24.5 C
Tirana
E shtunë, 3 Maj, 2025

Mesazhi i Donald Trump

Joseph S. Nye, Jr.
Avantazhi i Donald Trump në garën për nominimin nga Partia Republikane si kandidat për president në nëntor ka shkaktuar lemerisje. Estabilishmenti republikan ka frikë se ai nuk do të jetë në gjendje të mposhtë Hillary Clinton, e cila ka gjasa do të jetë kandidatja demokrate. Por disa vëzhgues shqetësohen më shumë nga rreziku që Trump të bëhet me të vërtetë president. Disa madje e shohin Trump edhe si një lloj Mussolini amerikan.
Gjithsesi, pavarësisht problemeve që ka, Shtetet e Bashkuara nuk janë sot siç qe Italia më 1922. Kontrollet dhe balancimet institucionale të Kushtetutës, bashkë me një sistem ligjor të pavarur, ka gjasa që do ta përmbajnë një figurë spektaklesh televizive. Rreziku i vërtetë nuk është që Trump të bëjë atë që thotë se do të bëjë nëse mbërrin te Shtëpia e Bardhë, por dëmi që ai do të shkaktojë me atë që thotë në përpjekje për të mbërritur atje.
Udhëheqësit gjykohen jo vetëm për efikasitetin e vendimeve të tyre, por edhe të kuptuarit që ata krijojnë dhe ia mësojnë ndjekësve të tyre. Shumica e udhëheqësve fitojnë mbështetje, duke joshur identitetin dhe solidaritetin ekzistues të grupeve që përfaqësojnë. Por udhëheqësit e mëdhenj i edukojnë ndjekësit e tyre mbi botën përtej grupit të vogël.
Pas Luftës së Dytë Botërore, gjatë së cilës Gjermania pati pushtuar Francën për herë të tretë brenda 70 vjetësh, udhëheqësi francez Jean Monnet vendosi që hakmarrja mbi Gjermaninë e mposhtur do të prodhonte edhe një tragjedi më tepër. Në vend të kësaj, ai shpiku një plan për zhvillimin gradual të institucioneve që më pas evoluan në atë që sot e njohim si Bashkimi Europian, gjë që ndihmoi për ta bërë një luftë tjetër mes dy vendeve efektivisht të paimagjinueshme.
Ose, që të marrim një shembull tjetër të udhëheqësisë së lavdishme, Nelson Mandela lehtësisht mund të kishte zgjedhur të përcaktonte grupin e tij si afrikanojugorët me ngjyrë që kërkonin hakmarrje për padrejtësitë e Apartejdit që patën zgjatur për shumë dekada si dhe për vetë burgosjen e tij. Në vend të kësaj, ai punoi në mënyrë të palodhur për ta zgjeruar identitetin e ndjekësve të tij, si përmes fjalimeve që mbante ashtu edhe përmes veprave që bëri.
Në një veprim të famshëm simbolik, ai u shfaq në një ndeshje regbi, duke veshur bluzë të South African Springboks, një skuadër që më herët qe bërë simbol i supermacisë së bardhë të Afrikës së Jugut. Krahaso përpjekjet e Mandelës për t’i mësuar ndjekësve të tyre një identitet më të gjerë, me atë përqasjen e ngushtë të Robert Mugabe në Zimbabven fqinje. Ndryshe nga Mandela, Mugabe përdori armiqësitë e epokës koloniale për të krijuar mbështetje dhe tashmë po bazohet te dhuna për të mbetur në pushtet.
Në SHBA sot, ndërsa ekonomia po rritet dhe norma e papunësisë është në pikën e ulët prej 4.9 për qind, shumë ndjehen të përjashtuar nga mirëqenia e vendit. Shumë akuzojnë pabarazinë në rritje përgjatë dekadave të fundit, akuzojnë të huajt, më shumë se sa teknologjinë dhe rrjedhimisht është e lehtë të gruposh kundërshti si ndaj migrimit ashtu edhe ndaj globalizimit. Përveç populizmit ekonomik, një minoritet domethënës i popullsisë ndjehet gjithashtu e kërcënuar nga ndryshimet kulturore të lidhura me racën, kulturën, etninë, megjithëse shumica e këtyre gjërave nuk janë ekzaktësisht fenomene të reja.
Presidenti i ardhshëm do të duhet të edukojë amerikanët për mënyrën se si duhet të trajtojnë procesin e globalizimit, të cilin shumë e konsiderojnë si kërcënues. Identitetet kombëtare janë bashkësi imagjinare në kuptimin që shumë pak njerëz kanë eksperienca të drejtpërdrejta me anëtarët e tjerë. Përgjatë një apo dy shekujve të fundit, shteti-komb ka qenë bashkësia imagjinare për të cilën njerëzit janë të gatshëm të vdesin, ndërsa shumica e udhëheqësve e kanë parë si detyrim primar të jenë nacionalë. Kjo është e pashmangshme, por penguese në një botë që po globalizohet.
Në një botë globalizimi, shumë njerëz i përkasin një numri më të madh bashkësish imagjinare – vendore, rajonale, kombëtare, kozmopolitane, – bashkësi që janë rrethe të mbivendosura dhe që ushqehen nga interneti dhe udhëtimet e pakushtueshme. Diasporat janë tashmë të lidhur përtej kufijve kombëtarë. Grupimet e profesionistëve si avokatët kanë standarde transnacionale. Grupimet e aktivistëve nga mjedisorët te terroristët kanë gjithashtu lidhje përtej kufijve. Sovraniteti nuk është më aq absolut sa qe dikur.
Ish-Presidenti Bill Clinton tha se, ai kishte brerje ndërgjegjeje për faktin, që nuk iu përgjigj siç duhet gjenocidit në Ruanda më 1994, megjithëse ai nuk qe i vetmi. Nëse Clinton do të përpiqej të dërgonte trupa amerikane, ai do të qe përballur me rezistencë të ashpër nga Kongresi. Udhëheqësit e mirë sot shpesh kapen mes prirjeve kozmopolitane dhe detyrimeve të tyre më tradicionale ndaj njerëzve që i zgjedhin ata – siç zbuloi Kancelarja e Gjermanisë
Angela Merkel në veprimet e saj prej udhëheqëseje të guximshme përballë krizës së refugjatëve verën e kaluar.
Në një botë ku popujt janë organizuar para së gjithash në bashkësi kombëtare, një ideal i pastër kozmopolitan është jorealist. Ne e shohim këtë në rezistencën e gjithëpërhapur ndaj pranimit të migrimit. Që një udhëheqës të thotë se është e detyrueshme që të ardhurat të barazohen në të gjithë botën, ky nuk është një detyrim i besueshëm, por që të thuash se duhet të bëhet më shumë për të reduktuar varfërinë dhe sëmundjet, duke ndihmuar ata që janë në nevojë, kjo mund të ndihmojë në edukimin e ndjekësve të tyre.
Fjalët kanë rëndësi. Siç e tha filozofi Kwame Anthony Appiah, “Të mos vrasësh është një urdhëresë hyjnore e bardhë mbi të zezë. Ndërsa të ‘respektosh babain dhe nënën’, pranon edhe shkallë”. E njëjta gjë është e vërtetë për çështjen e kozmopolitanizmit përballë izolimit.
Ndërsa bota sheh kandidatin për president të SHBA-së, duke luftuar me çështje të proteksionizmit, migrimit, shëndetit botërore publik, ndryshimet klimaterike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, ne duhet të shtrojmë pyetjen se cilave prej identiteteve amerikane po i drejtohet ai dhe nëse ai po i edukon ndjekësit për çështje më të gjera se kaq. A po e zgjerojnë ato ndjenjën amerikane për identitet sa më shumë të jetë e mundshme apo thjeshtë po joshin interesat e tyre më të ngushta?
Propozimi i Trump për të ndaluar myslimanët nga hyrja në SHBA dhe kërkesat e tij që Meksika të paguajë për ndërtimin e një muri për ndalimin e migrimit ka pak gjasa që të kalojnë kufizimet kushtetuse apo limitet e pushtetit që ka një president i zgjedhur. Gjithsesi, shumë nga propozimet e tij nuk janë politika të dizenjuara për t’u zbatuar, por slogane të farkëtuara për të joshur një ndjesi populiste vetëizoluese mes disa segmenteve të popullsisë.
Duke parë këtë mungesë të një thelbi të fuqishëm ideologjik dhe aftësinë e tij në ushtrimin e “artit të pazarit”, Trump mund të kthehet edhe në një president pragmatik, pavarësisht narcizizmit të tij të famshëm. Por udhëheqësit e mirë janë ata që na ndihmojnë ne të mësojmë se cilët jemi. Në këtë drejtim, Trump sakaq ka dështuar.

Gara është vetëm në gjysmën e saj

Megjithëse zgjedhjet e fundit presidenciale brenda partive janë në qershor, gara për kandidim është tashmë pothuajse në gjysmën e saj. Pas votimeve të martën në Miçigan, Misisipi, Ajdaho dhe Havai, 23 nga 50 shtetet e kanë bërë zgjedhjen e tyre për kandidatin republikan dhe 21 për atë demokrat.
Një grup me peshë prej pesë shtetesh i mbajnë votimet të martën e ardhshme, me 15 mars. Fituesi republikan në Florida atë ditë, siguron të 99 delegatët e këtij shteti për në konventën e partisë, fituesi i Ohajos siguron të 66 delegatët e saj dhe shumica e 69 delegatëve në Ilinoi shkojnë gjithashtu në favor të fituesit.
Fushata e Senatorit nga Florida Marco Rubio, i ka varur pothuajse të gjitha shpresat tek perspektiva e fitores në shtetin e tij, por duke pasur parasysh paraqitjen e tij të dobët në disa gara radhaz, edhe një fitore e tillë mund të jetë e pamjaftueshme. E njëjta situatë është edhe për guvernatoriin e Ohajos, John Kasich në shtetin e tij.
Pas votimeve të së martës, biznesmeni Donald Trump kishte siguruar rreth 450 delegatë, krahasuar me 350 që ka siguruar senatori i Teksasit Ted Cruz. Objektivi i tyre është të arrijnë 1,237 që të sigurojnë shumicën dhe kandidimin republikan.
Demokratët që prej më shumë se një muaji kanë vetëm dy kandidatë dhe ish-Sekretarja e Shtetit Hillary Clinton kryeson përsa i takon numrit të delegatëve ndaj Senatorit Bernie Sanders. Ajo ka siguruar mbi gjysmën e 2,383 delegatëve të nevojshëm për t’u bërë kandidatja , ndërsa senatori Sanders ka rreth një të katërten e asaj shifre.
Sipas një sondazhi të bërë publik sot, zonja Clinton kryeson ndaj zotit Sanders mes votuesve të mundshëm të Floridës 62-32 për qind. Epërisa e saj është veçanërisht e theksuar mes votueseve femra, mes së cilave 69 për qind thonë se do ta mbështesin atë, në krahasim me 24 për qind që thonë se do të votojnë për Sanders.

Historia e drogës që turpëroi Sharapovën

Droga e pazakontë, e zbuluar në organizimin e tenistes së njohur ruse, Maria Sharapova, gjatë një testimi anti-doping, dikur është promovuar nga prodhuesi letonez i saj si element i përdorshëm farmaceutik nga lojtarët rusë dhe letonezë të hokejit.
Kirovs Lipmans, pronar dhe kryetar i fabrikës letoneze të ilaçeve, Grindeks, i ka thënë portalit letonz Delfi.lv në vitin 2011 se meldoniumi, një substancë e ndaluar, por që Sharapova ka pranuar se e ka marrë, “ka qenë shumë i famshëm në mesin e atletëve”.
“E di se ekipi kombëtar i Rusisë në hokej as që vjen në kampe të trajnimit pa meldonium, e mos të flas për ekipin kombëtar të Letonisë”, ka thënë Lipmans, i cili ka shërbyer si president i Federatës letoneze të Hokejit në Akull, qysh në vitin 1998.
Në intervistën dhënë në prill të vitit 2011, ai po ashtu ka thënë se “atletët janë duke folur për mundësinë e përdorimit të meldoniumit në të gjitha llojet e sporteve” dhe se një testim i bërë në Gjermani ka përcaktuar se ai “padyshim” nuk është një substancë që rrit performancën.
“Mendoj se në vitet e ardhshme, do të bëhet një drogë shumë e popullarizuar në mesin e atletëve”, ka thënë Lipmans.
Këto komente duken profetike, pasi disa atletë, përfshirë së paku katër nga Rusia dhe dy nga Ukraina, kanë dalë pozitivë ndaj meldoniumit, i cili është ndaluar nga Agjencia Botërore Anti-Doping, më 1 janar.
Asnjëri prej tyre nuk ka tërhequr vëmendjen ashtu si Sharapova, e cila, më 7 mars, ka bërë të ditur se ka rënë në testin e drogës. Njoftimi ka bërë që tre sponsorë të saj të mëdhenj: gjiganti i veshjeve sportive Nike, kompania zvicerane e orëve Tag Heuer dhe kompania gjermane e makinave Porsche, të ndërpresin marrëdhëniet me tenisten numër 7 në botë.
Sharapova, e cila mund të ndalohet të luajë tenis për katër vjet, ka thënë se mjeku i saj i ka përshkruar meldonium për më shumë se dhjetë vjet, sepse ajo “është sëmurë shumë shpesh”, ka pasur “mungesë të magneziumit” si dhe histori familjare me diabet.
Kompania farmaceutike Grindeks thotë se, meldoniumi është bërë për të trajtuar njerëzit me sëmundje kronike të zemrës dhe qarkullimit të gjakut dhe njerëzit që vuajnë nga kapacitete të reduktuara të punës dhe nga mbingarkesa fizike dhe psiko-emocionale.
Droga, e cila nuk është miratuar nga Administrata e Ushqimit dhe e Barnave në Shtetet e Bashkuara, është zhvilluar fillimisht në ish-Bashkimin Sovjetik për të ndihmuar ushtarët gjatë pushtimit sovjetik të Afganistanit, ka shkruar një gazetë letoneze në vitin 2009.
Kompania farmaceutrike Grindeks i ka thënë agjencisë “Associated Press” këtë javë se meldoniumi mund të ofrojë “përmirësim të kapacitetetit të punës së njerëzve të shëndoshë, me mbingarkesa fizike dhe mendore, si dhe gjatë periudhës së rehabilitimit”. Por, kompania ka thënë se beson se substanca nuk rrit dhe nuk pengon performancën sportive.
“Do të ishte e arsyeshme të rekomandohet si mbrojtës i qelizave, për të shmangur dështimin e zemrës ose dëmtimet e muskujve në rast të mbingarkesës së padëshiruar”, ka cituar “AP” kompaninë farmaceutike Grindeks.

Deputetja Hafizi: Ndjehem e rrezikuar nga dhuna e Ramës

Incidenti me Ben Blushin në Elbasan e ka frikësuar deputeten Mimoza Hafizi, aq sa thotë se do ta mendojë pjesëmarrjen e saj në aktivitetet publike të Partisë Socialiste, nëse kryetari Rama nuk kërkon ndjesë për skenat e dhunës ndaj deputetit Blushi. Deputetja Hafizi, e radhitur si një mbështetëse e fortë e Ben Blushit, veçanërisht në kauzën e tij për t’u mbajtur zgjedhje për kryetarin në PS, ka qenë mjaft kritike në fjalën që ka mbajtur këtë të mërkurë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste. “Unë miqtë e mi, pas incidentit të Elbasanit dhe skenave të ditës së hënë në Tiranë, ju them sinqerisht se ndjehem e rrezikuar, për veten apo kolegët e mi që po ndjekin këtë kauzë. Dhe kjo më trishton pa masë. Këtë nuk ia fal mikut tim, kryetarit të Partisë Socialiste. Pas mbi një dekade që bashkëpunojmë, pas viteve të tëra që e kam ndjekur me shpresë se do të sjellim bashkë në këtë vend më shumë begati, siguri e liri, nuk ia fal që erdhi dita të kem frikë se unë apo njëri nga kolegët e mi do të cenohet fizikisht për arsyen e thjeshtë se nuk jemi dakord me të. Unë prita prej tij ndjesë për skenat e dhunës së ditëve të fundit. Do të vazhdoj të pres. Përndryshe, unë e kam të pamundur të jem pjesë e aktiviteteve të tij publike”, është shprehur Hafizi. Deputetja ka vënë më tej në dukje se statuti i partisë është shkelur prej vitesh dhe se kolegët e saj si Arta Dade, Ben Blushi e “kritikë” të tjerë të Ramës, i kanë shprehur këto shqetësime edhe më parë. “Më vjen keq që kryetari sot e mohoi këtë fakt në fjalën e tij”, tha Hafizi.

Skandali/Ahmetaj, filmohet në Ohër me kinezët, duan 360 milionë euro për Koçon me Rrugën e Arbrit

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtise dhe Sipermarrjes, Arben Ahmetaj, duke folur gjate nje konference te perbashket shtypi, ku eshte arritur marreveshja me FMN dhe Banken Boterore, per nje marreveshje prej rreth 1 miliard dollaresh per tre vjet, e ndare ne 300-350 milione dollare cdo vit.

Projekti i “Rrugës së Arbërit” është bërë nga një studio shqiptare mbi 10 vite më parë.

Deri më tani janë ndërtuar gjatë qeverisë Berisha 37 km. Ka mbetur pa ndërtuar segmenti më i vështirë i saj 26,8 km, me gjerësi 7,5 m, një tunel 2,6 km në Murriz (i ngjashëm me një nga tunelet e Krrabës), një tunel 560 m në Gurin e Bardhë dhe disa ura. Kostoja e këtij segmenti sipas ekspertëve duhet të jetë nga 80 deri 100 milionë euro. “Bechtel” ka ofruar ta ndërtojë këtë segment për 120 milionë euro, por Edi Rama i ka dhënë urdhër Edmond Haxhinastos, që të mos e lejojë në asnjë mënyrë më në Shqipëri “Bechtel”-in.
Pa hyrë në vlerësime për cilësinë shumë të diskutueshme të vetë projektit, pa asnjë studim gjeologjik dhe socio-ekonomik, po ju bëjmë me dije përpjekjet e Edi Ramës, se përse i përfshiu kinezët në këtë projekt, që shumë mirë mund të vazhdonte ta bënte edhe 26 km e mbetura me fondet e buxhetit të shtetit, si dhe segmentet e ndërtuara deri më tani.
Me ardhjen në pushtet në takimin e parë që Edi Rama pati me kompaninë kineze “CSCEC” (http://english.cscec.com/) dhe në prezencë të diplomatëve kinezë, ju prezantoi deputetin Koço Kokëdhima dhe ju tha shprehimisht kinezëve: “Ky jam unë”. Natyrisht “socialisti” Koço nuk e pati fare problem që të bënte një ujdi të shpejtë nënkontraktimi me kinezët, duke bërë nënkontraktor të tyre biznesmenin D.T. Qëllimi i dhënies “me koncesion” dhe paraqitja si një ofertë e pakërkuar u bë thjesht që të mos bënin transparent koston e ndërtimit.
Pasi Koço ra në ujdi me kinezët e “CSCEC” (me dorëzani të Ramës) i vuri pa vështirësi në rreshtore ministrat e Transportit e të Ekonomisë dhe u mundua të neutralizojë ish-ministrin Cani me kërcënime “shkarkimi” në gazetën e tij “Shekulli”.
Po ku qëndron problemi më serioz me “Rrugën e Arbërit”?
Qëndron tek formula “inovative” e financimit (e vjedhjes) “Koncesion me garanci trafiku”. Që do të thotë që “nëse në ‘Rrugën e Arbërit’ nuk kalojnë X numër makinash në vit, qeveria shqiptare do të paguajë diferencën e trafikut të munguar”. Sipas standardeve europiane, në një rrugë me 2 korsi prej 27 km (ndërtuar me kosto mesatare) do të duhen të kalojnë 7’000 makina në ditë, që ajo të jetë rentabël. Sa makina mendoni që mund të kalojnë në “Rrugën e Arbërit”? Në “Rrugën e Kombit” kalojnë rreth 4’000 makina në ditë. Pra, nuk do shumë përllogaritje të kuptohet që “Garancia e Trafikut”, që do të garantojë të paguajë qeveria shqiptare është thjesht një “Këst kredie i fshehtë”.
Atëherë përse qeveria shqiptare vazhdon të zbatojë një skemë vjedhjeje?
Pse nuk ndiqet procedurë tenderimi për ndërtimin e 2 segmenteve të “Rrugës së Arbërit”, derisa kjo është një kredi e pastër, që do të paguhet nga taksapaguesit shqiptarë?
Nëse thonë që është një propozim kinez i pakërkuar, gënjejnë. Ky është projekt i qeverisë shqiptare.
Nëse thonë se firma “CSCEC” e financon vetë, gënjejnë. Gjithë investimet kineze me kredi të buta në 16 vendet e Europës Qendrore e Lindore i financon China Exim Bank (http://english.eximbank.gov.cn/en/), që jua jep qeverive me kusht që përfitues të jenë firma kineze. Në çdo vend që kjo bankë ka financuar të tilla projekte, ato kanë kaluar në procese tenderimi nga qeveritë respektive. Evitimi nga qeveria shqiptare i procedurave të tenderimit bëhet me të vetmin qëllim, që të mos ketë transparencë për koston e fryrë të ndërtimit të rrugës, që sipas ofertës së firmës kineze (që përfshin kostot e larta të nënkontraktorit të Kokëdhimës) është 360 milionë euro për një distancë rruge 26 km, aq sa nga Tirana në Dajt!!! Kjo rrugë s’mund të kushtojë kurrsesi më shumë se 100 milionë euro (përfshi bakshishet standarde).
Të gjitha veprimet e deritanishme të qeverisë shqiptare kanë kulmuar me ligjin për një procedurë të veçantë për negociimin dhe lidhjen e kontratës, me objekt ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e “Rrugës së Arbërit”, ndërmjet shtetit shqiptar dhe kompanisë kineze “China State Construction Company”.
Kjo nuk është aspak transparente
Me këtë ligj qeveria do të mbulojnë një kredi të fshehtë, që po merr nga Exim Bank, që sipas gjithë gjasave do të përfundojë në pjesën më të madhe në xhepat e Kokëdhimës dhe në dëmin tonë si shtetas. Kjo do të rrënojë edhe më tepër krizën ekonomike të Shqipërisë. Prandaj ne si qytetarë kemi të drejtë të informohemi dhe të bëhet çdo gjë transparente dhe sipas Ligjit “Për Prokurimin Publik” dhe të mos stisen ligje për të përligjur veprime të paligjshme.
Pra, sipas gjithë gjasave ky është prologu i një vjedhjeje tjetër “në emër të kombit”, vjedhje e financimeve kineze të “Rrugës së Arbërit” me ekzekutor primar tutorin e Edi Ramës – Koço Kokëdhimën.
Nga veprimtaria e deritanishme e kësaj qeverie, ku nuk ka asnjë investim serioz në ekonomi, bile nuk ka asnjë projekt serioz ose vizion ekonomik (përveç palmave 6’000 euroshe), po shohim vetëm skema vjedhje të llojeve të ndryshme me ekzekutorë të ndryshëm, që kanë emër dhe mbiemër:
Vjedhja klasike, për ditën me diell, e naftës dhe e rentave minerare nëpërmjet “Albpetrol”-it, drejtuar de facto nga kryeekzekutori socialist i vjedhjeve Koço Kokëdhima (me lejen e Edi Ramës);
Vjedhja me tenderin e “check up”, që de facto përfitues pas figurantes Vilma Nushi është ish-ortaku i saj, Arben Ahmetaj (ekzekutori numër 2 socialist i vjedhjeve);
Vjedhjet konstante në shëndetësi nga Ilir Beqaj (ekzekutori numër 3 socialist i vjedhjeve);
Tentativa e vjedhjes se 500 ha në Spitallë dhe e koncesionit të TVSH-së nga Olsi Rama;
Tentativa e vjedhjes me “Rrugën e Arbërit” me kryeekzekutor Koço Kokëdhima, etj.
Kina heton Ramën për aferën korruptive të Rrugës së Arbrit
Në shtator 2015 China Exim Bank e refuzoi përfundimisht financimin e “Rrugës së Arbërit”, pasi e klasifikoi si një projekt superkorruptiv dhe me kosto shumë të fryra. Këtë vendim të Exim Bank e amplifikoi edhe takimi sekret i ministrit Arben Ahmetaj (ekzekutorit të punëve të pista të qeverisë Rama), biznesmenit D.T. (ortaku i Koço Kokëdhimës) dhe përfaqësuesve të “CSCEC” dhe Exim Bank në Ohër të Maqedonisë, ku shërbime të specializuara i filmuan me zë e figurë në tentativë për të korruptuar zyrtarët kinezë. Koço nuk vajti se nuk di asnjë gjuhë të huaj, megjithëse e shoqja tani ka filluar kinezçen me qëllim që Koço të flasë direkt pa ndërmjetësa me kinezët.
Duke humbur mbështetjen e bankave kineze, “CSCEC” dorëzoi në fund të tetorit një propozim me kosto edhe më të fryrë se më parë, pasi mendon ta vetëfinancojë. Në këtë rast sipas rregullave të shtetit kinez, ndërmarrjet shtetërore kineze nuk lejohet të bëjnë asnjë financim me paratë e tyre, nëse nuk sigurojnë një IRR mbi 13%. Që domethënë se “CSCEC” duhet ta vetëshlyejë (plus fitimin) “Rrugën e Arbërit” brenda 8 vitesh. Kjo e ka bërë të papërballueshme këtë ofertë për qeverinë shqiptare.
Për zgjidhjen e këtij ngërçi, në mesin e janarit 2016, kumbari dhe nënkontraktori kryesor i “Rrugës së Arbërit”, ai që i ka fryrë realisht kostot e saj, Koço Kokëdhima vizitoi kompaninë kineze në Pekin, por nuk arriti dot kompromis me kinezët. Të dy palët: qeveria shqiptare dhe “CSCEC” po bëjnë lojë nervash dhe pazare me njëri-tjetrin, të cilat sigurisht mund t’i paguajnë shumë shtrenjtë shqiptarët.
Këto tregojnë që qeveria Rama nuk është një qeveri ndryshe dhe nuk ka asnjë program ekonomik, por është një “qeveri e vjedhjeve publike”. Natyrisht Rama është i mirënjohur për korrupsionin 10-vjeçar në Bashkinë e Tiranës dhe përfitimet nga lejet e ndërtimit, betonizimin e Tiranës, etj. Por sa më sipër janë fakte të forta që tregojnë që Edi Rama nuk ka ndryshuar. Ai ende nuk është ngopur së vjedhuri, por po vazhdon të vjedhë në një nivel edhe më të lartë me anën e ekzekutorëve të tij të vjedhjeve. Dhe fotografia më e saktë e vjedhjeve të tij janë vetë kostumet e tij “Brioni su misura”, nga 20 mijë euro, që i ndërron çdo ditë.
Pra, kultura politike në Shqipëri mbetet ajo e plaçkitjes së çdo gjëje dhe e vazhdimit të rrënimit ekonomik dhe moral të vendit. Shembulli i radhës – “Rruga e Arbërit” po dështon prej tamaqarllëkut të Koço Kokëdhimës dhe metodologjisë korruptive të Edi Ramës.
Nga burime diplomatike mësojmë se diplomatë të lartë kinezë kanë njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë, se Kina ka nisur një hetim për korrupsion për “Rrugën e Arbërit”. Që në realitet do të thotë, që Shqipëria është në listën e zezë të Kinës për nivelin e lartë të korrupsionit. Ajo është kapur në tentativë për të vjedhur fondet kineze dhe vështirë se mund të përfitojë financime nga Kina, ndërkohë që të gjitha vendet e rajonit kanë përfituar me qindra milionë euro investime kineze. Qeveria shqiptare po e fsheh këtë fakt.

Rama-ambasadorit: Do e heq Ndokën, por thuaj Berishës të mos e shajë

Çmenduria.
Ish-Kryeministri Berisha ka bërë publike një takim me një ambassador të cilit nuk i ka përmendur emrin. Ai tha në Parlament se ambasadori pasi kishte takuar Ramën I kishte kërkuar që të mos ia përmendte emrin deputetit trafikant, Arben Ndoka. Ambasadori kishte sqaruar në takimin me Berishën se kjo ishte kërkesa e Ramës për largimin e Arben Ndokës nga Parlamenti. “Do ta heq Arben Ndokën nga Parlamenti, por thuaj Berishës të mos e shajë” I kishte thënë Rama ambasadorit në rolin e avokatit mbrojtës të deputetëve me të shkuar kriminale.

Bizneset në mosmarrëveshje me tatimet dhe doganat

Mosmarrëveshjet ndërmjet institucioneve të administratës publike dhe biznesit mbartin kosto të konsiderueshme për palët dhe njëkohësisht sjellin pasiguri dhe mosbesim për investime të mëtejshme si tek bizneset vendase ashtu edhe ato të huaja. Për këtë arsye, zgjidhja e shpejtë, efektive dhe e drejtë e këtyre mosmarrëveshjeve mbetet domosdoshmëri për nxitjen e investimeve në vend sugjeron Këshilli i investimeve në raportin për Përmirësimin e mekanizmave të zgjidhjes së mosmarrëveshjes midis biznesit dhe Administratës Publike. Nga anketimet e Këshillit të investimeve ka rezultuar se biznesi është i shqetësuar se “institucionet buxhetore dhe stafi i punësuar në to, shpesh injoron apo nuk njeh ligjet e funksionimit te tyre, rregullat dhe ndërmerr vendime arbitrare dhe jokoherente me ligjet në fuqi”. Nga të dhënat rezultoi se mbi 75% e numrit total të regjistruar të ankimimeve administrative të biznesit në Gjykatat Administrative, lidhen me tatimet, doganat, inspektimet dhe prokurimet publike. Nisur nga këto rezultate, Sekretariati ka trajtuar në veçanti funksionimin e sistemeve të ankimimit/apelimit kryesisht në institucionet e mësipërme. Referuar të dhënave institucionale, rezulton se vetëm në pak raste organet e administratës i japin të drejtë bizneseve pas shqyrtimit të ankimimeve administrative të tyre. Konkretisht, Drejtoria e Apelimit Tatimor (DAT) vetëm në 4% të rasteve, në Dogana nërreth 2% të rasteve, inspektoriatet Shtetërore në një masë nga 0% deri në 40% të rasteve. Ndërsa, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) ofron një tjetër panoramë, vendimet në favor të bizneseve në raport me numrin e çështjeve të shqyrtuara janë rreth 40% gjatë vitit 2014 dhe 50% gjatë vitit 2015. Në shumicën e rasteve, pas shqyrtimit të brendshëm administrativ, palët i drejtohen Gjykatave Administrative për zgjidhjen përfundimtare të mosmarrëveshjeve. Nga ana tjetër, Ajykatat Administrative janë në pamundësi objektive për të shqyrtuar çështjet brenda afateve ligjore, po të konsiderohet numri i lartë i çëshjeve të regjistruara përpara tyre dhe numri i kufizuar i gjyqtarëve. Vetëm në Gjykatën Administrative të Apelit janë të mbartura në total rreth 12,000 çështje që pritet të gjykohen nga 7 gjyqtarë. Vonesat shkaktohen nga objekti i gjerë i mosmarrëveshjeve administrative që shqyrtohen përpara këtyre gjykatave, ku rreth 50% e çështjeve administrative nuk kanë lidhje direkt me bizneset, thuhet në raport. Për pasojë, këto gjykata nuk po i përgjigjen në kohë kërkesave të biznesit dhe dinamikës së problematikave të këtij të fundit.

Rënie historike e nivelit të kredisë, 2.6 miliardë më pak

Huaja për ekonominë ka shënuar një tjetër rënie në dhjetor të 2015-ës, duke zbritur në 546.5 miliardë lekë, rreth 2.6 miliardë lekë më pak në raport me muajin e mëparshëm. Tkurrja ka vijuar dhe në janar, me minus 3.7 miliardë lekë (Banka e Shqipërisë ka raportuar të dy muajt bashkë janar-dhjetor) .
2015-ta ka qenë një vit tepër i dobët për kreditimin e bizneseve dhe individëve. Huaja ka rënë me bazë mujore për 8 muaj të vitit, si rrjedhojë e disa faktorëve:
-Së pari, si rrjedhojë e mungesës së kërkesës nga biznesi, që ka shtyrë planet për investime nga konsumi i ulët si dhe pasiguria e krijuar nga ndryshimet e shpeshta ligjore e presionit të aksionit anti-informalitet.
-Së dyti, edhe vetë bankat kanë qenë të kujdesshme, pas rritjes së lartë të kredive të pakthyera në afat dhe nuk kanë lehtësuar standardet e kredisë, sidomos për bizneset, ndërsa kanë qenë më të prirura të kreditojnë indivitët, që kanë dhe nivel më të ulët huash të këqija.
-Së treti, sistemi bankar është përfshirë në 2015-ën në një proces ristrukturimi dhe fshirjesh të huave, që kanë ndikuar në stokun total. Huatë e humbura ranë nga 66 miliardë lekë në fund të 2014-ën në rreth 52 miliardë lekë në dhjetor 2015.
Me bazë vjetore huaja për ekonominë ka rënë me 2.4% në 2015-ën. Kjo është rënia më e lartë historike e stokut të kredisë, që nga viti 1998, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat. Pas ritmeve të larta të rritjes deri në 2008-ën, huaja për ekonominë filloi të reduktohej ndjeshëm pas krizës globale të atij viti, teksa bankat filluan të përballen me pasojat e kredive të pakthyera në afat. Rritja negative vjetore, që pas 2008-ës është shënuar në 2013-ën me -1.2%

Turqia përballë Europës dhe kriza e emigrantëve

Me atë pamje gënjyese prej njeriu të druajtur e të arsyeshëm, si dhe pakëz të përhumbur, Kryeministri turk Davutoglu erdhi në Bruksel për t’u hedhur një kamerdare shpëtimi evropianëve, për t’i shpëtuar nga një fundosje politike në ujërat e Egjeut. Por, ashtu si çdo shpëtim, edhe ky e ka një çmim. Të kripur. Dhe çmimin e vendos Presidenti Erdogan, i cili sapo ka “pushtuar” një prej të paktave gazeta turke që vazhdonin të guxonin ta kritikonin.
Nuk ka qenë një spektakël i bukur, ai që ofruan dje udhëheqësit e BE-së, të përçarë dhe të pavendosur për gjithçka, përballë këtij turku në Europë që, ashtu si turku në Italinë e Rossinit, shfaqet autoritar në të gjithë fushën, i sigurtë për pandëshkueshmërinë e tij.
Goditja e fortë kishte nisur mbrëmjen e të hënës, gjatë gjashtë orëve bisedime të rezervuara, mes Davutoglusë, Merkelit dhe kryeministrit holandez, Rutte, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së. Duke hedhur në det marrëveshjet e arritura në nivele të larta pak orë më herët, gjatë vizitës së presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk në Ankara, Davutoglu ka rritur stekën dhe ka vendosur mbi tryezë një propozim shumë më radikal. Turqia angazhohet në të ardhmen që të mbajë të gjithë imigrantët e paligjshëm që zbarkojnë në brigjet greke, si sirianët dhe irakenët që kanë të drejtë azili, ashtu edhe ata që nuk mund të aspirojnë për këtë kusht. Në këmbim, Evropa duhet të pranojë që të presë një refugjat sirian të përzgjedhur në kampet e refugjatëve, për çdo refugjat sirian që ka hyrë parregullsisht në BE dhe që kthehet mbrapsht në Siri. Veç kësaj, Ankaraja kërkon që financimi europian të dyfishohet: nga 3 në 6 miliardë euro deri në vitin 2018. Kërkohet edhe hapja dhe përshpejtimi i të gjithë kapitujve të negociatave për anëtarësimin, që kanë mbetur pezull. Dhe dëshiron të afrojë për në qershor heqjen e vizave të hyrjes për qytetarët turq në vendet e Bashkimit Europian.
Përtej lëvizjeve dhe kundërlëvizjeve që janë normale në negociata, propozimi turk ka meritën se e zhvendos krejtësisht logjikën me të cilën është përballuar deri tani emergjenca e refugjatëve, duke goditur që në rrënjë trafikun e qenieve njerëzore. Rregulli i ri është që nuk mund të hysh në mënyrë klandestine në BE, por mund të shkosh vetëm përmes një procedure të rregullt kërkese për strehim. Kush zbarkon në mënyrë të paligjshme, kthehet në Turqi. Dhe në vendin e tij do të hyjë një refugjat që ka ndjekur procedurën e parashikuar dhe dakordësuar. Por ky sistem ka edhe avantazhin se është i zbatueshëm vetëm falë një skeme shpërndarjeje të refugjatëve të dakordësuar në nivel europian, duke hedhur në det marrëveshjet e Dublinit dhe duke rivendosur rregulla të reja për dhënien e të drejtës për strehim. Dhe pikërisht, kjo ka qenë pika që ndezi dje zemërimin dhe shkaktoi veton e kryeministrit hungarez, Orban, zëdhënës i Frontit të Lindjes, që nuk dëshiron të dëgjojë për kuota të detyrueshme të pranimit të refugjatëve.
Italisë, e cila prej kohësh këmbëngul për një ribërje të rregullave të Dublinit, do i shkonte fort për shtat. Edhe pse ekziston risku shumë real, që trafiku i imigrantëve të paligjshëm, i bllokuar në rrugën Turqi-Ballkan, do të zhvendosej sërish në Itali, duke kërkuar rrugë të tjera.
Pastaj është çmimi i shpëtimit që ka ofruar Davutoglu. Një çmim i lartë, edhe financiarisht, edhe politikisht. Dyfishimi i 3 miliardëve që BE ka akorduar tashmë, por që ende nuk i janë derdhur Akarasë, do të sillte një tjetër barrë mbi buxhetet e shteteve, duke qenë se buxheti europian tashmë është shtrydhur si limon. Përveç këtyre, kërkesa për të rihapur të gjithë kapitujt e negociatave dhe përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Turqisë në BE, e bërë të nesërmen e ditës së ndalimit me forcë dhe në mënyrë arbitrare të gazetës opozitare “Zaman”, tingëllon si sfidë e hapur ndaj parimeve demokratike që Europa i ka paraqitur gjithmonë si kusht të padiskutueshëm për të hapur dyert e saj. Nuk është rastësi që nga pak të gjithë, nga Renzi tek Hollande, nga presidenti i Parlamentit Europian, Schulz deri tek Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme të BE, Federica Mogherini, dje u janë referuar pikërisht këtyre parimeve. Me sa duket, Erdogani nuk kënaqet, duke sulmuar liritë themelore në shtëpinë e tij, por synon të dobësojë edhe mbikëqyrjen demokratike edhe në Europë, ku dëshiron të futet pothuaj me forcë.
Në fund, europianët tregohen shumë të matur edhe për një tjetër arsye: luftën në Siri. Edhe pse nuk thuhet asnjëherë hapur, lidhja me Ankaranë me një pakt strategjik mbi çështjen e refugjatëve, nënkupton lidhje me një prej protagonistëve të tragjedisë siriane, që ka një strategji dhe një agjendë të vetën, e cila nuk përkon domosdoshmërisht me atë europiane.
Edhe kjo është diçka që krerët e qeverive duhet ta marrin në konsideratë. Por përballë ushtrisë së refugjatëve që shtyn në kufij, hapësirat e tyre të negociimit janë pothuaj joekzistuese.

Banorët e ish-Stacionit të Trenit përleshen me policinë, tre gra humbasin ndjenjat

Tre gra kanë humbur ndjenjat nga përleshjet mes policisë dhe protestuesve.
Banorët te stacioni i Trenit në Tiranë janë hedhur në protest sot kundër shembjes së banesave për shkak të punimeve për bulevardin e ri. Tre gratë ishin në vijën e parë, pasi banorët kanë krijuar një rrethim ku nuk lejojnë policinë që të ndërhyjë.

Gratë u dërguan me ambulancë në spital, ndërsa tani gjendja e tyre paraqitet e stabilizuar. Banorët u përleshën me policinë duke mos lejuar shembjen e banesave të tyre dhe kanë bllokuar rrugën tek stacioni i trenit.
Situata është tensionuar mes banorëve të stacionit të trenit në Tiranë dhe forcave të policisë. Ata kanë qëlluar me gurë e sende të forta uniformat blu duke mos i lejuar të ndërhyjnë. Banorët hodhën edhe kapsolla ndaj policisë dhe kanë formuar një gardh, duke bllokuar hyrjen e makinerive të IKMT që do të shembë banesat e tyre.
Banorët e kësaj zone protestojnë kundër punimeve për bulevardin e ri të Tiranës, pasi nuk janë dakort me vlerën e caktuar për shpronësimin e banesave të tyre. Dje ata paralajmëruan se do të kalojnë në mosbindje civile.

Dibër, banorët e Hoteshit kundër HEC-it të Skavicës

Banorët e fshatit Hotesh në Dibër, zona që preket më shumë nga HEC-i i Skavicës dhe Katundit të Ri, thonë se nëse konkretizohet projekti, dëmi social dhe mjedisor do të jetë i pakthyeshëm. Banorët thonë se projekti ka qenë që në kohën e monizmit, por pikërisht për shkak të impaktit që do kishte nuk u realizua kurrë.
Banorët e fshatit Hotesh në Dibër kundërshtojnë projektin për HEC-et e Skavicës dhe Katundit të Ri. Sipas tyre, projektet kanë qenë prej gjysmë shekulli, por për shkak të dëmeve dhe pasojave në mjedis nuk janë konkretizuar asnjëherë.
“Ne nuk na kanë informuar vetëm thotë ta bëjmë. Ne jemi shqiptarë dhe të drejtat tona duhet të shihen”, shprehet një banor. “Përmbyt toka dhe përmbyt shtëpia. Nuk ka ardhur askush për të thënë sa vlerësohet toka. Të parët tanë e kanë blerë me florinj. Ata japin një çmim qesharak për 1500 lekë metri katror”, thotë një banor tjetër.
Banorët e Hoteshit, fshat me rreth 2 mijë banorë, kërkojnë që projekte të tilla që kanë impakt social dhe mjedisor duhet të shqyrtohen me detaje nga ekspertët.