28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Ronaldo ndez motorët për Sitin

“Do të jem i gatshëm për ndeshjen e kthimit. Për këtë ju siguroj”. Kjo ka qenë deklarata e Kristiano Ronaldos pas ndeshjes së parë gjysmëfinale me Mançester Sitin dhe duket se portugezi po e mban premtimin. Me shumë mundësi, ai do të jetë titullar për sfidën e nesërme, ku Reali luan shanset për të siguruar finalen e Ligës së Kampionëve.
Ditën e djeshme, ylli portugez kreu stërvitje të plotë, duke treguar se nuk ndien më dhimbje në kofshë dhe ky fakt duket se e ka gëzuar së tepërmi trajnerin Zidan, i cili ishte duke pritur me padurim rikuperimin e portugezit. Ronaldo ka marrë ngarkesë të plotë fizike në stërvitjen e djeshme dhe ka qenë në formë shumë të mirë.
Ai është parë, duke buzëqeshur dhe në humor pozitiv, duke lënë të kuptohet se nesër do të jetë në fushën e lojës për të ndihmuar skuadrën e tij të shkojë në finalen e Milanos. Portugezi është nga ata lojtarë që mund të zgjidhë i vetëm një ndeshje dhe diçka të tillë e vërtetoi ndaj Volfsburgut, ku arriti të shënonte 3 herë dhe e kualifikoi Realin për në gjysmëfinale.
Nëse Ronaldo e ka fituar betejën me dhimbjen dhe me kohën e rikuperimit, i vetmi shqetësim për shtëpinë e “galaktikëve” mbetet Karim Benzema. Sulmuesi francez nuk është stërvitur me skuadrën, por ka bërë ushtrime i vetëm, duke shqetësuar stafin teknik të Realit. Nëse ai do të jetë gati për sfidën e nesërme, do të kuptohet ditën e sotme, pasi të kryejë analizat. Megjithatë, Zidan e ka “asin nën mëngë” dhe zëvendësuesi i tij pritet të jetë Lukas Vaskez.
Ky i fundit është duke kaluar një moment shumë pozitiv dhe mund ta bëjë më së miri detyrën e Benzemasë. Në fakt, mungesa apo prezenca e numrit nëntë të madrilenëve është çështje dytësore në ekip, pasi e gjithë vëmendja për momentin është përqendruar te Kristiano Ronaldo, i cili i ka qetësuar të gjithë, pasi do të zbresë në fushën e lojës për të marrë mbi shpatulla fatet e skuadrës së tij.

Profesionistët e lirë ankimojnë në Kushtetuese ligjin e pagave të reja

Profesionistët e lirë kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese ligjin e pagave të reja referuese mbi të cilat ata do të paguajnë sigurimet shëndetësore dhe shoqërore.
Ligji i miratuar në dhjetor parashikon që profesionistët e lirë të pagujanë sigurimet bazuar në pagën maksimale. Kjo ka sjellë rritje të sasisë së parave që ata duhet të paguajnë. Paga referuese më e ulët për 23 profesione që cilësohen si të lira (noterët, mjekët, farmacistët, arkitektët, mësuesit, avokatët etj) u vendos 40 250 lekë, ndërsa më e larta 88 800 lekë.
Profesionistët kanë disa javë që protestojnë kundër këtij ligji. Ata kanë deklaruar se pagat që parashikohen në ligj nuk janë koherencë më aktivitetin e tyre. Sipas tyre, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të paguhen mbi bazën e xhiros që aktivitetet kanë.

Si po çon ulja e interesit të depozitave në ‘zbrazjen’ e bankave

Interesi mesatar i depozitave në lekë për të gjitha afatet e maturimit zbriti në muajin mars poshtë 1%, për herë të parë në histori. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, interesi mesatar zbriti në 0.94%, nga 1.17% në muajin e mëparshëm. Për depozitat me afat 1 vjeçar, më të preferuara nga kursimtarët, interesi ka zbritur afër 1%, ndërsa dhe për depozitat afatgjatë, (5 vjeçare), interesi ka rënë në rreth 3.5%. Kursimet një dhe tre mujore japin një kthim afër zeros, përkatësisht 0.49 dhe 0.39%. Që prej shtatorit 2011, kur Banka e Shqipërisë filloi politikën agresive të lehtësimit monetar, duke orientuar bankat të ulin interesat e depozitave e kredive, kthimi nga kursimet është ulur ndjeshëm. Në shtator 2011, nga depozitat 12 mujore, mund të merrje një fitim prej 5.9%. Rritja e tatimit mbi të ardhurat nga interesi nga 10 në 15% nga janari 2015 ka ulur dhe më tej të ardhurat që kursimtarët merrnin nga interesat.
Kjo rënie e interesave ka bërë që depozituesit të tërheqin paratë nga kursimet 1 vjeçare, duke i zhvendosur ato drejt alternativave të tjera si letra me vlerë, fonde investimesh, apo kursime afatgjata. Edhe në mars, depozitat me afat të individëve në lekë ranë me 1.7 miliardë lekë, ndërsa me bazë vjetore janë tkurrur me 10%. Në total, depozitat në mars u rritën lehtë me 1 miliard lekë, në raport me një muaj më parë, ndërsa me bazë vjetore janë zgjeruar me 0.9%. Ndërsa për kursimtarët rënia e interesave është një lajm i keq, për të gjithë ata që duan të marrin kredi në lekë, interesat janë më të lira se asnjëherë tjetër. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se norma mesatare e interesit të kredisë në lekë (për të gjitha afatet e maturimit) në mars të këtij viti zbriti në 7.3%, një rekord minimumi historik ky.
Në mars u shënua gjithashtu një rigjallërim i lehtë i kredisë me 2.7 miliardë lekë, për të dytin muaj radhazi. Megjithatë, me bazë vjetore, kredia për ekonominë ka rënë me 2%. Në përpjekje për të nxitur ekonominë, Banka e Shqipërisë ka ulur 14 herë normën bazë 6 vitet e fundit, duke e çuar aktualisht në 1.5%.

Kosova, rrugëtimi zyrtar nisi në vitin 2014

WCENTER 0XQFADNHJC epa05288127 (FILE) A file picture dated 05 March 2014 of Kosovo players entering the pitch before the international friendly soccer match between Kosovo and Haiti in Mitrovica, Kosovo. The Football Federation of Kosovo (FFK) was accepted as a member of the UEFA on the 40th Ordinary UEFA Congress in Budapest, Hungary, on 03 May 2016. EPA/ARMANDO BABANI

Me njohjen zyrtare nga ana e UEFA-s, përfaqësuesja e Kosovës do të nisë një rrugëtim të ri edhe pse hapat e parë në arenën ndërkombëtare i hodhi dy vite më parë. Në 2014-ën, Kosova zhvilloi ndeshjen e parë miqësore falë dritës jeshile të marrë nga institucionet e futbollit ndërkombëtar, edhe pse nuk u lejua që skuadra të përfaqësohej nga simbolet zyrtare. Ky ishte hapi i parë i madh drejt përfaqësimit në arenën e futbollit ndërkombëtar.
Miqësorja e parë e skuadrës së Bunjakit u zhvillua në datën 5 Mars të vitit 2014 kundër Haitit në stadiumin e rinovuar të Mitrovicës. Ndeshja u mbyll në barzim pa gola, ndërsa në muajin Maj, stadiumin “Adem Jashari” e vizitoi Turqia për sfidën e dytë zyrtare ku miqtë triumfuan me rezultatin e thellë 6-1. Pak ditë më vonë, përfaqësuesja e Kosovës luajti edhe miqësoren e parë zyrtare jashtë kufijve.
Në Gjenevë të Zvicrës, ishte Senegali që kaloi 3-1 skuadrën e Bunjakit, ndërsa në datën 7 Shtator në vitit 2014, Prishtina hapi dyert për ndeshjen e katërt miqësore kundër Omanit, ku Kosova arriti të siguronte fitoren e parë me rezultatin 1-0. Do të duhej të kalonte më shumë se një vit që Përfaqësuesja e Kosovës të rikthehej në një test miqësor, pasi në 10 Tetor të vitit 2015, Prishtinën e vizitoi Guinea Ekuatoriale që u dorëzua përballë Kosovës 2-0, ndërsa në 13 Nëntor të vitit të shkuar “Vëllazërorja” ndaj Shqipërisë kulmoi me një 90 minutësh historik ku përfaqësuesja më e re e kontinentit sfidoi kuqezinjtë e De Biasit.
Barazimi 2-2 kulmoi me festën në shkallët e stadiumit të Prishtinës, ku mijëra të pranishëm ishin dëshmitarë të festës mbarëshqiptare. 6 miqësore zyrtare të njohura nga UEFA dhe FIFA që pasuan kalvarin e gjatë të Përfaqësueses së Kosovës, e cila është themeluar në vitin 1993 dhe që prej atij viti e deri në 2010-ën, Kosova luajti 6 ndeshje jo zyrtare mes të cilave 3 me Shqipërinë. Tashmë për Kombëtaren më të re të anëtarësuar me të drejta të plota në UEFA, nis një histori e re, pasi miqësoret pa himn dhe flamur do të zëvendësohen nga përfaqësimi dinjitoz i Kosovës në arenën e futbollit ndërkombëtar.

Kosova në UEFA!

3 Maj 2016. Kosova ka një tjetër datë historike. Federata Kosovare e Futbollit është zyrtarisht anëtarja e 55-të e UEFA-s. Vendimi u morr në Kongresin e Zakonshëm të Konfederatës Europiane, të zhvilluar në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest. Pranimi u realizua pas 28 të siguruara, aq sa ishin të nevojshme për një mazhorancë të thjeshtë nga 54 federata anëtare të UEFA-s. 24 federata votuan kundër dhe 2 abstenuan, por në fund Kosova u anëtarësua me të drejta të plota.
Optimizmi për pranimin e përfaqësueses së Kosovës kishte nisur ditë përpara zhvillimeve të punimeve të Kongresit, që u drejtua nga Theodore Theodoridis dhe presidenti i përkohshëm, Angel Maria Villar. Por, edhe pse Kosova njihet si shtet nga 38 vende anëtare të Konfederatës Europiane që votuan, pranimi nuk ishte i lehtë, ashtu siç u mendua në fillim.
Me pranimin në UEFA merr fund kalvari i përfaqësueses së Kosovës, që prej 6 Majit 2008 hodhi hapin e parë drejt ndërkombëtarizimit, me kërkesën që në atë kohë nuk u miratua nga FIFA. Por, me anëtarësimin pranë UEFA-s edhe pranimi në FIFA është çështje ditësh dhe pritet të realizohet në Kongresin e institucionit që drejton futbollin botëror më 12 dhe 13 Maj në Mexico City. Kjo është arsyeja përse menjëherë pas aprovimit të marrë nga pjesa më e madhe e federatave europiane, tashmë për Kosovën do të nisin procedurat për t’u përfshirë në programin e kualifikueseve të Botërorit 2018 që do të zhvillohet në Rusi.
Kundërshtarët më të zëshme të anëtarësimit ishin Zvicra dhe Serbia. Para hedhjes për votim të Kosovës, kreu i Federatës së Futbollit kosovar, Fadil Vokrri kërkoi nga vendet anëtare që të mos penalizojnë futbollin dhe të ndjekin shembullin e organizatave të tjera sportive që kanë njohur Kosovën.
“Thuajse të gjitha federatat sportive në Kosovë janë njohur ndërkombëtarisht, ka mbetur vetëm futbolli. Na jepni mundësinë që edhe futbolli të njihet ndërkombëtarisht. Nuk ka asnjë arsye se përse Kosova të mos jetë pjesë e UEFA-s”, tha Vokrri.
Pas Vokrrit fjalën e mori kreu i Federatës Serbe të Futbollit, që e cilësoi politik gjithë procesin. “Po mbroj futbollin nga politika. Sigurisht nuk jemi kundër shtrirjes së futbollit në gjithë kontinetin tonë, por futbolli nuk duhet të kalojë linjën për të ndryshuar kufijtë e çdo vendi dhe pranimi i Kosovës do të vërtetonte që politika do të abuzonte futbollin ndaj duhet t’i themi jo imponimit të politikës mbi futbollin”, tha ai.
Zvicra, ndonëse në mënyrë më të moderuar se Serbia, u rreshtua kundër anëtarësimit. Përfaqësuesi i saj vuri theksin tek e ardhmja e futbollistëve të kombëtares së vet dhe statusit të tyre nëse Kosova do të anëtarësohet.
Frikës së Zvicrës iu përgjigj kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. “Kosova tashmë është një realitet që luan futboll, organizon kampionate brenda, ka skuadrat e veta dhe federatën e vet që nuk ka lidhje me federatën serbe. Edhe ne kemi futbollistë me origjinë nga Kosova dhe frika se mund t’i humbim ata nuk është me rëndësi për ne, me rëndësi është që të mendojmë për futbollin dhe vetëm për futbollin”,  është shprehur Duka.

“Përralla” Leicester, kampion të Anglisë për herë të parë!

Parullat e tifozëve në “Stamford Bridge” lexonin “Bëjeni për Ranierin”, duke dashur t’i jepnin një sinjal Chelsea-t se Leicesteri këtë të hënë kishte nevojë për mbështetje për të arritur titullin e parë në histori. Dhe kampionët e sezonit të kaluar dorëzuan vetë titullin te “Dhelpërat” e drejtuara nga Ranieri, duke barazuar 2-2 një ndeshje shumë emocionuese me Tottenhamin. Skuadra e Pochetinos shpërdoroi një epërsi prej dy golash në pjesën e parë, duke u dorëzuar që këtë javë në garën për titullin me Leicester që realizoi përrallën e tij, duke fituar një titull të pabesueshëm, që ka qenë mëse i merituar për skuadrën e Ranierit, por që gjithsesi erdhi dhe falë një dhuratë të një tjetër skuadër, blu, Chelsea-t të Londrës, me të cilën Ranieri 12 vjet më parë nuk mundi dot të fitonte titullin kampion.
Në fakt në derbin e Londrës u duk se Tottenham do të shtynte dhe për një tjetër javë festën e Leicester pas golave të Kane dhe Son, por Cahill në të 58-ën dhe Hazard me një perlë në të 83-tën barazoi rezultatin, duke i dhuruar festën tifozëve të Leicester në baret e qytetit të vogël anglez. Për herë të parë në histori, Leicester, por dhe Claudio Ranieri mundën të fitojnë titullin kampion, me një prej surprizave më të mëdha të futbollit botëror.

Leicester City ndryshon futbollin

132 vite pritje për të qenë dëshmitarë të një momenti historik. Qyteti i Leicester po jeton një ëndërr falë mrekullisë që nga pjesa dërrmuese e mediave britanike konsiderohet si mrekullia më e madhe e futbollit botëror. Leicester City ka siguruar një biletë për në librin e të pavdekshmëve të këtij sporti, pasi mbi të gjitha bashkoi miliona njerëz, tifozë të mijëra skuadrave të ndryshme. Nuk ka rëndësi nëse je tifoz i Boca Juniors apo River Plate, Milanit apo Interit, Galatasaray apo Fenerbahces, sepse për të vetmen herë të gjithë kanë qenë të bashkuar për të ndjekur nga larg ëndrrën e një skuadre të vogël që brenda një sezoni u bë e madhe.
Një skuadër që vetëm pak muaj më parë ishte thjesht një numër në listën e gjatë të ekipeve ishullore, pa vitrinë për reklamimin e trofeve dhe asgjë tjetër. Leicester regjistroi një arritje të pabesueshme, sepse Leicesteri shtriu me një grusht të vetëm dy skuadrat e Manchesterit, Chelsean, Arsenalin, Liverpoolin dhe Tottenhamin që në Premier League qarkullojnë miliarda euro. Ndoshta një film hollivudian sado mirë i realizuar nuk do të mjaftonte për të përshkruar rrugëtimin e çmendur. Gary Lineker tashmë duhet të prezantojë me të brendshme në një transmetim live në BBC, ndërsa një pjesë dërrmuese e tifozëve që kanë besuar te titulli dhe kanë guxuar të vendosin bast për këtë arritje, tashmë po festojnë me xhepat plot.
Arritja e Leicester ka një emër dhe një mbiemër, ai është Claudio Ranieri, trajneri 64-vjeçar, i cili ndër të tjera ishte edhe i pari në listën e shkarkimeve të bastvënësve në fillim të sezonit. Eksperienca e dështuar me Greqinë nuk i linte shumë mundësi njeriut që asnjëherë nuk i mungon buzëqeshja, por ai doli kundër të gjithëve, duke bërë goditjen më të madhe të karrierës së tij. Në krye të klubit qëndron pronari tajlandez me emër të pashqiprueshëm, pasuria e të cilit vlerësohet 2.8 miliardë dollarë duke rigjallëruar strukturat.
17 vjet pas një tjetër Schmeichel rikthehet të fitojë Premier League, por këtë herë është djali i legjendës Peter, Kasper. Gjatë gjithë sezonit tregoi siguri në katërkëndësh, ndërsa përpara kishte një mur të vërtetë mbrojtës, kapitenin Morgan që gjatë këtij sezoni nuk mungoi në asnjë minutë. Leicester e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë, duke lejuar pak gola. “Herën e parë që nuk do të pësojmë gol do të shkojmë të gjithë të hamë pizza”, u premtoi Ranieri djemve të tij dhe mori rezultate të menjëhershme pse skuadra e tij nuk ka lejuar që topi të kalojë vijën fatale plot 15 herë.
Qershia mbi tortë është shpërthimi i papritur i bomberit Jamie Vardy. Në moshën 29-vjeçare sulmuesi që pak sezone më parë militonte në divizionin e katërt arriti të shënonte në 11 ndeshje rresht dhe siguroi vendin e titullarit në Kombëtaren e Anglisë. 22 gola në sezon për njeriun simbol që për të siguruar jetesën ka bërë punë nga më të rëndomtat, por tashmë qëndron në majën e botës.
Arritje të tilla të pabesueshme kanë regjistruar edhe Nottingham Forest, Danimarka në Europian, Verona në Itali, Kaiserslautern në Gjermani apo Greqia në Europian, por mediat këmbëngulin se suksesi i “dhelprave” ndryshon shumë, sepse Leicester City rilindi nga asgjëja për t’i dhënë një mesazh të qartë futbollit, një sport që nuk do të jetë më i njëjti pas titullit të fituar nga “dhelprat” e “King Power Stadium”.

Shërbimi sekret në Gjermani monitoron 90 xhami

Nën vëzhgimin e shërbimeve të fshehta, sipas Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës janë rreth 90 xhami radikale në Gjermani. “Ne jemi të shqetësuar, se në Gjermani ka shumë komunitete islamiste xhamish, të cilat edhe ne duhet t’i mbajmë nën vëzhgim”, tha Presidenti i Zyrës Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës, Hans-Georg Maaßen në Kanalin e Parë Televiziv gjerman ARD. “Ne po vëzhgojmë rreth 90 komunitete xhamish në Gjermani, kryesisht të gjuhës arabe”.
Nxitje për xhihad nga predikuesit e urrejtjes
Këto xhami janë “xhami-të-oborreve-të-pasme, ku imamë të vetëshpallur, emirë të vetëshpallur mbledhin rreth vetes një klientelë mbështetësish, para të cilëve mbajnë fjalimet e tyre plot urrejtje dhe ku ata nxisin për Xhihad”, shpjegoi Maaßen. Shefi i Mbrojtjes së Kushtetutës paralajmëroi edhe njëherë shprehimisht, që të mos “futen hidhen në një thes ekstremistët fetarë dhe myslimanët”.
Kërcënimi nga ushtria xhihadiste “Shteti Islamik” ishte të hënën (02.05) në qendër të një takimi të Mbrojtjes Kushtetuese në Berlin. “Natyrisht, që ne e vëzhgojmë IS-in”, tha Maaßen. “Ata që nuk vëzhgojmë ne, janë myslimanët në Gjermani”. Republika Federale ka nevojë për një “koalicion kundër ekstremizmit” dhe këtu bëjnë pjesë edhe myslimanët e moderuar.
Para së gjithash janë partitë unioniste që kërkojnë një vëzhgim më të fortë të aktiviteteve ekstremiste në xhamitë gjermane. “Shteti duhet të bëjë këtu punën e tij. Ai duhet ta kontrollojë këtë fushë”, i tha para pak kohësh shefi i Grupit Parlamentar të Partive Unioniste, Volker Kauder gazetës “Berliner Zeitung”. Në disa xhami mbahen predikime, “të cilat nuk janë në përputhje me botëkuptimin tonë për shtetin”, tha Kauder. Kryeministri i Bavarisë dhe shefi i CSU-së, Horst Seehofer e mbështeti Kauderin. “Ne duam liri fetare, që të jetë e qartë, por jo shpërdorimin e saj”.
Alternativa për Gjermaninë nuk është nën vëzhgim
Përsa i përket partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD), mbrojtësit e Kushtetutës, edhe pas vendimeve partiake të fundjavës kundër fesë islame, nuk shohin shkas për ta vënë nën vëzhgim partinë në tërësi. “Nuk kemi situatë të re”, i tha Maaßen agjencisë gjermane të lajmeve DPA. “Por po të ketë persona të veçantë, tek të cilët ne mendojmë se janë ekstremistë, natyrisht që ata i vendosim nën vëzhgim”.
Partia populiste e djathtë, AfD, vendosi në kongresin e partisë në fundjavë, në programin e saj bazë, fjalinë që feja islame nuk është pjesë e Gjermanisë.

Kush po e rrezikon Aleancën e NATO-s?

“The Week”

Një sondazh i fundit i qasjes së gjermanëve ndaj sigurisë, ofron një panoramë të zymtë për Europën. Sipas sondazhit, shumica e gjermanëve janë kundër dhënies së ndihmës për fqinjët e tyre, në rast të një sulmi nga Rusia. Rezultati pasqyron ata të vendeve të tjera, dhe ngrejnë pyetjen: A po “vdes” dalëngadalë Aleanca e Atlantikut të Veriut?
Sondazhi, i kryer nga Programi për të Ardhmen e Europës dhe Instituti Polak për Çështje Publike raportonte se më shumë se gjysma (57%) e gjermanëve të pyetur, nuk mbështesin dërgimin e ushtrisë gjermane për të mbrojtur pjesëtarë të tjerë të NATO-s, “si Polonia apo shtetet balltike”. Vetëm 31% e gjermanëve besojnë se vendi i tyre duhet të përmbushë detyrimet e Traktatit dhe të ndihmojë këta vende, nëse sulmohen.
Polonia dhe vendet e Balltikut–Lituania, Letonia, Estonia–janë gjendur nën një presion të fortë politik dhe ushtarak nga Rusia, për t’u shkëputur prej NATO-s dhe Perëndimit. Revanshistët rusë i shohin të katër këta vende si shtete tradicionalisht “sfungjer”, që mbrojnë Rusinë dhe do të donte që të riktheheshin në atë status.
Sipas raportit, Gjermania nuk është rast i izoluar. 53% e francezëve janë kundër mbrojtjes së Polonisë dhe shteteve balltike, ashtu sikurse dhe 51% e italianëve.
Organizata e Traktatit të Atlantikut të Verit (NATO) u krijua në vitin 1949 për të ndihmuar Gjermaninë dhe shtete të tjerë në vijën e parë të frontit, që t’i rezistonin agresionit sovjetik. Shumë i rëndësishëm për NATO-n ishte koncepti i mbrojtjes kolektive – që në rast të një sulmi të supozuar sovjetik, secili shtet anëtar i organizatës do të nxitonte në ndihmë të cilitdo shtet tjetër anëtar të saj. Slogani informal i NATO-s ishte “sulmi ndaj njërit, është sulm ndaj të gjithëve”.
Gjëja shumë e mirë e mbrojtjes kolektive është se ajo rrit shumë aftësinë e shteteve të vegjël për t’u rezistuar shteteve të mëdhenj. Gjermanisë, për shembull, nuk do t’i duhej që të armatosesj për t’iu kundërvënë të gjithë ushtrisë sovjetike – ajo mund të mbështetej në ndihmën e shteteve të tjerë si Franca, Belgjika, Holanda, Mbretëria e Bashkuar e madje edhe SHBA.
Megjithatë, thembra e Akilit e mbrojtjes kolektive është se kur njerëzit nuk besojnë më tek ajo, atëherë praktikisht ajo pushon së ekzistuari. NATO, me sa duket, ka mbërritur në atë pikë.
Në ndërkohë, shpenzimet për mbrojtjen mes shteteve të NATO-s kanë rënë shumë, teksa shumë pak vende shpenzojnë 2% të GDP-së për mbrojtjen, siç ka rekomanduar Aleanca. Në vitin 2015, Gjermania shpenzoi vetëm 1.2%, Italia më pak se 1% dhe Franca 1.8%. SHBA, sa për të dhënë një shembull, shpenzoi 4.6%.
E gjithë kjo vjen në një kohë të ringjalljes së fuqisë politike dhe ushtarake të Rusisë. Që kur Vladimir Putini aneksoi Krimenë dhe nisi një luftë-hije në Ukrainën Lindore, ushtria ruse ka nisur një fushatë kanosjeje kundër fqinjëve të saj, duke përfshirë NATO-n, Suedinë, Finlandën, e madje edhe Japoninë.
Rezultatet e sondazhit tregojnë se, gjermanët në veçanti janë më të interesuar në bashkëpunimin me vendet që janë më në Perëndim të tyre – si Holanda, Mbretëria e Bashkuar apo deri dhe Kina – ndërkohë që janë më pak të interesuar me vendet në Lindje, si Polonia, Ukraina dhe Republika Çeke. Eshtë e qartë se, gjermanët duan të shmangin konfrontimin me Rusinë.
Qasja që Polonia dhe shtetet balltike janë vende për të cilët nuk ia vlen të luftosh është e gjithëpranishme, pavarësisht agresionit të kohëve të fundit të Rusisë në Ukrainë, dhe pavarësisht fushatës së kanosjeve kundër shteteve të tjera. Ajo vazhdon pavarësisht shembujve të shumtë nga historia – më i keqi i të cilëve vjen nga vetë Europa – ku shtete agresive, ekspansioniste, të cilëve askush nuk iu kundërvu që herët, u shndërruan në rreziqe madhore për sigurinë e gjithë kontinentit – dhe bashkë me të, edhe të gjithë botës.
Një tjetër fushatë e madhe agresioni nga Rusia – ndoshta e shënjestruar edhe ndaj vetë Aleancës – mund ta ndryshojë rrënjësisht këtë qasje. Pearl Harbour, për shembull, ndryshoi me shpejtësi ndjenjat e thella izolacioniste të amerikanëve. Ashtu si Pearl Harbouri, kjo fushatë mund të përfshijë përsëri një tragjedi që, e parë me “mendtë e pas Kuvendit”, do të mendohet që paska qenë e shmangshme.
Agresioni rus mund të ashpërsojë edhe qëndrimin kundër mbrojtjes kolektive, teksa po kjo shumicë kërkon një rrugë me më pak rezistencë, dhe më shumë pajtuese, kundrejt Rusisë. E gjitha varet se çfarë kostosh do të dojë të imponojë Rusia – dhe nëse janë të papërballueshme. Dhe Rusia që ishte shumë e zgjuar për të pushtuar Krimenë, do të jetë shumë e zgjuar edhe për të shtyrë drejt dëshpërimit këdo prej kundërshtarëve të saj potencialë.
Aleanca mund t’i mbijetojë uljes së shpenzimeve për mbrojtjen. Kjo është e pakthyeshme. Ai të cilës NATO nuk mund t’i mbijetojë, është kundërshtimi i opinionit publik ndaj misionit të saj themelor.
Ushtritë, planet, udhëheqja dhe strukturat e NATO-s ekzistojnë ende, por pa mbështetje publike për përdorimin e tyre, ato janë premtime të gënjeshtërt për vende si Polonia. NATO është një aleancë që, prapa fasadës, është thellësisht e përçarë. Madje, që tani mund të ketë “vdekur”. E vetmja mënyrë për ta kuptuar është që të provohet Aleanca në një krizë të vërtetë – dhe ka shumë shanse që kjo të ndodhë së shpejti.

Maqedonia në protestë për lirinë e fjalës

Në një kohë që mbarë bota demokratike shënon ditën e lirisë e shtypit, ne erdhëm para burgut të Shuto Orizarës, sepse simbolika e tij më së miri flet për mungesën e lirisë së mediave në Maqedoni.
Pas këtyre mureve është burgosur gazetari Zoran Bozhinovski, për shkak të akuzave të pabaza. Faji i vetëm i tij është guximi për të shkruar për fytyrën e shëmtuar të pushtetit, për gënjeshtrat, krimin dhe jomoralitetin e tij.
Ata që Maqedoninë e shndërruan në laborator të përgjimit masiv nuk mund të akuzojnë të tjerët për spiunim. Të amnistuarit për krime të rënda nuk mund ta drejtojnë gishtin kundër të tjerëve për ndërmarrje kriminale. Me çfarë fytyre ky pushtet mund të akuzojë një gazetar për shantazh, kur i vetmi mjet i qeverisjes është shantazhi dhe presionet.
Fuqishëm solidarizohemi me kolegun Bozhinovski dhe duam ta sigurojmë se do të qëndrojmë përkrah tij për aq kohë sa ai nuk lirohet nga burgu.
Gazetarët burgosen, rrihen, përgjohen, etiketohen dhe diskreditohen me të vetmin qëllim që të sprapsen të mos flasin për keqpërdorimin e pushtetit. Mediat për shkak të lidhjeve korruptive me pushtetin janë shndërruar në makineri propagande për të mashtruar qytetarët.
Pushteti refuzon reforma në media, të cilat ndjeshëm do të përmirësonin gjendjen me lirinë e shprehjes. Patjetër duhet të ndërpritet dhuna kundër gazetarëve, ndërsa autorët ashpër të ndëshkohen. Radiotelevizoni i Maqedonisë patjetër të jetë në shërbim të qytetarëve dhe rregullatori i mediave duhet të jetë i pavaruar nga ndikimet politike.
Kushtetuta e Maqedonisë garanton lirinë e mediave, ndërsa pushteti nuk lejon që kjo e drejtë të jetësohet. Qartë duam ta porosisim pushtetin se me asnjë kusht, nuk do të heqim dorë nga beteja për lirinë e fjalës.