Shoqata për Mbrojtjen e Tregtarëve dhe Tregut të Shqipërisë ka ngritur shqetësimin se biznesi po përballet me një situatë të rëndë. Në një konferencë për shtyp kreu i kësaj shoqate Nikollaq Neranxi tha se: “Rreth 16 mijë biznese kanë falimentuar vetëm brenda tremujorit të parë të këtij viti dhe po iu sekuestrohen asetet, sepse nuk arritën të shlyejnë detyrimet në shtet. Kjo ka ardhur në radhë të parë për shkak të rënies së fuqisë blerëse, i cili tashmë është një fakt që dihet, preket dhe e vuajnë shumica. Bizneset kanë pohuar në një anketim për Bankën e Shqipërisë se kërkesa për mallra dhe shërbime ka pësuar rënie të fortë në tremujorin e parë të 2016, një rënie pikiatë e paparë prej shumë vitesh. Dhe arsyeja e dytë janë të gjitha politikat qeverisëse, qendrore dhe vendore, të cilat janë paralajmëruar nga shoqata jonë kohë më parë, se do të çonin sipërmarrjen e lirë në falimentim. Kjo qeveri, e cila erdhi në pushtet me premtimin e taksave të ulta, në fakt bëri të kundërtën. Në zyrën e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, në prezencën e shumë prej jush këtu, kur i thashë kryetarit se me këto taksa, një biznes sado të punojë, është i destinuar të falimentojë, përgjigja e tij ishte; Le të falimentojë! Kjo është përgjigja e një njeriu, i cili nuk bën gjë tjetër veçse tradhton besimin e zgjedhësve të tij.
Ne, heronjtë e këtij vendi me kaq shumë probleme, kemi një çerek shekulli që investojmë me mish e me shpirt në një aktivitet privat dhe të vijë një forcë politike dhe ta hedhë në erë, sepse është e papërgjegjëshme, këtë ne nuk do ta lejojmë. Nëse nuk do të dimë të kërkojmë të drejtat tona, do mblidhemi pas tre muajsh përsëri, që të numërojmë të tjera biznese që falimentojnë dhe që iu bllokohen llogaritë bankare e iu merren me forcë aseset apo dhe shtëpitë e banimit.
Dua të ngre një problem shumë serioz, i cili është ai i përfaqësimit. Kush na përfaqëson ne? Kush negocion me shtetin për interesat tona dhe si po e bën këtë punë? Që kur ne u ngritëm në protesta për supegjobat dhe më pas për taksat e larta, në rrugë private, me anë të mesazheve, politikanë të ndryshëm më kanë shkruar: “Por çfarë faji kemi ne o Neranx, Dhoma e Tregtisë dhe Biznes Albania kanë hedhur firmën, gjë që tregonte se ju të gjithë jeni dakord!” Po të kemi parasysh vetëm ligjin e supergjobave, të cilin e hodhi poshtë Gjykata Kushtetuese, i bie që këto dy institucione që përmenda më sipër, kanë firmosur në emrin tim dhe tuajin, për ligje antikushtetuese, të cilat na dënojnë të gjithëve me falimentim. Firmat e tyre kanë bërë të njëjtin faj, madje krim mund ta quaj, edhe me taksat vendore, paketë të cilën ne e kemi çuar gjithashtu në Gjykatë. Pra ne po na përfaqësojnë individë, të cilët po hedhin firmat e tyre, duke dënuar me falimentim sipërmarrjen e lirë, në këmbim të favoreve të tyre personale”, tha zoti Neranxi.
Shoqata renditi si të nevojshme marrjen e këtyre masave:
1. I kërkojmë qeverisë të mblidhet urgjentisht dhe të gjejë mekanizmat e duhur ligjore për lënien në fuqi të taksave të vitit 2014 se po falimentojnë të gjitha bizneset dhe vendi do të shkojë drejt destabilizimit.
2. Të shkrihet Dhoma e Tregtisë dhe e Industrisë, tek e cila ne kemi paguar miliona dhe nuk na bën asnjë punë, veçse na ka prishur punë. Edhe pse momentalisht ne nuk e kemi anëtarësimin me detyrim, gjithsesi jemi të detyruar të paguajmë, sepse pa disa dokumenta që ata lëshojnë, ne nuk punojmë dot. Të lihen sipërmarrësit të lirë, të anëtarësohen në Dhomat dhe Shoqatat që ata dëshirojnë dhe tek ata që i përfaqësojnë më mirë.
3. Në hartimet e çdo ligji që ka të bëjë me biznesin dhe në diskutimet e tyre në Komisionet Parlamentare, të ketë një konsultim të gjerë me shumë përfaqësues të biznesit. Të miratohet një projektligj, pasi aty të jenë hedhur shumë firma dhe pasi të jetë bindur biznesi që ligjet janë në të mirën e tyre.
4. Duhet që shteti me mekanizmat e tij të ndërhyjë urgjentisht që të mos lejojë biznese të tjera të falimentojnë. Si fillim sugjerojmë që të hiqet fasha e biznesit të vogël dhe të mos kërcënohen me tatime të larta, se na është bërë shteti si gogol. Në këtë mënyrë luftohet edhe informaliteti, sepse tregtari i vogël nuk do të shkojë tek ai që sjell mall kontrabandë, që ta marrë pa faturë tatimore që të mos kalojë fashon që i keni vënë. Ja pra një mënyrë e sinqertë për të luftuar edhe informalitetin.
16 mijë biznese falimentuan në tre mujorin e 2016, po i’u sekuestrohen asetet
Shqipëria taksat më të larta në gjithë Rajonin
Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH më të lartë në Rajon në nivelin e 20% teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim nga 17-19%. Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht
Nga një matricë krahasuese e Këshillit të Investimeve për “Politikat incentivuese për nxitjen e investimeve: Shqipëria kundrejt vendeve” shihet se Shqipëria është vendi që ofron barrën më të lartë fiskale për investitorët dhe ka incentivat fiskale më të ulta në raport me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, Kosova dhe Bosnja. Matrica është përgatitur në mbledhjen e 5 të Këshillit të investimeve, që u zhvillua dy ditë më parë dhe këtë herë kishte në fokus investimet e huaja. Nga matrica rezulton se, në renditjen rajonale, Shqipëria ka barrën më të lartë fiskale për tatim fitimin 15%, gati 50% më të lartë se norma rajonale për këtë tatim që nuk është më shumë se 10%. Edhe Serbia e ka tatim fitimin 15%. Me nivelin maksimal të përshkallëzimit të tatimit mbi pagën prej 23%, Shqipëria e ka tatimin mbi të ardhurat personale më të lartin në rajon. Maqedonia e ka tatimin mbi të ardhurat personale të sheshtë 10%, në Serbi varion nga 10 në 20%, në Mal të Zi nga 9-11%, në Kosovë është progresive nga 0 në 10% dhe në Bosnjë e sheshtë 10%.
Gjithashtu, Shqipëria bashkë me Serbinë shihet të ketë nivelin e TVSH më të lartë në Rajon në nivelin e 20% teksa vendet e tjera e kanë këtë tatim nga 17-19%. Shqipëria, së bashku me Serbinë renditen ndër vendet që kanë nivelin më të lartë të kontributeve të sigurimeve shoqërore të paguara nga punëdhënësi në 15% dhe 17.9% përkatësisht. Megjithatë, Serbia po tregohet më agresive se Shqipëria në tërheqjen e investimeve të huaja, duke i “joshur” të huajt me subvencione direkte për punonjësit.
Maqedonia e ka të gjithë barrën të transferuar te punëmarrësi, në nivelin e 27%. Kjo është një nga arsyet kryesore që Maqedonia rezulton me normën më të ulët të taksës ndaj përqindjes së fitimit të bizneseve (12.9%). Edhe Mali i Zi ndjek të njëjtën logjikë, ku kontributet e paguara nga punëdhënësi janë vetëm 5% dhe ato të punëmarrësit 24%. Edhe në Bosnjë, punëdhënësi paguan 10.5% dhe punëmarrësi 31%. Nivelin më të ulët të kontributeve e ka Kosova me 5% punëdhënësi dhe po aq punëmarrësi.
Edhe për incentivat për investimet, Shqipëria është inferiore sidomos në krahasim me Malin e Zi, Maqedoninë dhe Serbinë. Në renditjen e Këshillit të Investimeve janë renditur të paktën 7 lehtësira fiskale dhe infrastrukturore nëpër zonat e lira, por kjo ofertë e Shqipërisë nuk është funksionale përderisa vendi ende nuk i ka zhvilluar zonat e lira. Ndryshe nga Shqipëria vendet e rajonit përveç Kosovës i kanë funksionale zonat e lira ekonomike dhe me incentiva mjaft konkurruese.
Edhe për investimet në fushën e Turizmit dhe të Bujqësisë vendet e rajonit si Serbia dhe Maqedonia konkurrojnë dukshëm me vendet e rajonit. Serbia ofron përjashtim nga tatim fitimi dhe i pagës për 10 vjet në zonat e lira, 0% TVSH për mallrat që lëvizin brenda zonës së lirë. Edhe TVSH për energjinë e gazin është zero. Vendi ka 14 zona të miratuara dhe 12 zona operacionale. Maqedonia ka 3 zona të lira tërësisht funksionale, ka përjashtim nga tatim fitimi dhe të ardhurat deri në 10 vjet, përjashtim nga TVSH të mallrave që lëvizin brenda zonës së lirë.
Sa i përket Malit të Zi, incentivat përfshijnë përjashtim nga taksat për 3 vitet e para, për kompanitë, të cilat janë të angazhuara në prodhimin në zona të pazhvilluara, (por jo e aplikueshme në agrikulturë, transport, ndërtim anijesh dhe peshkim). Ndërsa në fushën e turizmit, në Malin e Zi përjashtohen nga tvsh importi i të mirave dhe shërbimeve për ndërtimin e hoteleve me 5 yje, reduktim të taksës së pronës me 30% për hotelet me 4 yje dhe 70% për ato më 5 yje. Gjithashtu, mbështetje në formë granti për pjesën veriore të Malit të Zi, në rast investimesh në turizëm, grante të cilat janë në shifrën minimale të 500 mijë euro dhe që krijojnë minimalisht 20 vende pune për 3 vjet (në rastin e ndërtimit të hoteleve me më shumë se 3 yje).
Kisha greke është në prag të falimentimit
Apostolos LAKASAS
Kisha Ortodokse e Greqisë është në vështirësi ekonomike për shkak të zvogëlimit të të ardhurave dhe të rritjes së taksave. Për të kuadruar llogaritë, manastire si Petraki dhe Penteli po ngrijnë pagesat.
Kishat dhe manastiret në të gjithë vendin kanë problem për të paguar rrogat dhe po kërkojnë të paguajnë me këste faturat dhe taksat mbi pasuritë e patundshme. Veç kësaj, shesin prona me çmime shumë të ulëta për të arkëtuar para. Kisha e Greqisë numëron kryesisht dy burime të ardhurash: pasuritë e patundshme dhe aksionet e Bankës Kombëtare të Greqisë (një institut kreditimi i madh privat), dhe të dyja janë në rrugën e ezaurimit. Qiratë janë në rënie dhe blerësit janë gjithnjë e më të vështirë për t’u gjetur, ndërsa aksionet e Bankës Kombëtare kanë rënë në kuotën 0.23 euro secili.
At Salonon Antonios, Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Financiar Qendror Fetar, ka shpjeguar se Kisha ka marrë pjesë dy herë në rritjen e kapitalit të Bankës Kombëtare të Greqisë, përkatësisht në vitet 1996 dhe në 2005. Në 2005 ka blerë aksione të reja me 22 euro secilin. Në vitin 2010 Kisha ka marrë pjesë në një rritje të re të kapitalit, kësaj radhe pas presioni i funksionarëve të lartë shtetërorë dhe të sistemit bankar. Për të realizuar operacionin, Kisha ka marrë hua 27 milionë euro nga Banka Postare Helene dhe ka nxjerrë 27 milionë euro të tjera nga kursimet e saj.
Antonios ka saktësuar se, “Kisha nuk luan bixhoz”, duke lënë të kuptohet se mund të administroheshin më mirë aksionet dhe të shiteshin kur kishin arritur kuotën maksimale. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe më pas ka shpërthyer kriza. Në vitin 2008 Banka Kombëtare e Greqisë ka pushuar së paguari dividendët dhe çmimi i aksioneve të saj ka rënë pikiatë.
Në të njëjtën kohë, konjuktura e pafavorshme e tregut të pasurive të patundshme ka bërë të ezaurohet një tjetër burim i rëndësishëm i të ardhurave të Kishës, që ka në aktiv 19000 hektarë terrene të kultivueshme, 700 copa toke, 420 godina dhe 260 banesa. Nga viti 2008 qiratë kanë pësuar një reduktim në masën midis 30 dhe 70 për qind, shumë pasuri të patundshme kanë mbetur pezull dhe mungojnë paratë për mirëmbajtjen e tyre. “Gjatë 8 viteve të fundit të ardhurat janë zvogëluar me 75 për qind. Më parë, bilanci vjetor ishte prej rreth 23 milionë euro, kurse sot është prej 6 milionë eurosh”, ka thënë Antonios.
Kisha i ka kërkuar shtetit që të impenjohet për të tërhequr investitorë dhe për të zgjidhur problemet që po e pengojnë për të shfrytëzuar pronat e saj. Për shembull, ato të një trualli prej 130 hektarësh në afërsi të Varkizës, në anën Juglindore të Athinës: një zonë pothuajse e gjitha e mbuluar me rërë dhe gurë. Autoritetet fetare do të donin të siguronin ndërtueshmërinë për një pjesë të vogël të zonës, në mënyrë që një investitor potencial të mund të ndërtojë në 22.5 hektarë dhe të detyrohet të mbjellë pemë në 107.5 hektarë të tjerë. Por deri më tani qeveria është mjaftuar që të përsërisë se nuk ka marrë ende vendim mbi destinacionin e përdorimit të këtij trualli. Kisha do të donte të shfrytëzonte edhe një truall të madh në Skisto, afër Pireut, ku është në rritje kërkesa për qendra logjistike dhe shërbime të tjera lidhur me portin. Kjo zonë është klasifikuar si zonë pyjore, por Kisha posedon dokumenta që tregojnë se ky përkufizim i takon vitit të largët 1850 dhe nuk është azhornuar kurrë qysh atëherë.
Çdo kishë metropolitane, çdo manastir dhe deri çdo famulli posedon pasuri të patundshme që i menaxhon në autonomi të plotë dhe, ndryshe nga sa besohet rëndom, paguajnë të gjitha taksat mbi pasuritë e patundshme dhe mbi të ardhurat. Kohët e fundit, Manastiri i Petrakit ka bërë kërkesë për të hyrë në një plan që u mundëson kontribuesve me borxhe që t’i paguajnë taksat me 100 këste. Sipas disa burimeve, manastiri posedon vetëm dy pasuri të patundshme në Athinë, të dyja në qendër të saj, por me vlerë të ndryshme.
Së fundi, Antonios ka sqaruar se Shërbimi Financiar Qendror Fetar është përgjegjës për financimin e të gjitha kishave metropolitane. Këto, nga ana e tyre, menaxhojnë programet e asistencës ndaj të varfërve dhe kështu që, në rast se nuk do të gjenden zgjidhje, këto iniciativa rrezikojnë që të anullohen. Efektet do të ishin negative për të gjithë shoqërinë greke, nga momenti që Kisha është një institucion shumë i impenjuar në asistencën e personave më të goditur nga kriza.
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve kërkon rritjen e pagës minimale
Dhoma Kombëtare e Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve (DHKPV), përmes një letre drejtuar kreut të qeverisë, i ka kërkuar rritjen e pagës minimale në nivel kombëtar, nga 22.000 lekë në 23.000 lekë. Bordi Drejtues i Dhomës Kombëtare të Prodhuesve të Veshjeve dhe Këpucëve argumenton se kërkesa është bërë nisur nga situata, në të cilën është duke u zhvilluar veprimtaria e biznesit në sektorin e regjimit aktiv dhe të eksporteve; Konjuktura e tregut ndërkombëtar në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve; Niveli i kursit të këmbimit; Dëshira për të ndikuar në rritjen e konsumit dhe përmirësuar sado pak cilësinë e jetesës së të punësuarve tanë etj. DHKPV kërkon që efektet e kësaj rritjeje të fillojnë nga 1 janar 2017. “Jemi të vetëdijshëm se kjo rritje i përgjigjet kushteve reale të këtij sektori. DHKPV i propozon Qeverisë Shqiptare që të marrë në konsideratë propozimin e saj, të bërë prej shumë kohësh që, rritja e pagës minimale në nivel kombëtar, të mos bëhet në të njëjtin nivel për të gjithë sektorët e ekonomisë, por të jetë e ndryshme për sektorë të ndryshëm, sipas peshës që ajo ze në totalin e shpenzimeve të raportuara. Ju kujtojmë se sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi (fason) vlerëson se 75-85 % e shpenzimeve të prodhimit i përbën pagesa e pagave dhe detyrimeve të tjera të taksës së punës, që do të thotë se çdo rritje e pastudiuar e pagës minimale, jashtë kapaciteteve të këtij sektori dhe të tregut në tërësi, e nxjerr jo konkurrues sektorin dhe sjell ulje të konsiderueshme të punësimit të së rinjve. “- thuhet qartazi në letër. DHKPV në fund, kërkon edhe që Këshilli Kombëtar i Punës të marrë në konsideratë këtë propozim, në kuadër të konsensusit të njohur në vite të tripartitizimit, ta miratojë atë, duke ia rekomanduar për miratim edhe Qeverisë Shqiptare në një nga mbledhjet e saj.
Liverpuli mundet nga Vilareali
Liverpulit do t’i duhet një tjetër mrekulli në “Anfield” për të prekur finalen e Europa League. Skuadra e Jurgen Klopp u mposht 1-0 nga Vilareali në “EL Madrigal”, ku gjithçka u vendos në minutat shtesë nga Adrian. Një sukses i merituar për “Nëndetësen e verdhë”, që zhvilloi një ndeshje të madhe përballë tifozëve të saj, për ta fituar pikërisht atëherë kur u mendua se sfida do të mbyllej në barazim pa gola.
Pas një pjesë të parë më të ekulibruar, Bakambu ishte i pafat në minutën e 46, teksa goditja e tij përfundoi në shtyllë. Në të 65-ën fati ishte për vendasit, pasi edhe finalizimi i Firminhos u ndal nga shtyllë. Bakambu e detyroi portierin Mignolet të bënte mrekullinë në të 87-ën për të ardhur më pas te goli i Adrian Lopez, i asistuar nga Denis.
Përfundoi në barazim 2-2 sfida e Lviv Arenas mes Shaktar Donjeck dhe në minutën e 6 Vitolo përmbylli në mënyre përfekte një aksion për manual të Sevillas. Shaktari i kundërpërgjigj në të 23 me Marlos, që shfrytëzoi një pasim të saktë të Rakitskit që nga mesfusha. Ukrainasit morën avantazhin në minutën e 36-të me Stepanenkon, në këtë rast i asituar nga Marlos.
Pas shumë përpjekjesh, Sevilla arriti të shmangte humbjen me Kevin Gameiron që realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Një rezultat mjaft pozitiv për Sevillan, që thjesht nuk duhet të pësojë gol në Sanchez Pijzuan për të siguruar finalen për të tretën vit radhazi.
Liverpooli i Klopp zhvilloi një lojë të barabartë ndaj Vilarrealit, por atëherë kur u mendua që ndeshja do të përfundonte në barazim pa gola, që do të ishte edhe rezultati më i drejtë i saj për atë që u zhvillua në fushën e lojës, ishte Lopez, i cili arriti të shënojë në minutat shtesë, duke bërë që Vilarreal të udhëtoi më i qetë tashmë për ndeshjen e kthimit në Angli.
Ndërkohë në Ukrainë, Sevilla arriti një barazim 2-2, duke bërë që të jetë më e favorizuar në ndeshjen e kthimit. Kampionët në fuqi të Europa League shënuan në minutën e 6, por Shakhtar e përmbysi disavantazhin që në 45 minutat e para. Marlos barazoi në minutën e 23-t, ndërsa Stepanenko e çoi rezultatin në 2-1 për vendasit. Por, vetëm 4 minuta nga fundi, ishte Kevin Gameiro që arriti të kthejë në gol një 11-metërsh, duke vulosur rezultatin në 2-2.
Barcelona do Hysajn
Elseid Hysaj në planet e Barcelonës. Lajmi i bujshëm për futbollistin e kombëtares shqiptare konfirmohet nga “El Mundo Deportivo”, një media sportive shumë pranë klubit katalan. Drejtuesit Blaugrana po kërkojnë një alternativë për brazilianin Dani Alves, rendimenti i të cilit ka rënë ndjeshëm gjatë muajve të fundit, dhe një nga emrat që po monitorohen me shumë kujdes nga kampionët në fuqi të Primera Division është mbrojtësi shqiptar i Napolit.
Skautët e Barcelonës kanë një objektiv kryesor 22-vjeçarin e Bayer Leverkusen Wendell Nascimento Borges, me brazilianin që luan në të dy krahët e mbrojtjes dhe që vlerësohet nga 10 deri 15 milionë euro, por Hysaj mund të fitojë më shumë kuotë në përfundim të sezonit. Shkodrani është formuar në akademinë e Empolit, ku luajti deri një vit më parë, për t’u transferuar më pas te Napoli për 5.4 milionë euro. Forma e shkëlqyer që po kalon te napolitanët e ka shumëfishuar vlerën e kartonit të tij, që mund të kalojë 20 milionë euro.
Hysaj u transferua nga Empoli te Napoli në fillim të këtij sezon dhe të paktë ishin ata që kishin besim te talenti shkodran, por tashmë që këtij sezoni po i vjen fundi, 22-vjeçari i ka bërë të gjithë të ndryshojnë mendim. Shumë klube kanë shfaqur interes për të, por të enjten një emër i madh ka dalë në skenë dhe bëhet fjalë as më pak e as më shumë për Barcelonën, kampionët në fuqi të Champions League. Barcelona po has vështirësi në krahun e djathtë të mbrojtjes, aty ku prej disa sezonesh aktivizohet Dani Alvesh, por së fundi braziliani nuk po jep më siguri dhe drejtuesit e klubit po mendojnë seriozisht zëvendësimin e tij me një tjetër lojtar.
Objektivi kryesor i Bracelonës duket se është 22-vjeçari i Bayer Leverkusen, Wendell Nascimento Borges, i cili luan në të dy krahët e mbrojtjes dhe që vlerësohet nga 10 deri 15 milionë euro, por Hysaj mund të fitojë më shumë kuotë në përfundim të sezonit. Shkodrani ka pasur një rritje të vazhdueshme të formës së tij, që prej mometin kur aktivizohej me Empolin në Serinë B, tre vite më parë, ndërsa nëse do të arrinte të kalonte te Barcelona me siguri që do të ishte kulmi i karrierës së tij.
Ndërkohë, Alban Meha do ta mbyllë në fund të sezonit aventurën me Konyasporin në Superligën e Turqisë. Mediat turke kanë zbuluar se 30-vjeçari ka arritur marrëveshjen me Al Nasr, skuadër e Emirateve të Bashkuara Arabe, të cilës do t’i bashkohet sapo të nisin përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Një lajm befasues për vetë tifozët e Konysasporit, që besonin se futbollisti i kombëtares shqiptare do të vijonte karrierën në Turqi, pasi i kishin ofruar rinovimin e kontratës për tre sezonet e ardhshme.
Oferta e skuadrës me qendër në Dubai ka qenë e parezistueshme për shqiptarin, i cili nuk ka pranuar ta vijojë karrierën në Turqi. Meha shkëlqeu në radhët e Konyasporit sidomos gjatë pjesës së parë të sezonit. Në 23 ndeshje të kampionatit ka mundur të shënojë 4 gola si dhe ka dhënë 5 asist.
Ronaldo tashmë po vrapon
Një ditë pasi u raportua se Cristiano Ronaldo ka çarje të muskulit 1.5 centimetra, mediat në Spanjë gjatë ditës së sotme janë duke raportuar të kundërtën. Sipas mediave spanjolle, rezonanca magnetike e bërë në klinikën ‘Ruber’, ka treguar se lëndimi Ronaldos nuk është edhe aq serioz saqë flitet nëpër media.
Sipas “Marca”, Cristiano Ronaldo po ndërmerr hapa gjigant vetëm që të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës ndaj Manchester Cityt në gjysmëfinalen e dytë të Ligës së Kampionëve
Sipas “Marca”, pasditen e së enjtes, lojtari portugez filloi të bëjë disa vrapime në fushë, që do të thotë se, të hënën ai mund të rikthehet në stërvitje me grupin tjetër të skuadrës.
Ai po punon në mëngjes, mesditë dhe mbrëmje vetëm që të rikthehet sa më shpejtë. Edhe fizioterapeuti Joaquín Juan është duke bërë të pamundurën që Cristiano të jetë i gatshëm për ndeshjen e së mërkurës në “Bernabeu”.
“Marca” shkruan se, Ronaldo po vazhdon rikuperimin edhe në shtëpinë e tij dhe se është duke bërë një sakrificë të madhe dhe është shumë optimist që mund të rikthehet ndaj Man Cityt. Për momentin, ekzistojnë dy faktorë që i japin shpresë Cristianos që të rikuperohet me kohë. Faktori i parë është se dëmtimi nuk është aq serioz si u duk në fillim dhe faktori i dytë është se ai nuk ka ndonjë thyerje eventuale në bicepsin formal, shkruan “Marca”.
Gjithashtu një faktor tjetër shumë i rëndësishëm i rikthimit të tij, është edhe forca fizike e Cristiano Ronaldos, e cila është një mrekulli që të gjithë lojtarët e tjerë do ta dëshironin në trupin e tyre.
Libertadores, humbet Riveri, fitojnë Boca e Sao Paulo
River Plate është vetëm një hap larg eliminimit nga Copa Libertadores. Kampionët në fuqi të këtij kompeticioni u mposhtën me rezultatin 2-0 në ndeshjen e parë të ruandit të 1/8-ve nga ekuadorianët e Independiente del Valle. Los Millionarios tashmë duhet të realizojnë një përmbysje të madhe në ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në “Estadio El Monumental” pas 1 jave për t’u kualifikuar në çerekfinale. Në Quito vendasit e Independientes arritën të zhbllokonin shifrat në minutën e 64-ën me Jose Angulon, ndërkohë që në kohën shtesë Junior Sornoza kthehu në gol një 11-metërsh, duke i dhënë një goditje të rëndë River-it. Të besuarit e Marcelo Gallardos shfaqën shumë pak nga repertori i tyre në këtë përballje dhe tashmë misioni për të avancuar bëhet shumë i vështirë për skuadrën argjentinase.
Nuk pati fatin e River Plate, Boca Juniors që falë fitores 1-2 në transfertë ndaj paraguajanëve të Cerro Portenos hodhi një hap të sigurtë drejt kualifikimit. Në Asuncion, Carlos Tevez i dha avantazhin Bocës pas vetëm 28 minutash lojë. Vendasit humbën një 11-metërsh me Leal në të 56-ën, ndërsa 4 minuta më pas argjentinasit shënuan edhe golin e dytë me uruguajin Loderio, i cili shfrytëzoi një pasim të marrë nga Apashi.
Cerro Porteno shkurtoi shifrat me penalltinë e kthyer në gol nga Dominguez, 6 minuta përpara fundit. Skuadra e parë çerekfinaliste e këtij edicioni të Copa Libertadores mund të konsiderohet pa frikë Sao Paulo. Edhe pse pa sulmuesin kryesor, Jonathan Calleri që ishte i skualifikuar, brazilianët triumfuan me rezultatin e thellë 4-0 në ndeshjen e parë ndaj meksikanëve të Tolucas. Golat për Sao Paulon u shënuan nga Michel Bastos, Centurion që realizoi dy herë dhe Mendes.
Europa flet spanjisht!
Edhe këtë vit, dominimi i futbollit spanjoll në Evropë është total. Skuadrat iberike mund të bëjnë historinë dhe të kenë 4 finalistë në Ligën e Kampioneve dhe Europa League. Në Ligën e Kampioneve, Atletiko dhe Reali i Madridit mund të përsërisin finalen e vitit 2014. Reali është favorit për ndeshjen e “Bernabeut” pas barazimit 0-0 me Manchester City, ndërsa Atletikos i duhet që në “Allianz Arena” të mbrojë fitoren 1-0 të arritur në “Vicente Calderon”.
Ndërsa, në Europa League janë Sevilla dhe Villarreal. Skuadra andaluziane do të kërkojë finalen dhe triumfin e tretë radhazi, gjë që nuk e ka arritur askush dhe barazimi 2-2 ne Kiev ndaj Shakhtarit ia ushqen akoma më shumë shpresat. Ndërsa Viarreali, pas fitores 1-0 me Liverpulin, fiton të drejtën për të ëndërruar finalen e tij të parë evropiane.
Dominimi spanjoll në kompeticionet evropiane duket edhe në shifra. Spanja është në krye të renditjes së UEFA-s, e shkëputur me rreth 25 pikë ndaj Gjermanisë së vendit të dytë dhe ka 3 skuadra në 4 vendet e para në renditjen për klube: Reali i pari, Barcelona e treta e Atletico i katërti. Në 2 vitet e fundit, klubet spanjolle kanë fituar si trofeun e Ligës së Kampioneve ashtu dhe atë të Europa League, duke monopolizuar edhe Superkupën Evropiane.
Në 10 vitet e fundit, skuadrat spanjolle kanë fituar 5 herë Ligën e Kampioneve dhe 6 herë Europa League, gjë që i bën akoma më të pabesueshme edhe statistikat e 2 yjeve të futbollit botëror që La Liga i gëzon prej vitesh, Lionel Mesi e Cristiano Ronaldo.
Basha: Ramës po i bien trimat një e nga një, i ka mbaruar koha
Edi Rama është në hall të madh. Një e nga një po i bien “trimat” nga Mark Frroku tek Arben Ndoka, nga Emiliano Shullazi tek Arben Frroku. Vjedhjet po i dalin sheshit e askush nuk e beson më. Në mënyrë primitive ka nisur të hakmerret. E nisi me Shullazin e u hakmorr ndaj Sali Berishës.
Sali Berisha denoncoi krimet e tij, ndërhyrjen për të kapur rektoratin, ndaj banda thirri byronë, dhe byroja veproi sipas paktit. Adjutanti ishte ai, vegla e Ramës për punët e pista. Taulanti.
Po sot, i njëjti adjutant-Taulant u shfaq sërish, duke shërbyer një bandë tjetër të Edi Ramës, duke paralajmëruar një hakmarrje tjetër të krimit ndaj Sali Berishës. Se ju prishi planet për ta mbajtur të fshehtë ndalimin në Holandë të Arben Frrokut i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Lamaj.
Ky është aksioni i përbashkët Shullazi Rama dhe Frroku Rama. A di ta dallojë ndokush ku mbaron banda e ku nis kryeministri? Asnjë fije e hollë nuk i ndan.
Këto janë klithmat e fundit të krimit në pushtet, sepse ora po afron. Sunduan tre vite, po koha mbaroi. Shqipëria dhe shqiptarët po ngrihen mbi krimin dhe lidhjet e tij me pushtetin.