23.5 C
Tirana
E diel, 4 Maj, 2025

Shkrirje e Parlamentit, nuk e meriton të vazhdojë edhe një ditë të vetme

Ish-Kryeministri Berisha kërkoi dje shkrirjen e Parlamentit ndërsa deklaroi se ky institucion i shndërruar tashmë në një bastion të krimit dhe kusarëve ka humbur funksionimin e tij. Në një prononcim për mediat Berisha reagoi ashpër në lidhje me bllokimin e qëllimshëm nga Kuvendi të zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për deputetët socialistë, të cilët kanë përfituar fonde publike në shkelje flagrante të ligjit, ndërsa kanë gëzuar mandatin e deputetit.
“Prej mëse tre javësh vazhdon grushti i shtetit brenda shtetit, vazhdon grushti i shtetit konsumuar nga përvetësimi i fuqisë kushtetuese nga pushteti, anashkalojnë pushtetin që Kushtetuta i jep Gjykatës Kushtetuese dhe marrjes së këtij pushteti nga Parlamenti. Prej tre javësh, vazhdon bllokimi i vendimit të Gj. Kushtetuese, që, ata deputetë, të cilët kanë përdorur mandatin për fitime vetjake për pasuritë publike, duhet të dorëzojnë menjëherë mandatin.
Kjo është një nga situatat më të rënda në vend, një situatë të cilën në vende të tjera, por jo në Shqipëri, përmbarues i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është Presidenti i vendit, në Kushtetutë. Ndërsa këtu është e shkruajtur se është Gjykata Kushtetuese garantuese e Kushtetutës dhe përmbarues bëhet cilido nga pushtetarët.
Situata është dramatike. Në këto kushte, Parlamenti meriton vetëm një qëndrim; shkrirjen e menjëhershme të tij. Në kushtet kur Parlamenti ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, grushtin e shtetit, ky Parlament nuk meriton të ekzistojë më qoftë dhe një ditë të vetme”, u shpreh Berisha në reagimin e tij.
Nga ana tjetër, Berisha ftoi opozitën që të marrë të gjitha masat në lidhje me marrëdhëniet e saj me Parlamentin ndërsa i bëri thirrje Gjykatës Kushtetuese gjithashtu të mos shndërrohet në një mekanizëm të mazhorancës.

– Do ja kërkojë PD Presidentit këtë?
E ftoj opozitën të marrë të gjitha vendimet sepse një situatë e tillë është kazmë në themelet e shtetit. Imagjinoni ju se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta pushtetarë kur shkelmojnë vendimet e asaj gjykate, të cilat në të drejtën kushtetuese janë të barabarta me normat kushtetuese. Një vendim i Gj. Kushtetuese është i barabartë me një normë kushtetuese dhe këta qeveritarë, për të mbrojtur kusarët brenda Parlamentit, shkelmojnë harbutërisht mbi vendimet e gjykatës dhe i marrin asaj pushtetin.
Por unë ftoj Gjykatën Kushtetuese gjithashtu, të mendojë dhe të mos pranojë në këtë mënyrë, të shndërrohet në një mekanizëm, në një institucion boshi, në një institucion ku me vendimet e saj shkelmohen dhe përthyhen në një Parlament për interesa kryekëput të kusarëve. Ju e dëgjuat vetë, se edhe mandati i Koço Kokëdhimës shkoi në Gjykatë Kushtetuese, jo për të zbatuar vendimin e gjykatës, por na rezulton se u bë nga Gramoz Ruçi për t’i dhënë një ndëshkim si rival i ardhshëm për sekretar të Përgjithshëm të PS-së. Të paktën këtë thotë vetë Koçoja nëpër media, sepse vetë ai, që është një kryekusar, thotë që nuk i kishin thënë se do të votohej prandaj doli dhe foli përçart aty. Pra, Parlamenti është shndërruar në bastion të krimit dhe kusarëve në pushtet.

– Zoti Berisha, me kërkesën për shkrirjen e Parlamentit keni hequr dorë nga thirrja për qytetarët për të dalë në protesta?
Këtë Parlament mund ta shkrijnë vetëm qytetarët shqiptarë, e shkrin vetëm sovrani dhe ai është qytetari shqiptar.

– Po Presidenti…?
Presidenti i Republikës nuk ka prerogativa kushtetuese. Në Kushtetuta të tjera Presidenti është përmbaruesi i vendimit të Gj. Kushtetuese, por kjo nuk ekziston në Kushtetutën tonë. Ndaj dhe unë nuk mund të them se Presidenti i Republikës e ka këtë kompetencë. Por, Presidenti i Republikës duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët konstitucionalistë më të mirë të vendit, për të marrë këshillën dhe për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetues, ndaj këtij grushti shteti që ka konsumuar Parlamenti. Kur një institucion i merr pushtetin në mënyrë antikushtetuese institucionit tjetër, ky quhet grusht shteti brenda shtetit.

– PD bllokoi seancën….
Unë solidarizohem me opozitën dhe e vërteta është se kam besim se hap pas hapi opozita do të marrë të gjitha vendimet e merituara ndaj këtij Parlamenti që nuk meriton më të ekzistojë.

– Keni diskutuar me kreun e PD për shkrirjen e Parlamentit?
Jo asnjë diskutim nuk kam bërë me njeri, por duke qëndruar në një Parlament që ka konsumuar grushtin kushtetues dhe që justifikon qytetarët të përdorin të gjitha mjetet kundër tij për të rivendosur Kushtetutën, atëherë unë mendoj se shkrirja e tij është e vetmja rrugëzgjidhje paqësore e vendit.

– Si i komentoni deklaratat e ambasadorit Lu të bëra një ditë më parë?
E para, shpreh kënaqësinë që BKH nga sqetulla e Edvin Shullazit dhe Saje qorrit kaloi aty ku ne kemi kërkuar dhe kemi mbështetur. Mendoj se u humbën disa muaj, sepse pikëpamjen se ku duhet të jetë BKH e kam shprehur edhe para se të vijnë rekomandimet e para të Venezias për këtë Byro. Ajo u konfirmua dy herë që të ngrihet në Prokurorinë speciale, vendi i saj aty është, të bëhen të gjitha ndryshimet dhe grupi negociator i yni ka shprehur të gjitha qëndrimet e tij. Mendoj përsëri ta votojmë menjëherë sepse Edi Rama e ka betejë për jetë dhe vdekje këtë Byro. Jo vetëm që ka marrë një amanet nga Viktor Ponta dhe ju të gjithë si media e keni marrë vesh, por nuk ja u thoni shqiptarëve, dini detaje më shumë se unë për takimin e tyre të fshehtë dhe e mbani edhe ju të fshehtë, çka nuk ju nderon, por Edi Rama nuk ka nevojë të marrë amanete nga Ponta sepse kur i del vila e Surrelit, kur i del pallati në pajë apo afera me 600 milionë euro me CEZ, i dalin koncesionet me ndrikull Nushin, si dhe aferat me vëllain famoz Olsi, etj., ai nuk e voton atë. Prova, është jo miratimi aty në letër, prova është që ta votojmë që nesër. Do e konsideronim këtë si dëshmi të vullnetit nëse e bën, por nuk e bën dot ai këtë.

– Zoti Berisha, ju thoni që nesër, por ambasadori amerikan tha shumë qartë që BKH duhet të kalojë me Reformën në Drejtësi.
Jo, s’ka ndonjë dallim. Ata që bëjnë dallime nuk kanë kuptuar se çfarë kam thënë. Unë nuk them që të votohet Byroja dhe të mos votohet Reforma. Skema ime është që të votohet Byroja si kapitull i parë, sepse janë një seri ligjesh dhe amendamentesh për t’u përgatitur dhe në një marrëveshje, e cila të detyrojë palët që të votojnë çdo kapitull të reformës, por nuk ka nevojë të presim fundin sa të miratohet amendamenti i fundit dhe të fillojë votimi.

– Por nëse ka vullnet….
Të besosh se Rama ka vullnet politik, njeriu që e shtyu me makinacione teknike një vit rresht metodologjinë e punës. Ku e ka të grupin për të cilin thoshte se bënte çfarë t’i thonë ekspertët? I patë ekspertët, i hoqën maskat tani, ekspertë “të pavarur” dolën kunati me Sokol Sadushin. Kështu që, këto janë hipokrizira, të cilat i shërbyen Edi Ramës për ta shtyrë një vit kohë një reformë që do të ishte përfunduar dhe arkivuar dhe vendi do të kish marrë kredite të mëdha në BE në rrugën e integrimit.

– Po pse duhet të miratohet një herë BKH pastaj të vijohet me Reformën…?
Sa të hyjë në fuqi ajo, besoj e dëgjuat ambasadorin, që vetëm policët gjyqësorë duhet të kenë një trajnim serioz pranë zyrave të FBI. Pra, nuk është se e miratove ti sot dhe ajo do të hyjë në fuqi nesër. Por sa më shpejt që ta miratosh, aq më shpejt do të hyjë ajo në fuqi. Natyrisht, çfarëdo që të bëjmë ne, ajo do të kërkojë një kohë të duhur për t’u strukturuar tërësisht. Por unë jam dakord që të vijohet me përparësi me kapitujt që lidhen me funksionimin e kësaj Byroje sepse për mua, në bindjen më të thellë, thelbi dhe themeli i reformës është njësia antikorrupsion dhe lufta kundër korrupsionit. Natyrisht Prokuroria speciale dhe BKH janë një institucion, që duhet të jenë në një kontekst me institucionet e tjera, por ky është institucioni më i rëndësishëm.

Nishani homazhe për viktimat e akteve terroriste në Bruksel

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani bëri homazhe për viktimat e akteve terroriste në Bruksel pranë Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, ku u prit nga Shefi i Sektorit Politik, Ekonomik dhe të Informacionit, Jan Rudolph, i cili e konsideroi këtë vizitë si shprehje dhe simbol i solidaritetit të sinqertë e të palëkundur të popullit shqiptar. Kreu i Shtetit shqiptar nënshkroi Librin e Ngushëllimeve të hapur në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Tiranë në homazh të viktimave të ngjarjeve tragjike të Brukselit duke lënë këtë mesazh: “Gjendem këtu për të shprehur personalisht, në emër të vendit tim si dhe të mbarë qytetarëve shqiptarë ngushëllimet tona më të ndiera për viktimat dhe familjet e tyre dhe solidaritetin e palëkundur me popullin dhe autoritetet belge, pas veprimeve çnjerëzore e të pashpirt që ndodhën të martën në aeroportin dhe metronë e Brukselit. Terrorizmi katil dhe ekstremizmi pa kufij, egërsia dhe vrazhdësia e paprecedent ndaj vlerave dhe parimeve të lirisë dhe demokracisë nuk do të na mposhtin dot kurrë, edhe pse ato po na godasin në zemër të kontinentit tonë evropian, i cili sot është më i bashkuar se kurrë. Këto ditë ndjenja jonë e dhimbjes së thellë dhe e përkrahjes është e pakursyer për popullin belg dhe familjarët e viktimave të pafajshme, ashtu siç ishte disa muaj më parë për popullin francez dhe për këdo tjetër që është goditur padrejtësisht nga barbarizmi i terroristëve, ideologjia e dështuar e të cilëve nuk do të na vërë kurrsesi përfund. Kjo është një ndjenjë e sinqertë dhe po aq i patjetërsueshëm mbetet edhe qëndrimi ynë i bashkuar për të sfiduar dhe mundur këtë kërcënim serioz dhe vdekjeprurës në shekullin XXI. Aleanca e botës së civilizuar kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të çfarëdolloj forme apo ngjyre nuk do të dorëzohet kurrsesi dhe jam i bindur se do të dalim fitimtarë nga kjo betejë të gjithë bashkë! Iu prehtë shpirti në paqe viktimave të akteve barbare e të pakuptimta terroriste të Brukselit dhe Zoti iu dhëntë forcë dhe kthjelltësi familjeve e të afërmve të tyre, ashtu edhe autoriteteve të Evropës së Bashkuar për ta përballuar me sukses këtë situatë tragjike!”

Rama i jep 500 mijë euro kompanisë gjermane për konsulencë

Kompania gjermane do të sigurojë ekspertizën e nevojshme për koordinim dhe bashkëpunim në nivel politik, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverive të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për bashkëpunimin në zonat kufitare strategjike në fushën e transportit. Kompania gjermane e konsulencës “Roland Berger” është e njohur në qarqet e qeverisë shqiptare, pasi ka ofruar shërbimet e saj gjatë negociatave për gazsjellësin Trans Adriatic Pipeline ( deri në vitin 2013). Por, këtë herë është qeveria “Rama” që ka kërkuar shërbimet e kompanisë gjermane për një periudhë 6-mujore e për të cilën do të paguhet 480 mijë euro ( pa TVSH) për llogari të Ministrisë së Transportit dhe Industrisë. Vendimi që tashmë është zyrtarizuar edhe me hyrjen në fuqi në Fletoren Zyrtare parashikon që studioja konsulente “Roland Berger” të zhvillojë një kuadër ligjor, kontraktual dhe bashkëpunimi në nivele kombëtare ndërkombëtare, së bashku me një vlerësim paraprak për 3-4 projekt propozime të infrastrukturës së transportit, të cilësisë së lartë, tërësisht të vlerësuara e të përshtatshme për përpunim të mëtejshëm, në propozime për t’u investuar. Kompania gjermane do të sigurojë edhe ekspertizën e nevojshme për koordinim dhe bashkëpunim në nivel politik, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverive të shteteve të Ballkanit Perëndimor, për bashkëpunimin në zonat kufitare strategjike në fushën e transportit. Kjo vlen edhe në lidhje me realizimin e bashkëpunimit ndërmjet shtetit shqiptar dhe vendimmarrësve kryesorë të Bashkimit Evropian, me secilin shtet anëtar, veçanërisht me Republikën Federale të Gjermanisë,por edhe me çdo donator e partner publik të huaj, me qëllim gjetjen e financimit për projektet e cilësuara si prioritare. Këtu bëhet fjalë për angazhimet që qeveria shqiptare ka marrë në kuadër të asaj që njihet si “Procesi i Berlinit”, i krijuar gati një vit më parë me inicitivën e kancelares gjermane Angela Merkel. Shqipëria synon të bëhet pjesë e projektit të madh infrastrukturor që njihet si “Korridori i Kaltër” e që zbret nga Kroacia, në të gjithë bregdetin, Malin e Zi dhe Shqipëri e deri në pjesën veriore të Greqisë, në Igumenicë (Autostrada Adriatiko–Joniane). Ky është një projekt shumë i rëndësishëm, i cili u miratua përfundimisht në Samitin e Vjenës dhe vjen si një zgjatim i korridoreve europiane, që njihen me emërtesën “Ten T”.

KE kundër reformës së re territoriale: Ka krijuar konfuzion

Reforma territoriale dhe administrative në Shqipëri, e cila ndryshoi hartën e vendit, duke reduktuar 400 njësi në 61 të tilla, po implementohet me ngadalësi dhe ka krijuar konfuzion. Ky është konkluzioni i misionit të Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale që e vizitoi Shqipërinë në muajin shkurt. Ky mision – pjesë e Këshillit të Europës – e vizitoi vendin për të vëzhguar progresin e reformës së miratuar në korrik 2014 dhe situatën pas zgjedhjeve lokale të 2015–ës në 61 bashki të reja. Raporti i misionit që kryhesohej nga raportuesi holandez, Jos Wienen, zëvendëspresident i Komitetit të Monitorimit të Kongresit, të cilin “BIRN” ka mundur ta shohë, thotë: “Pavarësisht përpjekjeve për të siguruar mbështetje të përfaqësuesve të rinj të zgjedhur përmes Agjencisë së Zbatimit të Reformës Territoriale, zbatimi i procesit në nivel lokal duket të jetë i ngadalshëm dhe ndonjëherë i pavolitshëm. “Konfuzioni në lidhje me kompetencat dhe burimet financiare duket gjerësisht mes të zgjedhurve të rinj, duke kërcënuar zbatimin në kohë të reformës”, thuhet në raport. Raporti është gjithashtu kritik edhe kur bëhet fjalë për burimet financiare të alokuara për të mbështetur këtë reformë. Pavarësisht se qeveria alokoi 3.2% të GDP-së më 2016-ën për qeverisjen vendore, niveli më i lartë i dhënë ndonjëherë, ai sërish është konsideruar i pamjaftueshëm. “Për shkak të delegimit të kompetencave të reja dhe strukturës së re administrative-territoriale, buxheti i vitit 2016 nuk korrespondon me një rritje neto në burimet e të ardhurave të autoriteteve lokale”, thuhet në raport. Raporti vë në dukje edhe akuzat e opozitës për dhënie në mënyrë të njëanshme të granteve për financimin e projekteve të veçanta në nivel lokal. “Transparenca e procesit të dhënies së granteve është një çështje shqetësuese sepse ‘Fondi i Zhvillimit të Rajoneve’ menaxhohet nga qeveria qendrore dhe kështu ajo dyshohet për favorizim politik”, thuhet në raport. Raporti vë në dukje shqetësimet e opozitës në lidhje me mënyrën se si janë vendosur kufijtë e njësive të reja territoriale dhe thotë se akuzat për manipulim të zgjedhjeve janë hedhur poshtë nga qeveria. “Megjithatë, disa kufij të qarqeve elektorale janë dukshëm të shtrembëruara (veçanërisht në komunat e Tiranës dhe Shkodrës), pa arsye të dukshme empirike”, thuhet në raport. Në përgjithësi, raporti vlerëson reformën e pushtetit lokal shqiptar të jetë në një fazë tranzicioni dhe në moment të vështirë. “Delegacioni ka marrë raporte mbi probleme të konsiderueshme në tranzicion në komunat e reja të formuara. Kryesisht ato janë për mungesën e informacionit rreth kompetencave të reja, reduktimin e konsiderueshëm të fuqisë punëtore, pasigurisë buxhetore dhe ngarkesa e trashëguara financiare në nivel lokal”, përfundoi ai.

Skandali, bizneset do paguajnë disa herë taksën e arsimit

Faturat e taksave të Bashkisë për biznesin e mesëm e të madh, që po dalin këto ditë po nxjerrin në pah absurditetet e tjera të taksimit të bizneseve nga Bashkia e Tiranës. Këtë herë bëhet fjalë për taksën e përkohshme të arsimit, që përveçse është antikushtetuese, (pasi me Kushtetutë arsimi është falas), bizneset që punojnë me NIPT-e sekondare do të duhet ta paguajnë disa herë atë.
Fatura në foto i përket një biznesi të madh që ka tre NIPT-e sekondare, por vepron si një subjekt i vetëm. Ky subjekt duhet të paguajë tre herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore, në total 81 mijë lekë në vit (për biznesin e mesëm njësi me shumë e prodhimi, taksa e arsimit është  27 mijë lekë në vit). Ky është një taksim krejtësisht absurd dhe në shkelje të vetë vendimit të Bashkisë, që përcakton se “Taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës”.
Pra, pavarësisht se biznesi nga tatimet konsiderohet si një subjekt i vetëm juridisk apo fizik, ai po detyrohet të paguajë disa herë taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore. (Të ashtuquajturat NIPT-et sekondare sipas ligjit të TVSH-së duhen për  “Për ata persona të tatueshëm që si pjesë të veprimtarisë së vet ekonomike, kryejnë shitje me shumicë dhe shitje me pakicë, vendi i veprimtarisë të secilës shitje duhet të jetë i ndarë, dhe çdo vend veprimtarie duhet të pajiset me çertifikatë NIPT-i me numra të ndryshëm serialë”).
Të gjitha bizneseve, që veprojnë me NIPT-e sekondare po u vijnë faturat, ku specifikohet se duhet të paguajnë taksën e arsimit për çdo NIPT. Faturat nuk kanë dalë ende për të gjithë subjektet dhe sidomos për rrjetet e tregtisë, apo supermarketeve pritet që kjo taksë, për vetë palogjikshmërinë e saj, të ngjall shumë reagime. Në aksionin e fundit, tatimorët u kanë kërkuar shumë bizneseve që të pajiseshin me NIPT-e sekondare edhe për zyra që mund ishin ngjitur me njëra-tjetrën.
Në total, biznesi në fjalë me tre NIPT-e sekondare duhet të paguajë 495 mijë lekë taksa bashkie në vit: 414 mijë lekë tarifë pastrimi për tre njësitë (për dy njësi nga 170 mijë lekë dhe për një 74 mijë lekë) dhe 81 mijë lekë për arsimin. Në krahasim me një vit më parë, tarifat e pastrimit janë dyfishuar, ndërsa e arsimit është taksë e re. Në total biznesit i janë rritur taksat me 139%.

Bashkia planifikon të mbledhë 5 milionë euro nga taksa e arsimit
Janë rreth 5 milionë euro (650 milionë lekë) që familjet e Tiranës dhe bizneset do të paguajnë për llogari të Bashkisë për taksën e përkohshme për infrastrukturën arsimore në vitin 2016.
Shifra bëhet e ditur në projektbuxhetin e vitit 2016 të Bashkisë Tiranë, ku nga 650 milionë lekë që planifikohen të mblidhen, 320 milionë lekë do i paguajnë familjarët dhe 330 milionë lekë subjektet tregtare. Në vitin 2017, planifikohen të mblidhen 690 milionë lekë dhe në 2018-ën rreth 720 milionë lekë. Në total, për periudhën 2016-2018 pritet të derdhen në arkën e Bashkisë rreth 2 miliardë lekë, apo rreth 15 milionë euro, të ndara pothuajse përgjysmë nga familjarët dhe bizneset.
Sipas relacionit të Bashkisë, taksës së përkohshme për infrastrukturën arsimore i nënshtrohen të gjitha familjet, personat fizikë ose juridikë, vendas ose të huaj, që banojnë dhe ushtrojnë veprimtari ekonomike brenda territorit të Bashkisë së Tiranës.
“Të ardhurat nga kjo taksë e përkohshme do të përdoren me qëllimin për të cilën është vendosur, për rikonstruksionin e objekteve arsimore, shkolla e kopshte si dhe të infrastrukturës arsimore të Bashikisë së Tiranës, e cila e ka të domosdoshme ndërtimin e shkollave e kopshteve të reja dhe ndërhyrjet për rikonstruksionin e atyre ekzistuese”, thuhet në relacionin e Bashkisë.
Vendosja e taksës së përkohshme për 7 vjet për arsimin ka ngjallur shumë debate, pasi cenon parimin kushtetues që arsimi fillor dhe i mesëm është falas. Taksa do të jetë 1800 lekë në vit për familjet dhe do të mblidhet në faturën e ujit, ndërsa për bizneset varion deri në 4 mijë lekë 37 mijë lekë në vit për VIP-at, sipas tabelës më poshtë.

Raporti Global i Financës: Shqiptarët më të varfërit në rajon, s’kanë fuqi blerëse

Shqipëria u radhit si një nga vendet më të varfëra të rajonit, duke lënë prapa vetëm Bosnjë Hercegovinën për nga fuqia blerëse. Një indeks i Global Finance që mat nivelin e varfërisë në mbi 180 vende të botës e rendit Shqipërinë në vendin e 95 në rang botëror, duke përdorur si njësi matëse paritetin e fuqisë blerëse (PPP). Mali i Zi u rendit në vendin e 75, Maqedonia në vendin e 84, Serbia në vendin e 89 dhe Kroacia në vendin e 60. Në vendin e fundit në Rajon renditet Bosnja, e cila në listën globale të fuqisë blerëse zë vendin e 104. Global Financë sqaron se në përgjithësi, ka dy metoda standarde për të përcaktuar vendet më të pasura dhe ato më të varfëra të botës. Zakonisht merret në konsideratë Prodhimi i Përgjithshëm Bruto dhe ndarja e tij për frymë. Megjithatë përkufizimi më real dhe më i pranuar mes ekspertëve, por edhe nga vendet e pasura është përcaktimi se sa i pasur është rezidenti i një vendi. Për këtë arsye, metoda më e mirë për të përcaktuar nivelin e varfërisë është fuqia blerëse. Global financë ka rënë dakord se, kjo është metoda ndoshta më e dobishme për të krahasuar dallimet e përgjithësuara në standardet e jetesës në mes të kombeve. Kjo për shkak se fuqia blerëse merr parasysh koston relative të jetesës dhe normat e inflacionit të vendeve. Global Finance e ka bërë renditjen e vendeve, duke marrë si bazë valutën amerikane dollarin, duke korrigjuar edhe efektet e kursit të këmbimit me monedhat vendase. Edhe një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e varfërisë në rajon ka gjetur se, Shqipëria dhe Mali i Zi panë rritje të mprehtë të varfërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit pas krizës financiare të vitit 2008. Në një analizë të gjatë për fenomenin, Fondi vë në dukje se, varfëria aktuale dhe pritshmëritë për të ardhurat në të ardhmen ka të ngjarë të ndikojë në rritjen e migrimit nga rajoni, duke i cilësuar si më të prekurat Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Karakteristikat e varfërisë kanë ndryshime të thella mes vendeve. Të anketuarit në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi të ndjehen statistikisht në mënyrë të konsiderueshme më të varfër se ata në Shqipëri (të nxitur nga opinionet shumë negative mbi të ardhurat në të ardhmen). Ekspertët e Fondit kanë vërejtur se ballkanasit e perceptojnë varfërinë më të lartë se sa gjendja e tyre reale. Në rajon të gjitha qeveritë janë trashëgimi e së kaluarës. Por teksa roli i shtetit për të vepruar si një stimul për familjet dhe ekonominë është tkurrur, zhvillimi i sektorit privat nga ana tjetër ka mbetur prapa, siç pasqyrohet në normat e larta të papunësisë. Gjatë krizës dhe pas saj, të ardhurat e qeverive janë ulur, duke vënë nën presion shpenzimet, duke përfshirë pagat, pensionet dhe mbrojtjen sociale. Bumi i fillimit të viteve 2000 solli një rritje të qëndrueshme në të ardhura në të gjithë rajonin. Varfëria ra ndjeshëm, si në aspektin e numrave absolute, megjithatë rritja e shpejtë ka sjellë edhe pabarazi në shpërndarjen e përfitimeve. Edhe në raportin e Vlerësimit të Transparencës Fiskale (FTE) për Shqipërinë, raport i kryer me kërkesë të qeverisë së Shqipërisë nga një ekip nga Departamenti i Çështjeve Fiskale të Fondit në qershor 2015, FMN ka shprehur shqetësime në lidhje me ecurinë e ekonomisë së vendit. Në shumë fusha Shqipëria performon sipas standardeve të përcaktuara me Kodin e Transparencës Fiskale të FMN-së. Rreth 10 parime të Kodit nga 36 gjithsej janë renditur si ose “mirë” ose “të avancuar” dhe 14 parime janë vlerësuar si “bazike”. Megjithatë, në tetë fusha kërkesat themelore të Kodit “nuk plotësohen”. Në raport me tri shtyllat e Kodit, FMN konstaton se raportet fiskale mbulojnë pjesën më të madhe të të ardhurave të përgjithshme të qeverisë, shpenzimet, financimin dhe borxhin, por ofrojnë pak informacion në lidhje me elemente të tjerë të bilancit, duke përfshirë një vlerësim rreth 83 për qind të PBB-së në asetet fikse dhe financiare dhe 7 për qind të PBB në detyrimet e partneriteteve publiko-private (PPP). Sektori i korporatave publike të Shqipërisë, me aktivet dhe pasivet që zënë rreth 29 për qind të PBB-së, është gjithashtu jashtë raporteve të konsoliduara fiskale. Raportet fiskale përfshijnë disa, por jo të gjitha kontrollet e integritetit dhe mospërputhjet në fluksin e rrjedhjes së parasë kanë qenë të mëdha (rreth 1 për qind e PBB-së), në vitet e fundit. Parashikimi fiskal dhe buxhetimi rregullohet nga legjislacioni gjithpërfshirës dhe një kornizë fiskale afatmesme. Megjithatë, parashikimet zyrtare kanë mbivlerësuar dukshëm si GDP (me 1.5 për qind) dhe të ardhurat (nga 2 për qind të PBB-së) gjatë dekadës së kaluar. Si rezultat, buxheti i miratuar shpesh është reduktuar ndjeshëm gjatë vitit për shkak të mungesës së të ardhurave, duke minuar besueshmërinë e tij.

Maskat masakrojnë dy pleq dhe ju marrin 1 milionë lekë

Dy persona të maskuar grabitën gjatë natës një cift të moshuarish në fshatin Arapaj në Durrës. Policia ka dhënë vetëm inicialet e tyre. Ata janë A.K. 80 vjeç dhe M.K. 76 vjeçe (bashkëshortë). Autorët fillimisht i kanë rrahur të moshuarit duke i goditur më shkopinj dhe më pas kanë arritur të marrin rreth 100 000 lekë të reja.
Efektivat e Policisë kanë bërë të mundur shoqërimin e 9 personave si të dyshuar për ngjarjen. Specialistët për Krimet vijojnë intensivisht punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

 

Berisha: Rama vazhdon betonizimin e Parkut në dhunim të 5 ligjeve

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar sot kundër betonizimit të Parkut të Liqenit nga Rama. Në një psotim në Facebook, Berisha shkruian se ky betonizim bëhet në kundërshtim të 5 ligjeve. “Edi Rama, bazuar ne ligjin e xhepit, vazhdon betonizimin e Parkut në dhunim të 5 ligjeve të vendit! Sb”, shkruan Berisha në Facebook.

 

Byroja Kombëtare e Hetimit, arrihet kompromisi për pavarësinë nga qeveria

Komisioni i Posacëm i Reformës në Drejtësi arriti sot kompromisin që Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) të jetë në varësi të Prokurorisë. Ky është kompromisi i parë mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me reformën në drejtësi pavarësisht se të dy palët deklarojnë se pranojnë Raportin dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias për krijimin institucioneve të reja të drejtësisë dhe gjyqësorit.
Lidhur me BKH ka një rekomandim të Venecias që është mbrojtur fort nga opozita që Byroja nuk duhet të jetë në varësi të gjyqësorit.
Përgjatë debatit është folur dhe më pas është arritur konsensusi për varësinë e BKH. Është zgjidhur se kush nuk duhet të emërojë drejtuesin e BKH por nuk është zgjidhur se cila zyrë duhet ta emërojë atë.
Pra do të jetë Prokurori i Përgjithshëm apo një institucion tjetër i hetimit i baraslarguar jo vetëm nga qeveria por edhe nga Prokuroria.
Sot dhe nesër do të vijojë tryeza politike për të vijuar më pas me tryezat e ekspertëve. Palët janë afruar në qëndrime falë asistencës ë ambasadorit të SHBA në Tiranë, Donald Lu.

Dëshmia për avionët me drogë në Akërni të Vlorës: Pilotët njoftohen me anë të zjarrit

Banorët në Akërni të Vlorës thonë se kanë dëgjuar herë pas here zhurmat e avionëve që ulen. Sipas tyre, zhurmat e avionëve dëgjohen herët në mëngjes pa u zbardhur mirë dita. “Pilotët njoftohen me anë të zjarrit se ku duhet të ulin avionët. Pasi më parë është kontrolluar terreni nga trafikantët, ata e japin garancinë e uljes së avionit me anë të zjarrit.
Me sa duket, pilotët ulen në fushë për t’u ngarkuar, vetëm kur shohin në ajër zjarrin e ndezur. Këto mund të jenë kode të trafikantëve me pilotët. Shpeshherë dëgjojmë zhurma avionësh gjatë natës dhe në orët e para të mëngjesit”, shprehen banorë të Akërnisë.
Banorët thonë se kanë parë zjarre të ndezur në distancë, e më pas kanë dëgjuar zhurmat e avionëve të vegjël që ulen afër fshatit. Ka të tjerë që pohojnë se i kanë parë avionët, të bëjnë ulje në këtë zonë.