28.5 C
Tirana
E martë, 12 Gusht, 2025

Me ner teje

Edison YPI

Ke qënë në nja tre-katër vende të botës ku je zvarritur si kërrmill, belbëzon nja pes a gjasht llafe në nja dy gjuhë, gracie, kull, okej, dhe thua; “Jam qytetar i botës, di gjuhë të huaja, jam kozmopolitan, nuk kam arsye të ushqej ndjenja krenarie kombëtare”. Hiç mos më fal që po ta them, me ner teje je një pellg me shurrë, një legen me qelb.
Udhëton mes bukurive mahnitëse të natyrës shqiptare. Meqënse bën pak fresk dhe ke frikë se mos ftohesh, xhamin e makinës e mban mbyllur. Me ner teje zotnia jote është një i vdekur i pa kallur.
Ke makinë të mirë, të fuqishme. Por nuk udhëton larg, sillesh rretheqark nëpër qytet. Me ner teje je një bile e pa bërë synet.
Po i afrohemi Rrogozhinës, jemi në Gosë, unë të them; mjaft më preke ti mua e unë ty, kthehemi moj pak minuta te Kalaja e Bashtovës të na preki Historia të dyve. Ti ngre supet dhe rrudh turiçkat. Me ner teje je një cop mish.
Ke lindur dhe je rritur në internim. Por i ke harruar baltrat dhe vuajtjet. Në vend që të jesh i drejtpërdrejt, energjik, i paepur në luftën ndaj atyre që ta nxinë fëmijrinë dhe rininë, vishesh, krihesh, bën gjeste, flet, si persekutorët, bën si snob, si modern, shkonevjen larteposht me laptop në sup. Me ner teje je një bastard, një i lindur i vdekur, një kufomë.
Shetit në Internet ku shpif e shan me pseudonim miqtë me të cilët pi kafe e bën muhabet. Me ner teje je një kakë e verdhë në të kuqe me shumë shokë e shoqe.
U lodha duke të thënë se byreku me hithrat e oborrit të shtëpisë ose gjethet e ferrave të përroit është gjëja më e shijshme që s’e bën dot asnjë restorant sado i shtrenjtë. Ti vazhdon të mbllaçitësh pica dhe hamburgera. Me ner teje je i gjithi një uth stomaku që s’e asgjëson dot asnjë bikarbonat natriumi.
Ke mbi njëzet vjet që shkruan në gazetë të njëjtat gëlbaza ortografike përditë. Me ner teje je një kockë lëpirës, një sifon haleje.
Të kam thënë gjithato herë mos i shih filmat e kohës së kurvit, por ti vazhdon. Me ner teje je një budalla me brirë.
Unë të them se Demokracia është një tërësi rregullash, normash, ligjesh, që duhen respektuar, që duhen zbatuar, ndërsa diktatura është një bashkësi sendesh, mjetesh, hekura, pranga, litarë, zinxhirë, tela me gjëmba, që duhen refuzuar. Ti nuk beson, ti nuk bindesh, ti nuk bën dallim, ti je i bindur për të kundërtën. Me nder meje dhe pa nder teje, je një zorrë e trashë e bllokuar nga klishe’ propagandistike kurviste, një mikrob, një bacil, një krimb.

Zgjedhjet e 5 qershorit në Maqedoni drejt dështimit?

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, të parapara për më 5 qershor me gjasë do të dështojnë, apo në to do të merr pjesë vetëm VMRO-DPMNE-ja eNikolla Gruevskit.
Pas vendimit të opozitës maqedonase dhe të partive shqiptare jashtëparlamentare, edhe Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti, partnere e VMRO-së, po shqyrton seriozisht mos pjesëmarrjen në zgjedhje.
Nga kjo parti, thonë se kushte për zgjedhje nuk ka, ashtu siç parashihet me marrëveshjen politike, andaj edhe nuk dëshirojnë të kontribuojnë për thellimin e mëtejmë të krizës.
Vendimi përfundimtar për mospjesëmarrje në zgjedhje pritet të merret nga kryesia qendrore e partisë, nëse dështon edhe përpjekja e fundit e BDI-së për uljen në një tavolinë të katër partive për shqyrtimin e modaliteteve për dalje nga kriza.
“Për të pasur zgjedhje kredibile, të pranuar ndërkombëtarisht dhe nga të gjitha partitë politike duhet të krijohet ambient politik dhe për momentin një ambient i tillë nuk është krijuar. Fajin për mospërmbushjen e gjitha atyre kritereve me marrëveshjen e Shkupit bie para se gjithash tek partitë politike maqedonase”.
“Pra, nuk besoj se ka ambient politik për mbajtjen e zgjedhjeve pasi nuk është në interesin e partive politike apo në interesin e Maqedonisë dhe të qytetarëve të saj që nga një krizë të hyjmë në krizë të re”, thotë Rafis Haliti, zyrtar i lartë i BDI-së dhe nënkryetar i Kuvendit në përbërjen e deritanishme.
Nga VMRO-ja nuk kanë komentuar lëvizjet në BDI-së edhe pse mbeten në qëndrimin se partia e Ahmetit do t’i mbetet besnike premtimit të dhënë pjesëmarrje në zgjedhje. Ndërkohë, që përveç BDI-së, në zgjedhje nuk do të merr pjesë as Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit, nëse nuk krijohen kushtet për mbajtjen e tyre.
Nga kjo parti kanë thënë se krijimi i kushteve për zgjedhje të lira është shumë më me rëndësi se sa data për mbajtjen e tyre. Pastrimi i listës zgjedhore, vendimi i presidentit për faljen e zyrtarëve të dyshuar për vepra të ndryshme penale dhe reformat në media, janë tri çështjet kryesore nga të cilat varen zgjedhjet.
Edhe njohësit e çështjeve politike thonë se lëvizje për të shpëtuar procesin ka, por nëse ato dështojnë, zgjedhje nuk do të ketë më 5 qershor.
“Ekziston përshtypja se përpjekje ka dhe me disa deklarata nga BDI-ja sikur ka indikacion se bisedimet janë duke u zhvilluar prapa skene. Në këtë kuadër është edhe deklarata e presidenti i shtetit se po zhvillohen konsultime për hapat e mëtejmë lidhur me vendimin e tij për faljen e zyrtarëve të inkriminuar, por ndonjë rezultat konkret nuk ka ende”.
“Në gjendjen në të cilën ndodhemi, të gjitha veprimet që bëjnë institucionet janë jolegjitime. Pra vlerësoj se nuk ka as kushte minimale për zgjedhje”, thotë Marko Trashanovski, njohës i çështjeve politike dhe drejtuesi i Institutit për Demokraci.
Instituti që ai drejton ka dalë me disa propozime për zgjidhjen e krizës, anulimin e vendimit për shpërbërjen e Kuvendit dhe rrjedhimisht edhe atë për caktimin e datës së zgjedhjeve më 5 qershor, si dhe formimin e një qeverie kalimtare të përzier me politikanë dhe ekspertë të cilën do të drejtonin resorët kyç të qeverisë.
“Kjo qeveri duhet të ketë një mandat deri në vitin 2018 kur edhe duhet të mbahen zgjedhjet e rregullta parlamentare. Vlerësoj se një qeveri e tillë do të kishte kohë të mjaftueshme për zbatimin e të gjitha reformave të domosdoshme si për zgjedhje të lira demokratike ashtu edhe për forcimin e sistemit demokratik”, thotë Trashanovski duke i dhënë mbështetje edhe punës së Prokurorisë Speciale ndërsa nga Gjykata Kushtetuese kërkon që të hedhë poshtë edhe një nismë në adresë të saj për vlerësimin e kushtetueshmërisë së ligjit për formimin e të njejtës, të ngritur nga Kongresi botëror maqedonas i afërt me VMRO-në e Nikolla Gruevskit.

Rektori Koni pranon në Prokurori dhunimin e kërcënimin nga Shullazi

Akademiku Mynyr Koni, Rektori i ri i Universitetit të Tiranës ka pranuar dje para Prokurorisë se personi që e ndaloi dhe i kërkoi të tërhiqej nga gara e ka kërcënuar dhe dhunuar.
Dy profesorët e kërcënuar, Dhori Kule dhe Mynir Koni nuk përmendin emrin e Emiljano Shullazit para prokurorëve që po hetojnë kanosjen ndaj tyre. Ka qenë ora 9:30 minuta kur në ndërtesën e Prokurorisë për Krime të Rënda është paraqitur ish-rektori Dhori Kule, për të dhënë shpjegime me cilësinë e personit të dëmtuar. I shoqëruar vetëm nga shoferi, Kule ka qëndruar për 2 orë në zyrën e prokurorëve Elizabeta Imeraj dhe Ened Nakuçi, ku ka shpjeguar me detaje gjithçka në lidhje me kërcënimin ndaj tij për mos mbështetjen e kandidatit për rektor Mynyr Koni.
Sipas ABC News, burimet thonë se në asnjë rast, Profesor Kule nuk ka përmendur emrin e Shullazit, duke mohuar njohjen dhe takimin me atë. Sipas Prokurorisë, profesorit i është vendosur para edhe fotografia e Shullazit ku është pyetur nëse ka qenë ky personi në mesin e atyre që e kanë kërcënuar. Por, Profesor Kule mësohet se ka thënë se nuk e njeh personin që i ka dalë para bashkë me disa të rinjë të tjerë, të cilët i kanë kërkuar me anë të kërcënimit të heqë dorë nga mbështetja e kandidatit Mynyr Koni.
Kule, i ka thënë hetuesve, se nuk njihte ndonjërin nga personat që e kërcënuan dhe nuk kishte bërë kallëzim, për faktin se nuk i njihte. Në kohën që Profesor Kule jepte shpjegime para hetuesve, në ora 10 e 25 minuta në ndërtesë ka ardhur rektori i sapozgjedhur Mynyr Koni.
Por ndryshe nga Profesor Kule, mësohet se rektori Koni kërcënimin e personave ende të paidentifikuar e kishte marrë shumë seriozisht. Ai përveç se është ndjerë i kërcënuar, ka pranuar para hetuesve edhe për dhunën e ushtruar ndaj tij. Por edhe rektori Koni ka mohuar se është kontaktuar nga Emiljano Shullazi.
Sipas këtyre burimeve, bëhet e ditur se rektori Koni vazhdon të qëndrojë në pozitat e mosnjohjes së personave që e kërcënuan dhe dhunuan në afërsi të pallatit ku banon, vetëm një javë para zgjedhjeve në Universitet. Mësohet se edhe Profesor Koni i ka qëndruar dëshmisë së dhënë në polici, mbrëmjen e së shtunës.
Si Profesor Kule ashtu edhe rektori Koni, lanë ambientet e Prokurorisë, pas qëndrimit nga dy orë secili para grupit hetimor, ku kanë dhënë shpjegime me cilësinë e personave të dëmtuar.
Për kërcënimin e tyre, Prokuroria akuzon Emiljano Shullazin dhe bandën e tij, si personat që kanosën dy profesorët për të favorizuar kandidaten që doli humbëse në zgjedhje, Klodeta Dibra. Për këtë çështje, Prokuroria po shqyrton edhe kamerat e sigurisë së disa bizneseve pranë vendeve ku kanë ndodhur kërcënimet. Burimet thanë se shumë shpejt, edhe Dibra do të merret në pyetje në lidhje me njohjet dhe kontaktet e mundshme që ka pasur me Emiljano Shullazin apo personat rreth tij.

Ngjarja

Të enjten e 14 prillit, akademiku Mynyr Koni, kandidat për postin e rektorit në Universitetin e Tiranës ishte duke u kthyer për në shtëpi kur një makinë e blinduar ndaloi para këmbëve të tij. Një person i kërkoi nën kërcënim të futej brenda në makinë, brenda së cilës ishin edhe dy persona të tjerë. Pasi e fusin nën gjuhën e kërcënimit, brenda automjetit të tyre, akademikut të nderuar i kërkohet në mënyrë ultimative që të tërhiqet urgjent nga gara. Ultimatumi i dhënë nga banda ndaj Profesor Konit ishte që nga gara të jepte dorëheqjen urgjent që ditën e nesërme. Tonet e kërcënuesve janë ashpërsuar më tej kur, akademiku Koni u ka thënë se do të mendohej mbi këtë ultimatum. Në këtë moment, reagimi i bandës për dorëheqjen e tij ka qenë i prerë. Profesor Mynyr Koni është thirrur për të dëshmuar në polici për kërcënimin që është bërë ndaj tij. Ai ka thënë se, nuk i mbaj mend fytyrat e personave, por sakaq ka treguar skenën e krimit. “Isha në rrugë, duke shkuar për në shtëpi, një makinë më ndaloi tek këmbët dhe një person më urdhëroi të hyja brenda. Aty jam kërcënuar. Ishin tri veta. Njëri prej tyre më tha”Ti do të tërhiqesh deri nesër nga gara!”. I thashë të mendohem deri nesër. Personi në fjalë me ton të lartë më tha: “Ti do të japësh dorëheqjen!”, është shprehur Profesor Koni në dëshminë e tij në polici. Pas kësaj, banda e ka lënë akademikun të lirë. Pas kërcënimit, Profesor Koni ka shkuar në zyrën e rektorit aktual të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, ku i ka shprehur atij tërheqjen nga gara dhe se do të paraqiste dorëheqjen. Kjo kërkesë e Konit ka hasur në kundërshtinë e Kules, i cili i ka shprehur mbështetjen atij për të vijuar garën deri në fund. Të nesërmen e kësaj dite, të premten më 15 prill, teksa ecte rrugës për në Rektorat tek Sheshi “Nënë Tereza”, e njëjta bandë që një ditë më parë kishte kërcënuar akademikun Koni, duke i kërkuar të tërhiqej nga gara, ndaloi edhe rektorin aktual Dhori Kule. Me tone kërcënimi, banda i ka kërkuar Kules të ndërpresë urgjentisht çdo lloj mbështetjeje ndaj akademikut Koni përndryshe jeta e tij dhe e familjarëve të tij ishte në rrezik.

Administratori i Karbunarës, i dënuar për vjedhje dhe plagosje

Një tjetër drejtues i pushtetit vendor i emëruar nga PS rezulton të jetë i dënuar me vendim gjykate. Administratori i Karbunarës së Vogël në Bashkinë e Lushnjës, Bektash Nexha është dënuar nga Gjykata Lushnjë për vjedhje pasurie dhe plagosje me dashje. Denoncimi është bërë nga kryetari i PD Lushnjë, Myslim Murrizi, i cili ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës të dënimit me burg të administratorit të emëruar nga PS. Murrizi thotë se, kjo është Bashkia e Lushnjës që ka emëruar si administrator të Njësive Administrative pjesën më ordinere të vetë PS-së.
“Ky është Bektash Nexha i emëruar administrator i Njësisë Administrative Karbunarë e Vogël Bashkia Lushnjë. I dënuar nga Gjykata Lushnjë me vendimin nr. 125 datë 4 korrik 2007 për veprën penale të vjedhje pasurie dhe plagosje me dashje, vendim, i cili pasi ka marrë formë të prerë më datë 16 korrik 2007 është vuajtur nga ky person. Pas qerrexhiut të Hysgjokajt, muratorit të Dushkut, Sekretarit të byrosë Bubullimë, vjen dhe emërimi i një personi objekt i ligjit të dekriminalizimit. Ky është pushteti i “rilindjes”. Kjo është Bashkia e Lushnjës që ka emëruar si administratorë të Njësive Administrative pjesën më ordinere të vetë PS-së”, shkruan kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi, në një postim në Facebook. Ai ka publikuar edhe vendimin e Gjykatës për dënimin e Bektash Nexhës.
Kryetari i PD të Lushnjës, Myslim Murrizi denoncoi para një jave publikisht masakrën që ka bërë “Rilindja” në shkollat e këtij rrethi. Gjatë një konference për shtyp, Murrizi denoncoi me fakte dhe dokumenta politikën e kuadrit që “Rilindja” ka bërë këto 3 vjet me mësuesit e rrethit Lushnjë. Ky rreth me 103 shkolla, ku 64 janë drejtori dhe 39 shkolla vartëse me 21 shkolla të mesme dhe me 1336 mësues gjithsej përdoret nga Zyra Arsimore Lushnjë si pronë e PS dhe i komanduari i kësaj zyre që vet ka si fakultet ciklin e ulët zoti Ylli Krakulli, si shef kuadri i Arsimit pranë Komitetit të Partisë Punës.
“Nga lista e famshme e dosjes gjyqësore të ish-drejtoreshës së dënuar, ju kam vënë më parë në dijeni se ishin emëruar vetëm gjatë kohës së saj 169 mësues të rinj nga të cilët 110 të PS dhe 59 të LSI. Po ashtu, në atë material kishte shënim që kanë kaluar në “filtrin” e partisë shtet nëpërmjet sekretarëve të byrove të emëruar drejtora shkollash 790 mësues, nga të cilët rezultonin 620 të PS dhe 170 të LSI. Pra, në total 959 mësues janë me partinë, 377 mësues me biografi të keqe. Dhe i komanduari përgjegjës zyre tashmë e di ku është armiku i klasës. Nga 64 drejtorë të gjendur në tetor 2013 sot më 21 prill 2016 janë vetëm 4. Mimoza Hajdari Shkolla “4 Dëshmorët”, Dashamir Sula, Thanasaj, Mikel Shandro, Kashtëbardhë dhe Pranvera Korreshi, Qerret”, u shpreh Murrizi.
Rastet e denoncuara nga PD Lushnjë për Zyrën Arsimore Lushnjë dhe shumë raste të tjera abuzive janë denoncuar edhe nga vetë mësuesit, prindërit dhe nxenësit e shkollave të ndryshme të rrethit Lushnjë. Një mësues nga Shkolla e Mesme Grabian është shprehur se, Bledar Stavri Ndoni, ish-arkëtar i Komunës Grabian pa punuar asnjë orë mësues është emëruar nëndrejtor i kësaj shkolle. Para pak kohësh, kreu i PD të Lushnjës publikoi një listë pagese të muajit janar 2013 kur Bledar Ndoni, në emër të 6 punojësve të Komunës Grabian firmoste vetë dhe i merrte lekët vetë. Si shenjë shpërblimi për “besnikëri” ndaj ish-kryetarit Avdi Snalla që nuk e shiti në Prokurori shpërblehet si nëndrejtor i Shkollës së Mesme Grabian pa qenë asnjë orë mësues.

Basha: Rama, shpunësues masiv i mijëra shqiptarëve

Kryeministri Rama mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Panairit të Punës, ku u tall me shqiptarët e papunë. Ai u bëri thirrje të papunëve të shfrytëzojnë këtë mundësi. Sipas Ramës në panair ofrohen 8 mijë vende të lira pune, me rrogë që shkon deri në 3 mijë euro. Ndaj deklaratave tallëse dhe qesharake të Ramës, reagoi ashpër kreu i PD, Basha, i cili në një postim në Facebook e cilësoi Ramës si personin kryesor përgjegjës të nivelit të lartë të papunësisë në vend.
“Shpunësuesi i mijëra shqiptarëve, shkaktari për mbylljen e 80 mijë bizneseve, përgjegjësi për papunësinë që ka arritur zyrtarisht 18 për qind, por që në realitet është shumë më e lartë, akuzoi sot sërish popullin e vet se është dembel dhe i pashkollë. Papunësia lidhet vetëm me rrënimin ekonomik, me taksat e larta, me krimin që sundon e mban larg investitorët, me korrupsionin pas çdo porte qeveritare, e për të gjitha këto përgjegjës është Edi Rama. Sot vetëm një kantier është në punë. Vjedhja, zhvatja, plaçkitja. Sot në punë është vetëm Rama me oligarkinë e tij që në dy vjet ka futur në xhep 2.2 miliardë euro. 88 milionë dollarë tendera për 11 miqtë e tij. 90 milionë dollarë shpenzime luksi. Ky është i vetmi prioritet i Edi Ramës, jo të sigurojë punësim dhe mirëqenie për qytetarët”, shprehet Basha në reagimin e tij.

KE: Në Shqipëri, konsumi i qytetarëve ka rënë, borxhi publik është rritur

Rritja ekonomike në Shqipëri në vitin 2015 ishte 2.6%, e orientuar nga investimet e larta dhe eksportet neto, sipas raportit të tremujorit të parë 2016 (që i referohet zhvillimeve të tremujorit të fundit 2015) të vendeve kandidate dhe potenciale kandidate, publikuar dje nga Komisioni Europian. Por, në të njëjtën kohë, vëren raporti, konsumi publik dhe privat ra. Investimet u ngadalësuan nga rritja dyshifrore e regjistruar në tre tremujorët e parë, por ende u rritën me 6.7% me bazë vjetore. Rënia e konsumit qeveritar u intensifikua (-3.7% me bazë vjetore), duke shënuar të katërtin tremujor radhazi me tkurrje. Tregtia e jashtme vijoi të ishte e dobët, ndërsa eksportet u rritën lehtë me 0.8%. Nga ana e prodhimit, sektori i ndërtimit ka dhënë kontributin më të madh të rritjes në tremujorin e katërt të vitit 2015 (+1.5 pikë përqindje), duke kompensuar rënien në bujqësi (-0.37 pp.) dhe të industrisë, energjisë elektrike dhe ujit (-0.38 pp). Performanca e këtyre të fundit u ndikua fort nga rënia e prodhimit në industrinë nxjerrëse, si rrjedhojë e uljes së vazhdueshme të çmimeve të naftës.
Anketa e Forcave të Punës vlerësoi se shkalla e papunësisë (15-64 vjeç) ishte 17.7% në tremujorin e katërt të vitit 2015, me rritje 0.2 pikë përqindje nga tre muajt e mëparshëm, por gjithsesi me rënie prej 0.3 pp në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Deficiti i llogarisë korente u rrit me 8.1% me bazë vjetore në tremujorin e fundit. Në fund të vitit 2015, stoku i borxhit të jashtëm bruto ishte 10,1% më i lartë se një vit më parë, kryesisht për shkak të rritjes së huamarrjes së qeverisë. Borxhi i jashtëm qëndroi në 74% të PBB-së. Borxhi afatgjatë, kryesisht borxh i qeverisë, përbën 80% të totalit. Inflacionin e ulët raporti i KE e shpjegon me efektin e bazës, inflacionin e ulët të importuar dhe presionin e ulët të çmimeve në vend për shkak të prodhimit ende nën potencial.
Niveli i lartë i kredive me probleme (NPL) vazhdoi të ndikojë mbi kreditimin, edhe pse raporti i NPL-ve ka rënë në 17.7% në fund tremujorin e katërt të vitit 2015 nga 20.2% në tre muajt e mëparshëm, si rezultat i fshirjes së detyrueshme të huave të humbura. Stoku i kredisë për sektorin privat ishte 2.6% më i ulët në shkurt, në raport me një vit më parë (jo e rregulluar me efektin e huave të humbura). Deficiti buxhetor në vitin 2015 ishte në përputhje me objektivin e 4% të PBB-së. Të ardhurat kishin një ecuri të dobët me 8.2% më pak kundrejt objektivit fillestar dhe 4.5% më pak kundrejt planit të rishikuar të miratuar në korrik të vitit 2015. Megjithatë, shpenzimet kanë mbetur 7.5% nën planin fillestar, kryesisht për shkak të kursimeve në shpenzimet e interesit dhe mosrealizim të investimeve kapitale. Raporti parashikon se performanca e rritjes ekonomike në Ballkanin Perëndimor u përmirësua më tej më 2015. Në Serbi, pas recesionit të vitit 2014, ekonomia ka pësuar përmirësim. PBB reale u rrit me 0.7%, më shpejt se sa pritej fillimisht, e mbështetur nga çmime të ulëta të naftës dhe rritja e besimit si rezultat i reformave të implementuara. Në Shqipëri, rritja e PBB vjetore u përshpejtua në 2.6% më 2015, e rritur krahasuar me 2% të një viti më parë dhe e mbështetur nga investimet private, sikurse edhe eksportet neto. Konsumi privat dhe ai publik shënuan ulje. Në Malin e Zi, rritja ishte 3.2%, nga 1.8% që ishte më 2014, e mbështetur nga investime të larta, sidomos ato në fushën hekurudhore, nga një rritje e eksporteve të shërbimeve, sidomos në turizëm. Në Maqedoni, rritja e PBB mbeti në nivelin e 3.7%. Ndryshe nga shtetet e tjera të rajonit, ato që drejtojnë rritjen ekonomike janë shpenzimet konsumatore dhe konsumi qeveritar. Përmirësimi ekonomik dhe implementimi i masave fiskale mbështetën një reduktim të deficitit fiskal thuajse në të gjitha ekonomitë e Ballkanit Perëndimor më 2015, por rritja e lartë e nivelit të borxhit do të mbetet një shkak shqetësimi për shumë shtete.

Stoltenberg: Shqipëria të plotësojë detyrimet që ka ndaj NATO-s

????????????????????????????????????

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i kërkon qeverisë shqiptare të plotësojë detyrimet e saj ndaj Aleancës si dhe të rrisë investimet e saj në mbrojtje. Stolenberg e përcolli këtë mesazh gjatë deklaratës së përbashkët për shtyp me Presidentin Bujar Nishani, me të cilin zhvilloi dje një takim.
Nishani diskutoi me Stoltenberg mbi çështje të ndryshme me interes për Shqipërinë dhe Aleancën në këto momente shumë kritike.
Gjatë konferencës për shtyp, Stoltenberg u shpreh që Shqipëria duhet të rrisë investimet në fushën e mbrojtjes për të kontribuuar më shumë. “Ja kam kërkuar këtë edhe qeverisë shqiptare që ta rrisë mbrojtjen në vitin 2016. Sikurse po përpiqet të japë kontributin për mbrojtje, ashtu edhe ne po përpiqemi ta rrisim mbrojtjen në NATO. Sigurisht që Shqipëria ka kapacitete, por duam ta shikojmë edhe më tej praninë e Shqipërisë në NATO. Presim që Shqipëria të investojë më shumë në mbrojtje”, u shpreh kreu i NATO.
Sekretari i Përgjithshëm të NATO-s vlerësoi gjithashtu rolin e Shqipërinë në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor, si dhe për kontributin në luftën kundër ISIS. “Keni biseduar për të forcuar marrëdhënien tonë dhe për të zgjeruar bashkëpunimin. I jam mirënjohës Shqipërisë për kontributin në aleancën tonë. Vlerësoj edhe kontributin e Shqipërisë për të luftuar ISIS. Ju luani një rol të rëndësishëm në ndihmën ndaj NATO-s për të realizuar angazhimet e saj. Shqipëria ka ndihmuar për stabilitet në Ballkanin Perëndimor. Muajin tjetër do të ndërmarrim një hap të rëndësishëm për nënshkrimin e protokollit të Malit të Zi, pasi ky vend ka bërë hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit në NATO.
Kreu i Shtetit e siguroi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s se, Shqipëria do të mbështesë çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë, si dhe shprehu besimin, se Samiti i Varshavës do të ofrojë zgjidhje afatgjata veçanërisht në planin e zhvillimit të kapaciteteve. Duke u ndalur në përgatitjet e Samitit të ardhshëm të NATO-s në Varshavë, Presidenti Nishani u shpreh se ky Samit po mbahet në një moment shumë kritik për zhvillimet ndërkombëtare, dhe shprehu besimin se aty do të arrihen pritshmëritë në kuadër të përballimit të kërcënimeve dhe sfidave aktuale.
“E sigurova Sekretarin e Përgjithshëm se Shqipëria do të mbështesë çdo iniciativë dhe përpjekje të Aleancës për t’u modernizuar dhe përshtatur me ndryshimet e ambientit të sigurisë, si dhe shpreha besimin se Samiti i Varshavës do të ofrojë zgjidhje afatgjata veçanërisht në planin e zhvillimit të kapaciteteve. Por sigurisht që zhvillimi i kapaciteteve dhe realizimi i ambicieve të Aleancës nuk mund të jetë i mundur pa një angazhim serioz dhe përmbushje të angazhimeve financiare nga të gjitha vendet anëtare, përfshirë dhe Shqipërinë. Në këtë aspekt theksova se Shqipëria, në vijim të angazhimeve të Uellsit, do të vijojë trendin e rritjes së buxhetit të mbrojtjes deri në përmbushjen e angazhimeve të saj”, tha Nishani.
Presidenti i Republikës shprehu gjithashtu mbështetjen për vijimin e politikës së dyerve të hapura të NATO-s, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Kreu i Shtetit inkurajoi gjithashtu rritjen e nivelit të bashkëpunimit ndërmjet NATO-s dhe Kosovës, si një garanci e shtuar në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit të rajonit tonë.
“Shpreha mbështetjen pa rezerva për vijimin e politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s, duke konfirmuar mbështetjen e Shqipërisë për pranimin e Malit të Zi dhe të Maqedonisë në Aleancë, në interesin më të mirë të forcimit të paqes dhe sigurisë në rajonin e Evropës Juglindore dhe të Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi rajonal dhe kriza e refugjatëve zunë një vend të veçantë në bisedën tonë. Theksova se Shqipëria është e vendosur për të vijuar me politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit, si dhe se do të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për kapërcimin e krizës së refugjatëve, në kuadrin e një zgjidhje të bashkërenduar evropiane dhe proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj”, tha ndër të tjera Nishani.
Edhe në këtë takim u trajtua edhe bashkëpunimi rajonal dhe kriza e refugjatëve dhe Presidenti Nishani theksoi se, Shqipëria është e vendosur për të vijuar me politikën e saj të fqinjësisë së mirë dhe mirëkuptimit, si dhe se do të japë të gjithë kontributin e nevojshëm për kapërcimin e krizës së refugjatëve, në kuadrin e një zgjidhje të bashkërenduar evropiane dhe proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj.
“Kjo është hera e dytë që vizitoj Selinë e NATO-s gjatë mandatit tim presidencial dhe ishte një kënaqësi e veçantë takimi me ju, i cili vjen vetëm pak muaj nga takimi ynë në Tiranë, gjatë vizitës suaj në Shqipëri në muajin dhjetor 2015. Takimi i sotëm më dha mundësinë të shpreh edhe njëherë mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve për mbështetjen shumëdimensionale që Autoritetet dhe vendet anëtare të NATO-s i kanë dhënë Shqipërisë gjatë procesit dhe pas anëtarësimit, si dhe të bisedoj me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për çështje të ndryshme me interes për Shqipërinë dhe për Aleancën”, tha Nishani.
Nga ana tjetër, Nishani bëri të ditur se, një prej temave kryesore të bisedës ishte Samiti i ardhshëm i Varshavës, për të cilën u shkëmbyen mendime lidhur me momentin kritik kur realizohet ky Samit, si dhe pritshmëritë në kuadër të përballimit të kërcënimeve dhe sfidave në kufijtë jugorë dhe lindorë, si dhe rreziqeve nga terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Arben Shahini

ERE konfirmon abuzimet e qeverisë, çmimi i energjisë u rrit me rreth 13 për qind

Qeveria rriti çmimin e energjisë për qytetarët me rreth 13% më shumë gjatë vitit 2015. Partia Demokratike iu referua dje raportit të Entit Rregullator të Energjisë, sipas të cilit çmimi i energjisë për konsumatorët u rrit në të kundërt të premtimit të qeverisë që pretendonte se do të ulte nivelin e tarifave. Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Jorida Tabaku publikoi të dhënat që tregojnë se si qytetarët shqiptarët paguan më shumë edhe pse harxhuan më pak energji elektrike.
“Në fillim të vitit 2015, opozita kritikoi ashpër qeverinë sepse rriti çmimin e energjisë elektrike për familjarët dhe gjithashtu për bizneset. Na akuzuan se opozita po mashtronte, sepse çmimi real i energjisë elektrike po ulej.
Realiteti është plotësisht i kundërt dhe raporti i ERE është rikujtesa për çdo shqiptar që sot paguan një faturë më të hidhur për energjinë.
Sipas ERE, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët u rrit me rreth 13 për qind gjatë 2015. Ky raport thekson se të gjithë tarifat e energjisë u rritën për të gjitha kategoritë e konsumatorëve”, tha Tabaku.
Ajo theksoi se më shumë se gjysma e konsumatorëve të energjisë elektrike që harxhojnë më pak se sa 300 kv, pra, 56% e familjeve shqiptare kanë paguar mesatarisht 6% më shumë se sa në vitin 2014. Një familje e varfër, që jeton me më pak se 5 USD në muaj ka paguar falë të ashtuquajturës reformë mesatarisht 9.52 lekë për kilovat më 2015, ndërsa më 2014 ajo paguante mesatarisht 8.89 lekë për kilovat.
Tabaku citoi se raporti i ERE, nxjerr edhe një herë në pah gënjeshtrën qeveritare se çmimi mesatar do të ulej për të gjithë konsumatorët. “Duke faktuar edhe një herë se sot të gjithë konsumatorët, biznese apo familje, paguajnë 11.22 lekë/kilovat nga 9.22 që paguanin më parë.
Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shqiptarët janë sot peng i një aksioni që mbahet si flamuri i qeverisë, ku punonjësit e OSHEE u shndërruan në policët që burgosnin qytetarët për mospagimin e energjisë. Ndërkohë që qeveria raporton se ka ulur deficitin e OSHEE përmes kërbaçit ndaj qytetarëve më të varfër dhe të pambrojtur të vendit, raporti ERE edhe një herë nxjerr zbuluar propagandën”, tha deputetja demokrate.
Ajo theksoi se është e vërtetë që OSHEE ka arritur të mbledhë 12.25 mld lekë detyrime të prapambetura nga ana e qytetarëve nga viti 2007-2014, por nuk duhet harruar që borxhi që kjo kompani ka krijuar nga administrimi rilindas është pak më i lartë, 13.29 mld lekë vetëm në një vit.
“Shifrat janë kokëforta, shqiptarët sot paguajnë një çmim më të lartë energjie, ndërsa OSHEE ka rritur detyrimet që konsumatorët kanë ndaj saj. Reforma energjetike ka fatin e çdo reforme tjetër të nisur nga kjo qeveri, gënjeshtër, propagandë dhe asnjë rezultat.
OSHEE nga ana tjetër mbetet institucioni që promovon dhe krijon tendera nga më korruptivët, duke rënduar shqiptarët me fatura që vetëm për vitin e shkuar kanë qenë mbi 91 mijë të tilla”, tha Tabaku.
Deputetja demokrate theksoi se janë këto mbifaturime që i shtohen barrës së madhe që çdo qytetar paguan në sportelet e OSHEE, para që dalin nga xhepat e varfëruar të shqiptarëve për të shkuar në llogaritë e fryra të oligarkëve të qeverisë, përmes tenderave korruptivë duke filluar në trajtimin e stresit, trajnimin e stafit, parashikimin e motit e çdo shërbim tjetër të paimagjinueshëm.
“Vetëm në 3 muajt e parë të vitit kjo kompani ka tenderuar 23 mld lekë pa asnjë eficencë, e vetëm për dy vite në shpenzime luksi janë harxhuar 21 mln USD. Ndërkohë që, qytetarët në të gjithë Shqipërinë sot janë duke protestuar për rritjen e çmimit të energjisë për mbifaturimet, OSHEE vazhdon abuzimet, ndarjen e parave të gjakut të shqiptarëve.
Kjo është oligarkia e korrupsionit që sundon sot, me abuzime e plaçkitje në çdo degë të qeverisë, ku nga më të dalluarat në këtë drejtim mbetet OSHEE dhe sektori i energjisë”, u shpreh Tabaku.

Qytetarët të revoltuar nga faturat e kripura për energji të pakonsumuar

Qytetarët e Cërrikut protestojnë në lidhje me mbifaturimet abuzive të energjisë elektrike. Ata denoncojnë faktin se faturat e tyre të muajit mars janë më të shtrenjta se faturat e muajve të dimrit, kur shpenzimi ka qenë më i madh.
Madje, qytetarët thonë se në zyrat e pagesave u kërkojnë të paguajnë faturën, pasi muajin pasardhës fatura do u vijë me çmim më të ulët.
“Nuk e kam kaluar asnjëherë 15 mijë lekëshin. Nuk kam asgjë në shtëpi. Nuk kam as dush. Kam një televizor dhe një dritë. Si të paguaj unë tani 45 mijë lekë?”, thotë një qytetare. Ndërsa një tjetër shton: “Na ka vajtur thika në palcë të kurrizit. Pa punë unë, pa punë çuni. Nusja pa punë. Asistencë nuk marr. Me çfarë t’i paguaj unë?”.
“Gati 68 mijë lekë faturimi. Çfarë do të bëj unë tani? Muaj më parë kam paguar nga 30, 35 mijë lekë. Jemi 13 veta në shtëpi me një pension. Çfarë do të bëj me një pension unë? Do të përballemi ndryshe, sepse nuk kemi fuqi më. Kemi shkuar në fund”, denoncon një tjetër qytetar.
Një qytetare thotë se në muajt dhjetor–janar është ngrohur me energji elektrike. “Me kursim jam ngrohur, ka vajtur deri në 32 mijë lekë. Këtë muaj më ka ardhur 42 mijë lekë”.
Ndërsa një tjetër zonjë dëshmon se në faturë i janë shtuar në mënyrë fiktive 101 KW. “Paguaj 25 mijë lekë aktmarrëveshjen, plus energjinë elektrike, nuk e përballoj dot me asistencë. Çfarë do të hamë, vetë i katërt?”, thotë ajo.
Deputetja e Partisë Demokratike Arbiola Halimi, e cila dëgjoi nga afër shqetësimet e banorëve të Cërrikut, tha: “Nuk janë militantë partie. Janë qytetarë që kanë një hall, që është mbifaturimi dhe është mbifaturim abuziv. Të marrin masa sepse problemi është shumë sensitiv dhe siç e thanë edhe vetë këta qytetarë masat e tjera që do të merren nuk do të jetë një protestë e thjeshtë, por do të ketë edhe bllokim rrugësh. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë hetimet se përse është bërë ky abuzim”.

Mbifaturime edhe në Lezhë, faturat e energjisë me nga 200 kw më tepër

Banorët e Lezhës ankohen prej muajsh për fatura të larta nga OSHEE. Mbifaturimet sipas tyre janë abuzime që nuk gjejnë zgjidhje në asnjë zyrë. Banorët ankohen se marrin borxh për të shlyer faturat me vlera më të larta se harxhimi ditor i energjisë në banesat e tyre. Kryetari i Partisë Demokratike dega në Lezhë, Paulin Marku, pa nga afër situatën e rënduar në sportelet e OSHEE-së, ku qytetarët shprehnin revoltë në lidhje me abuzimet që u bëhen prej kohësh faturave të tyre të energjisë. Qytetarët ankohen se nuk gjejnë zgjidhje edhe pas ankesave, të cilat i dorëzojnë zyrtarisht, madje ata denoncojnë edhe faktin se sahatet e tyre nuk vëzhgohen nga asnjë faturist, duke drejtuar vëmendjen nga shteti, i cili sipas tyre po u vjedh hapur. “Faturën nuk e kam paguar sepse kam 200 kw më tepër”, tha një qytetar.
“60, 70, 80 më vjen fatura çdo muaj. Çdo herë marr borxh dhe vij i paguaj”, tha një zonjë e cila priste prej orësh në radhë.
“Kam ardhur të sqarohem dhe të bëj ankesë. Këto thonë nuk e bëjmë. Duhet të shkosh në Tiranë më thanë”, ankohet një qytetar.
Ndërsa një tjetër thotë: “Përsëri kanë bërë të njëjtin kalim kur unë u ankova për mbifaturimin. E njëjta gjë më ka ardhur në muajin mars. Asgjë nuk po gjen zgjidhje. Më thanë se do të më sillnin mesazh për problemin e mbifaturimit. Nuk erdhi asnjë mesazh, as kontroll, asgjë. Ne nuk dimë më ku të shkojmë, ku të mbytemi. Na thonë shko tek drejtori, ai nuk është. Kthehemi prapë këtu, këto nuk na zgjidhin gjë”.
“870 kw mbifaturim më ka ardhur këtë muaj, ja fatura, e kam parë numrin e sahatit e kam sjellë kopje, kam depozituar ankesën, prej dy javësh. Nuk ka ardhur askush as me pa sahatin. Ka ardhur një elektriçist në fillim të muajit, por ata e heqin atë që ka parë sahatin. Këtu i kam të gjitha të dhënat që i kam sqaruar dhe në kërkesë. Këto punonjëset më thonë ankohu, por ku? Ka dy-tri javë që është bërë ankesa, por nuk vjen kërkosh”.
Një qytetar denoncon: “692 kilovat më ka ardhur, nga 400 që shënon sahati. Këta punonjës nuk japin asnjë përgjigje asnjë sqarim”.
“Mbifaturimin ma kanë bërë dhe në dhjetor. Unë jam klient i rregullt. Shteti nuk duhet të na vjedhë. Në qoftë se shteti ka nevojë për lëmoshë ia japim, por jo të na vjedhë. Drejtori më thotë pas 60 ditësh do të vijmë ta verifikojmë. Pas 60 ditësh unë nuk e di ku do të jem. Ta verifikojnë sot nesër, jo kaq vonë”, shprehet i revoltuar një banor.
Nisur nga shqetësimet e shumë qytetarëve të Lezhës, kryetari i PD-së së Lezhës Paulin Marku, ishte tek operatori i Shërbimit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike, shërbimi ndaj klientit.
Situata është dramatike, tha ai, këtu është një korrupsion i paparë, një hajdutllëk, vjedhje masive e gjithë qytetarëve të Lezhës.
“Unë vetë me sytë e mi e pashë që qytetarët ankohen për mbifaturime deri në 897 kw një familje. Familjet e tjera kishin mbifaturime të përsëritura nga janari, shkurti dhe përsëri marsi. Desha të marr kontakt dhe me drejtuesin e degës së OSHEE, pavarësisht se është një njeri i emëruar politikisht nga Fieri dhe vjen t’u shërbejë qytetarëve në Lezhë. Besoj se këto emërime politike janë shkatërruese jo vetëm për Operatorin e Shpërndarjes, por për të gjithë qytetarët e Lezhës, të cilët nuk kishte asnjeri t’i priste as tek Operatori i Shpërndarjes, as tek Kujdesi ndaj Klientit dhe as tek zyra e drejtorit. Qytetarët janë të irrituar sepse çdo ditë paguajnë mbifaturim të energjisë elektrike. Një shqetësim tjetër i ngritur nga qytetarët, është fakti që ka mbi 15 lëvizje të specialistëve të OSHEE të zonës që janë larguar nga puna dhe faturat bëhen aforfe. Asnjeri nuk shkon të shohë sahatin, vetëm thjesht regjistrohen për të paguar para. Kjo është një situatë që duhet të merret në konsideratë sa më parë nga Ministria e Energjetikës, OSHEE sepse është një vjedhje e hapur e gjithë qytetarëve të Lezhës”, tha Marku.

Arben Shahini

Berisha përshëndet Lumturimin e 38 martirëve nga Papa

Ish-Kryeministri Berisha vlerësoi dje, dekretimin nga ana e Lumturimit të Imzot Vincenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë të kalvarit të egër komunist. Përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Berisha shprehet:
“Është një ditë historike për katolikët shqiptarë, mbarë kombin shqiptar dhe krishtërimin në botë. Papa Francesku dekretoi sot Lumturimin e Imzot Vencenc Prenushit dhe 37 martirëve të tjerë të kalvarit të egër komunist të Kishës Katolike të Shqipërisë, për sakrificën e tyre sublime në mbrojtje të vlerave hyjnore të besimit të tyre tek Zoti, Krishti Mbret. Kjo është mirënjohja dhe vlerësimi më i lartë papal për sakrificën e klerikëve martir shqiptarë, kontributin e madh të tyre në krishtërimin botëror. Ky dekret është një mirënjohje e veçantë për punën e jashtëzakonshme që meshtarët shqiptarë, klerikët katolikë bënë gjatë këtyre 25 viteve në studimin, qëmtimin, vërtetimin e qëndresës dhe veprës së pavdekshme të 38-40 martirëve të Kishës Katolike shqiptare. Me këtë rast le t’i shprehim ne mirënjohjen më të thellë Papa Franceskut për dekretin e Shenjtërisë së tij, historik për katolikët shqiptarë, kombin shqiptar në tërësi dhe mbarë krishtërimin.
Papa Françesku firmos dekretin e martirizimit të 38 klerikëve të Kishës Katolike shqiptare të vrarë nga komunizmi ndërmjet viteve 1945-1974. Njoftimi është dhënë nga imzot Angelo Massafra, kreu i Konferencës Ipeshkvnore. Në audiencën që Papa i ka dhënë Kardinalit Amato, Prefekt i Kongregatës për Shenjtërit, ka autorizuar shpalljen e dekretit për “martirizimin e Shërbëtorit të Hyjit Vinçenc Prenushi i Urdhërit të Fretërve të vegjël dhe 37 shokët martirë të vrarë ndërmjet 1945 dhe 1974”. Janë 38, për të cilët ka mbaruar proçesi i lumturimit, proçes të cilin sot me firmën e tij e mbylli Papa Françesku. “Pontifikati i Papa Françeskut, pasurohet me martirë të rinj të shekullit XX”.

Nishani takohet me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare në Bruksel

Presidenti Bujar Nishani, gjatë vizitës së tij të punës në Bruksel, organizoi një pritje me përfaqësuesit e shoqatave shqiptare që funksionojnë në Bruksel dhe rrethina si dhe me intelektualë e personalitete të tjera të botës së biznesit dhe të kulturës që janë pjesë e diasporës sonë në Belgjikë. Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti Nishani i kushtoi vëmendje të veçantë orientimit perëndimor të kombit tonë në të gjitha kohët si dhe rëndësisë së zhvillimit dhe ruajtjes së identitetit kombëtar të diasporës sonë, e cila nuk është e paktë në numër anembanë botës. Gjatë takimit të përzemërt me bashkatdhetarët në Bruksel, Kreu i Shtetit theksoi mes të tjerash se: “Diaspora jonë është një vlerë e çmuar kombëtare, e cila ngaherë ka qenë e lidhur pazgjidhshmërisht me fatet e kombit dhe të Atdheut. Pa kontributin e diasporës, zhvillimet dhe ndryshimet demokratike në Shqipëri, si dhe liria dhe pavarësia e Kosovës do të kishin qenë shumë më të vështira për t’u arritur”.