Falë asaj përmbysjeje të çmendur nga 2-0 në 2-3 që realizoi ndaj Gjermanisë kampione të Botës në Berlin, Anglia e Roy Hodgson tregoi se është një skuadër me potencial të madh dhe një rival i frikshëm për të gjitha kombëtaret që marrin pjesë në Euro 2016. Pasi zhvilloi një fazë eliminatore fantastike me 10 fitore në 10 ndeshje përfaqësuesja e Tre Luanëve vijoi ecurinë pozitive dhe me golin e Kane, perlën së Vardy-it dhe finalizimin e Dier, arriti të merrte një fitore të madhe përballë Die Manschaft. Anglia nuk e ka fituar asnjëherë në të shkuarën kampionatin Europian, dhe ndoshta ka ardhur momenti që ta bëjë diçka të tillë në Francë, të paktën kështu mendon ish-trajneri i kombëtares së tre luanëve suedezi, Sven Goran Eriksson aktualisht në drejtimin e klubit kinez, Shanghai Sipg.
“Presioni në kombëtaren angleze përpara evenimenteve të mëdha siç janë Kupa e Botës dhe Kampionati Europian ka qenë gjithmonë shumë i madh. Në periudhën që unë isha trajner i përfaqësues së “Tre Luanëve”, ky presion nuk na ka lejuar të shfaqim më të mirën tonë në fushë. Gjithsesi mendoj se gjatë 2 viteve të fundit situata ka ndryshuar, pasi tashmë Anglia përbëhet nga shumë djem të rinj në moshë, dhe mbi ta nuk është ushtruar asnjë lloj presioni. Ata zhvilluan një fazë kualifikuese të mrekullueshme dhe unë mendoj se, kjo Angli i ka të gjitha mundësitë për të triumfuar në Euro 2016″.
Sven Goran Eriksson ka qenë në drejtimin e Anglisë nga viti 2001 deri në 2006-ën, duke mos mundur t’i kualifikojë “Tre Luanët”, përtej fazës çerekfinale në një kompeticion të madh, pasi në Botërorët e viteve 2002 dhe 2006 Anglia u eliminua në këtë ruand respektivisht nga Brazili dhe Portugalia, me përfaqësuesen luzitane që e nxori jashtë edhe nga Euro 2004 sërish në çerekfinale.
Rumania kundërshtare e Shqipërisë në finalet e Euro 2016, barazoi pa gola me Spanjën, në miqësoren e luajtur në Cluj. Rivalët e kuqezinjve në Grupin A të evenimentit në Francë befasuan prej fillimit të sfidës, ku në fanella kishin zëvendësuar numrat me probleme matematikore. E, në fakt, përballja e kampionëve të Europës në fuqi me ekipin e Anghel Iordanescu-t ishte një ekuacion i vështirë për t’u zgjidhur, me Furinë e Kuqe, që u kënaq me barazimin e dytë në ndeshjet testuese, pas atij me Italinë.
Rumania tregoi si zakonisht se ka mbrojtje hermetike dhe lojë të organizuar deri në detaje. Për ta rritur ecurinë rekord në 17 ndeshjeve pa humbje, Rumania u ndihmua edhe nga fati, si në tentativën e sulmuesit të Juventusit, Morata. Në një ndeshje ku të dyja skuadrat vuajtën të krijonin shanse të mira për shënim, Rumania u ndihmua edhe nga gjyqtari që nuk akordoi dy penallti, fillimisht pas inkursionit të Morata-s, ndërsa në sekondat e fundit të sfidës i mohoi një 11-metërsh të pastër të shkaktuar ndaj Fabregas.
Eriksson: Anglia mund të fitojë Euro 2016
Islami tjetër i Kazakistanit

Alex Walters, BBC
Trajtat e mësimeve, praktikës dhe tolerancës islamike mes popullit të Kazakistanit janë ruajtur me fanatizëm që kur feja është predikuar për herë të parë në stepat e Azisë Qendore në shekullin VIII. Islami në atë kohë u përhap nëpërmjet zhvillimit të tregtisë ndërmjet popullit të lindjes dhe atij të perëndimit të Rrugës së Mëndafshit, linja më e madhe e tregtisë në botën antike.
“Trubutë e Kazakistani kanë qenë popuj nomadë, të cilët endeshin vazhdimisht rrugëve. Për këtë arsye, ata i kushtonin një rëndësi të veçantë vlerave si mikëpritja, bujaria dhe mirënjohja”, thotë Alina Khamatdinova, drejtuese e Aleancës Civile të Kazakistanit për “Edge Magazine”. “Ashpërsia e motit në stepa e bënte jetën tepër të vështirë. Askush nuk mund të mbijetonte i vetëm. Ata mund të jetonin vetëm si pjesë e një komuniteti dhe komunitetet duhet t’i besonin njëri-tjetrit dhe të bashkëpunonin”.
Islami është feja më e përhapur në Kazakistan kurse e dyta është feja krishtere ortodokse ruse. Pas shumë dekadave të shtypjes nga Bashkimi Sovjetik, pavarësia ka sjellë nevojën për ripërtëritjen e kulturës kazake pjesërisht edhe përmes fesë. Njohja e plotë e lirisë fetare ka çuar në rritje të madhe të besimtarëve aktiv. Në vitet e fundit janë ndërtuar qindra xhami, kisha, sinagoga dhe ndërtesa të tjera fetare, duke e rritur numrin e tyre nga 670 në 4170.
Kazakët etnik, të cilët përbëjnë më shumë se dy të tretat e popullsisë, së bashku me uzbekët, ujgurët dhe tatarët, janë myslimanë sunit të medh’hebit (fraksionit) hanefi. Më pak se 1% e tyre janë të medh’hebit shafi (kryesisht çeçenët). Në pjesën jugore të vendit është përqendrimi më i lartë i besimtarëve myslimanë. Këtu ka rreth 2 300 xhami dhe ato janë të gjitha të lidhura me “bashkësinë shpirtërore të myslimanëve të Kazakistanit”, i kryesuar nga një myfti suprem. Festa e Bajramit është e pranuar si festë kombëtare. Për dy dekada të fundit popullsia e Kazakistanit është rritur nga 8,5 në 16,3 milionë banorë. Këto ndryshime janë pasojë e një biodinamike të theksuar të popullsisë. Përveç lindshmërisë së lartë (16%) e karakterizon edhe vdekshmëria e lartë (10,4%) me shtim natyror prej 5,6%. Me 6 banorë në një kilometër katrorë është shteti më i pabanuar në Azinë Qendrore
Gati një e treta e popullsisë janë të krishterë ortodoksë, kryesisht rusët etnik, ukrainasit dhe bjellorusët. Grupet e tjera të krishtera përfshijnë katolikët, katolikët grek, baptistët dhe protestantët. Ka 258 kisha ortodokse, 93 katolike dhe 50 protestante. Fetë e tjera të pranishme në Kazakistan janë edhe Jehudizmi, Hare Krishna dhe Budizmi.
Me pak fjalë, vendi ka një larmishmëri të jashtëzakonshme të feve dhe kulturave të ndryshme që bashkëjetojnë në harmoni. Sot, Kazakistani është epiqendra e një rrjeti komunikimi dhe tregtie që zhvillohet me shpejtësi në zonën euroazitike. Ashtu sikur Islami ishte gjithëpërfshirës, tolerant dhe i suksesshëm në kohën antike në zonat e stepave, praktika moderne e Islamit në Kazakistan vazhdon të jetë e tillë edhe në ditët e sotme.
Traditat e Islamit në tokën e Kazakistanit janë formuar në epokën, kur populli u vendos në këtë zonë. Islami mbërriti në stepa shumë herët, pak më shumë se një shekull pas ardhjes në jetë dhe mësimeve të vetë profetit. Ishte epoka e kalifateve të mëdha të Damaskusit, Bagdatit dhe Kordobës, të cilat ishin edhe qëndrat më të mëdha të edukimit, shkencës, kulturës dhe tolerancës për një gjysëm mijëvjeçari.
Nëpërmjet aktiviteteve paqërore të misionarëve, Islami u përhap gradualisht dhe u kthye në besimin fetar kryesor për Kazakistanin. Jetesa dhe kultura e këtij populli si nomad, bari dhe tregtar, e përhapi këtë fe edhe më gjerë, në cepat më të humbura të stepave. Sot, rivendosja e këtyre institucioneve të besimit fetar, është duke u nxitur dhe inkurajuar pas një epoke të gjatë dhe të errët të shtypjes fetare gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik.
Edhe përpara se Kazakistani të fitonte pavarësinë e plotë nga Bashkimi Sovjetik, themelet për ringjalljen e fesë së Islamit kishin filluar të hidheshin. Në vitin 1990, Presidenti Nursultan Nazarbayev, i cili e drejtonte vendin si sekretari i parë i Partisë Komuniste në Kazakistan, e sfidoi Kremlinin, duke e nxjerrë vendin jashtë Bordit Mysliman të Azisë Qendore. Bordi atëherë ishte institucioni kryesor nëpërmjet të cilit Moska kontrollonte dhe kufizonte përhapjen e Islamit në rajon. Nazarbayev e zëvendësoi atë me një myftini të re të pavarur, ose një autoritet fetar, në të cilin bënin pjesë të gjithë praktikantët myslimanë të Kazakistanit. Nëpërmjet kësaj strategjie, Kazakistani u çlirua nga kufizimet fetare të imponuara nga Bashkimi Sovjetik dhe sinjalizoi se ringjallja e Islamit do të mbështetej dhe inkurajohej nga nivelet më të larta të vendeve të pavarura në zhvillim.
Nazarbayev dhe kolegët e tij janë kujdesur që në ditët e para të pavarësisë, që të mbroheshin dhe kultivoheshin traditat e matura dhe tolerante të Islamit në Kazakistan. Në vitin 1993, Kushtetuta e re e Kazakistanit ndaloi me ligj ekzistencën e partive politike fetare. Nëpërmjet këtij akti të ri legjislativ, u sigurua një ndarje e qartë ndërmjet fesë dhe politikës.
Dy vite më pas, nëpërmjet rishikimit të Kushtetutës në vitin 1995, u ndalua me ligj ekzistenca e çdo lloj grupi që përpiqej të nxiste konflikte raciale, etnike dhe fetare në vend. Akti ligjor i njohu gjithashtu qeverisë pushtetin për të monitoruar nga afër dhe për të kufizuar aktivitetet e organizatave fetare të Kazakistanit jashtë vendit. Në këtë mënyrë, qeveria arriti me sukses të izolonte dhe të distanconte vendin nga të gjitha konfliktet fetare ekstremiste, që kanë pllakosur një pjesë të mirë të vendeve aziatike.
Në Kushtetutën e vitit 1995, ashtu si në atë paraprijëse, përcaktohet ligjërisht se, Kazakistani është dhe do të jetë gjithmonë një shtet laik. Kur Nazarbayev themeloi Myftninë e Kazakistanit, ai zgjodhi Ratbek Nisanbayev, si liderin e parë të institucionit. Nisanbayev ishte i bindur se, përfshirja e Islamit në politikë do të ishte tepër e dëmshme si për vendin ashtu edhe për vetë praktikën dhe kulturën e fesë Islame. Ai deklaroi vazhdimisht dhe publikisht se ekzistenca e çdo partie politike islamike në Kazakistan do të përbënte një kërcënim të madh ndaj paqes në vend.
Qeveria e Kazakistanit, megjithatë, nuk është përpjekur kurrë të kufizojë përhapjen e fesë Islame, madje e ka inkurajuar atë. Rezultati i kësaj nisme ka qenë i jashtëzakonshëm. Besimi fetar, dhe jo vetëm ai Islam, është zhvilluar në kushtet e tolerancës, mirëbesimit dhe lirisë gjatë dy dekadave të pavarësisë së vendit. Deri në vitin 2010, 65 për qind e 16,4 milionë njerëzve në Kazakistan, ishin bërë myslimanë. Xhamia Blu në kryeqytetin e ri Astana, u ndërtua për të pritur 7 mijë besimtarë në brendësi, por mbi 14 mijë njerëz mblidhen për t’u faluar aty çdo ditë të premte.
Gjatë verës së vitit 2011, Kazakistani krijoi gjithashtu Agjensinë e Çështjeve Fetare, një institucion qeveritar, i cili koordinon aktivitetet shtetërore në lidhje me fenë për të parandaluar çdo lloj abuzimi nga organizatat fetare në vend dhe për të mbrojtur traditat e tolerancës dhe lirisë së besimit fetar. Ishte pikërisht kjo agjensi, ajo që krijoi një draft të ri ligjor lidhur me aktivitetet fetare në vjeshtën e vitit 2011 dhe më pas u miratua nga Parlamenti dhe u dekretua si ligj nga Presidenti Nazarbayev në tetor të vitit 2011. Ky ligj, i cili ruan lirinë fetare dhe tolerancën ndërmjet besimeve të ndryshme, për herë të parë në historinë e Kazakistanit, ka nënvijëzuar gjithashtu rolin tradicional të Islamit dhe të Krishtërimit Ortodoks, si dy besimet fetare më të përhapura në vend.
Qeveria pranoi se, që Islami të zhvillohej edhe më tej, Kazakistani do të duhet të rianëtarësohej në “Ummah”, komuniteti global me 1,3 bilion myslimanë, nga i cili ishte ndarë me forcë gjatë 74 viteve të sundimit sovjetik. Ky ka qenë hapi më i rëndësishëm i vendit, që pas shpalljes së pavarësisë. Ndihmat ekonomike dhe mbështetjet e tjera për ndërtimin e xhamive dhe institucioneve edukuese në Kazakistan kanë ardhur kryesisht nga Turqia, Egjipti dhe mbi të gjitha nga Arabia Saudite. Kazakistani ka krijuar marrëdhënie tepër të mira me këto vende si edhe me shtetet e tjera të vogla të rajonit. Çdo vit, mijëra e mijëra myslimanë të Kazakistanit, kryejnë lirisht dhe me kënaqësi haxhin, pelegrinazhi fetar i përvitshëm më i madh në botë.
Presidenti Nazarbayev ka dhënë shembullin më të mirë, duke drejtuar këtë proces. Ai ka bërë vizita të rangut të lartë shtetëror në vendet kryesore të Ummahut si Turqia, Irani dhe Arabia Saudite, teksa përpiqej të krijonte ura lidhëse me vendet e Lindjes dhe Perëndimit, Veriut dhe Jugut. Në vitin 1994, ai vizitoi vendin më të shenjtë mysliman, Mekën.
Për shkak të rregullave Islame, në lidhje me pastërtinë e ushqimit, veçanërisht mishit, qeveria ka krijuar institucione të rrepta të monitorimit të cilësisë së ushqimit të tregtohet në vend. Kazakistani është kthyer në një qendër të madhe të prodhimit dhe tregtimit të mishit Hallall, megjithatë zgjedhja e çdolloj ushqimi është tërësisht vullnetare në vend. Kultura e Islamit në Kazakistan bazohet në tolerancë dhe mirëkuptim. Prezenca dhe rëndësia e këtij besimi fetar bëhet menjëherë e qartë për turistët që vizitojnë vendin për herë të parë, por nuk bëhet kurrë imponuese apo mbytëse. Femrat që zgjedhin lirisht të vishen me xhihab, veshja tradicionale myslimane e mbulimit të kokës me shami, përzihen më së miri dhe qetësisht me ato të veshura me minifunde moderne apo që shijojnë kokteile alkoolike në lokalet e shumta të natës dhe restorantet e vendit. Bukuria e ringjalljes së vlerave të vërteta dhe themelore të Islamit, si toleranca dhe bashkëjetesa në paqe, qëndron në faktin se po lulëzojnë në botën moderne, pa u bërë imponuese për popullin e Kazakiastanit dhe këdo që kërkon ta vizitojë.
Nga Lufta e Madhe tek ISIS. Eshtë verbëria ajo që qeveris historinë
Është në formë të shkëlqyer, i kthjellët dhe entuziast, pavarësisht 91 pranverave që ka mbi shpatulla, historiani Marc Ferro, specialist me autoritet i historisë së Francës, pse jo dhe i historisë së ekranit të madh. Na pret në banesën e tij në afërsi të Parisit, në një pallat elegant në Saint-Germain.en Laye. Ka në aktivin e tij 40 vëllime, “të gjitha të shkruara me dorë, nuk përton të saktësojë, dhe ka pasur 1000 jetë: qytetar i impenjuar, pse jo edhe dëshmitar i shekullit të XX-të që ka luftuar me Rezistencën, ka përjetuar personalisht luftën e Algjerisë dhe shkolonizimin. I rreshtuar me Partinë Komuniste, ka përjetuar kthimin e de Gaulle, evenimentet e Majit 1968, pse jo edhe lëvizjet intelektuale që kanë shënuar Francën. Ka rrëfyer vetveten dhe shekullin e tij tek Histoires parallèles (2011), me humorizëm dhe nonchalance. Raporteve midis historisë dhe kinemasë u ka kushtuar disa vëllime, midis të cilave atë të 2003 me titull Le cinéma, une vision de l’histoire.
Rrëfen sesi u zbuluan kontradiktat e shpirtit njerëzor, duke milituar për pavarësinë e Algjerisë atëherë kur, gjatë një diskutimi me një shok komunist të martuar me një myslimane, e dëgjoi të thërrasë: “Edhe zeshkania ime [arabe] do ta kuptonte”. Kështu, konkludoi atëherë Ferro, «mund të jesh progresist dhe, në të njëjtën kohë, në mënyrë të pavullnetshme, reaksionar apo racist», si në këtë rast, ku «ideologjisë së majtë i kundërvihej një mentalitet i djathtë»; dhe shpesh, konstaton, «kjo e fundit rezulton më e fortë se ideologjia: verbëria mund të fitojë avantazh mbi racionalitetin».
Ferro e tregon këtë episod përkrah shumë të tjerëve në një libër të dalë kohët e fundit me titull L’aveuglement. Une autre histoire de notre monde [Verbëria. Një histori tjetër e botës tonë, shtëpia botuese Tallandier], ku në shumë episode synohet të tregohet sesi gjatë 100 viteve të fundit nuk është arritur të kihet një kuptim i duhur i proceseve që po kryheshin. Në këtë, sipas tij, do të konsistonte verbëria si element karakteristik i historisë bashkëkohore, çelës leximi i privilegjuar edhe për të interpretuar evenimentet e historisë së vonshme.
«Sigurisht, ekzistojnë elementë të ndryshëm verbërie», shpjegon ai. «Kam zgjedhur ta nis librin tim me 3 shembuj të shekullit tonë, vetëm në dukje shumë të ndryshëm midis tyre: revolta rinore e majit 1968, atentatet e kryer nga al Qaeda më 11 shtator 2001 dhe ngjitja e Kinës – ndërsa parashikohej ajo e Japonisë – që këto evenimente të konfigurohen si të paparashikueshëm ose, më mirë, si procese “nëntokësore”, të ngadaltë në kohë, edhe profesionistët e analizës, të tillë si politikanët e gazetarët, specialistët e politikës».
Për shembull, profesionistët e politikës nuk qenë në gjendje të parashikojnë sesi të rinjtë, studentë, mund të shkaktonin një lëvizje sociale gjiganteske në Gjermani, në Francë, në Shtetet e Bashkuara: «De Gaulle, në 1968 Presidenti unë, pyeste “Por çfarë duan këta?”, duke ju referuar këtyre të rinjve si subjekte krejtësisht të huaj për të: në fakt, ai i njihte përsosshmërisht rivendikimet e partive, e sindikatave, e katolikëve, e komunistëve, e fashistëve, por jo të të rinjve që nuk përbënin ndonjë forcë politike». E njëjta gjë, sipas tij, do të ndodhte për al Qaeda, që «nuk zotëronte asnjë territor, asnjë shtet, asnjë strukturë institucionale të njohur, ndërsa konfigurohej vetëm si strehë e mjegullt për terroristë të shpërndarë në të gjithë botën. Megjithatë, pikërisht al Qaeda i ka vënë në gjunjë Shtetet e Bashkuara dhe kujtoj në librin tim sesi në 1996, në “New York Times” u shfaq një lajmërim me 3 rreshta, në të cilin lajmërohej se organizata do t’i shpallte luftë Shteteve të Bashkuara dhe që, pashmangshmërisht, kaloi pa u vënë re». Për sa i përket Kinës: «Sot, Dragoi na shfaqet si një shtet fuqimisht i industrializuar, por nuk duhet të mendojmë për kompanitë e mëdha alla gjermane, alla franceze apo alla amerikane, pasi aty – kujton Ferro – kemi dyqane të vogla, njëri pas tjetrit, si një rruzar. Potencialitetet e tregut kinez janë injoruar gjithmonë nga studiuesit perëndimorë dhe, edhe njëherë akoma, gjendemi kështu që të duhet të “përballojmë një “mjegull” pak të dukshme».
Dhe qysh në 2011, me rastin e përvjetorit të 10-të të atentateve ndaj Kullave Binjake, Ferro e kish paralajmëruar vizionin e vet të verbërisë, duke theksuar që «amerikanët qenë ta pavetëdijshëm për sa po ndodhte dhe nuk e kuptonin se për çfarë motivi Shtetet e Bashkuara mund të jenë objekt mërie dhe urrejtjeje. Jetonin në iluzionin se vendi i tyre ishte perfekt (…). Preferonin të injoronin se shumë në Amerikën e Jugut, në Lindje, në Europë, i urrenin». Me pak fjalë, për historianin, amerikanët «nuk e kanë marrë veten akoma, pasi duan të jenë një model për botën, por refuzojnë që të pranojnë faktin se një pjesë e mirë e botës e konteston këtë model».
Jo pak shembuj të tjerë do t’i dukeshin thelbësorë: për shembull, në faqet e para të librit shfaqet imazhi i vajzës berlinase që më 11 nëntor 1918 feston e bindur se Gjermania do të dilte fitimtare nga Lufta e Madhe: «Komunikata e Komandës së Lartë Gjermane, shpjegon ai, lajmëronte se “ushtarët kthehen jo të mundur nga fushat e betejës”. Dhe kështu, si mund të mendohej që Gjermania e mundur kishte përfunduar armëpushimin kur territori i atdheut kishte mbetur i pashkelur? Gjermanët e festojnë mbarimin e luftës me të njëjtin entuziazëm të francezëve, të anglezëve, të amerikanëve, që në fakt e kishin fituar. Nuk njihnin as klauzolat e armëpushimit, as ato të Traktatit të Versajës që e shpallnin Gjermaninë përgjegjëse për luftimet: ja pra një tjetër rast verbërie, që i detyrohet komunikatës mashtruese, pse jo edhe “goditjes me thikë pas shpine” të ideuar nga Komanda e Lartë për të fshehur disfatën. Dhe kjo bindje pati jetë të gjatë, përderisa çoi në ngjitjen e Hitlerit me të gjitha pasojat trishtueshmërisht të njohura për ne».
«Kjo fotografi, rrëfen krenar, e kam gjetur unë, rastësisht, në arkivat e Koblenz në 1963, kur po përgatisja një film lidhur me Luftën e Madhe: Më dorëzuan një bobinë 35 milimetërshe, që arrita ta hapja me një biçak dhe kishte të shënuar sipër “11 nëntor 1918″…». Ja ku Ferro i shfaqet imazhi. «Ishte shembulli kryesor i verbërisë më totale! Një verbëri masive, e përfaqësuar mirë nga përdorimi i një termi specifik – thotë pasi ka kërkuar midis faqeve të librit – domethënë atë të méprise (gabimit, gabimit trashanik), për të thënë se gabohet në mënyrë trashanike, nuk shikohet mirë, jetohet në një situatë që në realitet është krejtësisht tjetër».
Pyet akoma historiani në librin e tij: pse nuk janë parashikuar situata të jashtëzakonshme? Dhe ndër shembujt e shumtë të cituar, ai i Luftës së Parë Botërore, që do të duhej të zgjaste 6 javë, dhe marrëveshja e Mynihut që na garantonin paqen. Përfiton nga rasti për të kujtuar një méprise tjetër, atë të kthimit të Kryeministrit francez, Edouard Daladier nga Konferenca e Mynihut, i pritur me hare: «Francezët besonin se kishin shpëtuar paqen, pa parë kapitullimin. Përpara turmës entuziaste, vetë Kryeministri i etiketoi francezët si “trapa”. I konsideronte të tillë bashkëqytetarët e tij, sepse kishin besim tek marrëveshja e Mynihut, kur në realitet vetë ai dhe Kryeministri britanik Arthur Chamberlain, kishin ceduar ndaj të gjitha kërkesave të Führer».
«Kam kërkuar që të kujtoj sjelljet që krijojnë verbëri, t’u ofroj shembuj, edhe pse shembuj të pastër shfaqen rrallë, pasi mohimi dhe naiviteti mund të gjenerojnë edhe ato verbëri». Kështu do të ndodhte në rastin e interpretimit të regjimit sovjetik: «Përvoja sovjetike ngjall naivitetin e të gjithë militantëve të partive komuniste perëndimore, që shkojnë në Bashkimin Sovjetik dhe binden se disidentët burgoseshin me qëllim që të edukoheshin. Studiuesi Pierre Pascal (1890-1983), sllavist dhe ekspert i historisë së Bashkimit Sovjetik, tregonte për kushtet e jetesës idiliake të të burgosurve dhe, pas më pak se 10 viteve, në vitet ’30, pranoi se kishte qenë i verbër. Por në këtë rast bëhej fjalë për një verbëri të zakonshme, që deri-diku edhe mund të kuptohet». Për Ferro, praktikisht nuk ka qenë kurrë “as komunist, as antikomunist, por gjithmonë i majtë”, besohej ajo që dëshirohej të besohej: shkohej në Bashkimin Sovjetik ku ishte realizuar “një revolucion i jashtëzakonshëm”. Por në vijim u bë gjithnjë e më e vështirë të mohohej ekzistenca e gulagëve, pasi dihet, nga fundi i viteve ’30, se vdisnin opozitarë të shumtë.
Edhe një herë akoma, në kërkimin e tij, Ferro merr në shqyrtim edhe “mohimin” dhe ai i hebrenjve i duket befasues: «Raymond–Raoul Lambert, President i izraelianëve të Francës, megjithëse duke asistuar në arrestim pas arrestimi dhe vetë i deportuar në 1942, u shkruante familjarëve duke u premtuar: “Do t’u dërgoj adresën time”; injoronte kështu që të deportuarit shfaroseshin. Kishte quajtur vajzën e tij të lindur pak përpara arrestimit Marie-France dhe nuk shikonte gjë tjetër përveçse “këmbënguljes gjermanike” prapa shumicës së dekreteve të zbatimit të statutit të dytë të hebrenjve».
Por le të kthehemi tek 11 shtatori 2001 dhe më pas akoma edhe më afër, domethënë në aksionet e ISIS-it dhe në rekrutimin e shumë të rinjve që nisen nga Europa për të bërë luftën e shenjtë në Siri. Lidhur me këtë, Ferro thekson: «Verbëria më duket e vullnetshme nga ana jonë: është thënë menjëherë se ISIS-i nuk ishte shtet, domethënë nuk ekzistonte, idhtarët e tij konsideroheshin të çmendur dhe etiketoheshin si “ujqër vetmitarë” janë katandisur në terroristë dhe delinkuentë, në mënyrë shumë reduktuese». Më pas diagnozat kanë rezultuar në pjesën më të madhe të tyre të gabuara, «prej vullnetit për të mos ditur».
Historiani vazhdon të tregojë një episod tjetër: «Në 1997, i ftuar në një universitet maroken për të diskutuar për një libër timin mbi kolonizimin (Histoire des colonisations, 1996), i gjeta të ftuarit e mi të befasuar nga fakti që e njihja mirë vendin dhe në drekë diskutohej në liri të madhe për Islamin, për arabët, siç nuk kisha parë të ndodhte në fakt në Algjeri. Vërejta se gra nuk kishte të pranishme dhe e evidentova si fakt. Në fund të drekës, organizatorët më dhuruan fshehurazi një pako të vogël që kishte brenda një libër, duke më rekomanduar që ta lexoja vetëm sapo të kisha shkuar në Francë. Gjë që e bëra: bëhej fjalë për një tekst me titullin Të islamizosh modernizmin. Kjo, konstaton ai, ndodh ndërkohë që në botën perëndimore vazhdonin të kishin iluzionin se në fakt po modernizohej Islami. Në kopertinën e librit, të shkruar nga një farë Yassine – shfaqej një qiellgërvishtëse me flamurin e Islamit sipër dhe kjo 4 vite përpara 2001. Domethënë, askush nuk dëshiron të shikojë se projekti islamik konsiston në islamizimin e botës».
Dhe vazhdon më tej, duke konstatuar: «Vendi nga ku niset pjesa më e madhe e vullnetarëve për Siri, në përpjestim me popullsinë, është Republika Maldive: 400 familje nga një vend që ka më pak se 1 milion banorë. Me pak fjalë, ISIS-i zotëron një arqipelak që përdor Xhihadin larg, domethënë sharia, në emër të së drejtës së diferencës dhe përdor konvertimet, si në Mesjetë».
Me këtë pohim, Ferro synon të tregojë sesi «ISIS-i nuk ka influencë vetëm në Siri, por, në ndryshim nga al Assad, është një organizatë që në të ardhmen mund të mbështetet mbi 500 apo 600 milionë trashëgimtarë, domethënë një rezervë eksplozive, pasi në gjendje të shkatërrojë kudo dhe në çdo moment, duke rezultuar shumë më e rrezikshme nga sa duket para syve tanë gjatë luftës civile siriane».
Shumë herë Ferro ka pohuar se, “e kaluara e shoqërisë përbën një serbator të pashtershëm mërishë” dhe na ofron 4 tipologji që përbëjnë «Po aq elementë verbërie që ndërthuren njëri me tjetrin dhe për të cilat Europa duhet të bëhet patjetër e vetëdijshme, sepse përfaqësojnë një rrezik për epokën tonë».
Kujt i referoheni? «I pari, që e njohim të gjithë, vjen nga vendet ish-koloni; pastaj është mëria e vendeve të Lindjes ndaj Rusisë, fillimisht asaj cariste që i ka dominuar për një shekull, pastaj Bashkimit Sovjetik, që i ka mbajtur në darë për 50 vite. Atyre nuk u intereson çështja e refugjatëve, sepse terrorin e tyre e kanë përjetuar në kohën e Carit dhe të Stalinit. Kjo mëri shfaqet ende e gjallë dhe në këtë moment nuk jemi në gjendje ta përballojmë. Pastaj është edhe urrejtja e pothuajse të gjithëve ndaj Shteteve të Bashkuara, për shkak të ndërhyrjes së tyre në Afganistan, në Irak dhe më parë akoma në Kili dhe në Venezuelë. Për të përfunduar, sfida vërtet më e vështirë, një element verbërie që vjen nga vendet e ish-Europës Lindore që kanë mëri ndaj Bashkimit Europian, megjithëse tashmë i janë pjesë: në fakt, ato i akuzojnë shteteve themeluese se nuk kanë lëvizur as gishtin për t’i ndihmuar në vitet e vështira, nga 1945 në 1989…».
Jo rastësisht, thotë historiani, timoni tashmë nuk mbahet më nga Britania e Madhe, nga Franca apo nga Italia, por rritet pesha e vendeve ish-satelite të Bashkimit Sovjetik si Letonia, Estonia dhe Polonia.
Kavaja në këmbë, kundër oligarkisë së krimit dhe korrupsionit
Mijëra qytetarë të Kavajës u ngritën në sheshin kryesor të qytetit për të protestuar kundër oligarkisë së krimit dhe korrupsionit, kundër varfërisë dhe mungesës së shpresës. Protesta u bë në ditën e shënuar të 26-vjetorit të demonstratës së parë antikomuniste që ndodhi në Kavajë. Kryetari i Grupit parlamentar të PD, Edi Paloka u shpreh se 26 Marsi nuk i përket vetëm Kavajës, por mbarë Shqipërisë, duke vlerësuar lart qytetarët e Kavajës që u ngritën të parët kundër diktaturës. Paloka u shpreh se sot, 26 vjet më pas demokratët dhe shqiptarët përballen sërish me një regjim oligarkik e kriminal që duhet rrëzuar një orë e më parë.
“Sot jemi mbledhur këtu jo thjeshtë për të përkujtuar 26 Marsin, por për të përkujtuar atë që më 26 mars për herë të parë ndodhi në Shqipëri. Filloi këtu në Kavajë. E hodhën frikën, u përplasën me diktaturën më të egër në Europë. Njerëzit më trima që dolën nga ky qytet u përplasën me diktaturën më të ndyrë që kishte njohur ndonjëherë Europa. Kur erdha pashë një slogan: 26 Marsi dita e Kavajës. Kjo datë nuk është thjeshtë dita e Kavajës, por është dita e gjithë shqiptarëve, sepse këtu filloi përmbysja e diktaturës që kishte nënshtruar për 50 vjet një popull që kishte vuajtur varfërinë, vrasjet, burgjet, vrastare e një diktature. Për fat të keq pas kaq kohësh kur ju dhe ne arritëm të fitonim lirinë dhe demokracinë, sot na duhet fatkeqësisht edhe njëherë të përballemi me të njëjtën situatë”, tha Paloka.
Sekretari i Aksionit Qytetar, Ervin Salianji u shpreh se, sot Kavaja dhe mbarë vendi vuajnë ndërsa qytetarët i kanë sërish sytë nga deti për të ikur nga Shqipëria. Salianji kërkoi nga qytetaria e Kavajës të ngrihet sërish kundër këtij regjimi që po varfëron shqiptarët dhe po shuan shpresat e tyre për një vend më të mirë. “Sot Kavaja, si gjithë Shqipëria, nuk zgjedh më me votë të lirë. Kavaja, si gjithë Shqipëria, sheh, edhe njëherë si atëherë, me sytë nga deti. Për të ikur nga sytë këmbët nga ky qytet dhe ky vend. Kavaja, si gjithë Shqipëria, e mat me xhep mirëqenien dhe jo me propagandë qeveritare ku, edhe njëherë si atëherë, jemi kthyer në zili për armiqtë dhe shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut. Shihni anash jush, apo kujtoni një familjar a të afërm që është i papunë; merr ushqimet apo bukën me listë; nuk e paguan dot shkollën e fëmijëve; nuk ka lekë për ilaçet, por edhe kur i ka i merr të skaduara. Pse, a kjo është Rilindja? Etërit, me sa duket, kanë rilindur për të na marrë peng edhe njëherë”, tha Salianji.
Kryetari i PD në Kavajë, Engjëll Cara shprehu mirënjohen e thëllë për bashkëqytetarët e tij për protestën e parë antikomuniste në Shqipëri, por bëri thirrje që kjo datë është sot një ditë proteste. Ai ftoi qytetarët e Kavajës për të protestuar sërish kundër kësaj diktature të re.
“Të gjithë e dimë se nga një ndeshje futbolli mori rrugën kapitullimi i regjimit. Paradoksale, që fundi të vijë nga futbolli. Por në fakt është krejt e kundërta: Nga futbolli nisi një fillim i ri, edhe pse futbollistët, ishin thjesht protagonistë. Mbahet mend si i vetmi rast ku spektatorët ishin bërë “lojtar” e lojtarët spektatorë. Në Stadiumin “Besa” tanimë kishte nisur. Pas minutës së 80′ siç ishte planifikuar, të rinjtë kavajas brohorasin “Liri” “Demokraci”, parulla të padëgjuara më parë hapur, në publik. Parulla që sfiduan sistemin dhe u dhanë kurajë shqiptarëve. Në Kavajë, fatkeqësisht, sot nuk është ditë feste, por ditë proteste. Do të protestojmë edhe për 26 Marsin, për harresën që po i bëjnë. Por thonë: “Kush harron historinë e tij do të duhet ta ripërsërisë atë”, tha Cara.
Basha për protestën: Qytetarët çajnë rrethimin, terr mediatik nga mediat e kapura nga Rama
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka denoncuar dhunën e ushtruar nga Policia Bashkiake e Tiranës ndaj protestuesve të shoqërisë civile.
Në një status në Facebook, Basha ka dënuar edhe mospasqyrimin nga televizionet të protestës së aktivistëve që kundërshtojnë punimet brenda parkut të liqenit.
“Protestë në Parkun e Liqenit. Protestuesit kanë çarë gardhin. Dhunë shtazarake mbi protestuesit. Terr mediatik, asnjë fjalë për protestën. Asnjë foto nga protesta. Oligarkia i ka zënë për fyti apo jua ka zënë fytin…”, shkruan Lulzim Basha në Facebook.
Pak më parë, protestuesit hoqen rrethimin ku po kryhen punimet për ndërtimin e këndit të lojrave brenda parkut të liqenit të Tiranës dhe u përleshën me policinë.
Ambientalistët: Të ndalohet kategorikisht ndërtimi
Katër ligje të Kushtetutës janë shkelur për ndërtimin e këndit të lojërave në Parkun e Liqenit sipas ambientalistëve. Në një deklaratë për mediat ambientalistët janë shprehur se ky është një rast i qartë kur Bashkia shkel mbi vetveten dhe bëri thirrje që qytetarët të bashkohen për të ndalur sa më parë punimet për ndërtimin e këndit të lojërave.
“Vepër që ka nisur me kokëfortësi, ka nisur me inat, ka nisur me kundërshti me zërin jo të paktë, por të shumtë të qytetarëve dhe është hera e parë që Bashkia shkel mbi vetveten. Kemi një zonë që thuhet që ndalohet kategorikisht ndërtimi. Shkel ligjin e planifikimit të territorit. Shkel ligjin për moratoriumin e pyjeve dhe ligjin për miratimin e rregullores së planifikimit. I bëj thirrje gjytetarëve të binden për shkeljet ligjore”, është shprehur Guri. Përfaqësuesi i PD, Jamarbër Malltezi në një reagim në profilin e tij Facebook denoncoi ashpër dhunën policore të ushtruar ndaj protestuesve.
“Babëzia dhe vjedhja e 700 milionë lekëve ju ka mbyllur arsyen dhe ngushtuar mendjen. Të mjerët përdorin policinë për të mbrojtur paligjshmërinë. Policia nuk lejon qytetarët as në rrugë? Të keqpërdorur. Arroganca me pushtetin po kërcënon mushkëritë e Tiranës. Ngritëm tendën bri themeleve 1 metër të trasha të betonëve të hedhura në park. Pemë të prera përkundër gënjeshtrave të Erion Veliajt që nuk janë prerë pemë. Trishtim dhe turp me këtë arrogancë të pushtetit që shkel 5 ligje dhe përdor policinë që të mbrojë paligjshmërinë. A është park apo beton? A nuk ka nevojë për leje mjedisi kur bëhen punime në tokë, hidhet beton dhe hyjnë 25 betoniere në ditë me baltë dhe çlirim tymrash? Këtu nuk ka as shtet ligjor dhe as Prokurori. Angazhohet policia për të shkel ligjin?! Angazhohet pushteti përmes pushtëve në KQZ mos lejojë që qytetarët të shprehen nëse e duan apo jo. U përballëm sot me paligjshmërinë. Për parkun. Për mushkëritë e fëmijëve tanë”, shprehej Malltezi në reagimin e tij.
Pushtohet parku, policia dhunë shtazarake ndaj protestuesve, tërhiqet zvarrë aktivistja
Qytetarët e Tiranës, shoqëria civile, të mbështetur edhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike kanë pushtuar dje kantierin e ndërtimit ku Veliaj po betonizon Parkun e Liqenit, ndërsa i kanë bërë rezistencë dhunës shtazarake të policisë. Rreth orës 17:00 të pasdites së djeshme, ashtu siç ishte paralajmëruar, protestuesit fillimisht rrëzuan kangjellat rrethuese ku Bashkia prej disa ditësh ka shtruar betonin, duke çarë rrethimin e kantierit të ndërtimit e më pas e kanë pushtuar atë. Protestuesit u përleshën gjatë me policinë, ndërsa sfiduan dhunën dhe terrorin e ushtruar ndaj tyre duke arritur që të thyenin gardhin rrethues.
Në këtë moment protestuesit kanë ngritur çadrat e tyre në park me qëllim moslejimin e vijimit të betonizimit të parkut. Një grup i protestuesve i ka tërhequr policët në një pjesë të rrethimit, ndërkohë që një grup tjetër, pa u vënë re, ka rrëzuar rrethimin e kantierit në një pjesë tjetër të perimetrit. Pasi kanë hyrë brenda, protestuesit kanë tentuar të ngrejnë çadrat. Gjatë gjithë kësaj kohe, protestuesit u përleshën me forcat e Policisë Bashkiake, e cila ushtroi ndaj tyre dhunë për t’i larguar. Në këtë situatë të tensionuar, në vendin e ngjarjes në ndihmë të Policisë Bashkiake kanë ardhur edhe forcat Shqiponja dhe forcat speciale, ku policia nisi të forconte dhunën ndaj protestuesve, duke i nxjerrë ata forcërisht nga kantieri.
Sapo ka rënë nata, policia ka ndërhyrë me forcë tek vendqëndrimi i aktivistëve të shoqërisë civile brenda Parkut të Liqenit, të cilët kundërshtojnë punimet e Bashkisë së Tiranë. Disa prej protestuesve u tërhoqën zvarrë nga Policia Bashkiake. Njëra prej aktivisteve u dërgua në spital për të marrë mjekim. Në rrjetet sociale nisën të qarkullonin dy video ku dukeshin momentet gjatë konfrontimit fizik mes protestuesve dhe policisë mbrëmjen e djeshme. Shumica e portaleve dhe televizioneve nuk i kanë transmetuar pamjet e dhunës së policisë ndaj protestuesve.
Policia Bashkiake e Tiranës ka dhunuar dhe ka tërhequr zvarrë aktivistët e shoqërisë civile, të cilët prej disa orësh kanë hyrë brenda rrethimit ku po kryhen punimet në Parkun e Liqenit. Janë vetë aktivistët e shoqërisë civile që kanë denoncuar këtë rast, të cilët thonë se policët e Bashkisë së Tiranës kanë marrë zvarrë shoqen e tyre Rezarta Çaushaj. Kjo e fundit është dërguar në spital në gjendje të rëndë. Policia sumoi pa paralajmërim vendqëndrimin e protestuesve. Edhe më herët pati përleshje me policinë, pasi protestuesit shkulën rrethimin ku po kryhen punimet brenda Parkut të Liqenit të Tiranës.
E megjithatë, protestuesit kanë paralajmëruar se protestat nuk do të ndalen dhe se do të jenë edhe masive deri në ndaljen e masakrës që Rama-Veliaj po bëjnë ndaj Parkut të Liqenit. “Nuk do të largohemi që këtej. Nuk na tremb dhuna dhe as forcat e terrorit që po sjellin ndaj nesh. Protestat do të vijojnë derisa betonizimi Rama-Veliaj të marrë fund. Ne nuk ndalemi”, u shprehën protestuesit. E ndërsa kjo situatë e tensionuar kishte pushtuar parkun, asnjë nga mediat informative nuk transmetoi asgjë.
Bashkim sindikalist në aksionin për të ndalur oligarkinë në pushtet
Lulzim BASHA
Muajt e fundit kemi përkujtuar e festuar me krenari përvjetorët e disa prej ngjarjeve më të mëdha që ndryshuan historinë tonë në vitin 1990 dhe në fillim të vitit 1991: 8-dhjetorin e shpërthimit të Lëvizjes Studentore për Liri e Demokraci, 11-dhjetorin e fitores së pluralizmit politik dhe themelimit të Partisë Demokratike, që theu monopolin gjysëmshekullor të shtetpartisë komuniste të punës, 20 shkurtin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, si simboli i diktaturës me të egër në Europë.Themelimi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura qëndron denjësisht në piedestalin e këtyre ngjarjeve madhore si për nga guximi dhe largpamësia e themeluesve të saj, ashtu edhe për nga rëndësia dhe kontributi i jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës. Veç e veç në fillim dhe të bashkuara pak më vonë, sindikatat e pavarura të Shqipërisë zbritën në arenën e kohës si një fuqi e re e pazëvendësueshme e përshpejtimit të ndryshimeve demokratike në vend. BSPSH ishte protagoniste në sa e sa ngjarje, nisma dhe kauza vendimtare, që përmes forcës së bashkimit, organizimit, grevave dhe protestave që nuk i kishte njohur historia jonë, zhvlerësuan përpjekjet e diktaturës komuniste për të mbijetuar, duke i marrë anën demokracisë. BSPSH u bë zëri i ri përfaqësues i një mase shumë të madhe punëtorësh anembanë vendit që donin ndryshimin. Ajo hyri dhe është në histori. BSPSH është Solidarnosti ynë. Lëvizja Studentore e Dhjetorit, Partia Demokratike dhe BSPSH, janë tre forcat simotra që hapën rrugën e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri 25 vite më parë. Ne jemi të “një gjaku” në kuptimin që edhe PD, edhe sindikatat e pavarura i ka lindur Liria. Ne jemi lidhur që prej fillimit e në vazhdimësi nga respekti për vlerat e përbashkëta që janë të shenjta për ne dhe për ju: puna, dinjiteti i individit të lirë, i punëtorit, i qenies njerëzore, i shqiptarit.Ju jeni demokratë kur predikoni dhe luftoni për këto vlera. Ne jemi sindikalistë gjithashtu, duke luftuar këto vlera.
Oligarkia i kërkon sindikatat të vdekura
Partia Demokratike vlerëson faktin se BSPSH ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të madh për të mbajtur qeveritë nën presionin e fortë të kërkesave për zbatimin e ligjeve që mbrojnë punëmarrësit, për ndryshimin dhe përmirësimin e këtyre ligjeve sa herë paraqitet nevoja. BSPSH vazhdon të jetë e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë në qeverisje, që janë shkaku kryesor i shpunësimit, i rënies së konsumit, i uljes de fakto të rrogave, i varfërisë në rritje. BSPSH është gjallë dhe e fortë edhe pse oligarkia në pushtet e do të vdekur. Kush nuk e kujton batutën e kryeministrit shqiptar për të ashtuquajturat avantazhe joshëse të Shqipërisë për investitorët italianë. Nuk janë taksat që i kemi më të lartat në rajon. Nuk është klima e biznesit që e kemi të fundit në rajon dhe në fund të listës botërore. Ne kemi një avantazh tjetër, sipas Ramës. Apo më saktë nuk kemi diçka tjetër që, sipas tij duhet të na bëjë punë. Nuk kemi sindikata! Kjo ishte batuta dhe oferta e Ramës për investitorët italianë. Kryeministri italian ka qenë në siklet edhe ta dëgjonte e jo më ta mendonte. Si është e mundur që kryeministri i një qeverie që vetëquhet e majtë, ambalazhon me një shaka të pakripë gëzimin dhe dëshirën e tij që vendi të mos ketë sindikata? Ka mundësi, sepse ai dhe kupola që qeveris sot vendin nuk kanë lidhje as me të majtën, as me të djathtën, por vetëm me interesat e tyre të ngushta. Urrejnë opozitën, urrejnë shtypin e lirë, urrejnë organizatat e pavarura të Shoqërisë Civile, urrejnë institucionet e pavarura, urrejnë sindikatat e pavarura, urrejnë gjithçka që nuk e kapin e nuk e kanë nën kontrollin e tyre.Kjo kupolë pasurohet për vete me tendera e konçesione korruptive, me kontrabandë dhe trafiqe, por nuk ka asnjë qëllim, nuk e ka as në mendje, t’i shërbejë punës dhe punësimit, mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve, familjarëve, kryefamiljarëve, të papunëve. Bilanci i saj në këto fusha jetike nxin ngado që ta shikosh.
Në një muaj u pushuan 75 mijë punonjës, vendi në kthetrat e varfërisë
Papunësia reale, edhe sipas INSTAT-it nën kontroll qeveritar është në rritje të pandalshme. Në fund të vitit 2015 ky tregues u ngjit zyrtarisht në nivelin 17.7%, por faktikisht siç e dimë të gjithë ne, siç e dini mirë ju, qëndron shumë më lart. Aksionet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër informalitetit kanë qenë e janë kryekëput klienteliste dhe kanë pasur si pasojë pushimin nga puna të mbi 75 mijë punonjësve vetëm gjatë periudhës shtator–tetor të vitit 2015. Biznesi i vogël, por edhe ai i mesëm, po përjeton ditë shumë të vështira për shkak të taksave dhe gjobave dhe arbitraritetit të hordhive inspektuese që shkojnë e vijnë si miza kali, çfarë i detyron shumë prej tyre të reduktojnë aktivitetin ose të mbyllen. E gjitha kjo bie në kurriz të vetëpunësuesve, të punëmarrësve dhe punëdhënësve. Problemin më të madh që ka sot vendi, atë të papunësisë dhe shpunësimit, qeveria i qaset me shpotinë e propagandës dhe aksione mediatike. 30 mijë vende vakante pune deklaroi Kryeministri. 200 mijë ia priti ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Me këtë ritëm, vendet imagjinare të punës pas pak javësh do të tre-katërfishohen. Por eksodi masiv i shqiptarëve nuk lë hapësirë për humorin e zi të shifrave të qeverisë. Për shkak të papunësisë, korrupsionit, për shkak të krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim, për shkak të errësimit të perspektivës në të gjitha drejtimet, shqiptarët e larguar gjatë vitit të fundit janë sa popullsia e Gjirokastrës apo Beratit. Ky eksod në këto përmasa përkeqëson direkt gjendjen në tregun e punës, sepse rriskun e emigracionit e merr pjesa vitale e shoqërise, e cila ka edhe potencialin më të madh për t’u bërë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Mosrritja për tre vite me radhë e pagës minimale është pjesë e një politike që e ka sjellë ekonominë në deflacion, pasi fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm. Në uljen e nivelit të jetesës ka ndikuar direkt edhe rritja e pashpirt e cinike e çmimit të energjisë elektrike, e cila ndikon më së shumti në shtresat e varfëra. Po ashtu, rritja e çmimit të transportit publik me 33% ka një ndikim të madh në xhepat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilët janë edhe konsumatorët e parë të këtij lloj shërbimi. Ju, sigurisht, i keni në qendër të vemendjes dhe aksionit tuaj sindikalist këto probleme e shumë të tjera që rëndojnë gjendjen e punëmarrësve. Ne si opozitë i kemi në qendër të aksionit dhe programit tonë politik. Ne jemi në të njëjtën anije në përpjekjen tonë për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e korrupsionit, krimit dhe krizës. Politika jonë fiskale që ka në boshtin e saj uljen dhe thjeshtimin maksimal të taksave do të sjellë më shumë investime dhe vende pune dhe vende pune me paga më të mira, do të reduktojë informalitetin dhe do të krijojë hapësira për një zhvillim ekonomik të qëndruesheëm, si rruga e vetme e reduktimit të varfërisë.
Programi i PD, mundësi reale për rritjen e pagave
Dua t’ju njoftoj se departamentet e PD-së kanë përfunduar sipas fushave projektprogramet e zhvillimit, që ne do t’i konsultojmë me grupet e interesit, me partnerët socialë, me BSPSH-në, me organizatat e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Po kalkulojmë mundësitë reale të rritjes së pagave, sidomos të pagës mininale, e cila është praktikisht një referencë edhe për pagat e tjera.
Zoti Kalaja, unë e marr si shenjë besimi dhe vlerësimi apelin tuaj në emrin të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe ju përgjigjem sot nga kjo sallë, se PD do të jetë në nivelin e pritshmërive të sindikatave sot si opozitë dhe alternativë krah për krah jush për zgjidhjen e problemit të madh të papunësisë dhe varfërisë përveç politikave që do të nxisin zhvillimin ekonomik, investimin, rritjen e konsumit , rritjen e pagës minimale. Ne presim që së bashku të luftojmë e të punojmë për t’i arritur këto objektiva përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sigurisht presim që pas kësaj, siç kemi qenë dhe jemi aleatë në vlera, ne si qeverisje të jemi ballë përballë me njëri-tjetrin për të garantuar zbatimin e tyre.
BSPSH kanë shënuar tranzicionin shqiptar deri në ditët tona dhe unë besoj fort se, pavarësisht vështirësive, ky bashkim sindikalist me emër dhe kontribute të mëdha do të forcohet, do të tregojë se është gjallë dhe jo i vdekur siç uron oligarkia në pushtet, do të ridalë fuqishëm në skenën e kohës, duke shtuar radhët, duke intensifikuar aksionin në shembullin e fillimeve heroike të 25 viteve më parë dhe të sindikalizimit bashkohor perëndimor gjithashtu. Shqipëria ka nevojë për ju. Hallet, dhimbjet dhe nevojat e njerëzve të thjeshtë kanë nevojë për sindikatat dhe sindikalizmin. Liria ka nevojë për ju. Jam i bindur se BSPSH nuk do t’u mungojë këtyre pritshmërive.
Shqipëria humb 2-1 me Austrinë
Shqipëria humbi 2-1 miqësoren me Austrinë, me Lenjanin që shënoi të parin gol në ndeshjet e kuqezinjve të luajtura në Vjenë. Shqipëria zhvilloi një 90 minutësh me dy fytyra përballë një prej kombëtareve më të mira në Europë për momentin, duke shfaqur probleme në mbrojtje në 45 minutat e para, që mund të kthehen në problem në një kompeticion të rëndësishëm, por duke treguar karakter në pjesën e dytë e mbi të gjitha forcë reagimi në një situatë përballë së cilës mund të gjendemi dhe në Europian. Në Vjenë kuqezinjtë veshën për herë të parë dhe fanellat e reja, në një ndeshje ku nuk ishin aspak të vetmuar dhe kjo u kuptua dhe në momentin e këndimit të Himnit, kur pas tyre qëndronte një mur i madh shqiptarësh, zëri i të cilëve kumboi madje në “Ernst Happel”.
Sa i përket formacionit, De Biasi luajti me rreshtimin 4-5-1, ku spikasnin, Kaçe e Lila titullar, por dhe Mavraj, që rikthehej pas plot një viti me Kombëtaren pas një mungese të gjatë, gjë që u ndje sidomos në minutat e para, ku austriakët hapën disa herë në qendër mbrojtjen tonë përpara se të shënonin në të 6-ën pikërisht me Jankon, që shfrytëzoi një gabim në vendosje në mbrojtje të tanëve. Goli nuk uli ritmin e austriakëve që në të 9-ën rrezikuan sërish me Jankon, ndërsa 3 minuta më pas provoi Mavraj në krahun tjetër me kokë, por jo saktë. Në të 13-ën, një top i gjatë i portierit Almer, shërbeu si asist për Harnik pas një gabimi të Mavrajt, që nuk vuri re lojtarin vendas, duke e lënë këtë të fundit të vraponte i vetëm drejt portës për golin e 2-0. Në disavantazhin 0-2 Shqipëria u gjet përpara një situate që duhet të tregonte se si do të sillej nëse do t’i ndodhte diçka e ngjashme dhe në Europian dhe kuqezinjtë u përpoqën të ndryshonin ritmin me Austrinë që u tërhoq paksa. Në të 22-ën Balaj provoi me kokë, por Almer priti, ndërsa 2 minuta më pas Lenjani lëshoi një goditje të fortë, por jashtë kuadratit.
Gjithsesi loja ishte paksa e ngadaltë nga ana e kuqezinjve dhe qëndrimi i De Biasit, që ishte zhytur në stol dukej sikur e konfirmonte. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 2-0 për vendasit pasojë dhe e gabimeve në mbrojtjte të Shqipërisë. Pjesa e dytë nisi me ndryshime te Shqipëria, me De Biasin që hodhi në fushë Roshin e Cikalleshin për Lilën e Balajn. Lëvizje që dha efekte, pasi pas vetëm 2 minutash, Cikalleshi shërbeu për Lenjain, që shkurtoi diferencën me një silur në portë, duke i dhënë një arsye kuqezinjve në tribuna për të festuar. Gjithsesi problemet në mbrotjen tonë u bënë të dukshme në të 57-ën kur Arnautoviç shfrytëzoi një tjetër hapje, duke lënë në qendër për Jonuzoviçin që nuk devijoi dot për në rrjetë. Me fat ishte dhe Austria pak sekonda më pas kur Cana i vetëm përballë Almer nuk zgjodhi kohën e duhur për të goditur nga dy hapa. Në të 69-ën, Roshi mori sërish mirë krahun, por askush nuk mundi të devijojë në qendër.
Shqipëria vazhdoi të hapej mirë nga krahët, por pa arritur dot te goditja. Në të 78-ën, kuqezinjtë mbetën me 10 vetë pas daljes me të kuq të Kaces. De Biasi megjithatë nuk hoqi dorë nga sulmi, duke nxjerrë Lenjanin për Sadikun, me Shqipërinë që kaloi në rreshtimin 4-3-2. Në të 85-ën, Shqipëria rrezikoi të pësonte në kundërsulm, por këtë herë kuqeznjtë treguan se i kishin mësuar gabimet e pjesës së parë dhe mbyllën mirë zonën. Ndërsa në të 93-ën ishte Berisha që shpëtoi golin e 3-të. U mbyll 2-1 për Austrinë, një test miqësor mëse i vlefshëm për kuqezinjtë, që ditën të mësojnë brenda një ndeshje të vetme nga gabimet e saj, duke i dhënë dhe De Biasit disa tregues mbi të cilët duhet të punojë.
Studimi i Altax: Shqipëria rritje taksash mbi mesataren e rajonit
Gjatë vitit 2015, pjesa më e madhe e vendeve të Ballkanit i rritën taksat, por Shqipëria dhe Serbia zbatuan norma më të larta rritje se mesatarja e Rajonit. Ky është një ndër përfundimet e studimit të Altax, të publikuar në Ditën e Lirisë fiskale në Shqipëri. Studimi evidenton se vendi ynë ka një nivel më të ulët të barrës tatimore krahasuar me një pjesë të fqinjëve, megjithëse vitet e fundit barra fiskale është rritur. Taksat po rriten në të gjitha vendet e Ballkanit, me përjashtim të Bosnje – Hercegovinës dhe Malit të Zi, por Shqipëria dhe Serbia janë dy vendet që po zbatojnë norma rritje më të larta se mesatarja e rajonit. Ky është konkluzioni i studimit për barrën fiskale, i realizuar nga Altax në ditën e lirisë fiskale në Shqipëri, 2016. Studimi evidenton se barra tatimore në rajonin e Ballkanit në vitin 2015 është mesatarisht sa 31,5 përqind e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Ndërsa një vit më parë kjo ngarkesë fiskale ishte 31.2%. Barra tatimore rezulton më e ulët në Kosovë me 23,8%, Shqipëri me 24,1% dhe Maqedoni me 26,2%. Ndërsa barra tatimore më e lartë gjendet në Mali i Zi, Kroaci dhe në Greqi. Studimi vë në dukje se Shqipëria dhe Serbia janë në vendet që kanë një miratuar politikë fiskale, e cila i ka dhënë ngarkesë fiskale sistemeve të tyre tatimore mbi mesataren e rajonit ballkanik. Gjatë viteve të fundit, niveli i taksave ka pësuar rënie në Kosovë, Malin e Zi, Rumani dhe Greqi. Ndërsa në Shqipëri, Serbi, Kroaci dhe Maqedoni shikohet rritje e ngarkesës fiskale. Ndërkohë, pas raportit “Doing Business 2016”, edhe Banka Botërore kritikoi qeverisë shqiptare, jo vetëm për taksimin më të lartë në rajon, por edhe e akuzon atë hapur për evazion në lidhje me arkëtimin e taksave. Sipas raportit më të fundit të BB për pagesën e taksave, vendi ynë është thuajse i fundit në rajon (lëmë pas vetëm Serbinë). Raporti i BB vlerëson se, Shqipëria ka zbritur 11 vende në Indeksin për pagesën e taksave. Ne renditemi në vendin e 142, ndërsa një vit më parë mbanim pozicionin e 131. Ndërkaq, sipas raportit të BB-së, Shqipëria është vendi që ka njohur rritjen më të madhe në normën totale të taksave në harkun e një viti. Për taksat që paguajmë, ne lëmë pas vetëm Serbinë. Ndërsa të gjitha vendet e tjera të rajonit vihet re se kanë bërë përmirësime. Shqipëria është jo vetëm vendi me taksat më të larta në rajon, por edhe rivalizon Serbinë në këtë drejtim. Raporti i BB-së citon qartë se, shqiptarët paguajnë më shtrenjtë TVSH–në, tatim fitimin dhe kontributet e sigurimeve shoqërore, siç rezulton nga një tabelë krahasuese e raportit “Doing Business” të Bankës Botërore. Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të taksës në rajon për kontributet shoqërore që paguhen nga punëdhënësit. Megjithatë rezulton me rendimentin më të ulët fiskal, çka ngre dyshime se me këtë taksë kryhet evazion i lartë. Tabela krahasuese, tregon se Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia. Sidomos në kontributet që paguhen nga punëdhënësit, Shqipëria ka ndër nivelet më të larta të taksës në rajon, por rendimentin më të ulët fiskal. Shqipëria, së bashku me Serbinë kanë nivelin më të lartë të taksave në rajon, në TVSH, kontributet e sigurimeve, që paguhen nga punëdhënësi dhe tatimin mbi korporatat. Jo më kot, të dy këto shtete kanë nivelin më të lartë të taksave në përqindje ndaj fitimit, përkatësisht 36.5% Shqipëria dhe 39.7% Serbia. Sipas një tabele të nxjerrë nga të dhënat e Bankës Botërore, Shqipëria dhe Serbia kanë nivelin më të lartë të TVSH-së, në 20%. Në Maqedoni, niveli më i lartë i TVSH-së është 18%, ndërkohë që vendi ka dhe një TVSH të reduktuar prej 5% për produkte ushqimore, produkte mjekësore, makineri bujqësore, publikime, shitja e parë e ndërtesave dhe apartamenteve si dhe transporti dhe akomodimi. Mali i Zi e ka TVSH-në 19%, Bosnja 17% dhe Kosova në nivelin më të ulët prej 16%. E gjitha kjo vjen në një kohë, kur i gjithë rajoni u fut në një garë të ethshme se kush i ulte sa më shumë taksat dhe zbatonte taksë të sheshtë në nivelin e afër 10%, me përshkallëzimin e krizës ekonomike, rezulton se, vetëm Serbia dhe Shqipëria e rritën taksën mbi korporatat në 15%. Shtetet e tjera vazhduan të ruajnë norma të ulëta të tatimit që paguajnë sipërmarrjet. Mali i Zi ka aktualisht nivelin më të ulët të kësaj takse në rajon, në 9%, ndërsa Maqedonia, Kosova dhe Bosnja e kanë atë në 10%.