35.5 C
Tirana
E hënë, 11 Gusht, 2025

Berisha-Kuqi: Bllokimi i Rrugës së Arbërit, qëndrim i papërgjegjshëm i qeverisë shqiptare

Ish-Kryeministri Berisha ka zhvilluar një takim me ministrin e Ekonomisë të Maqedonisë, Driton Kuqi, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni. Berisha ka shprehur keqardhjen për mungesën e investimeve në Maqedoninë Perëndimore.
“Pata kënaqësinë të prisja në një takim ministrin e ri të Ekonomisë së Maqedonisë, zotin Driton Kuqi, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në vendin tonë.
Ministri Kuqi më solli përshëndetjet e kryetarit të BDI, Ali Ahmeti dhe më njohu me zhvillimet e fundit politike në këtë vend, të cilat i ndjek me shumë interes dhe në mënyrë konstante. Ministri Kuqi më njohu mbi vendimin për të hapur në Shkup Universitetin shqiptar ‘Nënë Tereza’. Shfrytëzova rastin për t’i përcjellë kryertarit të BDI, z. Ali Ahmeti përshëndetjet e mia të përzemërta, falënderova me mirënjohje emërtimin e një rruge të bukur në Shkup me emrin e tribunit të lirisë së shqiptarëve Azem Hajdari. Shpreha vlerësimin tim të madh për nismën e hapjes së universitetit shqiptar në Shkup dhe emërtimin e tij me emrin ‘Nënë Tereza’, nobelistes shqiptare, gruas më të famshme të shekullit që jetoi.
Unë në takim vlerësova shumë gjithashtu tendencën në rritje të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni për të hedhur mënjanë guackën e asimilimit të imponuar nga politikat antishqiptare dhe për t’u ndjerë siç janë, krenarë me përkatësinë dhe identitetin e tyre kombëtar shqiptar.
Ata kanë dhënë një kontribut palcor në rilindjen dhe çështjen kombëtare. Në këtë takim shpreha keqardhjen që komuniteti ndërkombëtar po injoron krizën e thellë që ekziston në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni për shkak të albanofobisë. Mendoj se një organizim i llojit federal do të mund të ulte tensionet ndëretnike dhe do të kontribuojë në stabilitetin e Maqedonisë. Në këtë takim shpreha keqardhjen time për mungesën e investimeve në Maqedoninë Perëndimore, si dhe për qëndrimin e papërgjegjshëm të qeverisë shqiptare që nuk po çon përpara punimet për të përfunduar rrugën e Arbërit, e cila pa diskutim mund të quhet si rruga e dytë e kombit, që do të afrojë jo vetëm Shkupin me Tiranën me 104 km, por do të sjellë më afër trevat shqiptare në tërësi. Takimi ishte miqësor”, shprehet Berisha në postimin e tij në rrjetin social Facebook.

Kosova nuk i prek lojtarët e Shqipërisë

Afrimi i datës për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota e UEFA-s, që i hap rrugën pjesëmarrjes në aktivitetet ndërkombëtare, nuk do të shkaktojë tërmet te Kombëtarja shqiptare. Ndihmës trajneri i përfaqësueses së Kosovës, Muharrem Sahiti, konfirmoi për emisionin “Fans Zone” vendimin e Federatës Kosovare të Futbollit, që asnjë nga afro 20 lojtarët që janë pjesë aktive e Kombëtares kuqezi, apo në listën e madhe të skuadrës, nuk do të ftohen.
“Do të bëjnë zgjedhje personale dhe ata do ta vlerësojnë më së miri, kur të jetë momenti i pranimit të përfaqësueses së Kosovës. Por, pa i prekur edhe përfaqësueset e tjera dhe mbi të gjitha në këtë rast Kombëtaren shqiptare. Unë e përsëris vendimin që kemi marrë ne si Federatë që mos t’i prekim lojtarët e Kombëtares shqiptare. Ata lojtarë që nuk kanë të drejtë të luajnë për Kombëtaren shqiptare, do të kenë mundësi tashmë që të luajnë për Kosovën, prandaj kjo vlen edhe për Adnan Januzajn”, u shpreh Sahiti.
Krahu i djathtë i trajnerit Bunjaki theksoi se, një përfaqësuese e dytë e shqiptarëve nuk e dëmton Kombëtaren kuqezi, ndërsa la të hapur edhe mundësinë e afrimit te Kosova të lojtarëve të lindur në Shqipëri. Por, kryefjala mbetet bashkëpunimi me Federatën Shqiptare. “Kombëtaren shqiptare nuk e dëmton aspak përfaqësuesja e Kosovës. Përkundrazi, në aspektin sportiv do të rritet konkurrenca. Kemi aq shumë futbollistë, sa do të kemi mjaftueshëm lojtarë për dy kombëtare. Mund të interesohemi për lojtarë që nuk mund të arrijë që të jetë pjesë e Shqipërisë, por prapë kjo do të ndodhë vetëm në bashkëpunim me Federatën Shqiptare. Asesi nuk do të marrim vendime të njëanshme, por do të respektohet FSHF për angazhimin e ndonjë futbollisti shqiptar të Shqipërisë”, tha ai.
Sahiti i është përgjigjur edhe tifozëve, sipas të cilëve mund të ekzistojë vetëm një Kombëtare e shqiptarëve dhe ajo është skuadra e drejtuar nga Gianni De Biasi. “Ne duhet t’i ndajmë aspektin sportiv nga aspekti patriotik. Është padrejtësi e madhe ajo që na është bërë në vitet kur ndodhi ndarja, por tashmë funksionojmë si dy shtete, e duhet të funksionojmë edhe në futboll si dy shtete. Për të pasur një Kombëtare, duhet të kemi një president, një kryeministër, një parlament dhe të funksionojmë si një shtet”, përfundoi Sahiti.

Të gjithë në provë

Të gjithë në provë. Nuk është një frazë banale, por slogani që trajneri i Interit, Roberto Mançini, ka në mendje për t’i dhënë një konfigurim më të qartë organikës së Interit sezonin e ardhshëm. Për t’iu dhënë dy shembuj: Jovetiç po bën një paraqitje të shkëlqyer në fund të sezonit, ndërsa Ljajiç është zhdukur nga “radari”.
Me përjashtim të ndonjë të papriture në orët e ardhshme, më datë 7 maj, në përfundim të sfidës në shtëpi kundër Empolit, është në program që të zhvillohet një mbledhje e madhe, e cila do të shërbejë për të analizuar punën e bërë gjatë sezonit dhe piketat e para që do të hidhen për ndërtimin e skuadrës në sezonin e ardhshëm. Në Milano do të zbarkojë presidenti Erik Tohir, i cili do të qëndrojë për disa ditë. Indoneziani do të diskutojë me Mançinin dhe Auzilion për strategjinë e merkatos, teksa gjatë qëndrimit në Itali, Tohir do të takohet edhe me drejtuesit e Milanit për të folur mbi restaurimin e stadiumit “San Siro”, impianti ku do të luhet edhe finalja e Ligës së Kampioneve.
Mirëpo, për të investuar para në afrimin e futbollistëve në merkato, Interit i duhet të sakrifikojë një prej lojtarëve “big” që ka më shumë kërkesa jashtë territorit italian. Për momentin është Ivan Perisiç futbollisti që duket se do të jetë i sakrifikuari i Interit në fund të sezonit.
Sulmuesi kroat pëlqehet nga Çelsi, që flitet se është gati të investojë në merkato 25 milionë euro. Sakaq, edhe anglezët e Evertonit janë vënë në “gjurmët” e lojtarit, duke i ofruar Interit 30 milionë euro për shërbimet e kroatit. Lidhur me këtë tratativë, fjala e fundit i takon trajnerit zikaltër, Roberto Mançini, i cili vetëm një sezon më parë e kërkoi me ngulm afrimin e Perisiçit nga Volfsburgu. Sakaq, ofertat nuk mungojnë as për Mauro Ikardin, i cili ndiqet me shumë interes nga Atletiko e Madridit, ndërsa në listën e të “rrezikuarve” për t’u larguar është edhe mbrojtësi Murijo, për të cilin së fundmi u interesua Reali i Madridit. Duke qëndruar në temën e merkatos, Roberto Mançini, vetëm dy ditë më parë, gjatë një interviste për mediat italiane, tha: “Do të shohim ç’do të ndodhë. Sa për Jaja Turen, po flasim për një lojtar të Mançester Sitit. Nuk besoj se do të jetë e lehtë të operohet në merkato. Do të shohim se çfarë mundësish do të na shfaqen”.
Një tjetër lojtar që nuk e ka të sigurt të ardhmen e tij në organikën e Interit është Adem Ljajiç. Futbollisti serb këtë sezon numëron 26 ndeshje dhe vetëm 3 gola me Mançinin në stol. Gjithsesi, Ljajiç konsiderohet një futbollist funksional për të ardhmen, mirëpo Interi i ka vënë kusht Romës që të ulë pretendimet e saj ekonomike nga 15 milionë euro në 8 milionë për të ushtruar të drejtën e blerjes së kartonit, i cili është në pronësi të verdhekuqve.

Michel Platini kërkon presidencën e FIFA-s

Michel Platini nuk heq dorë nga posti i presidentit të FIFA-s. Në momentin që paraqiti apelimin e tij në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për përjashtimin nga futbolli për një periudhë 6-vjeçare, ish-presidenti i UEFA-s bëri të ditur se posti i presidentit të FIFA-s është objektivi i tij në një të ardhme shumë të afërt. “Mendoj se do të jem president i FIFA-s, duke filluar që prej muajit qershor”, u shpreh Platini.
Një deklaratë e guximshme nga Platini, që duket se mbështetet pikërisht te siguria e tij se do të arrijë të fitojë çështjen në Gjykatën e Lozanës. “Unë kam qenë gjithmonë shumë i qartë sa i përket çështjes sime. Është e vërtetë që unë kam punuar për FIFE-n dhe kam marrë një pagesë për punën e bërë, por njëkohësisht kam paguar të gjitha taksat. Pas tetë vjetësh u përmendën shumë gjëra, dhe detaje që nuk kanë shumë lidhje me çështjen. U akuzova se kam patur konflikt interesi, por përsa më përket mua, unë besoj se kam qenë i pastër dhe konkret në gjithçka që kam deklaruar dhe se nuk ka patur kurrfarë konflikti interesi në këtë çështje”, tha ai.
Në zgjedhjet e mbajtura pak muaj më parë, Gianni Infantino u zgjodh presidenti i ri i FIFA-s, por Platini shpreson që në rast pafajësie të kërkojë një tjetër proces zgjedhor nga ana e qeverisë së futbollit botëror.

Hicfeld kritikon Guardiolën

Pep Guardiola surprizoi me formacionin në ndeshjen që s’duhej. Përballë një “uragani” si Atletiko Madrid nuk mund të luhej me Komanin në krahun e djathtë, duke u besuar 4 spanjollëve, apo me vetëm dy gjermanë në fushë, Nojerin dhe Lahmin. Nuk mund të liheshin në stol dy ikonat, apo “emblemat’ e klubit bavarez, Frenk Riberi dhe Tomas Myler. Këtë tezë ka mbrojtur si legjenda Otmar Hicfeld dhe asistenti i Guardiolës, Herman Gerland. Në mënyrë indirekte kundër surprizës së pakëndshme ka qenë kapiteni Filip Lahm dhe Lotar Mateus, duke i dalë në mbrojtje Tomas Mylerit.
“Nuk mund të jem i lumtur. Kur ke një ekip solid dhe gjen kaq pak vend në këtë moment, atëherë duhet të mbajmë emocionet”, tha Myler pas ndeshjes. Ish-trajneri i Bajernit, Otmar Hicfeld, e kryqëzon rrotacionin në analizën e tij për “Sky”.
“Për mua ishte një surprizë e rrezikshme dhe koincidoi delikate me shumë risk. Tomas Myler është i rëndësishëm për Bajernin si Mesi për Barcelonën. Në ndeshjet vendimtare janë pothuajse të pazëvendësueshëm. Por, Guardiola është një trajner guximtar”, analizoi Hicfeld.
Me atë vendim, Guardiola rrëzoi edhe ligjin e Van Galit, i cili pati thënë për Tomasin që 20 vjeç: “Myler luan gjithnjë”. Edhe pse Pep u justifikua që donte më shumë mesfushë krahu, Myler mund ta bënte rolin më mirë se Koman.
Për Mylerin, Guardiola u provokua edhe nga gazetarët, të cilët e pyetën: “Pse nuk e aktivizuat sot Mesin titullar?” Pro Mylerit flet çdo fakt dhe statistikë. 26-vjeçari gjerman ka shënuar 8 gola në 11 ndeshje Championsi gjatë këtij sezoni. Ishte pikërisht ai që shënoi edhe golin e barazimit kundër Juventusit. Ishte ai që ndëshkoi Verderin me dy gola në gjysmëfinale të Kupës.
Vendimet e tij janë të pakundërshtueshme, prandaj edhe asistenti gjerman Herman Gerland shprehet i surprizuar nga zgjedhjet e Guardiolës. “Kanë ndodhur shpesh surpriza që një lojtar qëndron në stol pa e parashikuar një gjë të tillë.
Ndaj Atletikos patë dy, Tomas Mylerin dhe Frenk Riberinë”, pati thënë Gerland para ndeshjes me Atletikon, duke e vënë theksin te Tomasi. “Myler sillet gjithnjë me zgjuarsi, por nuk mendoj se ndihet i lumtur që qëndron në stol”.
Edhe kapiteni Lahm këshillon indirekt që Pep të korrigjohet: “Jam i sigurt që Myler do të shënojë një gol në gjysmëfinale”. Pra, Myler duhet të luajë titullar. Në të njëjtën linjë ka qenë rekordmeni Lotar Mateus dhe Borsi Beker, të cilët besojnë te përmbysja falë Tomas Mylerit.

PSG barazon rekordin e pikëve në Ligue 1

Paris Saint-Germain është një skuadër që nuk ka rivalë në Francë. Me fitoren e lehtë 4-0 përballë Rennes, në “Parc des Princes” skuadra e Laurent Blanc barazoi rekordin e vendosur nga vetë parizienët gjatë sezonit të kaluar për pikë të grumbulluara në Ligue 1, me 89. Pas një pjese të parë të karakterizuar nga rreshjet dhe të mbyllur pa gola, ekipit kryeqytetas i mjaftuan vetëm 5 minuta nga fraksioni i dytë për të zhbllokuar shifrat me Maxuell.
Parizienët dyfishuan katër minuta më pas me Zlatan Ibrahimoviç, që shfrytëzoi asistin e Angel Di Maria-s. Sulmuesi suedez shënoi përsëri 12 minuta përpara fundit të kohës së rregullt, duke realizuar golin e 34-t sezonal. Në minutat shtesë, kishte kohë edhe për festën e Cavanit që vulosi shifrat në 4-0. Një sukses i vlefshëm, pavarësisht titullit të fituar matematikisht.
Kjo për faktin se në “Parc des Princes” janë në ndjekje të rekordeve. Përveç skuadrës që synon të vazhdojë të shkruajë historinë, kur kanë mbetur edhe tre ndeshje nga fundi i kampionatit, Zlatan Ibrahimoviç i nevojiten edhe 4 gola për të thyer rekordin 38-vjeçar të Carlos Bianchi te PSG, me 37 rrjeta në një sezon të Ligue 1.
Ndërkohë, Augsburgu është tashmë më i qetë për shanset që ka për të luajtur edhe sezonin e ardhshëm në Bundesliga. Rrjeta të paprekura  dhe barazim pa emocione mes Augsburgut dhe Këlnit në ndeshjen që çeli javën e 32 të Bundesligës, me Mavrajn që nuk ishte mes të grumbulluarve për shkak të një lëndimi muskular që kishte pësuar në stërvitje gjatë javës.
Edhe pse Këlni kishte siguruar matematikisht mbijetesën që një javë më parë me fitoren ndaj Darmstad miqtë ishin ata që u shfaqën më mirë, në minutën e 2 Dominic Maroh dominoi mbrojtjen e vendasve, por goditja e tij me kokë doli pak centimetra jashtë porte. Në të 56 Këlni mbeti me 10 lojtarë, pasi Tboas Welz i dha kartonin e dytë të verdhë Mathias Lehman, dhe Augsburgu u përpoq të përfitonte, por pa mundur të gjejë golin e fitores (min 67) dhe në fund përfundoi 0-0 me Auygsburgun, që nuk arrin të shënojë rekordin sezonal me fitoren e 4 radhazi dhe aktualisht gjendet në kuotën e 37 pikëve në tabelën e klasifikimit.

Berlusconi i pavendosur

Milani është në kaos në të gjitha drejtimet. Ndryshimi në stol dhe emërimi i Brocchi-t nuk shërbeu për t’i dhënë impluse të reja lojës dhe rezultateve të skuadrës, për t’u renditur të paktën në vendin e gjashtë të Serisë A dhe të sigurojë vendin në kualifikueset e Europa League. Por, problemet e kuqezinjve nuk lidhen vetëm me drejtimin teknik. Problemet e klubit janë ato që kanë ndikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë në rendimentjen e skuadrës. Përpos mungesës së financave për afrime cilësore, në çështje është kthyer edhe e ardhmja e paqartë.
Drejtuesit e Milanit, me në krye Silvio Berlusconin ende nuk i kanë idetë e qarta të rrugës që do të ndjekin. Dilema më e madhe lidhet me faktin nëse presidenti do të vendosë të shesë apo jo aksionet e “Djallit”. Berlusconi nuk dëshiron që ta lejë skuadrën në nivele kaq të ulëta, por ndërkohë aksionarët e vegjël dhe tifozët kërkojnë me të madhje shitjen e klubit. Mundësia e ndryshimit të pronësisë duket reale, me takimin e javës së ardhshme të programuar me grupet kineze të përbërë nga Alibaba dhe nga Evergrande.
Ndryshe nga historia me Mr. Bee, diskutimet e tanishme pritet të shoqërohen me fakte konkrete, mbi të gjitha me sigurimin e fondeve. Bëhet fjalë për 550 milionë euro, të cilave do t’u shtohen edhe 250 milionë euro të tjera investim. Berlusconi ashtu si edhe aksionarët e vegjël, po presin me padurim që situata të zgjidhet. Edhe tifozët, prej vitesh të lodhur nga një skuadër që cilësohet “Milani B”, duket se janë dorëzuar. Shitja e klubit është mënyra e vetme për t’u kthyer konkurrues.
Ndërkohë, “Corriere Dello Sport” palajmëronte në titullin kryesor të kësaj të enjteje se trajneri i ardhshëm i Milanit, do të jetë Marcelo Lippi, i cili pritet të pasojë në këtë detyrë Christian Brochin, që me barazimin me Carpin dhe humbjen me Veronën ka prenotuar largimin nga kuqezinjtë. Por orët e fundit ka dalë në skenë edhe emri i Manuel Pelegrinit, trajnerit aktual të Manchester Cityt, që do të lirohet nga çdo detyrim kontraktuar me Cityzens në fund të sezonit, edhe nëse kiliani do të arrijë të bëjë mrekullinë, duke fituar Championsin.
Në fakt për mundësinë e afrimit të Marcelo Lippit është folur prej disa muajshm madje fillimisht në postin e drejtorit teknik, por Berlusconi po sheh mundësinë për të arritur një marrëveshje me Manuel Pellegrinin, të cilin e kërkonte edhe në kohën kur drejtonte Malagan.
Skuadrat që ka drejtuar 63-vjeçari gjithmonë kanë zhvilluar një futboll të bukur dhe mjaft të organizuar, ndaj “Cavalieri” do t’ia besonte pa u menduar gjatë postin e trajnerit. Kiliani ka moshën dhe eksperiencën e duhur për të patur sukses edhe në Serinë A. Nuk përjashtohet mundësia që Berlusconi t’i bindë që të dy, sigurisht me detyra të ndryshme, një trajner dhe tjetri drejtor teknik.

Juve, gati rinovimi për Pogba, 6,5 milionë euro në sezon

Brenda 20 ditëve, Juventusi do të vendosë për qëndrimin ose jo të Paul Pogba. Përsa i përket kësaj çështjeje, mesfushori i badhezinjve u përgjigj se është nën kontratë me kampionët e Italisë dhe se për të ardhmen e tij duhen pyetur drejtusit e klubit. Përgjigjja e francezit lë në pikëpyetje të ardhmen e tij te Juventusi. Situata bëhet disi më e komplikuar prej ofertave në adresë të 23-vjeçarit. Klube si Manchester United, PSG, Barcelona, Reali i Madridit e gjigantë të tjerë të futbollit europian janë të gatshme t’i ofrojnë Pogbas deri në 10 milionë euro rrogë në sezon.
Ndërkohë që, nga ana tjetër drejtori i përgjithshëm i Juventusit, Beppe Marotta është shprehur qartë, se stafi drejtues i “Zonjës së Vjetër” ka besim absolut tek mesfushori dhe nuk dëshiron të heqë dorë prej tij. Pritet që të hënën të zhvillohet një takim mes Pogba dhe Marrotas, ku do të diskutohet rreth rinovimit të kontratës. Shifrat janë të rëndësishme: pagë 6,5 milionë euro në sezon, të cilës i shtohen edhe bonuse për paraqitjet dhe rezultatet. Kjo është oferta që drejtuesit bardhezi do t’i paraqesin francezit. Synimi i Juventusit është që Pogba të qëndrojë në Torino, por nga ana tjetër duhet parë dhe dëshira e lojtarit. E, nëse ky i fundit dëshiron largimin, Juventusit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të presë ofertat që do të vinë, nga ku pritet që konkurrenca të jetë e fortë.

Abrashi dhe Freiburg në Bundesligën gjermane

Amir Abrashi dhe Freiburg festuan ngjitjen zyrtare në Bundesligën gjermane për sezonin e ardhshëm. Falë fitores 2-1 në fushën e Paderbornit, skuadra e drejtuar nga trajneri Christian Streich rikthehet në elitë vetëm një vit pas rënies nga kategoria. Me golat e realizuar nga Mike Frantz dhe Nils Petersen, në harkun e dy minutave të pjesës së dytë të ndeshjes, ngjitja mes më të mirëve u sigurua kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e sezonit. Si zakonisht, Abrashi ishte titullar edhe në këtë sfidë, duke dhënë kontributin e jashtëzakonshëm për skuadrën në mesin e fushës.
Freiburg kryeson Bundësligën e dytë me 69 pikë, 5 më tepër se Leipzig dhe 10 pikë përpara Nurnberg-ut të vendit të tretë, por me suksesin në fushën e Paderbonit ka garancinë matematikore se do ta mbyllë edicionin në dy vendet e para të renditjes.
Një sukses i jashtëzakonshëm për Amir Abrashin, i cili u transferua te Freiburg në fillim të sezonit. 26-vjeçari kuqezi, që ishte mes më të spikaturve, klubi dhe tifozët presin të jenë konkurues edhe në elitë, ku jo më larg se viti 2013 e mbyllën sezonin në vendin e pestë të Bundesligës.

Trafikanti Roshi, 3 milionë euro për tri kilometra rrugë në Leshniqe

Të gjitha institucionet po zhvillojnë një “garë” se kush shpenzon më shumë, me qëllim që të bindin popullin se po punojnë. Por, në një kohë që zyrtarët mbeten me gërshërë në dorë, pakkush e di sesa është vlera e një projekti që po përurohet. “Bold News” ka siguruar disa dokumente të një tenderi që do të zhvillojë Bashkia e Kavajës, më saktësisht kreu i saj Elvis Roshi, i akuzuar nga politika për lidhje me krimin.
Deri më tani nuk është faktuar asnjë akuzë, pasi ka të dhëna se aktivitetin kriminal dyshohet se e ka zhvilluar jashtë kufijve të Shqipërisë. Megjithatë, në përpjekje për të zbardhur aktivitetin publik, “Bold News”, ka dokumentet e tenderit për ndërtimin e rrugës Leshniqe-Qerret. Menjëherë sapo shikon dokumentet, të bën çudi vlera e lartë e investimit. Rruga është rreth 2.9 kilometra dhe vlera që do të investohet atje është më shumë se 3 milionë dollarë. Pra, një kilometër rrugë do të ndërtohet me një çmim stratosferik, sikur të ishte një autostradë me katër korsi, të bëhej ndonjë tunel apo me bay-pass.
Në dokumentet e siguruara thuhet se, “objekti i këtij tenderi është rehabilitimi i përroit Leshniqe, Kavajë. Fondi limit pa TVSH është 375.000.000 lekë që kanë si burim financimi buxhetin e shtetit. Afati për realizimin e punimeve do të jetë 7 muaj, ndërsa afati për dorëzimin e dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik është 13 maji i këtij viti”.
Sipas projektzbatimit, rruga do të jetë nga Qerreti (bregu i detit) deri në autostradë dhe i gjithë segmenti është 2.9 kilometra. Duket se rruga po bëhet edhe për qeveritarët apo zyrtarët e Bashkisë së Kavajës, që kanë resorte turistike në këtë zonë bregdetare. Në fillim të dokumentit “projektzbatimi”, Elvis Roshi jep të dhëna të përgjithshme të Shqipërisë, që është vend i vogël apo se më kë kufizohet. “Sipas një studimi të 2001-shit, popullata e Shqipërisë ishte 3.069 milionë, 42% e së cilës ishe në qytet. GDP-ja e Shqipërisë për njeri është vlerësuar rreth US $1,500 në fund të 2002-shit”, thuhet në këtë dokument, megjithëse është për një tender për ndërtimin e një rruge shumë lokale.

Shqipëria, shumë e varfër

Roshi shkon deri tek shkollimi i shqiptarëve, ndërsa nënvizon edhe papunësinë. “Shqipëria është një nga vendet me shkallën e papunësimit më të lartë në Europë, me 22.8% sipas studimit të 2001-shit dhe mund të ketë edhe një papunësim të fshehur të lartë. NSSED që është dhe Strategjia për Asistencë më e fundit të Bankës Botërore për Vendin ka arritur në përfundime të ngjashme mbi infrastrukturën shqiptare, duke e konsideruar si pengesën më të madhe si për rritjen e sektorit privat ashtu edhe për zhvillimin rural. Në të vërtetë rreth 40% e familjeve nuk plotëson një ose më shumë nevoja si për shembull, arsimim bazë (arsimimi i tanishëm është rreth 86%), ujë apo higjienë.
Shërbimet shëndetësore janë në një nivel të ulët, me një akses të kufizuar nga pagesat e larta zyrtare dhe jo zyrtare. Mundësia për marrjen e këtyre shërbimeve është kushtëzuar në masë kritike nga gjendja e rëndë e infrastrukturave dhe të shërbimeve të transportit. Objektivat e përmirësuara afatgjata të NSSED deri më 2015-ën janë: Së paku të dyfishohet rritja e GDP-së për person në gjithë Shqipërinë në gjithë nivelet shoqërore; – Të ulet deri në gjysmë niveli i varfërisë absolute dhe të zhduket varfëria e skajshme; – Regjistrimi i përgjithshëm i popullatës (100%) në arsimin dytësor me jo më pak se 13.5 vjet arsimim të përfunduara; – Ulja me më shumë se gjysmën e nivelit të tanishëm të vdekshmërisë foshnjore dhe sëmundjeve diarreike”, justifikohet Roshi për ndërtimin e kësaj rruge.
Më tej, në dokument, nënvizohet se vendi mund të jetë i ndarë në tri zona të gjera përsa i përket perspektivave të zhvillimit të ardhshëm: zona e Tirana/Durrës formon një zonë metropolitane me shpejtësitë e veta të zhvillimit dhe me shkallën më të lartë të llogaritur të zhvillimit; zona e dytë (rrethet e bregdetit verior dhe jugor dhe rrethet që rrethojnë Tiranën dhe Elbasanin) ka një bujqësi të fortë, e cila mund të zhvillohet më tej më vonë, por ka edhe një zhvillim të fortë të turizmit në zonat e bregut dhe një industri të fuqishme në zonën e Elbasanit. Pastaj vjen zona e tretë (zonat e brendshme veriore dhe juglindore) që përfaqësojnë zona me një perspektivë të varfër të zhvillimit, nëse nuk ndërmerren hapa konkretë.

Të dhënat, si u justifikua njoftimi i kontratës

Pas këtyre të dhënave të përgjithshme, Roshi ka shkuar tek qëllimi i projektit. Sipas tij, Leshniqe dhe Darçi janë dy përrenj që kanë kushtëzuar themelimin e qytetit të Kavajës, sepse mbijetesa e një qyteti varet nga prania e vijave ujore. Të përvitshme janë përmbytjet në qytetet kryesore të Shqipërisë perëndimore si Vlora, Tirana dhe sidomos në Durrës e Shkodër. “Ndryshe Kavaja, ku në dy përrenj ndodh i gjithë drenazhimi i qytetit. Dhe pikërisht nga ky fakt fiziko-gjeografik në vitet e para të shtetit shqiptar Kavaja radhitej si një nga pretendentet për kryeqytetin e vendit, në mos kryeqytetin brilant të Shqipërisë. Pozita qendrore, afërsia me detin, kushtet klimatike ideale dhe drenazhimi i përronjve të tij, janë vlera të pakundërshtueshme dhe të evidentuara historikisht.
Përroi i Leshniqes, i cili kufizon Kavajën në pjesën lindore dhe veriore, ka luajtur historikisht rolin drenant të qytetit, por pjesa përfundimtare e tij humbet këtë aftësi dhe shpesh krijon përmbytje në zonën bregdetare. E gjithë kjo zonë, 2–3 kilometra nga bregdeti, historikisht ka pësuar përmbytje dhe një zgjidhje 60 vite më parë, me parametrat e atëhershme, është bërë nëpërmjet hidrovorëve”, thuhet në dokumentin që ka siguruar “Bold News”.
Ai vijon më tej se lind natyrshëm sistemimi i përroit, thellimin dhe zgjerimin e tij, në mënyrë që të eliminohen problemet kryesore të përmbytjeve të një zone shumë të gjerë banimi, ashtu dhe të sistemohet një peizash i denjë për një territor me dendësinë më të madhe turistike të vendit, siç është ai i Malit të Robit. Kreu i Bashkisë së Kavajës thotë se parë nga këndvështrimi demografik i Shqipërisë, në trekëndëshin Kavajë-Durrës-Tiranë do të përqendrohet pjesa më e madhe e popullsisë, kështu Kavaja duhet të përgatitet për një zgjerim urban të territorit të saj. Sipas tij, sistemimi i përroit Leshniqe përbën limfën vitale të qytetit, sepse nga njëra anë lidh qytetin me bregdetin, koncept ky historik, nga ana tjetër pjesës bregdetare i krijohen kushte që të transformohet nga një fjetore për pushuesit në një qendër të rëndësishme të turizmit elitar.

Relacioni teknik

Imagjinata e shfrenuar e punonjësve të Bashkisë së Kavajës e ka lidhur këtë rrugë edhe nga këndvështrimi turistiko–kulturoro–historike. “Në këto territore kemi të bëjmë me disa fakte historike të një rëndësie të veçantë botërore. Beteja e Durrachium ku kulmin e saj e ka pikërisht në afërsi të përroit. Rrallë herë në historinë e botës gjigantë të ndodhen njëkohësisht në të njëjtin vend për disa muaj. Gaio Jul Qezari, Pompeu i madh, Mark Antonio etj., këtu në Kavajë për të ndarë fatet e botës.
Po bëj një paralelizëm me Francën, ku beteja e Jul Qezarit me Galet në Alesio është shumë e ngjashme me betejën e Durrachium. Këtë e vërteton vetë interesimi i Napoleon Bonapartit të tretë, i cili emëron të njëjtin historian (herzog) për Durrësin dhe për Alesia dhe ku betejën e Alesias e vendosi si fillimi i historisë franceze. Ndërtimi i Fushë Museut të Alesias i realizuar më 2012 nga arkitekti i famshëm Bernard Tchumi, sot është i vizituar më shumë se 200 mijë turistë në vit. Këtu buzë Leshniqes në periudhën e madhe të koncentrimit të turistëve, të pretendojmë me të drejtë një fushë muze ose CASTRUM QERRET për avenimentet historiko-shkencore dhe për atraksion real të turistëve në pikun e tyre 8, 9, 10 korrik të çdo viti”, përfundon “ëndrra” e Elvis Roshit, por që në realitet, do të shpenzojë më shumë se 3 milionë USD për ndërtimin e rrugës.

(Bold News)