28.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Deklaratat e Lu për Frrokun dhe Shullazin 5 muaj më parë

Në nëntor të vitit të kaluar, 5muaj më parë, përmes një deklarate të fortë, ambasadori amerikan, Donald Lu përmendi pikërisht Arben Frrokun dhe Emiljano Shullazin si dy shembujt famkeq se si autoritetet përkatëse jo vetëm që nuk godasin krimin e organizuar por e lejojnë atë të lëvizë lirisht.
Ambasadori amerikan Lu ndërsa bënte thirrje për miratimin me shpejtësi të Reformës në Drejtësi u ndal tek çështja e arratisjes së Arben Frrokut duke deklaruar se Frroku u lejua që të largohej nga vendi në mënyrë të mistershme.  Po me tone kritike, ambasadori u ndal edhe tek Eniljano Shullazi, i cili siç citoi ambasadori është i akuzuar për krime dhe trafik droge por që endet i lirë pa u prekur nga drejtësia.
“Personat e tjerë që duhet t’ja kenë frikën (Reformës në Drejtësi) janë kriminelët, autorë të krimeve të rënda që ecin lirisht në rrugë çdo ditë. Persona si Arben Frroku, që vrau një shef policie, por në mënyrë të mistershme u lejua të largohej nga vendi deri sa ishte në pritje të apelimit në gjykatë. Persona si trafikanti i dënuar për drogë, Emiljano Shullazi që është akuzuar haptazi nga mediet për trafik të narkotikëve dhe vrasje, por nuk është çuar para drejtësisë. Dhe persona si Sokol Mjacaj, që u dënua për vrasjen e një djali 13-vjeçar, por në mënyrë të dyshimtë u lirua nga burgu dhe më pas vrau një çift çek. Këta janë llojet e personave që duhet të kenë frikë nga një sistem drejtësie funksional”, tha ambasadori, Donal Lu.
Ndaj dhe ambasadori amerikan kërkoi me ngulm se Reforma në Drejtësi pritet të mbajë larg politikën nga gjyqësori, të japë efekt në mënyrë që gjyqtarët të dënojnë kolegët e korruptuar si edhe që ata të mos influencohen.
Duke iu referuar raporteve të ndërkombëtarëve, Donald Lu, ju kujtoi prokurorëve të pranishëm se Shqipëria ka shifrat më të ulta të ndjekjes penale në Europë. Madje në këtë pikë, ambasadori pati edhe një mesazh për shefat që komandojnë vartësit pa thënë konkreisht, nëse ky fenomen i përket gjyqtarëve apo prokurorëve.
“Së fundi kam kuptuar se disa personave mund t’u jetë thënë prej shefave të tyre se çfarë duhet të thonë, ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë, më kujton më shumë të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhmen e saj demokratike. Qëllimi i këtyre tryezave është të dëgjojmë nga publiku, përfshirë edhe bashkësinë e prokurorëve për këto reforma. Ky është sistemi juaj i drejtësisë. Kini kurajon të flisni atë që mendoni ju dhe mos përsërisni në mënyrë të verbërt atë që ju kanë vënë të thoni! Mos u trembni nga këta të pafytyrë!”, deklaroi Lu.

Arben Shahini

Zyrtarë dhe gjyqtarë, të implikuar të implikuar me Shullazin për “Vollgën”

Avokati i Ylvi Beqajt, administratorit të kompanisë arabe, që i “dhuroi” 20% të pronës së ish-hotel “Vollgës” në Durrës Emiljano Shullazit, i është drejtuar me një letër kryeprokurorit Adriatik Llalla. ABC News ka arritur të sigurojë një kopje të kësaj letre, ku avokati Roland Samarxhiu rendit me detaje, të gjitha të dhënat e kësaj prone, që nga blerja e saj në vitin 1994, zhvillimin e 15 proceseve e kundër proceseve gjyqësore dhe deri te kalimi i 20% të saj në emër të Shullazit. Në letrën 8 faqeshe, avokati Samarxhiu që në fillim i kujton kryeprokruorit Llalla, se pronari i vetëm i kësaj prone është arabi me shtetësi shqiptare Abdulazziz Al-Nowaiser njëherazi konsull nderi i Shqipërisë në Arabinë Saudite dhe pjesëtar i familjes mbretërore.
Avokati, e cilëson të turpshme, që për më shumë se 10 vite gjykatat dhe zyrtarë të hipotekave nuk respektuan ligjin për regjistrimin e pronës, që tentuan t’ia vjedhin individë të caktuar me mbrojtje edhe në sistemin e drejtësisë. Në letër, avokati kërkon nga Prokurori i Përgjithshëm, që të hetohen ata persona që me anë të falsifikimit të dokumenteve dhe ndihmës së dhënë nga gjyqtarë të caktuar, tentuan t’i vjedhin pronën konsullit të nderit të Shqipërisë në Arabinë Saudite. Sipas avokatit, Zamir Hasa, 3 avokatë, zyrtarë të administratës së Hipotekës dhe 6 gjyqtarë të Shkallës së Parë dhe Apelit në Durrës si dhe një anëtare e Gjykatës së Lartë, duhet të hetohen për afera korruptive me qëllim përfitimin e pronës së ish-hotel “Vollgës” së kompanisë arabe.
Avokat Samarxhiu, në letër ka renditur emrat e të gjithë këtyre personave, duke mos përjashtuar edhe anëtaren e Gjykatës së Lartë, por që për arsye etike nuk i përmend emrat e tyre, për të cilët i kërkon kryeprokurorit të hetohen. Sipas avokatit, me ndërhyrjet e tyre dhe vendimet e dhëna në kundërshtim me ligjin, është bërë e mundur që në vitin 2006 ish-hotel “Vollgës” t’i ndërrohet pronësia. Më pas, shton avokati u deshën 15 procese të ndryshme gjyqësore nga viti 2006 deri në 2014, që prona të rikthehet e regjistruar në Hipotekë në emër të kompanisë arabe. Por ky regjistrimin, sipas avokatit, nuk mund të bëhej nëse administrator i kompanisë arabe Ylvi Beqja nuk do të kontaktonte Emiljano Shullazin.
Sa i përket hetimit të nisur nga Prokuroria e Durrësit ndaj gjyqtarëve që urdhëruan regjistrimin e pronës në emër të kompanisë arabe, avokati thekson se vendimi i tyre ishte mëse i drejtë. Sipas avokatit, nuk ka asnjë vendim të Gjykatës së Lartë që urdhëron apo pezullon regjistrimin e pronës së ish-hotel “Vollgës” në emër të kompanisë arabe. Por një vendim i tillë, ekziston ku urdhërohet pezullimi i regjistrimit të pronës në emër të pretenduesit Zamir Hasa, me dyshimin e falsifikimit të dokumenteve.

Tahiri manipuloi edhe me gjurmët e gishtave të Frrokut

Arrestimi i Arben Frrokut nga autoritetet holandeze është vonuar për shkak të shenjave të gishtërinjve të hedhura në faqen e Interpolit nga policia shqiptare. Autoritetet në Amsterdam kanë gjetur përputhshmëri në foton, gjeneralitetet e gjithçka tjetër, por jo tek shenjat e gishtërinjve. Policia shqiptare deklaroi, se ditët e fundit ka patur disa komunikime me autoritetet holandeze, por arrestimi i Frrokut u konfirmua të enjten. Problemet me shenjat e gishtërinjve të të shumëkërkuarit, Arben Frroku të hedhura në faqen e Interpolit nga Ministria jonë e Brendshme ka qenë shkaku i vonesës së arrestimit të tij nga policia holandeze.
Mësohet se policia holandeze nuk ka mundur të verifikojë menjëherë shkencërisht se personi i arrestuar ishte Arben Frroku, pasi nuk hapej sistemi ku ruheshin të dhënat e këtij personi të shpallur në kërkim, mes të cilave gjurmët e gishtave për të bërë krahasimin. Burimet bëjnë me dije se të dhënat për Frrokun jepnin problem dhe nuk hapeshin dhe kjo ka bërë që policia holandeze t’i kërkonte të dhëna të reja policisë shqiptare, por edhe asaj greke, për shkak se personi që kishin ndaluar mbante pasaportë greke, por i lindur në Korçë.
Autoritetet holandeze kanë kërkuar nga autoritetet shqiptare dosjen e të dhënave të Arben Frrokut të arrestuar që më 6 mars. Nga ajo datë dhe deri ditën e denoncimit që bëri ish-Kryeministri Berisha, policia shqiptare kishte heshtur. Arsyeja e kësaj zvarritjeje nga ana e Tahirit ishte e thjeshtë. Ai kërkonte që të lirohej vrasësi Frroku dhe për këtë i duhej që ta vononte përgjigjen për autoritetet holandeze deri më 17 maj, kohë kur përfundonte edhe koha e paraburgimit në Holandë të Frrokut.
Vetëm pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha, Interpol Tirana ka komunikuar me homologët e tyre në Hagë. Frroku është ndaluar në datë 6 mars, si i dyshuar për mbajtjen e një pashaporte të falsifikuar. Në çdo rast të tillë, elementi identifikues janë shenjat e gishtërinjve të personit. Duket se këtu ka çaluar procedura, pasi teorikisht, duhet të pranohet fakti se gjurmët e gishtave të të dënuarit Arben Frroku janë në sistemin ndërkombëtar, si person i dënuar dhe me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.
Nisur nga fakti se procedura për identifikimin e tij ka zgjatur thuajse dy muaj, ndërkohë që skanimi i gjurmëve të gishtave kërkon vetëm pak minuta, atëherë ky është momenti kur mund të ngrihen aludimet më të mëdha. Ose autoritetet holandeze nuk e kanë kryer për rreth 50 ditë skanimin e gjurmëve të gishtave, gjë që tingëllon jo shumë realiste, ose, në sistemin ndërkombëtar të personave në kërkim, gjurmët e gishtave të Arben Frrokut nuk gjenden.
Në njoftimin zyrtar, Policia shprehet se vetëm në këto ditët e fundit ka komunikuar me autoritetet holandeze, ndërkohë që ai ishte ndaluar që në 6 mars. Ky deklarim krijon dyshimin se, në sistemin ndërkombëtar të personave në kërkim, gjurmët e gishtave të Arben Frrokut nuk kanë qenë fare ose nuk kanë qenë të aksesueshme nga ana e autoriteteve të huaja. Deklarimi publik i Berishës ka detyruar autoritetet shqiptare për të vepruar. Fillimisht, sipas burimeve ka pasur një impenjim të menjëhershëm të diplomacive perëndimore, të cilat janë pasuar me veprime po të shpejta të Interpol Tirana. Por shpejtësia e veprimeve ka nisur vetëm në tre ditët e fundit, ndërkohë që Arben Frroku prej 50 ditësh gjendej i ndaluar, si person i dyshuar me pashaportë falso, nën emrin Renato Tsepa.
Në tre vitet e fundit, çdo gjë që ka pasur lidhje me vëllezërit Arben dhe Mark Frroku, ky i fundit deputet deri sa u arrestua si autor i dyshuar i një vrasjeje në Belgjikë, është shoqëruar me polemika të forta lidhur me rolin e Policisë së Shtetit në informacionin për ata. Edhe në rastin e arrestimit të Arben Frrokut në Holandë, sërish policia e Tahirit ka manipuluar shenjat e gishtërinjve me qëllim mos arrestimin dhe ekstradimin e tij nga Holanda.
Lajmi për arrestimin e Frrokut u publikua para tre ditësh. Frroku ishte ndaluar që më 6 mars në aeroportin Shiphol të Amsterdamit me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Por autoritetet vendase dyshuan se ky është pikërisht i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013. Autoritetet shqiptare deklaruan arrestimin e Frrokut dy ditë pasi ish-Kryeministri Berisha e deklaroi në një intervistë në televizion se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut.

R.POLISI

Dekriminalizimi, 40 deputetë e 27 kryebashkiakë nuk e plotësojnë

Kur mbeten edhe pak ditë nga mbyllja e afateve për dorëzimin e formularit të dekriminalizimit, 40 deputetë dhe 9 ministra nuk e kanë plotësuar ende atë. Zëdhësja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Drilona Hoxha kujtoi sot ligjvënësit, ministrat, kryebashkiakët dhe këshilltarët e bashkive, se kanë afat deri më 4 maj, për të dorëzuar formularin pranë KQZ-së. Sipas të dhënave zyrtare të KQZ-së, formularin nuk e kanë dorëzuar: 40 deputetë, 9 ministra, 27 kryebashkiakë dhe 361 këshilltarë. “Aktualisht nga 1.836 funksionarë, kanë dorëzuar formularët e vetëdeklarimit pranë KQZ-së, 1.379 ose 75.1 % e tyre. Për t’ju ardhur në ndihmuar funksionarëve, të cilët nuk e kanë dorëzuar akoma formularin e vetëdeklarimit, pavarësisht se dita e Hënë është ditë pushimi, KQZ do të jetë hapur edhe ditën e hënë, datë 2 maj 2016”, tha Hoxha. Formulari i vetëdeklarimit ndodhet në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.
Të gjithë funksionarët duke nisur nga Kryeministri e deri tek zyrtarët e çdo niveli të administratës publike janë të detyruar të depozitojnë formularin e vetëdeklarimit pranë organit përgjegjës. Çdo formular vetëdeklarimi regjistrohet me një numër unik identifikimi, si dhe ruhet e dokumentohet në rrugë elektronike. Subjekti që ka lënë mangësi ka dhe një mundësi për ta plotësuar vetëdeklarimin për 5 ditë të tjera. Nëse ai nuk e dorëzon vetëdeklarimin të plotësuar sipas konstatimeve fillestare të strukturës apo personit përgjegjës, ai konsiderohet se nuk e ka dorëzuar formularin e vetëdeklarimit. Në këtë rast, organi përgjegjës e trajton këtë si refuzim për të deklaruar dhe personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Brenda 3 muajve nga skadimi i afatit, organi përgjegjës për administrimin e formularit të vetëdeklarimit është i detyruar të verifikojë të dhënat e deklaruara nga personi sipas hapave të parashikuar në mënyrë të detajuar. Organi përgjegjës dhe më pas Prokuroria brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, nëse provohet ekzistenca e rekordeve kriminale për funksionarët aktualë, organi përgjegjës zbaton procedurat kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Për të ardhmen ligji parashikon që për deputetët, Kryeministrin dhe ministrat jo deputetë dhe të zgjedhurit vendorë formulari i vetëdeklarimit dorëzohet dhe administrohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Rama-Beqja, spastrime politike në shëndetësi, punësohen militantët

Rama-Beqja kanë nisur një valë shkurtimesh nga puna në shëndetësi për të punësuar militantët e PS. Deputetja e PD, Albana Vokshi deklaroi dje gjatë një konference për shtyp se, shëndetësia nuk është më humane, pasi Rama e ktheu në armiqësi me qytetarët. “Si arriti Edi Rama, që shëndetësinë sektorin që duhej të ishte më humani, ta kthejë në armiqësi të plotë me qytetarët e vendit? Edi Rama, kësaj ia arriti, me korrupsionin skandaloz të koncesioneve dhe tenderave që i morën miqtë e tij, me krizën e madhe të mungesës së medikamenteve e pajisjeve bazë, me largimet masive, arbitrare dhe të paligjshme nga puna”, u shpreh Vokshi.
Deputetja e PD tha më tej se, spastrimet me motiv politik në të gjitha spitalet rajonale dhe bashkiake të vendit koordinohen nga Ilir Beqja, i mirënjohur si kampioni i korrupsionit në qeverinë Rama. “Vala e re e shkarkimeve në disa raste vjen për herë të dytë, siç po ndodh në Spitalin e Fierit. Një jetë në shërbim, statusi social, eksperienca dhe performanca nuk kanë asnjë vlerë. Njerëzit hidhen në rrugë, hapen vende për militantët e partisë”, tha Vokshi.
Historia shokuese në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ku infermierë dhe sanitarë pushoheshin me  letër me vrimë, po përsëritet në të gjithë vendin edhe pas denoncimeve në media.
“Ndërkohë që hidhen në rrugë nëna dhe kryefamiljare që mbajnë fëmijët me pagën e tyre, Beqaj mban militantët e punësuar rishtazi, pa arsim përkatës e pa eksperiencë, e që paguhen edhe me të ardhurat dytësore të spitaleve. Në Kukës, Beqja ka pushuar 32 zonja dhe ka punësuar rishtazi 20 militante. Urdhrat politike të pushimeve nga puna kanë prekur edhe personat në nevojë dhe atyre me aftësi të kufizuar, siç ishte rasti i infermieres së Spitalit të Fierit.
Në Shkodër u hodhën në rrugë 89 sanitare dhe personeli mbështetës në spitale me status kritik social. Në listën e të pushuarave nga puna në Spitalin e Shkodrës ka: kryefamiljare, gra me burrin të papunë, gra që vijnë nga familje në gjak”, deklaroi Vokshi.
Në Fier, vala e dytë e shkarkimeve po prek 20 punonjës, në Kukës 32, në Tropojë 30, në Vlorë 20, e kështu, lista e pushimeve vazhdon e gjatë. Në Elbasan u pushuan 80 nga personeli mjekësor me 15 deri në 30 vite pune dhe një pjesë e madhe e tyre u zëvendësuan me anëtarë partie. Këto nuk janë shifra, por janë drama e dhjetëra grave e nënave që kanë një jetë në shërbim, që mbajnë familjet e tyre me këtë punë.
Si rasti i Vlorës është tronditës, ku një nënë e pushuar nga Beqja tha në dëshpërim se po mendon të vetëflijohet. Në Tropojë, punonjësja me 37 vite pune e me arsim përkatës, hiqet nga puna dhe pagën e saj e merr një e njohur e Beqjes që punon, jeton dhe qëndron në Tiranë.
“Në informacionin dërguar Komisionit parlamentar për Shëndetësinë e Çështjet Sociale, Beqja mashtron që reforma spitalore bëhet për shkak të mosshfrytëzimit të shtretërve e që kjo nuk arrin shifrat e shfrytëzimit të shtretërve në Evropë. Po si mundet të shfrytëzohen shtretërit maksimalisht në spitale që qëllimshëm janë katandisur e ngjajnë me spitalet në gjendje lufte? Si mund të shfrytëzohen spitalet në kohën që ka mungesë totale barnash, pajisjesh e mjetesh mjekësore, kur infrastruktura është e mjeruar dhe ka mungesa të theksuara në personel mjekësor të specializuar?”, u shpreh deputetja e PD.
Partia Demokratike dënon këtë arbitraritet e armiqësi të qeverisë ndaj këtyre punonjësve. “Partia Demokratike i bën thirrje KLSH, Prokurorisë, Avokatit të Popullit, institucioneve ndërkombëtare të hetojnë largimet dhe punësimet e paligjshme në spitalet rajonale dhe ato bashkiake”, përfundoi deputetja Vokshi.

R.POLISI

Patenta e një vrasësi, si u pajis me dokumenta false

Më 22 janar, portali tesheshi.com do publikonte këtë shkrim, i cili i kushtohej mënyrës se si ia mbathi Arben Frroku nga Shqipëria, për t’u riprangosur sërish këtë fund prill. Arratisja e tij qe aq e bujshme, sa e vendosi sërish qeverinë “Rama” nën akuzë, pasi bëhej fjalë për një ikje aq të mirëorganizuar në mafiozitetin e vet, sa që dukej e pamundur mos kishte një gisht të vockël dhe vetë shteti, qoftë dhe padashje.
Shkrimi i katër muajve më parë:
Një raport sekret është dorëzuar tek kancelaritë europiane, i cili bën fjalë për implikimin e mundshëm të strukturave të shtetit shqiptar në arratisjen e Arben Frrokut, vëllait të deputetit Mark Frroku, i cili u dënua nga Gjykata me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, oficer i njohur policie. Një dokument i rezervuar që është hartuar nga agjencitë ligjzbatuese thekson se ka pasur struktura policie që nuk kanë raportuar për një lëvizje të dyshimtë, ku besohet se Arben Frroku është larguar nga kufiri me Malin e Zi, i pajisur me dokument të falsifikuar dhe pasi ka kryer një operacion plastik. Largimi i mundshëm i Frrokut pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda, që e cilësoi të pafajshëm, është sinjalizuar nga disa raporte policore, por edhe nga agjencitë partnere. Madje, ka pasur edhe komunikime të brendshme me strukturat përkatëse; dhe mësohet se një grup i posaçëm e vëzhgonte biznesmenin nga Puka, i cili vepronte në Tiranë. Raporti thekson se, Arben Frroku nuk është larguar për një kohë të gjatë nga kompania e tij, në një lagje periferike të Tiranës. Këtë e thonë oficerët që janë marrë me vëzhgimin permanent të të dënuarit, i cili në fakt ishte i pafajshëm pas vendimit të shpallur nga gjyqtari Dritan Halluni, në Gjykatën e Krimeve të Rënda të Tiranës. Vendimi i kësaj gjykate është marrë më 3 prill të vitit 2015, ndërkohë Arben Frroku deri më 28 qershor nuk ka lëvizur fare në një perimetër të caktuar në kryeqytet. Sipas raportit të rezervuar, gjithçka ka ndodhur 4 ose 5 ditë përpara vendimit të Gjykatës së Apelit.Dhe grupit të vëzhgimit, për të cilin kishte dijeni dhe vetë Frroku, ky i fundit i ka shpëtuar, duke u shtruar në një klinikë të njohur private në vend, për një ndërhyrje kirurgjikale. Pikërisht, këtu besohet se është bërë maskimi dhe largimi, i njëjtë me atë të Bernardo Provenzano-s, bosit të Cosa Nostra-s nga një klinikë franceze. Frroku është larguar me autoambulancë nga klinika direkt në banesën e tij. Dhe prej atje besohet se ka dalë me pamjen e re dhe i pajisur me dokumente të falsifikuara nga një vend i rajonit. Siç mësohet, këtu ka ndodhur hutimi i grupit të vëzhgimit, i cili megjithatë në raportin e tij ka përshkruar me detaje shtrimin në klinikë, por edhe daljen me autoambulancë i padalluar nga strukturat. Nga ana tjetër, të gjithë njerëzve që kanë hyrë në banesën e Frrokut, u janë regjistruar edhe targat e makinës. Një makinë me targa bullgare ka hyrë në objekt dhe ky mësohet se ka qenë çelësi i arratisjes. Në raportin policor është regjistruar se në makinë kanë qenë dy persona, të përshkruar me një veshje kazuale dhe mosha e tyre është përshkruar si 35-34 vjeç. Ndërkaq edhe në dalje kanë dalë të njëjtët persona me të njëjtin përshkrim. Raporti thekson se, pikërisht kjo makinë ka transportuar Frrokun deri në Elbasan, ku siç mësohet personat kanë qëndruar gjithë natën, e më pas janë nisur për në Qafë-Thanë. Nga hoteli sërish kanë dalë dy persona, por aty është bërë ndërrimi. Dyshimet se për këtë nuk ka raport vëzhgimi, është që në hotel ka qenë një person tjetër që ka pritur pasagjerët e makinës me targa bullgare, e më pas në mëngjes, kur oficerët kanë shoqëruar për vëzhgim makinën drejt Qafë Thanës, Arben Frroku i maskuar është larguar drejt Tiranës me taksi dhe menjëherë prej aty është ngjitur për në veri, ku me të njëjtën taksi ka kaluar kufirin Shqipëri-Mal i Zi, me një pasaportë tjetër. Si taksia ashtu edhe numri i dokumentit të identifikimit, janë regjistruar bashkë me regjistrimet filmike që xhirojnë non-stop në pikën kufitare. Mësohet se është marrë në pyetje taksisti, i cili ka deponuar se nuk e dinte gjë kush ishte klienti, si dhe ka raportuar se e ka shoqëruar pasagjerin deri në kryeqytetin malazez, Podgoricë, e më pas është kthyer. Organet specializuese, në bazë të dokumentit që zotëronte Frroku, por edhe pamjes së filmuar nga kamerat, kanë nisur gjuetinë edhe nëpërmjet Interpolit, por gjithçka po mbahet sekret dhe për këtë ka edhe bashkëpunim me agjencitë partnere. Deri tani mësohet se, Frroku është ende në Europë dhe nuk e ka kaluar kontinentin për të ikur në Kubë, siç e ka denoncuar opozita. Të paktën me numrin dhe dokumentin që ka kaluar kufirin me Malin e Zi.

Kush është Renato Cepa, identiteti i dytë i përdorur nga Arben Frroku

Këto janë dy dokumentet me të cilat lëvizte lirshëm deri më datën 6 mars në Holandë, Arben Frroku. Kjo është pasaporta greke e falsifikuar dhe me identitet të vjedhur një shtetasi shqiptar, me banim në Korçë. Ndërsa kjo është patenta biometrike greke e falsifikuar ku duket fotoja e Arben Frrokut me identitetin Renato Tsepa (Cepa), vendlindja Shqipëri i datëlindjes 15.11.1967. Kjo patente siç duket është lëshuar me 14.06.2011 dhe kishte afat skadimi deri në qershor të vitit 2031, shkruan “TV Klan”.
Por kush është Renato Cepa? Televizioni “Klan” ka mësuar nga burime të Policisë së Shtetit se shtetasi Renato Cepa 49 vjeç jeton në Korçë në Lagjen numër 3, në rrugën “Nesti Dishnica”  dhe është babai i tre fëmijëve, ka jetuar për shumë vite në Greqi. Ky shtetas po kërkohet nga Policia Shqiptare të merret në pyetje si person që mund të ketë dijeni për rrethanat e falsifikimit të dokumentave të tij. Arben Frroku u ndalua me datën 6 mars në Schipol, pranë aeroportit të Amsterdamit, nga një kontroll rutinë i policisë holandeze, për verifikim dokumentacioni. Ai ka paraqitur një pasaportë dhe patentë greke, me identitetin Renato Tsepa, i lindur në Korçë, më 15 nëntor të vitit 1967.

Si u arratis vrasësi i komisarit?

Më datë 22 qershor 2015, Arben Frroku, i akuzuari për vrasjen e komisar Dritan Lamajt u dënua me burgim të përjetshëm, por policia nuk e gjeti atë në adresën e banimit. Frroku u ndalua më datë 19 qershor, në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë, pasi rezultonte në kërkim në bazë të urdhër-arrestit të parë të lëshuar nga gjykata. Hetuesit verifikojnë sistemin TIMS, por Frroku nuk rezulton i regjistruar as në dalje e as në hyrje.
Pas pafajësisë në shkallën e parë, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Vendimi u shpall më datë 22 qershor. Por, pavarësisht këtij vendimi, i pandehuri u largua nga Shqipëria. Ai u arratis tre ditë para shpalljes së vendimit.
Në fakt, një gjë e tillë nuk do ishte marrë vesh nëse autoritetet malazeze nuk do ndalonin Frrokun në kufi me Kroacinë, pasi ndaj tij kishte një urdhër-arresti ndërkombëtar për akuzën e vrasjes. Ky urdhër edhe pse u rrëzua nga gjykata e shkallës së parë me dhënien e pafajësisë ndaj Frrokut, figuronte ende në sistem për shkak të mosrifreskimit të vendimit të gjykatës.
Më datë 19 qershor autoritetet shqiptare njoftohen nga homologët e tyre malazezë se në kufi me Kroacinë ishte ndaluar shtetasi shqiptar Arben Frroku.
Sipas të dhënave të Interpolit rezultonte se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për akuzën e vrasjes ndaj punonjësit të policisë me një masë sigurimi të caktuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë. Pas marrjes së këtij informacioni, Interpol Tirana ka nisur verifikimet dhe pasi është njohur me urdhër-arrestin ndërkombëtar ka konstatuar se ai i përkiste muajit shkurt të vitit 2013, kohë në të cilën Arben Frroku u shpall në kërkim si autor i dyshuar i vrasjes së oficerit të policisë, Dritan Lamaj.
Pas verifikimit të informacionit, Interpol Tirana ka komunikuar me kolegët malazezë, të cilët pas verifikimeve kanë lënë të lirë Frrokun, që ishte në proces gjyqësor në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Nisur nga ky informacion, autoritetet shqiptare kanë kryer verifikime mbi kohën e daljes së të pandehurit nga territori i Republikës së Shqipërisë. Por nga verifikimet në sistemin TIMS nuk rezulton që Arben Frroku të ketë dalë nga Shqipëria. Për autoritetet, ky fakt ka dy shpjegime: Frroku nuk është regjistruar në dalje nga punonjësi i policisë në pikën doganore, ose ai ka zgjedhur të largohet jo nga një pikë doganore, por nga territori i pakontrolluar i kufirit.
Në këtë pikë, hetuesit e kanë të vështirë të përcaktojnë mënyrën e largimit të Arben Frrokut, i cili tashmë duhet të vuajë një dënim me burgim të përjetshëm, pasi vendimi i djeshëm i Apelit është i formës së prerë dhe duhet të ekzekutohet menjëherë. Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, oficerët e policisë gjyqësore kanë kryer verifikime nëse i dënuari rezulton të jetë kthyer në Shqipëri, por sistemi TIMS nuk ka të regjistruar asnjë hyrje.
Arben Frroku rezulton të ketë qenë në Shqipëri deri përpara pak ditëve nga shpallja e vendimit në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda, i cili u shty disa herë. Frroku u shfaq publikisht duke festuar si president i ekipit të futbollit të Pukës, i cili do të luante në superligë, si dhe organizoi një festë për këtë event. Një ditë para arratisjes, ai u shfaq në një takim elektoral me Ramën në Pukë.

Si ndan OSHEE tenderat miliarda lekë për klientët dhe bandën

OSHEE është shndërruar në një hambar tenderash për klientët dhe bandën pranë qeverisë. Janë me dhjetëra tendera, të pajustifikuara si për shërbimin ashtu edhe për kostot marramendëse që u janë dhënë dhe vijojnë t’u jepen klientëve të qeverisë.
Vetëm në 3 muajt e parë të vitit OSHEE ka tenderuar 23 miliardë lekë pa asnjë eficencë e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 milionë dollarë. OSHEE mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla. Janë këto mbifaturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar në trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e Partisë Demokratike i bëri thirrje OSHEE të bëjë transparencën mbi tenderin për vendosjen e matësave, ku për një shërbim që kushton 1 miliard lekë, OSHEE ka akorduar 7 miliardë lekë, pra 6 miliardë lekë shkojnë në xhepin e klientit të qeverisë pa kryer asnjë shërbim.
“OSHEE thesari i madh i parave që Edi Rama ndan me miqtë e tij nuk ndalet në tenderimin pa shpallje, me negocim, me një operator të vetëm në garë, duke dhënë në çdo rast pothuajse fondin limit. Dje ne denoncuam skandalin e vendosjes së 50 mijë matësve me 7 miliardë lekë, ndërkohë që kostoja sipas tregut është vetëm 1 miliard. OSHEE nuk u përgjigj se ku kanë shkuar 6 miliardë, por zgjodhi të sulmojë opozitën. Po paraqesim sot disa raste të tjera, se çfarë bën kjo bandë e Edi Ramës, me paratë që u merren shqiptarëve me dhunë, me burg, me mbifaturim e me ndëshkim me errësirë”, tha Zhupa. Ajo bëri të ditur se 60 mijë euro OSHEE ia ka dhënë një koncesionari makinash, “Tirana Auto”, për këtë vit. “I duhen bandës makina luksi për të marrë dhe qindarkën e fundit të shqiptarëve. Ndërkohë që po tek ky operator ka marrë dhe vitin që shkoi makina me qira, 68 milionë lekë.
Vazhdon trajnimi i punonjësve, ku 670 milionë lekë i jepen të vetmit operator në garë, për 6 muaj punë. Mbi 100 milionë lekë në muaj, për trajnim, për letra”. Zhupa demonstroi para mediave dokumentin, i cili dëshmon se vetëm për evente e aktivitete OSHEE ka shpenzuar milionë para për kompaninë e lidhur me Erion Veliajn.  “Ja ku keni dokumentin. Ka evente OSHEE, meqë çmimi i energjisë është rritur për qytetarët, meqë familjet mbifaturohen, meqë përfundojnë në errësirë kur një pjesë e mirë s’kanë mundësi të paguajnë. 66 milionë lekë në vit për këto ahengje të OSHEE merr Prosaundi i famshëm i fushatës së partisë dhe i festave të Veliajt. Këto pra janë disa nga bëmat e OSHEE-së, e bandës hajdute që Edi Rama ka vërsulur kundër popullit, për të marrë miliardat që i duhen oligarkisë. Shpejt do të vijë koha që populli t’u kthejë reston e banda e OSHEE me kryehajdutin e saj në krye të japin llogari para ligjit”, u shpreh Zhupa.

Pse na duhet përballja!?

Frrok ÇUPI

Këta nuk dinë ç’thonë. As çfarë bëjnë! Kanë ngritur rè të mëdha (Majakovski, poet i revolucionit socialist, këtë lloj reje e quante “ré në pantallona”); kanë ngritur ré kundër ish-kryeministrit të Republikës pse tha se vendit i duhet “përballje kundër krimit”! Ai foli si deputet i Kuvendit dhe idenë e formuloi kështu: Të bëjmë ligj për të armatosur popullin!.. Mirëpo këta mbrojtjen nga krimi e cilësuan si çështje kriminale.
Këta nuk dinë ç’bëjnë… Këta përballen orë e çast me popullin e pambrojtur dhe njëkohësisht duan të thonë se “populli kryen krim po u përball”. Këta e kanë çuar të keqen në kockën e njeriut, por i thonë njeriut “mo luaj!”. Kjo është qeveri “one way”, dmth., vetëm urdhëron qeveria popullin, por jo populli qeverinë.
As e dinë çfarë bëjnë, as e dinë nga vijnë. Këta vijnë nga origjinë që në thelb ka përballjen, ka “populli më këmbë”, “gjithë populli ushtar”, dmth i armatosur!…, por tani nuk e pranojnë përballjen. Një nga filmat që diktatori komunist e çmonte pa asnjë vërejtje, ishte filmi i tyre “Përballimi”.
Këta tani ngrejnë ré tymi kundër përballjes.
Pse na duhet përballja?
1.
Na duhet sepse kemi humbur qeverinë.
Qysh se lindi qeveria e “Rilindjes”, lindi si e dyshimtë. U paraqit si socialiste, garantoi si reformatore në koalicion me aleatin e demokratëve, por në fakt u ndërtua as ashtu e as kështu, veç si përfaqësuese e një pakice fluide që u quajt “Rilindje”. Të parët, socialistët, nisën të kërkojnë qeverinë e tyre. Pastaj u bashkuan edhe pjesët e tjera të shoqërisë. Qeveria që u votua nuk dukej gjëkundi, domethënë programi i qeverisë për të qeverisur popullin, u fsheh. Premtimet me të cilat Parti mori votat, nuk ishte dhe nuk është më. Në këtë rast, besoj se nuk është më e nevojshme të përmenden çfarë dështoi, çfarë u fsheh, e çfarë ndryshoi krejtësisht. Asgjë nuk u duk nga programi, veç e kundërta e tij.
Atëherë, populli ka të “drejtën e Zotit” që të dalë në kërkim të qeverisë. Të dalë dhe të kërkojë përballje me qeverinë. Fillimisht përballje do të thotë që populli i dukshëm dhe qeveria e fshehur të shihen sy më sy, t’i thonë njëri-tjetrit “Cili jam unë e cili je ti”. Aty le të vendosë populli nëse e pranon qeverinë; sepse qeveria nuk ka asnjë shans që të shtrojë çështjen për të mos pranuar popullin. Në përballje ka veç një fitimtar.
2.
Është koha për përballje.
Jo më kot mijëra njerëz, mes tyre popull i thjeshtë dhe pastaj politikanë, analistë, mendimtarë, etj., po përkrahim mendimin e Sali Berishës, kryeministër i Republikës deri në shtator 2013, se populli duhet të marrë në dorë të drejtën e vet për përballje. Kjo mund të bëhet sa kohë që populli mund të qëndrojë më këmbë. Se po u gjunjëzua populli, atëherë flasim për post mortum. Populli ynë është gjunjëzuar për gati gjysmë shekulli. Nuk po them se tani do të kthehet diktatura komuniste, por gjunjëzimi po vjen ndryshe. Po vjen, sipas analistëve dhe mendimtarëve perëndimorë, si korrupsion, si një mafie e re komuniste. Kësaj here populli mund të gjunjëzohet nga dy faktorë shumë njerëzorë: Nga uria dhe nga sëmundja! Uria ka kapluar mijëra e mijëra. 400 mijë familje jetojnë në varfëri ekstreme, me dy a tre dollarë në ditë për familje. Të tjerë janë të paregjistruar, por mund të jenë edhe pa dy dollarë. Deflacioni, që është gjendja ekonomike “rrasë për rrasë”, (dmth., nuk ke çfarë blen e nuk ke me çfarë blen), ka trokitur. Rreth 35 për qind e të rinjve janë pa punë. Në emigracionin e madh që ka përfshirë shtetet në luftë, Shqipëria renditet mes vendeve të para… Po të pritet më tej për përballjen, atëherë njerëzit nuk ngrihen dot më në gjunjë për shkak të urisë.
Pastaj edhe për shkak të sëmundjeve. Qeveria rrëmbeu fondet e kujdesit shëndetësor dhe i ktheu në Bono Thesari. Me çfarë do të blihen ilaçet? Po vijnë sëmundjet. Qeveria ka në plan që ta akuzojë popullin e vet si të infektuar nga sëmundjet venale. Nesër populli mund të deklarohet tërësisht i sëmurë mendor, nga sifilizi, nga marrëzia ose nga lebra, etj. Atëherë qeveria nuk mban më përgjegjësi; askush nuk ka përgjegjësi përballë sëmundjes venale… Po të mos përballet populli sa kohë nuk ka ndodhur sëmundja totale venale, atëherë kurrë më nuk mund të përballet. Populli kërkon zgjidhje, dmth., përballje me qeverinë sa kohë është në gjendje që ta bëjë këtë.
3.
Tani është momenti i përballjes, prandaj edhe zuri vend kërkesa e kryeministrit të Republikës (2005-2013) për t’u përballur me qeverinë. Sepse sapo ka filluar të shfaqet akuza e qeverisë kundër popullit të vet sikur e ka zënë sëmundja e pashërueshme. Qeveria e ka shtuar dozën e akuzës kundër popullit të vet si i sëmurë. Para dy ditësh kryeministri akuzoi popullin si “dembel e të paaftë për punë”. Më herët e kishte akuzuar si “popull qorr”, dmth., i infektuar nga sindroma shogren. Akoma më herët e kishte akuzuar popullin e vet si “popull budalla” që voton për tjetrin. Akoma më herët e ka quajtur popull “dele”. Në veri të vendit, ku përqendron neverinë më të madhe deklaroi se, “këtu më neveritet atdheu”…
Veç një popull që nuk përballet, veç ai e duron fyerjen në masë. Rreziku i fyerjes në masë është shumë i madh. Sepse kur fyen në masë makina shtetërore, jo veç  fyen në masë, edhe fajëson e dënon në masë. Siç na ka ndodhur para 25 vjetësh. Nga ana tjetër, veç një qeveri që nuk përballet me popullin, mund të guxojë të fyejë në masë.
Atëherë duhet përballja. Duhet të zgjidhet çështja mes dy palëve, mes popullit dhe qeverisë. Njëri duhet të fitojë, të dy nuk mund të jenë fitimtarë.
4.
Nuk është e thjeshtë kjo që ndodh, që qeveria fyen në masë. Disa djem e vajza, pardje e quajtën kryeministrin “Arrogant” dhe i vunë një pankartë me këtë fjalë para hotelit 15 katësh. Mirëpo sjellja e kryeministrit nuk është thjesht arrogancë. Nuk e dëgjuat kryeministrin si u përgjigj? “Bëni votat-tha-dhe pastaj ejani” të përballemi! Këtu u duk gjithë strategjia antipopullore e qeverisë. Domethënë qeveria mbahet mbi votat e popullit që i paska marrë me shumicë! Domethënë, qeveria përballet me popullin në emër të popullit!… Prandaj duhet bërë e qartë, duke u përballur populli me qeverinë, dmth., të qërohet çështja cili është populli e cila qeveria. Të rinumërohen edhe votat që qenkan dhënë një herë e një kohë, para se të veprohet kundër popullit.
Qeveria e quan prapë popullin “të marrë”. Sepse i mori votat dhe i thotë se “ti popull nuk ke vota”. Pas kësaj qeveria po i vjedh gjithë pasurinë dhe po e lë lakuriq. Domethënë po e quan popull me sëmudje venale dhe po e rrjep nga gjithçka ka.
Në qoftë se do të pritet edhe më gjatë, atëherë populli nuk do të ketë më aftësinë e përballjes. Prandaj u tha se përballja duhet tani.

… Çudi. Këta nuk dinë çfarë bëjnë, as çfarë thonë.
Këta nuk ia japin vetes shansin që të përballen, dmth., të shtrojnë kartat mbi tavolinë dhe loja të nisë nga e para. Ka ardhur momenti kur çështja do një konkluzion e një përfundim.
Përballja bën të mundur më të mirën.

Pa kacidhe

Edison YPI

Nuk jam aq perfekt sa mbahem. Edhe kam gabuar. Kam dhënë kontribute për forcimin e regjimit të kurvit dhe kalitjen e diktaturës së proletariatit. Në Politeknikum, kur isha 17 vjeç, punova me imagjinatë dhe kreativitet në stilin MFM “Me Forcat e Mia” për të prodhuar një torno në ofiçinën e shkollës, të cilën e quajtën MFT “Me Forcat Tona”. Kjo ishte e para, por jo e vetmja, rropatje që bëra për të mos më ngordhur delli i kreativitetit brenda diktaturës së proletariatit
Ushtar në Vlorë. 19 vjeç. Duke u menduar si të mos bëja roje me pushkë dhe helmetë, por të vazhdoja të isha Zog i Qiejve brenda një reparti ushrarak kurvist, nuk e ndala kreativitetin.
Avionë të vegjël mësimorë vërtiteshin dhe bënin kollotumba nga Sazani në Kaninë. Këta mistreca, njëri prej të cilëve gjatë një kollotumbe ra në det, i rrëmbeja me radhë në mënyra të ndryshme nëpër ëndërra dhe arratisesha.
Bëra mullinj kafeje me gëzhojat e topave kundërajrorë 37 milimetra. Pse u duheshin mullinj kafeje atyre që s’kishin kafe?! Këtë as sot nuk e di.
Pas mullinjve të kafes pa kafe, më erdhi një rast për kreativitet serioz. Oficerat bënin qitje me kobure mbi disa tabela që dukeshin e zhdukeshin, duke ua rrotulluar bishtin një ushtar që rrinte fshehur në një gropë në tabelë. Për çdo tabelë nga një ushtar dhe nga një gropë, plus nervozizmi i oficerave që u bërtisnin ushtarëve të strukur në fund të gropës që me zor dëgjonin urdhërin për rrotullimin e tabelës, këtyre vështirësive u duhej bërë derman. Vajta tek fabrika e çimentos. U hoqa disa kamionëve të dalë jashtë përdorimit elektromagnetat e motorinove. Bëra tabela qitje me bisht metalik dhe bazament. Në fundin e bishtave të tabelave vura nga një levë të shkurtër. Një kapterr shtypte butonin për të lëshuar korentin. Magneti tërhiqte levën. Leva rrotullonte tabelën, voilaaaaaa oficerat e vrërët qeshën frikshëm nga qefi që tash e tutje do ta çponin më kollaj me plumba surratin mbi tabelë të revizionistit më të rrezikshëm të botës, Brezhnjevit.
Avionët armiq nuk u çfaqën kurrë mbi Vlorë. Pak kilometra më tutje mbi det gumëzhinte korridori ajror ndërkombëtar. Avionët shfaqeshin si pikëza mbi ekranin e radiolokatorit. Pse të mos shfaqeshin ato pikëza jo vetëm brenda radiolokatorit, por edhe në një vend që t’i shihnin të gjithë ?! ishte pyetja që ja bëra një kapterri. Kapterri ja tha komandantit. Komandanti përmes kësaj pyetje zbuloi arsyen pse prej ca kohësh nuk ndjehej mirë me shëndet, i krruhej kurrizi, i ishin skuqur sytë, i buçisnin veshët. Dha urdhër të prerë të bëhej urgjent diçka në atë drejtim. U mendova disa netë me sytë në tavanin e kapanonit. Dhe ju futa punës. Ndërtova një tavolinë katrore 2 metra me 2 metra të mbuluar me pleksiglas që dikush e quajti “planshet”. Në qëndër të planshetit-hartë ishte vendi ku ndodhej bateria kundërajrore, rretheqark Vlora ndarë në kuadrata. Solla një kabëll nga radiolokatori. E lidha kabllin me dy elektromotora të vegjël të quajtur “selsina” që punonin me impulse që i merrnin nga radiolokatori. Njërin nga selsinat e vura të lëvizte një akrep të madh të padukshëm nën pleksiglasin e planshetit. Tjetrin e bëra të afronte dhe largonte mbi akrep një dritëz të vogël i vetmi element që dukej nga lart mbi planshet. Para se mrekullia që do çudiste botën të inaugurohej, ndodhi një incident. Dola një pasdite te rruga transballkanike i hipa një Skode dhe u nisa të iki në shtëpi, pa leje. Te ura e Rrogozhinës Skodën e ndali policia pak para mesit të natës. Më kthyen në Lushnjë. Më plasën në një dhomë bosh në një repart ushtarak. Ndoshta ishte burg ajo dhomë, por s’dua ta quaj të tillë se s’jam aq trim. Me t’u zbardhur, kapërceva murin e repartit. Dola te kthesa e Beratit. Gjeta një makinë. U ktheva në Vlorë. Për një ikje të tillë para disa muajsh një ushtar shijaks e kishin rrasur në burg. Mua jo. Sepse u duhesha. Ende s’kisha mbaruar planshetin. Rrezikohej inaugurimi për të cilin tashmë ishte vënë në dijeni komanda në Tiranë. Komandanti i repartit, një Cane që kishte qënë në Bashkimin Sovjetik, e kaloi këtë incident duke më bërë mua një Sarisaltik, një Shën Naum, që bën hapa kilometrikë. Gjatë një rreshtimi mëngjezor tha Cania për mua; Një këmbë në Rrogozhinë, një në Lushnjë, një në Fier, hop në Vlorë. U zgërdhinë. Incidenti u mbyll. Në inaugurim erdhi Komandanti i madh me mustaqe si të Stalinit. Më thanë ta prezantoj planshetin. S’më dolën fjalët. I dha dum një tjetër.
Pas ushtrie më dhanë të bëj një coptues të ashklave të makinave metalprerëse. E bëra. Kaluan ca muaj, dikush solli një revistë ku tregohej një coptues italian me përmasat kryesore. U mahnita nga përputhja e përmasave dhe proporcioneve të coptyesit tim me coptuesin italian.
Bëra dhe një pompë betoni, një pedanë fasade, si dhe adaptova mbi tre të katërtat e një vinçi italian gjysëm toni.
Vazhdova me kreativitete të tjera në ndërmarrjen e asfaltimit të rrugëve.
Makineritë e asfaltobetonit ardhur pas lufte nga Rusia ishin katandisur mos më keq. Përzierjen asfaltike e përgatisnin me tahmin. J’u futa të bëj një dozator preciz të bitumiti të lëngshëm të nxehtë. E bëra me shumë qef. Pasi e kisha mbaruar, drejtori, një korçar i poshtër me mbiemrin Trebicka, u ngrit e tha në një mbledhje; Pse u kujtua tani ky Edison Ypi për këtë shpikje dhe nuk e bëri më parë?!
Bëra dhe të tjera mrekullira; tymthithës, djegës solari, dozator granili, coptues të rërës bituminoze që nuk coptoi gjë se para se të fillonte të coptonte coptuesi, u coptua sistemi.
E mbajta gjallë kreativitetin.
E ç’e do që e mbajta gjallë. Më mirë ta kisha vdekur. Atëhere zgjata jetën e diktaturës me hekura. Tani po zgjas agoninë e demokracisë me shkrime. Gabova në të dy kohërat. Punova badihava. Me kreativitet. Pa kacidhe.