35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Reali nuk dorëzohet në minutat e fundit

Reali i Madridit nuk dorëzohet kurrë. Skuadra e Zinedin Zidan ka arritur të grumbullojë 15 pikë në 5 ndeshje, kur ekipi ka shënuar në dhjetë minutat e fundit. Ky fakt tregon se me francezin ekipi madrilen ka gjetur besimin dhe forcën për të reaguar edhe atëherë kur ndeshja duket se ka marrë drejtimin e gabuar për Realin.
Në minutën e 85-të, Modriç shënon një supergol, duke dërguar shifrat në 1-2 për skuadrën e tij kundër Granadas.
Ndaj Las Palmas heroi i Realit është Kasemiro. Ai madje shënon dy gola në minutat e fundit, duke i dhënë skuadrës së tij 3 pikë me shumë vlera që e mban ende në garë për titullin kampion. Braziliani shënoi në minutën e 87-të dhe minutën e 89-të.
Nuk harrohet goli i Ronaldos ndaj Barcelonës në minutën e 85-të në “Kamp Nou”, që futi zyrtarisht në krizë skuadrën katalanase dhe i dhuroi një mbrëmje magjike Realit.
Përmbysja e çmendur e madrilenëve nga 2-0 në 3-2 ndaj Vajekanos mbajti firmën e Lukas Vaskez, i cili e dërgoi topin në rrjetë në minutën e 81-të.
Këtë javë, Garet Bejl mposhti skuadrën e Sociedadit në minutën e 80-të dhe falë golit të tij, ekipi i Zidan shpreson te titulli.

Ronaldo gati ndaj Manchester Citit

Kristiano Ronaldo rikthehet të stërvitet në fushën e lojës, duke shpresuar të rikuperohet në kohë rekord për ndeshjen e së mërkurës ndaj Mançester Sitit. Vetë portugezi nuk e pranon faktin, nëse do të jetë në fushë apo jo, por thotë se Liga e Kampionëve është një kompeticion unik dhe i jep shumë adrenalinë. Ai flet për trajnerin Zidan dhe shpreson që francezi të vazhdojë të qëndrojë për shumë vite të tjera në krye të Real Madrid.
“Me Zidanin ndihemi më të vlefshëm në skuadër dhe e ndjejmë dashurinë që na jep. Një trajneri të ri i duhet kohë, por ai është unik për mënyrën se si e drejton skuadrën. Jam i lumtur për të, sepse e kam admiruar edhe kur ka qenë futbollist. Më pëlqen shumë që ai të vazhdojë të qëndrojë për shumë kohë te Reali”, u shpreh Ronaldo.
“E dimë që na pret një ndeshje shumë e vështirë, por gjithçka është e hapur. Mançesteri është në këtë fazë të Ligës së Kampionëve me meritë dhe eliminoi një skuadër të rëndësishme si PSG-ja. Të eliminosh francezët nuk është e lehtë, por ata e bënë. Është një ekip që ka shumë pak defekte, por ne duhet t’i shfrytëzojmë ashtu siç duhet gabimet që do të bëjnë”.
“Është një nga ndeshjet më të rëndësishme dhe më të bukura në karrierën time. Duhet të fitonim me 3 gola diferencë dhe ne ia arritëm ta bënim atë mbrëmje shumë speciale. Nuk e them këtë vetëm për faktin se shënova unë, por sepse e gjithë skuadra luajti mirë dhe tifozët u kënaqën shumë. Ishte një përmbysje e madhe. Shpresoj që të bëjmë të njëjtën gjë edhe me Sitin, por na duhet të punojmë shumë për të arritur diçka të tillë”, tha ai.
“Fitorja e këtij kompeticioni me fanellën e Realit ishte diçka shumë e bukur për mua, sepse Liga e Kampionëve është gjithmonë speciale. Për më tepër arrita ta fitoj në Lisbonë, përballë portugezëve. Ndeshjet në Champions janë të veçanta dhe kanë impuls ndryshe nga të tjerat. Gjithmonë më duket sikur çdo ndeshje e Ligës së Kampionëve është e para që po luaj dhe përsëriten gjithmonë të njëjtat emocione. Sigurisht që prioriteti dhe dëshira e Realit është ta fitojë këtë trofe të rëndësishëm. Do të bëjmë maksimumin për të shkuar në finalen e Milanos”, përfundoi Ronaldo.

Bagdati në kaos

Bagdati ishte në prag të kaosit politik sot. Qyteti është nën gjendje të jashtëzakonshme. Protestuesit kanë zaptuar një pjesë të Zonës Ndërkombëtare, që dikur ishte e pakalueshme për qytetarët e zakonshëm, ushtria është në gjendje gatishmërie, ndërsa ligjvënësit kanë marrë arratinë.
Sot në mëngjes, kleriku shiit Moktada al Sadr kishte mbledhur përkrahës të tij para Parlamentit të braktisur. Ligjvënësit e braktisën Parlamentin dje, pasi protestuesit u futën në selinë e organit legjislativ. Më vonë nga mbrëmja, protestuesit ishin tërhequr nga salla e Parlamentit.
Zyrtarët thonë se, mijëra protestues vazhdojnë të mbajnë të uzurpuar Zonën Ndërkombëtare ku ndodhen zyrat e Kombeve të Bashkuara dhe shumë ndërtesa qeveritare.
Uzurpimi i Parlamentit ishte pika kulmore e një situate të trazuar që ka zgjatur prej disa javësh. Kleriku al Sadr ka kërkuar ngritjen e një qeverie të re me teknokratë. Kryeministri Haidar al Abadi, i cili pat premtuar reforma nuk ka arritur të realizojë ndryshime reale, pasi partitë politike, në luftën e tyre për pushtet, bllokuan shumë nga kandidatët e Al Abadit.

Obama në rolin e humoristit

Presidenti Barack Obama ishte mbrëmë në qendër të vëmendjes së gazetarëve, politikanëve dhe personaliteteve të ftuara në darkën e përvitshme të Shtëpisë së Bardhë për korrespondentët. Kjo darkë ishte mundësia e fundit për Presidentin Obama që të shpotiste veten, miqtë, kundërshtarët, mediat dhe Kongresin.
Nën tingujt e këngës “Do ju mungoj kur të jem larguar”, Presidenti Obama konfirmoi se, kjo është vërtet darka e tij e fundit me korrespondentët dhe tregoi për herë të parë me humor se kush preferon të jetë pas tij në Shtëpinë e Bardhë.
“Vitin e ardhshëm, dikush tjetër do të qëndrojë pikërisht në këtë podium dhe të gjithë mundohen të hamendësojnë se kush do të jetë AJO…”
Duke vënë në dukje se, kandidati republikan Donald Trump nuk merrte pjesë në darkën e këtij viti, Presidenti Obama u mor dhe me aftësitë e tij në politikën e jashtme.
“Thonë se Donaldit i mungon eksperienca në politikën e jashtme për t’u bërë president. Por, për të qenë të drejtë, ai ka kaluar vite të tëra, duke u takuar me udhëheqës nga gjithë bota, si: Miss Suedia, Miss Argjentina dhe Miss Azerbajxhani”.
Duke bërë humor me largimin e tij nga posti në fund të këtij viti, Presidenti Obama shpotiti politikanët në Uashington dhe jo vetëm.
“Nuk janë vetëm anëtarët e Kongresit, por edhe disa udhëheqës të huaj, që po i paraprijnë largimit tim. Javës që shkoi, Princi George erdhi në takim me rroba banjoje. Një shuplakë e vërtetë…”
Në mbyllje të fjalës së tij, Presidenti Obama falenderoi gazetarët për punën e tyre dhe bëri gjestin simbolik të rrëzimit të mikrofonit.
“Dua ta mbyll darkën time të fundit me korrespondentët, duke ju thënë faleminderit. Krenohem me çfarë keni arritur. Ka qenë një nder dhe privilegj të punojmë së bashku për të forcuar demokracinë.

Të tre me kredenciale të ulëta, por kush do garojë?

Barbara WESEL

Jemi në një pikë kthese. Një pjesë e popullsisë i mbyll sytë para reformave, të tjerët po e kuptojnë se diçka nuk shkon. Njerëzit nuk kanë më besim tek politika. Fillimisht ishin të djathtët në pushtet, pastaj të majtët. Të gjithë ishin zhgënjyes”, thotë studentja e kulturologjisë, Gabrielle. 20-vjeçarja e ndan bashkë me miliona francezë përçmimin për politikën. Kjo është baza e protestave të të majtëve dhe e suksesit të Frontit Nacional djathtist. Një pjesë votuesish do që të ngjiten në pushtet njëherë politikanë “të tjerë”.
“Në Francë të gjithë duan diçka ndryshe – politikanët, popullit, punëtorët. Ata duhet të flasin njëherë me njëri-tjetrin. Jemi ekonomia e pestë e botës dhe kemi miliona të papunë”, thotë regjisori Gilles Saulnier. Papunësia dhe një nevojë e papërcaktuar për ndryshime kanë krijuar një lëvizje të re nëpër qytete, “Nuits Debout”-forume diskutimi netëve me një lloj fryme të lehtë revolucionare, herë pas here ka përleshje edhe me policinë.

Ekonomia
Nganjëherë e ngre kokën edhe suksesi: Javën e shkuar, Franca arriti të mënjanojë si konkurrente Gjermaninë, duke siguruar një porosi 35 miliardë euro për ndërtimin e nëndetëseve për Australinë. Parisi duartrokiti, por suksesi është i pjesshëm. “Jam i zemëruar me qeverinë”, thotë Bertrand Boissier, kreu i prodhuesit të kabllove, BMS dhe zëvendëspresidenti i Dhomës Franceze të Tregtisë. “Tani pikërisht jo shumë larg zgjedhjeve papritur ekonomia është në gjendje më të mirë, sipas numrit të të papunëve. Ndërkohë që firmat vazhdojnë të falimentojnë radhazi dhe i nxjerrin në rrugë njerëzit. Ekonomia është mizerabël”.
Të dhënat e mbështesin këtë pohim: Nga viti 2010, Franca mban si barrë një deficit buxhetor të lartë te 4-5%. Paralajmërimet nga Brukseli për shkeljen e kufirit buxhetor thjesht futen në dosjet zyrtare. Këtë vit deficiti do të ulet në 3,5% bëri të ditur me krenari ministri i Financave. Ndërsa rritja ekonomike është shumë e vakët, 1,2%. Thembra e Akilit për presidentin francez, Francois Hollande është papunësia, sidomos ajo e të rinjve. Kuota e papunësisë kap shifrën 10% – hovi ekonomik ka tjetër profil…

Të pashpresët
Motoçikleta nuk i ka sjellë shumë fat presidentit francez Hollande, dhe fajin nuk e pati afera e dashurisë me aktoren Julie Gayet. Presidenti bëhet qesharak, kur lëviz natën me motoçikletë me kostum dhe kokore, u tha atëherë. Por kjo anekdotë ka qenë më e pakta gjatë mandatit të tij, francezët më shumë janë të zemëruar me mungesën e vazhdueshme të suksesit të presidentit të tyre. Kur Francois Hollande u zgjodh president në vitin 2012, francezët festuan nëpër rrugë. Sot, ai është presidenti më i pasuksesshëm i të gjitha kohërave: 87% e francezëve janë të pakënaqur me të.
Kjo ka të bëjë edhe me pritshmëritë ndaj presidentit socialist: Biznesi dhe miqtë e partisë që duan politikën e qendrës janë pro reformave të thella. E majta nga ana tjetër bllokon çdo lloj përpjekjeje që synon reformimin e shtetit social. Presidenti nuk mund t’ua plotësojë dëshirat të gjithëve. I ndodhur mes këtyre forcave kundërthënëse, presidenti la përshtypjen e një të pavendosuri dhe të pa orientuari. Vetëm vitin e shkuar, Hollande guxoi të niste reformat në xhunglën franceze të burokracisë. Shumë vonë, thonë kritikët. Sipas traditës franceze çdo lloj tentative për reforma ndeshet fillimisht me protesta. Vetë presidentit i mungonte guximi dhe vendosmëria brenda partisë së tij për të dhënë goditjen çliruese.
Francois Hollande ende nuk e ka vendosur nëse do të shpallë kandidaturën për vitin e ardhshëm. Sondazhet tregojnë se ai mbështetet vetëm nga 14% e francezëve, pas Marine Le Pen.

Shpresëdhënësi
Në krahun e majtë të socialistëve ai konsiderohet tradhtar, në krahun e djathtë të tyre si njeriu i shpresës. Pas një iniciative politike “Përpara” ai shihet edhe si kandidat i mundshëm për president. Emmanuel Macron është 38 vjeç, para ngjitjes në postin e ministrit të Ekonomisë, ishte bankier. Mes funksionarëve socialistë, ai konsiderohet herë si një figurë ekzotike, herë si një objekt urrejtjeje. Por francezëve iu pëlqen pavarësia e tij, lirshmëria dhe vullneti i tij. Sipas sondazheve, Macron mund të nxjerrë nga ringu politik në zgjedhjet presidenciale, kandidatin konservator, Nicolas Sarkozy.
Ministri e ka krijuar profilin me masa jo popullore: Ai angazhohet për orar pune të dielave, për heqjen e orarit 35 orë në javë, dhe reduktimin e ndihmës sociale. Po ashtu ai kritikon mungesën e shanseve të të rinjve emigrantë në periferitë franceze.

Kandidatët
Spektri politik në Francë është i gjerë dhe përmban fytyra të njohura. Deri më tani e kanë bërë të ditur kandidaturën dhjetë vetë. Tek konservatorët Nicolas Sarkozy u shpreh shumë herët se, kërkonte të futej sërish në pallatin presidencial. Por skandalet e së shkuarës e ndjekin Sarkozyn këmba-këmbës, duke e bërë një figurë aspak të dashur për francezët. Shumica e francezëve preferon rivalin e tij, Alain Juppé, aktualisht kryebashkiak në Bordo. Në nëntor konservatorët do të vendosin për kandidatin e tyre.
Por rivalja kryesore mbetet Marine Le Pen, kandidate e Frontit Nacional. Sondazhet e nxjerrin atë me një fitore 30% që në raundin e parë–madje ajo mund të jetë kryesuese me votën proporcionale që në fillim, sepse të majtët, konservatorët e liberalët janë shumë të përçarë që ta ndihmonin Alain Juppén ta nxirrte jashtë loje Le Pen, që në raundin e parë. Në balotazh shanset më të mira i ka Juppé. Ndërsa socialistët, po qe se nuk ndodh ndonjë mrekulli, duhet të përgatiten për një periudhë të gjatë thatësire. Por në fund duhet thënë se një vit konsiderohet një kohë e gjatë në politikë.

Trump: Nuk mund të lejojmë Kinën të përdhunojë SHBA

Kandidati republikan për president, Donald Trump tha gjatë një takimi elektoral se Shtetet e Bashkuara nuk mund “të vazhdojnë të lejojnë Kinën të përdhunojë vendin tonë” dhe u angazhua se do ta ripërtërijë marrëdhënien e Amerikës me botën.
Zoti Trump e ka paraqitur vazhdimisht defiçitin tregtar mes dy vendeve si një dinamikë ku Kina përfiton nga Shtetet e Bashkuara, duke thënë se aftësitë e tij si negociator do ta eliminojnë mungesën e balancës.
“Do ta përmbysim situatën”, tha zoti Trump të dielën në një tubim në shtetin e Indianës. “Ne kemi mjaft pushtet ndaj Kinës”.
Votimet e nesërme në Indiana shihen si kyçe në garën për t’u bërë kandidati republikan për zgjedhjet e nëntorit. Sipas shumë anketave, zoti Trump ka epërsi ndaj senatorit nga Teksasi, Ted Cruz. Sipas një prej sondazheve që doli dje, zoti Trump kryesonte me një avantazh prej 15 pikësh.
Një fitore e zotit Trump në Indiana do ta afronte atë edhe më shumë drejt numrit prej 1,237 delegatësh të nevojshëm për kandidaturën, ndërsa zoti Cruz dhe guvernatori i Ohajos, John Kasich shpresojnë që të mos ta lejojnë të arrijë atë shifër, gjë që do të sillte si rezultat një garë të hapur në kuvendin e partisë në korrik.
Nga pala demokratike, anketat e fundit tregojnë se ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton ka një epërsi të lehtë ndaj senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders. Në përgjithësi, ajo ka një epërsi të konsiderueshme përsa i takon numrit të delegatëve, përfshirë 500 super delegatët që kanë premtuar ta mbështesin atë. Zoti Sanders e pranoi dje se rruga e tij drejt kandidaturës është e vështirë, por tha se do të punojë për t’ua ndryshuar mendimin super-delegatëve në favor të tij.

Europa dhe lavdia e dikushme

Javier Solana

Bashkimi Europian po zhytet në një nostalgji të rrezikshme. Jo vetëm që është duke kërkuar “kohët e lavdishme të së shkuarës” – përpara se BE të “shkelte” sovranitetin e shteteve, duke nxitur kështu ngjitjen e partive politike nacionaliste; udhëheqësit europianë vazhdojnë të përpiqen që të zbatojnë zgjidhjet e të djeshmes, për problemet e të sotmes.
Supozohej që të gjithë duhej të kishin përfituar prej integrimit europian. Kurdoherë që futej një vend i ri në BE, ai merrte ndihmë financiare, ndërkohë që shtetet ekzistuese fitonin qasjen në një treg të ri. Pritej që avantazhet të vinin jo vetëm prej tërësisë së të dhënave, por edhe prej përvojave individuale të vetë qytetarëve.
Por realiteti ka qenë më pak i qartë. Pas krizës financiare globale të vitit 2008, ekonomitë më të dobëta të BE-së u përballën me papunësi të lartë, sidomos mes të rinjve, ndërkohë që ekonomitë më të forta ndjenë trysninë për të “shfaqur solidaritet”, duke shpëtuar vendet në telashe. Kur ekonomitë më të forta i ofruan ato paketa shpëtimi, ato përfshinë brenda tyre edhe kërkesa për masa kursimi, të cilat pengonin rimëkëmbjen ekonomike të marrësve të ndihmës. Pak mbetën të kënaqur, dhe shumë fajësuan integrimin europian.
Në këtë kontekst, partitë dhe lëvizjet politike që kritikojnë apo kundërshtojnë BE-në, kanë fituar forcë tërheqëse të konsiderueshme, sidomos në Europën Perëndimore. Ndërkohë, që këto lëvizje nuk janë aspak të reja, mbështetja për to është rritur në mënyrë alarmuese gjatë trazirës që shkaktoi kriza. Në të vërtetë, pas çdo politike të dështuar për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike, europianët janë ndjerë gjithnjë e më të pakënaqur, duke i fryrë kështu ndjenjave populiste dhe kërkesave për një rikthim tek sovraniteti kombëtar.
Udhëheqësit politikë që kanalizojnë këto kërkesa nuk duan vetëm rivendosjen e kontrollit kombëtar në të gjithë fushat; ata po përhapin gjithashtu një mesazh indiference – madje edhe kundërshtim të drejtpërdrejtë – ndaj të huajve, gjë që u reflektua në reagimin e tyre ndaj fluksit të refugjatëve në Europë. Sipas tyre, secili shtet duhet të mbrojë veten me çdo mjet, edhe nëse ndërkohë vihet në provë sundimi i ligjit.
Por ndërkohë që dhimbja ekonomike që ndjejnë shumë europianë është sigurisht reale, diagnoza nacionaliste e tyre është e rreme. E vërteta është se BE mund të kritikohet për mënyrën se si përballoi krizën; por nuk mund të fajësohet për çekuilibrat ekonomikë globalë, që kanë shkaktuar vështirësitë ekonomike, qysh prej vitit 2008. Këta çekuilibra reflektojnë një fenomen shumë më të gjerë: globalizimin.
Kjo nuk do të thotë se, globalizimi është një e keqe. Hapja e shoqërive dhe ekonomive ndaj botës, natyrisht që mbart shumë pasiguri; por ofron edhe një bollëk mundësish. Jo shumë kohë më parë, Europa ishte udhëheqëse botërore sa i përket hapjes. Në fakt, projekti europian është, në thelbin e tij, një pasqyrë e hapjes, e cila është pasojë e pazgjidhshme e jetës në botën e sotme të globalizuar.
Në vitin 200, kur BE pranoi formalisht tetë shtete ish-komuniste si vende anëtare, hapja e Europës arriti kulmin e vet. Dukej se në Europë po agonte një epokë e re, në të cilën sundimi i ligjit, demokracia, dhe të drejtat e individit ishin të pakundërshtueshme. Megjithatë, pikërisht kur vendet e Europës Perëndimore kanë filluar t’i rezistojnë hapjes, të nëjtën gjë kanë bërë dhe shtetet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore.
Në fakt, në disa vende – sidomos në Poloni dhe në Hungari – janë shfaqur fort nacionalizmi dhe ndjenjat anti BE. Fatkeqësisht, kjo ka shpënë në një gërryerje të sundimit të ligjit.
Polonia është marrësja më e madhe e fondeve europiane dhe i vetmi vend i Bashkimit Europian që e shmangu recesionin gjatë krizës; në fakt, ajo ka përjetuar 23 vite rritje ekonomike të pandërprerë. Veç kësaj, publiku polak ka qenë mbështetës i BE-së, që kur u bë vend anëtar. Edhe Eurobarometri më i fundit tregon se 55% e polakëve e sheh pozitivisht BE-në.
Megjithatë, qeveria e Polonisë, e udhëhequr nga partia e djathtë Ligj dhe Drejtësi, po synon ta ndryshojë këtë, duke i paraqitur politikat europiane si një rrezik ndaj identitetit kombëtar polak. Në vend të diskutojë se si të përshtasë politika të caktuara me interesat kombëtare të Polonisë, apo të rrisë zërin e vendit në nivel europian, Partia Ligj dhe Drejtësi i quan të gjitha masat dhe vendimet europiane si sfidë ndaj asaj që e bën Poloninë Poloni.
Këto pretendime, deri në një farë mase, u bëjnë jehonë atyre të qeverisë hungareze, udhëhequr prej partisë së djathtë Fidesz. Reformat kushtetuese të zbatuara në vitin 2013, mes të tjerave, zgjeruan autoritetin e ekzekutivit dhe krijuan një këshill të ri shtetëror, të mbushur me anëtarë të Fidesz, për të rregulluar mediat.
Disa thonë se nëse Hungaria do të kërkonte hyrjen në BE sot, me siguri që do i refuzohej. Sa për Poloninë, Komisioni Europian ka nisur një investigim të paprecedentë, në përgjigje të ligjeve më të fundit që, nën pretendimin e “mbrojtjes së sovranitetit kombëtar”, përqendrojnë më shumë pushtet në duart e qeverisë.
Kjo është një kthesë zhgënjyese. Në rolet e mi të mëparshëm profesionalë, kam qenë dëshmitar si pak të tjerë, i hyrjes së Polonisë dhe Hungarisë në institucionet Euratlantike. Kam parë vetë dëshirën dhe shpresat e popujve të tyre në atë kohë të rëndësishme. Prandaj e kam kaq të vështirë ta kuptoj pozicionin e tyre sot.
Sigurisht, nuk është e paarsyeshme që Polonia dhe Hungaria, sovraniteti i të cilave u uzurpua dikur prej Bashkimit Sovjetik, janë veçanërisht të ndjeshme ndaj përpjekjeve nga jashtë për të ndikuar në vendimmarrjen e tyre, si dhe kanë një ndjesi më të fortë të identitetit kombëtar, se sa vendet e tjerë të BE-së. Por refuzimi i BE nuk do i izolojë prej pasigurisë, që shkakton globalizimi. Përkundrazi, do i lërë shumë më të prekshëm nga risqet e shumtë të fenomenit.
Disa i kanë përdorur përvojat e pakënaqshme me globalizimin, si një justifikim për një rikthim tek proteksionizmi dhe gjoja ditët e bukura të kufijve të fortë kombëtarë. Të tjerë, duke kujtuar me trishtim një shtet-komb që nuk ka ekzistuar kurrë, kapen pas sovranitetit kombëtar, si një arsye për të refuzuar integrimin e mëtejshëm të BE-së. Të dy grupet vënë në pikëpyetje themelet e projektit europian. Por kujtesa u gabon, dhe nostalgjia i shpie në drejtimin jo të duhur.

Lazio shuan ëndrrën e Interit për Champions

Ndeshja e mbrëmjes së të dielës në Serinë A ishte ajo mes Lazios dhe Interit, ku vendasit e drejtuar nga Simone Inzaghi triumfuan me rezultatin 2-0. Takimi nisi në mënyrë të shkëlqyer për vendasit, të cilët gjetën rrugën e rrjetës që në minutën e 8 me veteranin gjerman, Miroslav Klose. Lulic dha një asist perfekt për Klosen, i cili i gjendur përballë portierit Handanoviç, nuk e pati të vështirë ta dërgoi topin në rrjetë.
Më pas u zhvillua një ndeshje e barabartë. Por, në minutat e fundit, Interi e kërkoi më shumë golin. Megjithatë, në një dalje në sulm Lazio fitoi një 11-metërsh, 7 minuta para fundit të takimit. Murillo u ndëshkua me karton të kuq, pasi mori të verdhën e dytë. Candreva mori përsipër ekzekutimin e penalltisë, duke u treguar mjaft i saktë. Rezultati shkoi në 2-0 dhe tashmë nuk kishte më kohë për reagim. Tre pikët shkojnë për Lazion, ndërsa Interi tashmë edhe matematikisht është jashtë zonës Champions, kur kanë mbetur vetëm dy ndeshje.
Interi tashmë është edhe zyrtarisht jashtë Championsit. Zikaltërit e Mançinit u mposhtën 2-0 nga Lazio në “Olimpico” dhe për të siguruar matematikisht vendin e 4-t duhet të fitojnë ndaj Empolit javën e ardhshme. Ishte Miroslav Klose ai që hapi serinë e golave teksa në minutën e 8-të përfitoi nga përgjumja e mbrojtjes së Interit, duke mposhtur Handanoviç-in me një parabol të ulët.
Zikaltërit u përpoqën të barazonin shifrat, por rastet më të mira në pjesën e parë i pati sërish Lazio. Bardhekaltërit e Simone Inzaghit e vulosën fitoren vetëm në minutën e 84-t, me një penallti të realizuar nga Candreva pas një faulli të Murillos ndaj Keitas, me mbrojtësin e Interit që mori kartonin e dytë të verdhë nga gjyqtari Luca Banti.
Pas ndeshjes, trajneri i Interit, Roberto Mançinit, ka kritikuar lojtarët e tij për paraqitjen ndaj skuadrës romake, duke thënë se ekipi i tij e meritoi humbjen. “Ne luajtëm shumë keq në pjesën e parë dhe merituam humbjen”, ka thënë Mançini. “Në pjesën e dytë ne kishim më shumë raste, por nuk mund të kontrollonim ndeshjen, në fund rezultati është në favor të atyre që merituan tri pikë”, shtoi Mançini.

Boban me kritika

Momenti i keq i Milanit që pas barazimit ndaj Frosinones mund të mbetet jashtë Europës, ka prekur drejtpërdrejtë edhe disa nga legjendat e klubit kuqezi. Ish-mesfushori i Milanit, kroati Zvonimir Boban ka folur në lidhje me situatën që po kalojnë kuqezinjtë. Ai e ka analizuar takimin me Frosinonen dhe është shprehur se përgjatë 90 minutave nuk pa asgjë pozitive nga ana e Milanit. Boban gjatë analizës së tij foli dhe për ndryshimet e shpeshta të trajnerëve, ku sipas tij në vend që të ndihmojnë skuadrën e kanë përkeqësuar akoma dhe më shumë situatën. Kroati dha një mendim dhe për ish-teknikun Sinisa Mihajloviç dhe trajnerin aktual Christian Brochi. “Mihajloviç kishte ndërtuar një skuadër, e cila vepronte si një trup i vetëm, pavarësisht rezultateve ja kishte dalur të krijonte një grup, i cili nën drejtimin e tij po ecte mirë. Brochi nuk duhet ta kishte pranuar ofertën për të marre në drejtim stolin e Milanit. Duhet ta kuptonte se ishte shumë i vogël, për një klub që mbart një histori plot me suksese”, u shpreh Boban.
Sipas Boban më shumë se sa faji i trajnerve për momentin negativ që po kalon Milani, përgjegjësia më e madhe është e presidentit Berlusconi, i cili duhet ta kishte projektuar me kohë të ardhmen e klubit. I pyetur për trajnerin e ardhshëm të Milanit, ish-futbollisti dhe vetëm një emër dhe ai është Paolo Maldini, për shkak të asaj që ai ka arritur me fanellën e kuqezinjve dhe të integritetit të tij moral. Pavarësisht situatës jo shumë pozitive, lajme të mira vinë nga merkato për Milanin. Sipas mediave italiane sulmuesi  i Celta Vigos, Nolito, është vënë në qendër të vëmendjes nga ana e drejtuesve. Mendohet se spanjolli  ka arritur dhe një akord me kuqezinjtë, për t’u transferuar në Milanelo verën e ardhshme. Shuma e kartonit të 29-vjeçarit kap shifrën e 18 milionë eurove.
Ndeshja u mbyll në barazim 3-3, por asnjëra nga dy ekipet nuk doli e kënaqur me këtë rezultat. Më keq për Frosinones, pasi ishte duke udhëhequr 3-1 dhe një tre pikësh do t’i mbante gjallë shpresat për qëndrimin mes më të mirëve edhe sezonin e ardhshëm në Itali. Miqtë e mbyllën pjesën e parë me avantazhin e dy golave, por me të filluar pjesa e dytë, Milani merr një penallti, por gjuajtja e Balotellit u prit fillimisht nga portieri e më pas Ajeti e largoi topin në goditje nga këndi. Megjithatë, vetëm pas një minute kuqezinjtë gjetën golin e parë me kolumbianin Bacca. Frosinone arriti të shënojë edhe golin e tretë në minutën e 54 me Dionisin. Milani e rriti presionin pas këtij goli, duke kërkuar të ngushtojë diferencën dhe në minutën e 74 Antonelli e çoi rezultatin në 2-3.
Atëherë kur u mendua se, Milani regjistroi një tjetër humbje, arbitri kryesor akordon një 11-metërsh, të cilin e kthen në gol Menez. Madje, në fundin e takimit Balotelli pati një mundësi të artë për të përmbysur rezultatin, por topi i goditur nga ai përfundoi në traversë. Pas kësaj ndeshjeje, Frosinone është thuajse në Serinë B, pasi ndodhet 4 pikë pas Palemos, kur kanë mbetur edhe dy takime nga fundi i kampionatit.
Ndërsa Milani përfundon në vendin e 7, duke u parakaluar nga Sassuolo, e cila fitoi 1-0 ndaj Veronas. Aktualisht kuqezinjtë ndodhen jashtë zonës së Europa League sezonin e ardhshëm, megjithatë janë edhe dy ndeshje për t’u luajtur. Këtë të dielë u luajtën edhe 3 takime të tjera të javës së 36 në Serinë A, ku në mesditë Juventusi, tashmë i shpallur kampion, fitoi 2-0 ndaj Carpit. Palermo mposhti 2-0 Sampdorian, ndërsa Empoli-Bologna u mbyll në barazim pa gola.

Xhaka harron dëmtimin, feston titullin me Basel

Dëmtimi muskulor që e la vetëm 20 minuta në përballjen me Sionin nuk i’a prishi mbrëmjen Taulant Xhakës. Edhe pse të gjithë në radhët e Shqipërisë u shqetësuan për gjendjen e titullarit të mesfushës në prag të Euro 2016, vetë lojtari ka festuar me shokët e ekipit, titullin kampion në Zvicër. Me fitoren 2-1, Baseli siguroi matematikisht titullin e 7-të radhazi kampion, ndërsa Taulant Xhaka dhe Naser Aliji festuan me shampanjë dhe birra. Taulanti ishte mes lojtarëve që mësynë edhe në konferencën për shtyp të trajnerit Urs Fischer. Xhaka së bashku me Embolo dhe Lang i dhuruan trajnerit dushin e triumfit me pije freskuese dhe birra.
Më pas, Xhaka, Aliji dhe yjet e tjerë të Baselit i’u bashkuan festës së tifozëve në shesh. Skuadra u shfaq përpara fansave pak pas mesnate. Rreth 2 mijë mbështetës përshëndetën heronjtë e tyre me këngë dhe fishekzjarrë për titullin e 19-të kampion në histori të Baselit. Kremtimi për shpalljen zyrtarisht kampion të Zvicrës do të zhvillohet më 25 maj, pas ndeshjes së fundit të sezonit në Superligë.