37.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Pronat e reja që Rama i jep Kokëdhimës, Kaselit dhe Lucës

Partia Demokratike denoncoi dje para mediave dhe opinionit publik një skemë korrupsioni që shënon një tjetër kulm të babëzisë së Edi Ramës dhe oligarkëve në pushtet. Bëhet fjalë për marrjen dhe ndarjen e pasurive publike, të mijëra metrave katrorë toke dhe truall për klientët dhe shërbëtorët e qeverisjes së korruptuar të Edi Ramës. Nënkryetarja e Departamentit të Pushtetit Vendor, Dhurata Çupi renditi tri raste në të cilat dëshmohet se si mijëra metra katrorë sipërfaqe toke u shpërndahen njerëzve pranë pushtetit.
Sipas dokumenteve të publikuara, Edi Rama i ka dhënë Kaselit ish-Ndërmarrjen e Gomave, ish-NPV-në dhe ish-Fabrikën e Tubave. 10 mijë metra katrorë në mes të Durrësit i merr shërbëtori i Ramës, ai që po hedh betonin e paligjshëm të Erion Veliajt në Parkun e Liqenit. Kompania “Kassel” kohët e fundit ka marrë me dhjetëra fonde publike nga Bashkia Tiranë, duke nisur nga ndërtimi i këndit të lojërave tek liqeni ashtu si edhe tek ndërtimi i fasadës së godinës së Bashkisë Tiranë.
Ndërkohë që 52 mijë metra katrorë në mes të Elbasanit, ish-rezervat e shtetit, i janë dhënë Lucës së Rozafës, një tjetër klienti pranë qeverisë. Më i favorizuari mbetet komisari i Jugut, Kokëdhima, i cili u ka vënë syrin pronave më të mira të bregut. E ka nisur me një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes në Lukovë, ku një prej objekteve në vendin më të favorshëm turistik me 2135 metra katrorë i jepet Koços. Pronë që do të kthehet në biznes privat, që të prodhojë para për komisarin e jugut.
I gjithë bregdeti i jugut është nën zaptimin e Koço Kokëdhimës. Akuza të njëpasnjëshme jo vetëm nga opozita, por edhe nga vetë banorët e zonës tregojnë se si Kokëdhima po rrëmben trojet publike për t’i shndërruar ato në biznese private. Pak ditë më parë, PD akuzoi abuzimet me ndërtimet pa leje në bregdetin e Jugut nga Kokëdhima, të cilat kanë hyrë deri në det. Nga ana tjetër, Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut ka lëshuar akuza të forta kundër Koço Kokëdhimës dhe terrorin që ai po ushtron në qytetin e Himarës përmes IKMT, duke prishur objektet e bizneset e qytetarëve të ndershëm me qëllim ndërtimin e bizneseve të tij.
Dhërmiu dhe Vunoi në veçanti dhe gjithë Bashkia e Himarës në përgjithësi janë vënë “nën pushtimin” e buldozerëve, skrapeve dhe forcave të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Nënkryetarja e Departamentit të Pushtetit Vendor bëri të ditur se në çdo mbledhje qeverie, Edi Rama ndan me koncesion, toka, pyje e kullota, pasuri publike, pa asnjë transparencë, pa kriter, duke ndjekur rregullin e vetëm që është në fuqi. “Gjithçka për vete dhe oligarkët. Ka 3 vite që nuk ka asnjë vendim transferimi të pronave publike tek njësitë vendore. Ka 3 vite që ish-pronarëve nuk u kthehet asnjë m2 truall. Dhe prej 3 vitesh, pasuria e tij dhe e oligarkëve vetëm shtohet dhe rritet. Ky është korrupsioni me të cilin sundon Rama: miliona euro, qindra pasuri publike të zhvatura, të plaçkitura, vjedhje në çdo drejtim, në çdo degë të qeverisë. Kjo është arsyeja se pse në Shqipëri ka pllakosur zia ekonomike, ka më pak vende pune dhe punësim, më pak konsum dhe më pak investime, ka më shumë varfëri dhe mjerim”, u shpreh Çupi.

Mijëra metra katrorë tokë për klientët e Ramës

1. Edi Rama i ka dhënë Kaselit ish-Ndërmarrjen e Gomave, ish-NPV-në dhe ish-Fabrikën e Tubave. 10 mijë metra katrorë në mes të Durrësit i merr shërbëtori i Ramës, ai që po hedh betonin e paligjshëm të Erion Veliajt në Parkun e Liqenit.
2. 52 mijë metra katrorë në mes të Elbasanit, ish-rezervat e shtetit, i shkojnë Lucës së Rozafës.
3. Më i favorizuari mbetet komisari i jugut, Kokëdhima, i cili u ka vënë syrin pronave më të mira të bregut. E ka nisur me një pronë të Ministrisë së Mbrojtjes në Lukovë, ku një prej objekteve në vendin më të favorshëm turistik me 2135 metra katrorë i jepet Koços.

Rama “show” me projektet e financuara dhe të nisura nga qeveria e PD

Edi Rama u shfaq dje duke inspektuar punimet në rrugën Qukës-Qafë Plloçë, ndërsa e prezantoi këtë projekt si një investim të qeverisjes së drejtuar prej tij kur në fakt ky është një projekt i financuar dhe i nisur nga qeveria Berisha. Përmes një reagimi për mediat, deputeti demokrat, Luçiano Boçi ironizoi shfaqjen e Ramës dje ndërsa e cilësoi Ramën si Kryeministrin që nuk ka shtruar asnjë metër rrugë asfalt e që vetëm ka mashtruar qytetarët duke mos mbajtur asnjë nga premtimet e tij. “Rama i përqendruar tek kullat e tij të betonit ‘harroi’ ose më saktë bëri sikur harroi, se rruga Qukës-Qafë Plloçë është tërësisht projekt i qeverisë së Partisë Demokratike dhe i financuar në fillimet e saj po nga Partia Demokratike, si domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik e social të asaj zone. Harroi që tashmë ajo duhet të ishte e përfunduar nga qeverisja e tij, si detyrim e premtim njëkohësisht. Kryeministri që ‘zihet me rrobat e veta’, zihet akoma më keq me projektet që u vijnë në ndihmë komuniteteve. Aq më tepër kur janë iniciuar nga PD. Prandaj sot ato janë braktisur, sikurse kjo rrugë, në mëshirë të fatit dhe thërrimeve që i akordon Rama në prag zgjedhjesh dhe thjesht për propagandën e radhës. I kapur tek ‘maja e thanës’ (kullës) na flet si e ‘ëma e Zeqos’! Njeriu që nuk ka ndërtuar asnjë kilometër asfalt vetë, përveçse kilometrave beton kudo, në lulishte e qendër qytetesh, kërkon të mburret me ato që i lamë gati e që kurrë nuk i përfundoi. I turpshëm është fakti se ky Kryeministër i pashpresë e i paprojekt me njerëzit, përpiqet t’i hedhë hi syve atyre dhe t’i tallë shqeto, pa u dhënë llogari se ku është rruga e Orenjës, rruga e Lunikut, e Stëblevës, rruga e Vehçanit, e Qukës-Shkumbin, e Bërzeshtës e Stravajt!!??? Ku është ujësjellësi po i Vehçanit, i Xhyrës, i Rrajcës, i Kotodeshit?!!!! Ku janë shkollat e Hotolishtit, të Orenjës, e Vilanit???! Të gjitha të premtuara. Ku janë pyjet e rrafshuar të Qukësit, Stravajt, e Shebenikut???!!! Këtë të na kishte thënë ‘e ëma e Zeqos’ dhe jo të pompozonte e të mburrej me ‘dhëmbët e kalit të tjetrit’”, shprehet në reagimin e tij deputeti demokrat, Luçiano Boçi.

Kriza, mbi 16 mijë biznese nuk paguajnë dot detyrimet

Numri i bizneseve që nuk paguajnë detyrimet tatimore ka ardhur në rritje. Duket se mungesa e likuiditetit është një ndër faktorët kryesorë, çka vihet re dhe në të dhënat më të fundit të publikuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ku shihet qartë numri i madh i bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet. Sipas shifrave zyrtare nga kjo drejtori, lista e bizneseve që nuk kanë paguar detyrimet tatimore është 16 005, nga 13 778 biznese që ishin në fund të muajit dhjetor. Sipas këtyre statistikave, kësaj “liste të zezë” gjatë tre muajve të fundit i janë shtuar 2 227 subjekte. Ndaj këtyre bizneseve janë marrë masat e sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre. Tatimorët e publikojnë listën e zezë në mënyrë që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e tyre deri kur detyrimi tatimor të jetë paguar. Që në fund të vitit 2013 ka ndryshuar rrënjësisht mënyra e administrimit tatimor, duke sjellë një forcim të procesit monitorues të të gjitha funksioneve të Administratës Tatimore si dhe procesi i administrimit të mbledhjes së borxhit tatimor. Evidentimi i tatimpaguesve të cilët janë subjekt i Mbledhjes së Borxhit Tatimor tashmë është një proces që kryhet automatikisht me vënien në funksionim të sistemit të ri elektronik.

Rënie e pandalshme e eksporteve

Eksportet shqiptare ranë me 12.8 për qind në muajin mars krahasuar te njëjtin muaj të vitit paraardhës duke shënuar një nga rezultatet më të dobëta të viteve të fundit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i statistikave tregojnë se gjatë muajit të kaluar kompanitë shqiptare eksportuan jashtë 19.3 miliardë lekë mallra nga 22.1 miliardë që ishte shifra në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ky është muaji i tetë me radhë që eksportet ulen në terma vjetorë çka përbën një tjetër rekord negativ. Ndërsa si tremujor, për periudhën janar mars, eksportet kanë rënë me 5 miliardë lekë ose 8.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Të dhënat tregojnë se ky është viti i dytë me radhe që eksportet vazhdojnë të bien, duke ndikuar negativisht ekonominë shqiptare.  Rënia më e madhe e eksporteve i dedikohet dy grupeve. Ato janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia si dhe grupi i materialeve të ndërtimit. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë, eksportet e këtyre dy grupeve së bashku ishin 10 miliardë më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rënia  e madhe në këto dy grupe ka qenë e pamundur të rikuperohet nga ecuria pozitive e fasonit dhe eksporteve bujqësore. Sipas INSTAT, të dy këto zëra kanë shënuar rritje në tremujorin e parë, por pa mundur të kompensojnë plotësisht rënien e naftës dhe materialeve të ndërtimit. Ndërsa eksportet kanë rënë, shkëmbimet tregtare kanë pasur një ecuri më të mirë në kahun e importeve. Sipas INSTAT, për tremujorin e parë importet u rritën me 3.8 për qind, nga 118.5 miliardë lekë që ishin vjet në 123.1 miliardë lekë këtë vit. Grupi me rritjen më të lartë të eksporteve mbeten makineritë dhe pajisjet, të cilat këtë tremujor ishin 1.8 miliardë lekë më të larta se tremujori i parë i 2015-ës, një zhvillim ky që i referohet investimeve të mëdha në Kaskadën e Devollit dhe gazsjellësin Transadriatik.

‘Kronos’, miku i Ramës e Ahmetajt, 11 miliardë lekë tendera nga OSHE

Partia Demokratike denoncoi dje një rast flagrant se si miqtë e afërt të Ramës dhe ministrave të tij përfitojnë dhjetëra tendera milionash pa asnjë garë dhe respektim të rregullave ligjore. Vetëm një kompani, me lidhje të afërta me Ramën dhe ministrin e Ekonomisë, Ahmetaj ka fituar plot 11 miliardë lekë tendera nga vetëm një institucion, OSHEE. Përmes një deklarate për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa bëri të ditur se në pjesën më të madhe të rasteve, kjo kompani ka fituar tenderat në mënyrë të paracaktuar.
“Ashtu siç kemi njoftuar sot do të vijojmë me denoncimin e oligarkëve të Edi Ramës dhe metodave sesi i vjedhin paratë e shqiptarëve. Këto dhjetëra dokumente janë dhjetëra tendera të OSHEE, janë të paktën 11 miliardë lekë të marra nga firma e preferuar e Edi Ramës, që quhet Kronos. 10 për qind të parave të një viti, para që banda e OSHEE ia merr njerëzve duke i rrjepur edhe kacidhen e fundit, ja jep kësaj firme pra, e cila njihet mirë se ka dhe miqësi të veçantë me ministrin e avionëve privatë, Arben Ahmetajn.
Në pjesën më të madhe të rasteve, klienti i Rama-Ahmetajt është ofertues i vetëm. Pra, nuk ka garë, është gjithçka e fiksuar, çmimi është fiksuar, malli është fiksuar, fituesi është paracaktuar. Nuk publikohet njoftimi i tenderit, por direkt lidhja e kontratës. Në disa raste, puna madje ka nisur pa u lidhur kontrata. Në pjesën më të madhe të rasteve, klienti i Rama-Ahmetajt merr të gjithë fondin limit, nuk kursehet asgjë nga paratë e shqiptarëve. Të gjithë milionat për xhepat e Edi Ramës dhe oligarkëve të tij. Kjo është qeverisja e korruptuar e Edi Ramës. Kjo është arsyeja se pse zhyten në mjerim qytetarët, teksa rritet pasuria dhe luksi i Kryeministrit dhe oligarkëve të tij”, është shprehur Zhupa në denoncimin e saj.
Megakorrupsioni që paguan OSHEE për sipërmarrjet e lidhura me qeverinë apo ministrat e saj, duket se është zyrtarizuar nga Kryeministri Edi Rama, si një pus parash publike të pafundme për të shpërblyer zyrtarët. Skema korruptive e OSHEE dita-ditës nxjerr në dritë emra dhe firma që janë të lidhura me individë të fortë brenda mazhorancës së rilindjes. Sipas portalit “Boom.al” vetëm dy tendera të kësaj strukture u janë dhënë dy firmave të lidhura me ministrin Arben Ahmetaj.
Tenderi linja e tensionit të lartë lagjia Dunavat-Gjirokastër me vlerë rreth 200 milionë lekë ka pasur fitues subjektin Vaso Jovani. Kjo firmë është kualifikuar në kundërshtim me kërkesat e ligjit, për arsyen e vetme se Nard Mene, drejtori i investimeve në OSHEE, që është kunati i Arben Ahmetajt, ka ndikuar pranë KVO-së së kësaj procedure prokurimi për të shpallur fitues këtë subjekt. Madje, përflitet se, zarfi për Menen ka qenë 30% e fondit limit. Njëkohësisht edhe një tender tjetër i dhënë nga OSHEE për një klient të Nard Menes është edhe tenderi me objekt “Pajisja me kabllo elektrike të linjës Gjirokastër”, me vlerë 1,4 milionë dollarë, me fitues subjektin “Arifaj shpk” edhe në këtë tender, Mene ka ndikuar pranë zyrtarëve të prokurimit për të shpallur fitues subjektin “Arifaj”, i cili nuk plotësonte kërkesat e tenderit.
Në të gjitha rastet, tenderat janë anuluar dhe ribërë vetëm e vetëm që Mene të garantonte shumën e kërkuar të shpërblimit. Duket se me rilindjen e tenderave publike, bakshishi i kërkuar nga zyrtarët është rritur nga 20% në 30% të vlerës së fondit. Kjo ka bërë që fondet të fryhen dhe vlerat e ofertave fituese të jenë shumë pranë vlerës maksimale dhe të skualifikohen ofertues që paraqesin oferta më të ulëta. Madje, presioni i zyrtarëve të përfolur për korrupsion shkon deri aty saqë anulojnë procedurat e prokurimit vetëm e vetëm për të vulosur pazarin më të lartë. Kësaj nisme të fundit rilindase nuk i ka shpëtuar as Nard Mene, lidhjet e të cilit, çuditërisht të çojnë tek ministri Arben Ahmetaj me të cilin është kunat. Në vijim të tenderave korruptivë, përfitues kanë qenë edhe djemtë e nënkryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, ku për kompaninë e djalit të saj, OSHEE shpiku një tender për të trajtuar stresin e punonjësve.
OSHEE është shndërruar në një hambar tenderash për klientët dhe bandën pranë qeverisë. Janë me dhjetëra tendera, të pajustifikuara si për shërbimin ashtu edhe për kostot marramendëse që u janë dhënë dhe vijojnë t’u jepen klientëve të qeverisë.
Vetëm në 3 muajt e parë të vitit OSHEE ka tenderuar 23 miliardë lekë pa asnjë eficencë e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 milionë dollarë. OSHEE mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët, duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla. Janë këto mbifaturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar në trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm.

Arben Shahini

Ahmetaj qesharak, paketë shpëtimi për ekonominë duke sulmuar opozitën

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku reagoi dje ndaj prezantimit të paketës së shpëtimit për ekonominë nga ana e ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj.  “Në vitin e fundit të një mandati që ka prodhuar rënie ekonomike, qeveria në mungesë ideje, vizioni e mbi të gjitha rezultatesh ka vendosur që të baltosë edhe kundërshtarin. I gjendur përballë një krize të thellë konsumi që vendin e ka çuar në një deflacion dhe recesion, qeveria ka vendosur që në vend të një pakete shpëtimi të merret me opozitën dhe ofertën e saj. Të bësh propagandë është më e lehtë se të punosh. Duhet gënjyer sa më shumë që shqiptarët të harrojnë premtimin e 300 mijë vendeve të reja të punës. Duhet gënjyer që të harrohet premtimi i 160 mln USD investimeve në kanalet vaditëse, madje duhet ndërtuar një gënjeshtër sa më e madhe që fermerët të harrojnë përmbytjet e dy viteve rresht, ndërsa qeveria pasuronte veten dhe rriste luksin për zyrat e saj” u shpreh Tabaku.
Ajo theksoi se të dhënat e vetë qeverisë tregojnë se bujqësia pati një peshë të konsiderueshme në rënien e PBB-së (në masën 1.94%). “Duke ulur punësimin në sektorin bujqësor, vetëm për vitin e shkuar me 3.5%, ndërsa subvencionet bujqësore shkojnë në xhepat e grosistëve që në shumicën dërrmuese të rasteve janë miqtë pranë qeverisë” tha ajo
Deputetja demokrate bëri të ditur se gjatë këtyre 3 viteve PD ka propozuar 60 amendamente për të rritur punësimin e investimet e huaja e për të gjallëruar ekonominë. Sot Shqipëria ka nivelin më të ulët të eksporteve në rajon, duke rënë me 17%, ekonominë më pak tërheqëse për investimet e huaja, ku investitorët e huaj si rezultat i taksave të larta, paparashikueshmërisë së ligjeve e korrupsionit preferojnë të investojnë në rajon.
“Duke pasur parasysh këto tregues negativë e duke pasur parasysh që bujqësia ka nevojë për një stimul të ri, oferta e re i garanton bujqësisë jo vetëm 150 milionë euro në buxhet, por edhe 100 milionë euro subvencione që do të shkojnë në dorën e secilit fermer, sepse ne besojmë që fermeri e di më mirë se sa grosisti pranë qeverisë se ku duhen shpenzuar. Programi i Partisë Demokratike i ofron fermerit 50 milionë euro investime në infrastrukturën bujqësore ndryshe nga kjo qeveri që ka investuar miliona euro në luksin e zyrave apo luksin personal të ministrave.
Nuk ka asnjë arsye pse të sulmojë programin që premton uljen e taksave, rritjen e pagës minimale dhe nxitjen e rritjes së konsumit sepse në këto 3 vite kanë dëshmuar që nuk kanë asnjë vizion dhe një projekt për të ardhmen. Fermerët dhe shqiptarët sot janë në situatën më të vështirë e nuk ka nevojë të lexojmë shifrat e qeverisë, por çdo ditë, në çdo takim, në çdo qytet shihet qartë që kanë nevojë për një alternativë që është një mundësi zhvillimi” tha deputetja demokrate.

BSH: Rritja ekonomike, e rrezikuar

Kredia për ekonominë vazhdon të mbetet në krizë duke kërcënuar rritjen ekonomike. Sipas Syri.al Të dhënat e fundit zyrtare nga Banka e Shqipërisë, tregojnë se në tre muajt e parë të vitit, stoku i huave për ekonominë u rrit me vetëm 200 milionë lekë, çka përbën një shifër të papërfillshme duke sinjalizuar se aktiviteti kreditues do të mbetet i ndrydhur edhe në 2016-ën. Ndërsa në terma vjetor kredia ka rënë nga 557.4 miliardë lekë që ishte në  marsin e vitit të kaluar, në 547 miliardë lekë në marsin e këtij viti. Rënia e kredisë ka ardhur tërësisht nga tkurrja e huave të reja për biznesin. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin u ul nga 365.5 miliardë lekë që ishte vjet në mars, në 354.8 miliardë këtë vit. Kjo përbën një rënie prej 2.9 për qind dhe reflekton hezitimin e biznesit dhe bankave për të marrë përsipër rrezik. Kriza e kredive është cilësuar si rreziku kryesor për rritjen e ekonomisë edhe nga vetë qeveria. Në Programin e Reformave Ekonomike 2016-2018, Këshilli i Ministrave vëren se se ndryshe nga sa pritej, kredia për sektorin privat është në stanjacion duke kërcënuar rimëkëmbjen e ekonomisë. “Rritja e dobët e kreditimit mbetet shqetësimi më i madh për perspektivën e ekonomisë shqiptare,” thuhet në dokumentin strategjik të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Vitin e kaluar rritja ekonomike u udhëhoq nga investimet. Por nëse biznesi nuk do të marrë kredi, gjasat janë që investimet të rrudhen sërish duke frenuar rritjen ekonomike. Një raport i Bankës së Shqipërisë tregon se Shqipëria është vendi që po kalon krizën më të thellë të kreditimit në Europën Jugindore dhe atë Qendrore duke lënë pas vetëm Serbinë. Raporti referon të dhënat e kredisë për biznese. Sipas tij rezulton gjatë vitit 2015 kredia për ndërmarrjet private në Serbi ka rënë me 12 për qind në terma realë krahasuar me një vit më parë. Kjo është rënia më e madhe në rajon, që pasohet nga Shqipëria. Sipas Bankës së Shqipërisë, kredia për biznesin në Shqipëri vitin e kaluar ra me 7 për qind në terma realë krahasuar me 2014 duke shënuar rënien më të madhe historike. Në vendet e tjera të rajonit aktiviteti kreditues shfaqet i përmirësuar kundrejt tremujorëve të kaluar. Teprica e kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 3.5% , ndërsa kredia për bizneset ishte 2.6 për qind më e lartë se një vit më parë.

Gashi shënon golin e dytë, frenohet Drogba

Shkëlzen Gashi ka shënuar golin e dytë me Koloradon në sfidën që skuadra e tij luajti ndaj Montrealit, ku bën pjesë sulmuesi Didier Drogba. Sulmuesi i Kombëtares iu përgjigj golit të shënuar nga Drogba në minutë e 47-të, që e çoi rezultatin në 1-1. Vendasit nuk vonuan dhe për 3 minuta rikthyen avantazhin. Por Kolorado nuk dorëzohet dhe Gashi është shumë i rrezikshëm me krosimet e tij, nga një prej të cilëve vjen edhe goli i barazimit 2-2. Në minutën e 78-të ka një karton të verdhë për Gashin, ndërsa në fund sulmuesi kërkon të marrë minuta, duke u shtrirë në fushë për shkak të një goditjeje të marrë, por që nuk ka asnjë pasojë.
Kolorado merr një pikë të vlefshme në transfertë ndaj Montrealit, që mban vendin e parë në Konferencën e Lindjes, ndërsa në atë të Perëndimit është skuadra e Gashit e para me 17 pikë të grumbulluara deri më tani. Pas 3 ndeshjesh pa fitore, Vaduzi ka marrë një fitore të artë në fushën e Sant Gallenit, me rezultatin 3-1. Është fitore me peshë të jashtëzakonshme, sepse ishte një ndeshje derbi dhe 5 javë para përfundimit të kampionatit gara për mbijetesë është hapur plotësisht dhe në të janë përfshirë disa skuadra. Në radhë të parë Vaduzi kalon Luganon (që luan më vonë), ndërsa fut në telashe edhe Sant Gallenin, që tashmë shpreson shumë që Lugano të ndalet.
Përveç kësaj, për Vaduzin një lajm i mirë erdhi nga Tuni, sepse kjo skuadër fitoi 4-0 ndaj Zyrihut, duke zhytur këtë të fundit pranë zonës së ftohtë, vetëm një pikë mbi Vaduzin. Sadiku ishte titullar dhe luajti një ndeshje mjaft të mirë, edhe pse nuk shënoi, ndërsa sulmuesi Albion Avdijaj qëndroi në stol për 90 minuta.
Ndërkaq, te Zyrihu mungoi për pezullim Burim Kukeli. Milot Rashica është aktivizuar për 90 minuta në humbjen që skuadra e tij Vitese regjistroi në shtëpi ndaj Utrehtit. Ekipi i mesfushorit nga Vushtria arriti të shënojë i pari, por miqtë arritën të shënojnë 3 herë, duke fituar me rezultatin e përgjithshëm 1-3.
Kjo humbje bën që Vitese të jetë jashtë zonës së ‘playoff’- it për në Ligën e Europës, e shpresa e vetme e tyre është që javën tjetër, në të fundit, 3 ekipet sipër Viteses të humbasin, e sigurisht skuadra e Rashicës të fitojë në transfertë ndaj Tuentes që nuk është se ka objektiva. Rashica me shokët e tij shpresojnë, pasi golavarazhin e kanë më të mirë se rivalët e tyre.
Një gol i Edgar Çanit i dhuroi Pisës sigurinë matematikore për vendin e dytë në Grupin B të Lega Pro dhe biletën për të luajtur në fazën play-off. Sulmuesi shqiptar realizoi në minutën e 42-të rrjetën vendimtare, të suksesit 1-0 përballë Lupa Romas. Ky ishte goli i pestë sezonal për bomberin kuqezi, në 25 ndeshje të luajtura me skuadrën e drejtuar nga Genaro Gatusso, aty ku duket i ringjallur pas aventurës jo të mirë te Leeds në Angli. Përveçse lider në fushë, Çani shfaqet lider edhe jashtë, duke treguar rrugën që duhet të ndjekë skuadra.

Dibala do numrin 10

Paulo Dibala, një lider i padiskutueshëm, i cili jo vetëm që nuk ka ndërmend ta lërë Juventusin pas ofertave joshëse, por mendon që të transformohet në një ikonë: “Do doja që të qëndroja për 20 vite te kjo skuadër, njësoj si Del Piero dhe Bufoni. Jam i bindur se ky është vendi i duhur për mua, për të fituar shumë trofe, por edhe ‘Topin e Artë’ pse jo”. Sulmuesi argjentinas 20-vjeçar është një nga ata futbollistë që ecën me këmbë në tokë, ndaj kurrë nuk ka pasur dyshime mbi zgjedhjen e bërë. Ai thotë se, eleminimi nga Bajerni në Champions ka qenë momenti më i keq për të. “Padyshim eliminimi nga Bajerni i Mynihut ka qenë momenti më i keq. Mendoja se do t’ia dilnim, kishin mbetur pak sekonda, do kishim kryer një arritje madhështore, por në fund vuajtja ishte edhe më e madhe. E pashë në shtëpi, vetëm mbi divan, i dëmtuar dhe me aparaturën që më riaftësonte muskujt e dëmtuar në punë. Nervozizmi ishte aq i madh sa nga një kërcim rrezikova të përkeqësoja dëmtimin dhe, më pas, nuk do dija si t’ua sqaroja këtë mjekëve dhe drejtuesve”, shprehet Dibala.
Juventusi jo vetëm vazhdon të fitojë, por “respekton” luftën e zonës për mbijetesë, duke mundur Karpin 2-0 dhe arkivon fitoren e 25-të në 26 ndeshjet e fundit në kampionat. Me nga një gol për pjesë loje, Hernanes në të parën dhe Zaza në fundin e takimit, bardhezinjtë bëjnë një tjetër “stërvitje” luksi në pritje të festës së titullit (më 15 maj), por mbi të gjitha në pritje të finales së Kupës së Italisë, me Milanin, më 21 maj, në stadiumin “Olimpiko”.
Pikërisht mesfushori francez është protagonisti i pjesës së parë, kur në të 25-ën tenton të shënojë fluturimthi brenda zonës, por kalojnë vetëm pak xhiro të kronometrit dhe një driblim i shkuar keq rrezikon që Verdi ta kalojë në avantazh Karpin, por Bufon me majën e këpucës shpëton skuadrën. Alegri ulërin, urdhëron që gjërat të bëhen serioze. Dhe Juventusi fillimisht i afrohet avantazhit me Moratën (goditje me kokë, pak milimetra larg shtyllës), përpara se të gjithë të festojnë.
Minuta e 42-të, Azamoah zbret nga e djathta dhe pason në qendër për Hernanesin, i cili nga jashtë zone godet saktë në të majtën e portierit Belek, i cili ka përgjegjësi për golin, duke qenë se goditja nuk ishte e papërballueshme. Gjithsesi, Hernanes feston golin e parë si juventin dhe ekzalton tifozët me kapriolën karakteristike me të cilën feston pas çdo goli. Me të ardhur avantazhi, tribuna e ultrasve shpalos menjëherë një dedikim për trajnerin e tyre, “Alegri, burrë i vërtetë”, duke ftuar livornezin që të kërcënojë së bashku me ta. Maks ruan seriozitetin, nuk kërcen, por i bën me dorë në shenjë respekti, duke ndezur kështu duartrokitjen e të gjithë “Juventus Stadium”-it, një atmosferë krejt tjetër kundrejt asaj të mikpritjes me gurë që goditën makinën e tij, në korrikun e vitit 2014.

Griezmann, njeriu simbol i Atleticos

Antoine Griezmann është padiskutim njeriu i momentit në shtëpinë e Atleticos së Madridit. Nëse nuk do të ishte për golat e francezit, Los Colchoneros vështirë se do të rivalizonin me Barcelonën deri në javën e fundit për fitimin e titullit kampion në La Liga. Goli ndaj Rayo Vallecanos vetëm disa sekonda pasi kishte hyrë në fushë ishte i 30-ti në këtë sezon për Griezmann në të gjitha kompeticionet. Sulmuesi i përfaqësues franceze po kalon një moment me të vërtetë fantastik teksa vetëm në La Liga ka realizuar 21 gola. Shumica e këtyre finalzimeve kanë qenë shumë të rëndishme për Atleticon, pasi i kanë dhënë 3 pikët skuadrës së Simeones. Pa golat e 25-vjeçarit, Los Colchoneros sot do të kishin 14 pikë më pak në Primera Division. 5 finalizime të yllit francez i kanë dhënë 5 fitore nga 1-0, Atleticos në këtë sezon, statistika këto që tregojnë për rëndësinë e këtij futbollisti te skuadra e El Cholo Simeones.
Madrilenët nuk bëjnë dot pa Griezmann dhe fati i mirë i tyre është që lojtari nuk ka pësuar asnjë dëmtim me 25-vjeçarin që ka zhvilluar në total 50 ndeshje në të gjitha kompeticionet. Jo më kot për të interesohen klubet më të mëdha të Europës, pasi Antoine Grizmann përfaqëson njeriun simbol të kësaj Atletikoje që në këtë sezon po rivalizon me Barcën dhe Realin për titullin në Spanjë, por ndërkohë është vetëm një hap larg edhe kualifikimit në finalen e Championsit. Në sezonin e tij më të mirë në karrierë, Antoine Griezmann është me të vërtetë njeriu që po merr për dore Atleticon e Madridit.