skamja e vërtetë, është skllavëri totale! Po ju them me modesti, por jo pa uluritur me dhimbje se që sot s’kemi më as shoqata, as komunitetet! Jemi veç një tufë egoistësh individualistë që padashur ose nga halli po keqpërdoremi nga pushteti i radhës, nga lejet e tenderat e një tregu të deformuar, pa patur kurajon të themi të vërtetën dhe të mbrojmë e respektojmë pa përçarje njëri-tjetrin, profesionin dhe sidomos interesin publik siç përpiqen disa komunitete të tjera profesionale e intelektuale.
Por edhe pse sot në dëshpërim unë e di mirë se pas krizës ka zakonisht një zgjidhje dhe ndryshim për mirë! Unë e di mirë se ka ende shpirtëra të lirë e dinjitozë në këtë komunitet, ku e ardhmja e këtij profesioni ende mbijeton. Njerëz mendjehapur dhe jo cingunë! Uroj që të jenë ata që do të kenë kurajon të riorganizojnë nga e para komunitetin dhe vlerat tona, duke risjellë besim e dinjitet në shoqëri për këtë profesion të vjetër e të bukur sa vetë jeta! ZGJOHU!

KE heq vizat për Kosovën

Komisioni Evropian i propozoi dje Këshillit të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian, heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe vënien e Kosovës në listën e vendeve me qarkullim të lirë. “Ne propozojmë liberalizimin e vizave për Kosovën. Propozimi është rezultat i Kosovës dhe punës së madhe në arritjen e kritereve. Ne do ta monitorojmë këtë proces nga afër. E dimë sa e rëndësishme është për qytetaret dhe jam shumë i lumtur që rekomandoj heqjen e vizave për Kosovën. Heqja e vizave, nuk do të thotë hyrje e lirë dhe e pakontrolluar e kosovarëve në BE”. Ka qenë kjo deklaratë e Komisionerit për Migrim dhe Çështje të Brendshme, Dimitris Avramopoulos, që ka shndërruar këtë ditë në historike për qytetarët dhe shtetin e Kosovës. Në raportin e sotëm të progresit, Komisioni konfirmon se Kosova ka plotësuar të gjitha kërkesat e udhërrëfyesit të tij për liberalizimin e vizave, që do të thotë se deri në miratimin e këtij propozimi Kosova do ta ketë të ratifikuar marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi dhe të ketë të forcuar regjistrin e të dhënave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Vendimi për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Shengen pritet të miratohet nga Këshilli dhe Parlamenti Europian. Lajmi është përshëndetur menjëherë nga kreu i Kuvendit Kadri Veseli, kryeministri Isa Mustafa dhe Presidenti Hashim Thaçi. “Kjo është një epokë e re, i jap fund izolimit ndërkombëtar të Kosovës, rrëzimi i murit të fundit të Berlinit në Evropë”, tha Veseli. “Nuk kemi fituar dhuratë, por kemi merituar liberalizimin me punën tonë të përbashkët. Kur punojmë bashkë, asnjë kufi nuk na ndal. Urime liberalizimi sot, urime edhe për UEFA dje. Javë historike”, ka shkruar Thaçi. “Urime Qytetarë të dashur! Rekomandimi pozitiv për heqjen e vizave është vlerësimi më i merituar për qytetarët e Republikës së Kosovës nga Bashkimi Evropian. Rezultatet e punës së Qeverisë çdo ditë e më shumë janë të prekshme për qytetarët e Kosovës, qytetarë të kontinentit dhe të vlerave evropiane” ka shkruar Mustafa. Për kryeministrin Edi Rama sot Bashkimi Europian u çlirua nga turpi. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan: “Tjetër lajm i gezueshëm për Kosovën rekomandimi i Komisionit për heqjen e vizave. Me ne fund BE-ja po çlirohet nga nje turp”. Reagime kanë ardhur edhe nga faktori ndërkombëtar, veçanërisht ata që kanë ndjekur nga afër rrugëtimin e Kosovës deri këtu. Komisioneri për Zgjerimin, Johanes Han, e ka përshkruan në twitter një shpërblim për kosovarët pas punës së tyre dhe refomave të ndërmara. Zëvëndes/Presidentja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, e quan dritë jeshile të  përfundimit të izolimit për Kosovën, edhe pse nuk harron ta nënvizojë si të vonuar vendimin. Entuziazmin për lajmin e mirë e ka shprehur edhe përfaqësuesi i BE-së në Kosovë Samuel Zbogar. “ Ndihem pjesë e krenarisë së Kosovës për këtë aritje, bashkë me shoqërinë civile, mediat, partitë politike e opozitën”, u shpreh ai. Qytetarët e Kosovës me pasaporta biometrike do të udhëtojnë  për  90 ditë  në vendet anëtare të BE-së, me përjashtim të Irlandës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe në 4 vendet jo anëtare të BE-së por pjesë e “Schengen”, si Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Praktikat korruptive, Beqaj bllokon informacionin për tenderat e koncesionet

Deputetja demokrate, Albana Vokshi denoncoi dje bllokun informativ që ka urdhëruar Ilir Beqaj për të mos dhënë informacion ndaj asnjë kërkese të opozitës në lidhje me tendera e koncesione korruptive. “Kryeministri Rama dhe ministri Beqaj, pasi ndanë 340 milionë euro me klientët e tyre në shëndetësi, kanë urdhëruar vartësit të bllokojnë çdo lloj informacioni. Këtu kam disa kërkesa për informacion të dërguara javët e fundit në Ministrinë e Shëndetësisë, QSUT, Fondin e Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Edhe pse afati prej 2 javësh, sipas Ligjit ‘Për statusin e deputetit’ ka kaluar, asnjë përgjigje nuk ka ardhur. Me anë të kësaj shkrese, i jam drejtuar ministrit dhe QSUT, në cilësinë e deputetes dhe kryetares së komisionit parlamentar, ku kam kërkuar informacionin për aparaturat e trajtimit të sëmundjeve tumorale. Por Beqaj dhe Drejtoria e QSUT mban në sirtar kërkesën bashkë me informacionin.
– Pse ministria nuk shpjegon për arsyet e mosvënies në punë të akseleratorit linear, inauguruar pak muaj më parë?
– Pse edhe pas vënies në funksionim para pak ditësh, vetëm 2 pacientë kanë kryer terapinë, ndërkohë që numri i pacientëve duhet të ishte mbi 50 në ditë?
– Pse ministria refuzon të dërgojë dokumentacionin e plotë të pajisjeve të kobaltit? Pse nuk shpjegon, se përse njëra prej pajisjeve sot është prishur dhe tjetra nuk funksionon ashtu siç duhet?
Kjo shkresë është dërguar më datë 19 prill, ku kam kërkuar informacion në lidhje me mungesat e të gjitha barnave dhe kurave për të sëmurët me HIV/AIDS, si dhe pasojat që mund të kenë të prekurit nga kjo sëmundje”, tha Vokshi. Në të dyja rastet, tha Vokshi, drejtuesit e QSUT-së bllokojnë informacionin. Ajo theksoi se nga frika apo bashkëfajësia, administratorja e QSUT shkel çdo afat kushtetues për të dhënë informacionin e kërkuar nga Parlamenti. “Por bllokada e informacionit vazhdon për të gjitha praktikat korruptive të firmosura nga ministri i tenderave dhe koncesioneve. Në disa shkresa radhazi, i kam kërkuar ministrit Beqaj praktikat e koncesionimit të 3 shërbimeve: sterilizimi, hemodializa dhe kontrolli periodik i shëndetit. Ministri ka refuzuar, në shkelje të ligjit, të dërgojë të dhënat e kërkuara. Beqaj fshihet, se skandali është i madh, vjedhja është e madhe. Me anë të kësaj shkrese më datë 13 prill, i kam kërkuar informacion të detajuar drejtueses së Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve Shëndetësore. Kam kërkuar të gjitha praktikat që janë kryer dhe pagesat për koncesionarin e check up. Por edhe ky institucion, ka refuzuar të japë informacionin, duke shkelur ligjin”, tha deputetja demokrate. Ajo theksoi se urdhri politik dhe korruptiv për të mbrojtur korrupsionin dhe Vilmën, sjell shkelje e paligjshmëri të reja. “Ndërkohë që aferat qindra milionëshe në shëndetësi vazhdojnë, spitalet janë në krizë totale, mungojnë ilaçet dhe pajisjet bazike. Partia Demokratike i bën thirrje edhe një herë drejtuesve të këtyre institucioneve të sjellin informacionin e kërkuar, siç parashikon ligji. Dita do të vijë kur Beqaj e njerëzit e tij me të cilët ka kapur shëndetësinë do të përgjigjen para ligjit për të gjitha këto krime që kanë bërë e po bëjnë ndaj qytetarëve. Partia Demokratike është e vendosur dhe do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për të zbardhur vjedhjet dhe abuzimet në shëndetësi”, tha Vokshi.

Bozdo: Rama shkatërroi hapësirat e gjelbërta, tani fshihet si struci

Ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Enno Bozdo ka reaguar për punimet tek parku i liqenit në Tiranë për ndërtimin e këndit të lojrave. Bozdo ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama si kryebashkiakun që betonizoi Tiranën dhe të njëjtën gjë, thotë Bozdo, po bën dhe me parkun e liqenit dhe kullën tek stadiumi ‘Qemal Stafa’. “Rama i shqetësuar për Parkun ?! Çfarë komedie…Pasi ndërtoi kudo duke shkatërruar çdo hapsirë të gjelbër, manjaku i betonit tashmë kërkon të fshehë kokën si struci. Siç po bën me betonizimin e parkut, me kullën e stadiumit, me kullën  te aneksi i Qemal Stafës, si dhe me kullat që do ndërtojë në qendër të Tiranës. Dhe njësoj si lejet e djeshme që po prish,  lejet e sotme për kulla na i shet për zhvillim” shprehet Bozdo.

Vendi më i korruptuar, demokracia më keq se në 2007, blerje votash

Shqipëria rezultoi me një pikësim prej 4.14 për progresin demokratik në vitin 2016, duke mos shënuar ndryshim në raport me vitin e mëparshëm dhe duke qenë më ulët se në periudhën 2007-2011, kur ky tregues ishte poshtë nivelit 4. Treguesi është publikuar nga Freedom House dhe renditja bazohet në një shkallë nga 1 në 7, ku 1 përfaqëson nivelin më të lartë të progresit demokratik dhe 7 më të ulëtin. Për Shqipërinë raporti është përgatitur nga Besfort Lamallari.
Shtëpia e Lirisë, organizata amerikane, e cila monitoron dhe mat ecurinë e demokracisë në të gjithë botën, publikoi sot raportin e saj “kombe në tranzicion”, i cili përqendrohet te zhvillimet në botën post-komuniste të Europës Qendrore dhe Lindore.
Vlerësimi i Freedom House për shtatë fusha, Qeverisja Demokratike, Proceset Elektorale, Shoqëria Civile, Media e Pavarur, Qeverisja Demokratike Vendore, Drejtësia dhe Korrupsioni. Shqipëria vlerësohet më mirë me 3 pikë një fushën e Shoqërisë Civile dhe më keq në fushën e korrupsionit me 5.25 pikë.
Për vlerësimin e vitit 2016 ka pasur dy ndryshime, në indeksin e Procesit Elektoral, ku vlerësimi u përmirësua nga 4 në 3,75 pikë si dhe në treguesin e medias së pavarur, ku vlerësimi u përkeqësua nga 4 në 4.25 për qind.
“Dita e zgjedhjeve dhe procesi i numërimit qenë të qeta dhe pa akte dhune, të cilat zakonisht shoqërojnë zgjedhjet në Shqipëri”, shkruhet në raport, duke iu referuar zgjedhjeve të vitit 2015, ku ndryshimi i hartës elektorale dhe faktorë të tjerë e pakësuan garën reale në shumicën e njësive të qeverisjes vendore, duke ndihmuar edhe në pakësimin e tensioneve, me përjashtim të disa bashkive si Vora apo Shkodra.
“Shqetësimet mbi blerjen e votave, votimit në grup dhe aludimet për presion politik, gjithsesi, vijuan. Këto shqetësime të vjetra, si dhe rregullat joefikase të financimit të fushatave elektorale e mungesa e transparencës, mbetën probleme të patrajtuara deri në fund të vitit”, vijon më tej raporti.
“Vlerësimi për procesin elektoral u përmirësua nga 4 në 3.75 për shkak të tonalitetit të përmirësuar të fushatës, ditës paqësore të zgjedhjeve dhe numërimit relativisht të shpejtë dhe pa probleme madhore”, shkruhet në raport.

Media shkon më keq

Anësia politike e televizioneve qe veçanërisht e dukshme gjatë zgjedhjeve të fundit. Televizionet mbeten burimi kryesor i informacionit politik, por interesat tregtarë dhe politikë të pronarëve të televizioneve shpesh ndikojnë te raportimi. Vetëcensura dhe komformizmi dëmtojnë pavarësinë editoriale dhe pluralitetin e këndvështrimeve. Ndërsa disa gazetarë investigativë raportojnë me integritet dhe kurajë, në një vend me korrupsion të gjithëpërhapur dhe pandëshkueshmëri të elitave, këto gazetarë mbeten një përjashtim nga rregulli”, vijon më tej raporti.
Në përgjithësi, politizimi i pothuajse çdo çështjeje si dhe shkëmbimi i shpeshtë i akuzave personale nga figurat politike kanë zhvendosur vëmendjen e publikut nga çështje të rëndësishme, të tilla si mirëqenia ekonomike dhe shoqërore e qytetarëve, përfaqësimi i tyre politik dhe cilësia e drejtësisë.

Demokracia vendore, ende në pritje

Demokracia vendore, një fushë ku Shqipëria ka pasur vlerësim relativisht pozitiv në vitet e shkuara, nuk pësoi ndryshim në vlerësim, duke sinjalizuar se reforma administrative dhe territoriale do të duhet të shoqërohet me procesin e decentralizimit fiskal dhe administrativ, proces që nuk është se ka ecur siç pritej. Qeveria vlerësohet se nuk ka bërë hapa domethënës në decentralizimin fiskal, pasi bashkitë e reja kanë efektivisht të njëjtat hapësira ligjore në këtë fushë siç i kishin njësitë e vjetra. Premtimet e qeverisë për luftën kundër korrupsionit nuk kanë bindur gjithashtu Freedom House, ashtu si nuk ka pasur përmirësim as treguesi i qeverisjes kombëtare demokratike.
Vlerësimi për demokracinë shqiptare qe në pikën më të mirë në vitet 2007-2009, kur anëtarësimi në NATO, shpresat për integrim të shpejtë në Bashkimin Europian si dhe disa reforma në luftën kundër korrupsionit dhe transparencën e biznesit, dhanë pikë pozitive. Gjithsesi, vlerësimi për Shqipërinë mori të tatëpjetën pas vitit 2010 kur Prokuroria dhe gjykatat dështuan të ndëshkojnë disa raste të korrupsionit në nivele të larta, zgjedhjet e majit të vitit 2011 për pushtetin vendor u kthyen në maskaradë, duke rrëzuar vlerësimin njëkohësisht për cilësinë e zgjedhjeve dhe për demokracinë vendore, ndërsa korrupsioni shënoi një nivel akoma më negativ nga sa ishte. Një përmirësim i lehtë u shënua me ndryshimin e qeverive në vitin 2013, ndryshim që nuk u pasua nga përmirësime të mëtejshme vitin e kaluar.

Ballkani në dallgë negative

Freedom House vlerëson se rajoni i Ballkanit po ecte mirë me reforma më herët, por ka pasur në përgjithësi tendencë tejet negative që nga viti 2010. Politikanët e padiskutueshëm në Serbi dhe në Malin e Zi kanë marrë kontroll pothuajse të pasfidueshëm të institucioneve të shtetit. Në Maqedoni, partia në pushtet ka krijuar një korrupsion masiv dhe skandale të manipulimit të zgjedhjeve si dhe një krizë të vazhdueshme politike. Vlerësimi mesatar i nivelit të demokracisë në Ballkan ka rënë në krahasim me vitin 2010. Në Bosnjë dhe në Kosovë, ndërtimi i shtetit ka arritur në një pikë bllokimi. Strukturat qeverisëse të ndërtuara për të ruajtur paqen, tashmë po parandalojnë progresin, ndërsa stanjacioni politik dhe ekonomik po e raskapisin popullsinë. Këto zhvillime të brendshme tashmë rrezikojnë të përkeqësohen nga mbyllja e kufijve të BE-së për ndalimin e emigrantëve përgjatë rrugës së Ballkanit.