40.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Ministri britanik: Krizë në BE? Prisni kur të anëtarësohet edhe Shqipëria

Vazhdon që të përdoret Shqipëria nga zyrtarët britanik si një fenomen i keq për të bindur qytetarët për të votuar pro daljes nga Bashkimi Europian. Në një shkrim për “Daily Mail” Sekretari britanik i Drejtësisë thekson, se BE do të bëhet dhe më keq me anëtarësimin e Shqipërisë.
Ashtu siç ishte parashikuar nga “Financial Times”, Shqipëria po vazhdon që të përmendet dhe më shumë në Britaninë e Madhe. Kësaj here është një replikë që Sekretari britanik i Drejtësisë, Majkëll Gove, i bën kryeministrit shqiptar Edi Rama për deklaratat në lidhje me përdorimin e modelit shqiptar për fushatën “Brexit”.
Në një shkrim për “Daily Mail”, Gove thekson se modeli shqiptar duket si një novelë e John le Carré, me një histori të politikës intriguese, shuma të mëdha parash që shkojnë në rrugë të gabuar, kriminalitet dhe marrëveshje të dyfishta. Por sipas tij, modeli shqiptar nuk është një lexim vetëm fantazi, por është një fakt diplomatik.
Gove thekson se, me taksat e britanikëve, qeveria angleze do t’i japë BE rreth 2 milionë paundë deri në 2020 për të financuar vende aspirant si Shqipëria që pretendojnë të hyjnë në union.
Sipas Sekretarit të Drejtësisë britanike, anëtarësimi i vendeve si Shqipëria në BE do të jetë një gabim i madh, pasi do të fillojnë dyndjet e shqiptarëve në vendet e Europës dhe sidomos Britanisë. Gove nënvizon se me ardhjen e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar do të sjellin me vete problem si korrupsioni, krimi i organizuar e deri tek terrorizmi. Ai bën të ditur se 10% e të burgosurve në BE janë nga Shqipëria, ndërsa thotë se vetëm këtë vit janë arrestuar rreth 20 gangsterë shqiptarë që drejtojnë banda droge në Mançester.
Më 23 qershor Britania do të zhvillojë një referendum për të qëndruar ose jo në Bashkimin Europian.  Pjesë e debatit për fushatën pro dhe kundër daljes nga BE është bërë dhe Shqipëria, ku thuajse asnjëherë nuk përdoret në mënyrë pozitive.

Mediu: Çdo gjë për të garantuar votën e lirë

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, bashkë me anëtarë të Kryesisë zhvilluan një takim me strukturat e kësaj partie në rrethin e Shkodrës. Në këtë takim, zoti Mediu dhe drejtuesit lokalë, diskutuan mbi gjendjen e rëndë ekonomike dhe politike në vend. “Shqipëria është zhytur në një krizë të rëndë ekonomike me pasoja afatgjatë dhe sociale të rënda për familjet dhe biznesin shqiptar.  Shteti i pretenduar ligjor është zëvendësuar me krimin e lidhur me pushtetin që gjobit biznesin, reformat janë vetëm koncesione me paratë publike për përfitime korruptive. Largimi i bizneseve dhe kapitaleve dhe mungesa e klimës për investime janë alarm për Shqipërinë”, theksoi zoti Mediu gjatë këtij takimi. Gjithashtu, duke u ndaluar në aksionin politik të së djathtës, zoti Mediu shprehu bindjen se një qëndrimi i unfikuar i opozitës, me synim garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, duhet të jetë prioriteti parësor për partitë e djathta. “Përballë kësaj situate opozita duhet të unifikohet dhe bashkohet me shqiptarët në rrugën për të ndërtuar shtetin e së drejtës, i cili bazohet në zgjerimin e lirive dhe uljen e taksave, respektimin e pronës private. Bashkëpunimi me biznesin, rininë, të përndjekurit dhe pronarët janë rruga e suksesit të opozitës. Qeveria e pazareve PS-LSI apo prishja e pazareve të tyre nuk mund të jenë shpresa e së djathtës. Reforma zgjedhore dhe vetëm reforma zgjedhore, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është detyra Nr.1 e opozitës, prandaj nuk mund të humbasim asnjë çast për të garantuar votën e lirë nëpërmjet votimit dhe numërimit elektronik si dhe t’i japim të drejtën votuesve të gjykojnë me votë se kush duhet të jenë deputetët në Kuvend. Unë shpreh bindjen time të palëkundër se Partia Republikane do të ketë deputetin e saj në Shkodër”, nënvizoi kryetari republikan.

Korrupsioni dhe keqmenaxhimi kanë futur shëndetësinë në kolaps

“Centralizmi shtetëror, korrupsioni, keqmenaxhimi, mungesa e vizionit, kanë futur shëndetësinë në kolaps”, u shpreh deputeti i PD, Tritan Shehu gjatë prezantimit në Vlorë të platformës së PD për Shëndetësinë. Në një njoftim për shtyp të PD thuhet se, Departamenti i Shëndetësisë në Partinë Demokratike bëri publike dhe debatoi platformën me mjekë dhe specialistë në qytetin e Vlorës. “Shëndet dhe dinjitet”, ishte moto e prezantimit të Platformës së Shëndetësisë në tryezën në të cilën ishin të pranishëm profesionistë të fushës së shëndetësisë, Shoqëri Civile dhe drejtues të PD-së në Vlorë.
Në fjalën e tij kreu i Departamentit, Tritan Shehu, tha se sot vendi përballet me një sistem shëndetësor në të cilën nuk respektohen të drejtat e qytetarit për shërbim bashkëkohor dhe nuk mbrohet dinjiteti i personelit shëndetësor.
“Kemi një sistem shëndetësor ku dhe depozitat shëndetësore të qytetarëve në Fondin e Sigurimeve “sekuestrohen” nga shteti për të mbushur deficitet e tij, në vend që këto 25 milionë dollarë të investohen për përmirësimin e shërbimit”, tha Shehu.
Më tej ai shtoi se, në shërbimin tonë nuk programohet e financohet për specializimet, kualifikimet e personelit, për ngritjen e tij shkencore, e cila është bazë e dinjitetit profesional, për hapjen e shërbimeve të reja etj.
Karakteristikë e sistemit tonë është “varfëria falas” e tij, centralizmi shtetëror, keqmenaxhimi, mungesa e vizionit zhvillues, theksoi Shehu. Ai shtoi se, duke e vendosur në qendër të sistemit pacientin e qytetarin, duke konsideruar thelbësor rolin e vlerat e personelit, ne mund t’i japim shoqërisë e kolegëve tanë atë që është thelbësore: Shëndet e dinjitet për të gjithë.

OSHEE mbifaturime të energjisë për qindra banorë në Elbasan

Qindra banorë të Elbasanit ankohen për faturat e energjisë elektrike. Ata pretendojnë se janë mbifaturuar dhe në sportelet e OSHEE-së askush nuk u jep zgjidhje. Faturat e energjisë elektrike për disa banorë janë shumë të frikshme. Kjo i ka revoltuar banorët e Elbasanit. Eshtë shumë i lartë numri i atyre që kanë ngritur ankesat pranë zyrave të OSHEE, por askush nuk përgjigjet për dyfishimin e vlerës së faturuar.
Zemërimi kolektiv në Elbasan shikohet edhe pranë sporteleve. Ka prej tyre që fatura u ka ardhur me shuma marramendëse. Një invalid thotë se ka qenë për kurim në spital jashtë Shqipërisë, por fatura e energjisë i ka ardhur për tre muaj me një vlerë një milionë e 25 mijë lekë. Ai është detyruar ta paguajë, sepse i janë ndërprerë dritat. Invalidi shprehet se ka shpresuar se zgjidhja do të vinte më pas, por në asnjë zyrë nuk i kanë dhënë zgjidhje.
Qytetarët e zemëruar në Elbasan janë shumë. Pranë tyre shkoi edhe deputeti i Partisë Demokratike Luçiano Boçi. Ai tha se, situata në Elbasan është dramatike. Boçi, thonë se përgjigja që marrin është se duhet të paguajnë faturën, dhe më pas t’u shqyrtohet ankesa. “Ka qytetarë që kanë mbifaturim disa muaj”, thotë Boçi.

“Benzi” bie në liqenin e Shkopetit, dy të vdekur dhe dy të plagosur

Një aksident i rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme në aksin rrugor Burrel-Peshkopi. Sipas burimeve, një makinë tip “Benz” me targë AA 923 FH ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në liqenin e Shkopetit, ku si pasojë kanë humbur jetën dy persona dhe janë plagosur dy të tjerë.
Burimet policore bëjnë me dije se makina ka rënë në afërsi të tunelit të Shkopetit, duke shkaktuar vdekjen e dy pasagjerëve dhe plagosjen e 2 të tjerëve. Sipas informacioneve që përcjell policia, në automjet udhëtonin 3 vëllezër dhe kushëriri i tyre. Ndërkohë, nga aksidenti tragjik kanë humbur jetën një nga vëllezërit, Afrim Rexhepi dhe kushëriri, Fitim Nelku, ndërkohë janë plagosur Artan dhe Ajet Rexhepi.
Të plagosurit u transportuan për në Spitalin e Laçit. Po sipas këtyre burimeve, të aksidentuarit po ktheshin nga puna, pasi ishin punëtorë ndërtimi në Shupenzë. Me të marrë informacionet në vendngjarje shkuan autoambulanca nga Burreli dhe forca të policisë së Burrelit, Laçit dhe Lezhës.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia bëri të ditur se, më datë 30.04.2016, rreth orës 13.30 është njoftuar se në rrugën Milot-Burrel, në vendin e quajtur tuneli i Shkopetit në dalje, një mjet “Benz” me targa AA 923 FH ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga. “Në mjet po udhëtonin 3 vëllezër dhe kushëriri i tyre banues në Sukth Dibër. Si pasojë kanë mbetur të vdekur shtetasit: Afrim Rexhepi e Fitim Nelku. Kanë mbetur të plagosur dhe ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve: A.R. A.R. Këta shtetas janë punëtorë ndërtimi në Shupenzë Dibër ku kanë qenë duke u kthyer nga puna”, citohet në njoftimin e policisë.

Basha: ERE përgënjeshtroi Ramën, pranoi rritjen e çmimit të energjisë

Rama deklaroi se shqiptarët paguajnë fatura më të ulura energjie se më parë dhe e kundërta është propagandë e opozitës që i do të keqen. Por të dhënat e veta zyrtare e nxjerrin si shpeshherë zbuluar kryegënjeshtarin e Ballkanit. Sipas ERE 56% e familjeve kur çmimi i energjisë ishte përshkallëzuar për 300 kilovatët e parë paguanin 7.7 lekë për kilovat e sot paguajnë 9.52 lekë për kilovat. Çmimi mesatar po kështu kaloi nga 8.89 në 9.52. Qytetarët që paguajnë faturën e dinë më mirë se askush të vërtetën për faturën e energjisë. Ne jemi përditë me ta dhe pranë tyre dhe shohim e dëgjojmë përditë mbi faturat e kripura të energjisë. Edhe kokoshi 200 milionësh e di fare mire se po gënjen, por nuk ja ndjen fare, nuk i bëhet më vonë. E ka mendjen të mbushë xhepat dhe jo të qeverisë. 2.2 mld euro të vjedhura në 2 vjet, 90 milionë dollarë shpenzime luksi për qeveritarët, ndërsa shqiptarët mezi sigurojnë bukën e gojës. Ora po vjen e llogaridhënies me votë për mashtrimet e tij. Ne do të ulim çmimin e energjisë për ata që konsumojnë deri në 300 kw, buxheti i shtetit do të paguajë për familjet në ndihmë ekomomike faturën e energjisë deri në 200 kw dhe atë të ujit, me miliardat që sot shkojnë për zyra dhe “Jaguarë”, Koço, Papulë, Nushë dhe Carapulë.

Bregdeti i Jugut mbillet me ndërtime të paligjshme nën komandën e Kokëdhimës

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në Partinë Demokratike, Jamarbër Malltezi, denoncoi abuzimet me ndërtimet pa leje në bregdetin e Jugut, të cilat kanë hyrë deri në det.
Nga Porto Palermo, Malltezi bëri publike shkatërrimin mjedisor që i bëhet bregdetit me ndërtime abuzive dhe të paligjshme.
“Këtu jemi në një zonë bregdetare, në një zonë të ndjeshme mjedisore dhe ligji duhet të jetë i njëjtë për të gjithë. Për fat të keq ne mund të shikojmë një lokal që po bie brenda në det. Jo vetëm që nuk po mban distanca, por po bie i gjithi në det, ndërtuar nga Koçot e pushtetit. Kjo është dyfytyrësi, ky është standard i dyfishtë në zbatimin e ligjit. Ligji normalisht duhet të jetë i njëjtë për të gjithë dhe nuk mund të jenë disa të favorizuar e disa të nëpërkëmbur”.
Ndërsa në një prej perlave të bregdetit shqiptar, në Qeparo, Malltezi denoncoi ndërtimin e deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima, i cili është jashtë çdo kriteri ligjor dhe urbanistik.
“Jemi sot në Qeparo, në të cilin dyfytyrësia e qeverisjes është akoma më evidente. Për fat të keq qytetarëve edhe në majë të malit ose në mes të Tiranës u prishen shtëpitë e tyre, qoftë edhe të trashëguara, ndërkohë që lejohen ndërtime të paligjshme siç është rasti konkret i denoncuar me dhjetëra dhe qindra herë ndaj deputetit Koço Kokëdhima. Këtu shkelen disa ligje njëherësh. Ne kemi bërë denoncimin në Prokurorinë e Përgjithshme në të cilën kemi 10 ligje dhe 2 plane urbane, të cilat dhunohen nga deputeti Koço Kokëdhima. Për fat të keq kemi 1 miliard e 850 milionë lekë nga taksat tona që shfrytëzohen për t’i bërë një Lungomare vetëm Koço Kokëdhimës dhe askujt tjetër. Përse, kështu duhen shpenzuar paratë e taksapaguesve shqiptarë? Dhe po të shikojmë ky investim tjetër që bëhet, është për t’i bërë fresk sarajeve të Koços, por gjithashtu cenon edhe një ekosistem me vlera të mëdha mjedisore siç është ligatina e Qeparoit. I kanë vendosur një barrierë të pakapërcyeshme me tel gabion dhe gurë ligatinës së Qeparoit. Në çdo vend të botës, ligatinat janë ekosisteme shumë të rëndësishme, janë shumë sensitive, të cilat shërbejnë qoftë për shpendët migratorë, qoftë për botën e gjallë dhe duhej të ishin një objekt me shumë interes për turistët e zonës. Për fat të keq këtu thjesht vetëm nga interesat e Koços i gjithë shteti shkel ligjin dhe shpërdoron taksat tona. Vetëm për t’i bërë fresk z. Koço Kokëdhima. Kjo është një mënyrë tjetër e dyfytyrësisë së pushtetit e standardeve të dyfishta që po përdor kjo qeverisje e sotme”, tha Malltezi.

Denoncimi, njerëzit e Taulant Ballës prerje masive të pyjeve

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar denoncimin e një qytetari sipas të cilit Taulant Balla dhe Flamur Veizi dalin mbi ligjin dhe shkelin moratoriumin e ndalimit të prerjes së pyjeve, vazhdojnë prerjen masive të pyjeve dhe grumbullimin e druve në zonën e fshatit Stranik. “Z. Berisha ju uroj shëndet ju dhe familjes suaj. Në Librazhd, në fshatin Manastirec ka më shumë se një muaj që është vendosur postbllok policie, midis tyre edhe një polic ushtarak dhe që askush nuk e di pse janë aty… Pesë-gjashtë kilometra më lart është fshati Stranik ku kryehajduti Taulant Balla së bashku me Flamur Veizin me biznes të përbashkët kanë filluar sërish grumbullimin e druve të zjarrit, pavarësisht moratoriumit ata ende vazhdojnë prerjen e druve dhe grumbullimin e tyre. Kjo është lehtësisht e verifikueshme sepse drutë janë në fushën e Veizit në Stranik. Policia kap fshatarët e shkretë me një gomar dru dhe vendosin gjoba marramendëse. Ju falënderoj për punën tuaj të palodhur, jeni shpresa jone e vetme. Ju lutem anonim edhe qofshi gjithmonë zëri ynë”, thuhet në denoncimin e qytetarit.

Veliaj, 85 mijë euro shpenzime luksi për fluturime me avion

Kur varfëria ka prekur thuajse gjysmën e shqiptarëve, siç thuhet në raportin e fundit të Bankës së Shqipërisë, qeveritarët vazhdojnë të rrisin shpenzimet e luksit. Dhe këtë po e bëjnë jo vetëm pjesëtarët e ekipit të qeverisjes qendrore, por edhe të zgjedhurit lokalë. Rasti më flagrant është ai i Bashkisë së Tiranës. Kryebashkiaku Erion Veliaj ka programuar të shpenzojë 11 milionë e 700 mijë lekë të reja apo afro 85 mijë euro, vetëm për bileta avioni, për vitin 2016. Kaq është shuma që ai i ka vënë në dispozicion Agjencisë së Prokurimit Publik. Tenderi, siç shihet në dokumentin e siguruar ekskluzivisht nga “Lapsi.al”, është zhvilluar më 15 mars 2016. Objekti i prokurimit është “Blerje bilete udhëtimi për transport ajror ndërkombëtar për Bashkinë e Tiranës për vitin 2016”. Afati për realizimin e këtij shërbimi është 31 dhjetori 2016. Po për çfarë i nevojiten Bashkisë së Tiranës kaq shumë bileta avioni? Në këtë buxhet duket se janë futur edhe biletat për 20 gazetarët që Veliaj mori me vete në Milano në fundjavë, për të asistuar në takimin e tij privat me arkitektin Stefano Boeri. Nuk përjashtohet mundësia që Veliaj të ketë parashikuar të tjera udhëtime si ky i kësaj fundjave, për të shëtitur nëpër botë që të shohë si ç’punë kanë realizuar arkitektë e artistë të ndryshëm, se si po i gjelbërojnë ata kryeqendrat e botës, ndërkohë që Veliaj akuzohet në Shqipëri se po varros edhe të vetmen hapësirë të gjelbërt të Tiranës. Veliaj, siç rezulton nga shuma që do të shpenzojë për fluturime ndërkombëtare, duket se do të fluturojë jo pak këtë vit. Dhe shpenzimet janë disa herë më të mëdha, pasi me 11.7 milionë lekët e reja do të blihen vetëm për biletat. Këtu nuk përllogariten hotelet apo darkat e luksit. Nga mazhoranca parlamentare janë jo të paktë qeveritarët e vënë nën akuzë nga kundështarët politikë se po shpenzojnë më shumë kohë jashtë vendit, sesa në Shqipëri. I pari në listën e atyre që ka fluturuar më shumë jashtë është Kryeministri Edi Rama. Erion Veliaj i ka tashmë më të pakta mundësitë protokollare për të qenë pjesë e delegacioneve qeveritare në udhëtimet jashtë vendit, pasi nuk është pjesë e kabinetit qeveritar. Por për të mos mbetur mbrapa ish–kolegëve në qeveri, ai duket se i ka rezervuar vetes të tjera privilegje luksi, të paguara me taksat e qytetarëve dhe bizneseve të Tiranës, të cilat i ka rritur jo pak me të ardhur në krye të Bashkisë.

Basha: Ulje e taksave dhe çmimit të energjisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi në takimet me banorët dhe tregtarët e Vorës se vetëm përmes uljes së taksave, ekonomia shqiptare do të xhirojë 1 miliard euro më shumë në vit. Këto para do të ndikojnë në shtimin e vendeve të punës dhe rritjes së konsumit. Pronarët e biznesit të vogël e njohën Bashën me vështirësitë e tyre. Edhe ato pak para që mund të fitojnë shkojnë për të paguar faturat e rritura të energjisë elektrike, thanë tregtarët e Vorës.
Tregtar: Nuk ble njeri, të gjithë me listë. Energjia shumë e lartë.
Basha: Sa të shkon fatura e energjisë në muaj?
Tregtar: Më shkon 200.
Basha: 200?
Tregtar: Po, 180, 200.
Basha: Po më përpara?
Tregtar: Po shumë më pak 60, 70 kena pagu.
Tregtar: Qysh ke kolpo e dritave (u rrit çmimi) filloi masandej disheza. Me thënë realen. Mbyllja e ndërtimit, mbyllja e punës, bie xhiroja, ku do të shkojë. Më shumë frikë ka.
Basha: Do ta heqim frikën. Do të ulim taksat, do të ulim çmimin e energjisë. 1 miliard euro do t’i kthehen ekonomisë vetëm duke ulur taksat, duke ulur çmimin e energjisë. Vetëm me këto fillon konsumi, biznesi merr frymë dhe rritet punësimi.
Në Marikaj kryetari Basha vizitoi dy familje, të cilat pavarësisht situatës së vështirë shëndetësore dhe asaj ekonomike që kalojnë kryefamiljarët, janë braktisur nga shteti. Varfëria dhe gjendja shëndetësore (këmbë të prerë) e Zaim Gegës u përdor në zgjedhjet e 2015-ës për t’i blerë votën, por varfëria nuk e mposhti dhe votën nuk e shiti.
Banor: Merri këto para thanë e hajde voto për mu. I thanë e kena makinën këtu, të çojmë me makinë. Ça thu more, unë nuk e ndërroj kurrë bindjen politike që kam. Bythaz kam me shku, s’du makinë. Me ma vu në ballë mitralozin e topin s’bëj mbrapsht unë….. Është bë një shtet shumë i korruptum, nuk m’i kanë dhënë ilaçet. Shtatë vula nuk i merr parasysh. Të mos marrësh rekomandimet e shtatë mjekëve, shtatë vula e ke parasysh. Marr 40 mijë lekë. Më vraftë Perëndia, më vraftë Zoti sikur i marr i çoj ke dritat.
Situatë e vështirë ishte dhe në familjen e Gëzim Xhixhës. Zoti Xhixha vuante nga diabeti dhe kishte të dy këmbët e prera. Ndonëse shpenzon rreth 100 mijë lekë në javë për ilaçe dhe janë katër vetë që duhet të ushqehen, nuk ka asnjë ndihmë nga shteti përveç 50 mijë lekë (të vjetra) pension.
Banore: Ka shku milionshi për një muj, se ka qenë në spital.
Basha: Po ilaçet?
Banore: Ja ilaçet, shih ku i ka ilaçet.
Basha: Ua rimbursojnë apo jo?
Banore: Jo s’ka rimbursim. Shko shiko listën atje. 60 mijë e ka marrë vetëm dje, 63 mijë. Të premten ka marrë 42 mijë. 100 mijë lekë llogariti për një javë.
Basha: Si qeveri do të bëjmë të mundur që për njerëzit që janë në halle të tilla ilaçet të jenë 100% të rimbursueshme nga shteti. Edhe me ndihma të tjera kur jeni në kushte të tilla, kur s’keni njeri në punë t’ju paguhet fatura e energjisë, t’ju paguhet fatura e ujit. Jo ndonjë ndihmë që të jetoni ashtu siç e meritoni, por të paktën t’ju heqim një pjesë të hallit.
Banore: Kur kam qenë në spital m’u dhimshin fëmijët se më merrnin në telefon dhe më thonin: “Oj mamë nuk kena ça të hajmë”. Unë a të mbaj burrin në spital, se do të rrija pas këtij. S’kishte mundësi t’i shërbente atje. U thoja merrni borxh ke dyqani, ata më thonin se s’na japin më mami se kemi hyrë borxh deri në fyt.
Në takimin me fermerët e Marqinetit, Prezë, Domje, kryetari i Partisë Demokratike i njohu me disa nga pikat e programit për bujqësinë. Investimet në infrastrukturë dhe mbështetja e drejtpërdrejtë me subvencione, janë dy shtyllat e mbështetjes buxhetore të bujqësisë.
Basha: Ne kemi vendosur ta subvencionojmë bujqësinë tek çdo fermer. Siç shpërndahen pensionet, siç shpërndahet ndihma ekonomike kështu do të shpërndahet edhe subvencioni për fermerët, për çdo fermer. Me anë të një subvencionimi të tillë që do të kapë shifrën 120 milionë dollarësh në vit ne do të arrijmë të shuajmë koston e punës për dynym.
Personat në nevojë ekonomike do kenë vëmendje të veçantë nga qeveria e Partisë Demokratike, tha zoti Basha, duke prezantuar disa nga pikat e programit për të mbështetur familjet në nevojë.
Basha: Familjet në ndihmë ekonomike deri në 200 KW do t’i paguajë shteti, edhe faturën e ujit. Këto kontratat që shkoni i paguani nga 2500 lekë të reja do të marrin fund sepse bëhet fjalë në tërësi për detyrime të pajustifikuara.