Kryetari i PD, Dega Korçë, Andrea Mano ironizoi dje vizitën e Ramës pak ditë më parë në Korçë, i cili foli para korçarëve për suksese e arritje imagjinare në një kohë kur qytetarët po vuajnë papunësinë dhe varfërinë ekstreme. Mano hodhi poshtë deklaratat e Ramës në lidhje me gjoja mbështetjen dhe subvencionimet ndaj bizneseve në një kohë kur i vetmi që merr subvencione nga bashkia në mënyrë qesharake aq edhe skandaloze është vetëm nënkryetari i bashkisë.
“Fundjavën që kaloi, Kryeministri zgjodhi Korçën për të bërë mashtrimin dhe propagandën e radhës për arritjet imagjinare që vetëm ai i sheh. Në biznesin e familjes të nënkryetares të Bashkisë Korçë, biznes të cilit i ka dhënë mbi 200 milionë lekë subvencion, nga ku deklaroi se ky biznes ka 2500 të punësuar. Turp! Gënjeshtër! Mashtrim! Z. Kryeministër në qoftë se ky biznes ka 2500 punëtorë atëherë në bazë të luftës kundër informalitetit që ju e propagandoni me të madhe, ky biznes duhet të ketë 2500 punëtorë të siguruar”, tha Mano.
Kreu i PD, Korçë ftoi mediat që të interesohen dhe të thellojnë kërkimet e tyre për të kuptuar mashtrimet e qeverisë Rama ndaj qytetarëve korçarëve. “Ftoj mediat, të shkojnë në QKR apo në Drejtorinë e Tatimeve për të parë a janë të siguruar 2500 punëtorë në këtë biznes? Gënjeshtra, mashtrime, propagandë! Po si mund të vish në Korçë dhe të gënjesh në këtë formë? Si mund të fyesh inteligjencën e korçarëve deri në këtë masë? Pse nuk shkove të shikosh qindra biznese që po falimentojnë ose mezi po e mbajnë frymën gjallë nga taksat dhe tatimet që i ka vendosur qeveria juaj? Pse nuk shkove të vizitosh bizneset dhe fermerët dhe t’ju thuash se çfarë ka bërë kjo qeveri për pemtimet që i ka bërë biznesit dhe fermerëve. Korça nuk i pranon gënjeshtrat e tua z. Rama. Ato as nuk hahen, as nuk pihen dhe as nuk durohen më”, shprehet Mano në deklaratën e tij për mediat.
Mano: I vetmi që merr subvencione në Korçë është nënkryetari i Bashkisë
Debatet për koncesionin e Aeroportit, përse qeveria refuzoi të negocionte kostot
Marrëveshja e re per heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve nga Aeroporti i Rinasit ka ngjallur debate të ashpra në Komisionin parlamentar të Veprimtarive Prodhuese. Deputetët e opozitës të pranishëm në komision kanë kërkuar llogari se përse nuk janë negociuar kostot siç parashikohej në marrëveshjen e mëparshme, si dhe kanë kërkuar konfirmim nga Ministria e Transporteve për shitjen e Aeroportit të Tiranës dhe efektet që do të ketë tek qytetarët.
Por këto pyetje kanë mbetur pa përgjigje për shkak se marrëveshja është hedhur në votim papritur dhe është miratuar me votat e mazhorancës. Më herët vëmendja është përqendruar edhe në faktin se infrastruktura e aeroportit të Kukësit nuk lejon operimin e linjave me më shumë se 100 pasagjerë ç’ka do të sjellë edhe vështirësi në futjen e linjave low cost. Marrëveshja në fjalë është diskutuar njëkohësisht edhe në Komisionin parlamentar të Ligjeve ku është votuar vetëm nga deputetët e shumicës.
Në fillim të muajit prill, ministri Haxhinasto nënshkroi kontratën me kompaninë koncesionare, sipas të cilës hiqet eskluziviteti i fluturimeve, me qëllim hapjen e tyre në aeroporte të tjera në vend, fillimisht në Kukës dhe më pas, në jug të vendit.
Kjo marrëveshje, e cila st është miratuar vetëm me votat e maxhorancës gjatë Komisionit të Veprimtarive Prodhuese dhe që pritet që të votohet në këtë seancë parlamentare të enjtën, është kundërshtuar nga deputetët opozitarë.
Ata kanë diskutuar për mosnegocionim e kostove të marrëveshjes, si dhe kanë kërkuar qartësi për shitjen e koncesionarit të Aeroportit të Tiranës, nga kompania Tirana Airport Partners sh.p.k.. kompanisë kineze “Everbright Global Airport and Investment Fund”.
Diskutimet kanë vijuar edhe për funksionimin e aeroportit të Kukësit, sipas deputetëve opozitarë infrastruktura e tij do të krijojë vështirësi në futjen e linjave low cost, duke qenë se nuk lejon operimin e linjave me më shumë se 100 pasagjerë.
Shqyrtimi i projektligjit “Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së koncesionit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë koncesionare “Tirana Airport Partners”, sh.p.k., për ndërtimin, vënien në punë, operimin dhe mirëmbajtjen e aeroportit ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Tiranë, ratifikuar me ligjin nr.9312, datë 11.11.2004”.
Asnjë argument për kostot
Qeveria shqiptare dërgoi në Kuvendin e Shqipërisë të premten (22 prill) propozimin për amendimin e kontratës koncesionare të Aeroportit të Rinasit, por relacioni shoqërues i propozimit nuk mbart vlerësim ekonomik për humbjet apo përfitimet e mundshme që pritet të sjellë ky ndryshim. Propozimi i jep kompanisë koncesionare automatikisht dy vjet shtesë në kontratën fillestare 20-vjeçare, një ndryshim që mund të sjellë kosto shtesë për ekonominë shqiptare nga monopoli i fluturimeve ndërkombëtare, ndërkohë që përfitimet janë të pasigurta.
Qeveria shqiptare ka negociuar herë pas here që nga viti 2007 me kompaninë të cilës i dha monopolin e fluturimeve ndërkombëtare me një kontratë koncesionare të miratuar në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2004, për ta hequr klauzolën e ekskuzivitetit dhe për t’i hapur rrugë zhvillimit të mundshëm të aeroporteve të reja në vend. Përgjatë të gjithë këtyre viteve, Aeroporti i Rinasit ka mbajtur çmime të larta të arritura përmes negociatave me Ministrinë e Transportit dhe ka realizuar fitime të mëdha deri në 30 për qind mbi të ardhurat e veta. Kompania, aksionerët e së cilës kanë ndryshuar disa herë përgjatë dhjetë viteve, ka kundërshtuar kërkesën e qeverisë për heqjen e klauzolës së ekskluzivitetit, duke kërkuar kompensim. Pas shumë vitesh bisedimesh, Ministria e Transportit deklaroi më 1 prill se e kishte arritur marrëveshjen, në bazë të së cilës, Aeroporti i Rinasit heq dorë pjesërisht nga të drejtat e fluturimeve ekskluzive në këmbim të zgjatjes së kontratës. Sipas marrëveshjes, e cila duhet të miratohet në Kuvendin e Shqipërisë që të marrë fuqi ligjore, kompania Tirana International Airport fiton dy vjet shtesë në kontratën aktuale dhe lejon qeverinë shqiptare që të hapë për fluturime ndërkombëtare Aeroportin e Kukësit, ndërsa kontrata do të zgjatet më tej në rast se Shqipëria vendos të hapë një aeroport tjetër përveç Kukësit. Qeveria ka shprehur më herët dëshirën për të zhvilluar për transport civil ish-aeroportin ushtarak të Vlorës.
Sipas amendimit të kontratës me TIA, koncesioni i Rinasit do të zgjatet me 0.5 vite për çdo vit operimi shtesë të një aeroporti të mundshëm në Vlorë. Kontrata aktuale ka filluar të zbatohet më 23 prill 2005 dhe skadon në prill 2025. Me propozimin aktual ajo shtohet automatikisht deri në vitin 2027.
Por ndërsa Ministria e Transporteve nuk ka bërë transparencë mbi mënyrën se si u arrit marrëveshja, Autoriteti i Konkurrencës publikoi një vendim ku në mënyrë eksplicite kërkohej që formula e propozuar për marrëveshje të mos pranohej.
Autoriteti i Konkurrencës në opinionin e vet sugjeronte që zgjatja e afatit të marrëveshjes nuk duhej të pranohej apriori nga Ministria e Transportit, por duhej të mbështetej në një logjikë të qartë kostosh dhe përfitimesh. Sipas leximit të amendimit të propozuar të kontratës nga ana e Autoritetit të Konkurrencës, koncesionari merr dy vjet zgjatje kontrate pavarësisht nëse Aeroporti i Kukësit vihet në punë apo jo dhe pavarësisht se çfarë pjese tregu dhe çfarë dëmi mund t’i shkaktojë Rinasit Aeroporti i Kukësit.
Qeveria vulos koncesionin e Poçemit, fitojnë turqit pa konkurrencë
Pa bujë dhe pa krenari, në një cep të faqes së vet të internetit, Ministria e Energjisë dhe Industrisë shpalli rezultatin e tenderit për hidrocentralin e Poçemit, një nga koncesionet më të mëdha të dhëna në sektorin e energjisë elektrike përgjatë viteve të fundit.
“Komisioni i dhënies me koncesion për ndërtimin, shfrytëzimin dhe transferimin tek Autoriteti Kontraktor të hidrocentralit “Poçem” ka përmbyllur procedurën e garës duke shpallur fitues bashkimin e dy shoqërive turke “Ayen Enerji Anonim Şirketi” dhe “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti”, thuhet në njoftimin e publikuar në seksionin ‘publikime te tjera’ të faqes në internet të Ministrisë së Energjisë.
“Në përfundim të vlerësimit, Komisioni klasifikoi Bashkimin e Përkohshëm të Shoqërive “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Inşaat Turizm San Ve Tic Ltd.Şti” dhe “Ayen Enerji Anonim Şirketi”, si ofertë të vetme dhe e shpalli atë fituese të procedurës konkurruese”, vijon më tej njoftimi.
Hidrocentrali i Poçemit është një nga shumë hidrocentralet e projektuar gjatë kohës së komunizmit për t’u ndërtuar në kaskadën e Lumit Vjosa në Shqipërinë e Jugut. Qeveria aktuale i dha një bonus kompanisë turke si koncesion i pakërkuar, ndërsa kritikët argumentuan se dhënia e bonusit nuk justifikohet për shkak se projekti i hidrocentralit ekziston dhe se praktika e duhur është hapja e tenderit pa bonus për çfarëdolloj kompanie të interesuar. Ndërkohë, një grup ambjentalistëshkundërshtojnë dhënien e koncesionit me argumentin se Lumi Vjosa mbart vlera të mëdha mjedisore dhe mund të sjellë të ardhura përmes zhvillimit të turizmit. Qeveria shqiptare i është përgjigjur shqetësimeve të ambjentalistëve duke argumentuar se në Vjosë do të ndërtohen vetëm dy hidrocentrale, ai i Poçemit dhe ai i Kalivaçit ndërsa pjesa tjetër e kaskadës do të shpallet park kombëtar, ndonëse parku kombëtar nuk është shpallur ende.
Qeveria e hapi tenderin formalisht në muajin mars pasi e reklamoi mundësinë për pjesëmarrje edhe në median ndërkombëtare, por për shkak se kompania turke kishte marrë një bonus prej 8 pikësh, asnjë kompani tjetër nuk shprehu interes.
Hidrocentrali i Poçemit parashikohet të ketë fuqi të instaluar prej 99.5 MW, sipas propozimit të kompanisë koncesionmarrëse, dhe prodhim vjetor prej rreth 305 milionë kWh. Nëse do të ndërtohet, Poçemi do të bëhet hidrocentrali i dytë më i madh i dhënë me koncesion për nga niveli i prodhimit pas projektit të Devollit. Vlera tregtare e energjisë së prodhuar nga Poçemi mund të arrijë në 15 milionë euro në vit me një çmim prej 5 centësh për kËh. Sipas kompanisë turke që fitoi koncesionin, ndërtimi i këtij hidrocentrali do të kushtojë rreht 101 milionë euro, investim që me çmimet aktuale të energjisë elektrike në tregun privat mund të rikuperohet brenda 7-10 vjetësh nga 35 vjet që është kohëzgjatja e koncesionit.
Reporter.al
Juventus në kërkim të rekordeve të tjera
Ky Juventus nuk ndalet më. Pasi u shpall kampione për herë të 32-të në historinë e saj, “Zonja e Vjetër” do të ketë mundësi që të festojë sërish, pasi është finaliste e Kupës së Italisë. Në të tilla kushte ulja e ritmit në Serinë A do të ishte e kuptueshme, por kjo nuk vlen për ekipin e Alegrit. Fundjavën që sapo kemi lënë pas piemontezët u dhanë një sinjal të qartë rivalëve, duke mos i hapur rrugë edhe Karpit që ishte në kërkim të pikëve për mbijetesë. Por nga tani e deri në fund duket se Juventusi do të luajë edhe për… rekordet.
Fitorja mbi Karpin i lejoi skuadrës në fjalë që të barazonte rekordin e vendosur nga Torino në sezonin 1946-1947 dhe Juventusi i Kontes në 2013-’14, kur arritën 16 fitore vetëm në një tjetër rekord të vendosur nga Torino dhe Juventusi në sezonet e lartpërmendura.
Ato dy ekipe, në Serinë A me 20 skuadra, mbajnë një rekord për pikët e fituara në pjesën e dytë të sezonit, duke grumbulluar 50 nga 57 të mund pjesën e dytë të edicionit. Pra, Juves së Alegrit do t’i mjaftonte edhe një fitore për të hyrë në historinë e Serisë A (me 20 skuadra). Por ky nuk është rekord i vetëm për t’u kaluar për “Zonjën”.
“Zonja” e Alegrit, e cila aktualisht numëron 49 pikë të fituara në pjesën e dytë të sezonit, është fare pranë historisë, pasi në lojë janë ende 6 pikë. Sukseset e kësaj skuadre nisin nga mbrojtja. Bardhezinjtë janë skuadra e vetme që prej Empolit në 1987- ën që nuk pësojnë gol në dhjetë ndeshje radhazi të zhvilluara në shtëpinë e tyre. Skuadra e Alegrit është në garë për të thyer edhe një tjetër rekord që është një ekskluzivitet i Juves të sezonit 2011-2012. Në atë kampionat formacioni piemontez mbylli kampionatin me 20 gola të pësuar, ndërsa tani, kur nga fundi i kampionatit na ndajnë vetëm dy ndeshje, ekipi i Alegrit ka marrë vetëm 18 gola.
Ndërkohë, Berat Gjimshiti debutoi në Serinë A, afro tre muaj pas transferimit te Atalanta. Mbrojtësi kuqezi ishte titullar në sfidën ku skuadra e tij u mposht 2-1 në fushën e Napolit. Aktivizimi në elitën e futbollit italian ishte ndër më të vështirët për Gjimshitin: Në një stadium të zjarrtë si San Paolo dhe përballë një prej sulmuesve më të frikshëm në arenën ndërkombëtare, si Gonzalo Higuain.
23-vjeçari i Kombëtares u aktivizua si qendër e majtë në repartin difensiv, duke zhvilluar një paraqitje relativisht të mirë, edhe pse në episodet e dy golave të Higuain, humbi duelet direkte me sulmuesin argjentinas.
Milani s’ka burra!
Në prag të betejës së dytë mes “çolizmit” dhe “tiki-taka”-s, është një trajner italian që merr një pozicion të qartë për këtë temë: “Barcelona dhe Guardiola kanë krijuar disa përbindësha në klubet e tjerë dhe në mendjet e trajnerëve”. Këto kanë qenë fjalët e ish-mesfushorit të Milanit, Xhenaro Gatuzos, i cili tani është në krye të skuadrës së Pisës.
Nëse nuk është kuptuar, edhe ai, ashtu si Trapatoni, preferon Atletikon e Simeones para Bajernit të Pep Guardiolës. Ish-milanisti, në të vërtetë, nuk ka folur për gjysmëfinalen e Champions-it, por ka prekur temën e nxehtë të krizës që po kalon futbolli italian që sipas tij “kohët e fundit ka dalë nga vetja”.
“Është munduar të kopjojë të tjerët, ka shpjeguar ish-kampioni i botës, duke humbur një pjesë të kulturës mbrojtëse, që ka lidhje me markimin dhe me aftësinë e portierit. Duhet ndryshuar, kjo është e drejtë, por pse të mos bëhet duke ruajtur atë karakteristikë që e kemi shfrytëzuar aq mirë në këto vite? Nga ana tjetër, kemi fituar katër Kupa të Botës. Sot shumë trajnerë, që kanë dalë nga Koverçano, po bëjnë një punë të mirë, për këtë arsye nuk mund të themi se gjithçka po shkon keq. I keni parë si luajnë ekipet e Murinjos dhe Simeones?”.
“Për të bërë këtë profesion nuk mjafton të kesh qenë një lojtar i madh, ka shtuar Gatuzo. Duhet të kuptosh se cilin ke përpara, të shprehesh në mënyrën e duhur dhe të jesh koherent. Sipas mendimit tim, është më e lehtë të luash futboll, sesa të jesh trajner. Mungojnë talentet? Sot të rinjtë tanë luajnë dhe stërviten 10 orë në javë, më pak se në Holandë, ndërsa në të kaluarën ne luanim 10 orë në ditë. Ndoshta kjo është një nga arsyet pse nuk ka më talente. Sot kemi fenomenë në aspektin teknologjik me celular dhe ‘play station’ dhe më pak fenomenë në futboll”.
Gjatë fjalës së tij, ish-mesfushori u ndal edhe te kriza që po kalojnë kuqezinjtë në kampionat: “Mund të ndodhë që ekipi të kalojë një periudhë të vështirë, mirëpo askush nuk duhet të harrojë se çfarë ka bërë Galiani dhe Berluskoni për këtë klub. Shoqëria ka defektet e veta, por edhe lojtarët kanë faj për gjendjen e ekipit. Për mua ishte një ëndërr të luaje për Milanin, ‘senatorët’ e dikurshëm menjëherë më treguan vendin kur hyra në dhomat e zhveshjes. Sot, Milanit i mungojnë burrat, skuadra nuk ka një lider dhe futbollistët që luajnë sot nuk e dashurojnë fanellën”. Më tej ai shtoi: “Mendoj se Berluskoni dhe Galiani nuk janë të lumtur me ecurinë e ekipit dhe duan të ndihmojnë Milanin. Kupa e Italisë do të ishte një trofe i rëndësishëm”.
Rritet çmimi i naftës, nga taksa e rilicencimit, arsimit dhe shtrenjtimi në bursa
Çmimi i naftës ka shënuar një rritje të fortë së fundmi, me rreth 5 lekë për litër në pjesën më të madhe të pikave të tregtimit, por pritet që shpejt të reflektojë i gjithë zinxhiri i pakicës. Kjo është rritja e parë, pas muajve të tërë që karburantet kishin njohur vetëm ulje.
Në pikat e tregtimit të Kastratit, operatori më i madh në vend, një litër naftë tregtohet me 157 lekë për litër, nga 152 lekë që shitej më parë. Edhe Europetrol Durrës Albania (Eida) e ka shtrenjtuar naftën në 156 lekë për litër. Gega Oil, një tjetër operator i madh e tregton karburantin me 154 lekë për litër, nga 149 lekë që e kishte më parë.
Burime nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve pohuan për Monitor.al se, arsyeja kryesore e rritjes së çmimit të naftës lidhet me shtimin e taksave mbi kompanitë e tregtimit të karburanteve. Efektin kryesor e ka dhënë taksa e rilicencimit të pikave të tregtimit me pakicë, që me një vendim qeverie në dhjetor të vitit 2015 u shumëfishua, duke arritur në 5 milionë lekë për pikat e Tiranës dhe 2 milionë lekë për ato të rretheve. Kjo taksë ndonëse u vu me vendim qeverie mblidhet nga Bashkitë e rretheve përkatëse dhe ka filluar aktualisht të paguhet (përveç taksës ka dhe shpenzime shtesë si TVSH, apo dokumentet që duhen bërë nga fillimi për çdo pikë). Operatorët kishin llogaritur më parë se, efekti i saj do të ishte 5 lekë për litër. (Lexo: “Taksë” e fshehur 5-10 lekë/litër për naftën: Qeveria rrit me 170 herë tarifën për licencën e karburanteve).
Një tjetër taksë e shtuar për pikat e Tiranës është ajo e arsimit, që për kompanitë VIP është 37 mijë lekë në vit. Por, duke pasur parasysh që kjo taksë po faturohet për çdo NIPT sekondar, (Lexo: Skandali: Bizneset do paguajnë disa herë taksën e arsimit, u vjen për çdo NIPT sekondar) kompanitë e karburanteve po e paguajnë shumëfish atë (vetëm në një pikë tregtimi ata kanë disa NIPT-e për gazin, naftën apo lavazhin), çka nënkupton një kosto tjetër të shtuar, që reflektohet në çmim.
Një prej kompanive më të mëdha të karburantit i është faturuar taksa e arsimit në rreth 9 milionë lekë (rreth 65 mijë euro).
Arsyeja e tretë lidhet me faktorët ndërkombëtarë. Në bursa, një fuçi naftë është rritur në rreth 46 dollarë, nga nën 30 dollarë për fuçi që zbriti në janar 2016.
Si rritet artificialisht xhiro e kompanive
Viti 2014 shënoi një shpërthim të kompanive të tregtimit të naftës në vend. Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla, që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekë (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.
Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ve, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shitblerjes disa herë të saj).
Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-ës dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-ës, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.
Zidan: Bejl është si Ronaldo, Sitin e mundim edhe pa yjet
Zinedin Zidan ka vlerësuar maksimalisht mesfushorin Garet Bejl dhe të gjithë ekipin për fitoren e tani bën me dije se vëmendja do të shkojë e gjitha te ndeshja kundër Mançester Sitit. Ai tha se ka besim për rikuperimin e Ronaldos dhe Benzemasë, por premton se Reali do të shkojë në finale edhe nëse ata mungojnë.
“Arritëm një fitore të rëndësishme dhe vazhdojmë të shpresojmë ende te titulli kampion. E rëndësishme është që ne e bëmë detyrën tonë dhe tani duhet të presim. Bejli konfirmoi se është një futbollist me shumë vlera. Ai e ndihmon skuadrën po aq sa Ronaldo dhe të gjithë lojtarët e tjerë.
Modriç? Nuk është e vërtetë që kur ai është në fushë ne vuajmë më pak. Ne vuajmë të gjithë si skuadër dhe nuk e bën diferencën vetëm një lojtar. Tani duhet të mendojmë për ndeshjen ndaj Sitit. Kam besim se Ronaldo dhe Benzema do të rikthehen në fushë, por ne treguam edhe në sfidën e parë se mund të luajmë edhe pa ta. Kemi mundësi të artë për të shkuar në finale dhe duhet të përqendrohemi maksimalisht”, përfundoi trajneri i Realit.
Modriç-Isko, sherr me njëri-tjetrin
Ky është një nga sezonet më të vështirë për mesfushorin e Realit, Isko. Kur drejtimin e skuadrës e mori Zidan, u mendua se gjithçka do të ndryshonte, por edhe tekniku francez nuk po jep minutat e duhura. Ndaj Sociedadit, ai e aktivizoi disa minuta, por Isko nuk bëri asgjë për t’u mbajtur mend. Madje, ai debatoi ashpër me Modriçin.
Mesfushori kroat i kërkoi disa herë që Ikso të pasonte topin, por spanjolli e injoroi duke mos e dëgjuar. “Ej, mos bëj këto gjëra në fushë. Mund të pasosh pak”, i tha Modriç, por Isko nuk mendoi të ndryshonte mënyrën e tij të lojës. Ai vazhdoi me egoizëm dhe diçka e tillë nuk i pëlqeu aspak trajnerit Zidan dhe shokëve të skuadrës.
Rritet me 60% çmimi i bizneseve në janar-prill
Gjatë katër muajve të parë të vitit janë çregjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit 2530 biznese, me një rritje prej 60% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas të dhënave nga QKR.
Ritmi më i lartë i [regjistrimeve ishte sidomos në janar dhe në mars, me një rritje përkatësisht prej 81% dhe 277% (shiko grafikun “Çregjistrimet e bizneseve” për më shumë detaje).
Në kahun tjetër, regjistrimi i bizneseve vijon në rritje, i nxitur nga tendenca e sipërmarrjeve për të ndarë aktivitetin, në mënyrë që të mos kalojnë kufirin e biznesit të vogël.
Sipas të dhënave zyrtare të QKR-së në total në periudhën janar–prill 2016 u regjistruan mbi 8,100 biznese ose rreth 19% më shumë se e katërmujori i vitit 2015.
Nëse i referohemi ecurisë sipas muajve, nga të dhënat zyrtare të QKR-së vihet re se janari 2016 shënoi numrin më të madh të bizneseve të reja të regjistruara me rreth 2,700. Më pas, ky numër vijoi në rënie. Referuar të njëjtit burim numri i sipërmarrjeve të reja të regjistruara në muajin prill ishte 1,791.
Vetëm pak ditë më parë ishte Shoqata e Mbrojtjes së Tregtarëve, e cila dha alarmin për gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet biznesi, kryesisht ai i mesëm dhe i vogël dhe ku u kërkua marrja e masave urgjente nga ana e qeverisë, siç është ajo e rishikimit të barrës fiskale.
KESH dhe qeveria shtyjnë afatet e shlyerjes së 30 miliardë lekë borxhe në banka
Korporata Elektroenergjitike Shqiptare ka ristrukturuar afatin e kthimit të kredive në bankat tregtare në vend me gati 1 vit. Shumica e kredive të nënshkruara para vitit 2015 do të kishin përfunduar afatin e shlyerjes gjatë 2015.
Ministria e Financave, duke publikuar treguesit e borxhit për tremujorin e parë të 2006 ka publikuar afatet e reja të shlyerjes së detyrimeve të KESH ndaj bankave. Këto borxhe janë të garantuara nga qeveria e Shqipërisë dhe në rast se, KESH nuk ka mundësi t’i shlyejë me fondet e veta, pagesa e tyre bëhet nga qeveria shqiptare.
Kështu një kredi e prej 4.9 miliardë lekë e marrë në Raiffeisen Bank në gusht të vitit 2008 duhet të shlyhej ndaj bankave në korrik të vitit 2015, por qeveria dhe KESH kanë shtyrë afatin e shlyerjes për në shtator të këtij viti.
Gjithashtu një letër garanci e lëshuar për KESH në vlerën e 1.5 miliardë lekëve, ishte për t’u shlyer në Bankën Kombëtare Tregtare me dhjetor të 2015, por shlyerja e saj është shtyrë për në fund të 2016.
Një kredi e marrë në vitin 2012 nga KESH në vlerën e 5.6 miliardë lekëve e programuar për t’u shlyer në korrik të vitit 2015 e shtyrë për deri shtator të këtij viti.
Bankat e nivelit të dytë janë përfshirë në një proces ristrukturimi të kredive ndaj bizneseve për të shmangur një moskthim të tyre. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë shuma e ristrukturuar e kredive për vitin 2015 ishte rreth 24 miliardë lekë.
KESH dhe qeveria kanë arritur të ristrukturojnë rreth 30 miliardë lekë detyrime ndaj bankave tregtare në vend.