30.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

24 orë ujë në Kamëz, Xhelal Mziu takon përfaqësuesin e kompanisë konsulente

Punimet e fazës së parë do të realizohen brenda afatit. Drejtuesi dhe eksperti i kompanisë CES Consulting Engineers Salzgitter GmbH Sorin Caian – kryebashkiakut të Kamzës: Jam shumë i kënaqur që punoj me njerëz si ju

Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, zhvilloi një takim me z. Sorin Caian, drejtues dhe ekspert menaxhimi në kompaninë CES Consulting Engineers Salzgitter GmbH, e cila është edhe kompania konsulente për fazën e dytë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve në qytetin e Kamzës.
Gjatë me kryebashkiakun e Kamzës, konsulenti i projektit, z. Sorin Caian, u shpreh se arritja e objektivave të deritanishëm është meritë e z. Mziu dhe e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, si dhe është shumë i kënaqur që punon me njerëz të tillë që janë të hapur.
“Keni arritur njërin prej objektivave që kemi vendosur dhe kjo është një meritë juaja dhe e ndërmarrjes. Ne jemi këtu për t’ju orientuar për gjithë procesin dhe do t’ju informojmë hap pas hapi. Unë jam konsulent dhe jo auditues. Jam shumë i kënaqur që punoj me njerëz si ju, që jeni i hapur”, u shpreh z. Caian. Ndërkaq, kreu i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, pohoi se i vinte mirë që një kompani serioze, si CES Consulting Engineers Salzgitter GmbH, është konsulente për fazën e dytë të projektit të ujësjellës-kanalizimeve në Kamëz, e cila është e përfshirë në “Programet III dhe IV të Infrastrukturës Bashkiake”, me donatorë KfW, SECO, Ambasada e Zvicrës dhe fonde të BE-së.
Në fjalën e tij, z. Mziu tha se Kamza ka një specifikë, pasi qyteti organizohet në dy ndërmarrje, ajo e Tiranës dhe e Kamzës. “Edhe pse ndërmarrja do të jetë sh.a. në fundvit, përsëri do të ketë të njëjtën mbështetje”, garantoi kryebashkiaku Mziu, duke kërkuar që të ketë një angazhim maksimal për të përligjur mbështetjen e Bashkisë dhe emrin e kompanisë, në mënyrë që të ketë një produkt cilësor për qytetarët.
“Mbetem i hapur për bashkëpunimin jo vetëm me Ndërmarrjen e Ujësjellësit, por edhe me pjesën tjetër të strukturës së Bashkisë, siç është Urbanistika apo Shërbimet Publike, për të marrë maksimumin e mundshëm”, – vijoi në fjalën e tij z. Mziu, duke theksuar se Bashkia ka një plan urbanistik bashkëkohor të qytetit, në të cilin në mënyrë analitike janë parashikuar investimet publike, duke përfshirë edhe rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. “Kërkoj nga ju që nëse shihni gjëra që i shërbejnë projektit, mund të na i sugjeroni për të arritur një standard të lartë, duke përfituar nga përvoja që keni ju. Jemi të gatshëm për bashkëpunim, duke përfshirë jo vetëm strukturën e Bashkisë, por edhe potenciale të tjera”, – e ka përmbyllur fjalën e tij kryetari i Bashkisë, z. Mziu. Në Bashkinë Kamëz aktualisht po zbatohet investimi i fazës së parë për zgjerimin dhe rehabilitimin e rrjetit me rreth 10 mijë matës, në biznese dhe familjarë.
Faza e dytë do të bëjë të mundur ridimensionimin e një depoje tjetër uji me kapacitet 3000 metra kub. Në total, rezervat e depove do të kenë një kapacitet ujëmbajtës 8300 metra kub. Në zonat që nuk janë prekur nga faza e parë do të investohet duke konsideruar edhe një pjesë shumë të rëndësishme në sektorin e kanalizimeve të ujërave të ndotura. Në më shumë sesa 15 km kanale të hapura ujërash aktualisht, do të investohet duke marrë në konsideratë disa nga problematikat më të mprehta të konstatuara në vite.
Kompania konsulente, e cila ka një kontratë 4-vjeçare dhe është certifikuar nga KfW, do të monitorojë të gjitha fazat dhe sfidat që janë përpara. Konsulenti është njohur edhe me progresin e bërë deri tani dhe me treguesit të cilët duhen përmirësuar. Puna në këtë fazë ka ecur shumë mirë dhe premtimi i bërë nga Bashkia dhe kryebashkiaku Xhelal Mziu se punimet do të realizohen brenda afatit tashmë nuk kanë vend për dyshim. Në prag të sezonit veror Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve ka marrë të gjitha masat për të shërbyer e shumë shpejt do të kemi dhe modelin e parë të zonës DMA 4/3, me ujë 24 orë në ditë për ta bërë më të prekshëm premtimin. E njëjta gjë do të ndodhë edhe në zona të tjera.

Sigal Uniqa Group Austria sponsor zyrtar i Kombëtares

Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, zoti Avni Ponari firmosi sot kontratën me Presidentin e FSHF-së, nëpërmjet së cilës SIGAL UNIQA zotohet të mbështesë Kombëtaren Shqiptare duke u bërë sponsor zyrtar i saj

Duke filluar nga dita e sotme, kompania më e madhe e sigurimeve në vend, SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, do të mbështesë Kombëtaren Shqiptare, duke u bërë kështu sponsor zyrtar i saj. Marrëveshja u firmos sot, nga Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë SIGAL UNIQA, zoti Avni Ponari dhe Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, zoti Armand Duka.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, në praninë e mediave, zoti Ponari u shpreh: “Ndër vite ne kemi mbështetur disiplina të ndryshme të sportit në tërësi, duke filluar me futbollin, basketbollin, atletikën, alpinizmin, aeronautikën etj., por të mbështesësh Kombëtaren Shqiptare është krejt tjetër gjë. Djemtë e Kombëtares janë krenaria jonë kombëtare, janë ambasadorët tanë më të mirë nëpër botë dhe ne jemi të lumtur që i mbështesim ata. Talentët kuq e zi na plotësuan ëndrrën europiane, duke na kualifikuar në Euro 2016, ndaj ne ua kishim ‘borxh’ këtë suport. Me kontratën e firmosur sot me Presidentin Duka, kompania që unë drejtoj, SIGAL UNIQA angazhohet të ofrojë mbështetjen e saj për Kombëtaren Shqiptare”.
Më tej, zoti Ponari u bëri thirrje edhe kompanive të tjera që ta mbështesin sportin e në mënyrë të veçantë vuri theksin tek politikat lehtësuese fiskale që duhet të ndërmarrë shteti ndaj sportit.
“Mund ta them me plot gojën që SIGAL ka dëshmuar se mbetet jo vetëm kompania lider në sigurime, por edhe kompania lider në mbështetjen dhe zhvillimin e sportit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Unë do t’i ftoja të gjitha kompanitë e tjera, të gjitha bizneset në vend që ta mbështesin sportin, pasi aty është e ardhmja e rinisë, e ardhmja e talenteve shqiptare, të cilët duhen ndihmuar e promovuar. Nga ana tjetër, duhet që edhe shteti të luajë rolin e tij nëpërmjet politikave fiskale lehtësuese, në mënyrë që sporti në Shqipëri të marrë vendin që i takon dhe Shqipëria të garojë denjësisht në arenat ndërkombëtare. Djemtë tanë kanë bërë më të mirën e tyre, tani është radha jonë që të bëjmë detyrën tonë morale, është radha e shtetit të bëjë detyrën e tij, në mënyrë që t’i ndihmojmë talentet shqiptare të korrin sa më shumë suksese”, tha Ponari gjatë ceremonisë së firmosjes së kontratës, ku ishin të pranishëm kryesia e FSHF-së, trajneri De Biasi dhe lojtarët e Kombëtares.
I pyetur nga mediat, Ponari bëri me dije se, së bashku me Presidentin Duka kanë firmosur edhe një tjetër kontratë, atë të sigurimit të Federatës Shqiptare të Futbollit. SIGAL UNIQA Group AUSTRIA ka marrë kështu nën mbrojtje djemtë e kombëtares dhe jo vetëm. Pjesë e kontratës, nga e cila do të përfitojnë sigurimin e shëndetit, janë edhe të gjitha ekipet e grupmoshave, të gjitha ekipet e Superligës Shqiptare si dhe i gjithë stafi i FSHF-së.
“Me këtë kontratë, ne zotohemi të marrim nën mbrojtje, duke siguruar rreth 500 lojtarë të të gjithë Federatës Shqiptare të Futbollit si dhe stafin drejtues të Federatës. Është hera e parë që sigurohet Federata Shqiptare e Futbollit dhe jemi krenarë që talentet shqiptare, përfshirë edhe kombëtaren, na u besuan ne”, shtoi më tej Drejtori i Përgjithshëm i SIGAL UNIQA.
SIGAL UNIQA Group AUSTRIA, përveç detyrimeve kontraktuale me klientët e saj, ka qenë gjithmonë partnere e sportit, arsimit, artit e trashëgimisë kulturore në Shqipëri, duke mbështetur financiarisht aktivitete të ndryshme.
Ndër të tjera, SIGAL UNIQA është: Sponsor Zyrtar i Federatës Shqiptare të Basketbollit; Sponsor Zyrtar i SIGAL UNIQA Balkan League; Sponsor i Klubit të Basketbollit Valbona; Sponsor i skuadrës kampione SIGAL Prishtina; Mbështetje financiare për kampionen e atletikës Luiza Gega; Mbështetje financiare për Aeronautikën dhe Alpinizmin Shqiptar; Mbështetje për maratonën “Run4Austism” e organizuar për të mbështetur personat të prekur nga autizmi etj.
Një vëmendje të veçantë, SIGAL UNIQA i ka kushtuar edhe kujdesit shëndetësor, duke ndërtuar të parën dhe të vetmen klinikë mjekësore lëvizëse në Shqipëri. Me një staf mjekësor profesional, në klinikën lëvizëse të SIGAL UNIQA mundësohen një shumëllojshmëri ekzaminimesh për klientët e saj dhe jo vetëm.
Klinika u promovua në skajin verior të Shqipërisë, në Valbonë dhe më pas iu drejtua Vermoshit, duke ju ofruar banorëve të zonës shërbimet bazë mjekësore falas, shërbime, të cilat për arsye ekonomike apo infrastrukturore banorët e kanë të vështirë t’i marrin. Klinika mjekësore do të jetë prezente në çdo cep të Shqipërisë, si dhe në Kosovë e Maqedoni.
Për kontributin e dhënë në përmbushjen e përgjegjësive së saj sociale, SIGAL UNIQA u nominua nga qeveria shqiptare në eventin gala të sipërmarrësve më të mirë të vitit, “Bleta e Artë 2015”, për çmimin “Sipërmarrje në Kulturë”, si një ndër katër kompanitë më të mira që ka mbështetur artin dhe kulturën në vend.
SIGAL UNIQA GROUP AUSTRIA, që prej vitit 2002 udhëheq tregun e sigurimeve me mbi 30% të tregut, në të cilin operojnë 11 kompani sigurimesh, ku kompania që renditet e dyta zotëron vetëm 13% të këtij tregu. SIGAL UNIQA, e vetmja kompani e licencuar për të gjitha klasat e sigurimit dhe me 42 produkte në treg, është pjesë e UNIQA Insurance Group, kompanisë lider në Europën Qendrore dhe Lindore në fushën e sigurimeve dhe investimeve. UNIQA numëron 7 miliardë euro të ardhura vjetore dhe me mbi 27 miliardë euro asete në menaxhim.

Pse u fsheh për dy muaj arrestimi i Frrokut në Holandë?

Arben Frroku, i dënuar me burg përjetë për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj është arrestuar në Holandë. Autoritetet holandeze konfirmuan dje ndalimin e Arben Frrokut. Sipas burimeve, Frroku është ndaluar para pak ditësh me dokumenta greke, me identitetin e shtetasit Renato Xhepa. Por autoritetet vendase dyshojnë se ky është pikërisht i kërkuari i drejtësisë shqiptare, për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj, në shkurt të vitit 2013. Të njëjtat burime thanë se, ai është ndaluar në aeroportin Shiphol të Amsterdamit dhe është akuzuar për vënie në përdorim të dokumentave dhe identiteteve të falsifikuara.
Ish-Kryeministri Berisha e deklaroi katër ditë më parë se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut. Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.
Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Të njëjtat burime thanë se, pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve belge dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda për vrasjen e Kryekomisar Dritan Lamaj në shkurt të vitit 2013, por Prokuroria apeloi vendimin. Pak ditë para se Apeli i Krimeve të Rënda të jepte vendimin me burg përjetë për Frrokun, ai u largua jashtë vendit. Arben Frroku u dënua me burgim të përjetshëm të formës së prerë nga Gjykata e Apelit.
Prokuroria renditi provat, të cilat në harmoni me njëra-tjetrën, provonin më së miri tej çdo dyshimi kryerjen e veprave penale për të cilat akuzohej i pandehuri Arben Frroku.
Së pari, u identifikua motivi i cili ka shërbyer për të pandehurin në kryerjen e vrasjen.
Së dyti, u provua i gjithë mekanizmi i kryerjes së vrasjes, si numrin e personave, mjetet e përdorura, intinerari i ndjekur prej tyre.
Së treti, në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur Arben Ndoka dhe kamerave të sigurisë në vendin ku u vra Komisar Lamaj u provua se, Arben Frroku ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka qëlluar mbi të.
Së katërti, akuza ka mundur të rrëzojë alibinë e të pandehurit mbi udhëtimin e tij drejt Greqisë ditën e vrasjes së Dritan Lamaj.
Së pesti, në bazë të eksperimentit u provua se autori mund të largohej nga vendi i krimit drejt pikës kufitare të Kapshticës në Korçë, në kohën e llogaritur.
Vendimi i Gjykatës vjen pas disa seancash shtyrje për shkak të mosparaqitjes së avokatëve dhe vetë të pandehurit.
Në datën 3 prill të këtij viti, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda vendosi të shpallë të pafajshëm biznesmenin Frroku, duke rrëzuar të gjithë pretendimet e Prokurorisë.
Kur kanë kaluar më pak se 77 ditë nga lirimi i Frrokut, është Gjykata e Apelit, ajo që vendos se ai duhet të rikthehet në burg, për vrasjen e 24 shkurtit 2013, ku mbeti i vdekur Komisar Dritan Lamaj.

Berisha: Frroku i arrestuar prej 2 muajsh në Holandë, Tahiri nuk dërgonte dosjen

Ish-Kryeministri Berisha deklaroi para katër ditësh në një intervistë në emisionin “Studio e Hapur” të Eni Vasilit se, ka informacione për arrestimin e Arben Frrokut në Holandë, të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisar Dritan Lamajt, por nuk dërgohen informacione nga autoritetet shqiptare. “A e dini që ka dy muaj që thuhet se, është arrestuar Arben Frroku dhe Saje qorri nuk çon të dhënat. I bëj thirrje kryeprokurorit të lidhet me prokurorin e Holandës”, u shpreh Berisha në emisionin “Studio e Hapur”.
Pas arratisjes së Frrokut, ish-Kryeministri Berisha deklaroi se ky ishte një pakt i Ramës, duke e ekzekutuar për herë të dytë komisarin Dritan Lamaj. “I dhanë pafajësinë për vota vrasësit të komisarit Lamaj. Arben Frroku, pas përmbushjes së misionit, arratiset! Apeli sot e dënoi me burg përjetë! Edi Rama me gjykatësit e Partisë i dha pafajësinë vrasësit të komisarit Lamaj, Arben Frrokut dhe i ngarkoi blerjen e votave me paratë e krimit në rrethin e Pukës. Dy ditë para zgjedhjeve, pasi kreu misionin, Rama e nisi atë për në Kubë. Në arrati e sipër Arben Frroku u ndalua nga policia në kufirin midis Malit të Zi dhe Kroacisë, por pasi Sajmir Shullazi i konfirmoi pafajësinë, Frroku vazhdoi i qetë rrugën për në ishullin e Karaibeve. Gjykata e Apelit e njoftoi në mungesë dënimin përjetë për vrasjen e Komisarit Lamaj. Kjo ishte një lojë e Edi Ramës me kriminelë, vrasës si Arben Frroku duke ekzekutuar për së dyti në detyrë komisarin Dritan Lamaj!”, shkruante Berisha në reagimin e tij në Facebook.

Partia e Frrokut aleate me PS-në e Ramës

Në zgjedhjet e vitit 2013, PS bëri koalicion me Partinë Kristian Demokrate të Mark Frrokut dhe Arben Frrokut ku si rezultat i mbështetjes nga Rama, Mark Frroku u zgjodjh deputet. Edhe pas zgjedhjeve, Partia e Frrokut ishte aleate e PS-së.
Vëllai i Arben Frrokut, deputeti Mark Frroku, i cili mbante dhe postin e kreut të Partisë Kristian Demokrate rezulton të jetë dënuar me 10 vjet burg në mungesë nga një gjykatë belge për akuzën e vrasjes. Në janar të vitit 2014, mediat belge kanë publikuar lajmin dënimit me 10 vite burg të deputetit të mazhorancës Mark Frroku në vitin 2010. Deputeti shqiptar Frroku akuzohet për vrasjen e bashkëkombasit të tij, Aleksandër Kurti, pasditen e 5 marsit 1999. “Në Bruksel i akuzuar, në Shqipëri deputet”, e titullonte lajmin faqja online belge Nord Eclair.be.
Në shkrim thuhej se, “i sapozgjedhur në Shqipëri në postin e ligjvënësit, Mark Frroku rezulton i dënuar në mungesë me 10 vite burg në Belgjikë për vrasje, mbi afera prostitucioni dhe trafiku ilegal emigrantësh”. Mediat belge shkruanin se ai duhet të rigjykohet në muajin shkurt 2014 para Gjykatës Penale të Nivelles pas Apelit të Gjykatës së Brukselit, pasi Froku kishte fituar lirinë para se çështja ndaj tij të shkonte në gjykatë dhe ishte larguar drejt Shqipërisë, ku aktualisht jeton.
Megjitëse Interpoli belg kishte dërguar dy kërkesa për ekstradimin e Frrokut, ato u mbajtën të fshehura nga Rama. Pas presionit të Këshillit të Europës, Rama u detyrua të nxjerrë kërkesat e Interpolit për të nisur hetimet ndaj Mark Frropkut. Tashmë Frroku ndodhet në burg.

Frroku u “tradhtua” nga shenjat e gishtave

Interpol Haga njoftoi dje në orën 17:15 minuta Interpol Tiranën se kishte identifikuar dhe arrestuar shtetasin e shpallur në kërkim ndërkombëtar Arben Frroku, të dënuar nga drejtësia shqiptare me burgim të përjetshëm. Bëhet e ditur se, Interpol Tirana gjatë ditëve të fundit ka pasur disa komunikime me homologët në Holandë në lidhje me këtë çështje, por vetëm dje pasdite, u konfirmua se shtetasi i paraqitur me dokumente të falsifikuara nën emrin “Renato Tsepa”, ishte shtetasi Arben Frroku, i dënuar tashmë nga drejtësia shqiptare.
Verifikimi i identitetit të shtetasit Frroku erdhi pas krahasimit të gjurmëve të dërguara nga autoritet e vendit tonë për partnerët holandezë. Interpol Haga konfirmoi se gjurmët ishin identike me ato të një shtetasi të arrestuar me dokument (pasaportë) greke të falsifikuar, me gjeneralitetet “Renato TSEPA”, lindur në Korçë.
Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Ministrinë e Drejtësisë, kanë nisur procedurat e ekstradimit të shtetasit Frroku drejt Shqipërisë, ku pritet të vuajë dënimin sipas vendimit të Gjykatës.
Fillimisht Zyra e Interpolit ka sjellë një përgjigje negative, ndërsa këtë të enjte, zyrtarisht është dhënë informacion për ndalimin e shtetasit Renato Xhepa, i dyshuar se është Arben Frroku. Të njëjtat burime thanë se, pas këtij konfirmimi do të ndiqen të gjitha procedurat ligjore, në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Përgjithshme, për sqarimin e dyshimeve të autoriteteve belge dhe në rast konfirmimi, ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Katër ditë më parë, ish-Kryeministri Berisha e deklaroi se, Frroku ishte arrestuar në Holandë, duke shtuar se Tahiri nuk po dërgonte dosjen e plotë të të dhënave të Frrokut. Pas deklaratës së ish-Kryeministrit Berisha për arrestimin e Frrokut në Holandë, është kërkuar informacion nga Zyra Qendrore Interpolit dhe Europolit për këtë çështje.

R.POLISI

Skandal/ Tahiri fshehu kalimin e vrasësit Frroku nga sistemi TIMS

Arben Frroku u arratis nga Shqipëria më datën 20 qershor të vitit të kaluar, dy ditë para zgjedhjeve lokale, pasi e kreu misionin e tij për t’i dhënë fitoren PS-së në Pukë. Prokuroria zbuloi se, Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS kur kaloi në pikën kufitare. Frroku u ndalua nga Policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë, ku u mbajt për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, duke i kërkuar Ministrisë së Brendshme shqiptare të dhëna ndaj tij, por Tahiri u konfirmoi autoriteteve malazeze se ndaj Frrokut nuk ka asnjë urdhër arresti. Pas konfirmimit nga Ministra e Brendshme shqiptare autoritetet malazeze e lanë të lirë Frrokun për të udhëtuar drejt Kroacisë.
Frroku ka mundur të largohet nga vendi pak ditë, pasi jepej vendimi i Apelit, duke mos hasur në asnjë pengesë as për faktin që ishte ende i dyshuari kryesor për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj dhe pse sipas Prokurorisë të gjitha provat dhe dëshmitë faktonin se ishte ai autori që qëlloi mbi komisarin.
Rama dhe Tahiri i hapën rrugën Frrokut jo vetëm brenda kufijve, por në çdo pikë kufitare me shtetet e tjera. Arratisja e Frrokut ishte shpërblimi që Rama i bëri atij në këmbim të fitores që ai i siguroi PS-së në Pukë, në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Një ditë para se të arratisej, Frroku ka qëndruar me Ramën në një lokal në Pukë, ku prej ditësh ai bënte fushatë për fitoren e kandidatit të majtë.
Pas arratisjes, Prokuroria nisi hetimet dhe zbuloi se Frroku nuk ishte regjistruar në sistemin TIMS ditën që u largua nga Shqipëria drejt Malit të Zi, ç’ka vërtetonte se ai ishte lejuar nga autoritetet shqiptare që të arratisej. Hetuesit verifikuan sistemin TIMS dhe sipas tyre, Frroku nuk rezultonte i regjistruar as në dalje dhe as në hyrje. Sipas Prokurorisë, Arben Frroku mund të jetë larguar nga territori shqiptar, pa u kontrolluar ose punonjësi i policisë në pikën doganore nuk e ka regjistruar daljen e tij. Sipas organit të akuzës, Frroku është ndihmuar nga autoritetet shqiptare që të arratiset pa lënë gjurmë dhe për këtë shkak nuk është regjistruar në sistemin TIMS në pikën kufitare.

Frroku i dënuar nga Apeli me “burg për jetë”

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda vendosi të pranojë kërkesën e Prokurorisë për ta dënuar me “burg për jetë” Arben Frrokun, të akuzuar si autor të vrasjes së komisarit Dritan Lamaj. Gjykata e Apelit ka vendosur të prishë vendimin e Shkallës së Parë për Frrokun. Për pesëçen e gjyqtarëve, biznesmeni është autor i vrasjes së Kryekomisar, Dritan Lamaj. Për këtë arsye, me vendim të formës së prerë, Gjykata e dënoi Arben Frrokun me burgim të përjetshëm, duke i dhënë të drejtë Prokurorisë.
Trupa gjyqësore ka vendosur të lexojë vetëm dispozitivin e vendimit, ndërsa në ditët në vijim pritet zbardhja e vendimit për të parë dhe argumentat që ka përdorur Gjykata për të mbërritur në këtë vendim. Ndërkohë, që në Apel vendimi bëhet i ekzekutueshëm, Arben Frroku nuk ndodhej në Shqipëri pasi ishte arratisur.
Frroku u arratis nga Shqipëria për t’i shpëtuar vendimit të Gjykatës së Apelit. Arben Frroku është ndaluar nga policia e Malit të Zi në kufi me Kroacinë për disa orë, ku është mbajtur për rreth pesë orë për verifikim, pasi ka rezultuar person i shpallur në kërkim. Autoritetet e Malit të Zi e kanë mbajtur të izoluar Frrokun, por më pas ka ndërhyrë Ministria e Brendshme shqiptare, duke e lënë të lirë për të udhëtuar për në Kroaci.
Frroku është shpallur i pafajshëm për akuzën e vrasjes së komisarit Dritan Lamaj, ngjarje e ndodhur më 24 shkurt të 2013, por dje Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka vendusr “burg për jetë” për të.
Gjatë seancave gjyqësore u kërcënuan disa herë dëshmitarët ndaj Frrokut. Dëshmitari kyç në gjyqin ndaj Arben Frrokut është kërcënuar disa herë nga familjarët e vrasësit, ndonëse ishte marrë në mbrojtje nga policia. Kërcënimi ka ndodhur natën, që dëshmitari kyç i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Fatmir Vladi, me emër të ndryshuar nga Prokuroria, Arben Ndoka, ishte marrë në mbrojtje nga policia, pasi kishte fituar statusin e mbrojtjes.
Policia e kishte vendosur dëshmitarin në një banesë, ku edhe ruhej me policë, por në mbrëmje ka shkuar babai i Arben Frrokut, të akuzuarit për vrasjen e komisarit dhe e ka kërcënuar se do ta zhdukë, nëse del dëshmitar në gjyq kundër të birit. “Do të të zhduk me gjithë familje, nëse t’i del dëshmitar në gjyq kundër djalit tim”, i është drejtuar babai i vrasësit dëshmitarit. Pas kërcënimit të dëshmitarit në banesë, Arben Frroku zbuloi identitetin e tij publikisht, duke deklaruar se e njihte dëshmitarin dhe ai nuk quhet Arben Ndoka, por Flamur Vladi. Zbulimi i identitetit të dëshmitarit kyç në procesin gjyqësor kundër Arben Frrokut është bërë nga radhët e policisë, që mbrojnë dëshmitarët.
Arben Frroku u arrestua më 25 shkurt 2013 në Greqi, pas dyshimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda se ishte i përfshirë në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Ai u arrestua së bashku me shtetasin Jak Jaku.

Frroku festoi me 14 shishe uiski, aq sa plumba i dha komisarit

Komisar Dritan Lamaj u vra mbrëmjen e 23 shkurtit 2013 pranë bllokut “Vasil Shanto” në kryeqytet. Për vrasjen e Lamajt u akuzua Arben Frroku, i cili u arrestua pas disa ditësh në Greqi, ku ishte arratisur menjëherë pas vrasjes së Lamajt.
Prokuroria e Krimeve të Rënda, në konkluzionet përfundimtare, argumentoi dëshmi, prova dhe fakte që lidhin të pandehurin Frroku me vrasjen e Dritan Lamajt, ish-komisarit të policisë. Sipas prokurorëve, dëshmitarë okularë kanë parë të pandehurin të qëllojë mbi Dritan Lamajn, ndërsa ishte i shoqëruar nga dy persona të maskuar në automjetin e tij. Në konkluzionet e akuzës u mësua se dëshmitari Arben Ndoka, ka qenë pjesë e fushatës elektorale të 2009 me të pandehurin Frroku. Pas vrasjes, prokurorët thanë se i pandehuri, ndërsa largohej drejt Greqisë i ka kërkuar në telefon njerëzit e tij të festojnë me 14 shishe xhek, po aq plumba sa u qëllua dhe komisari Dritan Lamaj.
Prokurorët e çështjes thanë se, Dritan Lamaj u vra për shkak të detyrës si ish-shef i Komisariatit Nr. 6 në Tiranë. Për organin e akuzës, konflikti mes Frrokut dhe kryekomisarit ka nisur gjatë 2012-ës dhe ka kulmuar më pas me shoqërimin e Arben Frrokut në polici. Prokurori lexoi pjesë të tëra nga dëshmia e Flamur Vladit që Prokuroria e prezantoi me emrin e rremë Arben Ndoka, pasi i kishte dhënë atij statusin e “dëshmitarit të mbrojtur”. Ai ka pranuar para Gjykatës, se e ka njohur Frrokun si autor të vrasjes.
Arben Ndoka, është njeriu që ka parë të dyshuarin Frroku të largohej nga vendngjarja. “Unë e njoh Arben Frrokun, pasi në 2009-ën kam marrë pjesë në fushatën e PKD-së, si dhe kam mbështetur Mark Frrokun. Për këtë, Arbenin e njihja si fytyrë. Kisha dalë me bashkëshorten, shton më tej dëshmitari, dhe pashë makinën përballë, e cila u përplas fillimisht te një bordurë. Kur më kaloi pranë pashë Arben Frrokun, me maskën që e kishte ngritur në ballë dhe dy persona të tjerë. Mora targat e makinës dhe më pas njoftova policinë”, mësohet të ketë thënë Ndoka.
Për të provuar dëshminë e tij, prokurorët thanë se tabulatet telefonike të Ndokës tregojnë se ai ka komunikuar me policinë, se makina që ai njoftoi autoritetet është e njëjta me atë që u gjet më pas e djegur. Por, prokurorët sollën edhe 3 dëshmi të tjera mbështetëse të dëshmitarëve, që pohojnë të njëjtin mekanizëm të ndjekur për vrasjen e Dritan Lamajt, si edhe dëshmitë e dy ish-zyrtarëve të lartë të Policisë së Shtetit, që tregojnë se çfarë u rrëfeu ai dhe si i ofruan mbrojtje dëshmitarit kyç në proces.
Më herët, gjatë procesit është rrëzuar edhe një tjetër alibi e Frrokut, se nuk mund të udhëtonte nga Tirana për në pikën doganore të Kapshticës për 3 orë. Por, në një eksperiment të realizuar në 25 shkurt të vitit të kaluar nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ky segment u përshkua për 2 orë e 46 minuta që sipas prokurorëve është 11 deri 14 minuta më shpejt se koha që i është dashur Frrokut për t’u larguar. Pas seancës, avokatët e Frrokut thanë se dëshmitari është i blerë dhe se akuza nuk dha asnjë provë për të mbështetur pretendimet e saj. Tashmë radhën e ka mbrojtja për të thënë fjalën e saj dhe në fund, Gjykata do të vendosë për çështjen.

R.POLISI

PD nis organizimin për zgjedhjet, Basha: Do të nxjerrim vendin nga kriza

Kryesia e Partisë Demokratike ka vendosur dje organizimin e partisë për zgjedhjet, si dhe prezantimin qytet më qytet dhe fshat më fshat të platformës së demokratëve. Do t’i japim mundësinë çdo qytetari, theksoi zoti Basha, të vendosë me gjykim të ftohtë mes alternativës për të nxjerrë vendin nga kriza dhe rrenës për të qëndruar në pushtet.
“Partia Demokratike ka përfunduar alternativën, programin një vit para zgjedhjeve duke shënuar kështu një tjetër standard demokratik, europian karshi qytetarëve shqiptarë. Zgjidhjet nuk lihen për çastin e fundit apo ditën e fundit të vendimmarrjes sepse pastaj shanset janë shumë të mëdha që të dalin rrena, siç dolën rrena premtimet e ‘Rilindjes’ për 300 mijë vende pune, për shëndetësi falas e për legalizim falas, për ulje taksash e energji më të lirë për gjithë shqiptarët. Pse?! Sepse nuk iu dha shansi shqiptarëve të diskutojnë vërtetësinë, përmbajtjen, zbatueshmërinë e këtyre premtimeve.
Çdo qytetar, jo vetëm demokrat, jo vetëm opozitar, por çdo qytetar do të ketë rastin dhe mundësinë të diskutojë me përfaqësuesit tanë të lartë politikë platformën, programin, alternativën e Partisë Demokratike për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza ekonomike. Dhe me gjykim të ftohtë ashtu siç i ka hije një populli europian të vendosë për të zgjedhur midis ofertës dhe rrenës. Kjo është rruga për ta europianizuar Shqipërinë, të tjerat janë broçkulla”.
Kryesia e partisë vendosi organizimin e strukturës së partisë në funksion të zgjedhjeve dhe fuqizimit të saj. Për këtë arsye do të ketë një shtim prej 14 degësh, duke e çuar në 67 numrin e tyre.
“Në mbledhjen e kryesisë u vendos fuqizimi i strukturave, riorganizimi i strukturave të Partisë Demokratike në funksion të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Përfundimi i analizës në terren do të shoqërohet edhe me krijimin e disa degëve të reja, të cilat në thelb kanë fuqizimin e çdo seksioni, grupseksioni dhe degëve të Partisë Demokratike. Do të kemi një shtim prej 14 degësh, pra janë 67 degë në territor nga të cilat 35 degë, në pjesën më të madhe për shkak të ndarjes do t’i nënshtrohen edhe një procesi zgjedhor. Kjo është një parti, e cila nderon, respekton dhe përdor votën për çdo vendim. Kryesia e Partisë Demokratike mori vendim të miratojë sipas statutit të Partisë Demokratike ngritjen e degës së Partisë Demokratike në Londër, pas shumë kërkesave të anëtarëve dhe demokratëve që jetojnë në këtë metropol. U diskutua mbi propozimin tim për kuotën 35% të të rinjve në listën e ardhshme zgjedhore të Partisë Demokratike, pas një procesi, gare primare mes kandidatëve të mundshëm. Diskutim që i paraprin sigurisht një vendimmarrjeje mbi këtë propozim të kryetarit të Partisë Demokratike nga Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike”, u shpreh Basha.
Kryesia miratoi emërimin e kryetarit të Departamentit të Sigurisë dhe Rendit Publik, Enkelejd Alibeaj, Ardian Turku, kryetar i Departamentit të Pushtetit Vendor, Genti Malko kryetar të Departamentit të Pronave, Tomorr Alizotaj kryetar të Departamentit të të Përndjekurve Politikë, Enri Çeno kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut dhe Ervin Salianji sekretar i Aksionit Qytetar.

6 kryetarët e Departamentet të PD

Enkelejd Alibeaj, kryetari i Departamentit të Sigurisë dhe Rendit Publik
Ardian Turku, kryetar i Departamentit të Pushtetit Vendor,
Genti Malko kryetar të Departamentit të Pronave,
Tomorr Alizotaj kryetar të Departamentit të të Përndjekurve Politikë,
Enri Çeno kryetar i Departamentit të të Drejtave të Njeriut
Ervin Salianji sekretar i Aksionit Qytetar

Edi Rama lideri më kot në Europë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama cilësohet si lideri më i papërfillshëm e më i dobët në Europë. Vlerësimi vjen nga revista prestigjioze “Politico”, e cila njihet gjerësisht si një organ mediatik afër Bashkimit Europian. Në një artikull të titulluar “Matrica e pushtetit: Të rendisësh liderët dhe ambasadorët e Europës”, revista e cilëson Ramën si liderin më të parëndësishëm në Europë. Njësoj si ai konsiderohet edhe ambasadorja e Shqipërisë në BE, Suela Janina. Në këtë renditje Rama figuron edhe më poshtë se lideri autoritar i Maqedonisë, Nikolla Gruevski.
Kryeministrit të Shqipërisë i pëlqen të zërë faqet e para të gazetave botërore duke i dhënë këshilla deri dhe superfuqive botërore për sfidat dhe politikën ndërkombëtare. Nga deklaratat për Trump tek letra drejtuar ministrit britanik të Drejtësisë Michael Gove, kreu i qeverisë shqiptare është përpjekur të gjejë hapësirë në mediat ndërkombëtare. Por europianët duket se e kanë tashmë një vlerësim për Ramën dhe këshillat e tij.
Renditja është një shuplakë e fortë për ambicien e vetëshpallur ndërkombëtare të Ramës. Sipas “Politico”, renditja paraqet se cilët liderë kombëtarë janë efektivë në kombinimin e forcave me ambasadorët e vendit të tyre në Bashkimin Europian për të siguruar pushtet dhe influencë brenda BE. Sipas kësaj renditjeje Edi Rama rezulton i fundit, madje më poshtë edhe se Gruevski, lideri autoritar i Maqedonisë i urryer në Europë.
Sipas revistës në vendin e parë si udhëheqësja më e rëndësishme në Europë renditet Angela Merkel. Pas Kancelares së fuqishme gjermane, në vendin e dytë vjen Kryeministri britanik, David Cameron dhe në vendin e tretë Francois Hollande. Në fund të artikullit “Politico” jep edhe metodologjinë e përdorur për vlerësimin e liderëve europianë, duke marrë në analizë shumë aspekte. Renditja paraqet se cilët lidera kombëtarë janë efektivë në kombinimin e forcave me ambasadorët e vendit të tyre në Bashkimin Europian për të siguruar pushtet dhe influencë brenda BE. Sa i përket kryeministrave dhe presidentëve matrica u përgjigjet pyetjeve të tilla si:

A kanë një qeveri stabël?

A e qeverisin vendin dhe a e përcaktojnë axhendën e tij politike?
A kanë këta udhëheqës një strategji koherente dhe pozita të forta negociuese në Europë?
Kjo renditje në fund të listës për Ramën, vjen dhe në një moment kur Kryeministri shqiptar është shfaqur shpesh në mediat ndërkombëtare, sidomos për deklaratat e ashpra kundër Donald Trump apo së fundi kundër ministrit britanik të Drejtësisë, Michael Gove.

Mediu: Rama-Kokëdhima po grabisin pronat e 123 familjeve në Dhërmi

Bashkia e Himarës, nën urdhrin politik të Kryeministrisë, kërkon të fillojë shpronësimin dhe shtetëzimin, duke iu marrë tokën e trashëguar 123 familjeve të fshatit Dhërmi, me pretendimin se ata nuk kanë qenë banues të zonës në vitin 1991, kur u imponua Ligji komunist 7501. Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka denoncuar grabitjen e tokave që sipas tij, qevereia po u bën familjeve në Dhërmi. Përmes një deklarate për mediat, Mediu tha dje se, “mafia e tokave në bregdet” po iu merr pronat familjeve autoktone, pronarëve të ligjshëm dhe do t’ua japë klientëve të pushtetit, deputetëve, siç ndodhi me heqjen e 18,000 ha tokë nga fondi i kompensimit, me vendim qeverie në vitin 2013. Ai sqaroi se në vitin 1991 edhe pse u kërkua të imponohej Ligji 7501 në mbi 60% të territorit të Shqipërisë, duke respektuar të drejtën e pronësisë dhe shenjtërinë e saj, toka u nda fshatçe, duke respektuar pronësinë e vjetër, si ndërmjet familjeve dhe trashgimtarëve brenda të njëjtës familje. “Këto zona asnjëherë në këto 25 vite nuk kanë pasur konflikte për të drejtën pronësore, sepse e kanë zgjidhur atë jo sipas ligjit komunist 7501, por sipas të drejtës së pronësisë. Pse shteti kërkon të ndërhyjë në Jug, në zonën e bregdetit, dhe nuk ndërhyn në pjesën tjetër të Shqipërisë, në Veri apo Veri-Lindje? Ka vetëm një arsye; interesi i madh për të uzurpuar bregdetin dhe përfituar pronat e pronarëve, në mënyrë të padrejtë dhe korruptive. Dje, përfaqësues të Parlamentit, zoti Dule konkretisht, kanë denoncuar publikisht një fakt tjetër, dhunën dhe veprimet e paligjshme në Bashkinë e Himarës, të urdhëruara nga Rama dhe Kokëdhima”, thekson Mediu. Kryetari i PR thotë se, pas këtij vendimi fshihet një tjetër synim djallëzor i qeverisë. Kreu i republikanëve i bëri thirrje pronarëve të ligjshëm të ngrihen kundër këtij veprimi të qeverisë, që ai e cilëson mafioz dhe korruptiv. Sipas tij, ky shtet i cili rend për të legalizuar vjedhjen dhe paligjshmërinë, bën të kundërtën me pronarët legjitim, i shpronëson dhe i grabit ata. “Për të sqaruar më konkretish, ju bqj me dije se: Ligji 7501 i shpronësoi pronarët e ligjshëm dhe u dha tokë vetëm atyre që ndodheshin në fshat në datën 01.08.1991. Në shumë raste, banorët e fshatrave ranë në marrëveshje komunitare, që toka të shkonte tek i zoti, pra tek pronarët e para vitit 1946. I tillë ishte rasti i komunitetit Dhërmias. Ata i ndanë tokat sipas kufijve të vjetër, dhe pa asnjë konflikt mes tyre. Këtë e vendosën “fshatçe”, si i thonë, dhe e zbatuan. Ata as e lakmuan tokën e njërit-tjetrit dhe as e diskriminuan bashkëfshatarin që ndodhej në atë kohë në qytet. Në Dhërmi çdo familje mori tokën që kishte patur trashëgimi nga babai, gjyshi, stërgjyshi. Mori atë copë tokë që nuk ka guxuar t’ja heqë as turku për 500 vjet, e madje as Enver Hoxha. Që nga 1991 e deri tani, në këtë fshat nuk ka patur asnjë pretendim mes pronarëve të ligjshëm për tokat e trashëguara. Në fakt ky ishte një model që duhej promovuar. Sidoqoftë, këtë vendim konsensual të këtij komuniteti për të marrë secili tokën e të parëve të vet, e kanë respektuar të gjitha qeveritë deri më sot, të majta e të djathta. Kjo Qeveri po u thotë këtyre familjeve që “unë nuk pyes për vullnetin tuaj komunitar, unë nuk pyes për asgjë: unë jua marr tokën, sepse kështu dua”. Kjo arrogancë e qeverisë i ka lënë këto 123 familje pa asnjë përkrahje. Të vetmen përkrahje që ato familje kanë është e drejta e pronës që buron nga Zoti, e drejta e pronës si liri dhe e drejtë hyjnore e njeriut. Por Ligji, këto familje i ka braktisur, dhe për më tepër,     qeveria po i poshtëron.  Qeveria Rama-Meta ka edhe një synim tjetër djallëzor me këtë vendim. Ajo pretendon se një pjesë e tokave të 123 familjeve Dhërmiase që po shtetëzohen, mund të shkojnë për “kompensim fizik” të ish-pronarëve, ndërkohë që siç thashë më sipër, 18,000 ha që ishin për kompensim fizik në bregdet dhe zona të tjera të rëndësishme, i rimori si qeveri për t`i shpërndarë dhe përdorur për interesa korruptive. Partia Republikane e dënon ashpër këtë proçes të iniciuar nga qeveria dhe Bashkia Himarë. PR kërkon që pronarët e ligjshëm të ngrihen kundër këtij veprimi mafioz dhe korruptiv të qeverisë, duke mbështetur në çdo moment të drejtat e tyre të ligjshme”.

Eksportet në pikiatë, rënie me 12.8% gjatë marsit

Eksportet shqiptare ranë me 12.8 për qind në muajin mars krahasuar te njëjtin muaj të vitit paraardhës duke shënuar një nga rezultatet më të dobëta të viteve të fundit. Të dhënat e fundit zyrtare nga Instituti i statistikave tregojnë se gjatë muajit të kaluar kompanitë shqiptare eksportuan jashtë 19.3 miliardë lekë mallra nga 22.1 miliardë që ishte shifra në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Ky është muaji i tetë me radhë që eksportet ulen në terma vjetorë çka përbën një tjetër rekord negativ. Ndërsa si tremujor, për periudhën janar mars, eksportet kanë rënë me 5 miliardë lekë ose 8.6 për qind krahasuar me një vit më parë. Të dhënat tregojnë se ky është viti i dytë me radhe që eksportet vazhdojnë të bien, duke ndikuar negativisht ekonominë shqiptare. Rënia më e madhe e eksporteve i dedikohet dy grupeve. Ato janë mineralet, lëndët djegëse dhe energjia si dhe grupi i materialeve të ndërtimit. Sipas INSTAT, në tre muajt e parë, eksportet e këtyre dy grupeve së bashku ishin 10 miliardë më pak se sa e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Rënia  e madhe në këto dy grupe ka qenë e pamundur të rikuperohet nga ecuria pozitive e fasonit dhe eksporteve bujqësore. Sipas INSTAT, të dy këto zëra kanë shënuar rritje në tremujorin e parë, por pa mundur të kompensojnë plotësisht rënien e naftës dhe materialeve të ndërtimit. Ndërsa eksportet kanë rënë, shkëmbimet tregtare kanë pasur një ecuri më të mirë në kahun e importeve. Sipas INSTAT, për tremujorin e parë importet u rritën me 3.8 për qind, nga 118.5 miliardë lekë që ishin vjet në 123.1 miliardë lekë këtë vit.

Rama dhe krimi njohin vetëm gjuhën e forcës

Kryeministri Edi Rama dhe deputeti i PKD Mark Frroku, gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me akuzat e opozites ndaj Artan Didit, Drejtorit te Pergjithshem te Policise se Shtetit, te cilin e akuzojne se ka vrare nje nga pasagjeret e autobusit qe u mor peng nga Flamur Pisli ne 28 maj 1999.

Më së fundmi, pas një hezitimi treditor policia tha dje se një kriminel shqiptar tepër i rrezikshëm është arrestuar nga policia holandeze. Lajmin e arrestimit të Arben Frrokut e deklaroi publikisht ish-Kryeministri Sali Berisha tre ditë më parë, së bashku me hezitimin dymujor të policisë që të bënte verifikimet e nevojshme sipas kërkesës së autoriteteve holandeze. Kryeministri Edi Rama nuk e fshehu dje trishtimin e tij për arrestimin e partnerit të tij politik në Holandë, ndërsa mediat e qeverisë investigonin me zell lidhjet e Sali Berishës në polici dhe në agjencitë e tjera ligjzbatuese, që kishin rrjedhur informacionin sekret.
Këtë herë Frroku ishte i pafat, pavarësisht se mbështetja e Ramës dhe zagarëve të tij nuk i kishte munguar që nga dita kur u arratis. Arben Frroku, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit të policisë dhe një sërë krimesh të tjera të rënda, ia doli të arratisej nga Shqipëria një ditë para vendimit përfundimtar të Gjykatës së Apelit me mbështetjen dhe ndihmën e Ramës, Tahirit dhe autoriteteve të larta të Policisë së Shtetit. Ndërsa dalja e tij nga Shqipëria nuk u regjistrua në sistemin TIMS, Rama e la të lirë edhe kur policia e Malit të Zi e ndaloi për pesë orë, ndërsa kalonte kufirin drejt Kroacisë. Një kriminel të rrezikshëm, nën akuza të rënda, në prag të gjykimit përfundimtar, një polici dhe një qeveri e painkriminuar nuk do të linte kurrë të lirë të largohej as nga qyteti i tij dhe jo më nga atdheu. Për më tepër kur bëhet fjalë se ky kriminel është vrasësi i një komisari policie.
Kësaj radhe Rama ka të drejtë të thotë shprehjen e tij se “fajin e ka Berisha”, pasi kur vjen çështja tek lufta kundër krimit, korrupsionit, Sali Berisha mbetet njësoj në krye të kësaj beteje. Denoncimi publik i Berishës për hezitimin e policisë që t’i përgjigjet në kohë kërkesave të policisë holandeze, i dogji Frrokut dhe Ramës skenarin e radhës për t’i ikur veprimit të drejtësisë. Publikimi i presionit që Rama, Tahiri dhe frrokët e pushtetit po i bënin policisë, çliroi këta të fundit dhe i lejoi më së fundmi të konfirmonin se Renato Xhepa është Arben Frroku, vrasësi i komisarit të Policisë së Tiranës.
Njësoj ndodhi edhe me vëllain tjetër Mark Frrokun, deputetin që është dënuar në Belgjikë për vrasje dhe trafiqe. Rama, Tahiri dhe policia për muaj me radhë fshehën vrasësin në sallën e Parlamentit dhe nuk ia dorëzonin Interpolit. Kërkesave të përsëritura të autoriteteve belge dhe Interpolit ata refuzuan t’i përgjigjen në mënyrë sistematike, derisa opozita e bëri publike çështjen dhe nuk i la asnjë alibi pushtetit që të linte të lirë vrasësin Frroku.
Rasti me Emiljano Shullazin ose Milin e partisë nuk është aspak i ndryshëm. Prej dy vitesh, Berisha, Basha, opozita, ambasadori amerikan Donald Lu dhe qindra e qindra biznesmenë e qytetarë të thjeshtë po flisnin çdo ditë për Shullazin e Ramës dhe bandën e tij që kërcënonte, vriste, shantazhonte, shpërthente tritol dhe grabiste para e prona pa fund në Tiranë dhe Durrës. Mili u arrestua vetëm atëherë kur Berisha denoncoi dhunën dhe shantazhin që banditi i Ramës kishte ushtruar ndaj dy akademikëve. Pavarësisht kësaj, jemi sërish dëshmitarë që Rama po bën gjithçka mundet për ta nxjerrë të larë Milin, sikur do të vazhdojë të bëjë të njëjtën gjë për vëllezërit vrasës dhe çdo kriminel a qelbësirë tjetër që ka mbledhur në koalicionin e tij për të terrorizuar dhe grabitur arkën e shtetit dhe çdo pasuri të shqiptarëve.
Rama është një skandaloz dhe i pështirë në çdo gjë që thotë dhe në çdo gjë që bën, por momenti kur ekspozohet publikisht simbioza e tij me krimin, është si t’i këputësh krahët dhe t’i presësh këmbët. Pushteti i tij mbahet vetëm nga forca e bandave dhe e krimit. Frrokët, Shullazi janë vetëm pak prej ushtrisë kriminale që ka shpërndarë në mbarë vendin për të kultivuar dhe trafikuar drogërat, për të grabitur dhe terrorizuar shqiptarët. Fakti që Rama nuk ia fsheh dot shqiptarëve lidhjet e tij me krimin dhe mbështetja e tij ndaj vrasësve dhe kriminelëve të rrezikshëm është kaq demonstrative, duke urdhëruar deri edhe policinë që t’u hapë kufirin, është njëherësh mesazhi publik që ai ka për ushtarët e tij se do të përdorë çdo gjë që ka dorë për t’i çliruar nga akuzat, për t’i ndihmuar t’i ikin drejtësisë dhe deri t’i sistemojë personalisht në qeli VIP-ash.
Kapja e kriminelëve është detyrë e qeverisë dhe e policisë. Kur qeveria dhe policia bëhen palë me krimin, shqiptarët duhet të nxitojnë të marrin nën kontroll edhe qeverinë, edhe policinë. Kjo është detyrë kombëtare për të mbrojtur shtetin, që ky i fundit të rikthehet pas kaq vitesh dhe të mbrojë qytetarët. Rama dhe kriminelët njohin vetëm gjuhën e forcës.