28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Frika e “Blick” për Shaqir-Xhakën

Në Hungari dhe në Meksikë, do të vendoset edhe për të ardhmen e kombëtares së Zvicrës. Kështu nis një analizë e thellë e prestigjiozes zvicerane “Blick” mbi mundësinë që dy lojtarët kryesorë të përfaqësueses helvete, Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, por jo vetëm, të luajnë pas Euro 2016 për Kosovën.
Të mërtën më 3 maj, në kongresin e UEFA-s që do të mbahet në kryeqytetin e Hungarisë Budapest, pritet që Kosova të pranohet me të drejta të plota në familjen e madhe të futbollit europian, e për rrjedhojë edhe në kongresin e FIFA-s, i programuar për t’u zhvilluar më 13 maj në qytetin e Meksikos, me siguri do të merret i njëjti vendim, pra aderimi i Kosovës edhe në FIFA.
Me shtetin më të ri europian të pranuar në institucionet më të rëndësishme të futbollit, me shumë mundësi në muajin shtator Kosova do të përfshihet në eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Flitet për caktimin e skuadrës që drejtohet nga Albert Bunjaki në Grupin I së bashku me Kroacinë, Islandën, Ukrainën, Turqinë dhe Finlandën.
“Blick”, duke i besuar këtij skenari, ngre pikëpyetjen: A do ta braktisin lojtarë të tillë si Shaqiri dhe Xhaka Zvicrën për t’iu bashkuar Kosovës që në eliminatoret e Botërorit?
UEFA dhe FIFA, të kontaktuara nga kjo e përditshme, e shmangin një përgjigje të drejtpërdrejtë, edhe pse e pranojnë se gjithçka varet nga vullneti i vetë lojtarëve me origjinë nga Kosova për të vijuar ose jo me Zvicrën.
Por çfarë do të ndodhë në të vërtetë? Shani Tarashaj, sulmuesi i talentuar i Zyrihut e ka pranuar se grumbullimi i tij me Kosovën nuk është si në rastin e një ftese të mundshme nga Shqipëria për faktin se origjina e tij është nga Kosova. Tre vite më parë Xherdan Shaqiri ka theksuar se do ta vlerësojë këtë mundësi vetëm nëse Kosova pranohet në institucionet ndërkombëtare, ndërsa Granit Xhaka është shprehur se do ta mendojë kur t’i vijë koha.
Vetëm Valon Behrami është i vendosur në pozicionimin e tij: Kam vendosur që do do të luaj gjithmonë për kombëtaren e Zvicrës. Por sipas “Blick”, në Kosovë janë të bindur se Shaqiri, Xhaka dhe lojtarët e tjerë do t’i bashkohen përfaqësueses së origjinës së tyre, ashtu sikurse ndodhi në vitet ’90 me futbollistët kroatë, boshnjakë dhe sllovenë.

Të gjithë duan të shesin, askush nuk blen

Nga Deada HYKA

Në fillim blenë një shtëpi në bregdet, në Durrës Vlorë apo Sarandë. Më pas u zhvillua tregu i vilave në periferi të Tiranës. Shumëkush nxitoi të blejë atje, (duke mbajtur për komoditet dhe apartamentin e parë në Tiranë) disa prej të cilëve nxorën në shitje dhe shtëpitë në bregdet, që nuk po i shfrytëzonin sa duhet. Tani kanë dalë në modë vilat në Gjirin e Lalzit, apo shtëpitë luksoze në jug të vendit. Shumë ofertë, ndërkohë që blerësit e një shtëpie jo primare mbeten të kufizuar, (kategoria e njerëzve me të ardhura mbi mesataren) ndërsa interesi i të huajve nuk është ai i pritshmi edhe për shkak të krizës ekonomike globale.
Tregu i shtëpive të dyta të banimit është kthyer në një dhembje koke për ndërtuesit, një peng për “investitorët” në zonat pa kushte infrastrukturore dhe një kalvar për agjencitë imobiliare për të shitur sa më shumë.
Një situatë që vjen nga mungesa e analizës së tregut, pohojnë ekspertët, çoi drejt një bumi ndërtimesh të pashitura ende, e cila bashkohet me mungesën e dokumentacionit të rregullt.
Nga viti i fundit kur është bërë Censusi, rezulton që 22% e apartamenteve janë të pabanuara, një rritje e konsiderueshme, duke marrë në konsideratë se në Censusin e vitit 2001 ky raport ishte 11.3% e tregut.
Nga të dhënat e fundit të Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë, rezulton se stoku i banesave të pashitura në shkallë vendi është mbi 9 mijë.
Sipas Arben Dervishit, sekretari i SHNSH, banesat e pashitura ndodhen kryesisht në bregdetin e Durrësit, të Vlorës dhe Sarandës. Ndërsa, për kryeqytetin, në zona periferike si Kashar, Linzë etj., i pyetur për arsyet se pse kanë mbetur të pashitura, ai përgjigjet se bëhet fjalë për apartamente pa dokumentacionin e rregullt dhe në zona pa infrastrukturën e duhur.
N.q.s. u referohemi banesave brenda Unazës në Tiranë, sasia e apartamenteve të pashitura është thuajse e papërfillshme. “Objektet brenda unazës shiten të gjitha dhe çmimet për to janë rritur. Duke qenë se kërkesa është e lartë dhe sasia e ulët, janë rritur çmimet. Kjo pasi shumë pak leje janë dhënë në këto zona”, tha z. Dervishi.
Ajo që po shihet si një filiz e re në sfondin e tregut të shtëpive të banimit është rritja e kërkesave të shqiptarëve: duan shërbime, infrastrukturë, kushte të mira. Dhe për këtë, jo pak syresh po bëjnë “kurban” investime të mëparshme në zona jo të mira dhe po drejtohen drejt shtëpive me të gjitha kushtet, sidomos në bregdet.

Golem e plazh, të gjithë duan të shesin

Sa i përket zonës së Durrësit, sekretari i SHNSH tregon se stoku i madh i pashitur ka ardhur nga mungesa e infrastrukturës dhe i ndërtimeve krejtësisht pa kriter.
“Sot nuk po shesin vetëm investitorët në këtë zonë, por edhe blerësit e parë, të cilët kanë nxjerrë në shitje apartamentet e tyre. Bëhet fjalë më tepër në zonën e Plazhit dhe atë të Golemit. Shumica prej shitësve janë emigrantë që kishin investuar kohë më parë për blerjen e një shtëpie të dytë dhe që tashmë e shohin si jo efektive këtë banesë.
Shqiptarët kanë nisur të kenë kërkesa më të larta, sidomos n.q.s. bëhet fjalë për shtëpi në bregdet. Ata priren të investojnë te rezidencat me kushte të mira”, pohon z. Dervishi.
Ndonëse fuqia blerëse e shqiptarëve ka rënë, arsyeja kryesore se pse shqiptarët sërish blejnë apartamente dhe dëshirojnë të kenë shtëpi të dyta është mungesa e alternativave të investimeve.
“Kryesisht shqiptarët që blejnë shtëpi të dyta janë ata refugjatë, por edhe banues në Shqipëri. Ndonëse ka rënë fuqia blerëse dhe ekonomia e shqiptarëve, duhet pasur parasysh se ato pak kursime që kanë, shqiptarët ose i depozitojnë në banka që të marrin interesa nga to, ose investojnë në pasuri të patundshme. Nuk kanë alternativa të tjera apo fond të mirëfilltë investimi sikurse ka në botë”, sqaron z. Dervishi.

Panorama aktuale

Në vitin 2015, sipas agjencive imobiliare, çmimet e pasurive të patundshme arritën të stabilizohen, kërkesat për shtëpi në bregdet lëvizën drejt fshatrave turistikë, ndonëse një pjesë e madhe e apartamenteve ofruan edhe çmime të mira. Por, problematikat e tregut qëndronin te ndalimi i lejeve të ndërtimit, infrastruktura e dobët dhe mungesa e dokumentacionit hipotekor.
Këtë vit, të njëjtët aktorë tregu raportojnë rritje në kërkesat për blerje shtëpie në bregdet, sidomos në zonën e Durrësit, që çmimet e ulëta joshin më tepër.
“Në krahasim me vitin 2015, tregu i pasurive të paluajtshme do të marrë një rritje për shkak të lejimit të ndërtimeve, të cilat kanë qenë të bllokuara për një afat të tejzgjatur”,- pohojnë nga agjencia Century 21, duke shtuar se një dukuri që vihet re këtë vit më tepër është rritja e numrit të agjencive imobiliare që operojnë në Shqipëri, kryesisht në vijën bregdetare, që e bëjnë tregun e pasurive të paluajtshme me produktiv.
Nga e njëjta agjenci raportojnë për një rënie të çmimeve të apartamenteve në zonën e Durrësit, por diferencat në çmim vihen re sipas ndarjes: vija e parë – vija e dytë pranë bregdetit. Ndërsa zyrat e Century 21 në Sarandë tregojnë se rritja e taksës së shitjes në vlerën 15% rrjedhimisht pati ndikim në rritjen e çmimit të pasurive të paluajtshme, megjithatë, sipas tyre Saranda dhe Riviera në përgjithësi vijon të jetë atraktive, madje më shumë për të huajt, kryesisht europianoveriorët.
“Interesi më i madh për blerje pronash vjen kryesisht nga vendet nordike duke mos përjashtuar këtu dhe interesin që kanë treguar shtetasit rusë dhe ukrainas për bregdetin e Sarandës dhe jo vetëm. Me çeljen e sezonit turistik pritet që të ketë rritje të kërkesave gjithashtu nga shtetasit e Kosovës, të cilët preferojnë kryesisht Sarandën, Vlorën dhe Durrësin, për të kryer investime të ndryshme në fushën e real estate dhe të turizmit”, tregojnë agjentët e Century 21.
Më tepër rritje për kërkesa në apartamente ka në zonat bregdetare të Vlorës dhe Sarandë, tregon ing.Xheni Jahja nga agjencia Tirana Real Estate.
“Janë në rritje kërkesat për apartamente në zonat bregdetare të Vlorës dhe Sarandës, ku interesimi ka ardhur më tepër nga blerës të huaj për shkak të çmimeve të favorshme që paraqesin këto prona dhe kushteve gjeografike e klimatike të favorshme që ofrojnë këto qytete bregdetare”, tregon ing. Jahja.
Ajo shton se, duke qenë se stoku i apartamenteve është i konsiderueshëm, çmimet për metër katror edhe për këtë vit nuk kanë shënuar rritje. “Kjo situatë çmimesh parashikohet të jetë dhe në muajt në vazhdim. Mungesa e dokumentacionit hipotekor dhe infrastruktura e dobët përbën pengesë në shitjen e pronave”, përfundon drejtuesja e Tirana Real Estate.
Ilir Konomi, nga Albanian Property Group, tregon për preferencat. Sipas tij, për apartamente vijon të pëlqehen zonat brenda qyteteve, pasi rrethinat nuk kanë shumë oferta me kushte të mira. “Plazhi i Durrësit ka kërkesë në të cilin ka njëfarë rënie çmimesh. Ka rënie krahasuar me 2-3 vitet më parë. Kërkesa më parë mbushej me emigracionin shqiptar, edhe nga Kosova, Maqedonia, tani janë më së shumti njerëz që vijnë nga vendet e veriut”, tregon z. Konomi.
Ai thekson se Vlora vijon të jetë më pak e pëlqyeshme, sepse është larg Tiranës dhe larg Korfuzit. “Riviera ka probleme, aq pak ndërtime sa janë bërë në Dhërmi, Himarë, kërkesën e huaj e kanë problematike për kushtet që ofrojnë. Nuk ofrojnë shërbime. Jashtë sezonit janë “të vdekura” ndaj njerëzit nuk duan të investojnë te pasuritë e patundshme aty”, tregon z. Konomi.

Atraktiviteti i fshatrave turistikë

Ndërsa vitin e shkuar mori “hov” blerja e një banese pranë një fshati turistik, këtë vit, drejtori i shitjeve pranë Mane TCI tregon se, infrastruktura dhe dokumentacioni janë arsyet kryesore që këto rezidenca i bëjnë tejet atraktive. Ajo ndiqet më pas nga ofrimi i shërbimeve, blerja e tyre si investim, mirëmbajtja dhe çmimet e konkurruese nga stoku i ofruar.
“Projektet Vala Mar te Gjiri i Lalëzit dhe Green Coast në Palasë, Dhërmi po zhvillohen sipas një masterplani të zhvillimit turistik të miratuar nga qeveria shqiptare. Ato po zhvillohen në zona të paprekura nga turizmi masiv me koeficiente të ulëta ndërtimi që nuk kalojnë 14.8%. Këto projekte do të ndihmojnë në zhvillimin e turizmit dhe do të kthehen në destinacione. Projektet kanë filluar ndërtimin në 2015 dhe parashikohen të përfundojnë brenda qershor 2018”,  tregon Emon Sila.
Sa i përket çështjes se cilët janë më të interesuar për blerjet në fshatra turistikë, z. Sila tregon se kur projektet nisën, u mendua që duhej të “shënjestroheshin” personat dhe familjet me të ardhura të larta dhe shumë të larta, por sipas tij, u pa që shumë shpejt edhe familjet me të ardhura të mesme janë kthyer në blerës.
Ndërsa për çmimet, agjencitë imobiliare tregojnë se kanë arritur një pikë stabiliteti, kreu i shitjeve të Mane TCI pohon për ‘Monitor’ se çmimet pritet të rriten nga 10 deri në 20%. “Rritja do të vijë për disa arsye si p.sh.: kërkesa e shtuar, ecuria e ndërtimit, ndryshimi i paketave fiskale, zhvillimit të zonës, si dhe ofrimi i shërbimeve. Për të gjitha arsyet e sipërpërmendura dua të theksoj që tani është koha më e mirë për të blerë”, përfundon ai.
Nga ana tjetër, duke iu referuar rritjes së kërkesave për rezidenca, sekretari i SHNSH, Arben Dervishi, tregon se shqiptarët po kërkojnë komoditet dhe duan zona të mira nga ana infrastrukturore dhe e aksesit. Ai përmendi zonën e Golemit, sipas tij, “katastrofë”, shembulli i mungesës së infrastrukturës, kushteve, stokut të lartë të apartamenteve të pashitura, si dhe e ofertave për rishitje.
Arben Dervishi këshillon se një politikë e mirë me taksat do të ulë çmimet, si dhe hapja e lejeve të ndërtimit do të japë një frymë çliruese sektorit. Por, thekson ai, jo në zonat ku është ndërtuar gabim. Një këshillë nga eksperti është që qeveria t’i përdorë këto zona ku kanë stok të konsiderueshëm për të pastrehët, kështu realizohen dy qëllime në një.

Këshilla e Shoqatës së Ndërtuesve

Një politikë e mirë me taksat do të ulë çmimet, si dhe hapja e lejeve të ndërtimit do të japë një frymë çliruese sektorit. Por, thekson Arben Dervishi, jo në zonat ku është ndërtuar gabim. Një këshillë nga eksperti është që qeveria t’i përdorë këto zona ku kanë stok të konsiderueshëm për të pastrehët, kështu realizohen dy qëllime në një.

Çmimet e apartamenteve në bregdet, sipas zonave:

Shëngjini: 350 – 500 euro/m²
Durrësi (zona e plazhit, Golemi): 350 – 500 euro/m²
Gjiri i Lalëzit (fshatra turistikë): 900 – 1200 euro/m²
Qerreti (fshatra turistikë): 800 – 1100 euro/m²
Vlora: Mbi 800 euro/m²
Saranda: 780 – 1100 euro m2
Uji i Ftohtë: 450 – 700 euro/m²
Orikum – Radhimë: 650 – 1000 euro/m²
Dhërmiu: 800 – 1100 euro/m²
Himara: 700 – 900 euro/m²

Konfindustria i kërkon qeverisë uljen e taksave

Ndërsa ministri i Financave, Arben Ahmetaj ka ftuar biznesin që të paraqesë propozimet për lehtësimin e procedurave tatimore dhe doganore vitin e ardhshëm, industrialistët do t’i kërkojnë qeverisë uljen e taksave.
Konfindustria bën të ditur nëpërmjet një njoftimi për shtyp se me rastin e fillimit te pergatitjeve per Paketen Fiskale 2017, do ti kërkojë zyrtarisht ekzekutivit rishikimin e plotë me synim uljen e taksave dhe tatimeve në nivele të paktën të barabartë me vendet e Rajonit.
Industrialistët argumentojnë se premtimi i Ministrit te Financave për mosrritjen e nivelit të tanishëm  të barrës në paketën fiskale 2017 nuk është i mjaftueshëm për garantimin e zhvillimit ekonomik aftagjatë të vendit.
Konfindustria vlerëson, se rritja e dobët ekonomike prej 2.6% në vitin 2015, shoqëruar me rënien 5% të eksporteve, rënia historike e kreditimit dhe kushtet e pothuaj “deflacionit” të vazhdueshëm si pasojë e rënies së ndjeshme të konsumit, bëjnë të domosdoshme rishikimin tërësor të politikave dhe procedurave tatimore dhe doganore për nxitjen e investimeve te vendit dhe te huaja.
Sipas Konfindustrisë, paketat fiskale të pasukseshme të tre viteve të fundit duhet të ndryshojnë thelbesisht.
Gjithashtu, ajo vlerëson se është e domosdoshme dhënia e garancisë, që politikat fiskale në pjesët e thelbësore duhet të jenë të qëndrueshme në kohë dhe të mos ketë ndryshime të shpeshta.

Renditja e 27 të mëdhenjve të naftës: Si rritet artificialisht xhiro e kompanive

Viti 2014 shënoi një shpërthim të kompanive të tregtimit të naftës në vend. Në listën e 200 sipërmarrjeve më të mëdha përfshihen 27 të tilla, që kanë realizuar një qarkullim vjetor prej 238 miliardë lekë (rreth 1.7 miliardë euro), me një rritje prej 33% me bazë vjetore, sipas të dhënave të dorëzuara te tatimet.
Këto kompani realizuan gati 25% të qarkullimit total të 200 VIP-ave, të ndihmuara dhe nga zgjerimi i prodhimit vendas, por dhe faktit që nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive të këtij segmenti  (për arsye të numërimit të dyfishtë të prodhimit të brendshëm që shkon për tregtim në retail si te qarkullimi i ndërmarrjeve prodhuese ashtu edhe tek ato tregtuese dhe shit-blerjes disa herë të saj).
Tregtimi i naftës është një sektor që ka lëvizje të mëdha, me mbyllje të kompanive, apo rritje stratosferike të tyre brenda një periudhe të shkurtër kohore. 2014-a ka shënuar një numër rekord kompanish (një pjesë të krijuara në tetor 2013), që janë rritur ndjeshëm. Pas daljes nga tregu të Taçi Oil në mesin e 2013-s dhe më pas të IT Oil, operatorë të rinj, të krijuar në fund të 2013-s, kanë rritur me shpejtësi aktivitetin. Të tjerë janë në vështirësi dhe kanë “braktisur” kompaninë, duke lënë me gisht në gojë kreditorët.
RDA Petrol është një kompani e krijuar në vitin 2013, që ka arritur të ketë një xhiro prej 5.5 miliardë lekësh në 2014-n, me një rritje vjetore prej 82%. Sipërmarrja e ka qendrën në Fier. Sipas burimeve të saj, ajo tregton dhe shpërndan me shumicë naftën e importuar nga ENI AGIP, por edhe produktin vendas të Rafinerisë ARMO. Për këtë qëllim, ajo zotëron filiale të tregtimit me shumicë në Vlorë, Fier, Ballsh, Durrës e Tiranë.
Eroil, e krijuar në tetor 2013, është ngjitur me shpejtësi në 2014-n, duke shënuar një qarkullim vjetor prej 5.3 miliardë lekësh.
Edhe Sun Petroleum Albania Trading, distributore produktesh nafte me rrjet retail, që operon nën brandin e Gulf Oil në Shqipëri, Kosovë, Republikën ish-jugosllave të Maqedonisë dhe Mal të Zi, e krijuar po në tetor 2013, ka parë një rritje të shpejtë, duke arritur një qarkullim vjetor prej 3.45 miliardë lekësh.
Tea Construction & Petrol, një nga kompanitë që shënoi rritje të shpejtë në 2013-n ka dalë nga tregu tashmë. Në 2014-n, kompania i uli të ardhurat me 5% në 8.5 miliardë lekë.
AFT, një tjetër operator i ri nafte, që u rrit me shpejtësi në 2013-n, ka parë një rënie të të ardhurave, me 34%, në 2.9 miliardë lekë.
Aktorët e tregut pohojnë se tregu i naftës ka luhatje shumë të mëdha, duke qenë dhe sektori që ka më shumë falimentime. Çdo vit falimentojnë 2-3 kompani.
Nga ana tjetër, ka shumë sipërmarrje, që hyjnë në treg, ndërkohë që mungon kontrolli dhe informaliteti është shumë i lartë. Mund të ndodhë që një operator të hyjë në treg, të xhirojë deri në 10 milionë dollarë dhe të dalë vitin tjetër, duke shkarkuar kështu një pjesë të xhiros së pafaturuar të një kompanie tjetër, një formë e përdorur rëndom evazioni më se një dekadë më parë, por që duket se është rikthyer sërish në modë. Borxhet e kreditë e ndërsjellta apo shit-blerjet mes kompanive janë një formë tjetër e shmangies.
Edhe Autoriteti i Konkurrencës e ka pohuar këtë prirje të luhatshmërisë së madhe të tregut në një hetim për tregun e karburanteve, duke kërkuar “ndërtimin e instrumenteve për të kontrolluar hyrjet dhe daljet e shpeshta brenda vitit financiar të ndërmarrjeve që operojnë në tregun e tregtimit me shumicë të karburanteve, të cilët gjenerojnë konkurrencë të pandershme”. Ekspertët pohojnë që duhet të rregullohet tregu, që kompanitë të mos hyjnë e dalin si të duan, por të ketë kritere të larta.
Mjafton që një sipërmarrje të blejë disa bote me naftë dhe xhiron shuma të larta. Sipas një pike të ligjit për hidrokarburet, kompanitë duhet të mbajnë rezerva 90 ditë kalendarike, çka përbën një kosto të madhe, por firmat e vogla nuk e zbatojnë këtë dhe e mbyllin vitin tjetër, kur duhet të rregullojnë rezervat.
Në total, tregu vlerësohet se xhiron deri në 1 miliard euro, por nafta blihet e shitet shumë herë, duke rritur artificialisht volumin e tregut dhe xhiron e kompanive. Për vitin 2014, xhiro e 26 kompanive në listën e 200 më të mëdhenjve u rrit me 33%, ndërsa importet e karburanteve për këtë vit ishin 482 mijë tonë, rreth 5% më të larta se një vit më parë.
Pavarësisht xhiros së lartë, kompanitë e naftës karakterizohen nga norma të ulëta fitimi dhe kanë një numër të vogël të punësuarish, dy elemente që janë parësore për të parë ndikimin e një kompanie në ekonominë reale të një vendi.
Kastrati dhe Europetrol Durrës Albania janë dy kompanitë më të mëdha dhe më të qëndrueshme në treg. Kastrati i rriti të ardhurat me 5% në rreth 67 miliardë lekë në 2014-s, ndërsa Europetrol Durrës Albania pa një rënie me 13% në 19 miliardë lekë.
Everest Oil SHA është një hyrje e re e dy viteve të fundit, që është ngjitur me shpejtësi në renditje. Kompania është krijuar në mesin e vitit 2012, për të arritur të ardhura prej 16 miliardë lekësh në 2013-n, duke u pozicionuar atë vit direkt në vendin e dhjetë. Në 2014-n, zgjerimi vazhdoi, ndonëse me ritme më të ulëta, duke arritur në 18.9 miliardë lekë (rritje 16%). Everest tregton me shumicë naftën nga depozitat e Petrolifera, ndërsa nuk ka një rrjet të vetin të tregtimit me pakicë. Everest Oil SHA blen karburantet nga ndërmarrja ENI s.p.a. dhe ua shet këtë karburant ndërmarrjeve të tjera të shitjes me shumicë në zonën e lirë doganore (pra i gjithë transaksioni ndodh në zonë të lirë doganore), sipas një hetimi të Autoritetit të Konkurrencës.

Armo dhe dy kompanitë që e shfrytëzojnë me qira financiare

Në gjysmën e dytë të 2014-s dhe muajt e parë të 2015-s, kompania e përpunimit të naftës doli nga letargjia ku e kishin futur një varg relativisht i dështuar privatizimesh e shitblerjesh. Ajo rinisi përpunimin e naftës direkt dhe përmes dy kompanive që morën me franshizë aktivitetin e saj, Deveron Oil Albania dhe TPD-Trading Petrol & Drilling.
Deveron Oil Albania, e hapur në 13.11.2013, me të ardhura zero në 2013, ka parë një rritje të shpejtë të të ardhurave në 2014-n, në 10.7 miliardë lekë, duke u renditur e 21-a ndër kompanitë më të mëdha. TPD-Trading Petrol & Drilling, në shtator të 2013-s, ka nënshkruar marrëveshje me ARMO-n dhe operon në rafinerinë e Fierit në kapacitet përpunimi 500 mijë tonë në vit, që nëpërmjet qirasë shfrytëzon një nga impiantet e përpunimit të naftës së ARMO-s. Kompania është krijuar në maj të vitit 2012, sipas të dhënave nga QKR dhe ka njohur rritje të shpejtë, duke e shtuar xhiron me 440% në 2014, në 16.5 miliardë lekë. Ajo është radhitur e 11-a ndër kompanitë më të mëdha për nga xhiroja në tatime në vitin 2014.

Shitja 10 milionë euro e IT Oil

Operatori me shumicë i naftës, I.S.C. Petroleum Company (emri tregtar “IT OIL International”) u shit në fund të vitit 2015 te një kompani e huaj, me emrin “Tamm Oil Trading”. Sipas të dhënave të transaksionit, “Tamm Oil Trading” është e regjistruar në Vjenë, dhe është e përfaqësuar nga Dr. Hans Jorg Tamm. Nga marrëveshja e shitjes rezulton se blerësi ka rënë dakord të paguajë 10 milionë euro shitësin, që duhet të shlyhet brenda 7 vitesh.
I.S.C. Petroleum (IT Oil) është krijuar në vitin 2011, sipas ekstraktit të QKR-së, dhe mori në 2013-n, aktivitetin e Taçi Oil International, pasi aksionerët e kësaj të fundit, në një marrëveshjeje shitjeje të kompanisë tjetër në pronësi të tyre, A.R.M.O, në gusht 2013, u ndaluan të merreshin me aktivitetin e tregtimit të karburanteve.
Për vitin 2014, kompania raportoi një xhiro vjetore prej 5.8 miliardë lekësh (rreth 41 milionë euro), nga 1.9 miliardë lekë vitin e mëparshëm, ndërsa fitimi për 2014 ishte 47 milionë lekë (rreth 335 mijë euro).
Në bilanc rezulton që I.S.C. Petroleum ka rreth 1.3 miliardë lekë detyrime ndaj të tjerëve, nga të cilat pjesën më të madhe e ka ndaj Kuarta shpk dhe Taçi Oil International, konkretisht 879 milionë lekë dhe 236 milionë lekë.

Truku i Çernobilit

30 vite nga Çernobili: koha e duhur për të vërtetën. Është quajtur “ngjarja më vdekjeprurëse në historinë e bërthamores civile” në kulmin e dinamikës së një incidenti. Të falsifikuar pashmangshmërisht nga emotiviteti dhe nga deformimi informativ, si edhe nga më jokorrektja e asimetrive midis palëve në fushë: ata në favor të teknologjive bërthamore të detyruar që të krahasonin arsyet e tyre, teknike dhe racionale, me ekzagjerimet mediatike të një “apokalipsi atomik” të kërcënuar. I simbolizuar nga profecia e errët e murgjëve të Greenpeace: “Çernobili do të prodhojë miliona të vdekur”. Shumë i vunë në diskutim në atë kohë programet e ardhshme bërthamore dhe rolin e teknologjive të tyre, por ama mbetet e dhëna se në botë kuota e kontributit të bërthamores civile nuk është zvogëluar kurrë. Përkundrazi. Për motive nga më të ndryshmet – rikthimi në teknologjitë joqymyr, nevoja për fuqi energjetike e vendeve në rrugën e zhvillimit – kuota e kontributit bërthamor është e destinuar që të rritet. Por le të kthehemi tek Çernobili. Sigurisht, kemi të bëjmë me incidentin më të rëndë ndër 3 të vetmit të klasifikueshëm si të tillë (Three Mile Island, 1979, dhe Fukushima, 2011) të historisë së bërthamores civile. Me pasojat e tij, Çernobili ka qenë në këto 30 vitet e fundit ngjarja më e studiuar dhe më e analizuar nga bashkësia ndërkombëtare. Natyrisht, për sa u përket aspekteve shëndetësore dhe sociale. Qysh nga fillimi, një basen i pafundëm popullsie, mbi 1 milion njerëz (midis 600 000 likuidatorëve dhe 400 000 banorëve të qendrave të banuara më të prekura nga incidenti) janë monitoruar nga agjencitë ndërkombëtare të Kombeve të Bashkuara me screening, kontrolle, testime analitike. Kemi të bëjmë me programin epidemiologjik ndërkombëtar më të madh të shekullit të Kombeve të Bashkuara. I integruar me studimin e ngjarjes së rastësishme, të analizuara në të gjitha shkaqet dhe pasojat teknike, ekonomike, mjedisore dhe sociale të saj. Janë prodhuar, sidomos nën kujdesin e UNSCEAR-it (organizmit shkencor të Kombeve të Bashkuara të krijuar në 1955 për studimin e efekteve të rrezatimeve, duke filluar nga ato mbi popullsinë japoneze), raporte dhe analiza që përbëjnë tashmë një literaturë tekniko–shkencore të domosdoshme si për sektorin bërthamor në botë, ashtu edhe për atë shëndetësor e mjedisor. Duke lënë mënjanë faktorët e unicitetit dhe të mospërsëritshmërisë, të dinamikës të incidentit, që tashmë duhet të jenë përfshirë në vlerësimin e Çernobilit: në pjesën më të madhe, kemi të bëjmë me një incident që i detyrohet një dinamike në kundërshtim me çdo standard të konsoliduar dhe të prodhuar nga kushti i kolapsit teknik të sistemit sovjetik nga fundi i viteve tetëdhjetë; ka të bëjë me një teknologji, atë të reaktorëve RBMK sovjetikë, antikonvencionale, pazgjidhshmërisht e paqëndrueshme dhe që nuk ndeshet në asnjë prej teknologjive perëndimore. Dinamika e Çernobilit mund të verifikohej vetëm në atë realitet dhe, në asnjë mënyrë, nuk mund të përsëritej në asnjë realitet apo impiant tjetër në botë.

Në vitin 2002, Kombet e Bashkuara kanë shpallur një “program 10-vjeçar” për Çernobilin. Qëllimi: të botoheshin konkluzionet e fushatës së gjatë të monitorimit shëndetësor (“The Human Conseguences of the Chernobyl Nuclear Accident”) dhe të tregoheshin strategjitë për rilindjen e territoreve të prekura (“Strategy for recovery”). Të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara, nga OMS-ja, AIEA, FAO, UNSCEAR-i dhe tek qeveritë e interesuara, janë impenjuar për të shkruar bilancin e Çernobilit dhe të tregojnë mësimet e dala prej tij. Në 2003, ky aktivitet kompleks monitorimi është dhënë nga Kombet e Bashkuara të institucionalizuara në Chernobyl Forum, i përbërë nga 100 ekspertë ndërkombëtarë nga të gjitha agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe nga qeveritë e prekura nga ngjarja, Rusia, Ukraina dhe Bjellorusia. Chernobyl Forum ka prodhuar në 2006, 20 vite pas incidentit, dy raporte të veçanta – atë të Expert Group Environment (të koordinuar nga AIEA-ja) dhe atë të Expert Group Health (të koordinuar nga OMS-ja) – që përmbajnë konkluzionet e 20 viteve studime dhe analiza. Më tej, përfundimet e Chernobyl Forum janë konfirmuar në raportin e 2008 të UNSCEAR-it lidhur me “efektet shëndetësore të Çernobilit”, që përfundonte me dy pohime kyçe: “Pjesa më e madhe e popullsive të prekura nga incidenti nuk ka motive që, në të ardhmen, të ketë frika prej pasojave shëndetësore të shkaktuara nga efektet e incidentit”; “Nivelet vjetore të ekspozimit radiologjik të popullsisë së prekur kanë rezultuar krejtësisht të krahasueshëm me ato të dozave natyrale (natural background)”. Dy konkluzione që i çmontonin në mënyrë të pamëshirshme themelet e katastrofizmit mediatik mbi themelet e katastrofizmit mediatik mbi Çernobilin dhe, sidomos, pikën e fortë e vulgatës antinukleariste: tezën se tipari dallues dhe specifik i një incidenti bërthamor është projektimi i një numri vdekjesh të ardhshme që i shkaktohen nga shfaqja në kohë e sëmundjeve tumorale. Siç do ta shohim, bëhet fjalë për një truk. Raportet e Chernobyl Forum u japin përgjigje pyetjeve kyçe të debatit ndërkombëtar 30-vjeçar lidhur me incidentin. Po rreshtojmë disa thelbësore.

E para: Sa kanë qenë vdekjet e shkaktuara prej ARS-it (sindromit akut nga rrezatimet) në Çernobil? Domethënë sa humbje efektive ka shkaktuar në periudhën e menjëhershme incidenti “më i rëndë” i historisë së bërthamores? Në raportin e Forum vdekjet e atribuara ARS-it qenë 28. Të gjithë në 1986 midis punëtorëve që të parët ndërhynë në vendin e incidentit. Në popullsinë e jashtme dhe në vitet pas 1986 “nuk u verifikuan, sipas Forum, vdekje prej ARS-it”.

E dyta: Në 20 vite pas incidentit, sa kanë qenë tumorët vdekjeprurëse të shkaktuar prej ekspozimit ndaj rrezatimit? “Nuk është e mundur të sqarohet, përgjigjet Forum, pasi nuk ekziston një mundësi për të ndarë tumorët e shkaktuar nga rrezatimet nga ata që u detyrohen shkaqeve të tjera”. Studimet epidemiologjike mbi banorët e zonave të prekura nga rrjedhja radioaktive, “nuk kanë dhënë dëshmi të një rritje të vdekshmërisë prej leuçemisë, tumorëve solidë dhe sëmundjeve të ndryshme nga tumorët”. E dhëna e vetme e lidhshme midis tumorëve të regjistruar dhe rrjedhjes radioaktive është ajo e 4000 tumorëve në gjendrat tiroide të regjistruara në periudhën midis viteve 1992 e 2002 tek personat që qenë fëmijë në kohën e incidentit. Prej tyre, vetëm 15 kanë çuar në vdekje. Së fundi, në grupin e 61 000 punëtorëve rusë që kanë marrë doza të mesme prej 107 mSv (njësia matëse e dozave radioaktive të marra), një 5 përqindësh i vdekjeve të ndodhura mund të lidhet (statistikisht) me këto doza. Por e dhëna, sipas Forum, nuk është e saktë.

E treta: Cilët kanë qenë nivelet e ekspozimit ndaj rrezatimeve të popullsisë së prekur? Përveç punëtorëve të impenjuar në vend në ditët e para të incidentit (midis të cilëve, siç e pamë, u verifikuan vdekje prej ARS-it), “pjesa më e madhe e punëtorëve të përfshirë në rikuperim dhe të njerëzve që jetonin në zonat e prekura përpara evakuimit kanë marrë, në 20 vitet pas incidentit, doza në të gjithë trupin relativisht të ulëta dhe të krahasueshme me doza që i detyrohen fondit natyror (atë që do të kishin marrë edhe pa incidentin)”. Për sa i përket situatës aktuale: “5 milionë banorët e zonave të infektuara të Bjellorusisë, Rusisë dhe Ukrainës marrin çdo vit doza efektive, që i detyrohen rrjedhjes, të barabarta me më pak se 1 mSv”. Domethënë, asgjë. Së fundi: “Duke pasur parasysh nivelet relativisht të ulëta me të cilat janë ekspozuar popullsitë e rajoneve të goditura nuk ka asnjë dëshmi, vazhdon Forum, pasojash mbi pjellshmërinë riprodhuese, efekte degjenerative në lindje apo efekte hereditare të ardhshme”. Natyrisht, shtuar numrit të këtyre patologjive që do të verifikoheshin pa incidentin.

E katërta: Cili qe impakti mjedisor i rrjedhjes radioaktive nga reaktori i shpërthyer në Çernobil? Në terma bekerelësh, rrjedhja totale qe e madhe, por në terma specifikë radionukleidësh të emetuar pati një dinamikë të saktë. Ajo që mbizotëroi qe përhapje e radionukleideve jetëshkurtër dhe mesatare (Jodi-131, Stronciumi-90 dhe Cezium-137) që në 30 vitet e kaluara tashmë kanë rënë në pjesën më të madhe. Radionukleidet e rënda (plutonium dhe amerikium), megjithëse të pranishëm dhe të depozituar kryesisht në terrenet rrethe e përqark dhe në një rreze prej 100 kilometrash, “paraqesin nivele jo të konsiderueshëm, informon Forum, nga pikëpamja radiologjike”. Me pak fjalë: asnjë “shkretëtirë” atomike e përhershme. Rikuperimi i këtyre territoreve është një vepër që është në rendin e gjërave. Siç shihet: asnjë apokalips. “Më i rëndi” i incidenteve të historisë bërthamore, për sa i përket vdekjeve të shkaktuara dhe projektimeve të vdekjeve në të ardhmen, jo vetëm nuk paraqet tiparet e apokalipsit, por zbulohet më i ulët dhe më i kufizuar respektivisht çdo incidenti tjetër të “rëndë” në historinë e gjenerimit të energjisë. Atëherë, nga ku lind bindja e përhapur se specificiteti i incidentit bërthamor jepet nga fakti që vdekjeve të ndodhura aty për aty u duhen shtuar ato të ardhshme që u detyrohen shfaqjeve tumorale në kohë?

Lind nga një truk, nga përdorimi dashakeqës i një instrumenti statistikor (që shërben në radiologji për të kalibruar normat e sigurisë) që antinuklearistët e kanë transformuar në një teori “shkencore” dhe armë të propagandës së tyre. Quhet teoria Linear No Threshold (LNT). Pohon se çdo doze rrezatimi, nga më e voglat tek më e madhja, është e atribueshme një përqindje probabiliteti e shfaqjeve të papritura të patologjive. Antinuklearistët e kanë transformuar në një predikim mekanik dhe automatik: numri probabël është transformuar në vdekje të ndodhura. Por, në mënyrë të veçantë, transformohet një kriter direktiv statistikor në një parashikim shëndetësor. Duke përmbysur realitetin, ky korelacion statistikor, i presupozuar nga LNT-ja, nuk është verifikuar kurrë në termat e përshkruar.

Në këtë shekull, njerëzimi ka pasur në dispozicion laboratorin e madh e të mbijetuarve të Hiroshimës dhe Nagasakit për të matur efektet afatgjatë e rrezatimeve të jonizuara mbi popullsi të tëra të prekura nga rrjedhja radioaktive. Asgjë që të ngjajë me LNT-në nuk është verifikuar dhe asgjë që t’i ngjajë LNT-së nuk është verifikuar, siç e kemi parë, në testimet që kanë pasuar incidentin e Çernobilit. E vërteta është shumë e thjeshtë dhe banale: infektimi radioaktiv, si tërësia e faktorëve të tjerë të mundshëm që shkaktojnë patologji, është deterministe në rezultatet e saj vetëm për doza të larta të marrë. Është e njohur se për nivele të caktuara infektimi (mbi 5 Sv), efektet vdekjeprurëse të rrezatimeve janë të sigurta. Por siguria, pikërisht, ka të bëjë me këto nivele. Natyrisht, nën nivele të tilla funksionon një shkallë efektesh të rënda, por jo infinite për poshtë. Në bazë të dozave të marra (në nivel të mSv), siç ka qenë edhe rasti i Çernobilit sipas të dhënave, automatizmi mbaron. Shkencërisht, nuk është praktikisht e mundshme që në bazë të dozave të parashikohet, siç bëjnë në fakt antinuklearistët, numri i vdekjeve reale në të ardhmen apo probabilitete të larta që ato të ndodhin për shkakun e vetëm të radioaktivitetit të ulët të marrë. Megjithatë, bazuar në trukun statistikor të LNT-së (gjithnjë e më shumë i diskutuar në radiologji) është ndërtuar “monstruoziteti” propagandistik i teknologjisë bërthamore. Për më tepër, bilanci shëndetësor i Çernobilit nxjerr në pah një pikë kyçe mbi të cilën katastrofizmi mediatik lidhur me bërthamoren duhet të reflektojë: në popullsitë e prekura nga incidente bërthamore, patologjitë më të dukshme janë ato të simptomave të depresionit, stresit dhe ankthit. Natyrisht, ekspertët e Kombeve të Bashkuara u atribuojnë një rëndësi të caktuar modaliteteve spektakolare, katastrofiste dhe ankthologjike me të cilat qeveritë dhe organet e komunikimit trajtojnë incidentin bërthamor: me një disproporcion total midis realitetit të fakteve dhe efekteve të shpallura e të parashikuara. Pas 30 vitesh, diskutimi mbi realitetin e Çernobilit duhet të shërbejë edhe për të ndryshuar komunikimin e padrejtë dhe patologjik të bërthamores civile.

(nga Geopoliticus)

Çfarë fsheh fitorja e Vuçiç

Cristina Maza

Ditën e dielë, më 24 prill, Serbia mbajti zgjedhjet parlamentare që shumë prej vëzhguesve ndërkombëtarë i quajtën si një lloj referendumi ndaj anëtarësisë së ardhshme të vendit në Bashkimin Europian. Partia Progresive e Serbisë e drejtuar nga kryeministri Aleksandar Vuçiç, e cila mbështet anëtarësinë në Bashkimin Europian, arriti të korrte një fitore mjaft të mirë me 48,6% të votave. Rezultati i zgjedhjeve do ta lejojë kështu Vuçiçin dhe partinë e tij të ruajnë kontrollin e Parlamentit të Serbisë për katër vitet e ardhshme.

Vuçiç thotë se i kërkoi zgjedhjet dy vite më parë për të përforcuar mandatin e tij pro-europian në një kohë kur vendi po kërcënohet nga ultra-nacionalizmi dhe ndjenja pro-ruse. Ai gjithashtu ka premtuar se do të implementojë shumë reforma ekonomike që do të kënaqin Bashkimin Europian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar, duke e vënë kështu Serbinë në rrugën e sigurt drejt të ardhmes europiane.

Rezultati i këtyre zgjedhjeve bëri që shumë e shumë media të huaja të nxitonin ta interpretonin fitoren e Vuçiç si një fitore të Bashkimit Europian. Zyrtarët e Bashkimit Europian, shumica e të cilëve e konsiderojnë kryeministrin e Serbisë si një lider i qendrueshëm, një partner potencial pro-europian me të cilin mund të bëjnë biznes, nuk vonuan aspak për të përgëzuar publikisht fitoren e tij.

Megjithatë, pavarësisht gjithë euforisë mediatike, rezultati i zgjedhjeve në Serbi fsheh një tjetër të vërtetë. Fitorja e Vuçiç nuk është aspak një tregues i pranimit të gjërë popullor të vlerave perëndimore apo i mbështetjes së anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian. Realiteti është që ndjenja pro-europiane në Serbi tashmë ka arritur në nivelet më të ulëta të viteve të fundit. Çfarë simbolizon dhe vërteton në fakt fitorja e Vuçiç dhe e stilit të tij të egër të lidershipit, se ka arritur me sukses të nënshtrojë dhe të dobësojë ndjeshëm opozitën e regjimit të tij.

“Ajo që Vuçiç ka arritur të bëjë me efikasitet të madh është të neutralizojë të gjithë burimet opozitare. Në Serbi nuk ka parti të besueshme opozite dhe kontrolli i kryeministrit mbi mediat dhe shërbimin e informacionit është pothuajse absolut”, thotë Eric Gordy, sociolog dhe ekspert i çështjeve të Ballkanit në Universitetin e Londrës.

Në një letër të adresuar për zëvendës/presidentin e Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, “Human Rights Watch” bënte thirrje që të kthehej vëmendja ndërkombëtare tek kufizimi i lirisë së fjalës në Serbi. Në këtë letër përmendej qartë se, operatorët mediatikë në Serbi punonin në “mjedise tepër armiqësore” dhe theksohej ndërhyrja e dhunshme politike në raportimin e lajmit. OSCE lëshoi një tjetër paralajmërim të ngjashëm në raportin parazgjedhor të lëshuar gjatë muajit prill. Kritikët akuzojnë Vuçiçin se ka shfrytëzuar fushatën antikorrupsion të profilit të lartë për të vënë nën shënjestër dhe për të asgjësuar opozitën politike.

“Vuçiç ka punuar shumë për të forcuar pushtetin e tij pothuajse absolut gjatë viteve të fundit, duke marrë kontrollin e mediave dhe institucioneve shtetërore”, thotë Branislav Radeljiç, Profesor i Politikës Ndërkombëtare në Universitetin Lindor të Londrës. Në Serbi, njerëzit ankohen vazhdimisht për persekutimin e aktivistëve opozitarë të qeverisë dhe për presionin e jashtëzakonshëm me të cilin përballen çdo ditë gazetarët që kritikojnë regjimin e Vuçiç, vazhdon ai.

Duke patur parasysh sjelljen e tij antidemokratike, ka shumë pak gjasa që Vuçiç të mbështesë me të vërtetë anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian dhe nëse e bën, nuk do të jetë për respekt të sinqertë ndaj vlerave europiane dhe rregullit të ligjit. Ai në të vërtetë duhet të shihet si një oportunist, të cilit nuk i intereson asgjë më shumë se ruajtja e pushtetit të tij absolut në të gjitha sferat e shoqërisë serbe.

Edhe pse është përpjekur të joshë dhe të mbledhë pas vetes sa më shumë aleatë në Bruksel, Vuçiç i ka premtuar vendit edhe lidhje të ngushta me Rusinë dhe ka lavdëruar shpesh kriminelët e luftës serbe. Të gjitha këto, i ka bërë teksa e lavdëronte veten si një politikan të moderuar dhe tolerat. Duhet theksuar fuqimisht edhe fakti se Aleksandar Vuçiç ka qenë ministër i Informacionit për ish-diktatorin e egër të Serbisë, Slobodan Miloseviç dhe ka qenë përgjegjës për zhvillimin e makinerisë propagandistike gjatë kohës së luftës.

“Të interpretosh fitoren elektorale të kryeministrit Vuçiç si një fitore të Bashkimit Europian është një interpretim tepër i gabuar”, thotë Goran Miletiç, drejtues i programit për Ballkanin Perëndimor tek “Civil Rights Defenders”. “Vuçiç ka qenë një politikan për më shumë se 20 vjet”, shton ai. “Ai e di mirë si të manipulojë popullin serb, të cilët njihen si konservatorë, patriarkalë dhe jo shumë të shkolluar. Vuçiç gjithashtu është mëse i ndërgjegjshëm për pushtetin e jashtëzakonshëm që mund të të ofrojë kontrolli absolut mbi industrinë mediatike të një vendi si Serbia”.

Kundërshtarët e Vuçiç thonë se kjo ngjitje e profilit të kryeministrit, sëbashku me indiferencën që Bashkkimi Europian ka demonstruar kundrejt metodave të përdorura prej tij, ka arritur që në fakt ta dobësojë ndjeshëm mbështetjen popullore të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian. Edhe pse zyrtarët europianë mendojnë se vendi është duke ecur drejt rrugës së anëtarësimit, bindja popullore duket se është duke ecur në drejtimin e kundërt.

“Shumë njerëz të elitës intelektuale, të cilët e kanë mbështetur fuqimisht anëtarësimin e Serbinë në institucionet europiane gjatë viteve të fundit, tani ndihen thellësisht të zhgënjyer prej mungesës së reagimit të Bashkimit Europian ndaj shkeljes së principeve demokratike të Vuçiçit”, shpjegon Radeljiç. “Kjo ka nxjerrë në pah një lloj hipokrizie nga ana e BE-së përballë principeve thelbësore dhe vlerave si rregulli i ligjit dhe të drejtat e njeriut që duhet të mbështeste ky bashkim”.

Gordy thotë se, Europa e ka mbështetur kryeministrin Vuçiç për shkak të shfaqjes së vullnetit të tij për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, e cila deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008. “Duket se kushti i Vuçiçit për të patur relata të mira me Bashkimin Europian ka qenë të hiqet bashkëpunues për çështjen e Kosovës dhe se zyrtarët europianë do të bënin një sy qorr në këtë rast për gjithçka që ai bënte brenda vendit”, thotë Gordy. “Kjo perspektivë ka qenë një zhgënjim i madh për njerëzit që e shihnin Bashkimin Europian si një projekt për një jetë më të mirë, të cilët e konsideronin identitetin europian si garanci të demokracisë dhe prisnin që anëtarësimi në Bashkimin Europian të garantonte të drejtat e njeriut dhe rregullin e ligjit që u ka munguar në jetën e tyre”.

Bojana Stojkoviç, një aktiviste 30-vjeçare që punon me të rinjtë dhe ekonomistë nga Serbia Jugore, thotë se të rinjtë serbë janë bërë me kalimin e kohës gjithmonë e më shumë apatikë për çështjet politike dhe shumica e tyre kanë vendosur të shkëpusin marrëdhëniet me jetën politike që kur Vuçiç u ngjit në pushtet. “Njerëzit me të cilët punoj vazhdojnë ta mbështesin projektin e anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi shumica e tyre janë të rinj dhe e vlerësojnë domethënien e vlerave europiane. Megjithatë, kam arsye për të menduar se jemi vetëm një pjesë e vogël e shoqërisë serbe që ende shpresojnë”, thekson ajo.

Edhe sondazhet në fakt tregojnë një reduktim të ndjeshëm të besimit popullor ndaj institucioneve europiane. Sipas sondazhit të kryer kohët e fundit, vetëm 48 për qind e serbëve janë favor të anëtarësimit të vendit në Bashkimit Europian, në krahasim me 51 për qind në vitin 2014 dhe 65 për qind në vitin 2009. Kjo rënie e kredibilitetit duket se është shkaktuar pjesërisht nga bindja se Europa nuk është më një institucion që mund të garantojë stabilitetin politik dhe ekonomik që i mungon popullit serb.

“Kriza ekonomike në Europë e ka dobësuar ndjeshëm joshjen ekonomike që i tërhiqte njerëzit drejt anëtarësimit. Për sa i përket aspektit politik, kredibiliteti i Bashkimit Europian si një garantues i demokracisë është reduktuar shumë kohët e fundit për shkak të tolerancës së shfaqur kundrejt autoritarizmit në vende si Hungaria, Polonia dhe Kroacia”, thotë Gordy.

“Me pak fjalë, Bashkimi Europian nuk ka punuar shumë kohët e fundit që të mbrojë veten”. Rikthimi i partive politike të së djathtës ekstreme në Parlament është një tjetër tregues se në politikën serbe ekziston, dhe po rritet gjithmonë e më shumë, një ndjenjë anti-europiane, ndryshe nga imazhi i shfaqur nëpër media pas fitores së Vuçiç në zgjedhjet parlamentare.

Në fund të muajit mars, Tribunali Ndërkombëtar Kriminal për ish-Jugosllavinë (ICTY) e deklaroi të pafajshëm Vojislav Sheshelin, një politikan ultra-nacionalist i cili akuzohej se ishte përfshirë në krime lufte të tmerrshme gjatë luftërave jugosllave të viteve 1990. Gjykata argumentoi se, edhe pse Shesheli ka qenë një përkrahës vokal i spastrimit etnik dhe mbështetës i krijimit të “Serbisë së Madhe”, ai nuk ka qenë drejtpërdrejt përgjegjës për krimet e luftës të kryera nga milicitë që ndodheshin nën kontrollin e tij. Ditën e dielë, Shesheli dhe Partia e tij Radikale Serbe arriti të fitojë plot 8 për qind të votave në zgjedhjet parlamentare, përqindje e mjaftueshme për ta bërë atë partinë e tretë më të madhe të vendit.

Pavarësisht preferencave politike të publikut, Vuçiç ka shumë gjasa që të vazhdojë të ndjekë trajektoren e tij politike drejt anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Europian, natyrisht vetëm dhe ekskluzivisht për interesa ekonomike. “Shumë politikanë të qeverisë serbe e dinë mirë se Rusia ka pak gjëra për t’i ofruar vendin në periudhën afatgjatë”, thotë James Ker-Lindsay, profesor dhe studiues i Shkollës Ekonomike të Londrës. “Vetëm investimet e kompanive të mëdha europiane mund të arrijnë të transformojnë ekonomikisht Serbinë dhe Rusia, sado aleate joshëse të jetë, nuk mund të konkurojë kurresi me këtë”.

Ende nuk dihet plotësisht se si do të vazhdojë Vuçiç të ndjekë objektivat e tij drejt Bashkimit Europian përmes implementimit të reformave të vështira ekonomike, duke luftuar njëkohësisht me ndjenjën anti-europine që po shtohet dita-ditës në vendin e tij. Ajo që dihet saktë, është se do të ketë edhe katër vite të tjera në dispozicion për ta bërë. Ka ardhur koha që Europa të ndërgjegjësohet dhe të kuptojë se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Europian nuk mund të kryhet me një lider oportunist si Aleksandar Vuçiç.

Politika e dështuar e sanksioneve

David Francis

Nga Irani tek Rusia, Afrika dhe Korea e Veriut, administrata Obama është mbështetur prej kohësh tek sanksionet financiare si “armë” e preferuar përkundrejt kundërshtarëve të Shteteve të Bashkuara. Por gjatë vitit të fundit, janë aleatët e Amerikës ata që po i ndjejnë më shumë pasojat e sanksioneve, duke bërë që Uashingtoni të fillojë të dyshojë se mos mjeti i tij i preferuar ekonomik mund të jetë shpërdoruar aq shumë sa tashmë është bërë jo eficent, në disa raste dhe kundërproduktiv.

Sistemi financiar amerikan është motori i gjithë tregtisë globale. Sanksionet ndaluese ose tepër kufizuese për të nxitur tregtinë, rrezikojnë t’i çojnë bizneset tek tregjet e huaja, dhe duke bërë këtë, shpesh janë krijuar aleanca të reja ndërmjet miqve dhe armiqve të Amerikës. “Është e rëndësishme që sanksionet si mjete të jenë eficentë dhe të mos shpërdorohen”, thotë nënsekretari i Thesarit të Shteteve të Bashkuara, Adam Szubin. “Duhet të vazhdojnë të balancojnë kostot dhe benefitet e regjimit të sanksioneve në favorin tonë”.

Szubin mbikëqyr degën e kundërterrorizmit dhe inteligjencës financiare në Departamentin e Thesarit. Shefi i tij, Sekretari i Thesarit, Jack Lew, e ka paralajmëruar Kongresin në muajin mars se ka gjasa që transaksionet financiare të kapërcejnë Shtetet e Bashkuara në rast se sanksionet e bëjnë mjedisin e biznesit tepër të komplikuar dhe të paparashikueshëm, ose në rast se ndërhyjnë së tepëmi me rrjedhën e fondeve nëpër botë. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun që sjell shpërdorimi i sanksioneve, i cili mund të dëmtojë pozicionin tonë të lidershipit në ekonominë globale, por edhe kthimin e tyre në një mjet joeficent”, tha Lew.

Tensionet që shkaktuan sanksionet amerikane kundër Rusisë dhe separatistëve ukrainas, për shembull, i kanë përçarë aleatët e Shteteve të Bashkuara në Europë, të cilët ndodheshin në vështirësi ekonomike përpara se të përballeshin edhe me pasojat negative që sollën penalitetet e imponuara nga Amerika. Ditën e enjte, Dhoma e Ulët e Parlamentit të Francës votoi një marrëveshje jo të detyrueshme për të hequr sanksionet e Bashkimit Europian kundër Rusisë.

“A kanë patur sukses sanksionet? Jo. Kanë qenë një dështim”, thotë politikania italiane, Deborah Bergamini, delegate e Asamblesë Parlamentare në Këshillin e Europës, teksa fliste për marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë. Ajo tha se, Italia ka humbur të paktën 1,25 miliardë euro që kur u miratuan sanksionet amerikane dhe europiane në vitin 2014.

Koordinatori i politikës së sanksioneve në departamentin e shtetit amerikan, Ambasadori Daniel Fried, e kundërshtoi këtë argument, duke thënë se sanksionet ishin e vetmja gjë që mundësoi armëpushimin e vitit 2014, njehur si Marrëveshja e Minskut. “Nuk jam dakort se sanksionet kanë qenë dështim”, tha Fried. “Nëse nuk do të kishin qenë sanksionet, nuk do të kishim patur asnjë perspektivë të marrëveshjes së Minskut, do të ishim ende në luftë. Sanksionet kanë sjellë në tavolinë mundësinë e zgjidhjes diplomatike”.

Bergamini vazhdoi të kundërshtonte: “Sanksionet kanë qenë dështim, insistoj. Europa është duke paguar një çmim shumë të lartë. Duhet ta pranojmë këtë”. Ndërkohë, konsulenti i Kremlinit, Dmitry V. Suslov, zëvendës/drejtues i Këshillit të Jashtëm dhe Politikës së Mbrojtjes në Rusi, dëgjonte bisedën me një buzëqeshje ironike në fytyrë. “Sanksionet janë duke i dëmtuar të dyja palët”, tha Suslov, duke shtuar se, penalitetet ekonomike kanë patur efekt shumë të vogël në veprimet ushtarake ruse në Donbass. “Nuk janë duke e ndryshuar kauzën e Rusisë”.

Një studim i ri i Institutit dhe Qendrës për Sigurinë Amerikane (CNAS) ka ngritur pyetje mbi efektivitetin e sanksioneve dhe jep prova të efekteve të tyre negative. Emma Ashford, eksperte e politikës së energjisë, tha se sanksionet kundër Rusisë kanë qenë “dështim i plotë” që kanë shkaktuar vetëm mungesë ushqimi dhe parash për qytetarët e thjeshtë rusë, madje kanë dëmtuar edhe ekonominë ameriane dhe interesat gjeopolitike.

Një deklaratë e Departamentit të Thesarit, e dërguar me e-mail për Foreign Policy, argumentonte se: “Është e qartë se sanksinet tona, sëbashku me rënien e ndjeshme të çmimit të naftës, i kanë shkaktuar kosto të mëdha lidershipit rus me efekte të kufizuara makroekonomike për Shtetet e Bashkuara dhe ekonomitë europiane”. Më pas thuhej se, penalitetet ekonomike transatlantike kanë gjeneruar kushte më të vështira financiare, kanë zvogëluar vetbesimin dhe kanë ulur investimet e Rusisë.

Ekonomia ruse ka qenë në recesion që kur baza e pushtetit u godit nga sanksionet e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian në vitin 2014, si dënim për pushtimin e Ukrainës. Këtë vit, vlera e rublës preku nivelin më të ulët kundrejt dollarit dhe Moska është dëmtuar nga ulja e çmimit të naftës së tepërmi. Një sondazh i “Reuters” i publikuar të enjten parashikon se, ekonomia ruse do të kontraktohet edhe me 1,5 për qind në vitin 2016 dhe FMN-ja beson se do të jetë në recesion edhe vitin tjetër.

E vemtja histori sukesi e njohur e sanksioneve është Irani. Në mesin e viteve 2000, Shtetet e Bashkuara, Kombet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian imponuan një sërë sanksionesh mbi Therenain për të detyruar Republikën Islamike të respektonte traktatet ndërkombëtare që ndalonin ndërtimin e armëve bërthamore. Sanksionet i egërsuan akoma më shumë në vitin 2012 si pasojë e negociatave ndërmjet fuqive botërore dhe Teheranit. Rezultati ishte që ekonomia e Iranit u godit aq fort sa vlera e monedhës preku fundin dhe eksporti ditor i naftës u përgjysmua.

Kriza financiare, sëbashku me zgjedhjen në vitin 2013 të Presidentit për të moderuar Hassan Rouhani, gjeneroi një urgjencë imediate për të mbajtur negociata bërthamore. Në korrik të vitit 2015, fuqitë e mëdha ranë dakort të hiqnin sanksionet e Iranit pas kufizimit të programit bërthamor. “Sanksionet kundër programit bërthamor të Iranit janë shembulli më i fuqishëm i suksesit të përpjekjeve tona sëbashku me diplomacinë”, tha Lew në Uashington muajin e kaluar.

Megjithatë, marrëveshja bërthamore shkaktuar nga sanksionet shkaktoi gjithashtu edhe mllefe të shumta politike kundër Shteteve të Bashkuara nga Izraeli dhe Arabia Saudite, dy aleatët kryesorë në Lindjen e Mesme, që Uashingtoni ende nuk i ka zbutur. Në Kongres, republikanët dhe disa demokratë po përpiqen ta tërheqin marrëveshjen, pjesërisht duke rritur sanksionet kundër Iranit. Politikanët e GOP i kanë kundërshtuar gjithashtu përpjekjet e demokratëve për t’i dhënë Teheranit akses më të madh ndaj sistemin global financiar, përfshirë edhe kryerjen e transaksioneve në dollarë.

As Irani nuk është i kënaqur. Kreu i Bankës Qendrore të Teheranit, Valiollah Seif, këtë muaj akuzoi Shtetet e Bashkuara dhe Europën se nuk kanë përmbushur kushtet e marrëveshjes bërthamore, duke e mbajtur Republikën Islamike të bllokuar nga sistemi financiar ndërkombëtar. Ajo që neglizhohet më shumë në historinë e impaktit të sanksioneve mbi Iranin sipas studimit të CNAS-it, është burimi i vërtetë i trazirave fianciare të vendit, që në fakt janë rënia e çmimit të naftës dhe keqmenaxhimi i tmerrshëm i ekonomisë së brendshme nga regjimi. Kjo është e vërtetë edhe në rastin e Rusisë.

Në të gjithë botën, Departamenti i Thesarit ka imponuar 28 programe sanksionesh. Disa prej tyre janë të përhapura në rajone të tëra gjeografike dhe vende, të tjerët kufizohen vetëm mbi individë specifikë. Shumica e këtyre programeve nuk kanë arritur aspak të frenojnë aktivitetin e aktorëve të këqinj.

Në Korenë e Veriut, embargo tregtare e Shteteve të Bashkuara për të dënuar Penjanin për programet e armëve bërthamore dhe raketave balistike, nuk e ka frenuar aspak mbretërinë e Kim Jongut nga kryerja e testimeve të raketave, më i fundit i të cilëve ndodhi ditën e enjte. Në Sudanin e Jugut, administrata Obama ka kërcënuar prej kohësh, përsëri javën e kaluar, të imponojë sanksione mbi presidentin Salva Kiir dhe liderin rebel Riek Machar, pasi nuk kanë respektuar marrëveshjen e paqes, madje as nuk e kanë reduktuar tonin e luftës së përgjakshme që ka hyrë në vitin e tretë të saj. Megjithatë, Uashingtoni ka vendosur të mos t’i dënojë direkt Kiir dhe Machar, edhe pse ka miratuar sanksione të egra kundër njerëzve që kërcënojnë stabilitetin e Sudanit, përfshirë edhe kriminelët e luftës dhe abuzuesit e të drejtave të njeriut. Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar gjithashtu t’i kërkojnë Këshillit të Sigurimit të OKB-së që të vendosë një embargo armësh kundër Sudanit, një lëvizje që Obama ka hezituar ta bëjë për vite me radhë.

Sanksionet amerikane në Somali kanë gjeneruar pasoja shkatërrimtare dhe të paparashikuara. Ekspertët thonë se, kufizimet mbi paratë e dërguara në Somali kanë frenuar rrjedhën e fondeve për grupet terroristë të al-Shababit, por një raport i vitit 2015 nga Qendra për Zhvillim Global arriti në konkluzionin se, transfertat e ligjshme të parave, nga grupet jofitimprurëse të ndihmës apo drejt të afërmve të varfër, janë kufizuar gjithashtu.

“Një nga burimet më të mëdha të të ardhurave për somalezët janë remitancat”, thotë Elizabeth Rosenberg, drejtuese e programit të energjisë, ekonomisë dhe sigurisë në CNAS. “Nëse mbyll këtë burim të ardhurash për vendin, njerëzit nuk kanë me se të jetojnë”. Megjithatë, kundërshtitë më të mëdha për sanksionet amerikane kanë në qendër ato të imponuara kundër oligarkëve në Rusi dhe separatistëve në Ukrainën Lindore dhe pytja është nëse Europa do të vazhdojë t’i respektojë ato.

Përveç Francës dhe Italisë, janë shfaqur kundërshti të shumta edhe në Gjermani për të hequr sanksionet. Muajin e kaluar, ministri gjerman i Ekonomisë, Sigmar Gabriel, i bëri thirrje Bashkimit Europian që të përpiqet të krijojë kushtet e nevojshme për të eliminuar penalitet brenda verës së këtij viti. Tregtia ndërmjet Moskës dhe Berlinit është ulur me 12 miliardë euro, një e katërta e volumit total ndërmjet viteve 2014-2015, thotë Michael Harms, kreu i Dhomës së Tregtisë ruso-gjermane.

Liderët europianë pritet të vendosin nëse pranojnë të shtyjnë sanksionet e tyre në muajin qershor. Zyrtarët e Thesarit thanë ditën e enjte se besojnë se sanksionet do të mbahen, bazuar në bisedën që Presidenti Obama kishte bërë me disa liderë europiane javën e kaluar. Investimet direkte të huaja në Rusinë kanë rënë nga 69 miliardë dollarë në vitin 2013, në 23 miliardë në vitin 2014, pasi Moska pushtoi Krimenë.

Anders Aslund një ekspert i politikës ekonomike në Këshillin Atlantik, tha se kjo ishte pikërisht ajo që duhet të arrinin sanksionet. “Financa ndërkombëtare në Rusi jenë thelbësore. Nuk ka asnjë mundësi tjetër për të marrë financime të jashtme”, thotë ai. Problemi është që sanksionet kanë patur një impakt tepër negativ edhe për Europën.

Komisioni Europian vlerësoi se, sanksionet e kanë prerë rritjen eknomike të BE-së me 0,3 për qind të GDP-së në vitin 2015, në një kohë kur ekspansioni ekonomik nevojitej dëshpërimisht. Instituti Austriak i Kërkimeve Ekonomike zbuloi se, penalitetet kundër Rusisë mund të kushtojnë rreth 92 miliardë euro nga të ardhurat e eksporteve dhe mbi 2,2 milionë vende pune gjatë viteve të ardhshme. Dhimbja financiare është veçanërisht akute në Gjermani, e cila pritet të humbë plus 400 mijë vende pune vetëm nga sanksionet. Duke shtuar akoma më shumë mërinë e vendeve europiane, raporti i CNAS-it këtë muaj arriti në konkluzionin se sanksionet nuk mund të gjenerojnë efekt domethënës në GDP-në e vendeve të dënuara prej tyre.

“Sanksionet në fakt kanë efekt të fuqishëm mbi investimet e huaja, korrupsionin, lehtësinë e kryerjes së biznesit, qeverisjen dhe masave të tjera të angazhimit të një vendi me komunitetin ndërkombëtar financiar”, thuhet në raport. Kjo është ndoshta arsyeja përse zyrtarët perëndimorë janë duke i rimenduar sanksionet si mjet për t’i bërë presion kundërshtarëve. Në shkurt, nënsekretarja e Mbrojtjes, Christine Wormuth, pranoi se sanksionet deri tani nuk kanë ndryshuar mënyrën se si vepron Rusia dhe ky është një shqetësim i madh. Rosenberg tha se, sanksionet nuk shkaktojnë rënien direkte të GDP-së. Ajo pretendon se nuk ka asnjë mënyrë për të matur efikasitetin e sanksioneve, të cilët kanë dëmtuar edhe ekonominë amerikane gjithashtu, edhe pse ende nuk dihet sa.

 

Sa kushton të shkosh në hapësirë

BBC

Hapësira ka qenë prej kohësh e paarritshme për shumicën e njerëzve. Kanë kaluar më shumë se 60 vjet nga dita kur lëshimi në hapësirë i Sputnik 1 shënoi fillimin e epokës së hapësirës. Që nga ajo ditë, njerëzit kanë ecur në Hënë, roverat robotë kanë shëtitur sipërfaqen marsiane dhe një numër i jashtëzakonshëm sondash hapësire kanë eksploruar botë të reja të sistemit tonë diellor. Sonda e fundit e dërguar për eksplorim ka qenë Pluto. Megjithatë, industria e hapësirës ka qenë gjithmonë e monopolizuar nga qeveritë, pasi vetëm ato i kanë xhepat aq të thellë sa për të financuar projekte kaq të mëdha.

Por gjatë viteve të fundit, kompanitë si SpaceX apo Virgin Galactic, janë përpjekur ta komercializojnë eksplorimin e hapësirës me një shpenzim prej më shumë se 13 miliardë dollarësh gjatë dekadës së fundit. Këta investitorë mund të bëjnë të mundur realizimin e ëndrrave utopike si: pushime në Hënë, miniera hënore apo udhëtime drejt Marsit. Këto janë ëndrra që një ditë edhe njerëzit e zakonshëm do të mund t’i realizojnë dhe të përjetojnë eksperienca jashtë botës që njohim.

Vetëm muajin e fundit, një raport i financuar pjesërisht nga NASA sugjeronte se një bazë e përhershme hënore mund të përfundojë deri në vitin 2030 dhe investitorët privatë do të jenë vendimtarë në realizimin e këtij projekti. Teksa tregu i hapësirës rritet gjithmonë e më shumë dhe bëhet më i hapur ndaj konsumatorëve të përditshëm, a duhet që investitorët e guximshëm të nxitojnë për të kapur yjet?

Chad Anderson mendon se po. Ai është drejtues i përgjithshëm i operacioneve europiane tek “Space Angels Network” një rrjet investimi, i cili lidh investitorët potencialë të hapësirës me industrinë tregtare të hapësirës. “Hapësira është një industri që aktualisht vetëm mund të imagjinohet”, thotë ai dhe kjo të thotë se njerëzit që investojnë në ditët e sotme do të kthehen në novatorë të kësaj epoke, duke i dhënë formë dhe drejtim kësaj industrie të re. “Në vitin 2012, kishim vetëm 20 investitorë të hapësirës, ndërsa tani numri ka arritur deri në 60”, vazhdon Anderson.

“Tani jemi në një epokë të artë të eksplorimit të hapësirës”, thotë Kevin Cook i Fondacionit të Hapësirës, një organizatë jofitimprurëse, e cila ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin në lidhje me të gjithë aspektet e industrisë së hapësirës. Disa sektorë të industrisë së hapësirës janë themeluar mirë që tani. Në fakt mund të themi se jetojmë në një botë që ka arritur ta transformojë hapësirën.

Në ditët e sotme, industria vlen më shumë 300 miliardë dollarë. Pjesa më e madhe e këtyre parave shërben për të ushqyer zhvillimin e satelitëve dhe sondave të ndryshme eksploruese. Kjo është edhe pjesa kryesore e tregut të hapësirës, që investitorët që tani e kanë pikasur si një shans të jashtëzakonshëm biznesi tepër fitimprurës, thotë Anderson.

Por ndërkohë që organizatat përqendrohen në këto tregje më të sigurta, rritja e investimeve private individuale po ndihmon gjithashtu financimin e sipërmarrjeve më të pazakonta të hapësirës, siç është ndërtimi i minierave hapësinore si dhe turizmi ndërplanetar. Anderson i quan ato projekte të “qiellit të zi” dhe thotë se shumica e investitorëve individualë, rreth 80 për qind e tyre, kërkojnë me ngulm që t’i investojnë paratë e tyre aty. Kjo është diçka që individët mund ta bëjnë, sepse ndryshe nga qeveritë dhe kompanitë e mëdha, ata kanë lirinë e nevojshme për të zgjedhuar vetë se ku duhet të investojnë.

Një nga këta investitorë guximtarë është edhe Dylan Tylor. Ai ka blerë një biletë për skajin më të largët të hapësirës në bordin e balonave të lartësisë së madhe, të cilat janë duke u zhvilluar tani në kompaninë World View Enterprises me seli në Arizona. Motivimi i tij është i thjeshtë: “Nuk ka lidhje me fitimin. Unë dua të ndihmoj industrinë, dua ta shoh të zhvillohet çdo ditë e më shumë”, thotë ai. Ndër shumë kompanitë në të cilat Taylor ka investuar ndodhet edhe Golden Spike në Kolorado, kompania e krijuar nga shkencëtari planetar Alan Stern. Qëllimi i tyre është që të krijojnë një shërbim transporti privat dhe tregtar të hapësirës nga Toka në Hënë. “Nëse arrin ta ëndërrosh, atëherë mund të realizohet”, shton Tylor. “Ky projekt do të ndryshojë botën”.

Investime joshëse

Megjithatë, investitorët potencialë duhet të mendohen me kujdes përpara se të investojnë paratë e tyre në sipërmarrjet e “qiellit të zi”. “Janë individët guximtarë, ata që nuk kanë frikë të humbasin vendin e punës, që financojnë projekte vërtet inovative”, shpjegon Jose Mariano Lopez. Lopez shpreson që këta investitorët guximtarë të investojnë në kompaninë e tij në Barcelonë Zero2Infinity, e cila shpreson që, kundrejt pagesës, t’i dërgojë njerëzit në skaj të hapësirës nëpërmjet balonave gjigante të mbushura me helium gjatë viteve të ardhshme.

Tylor dhe të tjerët si ai e krahasojnë epokën e sotme të sipërmarrjeve të “qiellit të zi” me epokën e internetit të fillimit të viteve 1990. Ai e konsideron veten e tij njëlloj me investitorët e parë të kompanive të internetit. “Njerëzit në atë kohë mendonin se ishin të çmendur”, shpjegon Tylor, por kompanitë si Amazon dhe eBay kanë lindur pikërisht në atë periudhë.

Pavarësisht rreziqeve, përfitimet pontenciale të këtyre investimeve janë tepër joshëse, gati të paimagjinueshme. “Unë ndihem si Peter Thiel i ditëve të sotme”, shpjegon Anderson, duke iu referuar sipërmarrësit amerikan, i cili shpiku kompaninë e pagesave online Paypal. “Mënyra më e mirë për të siguruar një kthim të mirë të investimit është të bësh diçka teknikisht 10 herë më të mirë se çdo gjë e ngjashme që ndodhet në treg ose të krijosh diçka tërësisht të re”. Imagjinoni SpaceX, Google apo Facebook, pra krijoni diçka të re në treg dhe nëse ai dilni me sukses, bota do të jetë e juaja.

Në fakt, disa sektorë akoma më ekzotike të industrisë së hapësirës kanë filluar që tani të gjenerojnë të ardhura. Kompania e shfrytëzimit mineral të asteroidëve, Planetary Resources, është duke fituar shuma të mëdha para nëpërmjet kontratave që ka siguruar me kompanitë dhe individët, edhe pse duhet të kalojë ende shumë kohë përpara se kompania të shkojë në një asteroid për ta eksploruar. E themeluar nga Eric Anderson dhe Peter Diamandis, në listën e këshilltarëve të nivelit të lartë të kësaj kompanie ndodhet një ish-astronaut i NASA-s dhe James Cameron, i njohur më mirë si regjizor Avatar, filmi që ka për bazë eksplorimin mineral planetar të Hënës.

Mesazhi i Planetary Resources për investitorët është i thjeshtë: mendohet se në një asteriod ekziston material ekonomikisht i çmuar i mjaftueshëm për të transformuar pasurinë e të gjithë botës. “Është e vështirë të imagjinosh sasinë e jashtëzakonshme të burimeve natyrore që ekziston në sistemin tonë diellor”, thotë Anderson. “Investimet mund të sjellin kthime shumë të mëdha dhe shansin për të mbështetur specien tonë teksa burimet natyrore të Tokës janë duke shteruar”, shton ai.

Premtimi për të dërguar njerëzit në hapësirë është një tjetër zonë interesi për investitorët individualë, edhe pse nuk dihet ende nëse mund të konsiderohet e zgjuar të investosh në turizën hapësinor dhe sipërmarrje të tilla. Këto janë tregje tërësisht të reja. Është e vërtetë se që tani ka rreth 1 mijë individë që kanë paguar biletat për fluturimin drejt hapësirës, por nuk dihet nëse kjo do të jetë e mjaftueshme për të krijuar shërbimin tregtar të transportit hapësinor. “Askush nuk e di nëse ekziston vërtet kërkesa për transport hapësinor”, thotë Anderson. “Nuk e njohim ende potencialin e këtij tregu, por ndoshta kjo është pikërisht ajo që e bën më intrigues”.

Natyrisht si në çdo investim tjetër, ekzistojnë rreziqe. Të ardhurat do të ketë padyshim, por do të ketë edhe humbës. Disa kompani do të dështojnë. Paralelizmi që përshkruan Tylor në lidhje me bumin e internetit në fillim të viteve 1990 është i vërtetë: kompanitë e suksesshme u kthyen në superfuqi, por shumë të tjera dështuan. Investitorët do të duhet të shpresojnë se zgjedhja e tyre do të jetë e duhura.

E ardhmja është ende e paqartë, por Tylor beson fuqimisht se, ekziston një potencial premtues. “Hapësira do të kthehet së shpejti në 10 për qind të të gjithë ekonomisë botërore”, thotë ai. Kjo shifër del nga kombinimi i tregut aktual të testuar të satelitëve hapësinorë, mundësisë së realizimit të projekteve të “qiellit të zi” si dhe nga shumë variablat ende të panjohura dhe të paimagjinueshme që mund të sjellë kjo industri. Prej shumë e shumë kohësh hapësira mund të prekej vetëm nga shkencëtarët dhe inxhinierët. “Sot, mund të shohësh si kjo industri rritet si një biznes i hapur për të gjithë”, thotë Anderson. “Ende nuk i njohim të gjitha mundësitë që mund të shpalosë për ne hapësira”.

Pushime në hapësirë

Nëse jeni lodhur nga pushimet në plazh, shëtitjet me anije, qytetet antike apo hotelet luksoze, ndoshta një udhëtim në hapësirë do tju intrigonte më shumë. Pas një sërë vonesash me pengesash të hasura rrugës, disa prej kompanive kryesore të duket se janë në prag të realizimit të pushimeve në hapësirë. Gjithçka ju nevojitet është para (shumë para), kurajo dhe pak durim. Pyetja tashmë është: cilën kompani të turizmit hapësinor duhet të zgjidhni? Në mungesë të versionit kozmik të Tripadvisor, BBC ka bërë një vlerësim të ofruesve të këtij shërbimi në bazë të kostos, faciliteteve dhe një sërë faktorësh të tjerë.

VIRGIN GALACTIC

Ata thonë se deri më sot vetëm 553 persona kanë shkuar në hapësirë dhe se kompania është gati ta bëjë atë të prekshme për të gjithë pjesën tjetër të botës. SpaceShipTwo e Virgin Galactic pritet të mbajë gjashtë pasagjerë në bord dhe pilotë. Kur anija kozmike të arrijë 15 kilometra lartësi, ajo do të lëshohet si raketë përmes atmosferës në mbi 100 kilometra në hapësirë.

Pasi motorët të fiken, anija kozmike do të lundrojë në trajektore të paracaktuar duke ju ofruar 5 deri në 6 minuta fluturim në mungesë të forcës së gravitetit. Në këtë pikë, do tju lejohet të pluskoni brenda në kabinë dhe të shikoni jashtë hapësirën përmes dritareve gjigante nga ku do të duket edhe Toka. Më pas vjen momenti për t’u rikthyer në tokë dhe fluturimi juaj përfundon.

Anija kozmike e Virgin quhet SpaceShipOne. Në vitin 2004 ky dizajn inovativ fitoi çmimin Ansari X prej 10 milionë dollarësh për fluturime të suksesshme nga anije kozmike të ndërtuara nga sektori privat. Virgin Galactik filloi menjëherë të merrte rezervimet e para nga njerëzit që donin të vizitonin hapësirën dhe fluturimet e para turistike janë premtuar çdo vit që pas vitit 2008, por pa rezultat konkret.

Në tetor të vitit të kaluar, gjatë një fluturimi prove, SpaceShipTwo u rrëzua në Shkretëtirën Mojave, si pasojë e një difekti në sistemin që ndihmon anijen kozmike të ulet. Një nga pilotët humbi jetën. Sipas hetimit të kryer nga Bordi Kombëtar i Mbrojtjes së Transportit të Shteteve të Bashkuara pas incidentit, shkaku rezultoi të ishte një gabim njerëzor dhe se ndihmës piloti e kishte ndezur në mënyrë të parakohshme sistemin e uljes së anijes. Edhe pse anija kozmike është zëvendësuar, incidenti ka bërë që kompania të hezitojë në publikimin e një date të saktë të fluturimit të parë me pasagjerë. Një fluturim në hapësirë me SpaceShipTwo pritet të kushtojë plot 250 mijë dollarë dhe lista e pritjes është shumë e madhe.

XCOR

Kompania ju premton një eksperiencë që do tju ndryshojë jetën. Të lidhur vendin tuaj shumë afër pilotit, fluturimi me anijen kozmike Lynx do të jetë vërtetë një udhëtim i jashtëzakonshëm nga fillimi në fund. Lynx niset nga një pistë aeroporti dhe ngjitet në shpejtësi për të arritur shpejtësi tre herë më të madhe se e zërit. Në 58 kilometra mbi tokë, piloti fik motorin dhe ju pluskoni drejt hapësirës. Pas disa minutash mungese të forcës së gravitetit, avioni rihyn në atmosferë. Teksa ulet duke performuar disa rrathë akrobatikë, do të përjetoni adrenalinën në shpejtësi maksimale përpara se të ngadalësoni për t’u ulur sërisht në pistë. Edhe pse vendi për të pluskuar brenda në kabinë nuk është shumë i kënaqshëm, kompania premton se do të qëndroni ulur në krye të kabinës bashkë me pilotin

Sipas vlerësimeve paraprake, Xcor nuk posedon burimet e Virgin dhe ende nuk ka bërë fluturime prove. Anija kozmike Lynx është ende në ndërtim e sipër në një magazinë të vogël afër Portit Ajror dhe Hapësinor në Mojave të Virgin. Megjithatë, Xcor ka bërë progres të konsiderueshëm gjatë pesë viteve të fundit për të zhvilluar teknologjinë e nevojshme që do të kthejë në realitet fluturimin në hapësirë. Gjatë muajve të ardhshëm, ndoshta edhe vite, anija kozmike do të jetë përfunduar dhe testuar. Vetëm atëherë do të kuptojmë nëse dizajni i kësaj kompanie është i aftë të realizojë fluturimet në hapësirë që do të kushtojnë deri në 150 mijë dollarë.

WORLD VIEW

World View premton se do ta çojë inovacionin në lartësi të reja. I keni parasysh tollumbacët e fryrë që lëshohen të pluskojnë të lirë në hapësirë? World View premton të njëjtën gjë, por me një person të kapur pas tollumbacit. Të ulur rehatisht brenda një kapsule hapësinore sëbashku me pesë pasagjerë të tjerë dhe dy pilotë, ky tollumbac gjigant do t’ju çojë rreth 30 kilometra mbi atmosferën e sipërme.

Të rrethuar nga dritare panoramike, ju do të keni mundësinë të kaloni rreth dy prej tyre duke e parë tokën nga lart teksa pluskoni mbi planet, madje edhe me akses në internet brenda kapsulës, në mënyrë që të postoni foto në kohë reale në Facebook. Të gjithë miqtë tuaj do tju kenë zili. Më pas do të uleni sërisht në tokë me një ulje relativisht të ulët. Në bord keni edhe një parashutë në rast se gjërat shkojnë keq.

World View ka një eksperiencë të gjatë eksperimentesh të fluturimeve në hapësirë. Teknologjia e balonave të lartësisë së madhe është në fakt e vërtetuar, pa përdorimin e raketave në bord dhe kjo mund të jetë një eksperiencë më joshëse për ata që kërkojnë një udhëtim më të ngadaltë dhe të qetë.

Nëse doni patjetër të ndiheni si astronaut, atëherë duhet të vlerësoni mirë lartësinë që ofron secila kompani. Ka shumë argumente për lartësinë që duhet të kalosh për të hyrë në hapësirë, por 100 kilometra mbi tokë është kufiri i pranuar gjërësisht nga shkencëtarët dhe shumica e kompanive po përpiqen të arrijnë pikërisht këtë lartësi. Me balonën gjigante do të përjetoni një pamje spektakolare të tokës, por nuk do të përjetoni mungesën e forcës së gravitetit. Udhëtimi kushton 75 mijë dollarë dhe premton një eksperiencë të jashtëzakonshme, por jo hapësirën e vërtetë.

SPACE ADVENTURES

Kompania synon të hapë kufirin e hapësirës për të gjithë qytetarët privatë. Space Adventurers premton opsione nga më të ndryshmet, që nga mungesa e gravitetit në bord, fluturimet parabolike suborbitale e deri tek udhëtimet në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor. Qëllimi më ambicioz dhe i jashtëzakonshëm që po i jep agjensisë më shumë para nga qytetarët kuriozë është mundësia për të vizituar Hënën.

Pas një trajnimi disa mujor do të niseni nga porti hapësinor rus në Baikonur të Kazakistanit me raketën Soyuz. Kozmonautët profesionistë do ju dërgojnë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor ku do të kaloni plot 10 ditë. Ndërkohë, një anije e dytë kozmike më e përshtatshme për udhëtimet hënore do të lëshohet drejt hapësirës. Duke u shkëputur nga Stacioni, Soyuz do të bashkohet me anijen e modulit hënor për të formuar një anije më të madhe kozmike, duke i bërë kështu gjashtë ditët e mbetura të udhëtimit tuaj më të rehatshme.

Kur të jenë kontrolluar të gjithë sistemet, komandanti në bord do të ndezë motorët dhe do tju çojë jashtë orbitës së Tokës për t’u afruar në trajektoren përreth Hënës. Nuk do të keni mundësi të hyni në orbitën e Hënës dhe as të zbrisni nga anija, por do të shikoni një pamje që qeniet njerëzore nuk e kanë parë që në vitin 1972. Natyrisht një eksperiencë e tillë është jashtëzakonisht e kushtueshme, të paktën 50 milionë dollarë dhe vetëm miliarderët kanë patur mundësi të aplikojnë.