40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Hetime në Holandë: Frroku s’ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar

Holanda po heton se përse Arben Frroku nuk ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia shqiptare. Fakti që Frroku nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar implikon direkt policinë dhe titullarin e saj, Tahiri, i cili njihet si mik i afërt i vëllezërve Frroku dhe ortak në bizneset e tyre. Por, lidhja mund të jetë edhe mbi Tahirin, pasi Rama ka qenë njeriu i fundit që ka miratuar planin e Frrokut vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale për tu larguar nga Shqipëria.
Duket se kemi të bëjmë me një skemë të ngjashme si në rastin, kur edhe Mark Frroku për muaj më rradhë iu fsheh nga Tahiri Interpolit të Belgjikës, ndërsa rezuton i dënuar me 10 vite burg për vrasje.
Autoritetet policore në Holandë kanë nisur një hetim administrativ për të zbuluar motivin e vonesës së identifikimit të Arben Frrokut. Nga ky hetim pritet të përcaktohet se përse u vonua zbulimi i identitetit të vërtetë të të dënuarit me burg përjetë, i cili mund të kishte fituar sërish lirinë.
Me 17 Mars, Frroku do të lirohej nga qendra e pritjes së emigrantëve me kushtin që të largohej nga Holanda. Në të kundërt do të deportohej me forcë. Ai ishte ndaluar me 6 Mars gjatë një kontrolli rutinë të policisë, në Shipol, në periferi të Amsterdamit.
Burime të policisë bëjnë me dije se autoritetet shqiptare janë njoftuar nga pala holandeze për hetimin e nisur. Nuk sqarohet se sa kohë do të zgjasë ky verifikim apo nëse do të kërkohet informacion nga pala shqiptare.
Nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka patur një problem me njohjen e shenjave të gishtave të Frrokut nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar.Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në Amsterdam, Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat që gjendeshin në sistem nuk janë hapur. Megjithatë autoritetet holandeze nuk e kanë liruar, për shkak të pasaportës së falsifikuar.
Përveç kësaj procedure, që vlerësohet si e dyshimtë nga autoritetet holandeze, një tjetër procedurë që nuk ka funksionuar për rastin e Frrokut është krahasimi i gjurmëve të gishtave. Sipas shkresës së Interpol Hagës, nga veprimet e para hetimore është konstatuar se ka pasur një problem me njohjen e shenjave të gishtave të tij nga sistemi ku regjistrohen personat e kërkuar.
Pasi është ndaluar fillimisht nga policia në afërsi të aeroportit të Amsterdamit, Arben Frrokut i janë marrë shenjat e gishtave, por shenjat që gjendeshin në sistem nuk janë hapur e për këtë arsye për disa ditë nuk është arritur të zbulohej identiteti i tij i vërtetë.
Arrestimi në Holandë i Arben Frrokut u denoncua fillimisht nga ish-Kryeministri Berisha dhe tre ditë më vonë policia konfirmoi arrestimin e tij. Arben Frroku është arrestuar në Holandë më 6 mars të këtij, pasi autoritetet holandeze vunë re se pasaporta e tij ishte e falsifikuar dhe përdorte emër tjetër.
Deklaratat e ish- Kryeministrit Berisha se Frroku është ndaluar në Amsterdam kanë vënë në lëvizje policinë shqiptare. Vetëm pas kësaj shenjat e gishtave të Arben Frrokut janë dërguar nga Shqipëria në Holandë, ku janë krahasur dhe është vërtetuar se bëhet fjalë për të dënuarin me burg përjetë.

Berisha: Urdhëri i Ramës për Frrokun bllokoi Interpolin

Ish-Kryeministri ka denoncuar lidhjet e  Ramës me skandalin e bllokimit të kërkimit ndërkombëtar të Arben Frrokut. Në një postim në facebook Berisha sqaron se ka qenë ky urdhër në drejtim të Cipës që ka bllokuar këtë kërkim policor ndërkombëtar.
“Edvin Shullazi nuk lejoi shpalljen në kërkim të Arben Frrokut të dënuar përjetë për vrasjen e komisarit Lame! Burime të brendshme nga Interpol Tirana sigurojnë se është Edvin Shullazi direkt, personi që nuk ka lejuar shpalljen në kërkim ndërkombëtar të Arben Frrokut, vrasësit të Komisarit Lame, të dënuar me dënim të përjetshëm nga Gjykata e Apelit Tiranë. Kjo garanci iu dha Frrokut në takimin e Ramës me Frrokun më 20 qershor në Hotel Turizmin e Pukës, takim në të cilin Rama, i informuar për vendimin e Gjykatës së Apeli, i kërkon atij të largohet menjëherë nga Shqipëria duke e siguruar se nuk do të kishte vulë në pasaportë në vendkalimin kufitar të Shqipërisë me Malin e Zi dhe se ai nuk do të shpallej nga Interpol Tirana në kërkim ndërkombëtar.
Frroku u ndalua për mungesë të vulës në pasaportë në pikën e kalimit të kufirit shqiptar, por po me porosi të vetë Ramës, pas mesazhit që mori nga vrasësi, Saje Qorri bisedoi me kolegun e tij malazez dhe e lejuan të kalojë në Kroaci. Pas arrestimit të Frrokut më dt. 5 mars në Holandë, Rama urdhëroi Ardian Çipën dhe një ndrikull në Interpol Tirana (që kishte bllokuar dokumentet belge për vrasjen e Mark Frrokut, pra vëllait të Arbenit) për të mos i dërguar asnjë të dhënë Interpolit të Holandës, në mënyrë që të kalonte afati i paraburgimit dhe Frroku të kërkonte, njëlloj si shqiptarët e tjerë, azil politik nga regjimi i Edi Ramës dhe qeveria e tij, një organizatë e vërtetë kriminale!”, shkruan Berisha.

Shullazi i grabiti pronën 1 milionë euro, e regjistroi me emrin e Danit

Një grua biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda se si Emiljano Shullazi i ka grabitur një pronë me vlerë 1 milion euro, duke e kërcënuar. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se, grupi hetimor ka marrë denoncimin e një shtetaseje me banim në kryeqytet, emri i së cilës nuk bëhet publik për arsye sigurie, e cila ka denoncuar direkt Emiljano Shullazin dhe krahun e djathtë të tij, Gilmando Danin për marrjen e një prone në afërsi të zonës së njohur si “Zogu i Zi”. Mësohet se kallëzuesja është me profesion juriste dhe ka një moshë rreth të 50-ve. Ajo ka treguar para grupit hetimor me detaje kalvarin e vuajtjeve dhe kërcënimeve të Shullazit dhe bandës së tij për t’i marrë pronën.
Biznesmenia ka deklaruar se prona i është marrë nën kërcënim nga banda e Shullazit dhe është regjistruar në emër të Gilmando Danit. Për marrjen e kësaj prone, denoncuesja, që është marrë në mbrojtje nga policia pas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ka thënë se Shullazi dhe banda e tij kanë kërcënuar edhe një gjyqtare të Gjykatës së Shkallës së Parë administrative në Tiranë. Gjyqtarja që kishte në proces një veprim administrativ me Hipotekën e kryeqytetit, ku pas presionit vendimi është dhënë në favor të tyre, ka deklaruar denoncuesja e mbrojtur.
Burimet e Prokurorisë bënë të ditur se, deklarimet e kësaj shtetaseje po verifikohen me provat dhe veprime në terren, për të parë se sa qëndrojnë këto pretendime. Nga ana tjetër, Prokuroria sqaron se është në pritje të përgjigjeve nga Hipotekat në vend, ku është kërkuar evidentimi i pronave ku Shullazi dhe pjesëtarët e bandës së tij figurojnë si pronarë. Me evidentimin e tyre, grupi hetimor thotë se, do të kërkohet sekuestrimi i tyre deri në sqarimin e mënyrës së përfitimit të këtyre pronave, pasi Shullazi është shprehur se është i papunë.
Sipas akuzës, prokurorët janë në pritje të kallëzimeve të biznesmenëve, të cilët dyshohet se janë gjobitur nga Shullazi dhe banda e tij, duke i marrë shuma të konsiderueshme parash. Pasi deri më tani asnjë prej tyre nuk ka pranuar se i është vendosur gjobë apo të kenë paguar te Shullazi. Deri më tani, thonë prokurorët në dosje ndodhen vetëm informacione të ndryshme të policisë dhe Shërbimit Sekret, që kanë zbardhur në rrugë operative aktivitetin e bandës së drejtuar nga Shullazi.
Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur para pak ditësh se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, pavarësisht se katër biznesmenët që janë gjobitur nga Shullazi nën kërcënime nuk pranuan të bëjë kallëzim penal. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thanë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.
Emiljano Shullazi ndodhet në paraburgim në Tiranë, një javë pasi u transferua në burgun e Elbasanit. Avokati i tij ka deklaruar se do ta apelojë masën e sigurisë “arrest me burg”, duke kërkuar lirimin e Shullazit dhe shokut të tij Gilmando Dani. Ndërsa ka kërkuar që dosja e Blerim Shullazit të ndahet dhe të ndiqet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës. Emiljano Shullazi dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, gjobvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.

Merret në mbrojtje biznesmenia që dëshmoi kundër Shullazit

Biznesmenia që ka dhënë dëshminë e saj para kryeprokurorit të Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj për rrëmbimin e pronës me vlerë rreth 1 milion euro në afërsi të “Zogut të Zi” në Tiranë nga Emiljano Shullazi është marrë në mbrojtje nga policia pas urdhërit të lëshuar nga Prokuroria. Sipas dëshmisë së biznesmenes në Prokurori, Emiljano Shullazi e ka kërcënuar përreth një vit derisa ka arritur t’i marrë pronën. Prona ka kaluar në procese gjyqësore, ku pas kësaj kohe, Gjykata Administrative pronën në fjalë e kaloi në emër të Gilmando Danit.
Prokuroria e Krimeve të Rënda që ka bërë edhe regjistrimin dhe ka marrë kallëzimin penal të saj, nuk bën të ditur emrin e gruas në fjalë për arsye se asaj mund t’i kërcënohet jeta dhe për këtë shkak ajo është marrë nën mbrojtje nga ana e Policisë së Shtetit.
Kallëzimin e saj gruaja 50¬-vjeçare banore e Tiranës e ka bërë edhe për gjyqtaren që ka shqyrtuar çështjen e saj në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë (padi e shtetases ndaj Hipotekës së Tiranës për mosregjistrimin e pasurisë në fjalë.
Sipas kallëzimit kjo gjyqtare ka ndryshuar rrjedhën e procesit në lidhje me pronën pas ndërhyrjeve nga Shullazi e Gilmando Dani. Pas padisë së bërë nga Jani Zika në 3 shkurt 2016, ky është kallëzimi i dytë penal që bëhet në Prokurori ndaj Emiljano Shullazit, i cili po hetohet për gjobëvënie edhe ndaj 4 biznesmenëve që nuk kanë pranuar të bëjnë kallëzim ndaj tij edhe pse janë ftuar nga Prokuroria.
Ndërkohë, pas një jave qëndrimi në burgun “VIP” të Elbasanit, Emiljano Shullazi është rikthyer sërish në Tiranë. Lëvizja është bërë, pasi avokati i tij mbrojtës e ka apeluar masën e sigurisë “arrest me burg” dhe Shullazi pritet këto ditë të dalë para Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda.
Prandaj është menduar që ai të qëndrojë në paraburgim në kryeqytet. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi akuzohen për kërcënime dhe gjobvënie. Avokati i Emiljano Shullazit ka kërkuar që të ndahet dosja dhe Blerim Shullazi të gjykohet nga Gjykata dhe Prokuroria e Krujës.
Dje një biznesmene ka dëshmuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda kundër Emiljano Shullazit dhe grupit të tij. Gruaja, emri i së cilës nuk bëhet me dije ende, pretendon se i është marrë nën kërcënim një pronë me vlerë rreth 1 milion euro.

Sekuestrimi i pronave të bandës së Shullazit

Prokuroria e Krimeve të Rënda para pak ditësh nxori një urdhër sekuestrimi të llogarive të kompanisë arabe “Saudi Brothers Commercial Company” dhe administratorit të kësaj kompanie Ylvi Beqja. Sipas Prokurorisë, dyshohet se prona e ish-hotel “Vollga” është përfituar me anë të dokumenteve të falsifikuara dhe për pasojë shitja e një pjese të saj, mund të ketë sjellë konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të parave. Për këtë fakt, është vendosur sekuestrimi i pronës dhe bllokimi i llogarive bankare. Masë sekuestroje është marrë edhe për garazhin 1200 m2 që ndodhet në zonën e “Nesharakut” në Tiranë.
Para disa ditësh, Prokuroria e Durrësit vendosi për sekuestrimin e ish-hotel “Vollga”, një pjesë e të cilit i është “dhuruar” Emiljano Shullazit. Historia e pronësisë së hotel ish-“Vollgës” dyshohet se është e ndërtuar mbi falsifikimin e dokumetave. Në 24 mars 1994, kjo pronë i kaloi në pronësi trashëgimtare, Alije Fortuzi. Po në 4 dhjetor të këtij viti, përmes një prokurore të posaçme, shtetasi Ali Sula, në emër të Alije Fortuzit, ia shet atë shtetasit arab, Muhamed Abdulla Bawazeer.
Pikërisht këtu ka dyshime se zë fill falsifikimi i dokumeteve dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë përfshirë zyrtarë të Hipotekës së asaj kohe. Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, përfaqësues i kompanisë “Saudi Bradhers” të arabit Bawazeer. Dhurimi, sipas organit hetimor, i është bërë Shullazit nën kërcënim.
Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës, siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.

R.POLISI

Gati liberalizimi i vizave për Kosovën

Kosova përfundimisht ka plotësuar të gjitha rekomandimet që Komisioni Evropian i kishte parashtruar në mënyrë që të fitoj liberalizimin e vizave. Kështu ka thënë zyrtarja për informim Mina Andreeva. Madje sipas saj, vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është i pashmangshëm. “Vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën tashmë është i  pashmangshëm. Rekomandimet e nevojshme që ka pasur Kosova tashmë janë plotësuar”, ka shtuar ajo. Megjithatë mbetet ende në pikëpyetje nëse Kosova do të jetë pjesë e axhendës së ditës së mërkurë, kur ky Komision pritet që të japë rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave. Sipas Andreevas, axhenda përfundimtare e Komisioni Evropian do të konfirmohet vetëm nesër në mesditë. “Agjenda e kolegjit për të mërkurën do të konfirmohet nesër në mesditë”, ka thënë Andreeva.
Që qytetarët kosovarë të lëvizin pa viza në vendet e bashkimit europian tashmë është një çështje orësh, jo ditësh dhe aq më pak javësh. Kështu ka deklaruar presidenti i  Kosovës Hashim thaci gjatë një takimi me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, duke argumentuar  në këtë mënyrë.
Thaçi: Angazhimet e Kosovës për anëtarësim në UEFA, por dhe procesi për liberalizimin e vizave, po përkojnë përafërsisht në të njëjtën kohë. Një koincidencë pozitive për vendin tonë. Mund të them se Kosova ka zbatuar të gjitha kriteret e nevojshme, për rekomandimin e vizave nga Brukseli.
Prandaj dua të potencoj që procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën, ende nuk është duke i numëruar ditët dhe javët, por është duke i numëruar orët. Dhe ky është një lajm i mirë, është një histori e re për Kosovën. Edhe UEFA edhe liberalizimi i vizave, që njerëzit e Kosovës si gjithë evropianët do të lëvizin lirshëm në krejt Evropën.
Duke e konsideruar një vonesë të panevojshme nga ana e Brukselit, Thaçi tha liberalizimi i vizave është  meritë e jashtëzakonshme e institucioneve të vendit.
Thaçi: Ka qenë një vonesë e panevojshme nga Brukseli, por është meritë e jashtëzakonshme e të gjitha institucioneve të Republikës së Kosovës, institucioneve qendrore, lokale, mediave, shoqërisë civile dhe qytetarëve. Natyrisht mbetet edhe shumë për të bërë në të ardhmen tonë të sigurte evropiane, që është qëllimi ynë, është vizioni ynë.
Lajmi për liberalizimin e vizave për Kosovën është paralajmëruar në nëj farë mënyre edhe nga Ministri për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës Bekim Çollaku, i cili përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, shkruan se gjatë kësaj jave do të ketë lajme historike për Kosovës dhe zhvillime të reja.

Arroganca dhe agresiviteti i pashembullt i Ramës

Kastriot ISLAMI

Ka filluar të shfaqet për publikun e gjerë që në një nga seancat e para të Kuvendit kur ka deklaruar: …S’keni parë gjë akoma…! Te heqja nga zyra e fotos së Presidentit… Te fjalimet plot xheste e poza në Kuvend…Ka vazhduar me orkestrimin e goditjes fizike të një deputeti të opozitës…! Dhe kjo arrogancë e agresivitet kanë vijuar tre vjet…pothuajse çdo javë ditën e enjte… me sharje e fyerje individuale e kolektive me një fjalor rruge, me terma perverse… Për ata që e njohin nga afër apo kanë pasur mundësi të punojnë me të e kanë shumë të qartë, që kjo arrogancë dhe agresivitet është gjenetike, e brendshme dhe e përhershme… me kriza të forta…

Një arrogancë e lindur dhe e hershme

Kjo është një arrogancë e agresivitet i brendshëm që vjen nga fëmijëria e tij, madje edhe më shpejt… Nga frustracioni si adoleshent…Nga marrëdhëniet në familje… Nga marrëdheniet me shoqërinë… sidomos gratë e vajzat…Nga kompleksi i inferioritetit… Nga marrëdhëniet poshtëruese që i shkaktonin të “fortët” e lagjes që i merrnin bukën nga dora… Nga pamundësia për të bashkërenduar synimet e paarritshme me mundësitë e kufizuara apo mediokre… Nga dështimet në basketboll gjatë rinisë… Nga dështimet në zanatin e piktorit gjatë e pas universitetit… Nga talljet e Nanos në fillimet e tij politike… Nga poshtërimi i vazhdueshëm i Metës…

Arrogancë në rritje e shoqëruar me agresivitetin e pushtetit

Ulja në karrigen e kryeministrit i ka shtuar arrogancës gjenetike agresivitetin nga pushteti…Kohët e fundit është rritur edhe frekuenca edhe intensiteti i dyshes agresivitet-agresivitet. Konkretisht mund të përmenden:
1) Incidenti i tri ditëve më parë me gazetarët Fatos Lubonja, Andi Bushati, Ylli Rakipi dhe një grup i Shoqërisë Civile…
2) Orkestrimi i dhunës dhe arbitraritetit të policisë ndaj Shoqërisë Civile që protestonte kundër projektit të Parkut të Lodrave te Parku i Liqenit…
3) Arroganca e porositur deri aty sa kryebashkiaku Veliaj me vartësit e tij t’i suleshin me kërcënime dhe fyerje të ulëta edhe Presidentit të Republikës…
4) Te porosia për të burgosur kryetarin e tregtarëve të Tiranes, Nikollaq Neranxi, të cilin e futën në burg me një inskenim mafioz…
5) Për të arritur te rasti i nxitjes së bandave kriminale kundër Ben Blushit në mbledhjen e Asamblesë së PS në Elbasan…
6) Te frymëzimi i krimit dhe banditizmit për të vënë nën kontroll procesin e zgjedhjeve në Universitet…
7) Te porosia dhënë ish-zëvendësministrit të Arsimit, Arben Mazniku, sot nënkryetar i Bashkisë, për të ofenduar dhe fyer profesorin dhe akademikun e njohur Artan Fuga, duke thënë se “i ka marrë koka erë”…
8) Te arroganca e marrëzia për t’u futur në fushatën zgjedhore të SHBA-së, duke ofenduar njërin prej kandidatëve dhe vënë në dyshim marrëdhëniet Shqipëri-SHBA nëse njëri prej tyre zgjidhet president…
9) Deri te arroganca e njëkohësisht madhështia e marrëzisë me të cilin tregon barcaletat e qyfyret gjatë darkave zyrtare me përfaqësuesit e vendeve partnere…

Të gjithë tashmë arrogancën dhe agresivitetin e tij

Tanimë të gjithë shqiptarët e më gjerë e kanë të qartë arrogancën dhe agresivitetin e tij… jo vetëm ata që i kanë qëndruar më parë apo që i qëndrojnë aktualisht afër… por të gjithë pa përjashtim, ndërkohë që këtë arrogancë e agresivitet e kanë vetëm përfituesit e pushtetit dhe servilët e klientelës …Kjo arrogancë dhe agresivitet i shoqëruar me prezencën apo përdorimin e individëve me rekorde kriminale dhe/ose të parave të dyshimta do të vinin në dyshim zgjedhjet e lira e të ndershme…

Trishtimi që më vjen nga Vlora… dhe Lungo(go)marja patriotike

Flutura AÇKA

Kur të hënën e 10 nëntorit 1913, gjenerali holandez De Veer dhe zëvendësi i tij, koloneli Tomson, mbërritën në mbrëmje në portin e vogël të Vlorës, peizazhi që iu shfaq para syve i kujtoi atë zviceran, me male të gjelbërt, me nja 5 minare dhe një qetësi të pahasur kund.
Nuk kishte zhurma qytetërimi, as industri dhe në rrugën deri në qytet kishte vetëm ndërtesa prej druri.
Në mol kishte shumë kureshtarë që i pritën me një dashuri të dukshme. Pak muaj më vonë, më 3 gusht të vitit 1914, pas atyre gjithë çfarë ndodhi, gjenerali e la Vlorën dhe kaosin që e shoqëroi, dhe pa kolonelin e tij, i cili ishte vrarë në Durrës në rrethana krejt të paqarta.
Kur u kthye në atdhe, ndryshe nga oficerët e tij që nuk lanë katedër pa treguar bëmat që u kishin ndodhur në Shqipëri, u mbyll në vetvete. Në fakt e kishte shkruar gjithçka në ditarin e tij dhe letrat që ia kishte dërguar dit’m’dit’ së shoqes. Kur dikush e pyeti atë vjeshtë të 1914-tës se si ishin shqiptarët, ai i tha shkurt: “Janë nacionalistë, por jo patriotë”.
Duke e parë këto ditë Vlorën, që ende vazhdon me po ato ethe të pushtohet nga betoni, m’u kujtuan fjalët e gjeneralit De Veer. Sa pak patriotë janë këta nacionalistët vlonjatë, që e kanë betonuar Vlorën dhe kanë bërë këtë masakër urbane, ndër më tragjiket në Shqipëri. “Gjika and Co”, “Kolloz and Co” dhe tani “Leli and Co”, këta antivlonjatë, bashkë me deputetët e tyre të dashur “Rama and Co”, për vite i dhanë fund Vlorës sonë të bukur.
Dhe vlonjatët, këta nacionalistë të thekur, i kanë duartrokitur me heshtjen e tyre, e kanë pranuar shkatërrimin e këtyre “patriotëve” delenxhinj. Ngjituni në Kus-baba e shiheni Vlorën, shkoni në Kaninë dhe shihni se si fshati i famshëm po kthehet në qytetth prej betonit, shkoni në Orikum të shihni tmerrin e betonit ku janë mbjellë pallate, por jo një pemë e vetme. E ku, në mes të Orikut, Karaburunit, Llogarasë, Aulonës dhe Tragjasit, një hapësirë nga më turistiket shqipare.
Masakra vazhdon me po të njëjtën ethe, dhe ajo e ashtuquajtura “Lungomare” në këtë peizazh betoni, nuk mund të quhet veçse “Lungo-gomare patriotike”.

Fundi i qeverisë Rama

Enxhi NASUFI

Në fakt ky ka qenë një nga titujt kryesorë të mediave këto ditët e fundit. Lind pyetja: a ka ardhur vërtetë fundi i Ramës dhe tentativave të dështuara të tij për reformat e rreme?
Po! Shqiptarët janë të bindur se ata i ka kapluar kriza, e cila dita-ditës po përhapet në të gjitha sferat e jetës. Në ekonomi, shqiptarët kanë arritur nivelet më të larta të varfërisë që janë parë ndonjëherë këto vitet e fundit. Kriza e bukës dhe papunësia varfërojnë shqiptarët dhe nga ana tjetër, pasurojnë politikanët. Taksat e larta, energjia aforfe të cilat shqiptarët nuk arrijnë t’i paguajnë. Ku janë premtimet e Edi Ramës për rritje ekonomike, rritje të pagave për mësuesit, mjekët, punëtorët? Gënjeshtra, mashtrime pa fund, të cilat hedhin hi syve tanë çdo ditë e tendera pafund që vidhen nga qeveritarët. Nëse duhet t’i bëni një analizë gjendjes aktuale në vend, përgjigjja do të ishte e shpejtë: makabre.
Shqiptarët e panë dhe provuan përpara syve se, qeveria Rama është ndërtuar mbi vjedhjen, mashtrimin, por mbi të gjitha mbi krimin, prandaj dhe vetë ish-kryeministri Berisha në seancën e fundit i bëri thirrje shqiptarëve të jenë të kujdesshëm, të gatshëm të mbrojnë jetët e tyre, sepse krimi shëtit në rrugët e vendit bashkë me Tahirin. Kjo qeveri mbjell vetëm krim dhe ushqen krimin, sepse vetë deputetët janë të inkriminuar e bashkëjetojnë çdo ditë me të.
Në ç’kushte është sot arsimi? Zero! Sot, arsimi është kthyer në biznes privat të zonjës Nikolla e cila blen dhe shet licenca për projekte të gënjeshtërt, ku mësuesi dhe vlera e tij didaktike kanë humbur duke iu bërë presion çdo ditë mbi vendin e punës, sepse, militantët presin vende pune.
Ku është mjekësia falas e Beqjes, që i ktheu spitalet shqiptare në treg të lirë dhe me jetët e njerëzve bëhet Pazar?
Ku është ekonomia? Kriza i ka mbytur anembanë shqiptarët dhe të drejtën e tyre për të jetuar në një vend të lirë e demokratik.
Pse shqiptarët largohen e kërkojnë të largohen nga Shqipëria? Shifra alarmante të qytetarëve tanë që emigrojnë apo aplikojnë për azil. Ç’tregon kjo? Kjo tregon se qeveria Rama dështoi, e bashkë me të edhe premtimet e saj. Shqiptarët nuk duan premtime! Ata duan punë, duan ekonomi, siguri për jetët e tyre, drejtësi.
Zoti Rama: asgjë nga këto nuk i siguruat asnjë shqiptari, prandaj zëri i të rinjve demokratë është zëri i drejtësisë, të cilët kërkojnë një Shqipëri pa premtime boshe, pa vjedhje, korrupsion, por me zotim e obligim për të punuar e ndryshuar rrënjësisht jetët e tyre.

Rikthehet në detyrë polici që goditi protestuesen në protestën te Liqeni

Efektivi i policisë që qëlloi me pëllëmbë protestuesen gjatë protestës kundër betonizimit të Parkut është rikthyer në punë. Lajmi bëhet publik nga faqja zyrtare në Facebook të protestuesve për parkun “Qytetarët Për Parkun”. “Efektivi i policisë që qëlloi me pllëmbë protestuesen dhe e tërhoqi prej flokësh u pezullua nga detyra nga ministri Tahiri dhe tani rezulton që ka 1 muaj që është rikthyer në detyrë në Drejtorinë e Policisë Tiranë”, shkruhet në postimin e “Qytetarët Për Parkun”.
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në atë kohë e cilësonte si të patolerueshme këtë gjest, duke ndërmarrë edhe masën e pezullimit ndaj efektivit. Masë kjo, e cila duket se ka qenë sa për të shuar reagimet e momentit kundër policisë.
“Eshtë e papranueshme të sulmohet uniforma e Policisë së Shtetit, qoftë edhe nga një grua, por absolutisht edhe më e papranueshme dhe e patolerueshme të reagohet fizikisht, sidomos ndaj një gruaje. Kam kërkuar pezullimin e menjëhershëm të punonjësit të policisë dhe lirimin e tij nga detyra. Policia që duam nuk mund të jetë kjo që na treguan pamjet e konfliktit mes punonjësit të policisë dhe një qytetareje. Çdo punonjes policie duhet ta dijë këtë dhe kushdo e harron nuk do të tolerohet në asnjë rast e për asnjë arsye”, shkruante Tahiri në FB.

Grabitje në Kuçovë, maskat plagosin kryefamiljarin

Dy persona të maskuar dhe armatosur kanë tentuar dje pasdite të grabisin një banesë në qytetin e Kuçovës. Sipas burimeve, ngjarja ndodhi rreth orës 18:00 të mbrëmjes, në lagjen ‘11 janari’ në këtë qytet. Sipas të dhënave paraprake, dy autorët, kanë tentuar të grabisnin banesën në pronësi të shtetasin me iniciale F.SH, i cili për pasojë ka mbetur i plagosur, pasi është përleshur me një nga agresorët. Ka qenë kryefamiljari dhe djali i tij, ai që kanë parë grabitësit me maska, ndërsa i kanë bërë këtyre të fundit rezistencë.
Familjarët kanë njoftuar policinë për ngjarjen e rëndë, ndërsa policia bëri të ditur se ka arrestuar autorët e dyshuar, Ismet Kumria dhe Artur Polovina. Po ashtu, policia tha se sekuestroi 1 kallashnikov dhe 2 maska në cilësinë e provës materiale. Vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, ndërsa ndaj të dyshuarve rëndon akuza për veprën penale “Vjedhje me armë”.
Ndërkohë, një grabitje me maska ka ndodhur para dy ditësh në Vlorë. Bëhet e ditur se, tre persona të maskuar dhe të veshur me uniformë të ngjashme me ato të policëve, terrorizuan një familje në qytetin bregdetar. Denoncimi u bë nga familjarja Lida Beqiraj, e cila thotë se ata i dhunuan burrin te shkallët. Ajo ndodhej brenda në banesë bashkë me djalin e saj 8-vjeçar, kur autorët kërkonin me forcë të hapej dera.
Ngjarja ka ndodhur natën e së premtes në lagjen “Isa Boletini”. Sulmi u bë në shkallët e katit të gjashtë të pallatit ku banonte familja Beqiraj, pranë Teatrit “Petro Marko”. Policia është vënë në dijeni për rastin, por ende nuk ka një të arrestuar për ngjarjen. Sipas burime thuhet se qëllimi i personave të maskuar ka qenë grabitja.

Kosovë, kriza dhe korrupsioni zvogëlojnë interesimin për investime

Sa herë që flitet për zhvillim, rritje ekonomike në Kosovë, nga autoritetet kompetente përmenden investimet e huaja. Këto investime edhe pse konsiderohen si infuzion për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, pas shpalljes së pavarësisë në vitin 2008, thuajse për çdo vit kanë pësuar rënie.  iti 2014, ka qenë periudha kur në Kosovë ka pasur më së paku kapital të huaj dhe kjo për faktin se gjatë atij viti për gjashtë muaj radhazi, Kosova ishte zhytur në krizë politike e institucionale. Kurse, gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja. Edhe ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Avdullah Hoti, në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar për trendet ekonomike, ku sipas tij, treguesit ekonomik sugjerojnë se ekonomia e Kosovës është vendosur në një trend afatgjatë të rritjes. Ai ka përmendur se investimet e jashtme gjatë vitit 2015 kanë qenë mbi 320 milionë euro, krahasuar me 151 milionë euro gjatë vitit 2014.  kspertë për çështje ekonomike, vlerësojnë se kriza politike dhe niveli i lartë i korrupsionit, ndikojnë në zbehjen e interesimit të investitorëve të huaj që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë. Drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropian në Kosovë, Shpend Balija, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se arsye e mungesës se nivelit më të lartë të investitorëve është pasiguria e tyre për shkak të mungesës së sundimit të ligjit në Kosovë. “Gjithsesi edhe kriza politike është një dëm i madh që i bëhet Kosovës, për shkak se imazhi negativ, gjithmonë qarkullon më shpejtë në mediet globale. Dhe, kur mediet globale përqojnë këto mesazhe, investitorët e huaj të cilët edhe ashtu e kanë një imazh të dëmtuar në raport me Kosovën, krijojnë një perceptim negativ. Kur i shtohet edhe doza e pasigurisë në Kosovë, atëherë krijohet një panikë sa i përket sigurisë së investimeve”, ka thënë Balija. Qeveria e Kosovës së bashku më partitë opozitare, sipas tij, do të duhej të punonin më shumë drejt krijimit të një imazhi më të mirë politik në vend, pasi ky imazh, siç thotë ai, po ndikon që investitorët e huaj kapitalin e tyre të orientojnë në vendet e rajonit. Por, mendim tjetër për nivelin e ulët të investimeve të huaja në Kosovë, paraqet profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj. Ai shprehet se shkalla e lartë e korrupsionit dhe burokracia është pengesa kryesore e ardhjes se investitorëve të huaj në Kosovë. ‘‘Çështja e politikës që zhvillohet në nivel qendror, unë nuk besoj se ka ndikim aq sa qeveritaret tanë po mundohen ta shprehin këtë perceptim të tyre individual. Këtu është shkalla e lartë e korrupsionit dhe pamundësia e investitorëve që të jenë vërtet zot të bizneseve të tyre gjatë veprimit dhe niveli i shkallës se tatimeve (pasi i tatojnë qysh në fillim), tregon se Kosova nuk është mjedis i favorshëm për investitorët e jashtëm”, shprehet Ramosaj.