28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Obama me trupa në Siri

Jo trupa të rregullta në Siri, kjo ishte dhe mbetet motoja e Presidentit të SHBA-së, Barack Obama. Megjithatë, këtë javë ai dërgoi 250 ushtarë të tjerë në terren.
“Ata nuk do ta drejtojnë luftën në tokë, por do t’u ofrojnë forcave lokale trajnim dhe mbështetje, për ta sprapsur IS-in”, është shprehur Obama.
Strategjia e SHBA-së është: luftën kundër Shtetit Islamik duhet ta zhvillojnë trupat vendase. Por megjithatë është e mundimshme gjetja e luftëtarëve të përshtatshëm. Ushtarët amerikanë në terren do të japin ndihmën e tyre për këtë, deklaroi një zëdhënës i Pentagonit, Peter Cook. Ai tha se, plotësimi me ushtarë të rinj do të mbështetet në suksesin që kanë arritur 50 ushtarët e forcave speciale, të dërguar më parë në Siri.
“Ato e kanë përmirësuar pamjen që kemi për fushën e betejës, kanë vendosur kontakte me vendas, me trupa të afta dhe e kanë përmirësuar saktësinë e objektivave tona. Trupat e reja do ta zgjerojnë këtë dhe do të mbështeten në atë që funksionon”.
Shpresa është që në këtë mënyrë të sprapset edhe më tej Shteti Islamik. Objektivi është “Rakka”, fortifikatë dhe në njëfarë mënyre kryeqyteti i IS-it në Siri. SHBA-ja shpreson të kenë sukses luftëtarët veçanërisht efikasë kurdë. Megjithatë, ato kërkojnë edhe trupa arabe. Scott Mann ka punuar për 18 vjet në trupat speciale të SHBA-së dhe i shpjegoi NPR punën e trupave.
“Puna që bëjnë me të vërtetë shumë prej këtyre tipave është që ata punojnë pranë, me dhe në mes të trupave vendase. Kemi të bëjmë me metodën e vjetër të “Lorencit të Arabisë”: një grup i vogël luftëtarësh përzihet në një kulturë lokale, flet gjuhën e vendit, qendron gjatë aty dhe i ndihmon me themel trupat vendase”.

Suksese po jo luftë të gjatë
Qëndrimi i qeverisë së SHBA-së është i qartë: ajo dëshiron suksese, por nuk dëshiron të përfshihet në një luftë të gjatë me trupa tokësore. Kjo taktikë e kujdesshme ka kohë që në Uashington shkakton kritika, për shembull te senatori republikan John McCain: “Duket sikur ne jemi gjithmonë një hap pas, një ditë më vonë ose një dollar më pak”.
Sipas McCain, dërgimi i 250 ushtarëve shtesë ishte një hap tjetër ngurrues në një rrugë të rrezikshme të shkallëzimit gradual të situatës. McCain është prej kohësh kritik i politikës së jashtme të Presidentit Obama, veçanërisht përsa i përket qendrimit të tij ngurrues në Lindjen e Afërme:
“Ne jemi tërhequr dhe kemi qëndruar të përmbajtur dhe jemi përpjekur të bindim veten, se të gjitha do të rregullohen. Rezultati: në Lindjen e Afërme nuk u krijua ndonjë rend i ri, vetëm kaos”.
Kaosi në Siri e bën edhe më të vështirë gjetjen e një zgjidhjeje. Në luftë kundër Shtetit Islamik, amerikanët mbështeten veçanërisht tek kurdët. Këtë, aleati Turqi nuk e shikon me qejf – për t’u shprehur në mënyrë të kujdesshme. Armëpushimi i gjetur me vështirësi në luftën civile siriane thuajse ka marrë fund, gjë që e vështirëson luftën e përbashkët kundër terrorit.

Liria e mediave e kërcënuar në të gjithë botën

“Janë kohë të errëta për lirinë e shtypit dhe të mendimit dhe për të drejtat e njeriut në përgjithësi”, thotë avokati egjiptian dhe veprimtari i të drejtave të njeriut, Gamal Eid. Kundër tij dhe aktivistit të të drejtave të njeriut, Hossam Bahgar pritet të kryhet procesi gjyqësor për shkak të “njollosjes së emrit të vendit tënd” – dënimi në fund të procesit është i paqartë.
“Sot është e rrezikshme që të punosh si gazetar ose të thuash mendimin tënd në një roman, në internet ose në një gazetë”, i tha Eid “Deutsche Welle”-s duke folur jo vetëm për vendin e tij Egjiptin, por për të gjithë Afrikën Veriore dhe Lindjen e Afërme.
Ky vlerësim është i vlefshëm për të gjithë botën, thotë raporti vjetor i Organizatës Reporterë pa Kufij. Në vitin 2015, ishin 110 gazetarë, 27 qytetarë gazetarë dhe shtatë bashkëpunëtorë të mediave që e paguan punën me jetën e tyre. Raportin “Reporterë pa Kufij” e publikon në bazë të një pyetësori të gjerë dhe të vëzhgimeve në 180 vende.
Me titullin “Liria e mediave në tërheqje në të gjithë botën”, organizata përmbledh zhvillimin negativ të vitit 2015. “Nuk ka një emërues të përbashkët, por janë disa, ku mund ta reduktosh punën”, thotë atasheu i shtypit i Reporterëve pa Kufij, Christoph Dreyer.

Dekorim i DW-së për kryeredaktorin e “Hürriyet”
Në Turqi gazetarët nxirren në mënyrë masive para gjyqit, ndërsa faqet e internetit bllokohen. Mbajtësi i Freedom of Speech Award të “Deutsche Welle”-s për këtë vit është kryeredaktori i “Hürriyet”-it, Sedat Ergin, i cili si shumë gazetarë ndodhet para gjyqit, për gjoja fyerjen e Presidentit të shtetit Erdogan. Ai e merr çmimin “në emër të qindra gazetarëve në Turqi, të cilëve u duhet të punojnë në kushte të ngjashme”, thuhet në argumentimin e Drejtorit të Përgjithshëm të DW, Peter Limbourg.

Luftim i terrorit në kurriz të lirisë së mediave
Edhe Dunja Mijatoviç e sheh me shqetësim zhvillimin e përbotshëm. Që prej vitit 2010, ajo është e Ngarkuara për Lirinë e Medies e OSBE-së-Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë – dhe i ndjek zhvillimet në 57 shtete partnere të organizatës me shqetësim.
“Shtetet e OSBE-së nuk dallohen shumë nga pjesa tjetër e botës, kur bëhet fjalë për lirinë mediatike dhe për gazetarinë”, thotë ekspertja për mediat dhe të drejtën e mediave në intervistë me DW.
Ajo përmend veçanërisht masat antiterror, të cilat e kanë kufizuar në shumë vende lirinë e shtypit dhe të medieve. “Nuk është fjala që të kufizohet e drejta legjitime e një qeverie për të luftuar terrorin ose kërcënime të tjera”, thekson ajo. “Vetëm se kjo nuk duhet të ndodhë në kurriz të të drejtave të njeriut dhe të lirisë së mendimit. Liria mediatike është një pjesë thelbësore e demokracisë”.
Në lirinë e mediave bën pjesë edhe interneti. Sepse shtypja e mediave ka kohë që kryhet edhe në formë dixhitale.
“Fusha e re e betejës për mediat e lira është hapësira kibernetike”, thekson Mijatoviç në intervistë me DW. “Globalizimi i mediave dhe aksesi në informacion dhe jo së fundi edhe gazetarët e rinj blogera, i bëjnë shumë nervoze qeveritë. Dhe ato përpiqen ta shtypin këtë dixhitalizim”.
Reporterët pa Kufij kritikojnë në SHBA mbikëqyrjen gjithnjë e më të madhe të shtypit nga shërbimet informative dhe kritikojnë përndjekjen e atyre që nxjerrin sekretet, whistleblower, nën Presidencën e Barack Obamas.
Programe censure në vende si Kina ose edhe në Iran e bllokojnë qasjen e qytetarëve te faqe të padëshiruara interneti. Edhe Turqia e praktikon me dëshirë bllokimin e faqeve kritike të internetit.

Beqja, 320 milionë lekë me një dorë me kompaninë e tij “Intech plus” (Dokumenti)

Ilir Beqaj vazhdon të marrë qindra milionë lekë me “INTECH”-un e tij. Në fillim të këtij viti, kompania e themeluar nga Beqaj ka marrë 320 milionë lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma denoncoi dje skandalin e radhës së Beqajt. Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD, Duma publikoi disa dokumente, të cilat faktojnë se si Beqaj zhvat paratë publike përmes kompanisë së tij, ndërsa i ka shtrirë përfitimet edhe tek ministritë.
“Në vijim të denoncimit të oligarkëve të Edi Ramës dhe metodave sesi i vjedhin paratë e shqiptarëve, sot po ndalemi tek ‘INTECH +’ i Beqajt. Sikur të mos mjaftonin miliona euro të koncesioneve në shëndetësi, që nuk janë bërë për qytetarët, por për klientët, Ilir Beqaj vazhdon të marrë qindra milionë lekë me ‘INTECH’-un e tij. Në fillim të këtij viti, kompania e themeluar nga Beqaj ka marrë 320 milionë lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme. Pra, Beqaj, kampioni i korrupsionit në shëndetësi, ka shtrirë dorën dhe nga godina përballë e Ministrisë së Jashtme. ‘Fastech’ është thjesht një mbulesë për paratë që merr kompania e Beqajt. E kanë rregulluar që të futen si bashkim operatorësh, ose që t’i marrë fastech, pastaj librat e shitjes tregojnë se punët i bën ‘INTECH’, pra paratë në fund i merr Beqaj”, tha Duma.
Ajo solli në vëmendje se kompania e Beqajt vetëm në vitin 2015 arriti të fitonte rreth 11.3 miliardë tendera. “Duhet të kujtojmë këtu se për vitin 2015, ‘INTECH’-u i Beqajt mori 11 miliardë e 257 milionë lekë. 11 miliardë e 257 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve. Ky është korrupsioni tronditës që po mbush llogaritë e qeveritarëve, e Ramës e Beqajve, e po zhyt popullin në skamje. Ky korrupsion po sjell varfëri e mjerim, papunësi, krizë të gjithanshme, teksa pasuria dhe luksi i Kryeministrit e oligarkëve të tij rritet çdo ditë”, u shpreh Duma.
Një lumë transaksionesh janë derdhur në llogarinë bankare të “INTECH+”, kompanisë së ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ditët e fundit të vitit 2015. Sipas të dhënave të marra nga Open Data, me shtatë transaksione dhe brenda vetëm një jave, duke nisur nga data 24 dhjetor e për të vijuar pa ndërprerje në datat 28, 29, 30 dhe 31 dhjetor, kompania e Ilir Beqajt ka përfituar jo pak, por plot 1.3 miliardë lekë. Vetëm në datat 30 dhe 31, kompanisë së ministrit të babëzitur i ka kaluar një shumë prej 696 milionë lekësh, një transaksion prej 514 milionë lekësh dhe një tjetër prej 182 milionë lekësh.
Ashtu sikundër tregojnë shifrat, vihet re se në shumicën e transaksioneve që kanë kaluar në llogarinë e kompanisë së Beqajt shumat janë qindra milionëshe, madje në një ditë, ai ka arritur që të marrë 514 milionë lekë dhe ditën tjetër 182 milionë lekë. Të gjitha transaksionet e sipërpërmendura janë kaluar nga vetëm një institucion, nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit.  Vetëm përmes kësaj agjencie, Beqaj ka zhvatur të tjera miliarda nga buxhteti i shtetit, duke arritur një shifër tenderash prej 1.3 miliardë lekësh.

Arben Shahini

dddd

Bllokmenët në pushtet rikrijojnë Bllokun e krimit

Vrasja më e fundit në Bllok, në qendër të kryeqytetit, ishte tejet tronditëse. Jo thjesht për faktin se si shumë krime të tjera mund të parandalohej nëse policia do të kishte vepruar për të zbardhur një seri krimesh të rënda të filluara një vit më parë me të njëjtin protagonist, që kërkonte të vinte në vend nderin e familjes së tij të dhunuar nga bandat.
Ngjarja e djeshme është tronditëse për faktin se edhe qendra e Shqipërisë nuk është një vend i sigurtë për të jetuar. Tek Blloku edhe më herët janë vrarë bankierë dhe kriminelë, biznesmenë dhe qytetarë të thjeshtë, por tani mediat konstatojnë me sy të lirë një shtim të frikshëm të kriminelëve që shoqërohen me ministra, deputetë dhe drejtues policie.
Në Bllok shfaqet në plotësinë e vet kriminalizimi i politikës, administratës dhe policisë shqiptare. Partia Demokratike ka denoncuar sistematikisht shkrirjen e krimit me pushtetin gjatë këtyre tri viteve të fundit që vendi qeveriset nga Kryeministri Edi Rama. Tashmë kriminelët qarkullojnë të lirë në Parlament, qeveri, në çdo hallkë të administratës dhe segment të policisë. Edi Rama nuk e ka më sekret se miqtë e tij më të ngushtë janë mafiozë, vrasës, trafikantë dhe kriminelë të regjur. Për çdo rast bashkëpunon dhe është në partneritet të thellë me secilin prej kapobandave që terrorizon vendin.
Të gjithë, nën bekimin e Ramës marrin tendera, prona, mbjellin dhe trafikojnë drogë dhe askush nuk i prek, duke e ndarë vendin në zona influence, sikur të ishte New Yorku i fillim shekullit të shkuar. Në këmbim ata paguajnë përqindjet tek Kryeministri, së bashku me besnikërinë për t’i shërbyer atij në çdo proces elektoral, duke vjedhur dhe blerë votat ose frikësuar votuesit dhe kandidatët e opozitës.
Shullazi, vëllezërit Mark dhe Arben Frroku, Arben Ndoka, Armando Prenga janë vetëm disa prej emrave me të cilët Rama nuk ka hezituar edhe publikisht të shfaqet sponsori i tyre kryesor, duke zgjeruar hapësirat e lirisë për aktivitetet e tyre kriminale, sikurse edhe duke mos lejuar ligjin t’i prekë.
Edhe kur këta banditë janë të ekspozuar e të pashpresë para veprimit të tij të drejtësisë, Rama bën gjithçka ka në dorë që të ofrojë imunitet për ta dhe të gjejë çdo shteg t’i nxjerrë “të palagur”. Bëri këtë gjë me Arben Frrokun, kur urdhëroi policinë t’i hapë kufijtë të arratiset, të mos e arrestonin në Mal të Zi dhe ta linte të lirë të fshihej nëpër Europë me identitet të rremë, duke urdhëruar Interpol Tiranën të mos i përgjigjej për dy muaj kërkesës së policisë holandeze që e kishte arrestuar dhe kërkon ta ekstradojë.
Njësoj bëri edhe me Frrokun tjetër deputet, duke mos ia dorëzuar policisë belge që e ka dënuar për vrasje. Njësoj bëri edhe me Prengën që qëlloi qytetarët e pafajshëm në oborrin e komisariatit, duke urdhëruar gjykatësit e tij ta lirojnë që të vijë në Parlament dhe të votojë ligjet e qeverisë. Njësoj bëri edhe me Ndokën që e la të lirë të shantazhonte, merrte peng kandidatët e tjerë të listës së Partisë Socialiste, për të zënë një vend në Parlament dhe pak para se ta prekte ligji i dekriminalizimit e riktheu guvernator personal në një prej qendrave ekonomike më të mëdha në vend.
Blloku është bërë një vend i pasigurtë, pasi veç faktit se është një hapësirë shumë e vogël për të qenë ndryshe nga pjesa e tjetër e Shqipërisë ku sundon krimi, është shndërruar në qendra e krimit të organizuar. Aty është Kryeministri, është ministri i Brendshëm, janë shefat e policisë, janë oligarkët e pushtetit, janë kapobandat që së bashku bëjnë plane për të shtuar pasuritë përmes krimit dhe forcës së armëve.
Aty zhvillohen tenderat dhe ndahen koncesionet e qeverisë, jepen lejet e ndërtimit dhe bëhen pazaret e drogës, bëhen emërimet dhe shkarkimet e zyrtarëve, hapen dhe mbyllen trarët e doganave dhe librat e tatimorëve, aty projektohen ditët e zeza për shqiptarët e thjeshtë, njësoj si 25 vite më parë kur Enver Hoxha dhe banda e tij projektonin terrorin komunist.
Krimi është rikthyer në Bllok, pasi bllokmenët janë rikthyer në pushtet.

Përse hesht Tahiri?

Ndërsa vrasësit e lidhur direkt me kreun e qeverisë dhe Ministrin e Brendshëm po bien një e nga një, pyetja që shtrohet sot është, a është ky drejtimi i duhur të cilët rikonfirmuan shqiptarët pak muaj më parë në zgjedhjet lokale? Krimi i lidhur me qeverinë e ka kthyer vendin në një kaos pasigurie, ku askush nuk ndihet i sigurtë, ndërsa krimi i ka duart e lira. Kjo ndodh sepse të gjithë këta vrasës po rezultojnë se veprojnë në mbrojtjen direkte të krerëve të qeverisë. Ata kanë lidhje të ngushta me kreun e qeverisë dhe ministrin e Brendshëm dhe kjo është tashmë e konfirmuar si në rastin e Shullazit ashtu edhe në rastin të Arben Frrokut.
Ndërsa e përditshmja “Panorama” ka shkruar dje se Holanda ka nisur një hetim se përse Arben Frroku nuk ishte në listën e të kërkuarve ndërkombëtarë, ministri i Brendshëm ka heshtur. Si ka mundësi që ky ministër që reagon edhe për çdo deklaratë kur përmendet emri i tij, dje ka heshtur? Përse ai nuk e ka përgënjeshtruar lajmin e dhënë në media se ai nuk e ka shpallur në kërkim ndërkombëtar vrasësin e Arben Frroku? Heshtja e këtij ministri të krimit flet shumë. Ai ka pohuar dje atë që është shkruar në media dhe se Arben Frroku ka qenë nën mbrojtjen direkte të qeverisë në arratisjen e tij.

Britania: Nga Shqipëria krim i organizuar dhe banda

Një shqiptar, të cilit 6 javë më parë iu refuzua hyrja në Britaninë e Madhe u kap të premten në mbrëmje me një sasi kokaine që kishte vlerën e 1.5 milionë stërlinave.
21–vjeçari ishte nën shoqërinë e një bashkëkombasi kur Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) goditi një grup të trafikut të drogës.
Arrestimet vijnë në një kohë kur anëtarë të rëndësishëm të kabinetit qeveritar, si sekretarja e Punëve të Brendshme, Theresa May dhe sekretari i Drejtësisë, Michael Gove kanë lëshuar paralajmërime në lidhje me kërcënimin e Britanisë së Madhe nga bandat që vijnë nga Shqipëria, një vend që po kërkon të hyjë në BE.
Gazeta “The Sun” mundi të provojë se 21–vjeçari ka tentuar të hyjë në Britani në aeroportin “Stanstead”, në Essex, gjashtë javë më parë, por u kthye mbrapsht.
Ai mendohet të ketë hyrë në Britaninë e Madhe dy javë më parë me dokumente false. Arrestimi i tij erdhi si pasojë e një hetimi kundër një rrjeti të krimit të organizuar, që merret me shpërndarjen e drogës së klasit A, në Londër.
Ai u ndalua në Stanmore, veriperëndim të Londrës, kur policia kapi 3 kilogramë kokainë teksa po bëhej dorëzimi dhe 10 kilogramë të tjera në një ndërtesë aty pranë.
Pasi të përzihej, kjo sasi kokaine do të kapte vlerën e 1.5 milionë stërlinave në treg.
Një burim tha: “Njëri nga dy të arrestuarit është një 21–vjeçar shqiptar që tentoi të hynte në Britaninë e Madhe 6 javë më parë, por u kthye mbrapsht në Standstead. Por brenda pak javëve ai mundi të hynte ilegalisht dhe tani arrestohet me një sasi të madhe kokaine. Kjo ngre pyetjen, si si është e mundur që ai të vinte në Britaninë e Madhe kaq shpejt?”
Javën e kaluar sekretarja Theresa May – e cila mbështet qëndrimin e Britanisë në BE – paralajmëroi për rrezikun e gangsterëve që vijnë nga vende që kanë aplikuar për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
May tha se Shqipëria, Serbia dhe Turqia kanë “varfëri dhe probleme serioze me krimin e organizuar, korrupsionin dhe ndonjëherë edhe me terrorizmin”.
Ajo shtoi: “Ne duhet të pyesim veten, është me të vërtetë e drejtë që BE-ja duhet të vazhdojë të zgjerohet, duke u dhënë të gjitha shteteve të reja që duan të anëtarësohen, të gjitha të drejtat e anëtarësimit?”
10% e të burgosurve në burgjet e Mbretërisë së Bashkuar janë nga Shqipëria.
Ndërsa udhëheqësi i daljes së Britanisë nga BE, sekretari Michael Gove thotë se radhët e bandave shqiptare në Britaninë e Madhe do të shtohen sapo vendi të bashkohet me BE–në.
Në një shkrim në “Daily Mail”, z. Gove ka thënë: “Sekretarja e Brendshme e di se problemi është shumë i madh për t’u zvogëluar”. NCA konfirmoi se dy shtetas shqiptarë u arrestuan të premten.  Ata janë Pashk Kolicaj, 21 vjeç dhe Ened Molla, 27 vjeç.

Vendi nën terror, vrasja në zemër të Tiranës pa autorë

Ekzekutimi i Elton Çiços mbrëmjen e të dielës në një lokal në zonën e ish-Bllokut tregoi edhe një herë se krimi bën ligjin. Vrasja ndodhi në zemër të Tiranës në një zonë të mbipopulluar dhe ku forcat e policisë janë të shumta në numër. Edhe pse në tavolinën ku ndodhej viktima ishte një punonjës policie, vrasësi e kreu “misionin” e tij pa asnjë problem, duke krijuar tmerr dhe panik tek qytetarët që ndodheshin të shumtë në zonën ku ndodhi krimi.
Kjo vrasje tregoi edhe një herë se sa të pasigurtë ndjehen qytetarët në jetën e përditshme. Policia që arreston një shitës domatesh pse shet pa leje në trotuar, nuk arrin të arrestojë kriminelët që vrasin në mes të kryeqytetit dhe largohen pa asnjë pengesë. Policia e Tahirit është e paaftë për të luftuar krimin, ndërsa zyrtarët e policisë si në çdo vrasje, “fajësojnë” viktimën, duke deklaruar se “ka qenë me precedentë kriminalë”. Vrasësit lëvizin të lirë të armatosur në mes të kryeqytetit, ndërsa zyrtarët e policisë janë rreshtuar me trafikantët e drogës dhe numërojnë çdo rrënjë kanabisi të mbjellë për të ndarë fitimet me trafikantët.
Si mund të spjegohet fakti që vrasja e krye në një zonë, ku siguria është tepër e lartë, dhe policia nuk ndërhyri për të parandaluar krimin? Si është e mundur që viktima ishte i armatosur dhe ndodhej në tavolinë me një oficer policie? Vrasësi i Çiços është futur qetësisht në lokal me pistoletë në dorë dhe ka qëlluar drejt viktimës që ndodhej në tavolinë edhe me një punonjës policie dhe më pas autori është larguar qetësisht nga lokali.
Në momentin kur është qëlluar viktima, të katërt personat janë çuar nga tavolina përfshirë edhe Elton Çiçon. Por për shkak të plagëve të marra, Elton Çiço është rrëzuar mbi tavolinë. Çiço ka qenë i armatosur, por nuk ka mundur ta përdorë pistoletën. Pasi ekzekutoi me armë 35-vjeçarin Çiço, vrasësi është larguar me vrap nga lokali. Ai ka kaluar në disa rrugica të zonës së ish-Bllokut, dhe më pas dyshohet se është larguar me makinë.
Elton Çiço është dërguar në spital nga personat që ishin prezentë. 35-vjeçari Çiço nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ndërron jetë në spital. Elton Çiço dyshohet se ka qenë i armatosur, por nuk ka mundur ta përdorë pistoletën, pasi autori ka qëlluar menjëherë.
Vrasja e Çiços është ende pa autor, ndërsa policia bëri të ditur se, vrasja ka ndodhur për hakmarrje. Burime nga policia thanë se, Elton Çiço ishte përfshirë në një konflikt me personat që i grabitën shtëpinë në marsin e vitit të kaluar, në Tepelenë. Grabitësit i kishin rrahur prindërit dhe më pas ishin arrestuar. Në atë kohë u shpallën të dyshuar për ngjarjen Robert Rama, i vrarë në qershorin e vitit të kaluar dhe Ervis Imeri. Ky i fundit është shoqëruar nga policia për t’u marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Ervis Imeri  i shpëtoi një atentati me tritol, por vëllai i tij u plagos rëndë nga një atentat tjetër me tritol. Policia bëri të ditur se viktima Elton Çiço u ekzekutua për shkak të hakmarrjes. Sipas dëshmitarëve, pasi qëlloi mbi viktimën, autori që nuk mbante maskë, por një kapele në kokë dhe i veshur me rroba sportive, është larguar në këmbë nga një rrugicë pas ambienteve të lokalit.

Vrasja në Tiranë, Tahiri: Elton Çiço u vra sepse duhej vrarë

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar dje për vrasjen e ndodhur të dielën në mbrëmje në zonën e ish-Bllokut, pranë stadiumit “Selman Stermasi” në kryeqytet. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, qeveria është një organizatë kriminale, ndërsa thekson se, sipas ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Elton Çiço u vra sepse duhej vrarë.
“Qeveri organizate kriminale! Saje qorri: Elton Çiçon e vranë se duhej vrarë, ishte trafikant, vrasës etj., etj. Prandaj dhe: Vrasësin e nisëm me pushim në drejtim të paditur. Kurse hjeksin, pas terapisë me psikolog do ta shpërblejmë, jo ne, por pala që u hakmor! Qeveri organizatë kriminale. Sb”, shkruan Berisha në Facebook.
36-vjeçari Elton Çiço u ekzekutua me 2 plumba të dielën në mbrëmje rreth orës 22:05 në një lokal pranë shkollës “Emin Duraku”. Vrasja ka qenë e tipit mafioz, pasi autori ka hyrë me shpejtësi në lokal, është drejtuar menjëherë nga tavolina ku ndodhej Çiço me tre persona të tjerë dhe e ka qëlluar me dy plumba në kokë me gjakftohtësinë më të madhe. Mësohet se një nga personat që ndodhej në tavolinë me viktimën ishte oficer policie. Pasi ka kryer vrasjen, ai është larguar me shpejtësi nga lokali. Ngjarja ka shkaktuar panik se në vendngjarje ka pasur shumë  qytetarë që ishin ulur në lokal.

Viktima Elton Çiço kushëriri i kryebashkiakut të Tepelenës

Elton Çiço, viktima e të dielës, është djali i dajës i Tërmet Peçit, Kryetarit të Bashkisë së Tepelenës. Një vit më parë, në prill të 2015-ës, familja e dajës së kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, është lidhur me litar, dhunuar dhe grabitur. Autorë të kësaj ngjarjeje, që shkaktuan plagosjen e rëndë të çiftit Naim dhe Andoleta Çiço, u identifikuan nga policia dhe rezultoi se ishin tre të rinj nga Kruja e Durrësi.
Në atë kohë, burimet policore lokale bënë me dije se, ngjarja ishte denoncuar pak pas mesnatës. Salla operative e Komisariatit të Tepelenës u njoftua se në lagjen “Demokracia” të qytetit, në shtëpinë e Naim Çiços, 61 vjeç, i cili ishte bashkë me të shoqen, Andoletën, tre persona të maskuar dhe të armatosur nën kërcënimin e përdorimin e armëve të zjarrit, kanë vjedhur një shumë prej pesë mijë eurosh dhe më pas janë larguar duke përfituar prej errësirës.
Policia, e cila e njihte Çiçon edhe për faktin se ai ishte daja i kryebashkiakut të Tepelenës, Tërmet Peçi, ka shkuar me shpejtësi në vendin e ngjarjes dhe ka rrethuar zonën. Për shkak të mbërritjes së shpejtë të patrullës policore në vendin e ngjarjes, autorët e këtij krimi braktisën mjetin e markës “Audi A3”, me targa italiane CD 368 PT, me të cilin kishin menduar të arratisen pas grabitjes. Më pas, ata janë larguar në këmbë, dhe duke përfituar nga errësira i kanë shpëtuar arrestimit policor.
Pas gjetjes së mjetit të parkuar, policia ka nisur hetimin për identifikimin e autorëve, ku fillimisht ka zbuluar pronarin e mjetit, i cili rezulton se është Robert Rama, 31 vjeç nga Laçi i Krujës, të cilit i kanë gjetur në makinë të gjitha dokumentet personale të tij.
Por, veç tij, policia ka identifikuar edhe dy shokë, me të cilët udhëtonte, pikërisht A. J., 37 vjeç, dhe S. J., 30 vjeç, të dy banues në Durrës. Ata janë shpallur në kërkim bashkë me Ramën.
Kurse në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti, një automatik model 56 me qytë të prerë, dy krëhëra me 30 fishekë, një krehër pistolete me 10 fishekë të kalibrit 9 mm, një gëzhojë e plasur e kalibrit 7.65 mm, një celular, dy karta SIM, dokumente identifikimi, si dhe sende të tjera personale të autorëve, sende të gjetura brenda në automjet.
Policia pati gjetur edhe një targë të mjeteve diplomatike, e cila mendohet se përdorej nga autorët për t’u arratisur dhe për t’u shpëtuar kontrolleve policore. Nga ana tjetër, grupi hetimor mori kontakt edhe me çiftin e dhunuar, të cilët kanë rrëfyer terrorin e përjetuar nga tre të rinjtë.
Sipas të dhënave, çifti ka deklaruar se tre të rinjtë kishin hyrë të maskuar në shtëpinë e tyre dhe kanë kërkuar paratë që mbanin aty. Fillimisht, ata i kanë lidhur me litar dhe më pas i kanë goditur me shkelma në pjesë të ndryshme të trupit, derisa kanë gjetur paratë e kursyera të tyre.
Pas marrjes së parave, ata janë larguar, por shumë shpejt janë detyruar të braktisin mjetin dhe u shpallën në kërkim policor.

R.POLISI

Afera me ndërtimin e rrugës, dhjetëra hektarë ullishte priten nga qeveria

Është përkeqësuar gjendja në ullishtet e bregut, ku prerja dhe shkatërrimi abuziv vazhdojnë pa ndërprerje. Banorë të zonës ankohen dhe akuzojnë qeverinë. Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, e pa nga afër situatën e prerjes së ullishteve e zëvendësimit të tyre me investime të panevojshme dhe abuzive, duke shpërdoruar taksat e duke dëmtuar mjedisin.
“Këtu kemi të bëjmë me një dëmtim mjedisor të përmasave të mëdha. Dëmtimi mjedisor përfshin qoftë natyrën e egër, qoftë edhe fushat me ullishte. Janë me dhjetëra hektarë pyll natyral, janë me dhjetëra hektarë ullishte që janë prerë për të hapur një rrugë të çuditshme pa patur as edhe një vlerësim të mirëfilltë mjedisor. Se përse duhej të bëhej ky dëm, ndërkohë që këtu mund të kishe rrugë ekzistuese, të cilat mund të zgjeroheshin fare mirë me shumë pak para dhe shumë pak dëm mjedisor, kjo është krejtësisht e pashpjegueshme. Kjo është si të kesh inat me natyrën, si të kesh inat me ullishten dhe të çosh deri në fund kokëfortësinë tënde. Kjo nuk është mënyra më e mirë. Lufta dhe urrejtja ndaj natyrës”, tha Malltezi.
Duke iu referuar një investimi në rrugën, e cila pretendohet të lidhë Labërinë me bregun, ish-kryetari i Qarkut në Vlorë, Nesti Dhimojani tha se kjo iniciativë është abuzive, pasi rruga është tashmë ekzistuese dhe nuk është e nevojshme hapja e një rruge të re, gjë e cila dëshmon abuzim me fondet publike.
“Erdha për të vizituar rrugën e famshme që thuhet në rrjetet televizive, që do të bashkonte Vlorën me detin Jon. Por kjo rrugë që pashë, jo vetëm që nuk i përket kësaj zone, sepse ne kemi patur rrugë të vjetra siç ishte rruga e Fterës, e Çolajt ose Pilurit që lidhte Labërinë me detin Jon dhe jo Vlorën, se Vlora është e lidhur me detin Jon. Midis të tjerave pamë që investimi ekonomik është në shifra astronomike. Ku shihet se me këtë investim jo vetëm do të kishim ndërtuar rrugët ekzistuese, që janë dhe me taban, do i shërbenin fshatrave të bregut të Vlorës dhe anën tjetër do të kishim kursim për të ndërtuar vepra të tjera. Po të shikojmë nga ana mjedisore, ambienti i cili është dëmtuar në mënyrë masive dhe është për të ardhur keq. Ata që pretendojnë për këtë rrugë se është lidhja e Labërisë me bregun, ajo është e lidhur me tradita, është lidhur me rrugë të vjetra ekzistuese kohë më parë, në të cilat ne kishim mundësi që me më pak investime dhe me më pak dëme për ambientin për të lidhur këto dy treva”, tha Dhimojani.
Në këtë projekt vihet re mungesa e një tabele, e cila duhet të tregojë se kush e financon, kush e ndërton, kush ka bërë projektin, cilat parcela shpronësohen. Asnjë informacion i tillë nuk ekziston.

Papunësia tek të rinjtë 40%, PD subvencionim bizneseve që do punësojnë të rinjtë

“Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit”
Lulzim Basha ka vendosur të sjellë një model dhe standard të ri në politikën shqiptare. E ka nisur me zgjedhjet “një anëtarë, një votë” për zgjedhjet e drejtuesve të partisë dhe Forumit Rinor dhe do ta vazhdojë me përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet. 35% e kandidatëve do të jenë të rinj, por përveç kësaj risi e veçantë është dhe përzgjedhja e tyre. Modeli amerikan i përballjes është përzgjedhur nga lideri i opozitës për të përzgjedhur 49 të rinjtë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme.
Në bashkëbisedimin më të rinjtë e Vorës, Basha tha se do të jenë pikërisht të rinjtë me votën e tyre që do të zgjedhin kandidatët përfaqësues të tyre.
Basha: 49 kandidatë nga 140 kandidatët e ardhshëm do të zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë nga radhët e rinisë demokrate. Ju do të nxirrni dhe evidentoni përmes gjykimit dhe votës tuaj, më të mirët, ata që ju përfaqësojnë më së miri. Do të rreshtoni ata me denjësi në listën e betejës tonë të ardhshme, që do të jetë lista e vlerave përballë listës së antivlerave. Do të jetë lista e besimit përballë listës së dëshpërimit. Do të jetë lista e shpresës përballë listës së zhgënjimit dhe depresionit.
Duke u ndalur te arsimi, Basha tha se, prioritet është dhënia e mundësisë çdo të riu të arsimohet. Tarifat do të ulen, theksoi kreu i demokratëve, përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit. Kjo, theksoi zoti Basha, do të nxisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi, si dhe do të orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.
Basha: Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë publik dhe jopublik, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit dhe xhepat e tyre të varfëruar e të goditur nga taksat e larta dhe nga paudhësitë e qeverisjes Rama-Meta.
Papunësia tek të rinjtë llogaritet rreth 40%. Kjo ka diktuar planifikim nga Partia Demokratike të mbështetjes së veçantë nga buxheti për kompani, të cilat punësojnë të rinjtë.
Basha: Ne do të ftojmë kompanitë më të mëdha të botës, do të financojmë ekspertët e tyre më të mirë për të orientuar degët e veçanta të teknologjisë së informacionit, degë të mësimdhënies dhe përgatitjes së kuadrove më të aftë në mënyrë që ata të shërbejnë në parqe teknologjike që do të hapin këtu në Shqipëri. Natyrisht jo në kushtet e Shqipërisë së Shullazit, jo në kushtet e Shqipërisë së Arben Ahmetajt e të Edi Ramës e Ilir Metës, por në kushtet e një Shqipërie që ofron regjimin më të favorshëm fiskal, sigurinë për të investuar, në kushtet e një qeverisje që subvencionon për çdo vend pune të ri që hapet për të rinjtë dhe të rejat shqiptare.

Ushtarakët e FA: Hetimi i Mimit për rrëzimin e helikopterit i manipuluar

Ushtarakë të Forcave Ajrore denoncojnë manipulimin e hetimit të Ministrisë së Mbrojtjes për rrëzimin e helikopterit EC 145 në Liqenin e Shkodrës. Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur pak ditë më parë mbylljen e hetimit administrativ për rrëzimin e helikopterit të Forcës Ajrore me numër anësor 637 të tipit EC 145, të ndodhur në datën 6 prill 2016. Në përfundim të këtij hetimi, sipas Ministrisë së Mbrojtjes u bë e ditur se, “planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit stërvitor të helikopterit FA-637 në datën 6 prill 2016, është bërë në përputhje me aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që rregullojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura.
Forca Ajrore, Baza Ajrore e Farkës dhe strukturat e tyre, kanë planizuar dhe drejtuar fluturime stërvitore në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror. Ekuipazhi i helikopterit ishte duke kryer një stërvitje fluturimi vizual në përputhje me planin stërvitor të Forcës Ajrore. Ministria e Mbrojtjes falenderon Prokurorinë për bashkëpunimin dhe ndihmën e dhënë në këtë hetim administrativ si dhe institucione të tjera me të cilat kemi bashkëpunuar. Gjithashtu falënderon ekspertët amerikanë dhe Ambasadën e SHBA në vendin tonë, për asistencën e ofruar prej tyre”.
Por vetëm pak ditë në përfundim të këtyre hetimeve, ushtarakë të Forcave Ajrore, denoncojnë manipulimin e këtij hetimi. Për ata, mjafton vetëm një fakt i thjeshtë, që e hedh poshtë këtë hetim. “Është e jashtëzakonshme dhe e pabesueshme. Hetimi administrativ doli me përfundimin që planizimi, organizimi dhe drejtimi i fluturimit ishte në përputhje me rregullat e sigurimit të fluturimit ajror… ?!”, pyet një oficer i këtyre forcave.
Po vetë, në formë pyetje ai përgjigjet dhe saktëson: “Po zjarrfikësi në bord, ç’kërkonte në vend të teknikut të bordit… Dhe kjo duhet të konsiderohet, sipas rregullave dhe fluturimi në përputhje me standardet e kërkuara. Ç’të bëjmë ende, të lejojmë që ministrja të fusë edhe zjarrfikës të tjerë në bord…?!”, ironizon ushtaraku i Forcave Ajrore.
Shumë reagime të profesionistëve dhe përfaqësuesve të Forcave Ajrore rrëzojnë pretendimet e Ministrisë së Mbrojtjes. Një pilot i repartit ushtarak të helikopterëve në Farkë deklaroi pak ditë më pare se, fluturimi i helikopterit që u rrëzua në Liqenin e Shkodrës ka qenë jashtë planeve të fluturimit të asaj dite.
“Si pilot i këtij reparti për të ndihmuar sadopak në zbardhjen e të vërtetës të kësaj ngjarje tragjike në të cilën humbën jetën dy kolegë të mi dua të theksoj se hetimi serioz i kësaj çështjeje duhet t’ju japë përgjigje pyetjeve që vijojnë. Pse u dërgua jashtë çdo plani të asaj dite të stërvitjes në Dukagjin helikopteri EC-145? Dukagjini nuk ishte në planin e stërvitjes të asaj dite. – A kishte lidhje fluturimi në Dukagjin i helikopterit EC-145 me fluturimin në të njëjtën kohë po në Dukagjin të helikopterit “Shega Trans”? – Koha e stërvitjes për helikopterët e regjimentit tonë është si rregull i prerë 1 orë e 30 min. -Pse qëndroi mbi dy orë në fluturim helikopteri EC-145? Ai është rrëzuar mbi Liqenin e Shkodrës pas 125 minutash fluturimi. Zgjatja e fluturimit mund të krijojë probleme të rënda edhe nga karburanti sidomos ky i yni! – Pse në bordin e helikopterit në fluturim stërvitor nuk ishte ashtu siç e përcakton në mënyrë të prerë rregullorja, inxhinier apo teknik fluturimi, por ishte një ushtar profesionist që e ka të ndaluar kategorikisht fluturimin me helikopter në stërvitje. Çfarë misioni kishte në bordin e helikopterit ushtari profesionist? Pse nuk u aktivizuan jastëkët e ajrit në këmbët e helikopterit me të cilat ai mund të notojë në ujë dhe asnjëri nga sistemet e tjera të sigurisë dhe shpëtimit të tij dhe së fundi, a ka lidhje ky mosaktivizim i sistemeve të sigurisë të helikopterit të mbytur me faktin, se asnjëri nga kolegët e mi të ndjerë në bord nuk plotësonin kushtet teknike profesionale të kërkuara për pilotimin e helikopterit EC-145” ishin pyetjet dhe dyshimet e ngritura nga një pilot profesionist, në një denoncim të publikuar nga ish kryeministri Berisha.
Një helikopter i Ushtrisë u rrëzua më 6 prill në ujërat e Liqenit të Shkodrës pranë fshatit Grizhë të Malësisë së Madhe, duke shkaktuar vdekjen e dy pilotëve dhe plagosjen e një ushtari. Sipas burimeve, në bordin e helikopterit Euro Copter 145 kanë qenë dy pilotë, kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxha, të cilët kanë humbur jetën, ndërsa është plagosur ushtari profesionist Gerald Baramuça. Kapiten Florian Deliaj dhe toger Donald Hoxhaj u nxorën nga polumbarët prej ujërave të liqenit.

A.Shahini